Një i punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, madje tash sa vite numër dy i këtij dikasteri, mëton të jetë diplomat, madje diplomat i lartë i shtetit më të ri të Evropës, ndër më të rinjtë e botës. E ka emrin Petrit Selimi. E gëzoftë e mos e gëzoftë, punë e madhe. Ai më kot mëton të jetë nëpunës, mëkot mëton të jetë zyrtar, mëkot mëton të jetë diplomat. Sepse, para se të jesh çkado tjetër, duhet të jesh medoemos njeri.Duke mos qenë njeri, ai është i papërgjegjshëm. Është i papërgjegjshëm ndaj emërtesës, i papërgjegjshëm ndaj detyrës, i papërgjegjshëm ndaj vetes, sepse është kurrkushi. Prandaj atij nuk ia merr askush për të madhe ato që thotë, kudo, për këdo e për çkado të flasë. Për të madhe i merret qeverisë që ia jep rrogën, për të madhe i merret atij që e ka emëruar dhe e mban në punë, për të madhe i merret ministrit të Jashtëm, i merret për të madhe Kryeministrit të Kosovës. Ai, me thëniet e tij të papërgjegjshme e korit, e turpëron Kosovën, i turpëron të gjitha përkatësitë e tij edhe thjesht si frymë popullsie e këtij vendi.Petrit Selimi, nga pozitat zyrtare që gëzon ka llapitur kundër Joseph DioGuardin. Nuk e ka bërë këtë nga vetja. E ka bërë këtë me porosi. Të paktën me porosi të shefit të drejtpërdrejtë. Meqë DioGuardi nuk pajtohet me politikën e Hashim Thaçit dhe me politikën zyrtare të Kosovës në përgjithësi këto shtatë-tetë vite, numri dy i Thaçit ia ka mohuar DioGuardit të gjithë të kaluarën e tij historike. Një logjikë kjo tejet e mbrapshtë dhe e prapambetur, tipike staliniste.Askënd nuk habit një fëmijë qyrran, të cilin dikush mbi të e shtyn për të përdhosur një institucion të shenjtë. Një fëmijë qyrran që duke i sulmuar lartësitë mendon se bëhet dikushi. Habit qëndrimi i derisotëm i qeverisë së Kosovës, sidomos qëndrimi i Isa Mustafës. E pamundur të mos jetë vënë në dijeni të këtij turpi që ia ka bërë Kosovës zëvendësministri i Jashtëm. Ai që reagon në çast dhe me egërsi për çdo fëshfërimë sado të vogël që nuk shkon në interes të postit të tij, si është e mundur që nuk reagon për sjelljen e e papërgjegjshme të mvartësit të tij kundër një figure që ka tridhjetë vjet në qendër të përpjekjeve për lirinë, pavarësinë dhe faktorizimin e Kosovës, si dhe për triumfin e çështjes shqiptare. Dhe këtë e bën jo diku tjetër, por bash në qendrën më të rëndësishme të vendimmarrjeve, në Uashington.Duke mos reaguar ndaj zyrtarit të vet, Qeveria e Kosovës, Kryeministri i Kosovës tregojnë se, së paku, nëse nuk qëndrojnë prapa llapitjeve të tij, atëherë pajtohen plotësisht me paudhësitë e tij.Ky është skandali i tretë i kësaj natyre në pak muaj i qeverisë surrogate Mustafa.
Skandali i parë ishte ai i ministrit Jabllanoviç, i cili i fyeu nënat e të zhdukurve të luftës. Kjo ngjalli zemërim të madh në opinionin e Kosovës, çka u pasua me protesta masive deri sa Mustafa u detyrua ta shkarkonte vartësin e tij të drejtpërdrejtë.Skandali dytë ishte ai i ministrit Stavileci i cili fajin pse rinisë shqiptare i mungon e ardhmja në Kosovë, ua vuri nënave shqiptare, të cilat lindin shumë. Kjo ishte një akuzë e papërfytyrueshme për dikë me prejardhje shqiptare. Edhe ky skandal ngjalli zemërim dhe protesta.
Skandali i tretë është ky i zëvendësministrit Selimi. Ky skandal ka ngjallur zemërim në diasporë, sidomos në diasporën tonë në Amerikë, e cila ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të këtij zyrtari. Është pikërisht diaspora që ka bërë më së shumti për t’ia hapur Kosovës dyert e Kongresit Amerikan, të Departamentit Amerikan të Shtetit, të Shtëpisë së Bardhë. Dhe këto i ka bërë duke pasur në krye DioGuardin, duke pasur në krye vizionin e DioGuardit.
Qeveria e Kosovës, kryeministri i Kosovës janë tejet të vonuar në reflektimin dhe vendimmarrjen ndaj autorit të skandalit kundër Joseph DioGuardit.
Kurrë më Kosovës mos i ardhtë në zyrat e saj një i punësuar i tillë i papërgjegjshëm si autori i këtij skandali!
Komentet