Victoria Invest, një kompani pranë ish-kryetarit të PD, Lulzim Basha, ka përfituar qindra milionë lekë nga bosët e plehrave në vend. Sipas të dhënave zyrtare, kompania që drejtohet nga Fatmir Kuçi është paguar mbi 400 milionë lekë nga koncensonarët e Fierit dhe Elbasanit
SYRI TV
Afera e inceneratorë po provon çdo ditë e më shumë arsyet se përse opozita e Lulzim Bashës është treguar tejet e butë me aferën më të madhe financiare në Shqipëri.
“Victoria Invest”, një kompani shumë pranë ish-kryetarit të Partisë Demokratike, rezulton se ka përfituar qindra miliona lekë nga “biznesmenët e plehrave”.
Të dhënat zyrtare tregojnë se shoqëria në pronësi të Fatmir Kuçit është paguar mbi 400 milionë lekë të vjetra nga shoqëritë koncensionare të landfilleve të Elbasanit dhe Fierit. Koncensionari i inceneratorit të Elbasanit, “Albtek Energy”, në pronësi zyrtare të Stela Gugalljas, ka faturuar për llogari të “Victoria Invest” shumën totale prej 220 milionë lekë të vjetra.
Ndërsa koncensionari i landfillit të Fierit, “Integrated Technology Waste Treatment”, në pronësi absolute të Klodian Zotos, ka paguar për “Victoria Invest” shumën prej 210 milionë lekë të reja.
Biznesmeni elbasanas, Fatmir Kuçi, konsiderohet si një prej njerëzve më të afërt të Lulzim Bashës. Raportimet mediatike të disa kohëve më parë treguan se “Victoria Invest” ka në pronësi mjetin Mercedes, të cilin e përdor publikisht ish-kryetari i Partisë Demokratike.
Më herët, Syri TV raportoi se familja e Agron Kapllanaj, një tjetër personazh i afërt me Lulzim Bashën, kishte përfituar mbi 50 milionë lekë të vjetra nga inceneratori i Fierit.
Partia Demokratike gjatë kohës që drejtohej nga Basha, ngriti një Komision Hetimor Parlamentar për çështjen e koncensioneve të Plehrave. Punimet e komisionit krijuan një kakofoni të madhe publike, duke ngritur dyshimet se ajo ishte e gjitha një farsë politike për të mos zbuluar të vërtetën e skandalit gjigant që ka përfshirë qeverinë e Edi Ramës.
Komentet