-Ma jep mua bilbilin !
-Bilbili këndon vetëm për mua. Po
ndrrojë ajrin ai e ka të vështirë të
fluturojë. Po ndërroj fole atij i meket
zëri, ndrron, ndrron jetë.
-E mësoj unë si të këndoj në ballkonin
tim, në kafazin e ri.
-Bilbili im këndon pa kafaz, o njeri. Po e
mbylle në kafaz ai i mbyll sytë.
-Ta paguaj.
-Si the? Nuk e shes unë këtë bilbil,
asnjë për be. Dhe degjomë mirë, mos u
afro më tek shtëpia ime! Vëre vath në
vesh.
-Pse? Liqeni është i të gjithëve.
-Po, liqeni i te gjithëve është, por bilbili i
liqenit është vetëm i imi.
Nuk e shes.
*
-Hej, o njeri, pse këput rrush? Këput
rrush me gjithë verige ?
Qënka i ëmbël-iu gjegj pushuesi i vilës.
-I ëmbël, i thartë ky është rrushi im.
Dëgjove ? Këto hardhi i kam nxjerr nga
gishtat e mi.
-Qënke shpuzë, qënke bela – ia ktheu
pushuesi. –
-Po, po shpuzë çifteje jam. Më
kuptove? Nuk tremb njeri unë por nuk
lë askënd të tremb bilbilin tim, të më
shqyej hardhinë. Gjithë veriget t’i jap,
ëmbëltohu gjer në byth por mos më
lëndo asgjë tek ky kopsht. Dëgjove?
-Ta paguaj unë verigen. –
Si the, do më paguash verigen. S’më
paske dëgjuar mirë, o shurdhak
kryeqyteti. Unë vjel gjithë hardhinë për
dynja e për ty, të ëmbëltohesh dhe ti
me të tjerët, të jap edhe një damzan
raki me vete ta pish tek xhamia e
Tiranës. Sa të jesh këtu, mos më dil
më në ballkon, mos më dil më përpara,
ke një deriçkë nga kthina tjetër, dil
andej për tek liqeni.
-Mos ma shëmto hardhinë,
o shëmtaraq!
*
-Hej, hej nga vjen gjithë ky ujë, –
turfullon i zoti i shtëpisë duke i ngjitur
vrapthi shkallët e katit të dytë. Trokiti,
s’ia hapi kush derën,trokiti me
pëllëmbë, grushte.
-Hej, hej o bela, hej , hej unë usta, tjetri
bëhet në shtëpinë time zotni e bela!
-Ç’është, ç’ ka ngjarë, ?- belbëzoi një
zonjë duke ngjitur shkallët e lëpirë
buzët e një koneje.
-Ç’ka ngjarë? Hej, çka ngjarë. Nuk
sheh, po të rrëshqet uji nën këmbë.
-Për fresk?
-Si the, moj? Për fresk? Ma lerë atë qen
të dhjesë në kopsht sonte, mblidh
plaçkat me sot e nesër s’e s’të duroj
dot. Njëherë me qëlloje me satër
kofshën e mishit sa ma ciflose
lavapjatin, tani më mbyt e përmbyt
dysheme, shkallë e haur.
-Të kam paguar, t’kam paguar shtrenjtë.
-Si the moj, si the , ej, je grua pa t’ishe
burrë do të të zija me shkelma e hu.
Vjen ti nga vjen e më shëmton
shtëpinë.
*
-Mirëmbrama, zotni, mirëmbrama!
Oooo, – u gëzua i zoti i shtëpisë. Keni
tri ditë ardhur e ju ka përpirë gjumi- e
shakatoj ai çiftin.
-Nesër në m’ngjes ne kena me u kthye
për Shkodër, por a mujtesh me na i
dhurue a si ta mejtosh ti bylbilin që
k’non aq ambëlt -tha, e tha dikush a e
thanë të dy sëbashku çift.
U mejtua sa u mejtua i zoti i shtëpisë.
-Faleminderit që e dashkeni kaq
shumë bilbilin tim, po nuk e shes, nuk
e shes kurrë, veç mund ta dhuroj.
Çifti çeli më shumë nga sytë.
-Por as juve s’jua dhuroj. Ky bilbil.
këndon vetëm për mua, vetëm në
kopshtin tim. Ky bilbil ma zbukuron
kopshtin. Ju vetë jeni këngëtarë , njeri
thllanzë e tjetri bilbil…
*
Vajza jote vizaton, vizaton zogj, lule,
fruta, valë. Vajza jote, e mira, sikur u
çel tek ky kopsht. E shoh çdo ditë si u
afrohet drurëve e përplas duart para
mollëve, dardhave, ledhaton gjethet e
hardhisë. Nuk këput asnjë kokërr
rrush. I fola por…iu afrova, por..Vetëm
puqi dy pëllëmbët e saj, ngriti kokën
dhe dëgjonte bilbilin.-tha i zoti i
shtëpisë.
Ah, vajza ime, miku im, nuk sheh e nuk
dëgjon,vajza ime vizaton, vizaton,
vizaton…
Oh, ç’më the- foli i zoti i shtëpisë dhe
sytë iu mbushën me lotë.
-O, bilbil, bilbili im, këndo për këtë
vajzë të ëngjëllt, sillja sytë, ndizja
timpanin – thirri Iloja , Iloja kopshtar,
peshkatar, druvar e vozaxhi, rojtar e
murator. e çka ta duash ti.
-Asaj ia dhuroj bilbilin tim…