VOAL

VOAL

Biblioteka e Kongresit siguron numrin e parë të gazetës Taraboshi (video)

July 30, 2019

Komentet

Çfarë jete kjo e avokatit! Nga Av Dorian Matlija

Çfarë jete kjo e avokatit!

Përtej personalitetit të avokatit Saimir Visha, që ata që e njohin më mirë mund të flasin për të, lajmi për ndarjen e tij nga jeta më bëri të reflektoj për jetën e një avokati si Saimiri.

Një jetë me stres, me hallet e të tjerëve mbi shpinë, që i adopton sikur të ishin hallet e tua personale, me orare të zgjatura, me dilema pa fund, me institucione që nuk dëgjojnë, me mendje të mbyllura që nuk duan të kuptojnë, me beteja që nuk mbarojnë, që mbivendosen njëra mbi tjetrën si gurë në një thes mbi shpinë, që e mban lidhur në fyt.

Me klientë që nuk kanë durim, shpesh me të drejtë edhe ata të shkretët.

Një jetë ku harron të jetosh.

Harron familjen, fëmijët, prindërit, miqtë.

Harron veten. Harron që nuk je prej hekuri.

Çdo ditë të duhet të mprehësh shqisat për të nuhatur anët më të errëta të natyrës njerëzore, aq sa të duket që bota shumë e poshtër.

Dhe nuk ka faj avokati i shkretë.

Shpesh nuk merr asnjë falënderim.

Klientë që të negociojnë çmimet, që të kërkojnë të punosh falas, që shpesh të ngarkojnë edhe përgjegjësi që nuk i ke, që të fajësojnë pa dashje dhe shpesh nuk të falenderojnë me dashje edhe kur ke gjithë meritat që ke sjellë ndryshim në jetën e dikujt.

Të bie të bëhesh psikolog, prift, shok, engjëll, djall, armik, strateg, ilaç, busull, mbrojtës e ku di unë se çfarë tjetër…

Gjithçka, përveçse njeri me jetën tënde.

Truri nuk të pushon kurrë.

As natën, as në fundjavë, as në pushime.

Gjithmonë një dosje, një afat, një hall, një padrejtësi.

Fitoret të gëzojnë vetëm dy minuta, ndërsa humbjet të bëhen barrë të vështira për t’u shlyer.

Gjithmonë duke jetuar me një nevojë konstante migjeniane për t’ia ngjesh malit në zemër atë argumentin në formë grushti që do doje ta kishe.

Dhe befas… një ditë bëhesh një fotografi mortore.

Dosjet mbeten, gjyqet vazhdojnë, klientët gjejnë avokat tjetër.

Çfarë jete kjo e avokatit!

Një jetë e kaluar duke mbrojtur të tjerët, ndërsa harron të jetosh.

Në fund vdekja nuk është shumë ndryshe nga të harruarit e jetës.

E vetmja diferencë është që me vdekjen truri i avokatit bie në paqe.

Lamtumirë, Saimir!

Ma merr mendja që ti, si shumë të tjerë që janë ende këtu, i ke kaluar të gjitha ato më sipër.

Tani je në paqe!

U prehtë në paqe shpirti yt!

 

“‘Vila e shefes’ me vlerë 420 mijë euro, piktura dhe Netflix me emrin e Belinda Ballukut”-BIRN: Kutia e mbushur plot me para! Çfarë zbuloi SPAK në Dhërmi

Një llogari në Netflix, pikturat familjare dhe komunikimet për ndërtimin e një pishine janë disa nga provat e SPAK që e lidhin ish-zv.kryeministren Belinda Balluku me pronësinë e një vile në Dhërmi, e cila dyshohet se u përfitua në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol”. Hetimi për vilën ka nxjerrë gjithashtu në pah një rrjet personash pranë Ballukut dhe një vijimësi marrëdhëniesh të dyshuara abuzive, që sipas prokurorisë datojnë që prej vitit 2014.

Në fund të prillit 2026, kur oficerët e policisë gjyqësore hynë për kontroll në vilën F6 të kompleksit “White Rocks” në Dhërmi, gjetën në muret e saj piktura me inicialet e vajzës së Belinda Ballukut dhe zbukurime ditëlindjeje me emrin e djalit të saj.

Në televizorin e dhomës së ndenjes, aplikacioni Netflix ishte i hapur me adresën elektronike të ish-zëvendëskryeministres, ndërsa profilet e përdoruesve mbanin emrat e saj dhe të fëmijëve.

“Belinda”, “Belenko”, “belen” dhe “princess colin” ishin emrat që hetuesit gjetën të regjistruara në televizor.

Për Prokurorinë e Posaçme, këto ishin vetëm disa nga gjurmët e një pasurie që rezultonte në emra të tjerë, por që, sipas hetimit, zotërohej dhe përdorej prej vitesh nga Balluku dhe familjarët e saj.

Sipas një vendimi për njoftim akuze të 16 tetorit 2026, vila dyshohet se ishte përfituar nga Balluku në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në një tender të Albcontrol-it të vitit 2014, ku Evis Berberi drejtonte Komisionin e Vlerësimit të Ofertave. Berberi e vijoi më pas karrierën në institucionet e drejtuara nga Balluku, përfshirë ARRSH-në, ndërsa dyshimet për ndërhyrje në tendera u shtrinë edhe te kontratat e infrastrukturës, të përfshira në hetimet e vitit 2025.

Prokuroria pretendon se përfitimi u fsheh përmes një kontrate porosie në emër të ish-futbollistit Igli Tare dhe një kontrate të mëvonshme qiraje me Joana Bushin, ish-shefe e kabinetit dhe bashkëpunëtore e afërt e Ballukut.

Hetimi po kryhet nga prokurorët e posaçëm Dorina Bejko dhe Dritan Prençi. Dokumenti përmban kryesisht arsyetimin e akuzës ndaj personit juridik “Eurocol” sh.p.k në pronësinë e biznesmenit Pandeli Carapuli, bazuar në provat e administruara nga hetimet për kontratat publike, pasurinë e dyshuar të fshehur dhe lëvizjen e fondeve.

Për episodin e vilës në Dhërmi, SPAK ka marrë të pandehur Belinda Ballukun, të cilën e akuzon për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie, administratorin e “Eurocol”, Pandeli Carapuli, ish-futbollistin Igli Tare dhe Joana Bushin për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim. E njëjta akuzë është ngritur edhe ndaj personit juridik “Eurocol” sh.p.k., të cilin prokuroria e konsideron pjesë të mekanizmit të fshehjes së përfitimit të dyshuar korruptiv.

Dosja e vilës në Dhërmi është pjesë e një hetimi më të gjerë ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila u mor fillimisht e pandehur për abuzimet e dyshuara me tenderin e tunelit të Llogarasë dhe më pas për një sërë procedurash prokurimi në Unazën e Madhe të Tiranës.

Më 20 tetor 2026, SPAK i komunikoi Ballukut akuzat për pesë vepra penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tendera në nëntë raste, korrupsionin pasiv në dy cilësi të ndryshme, fshehjen e pasurisë në dy raste dhe pastrimin e parave në bashkëpunim, më shumë se një herë.

Në total, dosja e bashkuar përfshin 24 të akuzuar, individë dhe kompani, mes të cilëve ish-vartës të Ballukut dhe biznesmenë të dyshuar për përfitime të paligjshme nga tenderat publikë.

Balluku i ka mohuar akuzat ndaj saj, ndërsa hetimet kanë shkaktuar një përplasje mes prokurorisë dhe mazhorancës socialiste. Në mars të këtij viti, shumica parlamentare rrëzoi me 82 vota kundër kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit të ish-zëvendëskryeministres.

Komunikimi i akuzave ndaj Ballukut në tetor 2026 nuk u shoqërua me një kërkesë të re të SPAK-ut për heqjen e imunitetit të saj, ndërsa opozita e kritikoi Prokurorinë për atë që e cilëson si trajtim të diferencuar, duke kërkuar shpjegime për mungesën e një kërkese të re për autorizimin e arrestimit të saj.

Tenderi që parapriu vilën

Sipas SPAK, historia e vilës në kompleksin White Rocks në Dhërmi nis në vitin 2014, kur Albcontrol, institucioni përgjegjës për kontrollin e trafikut ajror, drejtohej nga Belinda Balluku.

Në nëntor të atij viti, institucioni hapi një procedurë prokurimi për rikonstruksionin e godinës teknologjike, me një fond limit prej rreth 73.9 milionë lekësh pa TVSH.

Në garë morën pjesë katër operatorë ekonomikë, me oferta që varionin nga 48.3 milionë deri në 72.4 milionë lekë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i drejtuar nga Evis Berberi, në atë kohë zyrtar i Albcontrol-it dhe një nga personat që akuzohen në dosjen e bashkuar, skualifikoi tre ofertuesit e tjerë për mosplotësim të kritereve teknike dhe dokumentare.

Fituese u shpall kompania “Eurocol”, e cila kishte paraqitur ofertën më të lartë prej 72,3 milionë lekësh pa TVSH. Ky tender dhe roli i Evis Berberit, i cili e vijoi karrierën në institucionet e drejtuara nga Balluku, japin një panoramë të një dekade tenderash të dyshuar si të manipuluar, që nisin në Albcontrol dhe vijojnë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe institucionet në varësi të saj.

Pas largimit nga Albcontrol-i, Berberi u emërua këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në qershor 2021 mori drejtimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH. Në këtë detyrë, sipas hetimeve të SPAK-ut, Berberi zbatonte udhëzimet e Ballukut për procedurat e prokurimit, përfshirë tenderin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës. Komunikimet e sekuestruara në telefonin e tij tregojnë se ai konsultohej me ministren për vendimmarrjen mbi tenderat e mëdhenj, ndërsa hetohet edhe për një sërë tenderash më të vegjël për mbikëqyrjen e punimeve.

Ekspertimi kompjuterik i celularit të sekuestruar në banesën e Berberit ka shërbyer si një prej indicieve për hetimin. Në këtë rast, të dhënat e zbuluara në celular treguan se kriteret e tenderit ishin, me gjasë, hartuar paraprakisht nga vetë kompania private që do të shpallej fituese. Në vendim thuhet se katër ditë përpara se Balluku të nxirrte urdhrin e prokurimit, më 6 nëntor 2014, nga adresa zyrtare elektronike e kompanisë “Eurocol” iu dërgua Berberit dokumenti me titull “Kriteret përfundimtare Albkontrolli (2)”.

Sipas vendimit të SPAK-ut, kushtet e dërguara me email nga kompania u kopjuan fjalë për fjalë nga Njësia e Prokurimit në dokumentet zyrtare të tenderit.

Hetimet zbuluan se një ditë pas shpalljes së garës, administratori i “Eurocol”-it, Pandeli Carapuli, dhe punonjësi i tij, Fejzi Kodra, shkëmbyen mesazhe në celular. “Shiko u shpall ky i fundit. I madh”, i shkruante Carapuli, për të vijuar: “Ok të fillojmë përgatitjet”.

Kur dy kompani konkurruese paraqitën ankesa kundër kritereve kufizuese të tenderit, Balluku ngarkoi Berberin për shqyrtimin e ankesës së parë, ndërsa të dyja ankesat u rrëzuan. Po atë ditë, Carapuli i dërgonte me SMS punonjësit të tij numrin e celularit të Berberit. “Ky është numri i Visit”, i shkruante ai.

Në hapjen e ofertave, më 8 dhjetor 2014, “Eurocol” sh.p.k. u rendit e fundit mes katër konkurrentëve, me ofertën më të shtrenjtë. Por, sipas hetimit, tre ditë më vonë, komisioni i drejtuar nga Evis Berberi skualifikoi të tre garuesit që kishin paraqitur çmime më të ulëta, duke përdorur si shkak skualifikimi po ato kritere që kishte dërguar me email “Eurocol” para nisjes së garës.

Sipas prokurorisë, favorizimi vijoi edhe me lidhjen e kontratës dhe pagesat. Ende pa u publikuar fituesi në Buletinin e Prokurimeve Publike, Berberi i dërgoi kompanisë “Eurocol” draftin e kontratës.

Kontrata u nënshkrua nga Balluku dhe Carapuli më 30 dhjetor 2014, duke përfshirë një klauzolë parapagimi prej 50 për qind të vlerës totale. Vetëm një ditë më pas, më 31 dhjetor 2014, Albcontrol transferoi në llogarinë e “Eurocol”-it 43.4 milionë lekë me TVSH, ndonëse punimet nisën vetëm në shkurt të vitit 2015.

Një vit më vonë, në dhjetor 2015, përmes një procedure me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit, ku komisioni i negocimit drejtohej sërish nga Evis Berberi dhe kishte anëtare Joana Bushin, Balluku i dha kompanisë “Eurocol” edhe një shtesë kontrate në kufirin maksimal prej 20 për qind, duke e çuar vlerën totale të paguar nga Albcontrol në afro 102 milionë lekë me TVSH.

Sipas prokurorisë, procedurat e prokurimit dhe marrëdhënia e krijuar mes drejtueses së institucionit dhe kompanisë përbëjnë sfondin e përfitimit të dyshuar korruptiv që u materializua më vonë në vilën F6.

Në arsyetimin e tij, SPAK e lidh përfitimin me vendimmarrjen e Ballukut në Albcontrol, duke iu referuar “paracaktimit, krijimit të avantazheve dhe privilegjeve për shoqërinë fituese” të tenderit të rikonstruksionit.

Sipas prokurorisë, vila e tipit “Begonia”, me një sipërfaqe ndërtimi prej 103 metrash katrorë, verandë prej 34 metrash katrorë dhe një parcelë të rrethuar prej të paktën 300 metrash katrorë, ishte përfitimi i parregullt që Balluku mori në vitin 2018.

“Ky përfitim i parregullt rezulton të jetë marrë nga shtetasja Belinda Balluku në vitin 2018”, shkruajnë prokurorët, duke iu referuar procedurës për blerjen e një vile nga ish-futbollisti i Kombëtares, Igli Tare.

Si u fsheh vila në Dhërmi

Në dhjetor 2018, kompania “Eurocol” lidhi një kontratë me ish-futbollistin Igli Tare për vilën F6 në kompleksin “White Rocks”, me çmim 145 mijë euro. Nga kjo shumë, sipas SPAK-ut, ishin paguar vetëm 70 mijë euro, ndërsa ekspertimi e vlerësoi pronën 420 mijë euro në kohën e kontraktimit, gati trefishin e çmimit të deklaruar.

Prokuroria pretendon se Tare kishte vepruar për llogari të Ballukut dhe se vila ishte shpërblim për favorizimin e ndërtuesit në tenderin e Albcontrol-it. “Kjo pasuri rezulton të jetë krijuar si përfitim i parregullt i dhënë nga shtetasi Pandeli Carapuli, administrator i shoqërisë ‘Eurocol’ sh.p.k., në drejtim të shtetases Belinda Balluku,” thuhet në vendim.

Tare figuron si pronar edhe i një vile tjetër në kompleksin “Green Coast” në Palasë, të cilën SPAK e dyshon gjithashtu si pasuri të fshehur të Ballukut, në një episod tjetër të hetimit që lidhet me tenderat e Unazës së Madhe. Tare i ka mohuar akuzat përmes të vëllait.

Për të fshehur pronësinë e vilës F6, sipas prokurorisë, në maj 2022 Tare lidhi një kontratë qiraje me Joana Bushin, ish-shefen e kabinetit të Ballukut për 450 euro në muaj, shumë që u rrit në 600 euro në vitin 2024. Hetuesit gjetën edhe dy dokumente për depozitimin e shumave prej 5400 eurosh secila nga Bushi në llogarinë e Tares, por arritën në përfundimin se marrëdhënia e qirasë ishte fiktive.

“Për të fshehur këtë pasuri, si produkt i veprës penale të korrupsionit, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin Igli Tare dhe vartësen e saj, shtetasen Joana Bushi,” arsyetojnë prokurorët.

Sipas prokurorisë, fiktiviteti i kontratës mbështetet kryesisht në provat e gjetura në vilë, komunikimet e drejtpërdrejta të Ballukut për ndërtimin e pishinës, si dhe komunikimet mes personave të tjerë të lidhur me të apo punonjësve të “Eurocol”-it.

Ato përfshijnë referenca të qarta për “vilën e shefes”, ndërsa në një prej celularëve të ekspertuar u gjetën edhe fotografi të një kutie të mbushur me para në euro, të cilën prokuroria e lidh me ambientet e vilës.

Fotografia u gjet në telefonin e pastrueses së familjes dhe ishte dërguar nga bashkëshorti i saj, i cili gjithashtu rezulton se punonte në vilë. Në të shfaqet një kuti e mbushur me tufa kartëmonedhash 50-euroshe, të lidhura me llastik. Sipas hetuesve, fotografia ishte dërguar përmes WhatsApp-it më 17 korrik 2021 dhe paratë ndodheshin “në dukje si në ambientet e vilës F6”.

SPAK e ka përfshirë fotografinë mes provave të administruara për përdorimin e pasurisë dhe marrëdhëniet e personave të lidhur me të, por nuk përcakton shumën totale të parave, origjinën e tyre apo personin të cilit i përkisnin.

Ndërkohë, në disa komunikime Balluku shfaqet drejtpërdrejt. Më 3 prill 2020, Julian Kelo, ish-punonjës i Albcontrol-it, i dërgoi Ballukut një email me subjekt “Pishina”. “Mirëmengjes! Po të nis planet e pishinës”, shkruhej në email.

Email-i iu përcoll më pas nga adresa e Ballukut Viola Haxhiademit, një prej personave që ndiqte punimet dhe që, sipas prokurorisë, kishte një vilë në afërsi. Sipas ekspertimit, investimet dhe mobilimi i vilës, përfshirë pishinën, u vlerësuan në rreth 9.8 milionë lekë.

Megjithëse prokuroria pretendon se vila ishte përfituar përmes korrupsionit, ndjekja penale për korrupsionin aktiv dhe shkeljen e barazisë në tendera në këtë rast është parashkruar për shkak të kalimit të afatit pesëvjeçar. Parashkrimi nuk e ka penguar SPAK-un të ngrejë akuzën për pastrim parash ndaj Ballukut dhe personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë aferë./BIRN

Identitete për 2 dollarë: Brenda tregjeve ilegale të drejtuara nga Ballkani

Doruntina Baliu

Të dhëna të vjedhura që mund të përdoren për mashtrime në anën tjetër të botës, shiteshin për vite në tregje të drejtuara nga persona nga Ballkani. Rastet e zbuluara në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut flasin për mijëra shitblerës dhe ndërmjetës që mundësojnë tregtinë. Sipas ekspertëve, mundësia për fitim dhe vështirësitë e ndjekjes penale e bëjnë këtë veprimtari tërheqëse, ndërsa mbyllja e një tregu nuk e ndal domosdoshmërisht tregtinë.

Në tregjet online të të dhënave, të drejtuara nga persona nga Ballkani, mallrat e blera nuk dërgoheshin me postë dhe pagesat nuk bëheshin me dollarë apo euro.

Në këto uebfaqe, mijëra njerëz krijonin llogari dhe depozitonin kriptovaluta për të blerë paketa të dhënash personale të vjedhura.

Këto paketa përmbanin nga emra, adresa e numra telefoni deri te të dhënat bankare dhe ato për hyrje në llogari në uebsajte të ndryshme me abonim.

Një nga këto tregje quhej OLVX.

Për administrimin e tij, në tetor, është arrestuar një 20-vjeçar nga fshati Reçicë e Madhe e Tetovës, në Maqedoninë e Veriut. Arrestimit i parapriu një hetim i përbashkët i autoriteteve lokale dhe Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) amerikane. Sipas FBI-së, gjatë viteve 2023–2025, në këtë platformë, kishte më shumë se 1.500 llogari që shitnin të dhëna të vjedhura.

Arrestimi i të riut në Maqedoni të Veriut erdhi afro dy vjet pas arrestimit në Kosovë të dy vëllezërve, Ardit dhe Jetmir Kutleshi.

Ata drejtonin Rydox-in, një tjetër treg ilegal që shiste të dhëna të vjedhura dhe softuere për të kryer mashtrime online. Një shtetas i tretë i Kosovës, Shpend Sokoli, u arrestua në Shqipëri si bashkëpunëtor i vëllezërve Kutleshi.

Rydox-i funksionoi nga viti 2016 deri më 2024. Sipas FBI-së, përmes tij u kryen mbi 7.600 transaksione, ndërsa Departamenti amerikan i Drejtësisë i vlerëson të ardhurat në të paktën 232.000 dollarë. Të dy vëllezërit pranuan fajësinë para drejtësisë amerikane. Njëri u dënua, ndërsa tjetri e pret dënimin.

Tregu Rydox administrohej nga tre shtetas kosovarë, por Prokuroria Speciale e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nga hetimi për këtë rast “nuk është siguruar ndonjë dëshmi që të jetë dëmtuar ndonjë qytetar i Kosovës”.

Sipas autoriteteve amerikane, në të dyja rastet viktima ishin qytetarë amerikanë, të cilëve u ishin vjedhur dhe shitur të dhënat personale.

Autoritetet në Kosovë nuk i kanë ofruar Radios Evropa e Lirëtë dhëna në lidhje me rastet e hetuara specifikisht për vjedhjen e të dhënave dhe ndjekjen penale të tyre.

Ndërkaq, autoritetet e Maqedonisë së Veriut i thanë REL-it se raportimet për mashtrime kompjuterike janë rritur nga 12 në vitin 2022 në 79 në vitin 2025, më shumë se gjashtëfish.

Megjithatë, rasti i Rydox dhe arrestimi i të riut nga Maqedonia e Veriut ngrenë pyetje për shtrirjen e krimit kibernetik në Ballkanin Perëndimor: si sigurohen të dhënat personale, si përfundojnë në shitje online dhe çfarë ua mundëson këtyre tregjeve ilegale të funksionojnë?

Faqja e tregut ilegal "Rydox", tashmë e mbyllur nga autoritetet.

Faqja e tregut ilegal “Rydox”, tashmë e mbyllur nga autoritetet.

Si funksionon tregtia?

Thomas Holt, profesor i drejtësisë penale në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, shpjegon se këto tregje furnizohen kryesisht nga rrjedhje të të dhënave në përmasa të ndryshme, të shkaktuara nga sulme hakerësh, përfshirë ato që kryhen me ndihmën e softuerëve të specializuar.

Holt studion hakimin dhe organizimin e tregjeve kriminale online, si dhe drejton qendrën e universitetit për hulumtimin e krimit kibernetik dhe trajnime.

“Pasi informacioni sigurohet, ai shitet. Dhe kjo shpesh bëhet përmes ndërmjetësve”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë. Holt sqaron se administratorët e këtyre tregjeve nuk janë domosdoshmërisht edhe shitës apo blerës të të dhënave.

Një mënyrë tjetër për të siguruar të dhëna për këto tregje është mashtrimi i vetë përdoruesit.

Instituti Kombëtar amerikan i Standardeve dhe Teknologjisë, NIST, shpjegon se mesazhet mashtruese, të njohura si “phishing”, mund të duken sikur vijnë nga banka.

Përmes tyre, marrësi nxitet të hapë një faqe të rreme dhe të shkruajë emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin. Kështu, pa e kuptuar, ia dorëzon këto të dhëna sulmuesit. Mesazhe të tilla mund ta nxisin përdoruesin edhe të shkarkojë programe që vjedhin të dhëna nga pajisja e tij.

Në muajt e fundit, në Kosovë janë raportuar mashtrime përmes SMS-ve të rremë në emër të bankave, që synojnë vjedhjen e të dhënave dhe parave të qytetarëve.

Edhe në Maqedoninë e Veriut, mesazhet e rreme përmes SMS-ve dhe postës elektronike janë ndër format më të përhapura të mashtrimit, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij vendi. Ministria përmend gjithashtu vjedhjen e të dhënave bankare, mashtrimet me investime në kriptovaluta dhe përdorimin e videove të falsifikuara me inteligjencë artificiale, të njohura si “deepfake”.

Sipas NIST-it, përdorimi i të njëjtit fjalëkalim në disa llogari e shton rrezikun: nëse ai zbulohet në njërën prej tyre, mund të përdoret për të hyrë edhe në të tjerat.

Holt paralajmëron se dokumentet personale të publikuara në rrjete sociale mund të përdoren nga të tjerët për mashtrime në emër të personit që u përkasin. Ai e krahason këtë publikim me shfaqjen e pasaportës apo patentë-shoferit para të tjerëve në një bar apo kafene.

“Por, për çfarëdo arsye, disa njerëz mendojnë se është në rregull ta bëjnë këtë në internet”, thotë ai.

Thomas Holt, profesor i drejtësisë penale në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

Thomas Holt, profesor i drejtësisë penale në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

Një pjesë e furnizimit të këtyre tregjeve vjen edhe nga programe që vjedhin automatikisht informacion nga pajisjet, të njohura si “infostealers” apo vjedhës të të dhënave.

KELA, kompani e specializuar në mbledhjen dhe analizimin e informacionit për kërcënimet kibernetike, gjatë vitit 2024 identifikoi mbi 4,3 milionë pajisje të infektuara dhe mbi 330 milionë të dhëna të komprometuara për hyrje në llogari. Gjetjet i publikoi në prill 2025, në raportin “Brenda epidemisë së programeve që vjedhin të dhëna”.

Pavarësisht vështirësive për ta matur në formë të strukturuar tregtinë ilegale të të dhënave, sipas ekspertëve, mënyra si organizohet kjo tregti ka ngjashmëri me bizneset e zakonshme online.

“Shumica e tregjeve të të dhënave aktualisht funksionojnë si çdo platformë tjetër e tregtisë elektronike”, thotë Holt për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, aty ofrohet zbritje për klientët e rregullt, ka komente nga blerësit dhe ndërmjetës që mund ta mbajnë pagesën deri në përfundimin e marrëveshjes. Meqë veprimtaria është ilegale, pjesëmarrësit kanë nevojë të ndërtojnë besim brenda rrjetit.

“Në përgjithësi, besimi ndërtohet duke krijuar një reputacion rreth emrit tuaj të përdoruesit ose pseudonimit”, shpjegon Holt.

Megjithëse kjo tregti e paligjshme shpesh lidhet me pjesët e fshehura të internetit, të njohura si dark web, sipas Holt, për të hyrë në këto tregje nuk nevojitet gjithmonë qasje në rrjete të fshehta. Shumë të dhëna personale ofrohen edhe në uebsajte të zakonshme.

Dark web-i është një pjesë e internetit ku hyhet përmes programeve të posaçme, si Tor, që ndihmojnë në fshehjen e identitetit të përdoruesve. Përdoret si për komunikim privat, ashtu edhe për veprimtari të paligjshme. “Clearnet” quhet interneti i zakonshëm, ku faqet mund të hapen me shfletues të zakonshëm.

David Maimon, profesor i drejtësisë penale dhe kriminologjisë në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias dhe drejtues i kompanisë për siguri kibernetike, SentiLink, pajtohet se tregtia nuk zhvillohet vetëm në anën e fshehur të internetit. Sipas tij, tregjet si këto të Ballkanit ishin të qasshme në internetin e zakonshëm, të njohur si “clearnet”.

Maimon studion tregjet ilegale dhe përpjekjet për t’i përdorur identitetet e vjedhura në institucione financiare duke përfshirë ato sikurse Rydox-in dhe OLVX-in, që sipas tij ishin tregje “të vogla dhe të lira”

“Ato ofronin identitete për shitje nga 2 deri në 20 dollarë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

David Maimon, profesor i drejtësisë penale dhe kriminologjisë në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias.

David Maimon, profesor i drejtësisë penale dhe kriminologjisë në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias.

Me “identitet” ai nënkupton një paketë informacionesh për një person: emri, datëlindja dhe numri i sigurimit shoqëror, që përdoret për identifikim në SHBA. Çmimi ndryshon nëse përfshihen edhe të dhëna të patentë-shoferit apo historisë kreditore. Vlera për blerësin qëndron te mundësia për ta përdorur informacionin më tej.

“Ata përpiqen t’i përdorin identitetet tona për të krijuar biznese dhe pastaj për të aplikuar për karta të reja krediti ose kredi të reja”, shpjegon Maimon.

Ai përshkruan raste kur mashtruesit hapin llogari bankare me identitete të vjedhura. Fillimisht bëjnë pagesa të zakonshme për të krijuar besueshmëri mbi aktivitetin e tyre. Pastaj kërkojnë kredi dhe largohen me paratë. Por blerja nuk garanton sukses.

“Fakti që identiteti është ofruar për shitje në këtë treg dhe dikush madje e ka blerë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se dikush ka arritur ta përdorë me sukses”, thekson ai. Kjo, sipas Maimonit, e vështirëson edhe llogaritjen e dëmeve financiare nga kjo industri.

Deri më tani, sipas ekspertëve, nuk janë bërë analiza të detajuara se kush janë viktimat më të mëdha të rrjedhjes së të dhënave nga e gjithë bota. Megjithatë, në tregjet e analizuara nga NordVPN, kompani e njohur që ofron shërbimin e rrjetit privat virtual (VPN), shumica e paketave të plota të identitetit vijnë nga SHBA-ja.

Nga vjedhja te shitja, një zinxhir ndërkombëtar

Mundësia për të fituar para dhe perceptimi se ligji nuk zbatohet sa duhet e bëjnë tregtinë e të dhënave të vjedhura tërheqëse edhe për persona nga Ballkani, sidomos të rinjtë, sipas Alex Holden.

Holden është ekspert i sigurisë kibernetike me bazë në SHBA dhe themelues i kompanisë Hold Security, i specializuar në hulumtimin e rrjeteve kriminale dhe tregjeve të të dhënave të vjedhura.

Ai shpjegon se gjuha e përbashkët, afërsia kulturore dhe njohjet personale ndihmojnë në krijimin e komuniteteve lokale të krimit kibernetik. Me kalimin e kohës, këto komunitete mund të krijojnë lidhje përtej kufijve dhe ta zgjerojnë veprimtarinë e tyre ndërkombëtarisht.

“Kjo është arsyeja pse shohim shumë shembuj të krimit kibernetik nga rajoni i Ballkanit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Alex Holden, ekspert i sigurisë kibernetike me bazë në SHBA dhe themelues i kompanisë Hold Security.

Alex Holden, ekspert i sigurisë kibernetike me bazë në SHBA dhe themelues i kompanisë Hold Security.

Vështirësitë në luftimin e kësaj veprimtarie i thekson edhe Holt.

Ai shpjegon se shtetet me burime të kufizuara hetimore “mund të mos u kushtojnë shumë vëmendje tregjeve të të dhënave të vjedhura dhe, në vend të kësaj, të përqendrohen në probleme të tjera”.

Në një analizë për Evropën Juglindore, të publikuar në gusht 2024, Iniciativa Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC) evidentonte mungesë burimesh dhe ekspertize te vendet e Evropës Juglindore për hetimin dhe ndjekjen penale të krimit kibernetik, çka i bën më të cenueshme.

Pagesat me kriptovaluta i ndëlikojnë hetimet e këtyre krimeve online. Në Ballkanin Perëndimor, hetimet vështirësohen edhe nga mungesa e ekspertizës dhe e procedurave të qarta për trajtimin e rasteve që përfshijnë kriptovaluta, sipas GI-TOC-ut.

Rastet e zbuluara në Evropë tregojnë se kjo tregti shtrihet përtej platformave të lidhura me Ballkanin.

Në janar 2025, një operacion ndërkombëtar mbylli Cracked dhe Nulled, dy prej forumeve më të mëdha të krimit kibernetik në botë, me administratorë të dyshuar që jetonin edhe në Gjermani e Spanjë.

Sipas raportit të Europoli-t në vitin 2025, këto dy tregje kishin miliona përdorues dhe po aq fitime vjetore. Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se veprimtaria e Cracked kishte prekur të paktën 17 milionë viktima në SHBA.

Europol-i sqaron se raporti mbulon pjesën e veprimtarisë së dukshme për hetuesit, pasi shumë transaksione zhvillohen në kanale të mbyllura komunikimi. Brenda këtij zinxhiri, sipas ekspertëve, pjesëmarrësit kryejnë punë të ndryshme dhe jo të gjithë merren me vjedhjen apo keqpërdorimin e të dhënave.

“Disa prej tyre janë thjesht shitës të shkëlqyer dhe promovojnë mallrat ose shërbimet e tyre, ose i drejtojnë këto komunitete nga aspekti i komunikimit”, thotë Holden.

Por, vështirësitë në luftimin e kësaj tregtie nuk përfundojnë me mbylljen e tregjeve ilegale. Për të dhënat që tashmë janë vjedhur, mbyllja e një tregu nuk e përfundon domosdoshmërisht qarkullimin.

Raporti i vitit 2026 i Europol-it për krimin e organizuar në internet, jetëgjatësia mesatare e tregjeve kriminale është shkurtuar, ndërsa veprimet ndërkombëtare policore i kanë bërë administratorët “më të prirur të shmangin rreziqet”.

Megjithatë, pas ndërhyrjeve, përdoruesit zhvendosen në tregje të tjera. Raporti evidenton gjithashtu kalimin nga forume të mëdha drejt komuniteteve më të vogla, ku hyrja bëhet vetëm me ftesë.

“Në shumicën e rasteve, tregjet shumë të njohura vazhdojnë të ekzistojnë në forma të ndryshme edhe pas mbylljes”, thotë Holden.

Ndërkaq për viktimën, shpjegon Maimon, rreziku i keqpërdorimit të identitetit është i vazhdueshëm.

“Nëse identiteti juaj është ofruar për shitje, mos mendoni se, nëse dikush e ka shitur një herë, kaq ishte”, thotë ai. rel

Mussolini, Rama dhe bashkëpunëtorët që dinë shumë! Shkruar nga Irena Beqiraj

 

 

Foto e krijuar me Intelgjencë Artificiale

Mësimi edhe pas 100 vitesh është po aq i të hidhur: kur pushteti personal bëhet më i rëndësishëm se institucionet, edhe bashkëpunëtorët më të afërt mund të kthehen në pengjet e tij…

Në historinë e Benito Mussolinit ka një episod që meriton të kujtohet sa herë flasim për marrëdhënien mes një udhëheqësi dhe njerëzve që kanë qenë pjesë e ndërtimit të pushtetit të tij.

Është historia e vrasjes së deputetit socialist Giacomo Matteotti, në qershor të vitit 1924. Matteotti ishte një nga kundërshtarët më të vendosur të fashizmit. Ai kishte denoncuar manipulimin e zgjedhjeve, dhunën politike dhe korrupsionin e regjimit. Pas rrëmbimit dhe vrasjes së tij, hetimet çuan te një grup njerëzish të lidhur drejtpërdrejt me strukturat e pushtetit fashist. Në krye të grupit ishte Amerigo Dumini.

Por pas arrestimit të tyre, historia bëhet edhe më interesante.

Historiani italian Mauro Canali, një nga studiuesit e çështjes Matteotti, përshkruan një marrëdhënie shantazhi të ndërsjellë mes Mussolinit dhe njerëzve të tij të arrestuar. Bashkëpunëtorët e burgosur kërcënonin se do të flisnin nëse Mussolini nuk ndërhynte për t’i mbrojtur dhe për t’i nxjerrë nga burgu. Ata dinin shumë. Mbijetesa politike e Duçes varej, të paktën pjesërisht, nga heshtja e tyre.

Mussolini, nga ana tjetër, u përcillte një mesazh po aq të qartë: nëse ai rrëzohej, ata do të mbeteshin në burg; nëse ai mbijetonte politikisht, do të gjente një mënyrë për t’i shpëtuar.

Marrëveshja ishte e heshtur, por e kuptueshme: ju merrni përsipër përgjegjësinë, nuk flisni për mua dhe unë do të kujdesem për ju.

Një lloj kontrate që nuk kishte nevojë për noter, ku njëri mbante pushtetin dhe të tjerët mbanin sekretet.

Gati një shekull më vonë, në Shqipëri, konflikti mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, ndonëse në rrethana historike dhe politike krejt të ndryshme, sjell në vëmendje një mekanizëm të ngjashëm të personalizimit të pushtetit.

Sipas versionit të bërë publik nga avokati Plarent Ndreca, ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka vizituar Veliajn në burgun e Fierit dhe i ka përcjellë një mesazh të kryeministrit. Mesazhi përmbante kërkesën për dorëzimin e mandatit, delegimin e pushtetit te persona të përcaktuar prej tij dhe heqjen dorë nga avokati mbrojtës. Në të kundërt, sipas këtij versioni, pasonin kërcënime për transferim në një burg tjetër dhe për orientimin e SPAK-ut drejt hetimeve të reja. Gogu i ka mohuar këto pretendime, të cilat kërkojnë verifikim të pavarur.

Rama dhe Veliaj kanë qenë për vite pjesë të së njëjtës strukturë pushteti. Veliaj nuk ishte thjesht një kryetar bashkie i zgjedhur nga socialistët. Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të projektit politik të Ramës, një nga njerëzit që mishëronin vazhdimësinë dhe suksesin e këtij projekti në Tiranë.

Por pushteti  i personalizuar i Ramës ka një logjikë të veçantë: bashkëpunëtori është i vlefshëm për aq kohë sa është i dobishëm dhe i bindur. Kur kërkon autonomi, bëhet problem. Kur kundërshton,  trajtohet si tradhtar dhe kur di shumë, bëhet edhe më i papërshtatshëm.

Historia e Mussolinit ka edhe një kapitull tjetër. Në vitin 1943, kur regjimi po shembej, një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij votuan kundër tij në Këshillin e Madh Fashist. Mes tyre ishte edhe Galeazzo Ciano, ish-ministër i Jashtëm dhe dhëndri i Mussolinit. Pas rikthimit të tij në pushtet, Mussolini organizoi Procesin e Veronës. Pesë nga ata që kishin votuar kundër tij u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan.

Por ajo që e bën episodin e Fierit edhe më shqetësues është pretendimi për përfshirjen e ministrit të Drejtësisë në një konflikt mes kryeministrit dhe një ish-bashkëpunëtori të tij, i cili ndodhet në burg.

Ministri i Drejtësisë, në fund të fundit, ka një funksion kushtetues dhe institucional. Nuk është korrier politik, aq më pak shpërndarës porosish në qelitë e burgjeve.

Nëse versioni i Veliajt provohet, atëherë kemi të bëjmë me një problem që shkon shumë përtej një konfliktit brenda Partisë Socialiste. Kemi një situatë ku kufiri mes përgjegjësisë institucionale dhe shërbimit ndaj interesave politike është zhdukur përfundimisht.

Mësimi edhe pas 100 vitesh është po aq i të hidhur: kur pushteti personal bëhet më i rëndësishëm se institucionet, edhe bashkëpunëtorët më të afërt mund të kthehen në pengjet e tij. Dhe kur politika shndërrohet në një marrëdhënie pengmarrjeje të ndërsjellë, demokracia është ajo që rrezikon të mbetet pengu i fundit.

“Si ndihesh për korrupsionin në administratën tuaj?” – Gazetari amerikan nxjerr akuzat e Ballukut dhe zyrtarëve të tjerë, Rama refuzon përgjigjet: Po merr kohën time të çmuar!

 

Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një debat me gazetarin amerikan Andrew Callaghan të Channel 5, gjatë një interviste ku u përball me pyetje të drejtpërdrejta për korrupsionin në administratën e tij dhe përgjegjësinë e Partisë Socialiste.

 

Callaghan e pyeti Ramën nëse akuzat dhe dënimet për korrupsion ndaj zyrtarëve të qeverisë së tij mund të tregojnë se korrupsioni është i përhapur brenda partisë që ai drejton.

Gazetari theksoi se Rama i trajton këto raste si çështje të përgjegjësisë individuale, duke shmangur kritikën ndaj vetë strukturave të partisë.

“Pika është se ata dënohen për korrupsion, pas së cilës ju shpesh i denonconi dhe e trajtoni këtë si çështje të përgjegjësisë individuale dhe dështimit moral personal, duke shmangur kritikën se korrupsioni mund të jetë i përhapur në vetë partinë tuaj”, u shpreh Callaghan.

Në përgjigje, Rama këmbënguli se përgjegjësia për veprimet e individëve është personale. “Gjithçka që ka të bëjë me individët është çështje e përgjegjësisë individuale”, tha kryeministri.

Gazetari këmbënguli në pyetjet lidhur me korrupsionin, ndërsa në pamjet e dokumentarit shfaqeshin akuzat penale të zyrtarëve të qeverisë Rama, mes tyre edhe ato të ish-zv/kryeministres Belinda Balluku. Ai e pyeti gjithashtu Ramën se si ndihej kur persona në administratën e tij ose pranë tij përballeshin me akuza dhe dënime për korrupsion.

Kryeministri refuzoi të përgjigjej duke u shprehur: “Nuk kam ardhur këtu të ndaj ndjenjat e mia me ju, djalosh. Kam ardhur t’u përgjigjem pyetjeve për fakte”.

Callaghan i kujtoi se si kryeministër, ndjenjat dhe qëndrimet e tij për të ardhmen e vendit kanë rëndësi, por Rama e ndërpreu duke e pyetur se çfarë synonte të përcillte për publikun.

“Çfarë doni t’i thoni publikut tuaj? Keni ardhur nga Amerika për të bërë çfarë? Për të bërë thashetheme me mua këtu?”, u shpreh kryeministri.

Gazetari iu përgjigj se qëllimi i tij ishte t’i jepte mundësinë Ramës të sqaronte çështjet e ngritura, por kryeministri reagoi: “Jo, nuk kam nevojë për mundësitë tuaja”.

Pjesë nga intervista:

Andrew Callaghan: Pika është se ata dënohen për korrupsion, pas së cilës ju shpesh i denonconi dhe e trajtoni këtë si çështje të përgjegjësisë individuale dhe dështimit moral personal, duke shmangur kritikën se korrupsioni mund të jetë i përhapur në vetë partinë tuaj. Po, për këtë e kam fjalën. Ju e trajtoni si çështje të përgjegjësisë individuale.

Edi Rama: Gjithçka që ka të bëjë me individët është çështje e përgjegjësisë individuale. Por unë po flas për rastin kur bëhet fjalë për korrupsionin.

Andrew Callaghan: Pra, mendoni se nëse keni njerëz në administratën tuaj ose pranë jush që dënohen për korrupsion…

Edi Rama: Jo, por si e dini ju se si ndihem unë? Çfarë dini ju për ndjenjat e mia?

Andrew Callaghan: Po ju pyes.

Edi Rama: Por çfarë do të thotë se si ndiheni? Çfarë është kjo?

Andrew Callaghan: Po ju pyes se si ndiheni.

Edi Rama: Nuk kam ardhur këtu të ndaj ndjenjat e mia me ju, djalosh. Kam ardhur t’u përgjigjem pyetjeve për fakte.

Andrew Callaghan: Dua të them, ju jeni edhe kryeministër, ndaj ndjenjat tuaja për të ardhmen e vendit…

Edi Rama: Po, jam kryeministër, sigurisht. Përndryshe, nuk do të ishim takuar kurrë. Por cila është pika juaj? Çfarë doni të thoni? Çfarë doni t’i thoni publikut tuaj? Keni ardhur nga Amerika për të bërë çfarë? Për të bërë thashetheme me mua këtu?

Andrew Callaghan: Jo, për t’ju dhënë mundësinë të sqaroni gjërat.

Edi Rama: Jo, nuk kam nevojë për mundësitë tuaja.

Edi Rama: Jam këtu vetëm për t’ju mirëpritur, me respekt, duke ju kushtuar kohën time të çmuar. Dhe ju duhet ta përdorni kohën time me respekt.

Andrew Callaghan: Epo, ju pyeta për një investitor strategjik që u arrestua, dhe më pas ju më thatë se nuk jeni investitor strategjik. Mos më pyesni për këtë.

Edi Rama: Unë ju dhashë përgjigjen. Nuk thashë se ju nuk jeni investitor strategjik. Thashë se ju…

Andrew Callaghan: Ju thatë se nuk e dini se çfarë do të thotë kjo.

© Panorama.al

Rama me këshilltare të re për median- Irena Beqiraj: Në komunikimin publik veshja është sfondi i personalitetit!

Nga Irena Beqiraj

Kur fillova të shfaqesha më shpesh para kamerave, kërkova këshilla për komunikimin korrekt në publik. Një ekspert komunikimi studioi daljet e mia televizive. Natyrisht, nuk u mor aq me atë që thoja, sesa me mënyrën se si komunikoja: si isha veshur, si qëndroja, ngjyrimet e zërit, gjuhën e trupit, gjestikulacionin etj.

Kujtoj që një nga vërejtjet e tij kishte të bënte me lartësinë deri ku duhej t’i ngrija duart gjatë të folurit. Sipas tij, nuk duhej ta kalonin nivelin e gojës , idealja të qëndrojnë poshtë mjekrës .

Por nga gjithë raportet që ai shkroi kuptova diçka, rregullat e komunikimit profesional në publik janë shumë më strikte nga sa mund të mendojmë. Edhe një gjest i thjeshtë, i pavetëdijshëm, si rrotullimi i unazës në gisht, mund të përcjellë mesazhin e padurimit apo ankthit.

Veshja ishte një nga elementet kryesore të vlerësimit, por jo si element estetik. Sepse siç thoshte Thatcher “veshja është sfondi i personalitetit”, dhe si e tillë është pjesë thelbësore e komunikimit. Përmes saj përcjellim, me vetëdije ose jo, se si duam të perceptohemi. Madje, ajo mund të përcaktojë nëse publiku do të përqendrohet te ajo që po themi apo do ta zhvendosë vëmendjen te veshja, aksesorët, modeli i flokëve apo ndonjë detaj tjetër i pamjes sonë. Një paraqitje e menduar mirë, e përshtatshme për kontekstin dhe pa elemente që konkurrojnë me mesazhin, e lehtëson komunikimin. Nuk e kam fjalën të bëhemi të padukshme, por të mos lejojmë që pamja të marrë protagonizmin e fjalës.

E kritikoj këtë shpesh tek gratë, sepse ato kanë një hapësirë shumë më të gjerë zgjedhjesh në veshje sesa burrat. Por pikërisht kjo liri e madhe mund të kthehet ndonjëherë në një kurth, në një disavantazh ku në vend që ta përdorin veshjen për të përforcuar autoritetin dhe mesazhin e tyre, rrezikojnë ta zhvendosin vëmendjen e publikut nga ajo që thonë te mënyra se si duken.

Ky nuk është aspak një sulm seksist siç duan ta trajtojnë disa “përkrahës të feminizmit “përkundrazi, është çështje zgjedhjeje dhe vetëdijeje.

Për më tepër si ekonomiste mund t’ju them se në ekonominë e vëmendjes, gjithçka matet me sekonda. Në tregun e saj fiton ai që arrin ta mbajë shikimin e publikut disa sekonda më shumë. Por si çdo burim tjetër vëmendja është e kufizuar. Ndaj kur dekolteja fundi i ngushtë, e çara e fustanit përdoren me dashje ose pa dashje për të marrë pjesën dërrmuese të saj, tek mesazhi mbetet thërrimet.

Në fund, ne që paguajmë me vëmendjen tonë varfërohemi. Dhe bashkë me ne varfërohet edhe vetë komunikimi.

Të komunikosh në televizion nuk mjafton të kesh diçka për të thënë, Duhet të dish edhe si të mos lejosh që mënyra se si dukesh të pengojë atë që thua.

Unë nuk mësova ti ul kurrë duart , në lartësinë e gojës, edhe nuk jam fare krenare për këtë !

“Shkelje masive të të drejtave të njeriut” BIRN: Një në pesë arrestime gjatë protestave, në shkelje të ligjit! Policia ndoqi praktikë represive

Mbi 20 për qind e arrestimeve të protestuesve gjatë javëve të fundit janë vlerësuar të paligjshme nga Prokuroria dhe Gjykata e Tiranës, duke nxjerrë në sipërfaqe praktikën represive të ndjekur nga Policia e Shtetit, në shkelje të ligjit dhe të të drejtave të njeriut.

 

Prej 13 tetorit, kur protestat antiqeveritare ndoqën një kurs përplasjesh të dhunshme, Policia e Shtetit ka arrestuar me qindra protestues të rinj, një pjesë e të cilëve edhe në moshë të mitur.

Nga numri total i 319 protestuesve të arrestuar deri më 31 tetor, 291 prej tyre janë përballur me gjykatën për vlerësimin e masave të sigurisë. Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se 62 arrestime ose mbi 21 për qind e totalit janë vlerësuar të paligjshme nga Gjykata e Tiranës apo direkt nga prokurorët.

Mes të arrestuarve kanë qenë edhe 38 të mitur, nga të cilët gjykata ka vlerësuar se gjashtë janë ndaluar në mënyrë të paligjshme. Policia ka proceduar penalisht deri më 27 tetor edhe 653 protestues të tjerë, nga të cilët 179 janë të mitur.

Nga personat e arrestuar, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit me burg për vetëm 12 raste, ndërkohë që tetë të tjerë janë lënë në arrest shtëpie. Pjesa më e madhe e protestuesve (157) janë lënë në masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa 18 protestues të tjerë janë urdhëruar që të mos shkojnë më në zonat ku zhvillohet protesta.

Radikalizimi i protestave me pjesmarrjen e studentëve dhe të rinjve prej 13 tetorit ka ngritur shqetësime jo vetëm për përhapjen e dhunës, por edhe për reagimin jo-proporcional të Policisë së Shtetit.

Policia nuk ka pranuar zyrtarisht tejkalimin e proporcionalitetit, por më datë 22 tetor, zv.drejtori për Sigurinë Publike në Policinë e Tiranës u kërkoi komisariateve që të respektojnë legjislacionin penal për të miturit gjatë shoqërimit, kontrollit dhe marrjes së deklarimeve të tyre – duke bërë kështu një hap pas nga metodat në trajtimin e protestuesve të mitur dhe kontrollin arbitrar të telefonave të tyre.

Gjithsesi, reagimi i dokumentuar i Policisë dhe një përqindje e lartë e arrestimeve të vlerësuara si të paligjshme nga gjykata kanë shkaktuar shqetësime për kufijtë e kompetencave që i jepen Policisë së Shtetit në raport me të drejtën për protestë paqësore.

Pa garanci ligjore

policia 2
Punonjësit e policisë duke shoqëruar një protestues. Foto: LSA.

Avokati Gentian Serjani ka përfaqësuar dhjetra protestues të ndaluar ose të arrestuar gjatë protestave të javëve të fundit dhe sjell ndërmend shumë raste paligjshmërish. Në njërin prej tyre, ai kujton ndalimin për 11 orë në komisiariatin numër 1 në Tiranë të disa protestuesve, të cilët sipas tij u privuan nga uji, ushqimi dhe duhani.

“U shoqëruan pa asnjë arsye të ligjshme,” pretendon avokati për BIRN.

“Një tjetër shkelje lidhet me mungesën e provave që do të justifikonin arrestimin dhe mbajtjen e personave për 72 orë. Kjo është konfirmuar edhe nga gjykata në disa raste, kur ka shpallur të paligjshme arrestimet e kryera,” konstaton Serjani.

Njësoj si Serjani, edhe avokati Lulzim Tanushi pretendon se Policia e Shtetit nuk ka respektuar garancitë ligjore sa i përket kushteve të arrestit në flagrancë apo dyshimit te arsyeshëm, pasi është komunikuar arrestimi me burg. Sipas tij, janë arrestuar edhe persona të papërfshirë në dhunë apo që nuk kanë ppasur asnjë lidhje me protestën.

“Shumicën e rasteve, janë shoqëruar në polici, janë ndaluar dhe janë arrestuar në flagrancë persona që nuk kanë pasur lidhje me protestën ose që nuk janë përfshirë në veprime të dhunshme,” vëren Tanushi.

“Është ushtruar dhunë brutale e pajustifikuar ligjërisht, pasi personi ndaluar është neutralizuar. Është ushtruar dhunë gjatë ndalimit dhe në mjetet shoqëruese,” shtoi më tej Tanushi, duke kujtuar se ndalimet ishin kryer nga punonjës policie të paidentifikuar.

Sipas Tanushit, probleme ka pasur edhe në marrjen e deklarimeve, ku punonjësit e Policisë nuk i kanë kursyer intimidimet apo kërcënimet. Në rastin e një klientit të tij, Tanushi tregon se oficeri i policisë gjyqësore shkoi në spital në orën 3 të natës dhe i kërkoi atij që ta firmoste procesverbalin e arrestit në flagrancë, pa praninë e avokatit.

Tanushi flet për një model veprimesh të policisë, që sipas tij nuk ndjek udhëzimet e ligjit por urdhrat politikë.

Edhe avokatja Dorina Aluku Lamaj rendit shkeljet që sipas saj lidhen me ligjshmërinë e shoqërimeve të klientëve të saj protestues.

“Thuajse në të gjitha rastet, shoqërimet dhe arrestimet janë kryer pa një bazë të qartë dhe të individualizuar ligjore. Një nga problematikat kryesore ka qenë mungesa e provave konkrete dhe individuale që të justifikonin kufizimin e lirisë së personave të caktuar,” tha Lamaj.

“Fakti që një individ ndodhet në një protestë, gjatë së cilës mund të jenë kryer veprime të kundërligjshme nga persona të tjerë, nuk e bën automatikisht atë përgjegjës penalisht”, argumenton ajo.

Lamaj thotë se ka siguruar dëshmi për ushtrimin e dhunës brutale ndaj protestuesve përmes gazit lotsjellës, plumbave të gomës dhe shkopinjve me shufra hekuri.

“Të gjitha këto problematika ngrenë një shqetësim thelbësor: A po vepron policia mbi bazën e provave konkrete dhe përgjegjësisë individuale, apo po përdoret arrestimi si instrument reagimi ndaj pjesëmarrjes në protestë?” thotë ajo.

Shkelje e të drejtave të njeriut

dsc 5777
Një formacion i forcave të rendit, i pajisur me skafandra, maska kundër gazit dhe mburoja, lëviz përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” gjatë përplasjeve me protestuesit. | Foto: Xhemali Moku/BIRN

Avokatët që mbrojtën protestuesit përpara gjykatës pretendojnë për shkelje masive të të drejtave të njeriut me “heqjen e paligjshme të lirisë” dhe “cënimin e së drejtës për protestë paqësore”.

Në dhjetra raste të njohura tashmë nga gjykata ose prokuroria, liria është privuar pa pasur prova konkrete – një situatë kjo që ka sjellë edhe kufizimin e së drejtës së individëve për të protestuar.

Avokati Gentian Serjani i tha BIRN gjithashtu se studentët u intimiduan nga policia nga mënyra se si u thirrën për të dëshmuar nëpër komisariate, pa ua bërë të qartë se në çfarë cilësie dhe me çfarë statusi procedural po pyeten.

“Kio përbën një formë tjetër intimidimi, që synon t’i dekurajojë ata nga ushtrimi i së drejtës për të protestuar,” shtoi Serjani.

Edhe avokati Lulzim Tanushi vëren se ka parë çdo ditë shkelje të të drejtave të njeriut gjatë arrestimeve në protesta, sipas tij masive dhe të përsëritura. Ai rrëfen disa raste, që sipas tij tregojnë dhunë në formën e torturës, trajtimit çnjerëzor apo degradues.

Ai shton se kjo bëhet më e rëndë me rastet kur Policia ka shpërndarë protestën në mënyrë të dhunshme, duke përdorur gaz lotsjellës në masë pa dallim si dhe duke përndjekur dhe frikësuar qytetarët nëpër rrugët e Tiranës.

“Këto veprime të policisë kanë ndikuar drejtpërdrejtë në pengimin e ushtrimit të së drejtës kushtetuese për të protestuar paqësisht,” thotë ai.

Sipas Tanushit, ka shkelje edhe në trajtimin e të miturve, kryesisht përmes ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike.

“Rrahja ka qenë prezente tek shumica e tyre… Është konstatuar se shumica e telefonave të të miturve janë hapur, madje kjo provohet lehtësisht edhe tek procesverbali i sekuestrimit të telefonave, ku në shumicën e tyre jane shënuar edhe kodet e telefonave, që është shqetësuese sesi kanë shkuar deri në këtë pikë,” thotë ai.

Si shkelje të rënda ai konsideron mbajtjen e të miturve në qeli tek Blloku i Sigurisë, tej kapaciteteve duke i detyruar të flenë në dysheme, si dhe rastin kur janë ndaluar dhe shtrirë në dysheme në ambjentet e godinës së Ministrisë së Arsimit. “Ato pamje janë shumë shqetësuese dhe tregojnë nivelin e rëndë të paligjshmërisë ndaj të miturve,” vlerëson Tanushi.

Avokatët thonë se do t’i ndjekin këto çështje ligjërisht, ndërsa kërkojnë që veprimet e policisë të verifikohen dhe të hetohen./BIRN

Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA: Ku pritet gara më e fortë?

Të martën, më 3 nëntor, në Shtetet e Bashkuara zhvillohen zgjedhjet. Këtë herë, amerikanët nuk votojnë se kush do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, por se kush do të zerë vend në Kapitol: janë zgjedhjet e mesmandatit, të ashtuquajturat midterm elections.

Këto zgjedhje zhvillohen çdo katër vjet, pikërisht në mes të mandatit mes dy zgjedhjeve presidenciale. Qytetarët me të drejtë vote në SHBA vendosin se kush do t’i përfaqësojë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, dy dhomat e Kongresit. Përveç kësaj, në disa shtete votohet edhe për guvernatorin ose guvernatoren.

Por përtej këtyre vendimeve, që shfaqen qartë në fletën e votimit, zgjedhësit japin edhe një vlerësim tjetër.

Zgjedhjet e mesmandatit janë “shpesh një referendum për presidentin dhe partinë që është në pushtet”, pati shpjeguar J. Miles Coleman, analist i zgjedhjeve në Qendrën për Politikë të Universitetit të Virxhinias në SHBA, para zgjedhjeve të fundit të mesmandatit në vitin 2022. Kur qytetarët janë të kënaqur, partia e presidentit del më mirë në zgjedhje; kur mbizotëron pakënaqësia, rezultatet janë më të dobëta. Aktualisht, niveli i mbështetjes për presidentin Donald Trump ka rënë në nivelin më të ulët historik.
Kë zgjedhin amerikanët në zgjedhjet e mesmandatit?
Të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së janë në garë. Në të gjithë vendin, qytetarët me të drejtë vote zgjedhin 435 anëtarët me të drejtë vote të kësaj dhome. Çdo deputet ose deputete përfaqëson një zonë zgjedhore. Këto zona përcaktohen në bazë të numrit të popullsisë.

Kështu, shtete relativisht të mëdha për nga sipërfaqja, si Wyoming, por me popullsi të vogël, kanë vetëm një vend në Dhomën e Përfaqësuesve. New Jersey, i cili është dukshëm më i vogël për nga sipërfaqja, por ka më shumë banorë, ka 12 vende. Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve zgjidhen për një mandat dyvjeçar.

Ndërsa mandati i një senatori amerikan zgjat gjashtë vjet. Senati, dhoma tjetër e Kongresit, ka 100 vende, nga dy për secilin prej 50 shteteve, pavarësisht nga madhësia e tyre. Çdo dy vjet rinovohet rreth një e treta e vendeve. Në zgjedhjet e këtij viti, amerikanët votojnë për 35 vende. Ndryshe nga Dhoma e Përfaqësuesve, në zgjedhjet e mesmandatit nuk zhvillohen votime për Senatin në të gjitha shtetet.

Përveç kësaj, qytetarët në 36 shtete zgjedhin guvernatorin ose guvernatoren e tyre. Mandati zakonisht zgjat katër vjet. Në SHBA, shumë vendime merren në nivel shtetëror, që nga e drejta e abortit dhe çështjet e arsimit deri te organizimi dhe zhvillimi i zgjedhjeve. Prandaj, fakti nëse demokratët apo republikanët kanë pushtetin në një shtet të caktuar ndikon ndjeshëm në jetën e qytetarëve.

Kush e ka shumicën në Kongresin amerikan?
Aktualisht, republikanët, partia e presidentit Trump, kanë shumicën në të dyja dhomat e Kongresit. Megjithatë, epërsia e tyre është e vogël.

Në Dhomën e Përfaqësuesve ka aktualisht 218 republikanë, 214 demokratë dhe një deputet të pavarur, i cili zakonisht voton me republikanët. Dy vende janë vakante. Ekspertët e konsiderojnë të mundshme që demokratët të marrin shumicën në këtë dhomë në zgjedhjet e ardhshme.

“Do të ishte befasi nëse demokratët nuk do të fitonin të paktën Dhomën e Përfaqësuesve”, tha Coleman në fund të tetorit për televizionin amerikan CBS.

Në Senat janë aktualisht 53 republikanë dhe 45 demokratë, si dhe dy senatorë të pavarur, të cilët zakonisht votojnë me demokratët. Në rast se një votim në Senat përfundon me barazim 50 me 50, vota vendimtare i takon nënpresidentit. Kështu, aktualisht nënpresidenti i Trumpit, republikani JD Vance, mund të luajë rolin vendimtar në raste të tilla.

Pse janë të rëndësishme zgjedhjet e mesmandatit?
Pjesëmarrja në zgjedhjet e mesmandatit është më e ulët se në zgjedhjet presidenciale. Megjithatë, rezultati i tyre ka ndikim vendimtar në politikën amerikane gjatë viteve të ardhshme.

Edhe pse presidenti i SHBA-së ka kompetenca të gjera dhe mund të marrë një sërë vendimesh përmes urdhrave ekzekutivë, shumë masa duhet të miratohen nga Kongresi. Pa miratimin e tij, ato nuk mund të zbatohen.

Për Trumpin është shumë më e lehtë të zbatojë politikat e tij kur republikanët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit. Nëse demokratët fitojnë shumicën në njërën apo edhe në të dyja dhomat, Trumpi do ta ketë më të vështirë të realizojë ndryshimet e synuara në politikën e brendshme dhe të jashtme.
Ku zhvillohen garat vendimtare?
Në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratëve do t’u mjaftonte të fitonin vetëm katër vende më shumë për të siguruar shumicën me 218 deputetë. Nga 435 garat, vetëm në disa rezultati konsiderohet ende krejtësisht i hapur. Mes tyre janë disa zona zgjedhore në Iowa, Virginia dhe Montana.

Në zgjedhjet për Senatin, një ndër garat më interesante zhvillohet në Texas. Sipas sondazheve aktuale, demokrati James Talarico është baras me rivalin e tij republikan Ken Paxton. Për të siguruar shumicën në Senatin amerikan, demokratëve do t’u duhej të fitonin katër vende shtesë.

Fakti që Texas mund të ishte një prej tyre do të përbënte një sensacion. Që nga viti 1994, asnjë demokrat nuk ka fituar atje një garë në nivel shtetëror. Talarico tani po mbështetet madje edhe nga disa anëtarë të familjes Bush, dinastia republikane nga e cila dolën presidentët George H. W. Bush dhe i biri, George W. Bush.

Në zgjedhjet për guvernatorë, për herë të parë në historinë e SHBA-së mund të zgjidhet një grua me ngjyrë në krye të një shteti.

Në Minnesota, demokratja Amy Klobuchar dhe republikanja me ngjyrë Lisa DeMuth garojnë për postin e guvernatores. Në Georgia, demokratja me ngjyrë Keisha Lance Bottoms kandidon për postin e guvernatores, ndërsa përballë saj është republikani Rick Jackson.

Fitorja e DeMuth në Minnesota konsiderohet e pamundur. Shteti njihet si demokrat dhe Klobuchar, si senatore prej shumë vitesh, gëzon një njohje më të madhe në publik. Ndërsa në Georgia, sipas sondazheve të fundit, gara është shumë e ngushtë. Bottoms ka shanse reale për fitore./DW

RAM GECI – Njeriu i Punës dhe i Nderës- Nga Ramiz LUSHAJ

 

 

Emri që takohet me veprën

 

Me Ram Gecin, shumëkush e ka pasur njohjen e parë pikërisht kështu: përpara se t’i japësh dorën për takim; në një rrugë të ndërtuar prej tij ku ke udhëtuar; në një urë të ngritur prej tij që të ka shkurtuar largësinë, në një sallë ku është nderuar libri apo një veprimtari; në një ndihmë të tij që ka mbërritur në kohën e duhur.

Pra, emri i Ram Gecit ka ardhur përmes punës dhe, pastaj, përmes dëshirës për të njohur njeriun që qëndron pas saj.

Në shkrime të mbledhura e të dedikuara për Ram Gecin takohen zëra të ndryshëm: publicistë, studiues, drejtues shoqatash, bashkëvendas e bashkëpunëtorë. Secili sjell një pjesë të portretit të tij, në profile e me fjalë të ndryshme. Njëri ndalet te sipërmarrësi i suksesshëm, tjetri te ndihma humanitare për vendlindjen; dikush kujton një takim letrar në hotelin e tij në qendër të Tiranës, dikush tjetër një festë në bjeshkën alpine të Sylbicës apo në Parkun Kombëtar të Dajtit.

Kur këto dëshmi shkrimore lexohen së bashku, del qartë në pah një vijimësi domethënëse: Ram Geci e ka mbajtur të lidhur rrugëtimin e vet me njerëzit dhe vendet prej të cilave ka marrë forcë.

Bytyçi, Paci, Kukësi, Laçi dhe Tirana janë ndalesa ndërvite të këtij rrugëtimi të tij. Në to gjenden fillimet, shkollimi, përvoja e punës dhe hapësira e sipërmarrjeve të mavonshme. Më tej, harta zgjerohet me rrugë e vepra ndërtimi, me hotelerinë, me veprimtari kulturore dhe me lidhje që shtrihen përtej kufirit shtetëror.

Në prag të Konventës Ndërkombëtare Alpine për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet me 4-5 dhjetor 2026, Ram Geci na vjen edhe si mikpritësi i saj në “Tirana International Hotel & Conference Centre”, ku do të vijnë personalitete nga Parlamenti Europia, organizma ndërkombëtare botërore, nga institucione shtetërore të BP, nga Trupi Diplomatik në Tiranë e Rajon, etj.

Portreti i tij përmban vite përpjekjesh, marrëdhënie të ruajtura dhe kontribute që kanë lënë kujtime konkrete te përfituesit.

Në gjuhën e vendlindjes së tij, vlerësimi për njeriun humanist, të dobishëm e të rëndësishëm, përmblidhet shpesh në pak fjalë: “T’u rrittë ndera!”. Për Ram Gecin, ky urim përsëritet nga njerëz të ndryshëm. Pas tij gjenden arsye që meritojnë të tregohen.

 

Bytyçi që e merr kudo me vete

 

Ram Geci vjen nga Bytyçi sojnik i Malësisë së Gjakovës, nga kjo hapësirë zë e zemër madhe, ku lidhja me shtëpinë dhe me emrin e familjes mbetet pjesë e jetës, edhe kur puna të çon larg, në një qendër të madhe industriale si Laci apo në një metropol si Tirana kryeqytet.

Në të dhënat biografike që sjell Dr. Skënder Demaliaj, rrëfen se Ram Geci është rritur në Pac, shkolluar në Kukës, ka punuar në Kam të Tropojës dhe në Laç të Kurbinit, e – në dekadat e fundit në Tiranë.

Ibrahim Hajdarmataj kujton, ndërkaq, lidhjen e tij me shkollën e mesme të Pacit, ku ka qenë nxënës, me minierën e kromit të Kamit, me përkushtimet, sakrificat, nderet e shumta e meritat e tij të larta.

Këto pika na japin vijën e përgjithshme të formimit të tij nga fëmijëria me burrnim të parakohshëm deri tek e sotmja: një personalitet i formatit të madh të biznesit e humanizmit shqiptar.

Në materialet shkrimore të botuara ndërvite për ndihmat humanitare përmenden me nderim prindërit e tij, Alia dhe Raza. Mirësia e tyre lidhet nga autorët me bujarinë e të birit të tyre, humanistit Ram Geci. Kjo është një mënyrë e njohur e kujtesës malësore: kur vlerësohet një punë e mirë, kujtohet edhe dera ku njeriu është rritur. Përmes saj shprehet bindja se edukata e shtëpisë vazhdon të jetojë në sjelljen e mavonshme.

Vendlindja, për Ram Gecin, shfaqet në zgjedhje të prekshme: në mbështetjen për shkollën, në ndihmën për familjet e Bytyçit, në festat që i mbledhin bashkarisht banorët dhe të larguarit nga treva krahinore e administrative. Këto veprime tregojnë një marrëdhënie të ruajtur me kohën. Ai ka ndryshuar vendbanim, fushë veprimtarie e përmasa pune, por e ka mbajtur të hapur rrugën drejt Viliqit, Pacit e Bytyçit, njerëzve të tij.

Në një nga shkrimet, Dr. Demaliaj përmend mirënjohjen e tij për të afërmit që i kanë qëndruar pranë në vështirësi, ndër ta djemtë e xhaxhait, Muhameti, Shabani dhe Qerimi, si dhe tezja e tij. Ky detaj e bën më njerëzor rrëfimin e suksesit gecjan. Në jetë ka njerëz që të ndihmojnë kur rruga është ende e pasigurtë; t’i kujtosh edhe pasi ke ecur përpara është një cilësi më vete, më vehte, është sojni, fisnikëri.

Prandaj Bytyçi në portretin e Ram Gecit mbetet një prani e gjallë. Atje ai njihet me emër e me familje, qysh në shekujt e mahershëm se familja e tij ishte “Oxhak” nga ma të njohurit në Malësi të Gjakovës e rrethinat e saj – prej nga Shkupi në Shkodër. Ai njihet dhe me kujtime jetësore e shkollore, dhe me punë të sotme.

Suksesi i tij merr kështu edhe kuptimin e një kthimi të vazhdueshëm te njerëzit që e kanë njohur në fillim, në fillimet e tij në vrri e në bjeshkë, nga djepi tek diplomat arsimore, nga “miniera” e zemrës e kujtesës së tij tek mineralet e Kamit e në Laç.

 

Fillimet dhe shkolla e Sipërmarrjes

 

Në shkrimin e tij të prillit 2017, publicisti e studiuesi i njohur, Dëfrim Cani i Dibrës, e lidh veprimtarinë e kompanisë “Geci” me vitin 1992. Kjo e vendos fillimin e sipërmarrjes së tij në një kohë ndryshimesh të mëdha për Shqipërinë, kur puna private kërkonte orientim të ri dhe aftësi për të marrë përgjegjësi në kushte të panjohura. Asokohe, prej atëherit, Ram Geci hyri në këtë rrugë me përvojën e punës dhe me dëshirën për të ngritur diçka të vetën, të tijën, e – mbasandejna- edhe për kohën e për breznitë shqiptare.

Dr. Skënder Demaliaj shkruan se, kur filloi biznesin, ai nuk kishte përfunduar studime për ekonomi dhe financë. Përgatitja e tij si sipërmarrës u zhvillua në praktikë, përmes vendimeve, bashkëpunimit me specialistët dhe ndjekjes së përditshme të punëve. Kjo përvojë kërkon aftësinë për të mësuar pa u shkëputur nga detyrimet që ke marrë përsipër.

Një ndërmarrje ndërtimi private biznesore rritet bashkë me kërkesat që duhet të përballojë, sepse shtimi i mjeteve kërkon mirëmbajtje e personel të përgatitur; shtimi i projekteve kërkon organizim dhe kontroll; zgjerimi në një fushë tjetër kërkon njohuri të tjera. Në këtë proces, drejtuesi duhet të kuptojë se ku mund të vendosë vet dhe ku duhet të dëgjojë dijen e profesionistit.

Pikërisht këtu ndalen disa nga autorët që kanë shkruar për Ram Gecin si një sipërmarrës i suksesshëm. Ata përmendin këmbënguljen, përcaktimin e përparësive dhe interesimin e tij për hollësitë e punës. Në portretin që e ndërton Demaliaj, dita e sipërmarrësit lidhet me objektiva konkrete, me ndjekjen e zbatimit dhe me rishikimin e asaj që ka mbetur pas. Kjo e afron figurën e tij me procesin e përditshëm që prodhon rezultatin.

Nga fillimet e kompanisë së tij te sipërmarrjet infrastrukturore madhore, si në Rrugën e Kombit, në Unaza e Tiranës, etj. dhe më pas – te investimet në hoteleri elitare, shfaqet një zgjerim i fushës së veprimit të tij në fushat e biznesit. Çdo hap ka kërkuar burime dhe aftësi të reja. Për Ram Gecin, shkolla e sipërmarrjes ka vazhduar brenda vet punës: duke marrë përsipër një detyrë, duke mbledhur njerëzit e duhur dhe duke qëndruar pranë saj deri në përfundim.

 

Rrugët dhe urat që afrojnë njerëzit

 

Në hartën e punëve që përmenden në shkrimet për kompaninë “Geci”, një nga kompanitë më të njohura në Shqipëri e Rajonin Ballkanik, gjenden segmente të Rrugës së Kombit, rruga Kukës-Krumë, Dragobi-Valbonë, punime në drejtim të Voskopojës, ura e Gomsiqes dhe ndërhyrje rikonstrukturore në rrjetin rrugor kryeqytetas të Tiranës etj. etj. Kjo shtrirje e ka bërë emrin e kompanisë së tij, të njohur për udhëtarë e banorë të krahinave të ndryshme. Secili e lidh atë me një vend dhe me një nevojë konkrete.

Sigurisht, në një rrugë malore e alpine, puna përballet me terrenin, me ujërat dhe me motin. Pas projektit vijnë matjet, gërmimet, veprat mbrojtëse e shtresat rrugore. Për udhëtarin, të gjitha këto përmblidhen në mundësinë për të mbërritur ma lehtë, ndërsa për banorin, rruga hyn në përditshmëri jetësore përmes shkollës, shërbimit shëndetësor, tregut dhe lidhjeve me familjarët.

Dëfrim Cani e sheh këtë marrëdhënie si një komunikim qytetar përmes veprës. Ai tregon se nuk e kishte takuar personalisht Ram Gecin, por e njihte punën e sipërmarrjes së tij në hapësirat ku kishte udhëtuar. Është një dëshmi me peshë në këtë portret: njohja vjen nga përdorimi i veprës, nga ajo që njeriu sheh dhe përjeton në jetën e zakonshme.

Në një shkrim timin, vite ma herët, e kam quajtur Ram Gecin “Njeriu i Autostradave”. Ky emërtim buron nga prania e tij në ndërtimin e infrastrukturës rrugore, edhe autostradore, kombëtare shqiptare. Brenda tij duhet lexuar edhe puna e inxhinierëve, e drejtuesve teknikë, e makineristëve dhe e punëtorëve. Një segment rrugor e mban gjurmën e një përpjekjeje të përbashkët, të organizuar nën përgjegjësinë e sipërmarrjes.

Lidhja Dragobi-Valbonë e të tjera në Veriun Alpin Shqiptar, ka një afërsi të veçantë me frymën alpine të këtij portreti për Ram Gecin. Ajo të çon në një trevë ku natyra, banorët dhe mikpritja janë pjesë e së njëjtës përvojë. Çdo rrugë që afron vizitorin e turistin me malet alpine sjell edhe përgjegjësi për mënyrën si zhvillohet turizmi alpin e malor. Në këtë pikë, puna infrastrukturore e Ram Gecit takohet me pyetjet që shtrojmë për të ardhmen e krahinave tona malore alpine

 

Drejtuesi mes bashkëpunëtorëve

 

Dihet se pas emrit të një kompanie qëndrojnë njerëz me profesione, përvoja dhe përgjegjësi të ndryshme. Në rastin e Ram Gecit, materialet i përmendin vazhdimisht stafin teknik dhe punonjësit si pjesë të domosdoshme të arritjeve. Kjo e bën më të plotë figurën e sipërmarrësit Ram Geci, sepse aftësia drejtuese provohet në mënyrën se si bashkohen përpjekjet e të tjerëve dhe si mbahen në një ritëm pune.

Dëfrim Cani, në një portretizim të tij, i përshkruan kapacitetet mekanike dhe ekipin njerëzor që i vë ato në shërbim të projekteve. Dr. Demaliaj, në një material tjetër, sjell të dhëna për qindra punonjës dhe një grup drejtuesish teknikë. Shifrat u përkasin kohëve kur janë shkruar këto dëshmi; kuptimi i përbashkët i tyre është se sipërmarrja ka kërkuar një organizim të gjerë, përtej mundësive të një individi të vetëm.

Në marrëdhëniet me njerëzit, Demaliaj e përshkruan Ram Gecin si dëgjues të vëmendshëm, me të folur të qetë dhe me aftësi për të krijuar afërsi. Sipas tij, ai interesohet për mendimin e bashkëpunëtorëve dhe i vlerëson sipas aftësive. Ky përshkrim lidhet me një nevojë të zakonshme të çdo pune të madhe: drejtuesi duhet të marrë në kohë informacionin e saktë dhe punonjësi duhet të mund ta thotë atë hapur e qartë.

Një hollësi domethënëse shfaqet në rrëfimin për hotelin e ri në qendrën kryesore të Tiranës kryeqytet. Autori përmend vështirësi në gjetjen e specialistëve për punime të veçanta dhe nevojën për të riplanifikuar afatet. Këtu portreti fiton besueshmëri njerëzore. Edhe një sipërmarrës me përvojë përballet me pengesa; mënyra si kërkon zgjidhje tregon më shumë sesa një paraqitje pa vështirësi.

Njeriu që drejton ndërtime mëson të llogarisë kohën, materialet dhe koston. Ai duhet të njohë edhe mundësitë e njerëzve. Në dëshmitë për Ram Gecin, kjo marrëdhënie zë vend të dukshëm. Përkushtimi i stafit të Hotel Tirana International  gjatë veprimtarive kulturore të shumta e përditore, i vënë në dukje miradije e vlerësimi nga organizatorët, na lejon të shohim se puna e drejtuesit vazhdon te sjellja dhe përgjegjësia e bashkëpunëtorëve të tij.

 

Mikpritja në zemër të Tiranës

 

“Tirana International Hotel & Conference Centre” është një nga vendet ku puna e Ram Gecit ka marrë një formë të afërt për publikun shqiptar të gjithkahshëm dhe për të huajt prej gjithkundit. Në qendër të kryeqytetit shqiptar, hoteli njihet prej kohësh e gjerësisht edhe si “15-katëshi”. Për shumë nga autorët e materialeve shkrimore të publikuara në media tradicionale e sociale, emri i Ram Gecit lidhet me qëndrime, takime e veprimtari ku kanë qenë pjesëmarrës. Kështu, ndërtesa hotelore hyn në kujtesën e njerëzve përmes ngjarjeve që ka mikpritur aty.

Hoteleria kërkon një përkujdesje të ndryshme nga kantieri ndërtimor. Këtu puna shihet në pritjen e vizitorit, në pastërtinë e dhomës, në përgatitjen e sallës dhe në zgjidhjen edhe të një kërkese të vogël. Gjithçka duhet të funksionojë në çastin kur nevojitet. Përvoja e drejtimit provohet çdo ditë përballë njerëzve që vijnë me pritshmëri e nevoja të ndryshme.

Në shkrimet e Ibrahim Hajdarmatajt përmenden mjediset e hotelit si hapësira të veprimtarive akademike, diplomatike dhe kulturore. Përmes tyre, sipërmarrja hoteliere  lidhet me jetën publike të qytetit metropolitan, të Shqipërisë Natyrale, të Rajonit Ballkanik e kudo tjetër në hapësira globale. Një sallë merr kuptim nga njerëzit që ulen në të dhe nga fjala që shkëmbejnë: një libër që promovohet, një çështje që diskutohet, një përvojë që ndahet me të tjerët.

Mustaf Abazi, në shënimin e janarit 2022, rrëfen vizitën te kompania “Geci” dhe te mjediset e zgjerimit të hotelit të ri “InterContinental”. Në bisedën e tij me Ram Gecin, vend kryesor zënë investimet dhe projektet për Shqipërinë. Është ky këndvështrimi i një përfaqësuesi të biznesit të Diasporës, që e vlerëson sipërmarrjen edhe përmes lidhjes me vendin e origjinës dhe mundësive që ajo krijon këtu me shembullin e Ram Gecit për të ba Shqipërinë sa ma të bukur me hotelet e saj kryeqytetas, me rrugët e saj (inter)urbane.

Për ne, që merremi me librin, gazetën dhe organizimin e takimeve e kuvendeve, një mjedis mikpritës ka vlerë të drejtpërdrejtë. Ai u jep mundësi njerëzve të mblidhen dhe iu krijon kushte ta zhvillojnë bisedën me dinjitet, sikurse në veprimtarinë tona ndërkombëtare “Takimi i Madh i Tiranës, 2023” me mbi 300 të ftuar nderi deri edhe nga Amerika e Australia. Në këtë përvojë të përsëritur mbështetet edhe cilësimi i Ram Gecit si mikpritës. Është një cilësi që merr përmbajtje te dera e hapur, te puna e stafit dhe te kujdesi për veprimtarinë që zhvillohet brenda hotelit të tij, në sallat nga ma të mirat në Shqipëri e Rajonin Ballkanik e kontinental europian.

 

Guximi për të hyrë në një përmasë tjetër

 

Zgjerimi i kompleksit hotelier dhe projekti i lidhur me emrin “InterContinental” përbëjnë një kapitull të rëndësishëm në materialet shkrimore e ekranore për Ram Gecin.

Në kronikën televizive të gazetares Nertila Dosti, të 5 korrikut 2022, përshkruhet nënshkrimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes “Geci Group” dhe përfaqësuesve të markës ndërkombëtare hoteliere. Ngjarja paraqitet si hap i guximshëm drejt një niveli tjetër të shërbimit hotelier në Tiranë.

Në atë kronikë, Ram Geci shpreh shpresën për rezultate pozitive dhe për risinë që projekti do të sillte për kryeqytetin. Në fjalën e tij ndihet përgjegjësia e investitorit që ka marrë një vendim të madh dhe pret ta shohë të realizuar sa ma shpejt e sa ma mirë. Qëndrimi është i lidhur fort e mirë me punën përpara, me atë që duhet ndërtuar dhe vënë në funksion plotor e meritor.

Materialet e Dr. Demaliajt e trajtojnë më tej këtë investim, duke përmendur zgjerimin e kapaciteteve pritëse dhe të konferencave, ku në to projekti përshkruhet me dhoma e suita, salla të madhësive të ndryshme dhe shërbime për qëndrimin e vizitorëve e turistëve, si dhe të ndërmarrësve të veprimtarive të ndryshme akademike, diplomatike, kulturore. Këto janë të dhëna të paraqitjes së projektit në shkrimet përkatëse, të cilat tregojnë përmasën e angazhimit që sipërmarrësi Ram Geci ka zgjedhur të marrë përsipër në rrugëtimin e tij lartësor.

Një investim i tillë e lidh godinën me jetën që pritet të zhvillohet brenda saj. Konferencat sjellin pjesëmarrës, shërbimet kërkojnë profesionistë dhe çdo vizitor krijon një përshtypje për qytetin ku është pritur. Në këtë kuptim, interesi i sipërmarrësit takohet me interesin e Tiranës kryeqytetase për të ofruar kushte të mira mikpritjeje.

Në portretin e Ram Gecit, guximi për të investuar shoqërohet me këmbënguljen për të ndjekur zbatimin. Dëshmia për vonesat dhe kërkimin e specialistëve e vendosë këtë ambicie në terrenin e vërtetë të punës. Projekti kërkon vendime të vazhdueshme, durim dhe përshtatje. Këtu shohim një njeri që, edhe pasi ka ngritur një sipërmarrje të njohur, vazhdon të marrë përsipër detyra që i kërkojnë të mësojë dhe të punojë ma tej, ma shumë, ma lart.

 

                               Prilli i ndihmës për Vendlindjen             

 

Në fillim të prillit 2020, kur Pandemia famëkeqe e kishte vështirësuar keqas jetën e përditshme, ndihma e Ram Gecit mbërriti te familjet e Bytyçit dhe të Berishës së Brigjeve. Dëshmitë e Ibrahim Hajdarmatajt dhe shkrimet e mia për atë kohë të jashtëzakonshme i përmendin rreth 300 pako me ushqime dhe produkte të kujdesit shtëpiak. Çdo pako kishte një vlerë të raportuar prej 4 mijë lekësh të reja.

Në to gjendeshin miell, vaj, sheqer, oriz, makarona dhe artikuj të tjerë të nevojshëm. Shpërndarja e përfshiu Pacin, Viliqin, Vladin, Çorrajt, Zherkën, Kepenekun, Zogajt e Prushin, si dhe Berishën e Brigjeve. Në shkrimet e kohës përshkruhet bashkëpunimi me Bashkinë e Tropojës dhe me komisionet vendore për t’i çuar pakot te familjet trojenike alpine.

Kujtim Hajdarmataj e kujton porosinë që ndihma të shkonte në çdo familje që jetonte në Bytyç e Berishë. Kjo hollësi tregon shtrirjen e mendimit të donatorit: të mos mbetej asnjë shtëpi jashtë vëmendjes në një kohë pasigurie pandemike kritike. Në një krahinë me vendbanime të shpërndara, përkujdesja provohet edhe nga rruga që bën ndihma për të mbërritur në derën e fundit.

Në të njëjtën periudhë, sipas materialeve, kompania “Geci” dha edhe 100 pako të tilla për familje në nevojë në territorin e Bashkisë së Matit. Ky veprim e zgjeron hartën e solidaritetit humanitar të Ram Gecit edhe përtej vendlindjes së tij. Nevoja e njeriut u bë arsye e mjaftueshme për t’iu gjendur pranë, edhe kur mungonte lidhja e drejtpërdrejtë e krahinës apo e fisit.

Në rrëfimet për ato ditë kanë mbetur urime nga përfituesit dhe bashkëvendasit. Ata e  falënderojnë Ram Gecin, kujtojnë prindërit e tij dhe i urojnë shëndet familjes. Kjo është gjuha me të cilën komuniteti e përkthen ndihmën në mirënjohje. Pakot u përdorën për nevojat e përditshme; kujtimi i njeriut që iu gjend pranë mbeti ma gjatë. Në portretin e tij, prilli 2020 është një dëshmi e qartë e humanizmit të ushtruar në kohën kur kishte më shumë nevojë për të.

 

Shkolla dhe festat e kujtesës

 

Ndër kontributet për të cilat gazetari e mësuesi veteran bytycas, Ibrahim Hajdarmataj, e vlerëson Ram Gecin, është mbështetja për rikonstruksionin e shkollës së mesme të Pacit, kryeqendra e sotme e Njësisë Administrative Bytyç. Për ish-nxënësin e saj, Ram Geci, kthimi te shkolla përmes një pune të dobishme ruan një lidhje me formimin e vet. Për nxënësit që vijnë më pas, përfitimi është i përditshëm: një mjedis më i përshtatshëm ku zhvillohet mësimi.

Një shkollë në një krahinë alpine lidhet ngushtë me jetën e komunitetit, sepse aty takohen brezat dhe ruhen kujtime që vazhdojnë edhe pasi nxënësit shpërndahen në qytete e vende të tjera. Mbështetja që Ram Geci i ka dhënë asaj tregon se lidhjen me vendlindjen e ka kthyer edhe në kujdes për ata që vazhdojnë të rriten atje.

Një tjetër hapësirë e kësaj marrëdhënieje është “Festa e Bjeshkëve” në Sylbicë të Bytyçit. Materialet shkrimore e përmendin sponsorizimin e dekorit, programit dhe drekës për pjesëmarrësit. Ibrahim Hajdarmataj veçon Festën e 4 gushtit 2021, ku mblidheshin bjeshkatarë alpinë, banorë nga vrrini dhe të ardhur nga Diaspora. Këtu kontributi merr kuptimin e mundësisë për t’u takuar sërish.

E njëjta frymë shfaqet në mbështetjen për “Festën e Bytyçit” në Dajt, të lidhur me Plisin e Bardhë dhe traditat e vendlindjes. Vendi i takimit ndryshon, por njerëzit marrin me vete kujtesën, këngën dhe mënyrën e të nderuarit të mikut. Në këto veprimtari traditore e kombëtare, brezat e rinj mund të njohin bashkëvendasit dhe të dëgjojnë historitë që përndryshe mbeten brenda familjeve.

Kontributi për shkollën dhe ai për Festën në Dajt të Tiranës apo Sylbicë të Bytyçit kanë një afërsi të natyrshme. Të dyja mbajnë gjallë lidhjen mes brezave. Njëri u shërben dijes dhe përgatitjes, tjetri i jep hapësirë kujtesës dhe gëzimit të përbashkët. Ram Geci, në dëshmitë e njerëzve të Bytyçit, del si mbështetës i të dyjave. Kjo e shpjegon afërsinë me të cilën flasin për të: e kanë parë pranë nevojës së përditshme edhe pranë ditës kur krahina mblidhet për të festuar.

 

Përkrah librit dhe veprimtarive…

 

Më  janar dhe në gusht 2025 , në sallën «Akernia» të Tirana International Hotel, u zhvillua veprimtaria «Takim me shkrimtarin tonë, Besnik Mustafaj», organizuar nga Shoqata “Tropoja” me kryetar Prof. Dr. Ing. Adil Neziraj dhe promovimi madhor i veprës “Dr. Ibrahim Rugova – Arkitekti i Pavarësisë së Kososvës”- organizuar nga Shtëpia Botuese “Jalifat Publishing” me pronar e drejtor personalitetin e shquar Ramiz Tafilaj në Hjuston të Teksasit (SHBA). Në shkrimiet e mia për ato ditë kam shënuar praninë e mbi 300 të ftuarve në secilën prej tyre dhe mbështetjen e Ram Gecit për sallën e shërbimet që e bënë të mundur takimin në atë formë elitare panshqiptare.

Kujtoj përgatitjen e mjedisit, pajisjet për paraqitjet, mikrofonat, kujdesin teknik dhe përkushtimin e personelit. Për organizatorin, këto janë pjesë thelbësore të mbarëvajtjes së një veprimtarie. Kur funksionojnë si duhet, fjala e shkrimtarit dhe vëmendja e pjesëmarrësve zënë vendin që u takon. Mbështetja e sipërmarrësit hyn kështu në shërbim të takimit mes krijuesit dhe lexuesit.

Dr. Skënder Demaliaj sjell edhe dëshminë e promovimit të 20 librave të tij në këtë hotel. Së bashku me ndihmën për botime të tjera, këto raste tregojnë një interesim të përsëritur për jetën kulturore. Libri ka nevojë për autorin dhe lexuesin, por ka nevojë edhe për njerëz që ndihmojnë të shtypet, të paraqitet dhe të mbërrijë te publiku.

Me dhjetra botues e krijues përgjatë çdo viti shprehin mirënjohjen për mundësitë elitare e humanitare që të ofron Ram Geci me shpirtmirësinë e tij për njerëzit e letrave, për veprat e tyre librore, për veprimtaritë e tyre promovuese.

Një interesim të lartë e kemi pas edhe ne, si “Gazeta e Alpeve”, në organizimin e veprimtarisë ndërkombëtare “Takimi i Madh i Tiranës, 2023” dhe po manifestohet edhe në përgaditjet për “Konventa Ndërkombëtare Alpine” (“Alpet e Malet në Shek. XXI”, me tematikë për bashkëpunimin dhe integrimin europian, rajonal e ndërkufitar, diplomacinë alpine, trashëgiminë kulturore, mjedisin dhe biodiversitetin; zhvillimin dhe turizmin e qëndrueshëm; komunitetet malore e alpine dhe rininë; ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen nga fatëkeqësitë natyrore; bujqësinë, blegtorinë dhe ekonominë alpine e malore; ujërat, pyjet dhe burimet natyrore; shkencën, edukimin dhe inovacionin bashkëkohor për Alpet dhe Malet.

Në këtë mënyrë, bujaria e Ram Gecit merr edhe trajtën e një shërbimi për leximin dhe komunikimin mes komuniteteve.

 

Ura me Gjakovën dhe Diasporën

 

Në tetor 2023, nga Gjakova, Halil Ahmeti – veteran i arsimit kombëtar në Kosovë e Shqipëri, veteran i Luftës së Kosovës, piktor, publicist, ish deputet, veprimtar i shquar, i përcolli Ram Gecit një falënderim në emër të Shoqatës “Drini, Gjakovë-Shkodër”. Në atë shkrim ai rendit raste konkrete të mbështetjes dhe kujton lidhjen e sipërmarrësit me shoqatën, ku mban cilësimin ”Anëtar Nderi”. Dëshmia na çon përtej kufirit, në një hapësirë marrëdhëniesh që ka vazhduar ndër vite.

Ahmeti i përmend 10 abonime dhuratë në “Gazeta e Alpeve” për shoqatën e tyre në Gjakovë të Repubikën e Kosovës. Krahas tyre, kujton mbështetjen për përvjetorin e pestë të themelimit, Festivalin  “DriniFest” dhe Katalogun “8 vjet punë dhe përkushtim i Korridorit Adriatik-Alpe”. Secili prej këtyre kontributeve lidhet me një nevojë të veçantë të veprimtarisë kulturore dhe shoqërore.

Një detaj tjetër është akomodimi treditor në Tirana International Hotel i pesë anëtarëve të shoqatës, pjesëmarrës në Festivalin “Imazhi Shqiptar”. Mikpritja këtu ka një rezultat të qartë: u krijon kushte njerëzve të jenë të pranishëm në një veprimtari larg vendbanimit të tyre. Shpesh, pikërisht këto shërbime praktike, e bëjnë të mundur pjesëmarrjen dhe vazhdimin e bashkëpunimit.

Fjalët e Halil Ahmetit mbajnë edhe ndjesinë e afërsisë së Kosovës dardane me Shqipërinë. Ai e vlerëson ndihmën si shenjë, se shoqata e tyre mbetet e lidhur me vendlindjen e Ram Gecit dhe me shtetin amë. Përmes këtij këndvështrimi kuptojmë se një kontribut financiar mund të përjetohet edhe si përkatësi, si vëmendje që vjen nga ana tjetër e kufirit shtetëror.

Në shënimin e Mustaf Abazit shfaqet një tjetër lidhje, ajo me botën e biznesit të Diasporës Shqiptare në Gjermani. Vizita dhe biseda e tij me Ram Gecin për investimet e projektet sjellin interesimin e shqiptarit që jeton jashtë për atë që ndërtohet në Atdhe. Nga Gjakova te Diaspora, portreti i Ram Gecit zgjerohet me marrëdhënie konkrete dhe me dëshmi njerëzish që e njohin kontributin e tij në rrethana të ndryshme. Kjo është një hapësirë ku emri i Ram Gecit udhëton bashkë me mirënjohjen që ka krijuar.

 

Ndera e mikpritësit dhe masa e njeriut

 

Më 4-5 dhjetor 2026, Konventa Ndërkombëtare Alpine do të mbledhin në “Tirana International Hotel & Conference Centre” pjesëmarrës të jetës publike, të kulturës, të dijes dhe të bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor e të Europës, nga Parlamenti Europian, Organizata Ndërkombëtare Botërore, Trupi Diplomatik, etj. Ram Geci do të jetë mikpritësi i këtij Takimi të Madh, sepse kjo veprimtari ndërkombëtare do të mbahet në mjediset e këtij hoteli në qendër të Tiranës, në sallën e bukur “Consortium”. Për Organizatorët, kjo marrëdhënie ka afërsinë që krijohet me njeriun i cili vë në dispozicion një mjedis ku fjala mund të shkëmbehet dhe njerëzit mund të njihen më mirë, punërat marrin lartësi, me apele e projekte në vazhdimësi.

Portreti i Ram Gecit, megjithatë, shtrihet në një kohë shumë më të gjatë. Ai fillon te Paci dhe familja, vazhdon me përvojën e punës, me themelimin e sipërmarrjes, me rrugët dhe hotelerinë. Përmban prillin e ndihmave, shkollën e vendlindjes, librat, festat në bjeshkë dhe lidhjet me Gjakovën. Etj. Këto ngjarje i japin përmbajtje vlerësimit që kemi për të sot.

Dr. Skënder Demaliaj ndalet shpesh te humanizmi dhe komunikimi. Ibrahim Hajdarmataj flet me mirënjohjen e bashkëvendasit që ka parë ndihmën të mbërrijë në trevën e shtëpitë e Bytyçit. Dëfrim Cani e njeh përmes veprave, Mustaf Abazi përmes takimit dhe projekteve, Halil Ahmeti përmes bashkëpunimit me shoqatën. Kronika e Nertila Dostit sjell një çast të rëndësishëm të investimit hotelier. Shkrimet e mia ruajnë kujtime nga ndihmat dhe jeta kulturore. Secili zë e ndriçon nga afër një anë të njeriut format madh bashkëkohor Ram Geci.

Prej këtyre dëshmive del një Ram Geci i lidhur me punën dhe me përgjegjësitë që ajo sjell. Arritjet e tij marrin vlerë edhe në përdorimin që gjejnë te të tjerët: te udhëtari që kalon rrugën, te punonjësi që ka një vend pune, te nxënësi i shkollës së Pacit dhe te familja që mori ndihmë në ditë të vështira.

Në fund, më kthehet urimi i vendlindjes. Është i thjeshtë dhe ka brenda kujtesën e punëve të mira:  “T’u rrittë ndera, o Ram Geci!”. Në faqet e këtij portreti kemi ndjekur disa prej arsyeve përse ai urim është thënë. Njeriu vazhdon punën; njerëzit mbajnë mend.

 

Tiranë, 1 nëntor 2026

Vrasjet e grave një problem mentaliteti që duhet ndryshuar- Vështrim nga Skënder MULLIQI

—- Dhuna ndaj grave po bëhët realitet i ashpër që shoqëria shumë shpesh e nënvlerëson, e zvoglon ose , më e rrezikshmja e justifikon.Vrasja e grave por edhe çdo vrasje tjetër është trishtim  shteteror e kombëtar e zhgënjim kombëtar.Duhet ngritur zërin mbarë shoqëria , e jo të flasin vetëm gratë .Heshtja  jehonë po aq fort sa krimi.Në parandalimin e vrasjeve ndikon edhe niveli i arsimimit, e që të ne as për afër nuk i përmbushë kriterët…
Vrasja e fundit e një gruaje , një nëne, nje vajze, Arlinda Zekaj natyrisht së është tronditëse për të gjithë njerëzit e ndershem.Këto vrasje dhe shumë vrasje të tjera në Kosovë , me vite  kan mbetur  më shumë në hështje , në mënyrë të padukshme , shpesh vetëm.Kjo tregon për mos funksionimin e duhur të shtetit ligjor në shumë hallka të tij, si problem i kahmotshem në Kosovë.Shumë kohë u folë për Vetingun në drejtësi e  nuk u zbatua në praktikë.Kjo sigurishtë së lënë zbrazëti për të vazhduar vrasjët .Vrasjët si edhe kjo e fundit e Arlindës, janë plagë të cilat nuk  sherohen.Për secilën vrasje ekzisiton zingjri komandues, dhe përgjegjësia morale dhe përgjegjësia penale.Pos të vrasjeve të cilat cilësohen për motive politike , asnjë vrasje tjetër mendojë unë nuk duhet të shfrytëzohet nga askush  për qëllime të natyrës politike.Kjo është e turpshme.Natyrisht së vrasjët e grave të cilat po ndodhin në seri që shumë vite në vendin tonë, janë të dhembshme dhe kërkojnë mobilizim të përgjithshem që ato të parandalohen duke krijuar mekanizma parandalues.Të vrasësh gra apo vajza për çfardo motivi qoftë ai , është ligësia më e madhe për një njeri.Gjinia femnore është  e shenjtë, ajo në asnjë rrethanë nuk  bën të vritet.Ndalimin e vrasjeve nuk e bën vetëm dhënja e dorëheqjeve nese nuk krijohen mekanizma adekuat ndëshkues .Mobilizimi i të gjithëve duhet të bëhët në paranadalimin e vrasjëve , e jo pasi që të ndodhin ato.Dhuna ndaj grave po bëhët realitet i ashpër që shoqëria shumë shpesh e nënvlerëson, e zvoglon ose , më e rrezikshmja e justifikon.Vrasja e grave por edhe çdo vrasje tjetër është trishtim  shteteror e kombëtar e zhgënjim kombëtar.Duhet ngritur zërin mbarë shoqëria , e jo të flasin vetëm gratë .Heshtja  jehonë po aq fort sa krimi.Në parandalimin e vrasjeve ndikon edhe niveli i arsimimit, e që të ne as për afër nuk i përmbushë kriterët.Është apsurde të mendohet se ende , në shekullin e 21-të, një pjesë e shoqërisë mendon se dhuna është “problemi i tyre “, se femicidi është “një tragjedi familjare”, duke harruar së kjo ka konotacion mbarë shoqëror.Sikur ende jetojmë në një kulturë  ku viktima mban barrën e fajit dhe abuzuesi barrën e justifikimit.Kjo nën kupton se gratë në këtë luftë lihen përseri vetëm-vetëm për të shpjeguar se çfarë është dhuna , pse është e papranueshme dhe pse vrasja e një gruaje , nuk është kurrë një incident, por një model.Dhuna nuk ndodhë në një boshllëk.Ajo rritet në heshtjen e mjedisit.Rritet sa herë që heshtim në vend që të reagojmë.Nuk duhet të heshtim, si nuk duhet të lejojmë që gratë të mbeten të vetmet që flasin për dhunën që i prek.Se dhuna ndaj grave , nuk është problem i vetëm i grave apo vetëm një njeriu.Ky është problem i shoqërisë.Problem i shtetit.Një problem menetaliteti që duhet ndryshuar domosdo.Çdo ditë duhet të jemi më të zeshem se heshtja që vret.Sepse asgjë  nuk vlen më shumë së jeta e një gruaje.Jeta e një gruaje vlen më shumë se turpi i dikujt tjetër…

Mosbindja civile- E dhunshme apo jo e dhunshme, revolucionare apo jorevolucionare, kolektive apo individuale

E dhunshme apo jo e dhunshme

Ka pasur debate nëse mosbindja civile duhet të jetë domosdoshmërisht jo e dhunshme. Fjalori Juridik i Black-ut (Black’s Law Dictionary) e përfshin mosdhunën në përkufizimin e tij për mosbindjen civile. Një artikull enciklopedik nga Christian Bay thekson se mosbindja civile kërkon “mjete legjitime dhe të zgjedhura me kujdes”, por shton se këto mjete nuk është e thënë të jenë domosdoshmërisht jo të dhunshme. Është argumentuar se, ndonëse si mosbindja civile ashtu edhe rebelimi civil justifikohen duke iu referuar të metave kushtetuese, rebelimi është shumë më shkatërrues; prandaj, të metat që justifikojnë rebelimin duhet të jenë shumë më serioze se ato që justifikojnë mosbindjen. Nëse nuk mund të justifikohet rebelimi civil, atëherë nuk mund të justifikohet as përdorimi i forcës dhe dhunës nga ana e atyre që ushtrojnë mosbindje civile, e as refuzimi i tyre për t’iu dorëzuar arrestimit. Gjithashtu, thuhet se shmangia e dhunës nga ana e pjesëmarrësve në mosbindjen civile ndihmon në ruajtjen e tolerancës së shoqërisë ndaj këtij fenomeni.

Filozofi H. J. McCloskey argumenton se “nëse një formë mosbindjeje që përfshin dhunë, frikësim apo detyrim është më efektive, atëherë – duke supozuar se faktorët e tjerë janë të barabartë – ajo është më e justifikuar sesa një formë mosbindjeje jo e dhunshme, por më pak efektive.” Në veprën e tij të njohur *Mosbindja dhe Demokracia: Nëntë Gabime në lidhje me Ligjin dhe Rendin* (Disobedience and Democracy: Nine Fallacies on Law and Order),[37] Howard Zinn mban një qëndrim të ngjashëm; ai shprehet se, ndonëse qëllimet e mosbindjes civile janë përgjithësisht jo të dhunshme, në tensionin e pashmangshëm që shoqëron kalimin nga një botë e dhunshme në një botë jo të dhunshme, zgjedhja e mjeteve pothuajse kurrë nuk do të jetë e pastër; ajo do të përfshijë kompleksitete të tilla, saqë dallimi i thjeshtë mes dhunës dhe mosdhunës nuk mjafton si udhërrëfyes… vetë veprimet përmes të cilave përpiqemi të bëjmë të mirën, nuk mund t’u shpëtojnë papërsosmërive të botës që po përpiqemi të ndryshojmë.

Zinn hedh poshtë çdo “refuzim të lehtë dhe moralizues të dhunës”, duke vënë në dukje se Thoreau – personi që popullarizoi termin “mosbindje civile” – e miratoi kryengritjen e armatosur të John Brown-it. Ai gjithashtu thekson se disa fushata të rëndësishme të mosbindjes civile, të cilat janë klasifikuar si “jo të dhunshme” – siç ishte fushata e Birminghamit – në fakt kanë përfshirë elemente dhune.

 Revolucionare apo jorevolucionare

Mosbindja civile jorevolucionare është një shkelje e thjeshtë e ligjeve, me arsyetimin se ato gjykohen si “të gabuara” nga ndërgjegjja e individit, ose si pjesë e një përpjekjeje për t’i bërë disa ligje të pazbatueshme, për të çuar në shfuqizimin e tyre, apo për të ushtruar presion me qëllim arritjen e kërkesave politike për çështje të tjera. Mosbindja civile revolucionare është më tepër një përpjekje aktive për të rrëzuar një qeveri (ose për të ndryshuar traditat kulturore, zakonet shoqërore apo besimet fetare). Revolucioni nuk është domosdoshmërisht politik – siç mund të jetë, për shembull, një “revolucion kulturor” – por nënkupton ndryshime rrënjësore dhe të gjera në një pjesë të strukturës shoqërore. Veprimet e Gandhit janë përshkruar si mosbindje civile revolucionare. Është theksuar se hungarezët, nën udhëheqjen e Ferenc Deák-ut, ushtruan mosbindje civile revolucionare kundër qeverisë austriake. Gjithashtu, Thoreau shkruante se mosbindja civile mund të çojë në një “revolucion paqësor”. Howard Zinn, Harvey Wheeler dhe të tjerë e kanë identifikuar të drejtën – të sanksionuar në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-së – për të “ndryshuar ose shfuqizuar” një qeveri të padrejtë, si një parim të mosbindjes civile.

Kolektive apo individuale

Rastet më të hershme të dokumentuara të mosbindjes civile kolektive datojnë që nga koha e Perandorisë Romake. Hebrenj të paarmatosur u mblodhën nëpër rrugë për të penguar vendosjen e imazheve pagane në Tempullin e Jerusalemit. Në kohët moderne, disa aktivistë që angazhohen në mosbindje civile si grup, refuzojnë kolektivisht të nënshkruajnë dokumentet për lirim me kusht (garanci pasurore), derisa të plotësohen kërkesa të caktuara – siç janë kushte më të favorshme për lirimin, ose lirimi i të gjithë aktivistëve të ndaluar. Kjo njihet si një formë solidariteti mes të burgosurve.

Ka pasur gjithashtu shumë raste të mosbindjes civile individuale – siç ishte rasti i Thoreau-së – por këto shpesh kalojnë pa u vënë re. Në kohën e arrestimit të tij, Thoreau nuk ishte ende një autor i njohur dhe arrestimi i tij nuk u pasqyrua në asnjë gazetë në ditët, javët apo muajt që pasuan. Nëpunësi tatimor që e arrestoi atë më vonë u ngjit në poste më të larta politike, ndërsa eseja e Thoreau-së u botua vetëm pas përfundimit të Luftës me Meksikën. VOAL/Wikipedia

Sky: Protesta kundër Ramës përshkallëzohet në Tiranë, molotovë drejt policisë dhe trazira para Kryeministrisë

Protesta kundër qeverisë së Edi Ramës dhe kërkesa për largimin e kryeministrit shqiptar kanë tërhequr vëmendjen edhe të medias italiane Sky.it, e cila raporton për përshkallëzimin e situatës në Tiranë dhe përplasjet mes demonstruesve dhe policisë.

Sipas Sky.it, grupe studentësh u mblodhën fillimisht para Ministrisë së Arsimit, ku kërkuan dorëheqjen e kryeministrit socialist Edi Rama. Tubimi u shoqërua me tensione, ndërsa disa kazanë mbeturinash u dogjën dhe protestuesit hodhën gurë e bomba molotovë në drejtim të forcave të rendit. Policia reagoi me autobotë uji dhe gaz lotsjellës.

Media italiane raporton se, pavarësisht shiut të dendur dhe pakësimit të numrit të protestuesve, turma u zhvendos më pas drejt Kryeministrisë, ku situata u tensionua sërish.

Atje, disa qindra demonstrues hoqën pllakat e trotuarit përgjatë bulevardit kryesor dhe i hodhën drejt efektivëve të policisë të vendosur pranë hyrjes anësore të godinës së qeverisë. Përgjigjja e policisë ishte aktivizimi i autobotëve të ujit, ndërsa nga ana e protestuesve u hodhën sërish molotovë.

Sipas raportimit, pas thirrjeve të policisë për t’u tërhequr, efektivët ndërhynë me gaz lotsjellës dhe tre autobotë uji, duke shpërndarë turmën. Ndërkohë, automjete të shumta policie u pozicionuan në akset kryesore të kryeqytetit për të parandaluar grumbullime të tjera.

Në fokus të protestës mbetet kërkesa politike për dorëheqjen e Edi Ramës, ndërsa përplasjet e fundit po marrin vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare. bw


Send this to a friend