VOAL

VOAL

Begaj takohet me komandantin e KFOR-it: Rendi kushtetues i Kosovës s’duhet cenuar

August 17, 2022
blank

Komentet

blank

Shqiptarët e Kosovës kanë mbi 5 miliardë euro nëpër bankat e vendit!

Depozitat e shqiptarëve të Kosovës nëpër bankat tregtare të nivelit të dytë në vend arrijnë në 5 miliardë e 206 milionë.

Sipas mediave lokale, këtë e thekson raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës, i publikuar këtë të enjte por që pasqyron gjendjen për muajin gushtë.

Depozitat e ekonomive familjare janë  3 miliardë e 524.7 milionë

Depozitat e korporatave jo financiare 1 miliard e 048.5 milionë,

Depozitat e korporatave tjera financiare 262.1 milionë.

Në Kosovë aktualisht operojnë 11 banka komerciale.gsh

blank

50 euro ‘mbajnë peng’ mësimin në Kosovë, hyn në muajin e dytë greva e përgjithshme në sistemin e arsimit

VOA

 

Prindërit e nxënësve të shkollës “Naim Frashëri” në Prishtinë protestuan të martën në oborrin e kësaj shkolle me thirrjet që t’i jepet fund grevës së përgjithshme në sistemin e arsimit. E filluar më 25 gusht greva ka hyrë në muajin e dytë dhe ende nuk ka një marrëveshje ndërmjet qeverisë dhe sindikatave që do të mundësonte fillimin e vitit të ri shkollor.

“Siç po shihet greva tani veç ka marrë kahje politike dhe ka humbur karakteri i grevës, qëllimin dhe të gjitha. Kështu që kemi ardh edhe ne si prind në një situatë që tani më duhet të reflektojmë, ndoshta pak me vonesë po edhe ne nuk kemi besuar se do të merr kaq shumë kohë”, tha Besart Macula prind i një vajze në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë.

“Ka qenë një pushim shumë i gjatë për fëmijët, është lidhur me pushimin veror dhe tash kjo po ndikon shumë negativisht por edhe ende nuk kanë përgjigje kur kanë me dal në banka shkollore. Psiqikisht po ndikon te fëmijët negativisht”, tha Krenare Osmani Gjukaj, nënë e dy fëmijëve në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë.

Vlora Vokshi nga Këshilli i Prindërve të shkollës bëri thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje ndërmjet qeverisë dhe sindikatave.

“Kërkesa jonë e vetme është të fillojnë fëmijët sa më shpejt mësimin shkollor. Kjo protestë nuk ka të bëjë as që ne prindërit t’i mbajmë anën sindikatës së arsimit apo qeverisë por kjo kryesisht është për të mirën e fëmijëve tanë”, tha ajo.

Por gjetja e një zgjidhjeje mbetët e vështirë sipas kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, i cili në një bisedë për Zërin e Amerikës theksoi gatishmërinë për një marrëveshje me qeverinë.

“Fatkeqësisht ky kryeministër është barrikaduar dhe unë uroj që anëtarësia të na jap sinjale tjera dhe ne si zë i tyre do të veprojmë ashtu siç vendosin anëtarësia. Uroj që ata të na japin sinjale të tjera sepse e pranoj është bërë kohë e gjatë, nxënësit janë jashtë shkolle dhe sidomos e kemi dhimbjen më të madhe te çerdhet sepse prindërit që punojnë në sektorin privat apo publik i kanë një mijë e 1 halle se ku t’i lën ato bebe të tyre dhe uroj që kjo situatë të ndërroj dhe të kemi një situatë shumë më të qetë”, tha zoti Jasharaj.

Punonjësit e arsimit kërkojnë 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit te Pagave. Qeveria ka ofruar 50 euro shtesë në muaj për pjesën e mbetur të këtij viti, në kuadër të një pakoje për përballjen me inflacionin. Takimet ndërmjet palëve deri tani nuk kanë prodhuar rezultat në përafrimin e qëndrimeve që do të hapte rrugë për t’i dhënë fund grevës e cila ka lënë jashtë procesit mësimor mbi 320 mijë nxënës.

“Besoni, të gjithë sindikalistët janë shumë të shqetësuar dhe nuk kanë dashur që të vijë deri te kjo por nëntë muaj ka munguar dialogu, e bën grevën me 25 gusht duke shpresuar së së fundmi atë javë do ta shfrytëzoj qeveria por ajo është barrikaduar dhe një qasje tejet negative ndaj sindikatave”, tha Rrahman Jasharaj.

Ndonëse disa shkolla kanë haur dyert për nxënësit, zoti Jasharaj thotë se më shumë se 98 për qind e sistemit arsimor është në grevë.

Partitë opozitare mbështesin kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, ndërsa po kërkojnë zgjidhje nga qeveria për t’i dhënë fund bllokadës në sistemin arsimor.

“Ne nuk shohim asnjë justifikim që të vazhdon situate e tillë, kjo është një krizë e cila për një ego të një kryeministri që nuk dëshiron të dialogoj dhe gjejë zgjidhje por gjen fuqinë që të tallet me mësimdhënësit dhe kërkesat e tyre, ne mendojmë që është e paprecedentë kjo nuk ka ndodh ndonjëherë dhe nuk duhet të vazhdojë asnjëherë”, tha Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se plotësimi i kërkesës prej 100 euro në muaj do të ishte gabim meqë do të nxiste kërkesa të ngjashme të grupeve të tjera, ndërsa ka nënvizuar se greva është politizuar dhe po përdoret kundër qeverisë së tij.

Ekspertë të arsimit në Kosovë thonë se një ditë e humbur e mësimit në Kosovë ka rol shumë më të madh se në vendet tjera për shkak të ngecjes në cilësi që e karakterizon ende sistemin arsimor të vendit.

blank

REL: Franca është zbutur, tash nuk është kundër liberalizimit për Kosovën

Vetëm disa muaj nga përmendja e idesë për krijimin e një bashkësie politike evropiane është thirrur takimi i liderëve të vendeve që supozohet se do të jenë pjesë e kësaj bashkësie.

Idenë e ka shpalosur së pari presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në muajin maj, e pas tij edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Dallimi është se Michel ka menduar ta emërojë organizatën e re si “Bashkësi Gjeopolitike Evropiane”, ndërsa Macron “Bashkësi Politike Evropiane”.

Qëllimi, megjithatë, është i njëjtë: të krijohet një format, ku do të bashkëvepronin të gjitha vendet e kontinentit “që duan të ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta”, jo vetëm ato që janë anëtare të Bashkimit Evropian. Ndonjë afat se kur do të mund të formohet, nuk ka.

Këshilli Evropian ka konfirmuar se tashmë janë dërguar ftesat për pjesëmarrësit në samitin e Pragës, që do të zhvillohet më 6 tetor.

Ata do të përfshijnë udhëheqësit e 27 vendeve evropiane që nuk janë anëtare të BE-së, të 27 vendeve të BE-së, si dhe presidenten e Komisionit Evropian dhe presidentin e Këshillit Evropian. Janë ftuar, pra, të gjitha shtetet që ekzistojnë në Evropë, me përjashtim të Federatës Ruse dhe Bjellorusisë.

Ftesat janë dërguar bashkërisht nga kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, vendi i të cilit aktualisht ka kryesimin e BE-së, dhe nga Charles Michel, president i Këshillit Evropian.

Është caktuar, po ashtu, agjenda e takimit, e cila nuk përfshin ndonjë diskutim për strukturat eventuale të kësaj “bashkësie”, por tema aktuale si: paqja dhe siguria, energjia dhe ndryshimet klimatike, situata ekonomike, si dhe migracioni dhe mobiliteti.

Të gjitha këto shihen si tema urgjente dhe janë në interes të përbashkët të të gjithë pjesëmarrësve.

Burimet diplomatike në BE pranojnë se në prag të dërgimit të ftesave, ka pasur shumë dilema, meqë ideja është që në bashkësinë politike evropiane të jenë “të gjitha vendet që ndajnë të njëjtat vlera të demokracisë dhe lirive themelore”. Por, ky formulim, sipas disa diplomatëve të BE-së, ka ngjallur dyshimin se a mund të ftohen edhe shtetet që kanë probleme me respektimin e vlerave të demokracisë dhe me lirinë e mediave, apo edhe ato që nuk i mbështesin sanksionet e BE-së kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Megjithatë, në fund është vendosur që të ftohen të gjitha këto vende – në mesin e tyre edhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Turqia, Armenia e Azerbajxhani.

“Pa marrë parasysh se çfarë mendojmë për nivelin e demokracisë në këto vende, nuk është e mundur që pa to të adresohen shqetësimet urgjente që i kemi, si: siguria e furnizimit me energji, sfidat e përballjes me emigrimin ilegal dhe paqja e siguria në kontinentin tonë dhe fqinjësinë evropiane”, thotë një diplomat i BE-së.

Dilema më e madhe që është shfaqur rreth kësaj ideje, është nëse krijimi i një bashkësie politike evropiane do të ndikojë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe do të shërbejë si një lloj zëvendësimi – së paku për një periudhë kalimtare – për anëtarësimin formal të disa vendeve në BE.

Këto shqetësime, në disa raste, janë vlerësuar si të pabaza, edhe në nivele të ndryshme të BE-së, por edhe nga nismëtarët e kësaj ideje.

Një zyrtar i BE-së, duke shpalosur për gazetarët qëllimet e bashkësisë politike evropiane, për të cilën tashmë përdoret shkurtesa EPC, ka thënë se “EPC-ja nuk i zëvendëson organizatat ekzistuese, strukturat apo proceset dhe nuk e ka për qëllim që në këtë moment të krijojë struktura apo procese të reja”.

Sipas të njëjtit burim, qëllim kryesor i bashkësisë politike evropiane është të ofrojë platformë “për koordinim politik për të gjitha vendet e kontinentit”, përmes së cilës, po ashtu, “do të forcohej dialogu dhe bashkëpunimi në adresimin e sfidave dhe interesave të përbashkëta”.

Ideja është që liderët, në nivel krejtësisht të barabartë, të takohen një apo dy herë në vit.

Por, përkundër pohimeve të përsëritura se “kjo nismë nuk ka për qëllim të jetë alternativë e procesit të zgjerimit”, ka diplomatë që mendojnë se krijimi i kësaj bashkësie mund të ndikojë, së paku, në ngadalësimin e procesit të zgjerimit – proces që edhe ashtu është i ngadalshëm.

Një prej arsyeve për dyshim lidhet me faktin se kjo ide është përmendur për herë të parë nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vendi i të cilit, krahas Holandës, ka qenë për një kohë të gjatë në krye të shteteve të BE-së, që janë shprehur skeptike për procesin e zgjerimit dhe kanë ndikuar që ky proces të ngadalësohet.

Por, në një ‘non-paper’ që ka ndarë me shtetet tjera anëtare të BE-së, Franca ka sqaruar se “politika e zgjerimit – për shkak të kërkesave për reforma të domosdoshme që duhen plotësuar për t’u anëtarësuar në BE dhe kohëzgjatjes së këtij procesi – nuk ofron sot kornizë të nevojshme politike për t’u përgjigjur ndaj nevojave historike dhe gjeopolitike që dalin nga lufta në Ukrainë, si dhe për strukturimin politik të kontinentit tonë evropian”.

“Për këtë arsye, ne propozojmë që këtë vit të krijohet bashkësia politike evropiane mes të gjitha vendeve evropiane që dëshirojnë të kontribuojnë së bashku për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit tonë”, thuhej në këtë dokument.

Po sipas tij, “bashkësia politike evropiane do të jetë e hapur për shtetet evropiane që ndajnë vlerat demokratike, pa marrë parasysh nëse janë ose jo anëtare të Bashkimit Evropian dhe pa marrë parasysh natyrën e raporteve të tyre me Bashkimin Evropian”.

Me këtë dokument, Franca ka bërë përpjekje t’i heshtë zërat që kanë tërhequr vërejtjen se kjo ide mund të ketë për qëllim ta dëmtojë procesin e zgjerimit, duke krijuar alternativë.

“Bashkësia politike evropiane nuk do të jetë alternativë e anëtarësimit në BE dhe nuk do të jetë zëvendësim për procesin e zgjerimit. Për shtetet evropiane që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, për më tepër, do të jetë mundësi për forcimin e lidhjeve me vendet e BE-së përpara se të bëhen anëtare, si në aspektin politik, ashtu edhe në pjesëmarrjen e tyre në disa politika të BE-së”, thuhej në këtë dokument.

Burimet diplomatike në Bruksel thonë se sjellja e Francës në raport me zgjerimin e BE-së ka ndryshuar dhe se ky shtet është më “miqësor” ndaj zgjerimit.

“Franca ka qenë shumë e angazhuar për heqjen e pengesave për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Besoni se pa angazhimin e Francës, kjo vështirë se do të ndodhte. Franca, krahas Gjermanisë, po angazhohet edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe, tani, Franca nuk është kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Po ashtu ka mbështetur edhe dhënien e shpejtë të statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë”, thotë një burim i BE-së, duke shtuar se “skepticizmi i Francës ndaj procesit të zgjerimit i takon ndoshta së kaluarës”.

Në selinë e BE-së në Bruksel thonë, madje, se ky forum do të shërbejë për forcimin e raporteve mes vendeve kandidate që duan të jenë në BE dhe vendeve të BE-së. Në këtë mënyrë, ato do të mund të përparojnë edhe në arritjen e qëllimeve të tyre për anëtarësim formal në BE.

“Këtu mendojmë pikësëpari në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ato duan të bëhen anëtare të BE-së dhe në BE tash ekziston vullneti që të mbështeten në këtë rrugëtim”, thotë një burim diplomatik, duke rikujtuar se këtë e ka theksuar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj vjetor për gjendjen e unionit.

Von der Leyen e ka përmendur Ballkanin derisa ka folur për nevojën që të rishqyrtohet politika e jashtme e BE-së.

“Tash është koha për të investuar në forcën e demokracisë. Kjo punë nis me grupin bazë të partnerëve që mendojnë si ne, me miqtë tanë në secilin komb demokratik në botë. Ne e shohim botën me të njëjtin sy. Dhe, ne duhet ta mobilizojmë fuqinë tonë kolektive. Mënyra më e shpejtë për të zgjeruar sundimin e demokracisë, është duke forcuar lidhjet me vendet demokratike në kontinentin evropian”, ka thënë von der Leyen.

Porosi të veçantë, ajo u ka dërguar vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë – të vetmet që kanë aspirata për t’u anëtarësuar në BE.

“Kjo nis me ato vende që tashmë janë në rrugën drejt unionit tonë. Ne duhet të jemi në anën e tyre, në secilin hap në këtë rrugë. Sepse, rruga drejt demokracisë së fuqishme dhe rruga drejt Bashkimit Evropian janë të njëjtat. Prandaj, dua që njerëzit në Ballkanin Perëndimor, në Ukrainë, në Moldavi dhe në Gjeorgji ta dinë: Ju jeni pjesë e familjes sonë, e ardhmja juaj është në union, dhe unioni ynë nuk është komplet pa ju”, ka thënë von der Leyen, duke shprehur edhe mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për krijimin e bashkësisë politike evropiane.

Një diplomat i BE-së ka thënë se kjo nismë, “në vend që të jetë alternativë e zgjerimit, mund të jetë mundësi për ta ndihmuar procesin e zgjerimit”.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, negociatat e anëtarësimit i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa nga muaji korrik i kanë hapur formalisht edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm Marrëveshje Stabilizim Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

Ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e vetmja që nuk ka liberalizim vizash me vendet evropiane, apo me atë që njihet si zona Shengen.

blank

Ministri i Kroacisë për Evropën: Muajt e ardhshëm janë vendimtarë për marrëveshjen Kosovë – Serbi

Në dialogun që po vazhdon për më shumë se një dekadë në mes të Kosovës e Serbisë në Bruksel, periudha që po vjen është më e rëndësishmja, ka deklaruar Gordan Grliç-Radman, ministri i Kroacisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Prandaj, Grliç-Radman – që karrierën si diplomat e filloi bashkë me vetë shtetin e Kroacisë kur fitoi pavarësinë nga Jugosllavia dhe disa nga ambasadat e shtetit të pavarur i themeloi vetë – tërheq vërejtjen për vëmendje të shtuar në këtë kohë.

“Këta muajt e ardhshëm do jenë vendimtarë për marrëveshjen”, thotë Grliç-Radman në këtë intervistë ekskluzive për Albanian Post.

Cilat do jenë specifikat, Grliç-Radman pohon se nuk i di, porse “çfarëdo zgjidhje për të cilën gjendet pajtim, duhet t’i kontribuojë stabilitetit rajonal”.

Kohët e fundit ka pasur një aktivitet të madh diplomatik nga perëndimi për çështjen e dialogut dhe koordinim mes autoriteteve dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht të dërguarit për Ballkanin, Gabriel Escobar.

“Kur ka vullnet, ka edhe shanse”, thotë Grliç-Radman për mundësinë e arritjes së një marrëveshje, por “bashkëpunimi aktiv në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe diplomacisë evropiane në këtë çështje është padyshim inkurajuese”.

Grliç-Radman është kryediplomat i Kroacisë nga vera e vitit 2019. Për t’u bërë kryeministër kishte lëshuar pozitën e ambasadorit të Kroacisë në Gjermani e para Gjermanisë në Hungari.

Ai u bë shumë i përfolur kohëve të fundit në Serbi, kur anuloi një vizitë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në Kroaci.

Vuçiç e kishte menduar vizitën në nivel privat, por Grliç-Radman s’kishte dhënë leje. Pati deklaruar se vizita s’mund të bëhet dot, sepse “s’jemi njoftuar zyrtarisht” dhe “duhet ta dimë agjendën, kohën zyrtare dhe natyrën e vizitës paraprakisht”.

Qëndrimi Grliç-Radman prodhoi tensione diplomatike, prandaj ai deklaron për AP se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë duhet ta ketë edhe efektin e stabilitetit rajonal.

“Ne presim që dialogu të rezultojë me një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme që do normalizonte raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ne mbështesim zgjidhje që do të kontribuonin në stabilitetin e përgjithshëm dhe prosperitetin në rajon dhe që do çonin të një njohje e ndërsjellë”, thotë ministri kroat.

“Pozicioni ynë është që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, por me normalizimin e raporteve në mes dy vendeve”.

Sa për njohjen e Kosovës nga Serbia, për të cilën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaron se duhet të jetën “në qendër”, Grliç-Radman beson se kjo “është e pashmangshme”.

Politikani korat përmend edhe faktin se marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen të gjitha, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Të gjitha marrëveshjet të arritura në Bruksel duhet të respektohen. Gjithsesi, Asociacioni duhet të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk duhet të ketë fuqi që e vënë në rrezik sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës”.

Asociacioni nuk është tema e vetëm në të cilën Kosova dhe Serbia kanë mospajtim në implementim në raport me çfarë është arritur në Bruksel në dekadën e kaluar.

Vetëm edhe pak ditë, skadon edhe marrëveshja gojore e arritur për letërnjoftimet, derisa përfundon afati për ri-regjistrimin e targave nga ato të Serbisë në RKS, për serbët në Veri.

Grliç-Radman u druhet tensioneve, edhe për faktin që shtete të tjera – të treta – provojnë të shtrinë influencën vazhdimisht në Ballkan.

“S’ka dyshim që Evropa Juglindore është e ekspozuar karshi influencave të vendeve të treta, siç pamë edhe rishtazi sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë. Prandaj, bashkëpunimi në mes të BE-së dhe NATO-s është ekstremisht i rëndësishëm në rrethanat që jemi”, thotë ai.

“Për këtë, mirëpresim veçanërisht deklaratat e bëra së fundi nga Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, se KFOR-i është gati të mbajë rendin dhe paqen në Kosovë”.

blank

Kryeministri dhe presidentja ftohen ta vizitojnë veriun e Mitrovicës

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skënder Sadiku, ka thënë se në terren në këtë komunë ka siguri dhe normaliteti nuk është larg, por, sipas tij, është politika që me retorikën e saj po shkakton kokëçarje te banorët.

Sadiku është shprehur optimist se marrëveshja finale Kosovë-Serbi është afër. Sipas tij, tashmë në këtë drejtim “po luhen minutat e fundit”.

“Ne jemi lodhur me problemet, telashet e mëdha, të cilat kanë interferuar në jetën e përditshme dhe të gjitha komunitetet tashmë po presin që të arrihet një normalitet… Jemi në pritje të marrëveshjes gjithëpërfshirëse që është afër”, ka thënë ai.

Sipas tij, jo veç shqiptarët, por edhe komuniteti serb është lodhur nga telashet në veri.

Duke folur për sigurinë, Sadiku ka thënë se uniformat e Policisë së Kosovës dhe shtimi i trupave të KFOR-it, kanë shtuar një relaks te qytetarët.

Ai ka thënë se tashmë serbët dalin lirshëm në pjesën jugore e se shqipja flitet lirshëm në pjesën veriore. Sipas tij, për kohë të gjatë ka qenë e pamundur të shihen vetura me tabela RKS në veri, por tash “po jepen shenja pozitive”.

“Jemi lodhur dhe duhet t’u kthehemi gjërave normale. Në terren më s’ka telashe e ka lëvizje të lirshme. Tash ka distancë kohore prej 23 vjetësh dhe me këto kalkulime që po bëhen po duket dritë e madhe. Në proces ka ndodhur që as që është vërejtur tuneli apo drita në tunel, por tash jemi duke e kaluar tunelin dhe po e shohim normalizimin”, ka thënë Sadiku në Interaktiv.

Ai ka thënë se qytetarët në veri kanë nevoja esenciale për ndërhyrje të shtetit në infrastrukturë, shëndetësi e arsim.

“Siguria është në nivel, por politika jo. Ajo po e bën atë të veten. Shpresoj të mbesin në fjalët që në terren të mos kenë efekte e të merremi me çështje të mëdha për ne, por banale për të tjerët”, ka thënë Sadiku. “Lista Serbe është pjesë e Qeverisë. Goran Rakiq është ministër. Pra politika po e bën të veten. Ne u përgjigjemi ligjeve të Kosovës… Politika po e bën të veten, përmes retorikave”.

Sadiku ka ftuar liderët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti që të vizitojnë Mitrovicën e Veriut./Koha.net/

blank

Liberalizmi i vizave për qytetarët, Brukseli afron Kosovën drejt fazës vendimtare

Javët dhe muajt e ardhshëm pritet të jenë vendimtarë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, thonë burimet diplomatike në Bruksel.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ato thonë se ka një gatishmëri politike mes vendeve anëtare të BE-së, që të finalizohet procesi dhe të miratohet vendimi për lëvizjen e lirë të kosovarëve në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Schengen.

Për më tepër, thonë burimet, “tash nuk dëgjohen zëra kundër liberalizimit të vizave”, gjë që dëshmon se është krijuar një moment i duhur për ta çuar procesin përpara.

Po sipas burimeve, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, gjatë muajit tetor, do të nisë të diskutohet në grupet punuese të Këshillit të BE-së – aty ku janë përfaqësuesit e shteteve anëtare të unionit.

Çështja ka mbetur peng për më shumë se tre vjet pikërisht në Këshill, ku, deri më tash, ka pasur shtete skeptike për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, duke argumentuar se “nuk ka ardhur ende koha për një gjë të tillë”.

Dy institucionet tjera të BE-së, që kanë rol në vendimmarrje – Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian – kanë shfaqur mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe ka rekomanduar që të hiqen vizat për qytetarët e saj.

Komisioni Evropian edhe tash ka konfirmuar se mbetet në qëndrimin e shprehur më parë, se Kosova vazhdon t’i përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim vizash.

Parlamenti Evropian, për vite me radhë, jo vetëm se ka dhënë pëlqimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, por u ka bërë thirrje vendeve anëtare që në Këshillin e BE-së të miratojnë sa më parë vendimin për liberalizim vizash.

Shenjat e para për mbështetje politike për liberalizimin e vizave janë shfaqur gjatë samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në muajin qershor, në Bruksel. Asokohe, shumë liderë të vendeve të BE-së publikisht kanë mbështetur liberalizimin e vizave.

Por, tani, duhet të kryhet edhe puna teknike nga ekspertët dhe nga grupet punuese. Diplomatët në Bruksel kanë paralajmëruar se Komisioni Evropian, më 12 tetor, në raportet vjetore të progresit, të përsërisë se Kosova vazhdon t’i përmbushë kriteret për liberalizim të vizave.

Më pas, kjo temë do të duhej të dilte në rend të ditës në takimin e grupeve punuese për vizat në Këshill – po ashtu në mes të muajit tetor.

Edhe në ato takime, ekspertët nga Komisioni Evropian do të mund të raportojnë për progresin e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Nga këto diskutime do të varet se sa shpejt do të vazhdojë procesi, por pritet që ai, siç thonë burimet, “të shkojë drejt përmbylljes”.

Diplomatët në Bruksel kanë thënë se është shumë e rëndësishme që Kosova po i vazhdon kontaktet e shpeshta me disa vende anëtare të BE-së, në nivel të ministrive të Punëve të Brendshme, për të adresuar çfarëdo shqetësimi që mund të kenë disa shtete lidhur me liberalizimin e vizave.

Ndonëse konfirmojnë se “është një moment shumë pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën” dhe se “kjo çështje do të jetë tash në rend të ditës në Këshill”, diplomatët në Bruksel hezitojnë të përmendin data apo afate kohore se kur do të mund të merrej vendimi.

Se ekziston një mbështetje në nivel politik nga shtetet kryesore për liberalizimin e vizave, dëshmon edhe thirrja e përbashkët që kanë bërë këtë javë ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë për “përparim në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”.

Sipas burimeve diplomatike, Franca, për një kohë të gjatë, ka qenë kundër liberalizimit të vizave, duke përmendur si arsyetim, mes tjerash, “përvojën jo të mirë me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë” – vende nga të cilat kishte një numër të madh të azilkërkuesve të pabazuar në Francë.

Në mesin e vendeve skeptike ka qenë dhe Holanda. Por tash as Franca e as Holanda nuk shprehen më kundër dhe thonë se “duhet të pranohet progresi që ka bërë Kosova në përmbushjen e kushteve”.

Përveç përmbushjes së kushteve teknike nga ana e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, thonë diplomatët në Bruksel, rëndësi kanë edhe rrethanat politike.

Me vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në korrik – proces që ka nisur pas shumë pengesave politike – është krijuar një moment pozitiv në politikën e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kosova është vendi i vetëm në këtë rajon që nuk ka lëvizje të lirë në zonën Shengen./ REL

blank

Lajçak vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë, Kurti largohet nga seanca e Kuvendit për ta takuar

Emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, po qëndron për vizitë në Prishtinë, të dytën brenda më pak se dhjetë dite. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, i cili ka arsyetuar largimin e Kurtit nga Kuvendi duke treguar se po takohet me Lajcakun.Kjo vizitë e paparalajmëruar e emisarit sllovak, vjen pas vizitës që ka zhvilluar para pak ditësh me dy top këshilltarët e Scholz dhe Macron dhe pas vizitës me emisarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, shkruan Gazeta Express.

Kryeministri Albin Kurti është duke u takuar me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, i cili po qëndron në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili tha se kjo është arsyeja se pse kryeministri doli nga seanca e Kuvendit ku aktualisht po debatohet për grevën në arsim.

“Kryeministri Kurti nga ora 14:00 po zhvillon takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Lajçak që po qëndron në Kosovë. Pastaj vazhdon agjendën ditore të takimeve zyrtare. Kjo është arsyeja se pse nuk mund të qëndronte më gjatë në Kuvend. Sot ishte vetëm seanca e parë e sesionit të ri të Kuvendit”, ka shkruar Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë tha se gatishmëria për të debatuar në Kuvend nuk ka munguar e as nuk do të mungojë asnjëherë.

Në seancën e Kuvendit opozita ka kritikuar qasjen e Qeverisë ndaj SBASHK-ut dhe fajësuan atë për mungesën e mësimit.

blank

Syri.net- Hekuran Doli: Sulmet kibernetike në Kosovë po bëhen edhe nga serverat e AKSHI-t

Eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli në një bashkëbisedim me SYRI.net, si i përfshirë drejtpërdrejt në zbrapsjen e sulmit të hackerave në Kosovë, ka dhënë detaje në lidhje me çfarë po ndodh.

Për herë të parë, Doli ka zbuluar për SYRI.net se sulmet në Kosovë, po bëhen edhe nga infrastruktura e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit me seli në Tiranë.

Eksperti i sigurisë kibernetike, ngre dyshime në lidhje me faktin nëse AKSHI ka kontrollin e serverëve të tij, apo shërbimi që ofrojnë institucionet në Shqipëri është duke u furnizuar nga servera të tjerë, pasi AKSHI nuk e ka në zotërim të plotë infrastrukturën e tij.

Si është situata me sulmin kibernetik ne Kosovë?

Hekuran Doli: Tashmë ka kaluar më shumë se një javë që kur ka filluar sulmi kibernetik ndaj institucioneve shtetërore dhe kompanive private të Kosovës, një prej te cilave është edhe kompania që unë e drejtoj. Për fat të mirë sulmin kemi arritur ta përballojmë me sukses, pavarësisht volumit shumë të madh të tij. Megjithatë, kompanitë si Telekomi i Kosovës, kanë pësuar dëmtime nga sulmi dhe janë në proces te ri-kthimit në funksion.

A po e sulmon Kosovën i njëjti grup i Hackerave që sulmoi Shqipërinë?

Hekuran Doli: Ne nuk i kemi gjurmët e sulmit të Shqipërisë që t’i krahasojmë me gjurmët që ne zotërojmë dhe të konstatojmë drejt nëse kemi te bëjmë me të njëjtin grup të hackerave. Mirëpo, ajo çfarë dimë deri në këtë moment është se infrastruktura e Shqipërisë ka kontribuar ne masë të madhe në sulmin ndaj Kosovës. Pra një numër i konsiderueshëm i IP-ve të adresave të Shqipërisë, duke përfshire këtu edhe serverë shumë të rëndësishëm brenda infrastrukturës kritike të shtetit shqiptar, vazhdojnë edhe në këtë moment të bëjnë sulme ndaj infrastrukturës se Kosovës.

Ky fakt na orienton në disa konstatime interesante dhe alarmante njëkohësisht.

Fillimisht tregon se hackerët vazhdojnë të mbajnë prezencën e tyre, me hyrje të plotë, në infrastrukturën e AKSHI-t, dhe ketë infrastrukturë e shfrytëzojnë si proxy për të sulmuar Kosovën. Pastaj, na japin përshtypjen e një ndërlidhje në mes të këtyre dy sulmeve. Mirëpo në anën tjetër, ndryshe nga Shqipëria, ne në Kosovë ende nuk kemi vërtetuar prejardhjen e sulmit dhe gjurmët na orientojnë në drejtim tjetër, gjë që e prish ndërlidhjen në mes të dy sulmeve.

Që në fillim e kemi adresuar shqetësimin tek Departamenti për Krime Kibernetike të Policisë së Kosovës, dhe jemi të bindur se edhe ata i kanë dërguar informacionet tek institucionet në Shqipëri, mirëpo deri me tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim sepse infrastruktura e AKSHI ende vazhdon të jetë pjesë aktive e sulmit ndaj Kosovës.

A ka përfunduar sulmi ndaj Kosovës?

Hekuran Doli: Sulmi ende vazhdon, edhe pse me intensitet shumë më të ulet se në fillim. Mirëpo nuk besojmë se sulmi ka përfunduar ose se sulmi është drejt përfundimit. Sulmet e koordinuara kibernetike zhvillohen në faza, dhe tani për tani mund të jemi ne përfundim te një faze dhe në fillim të një faze të re, e cila mund të jetë edhe më e fortë sesa kjo me të cilën jemi ballafaquar deri më tani.

blank

ZRRE: Elektrosever s’ka përmbushur asnjë kriter

Nënstacioni elektrik i Vallaçit në veri të Kosovës.

Nadie Ahmeti

Kompania serbe, Elektrosever, e licencuar për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike, nuk i ka plotësuar ende kushtet që ia përcakton udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ndonëse i kanë mbetur më pak se tri javë për një gjë të tillë, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE) në Kosovë thonë për Radion Evropa e Lirë se, në bazë të informacioneve që kanë, asnjë nga kriteret e përcaktuara “nuk është përmbushur”.

Marrëveshja për Energji parasheh që qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga vjeshta e këtij viti – për herë të parë pas më shumë se dy dekadash.

REL ka pyetur edhe kompaninë Elektrosever për zbatimin e kritereve të marrëveshjes, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Udhërrëfyesi për Marrëveshjen e Energjisë përcakton se, në rast të mosveprimit me kushtet e caktuara brenda 100 ditësh nga licencimi, Elektrosever-it mund t’i pezullohet ose tërhiqet licenca nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Megjithatë, një vendim i tillë do të duhej të diskutohej paraprakisht mes palëve, përkatësisht mes Kosovës dhe Serbisë.

ZRRE i ka miratuar licencën Elekstrosever-it më 24 qershor, apo para 82 ditësh.

Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë – EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Kjo kompani është paraparë të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është arritur më 21 qershor.

Kushtet që duhen plotësuar

Vetëm tri ditë pas, bazuar në kushtet e udhërrëfyesit, ZRRE-ja ka licencuar Elektrosever-in.

Brenda dhjetë ditësh nga licencimi është dashur që Elektrosever të nënshkruajë marrëveshje teknike me Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë – KEDS, dhe me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike – KOSTT, në mënyrë që të operojë në tregun e Kosovës.

Pas marrëveshjes me KOSTT-in, brenda 15 ditësh, Elektrosever do të pajisej me disa kode identifikuese për kryerjen e aktiviteteve. Ndërsa, 30 ditë pas kësaj, KEDS-i dhe KOSTT-i do të fitonin qasje te nënstacioni i diskutueshëm i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarje të rrymës.

Në udhërrëfyes, po ashtu, thuhet se brenda 45 ditësh, KOSTT dhe KEDS, në konsultim me Elektrosever-in, do t’i dorëzonin ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes, si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizën e infrastrukturës ekzistuese.

Vetëm trysnia e madhe e faktorit ndërkombëtar, në këtë rast e BE-së dhe SHBA-së, mund ta detyrojë [Elektrosever-in] t’i pranojë dhe kryejë obligimet sipas kontratës”.

Ethem Çeku

Brenda 21 ditësh, pastaj, ZRRE-ja do t’i miratonte këto plane në parim.

KOSTT konfirmoi për REL-in se pjesën e marrëveshjes me të, Elektrosever nuk e ka përmbushur.

“Elektrosever ende nuk i ka siguruar KOSTT-it të dhënat për konsumatorët e energjisë elektrike”, tha KOSTT.

E pyetur nga REL nëse ka dështuar zbatimi i udhërrëfyesit, ZRRE-ja tha se “është ende herët të paragjykojmë këtë”.

Në një email dërguar Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, më 9 shtator, me pyetjen se çfarë hapash mund të ndërmerren ndaj kompanisë Elektrosever në rast të mospërmbushjes së kushteve, REL po ashtu nuk ka marrë përgjigje.

“Trysnia” e faktorit ndërkombëtar

Eksperti i çështjeve energjetike, Ethem Çeku, njëherësh ish-ministër i Energjisë në Kosovë, thotë se nuk ka qenë e pritur që Elektrosever t’i plotësojë kushtet e parashtruara.

Këtë e justifikon me faktin se zbatimi i Marrëveshjes për Energjinë është zvarritur qysh në vitin 2013, kur edhe është nënshkruar.

“Vetëm trysnia e madhe e faktorit ndërkombëtar, në këtë rast e BE-së dhe SHBA-së, mund ta detyrojë [Elektrosever-in] t’i pranojë dhe kryejë obligimet sipas kontratës”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.

 

Problemi i rrymës në veri

Nevoja për një marrëveshje për energjinë ka lindur pasi qytetarët në veri të Kosovës – shumica serbë – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që prej përfundimit të luftës, më 1999.

Refuzimi ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.

Nga fundi i luftës deri më 2017, rrymën e shpenzuar në veri e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët kanë marrë fatura me rritje.

Nga 2017-ta e këndej – për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve – përgjegjësia për pagesën ka kaluar te Qeveria e Kosovës.

Me Marrëveshjen për Energjinë, është paraparë që kompania Elektrosever të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.

*Video nga arkivi i Radios Evropa e Lirë: Çka thonë qytetarët e anketuar në veri për pagesën e rrymës në këtë pjesë

Elektrosever-i nuk do të prodhonte rrymë, por do ta blinte atë – qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar – ndërsa inkasimin do ta bënte vetë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në rast të dështimit të marrëveshjes, Qeveria e Kosovës nuk do të ketë mundësi që në vjeshtë të vazhdojë të paguajë rrymën në veri.

blank

Prokuroria në Hagë kërkon 35 vjet burg për Salih Mustafën

Prokuroria kërkon 35 vjet burgim për ish-eprorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, raporton Gazeta Express.

Prokurori Cezary Michalczuk nga Zyra e Prokuorit të Specializuar tha se kërkojnë 10 vjet burgim për akuzën e ndalimit arbitrar, 20 vjet burgim për trajtim mizor, 25 vjet burgim për torturë dhe 33 vjet burgim për vrasje.

“Rregulla 164 kërkon nga paneli të japë dënim të vetëm që të pasqyrojë tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit, varet nga paneli të dënojë të akuzuarin sipas dënimeve që parashikohen apo me dënim më të lartë se ai që paraqitet në lidhje me çdo pikë të veçantë. Për këtë arsye, ZPS kërkon t’í jepet dënim prej 35 vitesh burgim”, tha Michalczuk.

Paraprakisht, prokurori Jack Smith tha se “faktet nuk lënë asnjë pikë dyshimi se ai është fajtor”.

“Ju kërkoj që ta shpallni të akuzuarin fajtor për krimet e akuzuara dhe t’ia jepni dënimin e rekomanduar, sepse kjo është rruga e drejtë dhe e përshtatshme për krimet kaq të rënda që ai i ka kryer”, tha Smith.

blank

Në të majtë, prokurori Cezary Michalczuk; në të djathtë, prokurori Jack Smith

Prokurorët prezantuan sot fjalën e tyre përmbyllëse në këtë rast, ndërsa të mërkurën, më 14 shtator, Mbrojtja e Mustafës dhe përfaqësuesi i viktimave do ta thonë fjalën e tyre përfundimtare.

Të enjten, më 15 shtator, palët do të shkëmbejnë argumente shtesë.

blank

Sulmet kibernetike, reagon qeveria e Kosovës: Nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në qendrën shtetërore

Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me sulmet kibernetike të javës së fundit mbi sistemet qeveritare, ndërsa edhe Telekomi i Kosovës ka rënë pre sot e këtyre sulmneve.

Qeveria deklaron se ky sulm i llojit DDoS ka shkaktuar pengesa dhe mungesë të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare.

Në poastimin në faqen zyrtare në Facebook, qeveria bën me dije se me aplikimin e masave të duhura, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdimin e sulmit.

“Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare. Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël. Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit”, thuhet në komunikatën për media.

Tani, të gjitha shërbimet qeveritare thuhet se janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre.

Gjatë këtij sulmi kibernetik po ashtu bëhet e ditur se në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.

(BalkanWeb)

blank

Çmimi që paguajnë nxënësit për grevën

Shkolla Fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë. Shtator, 2022.

Luljeta Krasniqi – Veseli

Psikologë, sociologë dhe prindër në Kosovë shprehen të shqetësuar për gjendjen psikologjike dhe sociale të fëmijëve, të cilët nuk kanë nisur ende vitin shkollor.

Mësimdhënësit e të gjitha institucioneve publike janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj. Përjashtim bëjnë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët.

Greva, përndryshe, ka lënë jashtë shkollave afro 300.000 nxënës. Dhe nuk ka asnjë datë të mundshme për fillimin e mësimeve.

Arlinda Bajra është nënë e dy fëmijëve, të cilët, nga 1 shtatori, do të duhej t’i ndiqnin mësimet në një shkollë fillore në Prishtinë – njëri në klasën e gjashtë dhe tjetri në të nëntën.

Ajo thotë se është e shqetësuar që fëmijët e kalojnë ditën pa aktivitete mësimore, përveç në disa kurse private që i ka angazhuar.

“Janë me orar të pushimeve verore. Vazhdojnë të rrinë deri në orët e vona të mbrëmjes, me telefon, televizor… dhe zgjohen shumë vonë nga gjumi. Sa kanë qenë në pushime, kanë lexuar ndonjë roman. Tani më thonë: nuk lexojmë se nuk jemi në shkollë”, rrëfen Bajra për Radion Evropa e Lirë.

Fëmija që do të duhej të niste klasën e gjashtë, thotë ajo, nuk e njeh ende as kujdestaren e klasës dhe nuk e di se si zhvillohet mësimi me arsimtarë, meqë, deri më tash, kishte një mësuese.

Prokshi: Greva thyen vullnetin për mësimnxënie

Dafina Prokshi, psikologe, thotë se situata si kjo dhe të ngjashme kanë ndikim negativ te nxënësit, qoftë në gjendjen e tyre psiko-sociale, qoftë në performancën akademike.

“Fëmijët, në shtator, përgatiten emocionalisht të njihen me një fazë tjetër të jetës – shumë kruciale për ta – e që është identiteti i tyre në rrethin shoqëror. Ai ndërtohet nga ndërveprimi me mësimdhënësit”, thotë Prokshi, e specializuar në fushën e psikologjisë sociale-organizative dhe këshillim-psikoterapi.

Kjo gjendje, thotë Prokshi, mund t’ua thyejë nxënësve vullnetin për mësimnxënie.

Dhe nëse grevat zgjasin, ka rrezik që ata “të pajtohen me një rutinë joarsimore”, thotë ajo.

Sipas saj, kjo do t’i prekte më shumë fëmijët e grup-moshave më të vogla, përkatësisht të nivelit parashkollor dhe të mesëm të ulët.

Në Kosovë ka pasur edhe më herët greva nga mësimdhënësit.

E fundit ka qenë në vitin 2019, kur gjysmëvjetori i dytë i mësimeve ka nisur me tri javë vonesë nga pakënaqësia e mësimdhënësve me Ligjin për paga.

Orët e humbura nuk janë kompensuar asnjëherë, përkundër kërkesës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Krasniqi: Thyerje emocionale për fëmijët

Artan Krasniqi, sociolog në Universitetin e Prishtinës, thotë se fëmijët dhe shkolla krijojnë një lidhje të posaçme – fëmijët “përgatiten emocionalisht” që mësimet të fillojnë.

“Në secilën familje ndodhin përgatitjet e para, sidomos fëmijë filloristë mezi presin të nisë shkolla. Është thyerje shumë e madhe emocionale kur iu thua që shkolla nuk nis”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Te nxënësit më të rritur, shton ai, është një efekt tjetër: mungesa e orëve të mësimit rrezikon t’ua humbasë interesimin për shkollë.

“Iu krijohet një ndjenjë se bën edhe pa shkollë dhe se mësimi mund të mos fillojë më 1 shtator. Magjia e arsimit është: shkolla nuk duhet ta refuzojë nxënësin e as nxënësi nuk mund ta refuzojë shkollën. Kur njëra palë prish këtë marrëveshje, humb kjo magji dhe humb serioziteti”, thotë Krasniqi.

Deri kur në grevë?

Sindikalistët e arsimit, që organizojnë grevën, thonë se nuk do të heqin dorë, derisa të plotësohet kërkesa e tyre për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj për të gjithë punonjësit e arsimit, deri në fillimin e zbatimit të Projektligjit për paga.

Qeveria e Kosovës thotë se ky projektligj, që parasheh rritje të pagave për mësimdhënësit, do të dalë në miratim së shpejti, dhe kërkon hapjen e shkollave.

Thirrje të ngjashme ka bërë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Cilësia e arsimit

Në një raport të publikuar në vitin 2020, Banka Botërore ka vlerësuar se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Në dy teste të PISA-s – program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve – Kosova ka dalë gati në fund të listës.

Ekspertë të fushës së arsimit thonë se pandemia e koronavirusit ka ndikuar, po ashtu, në mësimnxënie.

Gjatë dy vjetëve të parë të pandemisë, më 2020 dhe 2021, nxënësit kanë kaluar në mësim online, apo nga distanca, në disa periudha të ndryshme kohore.


Send this to a friend