VOAL

VOAL

Avokati i popullit kërkon legalizimin e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës

March 17, 2018

Komentet

Ish-ambasadori holandez: S’ka arsye për kompromis për Asociacionin, ndërkohë që Serbia s’i zbaton marrëveshjet

Nuk ka arsye për kompromis për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, thotë ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch.

Bosch thotë se është e çuditshme që t’i kërkohet Kosovës të bëjë hapa, ndërkohë që Serbia nuk zbaton marrëveshjet.

“Nuk ka arsye për kompromis për Asociacionin. Së pari, Serbia duhet të dorëzojë diçka konkrete, ose të ketë një marrëveshje të detyrueshme, ku të përcaktohet qartë ‘nëse bëni këtë, ne do të bëjmë atë’. Por aktualisht është çështja e tillë që duhet të bëni diçka së pari dhe të shpresoni që pala tjetër mund të bëjë gjithashtu diçka, gjë që është e çuditshme”, thotë ai për Kosovapress.

Protestë kundër tenderit për plazhet: “Ulqini nuk është në shitje”

Plazhi i Madh në Ulqin. Fotografi nga arkivi.

 

Aneta Duroviq

Qindra banorë, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe biznesmenë nga Ulqini protestuan në këtë qytet në jug të Malit të Zi, duke thënë se “Ulqini nuk është në shitje”.

Protesta e 22 marsit u thirr për shkak të pakënaqësive lidhur me tenderin për dhënien me qira të plazheve të Ulqinit, të cilat vitet e fundit janë marrë me qira nga biznesmenët lokalë, por këtë vit oferta më e mirë e marrjes me qira të plazheve u vlerësua të ishte ajo e kompanisë arabe, Eagle Hills.

“Plazhi i Madh nuk është një shkretëtirë që dikush të ndërtojë një Dubai. Plazhi i Madh është një mrekulli e natyrës, 20 kilometra bregdet i paprekur, me rërë të ngrohtë dhe shëruese. Krenaria dhe trashëgimia jonë”, tha Dijana Pellinkoviq, presidente e shoqatës “Ada Bojana”.

Sipas saj, banorët e Ulqinit nuk janë kundër progresit, por janë kundër projekteve megalomane që fshijnë identitetin lokal.

“Komuniteti ynë duhet të marrë pjesë në vendimmarrje. Po ngremë zërin kundër centralizmit”, tha përfaqësuesi i qiramarrësve, Albert Kastrati.

Ai vlerësoi se tenderi për qiramarrjen e plazheve ka diskriminuar qiramarrësit vendas dhe ka favorizuar investitorët e huaj.

Protesta në Ulqin u mbajt pavarësisht nga fakti se kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, më 20 mars njoftoi se Eagle Hills ka ndërmend të tërhiqet dhe t’ua kalojë plazhet qiramarrësve lokalë.

Protesta në Ulqin të Malit të Zi.

Protesta në Ulqin të Malit të Zi.

Pakënaqësia nisi nga tenderi

Kompania arabe, Eagle Hills, më 11 mars dorëzoi ofertën më të mirë për dhënien me qira për një periudhë katërvjeçare të nëntë nga 19 plazhet në Plazhin e Madh të Ulqinit.

Kjo shkaktoi revoltë te qiramarrësit aktualë të plazheve dhe autoritetet lokale, të cilët deklaruan se plazhet po u jepen investitorëve të huaj “përmes marrëveshjeve të dyshimta”.

Pas kësaj, siç e ka bërë të ditur kryeministri Spajiq, presidenti i kompanisë arabe, Mohamed Alabar, ka hequr dorë nga oferta.

“Personalisht më ka thënë se për të gjitha plazhet ku kanë konkurruar ulqinakët, është i gatshëm të heqë dorë ose t’i japë me nënqira, siç është e mundur edhe ligjërisht”, tha Spajiq.

Qeveria e Malit të Zi njoftoi se, sipas nismës së Spajiqit, investitori ka vendosur që plazhet që i ka fituar përmes tenderit, që më parë ishin marrë me qira nga ndërmarrësit lokalë, t’ua dorëzojë atyre me çmimin që ata kanë ofertuar në tender.

Eagle Hills, që dha ofertën më të lartë për plazhet, është një kompani ndërtimi nga Abu Dabi i Emirateve të Bashkuara Arabe. Kjo kompani njihet për projekte rajonale, sikurse “Belgrade Waterfront”.

Kompania ka përfaqësinë në Mal të Zi, që është regjistruar pas skadimit të afatit fillestar për dorëzimin e ofertave në tenderin për dhënien me qira të plazheve të Ulqinit.

Afati për dorëzimin e ofertave, për tenderin e shpallur më 19 shkurt, ishte 4 mars, por ai u zgjat për shtatë ditë.

Alabar regjistroi kompaninë e tij më 6 mars në Malin e Zi dhe aplikoi në tender. Afatin e zgjati kompania shtetërore që menaxhon plazhet në Mal të Zi.

Plane për investime në Ulqin

Spajiq u ka njoftuar ulqinakët se përveç tërheqjes nga tenderi për dhënien me qira të plazheve, kompania nga Abu Dabi është e interesuar që të bëjë investime në Plazhin e Madh, i cili është afër 13 kilometra i gjatë dhe ende i pa ndërtuar.

Ai tha se kompania është e interesuar të investojnë 30 miliardë euro në një mega-projekt në Ulqin, që do të përfshinte ndërtimin e një aeroporti të madh, spitalit më modern në Ballkan, një marinë dhe rinovimin e qytetit të vjetër të Ulqinit.

Spajiq muajin e kaluar qëndroi në një vizitë zyrtare në Dubai, ku siç u njoftua më 13 shkurt, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Emirateve, i cili parashikon shkëmbimin e përvojave për modernizimin e administratës dhe bashkëpunim ekonomik.

Çfarë i shqetëson politikanët lokalë

Plani për investimet në mega-projektin në Ulqin nuk ka marrë miratimin e opozitës dhe një pjese të liderëve lokalë.

Deputeti i Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmet Zenka, konfirmoi se gjatë një takimi, se Spajiq ka thënë se qëllimi i investitorëve arabë është të marrin me qira të gjithë Plazhin e Madh për 99 vjet.

Ai theksoi se kjo është e papranueshme, pasi, edhe pse nuk janë kundër investimeve, “Ulqini nuk është në shitje”.

Sipas tij, një qira për një periudhë 99-vjeçare do të thotë se për Plazhin e Madh do të vendosë dikush tjetër dhe jo komuniteti lokal. Ai shtoi se ekzistojnë edhe lokacione të tjera për investime, por jo 20 milionë metra katrorë të Plazhit të Madh dhe rrethinës së tij.

Kryetari i Barit, Dushan Raiçeviq dhe ai i Ulqinit, Genci Nimambegu gjatë protestës në Ulqin më 22 mars.

Kryetari i Barit, Dushan Raiçeviq dhe ai i Ulqinit, Genci Nimambegu gjatë protestës në Ulqin më 22 mars.

Spajiq, siç tha Zenka, ka treguar vetëm një plan ideor të investitorëve nëpërmjet një fotografie, e cila nuk ishte e mjaftueshme për një vlerësim serioz.

Një ditë para protestës, u mbajt edhe një mbledhje e Kuvendit të Ulqinit, ku u miratuan në parim projektet e reja për këtë qytet.

Ndër të tjera, u miratua që të gjitha investimet të jenë në përputhje me parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, duke respektuar dokumentet planifikues dhe strategjike të komunës dhe shtetit, si dhe duke marrë parasysh qëndrueshmërinë ekonomike, ekologjike dhe shoqërore.

Abazoviq kërkon që Prokuroria Speciale të reagojë

Ish-kryeministri Dritan Abazoviq, i cili është nga Ulqini, ka kërkuar që Prokuroria Speciale e shtetit të hetojë rastin e dhënies së qirasë për Plazhin e Madh, duke pretenduar se bëhet fjalë për një vepër korruptive.

Ai tha se kryeministri Spajiq “ka premtuar pasuri shtetërore dhe komunale pa iu nënshtruar procedurës përkatëse”.

“Spajiq ka prezantuar një projekt që nuk është parashikuar në Planin Hapësinor të Malit të Zi, dhe është paraqitur si përfaqësues i kompanisë që fitoi qiranë. Procedura e tenderit ishte e dyshimtë dhe rregullat për garancinë bankare u ndryshuan në momentin e fundit”, tha Abazoviq për gazetën “Vijesti”.

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë protestës në Ulqin.

Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë protestës në Ulqin.

Mali i Zi nuk ka Plan Hapësinor që nga viti 2020.

Ai shtoi se sipas informacionit që ka, Mohamed Alabar është i pakënaqur, duke theksuar se duke u tërhequr nga qiraja, do të humbiste 100 mijë euro garanci.

“E vendosën në një pozicion të vështirë. Është shumë i zemëruar dhe i gatshëm të humbasë para për të ruajtur reputacionin e tij”, tha Abazoviq.

Dyshimet për parregullsi në tenderin për dhënien me qira të plazheve i kishin shprehur që në fillim edhe sipërmarrësit lokalë, të cilët thonë se nuk janë kundër investitorëve.

“Përmes tenderit, afati i të cilit u shty, në të cilin mori pjesë Eagle Hills Montenegro, ndodhi një sulm i paprecedent i organizuar, i sinkronizuar me institucionet e sistemit”, tha më 18 mars, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.

Nga Qeveria e Malit të Zi pohuan se tenderi është realizuar në mënyrë ligjore dhe se çdo veprim tjetër i ofertuesve, përfshirë mundësinë e tërheqjes, është një vendim që u përket atyre.

Ulqinakët kanë nisur një peticion, i cili është nënshkruar edhe gjatë protestës, dhe përmes tij kërkohet, veç tjerash, anulimi i tenderit për qiradhënie.

Plazhi i Madh, i gjatë 13 kilometra dhe me një gjerësi mesatare prej 60 metrash, ndodhet pesë kilometra nga Ulqini, qyteti më jugor i bregdetit malazez, që ndodhet në kufi me Shqipërinë.

Radio Evropa e Lirë

Aleanca ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci! Deklarata e përbashkët: Bashkëpunim e investime në teknologjinë e mbrojtjes. Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në NATO

Ministria e Mbrojtjes publikoi sot një deklaratë të përbashkët që u nënshkrua më 18 mars në Tiranë nga ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, në kuadër të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, e cila ka ngjallur reagime nga Serbia dhe Mali i Zi.

Deklarata fokusohet në forcimin e bashkëpunimit për ruajtjen e paqes, duke përfshirë sektorin e industrisë së mbrojtjes, luftën kundër kërcënimeve hibride dhe mbështetjen për integrimin euroatlantik. Ajo thekson bashkëpunimin në fushën e blerjes së kapaciteteve mbrojtëse, investimet në teknologjinë e mbrojtjes dhe identifikimin e mundësive për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes. Po ashtu, parashikon trajnime dhe bashkëpunim në edukimin ushtarak, si dhe mbështetje për perspektivën e Kosovës në NATO.

Deklarata u nënshkrua nga ministrat Pirro Vëngu (Shqipëri), Ejup Maqedonci (Kosovë) dhe Ivan Anusiç (Kroaci). Mali i Zi reagoi duke thënë se nuk kishte marrë ftesë për të nënshkruar këtë deklaratë, dhe se Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi nuk ishte e informuar se u ishte ofruar mundësia të ishin pjesë e marrëveshjes.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e vlerësoi nënshkrimin e kësaj deklarate si një hap që mund të çojë në një garë armatimi në rajon dhe që, sipas tij, përbën një shkelje të marrëveshjes nënrajonale të vitit 1996.

Deklarata e përbashkët

Duke njohur marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, të bazuara në vlerat e përbashkëta, orientimet strategjike dhe angazhimet reciproke drejt sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal, Duke riafirmuar synimin tonë për të forcuar bashkëpunimin trepalësh të sigurisë dhe mbrojtjes për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian,

Duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal, evropian dhe ndërkombëtar, Marrja e veprimeve të menjëhershme për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse duke pranuar ambiciet që rrjedhin nga Koncepti Strategjik i NATO-s dhe Busulla Strategjike e Bashkimit Evropian, të konceptuara për të rritur aftësinë tonë për të mbrojtur territoret dhe njerëzit tanë, si dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare,

Avancimi i hapave të përbashkët për të rritur bashkëpunimin dhe prodhimin industrial të mbrojtjes në përputhje me Zotimin e NATO-s për Zgjerimin Industrial dhe planin e Bashkimit Evropian për “Riarmatosjen e Evropës” Ne jemi të vendosur për t’u siguruar që jemi të pozicionuar mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve aktuale dhe në zhvillim, si dhe për të arritur objektivat tona të mbrojtjes dhe sigurisë. Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, si dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, deklarojmë angazhimin tonë si më poshtë:

  1. Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse duke:

– Eksploruar zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve të bashkëpunimit shumëkombësh për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake;

– Identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes;

– Rritur përpjekjet për të investuar në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes.

  1. Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve duke:

– Ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në rekrutimin, zhvillimin dhe mbajtjen e personelit të kualifikuar, duke përfshirë shkëmbimin e koncepteve të forcave rezerviste, për të rritur kapacitetet tona parandaluese dhe mbrojtëse;

– Rritur mundësitë e edukimit dhe trajnimit individual dhe kolektiv përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake përkatëse, me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta;

– Forcuar stërvitjet dypalëshe dhe/ose trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, në përputhje me Politikat e NATO-s dhe BE-së për Trajnimet dhe Stërvitjet, për t’u siguruar që forcat të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.

  1. Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë duke:

– Forcuar hapat e përbashkët për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale;

– Shkëmbyer informacione dhe shërbime të inteligjencës për ndërgjegjësimin dhe koordinimin strategjik dhe operacional të situatës ndërmjet institucioneve të mbrojtjes për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet tona përkatëse;

– Eksploruar opsione të reagimit që adresojnë një gamë të gjerë kërcënimesh të mundshme për infrastrukturën tonë kritike dhe rrjetet e komunikimit dhe që mbështesin kohezionin dhe ndihmën e ndërsjellë.

  1. Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik duke:

– Përafruar politikat dhe pozicionet me institucionet dhe strukturat shumëpalëshe euroatlantike për sigurinë dhe mbrojtjen, për të çuar përpara interesat dhe objektivat tona kombëtare dhe të përbashkëta rajonale;

– Treguar angazhim për bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë për integrimin e plotë të Kosovës në iniciativat rajonale për sigurinë mbrojtjen;

– Mbështetur perspektivën euroatlantike të Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Kjo Deklaratë e Përbashkët është bërë në frymën e miqësisë, solidaritetit dhe besimit të ndërsjellë. Ajo pasqyron vizionet e përbashkëta strategjike të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës. Ajo nuk krijon asnjë detyrim të ri ligjor ndërkombëtar ose ndërqeveritar ndërmjet shteteve, as nuk ndikon në detyrimet ekzistuese me shtetet e tjera.

Nënshkruar në Tiranë, më 18 mars 2025

Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës të Shqipërisë

  1. Pirro VENGU

Ministër i Mbrojtjes

Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës të Kroacisë

  1. Ivan ANUŠIC

Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes

Për Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës të Kosovës

  1. Ejup MAQEDONCI

Ministër i Mbrojtjes

Festa e Sulltan Novruzit, presidenti Begaj uron të gjithë besimtarët bektashinj

Presidenti Bajram Begaj ka uruar besimtarët bektashinj për Festën e Sulltan Novruzit, një ditë e shenjtë që shënon ardhjen e pranverës.

Ai theksoi se kjo festë sjell begati dhe mirësi në çdo shtëpi dhe për çdo shqiptar.

Në postimin e tij, presidenti u shpreh për rëndësinë e vlerave shpirtërore dhe unitetit që simbolizon kjo festë për besimtarët bektashinj.bw

Gjermania miraton pakon e ndihmës për Ukrainën në vlerë prej 3 miliardë eurosh

Parlamenti gjerman. Mars, 2025,

 

Radio Evropa e Lirë

Komiteti për buxhet i Gjermanisë ka hapur rrugën për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 3 miliardë eurosh, pasi Friedrich Merz – kancelari në ardhje –po shtyn përpara rritjen e investimeve në mbrojtje.

Të dy dhomat e Parlamentit gjatë kësaj jave miratuan planin e konservatorëve të Merzit dhe Socialdemokratëve, të cilët po zhvillojnë bisedime për formimin e Qeverisë së re gjermane.

Planet e Merzit për shpenzime të miratuara nga Dhoma e Lartë e Parlamentit më 21 mars mundësojnë krijimin e një fondi prej 500 miliardë eurosh për shpenzime në infrastrukturë dhe lehtësim të rregullave të huas, duke mundësuar shpenzime më të larta në mbrojtje.

Ndërkaq, vendimi i Komitetit për buxhet u konfirmua nga ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock.

Në paketën prej 3 miliardë eurosh përfshihen 2.547 miliardë nga Ministria e Financave që do t’i jepen Ukrainës këtë vit, të plotësuara edhe nga kontribute tjera, përfshirë një rimbursim nga Mekanizmi Evropian i Paqes.

Ministria gjermane e Financave po ashtu planifikon të autorizojë 8.252 miliardë euro për ndihmë ushtarake për Ukrainën për periudhën nga viti 2026 deri më 2029, duke bërë që totali i ndihmës të arrijë në 11 miliardë euro.

“Ishte koha” që Komiteti parlamentar të hapte rrugën për përdorimin e fondeve dhe Gjermania tani po vendos ritmin për mbështetjen e Evropës për Ukrainën, tha Baerbock përmes një deklarate.

“Situata ushtarake e Ukrainës është bërë më e vështirë në muajt e fundit”, shtoi ajo.

Anëtarët e Bashkimit Evropian, udhëheqësit e të cilëve u mblodhën këtë javë për të diskutuar ndihmën për Ukrainën, janë nën presion që të shfaqin angazhimin e tyre për Ukrainën e cila po përballet me pushtimin rus, pasi pasiguria po rritet lidhur me të ardhmen e garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Donald Trumpit.

Raporti i DASH: Korrupsioni, sundimi i dobët i ligjit dhe papunësia nxisin problemin e trafikimit të drogës në Shqipëri.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar Raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve të 2025-ës, ku ndër të tjera flitet edhe për Shqipërinë.

 

Raporti thekson se rrjetet kriminale shqiptare kanë qasje të drejtpërdrejtë tek prodhimi i kokainës në Amerikën e Jugut dhe rrjetet e trafikimit që e sjellin kokainën në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Ata përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat dhe kontribuojnë në korrupsion. Krimi i dhunshëm në Shqipëri, përfshirë vrasjet, shpesh lidhet me krimin e organizuar, dhe gjyqtarë, prokurorë, policë, politikanë, gazetarë dhe aktivistë janë subjekt i frikësimit. Shqipëria merr pjesë në Koalicionin Global për të adresuar Kërcënimet e Drogave Sintetike, por gjatë kësaj periudhe raportimi zyrtarët nuk raportuan sekuestrimin e fentanilit ose drogave të tjera sintetike në sasi të konsiderueshme”, thekson raporti.

Në raport thuhet se “agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit janë koordinuar me autoritetet në Europë, Amerikën e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar në çmontimin e grupeve ndërkombëtare të krimit të organizuar përgjegjës për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, por nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të luftuar ndikimin e grupeve të krimit të organizuar”.

Raporti per Shqiperine

Krimi i organizuar i udhëhequr nga shqiptarët luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me kanabis, kokainë dhe heroinë, sipas autoriteteve të ligjzbatimit shqiptar. Këto grupe të krimit të organizuar të udhëhequra nga shqiptarët ekspozojnë  krime, teknika komunikimi dhe pastrimi parash gjithnjë e më të sofistikuara. Ata operojnë në të gjithë Ballkanin, si dhe në Bashkimin Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara, Kanada, Amerikën e Jugut, Mbretërinë e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Turqi.

Rrjetet kriminale shqiptare kanë qasje të drejtpërdrejtë tek prodhimi i kokainës në Amerikën e Jugut dhe rrjetet e trafikimit që e sjellin kokainën në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ata përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat dhe kontribuojnë në korrupsion. Krimi i dhunshëm në Shqipëri, përfshirë vrasjet, shpesh lidhet me krimin e organizuar, dhe gjyqtarë, prokurorë, policë, politikanë, gazetarë dhe aktivistë janë subjekt i frikësimit. Shqipëria merr pjesë në Koalicionin Global për të adresuar Kërcënimet e Drogave Sintetike, por gjatë kësaj periudhe raportimi zyrtarët nuk raportuan sekuestrimin e fentanilit ose drogave të tjera sintetike në sasi të konsiderueshme.

Prokurorët dhe agjencitë e zbatimit të ligjit shqiptar morën pjesë në ekipe hetimore të përbashkëta të rëndësishme për kërkesat e anëtarësimit në BE. Këto dhe operacione të tjera, shpesh të mbështetura nga këshilltarë të SHBA-së dhe BE-së, çuan në shkatërrimin e disa organizatave të rëndësishme të krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të drogës në vitin 2024. Struktura e Posaçme e Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) e Shqipërisë mori pjesë në 35 ekipe hetimore të përbashkëta në vitin 2023 dhe zgjeruan përdorimin e tyre në vitin 2024. SPAK-u sekuestroi dhe konfiskoi edhe asete të rëndësishme, përfshirë pasuri të paluajtshme, automjete, biznese dhe para të thata. Në një shembull, SPAK-u dhe Policia e Shtetit Shqiptar u bashkërenduan me Eurojust, Europol dhe autoritete të tjera duke patur si objektiv një grup të krimit të organizuar të udhëhequr nga shqiptarët që trafikonte kokainë dhe pastronte të ardhurat përmes kompanive që furnizonin fatura të rreme me vlerë rreth 400 milionë dollarë. Operacioni çoi në 66 arrestime dhe sekuestrimin e 360 kilogramëve kokainë, 4.3 milionë dollarë para të thata dhe armë e asete të tjera me vlerë 65 milionë dollarë.

Autoritetet shqiptare vazhduan të hetojnë kultivimin e kanabisit në vend dhe trafikimin ndërkombëtar të kanabisit. Për shembull, një operacion i përbashkët në vitin 2024 çoi në shkatërrimin e shtatë grupeve të strukturuara kriminale dhe sekuestrimin e 4.8 milionë dollarëve para të thata, armë zjarri, automjete dhe asete të tjera, si dhe 20 arrestime për akuza për vrasje, posedim të paligjshëm të armëve dhe kultivim dhe trafikim droge.

Korrupsioni, sundimi i dobët i ligjit dhe papunësia nxisin problemin e trafikimit të drogës në Shqipëri. Ndihma e SHBA-së përfshin këshillimin e SPAK-ut për çështjet e narkotikëve dhe krimit të organizuar; përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në hetime; këshillimin dhe trajnimin e agjencive mbikëqyrëse për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin dhe krimin e organizuar brenda agjencive të zbatimit të ligjit; dhe ofrimin e pajisjeve të specializuara dhe trajnimeve për të përmirësuar aftësitë ligjzbatuese.  Gjatë 12 muajve para tetorit të vitit 2024, një komision i pavarur shqiptar i mbështetur nga SHBA dhe BE shkarkoi 22 gjyqtarë dhe prokurorë për pasuri të pajustifikuara, me disa shkarkime gjithashtu të bazuara në kontakte me krimin e organizuar. Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit, për të shtrënguar rregulloret dhe mbikëqyrjen e pastrimit të parave dhe për të luftuar ndikimin e grupeve të krimit të organizuar kudo në  qeveri dhe shoqëri. Ligjzbatimi shqiptar duhet të zgjerojë bashkëpunimin me homologët ndërkombëtarë për të synuar në mënyrë proaktive rrjetet kriminale ndërkombëtare shqiptare.

Marrëveshja ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci, Osmani: Ka përfunduar përgjithmonë koha kur Serbia pyetet

“Qesharake” e ka quajtur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaratën nga ana e Serbisë për memorandumin mes Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë për aleancë ushtarake.

E para e shtetit  tha se marrëveshja trilaterale ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë synon pikërishtqë t’i ndihmojnë njëra-tjetrës për t’i ngritur kapacitetet e mbrojtjes, pra për ta mbrojtur vetveten dhe asnjëherë për ta sulmuar dikë dhe në të njëjtën kohë bashkëpunimin ndërmjet shteteve aleate që e kanë dëshmuar që janë besnike ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe fqinjësisë së mirë.

“Është interesante që historikisht shtetet agresore si Serbia dhe Rusia vazhdimisht tentojnë të paraqiten si viktima. Nëse i shihni deklarimet e tyre qesharake përkundër faktit që kanë një histori pushtimesh, sulmesh, gjenocidi, luftërash që i kanë shkaktuar vetë, shtetet agresore si Serbia e Rusia paraqiten se kinse po i sulmojka ata. Ne kurrë nuk e kemi sulmuar askënd, kurrë nuk kemi tentuar ta pushtojmë asnjë centimetër të një territori të dikujt tjetër. Por në historinë e kombit tonë, shqiptarët dhe Kosova gjithmonë e ka mbrojtur vetveten dhe do vazhdojmë ta mbrojmë sovranitetin tonë, integritetin territorial, shtetësinë. Marrëveshja trelaterale synon këtë që t’i ndihmojmë njëra-tjetrës për t’i rritur kapacitetet e mbrojtjes, pra për ta mbrojtur veten e jo ta sulmojmë dikë”, ka thënë ajo në një prononcim për media.

“Kanë përfunduar njëherë e përgjithmonë kohët kur Serbia pyetet për çkado qoftë. Ne jemi shtet sovran, i pavarur, vendimet i marrim vetë në përputhje me interesat tona dhe me synimin paqen dhe stabilitetin në rajon, synim që rrezikohet vetëm nga Serbia, askush tjetër”, tha Osmani

Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan të martën Deklaratën për Forcimin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes.

Deklarata për forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje, e nënshkruar nga të tre vendet, ka tërhequr vëmendje të madhe dhe reagime të nxehta në Serbi. Ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gashiq e quajti nismën “provokative”, ndërsa autoritetet në Beograd njoftuan se Serbia ishte gati të konsideronte bashkëpunimin në mirëbesim me Kroacinë dhe Shqipërinë.

Gjatë ditës së djeshme edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq i është përgjigjur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.

Plenkoviq, tha se Kroacia nuk ka nevojë që për këtë ujdi trepalëshe të pyesë as Serbinë, as NATO-n, transmeton gazeta online Reporteri.net.

“Ne ishim në gjendje të krijonim një dokument që ndihmon përpjekjet e tyre për reforma. Ai nuk është i një natyre armiqësore. Unë e kuptoj që duhet kërkuar një armik më tej, por kjo nuk është e natyrës armiqësore. Kroacia nuk ka nevojë ta pyes askënd për këtë, as Serbinë dhe as NATO-s”, tha Plenkoviq.  sn

Osmani: Vendimin nëse do të garoj për mandatin e dytë do ta marr bazuar në interesin e Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se vendimin për të garuar apo jo edhe për një mandat tjetër do ta marrë “vetëm duke pasur parasysh interesin” e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Mandati pesëvjeçar i presidentes Osmani përfundon më 7 prill të vitit 2026.

“Nga viti i ardhshëm do të diskutojmë për këtë çështje. Gjatë gjithë karrierës sime politike, kam punuar gjithmonë duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim imi politik nuk është bazuar në kalkulime për atë se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj”, tha Osmani për media në Prishtinë.

Njohësit e çështjeve politike kanë thënë se koalicionet eventuale pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, mund ta përfshijnë edhe çështjen e pozitës së presidentit të Kosovës.

Posti i presidentit të Kosovës është kryesisht ceremonial, por luan rol udhëheqës në politikën e jashtme dhe si komandant i forcave të armatosura.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane tha se, në rast se partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje do ta formojë qeverinë e re me ndonjë nga partitë opozitare shqiptare, atëherë çështja e postit të presidentit të Kosovës do të jetë në tavolinën e “pazareve politike”.

Osmani e mori mandatin më 4 prill të vitit 2021, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt 2021.

Me partinë e saj Guxo, që ka qenë në listë të përbashkët me Vetëvendosjen, Osmani ishte personi më i votuar në ato zgjedhje, me mbi 300 mijë vota.

Ajo u zgjodh presidente nga Kuvendi i Kosovës në rundin e tretë të votimit, pasi mori 71 vota nga 82 deputetë sa ishin të pranishëm në seancën e zgjedhjes së saj.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Kosovës nuk mund t’i mbajë më shumë se dy mandate.

Zgjedhjen e presidentit, Kuvendi i Kosovës duhet ta votojë me dy të tretat e votave të 120 deputetëve sa i ka gjithsej.

Në rast se kandidati për president nuk i merr këto vota në dy rundet e para, në rundin e tretë zgjidhet me votat e gjysmës së deputetëve.

‘A e blen paraja lumturinë?’ Raporti Botëror 2025: Pse shqiptarët janë më të palumturit në rajon dhe Kosova më e lumtura

Shqipëria dhe Kosova flasin të njëjtën gjuhë, kanë tradita dhe histori të ngjashme, por kur bëhet fjalë për kënaqësinë për jetën janë në dy kahe të kundërta.

Të dhënat e fundit nga Raporti Botëror i Lumturisë 2025, i publikuar nga Rrjeti i Zgjidhjeve për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara gjetën se nga 140 shtete, Shqipëria u rendit në vendin e 89 në botë, më e palumtura në Europë duke lënë pas vetëm Turqinë, ndërsa Kosova ishte më e lumtura në rajon, me një renditje totale në vendin e 29 në botë dhe e 18-a në Europë.

Serbia renditet në vendin e 31, Bosnjë Hercegovina në vendin e 56, Mali i Zi në vendin e 71, Maqedonia e Veriut në vendin e 86. Indeksi reflekton cilësinë e jetës së qytetarëve në vende të ndryshme duke analizuar tregues si të ardhurat, mbështetja sociale, shëndeti, liria personale, bujaria dhe niveli i korrupsionit. Por si shpjegohen këto diferenca në indeksin që mat kënaqësinë e njerëzve ndaj jetës së tyre, duke përfshirë sa të lumtur, të sigurt dhe të kënaqur ndihen ata në raport me kushtet në të cilat jetojnë.

Korrupsion i lartë në rajon

Një tregues që penalizon pjesën më të madhe të vendeve të rajonit është korrupsioni. Për Shqipërinë (vendi i 111), Maqedoninë e Veriut (131) dhe Bosnjë Hercegovinën (124), ky është shqetësimi kryesor, që ndikon negativisht në cilësinë e jetesës. Perceptimi më i ulët për korrupsionin në rajon është në Mal të Zi (44), Serbi (61), Kosovë (69).

Perceptimi i korrupsionit matet përmes dy pyetjeve kryesore të Anketës Botërore të Gallup-it:

– A është korrupsioni i përhapur në qeverinë e vendit tuaj?

– A është korrupsioni i përhapur në bizneset e vendit tuaj?

Shqiptarët nuk kanë mbështetjen e njëri tjetrit

Treguesi i dytë që ndikon negativisht në kënaqësinë e të jetuarit për shqiptarët është mungesa e perceptuar e mbështetjes nga miqtë. Në indeksin e mbështetjes sociale, Shqipëria renditet në vendin e 111 në botë dhe e fundit jo vetëm në rajon, por edhe në Europë.

Treguesi i mbështetjes sociale matet përmes pyetjes: “Nëse do t’ju ndodhte diçka e keqe, a keni ndonjë person tek i cili mund të mbështeteni?” Përqindja e të anketuarve që përgjigjen pozitivisht përdoret si tregues i mbështetjes sociale në atë vend.

Edhe në Kosovë mbështetja nga miqtë është me ulët se në vendet e tjera të rajonit, duke u renditur në vendin e 70. Kryesimin e mban Serbia (29), e ndjekur nga Mali i Zi (39), Bosnjë Hercegovina (47), Maqedonia e Veriut (54).

Kosova, më bujarja në rajon, Shqipëria nga fundi

Treguesi ku Kosova ka marrë pikët më të larta është bujaria, duke u renditur e 17-a në botë. Pyetja që u drejtohet të anketuarve është: “A keni dhuruar para për bamirësi muajin e kaluar?”

Malazezët janë më pak bujarët në rajon (99) të ndjekur nga shqiptarët (72). Pas tyre renditet Maqedonia e Veriut (46), Serbia (36), Bosnjë Hercegovina (28).

Shtetasit e Shqipërisë e Kosovës kanë lirinë më të madhe në rajon

Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët mendojnë që nuk kanë liri për të marrë vendime jetësore, duke u renditur në vendin e 119 në botë. Edhe në Bosnjë Hercegovinë nuk ndihen të lirë (89), po ashtu në Serbi (66) dhe Mal të Zi (61).

Pyetja që u bëhet të anketuarve është: “A jeni të kënaqur apo të pakënaqur me lirinë tuaj për të zgjedhur atë që bëni me jetën tuaj?”

Shtetasit e Kosovës e Shqipërisë perceptojnë që ata kanë lirinë më të madhe për të zgjedhur në rajon. Kryesimin e ka Kosova, që renditet e 28-a në botë, ndërsa Shqipëria është në vendin e 34.

A e blen paraja lumturinë?!

A e blen paraja lumturinë. Nëse shikojmë indeksin në rajon, rezulton që jo.

Ndonëse janë më të varfrit në rajon dhe Europë, e matur sipas prodhimit të brendshëm për frymë (vendi i 77 nga 140 shtete në botë), shtetasit e Kosovës rezultojnë më të lumturit në rajon dhe ndër më të lumturit në Europë, pasi në cilësinë e tyre të jetesës ndikojnë liria për të marrë vendime, bujaria dhe percpetimi i korrupsionit më të ulët se në shtetet e tjera të rajonit.

Shqipëria është e dyta nga fundi për nivelin e të ardhurave për frymë (65), por ndryshe nga Kosova ata ndiejnë mungesën e bujarisë, mbështetjes nga miqtë dhe sidomos nivelin e lartë të korrupsionit.

Në Mal të Zi, ku të ardhurat për frymë janë më të lartat në rajon (vendi i 48 në 140 shtete në renditje), malazezët sërish renditen ndër më të palumturit në rajon, duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Qytetarët e malit të Zi nuk janë të kënaqur me lirinë për të marrë vendime si dhe janë më pak bujarët në rajon.

Edhe në Serbi, ku të ardhurat për frymë janë në nivele të ngjashme me Malin e Zi (51), qytetarët janë të pakënaqur me lirinë për të marrë vendime dhe kjo duket dhe në zemërimin e tyre në protestat që po vazhdojnë prej dy muajsh./ Monitor

Kosovarët, më të lumturit në rajon

Kosovarët edhe për vitin 2025 janë më të lumturit në rajon, sipas Raportit Botëror të Lumturisë.

Kosova, ashtu si vitin e kaluar, mban vendin e 29-të në listën e shteteve më të lumtura në botë. Studimi u zhvillua në 147 shtete.

Pas Kosovës, nga vendet e rajonit, Serbia renditet e 31-a, Mali i Zi i 71, Kroacia e 72, Maqedonia e Veriut e 86 dhe Shqipëria e 89.

Renditja, e publikuar nga Qendra Kërkimore e Mirëqenies në Universitetin e Oksfordit, u përcaktua përmes anketave të vetëvlerësimit ku individët vlerësuan jetën e tyre nga një shkallë nga 0-10. Zero është jeta më e keqe e mundshme dhe 10 jeta më e mirë e mundshme.

Ky është Raporti i 13-të vjetor i Lumturisë Botërore, i publikuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë të OKB-së.

Për herë të tetë radhazi, finlandezët janë më të lumturit në botë. sn

Bullgaria mund t’i bashkohet aleancës ushtarake Shqipëri-Kroaci-Kosovë. Serbia në alarm: Jemi të rrezikuar

Serbia ka shprehur shqetësimin për rritjen e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, i cili u zyrtarizua me një deklaratë të nënshkruar në Tiranë më 18 mars. Ministrat e mbrojtjes të këtyre tre vendeve theksuan rëndësinë e forcimit të aftësive të tyre mbrojtëse dhe luftimit të sfidave të përbashkëta të sigurisë. Marrëveshja përshkruan bashkëpunimin në fusha të tilla si kërcënimet hibride, bashkëpunimi i industrisë së mbrojtjes dhe ndërveprueshmëria ushtarake përmes trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.

Për më tepër, deklarata thekson mbështetjen për integrimin euro-atlantik.

Serbia ka reaguar ashpër, ku Ministria e Punëve të Jashtme e cilësoi aleancën ushtarake si provokim. Zyrtarët serbë kërkuan sqarime urgjente nga Kroacia dhe Shqipëria në lidhje me qëllimet e marrëveshjes, veçanërisht pasi Kosova, të cilën Serbia nuk e njeh si shtet të pavarur, është palë në marrëveshje. Serbia e sheh aleancën si një kërcënim për stabilitetin rajonal dhe një sfidë të drejtpërdrejtë për integritetin e saj territorial, veçanërisht pasi bashkëpunimi përfshin Kosovën, pavarësinë e së cilës Serbia e refuzon.

Kryeministri serb në largim Millosh Vuçeviç ngriti mundësinë që Bullgaria të mund t’i bashkohej përfundimisht kësaj aleance ushtarake, duke sugjeruar se një veprim i tillë do të përbënte rreziqe të mëtejshme për Serbinë. Ai vuri në dukje se vendet e përfshira—Kroacia, Shqipëria dhe Bullgaria—janë të gjitha fqinjët e Serbisë dhe ai vuri në pikëpyetje synimet e vërteta pas kësaj marrëveshjeje të re ushtarake. Vuçeviç shprehu gjithashtu shqetësimin se aleanca mund të destabilizojë rajonin, veçanërisht me zgjerimin e saj të mundshëm për të përfshirë Bullgarinë.

Përgjigja e ministrisë serbe pasqyroi një shqetësim në rritje për dinamikën në zhvillim në Ballkan, ku tensionet mbeten të larta për shkak të statusit të pazgjidhur të Kosovës.

Pavarësisht neutralitetit ushtarak të Serbisë, qeveria ka treguar se është e gatshme të bashkëpunojë me vendet fqinje, përfshirë Kroacinë dhe Shqipërinë, nëse kjo bëhet në një mënyrë që respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.

Megjithatë, përfshirja e Kosovës në marrëveshjen trepalëshe e ka bërë të pamundur këtë bashkëpunim dhe Serbia mbetet e bindur se nuk do të tolerojë asnjë veprim që kërcënon pozicionin e saj në rajon.bw

Kosova i përgjigjet Serbisë për kërcënimin ndaj ujdisë trepalëshe: Nuk frikësohemi, po shkelë Marrëveshjet e Brukselit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës e ka dënuar ashpër deklaratën e fundit të Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë.

Në një deklaratë të lëshuar për mediat të mërkurën mbrëma, MPJD thekson se kjo deklaratë nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por gjithashtu përbën një shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënon ashpër deklaratën e fundit të Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë. Kjo deklaratë nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por gjithashtu përbën një shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit, të cilat Serbia ka pretenduar se i pranon, por ka refuzuar me qëllim t’i nënshkruajë—duke dëshmuar edhe një herë qëllimet e saj të këqija dhe mungesën e vullnetit për t’u angazhuar në një dialog të mirëfilltë. Duke bërë deklarata të tilla, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe për njohjen e institucioneve dhe kornizës ligjore të Kosovës si të vetmet autoritete të vlefshme brenda vendit tonë.”, thuhet në deklaratën e MPJD-së.

MPJD thekson se retorika e Serbisë është e mbushur me tone hegjemoniste, “pasi ajo përpiqet të paraqitet si fuqia dominuese në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar shpjegime nga Kroacia dhe Shqipëria—dy shtete sovrane, të dyja anëtare të NATO-s, me Kroacinë gjithashtu anëtare e Bashkimit Evropian”.

“Kjo sjellje është tërësisht e papranueshme dhe përbën një tjetër shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, e cila parashikon qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të Kosovës në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera. Përpjekja e Serbisë për ta paraqitur veten si “garantuese e paqes në Ballkan” është absurde. Asnjë shtet në rajon e më gjerë nuk ka kontribuar më shumë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor sesa Serbia, siç e dëshmojnë faktet historike dhe zhvillimet e fundit. Nga përfshirja e saj e drejtpërdrejtë në luftërat e agresionit në vitet 1990—që rezultuan në gjenocid dhe spastrim etnik në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë—e deri te kërcënimet e saj të vazhdueshme, grumbullimi ushtarak pranë kufijve të Kosovës dhe mbështetja për rrjetet kriminale dhe terroriste që operojnë në veri të Kosovës, Serbia mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë rajonale.”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu sipas MPJD-së pretendimi i Serbisë për neutralitet është hipokrizi.

“Dke marrë parasysh marrëdhëniet e saj të thelluara politike dhe ushtarake me regjime autoritare si Rusia dhe Irani—të gjitha shtete që përbëjnë kërcënime serioze për sigurinë rajonale dhe globale. Ndërsa bota demokratike qëndron e bashkuar kundër agresionit, Serbia vazhdon të rreshtohet me vende jodemokratike që punojnë aktivisht kundër stabilitetit në Evropë dhe më gjerë.
Në vend që të lëshojë deklarata agresive dhe thellësisht mashtruese, Serbia duhet të fokusohet në respektimin e marrëveshjeve që ka pretenduar se i pranon, të heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste dhe të ndërmarrë hapa të vërtetë për t’u bërë një aktor përgjegjës në rajon—duke filluar me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.”, thuhet tutje.

MPJD vlerëson se Serbia në vend t’u mbajë leksione të tjerëve për paqen dhe stabilitetin, duhet të hapë arkivat e saj të klasifikuara të kohës së luftës, në mënyrë që krimet e saj të përballen me drejtësinë.

“Veçanërisht, arkivat e klasifikuara të Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer krime të shumta lufte dhe masakra në Kosovë, sidomos në Drenicë gjatë viteve 1998-1999, duhet të bëhen publike dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Pa drejtësi për viktimat, nuk mund të ketë paqe dhe pajtim të vërtetë në rajon. Republika e Kosovës nuk do të frikësohet nga kërcënimet e Serbisë dhe do të vazhdojë të forcojë sigurinë dhe partneritetet e saj ndërkombëtare në bashkëpunim me aleatët e saj.”, thuhet në fund të reagimit.

Për deklaratat e Serbisë ka reaguar edhe Kroacia.

“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë i lejohej të bënte dhe si duhej ta bënte, dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë”, shprehet Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusic, në përgjigjen e tij për Ministrinë e Jashtme të Serbisë, e cila tha se do të kërkojë përgjegjësi nga Kroacia dhe Shqipëria që bashkë me Kosovën nënshkruan Deklaratën e Bashkëpunimit Trepalësh Ushtarak.
Ministri Anusic, ia bën me dije Serbisë se shteti i tij “do të nënshkruajë Deklarata me kë të dojë”.

“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë guxon të bëj dhe si duhet ta bëj, dhe kjo nuk do të përsëritet më kurrë. Kemi 35 vjet që jemi shtet i pavarur, kemi kaluar pesë vite agresion dhe politikë që mbrojti një narrativë të tillë. Kroacia do të nënshkruajë deklarata me kë të dojë dhe bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën është i fokusuar në shkëmbimin e njohurive, bashkëpunimin ndërmjet industrive ushtarake, mbështetjen për rrugën euroatlantike të Shqipërisë dhe Kosovës…”, shkruan Anusic.

Kosova, deklaratën mes tre shteteve e ka cilësuar si hap jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon. Por, reagim i ashpër erdhi dje nga Ministria e Jashtme e Serbisë duke u shprehur se do të kërkojë përgjegjësi nga Kroacia e Shqipëria.

Në reagimin e bërë në rrjetin “X”, MPJ e Serbisë deklaroi, “do t’u dërgojë një kërkesë urgjente Ministrive të Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë për një shpjegim të detajuar në lidhje me nënshkrimin e memorandumit trepalësh për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”.

Tutje, kjo ministri e quajti Serbinë si “garantues të paqes dhe neutralitetit ushtarak në Ballkan”, dhe kërkon përgjigje për natyrën dhe qëllimet e këtij bashkëpunimi të sigurisë.

“Është veçanërisht shqetësues fakti që kjo aleancë ushtarake po krijohet pa konsultim me Beogradin…. që paraqet kërcënim për sigurinë për popullin serb dhe mbarë rajonin”, thuhej në reagim. sn


Send this to a friend