Kujtim Cakrani, ish-avokat i ish-presidentit Ilir Meta, ka reaguar sërish lidhur me vendimin e këtij të fundit për largimin e tij si palë mbrojtëse në gjyq.
Duke folur lidhur me këtë çështje për A2 CNN, Cakrani u shpreh se Meta e konsideron si patronazhist pasi është edhe avokat i Artur Shehut në Zvërnec..
SPAK firmosi urdhër arrest në mungesë për Artur Shehun, një prej biznesmenëve kontrovers pjesë e takimit të shumëpërfolur të Arubës. Shehu ndodhet në Amerikë pasi u largua nga Shqipëria më shumë se 27 vite më parë, për shkak të përplasjes me kreun e Bandës së Coles, Myrteza Çaushi.
Cakrani u shpreh veçse klient i tij në mbrojtje, me Shehun ka edhe afërsi për shkak të prejardhjes së tij familjare.
“Jam akuzuar për patronazhist. Ky është perceptimi i zotit Meta. Besoj e dini që unë jam opozitar dhe nuk ka shanse, nuk ndodh dhe nuk e beson njeri këtë që ka thënë zoti Meta, që unë jam patronazhist. Realisht, nuk e beson njeri.
Domethënë, kjo i kthehet në bumerang për ata që njohin mua dhe familjen time. Kështu që, përsa i përket Zvërnecit, unë jam avokat i familjes Shehu dhe normalisht unë jam avokat që punoj.
Zoti Meta mua mbase më ka dashur me kohë të plotë, por me kohë të plotë unë nuk mund të jem avokat i askujt sepse nuk jam skllav. Unë jam avokat dhe bëj një punë që duhet ta bëj dhe kështu që kur paguhet një avokat me kohë të plotë, kur merret një avokat me kohë të plotë, ka dhe disa kushte të tjera.
Besoj se nuk i ka mbetur gjë nga mbrojtja zotit Meta. Megjithëse ka merak edhe Zvërnecin dhe kjo nuk ka lidhje me Zvërnecin. Unë e kam mbrojtur familjen Shehu dhe do ta mbroj jo vetëm si klient që e kam, por kam edhe lidhje të tjera. Jam nip në Kaninë nga mamaja dhe kam lidhje familjare me ta. Kështu që, nuk ka lidhje fare as për protestat, as për historira të kësaj natyre.
Nuk ka nuk ka njeri në këtë republikë që mbiemrin tim ta bëjë patronazhist. Prisja çdo gjë, por patronazhist ishte e jashtëzakonshme. Mund t’i thuhet çdokujt avokati tjetër, por jo mua. Është qesharake, edhe vetë zoti Meta e di shumë mirë. E kupton se ka lexuar atje brenda dy librat e familjes time”,-tha Cakrani./CNA