VOAL

VOAL

Arta Rama-Hajrizi fiton edhe një mandat në krye të Gjykatës Kushtetuese

May 22, 2018

Komentet

Abdixhiku: Heqim dorë nga çdo kërkesë, presidenti të jetë jopartiak

Radio Evropa e Lirë

Udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij heq dorë nga çdo kërkesë për postin e kryeparlamentarit, presidentit dhe pjesëmarrjes në Qeveri, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mund t’i mbajë të gjitha. Megjithatë, për vëzhguesin politik, Artan Muhaxhiri, oferta e bërë nga kreu i LDK-së nuk ofron një zgjidhje realiste dhe normale për daljen nga kriza politike.

“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj. Ne do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, tha Abdixhiku në një konferencë për media.

Megjithatë, Abdixhiku tha se LDK-ja do të kontribuojë për çështjen e presidentit, duke thënë se kanë kushte për kreun e ri të shtetit.

Sipas tij, presidenti i ri duhet ta mbrojë Republikën dhe kushtetueshmërinë.

“Nga ky moment, LVV mund ta zgjedhë stabilitetin përmes një presidenti që e zgjedhim bashkëshkrish ose mund ta çojmë vendin drejt një krize të re”, tha ai, duke e akuzuar LVV-në e Albin Kurtit se nuk po pranon “kompromis minimal”.

Ai tha se LDK-ja do të jetë pjesë e zgjedhjes së presidentit sepse nëse s’marrin pjesë në votim, vendi shkon në zgjedhje për shkak se me 61 votat e LVV-së “s’mund të zgjidhet” presidenti.

“Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak, e jo një president karate”, tha ai, duke shtuar se propozimet partiake do të refuzohen.

“Propozimet e njëanshme janë të refuzueshme”, tha ai, duke shtuar se emri i presidentit të ri duhet të dalë pas diskutimeve të detajuara mes partive.

LDK ishte partia e vetme që pranoi të negocionte me LVV-në, fituesen e zgjedhjeve të qershorit.

Por, edhe pas disa takimesh, Kurti e Abdixhiku s’arritën një marrëveshje.

Abdixhiku tha se Kurti i ofroi atij postin e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri, por oferta nuk është pranuar, duke shtuar se LDK-ja kishte kërkuar postin e presidentit dhe pjesëmarrje në ekzekutiv.

“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj”, tha Abdixhiku.

Ai kërkoi që Kuvendi të konstituohet pa vonesë dhe LVV-ja të formojë Qeverinë e re të vendit.

Kosova ndodhet në një ngërç të ri institucional pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndonëse afati 30-ditor për përfundimin e këtij procesi ka skaduar më 7 gusht.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që para vazhdimit të seancës të arrihet një marrëveshje politike, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca insistojnë që Kuvendi të konstituohet pa e kushtëzuar këtë proces me çështjen e presidentit.

Kurti ka insistuar që kreu i ri i vendit të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale.

Zgjedhjet e qershorit u shkaktuan pikërisht për çështjen e presidentit, pasi palët nuk arritën konsensus, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit në prill.

LVV-ja e Kurtit ka fituar mandate të mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe për të votuar Qeverinë e re – duke llogaritur edhe në votat e partive të minoriteteve joshumicë.

Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Muhaxhiri: Oferta e Abdixhikut nuk kontribuon në gjetjen e një zgjidhjeje

Vëzhguesi politik, Artan Muhaxhiri, e vlerëson si “të çuditshëm” dhe “të vonuar” ofertën e Abdixhikut për çështjen e presidentit, duke vlerësuar se nuk po shkohet drejt një zgjidhjeje.

“Puna më e mirë që zoti Adbixhiku do të bënte është që të takohet me liderë të tjerë opozitarë dhe kësisoj ta krijonin një front të përbashkët, pakrahasueshëm më të fuqishëm sesa partitë opozitare veç e veç”, thotë Muhaxhiri, duke vlerësuar se Abdixhiku është larguar si nga partitë e tjera opozitare, ashtu edhe nga Kurti, dhe kjo situatë, “i shkon në favor” LVV-së.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Muhaxhiri thotë se oferta për një president jopartiak veçse ka qenë, prandaj ai pyet pse është dashur që të mbahen takime mes LDK-së dhe LVV-së.

“Pra, nuk ka qenë nevoja që të humbet kaq shumë kohë dhe të mbahen të gjitha ato takime nëse prapëseprapë do të kthehemi në pikën fillestare”, thotë Muhaxhiri.

“Kompromisi maksimal që mund ta bëjë zoti Kurti është që ta japë kryetarin e Parlamentit, dhe këtë po e thonë edhe gjatë këtyre ditëve, dhe kjo ofertë e zotit Abdixhiku me siguri do të jetë krejtësisht e papranueshme për zotin Kurti. Por, edhe në ndonjë skenar tjetër do të jetë shumë vështirë që të gjendet një kandidaturë e cila do t’i plotësonte këto kërkesa. Po them, kjo është një ofertë e vonuar e zotit Abdixhiku sepse nuk kontribuon në gjetjen e një zgjidhje realiste dhe normale”, shton ai.

Ai madje e vlerëson si “gabim të madh” qëndrimin se LDK do të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit, me kushte, duke u shprehur se Abdixhiku “nuk është në pozitë që të diktojë kushte, pasi ka probleme të mëdha brenda LDK-së dhe nuk mund t’i garantojë të 18 votat e deputetëve” nëse arrihet pajtim me LVV-në për kreun e shtetit.

Sipas tij, LDK-ja, Partia Demokratike dhe Aleanca secila kanë nga një ide të ndryshme për daljen nga kriza. Më e logjikshme do të ishte nëse këto tri parti krijojnë një ide të përafërt bashkëpunimi dhe në mënyrë që t’i kundërvihen me opsione apo alternativa Kurtit, vlerëson Muhaxhiri.

Nëse këto parti arrijnë të gjejnë një kandidaturë të denjë për presidenti, thotë ai, atëherë një gjë e tillë do të shndërrohej në presion politik dhe publik ndaj Kurtit.

“Sepse pastaj edhe diskursi do të ndryshojë edhe gjithë rrëfimi për çështjen e presidentit, pra gjithë beteja për çështjen e presidentit do të merrte një kahe tjetër, më të qartë”, thotë Muhaxhiri, duke shtuar se kjo potencialisht do të detyronte Kurtin që të ndryshonte pozicion.

Edhe nëse nuk arrijnë ndonjë bashkim për çështjen e presidentit, Muhaxhiri beson se partitë opozitare duhet të takohen dhe të krijojnë një mirëbesim sepse ndryshe, sipas tij, “vështirë se do të mund ta sfidojnë” Kurtin.

Përveç LDK-së, edhe PDK-ja dhe Aleanca kanë shprehur qëndrimin se duan të qëndrojnë në opozitë.

I arrestuari për spiunazh ishte emëruar anëtar në Këshillin Konsultativ për Komunitete nga ish-presidentja Osmani

Arrestohet një person në Merdar nën dyshimin për spiunazh

Fotografia e publikuar nga Sistemi Prokurorial i Kosovës, ku shihet një zyrtar policor duke kontrolluar veturën e të dyshuarit.

 

Radio Evropa e Lirë

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Kosovës, Fehim Sali, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Sipas njoftimit të Sistemi Prokurorial të Kosovës, arrestimi është kryer në pikën kufitare në Merdar të Podujevës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Burimet e Radios Evropa e Lirë kanë konfirmuar identitetin e të dyshuarit, i cili vjen nga Komuna e Dragashit dhe është i angazhuar në sistemin arsimor serb brenda Kosovës.

Sali ishte edhe pjesë e Këshillit Konsultativ për Komunitete (KKK) brenda Presidencës së Kosovës, i emëruar më 2022.

Ky Këshill ka mandat dy vjeçar, ndërsa Sali nuk ka figuruar pjesë e Këshillit aktual.

Këshilli Konsultativ për Komunitete është një mekanizëm që vepron nën autoritetin e Presidentit të Kosovës dhe në të përfaqësohen të gjitha komunitetet në vend.

Këshilli ka 27 anëtarë dhe përbëhet nga përfaqësues të komuniteteve rom, egjiptian, goran, ashkali, malazez, kroat, boshnjak, turk dhe serb, si dhe nga përfaqësues të Zyrës së Presidentit dhe të Qeverisë.

Anëtarët e Këshillit emërohen nga Presidenti i Kosovës me vendim. Para emërimit zhvillohet procesi i nominimit të kandidatëve nga organizatat përfaqësuese të komuniteteve ose nga kandidatët individualë. Presidenti, gjatë emërimit, bazohet në raportin e Sekretariatit të Këshillit dhe merr parasysh renditjen e kandidatëve sipas votave të fituara, si dhe përfaqësimin e barabartë gjinor.

Këshilli Konsultativ për Komunitete shërben si urë komunikimi ndërmjet komuniteteve dhe Qeverisë, duke u mundësuar përfaqësuesve të tyre të japin mendime për nisma ligjore dhe politika që i prekin, të propozojnë iniciativa dhe të kërkojnë që pikëpamjet e tyre të merren parasysh në politikat dhe programet përkatëse.

Policia dhe Prokuroria Speciale nuk kanë dhënë detaje se për çfarë aktivitetesh saktësisht dyshohet ai dhe as nëse rasti lidhet me ndonjë shërbim të huaj të inteligjencës.

Prokuroria Speciale tha se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë me veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Në një njoftim të mëvonshëm, Prokuroria Speciale bëri të ditur se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Gjithashtu, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.

Gjatë bastisjes sipas njoftimit janë gjetur dhe sekuestruar 39.500 euro para të gatshme, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë.

Në Kosovë, spiunazhi përfshin aktivitetet sekrete të mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm te një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet vepër e rëndë penale dhe, në rast të shpalljes fajtor, mund të dënohet me të paktën pesë vjet burgim.

Ky arrestim vjen në një periudhë kur autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa raste hetimore dhe arrestime nën dyshimet për spiunazh në favor të inteligjencës serbe.

Në raste të mëparshme janë arrestuar persona nga komunitete të ndryshme në Kosovë, nën dyshimet se kanë mbledhur apo përcjellë informacione për shërbimet serbe të inteligjencës.

Ekspertë të sigurisë kanë vlerësuar se spiunazhi paraqet kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës. Sipas tyre, veprimtari të tilla mund të ndikojnë në sigurinë e brendshme, të destabilizojnë institucionet dhe të dëmtojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse rasti i F.S. është i ndërlidhur me ndonjë prej rasteve të mëparshme të spiunazhit.

PDK-ja dorëzon kërkesë për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës qëndrojnë para dyerve të ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, më 13 gusht, mes kërkesave ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për thirrje të seancës për konstituim të Kuvendit.

 

Radio Evropa e Lirë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar të enjten me aksionet e saj në shenjë kundërshtimi ndaj moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, mes të cilave ka dorëzuar edhe zyrtarisht një kërkesë për thirrjen e seancës konstituive nesër në orën 11:00.

Aksionet e së enjtes filluan me qëndrimin e disa deputetëve të saj para ndërtesës së Qeverisë, ku akuzuan kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po “uzurpon” institucionin dhe kërkuan që ai të kthehet në Kuvend.

Më vonë, deputetët e PDK-së u zhvendosën në objektin e Kuvendit, prej ku deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, njoftoi për dorëzimin e kërkesës edhe zyrtarisht.

Aksionet e PDK-së janë pjesë e presionit që kjo parti, bashkë me Aleancën, po ushtron për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe përfundimin e procesit të themelimit të legjislaturës së re.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë të mërkurën se kërkesa për vazhdimin e seancës është “e drejtë”.

“Fakti që afati kushtetues prej 30 ditësh tashmë është shkelur nuk do të thotë se procesi duhet të ndalet. Përkundrazi, pas shkeljes së afatit, obligimi për konstituimin e Kuvendit vazhdon dhe deputetët duhet ta përfundojnë këtë proces pa vonesa të tjera”, tha Jakaj.

Sipas tij, Kushtetuta nuk parasheh shpërndarjen automatike të Kuvendit pas kalimit të afatit 30-ditor.

“Seanca duhet të vazhdojë pikërisht aty ku është ndërprerë dhe Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve. Negociatat për zgjedhjen e presidentit janë proces tjetër kushtetues dhe nuk mund të vendosen si parakusht për konstituimin e Kuvendit”, tha Jakaj.

Ndërkohë, edhe përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë insistuar në respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, por nuk kanë marrë në pjesë në aksionet e këtyre dy ditëve. LDK-ja është partia e vetme që ka zhvilluar disa takime me LVV-në për një marrëveshje të mundshme.

Grupi parlamentar i kësaj partie ka thirrur takim sot.

Kosova mbetet pa Kuvend të konstituuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht. Lidhur me këtë afat, 14 organizata joqeveritare iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese të mërkurën.

Seanca konstituive ishte caktuar të niste më 6 gusht. Megjithatë, procesi u ndërpre pasi Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për diskutime me partitë politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Kurti argumentoi se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje paraprake për presidentin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të tjera të parakohshme.

Një ditë më parë, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se kjo parti beson që afati për konstituim përfundon 30 ditë nga nisja e seancës.

PDK-ja dhe AAK-ja, në anën tjetër, kanë insistuar që Kuvendi të konstituohet dhe seanca të vazhdojë, duke e kundërshtuar kushtëzimin e këtij procesi me arritjen e një marrëveshjeje politike për presidentin.

Edhe pse afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht, seanca konstituive vazhdon të mbetet e hapur.

Më 8 gusht, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë drejt Kurtit gjatë seancës, pas së cilës kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu atë.

Në ditët në vijim, përplasjet politike u zhvendosën sërish në Kuvend, me përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe Aleancës, në njërën anë, dhe LVV-së, në anën tjetër, që eskaluan deri në shtyrje fizike të mërkurën.

Në qendër të përplasjes është kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, deputet i LVV-së, i cili po e drejton seancën në cilësinë e deputetit më të vjetër.

PDK-ja dhe AAK-ja kërkojnë që Dehari ta thërrasë dhe ta vazhdojë seancën, ndërsa Vetëvendosje ka kërkuar paraprakisht një marrëveshje politike mes partive.

PDK-ja pretendon se nuk ka arsye që konstituimi i Kuvendit të kushtëzohet me marrëveshjen për presidentin dhe se zgjidhja e krizës duhet të kërkohet brenda institucioneve.

Ndërkohë, kriza aktuale është vazhdim i një periudhe më të gjatë të paqëndrueshmërisë institucionale në Kosovë. Pas zgjedhjeve të mëparshme dhe krizës rreth zgjedhjes së presidentit, Kuvendi u shpërnda dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja më 7 qershor.

Tash, edhe pas zgjedhjeve të reja, Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për mënyrën e daljes nga ngërçi.

PDK-ja, ndërkohë, ka paralajmëruar vazhdimin e aksioneve për ta shtyrë përpara procesin e konstituimit.

Shtyrje fizike mes deputetëve në Kuvend gjatë kërkesave për vazhdimin e seancës konstituive

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës në sallën e Kuvendit të Kosovës, më 12 gusht 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Përplasjet mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive u përshkallëzuan të mërkurën edhe në shtyrje fizike, ndërsa partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta për mënyrën se si duhet të zhbllokohet procesi i konstituimit të legjislaturës së re.

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës kërkuan që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e saj, pavarësisht se ka kaluar afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndërkaq, ka insistuar se para vazhdimit të seancës duhet të arrihet një marrëveshje politike më e gjerë mes partive.

Gjatë përplasjeve në sallën e Kuvendit, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e shtyu me duar deputetin e LVV-së, Adnan Rrustemi, ndërsa Ardian Gola i LVV-së ndërhyri mes tyre.

Në një incident tjetër, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, u pa duke e shtyrë deputeten e LVV-së, Arbërie Nagavci. Bytyqi dhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, hodhën edhe letra në drejtim të saj.

Përplasjet zgjatën rreth dy orë dhe ishin kryesisht verbale.

Gjatë tyre, Donika Gërvalla, e cila ndodhej në sallë për aktivitetin “Bashkatdhetarët në Kuvend”, u bëri thirrje deputetëve të PDK-së dhe Aleancës që t’u bashkohen takimeve të thirrura nga LVV-ja për arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Ejani në takim”, u tha Gërvalla deputetëve, të cilët brohorisnin: “Thirreni seancën!”.

Në debat u përfshinë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe deputetët Vlora Çitaku, Eman Rrahmani dhe Blerta Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra tha se deputetët do të vazhdojnë të vijnë çdo ditë në Kuvend “për ta kthyer rendin kushtetues”.

Ngërçi lidhet me faktin se Kuvendi ende nuk e ka përfunduar konstituimin pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Rezultatet përfundimtare u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por deputetët nuk arritën ta përfundonin zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

PDK-ja dhe Aleanca thonë se kalimi i afatit nuk e heq detyrimin për vazhdimin dhe përfundimin e seancës konstituive. LVV-ja, në anën tjetër, kërkon që paraprakisht të arrihet marrëveshje për çështjet kryesore politike, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesa për vazhdimin e seancës është “e drejtë”.

“Fakti që afati kushtetues prej 30 ditësh tashmë është shkelur nuk do të thotë se procesi duhet të ndalet. Përkundrazi, pas shkeljes së afatit, obligimi për konstituimin e Kuvendit vazhdon dhe deputetët duhet ta përfundojnë këtë proces pa vonesa të tjera”, tha Jakaj.

Sipas tij, Kushtetuta nuk parasheh shpërndarjen automatike të Kuvendit pas kalimit të afatit 30-ditor.

“Seanca duhet të vazhdojë pikërisht aty ku është ndërprerë dhe Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve. Negociatat për zgjedhjen e presidentit janë proces tjetër kushtetues dhe nuk mund të vendosen si parakusht për konstituimin e Kuvendit”, tha Jakaj.

Për çështjen e afatit, 14 organizata të shoqërisë civile, të udhëhequra nga AVONET-i, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Dehari ka thënë se seanca nuk duhet të vazhdojë pa një marrëveshje politike mes partive.

Në thelb të mosmarrëveshjes mbetet edhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm. LVV-ja kërkon një kandidat konsensual dhe jopartiak, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar që posti i presidentit t’i takojë asaj.

PDK-ja ka insistuar që fillimisht të përfundojë konstituimi i Kuvendit, ndërsa AAK-ja ka kërkuar respektimin e afateve kushtetuese dhe e ka fajësuar LVV-në për bllokimin institucional.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund t’i pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së.

PDK-ja dhe AAK-ja mblidhen në Kuvend, Dehari këmbëngul për marrëveshje politike

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, më 12 gusht 2026.

Radio Evropa e Lirë

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po qëndrojnë sot në sallën e Kuvendit, duke kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e saj.

PDK-ja kishte paralajmëruar se deputetët e saj do të paraqiteshin në Kuvend në orën 11:00, pavarësisht nëse Dehari do ta thërriste zyrtarisht seancën.

Të njëjtit qëndrim i është bashkuar edhe Aleanca. Deputeti i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka thënë se deputetët e AAK-së do t’u bashkohen atyre të PDK-së në sallën plenare.

“Siç e dini, PDK-ja ka thirrë seancë në orën 11:00 dhe Aleanca do të marrë pjesë”, ka thënë Tahiri.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve që të garantojnë transparencë, duke pretenduar se mediat nuk po lejohen të marrin pjesë në seancë.

PDK-ja, ndërkaq, ka kërkuar që Kuvendi të hapet dhe seanca konstituive të vazhdojë.

“Reflektoni – HAPENI KUVENDIN!”, ka shkruar kjo parti, duke iu drejtuar kryesuesit Avni Dehari.

Ndërsa, Dehari ka shkruar gjithashtu në Facebook duke rikujtuar se, kur vitin e kaluar u kishte bërë thirrje deputetëve të opozitës që të votonin për konstituimin e Kuvendit, përgjigjja e tyre kishte qenë se “nevojitet marrëveshje politike”.

Sipas tij, atëherë tejkalimi i afatit nuk ishte problematizuar nga partitë opozitare.

Ai pretendon gjithashtu se Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimet e mëvonshme për çështjen e konstituimit, u kishte kërkuar palëve të vazhdonin përpjekjet për konstituim edhe pas tejkalimit të afatit, duke e vlerësuar nevojën për konstituimin e Kuvendit si më të rëndësishme se afati.

Afati 30-ditor ka përfunduar

Përplasja rreth vazhdimit të seancës vjen pasi ka përfunduar afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i përcaktuar me Kushtetutë dhe i interpretuar nga Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin KO124/25.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por Kuvendi nuk arriti të përfundonte zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Procesi mbeti pezull për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.

Pikërisht për zbatimin e këtij aktgjykimi, 14 organizata të shoqërisë civile, të udhëhequra nga AVONET, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Në thelb të ngërçit politik mbetet çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar një marrëveshje më të gjerë politike dhe një kandidat konsensual e jopartiak për president, ndërsa LDK-ja ka kërkuar që posti t’i takojë asaj.

PDK-ja ka insistuar që fillimisht të respektohen procedurat kushtetuese dhe të përfundojë konstituimi i Kuvendit. Aleanca, ndërkaq, ka kërkuar respektimin e afateve kushtetuese dhe ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokimin institucional.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund të pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së.

Ndërkohë, sot në Kuvend është planifikuar edhe dita e tretë e aktivitetit tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”, që nis në orën 12:00.

Shefi i KFOR-it: Trupat mund të shtohen nëse rrezikohet siguria në Kosovë

Gjeneralmajor Ozkan Ulutash, komandant i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, takohet me Zlatan Elekun, kryetar i Listës Serbe, në selinë e KFOR-it në Kampin Film City, Prishtinë, Kosovë, 11 gusht 2026.

Radio Evropa e Lirë

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, është takuar të martën me presidentin e Listës Serbe, Zlatan Elek, pas kundërshtimit të kësaj partie ndaj procesit të uljes graduale të pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Takimi u zhvillua me kërkesë të Elekut në selinë e KFOR-it në Kampin Film City, në Prishtinë.

Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, deputetja e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Jovana Radosavljeviq, dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.

Sipas KFOR-it, palët diskutuan për një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe zbatimin e procesit të paralajmëruar për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it u tha përfaqësuesve të Listës Serbe se procesi i optimizimit është nisur si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

Ai theksoi se procesi do të zhvillohet gradualisht dhe do të jetë i bazuar në kushtet në terren, ndërsa trupat mund të rikthehen nëse zhvillimet e ardhshme ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.

KFOR-i tha se do të mbetet i pajisur dhe i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant.

“Tranzicioni gradual i pranisë së KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë është në fazën fillestare”, thuhet në njoftimin e misionit.

KFOR-i theksoi se, edhe pas përfundimit të procesit, do të mbajë një prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në pjesën veriore të Kosovës.

Lista Serbe kishte reaguar kundër njoftimit për uljen graduale të pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër, duke kërkuar që kjo masë të ndalej.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës kishte kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it për t’ia përcjellë shqetësimet e komunitetit serb në veri.

Lista Serbe kishte argumentuar se, për shkak të situatës politike dhe të sigurisë dhe tensioneve që në të kaluarën kanë shoqëruar zonën e urës, çdo ndryshim në praninë e forcave të sigurisë duhet të bëhet me kujdes.

Ajo kishte thënë gjithashtu se Policia e Kosovës nuk e gëzon besimin e serbëve në veri dhe se prania e KFOR-it në urë është një “faktor i rëndësishëm stabiliteti”.

Ura kryesore mbi lumin Ibër lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe. Ajo është ruajtur nga trupat e KFOR-it që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe për vite me radhë ka qenë një prej pikave më të ndjeshme të sigurisë në veri të Kosovës.

Aktualisht, ura është e hapur vetëm për këmbësorë.

Misioni i NATO-s theksoi se vazhdon ta përmbushë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

KFOR-i tha se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë.

Shoqëria civile i drejtohet Kushtetueses për afatin e konstituimit të Kuvendit

Fotografi ilustruese nga seanca parlamentare në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesë që të ndërmarrë veprime lidhur me zbatimin e Aktgjykimit që përcakton afatin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Organizatat, të udhëhequra nga AVONET, kërkojnë nga Gjykata të vlerësojë nëse aktgjykimi i saj është zbatuar në përputhje me përcaktimet dhe afatet e tij, pas dështimit të Kuvendit që të përfundojë procesin e konstituimit brenda afatit kushtetues.

Rrezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.

Në këtë rast, seanca konstituive e Kuvendit u hap më 6 gusht, por nuk përfundoi me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Vazhdimi i seancës ishte caktuar për 8 gusht, pra pas përfundimit të afatit 30-ditor.

Pikërisht për këtë arsye, AVONET dhe 13 organizatat e tjera kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë nëse Aktgjykimi përkatës është zbatuar në mënyrë të rregullt.

“Qëllimi është të sigurohet qartësi juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e publikuar.

Partitë të ndara për afatin e konstituimit

Partia Demokratike e Kosovës ka insistuar se procesi i konstituimit duhet të përfundojë pa vonesa të mëtejshme, duke argumentuar se obligimi kushtetues vazhdon të jetë në fuqi edhe pas skadimit të afatit 30-ditor. Ajo ka kërkuar që seanca të vazhdojë dhe ka paralajmëruar veprime ligjore, politike dhe demokratike.

Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu ka insistuar në respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, ndërsa ka zhvilluar disa takime me Lëvizjen Vetëvendosje për të gjetur një marrëveshje.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur nevojën për një marrëveshje politike para vazhdimit të procesit. Kryetari i saj, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për konsultime me partitë, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar vazhdimisht respektimin e afateve kushtetuese dhe ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokimin e procesit, ndërsa ka refuzuar takimet e propozuara nga Kurti.

Kuvendi ende në ngërç

Kërkesa e organizatave vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend të konstituuar, më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Seanca konstituive e Kuvendit nisi më 6 gusht, por procesi u përball me shtyrje dhe paqartësi rreth mënyrës se si do të vazhdohej me konstituimin e plotë të institucionit.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte kërkuar kohë shtesë për konsultime me partitë e tjera politike, duke e lidhur nevojën për një marrëveshje më të gjerë edhe me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Mungesa e një marrëveshjeje politike për presidentin ishte një prej çështjeve që çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje aktorëve politikë që të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund të pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së.

Ngërçi institucional ka pasoja edhe për zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kosovës i janë alokuar 882.6 milionë euro në kuadër të këtij plani për periudhën 2024–2027. Deri tani, vendi ka pranuar 61.8 milionë euro në formë parafinancimi.

Për pjesën tjetër të mjeteve, Kosova duhet të dëshmojë zbatimin e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave.

Gjithsej 27 hapa reformues, me vlerë prej 165.9 milionë eurosh, kanë afat përfundimtar për përmbushje deri në dhjetor të vitit 2026.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar se kriza politike tashmë ka ndikuar në ritmin e zbatimit të reformave dhe ka vënë në rrezik një pjesë të financimit.

Senatorja republikane Joni Ernst viziton Kosovën, takohet me Haxhiun dhe komandantin e KFOR-it

Senatorja amerikane, Joni Ernst, gjatë takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

 

Radio Evropa e Lirë

Senatorja amerikane, Joni Ernst, po qëndron për vizitë në Kosovë, ku më 11 gusht është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.

Haxhiu tha se me senatoren republikane nga Ajova ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Haxhiu shkroi në Facebook se Ernst është një mike e dëshmuar e Kosovës dhe një zë i rëndësishëm në mbështetje të partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ernst po e viziton Kosovën në një kohë të ngërçit institucional, pasi partitë politike dështuan ta konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të qershorit, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa vendi ka një ushtruese të detyrës së presidentes dhe një kryeministër në detyrë.

Deri në publikimin e këtij lajmi, senatorja Ernst nuk kishte bërë deklarata publike për përmbajtjen e takimeve të saj në Kosovë.

Haxhiu njoftoi se e ka dekoruar Ernstin me Medaljen Presidenciale të Meritave për, siç tha, kontributin e saj në fuqizimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Ernst është anëtare e Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Senatit amerikan.

Gjatë së martës, ajo vizitoi edhe selinë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Camp Film City në Prishtinë, ku u prit nga komandanti i misionit, Ulutash.

KFOR-i njoftoi për takimin, por nuk dha hollësi për temat e diskutuara.

Ambasada amerikane në Prishtinë kishte njoftuar një ditë më herët për mbërritjen e Ernstit në Kosovë. Sipas Ambasadës, ajo mori pjesë në takime në selinë diplomatike amerikane dhe vizitoi Manastirin e Graçanicës, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Gjatë vizitës në Graçanicë, Ernst u takua edhe me mitropolitin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, sipas njoftimit të Dioqezës Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe.

Dioqeza tha se Teodosije i ka shprehur senatores shqetësime lidhur me pozitën e komunitetit serb dhe të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe me zhvillimet e fundit të sigurisë.

Sipas saj, në takim u diskutua edhe për fillimin e integrimit gradual të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit, si dhe për situatën në urën mbi Ibër në Mitrovicë.

KFOR-i njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, si dhe “integrimin gradual” të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit.

Teodosije ka kërkuar që KFOR-i të vazhdojë të ketë rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë në këto zona, duke argumentuar se niveli i besimit ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve mbetet i ulët.

Ernst e kishte vizituar Kosovën edhe në vitin 2021. Në një intervistë të atëhershme për Radion Evropa e Lirë, ajo kishte shprehur mbështetje për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt një ushtrie, për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe për një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo kishte paralajmëruar gjithashtu për rritjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Sébastien Gricourt: Në Kosovë, ju keni zhgënjyer shumë njerëz pasi atje të gjithë (përveç 4% të pakicës serbe) janë mbështetës të popullit ukrainas!

Sébastien Gricourt, që i drejtohet publikisht Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, është një ekspert dhe zyrtar francez i cili shërben si një pikë e rëndësishme lidhëse midis Francës dhe Kosovës, me një angazhim të gjatë profesional dhe personal në rajonin e Ballkanit që nga fillimi i viteve ’90.

 

I dashur President Zelensky,

Ndërsa bota demokratike ju admiron ju dhe popullin tuaj,

ne pyesim veten se çfarë shkuat të gjeni në #Beograd pranë autokratit #Vuçiç.

A ishit në mision për disa shtete anëtare të BE-së duke shpresuar më kot se #Serbia do të ndahet nga #Rusia (dhe #Kina) dhe do të sillej si një kandidat i ndershëm dhe i sinqertë për BE-në, siç është #Ukraina?

A jeni mirënjohës për disa municione që Serbia po u dërgon trupave tuaja ndërsa mercenarët serbë po i shërbejnë Rusisë kundër vendit tuaj?

Apo ndoshta keni pasur një objektiv tjetër…

Sidoqoftë, cilado qoftë arsyeja dhe strategjia shtetërore që kanë motivuar qëndrimin tuaj në Beograd, në #Kosovë, ju keni zhgënjyer shumë njerëz pasi të gjithë njerëzit e saj (përveç 4% të pakicës serbe) janë mbështetës të popullit ukrainas

(disa nga gazetarët tuaj janë madje të pritur nga Qeveria, dhe a e dinit se ka trajnime për çminim për djemtë tuaj në Kosovë?).

Gjithsesi, ne qëndrojmë me ju në solidaritet të plotë ndërsa të gjithë po luftojmë për një #Evropë të fortë, të lirë dhe demokratike.

Me respekt nga #Prishtina, nga një shtet i pavarur, një shtet që Ukraina një ditë do ta njohë plotësisht vlerat për të cilat po luftoni me guxim.

#slavaukraina

Haxhiu: Ideja e Serbisë për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, “qasje shoviniste dhe destabilizuese”

Radio Evropa e Lirë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si “absurde”, “kërcënuese” dhe qasje “shoviniste” idenë e përmendur sërish nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.

Duke folur më 10 gusht në Konferencën e Ambasadorëve të Kosovës, Haxhiu kërkoi që deklaratat e Vuçiqit të adresohen me partnerët ndërkombëtarë, duke paralajmëruar për pasojat që një ndërhyrje në rrjedhën e Ibrit do të mund të kishte për Kosovën.

“Siç e dini, (kanali i ujitjes) Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizim me ujë, për energjinë, bujqësinë, dhe jetën e qindra mijërave qytetarëve të Kosovës”, tha Haxhiu.

Haxhiu u kërkoi diplomatëve kosovarë që deklaratat e presidentit serb t’ua bëjnë të njohura qeverive të vendeve ku shërbejnë.

“Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar”, tha ajo.

Reagimi vjen një ditë pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se Serbia ka filluar punën konkrete në drejtim të kësaj ideje.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi Vuçiq më 9 gusht gjatë një vizite në një punishte në Beograd.

Tutje, Vuçiq ka folur sërish për këtë temë të hënën duke thënë se “nuk po kërcënon askënd, por se po merret me rrjedhat ujore në territorin e Serbisë”.

“Tani, natyrisht, shkencëtarët, inxhinierët dhe të gjithë të tjerët do të ulen, do ta shqyrtojnë çështjen dhe do të më propozojnë se si mund të realizohet kjo, dhe kaq. Unë nuk kam kërcënuar askënd. Nuk jam unë Kurti që t’i kërcënoj njerëzit. Nuk po kërcënoj askënd. Ne thjesht do të merremi me problemet tona. Ne kemi interesat tona dhe merremi me to”, tha Vuçiq për media, siç ka cituar media serbe, Tanjug.

Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re.

Në dhjetor të vitit 2024, pas shpërthimit që dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, Vuçiq kishte thënë se që nga viti 1985 ekziston një ide për ndryshimin e rrjedhës së lumit për nevojat e popullatës në Serbi.

Ai kishte thënë atëherë se vetë kishte qenë kundër saj.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas në Kosovë, ku mbush liqenin artificial të Ujmanit. Dy të tretat e këtij liqeni gjenden në territorin e Kosovës. Uji nga ky sistem furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, që prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët e intervistuar më herët nga Radio Evropa e Lirë kanë thënë se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundur, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do të dëmtonte Kosovën, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është palë e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin jo-navigacional të ujërave ndërkombëtare.

Ajo përcakton, ndër të tjera, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare dhe obligimin për të mos shkaktuar dëm të konsiderueshëm ndaj shteteve të tjera. Kosova nuk është palë e kësaj konvente, pasi nuk është anëtare e OKB-së.

KFOR-i nis “tranzicionin gradual” të pranisë nga ura mbi Ibër, Lista Serbe kundërshton

Doruntina Baliu

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka njoftuar se ka nisur “tranzicionin gradual të pranisë” së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, KFOR-i tha se ky hap po ndërmerret në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

“Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Sipas KFOR-it, ky proces “do të jetë gradual, në varësi të kushteve dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.

KFOR-i tha se edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, është informuar rregullisht për këtë proces.

Në përgjigjen e tij, KFOR-i siguroi se personeli i tij “është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it nga OKB-ja”.

“KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe në veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet”, thuhet tutje në përgjigjen e dhënë REL-it.

Më herët gjatë ditës, KFOR-i njoftoi se ka filluar “integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit”.

Policia e Kosovës deri më tani nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, nëse pjesëtarë të saj janë vendosur mbi urën e Ibrit dhe nëse do të vazhdojnë të jenë të pranishëm atje pas largimit të trupave të KFOR-it.

Ura kryesore, që që lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe, ka qenë në vazhdimësi vatër e tensioneve etnike.

Që nga përfundimi i luftës më 1999, ajo është ruajtur vazhdimisht nga trupat e KFOR-it.

Ndërkohë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka kundërshtuar tërheqjen apo çfarëdo zvogëlimi të pranisë së pjesëtarëve të KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër.

Në një komunikatë për media, kjo parti tha se ka kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, për t’ia përcjellë shqetësimet e komunitetit serb në veri dhe për të kërkuar ndaljen e kësaj mase.

Lista Serbe argumentoi se, për shkak të situatës politike dhe të sigurisë, si dhe tensioneve që në të kaluarën kanë shoqëruar zonën e urës, “çdo vendim për praninë e forcave të sigurisë aty duhet të merret me kujdes”.

Ajo gjithashtu pretendoi se Policia e Kosovës nuk e ka fituar besimin e serbëve në veri dhe tha se prania e KFOR-it në urë përbën “një faktor të rëndësishëm stabiliteti”.

Lista Serbe i bëri thirrje KFOR-it që të ruajë një prani adekuate në urën kryesore dhe të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka mirëpritur nisjen e procesit të largimit gradual të KFOR-it nga ura, duke thënë se me përmirësimin e situatës së sigurisë do të reduktohet edhe prania e Policisë së Kosovës.

Ai tha se procesi do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe paralajmëroi hapa të tjerë drejt hapjes së urës për automjete.

“Është një proces afatshkurtër, i cili do të ofrojë garancë për të gjithë se hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ ndaj askujt”, tha Sveçla për RTK Live.

Ura kryesore mbi lumin Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve në korrik të vitit 2024, gjë që kishte nxitur tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për hapjen e urës për trafik në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja parashihte revitalizimin e urës dhe largimin e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

Për të tejkaluar mospajtimet rreth interpretimit të marrëveshjeve të mëparshme, në vitin 2016 u dakordua një plan i ri zbatimi, sipas të cilit ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin përfunduan në qershor të vitit 2018. Megjithëse në projekt u investuan rreth 1.5 milion euro, ura nuk u hap asnjëherë për automjete dhe vazhdoi të përdorej vetëm nga këmbësorët.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, në një qytet që mbetet i ndarë etnikisht që nga lufta.

Konjufca reagon ndaj deklarimit të Zelenskyt lidhur me Kosovën

Radio Evropa e Lirë

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj deklaratës së bërë një ditë më parë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke shprehur keqardhje e duke theksuar se kundërshton paraqitjen e Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë.

“Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne e kundërshtojmë në mënyrë të vendosur çdo paraqitje të Republikës së Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë”, tha Konjufca në reagimin e tij në X.

Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, Zelensky tha se shteti i tij s’ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës dhe tha se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Udhëheqësi ukrainas tha se shteti i tij i është mirënjohës Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë – të cilën Rusia e ka aneksuar paligjshëm më 2014.

Konjufca u kundërpërgjigj ndaj kësaj deklarate, duke u shprehur se Kosova do të mirëpriste njohjen nga Ukraina, duke argumentuar se një vendim i tillë do të forconte parimet e lirisë, demokracisë dhe ligjit ndërkombëtar që “Ukraina po i mbron sot”.

Konjufca tha se shteti i Kosovës lindi nga lufta e popullit për liri dhe çlirimi i tyre më 1999 erdhi pas “vite të shtypjes sistematike dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviqit”.

“Ajo që pasoi nuk ishte një akt ankesimi, okupimi apo pushtimi territorial, por një proces gjithëpërfshirës ndërkombëtar nën administratën e Kombeve të Bashkuara dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar për statusin final të Kosovës”, tha Konjufca.

Ai tha se kur negociatat përfunduan, i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari rekomandoi pavarësinë si status final për Kosovën dhe paraqiti një kornizë gjithëpërfshirëse për shtetin e ri, që sipas tij, përfshin disa nga garancitë kushtetuese më të gjera në Evropë sa u përket komuniteteve joshumicë. Konjufca tha se shpallja e pavarësisë ishte kulmim i këtij procesi politik dhe historik, teksa kujtoi se më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Pikërisht për këto arsye, përpjekjet e Rusisë për të përdorur Kosovën si precedent apo si justifikim për pushtimin, okupimin ose përpjekjen për aneksimin e territorit ukrainas janë historikisht dhe juridikisht të pavërteta. Nuk ekziston një paralele e tillë”, tha Konjufca.

Presidenti rus, Vladimir Putin, në të kaluarën e ka përmendur disa herë Kosovën. Në prill të vitit 2022, Putin tha se nëse Kosova mundet të shpallë pavarësinë, pse nuk munden Donjecku dhe Luhansku, duke iu referuar dy rajoneve separatiste ukrainase, që Rusia në shkurt të atij viti i njohu si shtete të pavarura.

“Është fakt që shumë shtete perëndimore e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ne e kemi bërë të njëjtën gjë me republikat e Donbasit”, kishte thënë Putin 26 prill 2022 gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së.

Ai po ashtu e ka krahasuar edhe aneksimin e Krimesë nga Rusia me Kosovën.

Kosova vazhdimisht ka kundërshtuar këto krahasime.

Serbia refuzon të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe në Kushtetutën serbe, Kosova është ende pjesë e territorit të saj.

Konjufca po ashtu kujtoi se pavarësisht mosnjohjes, Kosova e ka mbështetur Ukrainën që nga dita e parë e luftës, e ka dënuar pushtimin, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ka ofruar ndihmë financiare dhe ka strehuar gazetarë ukrainas, si dhe ka ofruar trajnime ushtarake.

“Po aq e rëndësishme është të rikujtohet një dallim i qartë: përderisa Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Serbia nuk është përafruar me sanksionet e BE-së të vendosura në përgjigje të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha ai.

Në Prishtinë largohet flamuri ukrainas

Konjufca është zyrtari i parë qeveritar që reagon ndaj deklaratës së Zelenskyt në Beograd. Megjithatë, më herët gjatë 9 gushtit, Komuna e Prishtinës ndërmori një veprim për të kundështuar atë që udhëheqësi ukrainas tha.

Komuna e largoi një flamur të vendosur në qendër të qytetit, me mbishkrimin “Free Ukraine” (Liri për Ukrainën).

“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti, Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në një postim në rrjetet sociale.

Flamuri ishte vendosur në qendër të Prishtinës pas shpërthimit të luftës, në shenjë solidariteti me Ukrainën.

Rama tha se populli i Kosovës gjithmonë solidarizohet me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe persekuptim sepse “e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet”.

“Por, asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, shtoi ai.

Shqipëria i reagon Zelenskyt: Barazimi i Kosovës me një situatë tjetër ndërkombëtare është i gabuar

Lidhur me deklaratën e Zelenskyt ka reaguar edhe Shqipëria.

Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë e ka cilësuar të gabuar çdo përpjekje për të tërhequr paralele mes Kosovës dhe situatave të tjera ndërkombëtare.

“Nuk duhet të ketë asnjë keqkuptim në këtë pikë: çdo përpjekje për të tërhequr paralele apo për të barazuar Kosovën me ndonjë situatë tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe krejtësisht e pasaktë”, tha Ministria në reagimin e 9 gushtit.

Shqipëria tha se Kosova ka themelet e saj historike, politike dhe ligjore, duke kujtuar edhe një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) lidhur me vendimin e Kosovës për të shpallur pavarësinë më 2008.

“Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, GJND-ja ishte e prerë: shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës është një çështje krejtësisht tjetër. Ai përbën shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe një shkelje flagrante të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, u tha në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Sipas Shqipërisë, paqja në Ballkanin Perëndimor dhe e ardhmja evropiane e rajonit kërkon “pranimin e realitetit të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës”.

“Pavarësia e Kosovës ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe është pjesë e një të ardhmeje në të cilën kufijtë nuk ndryshohen përmes forcës dhe popujt e komunitetet mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri”, u tha në reagim.

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në BE, përsëriti qëndrimin se mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Tirana tha se është “e kuptueshme” dhe “legjitime” që vizita e Zelenskyt në Serbi, para së gjithash, i shërben interesave të Ukrainës. Megjithatë shtoi se çdo hap që i ndihmon Serbinë të largohet “nga ndikimi keqdashës i Rusisë dhe të afrohet me Evropën është pozitiv”.

Edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, Serbia për gati pesë vjet nuk ka hapur asnjë kapitull të ri negociues.

Dy muaj pas hapjes së kapitullit të fundit në negociatat për anëtarësim filloi lufta në Ukrainë, ndërsa Serbia nuk e harmonizoi politikën e saj të jashtme me bllokun për të sanksionuar Rusinë. Në atë kohë, kjo ishte arsyeja kryesore për ngecjen e negociatave të anëtarësimit, teksa ndërkohë Beogradi ka pasur përkeqësim edhe në fushën e sundimit të ligjit.


Send this to a friend