Pyeta një shoqen time amerikane se si quhej ambasadori i SHBA në Kanada. S’ia kam idenë-tha ajo. Pyeta një kolege kanadeze se mos e dinte ajo kush ishte. Kanadezja m’u përgjigj se nuk donte t’ia dinte fare. Kurse ne shqiptarët-u thashë-dimë pothuaj gjithçka për ambasadoren e USA në Shqipëri. Ajo është si një tip blogereje që kërkon audiencë, po jo duke reklamuar veshje a parfume, por duke promovuar moronizmin. Nuk ka lënë imbecil politik a shejtan publik pa u eglendisur mejhaneve e mejdaneve.
Ne shqiptarët sa herë që vjen koha të ndërrohen ambasadorët bëhemi pjesë e një vale shprese dhe idealizmash, shfaqim euforizmin e një bipolari që shpenzon gjithë energjitë në një kauzë. Kujtojmë se i dërguari apo e dërguara do bëjë hatanë me politikanët e korruptuar. Por shumë shpejt kalojmë në gjendjen tjetër emotive dhe sjellore duke rënë pre e zhgënjimit dhe mërzitjes.
Ambasadorët janë të gjithë njëlloj, hyjnë e dalin nga i njëjti thes që është interesi personal e politik. Kanë luajtur kulisash nëpër departamente për të kapur një post, kur e arrijnë shfrytëzojnë me ç’të munden pozitën e tyre të përfitojnë e të bëjnë dallavere me njerëz që u shkojnë pas si gjallesa inferiore apo si langonj vigjilentë. Thuhet se për Shqipërinë luhet fort në Departamentin e Shtetit, jo se po vdesin ta rregullojnë e t’u japin drejtim pisllëqeve të qeverisjeve mafioze, por se ka dalë nami se Shqipëria i pret ambasadorët si Messiah e i përcjell si Baronë.
Ç’është në fund të fundit një ambasador? Në gjuhën e thjeshtëzuar-një zyrtar i rëndomtë që duhet të merret me shkresa dhe ca “spiunllëqe” me fokus interesat e vendit që ai përfaqëson. Por këta ambasadorët e sotëm duket se janë larg diplomacisë, qëkur atë e kanë zëvendësuar me cicërima apo statuse rrjetesh sociale. Gjithë ecuria e tyre profesionale përmblidhet në shumën e postimeve. Madje kur bëjnë përmbledhjen mujore a vjetore, u referohen aktiviteteve të Facebook. Aty kanë arkivin e fotove të panumërta.
Se ambasadorët e paaftë kujtojnë se janë artistë të titulluar ambasadorë kulture dhe s’lënë event të fotografohen me soj e sorollop e mejhane pa u shtruar, për të thënë se janë në krye të detyrës, po shkrihen në terrenin, po bëhen njësh të fitojnë besimin e komunitetit.
S’ka gajle se i lahet e shpëlahet emri nëpër media apo se shkel sovranitetin e vendit ku po kryen detyrën, apo që nuk arrin minimalisht një marrëveshje mes vendeve të firmoset, një konflikt a situatë ndërvendesh të zgjidhet. Në fund të fundit, valixhja për fluturim sërish njëlloj do mbushet.
Shënim: Fjalët e huaja, kryesisht turqizmat janë përdorur qëllimisht për efekt stilistik dhe jo si mungesë e fjalëve respektive shqipe.
©JetaDedja, Flasshqip.ca
Urime nga zemra, e Nderuara Zonja Jeta, për këtë analizë mjaft objektive, në të cilën u keni nxjerrë bojën ambasadorëve të huaj, që e fillojnë mandatin në Shqipëri kur qafën e kanë si “fije bari” dhe kur e mbarojnë mandatin largohen për në vendin e tyre me qafën si të demit. Mirë bëjnë, përderisa kryepolitikanët shqiptarë, si servilë të regjur të të huajve, janë të zhveshur krejtësisht nga dinjiteti kombëtar. Ç’të bëjmë! Shqipëria është vend pa zot.
Me respekt dhe mirënjohje.
Eshref Ymeri