VOAL

VOAL

Akoma Denohen Nazistet Po Ne…??? Nga Leon Mirakaj

July 10, 2022

Komentet

Formula “Gjashtë minus një” ndaj Kosovës qëmoti po zbatohet, por me Gjermaninë duhet kujdes- Nga AUGUSTIN PALOKAJ

Gjeneratat e reja si ndaj punëdhënësve, ashtu edhe ndaj partnerëve janë mësuar se sa benefite ka kur thonë JO. Psikologët, këshilltarët dhe shkrimtarët e sociologët kanë bërë miliona duke shkruar libra apo disertacione për “Benefitet e të thanit JO”. Për gjeneratat e reja është e paimagjinueshme të rrinë në një vend pune për disa dekada. Është e paimagjinueshme të durojnë shefat apo të pajtohen me gjithçka që thonë të tjerët, vetëm pse ata kanë autoritet.

Kjo kohë ka shkuar. Duket se një ndryshim i tillë ka ndodhur edhe në Kosovë. Nga një gjeneratë politikanësh që ishin mësuar që për gjithçka të thonë PO kur kërkojnë miqtë ndërkombëtarë, tash kemi në pushtet një gjeneratë e cila për gjithçka po thotë JO. Dhe ata që kanë autoritet nuk e pëlqejnë përgjigjen JO, sado që mund ta kuptojnë pse dikush e thotë atë. Kosova e ka gjetur veten në një realitet mjaft të papërshtatshëm. Është në momentin kur po u thotë JO të gjithëve, edhe kundërshtarëve, por edhe miqve të Kosovës. Dhe vërtet duhet qeveria ta pyesë veten a ka mundësi që ajo të ketë të drejtë e të gjithë të tjerët ta kenë gabim? Sepse nuk janë më vetëm disa diplomatë amerikanë të zhgënjyer me veprimet e Kosovës, por të gjithë, bile edhe ata që janë në pension.

Nuk janë më vetëm disa vende të BE-së, por shumica e madhe. Nuk janë të pakënaqura me Kosovën vetëm 5 vendet që nuk e kanë njohur, pastaj Franca e Italia, por tash janë edhe Gjermania dhe Britania. Është e padrejtë dhe joparimore qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë, por kjo qeveri deri tash është dashur ta kishte kuptuar se në diplomaci nuk mjafton të kesh të drejtë. Duket se grupit të të zhgënjyerve me thënien JO për gjithçka nga ana e Kosovës i është bashkuar edhe Gjermania. Dhe kjo u pa qartë në një intervistë për “Interaktiv” në KTV nga i dërguari i posaçëm gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin.

Zhgënjimi i tij ishte aq i dukshëm, saqë kërcënoi Kosovën për izolim rajonal, duke e fajësuar për bllokim të CEFTA-s dhe duke paralajmëruar se, në rast se Kosova nuk pranon kompromis, mund të vazhdohet me formulën “gjashtë minus një”. Me fjalë të tjera do të vazhdohet pa Kosovën. Sarrazin në këtë intervistë u duk si një burokrat i BE-së, edhe pse fliste në emër të shtetit të tij. Kjo dëshmon se nuk ka më hapësirë për Kosovën që të llogarisë se dikush do t’i dalë në mbrojtje. Sepse nuk i ka më prapa Amerikën, Gjermaninë e Britaninë, për Francën e Italinë as të mos flitet, nuk mund të pritet që Kosovën ta mbrojnë disa parlamentarë apo analistë e NGO apo vende të vogla të BEsë.

Sepse, edhe nëse pajtohen se Kosova ka të drejtë, e në fakt Kosova ka të drejtë në të shumtën e rasteve, nuk do të dalin kundër vendeve të QUINT-it. Intervistën e Sarrazinit, sikur edhe bisedat që kanë pasur me të në të dyja vizita në Prishtinë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës duhet t’i marrin shumë, shumë, shumë seriozisht.

Të mos hyjnë më në aventura të spekulimeve se në emër të kujt flet ai, a ka aspirata ndoshta në diplomacinë e BE-së apo jo, a është kërcënimi i tij se do të vazhdohet pa Kosovën me pesë vendet e tjera të rajonit apo jo. Sepse Sarrazin është duke biseduar me aksionarët e Procesit të Berlinit dhe, përderisa të mos e zëvendësojë Qeveria e vendit të tij, flet në emër të Gjermanisë. Nëse Gjermania pajtohet se mund të vazhdohet me nismat rajonale pa Kosovën, atëherë Kosova nuk duhet të presë se do t’i dalë dikush në mbrojtje. As nga Shqipëria nuk do të ketë mirëkuptim për Kosovën e lëre më angazhim që të mos përjashtohet Kosova. Mali i Zi edhe ashtu mezi po pret që t’iu bashkohet nismave të udhëhequra nga Beogradi si “Ballkani i hapur”.

Se “Ballkani i hapur” udhëhiqet nga Beogradi e tha edhe Sarrazin. Pra, Shqipëria aty është vetëm në shërbim të legjitimimit të kësaj nisme. Ndërsa nga Bosnja edhe ashtu nuk ka çfarë të presë. Moldavia nuk e njeh Kosovën. Para ardhjes së kësaj qeverie kishin pranuar shumë më pak në CEFTA sesa që tash kërkohet. Kishin pranuar që Kosova përmes UNMIK-ut të marrë pjesë, në mënyrë që të përfitojë nga ky treg rajonal dhe të mos mbetet jashtë. Kërkesa e Gjermanisë është kompromis, nuk është në përputhje me aspiratat e Kosovës, e ndoshta i shkon më shumë në favor Serbisë. Por cila është alternativa? Kosova ka më së paku interes që të vihet në pikëpyetje Procesi i Berlinit. Sepse është i vetmi proces ku Kosova merr pjesë si e barabartë edhe në substancë, edhe në simbolikë. Është i vetmi proces ku Kosova merr pjesë si shtet, me flamur, dhe ku presidenti dhe kryeministrat e Serbisë dalin në foto pa kërkuar që të hiqet nga aty flamuri i Republikës së Kosovës.

Prandaj Beogradi ka më shumë interes të promovojë nismat si “Ballkani i hapur”, sepse aty Kosova nuk do të merrte pjesë si e barabartë. Sarrazin për herë të parë pranoi publikisht atë që të gjithë në Bruksel, Berlin, Tiranë e Beograd e dinë, se Gjermania ka qenë kundër nismës “Ballkani i hapur”. Edhe BE-ja ka qenë kundër, ndërsa mbështetja që ka shprehur komisioneri i BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi, ka qenë më shumë shërbim personal për presidentin e Serbisë, Vuçiç, me porosi të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban.

Beogradit prandaj do t’i shkonte në favor çfarëdo dobësimi i Procesit të Berlinit. E sa i përket qasjes “Gjashtë minus një” ndaj vendeve të rajonit, ku Kosova mbetet jashtë, BE-ja tashmë është duke e zbatuar. Vetëm Kosova ka masa ndëshkuese nga ana e BE-së, të cilat nuk do të hiqen. Edhe pse aty-këtu flitet se do të donte të hiqen masat, as Gjermania nuk është angazhuar në Bruksel që heqja të ndodhë. Dhe nuk do të ndodhë. Për më tepër mund të shtohen masat. Vetëm Kosova ka mbetur pa status kandidati. Vetëm kërkesa e Kosovës për anëtarësim nuk është shqyrtuar fare. Vetëm Kosova ka mbetur jashtë përfshirjes në Komitetin Politik dhe Social të BE-së, që është institucioni i parë i BEsë, i cili në gjirin e vet ka pranuar pjesëmarrës nga vendet e procesit të zgjerimit.

Vetëm për Kosovën, BE-ja pranon dokumente zyrtare të lëshuara nga një shtet tjerët me adresa të qyteteve të Kosovës si pjesë të atij shteti. Vetëm në rastin e Kosovës bashkësia ndërkombëtare pret që të thuhet PO për çdo kërkesë. Ndërsa kur Serbia thotë JO, atëherë kjo kuptohet si “vendim i një shteti sovran” dhe se BE-ja, Gjermania apo Franca “nuk duan t’i mbajnë ligjërata”.

Jo vetëm Franca e Hungaria, por tash edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania janë angazhuar që të relativizohet problemi i raporteve të mira të Serbisë me Rusinë. U pa kjo kur në mënyrë shumë arrogante Sarrazin iu përgjigj me kundërpyetje gazetarit të KTV-së kur u pyet për lidhjet e Serbisë me Rusinë. Ai e pyeti gazetarin se çka mendon Qeveria e Kosovës për interesin e Turqisë që të marrë pjesë në BRICS?

Një politikani të një shteti demokratik, ku dihet roli i mediave të lira, nuk duhet t’i ndodhë një gafë e tillë që për shkak të pakënaqësisë me një qeveri të vendit të tij t’i bëj pyetje gazetarit. Por është e vërtetë se përfitimet që po i bën Turqia duke mos mbështetur sanksionet ndaj Rusisë janë irrituese për BE-në dhe Turqia bën më shumë dëme sesa Serbia. Por çfarë faji ka këtu Kosova, e aq më pak gazetari kosovar? Por të gjitha këto duhen lënë anash. Dhe Kosova duhet ta kuptojë se ka pasoja serioze kur të gjithëve, për gjithçka iu thuhet JO. Tash Kosova është në atë moment.

Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit të Spaçit: Ndër burgjet shqiptare, aplikohej një model i importuar, si fillim nga Rusia, më vonë nga Kina dhe Kuba komuniste, i cili konsistonte…

Tiranë, 2018

(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

E kuptova, e donte për sinjal. “Edhe e keqja vlen ndonjëherë!”

“Vlen vërtetë”! – pohoi Jemini.

“Si the”?

“Zjarri i duhanit është sinjal i mirë”! – përsëriti.

“Edhe e keqja vlen ndonjëherë”, përsërita dhe shtrëngova dhëmbët mos të shprehesha me zë. Sakaq m’u kujtuan plakat e lagjes, që më këshillonin kur më shihnin me libër në dorë:

“Mbaj mendjen biro, kokërr gruri është e shkreta dhe ikën fiu, e s’kthehet më”! Shpuza ndriti si sy bishe.

Si nga fundi i pusit, u ndje një trok dhe feksën dy xixa.

“Xixëllima në terr”, m’u shkrep t’i vija një diçiturë poetike, çastit të trishtë. Sakaq xixëllimat, morën përmasat e dritave, teksa ne tundnim cigaret në hava.

“Dil jashtë shinave, o teleshman”! – kolegu më shtyu pas armaturës, ndërsa vagoni u plas mbi pritë.

“Të plasur i ke”? – m’u hakërrye një hije prej territ.

“I kenka mërzit jeta, or mik”! – tjetri.

“Jemi në hall, na doli vagoni nga pjatina dhe s’po gjejmë kandilat”, shpjegoi kolegu.

“Jemin, ti? Po ky derdimen ç’pati që na preu rrugën”?!

“Shyqyr që funksionuan frenat, se ike për lesh, or mik”! – dhe tundi një hu të gjatë.

“E ka sefte, është i ri”! – më justifikoi kolegu.

“Ah-ah, hap sytë he burrë, se ke me lan ashtat nji’tu”!

Iu futëm poshtë vagonit që dergjej në hendek, po s’e luajtëm dot.

“Ta shkarkojmë, sepse ku ka ngecur ky, s’e nxjerrim dot gjithë ditën”!

Hodhëm gurët mbi traversa dhe e ngritëm peshë, e vumë mbi shina, e ngarkuam sërish dhe u nisëm pas njëri-tjetrit. Tashmë traseja lartësohej, rrotat mezi bënin para, sa u detyruam t’i vinim shpatullat.

Dikur dolëm në diell, pas ndo nja njëqind metër, ndalëm buzë një grazhdi dërrasash, veshur me llamarina të zeza, që dëgjova t’i thoshin; “trimozha e planit të pjerrët”.

Emërtime të çuditshëm, si në gulagët siberianë: “baramina”, “pjatina”, “orti”, “trimozha”!

“Na shpëto, o Zot”! – u shpreha pa dashje.

“Lëri lutjet dhe hiq siguresën”! – më solli në vete kolegu.

Lirova një kllapë përfund kazanit, që u rrotullua në krah dhe gurët morën rrokullimën, duke u shukur mbi llamarinat e trimozhës, ku ngarkonin makinat me materialin që nxirrnim ne.

I rrëmbeva malit vagonin e parë, që në rrjedhën e viteve do pasohej nga mijëra të tjerë, me bakër e pirit…! Qysh nga ai çast, do isha kontribuues i çdoditshëm, në ndërtimin e socializmit.

Kësisoj, do jetësoja parullën e Partisë; “Një gram mineral, një plumb për armikun”, që xhelatët e Spaçit, e zbatuan qind për qind.

Cupili dhe bishti i gomarit

“Shpejt byrazer, na presin edhe gjashtë vagonë, përkundër do flemë në biruca”! – më shkundi ëndrrat Jemini dhe bëri për te stiva ku zgjodhi ca trupa, i ngarkuam dhe u kthyem në vrimën nga dolëm.

Tashmë duhej të rendnim të kapnim kohën e humbur, sepse deri atë orë duhej të kishim nxjerrë tre vagonë.

Në front, Arshini po eglendisej me sqepar, duke gdhendur do copëza druri, sa pëllëmba.

“Shtyn kohën”! mendova, por më pas mësova se me këto “kleçka”, tiksoheshin shtyllat e armaturës.

Me “kleçkat” apo “cupilat”, lidheshin shtyllat, duke i futur në ca kllapa të përgatitura enkas, krye trungut, ku vertikalja bashkohej me horizontalen, që dëgjova t’i thoshin “kapela”.

Prapë emra çudi, si: “Cupila”! “Cingla”! “Kut”! “Kut, e cingla”! “Kapela”! Kapelat dhe kokat tona! Bash mbi kokë, do na derdhej mali dhe ne duhej ta mbanim të tërin! Djall o punë, ç’koka hekuri duhej të kishim, për të mbajtur malin-kapelë”!?

Pra, cupilat i fiksonin në bigëzimin horizontal dhe i ngjishnin me mykën e sëpatës. Pasi u vinin sipër kapelën, shtrinin një sërë trungjesh apo gjysma, sipas vendit dhe i përforconin pas shkëmbit me bujashka, që të krijohej një masë solide.

Policët dhe brigadierët, cupilat verifikonin të parët, kur shkelnin në front. Nëse s’i forcoje sa duhej, të rikthenin nga e para dhe kur s’ua varje, kishe pasoja, gjer në një muaj izolim.

Miku im, Tomor Allajbeu, do ndëshkohej rëndomë për cupilat, bile teoria origjinale: “Cupili i përngjet bishtit të gomarit, sa i domosdoshëm për të trembur mizat, aq i panevojshëm, për të fshehur bajgat”, ishte bërë popullore në Spaç.

Një ditë Preng Rrapi, me brigadier Nduen dhe të dënuarin, Rrokun, kontrolluan ballin e frontit, ku punonte Tomori. Kur konstatuan cupilat që luanin në fole, e urdhëruan:

“Duhet m’u kthye nga e para”!

“Përse u dashka t’u kthehem”? – ua ktheu miku im.

“Sepse luajnë, eh burrë”! – polici tundi copëzën e drurit.

“E ç’farë se luajnë”?! – iu kthye Tomori.

“Fill mbas plasjes, kanë m’u shkapet përtokë”! – ndërhyri brigadier i lirë.

“Ktheu s’pari, në daç mos me u gdhi n’qeli, or tëj”! – polici tymosi trupat me flakën e kandilit. Tomori u nis, demek t’i riparonte, po i la sa iku eskorta.

Të nesërmen e kthyen te vendi punës dhe vajtën pikërisht te cupilat, që “damkosën” Tomorin: “Pse se ke shtrëngua cupilat, or tëj”? – iu shkrehën, kur panë se luanin mezi, si ditën e shkuar.

“Kush tha se s’i paskam shtrënguar”?!

“Pse mr m’than kush, kur i qyr vrt”! – ndonëse i tundi, s’mundi ti shkulte; – “Qyri si luajnë, bre”?

“I shoh”! – iu përgjigj Tomori i qetë.

“Ne nesri, ke m’i gjet n’tokë”! – iu trys polici.

“Kur s’ranë sot, pse do bien nesër”?

“Lujnë, he burrë”! – iu hakërrye Prenga.

“E pastaj”?!

“Kanë m’u shkalafit, qe besa”!

“Edhe bishti i gomarit, tundet dhe shkundet, po s’këputet! Ke gjetur ndonjë bisht udhëve zotërote”? – ia pati Tomori, po e pagoi këtë shaka, me një muaj birucë.

Nxorëm vagonin e dytë, të tretin, të katërtin, gjer te i fundit, që pothuaj, e komandova vetë.

Më dhembte shtati, sidomos pulpat. Po puna s’përfundonte me aq, trupat që përgatiti Arshini, teksa mbushnim dhe shtynim vagonët, duheshin ngritur dhe përforcuar, që të formonin një strehë të sigurt. Gërryem gropëza enkas rrëzë shkëmbit, i fundosëm shtyllat dhe i fiksuam kundruall njëra-tjetrës, në një lartësi, që kllapat të orientoheshin kur të vinim “kapelën” dhe të flinin, si të qenë derdhur në kallëp.

Zanatçinjtë i kombinonin vrimat e bigëzimit, sa s’kishin nevojë të përdornin forcë, cupili puthitej edhe me dorë. Kur mbaruam me trupat, nisëm mbushjen nga qendra e “kapelës”, duke u shmangur anash te cupili, mandej pas shtyllave.

Meqë gjysmë-trungjet zinin shesh dhe s’luanin, na voliste t’i çanin jashtë, që t’i kishim gati kur nevojiteshin, por ky proces kërkonte ustallëk, ndaj pa dashje, u bëmë edhe druvarë.

Teksa ngrinim armaturën, Arshini fiksoi martelin mbi aksin metalik e birat. Tashmë ajri i komprimuar, shfryu tymin duman. Maska më pengonte frymëmarrjen, sytë më përcëllonin, por puna duhej vënë para, sepse vinin zjarrmëtarët të mbushnin birat me dinamit, për plasjen e turnin pasardhës.

Kush s’e kapte ciklin, përfundonte i lidhur pas shtyllave, kurse përsëritësit i shtronin në “zdrukth”, në dhomën e operativit dhe mandej i dënonin; shtatë, gjer në një muaj, birucë. Në fund të turnit, u ndjeva i kapitur…!

Pak historik për pajimet dhe ushqimin, astronautë, nga halli!

Veshjet si praktikë tropikale dhe subtropikale. Në Spaç na veshën më trashë, për të na shfrytëzuar më gjatë. Ndër burgje, aplikohej një model i importuar, si fillim nga gulagët e Rusisë, më vonë nga Kina dhe Kuba komuniste, vende që mbështetnin politikën ekstreme marksiste-leniniste dhe eksportuan gjethen e bananes, tipike për klimën tropikale e subtropikale, që konsistonte në norma të reduktuara; posaçërisht në veshje të lehta dhe ushqim i përkorë.

Norma përfshinte dy kostume doku në vit, një peliçe ngjyrë kafe në tre vjet, mbushur me mbeturina pambuku (në Kinë thoshin se iu ngjishnin gëzhuta orizi, në Kubë, mbeturina kallam sheqeri), dy palë benevrekë dhe dy këmisha puplini të ashpër, që të gërryenin lëkurën si letër zumpareje, dy palë pece, prej së njëjtës cohë, një palë opinga llastiku, mbetje gomash të përdorura dhe mbyllej me një kapë të qepur me dorë, nga coha e peceve, që s’ishte e parashikuar në normë, por e kishin lejuar, në respekt të kapelës ala-Lenin, ala-Mao apo të sombreros ala-Fidel.

Me këto pupla, duhet të kishim vdekur, po robi iu përshtatet kushteve. I veshur kësisoj, iu përgjisnim kalorësisë mongole, që kujtohen si formacione të armatosur lehtë, po shumë të manovrueshëm dhe tepër efikas në sulmet e befta, si dhe mjaft të shkathët në tërheqje; edhe ne, të rrahur nga acari dimëror, ishim përherë në gjendje alarmi dhe makthi.

Në Spaç, veç normës së mësipërme, shtuan edhe një mbi-normë, ase e dobishme brenda galerive, por e pavolitshme jashtë vrimave.

Na pajisën me një kostum peliçe, natyrisht s’bëhej fjalë për gëzof të çmuar kafshësh, por pantallona dhe xhup doku, mbushur me pambuk dhe rrahur me tegela paralel. Siç e përmenda më lart, për mbushje përdornin mbeturinat e punishtes së zhveshjes së pambukut në Rrogozhinë apo Fier, shpesh me fara, sa joshnin minjtë, të bënin tunele brenda rropullive. Kush e ruante në thasë këtë palo veshje, i kish qëlluar të gjente koloni miushësh.

Kur e dëgjova së pari e mora hiperbolë; por duke lenë mënjanë sarkazmën, po i referohem rastit tim: një muaj të tërë pantallonat e këtij palo kostumi, ma bënë pulpën gjak. Fillimisht e mora për ndonjë problem dermatologjik, si pasojë e ujit të piritit, apo kërpudha e bacile të minierës. Diçka e mprehtë më bezdisi aq shumë, sa një ditë vendos t’i çaja dhe, ç’gjeta do thoni ju? As më pak, as më shumë, një grusht rrodhe, që m’i bënë gishtat gjak.

Ndërsa në vend-grumbullimin e plehrave, në rrëpirën nën nevojtore, një verë më zuri syri një bimë pambuku me lule. Çudi, fara e kish ruajtur vitalitetin dhe kish mbirë bash nën mezhdë! Kjo e papritur e paimagjinuar, desh i hëngri kokën mikut tim, Hajdar Qerretit, që i hutuar pas bimës fletë-gjerë dhe lules së bardhë, kujtoi se gjendej në fshatin e vet, ku bima arrinte rendimente rekord. I qorrollisur nga mrekullia, u var teposhtë rrokullimës.

“Për ku kështu Hajdar”? – e shkunda dhe e tunda, që ta sillja në vete. Ai u step, po kur e tunda së dyti, u përmend.

“Ku jemi, xhanëm”? – u trand kokë e këmbë, myzeqari.

“Në Spaç, or mik”!

“Po pambuku ç’kërkon këtu”?!

“Do ta kenë sjellë për riedukim, ose në stazh partie”!

“I ngrënçin dreqërit, duan ta shpërndajnë farën e kuqe kudo”!

“Pambuku është i bardhë, o Hajdar”! – e ndërpreva me të qeshur.

“Të më falë, po e kanë futur ofsajd, s’është në atdheun e vet”! – dhe e kaploi melankolia.

Na jepnin edhe një xhaketë doku, me një cipëz zifti, që i thoshin mushama. Më pas shtuan edhe një palë pantallona, rritën disi cilësinë, po sërish coha, ishte dok i gomuar.

Uniforma kompletohej me dy palë dorashka dhe dy palë çorape leshi i pakrehur, prodhime të Kombinatit Tekstileve “Stalin”, si dhe dy palë çizme llastiku të N.I.SH., “Goma” Durrës dhe mbyllej me kapën e kartonit, një imitim sholle, pa pikë cilësie. Ky vandak petkash, i shndërroi thatanikët në bullafiqë, sa me zor hidhnin këmbët.

Të zhytur në karkasat e stërmëdha, të kujtonin kalorësit nomadë, me kalë dhe parzmore bronzi, me ushta të gjata e topuzë gjemb mëdhenj, me mburoja gjigante dhe shpata të rënda, sa iu lypeshin tre veta, për t’i hipur dhe zbritur nga kuajt, po në përleshje, iu gjeje pak, apo aspak, pika të pambrojtura.

Kësisoj, mjeranët e këtushëm të ngjallnin mëshirë. Niseshin pesëdhjetë kilësh në punë, te hyrja e minierës peshonin shtatëdhjetë dhe kur dilnin e kalonin qindin.

Në këtë tjetërsim, ndikonte ajri i ngarkuar me lagështi dhe me elementë të huaj, veçanërisht pluhuri silikat, plus acetilenin, që çlironte karbiti dhe gazrat e tritolit të padjegur, të squfurit dhe fosforit, që emetonte minerali i piritit dhe i bakrit; gjer te mikroorganizmat kërpudha-baktere, që zhvilloheshin nga shpërbërja e mbetjeve biologjike të lëndës drusore, shto lagështirën që kapte nivele rekord, sa shpesh tejkalonte nëntëdhjetë, madje edhe njëqind për qind të kapacitetit, sepse kish tavane që kullonin, po kishte të veçantë që rridhnin paprerë; kjo tërësi faktorësh, i shndërronte të sapo-dalët nga nëntoka, në dordolecë që kullonin ujë.

Duke synuar shfrytëzimin sa më gjatë të kapaciteteve fizike, shtuan normën e veshmbathjes, apo siç ironizonte doktor Astrit Delvina, kur na shihte veshur asisoj: “Na hodhën vellon, për në Had”!

Për të kapur kulmin e rendimentit dhe tejzgjatjen e afateve të kondicionit fizik, mekanizmave-skllevër, iu duhej shtuar pakëz “tagjia”.

Si zakon, në burgje zbatonin dietë spartane dhe norma të reduktuara. Nëse gjetkë kursenin në sasi dhe cilësi për të perfeksionuar linjat e armiqve potencialë të regjimit, në Spaç, ndryshonte kryekëput, armiqtë duheshin veshur dhe ushqyer më ndryshe, që të ishin më të shëndetshëm, për t’i kthyer në të dobishëm dhe kontribuues, në prosperimin e socializmit; paçka se më pas i linin të ngordhnin si qen të zgjebosur dhe i groposnin, si të tillë, në varret pa emër.

Me ç’kisha lexuar në Reps, e kam fjalën për normativën e rregullores e llogaritë në letër, porcioni ditor i një të dënuari, përmblidhej në njëzet e dy lekë të vjetër. Por…, ah-ah, realiteti ndryshonte kryekëput!

Le t’ju referohemi letrave. Shtoji shumës më sipër edhe ca shpenzime plus, si: trajtimin me veshmbathje, barnat për shërbim mjekësor, pagesat e policëve dhe ushqimi gratis, për ushtarët e shërbimit të detyruar, llogaria dyfishohej, po s’arrinte as çmimin e një plumbi, që kushtonte tetëdhjetë lekë të vjetër dhe i derdhnin pa hesap, për të terrorizuar apo vrarë ndonjërin.

Meqë s’kam shkëlqyer në shifra dhe mund të bije në gabime trashanike, po ja lë fjalën mikut tim, Ismet Boletinit, teksa po orvatem të jap recetën ditore, që mund t’iu shërbejë si hajmali dietologëve të sotëm, për ta përdorur te pacientët me dhjamëra të tepërt.

Heqja dorë vullnetarisht nga autorësia e studimit, më jep të drejtën të kaloj direkt në shifra: Dieta ditore për punëtorët përfshinte tre vakte dhe për mbetjen, dy. Pra “parazitët”, kategori ku gruponin të moshuarit, të sëmurët kronikë, të ndëshkuarit në qelitë e kampit, të izoluarit në paraburgime, etj., me një fjalë gjithë ata që s’punonin, për një shkak apo tjetër.

Meqë Partia që na garantoi ushqimin falas, quhej “e Punës”, po e nis me punëtorët që i donte veçan, paçka se shpesh i mbyste nga “dashnia”, bash si nëna e dhembshur, që shtrëngon fëmijën, gjersa…i merr frymën. Punëtorët gëzonin shtatëqind gramë bukë, ndonëse për muaj merrnin katërqind gramë dhe mbetjen, patate të ziera, por në këtë pike, autoritetet i referoheshin porosisë së vyer të “Mësuesit të Ndritur”, shokut Enver, që predikonte: “Patatja, është bukë dhe gjellë”! Memorie.alNga Shkëlqim ABAZI

Hetimet – ‘SPAK shumë i vonuar’- Lala: Ka drejtorë të tjerë të implikuar te 5D! Erion Veliaj nën hetim familjarisht

Gazetarja Klodiana Lala ka folur për hetimet që po zhvillohen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.

E ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’, Lala tha se hetimet për inceneratorin e Tiranës nuk kanë përfunduar ende, megjithatë e konsideori mjaft të avashtë punën e SPAK.

Gazetarja shpjegoi udhëzimet e gjykatës që SPAK të hetojë edhe drejtorë të tjerë të Bashkisë, ndërkohë që sqaroi se vijojnë hetimet për pasurinë e Veliajt, vëllait të tij, Arbër Veliaj dhe familjarëve të tjerë.

Lala: Hetimi për inceneratorin e Tiranës po vijon dhe nuk ka përfunduar. Por mendoj se Prokuroria e Posaçme është shumë e vonuar. Hetimi për Veliajn është gur prove për SPAK. Korrupsioni për inceneratorin bërtet. Nuk ka incenerator, Tirana është mbushur me plehra. Kemi një zv.kryeministër në arrati, një ish ministër dhe ish deputet në qeli, disa të dënuar dhe disa nën hetim. Kemi Taulant Tushen, një nga më të besuarit e Veliajt në qeli. A është Veliaj i pa implikuar, për sa kohë ka shkresa nga ana e tij? Dyshoj që Veliaj duhet të hetohet dhe të shihet përgjegjësia e tij. Pse e ka vonuar prokuroria? Nuk e di, duhet ta shpjegojnë prokurorët.

Nëse marrim Rexhë Byberin, që është në arrest shtëpie për disa kilometra rrugë, ndërkohë nga ana tjetër, kemi miliona euro të hedhura në incenerator që nuk ekziston dhe Veliaj pa masë sigurie, kjo kërcet dhe bërtet, njerëzit e kuptojnë shumë qartë.

Kryeministri mund të jetë duke ushtruar ndikim nga prokurorisë, për ta mbyllur këtë çështje.

Pavarësisht se SPAK ecën me hapa të avashtë. Kemi edhe çështjen 5D. Kam lexuar një vendim të fundit. Gjykata e Apelit të Posaçëm, ka analizuar cështjen dhe ka kuptuar që jo vetëm zyrtarët e arrestuar, Redi Molla dhe Qato, pronarët de facto të 5D, por rezulton se edhe të tjerë, si Elton Kacidhja, ka po ashtu dhjetëra komunikime për dy vite e gjysmë me pronarin de jure të 5D, Nestor Muhametllari. Gjyakta i lë detyrë prokurorirsë dhe i thotë, në disa raste Kacidhja ka qenë Autoritet Kontraktor, ka patur kontakte me administratorin, ose pronarin në letra të kompanisë. Atëherë gjyakta thotë hetoni!

Po ashtu vëllai i Taulant Tushës, rezulton të ketë patur komunikime me pronarin në letra të 5D, madje ka momente interesante dhe media hesht, sa Nestor Muhametllari thotë, “ata të bashkisë do të na hedhi paratë dhe do të jap dy një dhjetëshe”. Pra duke vijuar hetimi dhe duke lënë detyra, duket se prokurorët po shkojnë në drejtim të zotit Veliaj. I vetmi njeri që nuk del në komunikim me Muhametllarin është Veliaj, por të gjithë vartësit e tij janë në komunikime direkte me Muhametllarin.

Aty del, Tivari, drejtor tjetër, që rezulton me problematika për një sipqërfaqë toke me origjinë të paqartë.  Ajo që nuk dimë të qartë, është hetimi pasuror ndaj Veliajt, vëllait të tij dhe familjarëve. Sa i përket kompanive të Arbër Veliajt, prokuroria ka marrë të gjithë dokumentat, jo vetëm për atë por edhe aktivitetin e zonjës Xoxa. Pra mbetet e paqartë aty sepse po priten të dhëna nga jashtë vendit.

Janë të gjithë duke pritur ecurinë e hetimeve, por SPAK duhet të veprojë me shpejtësi pasi nuk është çështje dosido. Është nga çështjet më të rëndësishme. Veliaj është kandidati potencial për të pasuar zotin Rama, në këtë kuptim nëse amnistohet, nëse prokuroria e amniston, mund të jetë rrezik më i shtuar.

Draghi, reforma dhe 800 miliardë euro në vit ose nuk do të mbijetojë

Ekonomikisht, Evropa po humbet terren ndaj Shteteve të Bashkuara dhe po bëhet gjithnjë e më e varur nga Kina, paralajmëroi Mario Draghi të hënën. Në raportin e tij të shumëpritur, ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) dhe ish-kryeministri italian rekomandoi, në veçanti, nxjerrjen e një borxhi të ri të përbashkët për të financuar më mirë inovacionin, tranzicionin e gjelbër dhe mbrojtjen.

Duhen 800 miliardë në vit, më shumë se Plani Marshall

“Nevoja për investime është e madhe,” këmbënguli ai në një konferencë shtypi në Bruksel, duke përmendur shifrën prej 750-800 miliardë euro në vit (më shumë se plani Marshall i SHBA-së që mbështeti Evropën pas Luftës së Dytë Botërore). “BE duhet të frikësohet vërtet për mbijetesën e saj” Me rastin e prezantimit të raportit para Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Draghi bëri thirrje për një “ndryshim rrënjësor” drejt një integrimi më të madh evropian dhe më pak kompleksitet burokratik. “Për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, (Bashkimi Evropian) me të vërtetë duhet të frikësohet për mbijetesën e tij dhe nevoja për një përgjigje të bashkuar nuk ka qenë kurrë më e madhe,” tha ai.

Të zbatosh marrëdhënien apo të vdesësh?

“Më shumë se çdo gjë do të thosha zbatoni marrëdhënien ose dorëzoheni në një agoni të ngadaltë”, tha Draghi në përgjigje të një pyetjeje gjatë prezantimit të tekstit. “Imazhi i një vdekjeje të menjëhershme është mashtrues, do të gjejmë veten në një skenar të një shoqërie që po tkurret, edhe nga pikëpamja demografike. Unë do t’ju jap një shembull: të ardhurat e disponueshme në SHBA janë dyfishuar në 20 vitet e fundit në krahasim me Evropën, dhe unë mund të vazhdoj”.

BE-ja duhet të “vazhdojë lëshimin e instrumenteve të përbashkëta të borxhit”

Pas suksesit të planit historik të rimëkëmbjes prej 800 miliardë eurosh pas COVID 19, BE-ja duhet të “vazhdojë të emetojë instrumente të përbashkëta borxhi për të financuar projekte të përbashkëta investimi që synojnë rritjen e konkurrencës dhe sigurisë së BE-së”, tha ai, duke nënvizuar ekonominë

“Hendeku” që është zgjeruar me Shtetet e Bashkuara dhe nevojën për t’u çliruar pjesërisht nga Kina për të zhvilluar energjinë e rinovueshme. Inovacioni, dekarbonizimi dhe konkurrueshmëria Evropa do të duhet të “përshpejtojë inovacionin”, veçanërisht në sektorin dixhital, të nisë një “plan të përbashkët për dekarbonizimin dhe konkurrencën” dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga disa lëndë të para të dominuara nga kinezët dhe teknologjitë kryesore. Megjithatë, ideja e një kredie të re të përbashkët, të mbështetur nga Franca, mbetet një vijë e kuqe për shumë vende të Evropës Veriore, si Gjermania dhe Holanda, të cilat kanë frikë se do të duhet të kontribuojnë më shumë për të kompensuar mungesat e vendeve të Evropës Jugore.

Mario Draghi pranon se një projekt i tillë do të jetë i mundur vetëm “nëse plotësohen kushtet politike dhe institucionale”. Së pari, ai thekson nevojën për të mobilizuar kapitalin privat për të financuar inovacionin përmes krijimit të një “Unioni të Tregjeve të Kapitalit”. Huaja e përbashkët “është një mjet ndër të tjera, nuk është një objektiv në vetvete”, shpjegoi ai. Kritika për rritjen e përdorimit të ndihmës publike kombëtare Ai kritikoi edhe rritjen e përdorimit të ndihmës publike kombëtare, e cila vitet e fundit ka favorizuar kompanitë nga vendet e mëdha në dëm të atyre më të voglave. “Kjo vetëm sa ka rritur fragmentimin e tregut të vetëm,” shprehu keqardhjen ai. “Që nga viti 2000, të ardhurat reale të disponueshme për frymë janë rritur pothuajse dyfish në Shtetet e Bashkuara në krahasim me Evropën”, paralajmëron ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane (ECB) në dokumentin 400 faqesh të porositur nga Ursula von der Leyen.

Ky i fundit deklaroi se propozimet e Draghit “do të pasqyrohen” në udhëzimet e Komisionit të ri për pesë vitet e ardhshme, kur ai të prezantojë ekipin e tij të ri këtë javë, por nuk mori idenë e një borxhi të përbashkët, përkundrazi duke iu referuar “Kontributet kombëtare” ose “burimet e veta” të reja për të ushqyer buxhetin e BE-së. Ngadalësimi i produktivitetit kërcënon modelin social Bashkimi Evropian është zhytur në stanjacion ekonomik për një vit e gjysmë dhe e ka kapërcyer krizën e shkaktuar nga pandemia e vitit 2020 më pak se Shtetet e Bashkuara, siç ka ndodhur tashmë me krizën financiare të vitit 2008, Draghi nënvizon se ky ngërç është “kryesisht për shkak për një ngadalësim më të theksuar të produktivitetit në Evropë” dhe paraqet një kërcënim për modelin e saj social.ANSA/AP/ATS/RSI

Beogradi bllokon hyrjen në BE për Ballkanin Perëndimor- Nga Janusz Bugajski

Në fushatën e saj për të ushtruar dominimin serb në Ballkanin Perëndimor, qeveria Vuçiç po bllokon përparimin e rajonit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Beogradi llogarit se anëtarësimi në BE për çdo shtet fqinj do të zvogëlojë ndikimin e tij, do të rrisë pabarazitë ekonomike me një Serbi të ndenjur dhe do të rrisë rolin e vendeve që luftojnë ndikimin rus në Evropë.

Objektivat kryesore të Beogradit në fushatën e tij kundër anëtarësimit janë Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi. Në të njëjtën kohë, Kosova është vazhdimisht nën presion për të provokuar qeverinë e saj, për të ndezur mosmarrëveshje me zyrtarët e BE-së dhe për të thyer shtetin në mënyrë që të mos mund të kualifikohet për hyrjen në BE në të ardhmen. Në Bosnje, entiteti serb nuk është thjesht një shkallë për të mbledhur një Serbi më të madhe, por është gjithashtu një mjet për të minuar qeverinë qendrore në Sarajevë dhe për të penguar shtetin nga ndjekja e ambicieve të saj për BE. Republika Srpska mirëpret fondet e BE-së për ta mbajtur atë në këmbë, por nuk do ta lejojë Bosnjën të arrijë të gjitha kriteret për anëtarësim.

Edhe pse Bosnja ka qenë kandidate për hyrje në BE që nga viti 2022 dhe Brukseli ka rënë dakord në parim për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, jo të gjitha kushtet e vendosura nga Komisioni i BE-së janë përmbushur. Duhet pritur vonesa të mëtejshme pasi përfaqësuesit e RS dhe bashkëpunëtorët e tyre nacionalistë kroatë mund të bllokojnë reformat e nevojshme ose të krijojnë polemika të reja për të vonuar procesin. Beogradi dhe Banja Luka kanë arritur në përfundimin se hyrja e Bosnjës në BE do të mposhtte objektivin e tyre për të ndarë plotësisht shtetin.

Beogradi është gjithashtu i vendosur të mbajë Malin e Zi jashtë BE-së, veçanërisht pasi vendi është tani kandidati kryesor rajonal për pranim. Qeveria e koalicionit në Podgoricë përmban nacionalistë serbë, të cilët kanë frikë se pavarësia e Malit të Zi do të forcohet përmes hyrjes në BE dhe ekonomia e tij do të rritet përmes financimit më të gjerë të BE-së dhe investimeve të huaja. Kjo do të minonte narrativën se lidhjet e ngushta me Serbinë dhe Rusinë i sjellin dobi Malit të Zi.

Ndër taktikat për të penguar përparimin e Malit të Zi në BE, parlamenti i vendit, në maj, miratoi një rezolutë për gjenocidin që barazonte kampet e përqendrimit gjerman dhe kroat të Luftës së Dytë Botërore. Ky veprim zemëroi qeverinë kroate. Zagrebi pretendoi se qëllimi nuk ishte për të nderuar viktimat apo për të nxitur pajtimin, por për të fituar pikë politike për partitë serbe në Mal të Zi. Rezoluta u propozua nga Andrija Mandiq, kryetar i Kuvendit dhe lider i partisë Demokracia e Re Serbe, e cila mban lidhje të ngushta me Vuçiqin. Miratimi i rezolutës ishte kusht për vazhdimin e mbështetjes serbe për qeverinë e koalicionit.

Beogradi llogarit se lëvizje të tilla provokuese nga Podgorica do ta bindin Zagrebin të bllokojë rrugën e Malit të Zi drejt BE-së. Rezoluta u hartua gjithashtu për të minimizuar ose kontekstualizuar gjenocidin e Srebrenicës dhe në këtë mënyrë të dëmtojë marrëdhëniet me komunitetin boshnjak. Kjo mund të nxisë tensionet rajonale me Kroacinë dhe Bosnjën nga të cilat vetëm Serbia do të përfitojë. Provokime të tjera nga partitë serbe mund të priten në muajt e ardhshëm për të penguar procesin e hyrjes së Malit të Zi në BE.

Vetë Serbia nuk ka perspektivë realiste për anëtarësim në BE, veçanërisht për shkak të mohimit të pavarësisë së Kosovës dhe pozicionit të saj pozitiv ndaj regjimit të Putinit. Në të vërtetë, Beogradi vazhdon të skualifikohet duke kultivuar lidhje më të ngushta sigurie dhe ekonomike me Moskën. Gjatë një takimi të fundit me Putinin në Vladivostok, zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandar Vulin pohoi se Serbia nën Vuçiq nuk do të vendosë kurrë sanksione ekonomike ndaj Rusisë, ajo kurrë nuk do të bëhet anëtare e NATO-s dhe nuk do të lejojë kurrë që të ketë veprime “anti-ruse”, kryer nga territori i saj. Në përkthim, kjo do të thotë se Beogradi do të lejojë përmbysjen, korrupsionin dhe ofensivën e informacionit të Kremlinit nga Serbia kundër fqinjëve të saj. Vulin madje tregoi nënshtrimin e tij ndaj Putinit duke pretenduar se Serbia nuk do të ekzistonte pa Rusinë.

Zyrtarët e BE-së e kanë bërë të qartë se lidhjet intime të Serbisë me Rusinë janë të papajtueshme me vlerat e Bashkimit dhe me procesin e anëtarësimit për vendet kandidate. Në veçanti, lavdërimi i vrullshëm i Vulinit për një regjim gjenocidal zmbraps anëtarët e BE-së që përballen me kërcënimet e Moskës në baza ditore, si Polonia dhe tre shtetet baltike. Ndërsa Vuçiq mbetet në pushtet, Serbia nuk do të pranohet për anëtarësim në Union. Prandaj, Beogradi është i vendosur të parandalojë anëtarësimin në BE të fqinjëve që pretendon se janë pjesë e Serbisë dhe si rrjedhim një komponent i “botës ruse”.

SHBA trajnon ushtarë për t’i nisur drejt Kosovës: Siguria dhe stabiliteti i rajonit janë të një rëndësie strategjike

Faqja e përfaqësisë së Ushtrisë së SHBA-së në NATO ka publikuar një njoftim për ushtarët-qytetarë amerikanë të cilët do të marrin rrugën për të shërbyer në Kosovë, shkruan Gazeta Express.

Anëtarë të Gardës Kombëtare të Idahos do t’i bashkohen misionit të KFOR-it në Kosovë dhe para se t’i bashkohen misionit të NATO-s në Kosovë për një vit, ata do të trajnohen në Teksas.

Në njoftimin për ushtarët amerikanë që do t’i bashkohen KFOR-it, misioni i SHBA-së në NATO ka theksuar se siguria dhe stabiliteti i Kosovës dhe rajonit janë të një rëndësie strategjike për NATO-n.

“Siguria dhe stabiliteti i Kosovës dhe i rajonit të Ballkanit Perëndimor janë të një rëndësie strategjike për Aleancën”, ka shkruar Misioni i SHBA-së në NATO.

Për këtë ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se njerëzit e Kosovës iu urojnë mirëseardhje ushtarëve amerikanë me zemra të hapura.

“Ne jemi falënderues për shërbimin dhe përkrahjen e çdo amerikani që shërben në vendin tonë dhe përkrah nesh”, ka shkruar Osmani./GazetaExpress/

Të gjithë e njohin si qyteti i dashurisë por sondazhi i fundit e rrëzon Parisin nga “froni”, ja kush e zëvendëson!

Parisi nuk është qyteti i dashurisë, të paktën kështu thotë se sondazh i fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

parisi

Mbi 2 mijë amerikanë janë pyetur për destinacionin më romantik dhe shumica prej tyre (34%) janë përgjigjur për Maui në Hawaii.

Por pavarësisht kësaj, ka ende shumë persona, rreth 33 % e të anketuarve që janë të mendimit se Parisi i ofron intimitetin që ata duan.

Rezultatet e anketës treguan gjithashtu se të preferuar janë edhe destinacionet piktoreske si Roma me 29 % apo Santorini me 11 %.

Të tjerët shikojnë vendet bregdetare dhe si Kankun, Meksikë (19%), Kosta Rika (13%) dhe Ishujt e Virgjër Britanikë (12%).

DESTINACIONET MË ROMANTIKE PËR TË VIZITUAR ME PARTNERIN/EN

  1. Maui, Hawaii – 34%
  2. Paris, Francë – 33%
  3. Romë, Itali – 29%
  4. Venecia, Itali – 27%
  5. Kankun, Meksikë – 19%
  6. Toskana, Itali – 16%
  7. Kosta Rika – 13%

Monitor: Turizmi, suksesi zhgënjyes i verës

Shqipëria, e kthyer në një destinacion viral gjatë vitit 2023, ka arritur të tërheqë pranë vetes edhe më 2024 një numër të konsiderueshëm turistësh që sidomos në periudhën janar-maj krijoi idenë se vera do të ishte një sukses i padiskutuar.

Por duket se pritshmëria dhe realiteti nuk arritën të materializoheshin plotësisht, duke krijuar një efekt disi zhgënjyes për sezonin veror ku muajt qershor, korrik dhe më pak gushti kanë shfaqur luhatjet e tyre.

Në terma të flukseve turistike, shifrat zyrtare raportojnë se kemi më shumë turistë, në terma të konsumit dhe qarkullimit të përgjithshëm, trendi është i kundërt, të paktën nga ajo që thonë strukturat akomoduese dhe bar-restorantet.

Për korrikun, shifrat zyrtare tregonin se hyrjet e shtetasve të huaj ishin me rritje vetëm 2.7%, teksa të gjithë muajt paraardhës ishin me rritje dyshifrore me një rekord të shkurtit kur rritja ishte 55.35% në raport me shkurtin 2023.

Kjo konfirmonte pak a shumë shqetësimin e bizneseve turistike se gjatë qershorit dhe deri në mes të korrikut, numri i rezervimeve ishte më i ulët se një vit më parë.

Në total, në vendin tonë, deri në fund të korrikut hynë 6.36 milionë shtetas të huaj, por edhe pse kjo shifër ishte 23% më e lartë se 7-mujori i një viti më parë, konsumi në shërbime turistike mbeti i vakët.

Kjo sipas operatorëve turistikë ka të bëjë së pari me faktin se marketimi gjerësisht si një destinacion i lirë ndryshoi tipologjinë e turistit që po na viziton dhe për rrjedhojë, edhe tendencën e tyre në shpenzime.

Së dyti, rritja e çmimeve në disa raste me dyfishim të tyre në disa rajone, solli hezitimin e një grupi të konsiderueshëm (kryesisht italianë mes të cilëve pati anulime). Së treti kishte një prani më të ulët të shqiptarëve të Kosovës.

Edhe pse në shifrat e raportuara, ky grup rezulton me rritje mbi 22% deri në maj, në fakt sipas strukturave akomoduese në zonën e Durrësit, Golemit, Velipojës e Shëngjinit, prania e tyre ka qenë ka qenë më e ulët.

Diçka e tillë pritej pas liberalizimit të vizave për Kosovën në fillim të këtij viti, por një efekt frenues mund ta ketë dhënë edhe perceptimi se Shqipëria u bë e papërballueshme në verë.

Mes gjithë ngjyrave që shfaqi ky sezon veror, ajo që u vu re ishin disa pësime dhe mësime/reagime të shpejta siç ishin çmimet, të cilat u korrigjuan në fillim të korrikut dhe që do të mundësojnë që edhe ky vit të mbyllet pozitivisht edhe pse jo aty ku synohej.

Kontributin kryesor në korrigjimin e gabimeve të verës pritet që ta bëjë vjeshta, me turet kulturore që sipas operatorëve turistikë do të jenë në nivele të kënaqshme.

Image

Saranda dhe Ksamili, sezon më të dobët se 2023, më shumë turistë, por kursimtarë

Në fund të kësaj vere është më e lehtë të bësh një bilanc për tre muajt kryesorë të saj dhe sipas operatorëve turistikë, Saranda dhe Ksamili patën një sezon më të dobët se viti 2023.

Arben Çipa, administrator i Sipa Tours dhe njëkohësisht pjesë e Shoqatës së Hotelierëve në Sarandë, pohon se numri i turistëve është më i lartë, por tipologjia e tyre, ku kemi të bëjmë me turistë kursimtarë ka sjellë më pak të ardhura te bizneset.

“Është një sezon më i keq se viti i kaluar. Ka më shumë turistë, por ka më pak të ardhura, sepse ka ndryshuar tipologjia e turistit. Nga një destinacion për familjarë, ku dominonte mosha e mesme dhe e tretë, e gjetëm veten me një turist të ri, që nuk preferon të shpenzojë, por të eksplorojë me sa më pak para.

Ndryshimi i kësaj tipologjie klientele, solli si efekt zinxhir që në fillim, konsum më të ulët, të ardhura më të pakta, tension të shtuar për përshtatje, por edhe zhurmë. Ksamili, e për rrjedhojë edhe Saranda, u bënë në pak kohë destinacione të reja, të promovuara botërisht dhe morën vëmendje të madhe.

Precedentët kanë treguar se në një destinacion turistik që është identifikuar si i ri, në rast se prevalon deri në masën 70% mosha e re si klientelë dhe kjo zgjat deri në 5 vjet e pandryshueshme, ky destinacion rrezikon të dështojë”, – pohon z. Çipa.

Sipas tij, në muajin gusht vihet re një ndryshim i lehtë në klientelë, në Sarandë dhe Ksamil, ku tashmë përveç të rinjve kishte një numër të shtuar të moshës së mesme.

“Ne kemi si të dhëna të krahasueshme ato të Portit të Sarandës dhe hyrjet janë në rritje, në periudha të caktuara apo ditë të caktuara kishte edhe 10-15% më shumë se vjet.

Janë kryesisht perëndimorë, italianë, francezë por edhe më gjerë. Ka një numër të lartë kombësish dhe tashmë e kemi kaluar atë fazën kur na bie në sy, pasi multietniciteti po bëhet normalitet.

Gushti plotësoi disa boshllëqe, sepse erdhi mosha e mesme, pra familjet, që munguan në qershor dhe një pjesë të korrikut. Ky grup ka një sjellje tjetër në shpenzime. Një lloj efekti, e pati edhe korrigjimi që u bë në muajin korrik me çmimet”, – shprehet z. Çipa.

Sipas tij, tregu mund të rregullojë veten në bazë të kërkesë-ofertës, por rritja e menjëhershme e çmimeve, në fillim të sezonit dha efekt befasues te turisti dhe jo pozitiv. Si një destinacion që promovohet i lirë por në fakt nuk rezulton i tillë, turisti ka tendencë t’i japë zë kësaj duke shpërndarë ndikimin.

Gjithsesi, sipas tij, Shqipëria në tërësi vijon të mbetet konkurruese dhe më ekonomike në raport me të tjerët, nëse krahasojmë cilësinë apo gastronominë që ofrojmë, “që është absolutisht në nivele të larta”.

Niveli i shërbimit, sipas tij, është ende në evoluim në aspektin pozitiv, por mungesa e profesionalizmit mbetet e dukshme.

Një tjetër debat që ka ndjekur këtë sezon në gjithë vendin ka qenë ai për plazhet publike dhe praninë e shtuar të shezlloneve. Saranda dhe Ksamili ofrojnë mundësinë e plazhit publik, por parcelat për këtë janë mjaft të kufizuara.

“Saranda ka plazh publik, por jo në hapësira të konsiderueshme për të përballuar numër të lartë turistësh. Këto hapësira plotësojnë kërkesën e vendalinjve dhe të akomodimeve që janë afër me to, por nuk ka plazhe publike të shfytëzueshëm në çdo kënd të qytetit. Pra, hapësirat që janë lënë, nuk janë zgjidhje, por sajim”– pohon z. Çipa.

Por cilat janë në fakt sfidat apo masat që duhet të merren në vijim?

“Në aspektin turistik duhet të nisë buzëqeshja, s’ka ka ardhur ende. Turistët na kanë ardhur dhe po kështu edhe të ardhurat, por buzëqeshja ende jo.

Kjo ndoshta është e para. Së dyti duhet të merren masa për anarkinë e shërbimeve turistike me individë që dalin në rrugë e bëjnë biznes pa emër, pa NIPT, kur duan dhe si duan, pasi kjo prish cilësinë, por edhe dëmton konkurrencën”, – shprehet ai.

Lidhur me muajt në vijim, ai mendon se shtatori do të jetë një muaj i mirë për Sarandën dhe Ksamilin pasi përgjithësisht frekuentohet nga mosha e mesme dhe e tretë, pasi edhe temperaturat bien dhe çmimet janë më ekonomike.

“Do të kemi një shtator stabël, si çdo vit, por në vijim mendoj se Saranda duhet të kthehet tek ajo që di të bëjë më mirë, që është turizmi familjar.

Edhe Ksamili po ashtu. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të kemi rini si klientelë, ajo duhet të jetë patjetër, por duhet orientuar në zona të caktuara ku ndihen mirë.

Ne si rajon duhet të riformatojmë ofertën, duke e përshtatur atë për të gjithë kategoritë duke na mundësuar kështu qëndrueshmëri më të lartë.

Image

Ngadalësohet turizmi në korrik, numri i të huajve u rrit me vetëm 2.7%%

Pas muajve të tërë me rritje dyshifrore, turizmi në muajin korrik u rrit me vetëm 2.7%, duke dhënë shenja të qarta ngadalësimi dhe duke konfirmuar situatën që operatorët turistikë dhe strukturat akomoduese raportonin në pjesën e parë të këtij muaji.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave mbi lëvizjen e shtetasve tregojnë se në korrik hynë 1.81 milionë të huaj, duke e çuar totalin e hyrjeve të këtij grupi në 7 muajt e parë të vitit në 6.36 milionë, me rritje 23.2% në raport me 7-mujorin e një viti më parë.

“Gjatë muajit korrik 2024, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë 2.624.207 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Ky tregues ka shënuar rritje me 2,7%, krahasuar me korrik 2023. 2.350.448 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar rritje me 10,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në korrik 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 805.829, me rritje 2,8%, krahasuar me korrik 2023.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.818.378. Ky numër është rritur me 2,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023” thuhet në publikimin e INSTAT.

Në fund të qershorit dhe në pjesën e parë të korrikut strukturat akomoduese në bregdet dhanë shenja të qarta pesimizmi për rezervimet, të cilat ishin më të ulëta se pritshmëritë, teksa efekti zinxhir që dha rritja e çmimeve në disa rajone shkaktoi anulime masive kryesisht të italianëve.

Strukturat kanë konfirmuar një prani më të ulët të shtetasve të Kosovës në zonën e Golemit por edhe në Jug të vendit, dhe disi më e pranishme në Shëngjin dhe Velipojë, dy tregje me çmime më ekonomike dhe të frekuentuara tradicionalisht prej tyre.

Ecuria më e mirë e turizmit, sipas operatorëve turistikë nisi të regjistrohej në pjesën e dytë të korrikut, teksa korrigjimi i çmimeve në një pjesë të strukturave dhe bregdetit ndikoi pozitivisht gushtin, i cili ka pasur prani relativisht më të mirë turistike sesa korriku, sipas tur-operatorëve.

Sipas tyre, këtë ngadalësim të sezonit veror pritet ta kompensojë vjeshta, e cila gjithashtu duket se do të ketë ecuri më të mirë se viti i shkuar, si efekt i rezervimeve paraprake.

“Në korrik 2024, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Europës. Europa Jugore zë 71% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga Kontinenti Europian, ndjekur nga Europa Qendrore/Lindore me 10%

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 99% të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë te të afërm, etj.

Në korrik 2024, ky tregues ka shënuar rritje me 3,7%, krahasuar me korrik 2023. Rritje të ndjeshme në muajin korrik kanë pasur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me 50,9%” vlerëson INSTAT.

“Në muajin korrik 2024, 704.699 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 1,7%, krahasuar me korrik 2023.

Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit korrik 2024 janë 1.645.749. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 14,3%” nënvizon publikimi.

Të huajt në hotele u rritën me 53.1%, pas Kosovës, italianët dhe polakët

Strukturat akomoduese në vend konfirmuan rritje të numrit të vizitorëve të huaj, por edhe rezidentëve gjatë qershorit.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT tregojnë edhe për një rritje të përgjithshme të net-qëndrimeve, duke sjellë në vëmendje se deri në muajin e 6 të vitit, lulëzimi i sektorit të turizmit ishte në ditë të mira.

“Në muajin qershor 2024, treguesit e shfrytëzimit të kapaciteteve të strukturave akomoduese, paraqiten si më poshtë:

Numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 40,1%, në krahasim me qershor 2023. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i vizitorëve rezidentë është rritur me 18,4%; numri i vizitorëve jorezidentë është rritur me 49,9%.

Numri i net-qëndrimeve gjithsej është rritur me 27,1%, në krahasim me qershor 2023.

Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e mëposhtëm: numri i net-qëndrimeve nga rezidentët është rritur me 5,9%; numri i net-qëndrimeve nga jorezidentët është rritur me 35,5%”, thuhet në publikimin e INSTAT.

Image

Vizitorët

INSTAT vlerëson se gjatë muajit qershor 2024, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 40,1%, krahasuar me qershor 2023.

“Numri i vizitorëve jorezidentë, të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 43,7%.

Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 51,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jorezidentë në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 53,1%”, thuhet në publikim.

Por cilat janë në fakt shtetësitë e të huajve të akomoduar kryesisht në struktura? Në krye qëndrojnë shqiptarët e Kosovës, me 11.9%, dhe më pas vijnë italianët me 8.7%, polakët me 7.6%, gjermanët 5.9%, britanikët me 3.8%.

Kosova tradicionalisht ka mbajtur peshën kryesore sa i takon turizmit në vend, teksa italianët janë një grup që ka shënuar rritje të fortë nga viti në vit në tre vitet e fundit.

Polakët, nga ana tjetër, që vijnë kryesisht të organizuar në zonën e Golemit, gjithashtu kanë shtuar ardhjen në formë individuale, duke rritur peshën në tërësi te të huajt që vizitojnë vendin tonë.

Net-qëndrime

Image

INSTAT raporton se gjatë muajit qershor 2024, numri i net-qëndrimeve gjithsej është rritur me 27,1%, në krahasim me muajin qershor 2023.

Numri i net-qëndrimeve të vizitorëve jorezidentë, të cilët janë akomoduar në Rajonin Qendër ka shënuar rritje me 20,8%.

Në Zonat Bregdetare, ky tregues është rritur me 38,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i net-qëndrimeve të vizitorëve jorezidentë, të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 36,9%.

Në muajin qershor 2024, numri më i lartë i net qëndrimeve është realizuar: sipas rajoneve në “Rajonin e Jugut” (39,5%); sipas zonave të afërsisë me bregdetin në “Zonat Bregdetare” (74,7%); sipas llojit të strukturave akomoduese në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” (92,8%.)

Norma neto e shfrytëzimit

Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.

Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 35,9%, kundrejt 28,5% që ishte në muajin qershor 2023. Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “Hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 38,6%, kundrejt 30,5% që ishte në muajin qershor 2023./Monitor

VOA: Ndërron jetë ish-gazetari i Zërit të Amerikës, Astrit Lulushi

Astrit Lulushi, ish-gazetari dhe producenti i njohur i Zërit të Amerikës në shqip, u nda nga jeta të mërkurën më 4 shtator 2024 në moshën 70-vjeçare në Woodbridge të Virxhinias.

Rrugëtimi i Astritit për në Amerikë, ishte dëshmi e dëshirës dhe guximit për t’i ikur komunizmit dhe diktaturës në Shqipëri, drejt lirisë dhe një jete më të mirë. Në vitin 1985, Astriti u arratis nga Shqipëria dhe erdhi në Amerikë, ku filloi një jetë të re dhe më vonë solli edhe familjen e tij.

Një vit me pas, Astriti filloi një karrierë të shënuar 30-vjeçare tek Zëri i Amerikës. Zëri, figura dhe fjala e tij u bënë të njohura dhe të dashura për dëgjuesit dhe shikuesit ndër vite për tema që nga mjekësia dhe shkenca, diaspora shqiptare në Amerikë dhe historia.

Roli i tij prapa skene, ishte po aq i rëndësishëm si producent kryesor i emisionit televiziv Ditari.

“Largohem i përmbushur dhe i nderuar që kam qenë në shërbimin tuaj, ju dëgjues dhe shikues të mrekullueshëm të programeve të Zërit të Amerikës”, u shpreh ai kur doli në pension nga Zëri i Amerikës në korrik të vitit 2019.

Astriti u nderua me “Çmimin e Karrierës”.

Astriti kishte një jetë të pasur krijuese, si autor i 17 librave, shkrimeve të shumta, poezive dhe reflektimeve.

Kolegët, ish-kolegët dhe miqtë e kujtojnë Astritin si një njeri me pak fjalë, shumë pasione, përkushtim, kuriozitet dhe thellësi mendimi.

“Ai njihej nga të afërmit si një njeri me fjalë pak, por me mendjen e një filozofi dhe shpirtin e një poeti. Një njeri i një kohe tjetër, një intelektual i qetë që nuk pushoi së shkruari”, thuhet në njoftimin e përgatitur nga familja për largimin e tij nga jeta.

Ai lë pas bashkëshorten, vajzën dhe familjen e saj, vëllezërit dhe motrën e tij. Djali i tij ndërroi jetë para disa vjetësh.

Ne ish-kolegët e tij të Zërit të Amerikës, do ta ndjejmë humbjen e tij.

Nderimet e fundit për nder të Astritit do të bëhen të martën më 10 shtator, ndërsa varrimi më 11 shtator.

20 milion lekë rroga e sulltanit dhe ish zëdhënësit e deputetit të PS Alfred Peza në RTSH

Sulltani i RTSH ish deputet dhe zëdhënës i PS si drejtor i RTSH e kishte rrogën mujore 20 milionë lekë, veç bonuseve e të tjera.

Por ishte i pakënaqur dhe e shihte RTSH si haremin e tij, duke ua vënë syrin gazetareve sikur e ka denoncuar gazetarja Blerta Tafani sot përmes një letre për Këshillin Drejtues.

Krahasoheni me pensionet që marrin shqiptarët me 40 vite punë.

Gazetarja e RTSH Blerta Tafani denoncon ish-Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH Alfred Pezën për ngacmimi seksual dhe dhunë psikologjike

Gazetarja e RTSH, Blerta Tafani në një letër drejtuar Keshillit Drejtues në RTSH akuzon ish-drejtorin e RTSH, Alfred Pezën për dhunë psikologjike në punë dhe presione nga më të ndryshme duke kaluar dhe në ngacmime seksuale.

ë nderuar anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH:

Unë, Blerta Tafani (Hajdari), gazetare prej 25 vitesh, prej të cilave 10 vitet e fundit në RTSH, me mijëra edicione informative të drejtuara, po aq materiale televizive të përgatitura, redaktim lajmesh dhe edicionesh, përgatitje dhe drejtim të disa programeve, po ju drejtohem për një shqetësim, i cili e tejkalon personalen.

Tashmë prej 11 muajsh, po përballem me një presion psikologjik të pashembullt. Më datën 28 shtator të vitit të kaluar, në mbrëmje pas orës 20.00, në telefonin tim erdhën mesazhe jo vetëm të padenja, por edhe imponuese për takim jashte institucionit nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH z. Alfred Peza, shoqëruar edhe me insistimin me anë të më shumë se dhjetë telefonatave të njëpasnjëshme, të cilave kam refuzuar tu përgjigjem.

Pas kesaj, ka nisur ndaj meje një dhunë e pashembullt verbale dhe psikologjike, përfshirë ndëshkime, paralajmërime, largime nga puna të të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, ndërprerja e daljes time në edicionin qendror që e drejtoja prej 10 vitesh me argumentin se “nuk përqafoj projektin e drejtorit të përgjithshëm”, ndërprerja e spoteve të programit që transmetoja, presion ndaj njerëzve që punonin për atë program, paralajmërim për pushim nga puna (pa u dëgjuar unë aspak, në një komision të turpshëm) dhe shumë të tjera, që përbëjnë një “sagë” të vërtetë.

Për të gjitha keto, e gjeta të arësyeshme për t’ju vënë në dijeni ju si Këshill Drejtues, me të drejtën e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, pronë me vetëm një PRONAR:

PUBLIKUN, që të mund të ndalni këto veprime të Turpshme për një institucion publik, të ndalni dhunën verbale si pasojë e ngacmimeve seksuale të Drejtorit aktual të Përgjithshëm!

Bashkëngjitur po ju dërgoj vetem një ekstrakt të mesazheve që disponoj, ndërkohë që të plota do ti paraqes në organet përkatëse të drejtësisë.

Mbi dinjitetin dhe profesionalizmin, nuk mund të shkelë asnjë i zgjedhur nga JU, të mandatuar nga të zgjedhurit e qytetarëve.

Duke ju uruar punë të mbarë,

lerta

Paralajmërimi i ekspertëve: Fitorja e Trumpit mund të shkaktojë krizë sigurie në shkallë të Luftës së Dytë Botërore në Evropë

Sondazhet tregojnë se gara për Shtëpinë e Bardhë është bërë shumë më e ngushtë që nga vendimi i presidentit aktual Joe Biden për t’u larguar, por mbetet një perspektivë shumë reale që Donald Trump mund të fitojë një mandat të dytë si president i SHBA.

 

Një eventualitet i tillë do të kishte pasoja shumë përtej tokës amerikane, me analistët që sugjerojnë se mund të jetë thelbësore për luftën në Ukrainë.

Dhe Phillips P O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin e St Andrews, dhe Edward Stringer, një marshall në pension i RAF Air dhe bashkëpunëtor i lartë i qendrës së mendimit në Mbretërinë e Bashkuar Policy Exchange, thotë se një fitore e Trump mund ta lërë Evropën “në një vend të ngushtë”, dhe u bëri thirrje udhëheqësve në kontinent që të fillojnë planifikimin për atë rezultat.

“Deri në fund të janarit 2025, partneri më i rëndësishëm i kontinentit, Shtetet e Bashkuara, mund të udhëhiqet nga ish-presidenti Donald Trump, i cili ka thënë se do të inkurajonte Rusinë të bënte ‘çfarëdo dreqin të donte’ ndaj vendeve evropiane që nuk e bënë këtë”, shkruan ata në një artikull për revistën Foreign Policy.

“Administrata e mëparshme e Trumpit e tendosi marrëdhënien transatlantike dhe përsëritja e ardhshme pothuajse me siguri do të ishte më e keqe. I çliruar nga ndikimi i republikanëve tradicionalë atlantikë të cilët stafuan kabinetin e tij në mandatin e tij të parë, një Trump në mandatin e dytë do të përballej me më pak pengesa për të bërë mirë mbi kërcënimet e tij”.

Dyshja theksojnë se Trump ka paralajmëruar se ai do të shkurtojë menjëherë të gjithë ndihmën e SHBA për Kievin dhe do të kërkojë një fund të shpejtë të luftës, e cila ka të ngjarë të kërkojë që Ukraina t’i lëshojë një pjesë të konsiderueshme të territorit të saj Rusisë.

“Dhe ky mund të jetë vetëm fillimi,” vazhduan ata.

“Trump ka vënë në pikëpyetje prej kohësh vlerën e NATO-s, kështu që nuk është e paimagjinueshme që ai të heqë dorë nga angazhimi i SHBA-së për të mbrojtur Evropën.

Ai mund të zbatojë propozimin e përhapur gjerësisht të analistes Sumantra Maitra për ‘NATO-n e fjetur’, në të cilin ushtria amerikane do të ofronte mbështetje logjistike si mjetin e fundit, por do t’i linte Evropës të gjitha përgjegjësitë e tjera të mbrojtjes së NATO-s, ose do të ndiqte gjurmët e presidentit francez Charles de Gaulle, i cili hoqi Francën nga komanda ushtarake e NATO-s (por jo vetë aleancën) në 1966.”

Ata thanë se Trump mund të vepronte shpejt, duke u zotuar të mos urdhërojë kurrë trupat amerikane të luftojnë për Evropën.

“Europa, si rezultat, do të detyrohej të përballej me një krizë sigurie në një shkallë të tillë që nuk është përballur që nga Lufta e Dytë Botërore,” shkruanin ata.

Pas diskutimit të strategjisë së mundshme për Evropën nëse kjo situatë do të ndodhte, duke përfshirë spekulimet se cilat vende mund të ndërhynin për të zëvendësuar udhëheqjen ushtarake të SHBA-së, autorët argumentuan se vendet duhet të veprojnë me urgjencë për t’u përgatitur.

Koha është një mall i çmuar në luftë. Dhe sot, me një luftë në pragun e saj dhe Shtetet e Bashkuara që kërcënojnë të shtyjnë sigurinë evropiane në pikën e saj më të pasigurt në dekada, kontinenti po e humb atë,” thonë ata.

“Vendet evropiane duhet të kishin filluar planifikimin për mundësinë e një rikthimi të Trumpit të paktën një vit më parë, kur shanset e larta për një rezultat të tillë u bënë të dukshme, duke i dhënë vetes më shumë kohë për të bërë përgatitjet.

Në vend të kësaj, qeveritë evropiane ngulën kokën në rërë. Nëse Trump zgjidhet, një mohim i tillë do të duhet të marrë fund. Shtetet evropiane të NATO-s do të detyrohen të veprojnë për të siguruar kontinentin dhe për të mbrojtur lirinë e popullit të tij.

Është shumë më mirë që ata t’i qasen asaj detyre me peshë sa më racionale dhe me aq largpamësi sa të jetë e mundur, sesa në një nxitim të rastësishëm.” Panorama


Send this to a friend