VOAL

VOAL

Airbus publikon pamjet e “taksisë fluturuese” elektrike

February 22, 2018

Komentet

Naim Frashëri, Apostulli i Shqiptarizmës- Esé nga ARISTOTEL MICI

 

Unë jam në shpirtin tuaj,
Mos më kini për të huaj.
N.Frashëri

Në relievin e letërsisë shqiptare Naim Frashëri me veprën dhe fjalën e tij të frymëzuar shënon majën më kulmore të mendimit poetik, duke u bërë një burim dritëdhënës për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare në dekadat e fundit të shekullit XIX dhe më pastaj. I pushtuar nga angazhimi i madh i atdhetarisë ai u tret për idealin e shenjtë të përlindjës së kombit të vetë. Naim Frashëri digjej nga dëshira për ta parë Shqipërinë të çliruar nga robëria shekullore turke. Poeti e donte Shqipërinë një vend të lulëzuar, që të “zgjohej atëherë, kur u ngrohmoti,“ si shoqet përqark:
“Pa shiko lulet e tjera,
Q’u çel e lul’e u lulëzuan,
Shih, pa shih ç’u zbukuruan,
I ngjalli përsëri vera.

I ndërgjegjshëm për qëllimin e tij si atdhetar i flaktë, poeti ka kënaqësinë ta quaj Shqipërinë “Mërmë” dhe veten djalë i saj i përgjëruar :

Shqipëri! të qofsha falë!
Të kam mëm’ e më ke djalë.- (poezia “Parajsa”)

Duke studjuar misionin e shkrimtarit në veprën e Naim Frashërit, Prof. E. Çabej ka shkruar për të: “Poeti e ndjen veten të dërguar që me anë të fjalës së tij të zgjojë kombin nga gjumi i gjatë i shekujve. Rëndësia e tij qendron kryesisht këtu, që ai në kohë të sundimit të huaj ndezi pishtarin e lirisë, që e hodhi këtë në literaturë dhe e mbajti ndezur ne dorë. Ai përmbushi detyrën që i pat caktuar vetes……ai i derdhi të gjitha fuqitë e tij mendore e fizike dhe në këtë punë shkriu veten në kuptimin e vërtetë të fjalës. Qiriri që ai këndon në një nga vjershat e tij, i cili digjet vetë për t`u ndritur të tjerëve, është një simbol i poetit vetë dhe i veprës së tij..”

I frymëzuar nga dëshira e zjarrtë për t`u dhënë shqipëtarëve“pakëz dritë”, Naim Frashëri shkroi më gjithë fuqinë e shpirtit vjersha patriotike, me qëllimin e lartë që të ngjallte në zemrat e bashkëkombësve dashurinë për Atdheun dhe lirinë dhe të forconte në mbarë popullin e tij vetëdijën kombëtare,duke u bërë ashtu me veprën e përkushtimin e vetë Apostull i Shqipëtarizmës, i ndërgjegjshëm për misionin historik të poetit, ai përgjërohet para bashkëkohësve:
Në mes tuaj kam qendruar
E jam duke përvëluar
Që t`u jap pakëz dritë,
Natën t`ua bëj ditë.
…………………………..
Për ju do rri të tretem
Asnjë çik të mos mbetem.

“Kurrë ndonjë poet s`është nisur ashtu vetëdijshëm rrugës së vetmohimit për hir të një qëllimi të shenjtë” – ka shkruar për të Prof. R.Qosja, dukë analizuar përkushtimin e madh të këtij poeti. Një personaliteti të tillë dritëdhënës i përshtaten fare mirë fjalët e novelistes amerikane Edith Wharton : “Janë dy mënyra për të shpërndarë dritë: të jesh qiri, ose pasqyrë që e reflekton atë”. Themi kështu, pasi Naimi me veprën e tij ndriti si qiri nga njëra anë, po nga ana tjetër pasqyroi dhe mendimin progresiv të kohës.

Figura iluministe e Naim Frashërit u shfaq në horizontin shqiptar në momentin historik më të nevojshëm, atëherë kur Perandoria Turke po numëronte vitet e fundit, kur vendet fqinjë kishin fituar pavarësinë dhe atdheu kish nevojë për dritë. Me veprën e tij ai u bë Volteri dhe Russoi i parë i Shqipërisë.

Si poet romantik dhe përçues i iluminizmit, Naim Frashëri u përpoq të rilindte ndërgjegjen kombëtare së pari përmes evokimit të së kaluarës historike, duke treguar lashtësinë e popullit dhe heroizmat e figurave më të shquara. Ashtu ai përpiqej poetikisht të rriste krenarinë kombëtare, të shtonte dashurine për Shqipërinë dhe ndjenjën e të qenurit shqipëtar:
“Bota që kur është zënë,
Shqipëria gjallë ka qënë.
Pellazg` u thoshin më parë,
Më së fundi shqiptarë.

Përkrahës i teorisë pellazgjike lidhur më origjinën ë kombit tonë, Naim Frashëri rreh të kumtojë se “Neve jemi më të parët” në Evropë krahas helenëve dhe romakëve e madje dhe më të lashtë se ata. Tek rrëfen lashtësinë e kombit, poeti gjen rast dhe përmend figurat më të shquara të së kaluarës, thur vargje për trimërinë e heronjëvë të dikurshëm:
Pirrua ish nga Shqipërija
Trim q` e lëvdon historija,
Skënderbeu Kastrioti,
Q`u rrëfye aq i zoti,
Ishte burr` i Shqipërisë

Kështu gjithnjë po me këtë synim patriotik poeti tregon po me atë ndjenjë krenarie:
E kush e bëri Morenë?
Gjith shqipëtarë qenë.
S` ish shqiptar Marko Suli?
Xhavella e Miauli?
Bubulina e Kanari?
Shqipëtar bir shqiptari.?

Po ndjenjën e patriotizmit dhe të krenarisë kombëtare, më tepër se në çdo vepër , poeti do ta shfaqte te poema epike “Histori e Skënderbeut”. Është e vërtetë se autorë të hershëm shqiptarë si Marin Barleti, Tivarasi, Dhimitër Frangu , Gjon Muzaka, e më pastaj, Frang Bardhi e kishin vënë në qendër të librave dhe të shkrimeve të tyre heroin tonë kombëtar,Gjergj Kastriotin, Skënderbeun. Po ashtu qe vlerësuar dhë ngritur lart Skënderbeu edhe nga përsonalitete të shquara të botës. Papa Kalisti III do t`i jepte tiullin e lartë të “kapitenit të përgjithshëm të Selisë së Shenjtë “. Ky papë e lavdëronte dhe e propagandonte Skënderbeun si një “mbrojtës të krishtërimit” dhe i shkruante atij më 1457: “Nuk ka njeri në botë, i cili të mos dijë trimëritë që keni bërë, dhe i cili të mos ju lavdërojë gjer në qiell si një kryengritës të vërtetë dhe si një kryeluftëtarë bujar të krishtërimit” [Hist.ë Shqipërisë – f -310, 1959]. Po ashtu do ta çmonte heroizmin e Skënderbut më vonë, në kohën e iluminizmit, filozofi i famshëm francez, Volteri. Poeti angles, Bajroni, do ta kujtojë në veprën e tij “Çaild Harold”. Shkrimtarë e piktorë europianë e deri tek Longfellow në Amerikë do të trajtojnë në veprat e tyre figurën e Skënderbeut. Po rëndësia e veprës së Naim Frashërit për Skënderbeun qendron në atë se ai e shkroi në radhë të parë për gjithë popullin shqiptar dhe në një periudhë që ajo nevoitej aq shumë. Me poemën e tij ai e ngriti dhe e lartësoi Skënderbeun.“Naimi i jep dimensione të gjëra fytyrës madhore të Skënderbeut dhe e ngriti atë njeri (të ngritur në veprat e veta luftarake dhe morale) në nivelin e simbolit kombëtar të luftës për liri e pavarësi.”

Për ta dhënë sa më madhështore dhe tërheqëse figurën e heroit kombëtar, Naim Frashëri përdori gjithë talentin e tij poetik dhe përvojën letrare, që kish fituar nga letërsia klasike botërore. Përmes një imazhi gjysëm mitologjik, si tek “Íliada” dhe “Eneida”, ngrihet natën hija e të atit të Skënderbeut, Gjon Kastriotit dhe endet në hapsirat e luftës, për të gjetur të birin, Gjergjin, e mbiquajtur Skënderbe:
U ngrit fat`i Shqipërisë,
Si i vdekuri nga varri,
Mori rrugën e Asisë,
Duke rendur si i marri.

Dhe kur hija e fanepsur e takon heroin, fillon t`i flasë. Ashtu si në një pamje danteske, si në një legjendë, hija bisedon me të birin, si i vdekuri më të gjallin:
Flë, i thotë, o jetëgjatë,
Nuk e di se ç`është bërë!
Ç`e gjëti të zinë tët atë
Dhe Shqipërinë të tërë.

Po qëllimi kryesor i poetit nuk është vetëm që të jap informacion për epokën e trimërisë Skënderbejane, por dhe të ndezë te lexuesit zjarrin e luftës kundër sulltanit dhe zgjedhës së robërisë turke. Jo më kot hija e të atit e vë në pozitë të vështirë heroin, kur do që ta nxisë për kryengritje:
A më sheh ti mua plaknë?
Të qenkësha si ti djalë!
Muratit i pinja gjaknë,
S`gënjehesha sot më fjalë.

Kuptohet se këto vargjëe kishin një tingëllim aktual. Analogjia historike është më se e qartë: Ashtu si luftuan Skënderbeu dhe i ati kundër sulltanëve, ashtu duhet të bënin edhe bashkëkohësit e poetit, që të shpëtonin Shqipërinë dhe të fitonin lirinë.

Me përmasa madhështore dhe si me imazhe homerike jepet edhe kthimi çlirimtar i Skënderbeut në Krujë.
Zjente fusha tundej mali
Nga armët e trimërisë,
Hingëllin e s` mbahej kali,
Që sjell mbrenë e Shqipërisë.

Poeti ishte i sigurt se çdo shqiptar, po të dinte dhe të njihte luftrat dhe trimëritë e Skënderbeut, do të krenohej me të dhe të kaluarën e atdheut. Për këtë arsye Naim Frashëri përpiqet të nënvizojë çdo vlerë morale e pamje heroike të kryëtrimit të Shqipërisë, aq sa edhe për armët e tij, kur i pa në muzeun e Vjënës, u mrekullua dhe shkroi i mahnitur e gjithë frymëzim:
Lum ti moj Shqipëri,thashë,
Armët ` e tij kur i pashë,
Ndë Belvedere, në Vjenë,
Sikur pashë Skënderbenë.

Ndjenjat patriotike poeti mundohet t`i forcojë jo vëtëm duke evokuar të kaluarën heroike dhe lashtësinë e kombit, po edhe duke treguar me gjithë frymëzimin e tij bukuritë e natyrës shqiptare. Me mall të patreguar dhe gjithë krenari ai shkroi për bukuritë e madhështinë e vendlindjes poemën e famshme lirike “Bagëti` e Bujqësija”. Tek këndon me dashuri të zjarrtë për malet e larta, për fushat e gjera me lule, për lumenjtë e kulluar dhe pyjet e gjelberuar të atdheut të tij, mbushet me krenari dhe flet me eksklamacion:
Ti , Shqipëri më ep nder, më ep emërin shqiptar,
Zemërënë ti ma gatove, plot me dëshirë dhe me zjarr.

Kjo poemë qe një hymn madhështor për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët e kohës së Rilindjes, që ushtroi një ndikim të jashtëzakoshëm për edukimim e ndjenjave patriotike dhe forcimin e ndërgjegjes kombtare. Poema “Bagëti e Bujqësija” ka qenë dhe është edhe sot e kësaj dite një burim i pashtershëm atdhedashurie për të gjithë brezat.

Rigjallërimin e vetëdijës kombëtare poeti përpiqej ta bëntë edhe duke shtuar dashurinë për gjuhën amëtare, që ajo të mësohej e këndohej sa më mirë. Për poetin gjuha shqipe është e shenjtë dhe e lashtë sa vetë kombi. Sipas poetit shqipëtarët kanë atë “Gjuh` që flisnin Përënditë, /Atë flisnin Pëllazgjitë” Po gjuha e nënës sonë nuk është vetëm e lashtë, po edhe e bukur dhe e lehtë, prandaj duhet ta duan e ta mësojnë të gjithë:
Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël! Sa e gjerë!
Sa e lehtë! Sa e lirë!
Sa ë bukur ! Sa ë vlërë!

Naim Frashëri i pushtuar nga frymëzimi i zjarrtë i shqiptarizmës, shkruan më ndjenjë krenarije po edhe me një kënaqësi dhe admirim për bukurinë magjepsëse të gjuhës shqipe:
E ku shkruhen në kartë
Fjalët e gjuhës së zjarrtë!

Poeti me të drejtë vlerësonte lartë mësimin e gjuhës aq sa mësimin e saj e lidhte me përparimin kombëtar:
Vëllezër shqiptarë!
Të prekim urtësinë,
Të zëmë udhën e mbarë,
Të ngjallim Shqipërinë.

Të shkruajmë gjuhën tënë,
Kombin ta ndriçojmë,
Gjithë ç`është e ç`ka qënë,
Nga dalëz ta mësojmë.

Naim Frashëri,që shkroi me kaq dashuri për bukurinë e gjuhës shqipe, u përpoq me gjithësa mundi intelektualisht me veprën e tij për lartësimin e nivelit kulturor të saj. Këtë anë të rëndësishme të veprës së poetit nënvizonte edhe albanologu i famshëm Norbert Jokl-i , i cili, duke shkruar për autorin e “Historisë së Skënderbeut” dhe të “Qerbelasë”, theksonte rolin e madh të veprës së këtij poeti për formimin e gjuhës letrare shqipe. Me veprat e Naimit gjuha shqipe u pasurua edhe nga ana leksikore me shumë fjalë të reja. Është shumë e dukshme përpjekja e tij si edhe dëshira e madhë për ta pasuruar, po edhe për ta pastruar gjuhën shqipe. Kjo anë e krijimtarisë së poetit duket edhe në titujt e librave shkollore e diturake, që botoi siç janë “Vjersha për Mësonjëtoret e Para” dhe “Këndimi i Çunave”, ku fjala “mësonjëtore “ zëvëndësonte fjalën “shkollë” dhë fjala “Këndim” fjalën “lexim”.

Naim Fashëri si poet mbarëkombëtar, i pushtuar tërsisht nga ideja patriotike e bashkimit dhe vëllazërimit të të gjithë shqiptarëve, ngrihet mbi ndasitë fetare. Shpirti i tolerancës e lartëson edhe më tepër figurën e tij si Apostull i shqiptarizmës. Nuk është e rastit që në librin “Lulet e Verës” midis vjershave me motive të ndryshme, ndodhet edhe poezia “Para Krishtit”. Në këtë poezi autori nuk e shikon Krishtin as si shenjtor, as si fetar, po si një njeri tokësor, si përfaqësues i humanizmit më të thellë, që predikon mirësinë dhe drejtësinë dhe që sakrifikon veten për njerëzinë.
Se kjo fytyrë
Është paqyrë,
Dhe na rrëfenë,
E s’na gënjen.
Gjithçka hequr njeriu i mjerë
Nga veth’ e tinë e nga i vëllaj
Që kanë vrarë e kanë prerë
Pa gjyq, pa fjalë, pa pasur faj.

Toleranca fetare e Naimit nuk e çudit aspak lexuesin, pasi ajo është edhe tolerancë e popullit të tij , gjë që flet për një psikologji të qytetëruar, për një civilizim mbarëshqiptarë. Poeti mbi gjithçka vë mëmëdhenë. Ai i drejtohet Nënës Shqipëri me apoteozë, duke u përfalur me përgjërim: “Shqipëri të qofsha falë,/ Të kam mëmë e më ke djalë”. Kështu, heroi lirik i Naimit u jep shëmbullin e tij shqiptarëve, që ta ndjejnë veten si ai, bijë të Nënës Shqipëri, që në radhë të parë Shqipëria të jetë metaforikisht “Parajsa” e tyre, kurse feja të mos i përçajë, se jemi vëllezër të një kombi, të një gjaku, të një gjuhe dhe një bese:
Gjithë ç`jemi shqipëtarë,
Jemi një fis e një farë,
Kemi të tërë një shpresë,
Një gjak, një gjuhë,një besë.

Të bashkuar dhe jo të ndarë, shqipëtarët do ta shpëtojnë mëmëdhënë, prandaj ai i këshillon bashkëkohësit:
“Lëreni më nj`anë fenë,
Të shikojmë mëmëdhenë”
(Parajsa)

Po është e vetëkuptueshme se me këtë këshillë poeti shtron nevojën e bashkimit kombëtar, duke u ngritur kundër ndasive fetare, që viheshin re gjithandej. Pra, Naimi, kur thotë “Lëreni më nj’anë fenë”, nuk ngrihet kunder feve dhe as nuk tregohet “ateist”. Për më tepër, për të qënë sa më i vërtetë, pas kësaj porosije, ai bën edhe pak didaktikë, kur shkruan :
“Fet` e besët t`i kemi,
Po të ndarë të mos jemi,
Hoxh’ e xhami e dervishë,
Priftër e kallogjër’ e kishë
Nderë që kanë ta kenë,
Po të duan mëmëdhenë,
Të duan njerëzinë
Dhe tërë Shqipërinë

Kjo ide e Naim Frashërit, që feja të mos na ndajë, që për Shqipërinë “ t`i lëmë më nj’anë besimet fetare”, për analogji na kujton vetiu thirrjen e famshme të Pashko Vasës :
“ Çonju shqiptarë prej gjumit, çonju,
Si vëllazën në një besë shrëngonju
Dhe mos shikjon kisha e xhamia
Fe e shqyptarit asht shqyptarija”

Pra dy autorë të famshëm të Rilindjes kanë ide të njëjtë për bashkimin kombëtar, duke kërkuar që ndasitë fetare të mos bëhen pengesë për idealin patriotik të unitetit mbarëkombëtar.
.
* * *

Vargje e më sipërme të marra nga poezitë e këtyre dy autorëve të Rilindjes sonë flasin për një dukuri të psikologjisë sonë kombëtare, për atë që shqipëtarët ndjenjën patriotike e kanë të shenjtë dhe mbi gjithçka.

Kjo ide e fuqishme e karakterit atdhetar të shqiptarit i pat tërhequr vemëndjen studjuesit austriak J. G. Hahnit, i cili rreth 150 e ca vjet më parë, më 1867, siç e thekson edhe Prof. Çabej, kur në veprën e tij shkruante: “Greku dhe vëllahu lirinë politike ia sakrifikon besimit. Shqiptarit i vjen aq rëndë të durojë zgjedhën, sa lirimin nga kjo zgjedhë e paguan me besimin e të parëve”.

Për ta përforcuar edhe më shumë këtë ide le të kujtojmë edhe deklarimin e ish kryeministrit të Malit të Zi, Vojvodës, Mark Milani, i cili pohonte se “sa herë që ne përpiqeshim të ndërsenim në Shkodër katolikët kundër muslimanëve, apo anasjelltas, e kishim betejën të humbur, sepse shqiptarët e kishin ndjenjën kombëtare shumë më të fortë” .

Më një fjalë, thënë më shkoqur, te shqiptari ndjenja kombëtare qendron e fuqishme dhe mirëkuptimi ndër fetar midis tyre është gjë normale. Aspekt i kësaj dukurie janë edhe martesat midis mijëra e mijëra shqiptarëve me besime të ndryshme, gjë që dëshmon realisht pohimet e J. G. Hahnit dhe M. Milanit.
* * *
. Po edhe kur shkruan për Abas Aliun dhe Qerbelanë, Naim Frashëri nuk është se do të propagandojë dogma fetare; përkundrazi, ai do të japë një mesazh, duke marrë anën racionale, humane dhe përparimtare të ngjarjeve. Qendrimi ideoemocional i autorit është pro me Alinë dhe me të bijtë, po është kundër palës regresive të përfaqësuar me Mauvian dhë Jezidin. Në një analizë për poemën “Qerbelaja”, Prof. Kristo Frashëri, njohës i historisë së Orientit, ka shkruar se Naimi ka marrë anën e Aliut dhe të bektashizmit, për arsyen se ky ishte drejtimi më progresiv, ishte si një lloj protestantizmi brenda muslimanizmit.

Lidhur me bindjen pantheistike të Poetit duhet nënvizuar edhe ideja e tij botëkuptimore për ndeshjen e së mirës me të keqen. Kjo gjë duket në natyrë siç është fenomeni i ditës dhe i natës , i dritës dhe i errësirës; në jetën njerëzore, ku ndeshet e vërteta me gënjeshtrën. Ashtu si ndodh edhe në jetën vetiake të njeriut, ku përzihen:
Dhe Parajsi dhe Skëterra,
Dhe ëngjëlli dhe djalli,
Edhe gjithçka të tjera,
Janë brenda tek i gjalli.

Këtë dualizëm konfliktuos poeti e shtrin edhe te puna e njeriut si edhe te subjekti i veprës letrare. Siç ka vënë re me kohë Prof E.Çabej “Te “Istori e Skënderbeut” të tërheq vëmendjen fakti se përfaqësuesit e së keqes janë sulltanët turq, Muradi II dhe Mehmëdi II, përfaqësuesi i së mirës i krishteri Skënderbë ( lë të nënkuptojmë këtu edhe të atin dhe gjithë njërëzit e tij të afërt – shënimi ynë -A.M.). Në këtë mënyrë trajtimi duhet t`ia çmojmë aq shumë poetit, kur që ky vetë ishte muhamedan. Kjo ndodh në frymë të karakterit të popullit shqiptar, tek i cili ndjenja etnike ka qenë gjithmonë më e fortë se ndjenja religjioze . Naimi i shikuar dhe nga kjo anë na tregohet pjella e thjështë e kombit të tij. Ai është frymë nga fryma jonë dhë gjak nga gjaku ynë”.

Naim Frashëri qe në të njëjtën kohë dhe poet dhe edukator i kombit të vet. Si një sociolog largëpamës ai këshillonte shoqërinë shqiptare që “gruaja duhet të jet` e mësuar më shumë nga burri, se fëmija së pari nga mëma e marrën arësimin dhe mësimet…..Gruaja është mëmë e fëmijësë, zonjë e shtëpisë dhë krei i njerëzisë”. Të shtroje para opinionit shoqëror ide të tilla progresive, kur në Shqipëri dhe në gjithë vendet fqinjë patriarkalizmi ishte aq sundues, do të thotë të ishe njeri me autoritet intelektual të jashtëzakonshëm, një dijetar me aureolë qiellore, para të cilit burrat e rëndë ulin kokën. Në fushën e edukimit dhe të pedagogjisë nuk duhë harruar edhe thënia tjetër e Naimit për arsimimin e rinisë, që çdo prind të kujdesej më sa të mundej për të mësuar fëmijët , se ata, siç shkruante ai “janë për një kohë më tej nga koha juaj”. Ndërsa vetë të rinjtë i këshillonte me fjalën e urtë “Trupi shëndoshet me të punuar,,/ Mendja ndritohet me të mësuar”…. Po si edukator i kombit ai nuk mjaftohej vetëm me këshilla, po vriste mëndjen të ndihmonte konkretisht duke bërë libra diturakë për fëmijët e atëhershëm të Shqipërisë siç janë “Vjërshat për Mësonjëtoret e Para”, “ Këndimet e Çunave”, vjersha “Dituritë” , “Istori e përgjithshme”. Sot këto botime shkollore do të dukëshin didaktikë dhe miturake, por për në atë kohë, kur në Shqipëri kishte vetëm një shkollë shqipe dhe asnjë libër, rëndsia e tyre ka qënë e jashtëzakonshme. Përmes atyre teksteve të shkruara më një gjuhë të rrjedhëshme dhe të natyrëshme, autori përpiqej të jepte mësime edukative dhe informacoine shkencore. Me gjithë paraqitjen didaktike të atyre librave, ne , po të thellohemi në realitetin shqiptar të asaj kohe, gjejmë tek ato vepra edhe edukatorin, edhe dijetarin edhe artistin e fjalës, poetin e përkushtuar për gjithë çështjen kombëtare. E rëndësishme është të theksojmë me këtë rast se edhe nga ato tekste të thjeshta shkollore marim vesh mendimet përparimtare, që kishte përqafuar autori. Naimi kishte një kutpim materialist për Universin, sistemin diellor dhe planetet”:
Dheu është në mes të qiellit,
I vjen rreth e rrotull diellit.

Po kështu edhe për vetë diellin ai shkruan në përputhje me idenë e heliocentrike të N.Kopernikut
Dielli ësht` një yll i zjarrtë
Që ndrin posi lëmsh i artë,
Është me mijëra herë
Nga dheu m`i math e m`i gjërë.

Në mënyre realiste shpjegon Naim Frashëri edhe fenomenet e natyrës, reshjet atmosferike, vetëtimën, gjëmimet,elektrikun, për botën e gjallë shtazore,bimore, njeriun dhe evolucionin e tij nga barbaria deri në kohët e reja. Dikur njeriu “Me egërsirat luftonte”, po pastaj “Zu kafshët e i përdori,/Metalet nga dheu i nxori,/ Gjithë ç` kish nëvoj`,/ Mihu ,lëroi, mbolli korri,/ Shoshi, bloi, mbrujti e gatoi.”

Po t` i hedhësh një sy gjithë veprës letrare të Naim Frashërit, si në poezi ashtu edhe në prozë, dallon me një herë së ai kishtë një informacion shumë të gjerë kulturor; ai njihtë mirë letërsinë antike greko- romake, sidomos Homerin e Virgjilin, letërsinë europianë, Danten e autorët romantikë si Shatobriani, Lamartini e V.Hugoi; mbështetej në filosofinë e iluministëvë dhe idetë e dijetarëve materialistë si Volteri, Russoi, Lajbnici, Darvini e të tjerë,ashtu siç njihte edhe poetët e dijetarët orientalë si Firdusi e Rumiu.

Si u tha më sipër, Naimi, si ish student i gjimnazit Zosimea, pati ndikime të ndjeshme nga iluminizmi, që ka qënë rrymë filozofike e shek.XVIII. Iluminizmi qe një revolucion në mënyrën e të menduarit, që parapërgatiti ideologjikisht njerëzit dhe i priu revolucionit demokratike ne Europë dhë në Amerikë. Ishte koha e shkëlqimit të dritës mendore, kur Volteri në Francë i kishte hapur luftë obskurantizmit, dhe kërkonte që bota të drejtohej nga mbretëria e arsyes,duke lartësuar diturinë. Ish koha, kur Emmanuel Kanti në Gjermani reklamonte se motoja e jetës duhët të jetë “ Të guxosh për të ditur”-”Dare to know”, kur Th. Jeffërsoni në Amerikë, i ndikuar nga filozofia e Lockut dhe Volterit, përpiqej për diturinë e gjithë popullit the deklaronte “Dituria është fuqi”- (Knowledge is power). Ide të tilla përparimtare lëshonin dritë në mendjet e njerëzve. Ishte pikërisht ajo dritë që ënderronte dhe dëshironte Naim Frashëri me vargjet e
poezisë së tij:
Jak` o drit` e uruar,
Që lind nga perëndon.
At` an` e ke ndrituar,
E ne pse na harron?.

Si iluminist poeti ka shumë besim te dituria, se dritë e diturisë përpara do të na shpjerë, prandaj ai u bën thirrje të gjithëve për të fituar dituri dhe dritë:
O burra shqipëtarë,
Të marrim dituritë,
Se s` është koh` e parë,

Tani lipset dritë. Poetin e ngazëlleu hapja e shkollës së parë shqipe dhe me një lavdërim të veçantë shkruan për qytetin, që pat nderin të çelte i pari derën e saj:
Lumja ti , moj Korç` o lule,
Që i le pas shoqet e tua,
Si trime në ball` u sule,
Ta paçim për jetë hua.

Shkollat që po hapeshin dhë forcimi i përditshëm i ndërgjegjës kombtare e bënin optimist Naim Frasherin për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi i Turqisë:
Se shqipëtari
E gluha e tija
Venë së mbari
Dhe Shqipëria.

Besimi i poetit për ardhmërinë e Shqipërisë ishte i patundur, sepse ai e kuptonte që drita e diturisë po e mundte errësirën:
Për Shqipërinë
Ditët e mira
Paskëtaj vinë.
Shkoi errësira.

Naim Frashëri qe i bindur se dita e Pavarësisë nuk do të ishte ë largët. Me frymëzimin e tij poetik ai parandjente dritën e agimit të Shqipërisë:
Lum kush ta shoh
Për pak kohë.

Po ai vet, ai që u tret tërë jëtën si qiriri, nuk arriti ta shikonte atë ditë aq të dëshiruar. Për gjithë këto ane të personalitetit të tij intelektual dhe krijues ai qe bërë një apostull i shqiptarizmit. Naim Frashëri vdiq më 20 Tetor të vitit 1900, në Stamboll, dukë lënë pas dritën e veprës së tij dhe dëshirën e madhe që “Shqipëria të ndritohet, të lulezohet”. Ashtu, më veprën dhë fjalën e vetë, poeti qe futur në mendjen dhë në zemrën e gjithë shqiptarëvë. Si apostull i shqiptarizmës ai që bërë pjesë e ndërgjegjës kombëtare. Poeti e ndjente dashurinë e njerzëve, prandaj edhe shkroi:
Unë jam në shpirtin tuaj,
Mos më kini për të huaj.

Dhe vërtetë ai është e do të jetë në mendjën e kombit shqiptar me vargjet e tij patriotike dhe dritën e mendimit poetik. Vepra e Naim Frashërit bëri epokë në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Së pari se me fjalën e tij edukoi gjithë popullin me dashurinë për atdhenë dhe së dyti se krijoi shkollën e parë poetike shqiptare, që nga morrën e marrin dritë breza të tërë poetësh deri në ditëtë tona..

Illyria, 20 tetor, 2003

BIZANTI DHE DINASTIA ILIRO-DARDANE (II)- Nga Argon JAHA

Jusuf Buxhovi: “KOSOVA” II, MESJETA. Botues: “Jalifat Publishing” – Houston & “Faik Konica” – Prishtinë, 2015.
Autori me të drejtë i kthehet rolit të faktorit dardan përkatësisht ilir brenda ngrehinës shtetërore të Perandorisë Romake duke konsideruar këtë pjesë të historisë globale evropiane, por para së gjithash si thesar unikat të rrugëtimit të elementit etnik ilir. Shpesh na bie të dëgjojmë se Perandoria Romake ka qenë tërë kohën „pushtuese“ dhe se iliro-shqiptarët ishin të pushtuar nga romakët!Dhe se gjuhë zyrtare ka qenë latinishtja.
Autori këtu zgjidh „enigmën“ apo mirë të themi pseudoenigmën e kinse pushtimit të vazhdueshëm me qindra vite nga romakët. Buxhovi paraqet si përgjigje elokuente faktin se ilirët shumë herët u shkrinë në aspektin etatist dhe adminstrativ në Perandorinë Romake (në shtetin e parë të organizuar në baza jofisnore, jopatriarhale në historinë botërore). Ai thekson se „qysh nga koha e Karakallës realisht nuk mund të flitet më për pushtimin romak“.
Këtë e argumenton edhe faktografisht duke përshkruar shtresimin identitar ilir brenda korpusit global romak.
IDENTITETI ADMINSTRATIV-VETËQEVERISËS:
Individualisht dhe kolektivisht posedimi i shtetësisë romake, si dhe autonomia maksimale si provincë Ilirikum, e cila të paktën nga periudha e Dioklecianit në aspektin politik e strategjik ekonomik do të jetë me rëndësi të dorës së parë për tërë Peramdorinë.
IDENTITETI SHPIRTËROR:
(Krishtërimi në fazat më të hershme, nominalisht, institucionalisht i legalizuar nga Konstandini).
Me këtë rast është e nevojshme, shkurtimisht të thuhen disa fjalë rreth periudhës parakonstandiniane ë për t’u parë rëndësia dhe roli i perandorëve iliro-dardan në ngrehinën shtetërore bizantine.
Nga fundi i shek. Të II-të e deri te fundi shek. të III-të Perandoria Romake ndodhej në një gjendje permanente të konflikteve të brendshme, në shumicën e rasteve paraqiten perandorë që vetëm për një kohë të shkurtër mund të qëndrojnë në fronin perandorak dhe zakonisht abdikojnë nga rebelimet e brendshme të ushtrisë romake. Një numër i madh i tyre ishin me origjinë ilire. Është kjo koha e dyndjeve të shumë popujve në drejtim të tokave nën ingjerencat romake. Romakët si njerëz apo specialist të punës praktike që ishin këta popuj në burimet e tyre i cilësojnë me kolektivin barbarë, e jo rrallë edhe gjermano-keltik.
2
Ashtu siç e thotë autori, dhe vlen sot edhe si fakt i siguruar, stabilizimi do të arrihet vetëm me ardhjen në pushtet të Perandorit me origjinë ilire (nga Dioklea, sot Mal i Zi) – DIOKLECIANIT, i cili me një varg reformash do të ndikoj në mënyrë vendimtare në stabilizimin e sigurisë publike, në rritjen ekonomike dhe sigurinë në kufijtë e Perandorisë. Autori përmend këtu dy levat e reformës, ndarjen e pushtetit civil nga ai ushtarak (DUKA, DUX) dhe formimin e njësive lëvizëse për sigurinë e brendshme (COMITATENSIS). Deri te Diokleciani ushtria romake përbëhej vetëm nga njësitet kufitare (LIMITANEI).
KONSTANDINI I MADH DHE INSTITUCIONALIZIMI I KRISHTËRIMIT
Buxhovi është historiani i parë shqiptar që shprehimisht dhe publikisht nxjerrë para publikut shqiptar figurën kolosale evropiane me origjinë iliro-dardane, Konstandinin e Madh.
Deri te Buxhovi Konstandini trajtohej vetëm kalimthi si perandor romak apo bizantin sipas motos ‘shqiptarët nuk kanë hise në historinë e Perandorisë Lindore Romake’, e lëre më në atë romake. Autori ia kthen personalitetin qendër historisë Iliro-thrakase, dhe kështu korrigjon një gabim trashanik të historiografisë shqiptare, asaj evropiane dhe më gjerë.
Nuk janë pra sipas Buxhovit qendra e historisë ilire as Genci, as Bardhyli, as Agroni e Teuta, por Konstandini dhe Justiniani (parafrazim nga kon-apo ndërteksti konceptual i autorit!).
Autori paraqet hollësisht të gjitha aspektet e vitas dhe veprimtarisë unikate të Konstandinit për lejimin si religio libera (Edikti i Milanos, 311 mbas Krishtit), përcaktimin e kredos (formulës dogmatike) dhe vendimin për instucionalizimin e Krishtërimit (Këshillimi i Nikeasë, 325). Autori përmend si pjesëmarrës në Këshillimin e Nikeas edhe Peshkopin e Shkupit, i firmosur si „Ducus Dardaniae.“
Kontributi iliro-thrakas, korpusi ky më vital dhe kulturëproshues i Perandorisë Lindore Romake përgjatë shumë shekujve pasqyrohet nga Buxhovi edhe me numrin e madh të prelatëve të lartë të Krishtërimit institucional, siç ishin Shën JERONIMI nga Dalmacia ilirike, i pari që Biblën e përktheu (në një gjuhë evropiane dhe për publikun evropian) në latinishten vulgare, libër ky që deri në ditët e sotme shërben si bazë e studimeve teologjike dhe linguistike.
Pastaj Niketë DARDANIN nga Remisiana, një personaliet i rrallë që vepronte kryesisht në hapësirën dardane dhe që konsiderohej si njëri nga doksologët më të njohur të kohës, të cilit i atribuohet edhe hartimi i hymnit themelor kishtar ‘TU DEUM.’
Vitaliteti i lartë i pjesës lindore (iliro-thrakase) të Perandorisë Romake krahasuar me atë iliro-latino-italike dhe Iliro-Dalmatine, i dëshmuar si shpëtimtar për mbijetimin dhe forcimin e Perandorisë Romake (citat nga studimet e mija mbi „Rolin shpëtimtar të Iliro-thrakasve në mbrotjen dhe jetëgjatësinë e P. Romake) sidomos nga koha e Dioklacianit, shënon edhe fundin e përqendrimit të shtetit romak në hapësirën italike.
3
Konstandinopja do të jetë NOVA ROMA.
Me kalimin e kohës, sipas autorit, do të kemi, sidomos mbas periudhës së Theodeziut dhe ndarjes së Perandoirisë Romake, zhvendosjen dramatike të pushtetit në kuptimin e qendrës së re, Kostandinopojës, i cili edhe faktikisht do të ekzistoj deri në vitin 1453, kur ndodhë edhe pushtimi i kryeqytetit nga ushtria osmane.
Në shekujt vijues (IV-VI), pushteti perëndimor romak do të ndodhet në lëvizjen e tij të vazhdueshme drejt humbjes totale të ingerencave për shkak të dobësive të brendshme dhe invadimit të popujve të ndryshëm, gotët, vandalët etj. Këta popuj do tia shkëpusin sferës perëndimore romake një pjesë të mirë të Italisë, Afrikën Veriore etj. Por, këto pushtime, sipas autorit, nuk do të pranohen si të ligjshme asnjëherë nga Perandoria Lindore Romake. Deri në fillim të shek. të VI-të, megjithatë, nuk do të kemi përpjekje serioze të rikthimit të tyre.
Me ngritjen në fronin perandorak të Perandorit Justinian (Pjetër Sabati) nga Dardania Iliro-Romake, sipas autorit, falë aftësive të tija pushtetare, si në sferën organizative, ashtu edhe diplomatike, do të nisë sipas autorit puna me ringjalljen apo rikthimin e plotë të Perandorisë në teritoret e humbura, ajo që në shkencë njihet si ‘Renovatio de Imperii.’ Autori Buxhovi shihet se e njeh me saktësi shkencore veprën historike të autorit më të rëndësishëm burimor nga kjo periudhë, Prokopin nga Cezarea. Prandaj e drejtë është qasja e tij e bazuar jo vetëm në këtë burim, por edhe veprat moderne studimore, se kjo periudhë e Perandoria Lindore Romake përbën një nga shekujt më të rëndësishëm në historinë iliro-romake përkatësisht gjithë evopiane.
Po i numëroj telegrafisht rezultatet e mëdha të Justinianit:
– Rikthimi i pushtetit romak në Itali pas luftës mbi 20 vjeçare kundër gotëve, kryesisht nën drejtimin operacional të kryestrategut – Belizari.
– Rikthimi i pushtetit romak brenda pak muajve në Afrikën Veriore, edhe ky operacion nën patronatin e Perandorit Justinian dhe i drejtuar nga Belizari.
– Ndërtimet dhe fortifikimet e shumë kështjellave e kullave me rëndësi ushtarake-strategjike, ndërtimet e panumërta sakrale dhe publike.
– Rihartimi konpilativ dhe përmbledhës i të Drejtës Romake, ‘Corpus Iuris Civilis’.

MASHTRIMET E KISHËS ORTODOKSE SERBE ME AUTOQEFALINË DHE PASOJAT PËR SHTETIN E KOSOVËS Nga Jusuf BUXHOVI

Ngritja e shtetit hegjemon serb nga autonomia në vitin 1830 (në përmasat e pashallëkut të Beogradit) dhe pranimi si shtet në Kongresin e Berlinit 1878 e deri te zgjerimi me tokat shqiptare gjatë luftërave Ballkanike 1912-1913, me ç’rast Kosova dhe Maqedonia do t’i njihen Serbisë, u bë mbi “tapitë shpirtërore” të kishës ortodokse serbe dhe mashtrimeve të saj si “pjesë e identitet shpirtëror dhe kulturor serb nga mesjeta e këndej”. Ky mashtrim që ishte pjesë e konceptit sllavo-rus që në pjesën europiane të Perandorisë Osmane të krijojë shtete vasale (Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë), duhej të përcillej me faktorin Kishë Ortodokse Serbe si dhe gjoja autoqefalinë e saj nga shekulli XIII e këndej, që si do të shihet, ishte vetëm një autonomi e përkohshme nga Peshkopata e Ohrit (nga viti 1219-1275). Diskursi i këtij mashtrimi do të vazhdojë për tetë shekuj me radhë, meqë autoqefalia e Kishës Ortodokse Serbe do të fitohet në vitin 1922, pasi që të jetë formuar Mbretëria Serbe-Kroate-Sllovene. Meqë autoqefalia kishtare përherë lidhej me shtetësinë, Kisha Ortodokse serbe, këtë “të drejtë” e fitoi vetëm pas vendimeve të Konferencës së Parisit më 1919 kur u pranua Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, në gusht të vitit 1920, me anën e një delegacioni shtetëror do t’i drejtohet Sinodit të Shenjtë të Patrikanës së Kostandinopojës për unifikimin e tri kishave (të Karllovcit, të Malit të Zi dhe të Mitropolisë së Beogradit) në një kishë të përbashkët, që do të quhej Kisha Ortodokse Serbe. Sinodi i Shenjtë, në përputhje me realitetet shtetërore të cilave u nënshtroheshin edhe ato kishtare (autoqefalitë), vendosi të miratojë kërkesën e shtetit SKS me kusht që të paguajë 1,5 milionë franka francezë për lejimin e kishave të Kosovës dhe të Maqedonisë (deri më atëherë nën juridiksionin e Patrikanës së Kostandinopojës) që të përfshihen në kuadër të hierarkisë së Kishës së bashkuar ortodokse serbe. Akti përfundimtarë i kësaj marrëveshjeje do të nënshkruhet në vitin 1922 nga Patriku i Kostandinopojës.
Meqë ky mashtrim prej tetë shekujsh po vazhdon të prodhojë pasoja politike për shtetin e Kosovës, ngaqë me pakon e Ahtisarit krishterimi ortodoks dhe objektet e kultit kishtar trajtohen si pronësi e Kishës Ortodokse Serbe, me ç’rast shqiptarët, që i kanë takuar krishterimit nga zyrtarizimi i tij në shekullin IV, kur në Ilirik nuk ka pasë sllav, privohen nga një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së tyre shpirtërore dhe asaj historike, është e udhës që të sqarohet historia e këtij mashtrimi. Ajo gjithsesi lidhet me fuqizimin e dinastisë së Rashës Nemanjane (me prejardhje tribale) si dhe kyçjën e saj në kryqëzatat katolike evropiane si dhe shfrytëzimi i rrethanave të dobësimit të Bizantit, që u krijoi mundësi për ngritje të fuqishme në Ilirik. Kështu, kur në Kostandinopojë kryqtarët katolikë do të rrënojnë kulturalisht dhe politikisht Bizantin, duke shpallur Perandorinë Katolike në vitin 1204, ndërsa qendra e Bizantit bashkë me kishën ortodokse do të kalojë në Nike, kisha e Rashës në qendrën e saj në Zhiçë, me ndihmën e drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë, do të ndihmohet, që me veprime në kundërshtim me kanonet kishtare, për t’u shkëputur njëanshëm nga Peshkopata e Ohrit, në të cilën gjendej nga koha e Simeonit bashkë me të tjerat në pjesën perëndimore të Ilirikut. Kjo gjendje ishte konfirmuar edhe nga perandori i Bizantit Vasili II në vitin 1018. Nga dokumentet e rishkruara dhe të përpunuara të Kishës Ortodokse Serbe nga punëtoria e manastirit të Hilandarit veçmas me anën e “zhitive”(jetëshkrimeve të monahëve kishtarë) që nuk paraqesin tjetër pos një formë të haxhiografisë (jetëshkrime fetare), shumë prej tyre të përpunuar dhe të rishkruara në shekujt XVII-XIX në përputhje me qëllimet e caktuara politike, fitohet bindja se e ashtuquajtura Kishë Ortodokse Serbe “pranohet e pavarur” nga Patrikana e Kostandinopojës, pra fiton autoqefalin, ndonëse ajo që kishte ndodhur në Nike, në bazë të dokumenteve meritore, paraqet vetëm një pavarësim të Peshkopatës së Zhiçës nga Peshkopata e Ohrit dhe assesi autoqefali. Pra, në Nike, në rrethanat kur në Kostandinopojë asokohe sundonte Perandoria Latine, kishte ndodhur vetëm një riorganizim i përkohshëm kishtar në pjesën qendrore të Bizantit, si kundërpërgjigje realiteteve të reja të krijuara kur kisha katolike kishte fituar hapësirë të dukshme në këto pjesë dhe kërkonte që të faktorizojë aleatët dhe vasalët perëndimorë: Nemanjajt e Rashës dhe bullgarët. Në këtë drejtim Vatikani punoi me të madhe qe Kisha e Rashës me seli në Zhiçë dhe ajo bullgare të shkëputen nga Kostandinopoja. Natyrisht se edhe kisha e Kostandinopojës e dëbuar nga kryeqendra e vet, asokohe nuk e kishte kundërshtuar “mëvetësimin” e kishës së Rashës me seli në Zhiçë nga ajo e Ohrit, meqë ishte e interesuar që ajo të mos bëhej pre e Vatikanit, veçmas pas kurorëzimit kishtar të Stefan Ne-manjës në vitin 1217 nga Papati. Përkundrazi, si shihet, edhe Patriku i Nikesë, Manojllo, do ta kurorëzojë “mbret” Nemanjën duke e toleruar formalisht krijimin e Peshkopatës së Zhiçës, si të shkëputur nga ajo e Ohrit, por kjo me asnjë dokument nuk u vërtetua se fitoi edhe autoqefali kishtare. Rreth kësaj kemi edhe dëshminë meritore të Dr. Dimitrije Ruvarac, arkimandrit, menaxher i shtypshkronjës së kishave dhe Bibliotekës Patriarkale të Sremski Karlovcit dhe redaktor i “Srpski Zion”. Ruvarac pohon se “nuk ka dyshim se Sava mori disa privilegje për hierarkinë kishtare rasiene në Nikea, por është e pamundur të identifikohen të gjitha ato me bekimin për një ngjarje kaq të madhe kanonike, siç është krijimi i kishës autoqefale. Me fjalë të tjera, Sava mund të merrte një vetëqeverisje të caktuar nga Kostandinopoja për hierarkinë kishtare, me një listë të përcaktuar qartë të privilegjeve – por jo autoqefali.
Por, pas rrëzimit të Perandorisë Latine më 1261 dhe të rikthimit të Bizantit në Kostandinopojë, vendimet e Nikesë rreth shkëputjes së Peshkopatës së Rashës nga Peshkopata e Ohrit anulohen dhe ajo prapë do t’i kthehet gjendjes që ishte në vitin 1219. Madje, me rastin e rikthimit nën administrimin e Peshkopatës së Ohrit, bashkë me atë bullgare, në Koncilin e Lionit, më 1274, kërkohet falje për këtë “sjelle të pamirë të kishës së Rashës”.
Lajmet më të hershme të suksesit të Savës në fitimin e autonomisë – jo autoqefalisë – erdhën nga biografët e tij (higjiografët). Dhe me një vonesë të madhe. Domentian shkruan për këtë (rreth 1253, kështu që shkrimet e tij u “ripunuan” nga një autor tjetër pas vitit 1290); dhe më pas, të paktën një shekull më vonë (midis 1320 dhe 1330) dhe Teodosi.
Domentian dhe Teodosi lan një konfuzion në takimin në shkrimet e tyre. Njëri prej tyre shkruan për 14 vitet që Sava kaloi si kryepeshkop; kjo do të thoshte, me kushtin që në vitin 1233 (ose 1234) për disa arsye Sava dha dorëheqje nga froni i Kryepeshkopatës së Zhiçës, se ai mund të ishte shuguruar më 1219, dhe pastaj Patriarku Manojlo Sarantin (νοανουήλ Α΄ Σαραντητός ή Χαριτόπουλος).
Sidoqoftë, Domentiani dhe Teodosi janë të aftë për çështjet kishtare, kështu që, megjithëse ata zbukurojnë dukshëm gjëra – për shembull, thuhet gabimisht që Sava erdhi në Kostandinopojë me perandorin bizantin, megjithëse është e verifikueshme që Theodore I Lascaris mbretëroi në Nikea – ata nuk pretendojnë se bëhej fjalë për autoqefali të kishës.
Edhe te kjo çështje, ndërhyrja e dr. Ruvarac, heq mjegullimin e krijuar nga biografët e tij dhe të tjerët që i përpunuan ato. “Deri tani, asnjë letër nuk është shtypur askund, e cila do të konfirmonte kush dhe kur Shën Savën e shuguroi kryepeshkop dhe mbi çfarë baze. Sepse, po të ishte kështu, atëherë duhej të lësho-hej një letër e tillë dhe një akt i tillë i rëndësishëm nuk mund të humbiste. Prandaj, nuk dihet saktësisht se cilin vit, për të mos përmendur muajin dhe ditën, është shuguruar Sava kryepeshkop, siç mungon edhe emri i patriarkut që e bëri atë”.
Ato që thotë dr. Ruvarac, mbështetet nga qëndrimet e Dr. Janko Shafarik, i cili u mor shumë me këtë çështje. Shafariku paraqiti një raport mbi rezultatet e hulumtimit të tij në arkivat e Kostandinopojës, botuar më 1855 në Beograd. Për atë që gjeti në Kostandinopojë, Shafarik shkruan:
“Ne nuk mund të dokumentojmë asnjë veprim me anë të të cilit Shën Sava u bë një kryepeshkop i pavarur. Madje, asnjë veprim tjetër i ngjashëm, nuk është gjetur deri më sot!”.
Edhe historiani i kishës serbe, Svetozar Niketiq, qysh më 1870 vlerëson se “Megjithëse kisha serbe ka qenë ajo që e konsideroi Sava si të pavarur, përsëri kryepeshkopët e saj, të zgjedhur nga asambleja e hierarkëve, u përcaktuan në atë titull nga patriarku i Kostandinopojës”. Por Niketiq, thotë se, falë Savës, u fitua e drejta për të shuguruar peshkopët e tyre vetë në të ardhmen, por ata mbetën nën ohforionin e Kostandinopojës, praktikë kjo që përkohësisht do të ndërpritet nga Stefan Dushani. S’do mend, se e drejta për të shuguruar peshkopët e tyre në të ardhmen, që si përvojë u shfrytëzua gjatë dy shekujve të ardhshëm në hapësirat kah Nemanjajt shtrinë pushtetin, u shfrytëzuar për t’u “promovua” autoqefalia. Kisha Ortodokse Serbe retushoi në këtë frymë thuajse të gjitha dokumentet kishtare që erdhën nga punëtoritë e Hilandarit.
Në të vërtetës, ky veprim, nuk anashkalohet as nga disa autorë objektivë serbë (ndër të cilët duhet dalluar Ilarion Ruvarac). Aty, me të drejtë, shihen edhe prapaskenat e Vatikanit, që asokohe luheshin në kurriz të Patrikanës së Kostandinopojës me rastin e pushtimit të kryeqytetit të Bizantit nga katolikët, në vitin 1204 që zgjati deri në vitin 1261, kur aty u kthye Perandori bashkë me suitën e klerikëve nga Nikea. Në këtë vënerim, gjithsesi, rolin kryesor kishte veprimi i Peshkopit të Ohrit, Dimitrije Homatian (Demetros Chomateros), që sapo të përhapet lajmi nga Nikea, nxori mallkimin drejtuar Arhimandrit Sava të Rashës. Në letrën drejtuar Patrikut ortodoks në Nike thotë se Sava nuk e ka të drejtën të shkëputet nga Peshkopata e Ohrit, meqë kjo nuk lejohet nga kanoni i rregullit apostolik.
Letrat e peshkopit të Ohrit, Dimitrije Homatian, do të mbesin një zë i shurdhër për mbi gjysmë shekulli, deri sa do të bjerë Perandoria latine e Kostandinopojës në vitin 1261. Bizanti sapo u kthye në kryeqytet e me të edhe qendër e Patrikanës Ortodokse, u kthye edhe rregulli i dikurshëm kishtar. Ky veprim ishte përcjellë me “miratim” edhe nga Vatikani, ngaqë ishte kthyer “normaliteti” midis dy qendrave botërore që thirreshin në të njëjtën perandori, e cila asokohe ndodhej përballë kërcënimeve osmane. Në kuadër të këtyre raporteve, për Patrikanën e Kostandinopojës me interes të madh shfaqej edhe rikthimi i fuqisë së humbur kishtare të Peshkopatës së Ohrit, me rastin e shkëputjes së njëanshme prej saj të Ipeshkvisë së Rashës dhe asaj bullgare, të cilat aktronin autoqefalin. Në këtë aspekt letrave të Homatianit do t’u hiqet pluhuri i kohës dhe madje, do t’u jepet përgjigje e drejtë, me atë që në Koncilin e Lionit do të thuhet se në Nikea ishte shkelë kanoni apostolik dhe se Peshkopatës së Ohrit i ktheheshin Ipeshkvia e Rashës dhe ajo bullgare. Natyrisht se këtij vendimi i parapriu dekreti i Perandorit Mihali VIII, me të cilin Peshkopatës së Ohrit i kthehej juridiksioni mbi Ipeshkvinë e Rashës dhe atë bullgare në përputhje me dekretin që kishte shpallur në fillim të shekullit XI Perandori Bazili II. Anulimi i pavarësisë së peshkopatës së Rashës, qendra e së cilës kishte kaluar në manastirin e Zhiqes, që në historinë kishtare të Kishës Ortodokse Serbe quhej autoqefali, kërkonte edhe largimin e peshkopit Danilo nga ajo pozitë. Kjo do të bëhet në vitin 1272.
(Shkëputje nga libri “Dardania – antika, mesjeta”, Prishtinë,2020).

BEKTASHIZMI- Nga Lutfi ALIA

 

Bektashizmi është urdhër mistik sufist, i themeluar nga Bektash Veliu (1209 – 1271), mistik, filozof dhe poet nga Horasani i Persisë. [Algar H. Khorä-sanian Sufi Häji Bektäs. Enciclopedia Iraniana, 2006, V, 117.]. Bektash Veliu e themeloi urdhërin e ri duke përvhetësuar parimet, rregullat dhe aspektet më pozitive të doktrinave fetare pararendëse të themeluara në lindje, kështu mori elemente nga Zarathutrizmi, Budizmi, Hinduizmi, Krishtërimi dhe Islamizmi, të cilat i përshtati mjeshtërisht në doktrinën e urdhërit të ri, duke i dhënë origjinalitet dhe fizionomi dalluese me urdhërat e tjerë.

Bektashizmi është urdhër autonom, i shquar për karakterin paqësor, tolerant, liberal, patriot, arsimdashës dhe ekumenik, pra bashkëpunon me të gjitha besimet e tjera fetare. Antonio Baldacci ka theksuar: “Saktësisht, bektashijtë nuk janë as myslimanë dhe as të krishterë” [Baldacci Antonio. l’Albania, Roma 1930, p 212 – 220]

 

Dishepulli i Bektash Veliut ishte persiani Sari Salltik (1267 – 1298), i mirënjohur si Piri i parë, i cili ndikoi në shprehjen e spiritualitetit, të mistiçizmit dhe përhapjen e bektashizmit në Persi, në Anadoll dhe në vendet Ballkanike. Për këto merita të Sari Salltik, shumë vende, ku u përhap bektashizmi, pretendojnë se kanë varrin e tij, nga rezulton se Ai ka shtatë varre, në shtatë vende të ndryshme: në Persi, në Turqi, dy në Shqipëri (në manastirin Shen Naunit në Pogradec dhe në malin e Krujës), në Korfuz, në Bullgari dhe në Budapest, krye-qyteti i Hungarisë, që shënon kufirin verior të përhapjes të bektashizmit.

Në shekujt XV – XVI, në përhapjen e bektashizmit u shquat Piri i dytë Ballem Sulltani (1457 – 1517). Ballem Sulltani ishte murg ortodoks bullgar, i konvertuar në bektashi, i cili ndikoi fuqishëm në përhapjen e bektashizmit, por në veçanti ka meritat se kodifikoi rregullat dhe normat e doktrinës të bektashizmit dhe në organizimin e institucioneve të urdhërit me Kryegjyshatën, Gjyshatat, Teqet dhe Tyrbet.

Ballem Sulltani përcaktoi veshjen tipike të klerikëve bektashi, shenjat dalluese dhe vendosi që klerikët të ruajnë virgjërinë, pra Dedei, Babai dhe Dervishi nuk martohen dhe për të shprehur këtë aspekt dallues, praktikoi në klerikët bektashi çpuarjen e veshit të djathtë dhe vënien e vathit të virgjërisë.
Karakteristike janë dhe rangjet e besimtarëve bektashi, të cilat cilësohen në gjuhë perisane:
⦁ Ashiku, ndjekës i pasionuar, i dashuruar me bektashizmin.
⦁ Myhib – ithtar. Ashiku bëhet Myhib (Ithtar) pasi kalon ritin e dëlirjes dhe deklaron besnikëri ndaj bektashizmit gjatë një ceremonie në teqe.
⦁ Dervishi (perisisht – i varfër), kleriku shërbyes në teqe dhe predikuesi i riteve fetare të bektashizmit. Dervish bëhen vetëm myhibët dhe janë Myxherë, persona me përvojë në jetë dhe të pamartuar.
⦁ Babà – kleriku drejtues i një teqeje.
⦁ Halife-Babà – gjysh, drejtues i gjyshatave.
⦁ Dede-Babà, – Kryegjyshi, autoriteti më i lartë i Urdhërit Bektashi, drejtuesi i Kryegjyshatës Botërore
Urdhëri Bektashi, ka diferenca të dukëshme me fenë islame. Myslimanët synitë nderojnë binomin Zoti – Muhameti, ndërsa urdhëri Bektashi, nderon dhe udhëhiqet nga trinia e shenjtë: Zoti – Muhameti – Aliu.
Doktrina bektashiane ndjek katёr parime themelore:
⦁ Hakikati – sinqeriteti, e vёrteta, e drejta.
⦁ Tarikati – thirrja e brendёshme shpirtërore.
⦁ Marifeti – dituria, arsimimi.
4. Sheriati – zbatimi i ligjeve, i rregullave, i dokeve dhe i dhe i normave etiko – morale të shoqërisë.

Bektashijtë nuk mbajnë Ramazan, por për 10 ditë mbajnë Matem, që evokon martirët e luftimeve në Karbala, ku imam Aliu ndejti 10 ditë pa pirë ujë. Gjatë ditëve të Matemit bektashijtë e devotshëm nuk pijnë ujë, por ndryshe nga myslimanët, hanë ushqime në të tre vaktet, pёrdorin pijet alkoolike, rakinë, venën dhe lëngje frutash. Në tre ditët pas matemit, organizohet festa e Hashures.

Në ritet dhe në festat e bektashijëve marrin pjesë edhe gratë.

Urdhëri Bektashi e ndalon mbulimin e fytyrёs të grave.

Bektashijt nuk hanë mish lepuri, ndërsa konsumojnë të gjithë llojet e mishrave të kafshëve shtëpijake dhe të egra, përfshi dhe mishin e derrit të egër.

Që në zanafillat e përhapjes në trojet shqiptare, bektashizmi i ka kryer të gjitha shërbesat dhe ritet fetare, vetëm në gjuhën shqipe, në ndryshim nga të gjitha besimet e tjera fetare në Shqipëri, që ende vazhdojnë të predikojnë në arabisht, greqisht dhe latinisht.

Profeti i bektashizmit shqiptar, poeti Naim Frashëri ka thënë: “Bektashizmi është filozofia e shprehur në besim, në letërsi, në art, në arkitekturë, në mënyrën e jetesës, në patriotizëm edhe në shqiptarizëm”.

Bektashizmi në Shqipëri u përqafua së pari nga myslimanët e në vazhdim nga banorët ortodoksë, që u lidhën me urdhërin e ri, si kundërvënie ndaj turqëve myslimanë synitë.

Historikisht bektashijtë ishin dhe janë faktor ekuilibri, me ndikim në shuarjen e konflikteve ndërfetare, ndërmjet banorëve myslimanë me të krishterët. Është meritë e Urdhërit të Bektashive, që në Shqipëri nuk janë zhvilluar luftra fetare.

Në trojet arbërore bektashizmi filloi të përhapet në fund të shekullit XVI, fillimisht në Tetovë. Dervishi Sersem Ali Baba, poet, teolog dhe filozof tetovar, në vitin 1548 filloi ndërtimin e Teqes Harabati në Tetovë (Harabat – Tempulli i shenjtë). Në vitin 1799, mjediset e Teqes Harabat në Tetovë u zgjeruan, si janë dhe aktualisht. Në vitet e më pasme Bektshizmi u përhap dhe në trojet e tjera arbërore.

Elvija Çelebia kur vizitoi trojet arbërore në gjysmën e dytë të shekullit XVII, tregon se pas vitit 1660 ishin ngritur teqe të Bektashive në Mitrovicë dhe në Kaçanik të Kosovës, në vitin 1670 isht ngritur teqet në Kaninë dhe në Vlorë. Pas këtyre teqeve të para, në vitin 1780 Asim Babai hapi teqen e Zallit në Gjirokastër. Nga viti 1790 – 1870 bektashizmi u përhap masivisht në trojet shqiptare. [Roberet Elsie. The Albanian Bektashi: The history and culture of a drevish order in the Balkans. Edit: I. B. Tauris, 2021].

Bektashizmi ka dhënë një kontrubut të madh në rilindjen kombëtare shqiptare, për arsimimin në shqip dhe pavarësinë e vendit tonë nga shtypja pesëshekullore e pushtetit obskurantist të Perandorisëë osmane.

Pas Kongresit I të Bektashive i mbledhur në Prishtë të Skraparit në Janar 1922, bektashinjtë shqiptarë e shpallën veten të pavarur nga bektashinjtë e Turqisë.

Në Kongresin II Kombëtar të Bektashijve, që u mbajt më 8 – 9 korrik 1924, nën drejtimine Baba Ahmet Turani, komuniteti bektashi vendosi të zhvendosi selinë e urdhërit në Tiranë.

Në Kongresin III Kombëtar të Bektashive, që u mblodh më 23 shtator 1929 në Teqen e Turanit në Korçë, nën drejtimin e Baba Zylfo Melçanit, Bektashizmi u deklarua bashkësi fetare mëvehte dhe u shpall sistemi i krygjyshatës botërore me seli në Tiranë.

Në vitin 1929, në trojet e banuara nga shqiptarët funksiononin 65 Teqè.

Pas një periudhë politike absurde atesite të sistemit komunist, Urdhëri Bekashi u ripërtëri dhe u forcua në të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët dhe më 22 mars 1991, në festën e Novruzit, në Tiranë u rihap selia botërore e Urdhërit Bektashi, me Kryegjysh Haxhi Reshat Bardhi dhe nga viti 2011 Haxhi Edmond Brahimaj.

Në fillimet e shekullit XXI, besimtarët bektashi përbëjnë 25 % të popullatës.

Gjithçka që duhet të dini për eklipset hënore

Kur Toka bllokon rrezet e diellit, hija e saj bie në Hënë, duke krijuar një spektakël magjepsës të njohur si një eklips hënor. Këto ngjarje qiellore ndodhin kur Toka është drejtpërdrejt midis Diellit dhe Hënës, duke bërë që hija e Tokës të mbulojë Hënën. Eklipset hënore mund të ndodhin vetëm gjatë Hënës së Plotë kur Dielli, Toka dhe Hëna rreshtohen pothuajse në mënyrë të përsosur.

Çfarë është një eklips hënor?

Një eklips hënor ndodh kur hija e Tokës bie në Hënë. Ekzistojnë tri lloje: totale, e pjesshme dhe gjysmë. Gjatë një eklipsi total hënor, e gjithë Hëna kalon nëpër hijen e Tokës, pjesën më të errët të hijes së saj, shpesh duke marrë një nuancë të kuqërremtë për shkak të dritës së diellit që filtron nëpër atmosferën e Tokës, një fenomen që zakonisht quhet Hëna e përgjakur. Në një eklips të pjesshëm hënor, vetëm një pjesë e Hënës hyn në hije, duke rezultuar në një pjesë të Hënës që duket e errët. Një eklips gjysmë hënor është më delikat, me Hënën që kalon nëpër pjesën e jashtme më të lehtë të hijes së Tokës, duke shkaktuar një zbehje të lehtë që mund të jetë e vështirë të vërehet.

Image

Çfarë e shkakton një eklips hënor?

Eklipset hënore janë rezultat i shtrirjes së Diellit, Tokës dhe Hënës. Atmosfera e Tokës përkulet dhe shpërndan dritën e diellit, duke filtruar pjesën më të madhe të dritës blu dhe duke lejuar gjatësitë e valëve të kuqe të arrijnë në Hënë, duke i dhënë asaj një pamje të kuqërremtë gjatë eklipseve totale. Megjithatë, pavarësisht orbitës 29.5-ditore të Hënës rreth Tokës, eklipset hënore nuk ndodhin çdo muaj për shkak të animit të orbitës së Hënës rreth 5 gradë në krahasim me orbitën e Tokës rreth Diellit, duke bërë që të tre trupat të mos rreshtohen gjithmonë në mënyrë të përsosur.

Sa shpesh ndodhin eklipset hënore?

Mesatarisht, ka rreth dy eklipse hënore çdo vit, megjithëse disa vite mund të kenë asnjë ose deri në tre. Jo të gjitha janë eklipse totale hënore, por ndryshe nga eklipset diellore, të cilat janë të dukshme vetëm nga pjesë të veçanta të botës, eklipset hënore mund të shihen nga kushdo në anën e natës së Tokës. Faza totale e një eklipsi hënor, ku Hëna është plotësisht brenda hijes së Tokës, mund të zgjasë deri në rreth 1 orë e 40 minuta, duke e bërë atë një spektakël më të gjatë në krahasim me eklipset diellore.

Si duken eklipset hënore?

Gjatë një eklipsi total hënor, Hëna mund të kthehet në një ngjyrë të kuqe të thellë, duke krijuar një pamje mahnitëse. Nuanca e saktë e së kuqes mund të ndryshojë në bazë të kushteve atmosferike të Tokës, si pluhuri vullkanik ose tymi i zjarrit. Në eklipset e pjesshme hënore, Hëna duket pjesërisht me hije, me një kontrast të mprehtë midis zonave të errëta dhe të ndriçuara. Eklipset penumbrale janë më delikate, me Hënën që shfaqet vetëm pak më e zbehtë, duke e bërë të vështirë vëzhgimin pa vëmendje të kujdesshme.

Image

Dallimi mes eklipseve diellore dhe hënore

Ndërsa të dy llojet e eklipseve përfshijnë shtrirjen e Diellit, Tokës dhe Hënës, ato ndryshojnë ndjeshëm. Një eklips diellor ndodh kur Hëna është midis Diellit dhe Tokës, duke hedhur hijen e saj në Tokë, e dukshme vetëm nga zona të veçanta dhe që kërkon syze të posaçme për shikim të sigurt. Në të kundërt, një eklips hënor ndodh kur Toka është midis Diellit dhe Hënës dhe mund të shihet i sigurt nga kudo në anën e natës së Tokës pa pajisje mbrojtëse.

Image

Shikojeni vetë!

Eklipset hënore nuk janë vetëm fenomene natyrore magjepsëse, por edhe mundësi të shkëlqyera për t’u përfshirë me sistemin tonë diellor. Qoftë duke parë Hënën të kthehet në të kuqe gjatë një eklipsi të plotë ose duke vëzhguar zbehjen e lehtë në një eklips gjysmënumbral, këto ngjarje ofrojnë një shans për t’u lidhur me qiellin e natës. Eklipsi tjetër hënor është natën e 17/18 shtatorit, një eklips i pjesshëm ku një pickim i vogël do të jetë i dukshëm në diskun e Hënës. Mos e humbisni!/Discover – Syri.net

Telefoni i parë në botë me tri ekrane dhe dy palosje

 

Huawei ka prezantuar zyrtarisht telefonin e parë në botë me dy mekanizma palosjeje dhe tre ekrane, një pajisje që është po aq e shtrenjtë sa pritej. Çmimet në Kinë për modelin Mate XT Ultimate Design fillojnë nga 19,999 juan (rreth 2,809 dollarë) për versionin me 256GB hapësirë ​​ruajtjeje, që është rreth 300 dollarë më shumë se një MacBook Pro i ri 16 inç. Ky model është pjesë e linjës “Ultimate Design” të Huawei, e cila është e njohur për produkte luksoze dhe inovative.

Mate XT ka një dizajn të dyfishtë me palosje në formë “Z”, që lejon përdorimin në formate të ndryshme. Ekrani OLED është 6.4 inç kur është i mbyllur si një pajisje tradicionale, ndërsa kur hapet plotësisht, zmadhohet në 10.2 inç duke ofruar një përvojë të ngjashme me një tablet. Pajisja mund të përdoret edhe në një konfigurim më të vogël prej 7.9 inç kur nuk është hapur plotësisht.

Telefoni ka një bateri 5,600mAh dhe mbështet karikim me kabëll prej 66W dhe pa kabëll prej 50W. Ka gjithashtu një sistem treshe kamerash në pjesën e pasme, përfshirë një kamerë kryesore 50 megapiksel, një kamer me kënd ultra të gjerë prej 12 megapikselësh dhe një kamerë periskop prej 12 megapikselësh. Për selfie, ka një kamerë 8 megapiksel të pozicionuar në ekranin e majtë kur pajisja është e hapur plotësisht.

Telefoni është lansuar fillimisht në Kinë dhe çmimi fillon nga 19,999 juan (rreth 2,809 dollarë) për modelin me 256GB memorie të brendshme, duke e bërë atë më të shtrenjtë se një MacBook Pro 16-inç. Gjithashtu, janë në dispozicion modele me kapacitet më të lartë për 21,999 juan (rreth 3,089 dollarë) për 512GB dhe 23,999 juan (rreth 3,370 dollarë) për 1TB​.


Për shkak të çmimit të lartë dhe inovacionit të ri, Mate XT pritet të përbëj konkurrencë të fortë në treg, sidomos me telefonat e palosshëm të tjerë si seria Galaxy Z Fold nga Samsung. Gjithashtu, markat e tjera si Xiaomi dhe Oppo po zhvillojnë versione të ngjashme të telefonave me tre ekrane të palosshëm.

Për momentin, nuk ka informacione të qarta në lidhje me disponueshmërinë e Mate XT jashtë Kinës, por pritet që Huawei të japë më shumë detaje së shpejti edhe për blerësit e interesuar jashtë territorit të Kinës.bw

Ka një shtëpi për njeriun në Hënë

Ka një shtëpi për njeriun në Hënë. Kështu mund të përmbledhim zbulimin e rëndësishëm të një grupi studiuesish, të udhëhequr nga Universiteti i Trentos, për ekzistencën e tuneleve në sipërfaqen hënore, të aftë për të vepruar si bazë e përhershme për misionet e ardhshme.

Këto janë struktura magjepsëse gjeologjike nëntokësore të njohura si “tuba lavë” që u formuan falë aktivitetit të lashtë vullkanik të satelitit tonë. Kur vullkanizmi i Hënës ishte intensiv, llava e lëngshme doli në sipërfaqe, rrodhi mbi të dhe u ngurtësua duke formuar një kore. Më poshtë, materiali vazhdoi të rrjedhë përmes një sërë kanalesh. Me kalimin e kohës, kur prurja e llavës zvogëlohej apo u ndal, llava brenda kanalit u largua, duke lënë pas “tuba” bosh nën sipërfaqen e ngurtësuar që formuan rrjete autentike nëntokësore.

Disa astronomë kishin hedhur teorinë e ekzistencës së këtyre tuneleve të paktën 50 vjet më parë, por kurrë nuk kishte pasur konsensus unanim mbi hipotezën.Tani, studiuesit e Trentos kanë qenë në gjendje ta konfirmojnë duke ekzaminuar skanimet e një grope të vendosur në rajonin Mare Tranquillitatis, të marra në vitin 2010 nga instrumenti miniaturë i frekuencave radio (Mini-RF) në bordin e Lunar Reconnaissance Orbiter i NASA-s.

Analiza e të dhënave lejoi gjithashtu të krijohej një model i një pjese të tubacionit. “Ajo që gjetëm është tuneli i vetëm që njohim. Por është hedhur për një kohë të gjatë hipoteza, se mund të ketë shumë të tjerë dhe se ato mund të formojnë një lloj rrjeti nën sipërfaqen hënore”, thotë Lorenzo Bruzzone, profesor në Universitetin e Trentos, drejtor i Laboratorit të sensorëve në distancë dhe bashkë-autor i studimit të botuar në Nature Astronomy. “Në përgjithësi, ajo që mund të them është se në sipërfaqen e Hënës ka shumë hapje, apo puse, të ngjashme me ato që kemi studiuar. Mendohet se ato janë për shkak të shembjes së çatisë së tubave të zbrazura të lavës dhe për këtë arsye vazhdojnë përtej pjesës së hapur. Megjithatë, jo vetëm që nuk ka asnjë konfirmim, por nuk dihet as nëse janë të aksesueshme, ato mund të bllokohen nga mbeturinat e shembjes. Është një hap më afër një misioni robotik për të eksploruar shpellën. Tani e dimë saktësisht se ku ta dërgojmë robotin për verifikim.”

Fatkeqësisht, Mini-RF i NASA-s dha të dhëna vetëm për disa pjesë të Hënës, dhe niveli i tyre i kufizuar i detajeve (rezolucion gjeometrik) lejon të eksplorohen vetëm puse shumë të mëdha . “Për më tepër, për të bërë një model të hyrjes në një tunel, duhet të verifikohen kushte të veçanta në lidhje me gjeometrinë e boshtit dhe marrjen e radarit. Kjo kufizon mundësinë për të ditur më shumë për galeritë e tjera që sigurisht janë të pranishme”, përfundon Bruzzone.

Ky zbulim mund të fusë një dozë të mirë optimizmi në lidhje me skenarët e mundshëm të ardhshëm të njeriut në Hënë. Deri më tani, planet për praninë njerëzore ishin fokusuar në krijimin e një baze operacionale në sipërfaqe, me të gjitha disavantazhet për banorët e ardhshëm të saj. Sateliti ynë është një mjedis jashtëzakonisht armiqësor, edhe për vetë instrumentet që përdor njeriu. Temperatura e tij është mesatarisht -23 gradë Celsius, por në sipërfaqe mund të ndryshojë nga -247 në Polin e Veriut në 127 në zonat e ekuatorit ku shkëlqen dielli.

Por nuk është vetëm kjo. Bombardimet e rrezatimit diellor dhe kozmik janë deri 150 herë më të forta se ato të përjetuara në Tokë, dhe përplasjet e meteorëve janë më të shpeshta. Aftësia për të përdorur tubat e lavës do të thotë siguri e nevojshme për këdo që kërkon një qëndrim të zgjatur në Hënë.

Nëso do të mund të kishte qindra puse dhe mijëra tuba të llavës, vende të tilla mund të veprojnë si një strehë natyrore për astronautët, duke i mbrojtur ata nga rrezet kozmike, rrezatimi diellor dhe meteorët. Ndërtimi i habitatit nga e para është më i kushtueshëm për sa i përket kohës dhe burimeve, sepse do të ishte i nevojshëm përforcimi i mureve të shpellës për të shmangur një shembje dhe instalim i “ashensorëve” për t’u ulur dhe për të dalë.

Ndër të tjera, rrjetet nëntokësore mund të përdoren për të nxjerrë burime të vlefshme hënore si metale dhe madje edhe rezerva akulli. Kjo do të reduktonte në mënyrë drastike kostot dhe logjistikën e transportit të materialeve nga Toka. Shpella e sapo zbuluar mund të shihet në modele kompjuterike. Një krahasim i mirë në Tokë është ai vullkanik nëntokësor në ishullin Lanzarote, Spanjë. Dhe ka vend edhe për imagjinatë, e cila nuk mund të mos fillojë nga një vëzhgim me sy të lirë i Mare Tranquillitatis, ku ndodhet pusi: një pellg në hemisferën hënore gjithmonë përballë Tokës. /Bota.al

Raketa evropiane Vega lëshohet me sukses në hapësirë

Lëshuesi evropian, i cili u ngrit nga baza hapësinore Kourou në Guiana Franceze, vendosi në mënyrë të përkryer në orbitë një satelit nga programi Copernicus

VOAL- Raketa Vega përfundoi me sukses misionin e saj të fundit të mërkurën, duke vendosur një satelit vëzhgimi në orbitë. Ky lëshim konfirmon kthimin e Evropës për angazhimin në hapësirë.

Fillimisht e planifikuar për një ditë më parë, por u vonua me 24 orë për shkak të “problemeve elektrike me lidhjet në tokë”, ngritje u zhvillua më në fund të mërkurën në orën 22:50 (3:50 të mëngjesit në Zvicër) në Kourou, Guiana Franceze. Qendra Hapësinore e Guajanës postoi në rrjetet e saj sociale: “Ngritja e suksesshme për misionin e fundit Vega nga porti hapësinor i Evropës!”

Raketa mbante satelitin Sentinel-2C për programin Copernicus të Bashkimit Evropian. Sateliti u vendos me sukses në orbitën sinkrone të Diellit në një lartësi prej rreth 775 km, 57 minuta dhe 27 sekonda pas lëshimit. ATS/RSI

ANDRONIKA ARIANITI KOMNENA KASTRIOTI, JETA NË OBORRET E MBRETËRISË SË NAPOLIT DHE TË SPANJËS Nga Dr. Lutfi ALIA

 

Andronika Arianiti Komnena, e bija e princit Gjergj Arianiti dhe Maria Muzaka, u lind në vitin 1428. Në moshën 23 vjeçe u martua me Gjergj Kastriotin, Zoti i Albanisë (Dominus Albaniae). Dasma vazhdoi një javë. Martesa u celebrua më 21 prill 1451 me ritin ortodoks në kishën QishBardha në Kaninë. Lidhja martesore dhe bekimi ungjillor u celebruan më 23 prill 1451 në kishën Shen Maria të Manastirit ortodoks të Ardenicës. Më 26 prill 1451, martesa u celebrua me rit katolik në katedralen e Krujës. Në dasëm morën pjesë zevendës-mbreti i Napolit, ambasadori i Serenissima, përfaqësues të mbretërivë të Spanjës, të Hungarisë, të Polonisë, të Dukatit të Milanos, të Dukatit të Urbinos, të Republikave të Firences, të Sienës e të Raguzës etj. Ndër dhuratat për Andronikën, dallohet një kameo, me portretin e Gjergj Kastriotit, të gdhendur në gurë të bardhë onyx, dhuruar nga Francesco Foskari, Dozha i Republikës së Venecias.

Nga martesa e Gjergjit me Andronikën, më 26 prill 1454 lindi djali Gjoni II, të cilin e pagëzuan më 24 qershor 1454, ditën e festës të Shën Gjon Pagëzorit. Gjoni II u pagëzua në katedralen e Krujës me ritin katolik nga Raymondo D’Ortosa, i deleguari me prokurë nga Alfonsi V Aragon, mbreti i Napolit ndërsa kumbari i Gjonit II ishte Ferrante I, djali i Alfonsit V, mbreti i Napolit.

Andronika, Zonja e parë e Arbërisë, gëzonte admirimin, stimën, respektin dhe nderimin e mbarë popullit arbëror, sepse të gjithë shihnin te Andronika zonjën fisnike e guximtare, nënën e përkushtuar dhe të përzemërt. Ajo shquhej për karakterin e fortë, për mençurinë dhe dinjitetin, si përshkruhet në mijëra vepra të autorëve të huaj dhe shqiptarë, të dedikuara Gjergj Kastriotit. Andronika u shqua për aftësi të admirushme në përballimin e vëshirësive dhe të vuajtjeve që kishin krijuar sulmet e vazhdushme të ushtrisë barbare të Perandorisë Osmane. Andronika, bashkëshorte besnike dhe kurajoze, iu ndodh pranë dhe e mbështeti Gjergjin në rezistencën heroike kundër sulmeve të armiqëve turqë, ashtu përballoi me kurajo vështirësitë e krijuara nga intrigat e brendëshme dhe nga tradhëtitë e Hamza Castriotit dhe të Moisi Golemit.

Në vitet 1451 – 1468, gjatë sulmeve të vazhdueshme të hordhive turke kundër Albanisë, Andronika përballoi një jetë të vëshirë dhe së bashku me te birin, u detyrua të jetonte në malet arbërore, e bujtun, e mirëpritur me nderime dhe e mbrojtur nga familjet malësore. Gjatë viti 1467, Andronika dhe djali Gjoni II jetuan në feudet e tyre San Giovanni Rotondo dhe Monte Sant’Angelo in Puglia. Në janar të viti 1468 u detyruan të rikthehen në Arbëri, pasi Gjergj Kastrioti ishte sëmurë nga malaria.

 

 

Monografia “Andronika dhe Gjoni II Kastrioti. Shtëpia botuese “Streha” 2023

Andronika dhe Gjoni II Kastrioti në Mbretërinë e Napolit. (1468 – 1501)

Pas vdekjes të Gjergj Kastriotit Skenderbeu më 17 janar 1468, Andronika dhe i biri Gjoni II, u detyruan të braktisnin atdheun e të shkonin në mbretërinë e Napolit të ftuar nga mbreti Ferrante I. Në letrën e ngushëllimit të 24 shkurtit 1468, mbreti Ferrante I i shkruante Zonjës Skënderbega: “E përndritura Zonjë, nënë e dashur, me keqardhje të madhe u njoftuam për vdekjen e shumë të ndriturit Skenderbe, burrit tuaj, i cili për ne ishte si një baba … Unë kam dërguar te ju, fisnikun Ieronimo de Carvineo, kushëriri im, te i cili duhet të keni besim, sepse ai do t’iu ndihmoi të vini e të jetoni në mbretërinë tonë”. [A. S.N. Cancelleria Aragonese, Reg. Exterorum, I, c. 205 a: cfr. Trinchera, Cod. Aragonese, pp. 439 – 440].

Në ditët e para të muajit mars 1468, Ieronimo de Carvineo, me tre anije arrijti në portin e Rodonit dhe organizoi lundrimin e Andronikës me djalin Gjoni II  dhe të familjarëve. Në fund të muajit mars 1468, zbarkuan në portin e Barit. Bashkë me Andronikën dhe Gjonin II, ishin Brana Konti Granai Kastrioti me bashkëshorten Maria Zardari (kushërira e Andronikës), personeli i shërbimit dhe reparti i ushtarëve napolitanë, që kishin shërbyer në mbrotje të kështjellës së Krujës.

Fillimisht, Andronika dhe Gjoni II u sistemuan në rezidencën mbretërore të Aragonëve në Napoli, ndërsa në javën e fundit të muajit maj 1468 u transferuan në një shtëpi në Castel Capuano e më pas në një shtëpi tjetër në Maschio Angoino – Piazza Municipio e Napolit. Në një dokument të Kancellerisë  mbretërore të datës të 23 maji 1468, rezulton se mbreti Re Ferrante I, i dhuroi Andronikës 1000 dukate, për të përballuar jetesën bashkë me familjarët. [Barone N, Le cedole di Tesoreria dell’Archivio di Stato di Napoli dell’anno 1460 al 1504, nt.7, pp. 225, 607 – 608.]

Më 27 gusht 1469, Andronika dhe Gjoni II u transferuan në shtëpinë e arbërorit Pietro Kola D’Alessandro, në Piazza di Jesu, pranë kishës Shen Kiara, në qendër të Napolit, ku banuan deri në vitin 1477.  Për të përballuar jetesën në Napoli, Andronika kishte mbështetjen e mbretit Ferrante I, i cili e mbështeti me ndihmoi financiare e me favore fiskale, duke e përjashtuar nga taksat për feudet e San Giovanni Rotondo e di Monte Sant’Angelo in Puglia. Ndihmat dhe favoret fiskale vazhduan në vitet në vazhdim, si rezulton në dokumentat e kancellerisë mbretërore që i përkasin madam Andronikës, si letrat e 1 tetorit 1469,  të 17 shtatorit 1483, të 20 nëntorit 1488, të 5 majit 1492, të 26 nëntorit 1497 etj. [Arch. St. Napoli, Aragonese, Partium, vol. 6, c. 41 a-b].

Pas martesës të mbretit Ferrante I, me gruan e dytë Xhiovana III Aragona e Spanjës (më 14 shtator 1476), mbretëresha e re e mori Andronikën dama e parë shoqëruese, madje e sistemuan në një dhomë në rezidencën mbretërore, ndërsa Gjoni II me bashkëshorten Erina Brancovi? Kastrioti, shkuan të banojnë e të administrojnë  feudet e San Giovanni Rotondo dhe të Monte Sant’Angelo në Puglia, feude që ishin në pronësi të Andronikës.

Mbretëresha Xhiovana III, krijoi raporte miqësie dhe konfidence me Andronikën si dama e parë shoqëruese, këshilltare dhe mike besnike. Kur lindi vajza Xhiovana IV, mbret Ferrante I dhe mbretëresha Xhiovana III, ia besuan Andronikës kujdesin, rritjen dhe edukimin e vajzës. Gjatë aktiviteteve zyrtare dhe familjare, Andronika ishte gjithmonë krah mbretëreshës, si përmendet në kronikat e kohës, kur Alfonso II Aragona Duka i Kalabrisë inauguròi residencën e tij në qershor 1488. [Volpicella L. Federico d’Aragona … Ricciardi, 1908, p. 9].

Më 2 gusht 1485, mbreti Ferrante I me dekret vendosi t’i këmbej feudet Monte Sant’Angelo dhe San Giovanni Rotondo, me feudet San Pietro në Galatina dhe Soleto, të cilat i dha në pronësi të Andronikës. Këmbimin e feudeve, mbreti Ferrante I, e shoqëroi me një donacion finanziar me 1800 dukate ari, për ta ndihmuar Gjonin II Kastrioti për një integrim fiskal, në rast se rendita e feudeve të reja, do të rezultonte më e ulët sa parashikohej. Mbreti Ferrante I i akordoi Gjonit II Kastrioti titujt e fisnikërisë Duka I i Galatina dhe Konti i Soleto. Në një letër të Pontano më 26 prillit 1492, dërguar mbretit Ferrante I, shkruan: “Sipas akordeve të tjera të Madhërisëë tuaj…, i konfirmuam Andronika Kastriotit, pronësinë e feudeve të reja të San Pietro a Galatina dhe Soleto”. [Monti G. M. La spedizione in Puglia di Giorgio Castriota Scanderbeg e i suoi feudi della vedova e del figlio. Palaver 4, 2015, pp 121 – 184]

Më 25 janar 1494, vdiq mbreti Ferrante I dhe ne fron u ngjit Alfonsi II Aragon, djali i tij me gruan e parë Isabella Kiaromonte. Në një letër të 20 tetorit 1494, dërguar Madama Schanderbega, mbreti Alfonsi II shprehet me komplimenta dhe respekte për vlerat shpirtërore, për miqësinë dhe besnikërinë e Andronikës ndaj nënës-mbretëreshë  Xhiovana III dhe Xhiovana IV. [A.S.N. Quinternioni, vol. 23, cc. 302 b, 7 b, doc. X. datato da Castel Nuovo di Napoli e con la rubrica “Illustris Andronice Cominate uxoris condam Scandaribech”]

Alfonsi II abdikoi më 23 janar 1495 dhe në fron erdhi i biri Ferrandino. Më 28 shkurt 1496 Ferrandino u martua me Xhiovanën IV, e cila e mori Andronikën dama e parë e shoqërimit dhe këshilltare, kësisoj respektoi dhe nderoi shoqërinë e mikes të nënës Xhiovana III. Kur u rindërtua apartamenti i mbretëreshës Xhiovana IV në rezidencën e Castel Nuovo, Andronikën e sistemuan në dhomën mbi apartamentin e mbretëreshës.

Ferrandino vdiq nga malarja më 7 tetor 1496 dhe froni iu besua Federikut I Aragona, vëllai i Alfonso II. Mbreti Federiku I vazhdoi të respektoi e ta nderoi dama Andronikën, si rezulton në letrën që i dergoi, me të cilën, ndërmjet të tjerave i kërkon të bindi Nënëmbretëreshë Xhiovana III, të heqi dorë nga roli i luogotenentes të mbretërisë dhe të shkoi në Valencia, pranë të vëllait mbretit Ferdinandi II Aragona. Xhiovana III e vlerësoi këshillën e mikes Andronika dhe më 1 shtator 1499 shkoi në Valencia.

Në një dokument të kancellerisë mbretërore e 26 nëntorit 1497, Federico I, urdhëron arkëtarin t’i japi Andronikës 500 dukate nga rendita e Dukës Gjoni II Kastrioti Skenderbeg. [Filangieri Riccardo. Rassegna critica delle fonti per la storia di Castel Nuovo, A. S, Province Napolitane vol. 63, 1938, p. 2]

Në fillimet e viteve ‘500, jeta e Andronikës u trondit nga fatkeqësitë familjare.

Në vitin 1500 vdiq stërnipi Don Kostantin Kastrioti, ipeshkëvi i Isernia. Don Kostantinin e varrosën në kiostrën e vogël të kishës në Kuvendin Santa Maria La Nuova në Napoli. Në pjesën e poshtëme të monumentit funerar, është një lapide ku ështe gdhendur epitafi, që ia dedikoi gjyshja Andronika Kastrioti.

Po në vitin 1500, vdiq stërnipi tjetër Don Federiko Kastrioti, adhe ai klerik, madje mbreti Federiku I, i kishte propozuar Papës Aleksandri VI, ta emëronte ipeshkëv në vendin vakant të vëllait Don Kostantini, por ky propozim nuk u realizua, për shkak të vdekjes të paapritur të Don Federiko Kastriotit.

Në vitin 1501 Andronika Kastrioti ndodhej në Napoli si dama shoqëruese e Xhiovana IV, si rezulton në një relacion të janarit 1501, i Francesk Morosinit ambasadori i Serenissima në Mbretërinë e Napolit, i cili informon  Senatin: “Mbretëresha Xhiovana IV, pas vdekjes të burrti Ferrandino, mbetur e ve në moshën 24 vjeçe, ndodhet ende në Napoli, në shoqërinë e të devotshmes dhe të admirushmes gruaja e Skanderbeut, një zonjë fisnike e moshuar, dama e parë e shoqërimit dhe mikja e saj intime”.

Më 2 gusht 1501, vejusha Xhiovana IV e shoqëruar nga dama Andronika Kastrioti, u larguan nga Napoli dhe shkuan në Palermo, ku u sistemuan në rezidencën mbretërore Aragoneze, ku qëndruan rreth një vit.

Jeta e Andronikës në oborrin mbretëror të Valencias në Spanjë. (1502 – 1506)

Në javën e parë të korrikut 1502, Xhiovana IV dhe Andronika, e lan Palermon dhe shkuan në Valencia, ku i priti nënambretëreshë Xhiovana IV me të vëllanë mbretin Ferdinandi II Aragona. Pas 34 vite jetese në oborrin mbretëror të Napolit, Andronika, e shoqëruar nga stërnipi 15 vjeçar Alfonso Kastrioti, filluan një jetë të re në Valenzia. Si rezulton nga dokumentat e kancellarisë të mbretërisë spanjolle dhe në kronikat e kohës, në oborrin mbretëror të Valencias, Andronika u prezantua zonjë fisnike, e admirushme, me dinjitet dhe autoritet dhe dama shoqëruese e me përkushtim amëtar për Xhiovanën IV.

Edhe në Valencia, jeta e Andronikës u trondit nga fatkeqësitë familjare, nga problemet në adminsitrimin e feudeve në San Pietro – Galatina dhe Soleto, si dhe nga problemet shëndetësore.

Në vitin 1503, vdiq aksidentalisht stërnipi 15 vjeçar Alfons Kastrioti. Alfonsin e vogël e varrosën në një lokul anësor në kapellën e Shen Mikelit në Manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Valencia. Andronika i dedikoi një epitaf të gdhendur në lapiden që mbyll lokulin: “Këtu pushon Alfonsi, nipi i të famëshmit Gjergj Kastrioti, Mbreti i Albanisë, i cili luftoi me heroizëm kundër turqëve…”

Në korrik 1504, reparte të ushtrisë spanjolle të komanduara nga kapiteni Korales dhe të mbështetur nga albanezi Gjon Granai Kastrioti, plaçkitën dhe sekuestruan pronat e Gjonit II Kastrioti dhe arrestua dhe e izoluan në Napoli Erina Kastriotin, gruan e Gjonit II Kastrioti. Sapo u njoftua për këto ngjarje, Andronika i kërkoi mbretit Ferdinandi II Aragon, të ndërhynte që t’i riktheheshin të birit Gjonit II pronat e San Pietro në Galatina si dhe të lirohej menjëherë bashkëshortja e djalit Erina Kastrioti.

Më 8 mars 1505, Andronika i dërgoi letër guvernatorit të San Pietro në Galatina, të cilit i kërkoi të respektoi të drejtat e pronësisë të familjes kastrioti:

Sindico, Universitati Sancti Petri nobis dilectissimis.

Magnifici viri nobis dilectissimi.

… Ishte e pabesueshme çka më njoftuan e shkëlqyera nusja e djalit si vajza e ime dhe nipi im Don Ferrando, andaj ju lutem të qeverisni me rregullat dhe mënyrat e përshtatëshme dhe çka ndodhi të përfundojë mirë e të rikthehen pronat familjes tonë…. Presim nga ju lajme të mira …

Ju përqafoj me dashamirësi të përzemërt.

Valencia VIII mars 1505.

Me trishtim, Andronika e të Shkëlqyerit Skenderbe.

[G. Vallone. Andronica e Giovanni Scanderbeg in Italia. Rivista storica delle terre adriatiche, 2015, p. 105]

Gjatë vitit 1505 Andronika vazhdonte në shoqërinë e nënësmbretëreshë Xhiovana III e të bijës Xhiovana IV. Për pozicionin e Andronikës në oborrin mbretëror të Spanjës, informon ambasadori i mbretërisë ingleze Thomas Bradley, i cili pas takimit në rezidencën mbretërore me dy mbretëreshat Xhiovana III dhe Xhiovana IV, në relazionin e 23 qershorit 1505 dërguar mbretit Enriku VIII Tudor, përshkruan dhe pozicionin zyrtar të Andronikës: “Në krahun e majtë të nënësmbretëreshë Xhiovana III, si gjithmonë ishte ulur  dama e shoqërimit, zonja dinjitoze dhe këshilltaria besnike Andronika Kastrioti, ndërsa në krahun e djathë ishte kamerlengu Bernard Granai Kastrioti, një burrë dinjitoz, duka i moshuar me mjekër të gjatë”.

Në korrik 1505, jeta e Andronikës u trondit nga një tjetër fatkeqësi e rëndë. Në moshën 51 vjeç i vdiq djali Duka Gjoni II Kastrioti, një humbje e dhimbëshme, që i shkaktoi vuajtje, dëshpërim e trishtim Andronikës dhe  tërë familjes Kastrioti, si dhe komunitetit të madh të arbëreshëve të Italisë. Dukën Gjoni II Kastrioti e varrosën në kapellën e familjes në kishën e Kuvendit Domenikan të Urdhërit të Fretënve Predikues në Galatina. Po në këtë kishë, krah varrit të Gjoni II, në vitin 1514 u varros dhe gruaja e tij, dukesha Erina Brankovi? Kastrioti.

Në muajt e verës të vitit 1506, Andronika u sëmurë me bonkopneumoni. Megjithë mjekimet dhe kujdesin e mjekëve të oborrit mbretëror, gjendja shëndetësore u përkeqësua dhe më 15 shtator 1506, në moshë 78 vjeç Andronika Arianiti Kastrioti vdiq.

Kurora Mbretërore e Spanjës dhe Ipeshkëvia e Valencisa, organizuan ceremoninë funebre në katedralen e   Valenzia. Mesha për Andronika Kastriotin u zhvillua nga Ipeshkëvi i Valencias Pedro Luis De Borja Llançol de Romani. Në meshë dhe në funeral morën pjesë familia mbretërore e Spanjës, dy miket Xhiovana III dhe  Xhiovana IV, Maria Granai Kastrioti me të bijat dhe i vëllai i Andronikës Kostantin Arianit, i shoqëruar me një grup stratiotësh albanezë, si dhe shumë banorë të Valencia, që kishin njohur Andronikën.

Princeshën Andronika Kastriotin e varrosën në kriptën e kapellës Sant’Angelo në Manastirin e Santa Trinità të Valencias. Varri në dyshemenë e kapellës, ishte i mbuluar me pllakë mermeri të bardhë, ku ishte gdhendur shqiponja dykrenëshe dhe epitafi: “Këtu pushon princesha Andronika Kastrioti, bashkëshortja e të famëshmit mbreti i Albania Gjergj Kastrioti Skenderbeu, i cili luftoi me heroizëm kundër turqëve…” Përballë me varrin e Andronikës, në qendër të baldakinit të kapellës të familjes Sant’Angelo, u vendos ikona e Zonja e Jonë e Rifuxhios të Mëkatarëvee (Nostra Signora del Rifugio dei Peccatori), e mbajtur anash nga dy engjëj. Kjo ikonë ishte e Andronikës dhe aktualisht ndodhet ende në qendër të baldakinit të kapellës Sant’Angelo në Manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Valencia.

Varrimi në kapellën e Sant’Angelo ishte i përkohshëm, sepse mbreti Ferdinandi II Aragon, kishte vendosur që eshtrat e Andronikës të transferoheshin në varrezat e Kuvendit Shen Domeniko, ku ndodheshin varret e familjes mbretërore. Ky vendim nuk u zbatua sepse mikja e saj e ngushtë Xhiovana III, kërkoi që eshtrat e Andronikës të transferoheshin në Napoli, si e shpreh në testamentin e saj: “Eshtrat e mikes time të adhuruar Andronika Kastrioti, të transferohen në kapellën e Manastirit Santa Maria Concezione, të motrave Klarisse të Santa Kiara të Napolit. Për transportin nga Valencia në Napoli te eshtrave të Andronikës dhe ndërtimin e varrit në kapellën e këtij manastiri, ve në dispozicion 12 000 dukate ari. Bashkë me eshtrat, të transferohet dhe ikona Nostra Signora di Rifugio dei Peccatori, ikona e pandashme e mikes time Andronika.” [Daniel Benito Goerlich. La stirpe albanesa de la Virgen del Refugio de la Trinidad: Sobre un viejo icono casi olivadod. ArsLonga, Nr. 29. 2020, p. 45 – 60].

Rrethanat polititike të ndërlikuara në ato vite në Napoli, e penguan transferimin e eshtrave të Andronikës, të cilat mbetën në varrin në dyshemen e kapellës Sant’Angelo në Manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Valencia Varri i Andronikës vizitohej dhe nderohej nga arbërorët që jetonin në Valencia, nga pjestarët e familjes mbretërore, nga klerikët e manastirit dhe nga banorët e Valencias.

Gjatë 12 – 14 tetorit 1957, në Valencia ranë reshje të dedura dhe ujrat vërshuan vrullshëm nëpër rrugët, hynë nëpër shtëpitë si dhe përmbytën varrezat dhe Manastirin Triniteti i Shenjtë. Nga këto përmbytje masive, ujrat shkatërruan varrezat e Manastriti, ndër ato dhe varrin e Andronika Kastriotit në kapellën Sant’Angelo. Nga këto përmasa përmbytjeje dhe shkatërrimesh të varreve të manastirit, murgjit u detyruan t’i mbledhin eshtrat, mes tyre dhe eshtrat e Andronika Kastriotit dhe t’i groposin në një varr të përbashkët.

Në vitin 1457, varri i Andronika Kastriotit u shkatërrua, por në Valencia Ajo vazhdon të kujtohet dhe të nderohet si zonja e parë e Arbërisë, si bashkëshorte besnike e Gjergj Kastriotit, andaj e quanin dhe Senderbega,  kujtohet si dama shoqëruese, këshilltaria dhe mikja e ngushtë e mbretëreshave  Xhiovana III dhe Xhiovana IV, kujtohet me ikonën Nostra Signora di Rifugio dei Peccatori, e njohur historikisht ikona albanese në pronësi të Andronika Kastriotit.

Princesha Andronika Arianiti Kastrioti përfaqëson modelin ideal të gruas fisnike arbërore, zonjë e shquar dhe e nderuar në të njëjtin nivel me fisnikërinë europiane të mesjetës, si e ka përkufizuar Johann Theodor de Bry (1561–1623): “Mbretëresha e Epirit, mençurinë dhe bukurinë tënde do ta kishte pëlqyer edhe Jupiteri. Meritat e tua janë aq të mëdha, aq sa fama e burrit tënd, njëlloj si Deidamia i dha burrit të saj Akilit”.

Profesor Eqrem Çabej, figurë e madhe e shkencës dhe kulturës shqiptare- Ribotohet pas 44 vjetësh- Bisedën e zhvilloi Xhevat SYLA

Në Sesionin shkencor të Seminarit të sivjemë për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare morën pjesë edhe profesorët e njohur dhe punëtorët e dalluar të kulturës shqiptare Mahir Domi, Shaban Demiraj, Qemal Haxhihasani dhe Jorgo Bulo, të cilët me kënaqësi të posaçme pranuan që për lexuesit e “Botës së re” të flasin për shëmbëlltyrën dhe kontributin e madh të kolosit të gjuhësisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, akademikut Eqrem Çabej.

Prof. Mahir Domi: Me aftësitë e rralla krijuese dhe me cilësitë e larta njerëzore e morale, profesor Çabaj gëzonte nderimin e gjithë popullit.

Studetët e Universitetit të Prishtinës dhe punonjësit e tjerë këtu, me dhembje të thellë morën lajmin për vdekjen e profesorit të nderuar Eqrem Çabej. Ju, shoku profesor, si një nga kolegët e tij të afërt, a do të mund të na thoni diçka për shembëlltyrën e tij si shkencëtar, për kontributin e tij dhënë shkencës së albanologjisë, si dhe mundësisht, të veçoni ndonjë kujtim mga kontaktet apo puna me të?

Para pak kohësh, kur ishte në vlugun e punës dhe në kulmin e aftësive të tij krijuese, u nda prej nesh kolegu ynë i dashur dhe i nderuar, mjeshtri ynë, “Mësuesi i Popullit” dhe akademiku prof. Eqrem Çabej.

Prof. Mahir Domi në bisedë me kryeredaktorin e “Botës së re”, Xhevat Syla, Prishtinë, gusht 1980

Profesor Eqrem Çabej zë një vend të parë në gjuhësinë shqiptare e në historinë e saj. Këtë vend nderi ia sigurojnë atij për gjithnjë veprimtaria e gjerë dhe aq e frytshme që ka shtjelluar, vepra e madhe dhe aq e rëndësishme që realizoi, hopi i ndieshëm dhe cilësor që bëri me të mendimi ynë gjuhësor, duke arritur gjuhësia jonë nivelin më të mirë të gjuhësisë bashkëkohore botërore.

Veprën studimore të këtij përfaqësuesi ndër më të shquarit të shkencës dhe të kulturës shqiptare e karakterizojnë horizonti i gerë, problematika e pasur, niveli i lartë shkencor, tezat me rëndësi të veçantë kombëtare që janë mbrojtur e zhvilluar më tej.  Ajo ka ngërthyer në radhë të parë fushat e aspektet e ndryshme të historisë së gjuhës sonë, si zhvillimin e brendshëm të shqipes ashtu edhe raportet e saj të jashtme, si periudhat historike ashtu edhe periudhat parahistorike, si fazën letrare po ashtu edhe fazën paraletrare. Vendin qendror e zënë aty leksikologjia historike e studimet etimologjike, por rezultate të rëndësishme u arritën njëkohësisht në studimin e prejardhjes e të formimit të gjuhës shqipe, të marrëdhënieve të saj me gjuhët ballkanie e me gjuhët e tjera, të raporteve të saj me gjuhë të ndryshme indoeuropiane në fonetikën historike e në gramatikën historike. Botimi kritik i veprave të letërsisë sonë të vjetër e studimi i tyre qenë një fushë tjetër e rëndësishme e veprimtarisë shkencore të prof. E. Çabejt. Kontribute të rëndësishme i dha prof. E. Çabej edhe studimit të gjuhës së sotme, sidomos formimit të fjalëve, leksikologjisë, dialektologjisë, kodifikimit dhe njësimit të gjuhës sonë letrare. Po ashtu edhe folkloristikës e etnografisë shqiptare, si dhe studimit të letërsisë sonë.

Shkencëtar i shquar patriot, ai jo vetëm e pasuroi gjuhësinë shqiptare me vepra e studime të një niveli shkencor të ngritur, ai jo vetëm lëvroi me rezultate të shkëlqyera fusha e probleme që më parë kishin mbetur në dorë të shkencës së huaj, por trajtoi me objektivitet shkencor e me atdhedashuri çështje të rëndësishme për kulturën e historinë e popullit tonë, hapi rrugë të reja në shumë drejtime. Ai mbrojti me argumente bindëse autoktoninë e popullit shqiptar në vendbanimet e sotme të tij, theksoi njësinë e kulturës shqiptare dhe të gjuhës sonë, vjetërsinë e traditës së gjuhës sonë të shkruar, vuri në dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve të tjera.

Prof. E. Çabej u pranua prej të gjithëve si autoritet i shquar, u njoh si albanisti më i madh i derisotëm.

Puna studimore aq e pasur dhe e rëndësishme që realizoi ky përfaqësues i madh i shkencës shqiptare është sigurisht, ndër të tjera, fryt i përkushtimit të rrallë dhe i aftësive të shquara krijuese të tij, por edhe i metodave efikase, rreptësisht shkencore dhe të përparuara që ai përdori me aq zotësi e sukses në veprimtarinë kërkimore të tij.

Në veprën shkencore të prof.Eqrem Çabejt harmonizohen në një tërësi të vetme organike elemente të ndryshme, cilësi të shquara që rrallë i gjen të bashkuara. Në të ka kujdes për faket e saktësinë e tyre, erudicion të gjerë, njohje të thelluar të veçorive dhe të visarit gjuhësor të shqipes, vëmendje kushtuar përpunimit të përpiktë të hollësive, frymë kritike ndërtuese dhe analizë të mprehtë, e njëkohësisht përgjithësime e sinteza, me agumentim të fortë, me teza të mbështetura mirë, me përfundime bindëse. Me logjikën e fortë të parashtrimit bashkohet një intuicion i hollë. Prof. E. Çabejn nuk e kanë tërhequr teorizimet, qofshin ato edhe të bukura në dukje, kur nuk përkojnë me realitetin gjuhësor, kur nuk qëndrojnë mbi baza të forta.

Prof. Mahir Domi: “Prof. E Çabej u pranua prej të gjithëve si autoritet i shquar, u njoh si albanisti më i madh i derisotëm.”

Formimi i lartë shkencor, horizonti gjerë, aftësitë e rralla i lejuan kësaj figure të madhe të gjuhësisë sonë të kombinojë në studimet e tij metoda pozitive të ndryshme të gjuhësisë europiane, me kritere e pikëpamje vetiake, duke arritur me këtë në rezultate të shumta frytdhënëse.

Kam pasur fatin të punoj së toku me këtë figurë të madhe të shkencës e të kulturës sonë për 30 e sa vjet, duke vepruar në të njëjtat njësi shkencore kërkimore, duke bashkëpunuar me të në mjaft vepra kolektive. Më është dhënë kështu rasti ta njoh së afërmi, të çmoj aftësitë e rralla dhe cilësitë njerëzore e morale të larta të tij. Tek ai të binin në sy dijet e gjëra, puna sistematike që bënte, serioziteti i madh, kërkesat e mëdha që i vinte vetes, logjika e fortë. I gatshëm për të ndihmuar shokët e punës. Ishte vaçanërisht i vëmendshëm ndaj kuadrove të reja, duke mos u kursyer për formimin e ngritjen e mëtejshme shkencore të tyre. Dashamirës e fisnik, gojëëmbël e i dashur, ai gëzonte dashurinë dhe respektin e kolegëve e të forcave shkencore të reja si pak kush, nderimin e gjithë popullit shqiptar.

Profesor Eqrem Çabaj u la gjuhëtarëve e shkencëtarëve shqiptarë në përgjithësi, të sotëm e të ardhshëm, një trashëgimi të vyer jo vetëm për veprën e tij të pavdekshme, por edhe me shembullin frymëzues të një jete kushtuar e gjitha gjuhës shqipe, shkencës shqiptare, të një pune sistematke, këmbëngulëse, me metoda të rrepta shkencore.

Prof Shaban Demiraj: Metoda rreptësisht shkencore

Vlera dhe niveli shkencor i veprimtarisë së profesor Eqrem Çabejt janë dhe mbeten të pakapërcyeshme. Për këtë edhe jo rastësisht thuhet se u nda prej nesh më i madhi i burrave të gjuhësisë sonë. A do të na thoni diçka për atë se çka e mundësoi këtë vlerë dhe këtë nivel?

Në radhë të parë dëshiroj të theksoj se pajtohem plotësisht me vlerësimin e lartë të shprehur në pyetjen tuaj lidhur me veprimtarinë shkencore të prof. Eqrem Çabajt, vdekja e parakohshme e të cilit ka krijuar një zbrazëti të madhe jo vetëm në fushën e studimeve albanologjike, por edhe në fushën e ballkanistikës.

Për sa u përket faktorëve që e bënë të mundur arritjen e një niveli aq të lartë në punimet e ndryshme shkencore të professor E. Çabejt, është vështirë të jepet një përgjigje shteruese. Por mendoj se midis këtyre faktorëve duhet përmendur:

Prof. Shaban Demiraj: “Vdekja e prof. E. Çabejt ka krijuar një zbrazëti të madhe jo vetëm në fushën e studimeve albanlologjike, por edhe në fushën e ballkanistikës.”

1.           Horizonti i gjerë i dijeve që ai kishte grumbulluar në mënyrë sistematike gjatë tërë jetës së tij aq të frytshme dhe aftësia për t’i shfrytëzuar këto me një mjeshtëri të rrallë në punimet e tij shkencore.

2.           Mprehtësia e gjykimit dhe këmbëngulja për të mos u tërhequr përpara asnjë vështirësie, tipare këto që i dhanë mundësi atij të zgjidhte një varg problemesh shumë të ndërlikuara, sidomos të historisë së gjuhës shqipe, të fonetikës historike dhe të gramatikës historike.

3.           Zbatimi i një metode rreptësisht shkencore, që karakterizohej nga shqyrtimi i gjithanshëm i fakteve dhe i dukurive gjuhësore dhe nga një qëndrim objektiv në shqyrtimin e tyre.

4.           Kushtet e favorshme që iu krijuan atij prej Pushtetit Popullor pas çlirimit të Shqipërisë. Këtu nuk kam parasysh vetëm kushtet materiale, por edhe vlerësimin e lartë që i është bërë vazhdimisht punës aq të frytshme të këtij dijetare të mprehtë, i cili deri në ditët e fundit të jetës së tij nuk e lëshoi penën nga dora.

Prof. Qemal Haxhihasani: Profesor Çabej – njohës i thellë i kulturës sonë popullore

Veprimtaria e prof. Eqrem Çabejt shtrihet në fusha të shumta të kulturës shqiptare. Ju lutemi, shoku profesor, të na thoni diçka për kontributin e tij dhënë zhvillimit të folkloristikës shqiptare, si dhe për rëndësinë e studimeve të tij në këtë lëmi.

Profesor Eqrem Çabej, ashtu si në gjuhësi, ka zhvilluar një veprimtari shumë të frytshme edhe në drejtim të folkloristikës shqiptare. Njohës i thellë i kulturës popullore të truallit kombëtar dhe të diasporës, studiues me horizonte të gjera edhe i kulturës së popujve të tjerë të Ballkanit, prof. E. Çabej, me shkrimet e tij ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për vënin në dukje të vlerave të larta shpirtërore dhe gjenialitetin krijues të popullit shqiptar, për origjinalitetin e mjaft aspekteve themelore të kësaj kulture kundrejt atyre të popujve të tjerë ballkanikë.

Që në studimin e tij të parë  në këtë fushë, të botuar gjermanisht në “Revue internationale des etudes  balkaniques” me titull “Doke e zakone të shqiptarëve”, ai tërhoqi vëmendjen e studiuesve për vijat origjinale të botës etnike shqiptare. Problemet themelore të folkloristikës sonë prof. E. Çabej i trajtoi në studimin e njohur monografik “Për gjenezën e literaturës shqiptare”, botuar më 1939. Aty kanë gjetur një paraqitje dhe shpjegim shkencor mjaft probleme të rëndësishme të kulturës sonë popullore, siç janë ato për lashtësinë dhe autoktonitetin e ciklit të kreshnikëve, për veçoritë kombëtare të epikës sonë historike, për origjinalitetin e lirikës, të figurave poetike, të strukturës së vargut, për origjinalitetin e muzikës sonë polifonike, për lëvizjet dhe ritmikën e valleve, për elegancën e veshjeve popullore, për prirjet e shqiptarit në motivet dhe ngjyrat e tyre.

Prof. Qemal Haxhihasani: “Punimet e prof Çabejt për folklorin qëndrojnë në themelitë e folkloristikës shqiptare dhe ruajnë një vlerë të përhershme aktuale.”

Prof. Eqrem Çabej ka bërë objekt studimi edhe probleme të veçanta të folkloristikës dhe të etnografisë shqiptare. Për t’u përmendur në këtë drejtim janë punimet për motivin e Konstantinit të vogël – Ago Ymerit, parë në lidhjet e tij me motivin e kthimit të Odisesë dhe me versionet përkatëse të popujve të tjerë, studimet për “Figurat e besimit popullor shqiptar”, për kultin  dhe vijimin e hyjneshës Diana në Ballkan” etj.

Mendime me interes për folkloristikën prof. E. Çabej shtroi edhe në punime të tjera të veçanta, si në studimin “Vatra dhe bota në poezinë e De Radës”, në ato rreth autoktonisë së popullit shqiptar, rreth ngulimeve arbëreshe në Greqi, Itali etj.

Prof. E. Çabej vështrimet e tij gjuhësore, studimet etimologjike dhe problemet e veçanta që rroku në këtë fushë, nuk i shkëputi asnjëherë nga jeta dhe kultura popullore, nga lidhjet e tyre të brendshme me folklorin e etnografinë.

Saktësia e informacionit mbi këto probleme themelore të kulturës sonë popullore kombëtare, erudicioni dhe kompetenca me të cilën janë trajtuar këto probleme, metoda shkencore e përdorur në paraqitjen dhe krahasimin e fakteve, konkluzionet dhe tezat e formuluara, bëjnë që këto punime të prof. E Çabejt të qëndrojnë në themelitë e folkoristikës shqiptare, duke ruajtur një vlerë të përhershme aktuale.

Prof. Jorgo Bulo: Moto e prof. E. Çabejt: “Të jemi objektivë, por jo indiferentë”

Ndër fushat e kërkimeve të prof. E. Çabejt vend me rëndësi zë edhe kontributi i tij historinë e letërsisë shqiptare. A do të na thoni diçka për këtë?

Profili i profesor Eqrem Çabejt, si një nga përfaqësuesit më në zë të shkencës e të kulturës sonë, nuk do të dilte i plotë po të mos përmendej edhe kontributi i tij në fushën e historisë së letërsisë.

Jo rastësisht, vëmendjes së prof. Çabejt nuk i shpëtuan as problemet e letërsisë shqiptare, të gjenezës e të zhvillimit të saj historik; tek to çonin vetvetiu interest e gjëra shkencore dhe mbi të gjitha synimi i madh e jetës së tij si shkencëtar; të provonte nga më se një aspekt dhe duke iu drejtuar komponentëve të ndryshëm të kulturës shpirtërore e materiale të popullit tonë, të gjuhës e të traditave shekullore, karakterin e tij autokton në trojet e sotme, njësinë etnike e kulturore – historike dhe forcën e tij krijuese.

Trashëgimi i prof. Çabejt në lëmin e studimeve historiko-letrare ka rëndësi në radhë të parë në pikëpamje të metodës. Ashtu si historia e gjuhës ishte për të e lidhur ngushtë historia e popullit që flet, dhe jeta e letërsisë ishte e lidhur me historinë e fatet e popullit, me lëvizjet e tij social-politike.

Duke u nisur nga kjo premisë metodologjike, prof. Çabej në studimet e tij ka hetuar për së pari mjaft veçori e tipare  të letërsisë shqiptare, ka vënë në dukje origjinalitetin e zhvillimit të saj historik, lidhjet e saj të ngushta me traditën folklorike, të cilat i sheh jo vetëm në anën e jashtme, në ritëm e në metër, por kryesisht në lëndë e në format e përbrendshme.

Ne që e këmi njohur nga afër prof. Çabejn, nuk mund të mos e kujtojmë moton e punës së tij si shkencëtar, të cilën e përsëriste shpesh; të jemi objektivë, por jo indiferentë. Këtë e dëshmojnë edhe studimet e shënimet e tij për letërsinë shqiptare, ku ndjehet objektiviteti e rigoroziteti i shkencëtarit dhe dashuria e pasioni i patriotit për të zbuluar vlerat e kulturës së popullit të vet, e për t’i mbrojtur ato nga shtrembërimet e atyre studiuesve pas të cilave fshihen qëllime të këqija.

Erudicioni i tij i gjerë dhe shija e hollë, kanë bërë që prof. Çabej në esetë e veta të japë gjykime e vlerësime të mprehta për krijimtarinë e një vargu autorësh që nga Naimi e De Rada e gjer tek Çajupi, Adreni, Noli e Lasgusi, duke vënë në dukje prirjet e reja që shprehte vepra e tyre në procesin e zhvillimit  të letërsisë sonë, shpesh në përqasje edhe me letërsitë e tjera ballkanike e europiane.

Duke përfunduar, dëshiroj të them se ndoshta më mirë se çdo gjë, figurës dhe veprës së prof. Eqrem Çabejt do t’i shkonin për shtat fjalët që ai shkroi me rastin e vdekjes së një kolosi tjetër të kulturës sonë, F. S. Nolit: Ai “nuk është një madhësi efemere. Fjala e tij nuk është nga ato që i merr era. Në këtë botë shqiptare, të cilën ai e deshi me të gjitha fijet e zemrës, ai mbetet i gjallë ndër ne, si sot si në ditët që do të vijnë”.

Prof. Jorgo Bulo: “Prof. Çabejt muk i shpëtuan as problemet e letërsisë shqiptare, të gjenezës e të zhvillimit saj historik.”

Shkencëtarët: Dita në Tokë mund të zgjasë deri në 25 orë, Hëna po largohet

Ditët në Tokë po zgjasin ngadalë, ndërsa hëna gradualisht largohet nga planeti ynë, ka treguar një studim i ri. Shkencëtarët zbuluan se ndërsa hëna lëviz më larg, ndikimi i saj gravitacional në ndryshim në Tokë po ngadalëson rrotullimin e planetit dhe po i bën ditët gjithnjë e më të gjata.

Ata parashikuan se ditët në planetin tonë mund të zgjasin përfundimisht 25 orë, por vunë në dukje se për këtë do të duheshin rreth 200 milionë vjet. “Ndërsa hëna largohet, Toka është si një patinator që rrotullohet, i cili ngadalësohet ndërsa ‘shtrin krahët’” shpjegoi gjeoshkencëtari Stephen Meyers, një profesor në Universitetin e Uisconsin-Madison.

Hëna ndodhet rreth 238,000 milje larg planetit tonë, duke dashur rreth 27.3 ditë për të përfunduar një orbitë të vetme rreth Tokës. Por kërkimet e mëparshme zbuluan se hëna po largohet më tej me rreth 1.5 inç në vit, që do të thotë se do të duhet më shumë kohë për të lëvizur rreth planetit tonë.

Në një moment, hëna do të arrijë një distancë të qëndrueshme dhe do të jetë e dukshme vetëm nga njëra anë e planetit tonë. Për studimin e tij, Meyers dhe kolegu i tij rindërtuan historinë e thellë të marrëdhënies së Tokës me Hënën. Ata zbuluan se 1.4 miliardë vjet më parë, një ditë në Tokë zgjati vetëm rreth 18 orë.

Për të marrë atë llogaritje, studiuesit shpikën një metodë statistikore që lidh teorinë astronomike me vëzhgimin gjeologjik për të parë pas në të kaluarën gjeologjike të Tokës. Kjo i lejoi ata të rindërtonin një histori të thellë të sistemit diellor. Ditët e Tokës ishin më të shkurtra miliarda vjet më parë, kryesisht për shkak se Hëna ishte më afër planetit tonë.

Kjo bëri që rrotullimi i planetit tonë të rrotullohej më shpejt se sot, përfunduan studiuesit. Por gjatë historisë së Tokës, hëna është larguar më tej në një proces të njohur si ‘recesioni hënor’. Ne e dimë këtë falë astronautëve të misionit Apollo, të cilët vendosën reflektorë në Hënë që lejuan shkencëtarët në Tokë të lëshojnë lazer drejt sipërfaqes hënore dhe të masin saktësisht se sa shpejt po tërhiqet hëna.

Ndërsa hëna gradualisht rrëshqet, ajo po bën që rrotullimi i Tokës të ngadalësohet. Arsyeja përse ndodh kjo ka të bëjë me ndikimin e hënës në baticat e oqeanit. Ndërsa Toka rrotullohet, graviteti i hënës që rrotullohet rreth planetit tërheq oqeanet për të krijuar baticat e larta dhe të ulëta.

Tërheqja gravitacionale e hënës bën që uji i oqeanit të ‘fryhet’ drejt saj në cilëndo anë të Tokës që është më afër hënës. Në të njëjtën kohë, inercia përpiqet të mbajë ujin në vend. Por graviteti i hënës është më i fortë, prandaj uji fryhet drejt hënës. Ndërkohë, në anën e kundërt të Tokës, tërheqja gravitacionale e hënës është më e dobët thjesht sepse është më larg./Daily Mail/

PROF.DR MARK TIRTA, AKADEMIKU I ETNOKULTURËS, NJË EMËR I NJOHUR I SHKENCËS SHQIPTARE DHE MË GJERË- Nga FRAN GJOKA

(Mesazh urimi me rastin e dhenies se titullit te larte “Nder i Kombit” dhe dekorimi nga Presidenca e Kosoves “Medalja Presidenciale e Meritave” me motivacionin per “Punen e Jashtezakonshme ne mbledhjen e materjaleve entografik e folklorik dhe zbulimin e qendrave te reja arkeologjike per Arberin mesjetar”)

Të shkruash për intelektual të përkushtuar e me integritet, nuk është e lehtë, pasi tek ata mungon dëshira për dukje, por kanë me shumicë, ndjenjë, pasion, dashuri e humanizem, gjëra të cilat ne i kërkojmë tek “heronjtë”. Por në të vërtetë, “heronjtë” janë njerëzit e thjeshtë, të ditur dhe të përkushtuar, që tërë jetën e tyre sakrifikojnë për një qëllim, për një ideal, dhe bëjnë të pamundurën për t’i realizuar, qoftë dhe me vetëmohim. Le të ndalemi tek njeri prej atyre njerëzve të sakrificës, të përkushtimit, të vetëmohimit dhe të pastertisë morale, i tillë është portreti i profesorit, akademikut tonë të nderuar dhe të respektuar Mark Tirta.

Ai është një burrë i zakonshëm, i thjeshtë, i buzëqeshur, pavarësisht nga vitet që ka mbi supe, Mark Tirta është stoik në qëndrimet e tija, ndoshta mosha dhe sëmundja e kanë lodhur, por shpirti i tij mbetet gjithnjë i ri, modest dhe plot dashuri për shkencën, për artin e kulturën, për njerëzit. Vepra shumëplanëshe e Akademik Tirtes meriton respekte dhe përulje para Tij, para studimeve të Tija, para kontributit të jashtëzakonshëm që ai ka dhënë në shkencat albanologjike dhe sidomos në etnokulturë. Mark Tirta ka mbi shatullat e Tija 87 vjet jetë njerëzore, por edhe rreth 67 vjet punë kërkimore-shkencore, punë e cila e kanë rradhitur profesor Markun ndër personalitetet më të shquara të shkencës shqiptare dhe më gjerë. Si studiues i talentuar, Ai gjithçka e arriti me punë këmbëngulëse dhe me plot vullnet e dije shkencore dhe ishte rezultat i punës së Tij çdo arritje. Në vitin 2020, doktorant Nikoll Loka, me rastin e 85 vjetorit të lindjes së profesor Tirtes, shkruan: “E papritura e parë e jetës: Marku e nisi rrugën e dijes në një mënyrë krejt të veçantë. Fillimi i tij nuk lidhet me një mësues të zakonshëm, as me një klasë, por si nxënës i një kleriku që do t’i jepte bazat fillestare për të vazhduar Seminarin Papnor në Shkodër. Abati Frano Gjini, duke patur konsiderata për të atin, mendon që njëri nga djemtë të ndiqte rrugën e meshtarisë. Babai, pasi vjen në shtëpi dhe e pleqëroi kërkesën në familje, vendos që ta dërgonte pikërisht Markun, me arsyen e vetme se ”ky për punë nuk ban, ishalla ban për kalem!” Profecia e të atit doli, Marku nuk zhgënjeu. Mësuesi i parë i Mark Tirtes ishte Dom Mark Gjani, i diplomuar për teologji-filozofi në Universitetin Antonianum të Romës. Me Dom Markun djali zhvilloi lëndët: shkrim, këndim, aritmetikë nga katër herë në javë me dy orë mësim në ditë. Për të shkuar në shkollë, bënte katër orë rrugë në këmbë vajtje-ardhje nga Lgjini deri te Abacia në Orosh; kishte lodhje, ndodhte që të shkonte nëpër shi dhe borë, terreni ishte i vështirë dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kishte shpërthyer lufta e pas njëfarë kohe, mbi qiellin e Oroshit nisën të kalonin avionë të palëve ndërluftuese. Në ato kushte, ndërpreu mësimet, ndërkohë që nuk kishte një ëndërr tjetër në sirtar. Marku ka dhe një koinçidencë tjetër,  i takoi që të jetonte në mes të librave. Bilioteka i erdhi dhuratë nga dajtë prej Kryezezit të Malsisë së Lezhës. Pas vdekjes së dy vëllezërve të nënës që kishin shkollë, librat e tyre nuk kishte kush t’i lexonte, prandaj u dërguan për dy vëllezërit e Markut, Pjetrin dhe Gjonin që kishin kryer shkollën fillore.

Ne foto: Prof.Dok. Mark Tirta, Akademik – “Nder i Kombit”

Edhe pse ende nuk dinte të lexonte mirë, Marku i kalonte librat nëpër duar dhe mendonte që sapo të hapeshin shkollat, të shkonte e të mësonte që të mund t’i lexonte.” Marku i vogël, shkollën fillore e mbaroi shkëlqyeshëm. E kishte me paion shkollën. Vijoi më vonë 7-vjeçaren në Durrës, në vitet 1948-1950. Shkollën e Mesme Pedagogjike e mbaroi në Tiranë.  Tani para tij dhe familjes së tij kishte dy alternativa: i duhej të zgjidhte të bëhej një rrogëtar e të ndihmonte familjen me rrogën që do të merrte, apo të vazhdonte dhe dy vite të tjera shkollë të lartë që të formohej plotësisht. Me pëlqimin dhe besimin e familjes, zgjodhi të vazhdonte studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Shkodrës. Më vonë, gjatë punës, plotësoi dhe studimet katërvjeçare në Fakultetin Histori-Filologji në Tiranë. Prof. Dr. Mark Tirta, etnolog, akademik i Associuar (2008), lindur në Orosh të Mirditës, më 21 maj 1935, kryen studimet në Universitetin e Shkodrës e të Tiranës për histori-gjuhësi, më 1957- 1961. Në vitet 1955-1957 dhe 1959-1967 ka qenë arsimtar në Mirditë: më tepër drejtor shkolle a inspektor arsimi (për rrethin e Mirditës). Nga viti 1961 e në vazhdim, krahas punës në arsim, merret dukshëm me kërkime në fushë të etnokulturës, bën eksplorime të shumta në Mirditë e rrethet fqinje të saj, si: mbledhje materiali etnografik e folklorik, zbulon e përshkruan qendra të reja arkeologjike të Arbrit Mesjetar, po kështu dhe kulturë ilire e romake, ngriti një muze në Rrëshen (1967), mbledh toponime, antroponime, fjalë të rralla. Botoi shkrime të ndryshme. Ka bërë një fjalor me 6500 toponime të Mirditës, depozituar në Arkivin e Institutit të Gjuhë-Letërsisë. Si rrjedhojë e kësaj pune kërkimore, më 1968 e emërojnë etnolog profesionist në Tiranë, në Institutin e Histori-Gjuhësisë, dega e etnologjisë, (sot: Instituti i Kulturës Popullore, Tiranë), punë që vazhdon ta kryejë edhe në ditët e sotme, edhe pse ka dalë në pension më 2008. Më 1967-1968 ka kryer në Tiranë një kurs njëvjeçar për filozofi, si kualifikim pasuniversitar. Titujt e gradat shkencore: më 1968, për veprimtarinë shkencore si bashkëpunëtor i jashtëm për 7 vjet, i është dhënë titulli “Bashkëpunëtor Shkencor i Ri”; më 1978 ka mbrojtur disertacionin në mitologji e besime e ka fituar gradën “Kandidat i Shkencave”; më 1983 i është dhënë titulli “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”; më 1988 me temën “Migrime të Shqiptarëve”: disertacion, ka fituar gradën “Doktor i Shkencave”; më 1994 i është dhënë titulli “Prof. Dr.” (“Drejtues kërkimesh”). Është bërë Akademik i asociuar (2008). Në vitet e para, pasi është emëruar etnolog në Tiranë, ka dhënë këto provime pasuniversitare: 1. Etnologji e përgjithshme, 2. Etnologji europiane, kur përqendrimi ka qenë dukshëm te Ballkani, 3. Etnologjia shqiptare, 4. Filozofi: ka shërbyer diploma e kursit të përmendur më sipër. Më 1971 ka qenë 4 muaj për specializim në muzeologji në Rumani e në Itali. Njeh mirë gjuhën frëngjisht, rusisht, italisht, serbokroatisht; për të tëra ka dhënë provime pasuniversitare. Ka botuar në vende të huaja mbi 70 shkrime shkencore. Në Spanjë, në Francë e në Gjermani i janë kërkuar për botim librat, si: “Mitologjia ndër Shqiptarë” e “Etnologjia e Shqiptarëve”, po nuk u bënë. Ky etnolog disponon disa letra e kërkesa të bëra nga Instituti i Europës Juglindore në Vjenë, ku ftohet të bashkëpunojë në tema të popullsisë e të disa çështjeve të tjera etnologjike për Shqipërinë në një vepër madhore të këtij Instituti. I kanë kërkuar bashkëpunim për vepra madhore të emigracionit botëror të sotëm, për të bërë pjesën për Shqipërinë: Universiteti i Floridas në SHBA, një Universitet i Torontos (Kanada), një kolegj ushtarak i studimeve gjeografike në Kanada. Tërë këtyre të fundit nuk u kanë dhënë përgjigje pozitive për të mos u spostuar nga temat në studim, por dhe për mungesë të mjeteve financiare që fillimisht i duheshin për të plotësuar harta, skica, grafikë e gjëra të tjera teknike. Më 1988, këtij etnologu, i është kërkuar të plotësojë Curriculum Vitae e disa dokumente të tjera, por dhe një konfirmim vetjak pranimi, për t’u bërë anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Shkencave të Lutesës (Paris), por bashkë me dokumentet duheshin dërguar dhe një sasi dollarësh si test miratimi që i përmenduri nuk i dispononte; në bazë të statusit të kësaj Akademie duheshin paguar dhe kuota mujore, të shprehura në dollarë, gjë që ishte e pamundur të bëhej. Si rrjedhojë, kërkesën e ktheu mbrapsht me një falënderim mirësjelljeje ndaj atyre që ia propozuan këtë titull.


Ka qenë anëtar i redaksisë së përmbledhësit “Etnografia shqiptare” dhe i revistës “Kultura popullore”, përkatësisht dhe i “Ethnographie Albanaise” e në “Culture popularie albanaise”, në këtë të fundit, “Kultura Popullore”, që në themelimin e saj.

Në përgatitje të çdo numri të tyre ka dhënë një ndihmesë të shënuar me artikuj studimorë, me reçensione librash, me informacione shkencore, me redaktime, me zgjedhje dhe përpunim materialesh për revistën dhe përmbledhësin. Si etnolog, prej shumë vitesh ka ndërmarrë ekspedita kërkimore në tërë viset shqiptare, duke përfshirë edhe Kosovë e Maqedoni Perëndimore, dëshmi që i kanë vlejtur në punën e tij studimore, si themel mbështetës në punën e tij shkencore. Ka shkruar mbi 400 punime shkencore e kulturore në fushë të etnologjisë shqiptare e më tej, kryesisht nga temat: mitologji e besime, migrime të shqiptarëve, por është marrë dhe me temat: familja, arti popullor, e drejta kanunore, jeta sociale e fshatarësisë, veshjet popullore, toponimet në vështrim etnologjik, probleme të zhvillimit krahinor e etnik të shqiptarëve, histori e etnologjisë e njerëz të shquar, kritikë e bibliografi. Jo pak punime të këtij etnologu janë botuar në gjuhë të huaja, madje edhe në disa revista e periodikë prestigjiozë shkencorë në botën e jashtme, gjithsej mbi 70 punime shkencore. Ky etnolog ka marrë pjesë me kumtesa, me referate, në sesione shkencore, në simpoziume, në konferenca, në kongrese shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, brenda vendit e në botën e jashtme, në mbi 130 raste. Është marrë dukshëm me muzeologji: në ekspozita e muze në Tiranë, në rrethe të ndryshme të vendit, në ekspozita muzeale e veprimtari jashtë shtetit. Ka botime shkencore jashtë shtetit, mbi 70 njësi, shkrime shkencore, përfshirë dhe Kosovën e Maqedoninë. Ka bashkëpunuar në bërje të veprave madhore, si: “Qytetërimi Ballkanik” nën kujdesin e UNESKO-s; po kështu në “Atlasi i vendeve danubiane”, – drejtuar nga Instituti i Studimeve për Evropën Juglindore, në Vjenë. Në botimet madhore të Shqipërisë ka bashkëpunuar në: “Shpati i Sipërm” (i Elbasanit), “Fjalori enciklopedik shqiptar”, “Veshjet popullore shqiptare”, “E drejta kanunore shqiptare”, “Shpërngulje me forcë e qëndresë e Kosovës martire” (1998-1999); “Hasi në etnokulturën shqiptare”, “Himara në shekuj”, “Migrime nga fshatrat malore–kodrinore për në vendet paraurbane e urbane (1991-2007)” e me radhë. Ka disa shkrime shkencore në botime e periodikë të ndryshëm të Lezhës e të Mirditës. Është bashkautor i monografisë “Mirdita. Njohuri për vendlindjen” (1999). Ka në përgatitje për botim librat: “Etnologjia e Mirditës”, “Fjalori mitologjik shqiptar”, “Etnologjia e Europës Juglindore dhe e Mesdheut”. Prej shumë vitesh ka dhënë lëndët e etnologjisë në Universitetin e Tiranës, në degët histori, sociologji. Ndër to, për tre vjet dhe në “Mitologjia” ka dhënë mësim edhe në degën e gazetarisë. Prej shtatë vitesh ka ligjëruar lëndën “Etnologjia e Evropës Juglindore dhe e Mesdheut” në Universitetin e Prishtinës. Ka udhëhequr studiuesit e rinj, si mentor, në marrje të gradave shkencore: mastër e doktor i shkencave. Në arsimin pasuniversitar ka bërë programe e ka organizuar provimet në lëndët e specialitetit të etnologjisë. Veprat e tij kryesore janë: “Migrime të Shqiptarëve” (1999), “Veshjet popullore shqiptare” (me bashkautorë), V.I (1999), V.II (2001), V.IV (2016), “Etnologjia e Përgjithshme” (2001, 2008), “Etnologjia e Shqiptarëve” (2003, 2006), “Mitologjia ndër Shqiptarë” (2004), “Lëvizje migruese të brendshme ndër Shqiptarë” (2013), “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” (2006), “Panteoni e simbolika, doke e kode…” (2007), “Etnokultura Shqiptare-Ligji Dokesor” (2016). Është vlerësuar me shumë tituj e dekorata të ndryshme, për punën e bërë në studimet shkencore. Edhe në ditë të sotme vazhdon të shkruajë e të botojë studime shkencore e kulturore në etnologji, po kështu dhe të botojë libra të natyrës shkencore e kulturore ashtu si dhe më parë. Çdo vit ka botuar (duke përfshirë dhe vitin 2018) nga 8 deri 12 shkrime të natyrës shkencore-kulturore. Ka hartuar në këto vitet e fundit dhe 152 zëra për Fjalorin Enciklopedik të Mirditës. Së fundmi është dekoruar dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Nderi i Kombit”, “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohje për zhvillimin e shkencës së etnologjisë në vendin tonë; për periodizimin e etnologjisë shqiptare në shtatë pjesë që nga lashtësia e deri më sot, si dhe për vënien e disiplinës së etnologjisë në një shkallë me nivelin e kësaj shkence në rajon dhe në botë.” Të gjithë miqtë dhe shoket e tij kudo që janë, i urojnë sot shëndet dhe vetëm shëndet, pleqëri të mbarë, jetë dinjitoze burrit të vlerave e virtyteve të larta njerëzore. Veprat e tij kanë qënë edhe janë e do të jenë udhërrëfyese për brezat e ardhshëm të shkencëtarëve shqiptarë dhe më gjërë.


Send this to a friend