Agron Shehaj, kryetar i partisë “Mundësia”, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV u shpreh se kryeministri Rama është i rrezikuar nga hetimet që po bën SPAK për dosjet e mëdha. Sipas Shehajt nëse nuk shkohet te Rama cenohet besueshmëria e SPAK-ut.
“Rama, absolutisht është i rrezikuar. Ajo që përmendi Klodi në përgjimet ku janë hetuar, sidomos Belinda Balluku, del shprehimisht emri i Ramës. Në rastin e tunelit të Llogarasë, vetë ajo thotë prit të marr leje nga ai dhe përdor një fjalë të ndyrë, ndaj atij i cili guxon të më kërcënojë.
Aty nuk përmendet me emër, por përmendet kur flet me Evis Berberin ku i thotë më tha takova një biznesmen që më tha se e ka mbyllur me Ramën.
Nga ana tjetër, gjithçka që po ndodh në rrethin e ngushtë të Ramës, nuk mund të injorojmë arrestimet te AKSHI dhe dosjen e AKSHI, ku drejtoresha e AKSHI, praktikisht ka qenë një njeri shumë i besuar i Edi Ramës, që askush nuk i përmendte emrin. Kur i përmenda emrin deputetët e mazhorancës ngrinë. Ajo ka qenë 13 vite në krye të AKSHI. Të gjithë tenderat, edhe para rrëmbimit kishin të bënin me tendera korruptivë.
Kur shohim që njerëzit e rrethit të ngushtë të Ramës merren të pandehur, është e paimagjinueshme që drejtësia të mos shkojë te Rama. Nuk ka të bëjë me një zhgënjim, por me besueshmërinë e sistemit të drejtësisë. Të mos shkosh te Rama, do të thotë të hedhësh poshtë besueshmërinë që ke fituar”-tha Shehaj.