Qeverisja 2-vjeçare e Edi Ramës ndodhet sot në një udhëkryq të rrezikshëm, saqë edhe vetë ‘i zoti i punës’ vështirë se e kishte parashikuar, ose të paktën jo kaq shpejt. Dhe rrugët që e çuan kabinetin “Rama 1” në këtë pikëpyetje, çuditërisht nuk janë ato që ndodhin në vende të tjera demokratike, fjala vjen papunësia, pikiata ekonomike, rritja e taksave, dështimi i shëndetësisë (një grua humbi jetën në spital dhe vdekja e saj u xhirua ‘live’ në një emision investigativ), represioni i shtetit ndaj individit apo, pse jo, edhe nga presioni i opozitës, ajme. Jo, asnjëra nga këto; këto ndodhin kudo përveçse te ne.
Sot, qeverisja e Edi Ramës është në udhëkryq për shkak të rrugës që ‘i zoti i punës’ ndoqi me aleatin e tij Ilir Meta nga 21 qershori e deri më sot. Edi Rama, duket qartë se nuk e duron faktin që Ilir Meta ia tërheq e ia liron litarin në qafë, sipas oreksit që i imponon këtij të fundit dieta “Dukan”. Nuk është ende e qartë se me cilat llogari Edi Rama hartoi një strategji të re “stërkëmbëshi” ndaj Metës, e cila u përpunua ndoshta në odën ovale të vilës në Surrel, kush e di se me cilët aktorë (që Meta anatemon gjatë këtyre ditëve) dhe me cilat pritshmëri, por me një qëllim të qartë!
Por ama, është fakt se kjo “intifadë” e socialistëve nisi në 21 qershor, ku LSI-ja u rrëzua me kandidatët e saj në Lezhë, Vorë e në Pogradec, dhe me Ilir Metën, që nuk u besonte syve ndërsa ndiqte rezultatet sa në TV, sa në faqen e KQZ-së e sa nga raportimet e asqerëve të LSI-së në terren. Pendesa e parë në ato momente e Ilir Metës, me shumë gjasë ka qenë ai SMS i mbrëmjes së 20 qershorit, dërguar 20 mijë “zemrave të LSI-së” në Tiranë që të votonin Erion Veliajn, ndërsa me ftohjen e mendjes, pasi kishte bërë rezil çdo drejtues të LSI-së që i dilte para syve ato ditë, pishmani i madh ka qenë marrëveshja e 1 prillit në Shkodër.
Vera shkoi, me gjithë nëpërdhëmbjet politike se Meta e Rama ishin ftohur aq shumë me njëri-tjetrin, sa gushti u dukej të dyve si janar, gati i ngjashëm me atë të 21-shit të 2011-ës. Gjatë kësaj kohe Rama as nuk bëri përçapjen më të vogël për të dhënë ndonjë sinjal apologjie për rezultatin e 21 qershorit, kur tha për gazetën “Dita” se me Metën “as ishte ftohur e as nuk ishte ngrohur”. Dhe ja ku erdhi shtatori. Shpërthimi i papritur i çështjes ‘CEZ-DIA’, me shumë gjasë është “intifada e dytë” e socialistëve (që kësaj here u shkon për shtat edhe demokratëve) ndaj Ilir Metës, dhe ai e di mirë këtë punë, si të gjitha punët e veta. Ilir Meta luajti në fillim të shtatorit në mbrojtje, dhe në fund të tij, me mbrojtjen më të mirë që është sulmi. “Intifadës” Meta iu përgjigj me “xhihad” me në krye Baba Takun e përhershëm, i cili zbrazi çantën e zezë. “Sulmi ndaj Ilir Metës rrezikon të destabilizojë vendin”, u shkroi Braho krerëve të shtetit dhe vetë Metës (kush e di se pse!)…
Në pamje të parë, duket se e vetmja viktimë e kësaj përplasjeje ishte Dritan Prifti, por Ilir Meta nuk e la me kaq. Ilir Meta nuk mund ta linte me kaq. Ai e priti Edi Ramën të shtunën në zyrë për 90 minuta, po aq sa një ndeshje futbolli, ku me shumë gjasë i dha atij kartonin e verdhë, edhe pse ai është lojtari e jo arbitri. Të hënën, kur pa se Edi Rama nuk e kishte kuptuar që kishte bërë faull ndaj marrëveshjes së bashkëqeverisjes, Meta i lejoi vetes edhe një goditje dënimi kundër Ramës. Mblodhi kryesinë e LSI-së dhe hartoi një listë propozimesh për ndryshime në qeveri (marr përgjegjësinë e vërtetësisë së këtij informacioni), por nuk e bëri publike. Meta i ka kërkuar ndryshime në qeveri Edi Ramës në takimin e së shtunës dhe ky i fundit, me shumë gjasë, i strukur në antiplumbin e fshehur nën t-shirt me logon e OKB-së, i ka thënë “po ç’ke o burrë se flasim” ose “të paktën më lër edhe një muaj kohë”.
Tani Ilir Meta është në sulm dhe Edi Rama s’di si të mbrohet. S’di si të mbrohet nga LSI-ja, që për strategji politike nuk ia ha qeni shkopin, nuk di si të mbrohet nga opozita, që për ta rrëzuar nga pushteti është e gatshme në momentin e duhur të lëmojë edhe qenin e t’i japë edhe shkopin, e nuk di si të mbrohet as nga të vetët. Rreziku më i madh që i kanoset pushtetit të Edi Ramës janë zgjedhjet e parakohshme, e zërat janë se, kështu si duken bathët, prilli ose maji i vitit tjetër do të jenë muaj elektoralë. Edi Rama tani po kërkon një zgjidhje për çorbën që ka gatuar vetë dhe që e çoi në udhëkryq. Dalja vetëm në zgjedhjet e parakohshme për Ramën nuk është një opsionin, sepse i mungon garancia maksimale se ai i fiton ato. Ndryshimet në qeveri sipas “urdhrit” të Metës, do të ishin një disfatë politike që ai nuk duket i gatshëm ta pranojë dhe prandaj i ka kërkuar Ilir Metës kohë.
E vetmja rrugë për Edi Ramën është ajo që ka ndjekur dikur mentori i tij politik Fatos Nano. Largimi nga posti i kryeministrit dhe respektimi i vonuar i paktit politik me “vëllain e armëve” të viteve 2003-2005, Ben Blushi apo makar edhe ndonjë tjetër, por jo më ai. Vetëm kështu Edi Rama mund të mbajë aleancën PS-LSI në pushtet, nëse ende ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë, vetëm kështu ai mund ta shpëtojë veten nga strategjia e gabuar për të fashitur politikisht Ilir Metën, e sepse vetëm kështu ai mund të dalë i palagur nga moçali ku veproi kundër malësorit Meta. Ky është “Drejtimi i Duhur” për të, e kjo duket së është “E vetmja rrugë”.





![rama-neta]](http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2015/10/rama-neta.jpg)





