VOAL

VOAL

“Shushunjat po i pinë gjakun popullit me PPP të frikshme”, Meta para popullit: Oligarkët po bëjnë krime të rënda kushtetuese

Presidenti Ilir Meta sqaroi arsyet pse vendosi të thërrasë popullit në manifestim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Para mijëra qytetarëve të mbledhur në shesh, Kreu i Shtetit tha se duhej bërë ky manifestim kundër grushtit të shtetit, që sipas tij, po godet çdo ditë qytetarët e ndershëm e të varfër.

Ndër të tjera, Meta u tha se mazhoranca është një botë e egër, që si shushunja po i pi gjakun popullit çdo ditë me koncesione të frikshme të PPP.

“Jemi këtu, sepse Shqipëria e sotme është ndarë në dytë botë antagoniste. Një botë e vogël, e errët, e oligarkëve, që si shushunja pinë çdo ditë gjakun e popullit tonë e koncesionet e frikshme të PPP. Jemi vendi i parë në botë për kostot e autostradave për km/2, i kemi më të shtrenjtat. Unë si Presidenti i kam rrëzuar publikisht këto dekrete, të arsyetuara mbi Kushtetutë. Këto dekrete për koncesione kanë qëllim vetëm grabitjen e Shqipërisë. Ata tani kërkojnë dhe rrëmbimin në mënyrë mafioze të Gjykatës Kushtetuese, që krimet e tyre kushtetuese të mbeten pa gjykuar, dhe që oligarkët të fitojnë sa më shumë. Jemi këtu, se asnjë nga ne nuk mund t’i qëndrojë anash grushtit të shtetit. Jemi këtu kundër grushtit të shtetit.

Pse Presidenti thirri popullin? Sepse i shteroi të gjitha përpjekjet demokratike për të parandaluar kapjen e shtetit dhe sidomos grushtin e shtetit. Presidenti ka thirrur popullin, sepse pasuria kombëtare që po vidhet çdo ditë, është ajo që Zoti iu ka dhënë gjithë shqiptarëve. Sepse sistemi i drejtësisë është kapur për fyti nga sekti anti-shtet. Sepse kemi drejtësi me regjim, që godet të varfrit. Sepse financat po shterojnë dhe borxhet po rriten, dhe ato i paguani të gjithë ju. Sepse ekonomia juaj është në ditët më të errëta. Sepse oligarkët kontrollojnë parlamentin një-partiak dhe bëjnë krime të rënda kushtetuese, si ai që denoncova dje”, tha Meta.

“Ulem në gjunjë vetëm para flamurit dhe popullit kuq e zi”, Meta citon Kushtetutën: Sovraniteti i përket vetëm shqiptarëve

TIRANË

“Zëri i popullit, zëri i Zotit”. Me këto fjalë e ka nisur fjalimin e tij para mijëra qytetarëve, Presidenti i Republikës Ilir Meta teksa tha se ulet në gjunjë vetëm para flamuri kuq e zi e popullit të shqiponjave.

Ai iu referua nenit 2 të Kushtetutës ku thuhet sovraniteti i përket vetëm popullit.
“Presidenti i popullit kuq e zi, ulet në gjunjë vetëm para flamurit kuq e zi dhe para popullit kuq e zi, para popullit të shqiponjave. Këtë ta dëgjojnë mirë puçistët vendas dhe organizata ndërkombëtare mafioze që kërkon të shkatërrojë sovranitetin dhe Kushtetutën tuaj. Neni 2 i Kushtetutës që ju votuat në referendum më 22 nëntor ‘98 thotë sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit. Ndaj ju kam ftuar jo si Ilir Meta por si Presidenti juaj, si i vetmi institucion legjitim që ka mbetur në këtë shtet për të dëgjuar zërin tuaj sepse kur institucionet bien ngrihet populli dhe populli nuk futet në xhep si parata e oligarkëve”, theksoi Meta. bw

”Neodiktatura nuk ka për të fituar”, regjisori Edmond Budina: Nuk kam ardhur si mik i Presidentit, por i vihem në krah për Kushtetutën

Aktori dhe regjisori Edmond Budina ka marrë fjalën në podiumin e manifestimit të Presidentit ku ka thënë se 30 vite pas rrëzimti të diktaturës ai vetë rikthehet për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, një ëndërr që e kishte që në protestën e 30 viteve më parë. Ai shprehet se nuk ka ardhur si mik i Presidentit Meta por i vihet në krah për Kushtetutën.

Budina thotë se neodiktatura që po përpiqet që të instalohet dhe të përdhosë Kushtetutën nuk ka për të fituar dhe se ai i vihet në krah Metës për të mbrojtur Kushtetutën.

FJALA E EDMOND BUDINËS
Përshëndetje të gjithëve,
30 vite më parë ne kishim një ëndërr, ta bënim Shqipërinë si gjithë Europa. Mbas 30 vitesh kthehem këtu për ta bërë sërish Shqipërinë si Europa, për ta shpëtuar nga kjo diktaturë e re. Që po përdhos vendin.
Kthehemi për të lufutar korrupsionit dhe mafien, i vihem në krah Metës për të mbrojtur Kushtetutën.
Nuk kam ardhur si mik i tij, as si përfaqësues i partive politike por për të mbrojtur demokracinë, lirinë e vendit tonë.
Ne nuk duhet ta lejojmë që vendi jonë të zbrazet. Kam qenë emigrant dhe e di çdo të thotë të të vdesin prindërit dhe mos kesh t’i shikosh, të mos kesh të hash dhe të vuash, dhe të shohësh në parlament njerëz që pasurohen ndërkohë pensionistët s’kanë para të marrin ilaçe. Jemi këtu t’i themi neodiktaturës që nuk ka për të fituar.
Sado që tenton të vendosë sulltanatin e vetë, nuk do ia dalë kurrë të zbrazë Shqipërinë. 30 vite më parë kishim ëndërr ta bënim Shqipërinë si gjithë Europa. Ne do e bëjmë të gjithë bashkë duke shporrur këtë oktapodh që nuk ka asgjë socialiste, për të mbrojtur institucionet.

Boksieri shkodran me titullin kampion ndërkombëtar në manifestim: Ja dedikoj kësaj dite, zemra ime rreh vetëm kuqezi!

Kampioni i boksit, Kristian Demaj, i është bashkuar manifestimit të thirrur nga Presidentit Ilir Meta, që po zhvillohet këtë mbrëmje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Boksieri shkodran tha se, ndonëse nuk ka lindur në Shqipëri, zemra e tim rreh vetëm kuqezi. Demaj iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në mbarë botën të kthehen në vendin e tyre dhe t’i bashkohen këtij manifestimi.

“Shqipëri dua të të dëgjoj. Jam i lumtur dhe krenar që ndodhem në këtë manifestim madhështor. Vij pas një fitoreje të titullit si kampion ndërkombëtar, vetëm para tre ditësh. Ia dedikoj kësaj dite të shenjtë, 2 marsit. Edhe pse nuk kam lindur këtu, zemra ime është vetëm kuqezi. Zemra ime rreh për këtë vend të mrekullueshëm, që nuk duhet ta lë të shpopullohet.

Zemra ime rreh për këtë rini, që duhet ta ndërtojë të ardhmen këtu. Shqiponjat duhet të kthehen e të jetojnë këtu. I ftoj të gjithë shqiptarët në mbarë botën t’i bashkohen besëlidhjes sonë kuqezi. Të gjithë së bashku në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të Kushtetutës”, tha Demaj. bw

”Kërkojmë vetëm mbrojtjen e Kushtetutës”, ish- ambasadori i Shqipërisë në OKB: Të kesh demokraci është zgjedhje, ta mbrosh atë është detyrë

Ish- ambasadori i Shqipërisë Agim Nesho ka folur në podiumin e manifestimit të Presidentit Ilir Meta ku ka kritikuar mazhorancën si dhe i ka kërkuar opozitës të bëjë ndryshimin.

Nesho shprehet se shkelja e Kushtetutës është kambanë alarmi për të gjithë shqiptarët të majtë dhe të djathtë si dhe i ka bërë apel qytetarëve ta mbrojnë atë.

FJALA e AGIM NESHOS

Të dashur qytetarët
Të bashkuar të gjithë të ushtrojmë të drejtën për mbrojtjen e Kushtetutës. Të kesh demokraci është zgjedhja jonë, të mbrosh është detyra jonë.
Sepse të gjithë duam një shqipëri demokratike, me të drejtat tona të respektueshme, që fëmijët tanë të jenë krenarë të punojnë këtu. Sot Shqipëria është më e plakur, është vrarë shpresa për të ardhmen, polarizimi i ekonomisë, autokracia e pushtetit, lidhjet e krimit me politikën, në një vend ku regjimi një partiak ka kapur institucionet, por llogaridhënia me popullin janë tretur në propagandë ku transparenca mungon.
Të lodhur dhe të zhgënjyer kemi pritur që gjendja të ndryshojë, kemi pritur dhe besojmë se opozita e bashkuar të bëjë ndryshimin dhe ka bërë para një regjimi duke denoncuar aferat korruptive. Por qytetarët kërkojnë zgjidhje të krizës. Kemi refuzuar zgjedhjet njëpartiake të 30 qershorit. Sot jemi para shkeljes së Kushtetutës, aktit të madhor për të ardhmen e vendit. Kapja e institucioneve është vija e kuqe për të mbrojtur demokracinë. Mund të kemi menduar se lufta politike është luftë interesash, por e sotmja është këmbanë alarmi për mbrojtjen e Kushtetutës dhe kthimin e sovranitetin. Sot kërkojmë vetëm mbrojtjen e saj, dhe kërkojmë përgjigje për disa pyetje.
Pse kanë frikë nga zgjedhjet e reja
Pse keni frikë të bashkoheni me ne për të dënuar krimin elektoral
Kush e destabilizon Shqipërinë, ata që kërkojnë funksionimin e shtetit ligjor, një Shqipëri pa drogë, korrupsion dhe krim, ata që duan që shtypi të jetë i lirë
Apo një parti në pushtet që ka krijuar një platformë plot ngjyra
Kur gishti tregon anën ju lutem mos u merrni me gishtin.
Revolucioni i 90-ës na dha një mësim. Na mësoi një mësim të baballarëve të SHBA, mbroni Republikën nga tirania e mazhorancës.

Neritan Liçaj hap manifestimin: Fronti më i madh kuq e zi kundër grushtit të shtetit dhe rrëzimit të institucioneve në Shqipëri

TIRANË

Artisti i njohur, aktori Neritan Liçaj ka hapur manifestimin e thirrur nga Presidenti i Republikës Ilir Meta në Bulevard. Ai tha se ky tubim është në mbrojtje të Kushtetutës, të lirisë dhe atdheut. Sipas tij, ky manifestim është fronti më i madh kuq e zi kundër grushtit të shtetit dhe rrëzimit të institucioneve në Shqipëri.

“Në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të lirisë, në mbrojtje të atdheut tonë të dashur Shqipëri. Ky manifestim madhështor është fronti më i madh kuq e zi kundër grushtit të shtetit dhe rrëzimit të institucioneve në Shqipëri”, tha Liçaj duke ia lënë më pas fjalën një personalitet të së drejtës, profesorit Ledi Bianku. bw

Tubimi i 2 marsit, gjyqtari Bianku: Kushtetuta veçse një copë letër pa Gjykatën Kushtetuese

Profesori Ledi Bianku, gjyqtari shqiptar në Gjykatën e Strasburgut ka qenë i pari folës në tubimin e thirrur nga Presidenti Ilir Meta.

Bianku u shpreh se janë 4 arsye të thjeshta se përse ai vendosi të jetë prezent të tubimin e thirrur nga Meta. Profesori u shpreh se nëse një vend nuk ka gjykatë Kushtetuese, atëherë Kushtetuta e vendit është thjesht një letër pa vlerë.

Bianku: Kur mora ftesën që t’iu drejtohesha sot, pyetja e parë që i bëra vetes ishte se çfarë arsyesh më bënin të vija. Katër arsye m’u dukën të mjaftueshme, e para rëndësia e këtij tubimi, mbrojtja e Kushtetutës. Nuk kam ardhur të vendosë se në debatin mes presidentit dhe mazhorancës ka të drejtë njëri ose tjetri, por dua të them se ky debat për Kushtetutën nxjerr një problem tjetër shumë të madh, atë që pa një Gjykatë Kushtetuese të pavarur, Kushtetuta ngelet një letër pa rëndësi.

Arsyeja e dytë, më një vend ku as presidenti nuk ka mundësi që pretendimet t’ia paraqes një organi të pavarur, imagjinoni çfarë mundësish kanë qytetarët e thjeshtë. Ka nga ata që thotë se qëllimi i këtij manifestimi është për pushtet, unë kam ardhur të them që po është për pushtet, por për pushtetin kushtetues. Ky është pushteti më i rëndësishëm mbi një shtet ligjor.

Arsyeja e tretë, çfarë emri i vihet kësaj situate? Nënkryetari i Gjykatës së Strasburgut u shpreh se “Pushteti i pakontrolluar i shumicës që nuk merr parasysh kërkesat e pakicës, rrezikon të bjerë…”.
Në Shqipëri, ka mbi dy vite që aktet e qeverisë dhe Parlamentit nuk kontrollohen nga askush. A mund të themi se kemi shtet të së drejtës në Shqipëri, në këto situata?

Arseja e katërt është pyetja që i bëra vetes. Në këtë situatë absurdi, ku nuk ka gjykata që të kontrollojë ligjin, pyesja veten si do reagojnë bashkëkombasit e mi. Më kujtohej një shprehje e një juristi të shquar “Një popull që fle në demokraci, ka rrezik të zgjohet në diktaturë”.

Vlerat e këtij kombi për liri, demokraci, nuk kanë vdekur. Sot kur ju shoh kuptoj se ka dhe një arsye tjetër që kam ardhur dhe kjo arsye jeni ju, thirrjet tuaja për gjykata që t’iu mbrojnë të drejtën. Unë mund t’iu uroj duke iu thënë “Zoti iu bekoftë”, por kjo është në dorë të Zotit.

“Fundi i qeverisjes! Shqipëria pa drogë e kriminelë”, Meta falenderon VATRA-n për mbështetjen

Organizata Panshqiptare në SHBA, VATRA ka dalë sot me një deklaratë përshëndetëse për manifestin e thirrur nga Presidenti Ilir Meta në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Ndërsa VATRA e cilëson manifestimin si fillimin e fundit të një qeverisje që i ka shpopulluar dhe varfëruar shqiptarët, Meta thotë se pikërisht, kjo organizatë dhe shqiptarët e Amerikës në momentet më kyçe dhe vendimtare të kombit kanë qenë shtysa kryesore për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Shqipërisë.

STATUSI I METES
Falenderim të përzemërt për VATRËN, organizatën më të vjetër Panshqiptare në SHBA, të themeluar nga dy korifejtë dhe personalitetet e mëdhaja të kombit tonë, Fan Noli dhe Faik Konica.
Shqiptarët e diasporës, veçanërisht ata në SHBA, në momentet më kyçe dhe vendimtare të kombit kanë qenë shtysa kryesore për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Shqipërisë! 🇦🇱🤝🇺🇸

Manifestimi i presidentit në 17:00- Policia aprovon kërkesën e Presidencës, plan masash për mbarëvajtjen e tubimit

Policia e Tiranës ka aprovuar kërkesën e presidencës për të mbajtur një manifestim nga ora 17- 19 tek bulevardi “Dëshmorët e kombit”.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “Balkanweb” se për mbarëvajtjen e tubimit policia ka hartuar një plan masash për ruajtjen e institucioneve dhe rendit publik. Pritet të angazhohen rreth 1000  forca policie, të cilat do të dislokohen pranë kryeministrisë dhe në institucionet e tjera përgjatë bulevardit.

Do të jenë të angazhuar punonjësit e rendit, forcat shqiponja dhe FNSH. Policia kriminale nuk ka informacione për incidente. Shpërndarja e uniformave blu pritet të jetë e ngjashme me protestat e mëparshme.

Përballë protestuesve do te krijohet një kordon që do të jetë përgjatë perimetrit te kryeministrisë. Kordoni do të jetë me policët e rendit ( mes tyre dhe femra) dhe ata shqiponja, ndërsa forcat e FNSH do të jenë në gatishmëri në pjesën e pasme. Ne gatishmëri pranë godinës së Kryeministrisë do të jenë edhe Garda e Republikës.

Siç parashikon ligji për tubimet ne gatishmëri do të jenë dhe zjarrfikëset dhe ambulancat. Kufizime për qarkullimin rrugor do të ketë në bulevardin “Dëshmorët e kombit” dhe në rrugët lidhëse me të. Autobuzët nuk do të lejohen të futen në qytet. Ata që vijnë nga pjesa veriore do të parkohen tek stadiumi “Asllan Rusi”, ndërsa nga ana veriore tek Fakulteti Ekonomik.

Gjykata jep masën ‘detyrim paraqitje’ për Henri Çilin

Henri Çili i ka shpëtuar masës së arrestit me burg. Vendimin e ka dhënë pas thuajse 10 orësh gjykata e Përmetit, e cila ka konkluduar për botuesin e njohur me masën e ‘detyrimit të paraqitjes’.

Ndërkohë, Ilir Korbi, drejtori juridik i Universitetit të Henri Çilit, është lënë në arrest shtëpie.

Gjykata po ashtu ka dhënë masë për të gjithë të arrestuarit e tjerë gjatë operacioni ‘mezhgorani’. Pritet që në minutat në vijim të zbardhen të gjitha masat e gjykatës.

Kujtojmë se Henri Çili është akuzuar se ka tentuar të ndikojë në shkallët e larta të gjyqësorit për t’i zbutur masën e akuzës vëllezërve Aliko nga Lazarati, të dënuar nga shkalla e parë dhe ajo e apelit me burgim (një i përjetshëm dhe tjetri me 18 vite) nën akuzën e vrasjes së efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha. Në këmbim Çili do të merrte një total prej rreth 700 mijë eurosh në para të thata, prona dhe toka.

Përmet, nis shqyrtimi i masës së arrestit për botuesin Henri Çili

Raimond Kola

Në Gykatën e Përmetit nisi të dielën procesi gjyqësor për vlerësimin e masës së arrestit për botuesin e njohur Henri Çili dhe për 29 të arrestuar të tjerë në kuadër të operacionit policor “Mezhgorani”.

Procesi po zhvillohet me dyer të mbyllura. Në fillim të procesit, gjyqtari Dritan Hasani, që po shqyrton çështjen, tha se kishte konflikt interesi në dhënien e vendimit për një nga të ndaluarit, Betim Shkupin, pasi kishin qenë shok në Universitet.

Betim Shkupi është administrator i “European Education Initiative Holding”, që kontrollon 100% aksionet e Universitetit Europian të Tiranës dhe u ndalua dje nga policia. Pas një ndërprerje të procesit në mesditë, seanca është rikthyer me vlerësimin e 29 masave të sigurisë, ndërsa vendimi për Betim Shkupin do të jepet nga një tjetër gjyqtar.

Deri në orët e pasdites gjyqtari nuk kishte dhënë asnjë masë sigurie për shkak të numrit të lartë të personve të ndaluar dhe të volumit të madh të materialeve. Krahas numrit të madh të personave të ndaluar para gjykatës kishte sot dhjetëra familjarë të tyre dhe forca të shumta policore.

Henri Çili ra në rrjetën e drejtësisë, ndërsa Prokuroria e Përmetit kishte nisur hetimet për një episod transporti lëndësh narkotike nga Shqipëria në Greqi.

Mes rreth 36 personave të përfshirë deri tani në këtë hetim, në faza të ndryshme, falë përgjimeve, ishte dhe Gazmir Ajdini, vëllai i bashkëjetueses së Çilit, një person me precedentë të mëparshëm penal.

Henri Çili, është hetuar nën dyshimet se ka ndërhyrë për të siguruar favore në të paktën dy raste për të dënuar me burgim të përjetshëm, në këmbim të parave. Avokati Andi Duraj që ka marrë në mbrojtje botuesin tha për gazetarët se Henri Çili i mohon akuzat dhe se provat për këtë çështje do të paraqiten gjykatës.

Një nga themeluesit e PS-së Limoz Dizdari: Partia po shkatërrohet, edhe socialistët do jenë më 2 mars në shesh

Limoz Dizdari, kompozitor dhe ndër themeluesit e Partisë Socialiste i ftuar në ‘Kjo Javë’ në ‘News24’ deklaroi se kjo parti po shkatërrohet, ndërsa theksoi se shqiptarët duhet të kenë shumë arsye për të dalë në Bulevard më 2 mars.

Teksa ka pranuar hapur që do të jetë pjesë e këtij manifesti, të thirrur nga presidenti Ilir Meta, Dizdari tha se shqiptarët e thjeshtë i shqetësojnë shumë probleme që për ta janë jetike.

Po ashtu ai përmendi dhe faktin se ka qenë ndër personat që ka dhene mendim për letrën e socialistëve të vjetër. Ai theksoi mes të tjerash se do të jetë në Bulevard për të përkrahur shqetësimet institucionale të Presidentit.

Pse e mbështesni thirrjen e Metës?

Më vjen mirë që ka interes, do të thotë se ka shqetësim. Përderisa ka shqetësim, duhet të ketë të vërteta. Unë shkoj në manifest për ato shqetësime që rrëfen presidenti. E theksoj këtë. Kjo që bëj unë është krejt normale. Unë ju garantoj se ka me mijëra të tjerë që e mendojnë këto por se thonë. Ne duhet të besojmë tek vota dhe fjala e vërtetë dhe tek qëndrimi ynë konsekuent. Kjo më bën që të them se nëse ka një shqetësim presidenti lidhur me deformimin që i bëhet strukturuarve, formacioneve të institucionit, ky është një konstatim institucional dhe duhet ta dëgjojmë. Duhet të mbajmë qëndrimet tona me vonë, ndaj qëndrimeve që kemi ndaj presidentit. Nëse është zgjedhur një president që për mendimin tim nuk është me i miri, ai kemi.

Çfarë marrëdhënie keni me presidentin Meta?

Të gjithë udhëheqësit e politikës, i kam vlerësuar. Doktor Berisha erdhi si mjek në Kuvend. Me tërë problematikën që mund të kem pasur për të, është Berisha i pari që solli demokracinë. Kur erdhi puna që u bë rotacioni, që ikën demokratët dhe erdhi Fatos Nano, ky ishte një politikan i suksesshëm. Ilir Meta erdhi tek unë dhe kërkoi mendim që të krijohej LSI. Në momentin kur konstatova se nuk është në rrugë të mbarë, unë u distancova nga Iliri.

Kur u distancuat?

U distancova pas një viti e gjysmë. Unë u largova dhe i mbylla marrëdhëniet me LSI-në. Unë e ndaj shumë qartazi kufirin mes Ilir Metës dhe presidentit. Ai është qytetari i parë i kësaj Republike, dhe ka informacione nga më të mirat.

Po bëhet një grusht shteti nga qeveria dhe presidenti e denoncon që këtë? E besoni këtë shqetësim që ngre presidenti?

Në konceptin tim them a ka pëllëmba kundër popullit? Po bën kaq vite që nuk ka gjykata. Thonë që ka filluar punë, por unë nuk besoj akoma. Është ende i vonuar. Populli në darkë shkon në shtëpi dhe vret mendjen se çfarë do hajë sot dhe nesër. Gratë janë të dhunuara, problemet e tërmetit janë maksimale, problemet institucionale janë të mëdha.

Gjithçka është përbaltur, për këtë kush mban përgjegjësi? Kjo është kauza e presidentit. Nëse do të jetë presidenti i shqiptarëve, të vrasë mendjen për popullin. Si mund të prishet brenda muajit gjykata? Mua më është dhunuar prona intelektuale. Më thoni një ministër që nuk është i përbaltur.

Avokati: Henri Çili ende nuk ka dhënë dëshmi për prokurorinë

Në Shqipëri botuesi i njohur Henri Çili, i cili u arrestua mbrëmjen e së enjtes nën dyshimet se ka ndërhyrë për të siguruar favore në të paktën dy raste për të dënuar me burgim të përjetshëm, në këmbim të parave, nuk ka dhënë ende dëshmi për Prokurorinë e Përmetit lidhur me akuzat.

Burimet nga mbrojtja e botuesit i thanë Zërit të Amerikës se avokati ka qenë në dispozicion në çdo kohë, por ende Çili nuk është marrë në pyetje nga Prokurori i Përmetit Asllan Bajrami, deri mesditën e së shtunës.

Sipas mbrojtjes pritet që Çili të dëshmojë para Gjykatës së Përmetit lidhur me akuzat në sancën për vlerësimin e masës së sigurisë që ende nuk është përcaktuar se kur do të zhvillohet, të dielën apo të hënën. Burime nga mbrojtja i thanë Zërit të Amerikës se “akuzat ishin të manipuluara dhe në gjykatë do të paraqiteshin prova dhe fakte në mbrojtje të klientit të tyre”.

Avokati mbrojtës tha se donte të saktësonte se Henri Çili nuk ishte arrestuar por vetëdorëzuar në polici rreth orës 22 të së enjtes pas një urdhëri arresti të lëshuar në orën 08:15 të po asaj dite.

Henri Çili ra në rrjetën e drejtësisë, ndërsa prokuroria e Përmetit kishte nisur hetimet për një episod transporti lëndësh narkotike nga Shqipëria në Greqi. Mes personave të përfshirë, në këtë hetim, në faza të ndryshme, falë përgjimeve, ishte dhe Gazmir Ajdini, vëllai i bashkëjetueses së Çilit, një person me precedentë të mëparshëm penal.

Pikërisht bisedat e Ajdinit me botuesin dhe opinionistin Çili, zbuluan, sipas dokumentave të prokurorisë, përpjekjet e këtij të fundit për të kërkuar favore pranë sistemit të drejtësisë, për të paktën dy raste. Bëhet fjalë për dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko, i pari i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i dyti me 18 vite burg, me vendim të formës së prerë, për vrasjen e një efektivi të policisë në Lazarat, gjatë aksionit të vitit 2015 kundër kultivimit të marijuanës. Po ashtu dhe, në një tjetër rast, për një të dënuar tjetër po me burgim të përjetshëm. Në të dyja rastet, sipas prokurorisë, rezulton se Çili ka marrë para në këmbim të shërbimit që ai do të kryente.

Dokumentat e hetimit nxjerrin në pah faktin se në mesin e muajit janar, në mjediset e një hoteli në Tiranë, Çili rezulton të ketë biseduar me drejtuesin e një organi të lartë të Drejtësisë të cilit i ka kërkuar që të ndikojë që të trajtoheshin sa më shpejt rastet e të dënuarve për të cilët ai kishte marrë përsipër të ndërhynte. Funksionari i drejtësisë nga ana e tij mësohet t’i ketë premtuar se dosjet e tyre do të jenë mes 50 të parave. Duke qenë se bëhet fjalë për dosje që ndodhen në Gjykatën e Lartë, vëmendja mediatike u përqëndrua te gjyqtari i vetëm i kësaj Gjykate Ardian Dvorani. Ky i fundit mohoi dje në mënyrë kategorike të jetë përfshirë në këtë histori. “Për një gjë jam i sigurtë, që kjo dosje nuk është trajtuar me prioritet, sepse me kompetencat që ushtroj për momentin, si drejtuesi i Gjykatës së Lartë, nëse çështja do përshpejtohej, e para kush do ta shqyrtonte? Dhe nëse këshilltari do ta merrte për ta parë dosjen me prioritet, atë do ta merrte me firmën time”, shpjegoi zoti Dvorani për gazetarët duke mohuar të ketë patur biseda të cfarëdollojshme me Çilin. “Nuk e di kur mund ta kem përshëndetur shumë muaj më parë zotin Çili”, ju përgjigj zoti Dvorani pyetjeve nëse kishte komunikuar me botuesin apo ishte takuar me të. Mbetet mister se kush është funksionari i lartë i drejtësisë dhe pse nuk është vepruar ndaj tij, duke qenë se më së paku ai mund të dyshohet për moskallëzim të krimit për ndërhyrjen që ka patur nga Çili, i cili përfundoi në pranga edhe për këtë episod.

Sipas hetimeve, botuesi Çili, dyshohet për të paktën 6 vepra penale: “Fshehja e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.

“Gjithçka e manipuluar!” Pas arrestimit, flet Henri Çili: Do sjell prova dhe fakte

Një ditë pas arrestimit të tij, ka reaguar për herë të parë Henri Çili.

Pronari i Universitetit dhe analisti ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij nga policia, duke deklaruar se gjithçka është manipuluar.

Çili është shprehur se nuk ka pasur asnjë dijeni mbi faktin se ka qenë i përgjuar dhe se të gjitha akuzat e ngritura janë të pavërteta. Në rreth 2 orë deklarime në hetuesi, Çili deklaroi gjithashtu se do t’i kundërshtojë akuzat me prova dhe fakte.

“Unë nuk kam kryer asnjë shkelje. Do t’i kundërshtoj në momentin e duhur me prova e fakte. Akuzat që më bëhen janë tërësisht të manipuluara. Nuk kam dijeni për akuzat e Prokurorisë. Provat e Prokurorisë do t’i kundërshtoj në momentin e duhur,”-është shprehur botuesi.

Pronari i medias u arrestua dje për shkak të dyshimeve se ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë për t’i lehtësuar dënimin dy vëllezërve Aliko, të dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit për vrasjen e Ibrahim Bashës, efektiv i RENEA-c i cili mbeti i vdekur gjatë aksionit të policisë në Lazarat më 2015.

Drejtoresha: Mezi pres rastin e parë me koronavirus në Shqipëri (!)

Drejtoresha e Inspektoratit Shëndetësor Areti Beruka, e ftuar në studion e Report TV, ka folur lidhur me koronavirusin.

Beruka tha se autoritetet kanë marrë të gjitha masat për t’u përballur me virusin vdekjeprurës.

 

Ajo shkoi deri aty sa tha se vetë personalisht mezi po e pret rastin e parë të prekur me koronavirus në Shqipëri, për të treguar edhe gatishmërinë e ekipeve të posaçme mjekësore (!)

Sipas saj, të gjithë qytetarët duhet të kuptojnë se koronavirusi ka një përqindje vdekshmërie shumë të ulët dhe se mund të menaxhohet shumë thjeshtë nga profesionistët e fushës, duke bërë thirrje që të mos ketë panik.

Gazetarja: Vetë personalisht a keni frikë nga situate?
Mjekja: Absolutisht jo!

Gazetarja: Ka të bëjë me karakterin apo me profesionin?
Mjekja: Ndoshta me profesionin por edhe me karakterin. Por ta them personale, jo profesionale mezi e pres rastin e parë në fakt, unë si mjek.

Gazetarja: Pse?
Mjekja: E para do të kuptojnë njerëzit profesionistë që koronavirusi ka një gradë vijueshmërie shumë të ulët sesa ky që kemi gia. Përqindja e vdekshmërisë së saj është 2% . Mosha e fëmijëve 16 vjeç e kanë shumë të ulët dhe me shenja shumë herë më të lehta. Paniku që qytetarët kishin me SARS-in, apo me gripin e derrit, nuk është absolutisht më i rrezikshëm koronavirusi.

Unë iu them me bindje që në ‘96 kur unë kam qenë specializante ne kemi pasur rastin e ‘kolerës’, e menaxhuam dhe nuk patëm asnjë rast të rëndë apo me vdekshmëri. Mjekësia nuk bëhet me fall filxhani por me statistika, me të dhëna dhe me menaxhim. Na jepni shansin dhe mundësinë të menaxhojmë ashtu siç po e menaxhojmë dhe fakti i skepticizmit është ky që po përpiqemi që të sqarojmë njerëzit për të kuptuar atë që duhet të besojnë. Pastaj është zgjedhja e tyre nëse duan të klikojnë lajmet false.

Gazetarja: Ti faleminderit që ishe me mua në studio. Do të jemi sërish së bashku, unë nuk jam si ju, tek ajo kategoria që thoni, mezi pres rastin e parë. Unë nuk dua ta dëgjoj, megjithatë kur të jetë rastin e parë do t’ju kem sërish në studio.

Aktori Edmond Budina do të jetë në manifestimin kuq e zi të thirrur nga Presidenti Meta

Pasi regjisori Edmond Budina konfirmoi publikisht se do te jete ne manifestimin e 2 marsit, therritur nga Presidenti i vendit, reagon me nje mesazh kreu i Shtetit.

Duke ndare me ndjekesit e tij, qendrimin publik te Budines, Meta e quan kete nje lajm frymezues.

“Artisti i dashur për të gjithë ne, Edmond Budina, do na bashkohet më 2 mars në Tiranë, që e gjithë Europa dhe bota demokratike të dëgjojë sërish si para 30 viteve thirrjen: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Liri Demokraci”, shkruan Meta, duke shtuar se “jetën e japim, Demokracinë dhe Lirinë tonë kurrë!”.

 

Postimi i Metës

Një lajm frymëzues që edhe një nga përfaqësuesit më të shquar të Lëvizjes Demokratike, artisti i dashur për të gjithë ne, Edmond Budina, do na bashkohet më 2 mars në Tiranë, që e gjithë Europa dhe bota demokratike të dëgjojë sërish si para 30 viteve thirrjen: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Liri Demokraci”.
Jetën e japim, Demokracinë dhe Lirinë tonë kurrë!
Jemi komb Shqiponjash!
Edhe Shqiponjat tona në emigracion do të kthehen në Folenë e tyre.
Mirësevjen i dashur Profesor Budina!

Nga Edmond Budina
Mbështetje për inisiativën e Presidentit Ilir Meta

Ka ngjarje, që nuk të shqiten nga kujtesa, sado kohë që të kalojë. E tillë është edhe ajo ditë dhjetori e vitit 1990, kur një grup studentësh e pedagogësh shkuam për të kërkuar pluralizmin politik. Endrra e lirisë, demokracisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, tejpërshkonte gjithë hapësirën, objektet, njerëzit, që me sytë gjithë shkëlqim prej lotëve, puthnin deri llamarinat e autobusit, i cili do të na çonte në Pallatin e Brigadave. Në ata sy kishte aq shumë dritë, shpresë… Pas afro tridhjetë vitesh ëndrra është zvanitur, shpresa u kthye në zhgënjim, por gjithsesi, sado i madh të jetë zhgënjimi, gabimet e bëra nër vite, nuk kanë të krahasuar me atë që po ndodh tani, ankthin e rikthimit në diktaturë. Një grusht njerëzish, me një mentalitet feudal, sillen si pronarë të vendit, ndërsa e gjithë shpura puthadorase rilindase e dumbabistëve qamilistë i bëjnë hosanna kandidat Salep Sulltanit. Vendi është i mbushur me drogë, krim, korrupsion qelizor, ku blihen e shiten jo vetëm votat, por edhe frymorët. Një parlament i paligjshëm, që harton e voton ligje antikushtetuese, ku makutëria për pasuri i zhvesh nga çdo ndjesi njerëzore. Mafia e ulur këmbëkryq, bën tregti me politikën dhe vendi është kthyer në një lavatriçe ndërkombëtare parash të pista. Kjo qeverisje, që sukses të saj ka vetëmburrjen, prepotencën, po dëbon rininë nga vendi, po iu vret shpresën e po largon përherë e më tepër ëndrrën tonë të kahershme, Shqipërinë si gjithë Europa. Endrrën tonë europiane mund ta çojmë përpara vetëm ne, pa shpresuar se do të jenë të huajt që do të na i zgjidhin problemet.

Prej dy vitesh tashmë qytetarë, intelektualë, artistë, protestojnë përditë në mbrojtje të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, shkeljes së Kushtetutës, vjedhjes së truallit publik. Tërheqja e përkohshme e Qeverisë e Bashkisë tregon se sa të drejtë kishim ne kur ngulmonim në protestë të përditshme. Protesta është qytetari dhe na ka mësuar të jemi përherë syçelët. Asnjë hap pas deri në fitoren përfundimtare, sepse shembja e Teatrit do të thotë shembje e demokracisë. Për këtë Presidenti është një nga mbrojtësit e Teatrit. Vetëm në mesjetë ose në diktaturat më të egra, shteti iu hiqte dritat, ujin qytetarëve të vet për t’i gjunjëzuar.
Për të vazhduar ëndrrën e nisur në nëntëdhjetën, për të ringjallur shpresën, për të mbrojtur Kushtetutën, për ta çliruar Shqipërinë nga oktapodhi rilindas, që nuk ka asgjë socialiste, por ka uzurpuar padrejtësisht të gjitha institucionet, duhet të bëhemi të gjithë bashkë më 2 mars për të mbështetur presidentin Ilir Meta, i cili atë ditë dhjetori të nëntëdhjetës ndodhej në autobus së bashku me ne. Pamvarësisht bindjeve të majta ose të djathta, pamvarësisht ngjyrimeve politike të gjithsecilit, le ta kthejme 2 marsin vetëm kuq e zi. Faleminderit zoti President. Do të jem përkrah teje.

Arrestohet Henri Çili, botuesi dhe pronari i UET dhe 12 të tjerë

Botuesi dhe pronari i Universitetit Europian të Tiranës Henri Çili është arrestuar nga policia, bashkë me 12 persona të tjerë. Burimet bëjnë me dije se Çili kishte ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të liruar nga burgu anëtarët e bandës së Lazaratit. Ndaj Çilit rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.

 

TIRANE – Botuesi dhe pronari i Universitetit Europian të Tiranës Henri Çili është arrestuar në orët e para të mëngjesit nga policia, bashkë me 12 persona të tjerë mes tyre biznesmeni Sait Fishta, drejtori Juridik i UET Ilir Korbi dhe noterja Shpresa Gjocaj.

Burimet bëjnë me dije se Çili kishte ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të liruar nga burgu anëtarët e bandës së Lazaratit. Nga përgjimet ka rezultuar se Çili ka pasur komunikime me babanë e Alban dhe Arbjon Alikos të arrestuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s në qershorin e 2015-ës, Ibrahim Bashës. Babai i tij Alikos i kishte premtuar Çilit një hapësirë toke në Gjirokaster në këmbim të lirimit apo uljes së dënimit të dy djemve. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se emri i Çilit del edhe në kontrata që janë për dhurim pronash në zonën e Gjirokastrës, por edhe në transaksione bankare.

Urdhër-arrestet për ndalimin e tyre janë lëshuar nga Prokuroria e Përmetit pas një hetimi disa mujor. Çili është shoqëruar në orën 21:00 të mbrëmjes së djeshme ndërkohë që urdhër arresti i është komumikuar në orë e para të mëngjesit të sotëm. Ndaj tij rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve, shpërdorim detyre dhe transaksione të dyshimta që do jenë pjesë e një hetimi pasuror.

Gjatë operacionit policia ka arrestuar edhe Amarildo Alikon, i afërm i ish-kryekomunarit të Lazaratit në kohën e PD, Dasho Aliko. në banesën e të cilit u gjetën dhe sekuestruan armë dhe municione. Të arrestuarit janë dërguar tek Policia e Tiranës, ku priten veprime të mëtejshme.

Nga ky operacion i cili është finalizuar në orët e para të mëngjesit mësohet se janë shoqëruar më shumë se 60 persona të tjerë. Kontrolle janë ushtruar në disa banesa në qytetin e Gjirokastrës si dhe në ambientet e UET.

Pritet që kjo dosje të kalojë në SPAK.

lajmi po perditesohet…

Rendit zhvillimet sipas orarit:

Ora 10:25

Nga aksioni i policisë në Gjirokastër u arrestua edhe biznesmeni Sait Fishta, ish-kandidat për deputet në zonën e Shkodrës

1582881395_saitfishta1.jpg

Mes të arrestuarve në operacioni ku u vu në pranga botuesi dhe pronari i UET Henri Çili është edhe biznesmeni Sait Fishta ish-kryetari i Komunës së Velipojës dhe ish-kandidat për deputet në siglën e disa partive të ndryshme në zonën e Shkodrës. Ai rezulton i dënuar më parë për akuzën e ndërtimit të paligjshëm në tokë publike të 9 objekteve pallate në zonën bregdetare të Velipojës

Ora 10:24

Në total 31 urdhër ndalime, përgjimet e grupit të zjarrit në Lazarat zbuluan emrin e Çilit

31 urdhra ndalim janë lëshuar në total, por vetëm 12 prej tyre janë ekzekutuar deri më tani. Procedimi fillimisht ka qenë regjistruar për prodhim dhe shitje narkotiëesh me pas nga përgjimet e grupit të zjarrit kanë dalë në skenë emrat e Henri Çilit dhe personave të tjerë.

Ora 09:47

Henri Çili dyshohet se i mori para e prona babait anëtarit të bandës që vrau efektivin e RENEA-s me premtimin se do e nxirrte nga burgu

Burimet bëjnë me dije se Çili kishte ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të liruar nga burgu anëtarët e bandës së Lazaratit. Mësohet se Çili ka pasur komunikime me babanë e Arbjon dhe Alban Alikos arrestuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Bashës. Arbjon Aliko është dënuar me burg përjetë lidhur me këtë ngjarje ndërsa vëllai i tij me 20 vite. Babai i kishte premtuar tokë dhe para në këmbim të lirimit të të birit. Nga hetimet ka rezultuar se emri i Çilit del edhe në kontrata që janë për dhurim pronash në zonën e Gjirokastrës, por edhe në transaksione bankare.

Ora 09:00

Ndikimi te gjyqtarët për lirimin e të arrestuarve të Lazaratit, bashkë me Çilin pranga edhe drejtorit Juridik të UET

1582876947_ilirkorbi.jpg

Mes të arrestuarve gjatë operacionit ku është vënë në pranga Henri Çili, është ndaluar edhe avokati Ilir Korbi, drejtori juridik i UET i cili shërben edhe si pedagog pranë këtij universiteti. Bashkë me Korbin janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë të cilët kanë qenë në tavolinë me Korbin.

Ora 08:02

Aksion në Lazarat, sekuestrohen armë dhe municione! Arrestohet Amarildo Aliko

Tre grupe efektivesh te DVP Gjirokastër kanë zhvilluar kontrolle në banesat e fshatit Lazarat.

Në banesën e Amarildo Alikos , i afërm i ish-kryekomunarit të Lazaratit në kohën e PD, Dasho Alikos ata kanë gjetur tre armë automatike model 56 ( kallash), një granatë, një pushke 20-she e mijëra fishekë deri tani. Ky i fundit është vënë në prangat e policisë, për t’u shoqëruar më pas në Komisariatin e Gjirokastrës.

Operacioni ka nisur prej orës 5 të mëngjesit dhe po vijon në disa banesa të tjera në zonën e Lazaratit./Burimi /m.v./Shqiptarja.com

 

Balkanweb: Arrestohet pedagogu, botuesi dhe analisti Henri Çili.

 

Mësohet se Çili është arrestuar orët e para të mëngjesit të sotëm për llogari të policisë së Gjirokastrës me disa akuza.

Burimet thanë për News24 se bashkë me Çilin janë ndaluar 40 persona gjithsej të ndaluar në vend, 13 prej tyre nga Përmet, mes tyre dhe një avokat, të cilët dyshohet se janë transferuar nën forca të shumta policore drejt Gjirokastrës.

Arrestimet kanë ardhur pas hetimeve disa mujore nga prokuroria e rrethit të Gjirokastrës dhe dyshohet se këta persona kanë konsumuar disa vepra penale.

(BalkanWeb)

Ish-ministri i brendshëm kthehet nga SHBA dhe bën gjestin me shqiponjën përkrah Metës, konfirmon pjesëmarrjen në tubimin e 2 marsit

Ish-ministri i Brendshëm teknik Dritan Demiraj ka udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Tiranës, për të marrë pjesë në manifestimin e 2 marsit, i thirrur nga presidenti Ilir Meta në mbrojtje të Kushtetutës.

Ka qenë vet ish-ministri i PD-së që ka bërë të ditur këtë fakt, ndërsa shfaqet në një foto me Metën, duke bërë të dy simbolin e shqiponjës me dorë. Ai theksoi se bashkë me shumë bashkëkombës nga New Yorku, Neë Jersey, Michigani, Chicago dhe Bostoni kanë ardhur në Shqipëri për t’ju përgjigjur thirrjes së Meta për shpëtuar demokracinë dhe për të mos lejuar vendin te kthehet 30 vjet prapa.

REAGIMI I DEMIRAJT
Te nderuar bashkekombas!
Situata politike ne Shqiperi nuk ka qene asnjehere me keq se sot. Vendi po futet ne diktature dhe sot me shume se kurre eshte mundesia e fundit per te reaguar.

Rilindja pasi mori te gjithe pushtetet ekzekutive, legjislative, gjyqesore, mediat, me PPP-te, kanabizimin e te gjithe vendit, etj tani ka vendosur qe te shkaterroje dhe gurin e fundit te shtetit Shqiptar: Kushtetuten e Shenjte te Republikes se Shqiperise.
Prandaj se bashku me shume bashkekombas nga Neë Yorku, Neë Jersey, Michigani, Chicago dhe Bostoni kemi ardhur ne Shqiperi per tju pergjigjur thirrjes se Komandantit te Pergjithshem te Forcave te Armatosura Z. Ilir Meta per shpetuar demokracine dhe per te mos lejuar vendin te kthehet 30 vjet prapa.

Megjithese sot Presidenti Meta kishte nje dite shume te ngarkuar, perseri me dha mundesine dhe kenaqesine qe ta takoja ne zyre.

Ne kemi ardhur nga Amerika, po ju vellezer dhe motra do na bashkoheni?

Kushdo qe e do me zemer vendin, te bashkohemi ne mitingun paqesor te dates 2 mars ne oren 17:00 ne mbrojtje te Kushtetutes se Republikes se Shqiperise njelloj siç e mbrojne dhe qytetaret amerikane Kushtetuten e SHBA-ve.

D.D. Tirane. Shqiperi.
(BalkanWeb)

Figura të larguara nga PS – letër Ramës: jepe dorëheqjen që të mundësohet reformimi i partisë

TIRANË

Një ditë para se PS të mbledhë Kongresin Zgjedhor, figura të larguara nga kjo forcë politike, i janë drejtuar me një letër kryesocialistit Rama të cilit i kërkojnë të japë dorëheqjen.

Letra e cila mban firmën e personaliteteve të njohura në PS, si Arta Dade, Eva Teqja (Allushi), Ibrahim Sulaj,Irena Beqiraj, Luan Zhegu, Maqo Lakrori, Nazmir Bilani, Përparim Bodinaku, i kanë dërguar një letër Mocion për  Reformimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, kreu të PS.

“Vazhdimi i misionit politik afatgjatë për të cilin u krijua Partia Socialiste e Shqipërisë në vitin 1991 dhe zgjidhja e problemeve ekonomike, sociale e politike që përjeton vendi ynë në këtë periudhë zhvillimi (përfshirë edhe mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe shërimin e pasojave të tyre),  kërkojnë sot një reformim të thellë cilësor të Programit politik dhe të Rregullave të funksionimit të saj.” thuhet në letër, në të cilën parashtrohen 10 ndryshimet për programin dhe statusin e partisë, ndryshime që firmëtarët i kërkojnë Ramës, t’i kalojë për votim në Kongres.

Letra e plotë

Numri i mandateve partiake të kryetarit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë kufizohet deri në dy.

Drejtuar: Përfaqësisë së Kongresit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, të dt.29 shkurt, 2020

Lënda: Mocion për  Reformimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë

– Cilido porositës dhe përfitues i manipulimit dhe vjedhjes së votave në zgjedhjet brenda partisë përjashtohet përgjithmonë nga Partia.

Përshëndetje!

Jemi disa votuese dhe votues të Partisë Socialiste; midis nesh ka edhe anëtare/ë të saj. Përmes kësaj letre dëshirojmë që t’ju njohim me një mocion për reformimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Mocioni përcakton objektivat kryesorë të reformimit dhe propozon një paketë me 10  ndryshime e plotësime themelore në Programin dhe në Statutin e partisë. Kërkojmë nga ju, paraqitjen e tij për votim në Kongresin e PS, të dt. 29 shkurt 2020.

Kjo letër do të bëhet publike me qëllim që çdo anëtare dhe anëtar  i PS, çdo votuese dhe votues  i PS, çdo simpatizante e simpatizant i saj, e po ashtu edhe çdo qytetare e qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë, kudo që ndodhet – në vend dhe në emigracion – të ketë mundësinë që të njihet vetë me përmbajtjen e këtij mocioni dhe të përcaktojë lirisht e me bindje të plotë  qëndrimin personal ndaj tij. Ne besojmë se shumica do ta mirëkuptojë dhe do ta mbështesë këtë mocion për reformim, pasi reformimi përmirëson Partinë Socialiste e për pasojë përmirëson edhe qeverisjen që i bëhet vendit në emër të saj dhe të votueseve e votuesve të saj.

 Mocion për Reformimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë

Vazhdimi i misionit politik afatgjatë për të cilin u krijua Partia Socialiste e Shqipërisë në vitin 1991 dhe zgjidhja e problemeve ekonomike, sociale e politike që përjeton vendi ynë në këtë periudhë zhvillimi (përfshirë edhe mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe shërimin e pasojave të tyre),  kërkojnë sot një reformim të thellë cilësor të Programit politik dhe të Rregullave të funksionimit të saj.

 Objektivat e mocionit

  1. Parti me liri  fjale, votim të ndershëm, vendimmarrje dhe drejtim kolegjial.
  2. Parti me integritet, e pakapshme nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
  3. Parti  që realizon qeverisje të majtë demokratike, që mbron dhe shërben interesat themelore të shtetasve shqiptarë, kudo që jetojnë dhe punojnë.

 Paketa me ndryshime e plotësime në Program dhe në Statut

1.Partia Socialiste e Shqipërisë punon për ndërtimin e një shteti solidar me shtetasit e vet, që garanton me ligj të drejtat  dhe liritë themelore të njeriut dhe krijon mundësi materiale për realizimin e tyre, duke filluar nga niveli i domosdoshëm për ushqim, veshje, strehim,  shërbim shëndetësor, arsimim, punësim dhe lëvizje të lirë.

2. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë në institucionet shtetërore legjislativë dhe ekzekutivë, qëndrorë dhe vendorë, janë të detyruar politikisht që të hartojnë e të zbatojnë programe qeverisës me natyrë të majtë demokratike, si dhe të korrigjojnë çdo veprim të mëparshëm qeverisës, që nuk respekton këtë detyrim, pavarësisht se kur është kryer.

3. Partia Socialiste e Shqipërisë dhe grupi i saj parlamentar, do të ndërmarrin nismat e nevojshme ligjore për amendimine ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në vitin 2008. Amendimet përfshijnë  vendosjen e një sistemi zgjedhor që e bën Kuvendin e Shqipërisë më përfaqësues të vullnetit të popullit, fuqizon kontrollin parlamentar të ekzekutivit dhe shmang çdo përqëndrim ”de jure” e ”de facto” të pushtetit shtetëror në   një institucion apo individ të vetëm.

4.Partia Socialiste e Shqipërisë mbështet politikisht dhe publikisht veprimtarinë e drejtësisë së reformuar dhe të  institucioneve të saj, përfshirë SPAK dhe BKH,  për pastrimin e klasës politike drejtuese në pushtet dhe në opozitë nga korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar. Këtu përfshihen:

(a) – Verifikimi sistematik dhe pa asnjë përjashtim i pasurisë së të gjithë personave që kanë kryer, kryejnë ose do të kryejnë funksionet e presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit, deputetit, kryetarit të bashkisë;

(b)- Konfiskimi i  pasurive të tyre të paligjëshme;

(c)- Dënimi sipas ligjit i personit abuzues, pavarësisht funksionit politik që ka patur, që ka aktualisht apo që mund të ketë në të ardhmen.

5. Partia Socialiste mbështet politikisht dhe publikisht ndëshkimin ligjor, politik dhe publik  të manipulimit  dhe vjedhjes së votave, që mund t’i bëhet  çdo lloj forme të shprehjes së vullnetit të popullit (zgjedhje parlamentare e vendore, referendume,për çështje me interes publik, qëndror dhe vendor).Ndëshkimi ligjor është i mundshëm pavarësisht kohës se kur provohet krimi elektoral dhe pavarësisht statusit politik të personit apo personave  porositës, manipulues dhe vjedhës të votave.

6 .Kandidatët e Partisë Socialiste për deputet, kryetar bashkie dhe këshilltar vendor propozohen nga organizatat socialiste të zonës zgjedhore vendore në të cilën ato veprojnë.Kandidatët zhvillojnë fushatë parazgjedhore në parti e në komunitet dhe përzgjidhen me votim të fshehtë. Forumet partiake drejtuese,që shpallin emrat e kandidatëve zyrtarë të Partisë Socialiste të Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare dhe vendore, detyrohen që të respektojnë propozimin e organizatave socialiste.Përndryshe,duhet të argumentojnë      mospajtimin e vet me anëtarësinë socialiste të këtyre organizatave dhe të kërkojnë prej tyre rivotim të  fshehtë;ky rivotim është vendimtar.

7. Cilido porositës dhe përfitues i manipulimit dhe vjedhjes së votave në zgjedhjet brenda partisë përjashtohet përgjithmonë nga Partia Socialiste:

(a) -pavarësisht kohës kur e ka dhënë porosinë dhe/ose kur ka    përfituar nga manipulimi dhe vjedhja e votës;

(b) – pavarësisht funksionit, që mund të ketë patur ose vazhdon të ketë në parti apo në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv.

8.Funksionet e kryetarit, sekretarit të përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë janë të papajtueshëm me funksionet e presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit dhe kryetarit të bashkisë.

9.Numri i mandateve partiake të kryetarit, sekretarit të Përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste  kufizohet deri në dy.

10.Në Partinë Socialiste njihet e drejta për oponencë kolektive të organizuar në forumet partiake vendimmarrëse qëndrore (Kongres, Asamble Kombëtare, Kryesi), si garanci strukturore për mbrojtjen e demokracisë së brendshme, respektimin e programit politik në qeverisje dhe shtimin e aftësive vetkorrigjuese të partisë. Oponenca kolektive merr formë të organizuar dhe funksionon vetëm pasi platforma e saj të jetë mbështetur me votim të fshehtë nga të paktën 20% e anëtarëve të partisë.

Për të siguruar arritjen e të gjithë objektivave të mocionit, paketa zbatohet e plotë. Kjo paketë është konceptuar si një strukturë unike, e përbërë nga 10 njësi në lidhje logjike mes tyre, që të gjitha të domosdoshme për të arritur reformimin e synuar. Për këtë arsye,  paketa i paraqitet Kongresit për t’u votuar si një e tërë , me  “Po” ose “Jo”.

Njësitë  1-5 dhe 6-10 integrohen përkatësisht në Programin dhe në Statutin e partisë. Ky integrim shoqërohet me të gjitha ndryshimet dhe plotësimet e tjera të nevojshme, bazuar në tekstin dhe në frymën e njësive 1-10.

(BalkanWeb)

Neritan Ceka: 6 mln eurot për Bylisin dhe roli i Sorecës, fondet e BE për Monumentet e Kulturës histori kriminale

Bashkimi Europian në vijimësi i ka dedikuar fonde të caktuara edhe trashëgimisë kulturore.

Por arkeologu dhe politikani Neritan Ceka, thotë se fondet e BE në vend që të përmirësonin situatën e Monumenteve të Kulturës, vetëm sa e kanë përkeqësuar atë.

Si precedent sjell rastin e Apollonisë, investimi 860 mijë euro në 2013 ku sot nuk nuk gjen asnjë euro investim.

I ftuar në “Ditë e Re” në Rtv Ora ai ngre gishtin për përgjegjësinë ndaj ish-ambasadores së BE, Vlahutin.

Por skenari përsëritet thotë ai, duke deklaruar se edhe Soreca po përgatit të njëjtën skemë për Bylisin.

6 milion euro investim dhe në krye të projektit do të sjellin një ekspert të fushës nga Bolonja, me Master, duke lënë jashtë loje të gjithë ekipin e arkeologëve shqiptarë që kanë punuar që prej viteve ’78 në Bylis.

Neritan Ceka: Kësaj situate në vend që fondet e BE ta ndihmojnë të shërohet, përkundrazi kanë ndikuar që të përkeqësohet. BE për ne është modeli, por mënyra sesi kanë investuar në Monumentet e Kulturës ka qenë një fatkeqësi e vërtetë.Ka qenë një shpërdorim, mos ta quaj kriminal, i fondeve që BE jep për popullin shqiptar.Është rasti i Apollonisë, 780 mijë euro nga BE dhe 80 mijë euro nga Shqipëria që u investuan në 2013. Kam qenë në Apolloni me Ambasadorin italian Cutillo dhe ka mbetur i shokuar për faktin se nuk gjen asnjë euro të investuar, dhe ato që janë investuar janë në dëm të Monumenteve të Kulturës, kanë bërë një depo të madhe uji mbi to me idenë që do të shërbente për të shuar zjarrin dhe kur ra zjarri erdhën zjarrfikëset se nuk funskiononte.

E përdorin depon vetëm për të thithur ujin zjarrfikësit.Është si të shuash zjarrin me kova. Ai duhet të përmirësonte ambjentin.Zjarri rrezikon më tepër Muzeun dhe në Muze nuk ka mbrojtje nga zjarri. Bënë një parking  1 km larg qendrës. Parkingu është bërë në murin rrethues, po të çosh prokurorinë do ti dënojë. Nuk mjafton kjo por bëjnë presion ndaj qeverisë që të ndërtojnë dhe një rrugë që do të kushtojë miliona të tjerë përmes Monumenteve vetëm që të shfrytëzojnë parkingun.

Përgjegjës është BE, Vlahutin që ka ikur dhe ka lënë hijen e vetë. Tani është Soreca. Ky tjetri që është dhe ish-prokuror dhe drejtues i reformës në drejtësi po përgatit të njëjtën histori për Bylisin, 6 milion euro. Vendimi i KE thotë që ky fond do të menaxhohet nga një këshill ndërministror. Investitori kryesor në Bylis është Instituti i Arkeologjisë që ka bërë që nga ’78 gërmime në Apolloni. E mbulon Soreca këtë, bën sikur nuk e lexon dhe i bën të gjitha marrëdhëniet me Ministrinë e Kulturës duke ditur që është pika më e dobët e administratës shqiptare, atje ku janë mbledhur të gjithë partiakët.

E ka kollaj se janë të gjithë injorantë. I bëmë dokumentin zotit Soreca dhe i thamë se drejtuesi i projektit duhet të jetë Profesor dhe duhet të ketë punuar në Bylis.Ky zotëri që vjen për të na sjellë BE e vë atje që duhet të jetë me Master.Mund të them dhe emrin e personit që ky ka gjetur në Itali, e ka në Bolonja.Dimë dhe fondacionin dhe dimë që është pjesë e politikës së majtë në Bolonja se atje janë ish-komunistët e Italisë. Kjo është lidhja që bëjnë dhe 6 mln euro do të shkojnë si në Apolloni. Është histori e hidhur.Nëse është kjo Europa, me këtë sistem, që sjellin 6 milion euro, i sjellin dhe njerëzit e tyre dhe fondacionet e tyre dhe fshijnë të gjithë intelektualët shqiptarë që punojnë në këtë fushë…Fajin nuk e ka Soreca, këtë miell gjen dhe këtë bukë do të bëjë. Fakti që zgjedh pjesën më të prishur të miellit shqiptar që është Ministria e Kulturës tregon se historia nuk është ajo e një prokurori që ka luftuar mafien.

Soreca duhet të kuptojë që ky vend nuk punon më me laps dhe fletore. Lidhjet i ka në Ministrinë e Kulturës dhe Bolonja.Kam kontakt të vazhdueshëm me Sorecën, jam ofruar bashkë me kolegët e mi, kemi një staf që i kalon këto rronxho-bonxhot e Bolonjës 100 herë. Ky grup me kapacitetin që ka, teknoogjia që përdor, përveç arkivit dhe përvojës që ka as nuk krahasohet me gjuetarët e fondeve që delegacioni i BE mundohet të barazojë masterin e Bolonjës me profesoratin e Shqipërisë.I kam thënë Sorecës që zërin në Shqipëri nuk e kanë vetëm miqtë e tij në qeveri, e ka dhe media dhe për fat të mirë media në Shqipëri është e lirë dhe do të mbetet e lirë.

Dëmet nga tërmeti

Neritan Ceka: Nuk janë dëme shumë të mëdha, kemi një dëm në muret rrethuese të Durrësit, një monument me rëndësi ballkanike.Dokumentacioni është.Është bërë mirë që janë lënë materialet në vend dhe me to mund të rikuperohet. Por është pasojë që prej vitesh nuk ka asnjë kujdes ndaj monumenteve. Drejtoria rajonale e Durrësit vetëm merr rroga, shet dhe blen dhe nuk ka asnjë investim në gjithë territorin që kjo drejtori rajonale mbulon. Drejtuesi ka qenë drejtor spitali, dhe tani bëhet drejtor i drejtorisë rajonale për monumentet sepse është nënkryetar i këshillit bashkiak të Durrësit nga PS.

Ky sistem i mbrojtjes së monumenteve deri në vitet ’90 ishte sistemi më i përparuar i Europës, ishte mbi nivelin europian.Sot përfundojmë me drejtor që vjen nga spitali për të kuruar monumente kulture. Nga kjo situatë  do të kesh këto pasoja. Nuk kishte pse ta pësonte këtë dhe kulla e Prezës nëse do të kishte pasur kujdes të vazhdueshëm. Ne punojmë në Bylis ku duan të vijnë këta çakejtë, absolutisht nuk ka ardhur asnjeri nga Instituti i Monumenteve prej vitesh për të punuar.Vinë tani që vinë 6 mln euro, ti marrin dhe ta bëjnë si Apollonia.

OraNews

13 raste të dyshuar me koronavirus në Shqipëri – A jemi afër zbulimit të një vaksine

Sipas deklaratës zyrtare nga ky institucion, u pohua se nga pesë rastet e paraqitura, asnjë prej tyre nuk mbarte virusin COVID-19

Mbrëmë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informoi se në Shqipëri ishte kryer testimi i parë për rastet e dyshuara për koronavirus.

Sipas deklaratës zyrtare nga ky institucion, u pohua se nga pesë rastet e paraqitura, asnjë prej tyre nuk mbarte virusin COVID-19.

Deri më tani rezulton se në Shqipëri ka pasur 13 raste të dyshuara, të cilët kishin histori udhëtimi në vendet e prekura me këtë virus.

Gjithsesi, ende nuk ka asnjë rast të konfirmuar me koronavirusin COVID-19.

Një nga shqetësimet që Ministria dhe taskforca kanë ngritur është evidentimi i personave që kanë udhëtuar së fundmi.

Edhe pse nëpër aeroportet ndërkombëtare ata kanë kaluar në kontrollet, simptomat e këtij virusi fillojnë të shfaqen pas 2-3 javësh.

Ndaj edhe është shumë e rëndësishme që të gjithë udhëtarët të kontaktojnë numrin  Urgjencës Kombëtare 127, në rast se ndjejnë vështirësi në frymëmarrje.

Simptomat e Para të Koronavirusit COVID-19

Sipas ekspertëve të ISHP të cilëve i’u referohet AgroWeb.org, simptomat varen nga lloji i koronavirusit, por shenjat më të zakonshme janë problemet me aparatin e frymëmarrjes.

Ky virus shkakton ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi te vazhdueshme në frymëmarrje.

Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje” thuhet në lajmërimin e ISHP.

A Jemi Afër Zbulimit të Një Vaksine?

Nga ana tjetër është raportuar nga mediat ndërkombëtare se një kompani farmaceutike në Cambridge, Massachusetts, ka deklaruar se është afër zbuluar vaksinën e parë kundër Koronavirusit.

Sipas të dhënave që AgroWeb.org ka verifikuar, kjo vaksinë duket se do të fillojë të testohet tek njerëzit.

20-25 individë të shëndetshëm kanë dalë vullnetarë që në prill të ndihmojnë Institutin Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (Nih) për të vërtetuar a janë të sigurta.

Ekspertët presin që vaksina të nxisë trupin të reagojë me një përgjigje imune, që mund të mbrojë organizmin nga infeksioni.

Sipas tyre rezultatet e para të testimit do të jenë të mundura në periudhën korrik-gusht.

Ndërsa përsa i përket daljes në treg, ajo pritet që të shpërndahet në vitin 2021.

Shqipëria në panik për koronavirusin, autoritetet bëjnë thirrje për qetësi

Gresa Kraja

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, ka nisur hetimet për lajmet e pavërteta që janë shpërndarë në rrjete sociale, mesazhe telefonike dhe disa media online për përhapjen e koronavirusit të ri në Shqipëri.

Përmes një komunikate për media, prokuroria ka bërë të ditur se hetimet po bëhen për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal.

Kodi Penal parashikon dënim me gjobë ose deri në 5 vjet burg për përhapje të informative të rreme që ngjallin panik.

“Duke treguar impenjimin maksimal të prokurorisë, në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo përhapje e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim, apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku te njerëzit është penalisht e dënueshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Tiranë.

Nisja e hetimeve nga ana e Prokurorisë vjen dy ditë pasi nëpër rrjetet sociale dhe mesazhet telefonike qarkulloi një audio, ku dëgjohej një grua teksa thoshte se në Shqipëri janë prekur 12 persona nga ky virus. Po e njëjta, pak orë më vonë kishte kërkuar që audio-incizimi i saj të fshihet sepse ishte ftuar të intervistohet nga Policia e Shtetit.

Në anën tjetër, në Shqipëri nuk është shënuar ndonjë rast i prekur me koronavirusin Covid-19, por autoritetet kanë bërë të ditur se vendi ka marrë masa për mospërhapjen e tij.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se Shqipëria është në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe ka bërë dhe po bën çdo gjë për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Koronavirusi nuk luftohet me politikë, as me gjithollogji dhe aq më pak me frikë dhe lëre pastaj me panik!Ne kemi qysh momentin e parë të shfaqjes së tij që përgatitemi, në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kemi bërë e po bëjmë çdo gjë sipas planit”, ka shkruar kryeministri Rama në Twitter.

Ai ndër tjerash, me rreptësi kritikoi përhapjen e dezinformatave nga mediat dhe qytetarët që, siç tha ai, kanë qëllime të liga.

“Fatkeqësisht ky vend në çdo vështirësi a fatkeqësi natyrore ose emergjencë shëndetësore që shfaqet, duhet të përballet dhe me fatkeqësinë e tij të madhe të kanaleve e portaleve ku lulëzon injoranca, ligësia, dembelizmi e grykësia e maskarallëkut që në këto raste bëhet çnjerëzor”, tha Rama.

Megjithatë, tentativa institucionale për të mbajtur qytetarët e qetë, nuk duket se po funksionon në Shqipëri. Në Tiranë, dyqanet dhe farmacitë nuk posedojnë më maska mbrojtëse apo desinfektues anti-bakterial për duart.

Një shkollë private është mbyllur, ndërsa ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka dënuar këtë vendim duke thënë se shkollat do të mbyllen vetëm me urdhër të ministrisë dhe bëri të ditur se kësaj shkolle do t’i hiqet licenca.

“Shkolla mbyllet jashtë planit të vitit shkollor vetëm me urdhër ministri. Udhëheqësit e një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur shkollën për 2 javë. Në kushte të kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që shkollës t’ia heqim licencën, ka shkruar Shahini në Facebook.

Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, tha se nëpër portet detare dhe aeroportin e Shqipërisë kanë arritur rreth 4,700 persona që janë larguar nga vende të prekura nga koronavirusi në 24 orët e fundit.

“Në survejanca e përforcuar në të gjithë pikat kufitare, portuale, detare, aeroportuale dhe tokësore janë vlerësuar në 24 orët e fundit 4,700 udhëtarë me historik udhëtimi nga vendet e prekura me infeksion komunitar”, tha ajo.

Tomini tha se disa qytetarëve shqiptarë të kthyer nga Lombardia e Italisë, ku janë identifikuar mbi 200 të prekur nga virusi, u është kërkuar të vetizolohen në shtëpi, por jo edhe udhëtarëve të tjerë që kanë ardhur nga zona tjera të Italisë.

Koronavirusi besohet se e ka origjinën në provincën Hubei të Kinës, por që nga muaji dhjetor ky virus po përhapet me shpejtësi, pa marrë parasysh tentativat për të parandaluar atë.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje, që ngjason me gripin sezonal. Të moshuarit dhe personat që hynë në kategorinë e grupeve të ndjeshme me sëmundje kronike janë më të rrezikuarit.

Sipas shifrave të fundit, mbi 80,000 persona janë prekur nga koronavirusi, ndërkaq, 2,600 persona janë raportuar se kanë vdekur, shumica prej të cilëve në Kinë.

Koronavirus, Shqipëria nuk do bllokojë për momentin fluturimet me Italinë

Shqipëria ka vendosur të mos ndërpresë për momentin linjat ajrore dhe ato detare me Italinë, vend ku deri mesditën e sotme janë mbi 200 rastet e verifikuara me koronavirus, ndërsa 5 persona, të cilët vuanin dhe nga sëmundje të tjera, kanë humbur jetën. “Masat tona do të jenë në proporcionalitet me shkallën e riskut”, tha sot ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, gjatë mbledhjes së Task Forcës e cila u zhvillua në mjediset e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës.

Vetëm në këtë aeroport gjatë ditës së sotme kanë mbërritur dhe pritet të vijnë 17 fluturime nga 11 qytete italiane, 7 nga të cilat janë pikërisht në zonën veriore të vendit ku janë verifikuar dhe rastet me të shumta me koronavirus.

Ministrja Manastirliu shpjegoi se “masat e marra nga Shqipëria janë në përputhje me protokollet e miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, dhe për momentin konsistojnë në dyfishimin e personelit mjekësor në pikat e kalimit kufitar , si dhe në porte e aeroporte. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë afro 4500 udhëtarë të mbërritur në vend, të cilët i janë nënshtruar verifikimeve. Në aeroportin “Nënë Tereza”, janë krijuar dy korridore kalimi ku udhëtarët i nënshtrohen matjes së temperaturës me termometra me lazer, ndërkohë që autoritetet marrin paraprakisht nga kompanitë e fluturimeve dhe listën e pasagjerëve.

Deri tani në Shqipëri nuk ka patur asnjë rast të konfirmuar me koronavirus. Të paktën 6 raste të dyshuara, rezultuan negativ pas analizave. Një tjetër rast është në pritje të përgjigjes së analizave.

Ministrja Manastirliu deklaroi se “nuk ka vend për panik”, ndërsa ftoi qytetarët të shtojnë kujdesin për higjienën e tyre. Ajo tha se ka firmosur sot dhe një urdhër për masa të shtuara të higjienës dhe në institucionet shkollore. zëri i amerikës

Tritan Kalo: Si të ruhemi nga Coronavirusi

Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo, ka dhënë disa këshilla sesi të ruhemi nga Coronavirusi. Sipas infeksionistit është shumë e rëndësishme që të lahen duart sa më shpesh. Kalo ka ftuar të gjithë qytetarët që të behën pjesë për të përballuar riskun që vjen nga Coronavirusi. “Sensibilizimi në këtë drejtim prej gjithsecilit prej nesh në mendimin tim, ndihmon më shumë se ironizimet sarkastike në prononcimet tona në FB…


Para rrezikut iminent, teorizimet e shumta në këtë drejtim janë të pabukta… Të kuptojmë qartë mesazhet që na vijnë si nga specialistët e fushave të Epidemiologjisë e Shëndetit Publik, Specialistët e Sëmundjeve Infektive si dhe të Urgjencave Mjekësore, e të bëhemi të gjithë pjesë e përballimit të këtij risku, sikundër është mundësia e hyrjes së Covid-19 në Shqipëri….. Infeksioni nga Covid-19 është një formë tjetër e manifestimit të GRIPIT, por me rrezikshmëri më të madhe ….. Mendjekthjellët dhe vullnetplotë uroj dhe shpresoj se do t’ia dalim!!!”, shprehet ai.

Shqipëria në ‘listën gri’ për pastrimin e parave/ Zëri i Amerikës: Pasoja negative për ekonominë dhe imazhin e vendit

Shqipëria u përfshi në listën e vendeve nën monitorim të shtuar, ose siç njihet ndryshe në “listën gri” nga Task Forca e Veprimit Financiar, një organizatë ndërqeveritare e themeluar me iniciativën e G7 për të zhvilluar politika për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe financimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

Përfshirja në këtë listë do të thotë që vendi konsiderohet me rrezik të lartë, dhe kjo ka pasoja negative për ekonominë dhe imazhin e një shteti. Ministrja e Financave dhe ekonomisë Anila Denaj tha sot se mangësitë kryesore për të cilat vendi mori këtë renditje kanë të bëjnë sipas saj me sistemin e Drejtësisë dhe se vendi ka hartuar një plan veprimi për plotësimin e rekomandimeve brenda këtij viti

Ndërsa Shqipëria është vlerësuar për aspektet teknike, kryesisht kornizën ligjore të saj për parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave, ajo duket se ka dështuar në efektivitetin e masave që duhet të zbatojë. Për pasojë Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) e cila vlerësoi ecurinë e vendit, e përfshiu atë në listën e vendeve me mangësi strategjike.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha sot se vendi ka bërë përparim në shumë aspekte, por se “nga shqyrtimi i detajuar i rekomandimeve më të fundit të FATF-së për përmirësim të mëtejshëm gjatë 2020-2021,është e qartë se mangësitë më thelbësore të konstatuara ju përkasin organeve jashtë Ekzekutivit. Në fokus të efektivitetit janë 2 fusha që lidhen kryesisht me efikasitetin e sistemit të drejtësisë, Prokurori dhe Gjykata”.

Sipas ministres do të duhej një vëmendje e shtuar “në lidhje me domosdoshmërinë e rritjes së dënimeve për pastrim të paravë nga sistemi gjyqësor, sidomos të rasteve të denoncuara dhe raportuara nga institucionet për transaksione me klasifikim të nivelit të lartë risku dhe të kryer nga profesionistë apo persona të tretë të lidhur me organizata kriminale. Si edhe rritja në mënyrë domethënëse e konfiskimeve përfundimtare të pasurive të krimit”.

Por nëse shihet plani i veprimit që autoritetet kanë hartuar së bashku me Task Forcën, janë një sërë aspektesh të tjera në të cilat do të duhet gjithashtu të shënohen përmirësime brenda këtij viti, në mënyrë që të dalë jashtë asaj që njihet dhe si “lista gri”. Shqipëria do të duhet ndër të tjera, të kryej një analizë të thelluar për rreziqet nga pastrimi i parave dhe për të mundësuar forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional. Duhet të përmirësojë trajtimin në kohë të kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjelltë, apo të krijojë mekanizma efektive për zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit kriminal në ekonomi, si dhe të verë në dispozicion informacione të sakta dhe të përditësuara të pronarëve fundorë në mënyrë periodike.

Vlerësimi nga ana e FATF-së konsiderohet mjaft i rëndësishëm dhe renditja në listën gri, e bën Shqipërinë pjesë të vendeve me rrezik të lartë, gjë e cila mund të ketë efekte negative për ekonominë dhe imazhin e vendit, duke tkurrur besueshmërinë e institucioneve të tij. Pasojat bien dhe mbi sistemin bankar si dhe mund të kenë ndikim mbi investimet e huaja.

Këtë e pranoi dhe vetë ministrja Denaj: “Për Shqipërinë, nuk është një imazh I mirë, nuk është as për investitorët, nuk është as për sistemin bankar i cili prej vitesh ka investuar në strukturat e parandalimit”.

Mbi vendimin e FATF-së ka reaguar dhe opozita. “Jemi vendi i vetëm në Europë që jemi përfshirë në këtë listë dhe kjo tregon që mekanizmat dhe vullneti politik për të luftuar paratë e pista mungon. Lufta kundër pastrimit të parave të pista ka qenë një nga kauzat që PD ka ngritur që në fillim duke kërkuar angazhim serioz kundër një prej krimeve ekonomike më vdekjeprurëse për ekonominë, punësimin dhe shoqërinë.”, deklaroi përmes një statusi në Facebook ish deputetja demokrate Jorida Tabaku. /VOA

“Mund të jetë secili prej nesh kandidat për në karantinë”, shefi i Kardiokirurgjisë apel për koronavirusin. Ja 3 çështjet që ngre

 

Mjeku i njohur, shefi i Kardiokirurgjise, Edvin Prifti, teksa thekson se situata me vdekjet e para nga koronavirusi ne Itali “na bejne te ndjehemi akoma edhe me afer ndaj ngjarjeve te cilat mund te jene shkaterrimtare per njerezit dhe popullin tone”, ngre tre ceshtje te rendesishme lidhur me menaxhimin e situates.  

“Mendoj qe gjithmone ka momente relaksi dhe llafesh, proklamatash, por kur ndodhemi perballe fataliteteve te mundshme duhet nje seriozitet i jashteZakonshem dhe profesionalizem i cdo strukture”- shkruan ai ne nje postim te bere ne faqen e tij ne Facebook.

Sipas tij, e “para diagnostikimi ne kohe rekord”, se dyti karantina dhe se treti, trajtimi.

Por ka edhe verejtje teksa nenvizon: “Asgje nga fronti i lindies. Nuk dime se si, ku, ne ckushte. Mos na duket cudi, pasi mund te jete secili prej nesh kandidat per ne karantine dhe mendoj qe njerezit duhet te jene ne dijeni te gjithshkaje”.

Postimi i Edvin Priftit

Vdekjet e para te shenuara ne Itali nga infeksioni i koronavirusit na bejne te ndjehemi akoma edhe me afer ndaj ngjarjeve te cilat mund te jene shkaterrimtare per njerezit dhe popullin tone. Masat drakoniane qe jane marre ne vendin e origjines te ketij infeksioni viral dhe qe po shoqerohen me masa akoma edhe me te ashpra ne vendet prane duhet te na bejne te mendojme akoma edhe me seriozisht se si duhet te pergjigjemi ne keto kushte. Mendoj qe gjithmone ka momente relaksi dhe llafesh, proklamatash, por kur ndodhemi perballe fataliteteve te mundshme duhet nje seriozitet i jashteZakonshem dhe profesionalizem i cdo strukture.
E para diagnostikimi ne kohe rekord:
Dje po interesohesha dhe mu tha nga nje prej specialisteve tane me te mire te semundjeve infektive qe real time PCR me kitet e koronavirus eshte kerkuar nga laboratori i mikrobiologjise ne QSUT dhe nuk eshte realizuar pasi PPP nuk e parashikon. Sigurisht qe dikushi do justifikohet qe kjo eshte nje emergjence dhe e re! Pikerisht keto raste duhet te parashikohen ne cdo rast. Pra justifikimi eshte i pajustifikueshem. Atehere une them qe zoterinj- ketu ndodhemi perballe nje ceshtje te sigurise kombetare. Une nuk e di se cmund te konsiderohet tjeter gje brenda nocionit te sigurise kombetare. Dhe ne keto kushte dikush mund te kete paturpesine te ktheje nje pergjigje te tille. Nga ana tjeter ne si universitet na duket nje gje normale kjo?! Nese kjo PPP reagon ne kete menyre atehere pa dyshim qe duhet rishikuar pasi eshte totalisht e padrejte dhe aspak shkencore, bllokon hulumtimin qe ne pikenisje dhe rrezikon dhe cenon jeten. Kur i mohohet te vetmes qender universitare hulumtimi dhe diagnostikimi?! Atehere kush do ta beje? Dikushi me tha se mund te diagnostikohet ne institutin e shendetit publik. Kjo eshte gje shume e mire, Po si mund te mohohet diagnostikimi ne QSUT.
E dyta: karantina
Asgje nga fronti i lindies. Nuk dime se si, ku, ne ckushte. Mos na duket cudi, pasi mund te jete secili prej nesh kandidat per ne karantine dhe mendoj qe njerezit duhet te jene ne dijeni te gjithshkaje.
E treta: trajtimi
Keta te semure ne fund te tyre kane nevoje per ventilim mekanik te drejtuar ose oksigjenim artificial. Persa i perket ventilimit mekanik, me Shqiperi ne kemi vetem 140 ventilatore mekanike, ketu perfshire edhe strukturat private qe do te thote, qe sikur tjua mohojme ventilimin mekanik gjithe te semureve te tjere atehere vendi yne mund te trajtoje vetem 140 te semure njekohesisht. Oksigjenimi artificial qe ka te beje me nje aparat tjeter qe quhet Extracorporeal membrane oxygenator ose ECMO te cilin kemi vite qe e kerkojme me ngulm ne kardiokirurgji por sidomos pas epidemise se H1N1 si e vetmja alternative per te mbajtur ne jete keta te semure, nuk ka asnje aparat te tille ne Shqiperi.
Afersia me Lombardine, shkembimet ne njerez dhe mallra me Italine na shtyn qe duhet menduar seriozisht per perballjen me koronavirusin. Dikush mund te thote qe nuk duhet bere panik. Mbase kjo mund te vlente para nje muaji kur ngjarja ishte larg dhe efekti nuk dihej, por tashti me duket infantile totalisht cdo justifikim ne kuadrin e mos perhaphes se panikut. Tek e fundit ne nje lufte duhet te shkojme te pergatitur. Nuk mund te sillemi sikur eshte nje gje larg nesh. Cdo njeri prej nesh, politikane, biznesmene, ambasadore, ministra dhe deputete, por vecanerisht personeli shendetesor mund te jene te infektuarit e radhes. Nga 29 te infektuar ne itali, 5 jane personel shendetesor. Dhe pa dyshim qe personeli shendetesor ne vendin tone nuk do ta meritonte aspak nje risk te ri te shtuar. Domine Quo Vadis?!

Si mbijetoi shqipja nga presionet, simpozium Ditën e Gjuhës Amtare

Fatmira Nikolli – Shqipja është një ndër gjuhët e mëdha në familjen e gjuhëve indoevropiane, por më pak e studiuara. Qëllimi i këtij takimi ishte rritja e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e gjuhës, përballë presioneve të kohës. Pas viteve ‘90, presioni ndaj gjuhës është ndjerë jo vetëm në praktikën e ligjërimit, si në të folur edhe në të shkruar, por me një rënie të theksuar të kujdesit ndaj saj”. Kështu e nisi prezantimin e saj në ‘festën’ e gjuhës, drejtuesja e Qendrës së Librit. Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi në hapësirën e Muzeut Historik Kombëtar, simpoziumin me titull “Lëvizjet për gjuhë”, ku referuan profesorët Dhurata Shehri, Anila Mullai, Anila Çepani, Diana Kastrati, Genciana Abazi e Mimoza Ahmeti.

Në fjalën e hapjes së simpoziumit, drejtoresha e QKLL-së tha se 21 shkurti është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare në të gjitha vendet e botës. Ajo kujtoi se UNESCO e caktoi si të tillë duke qenë se gjuha përbën një nga elementet me identitare për kombet dhe trashëgiminë kulturore të kombeve. “Është gjuha, pjesa më e qenësishme e një kombi. Ndaj në ditë si kjo, do donim të kishim më shumë përfshirje nga gjuhëtarët. Ia vumë temën takimit të sotëm ‘Lëvizjet në gjuhë’ duke pasur parasysh se në kohë gjuha ndryshon si edhe presioni ndaj saj në kohë të ndryshme ka qenë i madh”, tha Bardhyli. E pyetur nga gazetarët ajo mbështeti një ligj të përkushtuar për gjuhën që e mbron nga dëmtimet e pakthyeshme dhe keqpërdorimi i saj.

“Politikat e QKLL do të jenë të lidhura me edukimin duke besuar se progresi mund të vijë vetëm përmes librit. Në fokus të punës së këtij institucioni të ri do të jetë libri dhe gjuha shqipe. QKLL do të ndërmarrë një sërë iniciativash ligjore që përmirësojnë statusin e autorit shqiptar dhe e vendosin atë në një marrëdhënie më të mirë me botuesin, të drejtat e autorit, përkthimet në gjuhë të tjera etj.”, nënvizoi ajo.

MBIJETESA

“Krijimi i poezive në gjuhën shqipe mbi të gjitha dimensionet e besimit (shpirtëror, praktik e mendimtar) të shtyn të mendosh se kemi të bëjmë me një punë të vetëdijshme në këtë drejtim”, tha Genciana Abazi në fjalën e saj, duke folur për letërsinë si formë mbijetese të gjuhës. Ajo tha se Hasan Zyko Kamberi duke nxjerrë shqipen në plan të parë, jo vetëm që ka favorizuar përdorimin e shqipes në literaturën dhe praktikat fetare, por përtej kësaj, ka dëshmuar se shqipja e kësaj kohe ishte e aftë të përmbushte misionin e saj në kuadër të Islamit.

Abazi gjatë fjalës së saj u ndal te përdorimi i gjuhës shqipe, apo gjuhës sonë sikurse i referohet Buzuku, si “një ndër mjetet që synonte të sillte përbashkësinë e anëtarëve në veprime e praktika, por që nga ana tjetër rriste dhe vetëdijësimin e tyre për përkatësinë në komunitetin. Pikërisht këta lexues-anëtarë të komunitetit që lidheshin nëpërmjet leximit në gjuhën shqipe përbëjnë embrionin e komunitetit imagjinar kombëtar. Dhe kjo vetëdije gjuhësore që shfaqet te të gjithë autorët që kanë shkruar shqip që nga Buzuku deri te Dalip Frashëri dëshmon se shqiptarët janë një shoqëri me një identitet të spikatur gjuhësor dhe përse gjuha ka shërbyer si shtylla kryesore e nacionalizmit tek shqiptarët në shek. 19”. Në këtë vazhdë, Abazi përmendi se më 1842, shqetësimi për shqipen e shtyn dhe Dalip Frashërin, një dervish bektashi që të përgatisë një vepër shqip, sikurse Hadikaja, e cila fokusohet kryesisht në ngjarjet e Qerbelasë.

Kumtesa e saj nis me pohimin se i shqetësuar për gjendjen e shqipes, Nezim Berati më 1730 vendosi të shkruajë një Divan. Ai mendon se lëvrimi i zhanreve mbretërore, sikurse konsiderohej në atë kohë ‘Divani’, do të hapte dhe shtronte rrugën letrare të shqipes. Kjo do t’i sillte shqipes autoritet dhe prestigj.

Ndërkaq, Anila Çepani foli për gjuhën në epokën e teknologjisë. Analiza e saj nxori në pah se gjuha e përdorur në rrjete sociale dhe në përgjithësi në internet shfaq elemente që janë të ngjashme si me gjuhën e folur dhe me atë të shkruar, por më shumë vihet re prirja për të ndjekur modelin e gjuhës së folur; ka karakter spontan, është mjaft e shkujdesur, shkelen rregulla gjuhësore të mësuara që në arsimin e mesëm të ulët. “Është mjaft e qartë se të gjitha karakteristikat e kësaj gjuhe justifikohen me përdorimin e tyre në kontekste të caktuara, por nuk mund të zhvendosen në mediume të tjera komunikimi. Duke pasur parasysh se çdo situatë komunikuese kërkon llojin e vet të gjuhës ose regjistrin e gjuhës, këto elemente nuk kanë asgjë të gabuar dhe, nëse përdoren siç duhet, nuk e varfërojnë gjuhën. Ajo është një varietet që përgjithësisht mbështetet te standardi, por që për rrethanat e përdorimit dhe kategorive të ndryshme të përdoruesve nuk mund të merret si përdorim publik i mirëfilltë (si gjuha e mediave)”. Sipas saj, kjo mënyrë të komunikuari është gjerësisht tashmë jo vetëm te të rinjtë, por te të gjithë ata që përdorin kompjuterin e internetin, pa dallim moshe. Kjo gjë nuk mund të shmanget dhe besoj nuk përbën ndonjë rrezik nëse mbetet thjesht deri në këtë pikë. Por nëse kjo mënyrë të komunikuari bëhet e zakonshme në çfarëdo ambienti apo situate, pra jo vetëm një komunikim i shpejtë mes shokësh, atëherë duhet të shqetësohemi se sa thellë do të shkojë e sa ndikim do të ketë në gjuhë. Kjo mund të përbëjë rrezik, sidomos për ata persona që nuk kanë formimin e duhur gjuhësor dhe do të ngulisin në shkrimin e tyre, trajtat e gabuara të fjalëve, pa arritur të bëjnë dallimin se cila është e drejta”, u shpreh Çepani.

Mbetjet e rrezikshme në tragetin Brindisi-Vlorë, Kadilli publikon fotot denoncuese: Rama, me pronarin e firmës

Anetari i kryesise se PD-se, Fatbardh Kadilli, teksa reagon pas lajmit per kapjen e fucive me lëndë kimike të rrezikshme, ardhur ne Vlore me traget nga Italia, e cileson kete si krimin me te rendë, pasojat e te cilit nuk shpaguhen dot lehtë!

 

Sipas Kadillit, ai traget, që u brohorit nga qeveritarët si tregues i zhvillimit në Vlorë, qenka trageti i vdekjes, nderkohe q dihet qe licensat i jepen të preferuarve të pushtetit.

Kadilli poston dy foto denoncuese, ne te cilat duket Agron Brati, drejtor i agjencisë, vëlla i një drejtuesi të lartë socialist dhe mik i kryetarit të bashkisë, Leli dhe ne tjetren Zamir Kormuzi, biznesmeni që kryen këtë punë, mik i Kryeministrit Rama.

Postimi i Fatbardh Kadillit 

Cfarë po i bëni Vlorës?
Një krim i rëndë është raportuar në Vlorë!
Nuk është me vrasje, apo zhdukje njerëzish!

Është raportuar një krim, që nuk ndodh pa bashkëpunimin me shtetin. Nuk ndodh, pa bashkëpunim me mafien ndërkombëtare. Një traget, që u brohorit nga qeveritarët si tregues i zhvillimit në Vlorë, qënka trageti i vdekjes.
Shërbimi i tragetit nuk është nje aktivitet dosido! Fuci me lëndë kimike të rrezikshme, ishin ngarkesë e rregullt e tragetit.

Dihet që licensat i jepen të preferuarve të pushtetit.
Agron Brati, drejtor i agjencisë, vëlla i një drejtuesi të lartë socialist dhe mik i kryetarit të bashkisë, Leli (shih foto 1).
Zamir Kormuzi, biznesmeni që kryen këtë punë mik i KM Rama (shih foto 2).


Trafikimi i mbetjeve është biznes i mafies, por që nuk bëhet pa kapur institucionet.

Ku shkarkoheshin?
Cfarë ndotnin kriminalisht?
Tokën apo detin e Vlorës?
Cili është roli i “deputetit” të Vlorës Rama?
Po i Lelit?

Këto do të sqarohen vetëm nëse hetimi nga pala italiane i shkon gjerave deri në fund, dhe nuk ndalon në mezzocanal. Kjo do të sqarohet kur vlonjatët ta kapërcejnë krenarinë e tyre, dhe të shikojnë se cfarë po i bën Vlorës ai që e kanë pranuar për deputet, që e kanë sot KM dhe që mundohet t’i gënjejë me zanatin e bojatisjes e zbukurimeve, sic ka genjyer më parë Tiranën dhe sot Shqipërinë.

Ky krim në Vlorë është më i rëndi!

Pasojat e këtij krimi nuk shpaguhen dot lehtë!

Kamioni me 1.3 ton kokainë kaloi nga Shqipëria, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti

Policia e Shtetit Shqiptar ka konfirmuar se kamioni me kokainë ka kaluar përmes Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.

Në një njoftim, Policia sqaron se  ka kryer me sukses të plotë detyrimet e saj në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar kundër trafikimit të drogës.

“Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti”, sqaron Policia e Shtetit Shqiptar.

Aksioni i Policisë u krye në disa shtete evropiane, ndërsa në Maqedoni është kapur vetëm 1 kg kokainë, pjesa tjetër është sekuestruar në Itali.

Lënda narkotike ishte nisur nga Kolumbia dhe e gjitha ngarkesa me peshë 1.3 ton është zbuluar në Itali.

Policia italiane kishte lënë vetëm një qese që peshonte 1 kg me një GPS brenda, me qëllim që të mësonte destinacionin përfundimtar.

Të rinjtë po ikin, radhë të gjata në ambasadën gjermane në Tiranë

Kjo është radha e përditshme në dyert e Ambasadës së Gjermanisë. Të rinjtë shohin përtej kësaj dere mundësinë e artë për të nisur një jetë të re drejt shtetit gjerman, apo për të fituar një të drejtë studimi.

Klintoni sapo ka dalë nga dyert e ambasadës dhe me një vizë 6-mujore në duar ka nisur të mendojë për jetën e re.

“Jam i detyruar të zbatoj kontratën që më ka bërë pronari deri në një periudhë të caktar. Ta cakton komuna sa do rrish me këtë pronar. Pastaj unë do të shfrytëzoj gjëra të tjera. Nuk është se mora këtë vizë dhe do i jap fund çdo gjëje. Në sektorin e ndërtimit do të punoj. Pastaj duke parë, duke bërë. Mund të bëj një biznes timin ose do të shfrytëzoj diplomën tim për inxhinieri ndërtimi“, u shpreh i riu për tematv.

Drejt shtetit gjerman, 26-vjeçari do të niset në muajin prill teksa pas lë edhe pakënaqësitë që e detyruan të kërkojë emigrimin.

“Mund të të ofrohen më shumë mundësi. Të paktën kushtet e punës janë më të mira. Mund të punosh si punëtor dhe gjen kushte më të mira sesa këtu si inxhinier. Nuk të respektohen orët shtesë, që atje si punëtor i thjeshtë të merren për bazë, ndërsa këtu edhe po qe mjek, si teknik IT nuk t’i marrin për bazë“, shtoi më tej.

“Me 2 mars lidhim besën!” Meta – Ramës: Kryeministria e Kuvendi i kthehen popullit. Porosit poture të gjera

TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka paralajmëruar një protestë më 2 mars pasdite. Në konferencën e sotme për mediat, Kreu i Shtetit paralajmëroi një besëlidhje me popullin dhe tha se institucionet në bulevard do i kthehen popullit. Edhe një paralajmërim për kryeministrin Edi Rama.

“Ata që kërkojnë popullin e presidentit në whatsapp, të porosisin poture të gjera”, tha ndër të tjera Meta.

Këto deklarata erdhën pasi Presidenti u pyet se përse nuk e shpërndan parlamentin që cilëson gjysmë apo kjo tezë është vetëm një presion.
Meta theksoi se maxhoranca e qeveria është pjesëmarrëse në këtë grusht shteti dhe se emra të tjerë do të evidentohen në ditët në vijim.

“Pjesëmarrës në këtë grusht shteti është vetë qeveria, maxhoranca dhe ai që e quaj gjysmë parlamenti, arsyet që ju i dini dhe që është jokushtetues. Ka padyshim persona të tjerë që do të evidentohen në ditët në vijim. Çdo ditë do ketë lajme për grushtin e shtetit. Do ta marrim me qetësi çmontimin e grushtit të shtetit. Veprimet e presidentit do jenë gjithmonë në mbrojtje të kushtetutës. Sot kjo godinë është një kështjellë e vetme për fat të keq por e pamposhtur dhe e paepur për mbrojtjen e Kushtetutës. Nga data 2 mars do firmoset dekreti i parë, para popullit shqiptar në bulevardin do të lidhim një besëlidhje. Më 2 mars ju presim të gjithëve pasdite në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe ju japim fjalën se shumë shpejt nuk do të ketë vetëm një institucion në mbrojtje të republikës por të gjithë këta institucione që janë në bulevardin Dëshmorët e Kombit do t’i kthehen popullit shqiptar. Ata që kërkojnë popullin e presidentit në whatsapp, të porosisin poture të gjera”, deklaroi Meta.

Kujtojmë se 2 marsi është një datë e shënuar për popullin shqiptar pasi, pikërisht më 2 mars në vitit 1444 u themelua Besëlidhja e Lezhës me udhëheqës Gjergj Kastriot Skënderbeun për t’iu kundërvënë Perandorisë Osmane.

VIDEO – Basha pas takimit me Metën: Rrezikohet grusht i pastër shteti, do përballen me bashkim dhe rezistencë nga qytetarët

Pak pas përfundimit të takimit me Presidentin e Republikës Ilir Meta dhe me aleatët, kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi për mediat se vendi rrezikohet nga një grusht shteti.

Teksa dha detaje nga takimi me presidentin Ilir Meta, Basha ishte në të njëjtën linjë me kreun e shtetit, ndërsa theksoi se maxhoranca po tenton që të kapë Gjykatën Kushtetuese. Mes të tjerash ai foli për një bashkim dhe rezistencë të madhe nga qytetarët.

“Presidenti i Republikës më ka njohur me të tjera fakte dhe prova tronditëse të përfshirjes së personave të maxhorancës në gjykatën kushtetuese. Kapja e Kushtetueses është objektiv i Ramës. Atij i duhet për të mbrojtur kriminelët dhe për të mbrojtur pushtetin e paligjshëm. Ky është një grusht i pastër institucional shteti. Nuk bëhet me ushtri dhe tanke, por me shërbëtor të bindur në organet e reja të drejtësisë. Kemi diskutuar për këtë dhe të tjera për hapa të maxhorancës, që bëhen për të rrezikuar të drejtat e shqiptarëve. Ne kemi papajtueshmëri të plotë. Do të marrim çdo vendim si opozitë. I bëj thirrje çdo qytetari që do marrim hapa ta tillë, se do të ndeshen me bashkimi më të madh dhe rezistencën e qytetarëve (mazhoranca).”, tha Basha.
(BalkanWeb)

Tiranë, aktivitet mbi persekutimin e shqiptarëve të Çamërisë gjatë komunizmit

Tiranë

Në Tiranë është mbajtur aktiviteti me temë “Persekutimi i shqiptarëve të Çamërisë përgjatë regjimit komunist”, që kishte në fokus publikimin e të dhënave rreth persekutimit ndaj këtij komuniteti, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, gjatë fjalës përshëndetëse në aktivitet tha se zona e Konispolit ka pasur persekutimet më të mëdha gjatë regjimit komunist.

“Është e pamundur sot sesi institucionet shqiptare akoma nuk kanë një dokument relevant për dënimin e atij sistemi, për ta dënuar sistemin komunist, një sistem i cili ishte i vendosur në Shqipëri në mënyrë jo të natyrshme, sepse na vinte pikërisht nga Rusia sovjetike e implementuar për të mbajtur pushtetin një diktator si Enver Hoxha. Ne asnjëherë nuk bëmë asnjë radiografi të sistemit komunist dhe të kuptonin sesi besimi në Zot e zëvendësuan me partinë dhe me Enver Hoxhën, sesi lufta e klasave ishte një mënyrë permanente për ta mbajtur në konflikt të gjithë shoqërinë shqiptare”, tha Idrizi.

Ai u shpreh se mos ndarja nga e kaluara komuniste dhe mos dënimi i saj “ne na shoqëron vazhdimisht.”

Duke folur mbi persekutimin komunist ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Idrizi theksoi se “Të gjithë ne e kemi ndier diskriminimin, por kjo mundësi e artë që na jepet është për të kuptuar dhe vërtetuar sot atë që ne ndienim në shtëpitë tona, marxhinalizimin për të qenë shqiptar i Çamërisë, diskriminimin deri në kufijtë e racizmit për të qenë shqiptar i Çamërisë, sepse ne kishim vetëm një faj, na kishin larguar nga vendi jonë sepse ishim shqiptarë dhe për shkak të besimit në Zot”.

Sipas Idrizit, janë rreth 200 familje të shqiptarëve të Çamërisë të cilët janë ndjekur dhe persekutuar në mënyrë sistematike nga regjimi komunist dhe dhjetëra personalitete të ekzekutuar.

Në aktivitetin e organizuar nga Shoqata Patriotike Çamëria folën edhe studiues dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që kanë në fokus studimet mbi të kaluarën komuniste në Shqipëri.

Sipas dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit komunist, të cilat tashmë janë të aksesueshme për publikun, qindra familje çame u përndjekën dhe persekutuan nga institucionet e regjimit komunist, ndërsa dhjetëra personalitete nga ky komunitet u ekzekutuan, me pretendimin si kundërshtarë të regjimit.

Çamëria është një krahinë e madhe gjeografike dhe etnografike në pjesën më jugore të trevave të banuara prej shqiptarëve, që shtrihet përgjatë bregdetit të Jonit (Deti Jon). Në vitin 1913 me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë, ndërsa brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën disa fshatra me popullsi myslimane dhe ortodokse.

Përveç gjenocidit grek në Çamëri, që shkaktoi mijëra viktima dhe të shpërngulur, shqiptarët e Çamërisë përjetuan persekutim edhe pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë sistemit komunist në Shqipëri.

Meta thërret në takim Bashën: Si do ta shpartalloj grushtin e shtetit

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zhvilluar një takim sot me liderin e opozitës Lulzim Basha një ditë pas shtimit të akuzave ndaj KED dhe deklaratave për grusht shteti nga maxhoranca.


Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësi i Presidentit, z. Tedi Blushi, i cili informon dhe për diskutimin mes Kreut të Shtetit dhe kreut të PD. Në takim Meta i kërkoi kryetarit të PD-së që të informonte edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare, ndërsa është shprehur se do bëjë çdo gjë për të ndaluar dhe për të shpartalluar grushtin e shtetit.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta thirri sot në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha.

Presidenti Meta e njohu z.Basha me skandalet e fundit anti-kushtetuese dhe përpjekjet e Rilindjes për grusht shteti, dhe i kërkoi kryetarit të PD-së që të informonte edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare.

Presidenti Meta bëri të qartë se do të bëjë çdo gjë për të ndaluar dhe për të shpartalluar grushtin e shtetit, duke i dhënë përgjigjen më shembullore që meriton”, shkruan Blushi. gsh

Gara për kreun e BKH-së, dy nga kandidatët përballen sot me “makinën e së vërtetës”, 4 orë në test

8 kandidatët që janë në garë për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, këtë javë do t’i nënshtrohen testit të Poligrafit ose “makinës të së vërtetes”. Mësohet se ditën e sotme do të përballen me testin e të vërtetës dy kandidatë dhe seancat do të zhvillohen pranë SHÇBA-së tek ministria e Brendshme, të cilat do të zgjasin nga 2 deri në 4 orë. Aktualisht në garë për kreun e “FBI-së shqiptare” janë Aida Veizaj, Ardian Çipa, Ervin Hodaj, Ylli Pjetërnikaj, Artur Beu, Gentjan Shehaj, Lindita Nushi dhe Idajet Faskaj.

Mësohet se testimi do të mbyllet të premten dhe më pas SPAK-u do të përzgjedhë një nga tetë garuesit për t’ia përcjellë KLP-së, për të bërë emërimin.

Çfarë është makina e së vërtetës?

Poligrafi bazohet mbi faktin se gënjeshtra provokon përgjithësisht ankth tek peronat që janë duke kryer këtë test. Po kështu në momentin që kandidati gënjen ndryshojnë parametrat fiziologjike, si presioni i gjakut, frekuenca kardiake, ritmi i frymëmarrjes e deri tek rezistenca e ndryshuar e lëkurës ndaj përcjelljes se rrymës elektrike.

Në garë për të drejtuar “FBI-në shqiptare” hynë 40 aplikantë profesionet e të cilëve varionin që nga avokatë, policë apo edhe ish-oficerë policie, të cilët prej kohësh jetonin jashtë Shqipërisë. Një pjesë e tyre që nuk përmbushnin kushtet u skualifikuan nga gara, ndërsa të tjerë humbën ‘betejën’ me provat. Lidhur me procesin ka dalë garant Ambasada Amerikane, e cila ka siguruar shqiptarët se ka qenë transparent. Ambasada njoftoi se ka dhënë një fond prej 4 milion dollarësh, i cili do të përdoret në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për zhvillimin e sistemit etik, transparent dhe profesional të drejtësisë. Nga ana tjetër, për këtë post, kreu i SPAK Arben Kraja ka deklaruar se duhet një person me integritet dhe se do të trajnohet nga SHBA-ja./Express

Meta: “Do të shkoj vet në Komisionin e Venecias për të shpjeguar grushtin e shtetit nga shumica socialiste”

Ilirian Agolli

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, publikoi sot dokumente të reja drejtuar SPAK-ut për të helluar hetimet mbi ato, që ai i quajti “veprimtaria kriminale e kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, gjatë detyrës së tij”.

Këto dokumenta zoti Meta ia shtoi kallëzimit penal të nëntorit, ku zoti Dvorani akuzohet për shkelje që shkaktuan mosplotësimin e kuorumit të Gjykatës Kushtetuese, ndaj i “duhet ndaluar menjëherë shpërdorimi i funksionit publik, përmes të cilit ai synon kapjen politike të Gjykatës Kushtetuese”.

Presidenti Meta tha sot në një deklaratë për mediat se “vendin e fundit vakant në Gjykatën Kushtetuese zoti Dvorani po përpiqet ta zërë vet përmes vonimin e procesit të plotësimit të kësaj Gjykate, keqinformimeve dhe shkeljeve në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.

Presidenti Meta tha se parlamenti nga një anë ftoi Komisionin e Venecias të interpretonte mbi betimin e gjyqtarëve kushtetues, por një ditë para se delegacioni i tyre të mbërrinte në Tiranë parlamenti e ndryshoi vet atë nen të ligjit mbi betimin e gjyqtarit kushtetues, pa pritur përgjigjen nga Komisioni i Venecias.

“Ky ligj synon vendosjen e këtij procesi nën kontroll politik të Partisë Socialiste dhe të nxijë integritetin e çdo anëtari të ri të Gjykatës Kushtetuese, duke i dhënë mesazhin se çdo emërim në këtë Gjykatë do të kalojë përmes testit të besnikërisë politike”.

Ai theksoi se do të shkonte vet në Komisionin e Venecias për t’u shpjeguar ato që po ndodhnin në Tiranë me institucionet dhe reformën në drejtësi.

“Republika e Shqipërisë po përjeton gjendjen më të rëndë të kapjes së shtetit në kontinent, por nuk do të pranoj instalimin e grushtit të shtetit, përmes shndërrimit të institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, në një polici antikushtetuese të shtetit të PPP-së” – tha zoti Meta.

Palët kërkuan si arbitër Komisionin e Venecias, por shumica socialiste miratoi në parlament një ndryshim në ligjin për organizimin e Gjykatës Kushtetuese i cili synon të shmangë betimin e anëtarëve të kësaj gjykate vetëm te presidenti i Republikës. Kushtetuta parashikon shprehimisht se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës së Shqipërisë”.

83 mijë veta nga Shqipëria dhe 53 700 nga Kosova azilkërkues në vitet 2015-2017 në Gjermani

Në 1 mars në Gjermani hyn në fuqi ligji për emigrantët e kualifikuar, që parashtron rregulla më të lehta për personat që duan të punojnë në vend me një diplomë profesionale.

OECD-ja thotë se mijëra azilkërkues hasin vështirësi në vend për këtë shkak, përfshirë shtetasit nga Shqipëria që ndër vite numërohen në dhjetëra mijëra.

Gjermania është një destinacion i dëshiruar për refugjatët dhe azilkërkuesit shqiptarë, por edhe një vend i vështirë për të gjetur punë për ata që nuk kanë njohuri të gjuhës dhe arsimin përkatës.

Në këtë konkluzion arrin Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në një studim mbi pengesat që hasin në vend të ardhurit e huaj.

Sipas analizës, aplikantët nga Kosova dhe Shqipëria pesë vite më parë përbënin grupet më të mëdha të azilkërkuesve në vend.

Zyra federale për emigrantët dhe refugjatët mësohet se në vitet 2015-2017 trajtoi 83,200 kërkesa për azil në rastin e Shqipërisë dhe 53,700 të tilla nga Kosova.

Për Tiranën, norma e njohjes së azilit ishte më pak se 0,5 për qind, 81 për qind e aplikimeve u refuzuan dhe 19 për qind u cilësuan të papranueshme.

Sipas OECD-së, nga ata pak aplikantë që arritën të fitonin azilin, pak shqiptarë por edhe të huaj kanë mundur të avancojnë me sukses në shkollimet profesionale për të siguruar një vend pune.

Deficite paraqesin edhe rrjetet e kufizuara shoqërore, apo punëdhënësit që nuk marrin refugjatët në punë, jo detyrimisht prej racizmit apo diskriminimit, por prej keqkuptimeve, thekson studimi i financuar nga Ministria gjermane e Arsimit.

Rregulla të reja po përpilohen në favor të refugjatëve të cilëve u është refuzuar azili, dhe që tani mund ta përfundojnë pa problem kontratën e shkollimit profesional dhe të punojnë për dy vite.

Rregullat janë pjesë e Ligjit për Emigracionin Profesional që do hyn në fuqi më 1 mars./ora

Ligji për betimin e gjyqtarëve, Meta: Atentat ndaj Kushtetutës, përpjekje për grusht shteti

I ashpër ka qenë në reagimin e tij presidenti Ilir Meta sa i takon ligjit të ri për betimin e gjyqtarëve, që Kuvendi miratoi të mërkurën, ndërsa e ka cilësuar këtë hap të maxhorancës një atentat ndaj Kushtetutës.

Në konferencën e jashtëzakonshme për mediat kreu i shtetit përsëriti qëndrimin e tij se qeveria po tenton që të bëjë grusht shteti, ndërsa theksoi po tentohet kontrolli mafioz për të pasur në dorë Gjykatën Kushtetuese.

“Bazuar në kërkesën e Kuvendit dhe më pas të presidentit, Komisioni i Venecias i konfirmoi Kuvendit se në 13-14 shkurt do të vinte një delegacion. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të pabesë, të pamoralshme, ndërkohë që anëtarët e Venecias mbërritën në Tiranë, në 12 shkurt votuan në seancën plenare, në errësirë të plotë ligjit për disa ndryshime mbi emërimin e gjyqtarëve, duke ia hequr të drejtën e betimit para Presidentit.

Dhunohet neni 129 i Kushtetutës dhe parimet themelore të Kushtetutës. Votimi i këtij ligji është atentat i rëndë i mazhorancës ndaj Kushtetues, me qëllimin e vetëm kontrollin mafioz të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese. Ky proces kërkon të nxi integritetin e punonjësve të gjykatës
Kjo s’do të pranohet kurrë nga presidenti. Ky nxitim, është fyerje që i bëhet organizmave, Komisionit të Venecias, ambasadave, ambasadorëve, që dolën në krah të mazhorancës, për të kërkuar thirrjen e Komisionit të Venecias, për këtë çështje aq e thjesht sa dhe vet abetarja. Me këtë krim, mazhoranca ka zhvleftësuar rëndësinë e tyre (Komisionit të Venecias). I kërkoj ndjesë Komisionit të Venecias që u keqpërdor nga mazhoranca në funksion të fillimit të realizimit të grushtit të shtetit.
Republika po përjeton gjendjen e rëndë të kapjes së shtetit. Unë konfirmoj se do të marr pjesë në seancën plenare të komisionit të Venecias ku do t’i njoh të gjithë të pranishmit me fakte dhe më të rënda të përpjekjes për të realizuar një grusht shteti në këtë vend. Rilindja është teatri dhe estrada nr. 1 e këtij shteti dhe e këtij populli.”, tha Meta.
(BalkanWeb)

12 vjet pavarësi, Bushati: Gjenerata e re e udhëheqësve të çojë para ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet

TIRANE

Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka uruar 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës duke theksuar se gjenerata e re e udhëheqësve në Kosovë duhet të çojë me vendosmëri para ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet, pa vendosur në diskutimet arritjet e mëdha historike.

Në një urim në rrjetet sociale, Bushati thotë se “nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se Kosova shtet është produkt i sakrificës për liri dhe rendit ndërkombëtar të bazuar mbi respektin për të drejtat e njeriut”, duke u shprehur se 17 shkurti 2008 shënoi realizimin e dëshirës së hershme për një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Gjenerata e re e udhëheqësve të Kosovës dhe qytetarët e saj duhet të çojnë me vendosmëri përpara ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet, pa vendosur në diskutim arritjet e mëdha historike”.

Postimi i plotë:

Kosova si shtet i pavarur lindi nga sakrificat, mundi dhe mençuria e disa gjeneratave. Ajo u ngrit në këmbë nga gjaku i dëshmorëve dhe dhimbja e popullit, i cili e pati në krahë mbështetjen e SHBA-ve dhe të aleatëve tanë në NATO. 17 shkurti i vitit 2008 shënon realizimin e dëshirës së hershme për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të drejtë që respekton dinjitetin e qytetarëve të saj, që garanton barazinë, që synon mirëqenien dhe që është e hapur për marrëdhënie të mira e bashkëpunuese me të gjitha shtetet, sidomos në rajon.

Në këto 12 vite rrugëtimi jo të lehtë, Kosova ka shënuar hapa përpara në procesin e shtetndërtimit demokratik. Këtë e treguan edhe zgjedhjet e mirëorganizuara parlamentare të 6 tetorit, të cilat u vlerësuan edhe nga organizatat ndërkombëtare. Gjenerata e re e udhëheqësve të Kosovës dhe qytetarët e saj duhet të çojnë me vendosmëri përpara ëndrrën e atyre që dhanë gjithçka për Kosovën shtet, pa vendosur në diskutim arritjet e mëdha historike.

Ne shqiptarët nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se shteti i Kosovës është rezultat i sakrificës për liri dhe rendit ndërkombëtar të bazuar mbi respektimin e të drejtave të njeriut. Ndaj, sot është dita gjithashtu që të shprehim mirënjohjen për SHBA-të dhe aleatët tanë në NATO!
Gëzuar jetë e mot Pavarësinë Kosovë!

(BalkanWeb)


Send this to a friend