VOAL

VOAL

Kryetari i Komitetit të Inteligjencës: Trump bëri “krim të organizuar klasik”

Adam Schiff

Adam Schiff, i cili kryeson Komitetin e Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, i cilësoi veprimet e presidentit Donald Trump, të detajuara në ankesën e një informatori, si “krim i organizuar klasik”.

Schiff i bëri komentet të enjten, teksa hapi një seancë dëgjimore për ushtruesin e detyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Joseph Maguire.

Paraprakisht, Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve publikoi një version të paklasifikuar dhe të redaktuar të ankesës, që informatori e ka ngritur tek inteligjenca, ditë më parë.

Në ankesë thuhet se Trump ka kërkuar ndihmë nga Ukraina që të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e ardhshëm.

Trump e mohoi çdo keqbërje.

“A ka rrethana për fajësim? Absolutisht jo”, tha Trump në një postim në Twitter.

Maguire tha në seancën dëgjimore se informatori “e ka bërë gjënë e duhur” me ngritjen e ankesës dhe se ai ka treguar “më shumë përkushtim për vendin dhe më shumë respekt për betimin e presidentit, sesa vetë presidenti”.

Ankesa e informatorit është në qendër të hetimeve që po bën Dhoma e Përfaqësuesve – e kontrolluar nga demokratët – kundër presidentit Trump.

Demokratët synojnë ta nxjerrin çështjen e shkarkimit të presidentit në Senat.

Ankesa e informatorit përqendrohet rreth një bisede telefonike midis Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, të zhvilluar më 25 korrik.

Informatori ka thënë se Trump i ka kërkuar Zelenskiyt të hetojë ish-nënpresidentin amerikan, Joe Biden, dhe djalin e tij për korrupsion.

Joe Biden mund të jetë rival i Trumpit në zgjedhjet e 2020-ës. rel

Seanca në Kongres: Kemi investuar shumë, një luftë e re Kosovë – Serbi do të ishte fatkeqësi e madhe për SHBA-në

Komiteti për Shërbime Ushtarake në Senatin Amerikan ka mbajtur një seancë në të cilën është diskutuar për një sërë çështjes që ndërlidhen me sigurinë në rajonin e Evropës Juglindore, interesin e Shteteve të Bashkuara dhe rreth forcimit të ndikimit ruso-kinez, shkruan Gazeta Express.

Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe, Janusz Bugajski, bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, i cili ka thënë se situata në Bosnje e Hercegovinë dhe problemi i pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbesin dy pikat më të nxehta në Ballkan.

“Një Ballkan i paqëndrueshëm dhe konfliktuoz dëmton sigurinë kombëtare të SHBA’së, dhe një tërheqje diplomatike do të ishte një humbje e madhe për SHBA’në. Nëse iu kujtohet, ne kemi investuar jashtëzakonisht kapital diplomatik, politik dhe ushtarak në atë rajon përgjatë 20-30 viteve të fundit. Për ne, çdo dështim dhe luftë e re , veçanërisht në Bosnjë ose në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ishte një fatkeqësi e madhe. Jo vetëm që Rusia dhe Kina do të përfitonin nga kjo, por ata do ta përdornin një moment të tillë për të minuar edhe vendet tjera evropiane”, ka thënë Bugajski, transmeton Gazeta Express.

Për të parandaluar një gjë të tillë, Bugajski ka thënë se Washingtoni duhet të përqendrohet në katër qëllime kryesore.

“Fillimisht, duke rritur sigurinë me përfshirjen e të gjithë Ballkanit në NATO, besoj se edhe vetë Serbia përfundimisht do të dëshironte të bëhej anëtare. Së dyti, zgjidhja e mosmarrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe problemet e brendshme në Bosnje e Hercegovinë. Së treti kufizimi i investimeve të Kinës dhe rritja e investimeve amerikane, dhe së katërti zhbërja e ndikimit rus në gjithë Evropën”, ka potencuar Bugasjki në këtë seancë të Komitetit për Shërbime Ushtarake në Senatin Amerikan

Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe nënkryetari ekzektutiv i “Atlantic Council, Damon Wilson, i cili ka thënë se Rusisë i mbetet rruga e lirë që të ketë ndikim në Ballkan, derisa nuk ka një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Pa marrëveshjen e Kosovës, Rusia ka një ndikim të madh mbi Serbinë dhe për rrjedhojë në të gjithë rajonin”, ka thënë Wilson, shkruan edicioni në gjuhën serbe i “Zërit të Amerikës”, transmeton Gazeta Express

Sipas tij mungesa e një marrëveshje nxit edhe debatet politike nacionaliste të cilat ngadalësojnë zhvillimin e demokracisë dhe u lejon politikanëve në Serbi dhe Kosovës të shmangen nga çështjet e rëndësishme të qeverisjes.

Në anën tjetër Bugajski ka thënë se nuk mund të imagjinojë një konflikt të armatosur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Unë nuk mendoj se udhëheqja e Serbisë dhe Republika Srpska do të arrinin në këtë pikë. Por ata po luajnë me idenë e ndarjes, ata po luajnë edhe me idenë e de-funskionalizimit apo shtetit të dështuar. Unë mund të them se Banja Lluka është shndërruar një vend ku ndikimi i Rusisë është shumë i madh. Ndoshta më i madh se sa i Beogradit”, ka thënë ndër të tjera Bugajski.

Presidenti Trump i kërkoi Ukrainës të hetonte kundërshtarin Biden (video)

Presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy gjatë një telefonate në korrik të hetonte nëse ish-nënpresidenti JoeBiden mbylli një hetim për një kompani që kishte punësuar të birin, siç tregon një përmbledhje e telefonatës që u bë publike të mërkurën nga administrata e Presidentit Trump.


“Ka shumë për të folur për të birin e Biden-it, që Biden e ndali ndjekjen penale dhe shumë njerëz duan informacion për këtë çështje, prandaj çdo gjë që mund të bëni me Prokurorin e Përgjithshëm, do të ishte e vlefshme”, thotë zoti Trump në telefonatë, sipas përmbledhjes që u vu në dispozicion nga Departamenti i Drejtësisë.

Sipas dokumentit të zbardhur presidenti Trump tha se zoti “Biden kishte shitur mend shumë herë që mbylli ndjekjen penale prandaj a mund ta shqyrtoni këtë çështje … mua më duket e tmerrshme”.

Telefonata u bë pasi zoti Trump kishte urdhëruar qeverinë amerikane të ngrinte rreth 391 milionë dollarë ndihmë amerikane për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë ndihmë ushtarake Ukrainës që pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy pritet të takohen sot pasdite në Nju Jork ku ndodhen të dy për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Biden, është kandidati kryesor presidencial mes demokratëve. Zoti Trump do të kërkojë një mandat të dytë në zgjedhjet e presidenciale të nëntorit të vitit të ardhshëm.

Demokratët nisën procedurat për shkarkimin e presidentit Trump

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha të martën se do të nisë një hetim zyrtar nëse presidenti Donald Trump, duhet t’u nënshtrohet procedurave të shkarkimit.

Dhoma e kontrolluar nga demokratët do të shqyrtojë nëse presidenti Trump ka kërkuar ndihmën e Ukrainës për të hedhur baltë mbi ish nënpresidentin Joe Biden, i cili kryeson garën e demokratëve si kandidat presidencial për zgjedhjet e vitit 2020.

Hetimet lidhen me një një telefonatë që presidenti Trump ka zhvilluar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në të cilën aludohet se presidenti Trump i ka kërkuar bashkëbiseduesit të hetojë rreth rivalit të tij politik, Joe Biden.

“Askush nuk është mbi ligjin”, tha të martën kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Pas muajsh përmbajtjeje, zonja Pelosi u bind se veprimet e raportuara të presidentit Trump dhe refuzimi i administratës së tij për të ndarë hollësitë, nuk i lanë Dhomës së Përfaqësuesve zgjidhje tjetër, pos të çonte përpara një hetim.

“Prandaj sot unë jam duke shpallur se Dhoma e Përfaqësuesve po ecën përpara me një hetim zyrtar lidhur me shkarkimin”, tha ajo.

Zonja Pelosi tha se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të mërkurën mbi një rezolutë lidhur me ankesën e një informatori të inteligjencës që ka të bëjë me telefonatën midis zotit Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, ndërkohë që administrata refuzon të dorëzojë përmbajtjen e ankesës.

Ajo tha se ishte e qartë se kreu në detyrë i inteligjencës kombëtare, Joseph Maguire po shkelte ligjin, duke mos lejuar që përmbajtja e ankesës t’i kalojë Kongresit.

REAGON PRESIDENT TRUMP

Presidenti Trump reagoi ashpër ndaj vendimit të demokratëve duke e cilësuar atë “ndjekje shtrigash”.

“Një ditë kaq e rëndësishme në Kombet e Bashkuara, kaq shumë punë dhe kaq shumë sukses, dhe demokratët me qëllim duhej ta prishnin atë me më shumë lajme me këtë ndjekje shtrigash”, shkroi ai në twitter, “A mund ta besoni këtë?”

BIDEN: TRUMP RREZIKON LARGIMIN

Ish-nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, aktualisht kandidat për president, i bëri thirrje më herët të martën presidentit Trump që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet e Kongresit mbi telefonatën që ka patur me presidentin ukrainas në të cilën thuhet se i ka bërë presion bashkëbiseduesit për të hetuar djalin e tij, Hunter. Përndryshe, shtoi zoti Biden, ai rrezikon të largohet nga posti.

“Nëse vazhdon të shkelë ligjin, Donald Trump nuk t’i lërë alternativë tjetër Kongresit, sipas mendimit tim, përveçse që ky i fundit të nisë procedurat e shkarkimit,” tha zoti Biden në një deklaratë të shkurtër në shtetin Delauer.

Presidenti Trump konfirmoi të martën i kishte thënë stafit të tij që të pezullonte rreth 400 milion dollarë ndihmë për Ukrainën, pak ditë para telefonatës me udhëheqësin ukrainas.

Konfirmimi erdhi ndërsa Presidenti po fliste me gazetarët në Kombet e Bashkuara, kur ai tha se kishte urdhëruar që ndihma të pezullohej me qëllimin për të bindur vendet evropiane të kontribuojnë më shumë ndihma.

“Sa i përket pezullimit të fondeve, ato fonde janë livruar tashmë,” tha Presidenti Trump. “Por ankesa ime ka qenë gjithmonë, dhe unë do t’i pezulloja përsëri e do të vazhdoj t’i pezulloj deri kur Evropa dhe vendet e tjera të kontribuojnë në Ukrainë,” tha Presidenti.

Ai u bëri thirrje Francës dhe Gjermanisë që “të kontribuojnë me para”.za

Protesta për klimën paralizon Uashingtonin

Qindra aktivistë bllokuan rrugët kryesore në kryeqytetin amerikan të hënën, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga qeveria ndaj ndryshimeve klimatike. Protestuesit në Uashington përdorën varka me vela, makina dhe mjete të tjera për të bllokuar kryqëzimet kryesore.

Një e hënë pa trafik në rrugët e kryeqytetit amerikan. Ky ishte qëllimi i një koalicioni të gjerë grupesh aktiviste me protestën “Shut Down D.C.” ose “Të Bllokojmë Uashingtonin”, për të dërguar një mesazh të fuqishëm kundër ngrohjes globale. Danika Hawkins është një prej organizatorëve.

“Kemi provuar lloje të ndryshme protestash, kemi dërguar letra, kemi folur me senatorët dhe kongresmenët. Por nuk kemi parë veprime të mjaftueshme. Prandaj po bllokojmë kryeqytetin që ta kuptojnë se sa seriozisht e kemi.”

Policia vërejti me kujdes protestuesit, disa prej të cilëve përdorën mjete të ndryshme për të tërhequr vëmendjen për kauzën e tyre, përfshi një varkë me vela.

Nuk ka patur njoftime për lëndime apo dëme të konsiderueshme, ndërsa janë ndalur dhjetëra protestues. Por kjo nuk i pengoi aktivistët t’u bëjnë thirrje politikanëve që të bëjnë më shumë për të luftuar ndryshimet klimatike. April Goggains është aktiviste me lëvizjen “Black Lives Matter DC”.

“Kryesisht për lëvizjen tonë, e kemi për detyrë që t’u kujtojmë njerëzve që ka afrikano-amerikanë në kryeqytet që po vuajnë çdo ditë nga efektet e ndryshimit të klimës dhe racizmit mjedisor. Njerëzit po humbasin të afërtmit e tyre dhe po përballen me sëmundje të rënda çdo ditë.”

Udhëtarët e kryeqytetit patën reagime të ndryshme për protestën. Shane Pruna punon në Institutin Smithsonian pranë vendit ku u zhvillua protesta dhe u bllokuan rrugët.

“Duhet vepruar. Mendoj se mjedisi duhet pastruar. Është shqetësuese ndotja e oqeaneve. Do të ishte mirë të shikonim që të bëhet diçka, por duke protestuar?”

Will Robin është punonjës në bashkinë e qytetit.

“Kauza është e rendësishme por mendoj se ka një mënyrë më të mirë për ta shprehur. Të gjithë kanë të drejtë të shprehin opinionet e tyre.”

Protestat në Uashington përkuan me fillimin e samitit të Kombeve të Bashkuara për Klimën në Nju Jork, në të cilën do të marrin pjesë udhëheqës nga rreth 60 vende të botës.

Trump e pranon se ka biseduar për Bidenin me presidentin ukrainas

Presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump konfirmoi se ka biseduar për Joe Bidenin me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, gjatë një bisede telefonike në muajin korrik.

Kjo bisedë është në qendër të një skandali politik në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump tha se i ka thënë homologut të tij ukrainas, se “ne nuk duam që njerëz si ish-zëvendëspresidenti Joe Biden, dhe djali i tij”, të kontribuojnë në korrupsionin që po ndodh tashmë në Ukrainë.

Biden është një nga pretendëntët kryesor për të marrë nominimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA.

Gazeta The Wall Street Journal raportoi më 20 shtator se Trump e pyeti tetë herë presidentin ukrainas për të shikuar në aktivitetet e Bidenit në Ukrainë.

Në mesin e demokratëve të Kongresit, kjo çështje ngriti pyetje nëse një veprim i tillë është i barazvlefshëm me presionin.

Zyrtarët e Ukrainës kanë thënë se Trump nuk ka bërë presion gjatë bisedës.

Në anën tjetër, kryesuesi i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff, tha më 20 shtator, se nëse hetimi tregon se Trump bëri presion ndaj presidentit Zelenskey për të hetuar ish-nënpresidentin Joe Bisden, atëherë votëbesimi ndaj Trumpit do të ishte opsioni i vetëm.

“Nëse presidenti në thelb po e ndalë ndihmën ushtarake, në të njëjten kohë që po provon të kërcënojë një lider të huaj, për të bërë diçka të paligjshme, për të siguruar njollosjen e kundërshtarit të tij, gjatë një fushate presidenciale, atëherë votëbesimi do të ishte ilaçi i vetëm ndaj asaj që përfaqëson”, ka thënë Schiff.

Rrënjët e skandalit

Rrënjët e këtij skandali na kthejnë prapa në vitin 2014 kur djali i Joe Biden, Hunter Biden, iu bashkua bordit të kompanisë së gazit në Ukrainë “Burisma Holding”, e cila ishte nën hetim.

Joe Biden, që në atë kohë e kishte nën mbikqyrje Ukrainën si zëvendëspresident i SHBA-së, e akuzoi prokurorin e përgjithshëm ukrainas, Viktor Shokin për dështim në luftimin e korrupsionit.

Avokati personal i presidentit Trump, Rudy Giuliani, tash po e akuzon Bidenin për përjashtimin nga puna të prokurorit Shokin për të ndalur hetimin ndaj kompanisë së gazit.

Giuliani po përpiqet që Ukraina të nis një hetim ndaj Bidenit.

Mediat ukrainase kanë raportuar se Shokin nuk ka pasur një hetim të hapur ndaj kompanisë së gazit, në kohën kur është larguar nga detyra.

Joe Biden kërkoi që presidenti Trump menjëherë të bëjë publike transkriptin e bisedës me presidentin ukrainas, Volodymir Zelenskey në mënyrë që siç tha, amerikanët të gjykojnë vet për rastin.

Trump që e përshkroi bisedën telefonike kryesisht si “bisedë urimi”, tha se është duke konsideruar ta publikojë atë.

“Unë do të dëshiroja ta bëja këtë, por ju do të jeni paksa të turpëruar nëse e bëj”, u tha ai gazetarëve.

Ukrania: Trump nuk bëri presion

Komitetet e Dhomës së Përfaqësuesve po hetojnë raportet e mediave të cilat pretendojnë se Trump kërcënoi të pezullojë rreth 250 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën, përveç nëse administrata e Zelenskiyt do të hetonte veprimet e Bidenit dhe djalit të tij.

Ndihma ishte pezulluar vetëm disa javë para telefonatës së korrikut, por Shtëpia e Bardhë njoftoi javën e kaluar se do ta jepte atë ndihmë.

Ndihma ka për qëllim të trajnojë dhe pajisë forcat ukrainase, ndërsa ata luftojnë kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në një luftë që zgjati më shumë se pesë vjet, vrau më shumë se 13,000 njerëz dhe shkatërroi një pjesë të madhe të Ukrainës lindore.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Vadym Prystaiko, më 21 shtator mohoi pretendimet se Trump kishte bërë presion ndaj Zelenskiy gjatë telefonatës.

“Unë e di se për çfarë bëhej biseda, dhe unë mendoj se nuk kishte presion”, tha Prystaiko në një intervistë për median Hromadske.

“Kjo bisedë ishte e gjatë, miqësore dhe preku në shumë pyetje, ndonjëherë duke kërkuar përgjigje serioze”, tha ai.

Zyra e presidentit Zelenskiy ende nuk ka komentuar për rastin./rel

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Presidenti Trump mohon të ketë gabuar në bisedën me homologun ukrainas

Presidenti amerikan Donald Trump tha të dielën se nuk kishte bërë asgjë gabim në një bisedë telefonike me presidentin e ri të Ukrainës, duke iu referuar lajmeve se zoti Trump e kishte nxitur atë që të bënte hetime lidhur me djalin e ish-nënpresidentit dhe kandidatit demokrat për president, Joe Biden.

Duke folur me gazetarët, zoti Trump e cilësoi telefonatën me Presidentin Volodymyr Zelensky si “absolutisht të përkryer”.

“Biseda me të ishte përgjithësisht për ta uruar, folëm kryesisht për korrupsionin, korrupsioni i madh. Kishte të bënte kryesisht me faktin se ne nuk duam që njerëzit tanë, si nënpresidenti Biden dhe djali i tij, të kontribuojnë në korrupsionin që ekziston në Ukrainë”, tha zoti Trump.

Sipas njoftimeve të medias, presidenti amerikan e kishte nxitur zotin Zelensky rreth tetë herë gjatë bisedës së tyre që të hetonte të birin e zotit Biden. Sipas disa burimeve, synimi i zotit Trump ishte që të bindte zotin Zelensky të bashkëpunonte me avokatin e zotit Trump, Rudolph Giuliani për një hetim që mund të sabotonte zotin Biden.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Vadym Prystaiko të shtunën mohoi që zoti Trump i kishte bërë presion zotit Zelensky gjatë telefonatës, duke i thënë organizatës mediatike Hromadski se Ukraina nuk do të merrte pozicione në politikën amerikane.

Presidenti Trump dhe zoti Guiliani kanë bërë thirrje prej javësh për një hetim për familjen Biden, pas njoftimeve të mediave këtë vit sipas së cilave një kompani energjitike ukrainase ishte përpjekur të siguronte ndikim në Shtetet e Bashkuara duke punësuar të birin e zotit Biden, Hunter.

Demokratët po e dënojnë atë që ata e shohin si fushatë të bashkërenduar për të goditur zotin Biden, emri i të cilit është përzier në ankesën e një punonjësi të paidentifikuar të zbulimit, i cili kishte shprehur shqetësime për veprimet e zotit Trump lidhur me familjen Biden. za

Biden kërkon që Trumpi të publikojë bisedën me presidentin ukrainas

Ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, kandidat demokrat për president në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, ka kërkuar nga presidenti Donald Trump që të bëjë publike bisedën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, pas dyshimeve se Trump kishte kërkuar nga ai hetimin e Biden dhe djalit të tij që kishte biznes në Ukrianë.

Në një komunikatë të lëshuar të premten, Biden tha se Trump duhet që menjëherë të bëjë publik transkriptin e bisedave dhe pastaj populli do ta gjykojë vetë rastin.

Shtëpia e Përfaqësuesve është duke hetuar raportimet e mediave ku thuhet se Trump kishte kërcënuar administratën e Zelenskiyt gjatë një bisede telefonike për tërheqje të mbështetjes ushtarake ndaj Ukrainës nëse nuk hetohen Biden dhe djali i tij Hunter Biden.

Demokratët deklaruan se nëse kjo është e vërtetë, atëherë do të ishte keqpërdorim i pushtetit.

Pas fillimit të hetimeve të telefonatës mes Trump dhe Zelenskiyt, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar javën e kaluar se do të lëshojë 250 milionë dollarë për ushtrinë e Ukrainës. rel

Biseda Trump-Zelenskiy, në qendër të polemikave

Sipas një njoftimi të gazetës, Wall Street Journal, Presidenti Trump disa herë i ka kërkuar presidentit ukrainas të hetojë rreth djalit të ish-nënpresidentit Joe Biden, i cili kryeson garën mes kandidatëve demokratë për president.

Gazeta shkruan se Presidenti i kërkoi presidentit ukrainas tetë herë të punojë me avokatin e tij personal, Rudolph Giuliani, për të hetuar rreth djalit të zotit Biden.

Zoti Giuliani ka thënë se, kur ishte nënpresident, zoti Biden është përpjekur për shkarkimin e një prokurori ukrainas që po hetonte rreth marrëdhënieve të biznesit të djalit të tij Hunter Biden në Ukrainë. Zoti Biden dhe djali i tij e kanë mohuar akuzën.

Çështja u bë publike pas njoftimit të gazetës Washington Post, e cila tha se ankesa e ngritur nga një informator i fshehtë i shërbimeve të inteligjencës përfshinte Presidentin Donald Trump dhe Ukrainën.

Duke përmendur dy ish-zyrtarë amerikanë që kanë dijeni mbi çështjen, gazeta raporton se zoti Trump i ka bërë një “premtim” një udhëheqësi të huaj, që me sa duket është Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy.

Të dy presidentët kanë patur një bisedë telefonike dy javë e gjysmë përpara se informatori të paraqiste ankesën më 12 gusht tek Inspektori i Përgjithshëm i Komunitetit të Zbulimit Michael Atkinson.

Presidenti Trump do të takohet me zotin Zelenskiy gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Telefonata e 25 korrikut mes dy udhëheqësve është nën hetim nga tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve ku demokratët kanë shumicën. Ata duan të dinë nëse
Presidenti Trump dhe avokati i tij Giuliani, janë përpjekur t’i bëjnë trysni qeverisë së Ukrainës për të ndihmuar fushatën e zotit Trump për t’u rizgjedhur.

I pyetur të premten nëse e kishte përmendur zotin Biden në bisedën me Presidentin ukrainas, Presidenti Trump u përgjigj: “Nuk ka rëndësi se çfarë diskutova.” Ai e shfrytëzoi këtë rast për t’i bërë thirrje medias që të hetojë rreth së kaluarës së zotit Biden me Ukrainën.

Zakonisht çështjet shqetësuese dhe urgjente që konsiderohen të besueshme duhet t’i përcillen komisioneve përkatëse të Kongresit, por sipas një komunikimi të bërë publik të enjten, drejtori në detyrë i Zbulimit Kombëtar Joseph Maguire, e kishte ndaluar zotin Atkinson ta bënte këtë gjë.

Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve zhvilloi të enjten një seancë tre-orëshe me dyer të mbyllura me Inspektorin e Përgjithshëm për të diskutuar çështjen. Pas kësaj, kryetari i komisionit Adam Schiff u tha gazetarëve se drejtori i përkohshëm i Zbulimit Kombëtar po ndërhynte në proces.

Në një koment Twitter, Presidenti Trump e cilësoi njoftimin si lajm të rremë, duke hedhur poshtë pretendimet se ai i kishte premtuar diçka një udhëheqësi të huaj.

I emëruari i Presidentit Trump zotohet për pavarësinë e mediave qeveritare amerikane

Michael Pack, një producent konservator filmash i propozuar për të drejtuar Agjensinë e Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM), dëshmoi të enjten në një seancë konfirmimi në Senat. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden, njofton se i emëruari iu përgjigj shqetësimeve se Presidenti Donald Trump mund të imponojë anshmëri politike tek agjensitë qeveritare të lajmeve, siç është Zëri i Amerikës, për të cilin legjislacioni amerikan përcakton se duhet të jetë objektiv dhe i balancuar në raportimet e tij.

Të enjten, Michael Pack i tha Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, se ai do të sigurojë pavarësinë mediatike në Agjensinë e Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM), agjensia që mbikqyr edhe Zërin e Amerikës, nëse do të konfirmohet në detyrë si i pari Drejtor Ekzekutiv i kësaj organizate i caktuar nga administrata Trump.

“E gjithë agjensia mbështet tek besimi se gazetarët janë të pavarur, se asnjë influencë politike nuk po u dikton se si të njoftojnë për zhvillimet dhe se çfarë duhet të thonë. Pa këtë mirëbesim, mendoj se agjensia është tërësisht e minuar”, u tha senatorëve i propozuari i Presidentit Trump në detyrën e drejtorit të USAGM, zoti Michael Pack.

Zoti Pack ka prodhuar dokumentarë, ka drejtuar Institutin Claremont, një organizatë konservatore me seli në Kaliforni, si dhe ka denoncuar njëanshmërinë liberale të perceptuar në industrinë e filmave.

Me një buxhet vjetor prej 628 milionë dollarësh, USAGM mbikqyr të gjitha organizatat ndërkombëtare të lajmeve të financuara nga qeveria, të cilat transmetojnë në 100 vende dhe kanë një audiencë prej rreth 345 milionë njerëzish.

Këtu përfshihet edhe Zëri i Amerikës që transmeton në mbi 40 gjuhë në mbarë botën, TV dhe Radio Marti që transmeton në Kubë, rrjetet në gjuhën arabe Alhurra TV dhe radio Sawa, si dhe Radio Evropa e Lirë, Radio Liria dhe Radio Azia e Lirë.

Karta e Zërit të Amerikës, e miratuar me ligj në vitin 1976, si dhe Ligji për Transmetimet Ndërkombëtare, përcaktojnë se të gjitha transmetimet qeveritare duhet t’u përmbahen standarteve strikte mediatike, për të cilat mbështetësit e shtypit të lirë thonë se janë thelbësore për të qenë një burim i besueshëm lajmesh për audiencat ndërkombëtare.

“Nuk është fjala për një media shtetërore që tregon vetëm njërën anë të çështjes, siç ndodh shpesh me mediat shtetërore në vende të tjera”, i tha Zërit të Amerikës, Al Tompkins, i Institutit Pointer.

Ligjvënësit republikanë dhe demokratë mbështesin misionin mediatik të këtyre agjensive, thotë një ish-drejtues i Zërit të Amerikës.

“Ligjvënësit kanë mbështetur gjithnjë transmetimet e Zërit të Amerikës dhe agjensitë e tjera, pasi i njohin vlerat e të paturit një burim lajmesh tek i cili mund të mbështeten njerëzit dhe audiencat në botë”, thotë David Jackson, ish-drejtor i Zërit të Amerikës.

Disa prej kritikëve të Presidentit Trump kanë ngritur shqetësimin se ai mund të përpiqet t’i kthejë këto agjensi në makineri të njëanshme propagandistike për politikat e administratës së tij.

Kreu demokrat në këtë komision, Senatori Bob Menendez, ngriti pikëpyetje rreth marrëdhënies së zotit Pack me Steve Bannon, ish-strategu kryesor në Shtëpinë e Bardhë për Presidentin Trump, njëkohësisht edhe ish-drejtues i Breitbart News, një organ vendas që perceptohet gjerësisht si nxitës i nacionalizmit dhe kauzave konservatore.

Ata kanë punuar së bashku për dokumentarë ku shqyrtohet çështje si lufta në Irak, apo energjia bërthamore.

Senatori Menendez e pyeti zotin Pack se si do t’i mbrojë ai gazetarët e agjensisë nga presioni politik. Pyetjes së Senatorit nëse ai do të ishte në gjendje të thoshte “jo”, zoti Pack iu përgjigj se “kështu mendoj. Kam thënë ‘jo’ edhe më parë”.

Edhe nëse do të qartësohen shqetësimet gazetareske, emërimi i zotit Pack mund të vonohet më tej prej kontrollit të imtësishëm të historikut të tij, si dhe nga radha e gjatë e emërimeve të prapambetura në Senat që presin të konfirmohen me votim nga senatorët.

Media amerikane: Informatori ngriti shqetësime për veprimet e presidentit

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin, Adam Schiff komenton pas seancës me dyer të mbyllura.

Gazeta Washington Post shkruan se ankesa e një informatori të fshehtë të shërbimeve të zbulimit përfshin Presidentin Donald Trump dhe Ukrainën.

Duke përmendur dy ish-zyrtarë amerikanë që kanë dijeni mbi çështjen gazeta raporton se zoti Trump i ka bërë një “premtim” një udhëheqësi të huaj, që me sa duket është Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy.

Të dy presidentët kanë patur një bisedë telefonike dy javë e gjysmë përpara se informatori të paraqiste ankesën më 12 gusht tek Inspektori i Përgjithshëm i Komunitetit të Zbulimit Michael Atkinson.

Zakonisht çështjet shqetësuese dhe urgjente që konsiderohen të besueshme duhet t’i përcillen komisioneve të mbikëqyrjes së Kongresit, por sipas korrespodencës së bërë publike të enjten, drejtori në detyrë i Zbulimit Kombëtar Joseph Maguire, e kishte ndaluar zotin Atkinson ta bënte këtë gjë.

Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve zhvilloi të enjten një seancë tre-orëshe me dyer të mbyllura me Inspektorin e Përgjithshëm për të diskutuar çështjen. Pas kësaj, kryetari i komisionit Adam Schiff u tha gazetarëve se drejtori i përkohshëm i Zbulimit Kombëtar po ndërhynte në proces.

Në një koment Twitter, Presidenti Trump e cilësoi njoftimin si lajm të rremë, duke hedhur poshtë pretendimet se ai i kishte premtuar diçka një udhëheqësi të huaj.

Rihapet Monumenti i Xhorxh Uashingtonit

Në kryeqytetin amerika, të enjten u rihap për publikun Monumenti kushtuar George Washingtonit, i cili ishte mbyllur prej disa vitesh për shkak të punimeve për të zëvendësuar ashensorin dhe sistemin e sigurisë. Zonja e parë Melania Trump mori pjesë në ceremoninë e rihapjes. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara sjellë hollësitë.

Ky objekt emblemë në kryeqytetin amerikan ka qenë i mbyllur për publikun në pjesën më të madhe të 8 viteve të fundit, pas një tërmeti 5.8 ballësh në vitin 2011 që shkaktoi 150 çarje në gurët e monumentit.

Monumenti i Uashingtonit u hap për pak kohë në vitin 2016, por u mbyll përsëri për shkak të difekteve në ashensor.

Por të ejten ai u rihap për publikun.

“Ne rindërtuam plotësisht sistemin e ashensorit. Pra, instaluam kabllo të reja dhe riparuam motorin. Dhe pastaj ne gjithashtu shtuam masat e kontrollit të sigurisë”, thotë Jeffrey Reinbold, punonjës i mirëmbajtjes së Shëtitores Kombëtare dhe Parqeve Memoriale.

Zonja e parë Melania Trump bëri “udhëtimin e parë” ceremonial me disa studentë vendas.

Monumenti, i cili mban emrin e Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara, është një objekt i veçant në Uashington dhe një nga atraksionet më të njohura në Shëtitoren Kombëtare. Monumenti vizitohet nga mesatarisht rreth 500,000 vizitorë në vit. Disa nga këta vizitorë janë të gëzuar që tani mund të ngjiten në majë të monumentit për të shijuar një pamje spektakolare të qytetit.

Vizitorët kanë krijuar një radhë të gjatë që herët në mëngjes për të marrë biletat për të hyrë në monument.

Ky çift nga Shanghai që nuk flet anglisht, kërkoi bileta rezervë duke treguar një shenjë të shkruar me dorë, ku thuhej se paraardhësit e tyre dhuruan një nga pllakat përkujtimore të gurëve në monument.

“Ata ishin shumë këmbëngulës. Ata me të vërtetë donin të ngjiteshin atje dhe unë kisha dy bileta shtesë”, thotë Jill Chestnut, një turiste nga Teksasi.

Janë njëqind e nëntëdhjetë e tre pllaka përkujtimore të vendosura në muret e brendshme të monumentit.

Sipas Shërbimit të Parqeve Kombëtare, njëri prej tyre u dhurua nga Misioni Amerikan në Ningbo të Kinës, për të cilin çifti Zhang pretendon se ishin paraardhësit e tyre.

“Jemi shumë të lumtur”, tha zoti Zhang.

“Ne jemi shumë mirënjohës”, tha zonja Zhang.

“Të gjitha biletat ishin shitur dhe nesër do të kthehemi në Kinë”, tha zoti Zhang.

Ndërtimi i Monumentit filloi në vitin 1848, dhe u deshën gati 40 vjet për përfundimin e tij për shkak të Luftës Civile dhe mungesës së fondeve.

Këtë herë, riparimi i monumentit u financua jo vetëm me paratë e taksapaguesve, por edhe me miliona dollarë në donacione private.

SHBA, padi ndaj ish kontraktorit të CIA-s, Snowden

Eduard Snowden duke folur përmes një videolinku.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti të martën një padi civile kundër ish-punonjësit të CIA-s dhe ish-kontraktorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare Edward Snowden për publikimin e një libri kujtimesh, i cili bie ndesh me kontratën e tij me agjencitë e inteligjencës për të mos publikuar materiale sekrete.

Snowden aktualisht banon në Rusi, ku ai mori strehim në vitin 2013 pasi zbuloi detaje tepër të klasifikuara të programeve amerikane të përgjimit. Këto programe të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare ngritën pyetje etike në lidhje me praktikat amerikane të përgjimit.

Libri me kujtime titullohet “Permanent Rekord” që mund të përkthehet “Dëshmia e pashlyeshme”. Ai u vu në qarkullim të martën dhe shitet në Amazon.com në gjermanisht dhe anglisht. Një librar në Uashington thotë se botuesi nuk u ka shpërndarë asnjë kopje librarive paraprakisht, siç është praktika.

“Shumë libra, ose libra të rëndësishëm, u dërgohen paraprakisht librarive që ne të mund t’i lexojmë përpara se ti vëmë për shitje. Ndërsa ky libër u mbajt mjaft i fshehtë nga botuesi,” thotë librari Mark Laframboise.

As agjencitë qeveritare nuk morën kopje paraprakisht. Në një deklaratë të martën, Departamenti i Drejtësisë tha se nuk po përpiqet të bllokonte librin, por synon të garantojë se Snowden nuk do të përfitojë prej tij.

Në padi përmendej edhe botuesi, Macmillan, “për të siguruar se asnjë fitim nuk do t’i kalojë autorit, Snowden”, thuhej aty.

Zyrtarët e drejtësisë thonë se Snowden ka shkelur një detyrim që ndërmori ndaj Shteteve të Bashkuara kur nënshkroi kontratat me CIA-n dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.

Snowden u përgjigj me komente që bëri në video përmes një librarie në Gjermani:

“Ekziston një marrëveshje për ruajtjen e sekretit, por ekziston edhe një betim për të mbrojtur Kushtetutën. Dhe sekreti që ju kërkohet të mbroni është se qeveria po e shkel atë Kushtetutë si dhe të drejtat e njerëzve në të gjithë botën,” tha ai.

Snowden ka në të gjithë botën mbështetës që e konsiderojnë një hero, pasi ka folur për praktikat që shumë njerëz i shohin si abuzim nga ana e qeverisë.

“Juria e Çmimit Jeta e Denjë nderon Edward Snowden-in për guximin dhe aftësinë në zbulimin e përmasave të papara të përgjimit shtetëror, që shkel proceset themelore demokratike dhe të drejtat kushtetuese,” thotë Jakob von Uexkull, themelues i Çmimit ‘Jeta e Denjë’

Por shumë të tjerë e konsiderojnë atë një tradhtar dhe të jashtëligjshëm. Prokurorët federalë amerikanë e kanë akuzuar Snowden-in për vjedhje të pronës së qeverisë dhe ka ngritur dy akuza për shkelje të Ligjit për Spiunazhin të vitit 1917.

Presidenti i atëhershëm Barack Obama i kërkoi atij të kthehej në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat:

“Nëse në të vërtetë ai beson se ajo që bëri ishte e drejtë, atëherë si çdo qytetar amerikan, ai mund të vijë këtu, të paraqitet para gjykatës me një avokat dhe të mbrojë çështjen e tij.”

Në një intervistë të fundit për CBS News, Snowden tha se do të kthehej nëse i garantohet një proces i rregullt, i hapur për publikun, por se, sipas tij qeveria amerikane synon ta bëjë atë objekt të procedurave speciale në një sallë të mbyllur gjyqi./ za

Robert O’Brien emërohet këshilltar i Sigurisë Kombëtare

Presidenti i SHBA Donald Trump emëroi të mërkurën negociatorin Robert O’Brien si këshilltar të sigurisë kombëtare.

O’brien zëvendëson zotin John Bolton i cili dha dorëheqjen nga ky post javën e kaluar.

O’Brien është i dërguar presidencial për çështjet e pengjeve në Departamentin e Shtetit dhe ka një karrierë të gjatë në qarqet republikane të politikës së jashtme.

Presidenti Trump e bëri njoftimin në Twitter, menjëherë pasi shpalli se do të rrisë në mënyrë të ndjeshme sanksionet kundër Iranit.

Presidenti Trump tregon emrat që mund të zëvendësojnë John Boltonin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 17 shtator, shpalli pesë emra si zëvendësues të mundshëm, për pozitën e lirë të këshilltarit të sigurisë kombëtare, katër prej të cilëve kanë punuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, raportoi Reuters.

Duke folur para gazetarëve në bordin e aeroplanit presidencial, Trump renditi fillimisht, Ricky Waddell, një ish-këshilltar i sigurisë kombëtare, së bashku me Keith Kellogg, i cili aktualisht shërben si këshilltar për siguri i nënpresidentit amerikan, Mike Pence.

Më pas, Robert O’Brien, u veçua si një pasardhës i mundshëm i John Boltonit, i cili u shkarkua javën e kaluar nga ana e presidentit Trump. O’Brien është një veteran i politikës së jashtme në qarqet e partisë republikane.

Ish-oficeri i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Fred Fleitz është një tjetër zëvendësim i mundshëm. Ai shërbeu si sekretar ekzekutiv i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Fleitz është kritik ndaj Iranit dhe ka pikëpamje të linjës së ashpër mbi islamin.

Lisa Gordon-Hagerty, nënsekretare e sigurisë bërthamore në Departamentin e Energjisë, gjithashtu u rendit si zëvëndësuese e mundshme e Boltonit. Ajo gjithashtu ka shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Pozita e këshilltarit të sigurisë kombëtare nuk kërkon konfirmim të Senatit të SHBA-së. Këshilltari-ja e sigurisë kombëtare jep këshilla për çështjet e mbrojtjes, të sigurisë dhe diplomacisë dhe është pozicioni më i lartë i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare.

Megjithëse këta emra u përmendën nga presidenti Trump, më vonë përmes një deklarate zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, tha se lista nuk është e plotë.

Më 10 shtator, presidenti Donald Trump, e shkarkoi këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton, duke i thënë se shërbimet e tij në Shtëpinë e Bardhë nuk janë më të nevojshme.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham u tha gazetarëve se “Presidenti (Donald Trump) nuk i kanë pëlqyer shumë politikat e tij (John Boltonit), dhe se ata kanë pasur mospajtime”.

Ish analisti i CIA-s: Bota është më e sigurt pa John Bolton: më mirë pa këshilltar të sigurisë se të kishe John Bolton!

Ish analisti i CIA-s komenton shkarkimin e Këshilltarit të Sigurisë nga Presidenti Donald Trump.

Ish analisti i CIA-s John Kiriakou diskuton rreth largimit të John Bolton nga Këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe hamëndëson se kush mund ta zëvendësojë.

John Kiriakou parashikon se Presidenti Donald Trump të mund emërojë  Stephen Biegun ose Douglas Macgregor për këshilltar të ardhshëm të sigurisë kombëtare.

“Unë duhet të pajtohem me Elizabeth Warren dhe Bernie Sanders se bota është një vend më i sigurt pa John Bolton që të merrte vendime të luftës dhe paqes,” vazhdoi Kiriakou.

“Nuk më shqetëson fakti se tani nuk kemi një këshilltar të sigurisë kombëtare; është më mirë të mos kesh askënd në këtë pozitë sesa të kesh John Bolton në pozitë. ”

“Ai u përpoq aktivisht të rrëzonte qeverinë e Venezuelës; ai u përpoq aktivisht të rrëzonte qeverinë iraniane; ai u përpoq në mënyrë aktive të rrëzonte qeverinë Siriane – dhe ky është vetëm në vitin e fundit! Pra, po, është më mirë të mos e kemi John Bolton në këtë pozicion, “tha Kiriakou./thegrayzone.com

Presidenti Trump konfirmon vrasjen e djalit të Osama bin Ladenit

Shtëpia e Bardhë thotë se Hamza bin Laden, djali i udhëheqësit të ndjerë të al-Kaidës që ishte bërë një figurë gjithnjë e më e shquar në organizatën terroriste, është vrarë në një operacion amerikan kundër terrorizmit në rajonin mes Afganistanit dhe Pakistanit.

Presidenti Trump konfirmoi sot vrasjen e Hamza bin Ladenit por nuk dha hollësi të tjera, të tilla si, kur u vra ai apo si e konfirmuan Shtetet e Bashkuara vdekjen e tij.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se vdekja e Hamza bin Ladenit “jo vetëm që e privon al-Kaidën nga aftësi të rëndësishme drejtuese dhe lidhje simbolike me babanë e tij, por minon aktivitete të rëndësishme operative të grupit”.

Si udhëheqësi i al-Kaidës, Osama bin Laden dhe të tjerë komplotuan sulmet e 11 shtatorit, 2001. Ai u vra nga forcat seal të marinës amerikane në një bastisje në një shtëpi në Abbottabad, të Pakistanit, në vitin 2011. za

SHBA tejkaloi Arabinë Saudite në eksportin e naftës në qershor

SHBA-të tejkaluan Arabinë Saudite si eksportuesja më e madhe e naftës në botë në qershor, falë rritjes së prodhimit të naftës së argjilës në vend dhe kufizimeve të OPEC-ut që prekën kryesisht Arabinë Saudite.

“SHBA aktualisht është numër një në qershor, pasi eksportet e naftës së papërpunuar u rritën mbi 3 milionë fuçi në ditë, duke rritur eksportet totale të naftës së papërpunuar dhe produkteve në gati 9 milionë fuçi në ditë”, tha të enjten Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

“Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite zvogëloi eksportet e produkteve të naftës së papërpunuar dhe ato të rafinuara”, shtoi IEA në Raportin e Tregut të Naftës për shtatorin.

Raporti i IEA-së nuk jep shifra specifike për eksportet e naftës së papërpunuar të SHBA-së dhe Arabisë Saudite, megjithatë, shifrat e Nismës së Organizatave të Përbashkëta (JODI) tregojnë se eksportet e naftës së papërpunuar të Arabisë Saudite mesatarisht ishin 6.72 milionë fuçi në ditë në qershor, ndërsa eksportet e produkteve të përgjithshme të naftës mesatarisht ishin 1.27 milionë fuçi në ditë. Kjo solli sasinë totale të eksporteve të naftës për vendin në qershor në 7.99 milionë fuçi në ditë.

Në qershor, eksportet e naftës së papërpunuar të SHBA-së mesatarisht ishin 3.41 milionë fuçi në ditë ndërsa eksportet e përgjithshme të produkteve të naftës arritën në 5.44 milionë fuçi në ditë, duke sjellë vlerën totale të eksporteve të naftës në 8.85 milionë fuçi në ditë.

IEA tha se kompletimi i tubacioneve dhe terminaleve të nevojshme të naftës në SHBA tani bën të mundur rritjen e eksporteve të naftës në vend.

Megjithatë, Arabia Saudite riktheu pozitën e parë në eksportet e naftës në muajt korrik dhe gusht, tha IEA.

“Prodhimi amerikan u ndikua nga goditja e uraganit. Mosmarrëveshja tregtare e SHBA-së me Kinën gjithashtu e ka vështirësuar gjetjen e tregjeve për produktet e argjilës”, tha IEA.

Sa i përket prodhimit të naftës së papërpunuar, SHBA tejkaloi Arabinë Saudite në tetor 2018 me 11.2 milionë fuçi në ditë të prodhimit dhe më pas u tejkalua nga Rusia me 11.7 milionë fuçi në ditë në nëntor 2018 duke u bërë prodhuesja më e madhe e naftës së papërpunuar në botë.

Për shkak të marrëveshjes për kufizimin e prodhimit midis vedeve të OPEC-ut dhe aleatëve të saj, prodhimi i naftës së papërpunuar të Arabisë Saudite ishte mesatarisht 9.83 milionë fuçi në ditë në qershor, duke zbritur 4.6 për qind nga niveli mesatar i 2018 prej 10.31 milionë fuçi në ditë, thuhet në Raportin Mujor të Tregut të Naftës të OPEC-ut për shtator.

Eksportet e naftës së papërpunuar të SHBA-së u rritën gradualisht pas dhjetorit 2015 kur ish-presidenti Barack Obama hoqi ndalimin e vetë-imponuar katër dekada të eksporteve të naftës bruto të prodhuar në vend që ishte aktive që nga viti 1973 gjatë krizës së naftës të OPEC-ut. aa

Fillon detyrën ambasadorja e re amerikane në OKB

Ambasadorja e re amerikane në Organizatën e Kombeve të Bashkuara filloi detyrën të enjten. Kelly Knight Craft nuk do të ketë shumë kohë për t’u ambientuar, pasi ajo arrin pak më shumë se një javë para mbledhjes vjetore të udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në OKB, Margaret Besheer sjellë hollësitë.

Ambasadorja Craft ia dorëzoi letrat kredenciale Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres dhe më pas shkoi në Këshillin e Sigurimit.

Ajo u prit ngrohtësisht nga kolegët e saj të rinj dhe më pas votoi duke mbështetur tre rezoluta.

Më vonë ajo u tha gazetarëve se nuk është vetëm e dërguara e Presidentit Trump në OKB, por edhe një zë për angazhimin e Amerikës për lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

“Në një botë të përfshirë nga kriza humanitare, sfidat gjeopolitike, udhëheqja e fortë amerikane është absolutisht kritike dhe unë synoj ta siguroj atë. Unë do të mbroj vlerat dhe interesat e Amerikës. Do të qëndroj pranë miqve dhe aleatëve tanë. Do të mbështes të varfërit dhe të pambrojturit. Dhe kurrë nuk do të ngurroj të punoj me ata që vërtet dëshirojnë të çojnë përpara kauzën e dinjitetit njerëzor.”

Craft, ish-biznesmene nga Kentucky, dhe burri i saj, Joe, ekzekutiv miliarder i industrisë së qymyrit, janë të mirënjohur në qarqet republikane si donatorë të mëdhenj. Ata kontribuan 1 milion dollarë në garën presidenciale të Presidentit Trump në vitin 2016.

Presidenti Trump e emëroi atë në postin e ambasadores amerikane në Kanada dy vjet më parë. Mandati i saj u dominua nga negociatat për arritjen e marrëveshjes së re tregtare SHBA-Kanada-Meksikë.

Ambasadorja Craft u konfirmua për postin e saj në OKB më 31 korrik, me një shumicë të thjeshtë në senatin amerikan, ku disa demokratë u ankuan se ajo nuk kishte përvojë të mjaftueshme në politikën e jashtme.

“Zonja Ambasadore më lejoni të jem e sinqertë, kam rezerva të thella në lidhje me mungesën e kualifikimeve tuaja për një rol kaq kompleks dhe sfidues. Historikisht, ambasadorët e Shteteve të Bashkuara në OKB kanë sjellë përvojë të rëndësishme ekzekutive ose përvojë të drejtpërdrejtë pune në politikën e jashtme”, that senatori demokrat Bob Mendez.

Mungesat e saj të mëdha nga ambasada në Kanada, më shumë se gjysma e 608 ditëve në punë, gjithashtu ishin temë shqyrtimi.

Zonja Craft ka pak më shumë se një javë kohë para se udhëheqësit botërorë, përfshirë shefin e saj, të arrijnë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Analisti i çështjeve të OKB-së, Richard Gowan thotë se ambasadorja Craft do të luajë vetëm një rol në prapaskenë gjatë mbledhjes vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Detyra e saj është të sigurojë që udhëtimi i presidentit në Nju Jork të shkojë mirë. Ajo nuk do të bëjë vetë diplomaci thelbësore. Mendoj se zonja Craft do të jetë në gjendje të ketë një ndikim personal në Nju Jork pas mbarimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe mund të shpenzojë pak më shumë kohë në ndërtimin e marrëdhënieve me anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe fuqitë e rëndësishme të përfaqësuara në OKB”.

Një nga temat e mëdha në takimin e këtij viti do të jetë ndryshimi i klimës.

Familja e zonjës Craft ka lidhje me industrinë e qymyrit dhe ajo dikur i tha një intervistuesi kanadez se ajo u beson “të dyja grupeve” në debatin për klimën.

Ambasadorja Craft zëvendëson ish ambasadoren Nikki Haley, e cila u largua nga posti nëntë muaj më parë.

Niki Haley kishte statusin e anëtares së kabinetit, që zonja Craft nuk do ta ketë, dhe kultivoi një profil të lartë politik.

Analistët thonë se zonja Craft ka të ngjarë të ketë një rol më të kufizuar në përcaktimin e objektivave të politikës së jashtme.

Amerikanët shënojnë përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit

Amerikanët po shënojnë të mërkurën 18 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, që lanë pas vetes rreth 3 mijë të vrarë në New York, Virginia dhe në Pennsylvania.

Presidenti Donald Trump, do të nderojë viktimat me një minutë heshtje në Shtëpinë e Bardhë, para se të marrë pjesë në një ceremoni në Pentagon për familjet e atyre që u vranë kur terroristët e al-Qaidas përplasën mbi ndërtesë një avion të rrëmbyer.

Në New York, qindra të mbijetuar dhe familjarë të atyre që u vranë, do të mblidhen në vendin ku ngriheshin kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, para se të rrëzoheshin nga goditjet e dy avionëve të udhëtarëve të rrëmbyer nga al-Qaida.

Nënpresidenti Mike Pence, pritet të marrë pjesë në një ceremoni në Shanksville të Pennsylvanias, afër vendit ku avioni i United Airlines u rrëzua, pasi që udhëtarët e morën nën kontroll nga terroristët që e kishin rrëmbyer.

Nëntëmbëdhjetë burra të lidhur me al-Qaida i kryen rrëmbimet.

Sulmi më vdekjeprurës në truallin amerikan, pas atij në Pearl Harbor në vitin 1941, ndryshoi përgjithmonë botëkuptimin e Amerikës për sigurinë dhe nxitën presidentin e atëhershëm George W. Bush t’i shpallë luftë terrorizmit dhe të pushtojë Afganistanin.

Forcat e koalicionit të drejtuara nga Shtetet e Bashkuara rrezuan talebanët nga pushteti në Afganistan, por konflikti ende po vazhdon duke u shndërruar në luftën më të gjatë amerikane. Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe talebanët kanë zhvilluar kohët e fundit bisedime për paqen, por derisa hollësitë e një marrëveshjeje të mundshme po bëheshin publike, presidenti Donald Trump anuloi takimet e planifikuara me talebanët dhe zyrtarë afganë, për shkak të sulmeve të vazhdueshme të talebanëve në Kabul.

Shtetet e Bashkuara këkruan udhëheqësin e al-Qaidas Osama bin Laden për vite me ardhë pas sulmeve dhe në maj të vitit 2001 forcat amerikane bastisën një kompleks në Abbottabod të Pakistanit ku e vranë atë.

Presidenti Trump shkarkon Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare: “Nuk isha dakord me shumë nga sugjerimet e tij”

Presidenti amerikan, Donald Trump ka shkarkuar nga detyra Këshilltarin e tij të Sigurisë Kombëtare, John Bolton.

“Unë e njoftova John Bolton mbrëmë se shërbimet e tij nuk janë më të nevojshme në Shtëpinë e Bardhë,” shkroi ai.

“Unë nuk isha dakord me shumë nga sugjerimet e tij,” shkruajti Trump, duke shtuar se një këshilltar i ri i sigurisë kombëtare do të emërohet javën e ardhshme.

Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham u tha gazetarëve: “Presidentit nuk i pëlqyen shumë politikat e tij, ata nuk pajtohen.”

Në përgjigje, Bolton shkroi në Twitter: “Unë ofrova të jepja dorëheqjen mbrëmë dhe Presidenti Trump tha:” Le të flasim për këtë nesër. “

Kongresi dhe kriteret e shkarkimit të presidentit

Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve ka në plan të votojë për të përcaktuar kriteret për nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

Kompania mediatike “Politico” njoftoi e para rreth këtij zhvillimi, duke thënë se raporti i saj bazohej në “shumë burime që ishin informuar rreth kësaj çështjeje”.

Komisioni pritet të votojë javën e ardhshme. Sipas Politico-s një projekt-rezolutë pritet të bëhet publike të hënën në mëngjes. Në artikull thuhet se demokratët “shpresojnë se një përcaktim i qartë i procesit për shkarkimin e presidentit do të forconte shanset tyre për të detyruar dhënien e dëshmive”.

Sidoqoftë mbetet e paqartë nëse ky proces do të çojë në ngritjen e një akuze ndaj presidentit si dhe nëse Senati që udhëhiqet nga republikanët do të votonte për largimin e presidentit nga detyra.

Komisione të ndryshme të Kongresit po shqyrtojnë një sërë çështjesh që lidhen me presidentin. Ato përfshijnë dështimin e tij për të publikuar deklaratat mbi të ardhurat, pagesat e bëra për të detyruar dëshmitarë që të mbyllin gojën e të mos bëjnë publike histori të sikletshme rreth tij si dhe shpenzimin e parave të taksapaguesve në hotelet dhe pronat e presidentit. za

SHBA: Irani po lëviz drejt bisedimeve për programin bërthamor

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, tha se Irani mund të jetë më afër një mundësie për bisedime të reja rreth programit të tij bërthamor.

Deklarata vjen edhe pse Teherani njoftoi se ka ndërprerë edhe disa angazhime që ia kërkon marrëveshja bërthamore e vitit 2015.

Duke folur të premten në Londër, Esper tha se së shpejti mund të ketë vend për bisedime mbi programin bërthamor dhe raketor të Iranit.

“Duket se Irani, në njëfarë mënyre, po lëviz drejt atij vendit ku mund të bisedojmë. Shpresoj se do të luajë në atë drejtim”, tha Esper në Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbrëtërore.

Irani dhe fuqitë botërore kanë arritur një marrëveshje në vitin 2015, në bazë të së cilës Irani ka kufizuar programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Por, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vitin e kaluar, është tërhequr nga kjo marrëveshje, duke thënë se nuk ka qenë e ashpër mjaftueshëm sa për të penguar Iranin nga zhvillimi i armës bërthamore.

Që atëherë, Uashingtoni ka vënë sanksione të ashpra mbi ekonominë e Iranit, ndërsa ky i fundit ka nisur të shkelë kufizimet e përcaktuara me marrëveshjen bërthamore.

SHBA-ja do marrëveshje të re dhe, këtë javë, Trump foli për mundësinë e një takimi me presidentin e Iranit, Hassan Rohani, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Por, Rohani, më herët, e ka përjashtuar një mundësi të tillë, ashtu si edhe atë për negocimin e një marrëveshjeje të re bërthamore. rel

Uragani Dorian godet bregdetin juglindor të SHBA

I fuqizuar në 185 km në orë, Uragani Dorian goditi bregdetin Juglindor të Shteteve të Bashkuara me erë dhe shira të fortë të enjten, duke lënë pa energji elektrike më shumë se 200,000 shtëpi dhe biznese, ndërsa shkonte drejt veriut, në drejtim të Karolinës së Veriut.

Pasi shkaktoi vdekjen e 20 vetëve dhe shkatërrim të jashtëzakonshëm në Bahamas, Dorian vazhdoi drejt brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara, duke kaluar pranë Floridës të mërkurën por në një distancë relativisht të sigurt. Prej andej, stuhia e kategorisë 3 preku shkarazi Xhorxhian dhe goditi bregdetin e Karolinës së Jugut me efekte më serioze.

Rreth 3 milion njerëz në Florida, Xhorxhia dhe në Karolinën e Jugut dhe të Veriu, u paralajmëruan të evakuohen ndërsa stuhia afrohej dhe me mundësinë për të kërcënuar jetë njerëzish.

Të paktën dy vdekje u njoftuan në pjesën kontinentale të Shteteve të Bahshkuara, në Florida dhe Karolinën e Veriut. za

Uragani Dorian la 20 të vdekur në Bahamas; niset drejt SHBA-së

Bahamas

Uragani Dorian u forcua sërish në stuhi të kategorisë 3, pasi shkaktoi vdekjen e së paku 20 personave në ishujt Bahamas.

Komisionari për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Mark Lowcock, tha se rreth 70,000 njerëz “kanë nevoja të menjëhershme për ndihmë” në Bahamas.

Ndihmat urgjente përfshijnë strehimin, ujin e pijshëm, ushqimet dhe ilaçet, tha ai.

Qendra Kombëtare e Uraganeve e Shteteve të Bashkuara tha se stuhia po lëviz drejt bregdetit të Atlantikut në SHBA, me erëra deri në 184 kilometra në orë.

Dorian kërcënon të përfshijë brigjet e ulëta nga Xhorxhia në jugperëndim të Virxhinias.

Të enjten, suhia pritet të zbarkojë në dy Karolinat.

Dorian ka zbarkuar në Bahamas në fillim të javës, fillimisht si stuhi e kategorisë pesë, me erëra deri në 250 kilometra në orë.

Kryeministri i Bahamas, Hubert Minnis, i cilësoi dëmet e shkaktuara atje si “historike”.

SHBA – Hiqen nga shkolla katolike librat e Harry Potter: Magjitë dhe mallkimet janë të vërteta

SHBA

Librat që e bënë të famshme J.K.Rowling duke u shndërruar në një fenomen të rrallë letrar me 500 milionë kopje të shitura në mbarë botën, tetë filma, një muzikal në Broadway, dhe tematike të parqeve të lojërave, nuk do të gjenden më në raftet e librarisë së një shkolle katolike në Tennessee, të Shteteve të Bashkuara.

Që prej kohës kur ata u botuan për herë të parë, librat dhe shkrimtarja Joanne Rowling, kanë fituar kundërshtarë si mes të krishterëve ashtu edhe myslimanëve. Një përplasje e fundit raportohet se ka ndodhur në Nashville, SHBA shkruan CNN.

Pastori Dan Reehil nga një shkollë famullie katolike ka zbuluar se librat për magjistarin anglez Harry Potter nuk janë më në dispozicion për studentët për shkak të përmbajtjes së tyre, raporton ‘The Tennessean’.

Ai ka këmbëngulur në heqjen e tyre me pretendimin se magjitë dhe mallkimet që përmbajnë, janë të vërteta. Ai i përshkruan si një lloj shpërthimi të magjisë dhe okultit që synon t`i shtyjë gjeneratat e reja drejt paganizmit, duke minuar vlerat e krishtera e duke nxitur kureshtjen e më të vegjëlve në drejtim të magjisë.

“Këto libra paraqesin magji si të mirë ashtu edhe të keqe, gjë që nuk është e vërtetë, por në fakt një mashtrim i zgjuar. Mallkimet dhe magjitë e përdorura në libra janë mallkime dhe magji aktuale; të cilat kur lexohen nga një qenie njerëzore rrezikojnë të çojnë në përhapjen e shpirtrave të këqij te personi që lexon tekstin””- raporton prifti.

Zjarr në anije në Kaliforninë e jugut; mbi 34 të zhdukur

Roja Bregdetare amerikane thotë se 34 persona figurojnë të zhdukur pasi një zjarr i fuqishëm përfshiu një anije të vogël me polombarë në brigjet e Kalifornisë jugore.

Media lokale njofton se zjarri shkaktoi disa të vdekur, por Roja Bregdetare nuk mund të konfirmonte ende njoftimin.

Sipas zyrtarëve të Rojes Bregdetare, pesë pjesëtarë të ekuipazhit u shpëtuan pasi shpërtheu zjarri në anijen që përdoret nga operatorët e tureve për zhytësit në Ishullin Santa Kruz, në brigjet e qytetit Santa Barbara.

Zyrtarët thonë se vazhdojnë kërkimet për personat që figurojnë të zhdukur.

Sipas zyrtarëve, pasagjerët po flinin në mjediset e brendshme të anijes kur shpërtheu zjarri të hënën në mëngjes. za

Ndahet nga jeta Arqipeshkvi i Bostonit, Nikon

Arqipeshkvi i Bostonit, dhe i Dioqezës Shqiptare të Bostonit, Hirësia e tij Nikon, u nda nga jeta më 1 shtator 2019.

Lindur më 1945 në Nju Jork, Arqipeshkvi Nikon u diplomua në Seminarin e Shën Vladimirit në 1966. Ai filloi punën si prift në korrik 1969. Ai ka shërbyer në kishën e Shën Nikollait në Sauthbrixh të Masaçusetsit si dhe në kishën e Shën Thomait në Farmington Hills të Miçiganit.

Në maj 2002, Arqipeshkvi Nikon u shugurua Peshkop i Baltimorës.

Ai u emërua Peshkop i Bostonit në Asamblenë e Dioqezës Shqiptare më 10 tetor 2003 dhe Sinodi i Shenjtë e zgjodhi Peshkop të Bostonit më 22 tetor 2003. Ai u rrit në rangun e arqipeshkvit më 9 maj 2012.

Komuniteti shqiptar i zonës si dhe besimtarë të tjerë do t’i bëjnë nderimet e fundit arqipeshkvit në Katedralen shqiptare të Shën Gjergjit në Boston. za

Florida dhe Karolina Veriore pritet të përballen me uraganin Dorian

Guvernatorët e Floridas dhe Karolinës Veriore kanë nisur urdhra për evakuim të detyrueshëm në disa pjesë të këtyre vendeve teksa Uragani Dorian, një stuhi e kategorisë së pestë me erëra deri në 295 kilometra në orë, u afrohet brigjeve të kësaj zone.

Guvernatori i Karolinës Veriore, Henry McMaster ka urdhëruar evakuimin e gjithë personave që jetojnë në zonat bregdetare në shtetin e tij.

Në Florida, guvernatori, Ron DeSantis, ka bërë thirrje për evakuim nga qarku, Palm Beach County deri në zonën Daytona Beach, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Miliona banorë janë përgatitur për këtë stuhi.

Qendra Kombëtare për Uragane ka thënë se stuhia pritet të përfshijë brigjet e Floridës në orët e vona të 2 shtatorit.

Kjo stuhi ka përfshirë Ishujt Bahamas, duke përmbysur veturat, ka shkatërrruar linjat e energjisë elektrike, teksa mijëra persona janë strehuar në shkolla, xhami apo vende tjera.

Dorian konsiderohet uragani i dytë më i fuqishëm në Oqeanin Atlantik nga viti 1950.

Dita e Punëtorëve në Shtetet e Bashkuara

Shtetet e Bashkuara po festojnë Ditën e Punëtorëve, një festë e përvitshme amerikane që shënohet të hënën e parë të shtatorit. Për shumë amerikanë, kjo është një mundësi më shumë për të shijuar ditët e fundit me mot të nxehtë gjatë fundjavës së gjatë tri-ditëshe.

Zanafilla e festës gjendet në vitet 1880 kur pati një trysni në rritje për të njohur meritat dhe kontributet e punëtorit amerikan dhe për të krijuar një mjedis më të sigurtë e më njerëzor jetese e pune për të. Në atë kohë dita e punës zgjaste 12 orë dhe në radhët e punëtorëve gjeje edhe fëmijë që nga mosha 5 vjeç.

Falë kësaj trysnie gjatë dekadave që pasuan u miratuan ligje për të reduktuar ditën e punës në tetë orë, për të miratur javën pesë-ditëshe dhe punëtorët filluan të organizohen në sindikata.

Sot kjo ditë njihet jo-zyrtarisht si përfundimi i sezonit të pushimeve verore. Njerëzit e shfrytëzojnë fundjavën e gjatë për të shkuar edhe një herë në plazh apo për piknike, për grumbullime me familjet. Bizneset ofrojnë ulje çmimesh. Në shumë shtete nesër rihapen shkollat dhe fillon viti shkollor.

Milioneri i cili kishte ‘informata kyçe’ për skandalin Epstein zhduket pa asnjë gjurmë

Një milioner i cili është shef i një agjencie modelingu që mendohet se ka informata kyçe rreth skandalit të Jeffrey Epstein ‘është zhdukur si një fantazmë pa asnjë gjurmë’.

Jean-Luc Brunel, 72 vjeçar, është zhdukur ndërkohë që policia ka kërkuar nga autoritetet franceze që ai të merret urgjentisht në pyetje. Hetuesit e rastit të Epstein kanë prova se ai ka përdorur seksualisht vajza të mitura. E këto abuzime mund të kenë ndodhur në Brazil, SHBA dhe Evropë.

Epstein e vrau veten në burg më 10 gusht. Të paktën kështu mendohet sepse ka akuza dhe teori që kanë ngjallur dyshime se ai mund të jetë vrarë, transmeton Gazeta Express.

Brunel, i cili për herë të fundit është parë në Nju Jork, mohon të gjitha akuzat se mund të jetë i përfshirë në të njëjtat krime me të cilat është akuzuar Epstein.

Një burim ligjor nga Parisi për Daily Mirror ka thënë: ‘Ai është një fantazmë e cila është zhdukur pa asnjë gjurmë’.

Akuzat ndaj tij vijnë pasi që modelja Svetlana Pozhidaeva, e cila punonte në kompaninë e tij, u fotografua në shtëpinë e Epstein, i cili akuzohej për pedofili. Rasti kishte ndodhur në vitin 2016.

Rusja, Pozhidaeva, babai i së cilës është Kolonel në Ushtrinë e Kuqe, mohon se ajo është në atë fotografi.

Forcohet uragani Dorian, godet ishujt Bahamas

Uragani Dorian është intensifikuar në stuhi të kategorisë së rrezikshme 5 duke iu afruar sot ishujve Bahamas.

Ai pritet t’i godasë këta ishuj me deri dy ditë rreshje shiu të dendur, dallgë të larta dhe erëra të rrezikshme përpara se t’i drejtohet territorit të SHBA.

Qendra Kombëtare e Uraganëve me qendër në Majemi tha Dorian po sjell erëra me shpejtësi maksimale prej 260 km në orë.

Pasi të jetë vërtitur mbi ishujt Bahamas, uragani pritet të devijojë drejt veriperëndimit dhe mund të mos e godasë drejtpërsëdrejti Floridën.

Komunitetet më në veri, në Georgia dhe Karolinën e Jugut e ngritën nivelin e alarmit për banorët, të cilët po përgatiten, duke mbushur thasë me rërë, ndërkohë që autoritetet po testojnë infrastrukturën.

Megjithëse uragani Dorian duket se ua kurseu Shteteve të Bashkuara një goditje të drejtpërdrejtë, zyrtarët thonë se një stuhi e kësaj kategorie mund të sjellë mjaft dëme në Florida dhe në Karolinën e Jugut e të Veriut. za

Goditet me thikë vrasësi i Robert Kenedit

Personi që vrau Robert Kenedin mëse gjysmë shekulli më parë u gjet i qëlluar me thikë në një burg të Kalifornisë.

Autoritetet e identifikuan viktimën si Sirhan Sirhan, i cili ka qenë në burg për më shumë se 50 vjet për vrasjen e Kennedit gjatë garave presidenciale në vitin 1968.

Autoritetet thanë se personi i qëlluar me thikë ndodhet në spital dhe është në gjendje të qëndrueshme.

Sirhan, i cili është 75 vjeç, e qëlloi Kenedin në kuzhinën e Hotelit Ambasador në Los Angeles, menjëherë pasi politikani shpalli fitoren në zgjedhjet paraprake presidenciale të demokratëve në shtetin e Kalifornisë. Kenedi vdiq të nesërmen.

Sirhan Sirhan u shpall fajtor për vrasjen, por dënimi i tij me vdekje u ndryshua më vonë në burgim të përjetshëm. za

Uragani Dorian i afrohet Floridës – presidenti Trump anulon udhëtimin në Poloni

“Dita e Punës” nuk do të jetë ditë kremteje për Floridën, nëse uragani Dorian ndjek rrugën e parashikuar të tij.

Qendra Kombëtare e Uraganeve tha të enjten vonë se Doriani pritet të shndërrohet në uragan të madh në premten dhe do të mbetet “i rrezikshëm” përgjatë fundjavës derisa është duke thithur ujërat e ngrohta të Atlantikut.

Ai u shndërrua në uragan të kategorisë së dytë me erëra të forta që arrijnë në 165 kilometra në orë.

Meteorologët parashohin që Doriani mund të godas Floridën Juglindore të hënën si uragan i kategorisë së katërt me erëra deri në 209 kilometra në orë.

Stuhitë e kategorisë së katërtë kanë fuqi të shkaktojnë dëme që ekspertët i quajnë katastrofike, si shkatërrimin e shtëpive dhe dyqaneve, copëtimin e rrugëve dhe rrëzimin e drunjve dhe linjave të energjisë.

Guvernatori Ron DeSantis e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në tërë shtetin.

Presidenti amerikan, Donald Trump, anuloi udhëtimin e planifikuar në Poloni për “t’u siguruar se të gjitha burimet federale janë të përqendruara në stuhinë e pritshme… Është shumë e rëndësishme për mua që të jem këtu”, tha presidenti Trump.

Nënpresidenti Pence në vend të presidentit Trump në Poloni

Presidenti amerikan Donald Trump, pritej të udhëtonte në Varshavë, për të marrë pjesë në shënimin e 80 vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Më 1 shtator të vitit 1939 Gjermania naziste pushtoi Poloninë dhe përgjatë luftës atje u vranë 6 milionë qytetarë polakë, pjesa më e madhe hebrenj.

Në ceremonitë përkujtimore më 1 shtator në Varshavë do të shkojë nënpresidenti amerikan Mike Pence.

Banorëve përgjatë bregut të Atlantikut ne Florida u është thënë që të jenë të gatshëm evakuimin e mundshëm. Ata po mbushin rezervuarët e makinave dhe po grumbullojnë rezerva ushqimore, ujë dhe pajisje emergjente.

Meteorologët presin që uragani të lëvizë drejt Bahamas veriperëndimore të shtunën.

Dorian shkaktoi disa përmbytje dhe ndërprerje të energjisë në dy ishuj të Porto Riko por nuk shkaktoi dëme të mëdha.

Uashington: Gazetari i dytë padit në gjykatë administratën Trump

Pezullimi këtë muaj nga Shtëpia e Bardhë të akreditimit të një gazetari, po kritikohet nga mbrojtësit e lirisë së shtypit. Ata thonë se ky është një shembull i përpjekjeve të administratës së Presidentit Donald Trump për të heshtur gazetarët dhe zërat e tjerë kritikë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, pezulloi për 30 ditë kredencialet e korrespondentit të revistës Playboy, njëkohësisht edhe analist i kanalit CNN, Brian Karem. Masa u mor pasi në përfundim të një takimi për mediat sociale, zoti Karem u përfshi në një shkëmbim me tone të larta me ish-këshilltarin e Presidentit Trump, Sebastian Gorka, i cili drejton një emision radiofonik.

Ky është rasti i dytë që Shtëpia e Bardhë tërheq akreditimin e një korrespondenti, ndërkohë që Presidenti Trump vazhdon të denigrojë organet mediatike duke i quajtur ato “fake news” dhe “armiq të popullit”, duke inkurajuar kështu edhe mosbesimin tek mediat.

Nëntorin e kaluar, Shtëpia e Bardhë ndërmori hapin e pazakontë për epokën moderne, të heqjes së kredencialeve për korrespondentin e kanalit CNN, Jim Acosta, vetëm pak orë pasi ai pati një shkëmbim sfidues me Presidentin Trump gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Pasi kanali CNN paditi në gjykatë administratën Trump, një gjykatës federal urdhëroi rikthimin e kredencialeve të shtypit për zotin Acosta, duke vendosur se pezullimi kishte shkelur të drejtën e tij për një proces të rregullt.

Tashmë, zoti Karem ka paditur Presidentin Trump dhe zëdhënësen Grisham, për shkeljen e të drejtave të tij kushtetuese, dhe i kërkoi gjykatës federale në Uashington që t’i rikthejë kredencialet e tij të akreditimit. Gjykatësi Rudolph Contreras, shprehu pakënaqësinë e tij për sjelljen e zotit Karem, por edhe për standartet e Shtëpisë së Bardhë për heqjen e kredencialeve të tij. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të martën, Gjykatësi tha se do të jepte një vendim ndoshta që ditën e premte.

“Siç provoi ky rast, natyra e gazetarisë ka ndryshuar shumë”, tha Gjykatësi Contreras. “Po përpiqem të kuptoj se ku ndodhet kufiri”.

Ndërkaq, juristët e Departamentit të Drejtësisë që përfaqësonin Shtëpinë e Bardhë i quajtën e veprimet e zotit Karem “qartësisht të papranueshme” dhe mbrojtën procedurën e ndjekur për heqjen e akreditimit të tij si “transparente, të mirëmenduar dhe të kujdesshme”. Gazetari veteran tha se ishte piketuar nga Shtëpia e Bardhë për shkak të mbulimit të tij kritik të administratës dhe pyetjeve të hapura për Presidentin Trump.

“Ata vetëm duan të më ndëshkojnë”, tha zoti Karem në një intervistë për Zërin e Amerikës. “Duan të më ndëshkojnë pasi nuk u pëlqejnë ato që unë shkruaj. Që nga fillimi i kësaj administrate unë kam shkruar mbi 100 artikuj dhe i kam drejtuar pyetje shumë të drejtpërdrejta Presidentit. Nuk mendoj se i pëlqejnë pyetjet e mprehta dhe nuk mendoj se atij dhe stafit të tij i pëlqejnë artikujt e mi”.

Nora Benavidez, drejtore për programet për shprehjen e lirë në SHBA, në organizatën PEN America, gjithashtu po e padit administratën Trump dhe paraqiti këtë javë një raport në mbrojtje të padisë së zotit Karem. Ajo thotë se pezullimi i kredencialeve është pasqyrë e trajtimit nga Shtëpia e Bardhë të zërave disidentë.

“Është një shembull i përpjekjeve për të vendosur në objektiv gazetarët që i drejtojnë pyetje të vështira Shtëpisë së Bardhë dhe që janë ndoshta kërkues dhe që dëshirojnë ta mbulojnë Shtëpinë e Bardhë në mënyra që nuk i pëlqejnë Presidentit”, thotë zonja Benavidez. “Ky vetë është diskriminim dhe shkelje e Amendamentit të Parë”.

Shtëpia e Bardhë i refuzon këto akuza.

“Realiteti është se trupa e gazetarëve e Shtëpisë së Bardhë është e përbërë nga gazetarë që drejtojnë pyetje agresive Presidentit dhe zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë; një pjesë e mirë e tyre janë jashtëzakonisht kritikë ndaj Presidentit dhe politikave të tij”, shkruhet në dokumentin e juristëve të Departamentit të Drejtësisë, në përgjigje të padisë së zotit Karem, e cila u paraqit në datën 20 gusht.

58-vjeçari Brian Karem është një gazetar me eksperiencë i medias së shkruar dhe asaj televizive, një aktivist i vetëdeklaruar i Amendamentit të Parë, i cili ka bërë edhe burg për shkak se refuzoi të zbulonte burimin e të dhënave konfidenciale. Gjatë dy viteve që ka punuar si korrespondent i Shtëpisë së Bardhë për revistën Playboy, ai është shndërruar në një figurë të debatueshme në trupën e gazetarëve, i lavdëruar nga mbështetësit për drejtimin e pyetjeve hulumtuese Presidentit Trump dhe zyrtarëve të administratës, ashtu siç edhe kritikohet nga të tjerë për stilin e tij të tepruar agresiv. za

Berberi i presidentëve (video)

Prej më shumë se 50 vjetësh një berber në Uashington ushtron profesionin e tij duke u bërë disi një legjendë. Popullariteti që ka fituar e ka bërë atë të presë flokët e shumë presidentëve amerikanë dhe udhëheqësve botërorë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Iacopo Luzi intervistoi njeriun që e quajnë “Berberi i presidentëve”.

Presidentët Donald Trump, Barack Obama, George Bush dhe Bill Clinton janë disa nga figurat politike që kanë qenë klientë të Diego D’Ambrosios. Ky berber i lindur në Itali ka prerë flokët e më shumë se 46 kryetarëve të shtetesh që nga viti 1968 në Uashington.

Diego thotë se ka qenë privilegj që u ka prerë flokët kaq shumë figurave të rëndësishme politike, por ai thotë se çdo klient është i rëndësishëm.

“Të gjithë janë njësoj. Të gjithë klientët që vijnë këtu, marrin të njëjtin shërbim”.

Në vitin 2010, kryetari i bashkisë së Uashingtonit e riemërtoi rrugën ku ndodhet dyqani i tij. Ajo që më parë ishte rruga Q, tani quhet rruga “Diego D’Ambrosio”.

Klientët vlerësojnë jo vetëm punën e tij për prerjen e flokëve, por edhe përfshirjen e tij në komunitetin lokal.

“Kam ardhur këtu për gati 40 vjet me radhë. Familja e tij është këtu. Vjen dhe të gjithë janë si një familje. Sigurisht që është një stilist i shkëlqyer, kështu që më bën gjithmonë të dukem mirë”, thotë një klient i dyqanit.

Edhe pse Diego ka qenë berber për disa dekada dhe pavarësisht disa kufizimeve shëndetësore, ai nuk ka ndërmend të dalë në pension.

“Dua t’jua them shumë seriozisht: e dua punën time. I dua njerëzit, më pëlqen të shoh njerëz, më pëlqen t’u shërbej njerëzve, dhe kjo funksionon … sepse më paguajnë”, thotë duke qeshur berberi.

Askush në dyqanin e tij nuk e di sa vjeç është ai. Edhe njerëzit që punojnë me të nuk janë të sigurt nëse ai do të dalë ndonjëherë në pension.

“Është nga ata njerëz që nuk ua kupton moshën. Ai duket njësoj”, thotë një ndihmës i tij.

Po cili është sekreti i Diegos?

“Mos mendo asnjëherë që je sëmurë apo i moshuar. Asnjëherë s’e mendoj se jam i moshuar”.

Diego ka në plan t’i mbajë hapur dyert e dyqanit të tij dhe thotë se fjalët “biznes i mbyllur” nuk do të ekzistojnë kurrë në fjalorin e tij.

Departamenti i Drejtësisë: Comey shkeli rregullat e FBI-së

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey shkeli politikat e Byrosë Federale të Hetimeve për mënyrën e përdorimit të memorandumeve që dokumentojnë biseda private me Presidentin Donald Trump në javët para se zoti Comey të shkarkohej, tha të enjten Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë.

Zyra e Inspektorit tha se zoti Comey shkeli rregullat e FBI-së duke i dhënë një memorandum që përmbante informacione josekrete një miku me udhëzime për ta ndarë përmbajtjen me një gazetar. Zoti Comey gjithashtu nuk e njoftoi FBI-në pasi ai u pushua nga puna, se kishte mbajtur disa memorandume në një kasafortë në shtëpi.

Zoti Comey kishte mbajtur shënime në lidhje me bisedat me zotin Trump që ai tha se e kishin shqetësuar. Ai ka thënë se donte të kishte shënime me shkrim për bisedat sepse ishte i shqetësuar se Presidenti Trump më vonë mund të gënjente për to, dhe se ai dëshironte të bënte publike përmbajtjen e një prej dokumentave me shpresën se do të nxiste emërimin e një prokurori të posaçëm që të drejtonte një hetim të FBI-së për lidhjet midis Rusisë dhe fushatës së zotit Trump.

Departamenti ka vendosur që të mos e ndjekë penalisht zotin Comey për këtë çështje.

Avokatët e zotit Comey nuk u janë përgjigjur ende kërkesave për koment, por vetë ish-drejtori i FBI-së vuri në dukje në Twitter se Inspektori i Përgjithshëm nuk gjeti prova që ai kishin ndarë ndonjë informacion sekret me median.

“ Unë nuk kam nevojë për një falje publike nga ata që shpifën për mua, por një mesazh me një ndjesë që gënjyen për mua, do të ishte e përshtatshme”. shkroi ai.

SHBA, sot, Dita e Barazisë së Grave

Alice Paul

Dita e Barazisë së Grave, që shënohet çdo 26 gusht, përkujton miratimin e amendamentit të 19 të kushtetutës amerikane në vitin 1920, që u dha grave të drejtën e votës.

Ky hap historik, megjithatë, nuk do të ishte i mundur pa lëvizjen e grave për votën. Ndër udhëheqëset e kësaj lëvizjeje ishte Alice Paul, më e madhja ndër katër fëmijët e familjes së saj të pasur dhe me bindje të majta.

Dukej qartë se ajo ishte përgatitur qysh e vogël nga prindërit për arritjen e kësaj ëndrre. Nëna e saj, Tacie Parry Paul, ishte aktiviste për të drejtën e votës së grave që e sillte të bijën në mbledhjet që bënte lëvizja për këtë qëllim.

Alice Paul ndoqi kolegjin Swarthmore në Pensilvani, e themeluar nga gjyshi i saj, dhe u diplomua për biologji në vitin 1905. Ajo mori gjithashtu një master në sociologji dhe më vonë shkoi në Angli për studime në sferën e punën sociale.

Gjatë gjithë studimeve, ajo mbeti një mbështetëse e përkushtuar e së drejtës së grave për të votuar.

Ndërsa ishte në Londër, ajo mësoi taktikat e protestave, si bllokimin e punës dhe grevat e urisë, të cilat ajo përdori pas kthimit në Shtetet e Bashkuara. Demonstrimi i saj i parë dhe më i madhi, ishte në Uashington, D.C., më 3 mars 1913, një ditë para inaugurimit të Presidentit Woodrow Wilson.

Rreth 8 000 gra marshuan në Bulevardin Pensilvania deri në Shtëpinë e Bardhë. Njerëzit u hidhnin rromuze dhe i vinin në lojë. Katër vjet më vonë, pasi nuk arritën ta bindnin Presidentin Wilson për nevojën e ndryshimit të kushtetutës, Alice Paul dhe më shumë se 1.000 të tjera filluan një grevë 18 mujore rreth Shtëpisë së Bardhë. Atë e ngacmonin, e sulmonin dhe madje e burgosën për shtatë muaj rresht.

Edhe pse në vitin 1918 Presidenti Wilson kishte njoftuar mbështetjen e tij për çështjen e votimit të grave, u deshën edhe dy vjet që Senati, Dhoma e Përfaqësuesve dhe 36 shtete të ratifikonin amendimin e Kushtetutës.

Alice Paul nuk u ndal në suksesin e arritur. Ajo vazhdoi punën dhe në vitin 1923 hartoi amendamentin për të Drejtat e Barabarta, i cili bënte thirrje për barazi absolute. Aty thuhej se “Burrat dhe gratë gëzojnë të drejta të barabarta në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe në çdo hapësirë që i nënshtrohet juridiksionit të tyre.”

Përkrahësit e saj e propozuan amendamentin në çdo seancë Kongresi midis viteve 1923 dhe 1972, por ai kurrë nuk u miratua. Më në fund, në vitin 1972 dy dhomat e Kongresit e miratuan ndryshimin. U caktua një afat shtatë vjeçar për ratifikimin nga tre të katërtat e 50 shteteve. Por deri në vitin 1982 kur ishte edhe afati, mungonin tre shtete nga 38 të nevojshme që kjo të bëhej amandament kushtetues.

Amendamenti nuk u ratifkua kurrë. Pavarësisht kësaj, gratë në Amerikë vazhdojnë të bëjnë presion për barazi përpara ligjit. za


Send this to a friend