VOAL

VOAL

Engel: SHBA duhet të luajë rol aktiv për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi

Keida Kostreci

Më pak se një javë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, kongresmeni demokrat Eliot Engel thotë se çfarëdo administrate të jetë në fuqi, duhet t’i kushtojë rëndësi zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe Serbisë dhe rajonit të Ballkanit në përgjithësi. Në një diskutim organizuar nga prof. David Phillips i Universitetit të Kolumbias, kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, si edhe ish- Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright dhe ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark folën për të ardhmen e Kosovës.

Demokrati Eliot Engel, i bëri jehonë faktit se gjatë dekadave, republikanët dhe demokratët kanë ndjekur një politikë dypartiake ndaj këtij rajoni.

Unë shpresoj që çfarëdo administrate të kemi, (cilindo) President, apo Kongres duhet ta kuptojmë se është mirë për Shtetet e Bashkuara të sigurohet që liria të përparojë në të gjithë botën, jo vetëm për të mirën e këtij rajoni, por edhe për të mirën e Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit gjatë administratës së ish-Presidentit Bill Clinton, Madeleine Albright, tha se diskutimi vinte në një moment shumë të rëndësishëm për politikën e jashtme amerikane.

Shpresa ime është që javën e ardhshme të shënojmë një pikë kthese ku të mund të kemi një fillim të ri pas katër vitesh dështimi dhe të fillojmë të largohemi nga qasja e pabalancuar e administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo duke përdorur një gjuhë të ngjashme me atë të kandidatit demokrat Joe Biden.

Edhe zoti Engel tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara t’i kthehet një roli tradicional në marrëdhëniet e jashtme.

Por administrata e Presidentit Trump thotë se është pikërisht mënyra e saj jotradicionale, që i dha një shtysë të re bisedimeve Kosovë-Serbi, me rënien dakord për normalizimin ekonomik muajin e kaluar, në një takim të parë të një profili të tillë të lartë në Shtëpinë e Bardhë.

Në ceremoninë e Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Donald Trump tha se pas “vitesh negociatash të dështuara, administrata ime, propozoi një rrugë të re për të kapërcyer ndasitë”.

Duke u përqendruar tek krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike, të dyja vendet ishin në gjendje të realizonin një arritje të madhe”.

Nuk është ende e qartë se si do të ndikojë një politikë e tillë tek një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, pengesa më e madhe ndaj së cilës është mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Për organizatorin e diskutimit, Profesorin e Universitetit të Kolumbias, David Phillips, thotë se nuk do të ketë paqe derisa të ketë normalizim.

Sipas mendimit tim normalizim do të thotë që Serbia ta pranojë se e ka humbur Kosovën për shkak të krimeve që Millosheviçi bëri, që Kosova është një vend i pavarur dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Nuk ka kthim mbrapa”, tha ai.

Pasojat e trashëgimisë së luftrave të viteve 90 në Ballkan, rëndojnë ende mbi rajon. Gjenerali Wesley Clark, ishte komandanti i forcave të NATO-s, kur aleanca ndërmori bombardime për të ndalur fushatën e Millosheviçit dhe forcave serbe ndaj Kosovës. Ai vlerësoi arritjet e Kosovës.

Tani sfida është të ndërtohet një shtet të fortë ekonomikisht dhe politikisht në një nga rajonet më të vështira të botës”.

Kongresmeni Engel, duke vlerësuar angazhimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, gjë që u bë e njohur për herë parë, si një nga pikat e marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë, tha se ashtu si Izraeli dhe vendet arabe po punojnë bashkë, ashtu duhet të ndodhë edhe në Ballkan.

Do të doja ta shihja në Ballkan, me shqiptarë dhe serbë dhe malazezë dhe të gjithë popujt që punojnë së bashku që jetojnë në një rajon shumë të vogël, por është më mirë për të dyja palët, ose të gjitha palët nëse ata punojnë së bashku dhe e njohin njëri-tjetrin”, tha ai.

Ish-zyrtari amerikan thotë se ishte autori “anonim” i artikullit anti-Trump

Një ish-zyrtar i administratës Trump, i cili shkroi një artikull-opinion shumë kritik ndaj presidentit dhe më pas botoi një libër nën emrin letrar “Anonim” e zbuloi identitetin të mërkurën. Ai quhet Miles Taylor dhe ka qenë shefi i stafit në Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

 

Zoti Taylor doli publikisht me akuzat e tij gjashtë ditë para ditës së zgjedhjeve duke kritikuar presidentin si “njeri pa karakter”. Ai tha se shpresonte që zyrtarë të administratës do “të gjejnë tek vetja ndërgjegjen kur të zgjohen” dhe do të ngrenë zërin si ai.

Ish-zyrtari ka shprehur kritika të shumta në adresë të presidentit gjatë muajve të fundit por deri vonë e kishte mohuar para kolegëve si dhe në intervistë me kanalin CNN se ai ishte autori i artikullit opinion dhe librit. Ai u largua nga administrata Trump në qershor 2019 dhe këtë verë shprehu mbështetjen për kandidatin demokrat Joe Biden.

Presidenti dhe Shtëpia e Bardhë menjëherë u hodhën në kundërsulm duke e cilësuar zotin Taylor si zyrtar që nuk kishte peshë dhe mbështetje në institucionin ku kishte punuar.

“Ky është një njeri ordiner, me nivel të ulët. Nuk e di kush është, vetëm se e kam parë para ca kohësh në televizor,” tha Presidenti Trump gjatë një tubimi për fushatë në Arizona. Kur po e cilësonte si “njeri të ndyrë“ dhe bënte thirrje për ndjekjen e tij penale, turma që ishte mbledhur për të ndjekur presidentin brohoriste “thaje kënetën,” një referencë për burokracinë federale në Uashington.

Si shef i stafit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, zoti Taylor ka qenë i pranishëm në një numër takimesh në Shtëpinë e Bardhë lidhur me politikat kufitare dhe projekte të rëndësishme të sigurisë kombëtare. Gjatë kohës që ishte në këtë detyrë zoti Taylor, Presidenti Trump kërcënoi se do të mbyllte kufirin dhe administrata e tij vuri në zbatim rregullore për të detyruar azil-kërkuesit të prisnin në anën meksikane të kufirit ndërsa shqyrtohej kërkesa e tyre.

Shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows i cilësoi pohimet e zotit Taylor “një turp monumental” duke postuar në Twitter komentin “kam parë sekrete më interesante në filma me kartona”.

 

Gjatë një interviste me gazetarin Chris Cuomo të kanalit CNN të mërkurën në mbrëmje, zoti Taylor tha se nuk e kishte bërë publik identitetin e tij si autori “anonim” më parë sepse akuzat që ai ngre do të harroheshin brenda 48 orësh.

“Askush nuk do t’ia vinte veshin. Aktualisht amerikanët po analizojnë punën e presidentit, karakterin e tij, prandaj është shumë kritike që njerëz si unë të flasim pasi votuesit po dëgjojnë. Duhet t’u tregojmë se si është ai në realitet”.

Artikulli-opinion, i shkruar nga zoti Taylor nën emrin “anonim” dhe i botuar në shtator 2018 në gazetën New York Times e irritoi presidentin dhe vuri në lëvizje një përpjekje të ethshme në Shtëpinë e Bardhë për të identifikuar autorin.

Në artikull, autori i cili prezantohej vetëm si një zyrtar i lartë i administratës, thoshte se ishte pjesë e një force sekrete “rezistence” që punonte për të kontrolluar “impulset e gabuara” të presidentit si dhe për të minuar disa elementë të axhendës së tij.

Autori shkruante “Shumë prej të emëruarve të presidentit janë zotuar të bëjnë ç’është e mundur për të mbrojtur institucionet tona demokratike, ndërkohë që përpiqen të kontrollojnë impulset e gabuara të zotit Trump, gjatë kohës që është në pushtet”.

Gazeta e indentifikoi autorin si një “zyrtar i lartë” në administratë dhe të mërkurën u ndesh me kritika në platformën online sepse e kishte fryrë postin zyrtar të zotit Taylor. Gazeta, e cila tha se e kishte fshehur identitetin e autorit pasi do të ishte në rrezik të humbiste punën, pohoi të mërkurën se ai ishte vërtetë autori, pasi zoti Taylor kishte hequr dorë nga e drejta e anonimitetit. Gazeta nuk ofroi komente të mëtejshme.

Pas botimit të artikullit të zotit Taylor, Presidenti Trump, tepër i revoltuar, përsëriti akuzat se brenda administratës ka “forca të fshehta” që komplotojnë kundër tij. Presidenti, i cili është ankuar shpesh për nxjerrjen e informatava të brendshme nga operacionet në Shtëpinë e Bardhë, u kishte dhënë urdhër ndihmësve të zbulonin identitetin e autorit, madje kishte ngritur argumentin e “sigurisë kombëtare” si justifikim për hapjen e një hetimi nga Departamenti i Drejtësisë.

Pas artikullit, zoti Taylor botoi vjet në nëntor një libër me titull “Paralajmërimi” ku zgjeronte akuzat e mëparshme duke e përshkruar presidentin si të paqëndrueshëm, të paaftë dhe të papërshtatshëm për rolin e komandantit të përgjithshëm.

Që nga ajo kohë, këto akuza kanë dalë në plan të dytë pasi ish-zyrtarë të tjerë të administratës kanë ngritur kritikat e tyre kundër presidentit.

Pyetje të tjera mbeten pa përgjigje lidhur me intervistën e zotit Taylor për kanalin CNN në gusht ku gazetari Anderson Cooper e pyeti nëse ai ishte autori “anonim” dhe ai u përgjigj: “Unë mbaj maskë për dy gjëra, për Halloween dhe kundër pandemisë. Jo, nuk jam”.

Josh Campbell, korrespondent i rrjetit CNN për sigurinë kombëtare, komentoi në Twitter se edhe ai e kishte pyetur zotin Taylor nëse ishte autori “anonim” dhe ai e kishte mohuar.

 

Zoti Taylor tha të mërkurën se i detyrohejgazetarit Anderson Cooper një birrë dhe një ndjesë. Ai tha se e kishte shkruar në librër se nuk do të pranonte se ishte autori “anonim” nëse e pyesnin, sepse donte që vëmendja të ishte tek argumentet dhe jo tek autori.

“E dini se çfarë problemi del kur gënjen nëse je apo jo autori: tani njerëzit thonë se je gënjeshtar dhe do ta kenë të vështirë të të besojnë,” tha gazetari i CNN-it, Chris Cuomo.

Por gazetari e vazhdoi intervistën për gjysmë ore, gjatë së cilës zoti Taylor vazhdoi kritikat ndaj presidentit. CNN-i tha se zoti Taylor do të vazhdojë të punojë si opinionist kontribues për këtë rrjet.

 

Zoti Taylor tha se beson që presidenti do t’u mëshonte edhe më fort politikave të dëmshme, sidomos ato të ndarjes së familjeve në kufi nëse siguronte një mandat të dytë.

“Ata duan ta kthejnë vendin në kështjellë dhe jo më në qytetin e shndritshëm në majë të kodrës,” tha ai.

Ai tha se e kishte menduar të jepte dorëheqjen që më herët nga administrata Trump dhe tani mendon se bëri gabim që nuk u largua një vit më parë.

Reed Galen, ish-këshilltar i Partisë Republikane dhe një nga themeluesit e grupit anti-Trump Projekti Linkoln, komentoi në Twitter se Taylor “nuk është hero”. Ai shtoi se Taylor “shkonte në dhomat e mbledhjeve, në këshillet e pushtetit dhe lejonte këtë banalitet të lig të vazhdonte. Heroizmi nuk gjendet tek heshtja deri në momentin kur të leverdis dhe është në interesin tënd që të ngresh zërin”.

zëri i amerikës

Shtohet numri i votave me postë të refuzuara; paqartësitë mbi zgjedhjet

Masood Farivar

Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, me qindra mijëra fletëvotimi me postë refuzohen nga zyrtarët zgjedhorë për një larmi arsyesh, që nga mbërritja e tyre me vonesë, tek mungesa e firmës në zarf.

Por këtë vit, kur më shumë se gjysma e amerikanëve kanë votuar më herët ose me postë, janë refuzuar edhe më shumë fletëvotime, duke ngritur pikëpyetje rreth të drejtës për të votuar, si dhe nxitur shqetësime për pasiguri paszgjedhore në ato shtete, të cilat mund të jenë përcaktuese për rezultatin e zgjedhjeve, si Florida apo Xhorxhia. Në këto shtete sipas anketave të deritanishme, të dy kandidatët, Donald Trumpin dhe Joe Biden, janë mbërthyer në një garë të ngushtë mes tyre.

Ndërsa Florida dhe Xhorxhia nuk publikojnë të dhëna mbi numrin e votave të refuzuara para zgjedhjeve, dy akademikë, profesori i kolegjit Dartmouth, Michael Herron dhe profesori i universitetit të Floridës, Daniel Smith kanë analizuar të dhënat zyrtare të shteteve lidhur me votat e hedhura me postë, për të llogaritur numrin e votave në rrezik për t’u refuzuar.

Në Florida, nga 3.8 milionë vota me postë të hedhura deri më tani, më shumë se 15,000 mund të refuzohen, pra rreth 0.4 për qind e tyre, sipas profesorëve Herron dhe Smith. Në Karolinën e Veriut, shkalla e refuzimit është edhe më e lartë. Prej 25 tetorit nga më shumë se 780 mijë fletëvotime të postuara në këtë shtet, më shumë se 10 mijë përballen me një refuzim të mundshëm, një normë skualifikimi prej rreth 1.3 për qind, sipas gjetjeve të studimit.

Votuesit e komuniteteve pakicë

Ashtu si në disa procese të fundit zgjedhore, votuesit e komuniteteve pakicë po përballen me më shumë refuzime të votës së tyre, sesa amerikanët e bardhë. Sipas gjetjeve të studiuesve në Karolinën e Veriut për shembull, votat e afro-amerikanëve kishin tre herë më shumë gjasa të skualifikoheshin, sesa ato të amerikanëve të bardhë.

Kjo është diçka që demokratët mund ta përdorin si bazë ankimimi atje ku rezultati është i ngushtë.

Por jo çdo fletëvotimi e konsideruar me mangësi do të refuzohet automatikisht. Në të dy shtetet, si në shumë të tjera, votuesve u jepet një mundësi për t’i korrigjuar gabimet në fletët e tyre të votimit.

Do të ishte e parakohshme në këtë moment të dilnim në përfundimin se fletëvotimet e kthyera janë refuzuar nga bordi vlerësues dhe nuk janë llogaritur“, thotë Mark Ard, drejtori i përkohshëm i Komunikimit për Departamentin e Shtetit të Floridës.

Në Karolinën e Veriut, zyrtarët kanë filluar të kontaktojnë votuesit me pasaktësi në fletëvotimi, thotë Patrick Gannon, drejtor i Marrëdhënieve me Publikun në Bordin Shtetëror të Zgjedhjeve të Karolinës së Veriut.

Një votues i cili nuk ka kohë për ta korrigjuar fletët e votimit mund të votojë fizikisht gjatë periudhës së hershme të votimit deri më 31 tetor ose në ditën e zgjedhjeve“, thotë zoti Gannon në një përgjigje me email.

Në pamje të parë, numri i fletëve të votimit në Florida dhe Xhorxhia të klasifikuara për t’u refuzuar duket i vogël. Sidoqoftë, në Florida dhe Xhorxhia, si dhe në shtetet e tjera ku historikisht rezultati zgjedhor ka qenë tejet i ngushtë, ndonjëherë 10,000 vota mund të jenë përcaktuese për fituesin.

Diferenca në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000 mes republikanit George W. Bush (i cili u shpall në fund fitues) dhe demokratit Al Gore zbriti në 537 vota në Florida. Sipas studiuesve edhe gjatë zgjedhjeve paraprake për Senatin në Florida në vitit 2018, republikani Rick Scott fitoi me vetëm 10,033 vota.

Ndërsa në ditë e ardhshme priten të mbërrijnë edhe më shumë fletëvotime me postë, numri i votave të refuzuara nga zyrtarët zgjedhore ka të ngjarë të rritet, në disa raste duke tejkaluar potencialisht diferencën mes kandidatit fitues dhe atij humbës në garat me një rezultat të ngushtë qoftë për president, për një vend në Kongres,.

Ky është një skenar që shkakton vërtet makth kur rezultati është i gushtë dhe numri i votave të refuzuara (ose të shpallura si të pavlefshme) është më i madh sesa diferenca mes dy kandidatëve“, thotë zoti Herron në një intervistë.

Deri të mërkurën 49 milionë amerikanë kishin votuar me postë, sipas një vlerësimi nga organizata “Projekti i Zgjedhjeve”, që jep të dhëna mbi zgjedhjet në SHBA.

Zoti Herron dhe zoti Smith i botuan fillimisht gjetjet e tyre tek “The Conversation”, një publikim me studime e analiza nga ekspertë e akademikë. Ata ndanë me Zërin e Amerikës edhe më shumë të dhëna lidhur me Floridën dhe Karolina e Veriut.

Betejat gjyqësore

Çështja se si do të trajtohen fletëvotimet që kanë probleme me firmat dhe se sa ditë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit do të lejohet pranimi i fletëvotimeve që të quhen të vlefshme për t’u numëruar, ka qënë prej muajsh objekt i betejave gjyqësore mes republikanëve e demokratëve në të gjithë vendin. Në kushtet kur më shumë demokratë sesa republikanë kanë zgjedhur të votojnë me postë, republikanët kanë kërkuar ndërhyrje të gjykatës, me shkallë të ndryshme suksesi, për të mos lejuar që fletëvotimet që vijnë me vonesë të konsiderohen për t’u numëruar.

Në javët e fundit, Gjykata e Lartë amerikane e kontrolluar nga konservatorët vendosi kundër përpjekjeve për të ndryshuar procedurat zgjedhore, përfshirë afatet e mbërritjes së fletëvotimeve, duke u bazuar tek një doktrinë, sipas së cilës, rregullat zgjedhore nuk duhet të ndryshohet shumë pranë procesit zgjedhor.

Më 19 tetor, para se të konfirmohej e emëruara më e fundit e zotit Trump për Gjykatën e Lartë, Amy Coney Barrett, gjykatësit u ndanë në një votim 4 me 4 lidhur me planin e Pensilvanisë për të numëruar votat që mbërrijnë deri në tre ditë pas datës së zgjedhjeve (3 nëntorit) edhe nëse nuk kanë një vulë postare të mund të shihet qartë.

Të mërkurën, gjykasit refuzuan të ndjekin me procedura të përshpejtuara një ankim të ri nga ana e republikanëve ndaj afatit të zgjatur të numërimit të votave për Pensilvaninë.

Por në fillim të kësaj jave, në një vendim që u pa si kthim pas për demokratët, Gjykata e Lartë bllokoi një plan të Uiskonsinit për të numëruar fletëvotimet që vijnë me postë deri në gjashtë ditë pas datës së zgjedhjeve (3 nëntorit).

Hans von Spakovsky, bashkëpunëtor ligjor i organizatës “Heritage Foundation” në Uashington, tha se fletëvotimet me postë që shpallen të pavlefshme mund të shërbejnë si shkak për ankimime pas procesit zgjedhor.

Dyshoj se mund të kemi vonesa të mëdha në numërimin e votave nëse ka një rritje të konsiderueshme të fletëvotimeve në mungesë (kur zgjedhësit nuk shkojnë fizikisht në qendrat e votimit). Mendoj se mund të ketë çështje gjyqësore mbi refuzimin e votave në mungesë të cilat nuk pajtohen me ligjin e shtetit“, tha në një intervistë von Spakovsky, një ish-anëtar republikan i Komisionit Federal të Zgjedhjeve.

Historikisht, më pak se 1 për qind e votave në mungesë refuzohen ose shpallen të pavlefshme për shkak të gabimeve administrative. Por në kushtet kur një numër rekord njerëzish po votojnë me postë këtë vit, shumë prej të cilëve votues për herë të parë, të paktën 1 milion vota mund të shpallen të pavlefshme, sipas një parashikimi të fundit nga një hulumtim i përbashkët i gazetës USA Today, projektit “Columbia Journalism Investigations” në universitetin Columbia dhe programit “Frontline” të rrjetit televiziv PBS.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, më shumë se 550 mijë fletëvotime me postë janë konsideruar të pavlefshme në 30 shtete, shumë më tepër sesa gjatë zgjedhjeve presidenciale 2016, sipas një analize të muajit gusht të organizatës mediatike NPR. Në pjesën më të madhe kjo ndodhi sepse shtetet ishin të papërgatitura për rritjen e votimeve me postë gjatë pandemisë, vë në dukje Tammy Patrick, një ish-zyrtare e zgjedhjeve në Arizona, i cila aktualisht punon me fondacionin Fondi për Demokraci.

Megjithatë në muajt që pasuan zgjedhjet paraprake, shumë shtete kanë miratuar një numër praktikash më të mira votimi përmes postës, ndryshime që ka të ngjarë të zvogëlojnë numrin e fletëve të votimit të refuzuara, thotë zonja Patrick.

Ata i kanë rishikuar udhëzimet e tyre mbi votimin, kanë rimodeluar zarfet e votimit dhe kanë adoptuar praktika si gjurmimi i votave”, thotë zonja Patrick.

Tashmë votuesit mund të kontrollojnë statusin e tyre të votimit në internet dhe në të paktën 19 shtete bëhen njoftime kur fletët e votimit kanë nevojë të korrigjohen.

Në Kolorado, votuesit me mangësi në fletët e tyre të votimit njoftohen me mesazh në telefon dhe u lejohet ta korrigjojnë gabimin përmes telefonit. Si rezultat, thotë zonja Patrick, gjatë zgjedhjeve të përgjithshme do të refuzohen më pak vota.

Shifra mund të jetë pak më e lartë se zgjedhjet tradicionale presidenciale sepse do të ketë shumë votues të rinj, por shpresoj se nuk do të shohim të njëjtat shifra që pamë në zgjedhjet paraprake“, thotë zonja Patrick.

Sidoqoftë ajo që nuk mund të parashikohet është çështja e numrit të fletëvotimeve me postë që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve. Ndërsa disa shtete i kanë zgjatur afatet e tyre për të pranuar vota për t’u llogaritur në numërim, 32 shtete, përfshirë Floridën, nuk i pranojnë fletëvotimet që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve, duke u dhënë votuesve pak kohë për të korrigjuar fletët e tyre të votimit. Karolina e Veriut i pranon fletëvotimet deri në gjashtë ditë pas datës së zgjedhjeve, nëse ato kanë një vulë postare që daton më 3 nëntor, ose para kësaj date. Republikanët i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë t’i bllokojë këto plane.

Mendoj se pyetja më e rëndësishme për të cilën nuk ka përgjigje është se sa fletëvotime do të mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve“, thotë zoti Herron.

(Video) Arkiv – LQSHA e kryesur nga Joe DioGuardi nderon Senatorin Joe Biden në vitin 2002 me çmimin Ballkanik për Paqe

voal.ch po ju sjell një video nga aktivitetet me impakt të jashtëzakonshëm të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, lobit më të fuqishëm shqiptaro-amerikan deri më sot në SHBA, në sajë të roli të ish Kongresmenit Joe DioGuardi dhe gruas së tij Këshilltares për Çështjet Ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi.

Më 28 prillin e vitit 2002 Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane në praninë senatorit Joe Biden, senatorit Charles Ellis Schumer, kongresmenëve Ben Gilman e Tom Lantos dhe kryetarit të bashkisë të New Yorkut Michael Bloomberg organizon një manifestim të madh “Salute to Albanian Freedom” – “Përshëndetje Lirinë e Shqiptarëve” me rastin e 12 vjetorit të darkës historike në Sheraton të 28 Prillit 1990.

Me këtë rast Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane kishte ftuar një delegacion të liderëve shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan si Pjeter Arbnori, Ramush Haradinaj, Iliaz Halimi, Rufi Osmani, NikollëCamaj, Ferhat Dinosha dhe Riza Halimi për të marrë pjesë në këtë manifestim.

Disa ditë pas darkës, Joe DioGuardi çon në Washington delegacionin shqiptar me udhëheqësit të Kongresit dhe të administratës Bush për të nxjerrë në pah rolin e shqiptarëve në paqen dhe stabilitetit në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Presheve.

Lidhja Qytetare Shqiptare Amerikane sjell Pjeter Arbnorin, Ramush Haradinajn, Iliaz Halimin, Rufi Osmanin, NikollëCamajn, Ferhat Dinoshën dhe Riza Halimi në Washington për të informuar Komitetin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Dhomës dhe Grupin e Kongresit për të Drejtat e Njeriut, ku ata priten zyrtarisht si përfaqësuesit e “kombit shqiptar”.

Në korrikun e vitit 2002 Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane nën drejtimin e kongresmenit Joe DioGuardi i jep Senatorit Biden në Capitol Hill Club në Washington DC Çmimin Ballkanik për Paqe në praninë e kryetarit të asaj kohe të parlamentit të Kosovës Nexhat Daci. Këtë çmin presitigjioz Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane në 2002 e ndante për herë të dytë. I pari që e kish marrë këtë çmimi ishte Gjenerali Wesley Clark.

Ndërsa në qershorin e 2002 pas një udhëtimi në Kosovë, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes bindin Kongresmenët Benjamin Arthur Gilman dhe Tom Lantos të paraqesin përpara Kongresit Rezolutën 467 në mbështetje të “Pavarësisë së Kosovës tani”, duke thyer heshtjen e vendosur nga bashkësia ndërkombëtare për statusin përfundimtar të Kosovës.

Të gjitha aktivitetet e Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane të drejtuar nga kongresmeni Joe DioGuardi dhe Këshilltarja për Ballkanin Shirley Cloyes DioGuardi i ka mbuluar asaj kohe në mënyrë besnike gazeta kombëtare Bota Sot. Jo më kot kjo gazetë asaj kohe arriti një tirazh të paparë në historinë mbi njëqind vjeçare të shtypit shqiptar duke shkuar deri në 200 mijë kopje, në Europë, Kosovë, SHBA dhe një periudhë edhe në Maqedoni. /Elida Buçpapaj

 

 

(Video) Ish Kongresmeni Joe DioGuardi u bë një urë lidhëse midis shqiptarëve dhe Presidentit George H W Bush (1984-1992) e djalit të tij Presidentit George W Bush (2000-2008) 

Voal.ch – E kanë harruar shqiptarët ?! Kaq shpejt i ka kapluar harresa ! Shumë keq nëse i harrojnë ata që i kanë shpëtuar nga rreziku i zhbërjes.

Një nga Ëngjëjt e kombit shqiptar është ish Kongresmeni Joe DioGuardi i cili u bë një urë midis Shqiptarëve dhe administratave Amerikane të drejtuara nga nënPresidenti dhe Presidenti George H W Bush (1984-1992) dhe administrata e birit të tij Presidentit Presidentit George W Bush (2000-2008), duke i kthyer edhe dy Presidentë të SHBA Ëngjëj të kombit shqiptar.

A ju kujtohet “Paralajmërimi i Krishtlindjeve” që Presidentit George HW Bush  i dha kasapit të Ballkanit Milosheviç ?

A ju kujtohet kur Presidenti George W Bush e deklaroi pavarësinë e Kosovës në mes të Tiranës më 10 qershorin e 2007 dhe pastaj do ta njihte shtetin e Kosovës më shkurtin e 2008!

Mos harroni!

voal.ch po ju sjell videon që ta shihni me sytë tuaj dhe sytë e mendjes!

 

 

 

SHBA konfirmojnë vdekjen e eksponentit të lartë të al-Kaidas

Jeff Seldin

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar vdekjen e një eksponenti të lartë të al-Kaidas në Afganistan, duke e quajtur këtë zhvillim një goditje të rëndësishme ndaj grupit terrorist, megjithë konfuzionin në njoftimet fillestare për pozicionin e tij në hierarkinë e Al-Kaidas.

Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmoi vdekjen e Abu Muhsin al-Masrit të hënën, duke thënë se forcat amerikane ofruan mbështetje gjatë operacionit afgan në provincën lindore Ghazni.

Në vazhdim, Shtëpia e Bardhë ofroi edhe konfirmimin e saj, duke e lavdëruar operacionin afgan për eliminimin e al-Masrit si një “lajm të mirëpritur”.

Komentet nga zyrtarët amerikanë vijnë dy ditë pasi Drejtoria Qendrore e Sigurisë së Afganistanit (NDS) njoftoi e para vdekjen e al-Masrit nëpërmjet një mesazhi në Twitter në orët e vona të së shtunës, duke e përshkruar atë si numrin dy të njërës prej degëve të Al-Kaidas në Nënkontinentin Indian (AQIS).

NDS gjithashtu tha se al-Masri kishte lidhje të afërta me udhëheqësin e al-Kaidas, Ayman al-Zawahiri, dhe se jetonte në Afganistan nën mbrojtjen e talibanëve.

Në përgjigje të mesazheve në Twitter të palës afgane, Drejtori i Qendrës Kombëtare Amerikane Kundër Terrorizmit, Christopher Miller, i tha të shtunën vonë agjencisë së lajmeve Reuters se vrasja e al-Masrit ishte “një goditje e rëndë” për al-Kaidan, megjithëse nuk pranoi të japë detaje të mëtejshme.

Sidoqoftë, disa zyrtarë amerikanë dhe ndërkombëtarë kundër terrorizmit i thanë Zërit të Amerikës se megjithëse me domethënie, vdekja e al-Masrit nuk është goditja që u përshkrua në disa variante.

Ata thanë se në veçanti raportet që thonë se al-Masri ishte i dyti në hierarki pas Zawahirit janë të gabuara, dhe se e kanë ngatërruar me një tjetër eksponent që ndonjëherë përdor pseudonimin al-Masri.

Ata thonë se al-Masri i vrarë në provincën Ghazni të Afganistanit është Abu Muhsin al-Masri, i njohur gjithashtu si Husam Abd al-Ra’uf, një udhëheqës i lartë i cili së fundmi ishte caktuar të punonte me talibanët për bashkëpunimin operacional dhe koordinimin e strehëve të sigurta për luftëtarët e al-Kaidës.

Këta zyrtarë thonë se udhëheqësi numër dy i al-Kaidës, dhe pasardhës i mundshëm i al-Zawahiri, është një al-Masri tjetër, Abu Muhammad al-Masri, i njohur gjithashtu si Abdullah Ahmed Abdullah.

Ndërsa të dy burrat kanë qenë në listën e më të kërkuarve të FBI-së, Departamenti i Shtetit po ofron një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacionin që sjell Abu Muhammad al-Masrin para drejtësisë.

Në një seri mesazhesh në Twitter të dielën, Presidenti i Afganistanit Ashraf Ghani lavdëroi forcat afgane për operacionin që vrau Abu Muhsin al-Masrin.

Por zoti Ghani paralajmëroi se operacioni tregon se, “terrorizmi mbetet ende një kërcënim i madh për Afganistanin, rajonin dhe botën dhe se talibanët nuk i kanë ndërprerë ende lidhjet e tyre me rrjetet e tjera terroriste, përfshirë al-Kaidën”.

Zyrtarët lokalë i mbështetën këto deklarata duke i thënë shërbimit afgan të Zërit të Amerikës të hënën se luftëtarët talebanë ishin me Abu Muhsin al-Masri kur hynë forcat afgane.

“Një komandant taliban, Emran Hanzalah, dhe disa luftëtarë të tjerë u vranë”, tha Vahidullah Jumah Zada, një zëdhënës i guvernatorit të provincës Ghazni.

Një zyrtar tjetër i tha Zërit të Amerikës se nuk është e zakonshme të shohësh të huaj që duket se janë nën mbrojtjen e talibanëve.

“Njerëz të tillë shihen shumë në rrethet Qarah Bagh, Andar dhe Giru”, tha Esmatullah Jamoradwal, një anëtar i Këshillit Krahinor të Ghaznit. “Ata flasin urdu, arabisht dhe gjuhë të tjera”.

“Talibanët nuk i lënë vendasit t’i shohin ata nga afër dhe është e qartë se mes tyre janë shumë luftëtarë të huaj”, shtoi ai.

Disa zyrtarë të antiterrorit të Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara po nënvlerësojnë forcën e al-Kaidës në Afganistan.

Një raport i OKB-së i publikuar në korrik paralajmëroi se grupimi “është fshehtazi aktiv në 12 provinca afgane”, duke shtuar se komandon ndoshta 400 – 600 luftëtarë.

Raporti tha se AQIS besohet të ketë deri në 200 luftëtarë të tjerë në dispozicion; shumë prej të cilëve po u ofrojnë mbështetje talibanëve.

Senati miraton emërimin e Gjyqtares Amy Coney Barrett në Gjykatën e Lartë

Senati amerikan konfirmoi të hënën Gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Amy Coney Barrett si anëtaren më të re të Gjykatës së Lartë me 52 vota pro dhe 48 kundër.

Senatorja republikane nga shteti Mejn, Susan Collins iu bashkua të gjithë demokratëve të Senatit që votuan kundër emërimit të zonjës Barrett. Senatorja Collins tha se nuk do të votonte për emërimin e Gjyqtares Barrett për shkak të momentit të zhvillimit të këtij votimi, kur mbeten tetë ditë deri në zgjedhjet presidenciale.

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, në bazë të arkivave ekzistuese historike, asnjë anëtar tjetër i Gjykatës së Lartë nuk është konfirmuar pa mbështetjen e asnjë prej senatorëve të partisë opozitare, në të paktën 150 vjet.

Zonja Barrett është e treta anëtare e Gjykatës së Lartë e emëruar nga Presidenti Donald Trump, gjë që ndikon fuqimisht në balancën ideologjike të gjykatës më të lartë në vend. Me përfshirjen e zonjës Barrett, gjykata me nëntë anëtarë ka tani një shumicë të konsiderueshme konservatore prej 6-3.

Shtëpia e Bardhë, gati për ceremoninë e betimit të Gjykatëses Barrett

Shtëpia e Bardhë, gati për ceremoninë e betimit të Gjykatëses Barrett

Anëtari i Gjykatës së Lartë Clarence Thomas pritet të kryesojë ceremoninë e betimit të Gjykatëses Barrett të planifikuar të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë në orët e vona të së hënës.

Demokratët kanë kundërshtuar emërimin e zonjës Barrett, duke shprehur rezerva si për përgatitjen e saj, ashtu edhe për procesin e plotësimit me kaq nxitim të vendit të gjykatëses Ruth Bader Ginsburg.

Demokratët kishin argumentuar se vendimi për zgjedhjen e një anëtari të ri të gjykatës duhet t’i lihej kandidatit që do të fitonte zgjedhjet presidenciale, një qëndrim që republikanët mbajtën për plotësimin e një vendi të zbrazët në gjykatë në fillim të vitit zgjedhor 2016.

“Senati po vepron siç duhet,” tha të dielën udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell. “Ne po vazhdojmë me procesin e emërimit”.

Senati votoi 51- 48 të dielën për t’i mbyllur fjalimet e gjata që synojnë të bllokojnë votimin, duke i hapur rrugën votimit përfundimtar.

“Demokratët po marrin fjalën gjithë natën për të luftuar këtë proces të rremë nga Republikanët e Senatit,” tha udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer. “Ne nuk do të ndalemi së luftuari.”

Senatorja demokrate Elizabeth Warren e cilësoi votën “të papërligjshme” dhe “grahmat e fundit të një partie të dëshpëruar,” njoftoi agjencia e lajmeve Associated Press.

Gjyqtarja Barrett mund të jetë një ndër gjykatësit që mund të peshojnë padi të ngritura lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, megjithëse nuk është e sigurtë nëse ajo do të kërkojë të përjashtohet pasi u emërua nga Presidenti Trump. Gjatë seancave të konfirmimit ajo nuk pranoi të jepte një përgjigje të qartë ndaj pyetjes.

Zonja Barrett do të jetë një nga gjyqtarët që do të vendosin më 10 nëntor nëse do të shfuqizohet Ligjin për Kujdesin Shëndetësor, të cilin zoti Trump ka kërkuar ta rrëzojë.

Ligji, i njohur gjerësisht si “Obamacare”, i miratuar gjatë administratës së ish-Presidenti Barack Obama në 2010, është një masë që siguron kujdes shëndetësor për miliona amerikanë. Fati i ligjit është një shqetësim thelbësor për shumë njerëz mes numrit të shtuar të rasteve të reja të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

Republikanët kanë argumentuar prej kohësh që Obamacare u kushton shumë taksapaguesve dhe i jep qeverisë shumë kontroll mbi kujdesin shëndetësor. Kongresi i udhëhequr nga Republikanët në vitin 2017 eliminoi klauzolën e ligjit e cila e bënte të detyrueshme blerjen e sigurimit shëndetësor. Ata tani duan që Gjykata e Lartë të shfuqizojë ligjin në tërësi, duke thënë se pa këtë dispozitë, pjesa tjetër e ligjit nuk mund të qëndrojë.

Shtëpia e Bardhë: “Nuk do ta kontrollojmë koronavirusin”

Me rritjen sërish të rasteve me koronavirus në Shtetet e Bashkuara, shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows deklaroi të dielën se vendi “nuk do ta kontrollojë pandeminë”.

Zoti Meadows i tha gjithashtu televizionit CNN, “Ne do të kontrollojmë faktin që do të marrim vaksina, terapi dhe masa lehtësuese në aspekte të tjera”.

Në një intervistë me gazetarin Jake Tapper, zoti Meadows mbrojti politikën për pandeminë të Presidentit Donald Trump. Komentet vijnë vetëm nëntë ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit mes kandidatëve Donald Trump dhe Joe Biden.

“Jemi shumë më mirë se sa do të kishim qenë. Presidenti i ka bërë të gjitha,” tha zyrtari, i cili shtoi se kandidati Biden “do t’i fuste të gjithë në izolim”.

Zoti Biden, i cili është më përpara se Presidenti Trump në shumicën e sondazheve në shkallë vendi si dhe në shtetet fushë-betejë, u kundërpërgjigj menjëherë, duke thënë se Presidenti Trump ka provuar që është i paaftë për të kontrolluar shpërthimin e virusit.

“Nuk ishte një lajthitje nga zoti Meadows,” tha kandidati Biden në një deklaratë. “Ishte një pranim i sinqertë i asaj që strategjia e Presidentit Trump ka qenë e qartë që nga fillimi i kësaj krize: të valëvitësh flamurin e bardhë të humbjes dhe të shpresosh që duke e injoruar atë, virusi thjesht do të zhduket. Kjo nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë.”

Zoti Biden shtoi, “Presidenti Trump dhe administrata e tij duhet t’i kishin dëgjuar me kohë shkencëtarët, të kishin marrë masa dhe ta kishin marrë seriozisht kërcënimin e një virusi që kushton mijëra jetë çdo javë, duke mbyllur shkollat ​ dhe duke detyruar miliona amerikanë të mbeten pa punë.”

SHBA kanë regjistruar deri tani një rekord botëror prej 225,000 vdekjesh dhe 8.6 milion infektimesh, sipas Universitetit Johns Hopkins. Më shqetësuese është rritja e shpejtë e numrit të rasteve të reja, me 32% duke arritur në më shumë se 68,000 në ditë javën e fundit dhe në 84,000 të shtunën e kaluar.

Zyrtarë të shumtë të administratës Trump nuk i kanë ndjekur me rreptësi këshillat e ekspertëve qeveritarë të shëndetit për të mbajtur maska dhe për distancim fizik nga njerëzit e tjerë. Të shtunën vonë, zyrtarët njoftuan se Marc Short, shefi i kabinetit të Zëvendës Presidentit Mike Pence, dhe disa ndihmës të tjerë të zoti Pence janë infektuar me koronavirus.

Presidenti Trump mban tubime të përditshme fushate, ku pak nga mbështetësit e tij mbajnë maska, shpesh vetëm ata që ulen në radhët prapa tij dhe që kapen nga kamerat televizive, por jo ata të cilët qëndrojnë grumbull përpara presidentit.

Zoti Meadows tha se fushata e zotit Trump shpërndan maska nëpër tubime por nuk i detyron njerëzit t’i mbajnë ato.

“Është një shoqëri e lirë,” tha zoti Meadows, duke e lënë në dorë të secilit përdorimin e maskës. Presidenti Trump rrallë shihet në publik me maskë, ndërkohë që rivali i tij demokrat e përdor vazhdimisht atë kur bën fushatë para grupeve të vogla të mbështetësve ose virtualisht.

zëri i amerikës

Trump dhe Biden përplasen për koronavirusin, racën, taksat…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden mbajtën debatin e fundit, në më pak se dy javë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Trump, i cili qëndron prapa në shumicën e sondazheve të opinionit, e mbrojti trajtimin e tij të pandemisë së koronavirusit, e cila ishte tema kryesore e debatit.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara “po mësojnë të jetojnë” me virusin dhe se ato do ta kenë një vaksinë kundër tij deri në fund të vitit.

“Duhet të rikuperohemi. Nuk mund ta mbyllim kombin tonë”, tha Trump, i cili vetë ka qenë i infektuar me koronavirus dhe është shëruar.

Biden tha se derisa pandemia përhapet, Trump nuk ka ndonjë plan për të ndaluar një “dimër të errët” të vdekjeve nga koronavirusi.

“Kanë vdekur 220,000 amerikanë. Nëse nuk dëgjoni asgjë tjetër që them sonte, dëgjojeni këtë”, tha Biden. “Kushdo që është përgjegjës për kaq shumë vdekje, nuk duhet të mbetet president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai.

Biden po ashtu i hodhi poshtë akuzat se ai do ta mbyllte përsëri të gjithë vendin, për shkak të pandemisë, duke thënë se në vend të kësaj, do të merrte një qasje shumë më shkencore.

Të dy fajësuan njëri-tjetrin dhe partitë politike të njëri-tjetrit për dështimin për të siguruar një raund të ri të ndihmës financiare për koronavirus, që aktualisht është bllokuar në negociata.

Një faktor kyç në zgjedhjet e këtij viti është votimi i hershëm, për shkak të pandemisë. Deri më tani, rreth 47 milionë amerikanë kanë votuar.

Akuza dhe kundërakuza për korrupsion

Trump po ashtu e sulmoi Bidenin, duke e quajtur politikan “të korruptuar”, ndërsa përsëriti edhe akuzat kundër djalit të tij Hunter, i cili ka shërbyer në bordin e drejtorëve të kompanisë ukrainase të energjisë, Burisma, për pesë vjet, duke filluar nga viti 2014.

Roli i Hunter Bidenit në Burisma është vënë nën vëzhgim të ri, pas akuzave nga Trump, që, sipas tij, janë prova të korrupsionit.

Biden tha se djali i tij nuk ka bërë asgjë të papërshtatshme derisa ka punuar në Burisma. Ai më pas kaloi në ofensivë, duke thënë se Trump është ai që është fajësuar për marrëdhëniet e tij me Ukrainën.

Biden po ashtu tha se akuzat kundër djalit të tij janë hetuar në mënyrë të përsëritur dhe se ato nuk lidhen me ndonjë keqbërje.

Biden e sulmoi presidentin, duke vënë në dyshim taksat dhe lidhjet e tij me biznese të huaja.

Ata i adresuan edhe çështjet racore në SHBA dhe Biden e akuzoi Trumpin për nxitje të racizmit.

Trump, në anën tjetër, tha se ka bërë për afrikano-amerikanët më shumë se çdo president tjetër, përveç Abraham Lincolnin, i cili i ka liruar skllevërit.

Ai vuri në dukje përpjekjet e tij për reforma në drejtësinë penale dhe përsëriti se, para pandemisë, papunësia në mesin e afrikano-amerikanëve ishte e ulët.

Trump gjithashtu e akuzoi Bidenin se nuk ka bërë asgjë për afrikano-amerikanët gjatë dekadave të tij në politikë.

Ai e kritikoi atë edhe për mbështetjen e një ligji për krimin në vitet 1990, i cili ka rritur nivelet e burgimit në SHBA, veçanërisht për burrat afrikano-amerikanë dhe ata që janë gjetur fajtorë për vepra jo të dhunshme të drogës.

Debati përfshiu edhe sigurinë kombëtare, sigurinë e zgjedhjeve, Kinën, imigracionin, ndryshimin e klimës dhe energjinë e ekonominë.

Debati u mbajt me një rregull të ri, me të cilin i fikej mikrofoni kandidatit që nuk fliste. Rregulli u miratua pas debatit të parë Trump-Biden, i cili u përshkua me ndërprerje të fjalës së njëri-tjetrit.

Debati i parë është mbajtur më 29 shtator. I dyti, i planifikuar për 15 tetor, është anuluar, për shkak të infektimit të Trumpit me koronavirus.

Komisioni për Debatet Presidenciale ka dashur ta shndërrojë atë në debat virtual, por Trump nuk ka pranuar të marrë pjesë në një ngjarje të tillë.

Zakonisht në SHBA mbahen tri debate presidenciale përpara zgjedhjeve dhe temat që diskutohen në to janë shpesh çështjet më kontroverse të kohës.

Përgatiti: Valona Tela

Biden propozon krijimin e një komisioni për reformimin e gjyqësorit amerikan

Marrë nga Reuters

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, tha se nëse i fiton zgjedhjet, ai do të krijojë një komision dypartiak për të shqyrtuar reformimin e sistemit të drejtësisë që ai e quajti “të dalë nga binarët”, duke vënë në dukje se ka alternativa të tjera që mund të merren parasysh përveç zgjerimit të Gjykatës së Lartë.

Biden, sfiduesi i Presidentit republikan Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, i bëri komentet në një intervistë për emisionin “60 minuta” të kanalit CBS që do të transmetohet këtë fundjavë. Një pjesë e intervistës u bë publike të enjten.

Ish-nënpresidenti amerikan tha se ai do të krijojë një komision dypartiak të studiuesve ligjorë që do të përfshinte demokratë, republikanë, liberalë dhe konservatorë për të rishikuar gjyqësorin amerikan.

“Unë do t’u kërkoj atyre që, pas më shumë se 180 ditësh, të kthehen tek unë me rekomandime se si të reformohet sistemi gjyqësor sepse ai tani po del nga binarët, dhe kjo nuk ka të bëjë me çështjen e shtimit të numrit të anëtarëve të gjykatës”, shtoi zoti Biden.

“Ka një numër alternativash që … shkojnë përtej mbushjes (së gjykatave me më shumë gjyqtarë)”, tha zoti Biden.

Disa njerëz nga e majta kanë hedhur idenë e rritjes së numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila aktualisht ka nëntë gjyqtarë, nëse zoti Biden fiton, për t’iu kundërvënë zhvendosjes në të djathtë të gjykatës si rezultat i veprimeve të republikanëve të Senatit në vitin 2016 dhe tani. Republikanët e kanë hedhur poshtë idenë duke e quajtuar atë një përpjekje për të “mbushur gjykatën (me anëtarë të partisë në pushtet)”.

Zoti Biden tha javën e kaluar se ai nuk është “një tifoz” i idesë së rritjes së numrit të gjyqtarëve, por i ka lënë të hapura të gjitha opsionet. Numri prej nëntë anëtarësh i Gjykatës së Lartë është caktuar me ligj më shumë se një shekull më parë. Propozimi për krijimin e një komisioni mund të shërbejë si justifikim për zotin Biden që të mos japë një përgjigje përfundimtare mbi rritjen e numrit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë para zgjedhjeve.

Komentet e zotit Biden u bënë publike në të njëjtën ditë që Komisioni Juridik i Senatit amerikan, i kontrolluar nga republikanët votoi për t’i hapur rrugë konfirmimit të plotë të gjyqtares konservatore Amy Coney Barrett, të emëruar nga Presidenti Trump për të mbushur vendin bosh në Gjykatën e Lartë. Senati ka në plan të votojë për konfirmimin përfundimtar të gjyqtares Barret të hënën.

Konfirmimi i saj do t’i jepte organit më të lartë gjyqësor të Shteteve të Bashkuara një shumicë konservatore 6-3, që mund të jetë e rëndësishme në rastet ligjore që përfshijnë abortin, kompetencat presidenciale, të drejtat fetare dhe të armëmbajtjes, të drejtat e komunitetit LGBT dhe çështje të tjera.

Demokratët janë të zemëruar që republikanët e senatit filluan procesin e emërimit të gjyqtares Barrett kaq afër ditës së zgjedhjeve pasi refuzuan në vitin 2016 të fillonin procesin e konfirmimit të kandidatit për anëtar të Gjykatës së Lartë të emëruar nga Presidenti demokrat Barack Obama, me arsyetimin se ishte një vit zgjedhjesh.

Zbulimi amerikan: Rusia, Irani kanë shtënë në dorë të dhëna të votuesve amerikanë

John Ratcliffe, Drejtori i shërbimeve amerikane të zbulimit

Marrë nga Associated Press

Rusia dhe Irani kanë shtënë në dorë informatat e regjistrimit të votuesve amerikanë, tha në një konferencë të rrallë për shtyp kreu i shërbimeve amerikane të zbulimit.

John Ratcliffe, drejtor i shërbimeve amerikane të zbulimit dhe drejtori i FBI-së, Chris Wray thanë se SHBA do të përgjigjej me masa ndëshkuese ndaj çdo vendi të huaj që ndërhynte në zgjedhjet amerikane të 2020.

“Kemi konfirmuar se i njëjti informacion mbi votuesit është shtënë në dorë si nga Irani, ashtu edhe nga Rusia,” tha zoti Ratcliffe gjatë një konference për shtyp të zhvilluar pa paralajmërim. “Kemi diktuar Iranin duke dërguar emaile me emra të sajuara për të frikësuar votuesit, për të nxitur trazira sociale dhe për të dëmtuar Presidentin Trump,” tha ai gjatë komenteve të mërkurën në mbrëmje.

zëri i amerikës

Çfarë ndodh nëse nuk ka fitues të qartë të zgjedhjeve presidenciale në SHBA?

Dy javë nga zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti, ekspertët politikë po analizojnë një sërë skenarësh me të cilat vendi mund të përballet në ditën e zgjedhjeve dhe në javët në vijim. Mundësitë ndryshojnë midis një fitoreje të qartë nga Presidenti Donald Trump ose ish-nënpresidenti Joe Biden, dhe një beteje të pazgjidhur ligjore që e lë rezultatin të pasigurt në janar, kur Kongresi i ri duhet të çertifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Ekspertët thonë se përcaktimi i fituesit të këtyre zgjedhjeve është veçanërisht i tensionuar për shkak të një niveli të paprecedent të votimit në mungesë të nxitur nga pandemia e koronavirusit. Dallimet e ligjeve mes shteteve mbi mënyrën dhe kohën e numërimit të fletëvotimeve në mungesë lenë të kuptohet se mund të duhen ditë ose javë për të përfunduar numërimin e votave.

Në atë që ai e quan “skenar makthi”, studiuesi politik William Galston i Institutit Brookings thotë se kontestimi i zgjedhjeve me rezultat të ngushtë për të cilin ka dyshime do ta “[zhyste] vendin në kaos në rrethana shumë të pafavorshme”.

Presidenti Trump ka ngritur vazhdimisht shqetësimin që përdorimi masiv i fletëvotimeve me postë do të çonte në një rezultat të manipuluar të zgjedhjeve dhe ka refuzuar vazhdimisht të angazhohet paraprakisht për një transferim paqësor të pushtetit nëse ai humbet. Zoti Biden ka thënë se ai do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve, me kusht që të ketë një numërim të drejtë të votave.

Duke patur parasysh trazirat e mundshme që mund të shkaktojnë zgjedhjet e kontestuara, skenari më i mirë do të ishte një rezultat i qartë ose gati i sigurt natën e zgjedhjeve, që edhe mund të ndodhë. Por natyra e sistemit amerikan të zgjedhjes së presidentit lë të hapura rezultate të ndryshme.

Një proces kompleks

Joe Biden, sfiduesi demokrat, aktualisht gëzon një epërsi afërsisht prej 9 deri në 10 pikësh në sondazhet në të gjithë vendin, por presidenca nuk fitohet në bazë të votës popullore. Zgjedhjet presidenciale amerikane vendosen përmes një sistemi kompleks me dy hapa në të cilin votat në nivelin shtetëror pasohen nga një votim i dytë në një organ të njohur si Kolegji Zgjedhor. Shteteve individuale u caktohet një numër i dhënë “elektorësh”, bazuar në popullsinë, dhe pasi të jenë numëruar votat çertifikohet një listë personash që mbështesin fituesin e votës popullore në secilin shtet. (Vetëm në dy shtete, Mejn dhe Nebraska, është e mundur që kandidatët t’i ndajnë mes tyre votat elektorale.)

The U.S. Electoral College

The U.S. Electoral College

Sondazhet në disa shtete të caktuara nxjerrin se pavarësisht se është prapa në sondazhet në nivel vendi, Presidenti Trump mund t’i fitojë zgjedhjet edhe nëse ai nuk merr më shumë vota se rivali i tij, siç bëri në vitin 2016, duke fituar në Kolegjin Zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor mblidhet më 14 dhjetor për votimin që përcakton zyrtarisht se kush do të jetë presidenti i ardhshëm. Për të arritur fitoren, një kandidat duhet të marrë të paktën 270 nga gjithsej 538 votat e Kolegjit Zgjedhor. Votat numërohen zyrtarisht në një seancë të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit më 6 janar.

Ndërsa shumë shteteve do t’u duhen ditë ose edhe javë për të përfunduar numërimin e të gjitha votave, një numër shtetesh kyçe për rezultatin e zgjedhjeve pritet të shpallin rezultatet e plota ose gati të plota në mbrëmjen e zgjedhjeve ose në fillim të ditës pasuese.

Mes tyre është Florida, një shtet që Presidenti Trump e fitoi në vitin 2016 dhe ku ai dhe zoti Biden tani janë në një garë të ngushtë. Një fitore e zotit Biden në këtë shtet do t’i siguronte atij 29 vota elektorale dhe do t’ia mbyllte gati të gjitha rrugët e fitores zotit Trump. Karolina e Veriut, me 15 vota elektorale dhe Arizona me 11, gjithashtu të rëndësishme për shumicën e skenarëve që mund t’i japin fitoren Presidentit Trump, ka të ngjarë t’i njoftojnë rezultatet herët.

“Ka një arsye për të besuar se ato shtete mund të jenë në gjendje të përfundojnë numërimin e plotë të votave natën e zgjedhjeve, ose mëngjesin e ditës tjetër”, tha Richard H. Pildes, ekspert i ligjit të zgjedhjeve dhe profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Nju Jorkut . “Nëse ne e dimë, për shembull, se Presidenti Trump ka humbur Floridën, atëherë edhe nëse Miçigani, Pensilvania dhe Uiskonsini nuk do të kishin përfunduar numërimin e votave, do të kishim një arsye shumë të fortë për të besuar se zoti Biden do t’i fitonte zgjedhjet.”

Miçigani ka 16 vota elektorale, Pensilvania 20 dhe Uiskonsini 10.

Zoti Pildes shton se në një skenar ku rezultati në Florida është shumë i ngushtë dhe nuk mund të përcaktohet fituesi natën e zgjedhjeve, ndërsa shtetet e tjera janë të ndara midis kandidatëve, gjërat shumë shpejt mund të bëhen të debatueshme.

Betejat e mundshme ligjore

“Nëse rezultati është i pasigurt nga, le të themi herët në mëngjes të nesërmen, sepse ka shtete që nuk mund të përfundojnë numërimin e plotë për shkak të vëllimit masiv të fletëvotimeve në mungesë që ende duhet të numërohen … atëherë unë do të prisja mosmarrëveshje të forta në ato shtete për secilën prej atyre fletëvotimeve në mungesë, dhe debate nëse ato duhet të trajtohen si të vlefshme”, thotë Pildes.

Ka disa momente kryesore midis ditës së zgjedhjeve dhe çertifikimit të rezultatit nga Kongresi më 6 janar. I pari prej tyre është 8 dhjetori, e ashtuquajtura data “e sigurt” deri në të cilën shtetet pritet të paraqesin listat e çertifikuara të zgjedhësve tek Arkivisti i Shteteve të Bashkuara.

Early voting Arlington, Virginia

Early voting Arlington, Virginia

Në rast se një shtet nuk e ka përfunduar numërimin e votave deri në atë datë, ose për shkak të vazhdimit të numërimit apo veprimeve ligjore, ekziston një dispozitë në ligjin federal që lejon legjislaturën e shtetit të mblidhet dhe të caktojë një listë të elektorëve pa e ditur numrin përfundimtar të votave. Kjo krijon mundësinë që një legjislaturë partiake të caktojë një listë elektorësh që mbështesin kandidatin, i cili në fund humbet votën popullore të shtetit.

Në shtetet ku guvernatori dhe legjislatura janë të ndara midis palëve, ekziston një faktor tjetër komplikues. Për shkak se është guvernatori që zyrtarisht çertifikon listën e zgjedhësve pas një votimi, është e mundur që një shtet mund të paraqesë dy lista elektorësh, të dyja me një pretendim të besueshëm legjitimiteti.

Sipas ligjit federal, nëse Kongresi i ri paraqitet me dy lista konkurruese elektorësh nga i njëjti shtet, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati votojnë për të përcaktuar se cila do të pranohej. Nëse bien dakord, atëhere merret propozimi që ata zgjedhin. Nëse ata nuk bien dakord, fiton lista e çertifikuar nga guvernatori.

Një rezultat i barabartë në Kolegjin Zgjedhor

Është gjithashtu e mundur, megjithëse nuk ka gjasa, që të mos ketë asnjë fitues të presidencës edhe pas numërimit të votave elektorale. Nëse të dy kandidatët përfundojnë me nga 269 vota secili, është Dhoma e Përfaqësuesve që vendos për fituesin. Megjithatë, në vend të një vote për secilin nga 438 anëtarët Dhomës së Përfaqësuesve, delegacionet për secilin shtet votojnë si një grup, që do të thotë se partia dominuese në secilin shtet do të kontrollonte votën e saj.

Një rezultat i tillë do t’u jepte afërsisht të njëjtën peshë të 600,000 qytetarëve të shtetit Uajoming në zgjedhjen e presidentit sa 40 milionë qytetarëve të Kalifornisë.

Një alternativë e fundit në sistem është mundësia që disa nga zgjedhësit e dërguar për të votuar për presidentin më 14 dhjetor të rezultojnë “të pabesë”. Në një numër të kufizuar rastesh gjatë viteve, elektorët që duhet të votojnë për një kandidat të caktuar kanë hedhur votat e tyre në Kolegjin Zgjedhor për kandidatin tjetër.

Disa shtete kanë miratuar ligje që detyrojnë zgjedhësit të votojnë ashtu siç ka votuar shumica e votuesve të shtetit dhe Gjykata e Lartë ka vendosur që kufizime të tilla janë të ligjshme. Mbetet e mundur që zgjedhësit “e pabesë” të përpiqen të ndikojnë në rezultatin zgjedhjeve, por ekspertët theksojnë se rezultati duhet të jetë tepër i ngushtë që një përpjekje e tillë të jetë e suksesshme dhe do të duhej një shkallë e lartë koordinimi mes anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që do të ishte e vështirë për t’u realizuar.

Është e rëndësishme të theksohet se ndërsa janë të mundur, shumica e këtyre skenarëve nuk ka të ngjarë të ndodhin.

Profesori Pildes, nga Universiteti i Nju Jorkut, thekson se edhe pa një numërim të plotë ë natën e zgjedhjeve, në fund mund të jetë e qartë se kush do të jetë fituesi.

“Edhe në shtetet që nuk mund ta përfundojnë dot numërimin e votave, qarqet e veçanta në ato shtete mund ta përfundojnë numërimin”. “Dhe media do të bëjë krahasimin e rezultatit të votimit të vitit 2020 për Presidentin Trump në ato qarqe me ato të vitit 2016. Dhe nëse nuk paraqitet mirë në mënyrë sistematike ose paraqitet shumë mirë bazuar në këtë krahasim, ky do të jetë një informacion që mund të sinjalizojë shumë fort se në cilin drejtim po shkojnë zgjedhjet, edhe nëse fituesi nuk mund të deklarohet zyrtarisht … Unë mendoj se kjo është e mundur ashtu si çdo skenar tjetër”, thotë profesor Pildes.

zëri i amerikës

SHBA, 300 mijë viktima që nga fillimi i COVID-19

New York

Një raport i ri qeveritar tregon se që kur filloi pandemia e koronavirusit (COVID-19), SHBA regjistroi 300 mijë vdekje, më shumë sesa zakonisht, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë ndjekur sa vdekje janë raportuar dhe i kanë krahasuar ato me numrat e nxjerra në vitet e tjera. Zakonisht, midis fillimit të shkurtit dhe fundit të shtatorit, raportohen rreth 1.9 milionë vdekje. Këtë vit, kjo shifër ka arritur në afër 2.2 milionë, një rritje prej 14.5 për qind.

CDC thotë se koronavirusi merr pjesë me rreth dy të tretat e numrit të rritur të vdekjeve. Zyrtarët e CDC-së thonë se ka të ngjarë që virusi të jetë faktor edhe në shumë vdekje të tjera. Për shembull, dikush me simptoma të sulmit në zemër mund të ketë hezituar të shkojë në spital që ishte përplot me pacientë me COVID-19.

Segmenti më i madh i vdekjeve të stërzmadhuara, rreth 95 mijë, ishte tek personat e moshuar nga mosha 75 deri në 84 vjeç. Kjo përbën 21.5 për qind më shumë se në një vit normal. Por, rritja më e madhe relative, 26.5 për qind ishte tek personat e moshës prej 25 deri në 44 vjeç. Vdekjet tek personat më të rinj se 25 vjeç shënuan rënie të lehtë.

Vdekjet u regjistruan tek grupe të ndryshme racore dhe etnike, por rritja më e madhe prej 54 për qind u regjistrua midis hispanikëve amerikanë.

Melania Trump anulon paraqitjen në një tubim fushate për arsye shëndetësore

Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump nuk mori pjesë të martën në një tubim fushate me Presidentin Donald Trump për shkak të një kolle të zgjatur nga Covid-19, sipas shefes së personelit të saj, Stephanie Grisham.

Grisham tha të martën se shëndeti i zonjës Trump vazhdon të përmirësohet çdo ditë pasi ajo dhe presidenti njoftuan në fillim të tetorit se ishin infektuar me koronavirusin.

Zonja e parë ka vendosur të mos e shoqërojë PresidentinTrump në një tubim fushate të martën mbrëma në Erie të Pensilvanisë si një “masë shtesë kujdesi”, tha zonja Grisham.

Melania Trump, e cila njoftoi javën e kaluar se ishte shëruar nga Covid-19, bëri paraqitjen e saj të fundit publike gjatë debatit të 29 shtatorit midis Presidentit Trump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden.

zëri i amerikës

FAKSIMILE – Nga pavarësia, dialogu me Serbinë deri tek integrimi në BE, zbulohet plani i Joe Biden për Kosovën dhe Shqipërinë

Kandidati për president të SHBA-së, Joe Biden  ka publikuar një plan disapikësh, ku ka shpalosur se do të jenë marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën dhe Shqipërinë.

Në letrën e dërguar nga komiteti shqiptaro-amerikan, Biden thotë se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Më tej, Biden thotë se duhet të anulohet qasja e Administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke rivendosur drejtësinë dhe barazinë në marrëdhëniet mes tyre dhe duhet punuar drejt një bashkëpunimi më të madh.

“Ai do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje stabilizuese – të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja reciproke”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu Biden thotë se do të mbështesë dënimin e krimeve në Kosovë, dhe do të kërkojë drejtësi për të zhdukurit, duke përmendur edhe vëllezërit Bytyqi.

Ndër të tjera, përmend edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, si dhe hapat për integrimin në Bashkimin Evropian, përfshirë marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Joe Biden po ashtu ka treguar se e ka mbështetur ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për çlirimin e Kosovës.

Në letër thuhet po ashtu se do të përkrahë Shqipërinë dhe integrimin e saj në BE.

Komploti për rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit ngre shqetësime për dhunë gjatë zgjedhjeve

Michael John Null and Willam Grant Null (djathtas) ndër të akuzuarit e datës 8 tetor 2000 qëndrojnë me armë në ndërtesën qeveritare të shtetit Miçigan

 

Në shtetin amerikan Miçigan, autoritetet kanë kapur 13 persona që akuzohen se po planifikonin rrëmbimin dhe ndoshta vrasjen e guvernatores së këtij shteti. Koha e zbatimit të këtij plani, në të cilin përfshihej një grup paramilitar i armatosur me armë gjysmë-automatike dhe eksplozivë, ishte planifikuar të zbatohej në kohën e duhur për të prishur zgjedhjet amerikane dhe për të ngjallur një rebelim. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble, foli me ekspertë të cilët paralajmërojnë se mesazhi provokativ nga liderët dhe mediat sociale me rregulla të dobëta, mund të jenë duke e orientuar klimën politike amerikane drejt dhunës.

 

Pranverën e kaluar, në Shtetet e Bashkuara shpërthyen protesta kundër masave të sigurisë për pandeminë. Në tubimet përpara godinës qeveritare të shtetit Miçigan në prill dhe maj, disa protestues shprehën dëshpërim për humbjen e të ardhurave, ndërsa të tjerët u nxitën nga ajo që ata e konsideruan si një abuzim i pushtetit nga Guvernatorja demokrate Gretchen Whitmer.

 

Disa protestues sollën edhe armë në legjislaturën e shtetit.

 

Nëse nuk do të sillnim armët tona, këta njerëz nuk do të mbroheshin dhe qeveria mund ta tejkalonte autoritetin e saj sa të dëshironte“, thotë Duncan instruktor i armëve të zjarrit.

 

Javën e kaluar, 13 burra u akuzuan për komplot për rrëmbimin e guvernatores në përpjekje për të nxitur një kryengritje të dhunshme përpara zgjedhjeve të nëntorit.

 

Disa nga të arrestuarit kishin qenë pjesëmarrës të rregullt në tubimet kundër masave të izolimit, aktivitete këto të organizuara dhe të mbështetura nga operativë politikë me lidhje të forta në spektrin e djathtë, thotë Lisa Graves, e cila drejton një grup studimor të politikave publike.

 

Ka grupe të konsoliduara që po ndihmojnë disa grupe që ishin më në periferi“, thotë Lisa Graves, drejtore ekzekutive e “True North Research”.

 

Këto grupe të krahut të djathtë po nxisnin përpjekjet për të shfuqizuar urdhërat (për izolimin) dhe duke e quajtur atë tirani. Dhe nuk ishin vetëm ata, por edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara“, thotë zonja Graves.

 

Këto janë rrethanat kur retorika mund të inkurajojë njerëzit që mund të kenë prirje për dhunë“, thotë zonja Graves.

 

Pas arrestimeve, Guvernatorja Whitmer akuzoi Presidentin Donald Trump se “ushqen mosbesimin dhe nxit zemërimin”. Presidenti Trump u përgjigj duke shkruajtur në Twitter se ai nuk e toleron “dhunën ekstreme” dhe se “Guvernatorja Whitmer ka bërë një punë të tmerrshme”.

 

Shtatë nga burrat e akuzuar ishin anëtarë të një milicie anti-qeveritare që rekruton dhe komunikon duke përdorur Facebook-un. Dhe megjithëse kompania Facebook lajmëroi FBI-në për deklaratat e zjarrta të grupit, ekspertë si Joan Donovan thonë se kompanitë e mediave sociale nuk kundërveprojnë gjithnjë ndaj kërcënimeve.

 

Për mua, kjo është më shumë një shenjë paralajmëruese se ka grupe të tjera që ndoshta po bëjnë plane të tilla“, thotë Joan Donovan, Drejtore Kërkimesh, në Qendrën e Harvardit “Kennedy Shorenstein” për Politikën e Medias dhe Politikën Publike.

 

Dhe nëse kompanitë që i kanë ndërtuar këto rrjete për të transferuar informacione nuk janë të vetëdijshme për atë çfarë transmetohet, atëherë kjo e vë publikun në rrezik shumë më të madh“, thotë zonja Donovan.

 

Gjatë këtij viti u panë gjithashtu protesta mbi vrasjet nga policia të qytetarëve afrikano-amerikanë që shpërthejnë në të gjithë vendin, me disa valë dëmtimi të pronës, plaçkitje dhe përplasje me kundër-protestuesit.

 

Drejtori i FBI-së Christopher Wray kohët e fundit trajtoi kërcënimin e përshkallëzuar të ekstremizmit në dëshminë e tij përpara Kongresit.

 

Megjithëse shumica e protestuesve kanë qenë paqësorë, ne kemi hapur hetime mbi individë të përfshirë në veprimtari kriminale në këto protesta, disa prej të cilëve u përmbahen axhendave të dhunshme ekstremiste të krijuara për të mbjellë mosmarrëveshje dhe trazira“, tha zoti Wray.

 

Votimi i hershëm tashmë është duke u zhvilluar në pjesën më të madhe të Amerikës dhe FBI-ja po përpiqet të garantojë amerikanët për sigurinë e zgjedhjeve dhe u ka bërë thirrje njerëzve të raportojnë krime të dyshuara zgjedhore ose frikësimin e votuesve.

Mbi 8 milionë infektime me koronavirus në SHBA

Rastet e përditshme të COVID-19 kanë arritur nivele rekord në të gjithë botën, veçanërisht në Evropë dhe kontinentin amerikan, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë të premten.



Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha gjatë një konference për shtyp në Gjenevë se një numër rekord rastesh u raportuan në secilën prej katër ditëve të fundit.

“Duhet të kemi parasysh se kjo është një pandemi e pabarabartë,” tha Ghebreyesus. “Vendet kanë reaguar ndryshe dhe vendet janë prekur ndryshe. Pothuajse 70% e të gjitha rasteve të raportuara në shkallë globale javën e kaluar ishin nga 10 vende, dhe pothuajse gjysma e të gjitha rasteve ishin nga vetëm tre vende.”

Shtetet e Bashkuara kishin më shumë infeksione të reja gjatë një periudhe 24-orëshe se çdo vend tjetër, me 63,610, me numrin e përgjithshëm të rasteve të premten në mbi 8 milionë, numri më i lartë në gjithë botën, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins.

SHBA gjithashtu ka numrin më të madh të viktimave nga COVID-19, me mbi 218,000 të vdekur.

Rritje në pesë shtete

Fluksi në Shtetet e Bashkuara i atribuohet rritjes së niveleve të infeksionit në shtetet e Teksasit, Ilinoit, Uiskonsit, Floridës dhe Kalifornisë, sipas të dhënave të mbledhura nga Johns Hopkins.

India regjistroi 63,371 raste të reja të Premten, ndërsa pati gjithashtu rritje të ndjeshme të numrit të infeksioneve në Francë, Brazil dhe Britani.

Rritje shqetësuese në Evropë

Maria Van Kerkhove e OBSH-së u tha gazetarëve të Premten se 80% e vendeve të Evropës po përjetonin rritje të ndjeshme në rastet e COVID-19.

Në Britani, ku Universiteti Johns Hopkins raportoi gati 19,000 raste të reja të premten, Kryeministri Boris Johnson paralajmëroi se do ta detyronte Mançesterin e Madh të vendoste nivelin më të rreptë të kufizimeve të koronavirusit të vendit pasi zyrtarët lokalë refuzuan të vendosnin kufizime në zonat me norma të larta infektimi.

Të shtunën, Franca do të fillojë një ndalim-qarkullim nga ora 21:00 deri në 6 të mëngjesit për rajonin e Parisit dhe të paktën shtatë qytete të tjera: Lion, Grenoble, Aix-en-Provence, Montpelie, Lilë, Rouen dhe Saint-Etienne. Ndalim-qarkullimi do të qëndrojë në fuqi për të paktën katër javë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe guvernatorët e 16 shteteve të vendit kanë rënë dakord të vendosin një raund të ri kufizimesh në mbarë vendin pasi panë raste të reja rekord të COVID-19. Kufizimet përfshijnë mbylljen herët të bareve dhe restoranteve dhe kufizimin e numrit të njerëzve që lejohen të mblidhen në publik.

Merkel tha të Premten se një samit i planifikuar i Bashkimit Evropian mbi politikën e Kinës të bllokut 27-vendesh në Berlin muajin e ardhshëm ishte anuluar për shkak të pandemisë së ringjallur.

Italia raportoi më shumë se 10,000 infeksione të reja gjatë 24 orëve të fundit të Premten, numri më i lartë ditor që nga fillimi i pandemisë në vend. Italia ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve në Evropë pas Britanisë, duke raportuar më shumë se 36,400 vdekje që nga fillimi i pandemisë në shkurt.

Që nga mesdita e së Premtes, kishte më shumë se 39 milion raste COVID-19 në të gjithë botën dhe më shumë se 1.1 milion vdekje globale COVID-19, sipas Universitetit Johns Hopkins./VOA

Fluksi i madh i votave të hershme, transformon zgjedhjet e 2020

Marrë nga Associated Press

Më shumë se 17 milionë amerikanë kanë hedhur votën për zgjedhjet e vitit 2020, një shifër që ka thyer rekord për votimin e parakohshëm, falë mobilizimit të demokratëve dhe një pandemie që ka transformuar mënyrën e votimit në vend.

Kjo shifër përfaqëson 12% të të gjitha votave të hedhura në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, edhe pse tetë shtete ende nuk kanë njoftuar për totalin e tyre dhe votuesit kanë ende edhe më shumë se dy javë kohë për të hedhur votat.

Nxitimi i amerikanëve për të votuar po bën që ekspertët e zgjedhjeve të parashikojnë se mund të hidhen një rekord prej 150 milion votash dhe pjesëmarrja mund të jetë më e lartë se në çdo zgjedhje presidenciale që nga viti 1908.

“Është e pabesueshme”, tha Michael McDonald, një ekspert i shkencave politike në Universitetin e Floridës i cili ka ndjekur prej kohësh procesin e votimit për faqen e tij ElectProject.org.

Analiza e Prof. McDonald tregon se afërsisht 10 herë më shumë njerëz kanë votuar krahasuar me të njëjtën kohë në vitin 2016.

“Është e sigurt se këto do të jenë zgjedhje me pjesëmarrje të lartë,” tha Prof. McDonald.

Deri tani, pjesëmarrja ka qenë jo e balancuar, me një numër më të madh demokratësh se republikanët me një raport 2-1 në 42 shtetet e përfshira në numërimin e agjencisë Associated Press.

Republikanët e prisnin këtë avantazh të hershëm demokrat prej muajsh me radhë, pasi Presidenti Donald Trump ka sulmuar votimin me postë, duke ngritur shqetësime të pabazuara në lidhje me manipulime të mundshme.

Sondazhet, dhe tani votimi i hershëm, sugjerojnë që retorika i ka larguar anëtarët e partisë së tij nga një metodë votimi ku tradicionalisht, ata mbizotëronin në javët para ditës së zgjedhjeve.

Kjo u jep demokratëve një avantazh taktik në pjesën e fundit të fushatës. Në shumë shtete kritike të betejës, Demokratët i kanë “siguruar” një pjesë të votuesve të tyre dhe tani mund ta kthejnë energjinë dhe fondet drejt votuesve më të vështirë për t’u gjetur.

Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se demokratët do të kryesojnë në vota deri në kohën e numërimit të fletëve të votimit. Të dyja partitë parashikojnë një rritje të votave të republikanëve në ditën e zgjedhjeve që mundet brenda pak orësh, të zhvendosë në mënyrë dramatike dinamikën.

“Numrat republikanë do të rriten,” tha John Couvillon, një anketues republikan i cili po ndjek votimin e hershëm. “Pyetja është me çfarë shpejtësie dhe kur?”

Zoti Couvillon tha se demokratët nuk duhet ta flenë mendjen me avantazhin e tyre të votimit të hershëm, por se edhe republikanët vetë po marrin një rrezik të madh në sy.

Një numër faktorësh, nga rritja e infeksioneve të virusit tek moti, mund të ndikojë në pjesëmarrjen në person në ditën e zgjedhjeve.

“Nëse i mbajnë të gjitha shpresat tek një ditë votimi, ky është me të vërtetë një rrezik i lartë,” tha zoti Couvillon.

Kjo është arsyeja pse, pavarësisht retorikës së zotit Trump, fushata dhe partia e tij po inkurajojnë votuesit e tyre të hedhin vota me postë ose herët dhe personalisht. Fushata, e cila ka dërguar vullnetarë dhe punonjës në terren për muaj me radhë megjithë pandeminë, pretendon se ajo ka regjistruar më shumë votues këtë vit sesa demokratët në shtetet kryesore si Florida dhe Pensilvania.

Por nuk ka pasur edhe aq sukses në bindjen e bazës për votimin në mungesë. Në shtetet kyçe, Republikanët mbeten shumë më pak të interesuar për të votuar me postë. Në Pensilvani, më shumë se tre të katërtat e më shumë se 437,000 fletëvotimeve të dërguara deri më tani kanë qenë nga demokratët.

Në Florida, gjysma e të gjitha fletëve të votimit të dërguara deri më tani kanë qenë nga demokratët dhe më pak se një e treta e tyre nga republikanët. Edhe në Kolorado, një shtet ku çdo votuesi i dërgohet një fletë votimi me postë dhe republikanët zakonisht dominojnë javën e parë të votimit, vetëm 19% e fletëve të votimit të dërguara kanë qenë nga republikanët.

“Të gjitha këto janë inkurajuese, por tre javë është një kohë e gjatëj,” thotë strategjisti demokrat Tom Bonier tha për shifrat e hershme të votave. “

Votimet në masë janë bërë pa u shoqëruar nga përleshje të dhunshme në vendet e votimit që disa aktivistë dhe zyrtarë të zbatimit të ligjit kishin frikë se mund të ndodhte. Ka pasur disa gabime të konsiderueshme, si për shembull 100,000 fletë votimi defektoze të dërguara në New York, apo 50,000 në Columbus, Ohio. Por ka pak prova për probleme masive që disa vetë u druheshin, pasi zyrave zgjedhore iu desh që të fillonin të merreshim me një fluks votimesh të hershme.

Por ka pasur radhë të jashtëzakonshme dhe pritje për orë të tëra në Georgia, Texas dhe Karolinën e Veriut me hapjen e votimit të hershëm në këto shtete. Vonesat ishin kryesisht rezultat i burimeve të pamjaftueshme për të përballuar fluksin, diçka që aktivistët pretendojnë se është një formë e shtypjes së votuesve.

Republikanët argumentojnë se këto shenja entuziazmi janë pa vlerë pasi ata thonë se votuesit e hershëm demokratë janë njerëz që do të kishin votuar gjithsesi.

Por një analizë e AP për votimin e hershëm tregon se 8% e votuesve të hershëm nuk kishin votuar asnjëherë votim më parë, dhe 13.8% kishin votuar në gjysmën ose më pak të zgjedhjeve të mëparshme për të cilat kishin të drejtën e votës.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se votuesit përqafojnë votimin me postë, e cila zyrtarët shëndetësore thonë se është mënyra më e sigurt për të shmangur infeksionin e koronavirusit gjatë votimit. Nga votuesit e hershëm, 82% e dërguan votën me postë dhe 18% personalisht. Votuesit afrikano-amerikanë përbëjnë 10% të votave të hedhura, një shifër që përputhet me përqindjen e tyre në elektorat, sipas analizës së AP të të dhënave nga L2, një firmë politike e të dhënave. Kjo është një shenjë se ata votues, të cilët kanë më pak të ngjarë të votojnë me postë sesa të bardhët dhe hispanikët, e kanë përqafuar këtë metodë.

Fletëvotimet me postë deri më tani kanë anuar nga votuesit e moshuar. Gjysma e tyre që vijnë nga votuesit mbi moshën 64 vjeç. Tradicionalisht, votuesit e rinj dhe të pakicave dërgojnë fletët e tyre të votimit më pranë ditës së zgjedhjeve ose votojnë personalisht.

Fletëvotimet e dërguara tashmë në disa shtete janë shumë herë më të shumta se i gjith totali i zgjedhjet e mëparshme. Në Uiskonsi, janë hedhur më shumë se pesë herë më shumë fletëvotime me postë deri tani krahasuar me shifrën totale të vitit 2016. Karolina e Veriut ka parë gati trefishin e numrit deri më tani. Votimi i hershëm në person filloi këtë javë në disa shtete të mëdha dhe gjithashtu theu rekorde, veçanërisht në zonat metropolitane me popullata me prirje demokratike. Në Teksas, Qarku Harris i Hjustonit pa një rekord me 125,000 vota. Në Xhorxhia, radhët me orë të tëra zgjateshin nga qendrat e votimeve përmes pjesës më të madhe të zonave urbane të shtetit.

Tunde Ezekiel, një avokat 39-vjeçar dhe demokrat i cili votoi herët në Atlanta të enjten, tha se ai donte të ishte i sigurt se ai kishte një shans për të hequr zotin Trump nga detyra:

“Nuk e di se si do të jetë situata në ditën e zgjedhjeve. Dhe unë nuk doja të rrezikoja.”

Mobilizimi i dukshëm midis demokratëve ka entuziazmuar operativët e partisë, por ata vërejnë se është vështirë të thuhet se cili do të jetë rezultati përfundimtar.. Republikanët mund të jenë po aq të motivuar, por duke pritur për ditën e zgjedhjeve.

“Secila nga palët mund të përfitojë nga pjesëmarrja e lartë,” tha zoti Bonier. “Nuk i dihet”. zëri i amerikës

Trumpi: Do të pranoj transferimin paqësor të pushtetit

Washington DC

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump të enjten tha se do të pranojë transferim paqësor të pushtetit nëse rivali i tij demokrat fiton presidencën më 3 nëntor, por këmbënguli se dëshiron të shohë “zgjedhje të ndershme”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ata përpiqen të heqin një president të zgjedhur në mënyrë të rregullt dhe pastaj thonë ‘A do të pranoni një tranzicion paqësor?’ – dhe përgjigjja është po. Unë do të pranoj, por dua që të jenë zgjedhje të ndershme dhe ashtu bëjnë të gjithë të tjerët”, tha Trump gjatë një debati të organizuar nga NBC News në Miami, Florida.

Ai më parë vazhdimisht kundërshtonte kryerjen e transferimit paqësor, një shenjë dalluese e sistemit zgjedhor të SHBA-ve, mbi pretendimet e deritanishme të pabazuara të mashtrimit të lidhura me votimin përmes postës, e cila po përdoret në shkallë të mundshme historike mes pandemisë së koronavirusit.

Trump në mënyrë të përsëritur ka kërkuar të vendosë në hetime fushatën e tij, përfshirë bashkëpunimin e mundshëm me Rusinë, si një komplot i thellë shtetëror kundër tij i inskenuar nga demokratët dhe simpatizantët e tyre.

“Është një lloj ironie që t’i dhe ata flasin për transferimin paqësor kur kalova 3 vjet e gjysmë duke luftuar kundër këtyre maniakëve”, i tha ai mikpritëses Savannah Guthrie.

“Transferim paqësor? Unë absolutisht e dua atë. Por, idealisht, nuk dua të transferohem, sepse dua të fitoj”, tha Trump.

Pezullohet gazetari që do të moderonte debatin Trump-Biden

Steve Scully (djathtas) ka mbuluar zgjedhjet presidenciale në C-SPAN për gati 30 vjet dhe ka krijuar një reputacion për mbulim të balancuar. Në këtë fotografi të vitit 2007 është ai dhe ish-presidenti amerikan, George Bush.

Steve Scully, gazetar i kanalit kabllor C-SPAN, u pezullua për kohë të pacaktuar.

Scully do të moderonte debatin e planifikuar për 15 tetor, por ai është anuluar, pasi organizatorët e kanë shndërruar në debat virtual.

Organizatorët e kanë cilësuar si shqetësim infektimin e Trumpit me koronavirus, por Trump ka refuzuar të marrë pjesë në debat virtual.

Javën e kaluar, Scully ka qenë i përfshirë në një shkëmbim në Twitter me Anthony Scaramuccin, ish-ndihmës i Trumpit, tani kritik i tij.

Scully është dukur se ka kërkuar këshilla prej tij.

Kur shkëmbimi ka nxitur polemika, Scully ka thënë se llogaria e tij është hakuar.

Në një deklaratë të kërkim-faljes, Scully tha se ka zhgënjyer kolegët e tij. “U kërkoj falje atyre”, tha ai.

“Ne u dëshpëruam shumë nga ky lajm dhe nuk i falim veprimet e tij”, tha përmes një deklarate kanali C-SPAN.

Scully ka mbuluar zgjedhjet presidenciale në C-SPAN për gati 30 vjet dhe ka krijuar një reputacion për mbulim të balancuar.

Është e paqartë se kur do të kthehet, por pezullimi i tij sugjeron se ai do të jetë jashtë programit në natën e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 3 nëntor. rel

Shtetet e Bashkuara përgatiten për dhunë të mundshme Ditën e Zgjedhjeve

Jeff Seldin

UASHINGTON – Zyrtarët e ngarkuar për sigurinë e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në mbarë Shtetet e Bashkuara, po marrin masa paraprake shtesë, duke u përgatitur për mundësinë jo vetëm të sulmeve të mundshme kibernetike më 3 nëntor dhe ditët që pasojnë, por edhe për dhunë të mundshme.

Paralajmërimet më të forta dhe ndoshta më të zymtat, nuk vijnë nga autoritetet federale, por nga zyrtarët shtetërorë, disa prej të cilëve thonë se fushatat dezinformuese nga shtete të huaja, mund të nxisin një sërë problemesh, që nga shqetësime të vogla e deri tek incidente shumë më të rënda.

“Vonesat në rezultatin e zgjedhjeve dhe rinumërimet mund të rezultojnë në protesta dhe përpjekje për të zaptuar zyrat e zgjedhjeve” paralajmëruan zyrtarë të Departamentit të Sigurisë në shtetin e Nju Xhersit, në një vlerësim të publikuar në fund të shtatorit.

“Incidentet e trazirave civile që rezultojnë në veprime të dhunshme dhe fatalitete do të ndërthurren me pasigurinë e zgjedhjeve, duke prodhuar konfrontime midis protestuesve dhe kundër-demonstruesve që mund të sfidojnë rezultatet e zgjedhjeve,” vë në dukje deklarata.

Shenja paralajmërimesh

Zyrtarë të tjerë shtetërorë dhe lokalë të zgjedhjeve po i marrin me seriozitet paralajmërime të tilla, veçanërisht pasi FBI-ja këtë muaj zbuloi dhe bëri të dështojë një komplot nga ekstremistët e një milicie anti-qeveritare për të rrëmbyer guvernatoren demokrate të shtetit të Miçiganit, Gretchen Whitmer.

Zyrtarët e Miçiganit thonë se po e rishqyrtojnë situatën duke pasur në vëmendje zgjedhjet dhe po planifikojnë të lëshojnë udhëzime shtesë në ditët në vijim.

Por komploti i rrëmbimit, i cili sipas FBI-së vinte në shënjestër gjithashtu edhe guvernatorin demokrat të Virxhinias Ralph Northam, nuk është i vetmi incident që ka shkaktuar alarm mes zyrtarëve shtetërorë të zgjedhjeve.

Disa zyrtarë kanë vënë në dukje gjithashtu një protestë në fund të shtatorit pranë një qendre të votimit të hershëm në qarkun Feirfaks, të shtetit Virxhinia – që shpejt u bë virale në mediat sociale.

Videoja e protestës, tregon një grup mbështetësish të presidentit Donald Trump që afrohen në qendrën e votimit me pankarta dhe flamuj, duke brohoritur, “Edhe katër vjet!”

Raportet e policisë mbi incidentin dëshmojnë se hyrjet në qendrën e votimit, një ndërtesë qeveritare e qarkut, asnjëherë nuk u bllokuan dhe zyrtarët më vonë thanë se nuk kishte asnjë tregues se ligjet ishin thyer. Por disa votues u thanë mediave se ndiheshin të frikësuar.

Përgatitje për dhunë të mundshme zgjedhore

Megjithatë, zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin janë të shqetësuar se herë tjetër, një incident i tillë, mund të mos përfundojë aq paqësisht.

“Kjo është diçka që na shqetëson sigurisht,” tha Michael Moore, oficer i sigurisë së informacionit për qarkun Marikopa në shtetin Arizona, gjatë një forumi në internet në 23 shtator, vetëm disa ditë pas incidentit.

Këshillat e zotit Moore për zyrtarët e tjerë të zgjedhjeve ishte – përgatituni.

Policia në qarkun Ferfaks nuk pranoi të komentojë mbi ndonjë masë specifike që kanë marrë autoritetet në përgjigje të protestës, megjithëse një zëdhënës i tha Zërit të Amerikës se departamenti është “në komunikim të përditshëm, në kohë reale me partnerët në Bordin e Zgjedhjeve, qeverinë federale dhe Departamentin e Policisë Metropolitane të Uashingtonit për çdo ngjarje apo kërcënim të mundshëm.

Nga ana e tij, Departamenti Metropolitan i Policisë (DMP) ka në plan të shtojë kontrollet në zonat përreth qendrave të votimit ditën e zgjedhjeve.

“Politika e DMP-së është të sigurojë që të gjithë qytetarët në Uashington, të kenë mundësinë të votojnë në çdo ditë të caktuar zgjedhjesh,” tha zëdhënësja e departamentit Kristen Metzger, duke vënë në duke se një politikë e tillë daton që nga viti 2003.

Por, vetëm planifikimi për siguri në Ditën e Zgjedhjeve mund të mos jetë i mjaftueshëm.

Një vlerësim i përditësuar i kërcënimeve, publikuar nga zyrtarët e shtetit të Nju Xhersit paralajmëron se sa më shumë kohë të duhet për të përcaktuar rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, aq më të mëdha janë shanset që të ketë incidente.

Në një skenar të mundshëm, që parashikon se vendi do të duhet të presë me muaj të tëra për rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve, autoritetet këshillojnë se: “Disa shtete mund të bëhen një destinacion që grupe të ndryshme të bashkohen dhe të kryejnë protesta të dhunshme”, duke rezultuar në “konfrontime vdekjeprurëse dhe trazira civile që mund të ndodhin midis protestuesve, duke kërkuar ndërhyrjen e forcave shtetërore dhe federale të zbatimi të ligjit”.

Megjithatë, organizatat që përfaqësojnë zyrtarë shtetërorë thonë se, megjithëse një skenar i tillë tingëllon i frikshëm, anëtarët e tyre janë të vendosur të mos kapen të papërgatitur.

Megjithatë ka pikëpyetje, nëse zyrtarët shtetërorë dhe lokalë, apo qeveria federale, kanë menduar sa duhet lidhur me perspektivën e zgjedhjeve të dëmtuara nga dhuna.

Gjatë katër viteve të fundit, shumica e vëmendjes për zyrtarët e sigurisë së zgjedhjeve ka qenë e përqëndruar tek kërcënimi virtual – shqetësimet se kundërshtarë të SH.B.A.-ve mund të përpiqen të hakerojnë sisteme kritike dhe shqetësimet se operacione me ndikim të huaj do të shtrembërojnë zgjedhjet edhe para se amerikanët të përpiqen të hedhin votat e tyre.

Ndërsa zyrtarët e lartë amerikanë kanë shprehur vazhdimisht besimin se procesi i votimit do të jetë i sigurt, ata nuk janë shprehur shumë publikisht për mundësinë e dhunës në lidhje me zgjedhjet, madje edhe kur janë pyetur nga ligjvënësit.

“E vështirë të thuhet,” pohoi drejtori i FBI-së Christopher Wray para një Komisioni të Sigurisë Kombëtare në Senat në shtator, i pyetur për një rrezik të tillë.

“Sigurisht, ka një përpjekje për të mbjellë përçarje dhe trazira, dhe siç kemi parë në të gjithë vendin, veprime të tilla mund të çojnë në veprimtari të rrezikshme, të dhunshme kriminale,” shtoi ai, duke iu referuar protestave që kanë kapluar qytetet në të gjithë vendin.

I pyetur për të shtjelluar dëshminë e zotit Wray, një zyrtar i FBI-së i tha Zërit të Amerikës se, “Përgatitjet tona për vitin 2020 marrin parasysh klimën aktuale të vendit.”

“Ne jemi duke punuar ngushtë me partnerët tanë në nivel federal, shtetëror dhe lokal, në mënyrë që të gjithë personat e përfshirë në ruajtjen e sigurisë së zgjedhjeve të kenë informacionin dhe burimet e nevojshme për t’iu përgjigjur në kohën e duhur çdo shkelje që mund të ndodhë”, tha zyrtari.

Një tjetër zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se ndërsa siguria fizike e zgjedhjeve përbën gjithmonë një shqetësim, këtë vit ka pasur një vëmendje të madhe edhe tek dhuna e mundshme, para, gjatë dhe pas Ditës së Zgjedhjeve.

Qasja e FBI-së

Në disa raste, zyrtarë shtetërorë thonë se FBI-ja ka qenë veçanërisht aktive, duke qëndruar pranë tyre në lidhje me këto shqetësime, të përgatitur për mundësinë e një shpërthimi të tensioneve politike dhe shoqërore.

“FBI-ja ka kërkuar një takim në të gjithë vendin, në mënyrë që të adresojë çështje të mundshme në qendrat e votimit në Ditën e Zgjedhjeve apo madje edhe gjatë votimit të hershëm”, u tha gazetarëve Sekretari i Shtetit të Luizianës, Kyle Ardoin, një republikan, përmes një video-konference të martën.

“Ne jemi duke bashkëpunuar me FBI-në gjithashtu në Nju Meksiko për të mbrojtur njerëzit në qendrat e votimit nga frikësimi,” shtoi Sekretarja e Shtetit Nju Meksiko, demokratja Maggie Toulouse Oliver.

Zyrtarët në shtetet e Ohajos dhe Nju Xhersit thanë se edhe ata kanë punuar me FBI-në dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare për shqetësimet e tyre të sigurisë.

Dislokimi i Gardës Kombëtare

Nuk ka një përgjigje apo plan të njëjtë për të gjitha rastet, pasi trajtimi për ndonjë rast dhune të mundshme ndryshon jo vetëm nga njëri shtet në tjetrin, por nga një juridiksion në tjetrin.

Në disa shtete, kjo mund të nënkuptojë dislokimin e Gardës Kombëtare.

Në disa shtete, si Nju Xhersi, anëtarët e Gardës Kombëtare tashmë janë thirrur për të mbështetur zyrtarët vendorë të zgjedhjeve me përpunimin e votave, hapa që ata i ndërmorën edhe gjatë zgjedhjeve paraprake në korrik.

Zyrtarët thonë se shtetet mund të kërkojnë nga Garda Kombëtare t’u “ofrojë siguri fizike në qendrat e votimit dhe aktivitete të tjera mbështetëse për të mbrojtur sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve”.

Dhe marrja e një ndihme të tillë mund të jetë më e lehtë falë një Grupi të Përgjigjes së Gardës Kombëtare, i vënë në dispozicion në mes të shtatorit, për të siguruar shtetet me njësi të policisë ushtarake për t’i ndihmuar ato në përgjigjen ndaj protestave të vazhdueshme që kanë përfshirë gjithë vendin.

Në se i kërkohet, ky grup mund të dislokojë deri në 600 forca nga Arizona dhe Alabama në çdo shtet tjetër në nevojë, thanë zyrtarët e Gardës Kombëtare.

Masa të tjera të sigurisë

Disa ekspertë, megjithatë, argumentojnë se thjesht shtimi i numrit të forcave të personelit të sigurisë që do tpë dislokohen, mund të mos jetë i mjaftueshëm.

“Duhet të ketë një ndërthurrje të teknologjisë së lartë dhe të burimeve të tjera” brenda dhe përreth qendrave të votimit dhe vendeve të protestave”, thotë K. Campbell, ish oficer i inteligjencës ushtarake i cili tani është një drejtor në firmën private të sigurisë “Blue Glacier Security and Intelligence”.

“Teknologjia e lartë përfshin kamera dhe sensorë të tjerë që mund të parandalojnë keqbërësit”, thotë ai, duke shtuar edhe barriera të larta që mund të ngadalësojnë këdo që kërkon të marrë pjesë në dhunë.

Zoti Campbell thotë se sa më shumë të bëjnë shtetet tani për të kuptuar kërcënimet që u kanosen, aq më mirë.

Ndërsa marrja e këtyre masave paraprake të sigurisë mund të jetë e nevojshme, disa zyrtarë shtetërorë thonë se çelësi për të ruajtur paqen më 3 nëntor dhe në ditët dhe javët që pasojnë, do të jetë nevoja për të komunikuar me publikun amerikan për rezultatet e zgjedhjeve – që ka të ngjarë të vonohet për shkak të një numri rekord të votave me postë, disa prej të cilave mund të mos dërgohen deri në Ditën e Zgjedhjeve.

Barrett nuk u përgjigjet pyetjeve mbi vendimet që mund të marrë nëse bëhet anëtare e Gjykatës së Lartë

Ken Bredemeier

Të martën, e emëruara e Presidentit Trump për Gjykatën e Lartë Amy Coney Barrett nuk pranoi t’u përgjigjet një sërë pyetjesh të senatorëve se çfarë vendimi do të merrte mbi mosmarrëveshje të ndryshme ligjore me të cilat mund të përballet në rast konfirmimi. Megjithatë zonja Barrett tha se ajo nuk do të lejonte që pikëpamjet e saj personale e fetare, të përcaktonin vendimet e saj.

“Unë nuk kam axhendë”, tha zonja Barrett gjatë ditës së dytë të seancës dëgjimore në Komisioni Juridik të Senatit mbi emërimin e saj për një mandat të përjetshëm në gjykatën prej nëntë anëtarësh. “Do të zbatoj ligjin”, tha më tej ajo.

Në pyetjet e fillimit drejtuar nga dy republikanë, kryetari i komisionit senatori Lindsey Graham dhe senatori Chuck Grassley si dhe dy demokratë, senatorja Dianne Feinstein si dhe senatori Patrick Leahy, zonja Barret nuk pranoi të thoshte se çfarë qëndrimi do të mbante lidhur me një vendim të gjykatës të vitit 1973 mbi legalizimin e aborteve, të drejtën e pronësisë mbi armët që garantohet nga Kushtetuta amerikane dhe mbi një çështje të cilën gjykata do ta marrë në shqyrtim muajin tjetër që lidhet me fatin e ligjit të kujdesit shëndetësor.

U.S. Supreme Court nominee Judge Amy Coney Barrett reacts as she sits in front of her children and her husband Jesse Barrett during the second day of her confirmation hearing before the Senate Judiciary Committee on Capitol Hill in Washington, D.C.

U.S. Supreme Court nominee Judge Amy Coney Barrett reacts as she sits in front of her children and her husband Jesse Barrett during the second day of her confirmation hearing before the Senate Judiciary Committee on Capitol Hill in Washington, D.C.

Senatorët e pyetën zonjën Barret nëse në rast konfirmimi do të ishte e gatshme të hiqte dorë nga shqyrtimi i një mosmarrëveshjeje të mundshme ligjore lidhur me zgjedhjet e 3 nëntorit. Pyetje së cilës zonja Barret nuk pranoi t’i përgjigjet.

Presidenti Trump po përpiqet të fitojë një mandat të dytë katër-vjeçar përballë ish-nënpresidentit demokrat Joe Biden. Ai ka kritikuar votimin masiv me postë dhe ka thënë se dëshiron që gjykata të ndihmojë për të vendosur mbi rezultatin e zgjedhjeve. Presidenti i cili renditet pas zotit Biden në sondazhet kombëtare, thotë se ai dëshiron që zonja Barrett të konfirmohet për të shmangur një bllokim të mundshëm të një vendimi mbi çështjen e zgjedhjeve në 4 me 4, për shkak të vendit bosh të krijuar në gjykatë.

Zonja Barrett tha se ajo nuk ka zhvilluar asnjë bisedë me Presidentin Trump apo stafin e tij mbi atë se cili do ishte vendimi i saj lidhur me një mosmarrëveshje zgjedhore. Ajo tha se zhvillimi i një bisede të tillë do të kishte qenë joetik për të si një gjykatëse federale e apelit.

48-vjeçarja Barrett pritet t’i japë gjykatës një shumicë të fortë konservatore 6 me 3 në dekadat që vijnë. Ajo shpesh i është referuaranëtarit të ndjerë të Gjykatës së Lartë Antonin Scalia, për të cilin ka punuar si nënpunëse ligjore dy dekada më parë, si udhëheqësin e saj filozofik, për shkak të interpretimit të tij të rreptë të Kushtetutës amerikane sikurse është shkruar dy shekuj më parë dhe duke shmangur interpretimin e saj bazuar në zhvillimet aktuale.

Por zonja Barrett tha se nëse konfirmohet si gruaja e pestë që do të shërbejë në këtë gjykatë: “ju do të keni një gjykatëse Barrett dhe jo një gjykatës Scalia”, siç tha ajo.

Nëse konfirmohet, zonja Barrett do të zëvendësojë gjykatësen e ndjerë Ruth Bader Ginsburg, e cila vdiq muajin e kaluar në moshën 87 vjeçare. Kritikët demokratë druhen se zonja Barrett do të votojë për të zhbërë shumë nga reformat e mbështetura nga zonja Ginsburg, përfshirë të drejtën e abortit dhe të drejtën e homoseksualëve për t’u martuar e për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë në shoqërinë amerikane.

Senatori Graham e quajti zgjedhjen e zonjës Barrett “një nga zgjedhjet më të shkëlqyera që Presidenti Trump mund të bënte”. Ai parashikoi të hënën se të 12 republikanët e komisionit do të votojnë të gjithë në favor të emërimit të saj ndërsa të 10 demokratët kundër. Udhëheqësit republikanë thonë se kanë mjaftueshëm vota në Senat për konfirmimin e saj.

Zonja Barrett siguroi zotin Graham se pavarësisht se familja e saj zotëronte armë, ajo do të gjykonte dhe vendoste me drejtësi “mbi një rast të tillë” duke kërkuar kufizime më të rrepta lidhur me pronësinë mbi armët që garantohet nga amendamenti i dytë i Kushtetutës. Në mënyrë të ngjashme, zonja Barrett tha si gjyqtare e gjykatës së apelit ajo e kishte lënë mënjanë besimin e saj si katolike e devotshme duke marrë vendime sipas ligjit amerikan dhe se do ta bënte këtë sërish edhe në Gjykatën e Lartë. Por ajo nuk bëri asnjë premtim se çfarë vendimi do të merrte në në rastin e abortin, të cilin Kisha Katolike e kundërshton.

Ajo tha se precedenti i Gjykatës së Lartë nga vendimet e shumë kohëve më parë “supozon kontrollin”, dhe se disa vendime bien në kategorinë “super precedentit”, të tilla si një vendimin i vitit 1954 që ndalon ndarjen brenda shkollave për arsye racore si trajtim i pabarabartë i afrikano-amerikanëve dhe antikushtetues. (super precedenti i referohet atyre vendimeve të cilat konsiderohen imune ndaj shfuqizimit).

Gjykatësi Scalia e ka kundërshtuar të drejtën e abortit, por zonja Barrett nuk pranoi të thotë nëse edhe ajo gjithashtu mendon se vendimi për ta shpallur abortin të ligjshëm, ishte i gabuar.

“Do të ishte e gabuar për mua si gjykatëse ta thosha një gjë të tillë”, i tha zonja Barret senatores Feinsteinit. “Unë duhet të vendos kur çështjet të paraqiten para meje. Në asnjë mënyrë nuk mund të angazhohem paraprakisht për të gjykuar një çështje. Do të zbatoj ligjin”, tha ajo.

Zonja Berret tha se edhe pse gjykata ka vendosur që amerikanët të gëzojnë të drejtën e armëmbajtjes, vendimi “lë hapësirë për rregullore mbi armët. Premtoj se do ta trajtoj këtë çështje me mendje të hapur. Çdo çështje duhet të vendoset nga faktet e paraqitura mbi të”.

Nesër pritet të zhvillohet një raund tjetër pyetjesh ndaj zonjës Barret. Zoti Graham ka caktuar një votim fillestar të enjten mbi emërimin e saj.

Kjo do të mundësojë miratimin përfundimtar të saj javën e ardhshme dhe një votim nga Senati me shumicë republikane para fundit të muajit, vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Seanca e parë dëgjimore në Komisionin Juridik të Senatit

Me mbërritjen e saj Kongres, i cili u mbyll javën e kaluar në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, zonja Barrett shpjegoi përpara Komisionit Juridik të Senatit filozofinë e saj ligjore.

Gjykatat nuk janë krijuar për të zgjidhur çdo problem, ose për të korrigjuar çdo gabim të jetës sonë publike. Miratimi i vendimeve dhe politikave qeverisëse u takon institucioneve politike të zgjedhura nga populli e që japin llogari përpara tij. Publiku nuk duhet të presë që gjykatat të miratojnë politika qeverisëse dhe ato nuk duhet ta bëjnë këtë”, tha Amy Coney Barrett, e emëruara për në Gjykatën e Lartë.

Mundësitë që udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell të dështojë për të mbushur vendin bosh të krijuar nga vdekja e gjykatëses Ruth Bader Ginsburg muajin e kaluar dhe për të konfirmuar të emëruarën e Presidentit Donald Trump para zgjedhjeve të 3 nëntorit, janë të vogla. Kandidatja demokrate për nënpresidente, anëtare e Komisionit Juridik të Senatit, tha se procesi nuk respekton vullnetin e votuesve amerikanë.

“Një shumicë e qartë e amerikanëve dëshiron që vendin bosh ta plotësojë fituesi i zgjedhjeve”, tha senatorja denokrate Kamala Harris.

Por Senati po bën përpara me procesin edhe pse disa anëtarë republikanë të komisionit rezultuan të infektuar me COVID-19, dhjetë ditë më parë.

Nuk ka asgjë antikushtetuese lidhur me këtë proces. Ky është një vend bosh i krijuar nga humbja tragjike e një gruaje të shkëlqyer. Dhe ne do ta plotësojmë atë me një grua tjetër të shkëlqyer”, tha Lindsey Graham, kryetar i komisionit Juridik të Senatit.

Demokratët thonë se zoti Trump po nxiton me konfirmimin e zonjën Barrett për dy arsye.

Presidenti Trump e ka bërë të qartë se ai dëshiron një tjetër të emëruar nga ai vetë në Gjykatën e Lartë para zgjedhjeve, sepse ai ka paralajmëruar mbi sfidat që do të paraqiten në gjykata rreth procesit të votimit, veçanërisht mbi votimin me postë, të cilën ai e ka sulmuar vazhdimisht pa dhënë prova. Presidenti Trump ka treguar se do të ishte krejtësisht i lumtur që të kishte një rezultat të ngushtë në votime e që gara të vendosej nga shumica konservatore gjashtë me tre në Gjykatën e Lartë dhe jo nga vota e popullit amerikan”, tha senatori demokrat Dick Durbin.

Ndërkohë vetëm një javë pas ditës së zgjedhjeve, Gjykata e Lartë do të trajtojë një çështje të rëndësishme atë që lidhet me ligjin mbi kujdesin shëndetësor të miratuar nga administrata e Presidentit Obama.

Administrata Trump do të argumentojë se ky ligj është antikushtetues dhe në fakt do të kërkojë shfuqizimin e ligjit që garanton sigurim shëndetësor për miliona amerikanë, si antikushtetues. Pra, gjykatësja Barrett do të jetë një nga faktorët vendimtarë në këtë çështje madhore”, thotë Kejsi Burgat nga universiteti George Washington.

Demokratët planifikojnë të përqendrohen në kritikat e tyre gjatë seancat të konfirmimit tek vota mundshme përcaktuese e zonjës Barrett kundër ligjit për kujdesin shëndetësor.

Garantimi i sigurimit shëndetësor për miliona amerikanë është në rrezik me këtë emërim“, tha senatorja demokrate Dianne Feinstein.

Senatorët demokratë pritet të ndryshojnë taktikë pas paralajmërimeve të republikanëve dhe të mos ngrejnë si çështje gjatë konfirmimit besimin si katolike e devotshme të nënës së shtatë fëmijëve.

Kemi lexuar histori rreth stilit tuaj të jetës si katolike. Rrëfime se si i rrisni fëmijët, rreth asaj se si i keni birësuar ata apo rreth doktrinës katolike ku ju besoni. Pyetje pa pushim nëse gëzoni pavarësinë për të qenë një gjykatëse, një anëtare e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara“, tha senatori republikan Josh Hawley.

Kandidati demokrat për President Joe Biden, i cili është gjithashtu katolik, tha se zonja Barrett nuk duhet të përballet me pyetje lidhur me fenë e saj.

“Jo, besimi i saj nuk duhet të merret parasysh“, tha zoti Biden.

Komisioni Juridik i Senatit ka gjasa ta miratojë emrin e zonjës Barrett deri më 22 tetor, duke krijuar mundësinë e një votimi në Senat një javë para ditës së zgjedhjeve.

SHBA, Gjykata e Lartë merr vendim për të ndalur censusin e vitit 2020

Marrë nga Associated Press

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të martën ndali procesin e numërimit të banorëve të vendit deri në fund të muajit tetor. Censusi bëhet çdo 10 vjet në Shtetet e Bashkuara.

Administrata e Presidentit Donald Trump i kishte kërkuar Gjykatës së Lartë të vendit që të pezullonte vendimin e një gjykate rrethi që lejoi vazhdimin e regjistrimit të popullsisë deri në fund të muajit. Administrata e Presidentit Trump argumentoi se numërimi i banorëve duhej të përfundonte menjëherë në mënyrë që Byroja e Regjistrimit të popullsisë të kishte kohë të mjaftueshme për të bërë llogaritë përfundimtare përpara afatit të fundvitit të miratuar me ligj nga kongresi që përcakton numrin e vendeve në kongres që secili shtet merr.

Një koalicion i qeverive lokale dhe grupeve të të drejtave civile kishte hedhur në gjyq administratën, duke argumentuar se pakicat dhe të tjerët në komunitetet ku regjistrimi i banorëve është i vështirë do të humbasin nëse numërimi përfundonte herët. Ata thanë se orari i regjistrimit u ndërpre për t’i hapur rrugën një urdhër në korrik nga Presidenti Trump që do të përjashtonte nga regjistrimi njerëzit që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme.

Gjykatësja Sonia Sotomayor e kundërshtoi vendimin.

U.S. Supreme Court Justice Sonia Sotomayor addresses attendees of an event promoting her new children's book "Just Ask!" in Decatur, Georgia, Sept. 1, 2019.

U.S. Supreme Court Justice Sonia Sotomayor addresses attendees of an event promoting her new children’s book “Just Ask!” in Decatur, Georgia, Sept. 1, 2019.

“Përmbushja e afatit në kurriz të saktësisë së regjistrimit nuk është një kosto që ia vlen të paguhet, veçanërisht kur qeveria nuk ka arritur të shpjegonte pse nuk mund të rriste shpenzimet për më shumë burime për të përmbushur afatin ose për të vazhduar përpjekjet e mëparshme për të kërkuar një zgjatje nga Kongresi”, shkroi Sotomayor.

Muajin e kaluar, Gjykatësja e Qarkut Lucy Koh në San Jose, të Kalifornisë, doli në krah të paditësve dhe lëshoi një urdhër për pezullimin e afatit të 30 shtatorit për përfundimin e regjistrimit të popullsisë në vitin 2020 dhe afatit të 31 dhjetorit për dorëzimin e shifrave që përdoren për të përcaktuar se sa vende në kongres secili shtet merr, një proces i njohur si ndarja e zonave të kongresit. Kjo bëri që afatet të ktheheshin përsëri në një plan të mëparshëm të Byrosë së Regjistrimit, sipas të cilit, operacionet në terren duhej të përfundonin më 31 tetor dhe raportimi i shifrave të ndarjes së zonave në fund të prillit të vitit 2021.

Kur Byroja e Regjistrimit dhe Departamenti i Tregtisë, i cili mbikëqyr agjencinë e statistikave, zgjodhi 5 tetorin si ditë të mbylljes së procesit të numërimit, gjykatësja Koh e rrëzoi edhe atë, duke akuzuar zyrtarët për “luhatje nga një plan i nxituar, i pashpjegueshëm në tjetrin … dhe minimin e besueshmërisë së Byrosë së Regjistrimit dhe Censusit të vitit 2020”.

Një panel i gjykatës së apelit mbështeti urdhrin e gjykatëses Koh që lejonte regjistrimin të vazhdonte deri në tetor por rrëzoi pjesën që pezullonte afatin e 31 dhjetorit për dorëzimin e shifrave të numërimit të popullsisë. Trupi gjykues i tre gjykatësve të apelit tha se vetëm për shkak se afati i fundit i vitit është i pamundur të përmbushet nuk do të thotë që gjykata duhet t’i kërkojë Byrosë së Regjistrimit që të mos jetë në gjendje të mbarojë procesin.

Me planet për census të penguar nga pandemia, Byroja e Regjistrimit në prill kishte propozuar zgjatjen e afatit për përfundimin e numërimit të banorëve nga fundi i korrikut në fund të tetorit dhe shtyrjen e afatit të dorëzimit të shifrave përfundimtare dhe ndarjes së zonave nga 31 dhjetori i këtij viti në prillin e vitit të ardhshëm. Propozimi për të zgjatur afatin e ndarjes së zonave u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët, por Senati i kontrolluar nga Republikanët nuk pranoi të shqyrtonte kërkesën. Pastaj, në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit, zyrtarët e byrosë shkurtuan orarin e numërimit me një muaj në mënyrë që të mbaronte puna e numërimit në fund të shtatorit.

Mosveprimi i republikanëve përkoi me një urdhër të korrikut nga Presidenti Trump që udhëzonte Zyrën e Regjistrimit të Popullsisë për të mos regjistruar njerëzit që janë në vend në mënyrë të paligjshme. Urdhri më vonë u shpall i paligjshëm nga një panel prej tre gjykatësve të rrethit në Nju Jork, por administrata e Presidentit Trump po apelon vendimin në Gjykatën e Lartë.

Duke iu përmbajtur afatit të 31 dhjetorit, kontrolli mbi ndarjen e zonave të kongresit në bazë të censusit të ri do të mbetej në duart e administrates së Presidentit Trump pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

zëri i amerikës

FBI, grupet militante kanë diskutuar rrëmbimin e guvernatorit të Virxhinias

Një agjent i FBI-së gjatë një dëshmie në një gjykatë tha të marten se anëtarët e grupeve militante anti-qeveritare kanë diskutuar rrëmbimin e Guvernatorit demokrat të Virxhinias, Ralph Northam në një takim katër muaj më parë.

Agjenti Richard Trask, i cili ishte pjesë e një hetimi që rezultoi në ngritjen e akuzave ndaj gjashtë personave javën e kaluar për planifikimin e rrëmbimit të Guvernatores demokrate të Miçiganit, Gretchen Whitmer, tha se ata diskutuan për rrëmbimin e Guvernatorit Northam gjatë një takimi të qershorit në Ohajo.

Agjenti Trask nuk e përmendi emrin e Guvernatorit Northam gjatë seancës dëgjimore në një gjykatë federale në Grand Rapids të Miçiganit, por ai tha se anëtarët e grupit anti-qeveritar nga disa shtete morën pjesë në takimin gjatë të cilit ata shprehën pakënaqësinë me menaxhimin nga guvernatorët të pandemisë së koronavirusit.

“Ata diskutuan objektivat e mundshëm, përfshirë rrëmbimin e një guvernatori në detyrë, posaçërisht për shkak të pakënaqësive që kishin me guvernatorët e Miçiganit dhe Virxhinias për shkak të urdhërave që lidhen me masat kufizuese (për koronavirusin)”, tha zoti Trask.

Një zyrtar i shtetit të Virxhinias që nuk pranoi të zbulonte emrin, me njohuri për informacionet që ka marrë guvernatori Northam për këtë çështje, tha se FBI-ja nuk e kishte informuar atë për ndonjë kërcënim të mundshëm.

Takimi i qershorit ishte subjekt i një hetimi të FBI-së ndaj një numri grupesh anti-qeveritare që çuan në arrestimin e gjashtë personave javën e kaluar për dyshimet se po planifikonin rrëmbimin e Guvernatores Whitmer dhe ngritjen e akuzave për terrorizëm kundër shtatë personave të tjerë.

Trask dëshmoi në një seancë dëgjimore për të shqyrtuar provat kundër banorëve të Miçiganit, Brandon Caserta, Adam Fox, Ty Garbin, Daniel Harris dhe Kaleb Franks për të vendosur nëse ata duhej të arrestoheshin para fillimit të gjyqit.

I dyshuari i gjashtë, Barry Croft, është ndaluar në Delauer. Guvernatori demokrat John Carney fali zotin Croft vitin e kaluar për akuzat që përfshinin posedim të një arme zjarri gjatë kryerjes së një krimi, sulm dhe vjedhje.

Në lëndën penale thuhet se disa nga të pandehurit vëzhguan shtëpinë e pushimeve të Guvernatores Whitmer në veri të Miçiganit në gusht dhe shtator.

Autoritetet thanë se të dyshuarit, të cilët përballen me burgim të përjetshëm nëse dënohen, po përpiqeshin të hakmerreshin kundër Guvernatores Whitmer për shkak të “pushtetit të pakontrolluar” që ajo ka ushtruar gjatë pandemisë. Ata thanë se katër nga personat e dyshuar synonin të takoheshin javën e kaluar për të rregulluar çështjen e pagesës për eksplozivët dhe për të shkëmbyer veshjet taktike.

Whitmer është vlerësuar gjerësisht për trajtimin e pandemisë së koronaivirusit, që përfshinte masa për kufizimin e lëvizjes, që tashmë janë hequr.

Por ajo ka qenë gjithashtu në shënjestër të kritikave të ashpra nga ligjvënësit republikanë dhe banorët në bastionet konservatore në Miçigan.

Ndërtesa e legjislativit të Miçiganit ka qenë vendi ku janë mbajtur shumë tubime në muajt e fundit, duke përfshirë ato me protestues të armatosur që kërkojnë rrëzimin e Guvernatores Whitmer.

zëri i amerikës

Portland, protestuesit rrëzojnë statujat e Ruzveltit dhe Linkolnit

Marrë nga Associated Press

Protestuesit në Portland përmbysën statujat e ish-presidentëve Teodor Ruzvelt dhe Abraham Linkoln dhe kryen akte vandalizmi në ambjentet e organizatës Shoqëria Historike e Oregonit, si një shfaqje “zemërimi” kundër Ditës së Kolombit, një festë federale që shënon “zbulimin” e Amerikës nga eksploruesi Kristofer Kolombi.

Organizatorët e protestës e quajtën ngjarjen “Dita e zemërimit të popullsisë indigjene”, në përgjigje të festës federale të ditës së hënë që mban emrin e eksploruesit italian të shekullit të 15-të Kristofer Kolombi, një figurë që ka shkaktuar shumë kundërshti e për të cilën mbështetësit e indianëve të Amerikës (popullsia indigjene e kontinetit) thonë se ka nxitur gjenocid shekullor kundër popullsisë indigjene.

Mbrëmjen e së dielës, protestuesit lidhën me zinxhirë statujën e Presidentit Ruzvelt dhe sipas njoftimeve në media e spërkatën atë me bojë të kuqe dhe përdorën një mjet që përdoret për saldim për të zhvendosur bazën mbi të cilën ngrihej statuja. Kjo e fundit u përmbys nga turma pak para orës nëntë të mbrëmjes. Tetë minuta më vonë protestuesit rrëzuan statujën e Presidentit Linkoln.

Historianët kanë thënë se Presidenti Ruzvelt ka qenë armiqësor ndaj popullsisë indigjene. Ai ishte shprehur një herë se: “nuk shkoj deri në atë pikë sa të them se të vetmit indianë të mirë janë indianët e vdekur, por besoj se nëntë nga dhjetë prej tyre janë…”.

Protestuesit shkruan me bojë pranë statujës së Linkolnit “Dakota 38”, duke iu referuar 38 burrave të fisit Dakota për të cilët Presidenti Linkoln dha miratimin që të vareshin të akuzuar se përfshirë në një konflikt të dhunshëm me kolonët e bardhë në Minesota.

Pas rrëzimit së statujave, turma theu dritaret e qendrës së organizatës Shoqëria Histrorike e Oregonit dhe më pas u zhvendos drejt Zyrës së Sigurisë Publike të universitetit shtetëror të Portlandit.

Një mbulesë e qepur nga 15 gra afrikano-amerikane nga Portlandi në mesin e viteve 1970 ishte mes sendeve të dëmtuara, njoftoi përmes një deklarate të hënën Kerry Tymchuk i cili drejton organitën Shoqëria Historike e Oregonit.

Çdo pjesë e mbulesës së qepur nga gratë afrikano-amerikane nderon trashgiminë e një individi apo një moment nga historia e afrikano-amerikanëve tha zoti Tymchuk. Ai shtoi se dëmtimet që ka pësuar nbulesa, e cila u gjet disa blloqe ndërtesash larg, do të analizohen.

“Ndërsa pastrojmë vendin nga xhamat e thyer, pastrojmë bojën dhe planifikojmë sigurinë në ndërtesën tonë, jemi gjithashtu të hapur si gjithmonë ndaj kritikave”, thuhej në deklaratën e zotit Tymchuk. “Do të ishim mirënjohës ndaj kritikave konstruktive nga të gjithë ata që janë të gatshëm e të aftë të na ndihmojnë në përmbushjen e vizionit tonë mbi historinë e Oregonit që është domethënëse për të gjithë banorët”, shtoi ai.

Tre persona u arrestuan nga policia, e cila njoftoi gjithashtu përmes një deklarate se disa biznese ishin dëmtuar, përfshi një restorant ndaj të cilit ishte qëlluar të paktën dy herë me armë zjarri.

Në shtetin New Mexico, protestuesit rrëzuan të hënën një monument historik si pjesë e demonstrateve atje dhe shtetin fqinj Arizona, që kishin për qëllim të shënonin atë që e quajnë Dita e Popullsisë Indigjene.

Protestuesit përdorën një litar dhe zinxhirë për të rrëzuar një obelisk në Santa Fee, i cili prej kohësh është kritikuar pasi u referohej “heronjve” që vdiqën në betejë me “indianët e pamëshirshëm”.

Këto monumente janë statujat më të fundit që rrëzohen pas një vale përmbysjesh të monumenteve e protestash të nxitura pas vdekjes me 25 maj të George Floydit ndërsa ishte i ndaluar nga policia në Mineapolis.

zëri i amerikës

Pelosi ngre pikëpyetje për aftësinë e presidentit për të përmbushur detyrën

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi ka ngritur pikëpyetje nëse Presidenti Trump është në gjendje të përmbushë detyrën. Të enjten ajo njoftoi një masë legjislative që do të krijonte një komision për t’i dhënë mundësi Kongresit të ndërhyjë për të liruar presidentin nga detyrat ekzekutive, bazuar tek Amendamenti i 25-të i Kushtetutës.

Kur mbeten vetëm pak javë deri në ditën e zgjedhjeve të 3 nëntorit, zonja Pelosi tha se presidenti duhet të japë më shumë informacion për gjendjen e tij shëndetësore pas diagnostikimit me COVID-19. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve iu referua atyre që i cilësoi si “komentet e çuditshme” të presidentit në Twitter, kur zoti Trump anuloi bisedimet për paketën e ndihmave. Ajo shtoi se amerikanët kanë të drejtë të dinë datën e saktë kur ai u ekspozua ndaj virusit. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve tha se do të prezantojë të premten projekt-ligjin për të autorizuar krijimin e komisionit rishikues.

Presidenti reagoi menjëherë në Twitter me një koment ku thoshte: “E çmendura Nancy është ajo që duhet vënë nën vëzhgim. Nuk e quajnë të çmendur për kot”.

Kongresi nuk është aktualisht në sesion aktiv legjislativ, prandaj nuk ka gjasa për një rishikim serioz të kësaj mase në organin legjislativ, aq më pak për mbështetjen e propozimit në një votim në Dhomën e Përfaqësuesve apo Senat. Por projekt-ligji u ofron mundësi demokratëve në Kongres të ngrenë pyetje për shëndetin e presidentit, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për një numër të infektuarish nga radhët e stafit të presidentit, si dhe vizitorë si dhe senatorë të diagnostikuar me COVID-19, pasi kanë qenë në kontakt me presidentin apo kabinetin e tij.

zëri i amerikës

Kryetari i Senatit shmang Shtëpinë e Bardhë për shkak të COVID-19

Mitch McConnell

 

Udhëheqësi i shumicës republikane në Senatin amerikan, Mitch McConnell, tha se nuk ka qenë në Shtëpinë e Bardhë qysh në gusht, për shkak të mënyrës se si e ka trajtuar pandeminë COVID-19.

McConnell, 78 vjeç, i mbijetuar nga poliomieliti, tha se ka folur shpesh me presidentin Donald Trump përmes telefonit, por nuk ka qenë për vizitë qysh më 6 gusht.

Prejse Trump është diagnostikuar me sëmundjen COVID-19, më 2 tetor, dhjetëra vetë nga rrethi i tij dhe stafi i Shtëpisë së Bardhë kanë dalë po ashtu pozitivë.

Zonja e Parë, Melania, sekretarja për media, Kayleigh McEnany, dhe këshilltari i presidentit, Stephen Miller, janë në mesin e të infektuarve.

Dy senatorë republikanë – Mike Lee dhe Thom Tillis – gjithashtu kanë rezultuar pozitivë, pasi kanë marrë pjesë në një ngjarje në Shtëpinë së Bardhë, edhe pse nuk është e qartë se ku e kanë marrë virusin.

Duke folur për gazetarët në Kentaki, McConnell tha se veshja e maskës dhe distanca sociale janë mënyra më e mirë për të luftuar virusin, derisa të zbulohet vaksina.

“Është e vetmja mënyrë që dimë për parandalimin e përhapjes, derisa ta kemi një vaksinë”, tha ai.

Edhe pse McConnell ka bërë vazhdimisht thirrje për veshje të maskës dhe distancë sociale, ai nuk e ka bërë të detyrueshme maskën në Senat.

Si udhëheqës i shumicës së dhomës së sipërme, ai është përgjegjës për krijimin e rregullave të tilla.

Në fund të korrikut, udhëheqësja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka urdhëruar veshjen e maskës në dhomën e ulët, pasi një kongresist ka dalë pozitiv me COVID-19. rel

New York, skeleti i dinozaurit 67-milionëvjeçar shitet për 27.5 milionë dollarë

New York

Skeleti i një dinozauri të lashtë 67 milionë vjet u shit për 27,5 milionë dollarë në një ankand në New York të SHBA-së, raporton Anadolu Agency (AA).

Skeleti i dinozaurit T-rex (Tryannosaurus) me emrin “Stan” u vendos në shitje në ankandin e mbajtur në shtëpinë e ankandeve Christie’s në New York.

Një blerës pa emër bleu skeletin për 27,5 milionë dollarë në ankandin e diskutueshëm të drejtpërdrejtë që zgjati 10 minuta. Siç raportohet, kostoja totale e skeletit, përfshirë taksat dhe kostot e tjera, do të arrijë në 32 milionë dollarë.

Skeleti dinozaurit të gjatë 11,27 metra, që fillimisht vlerësohej se do të blihej për një vlerë maksimale prej 8 milionë dollarësh, ishte në pronësi të Institutit të Kërkimeve Gjeologjike Black Hills në Dakotën e Jugut.

Presidenti Trump thotë se do të marrë pjesë në debatin e dytë presidencial

Marrë nga Reuters

Kandidati demokrat për President Joe Biden tha të martën ai dhe Presidenti Donald Trump nuk duhet të zhvillojnë debatin e tyre të planifikuar më 15 tetor nëse zoti Trump do të vazhdonte të ishte i infektuar me koronavirus në atë kohë.

“Nëse ai ende ka COVID-19, nuk duhet të kemi debat”, u tha sot gazetarëve zoti Biden.

Më herët, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i infektuar me koronavirus, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë të martën se ka në plan të marrë pjesë në debatin e dytë me rivalin e tij demokrat, Joe Biden.

“Unë mezi e pres debatin mbrëmjen e së enjtes më 15 tetor në Miami. Do të jetë i mrekullueshëm!”, tha presidenti në Twitter.

Zoti Trump rezultoi për herë të parë pozitiv për COVID-19 të enjten e kaluar dhe u shtrua në spital për 72 orë midis mbrëmjes së së premtes dhe të hënës.

Bazuar në këto detaje për fazat e infektimit, pjesëmarrja e tij në debat, gjatë së cilës kandidatët do t’u përgjigjen pyetjeve të votuesve, mund të përbëjë rrezik për shëndetin publik, bazuar në udhëzimet nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), e cila konsideron se dikush i infektuar me virusin mund ta transmetojë atë për 10 deri në 20 ditë nga fillimi i simptomave.

Komisioni për Debatet Presidenciale, grupi jofitimprurës që organizon debatet nuk ka komentuar ende për këtë çështje.

Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje. Mjeku i tij personal, Dr. Sean Conley, tha në një deklaratë të martën se presidenti kishte kaluar një “natë të parë të qetë në shtëpi dhe sot, ai nuk ka raportuar asnjë simptomë”.

Të hënën në mëngjes në mediat sociale, Trump shkroi se koronavirusi në shumicën e popullsisë është “shumë më pak vdekjeprurës” sesa gripi sezonal. Facebook-u e fshiu mesazhin.

“Ne heqim informacione të pasakta në lidhje me ashpërsinë e COVID-19 dhe e kemi hequr këtë postim,” tha Andy Stone, një zëdhënës i Facebook.

Twitter kufizoi postimin e zotit Trump, duke e shoqëruar me një shënim paralajmërues që vuri në dukje se ai shkelte rregullat e medias sociale “për përhapjen e informacionit të pasaktë dhe potencialisht të dëmshëm në lidhje me COVID-19”.

Trump u bëri thirrje amerikanëve të mos “kishin frikë” nga COVID-19 pasi ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë.

Me të mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, ai u ngjit në shkallët ballore dhe qëndroi për më shumë se një minutë në ballkon, ku hoqi maskën, përshëndeti largimin e helikopterit presidencial dhe e pa e vënë maskën, hyri në Shtëpinë e Bardhë.

Më herët, ndërsa dilte nga Spitali Ushtarak Kombëtar Walter Reed, Presidenti Trump tha “Faleminderit shumë, të gjithëve”.

Kur doli nga helikopteri dhe po ecte drejt rezidencës së Shtëpisë së Bardhë, presidenti ndaloi duke u kthyer tek kamerat, dhe përshëndeti. I pyetur nga Zëri i Amerikës se si ndihej, ai u dëgjua të përgjigjej “vërtet mirë”.

Më pas në mbrëmje, ai postoi në Twitter një mesazh të regjistruar për COVID-19, ku shprehej “Mos e lejoni t’ju kontrollojë. Mos kini frikë prej tij”.

“Ne po rikthehemi, do të kthehemi në punë. Ne do të jemi përpara,” tha ai. “Mos e lejoni t’ju kontrollojë jetën. Dilni por kini kujdes”, shtoi ai.

Fushata për rizgjedhjen e zotit Trump tha se presidenti republikan, që është pas rivalit të tij Joe Biden në sondazhe, planifikon të marrë pjesë në debatin e dytë të 15 tetorit me kandidatin demokrat dhe e konfirmoi një gjë të tillë në Twitter.

Megjithëse nuk është krejtësisht jashtë rrezikut, unë dhe ekipi mjekësor jemi të mendimit se analiza e gjendjes së tij të përgjithshme, mbështesin kthimin e tij” në Shtëpinë e Bardhë, ku një ekip mjekësor dhe pajisje të sofistikuara mjekësore do të jenë në dispozicion të nevojave shëndetësore të presidentit 24 orë në ditë, tha në një konferencë për shyp të hënën pasdite Dr. Sean Conley, mjeku kryesor i presidentit.

Çdo ditë që një pacient qëndron në spital pa qenë e nevojshme, përbën kërcënim ndaj tij,” tha mjeku. “Aktualisht këtu në spital nuk po bëjmë asgjë që nuk mund ta bëjmë fare mirë në Shtëpinë e Bardhë”.

Para se të dilte nga spitali, Presidenti shkruajti në Twitter:

” Mos kini frikë nga COVID-i. Mos e lini t’ju kontrollojë jetën. Administrata Trump ka zhvilluar njohuri dhe mjekime të mrekullueshme. Ndjehem më mirë se 20 vjet më parë!” tha presidenti.

Dr. Conley, mjek i përgjithshëm dhe komandant në Marinën Ushtarake amerikane, foli për gazetarët në oborrin e spitalit, por nuk pranoi të jepte shpjegime kur u pyet ndër të tjera për gjendjen e mushkërive të presidentit. Mjeku tha se nuk mund të ofronte informacione të tilla si rezultat i rregullave për privatësinë e pacientit.

Presidenti po mjekohet me një kurë me steroide që zakonisht nuk jepet kur pacienti ka simptoma të lehta ose të moderuara të COVID-19. Ai po ashtu po merr remdesivir, një ilaç antiviral.

Mjekët e presidentit kanë thënë se kanë “optimizëm të matur” dhe se janë në gatishmëri, pasi siç u shpreh mjeku I presidentit, Dr. Conley “jemi në rrethana të panjohura pasi po e mjekojmë me ilaçe që nuk i jepen zakonisht pacientit kaq herët pas shaqjes së sëmundjes.” “Nëse e kalojmë të hënën me të njëjtat ritme përmirësimi, do të hedhim hapin e fundit dhe do të marrim frymë të çliruar,” tha mjeku.

Këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, pozitiv me COVID-19

Këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë Stephen Miller njoftoi të se martën ishte testuar pozitiv me COVID-19, rasti më i fundit raportuar brenda rrethit të ngushtë të Presidentit Donald Trump, që kur ky i fundit njoftoi se ishte prekur nga virusi.

Gjatë 5 ditëve të fundit kam punuar në distancë dhe i vetëizoluar. Çdo ditë deri dje kam rezultuar negativ. Sot rezultova i infektuar me COVID-19 dhe jam futur në karantinë“, tha zoti Miller nëpërmjet një deklarate.

Ndërkohë të martën vonë në mbrëmje zëvendës sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë Brian Morgenstern i tha rrjetit televiziv CNN se nuk kishte raste të reja me COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë përveç zotit Miller.

Në SHBA prej fillimit të pandemisë kanë vdekur më shumë 210 mijë njerëz dhe janë infektuar më shumë se 7.4 milionë të tjerë.

SHBA: Udhëheqës të lartë ushtarakë vetizolohen pas ekspozimit ndaj koronavirusit

Shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral Mark Milley.

Udhëheqësit e lartë ushtarakë amerikanë, përfshirë Shefin e Shtatmadhorisë amerikane, gjeneralin Mark Milley, janë vetë-karantinuar pasi kishin pasur kontakt me Zëvendës Komandantin e Rojës Bregdetare të Shteteve të Bashkuara, Charles Ray, i cili ka rezultuar pozitiv për koronavirus.

Zyrtarët e Pentagonit konfirmuan për Zërin e Amerikës se gjenerali Milley, zëvendës Shefi i Shtatmadhorisë, Gjeneral John Hyten dhe të gjithë shefat e shërbimeve të ushtrisë që kishin marrë pjesë në takimet me admiralin Ray në Pentagon javën e kaluar dolën negativë për virusin të martën herët dhe nuk kanë pasur asnjë simptomë të COVID-19 që nga e marta pasdite .

“Si masë kujdesi, të gjitha kontaktet e mundshme të ngushta nga këto takime janë vetë-karantinuar,” tha zëdhënësi i Pentagonit, Jonathan Hoffman, në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij. “Asnjë person në Pentagon nuk ka shfaqur simptoma dhe ne nuk kemi teste të tjera pozitive për të raportuar në këtë moment.”

Admirali Ray mori pjesë në takime me gjeneralët Milley, Hyten dhe shumicën e shefave të shërbimeve ushtarake midis udhëheqësve të tjerë të lartë. Është ende e paqartë se si Ray ishte i ekspozuar ndaj koronavirusit, sipas zyrtarëve.

Një zyrtar i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se udhëheqësit ishin në karantinë duke respektuar udhëzimet e Departamentit të Mbrojtjes të hartuara në bazë të atyre të Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve.

Gjeneral Milley, Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mbrojtjes janë testuar shpesh që të dielën e kaluar, kur ata morën pjesë në një pritje të Shtëpisë së Bardhë për familjet e trupave të rëna. Si Presidenti Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump morën pjesë në atë aktivitet dhe rezultuan pozitivë për koronavirus më pas gjatë javës.

Sekretari Esper, i cili ishte në një udhëtim për të vizituar aleatët e Afrikës Veriore në kohën e diagnostikimit të zotit Trump, rezultoi negativ për koronavirusin të hënën, të mërkurën dhe të premten e javës së kaluar, sipas zotit Hoffman.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë me koronavirus

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany njoftoi se ka rezultuar pozitive për koronavirus.

“Pasi kisha rezultuar vazhdimisht negative çdo ditë që nga enjtja, të hënën në mëngjes rezultova pozitive, por nuk kam simptoma,” tha zëdhënësja përmes një njoftimi në Twitter.

Zonja McEnany shtoi se nuk ishte në dieni të enjten e kaluar se këshilltarja e Presidentit Trump, Hope Hicks kishte rezultuar e infektuar me koronavirus, kur zëdhënësja zhvilloi një konferencë për shtyp. Infektimi i këshilltares Hicks u bë publik të enjten në mbrëmje.

Presidenti Trump njoftoi në orët e para të së premtes se ai dhe zonja e parë ishin infektuar me koronavirus. Më pas presidenti u dërgua në spitalin ushtarak Walter Reed për mjekim.

Zëdhënësja Kayleigh McEnany tha se është në vetëizolim dhe se vazhdon të punojë nga shtëpia. zëri i amerikës

Presidenti Trump do të vazhdojë mjekimin në Shtëpinë e Bardhë

Pas 72 orësh në spital, Presidenti Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje.

Presidenti nuk dha komente për gazetarët kur iu drejtua makinës që e dërgoi tek helikopteri presidencial në oborrin e spitalit. Ai gjithashtu nuk foli për shtypin kur mbërriti në Shëpinë e Bardhë, por u ngjit në shkallët e pjesës jugore dhe qëndroi për më shumë se një minutë në ballkon, duke përshëndetur largimin e helikopterit presidencial.

“Megjithëse nuk është krejtësisht jashtë rrezikut, unë dhe ekipi mjekësor jemi të mendimit se analiza e gjendjes së tij të përgjithshme, mbështesin kthimin e tij” në Shtëpinë e Bardhë, ku një ekip mjekësor dhe pajisje të sofistikuara mjekësore do të jenë në dispozicion të nevojave shëndetësore të presidentit 24 orë në ditë, tha në një konferencë për shyp të hënën pasdite Dr. Sean Conley, mjeku kryesor i presidentit.

“Çdo ditë që një pacient qëndron në spital pa qenë e nevojshme, përbën kërcënim ndaj tij,” tha mjeku. “Aktualisht këtu në spital nuk po bëjmë asgjë që nuk mund ta bëjmë fare mirë në Shtëpinë e Bardhë”.

Presidenti njoftoi përmes Twitter-it se të hënën në mbrëmje do të dalë nga spitali.

“Do të dal nga qendra e mrekullueshme spitalore Walter Reed në ora 18:30. Ndjehem shumë mirë! Mos kini frikë nga COVID-i. Mos e lini t’ju kontrollojë jetën. Administrata Trump ka zhvilluar njohuri dhe mjekime të mrekullueshme. Ndjehem më mirë se 20 vjet më parë!” tha presidenti.

Dr. Conley, mjek i përgjithshëm dhe komandant në Marinën Ushtarake amerikane, foli për gazetarët në oborrin e spitalit, por nuk pranoi të jepte shpjegime kur u pyet ndër të tjera për gjendjen e mushkërive të presidentit. Mjeku tha se nuk mund të ofronte informacione të tilla si rezultat i rregullave për privatsinë e pacientit.

Presidenti po mjekohet me një kurë me steroide që zakonisht nuk jepet kur pacienti po kalon simptoma të lehta ose të moderuara të COVID-19. Ai po ashtu po merr remdesivir, një ilaç antiviral.

Mjekët e presidentit kanë thënë se kanë “optimizëm të matur dhe jemi në gatishmëri, sepse jemi në rrethana të panjohura pasi po e mjekojmë me ilaçe që nuk i jepen zakonisht pacientit kaq herët pas shaqjes së sëmundjes,” tha Dr. Conley. “Nëse e kalojmë të hënën me të njëjtat ritme përmirësimi, do të hedhim hapin e fundit dhe do të marrim frymë të çliruar,” tha mjeku. zëri i amerikës

Trumpi thotë se ka mësuar shumë për koronavirusin

Presidenti amerikan, Donald Trump duke përshëndetur nga makina presidenciale mbështetësit e tij.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 4 tetor, u largua për pak kohë nga spitali ushtarak ku ai është duke u trajtuar për sëmundjen COVID-19, për të përshëndetur, nga një automjet i blinduar, mbështetësit e tij që ishin mbledhur jashtë spitalit.

Përpara se të kthehej në spital, presidenti kaloi pranë një turme që valëviti flamurin amerikan dhe brohoriste jashtë Qendrës Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed.

Presidenti Trump u hospitalizua më 2 tetor.

Më herët, Trump përmes një videoje të postuar në rrejtin social Twitter, tha se ai ka “mësuar shumë” për COVID-19, që nga infektimi.

“Kjo është shkolla e vërtetë, kjo nuk është shkolla ‘le të lexojmë librat’. E kuptoj. Dhe është një gjë shumë interesante”, tha Trump.

Ka pasur opinione se, duke dalur nga spitali, Trump tregoi përsëri gatishmërinë e tij për të shpërfillur masat paraprake themelore kundër koronavirusit.

“Kjo është marrëzi”, shkroi në Twitter Dr. James P. Phillips, një mjek në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed.

“Çdo person në atë automjet tani duhet të jetë në karantinë për 14 ditë. Ata mund të sëmuren. Ata mund të vdesin”, shkroi mjeku.

Më parë, mjekët që po udhëheqin trajtimin e tij thanë se gjendja e presidentit vazhdon të përmirësohet dhe ai mund të lirohet nga spitali më 5 tetor

Mjekët thanë se nivelet e oksigjenit të Trumpit kishin rënë dy herë shkurtimisht ditët e fundit dhe ai po trajtohet me steroid.

“Pacienti vazhdon të përmirësohet. Ai ka nuk ka ethe që nga e premtja në mëngjes, shenjat e tij janë të qëndrueshme”, u tha gazetarëve mjeku, Sean Dooley.

Trump vazhdon të punojë nga suita presidenciale e spitalit, e cila posedon gjitha pajisjet që ia lejojnë atij të vazhdojë me detyrat zyrtare.

Infektimi i Trumpit shënon një goditje në fushatën e tij të rizgjedhjes dhe vë në qendër të vëmendjes pandeminë dhe deklaratat e mëparshme të presidentit, i cili e kishte minimizuar koronavirusin.

Sëmundja COVID-19 ka vrarë më shumë se 200,000 amerikanë dhe ka infektuar mbi 7 milionë.

Ndërkohë, i nominuari demokrat për president, Joe Biden, përsëri doli negativ për koronavirusin, tha fushata e tij.

Rezultatet vijnë pesë ditë pasi Biden kaloi më shumë se 90 minuta në debatin presidencial me Trumpin. rel

Mjekët: Presidenti Trump mund të dalë nga spitali të hënën

Mjekët thanë të dielën se gjendja e Presidentit Donald Trump po përmirësohet ndërsa ai trajtohet për COVID-19 në një spital ushtarak dhe se presidenti mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë qysh të hënën, ku mjekimi do të vazhdojë.

Mjekët që po kurojnë Presidentin Trump thanë se i kishin dhënë atij oksigjen plotësues dy herë, të enjten dhe të premten, në betejën e tij me sëmundjen. Ata thanë se i kishin dhënë gjithashtu Presidentit Trump dexamethasone. Ilaçi dexamethasone rezulton nga studimet se përmirëson gjendjen e pacientëve të shtruar në spital me COVID-19, të cilët kanë nevojë për oksigjen shtesë.

Por sipas udhëzimeve të Shoqatës së Sëmundjeve Infektive të Amerikës, ai nuk duhet të jepet për raste të lehta, pasi mund të kufizojë aftësinë e trupit për ta luftuar vetë virusin.

“Fakti është se Presidenti po përparon vërtet mirë”, u tha gazetarëve Dr. Sean P. Conley në Qendrën Mjekësore Kombëtare të Ushtrisë, Walter Reed, ku është duke u trajtuar Presidenti Trump.

Mjekët thanë se Presidenti Trump nuk ka patur ethe që nga e premtja dhe se funksionet e mëlçisë dhe veshkave janë normale, pas dozës së dytë të Remdesivirit, një ilaç antiviral i nxjerrë në treg nga Gilead Science Inc, që është provuar se e shkurton qëndrimin në spital për pacientët me COVID-19.

Dr Brian Garibaldi tha se Presidentit Trump iu dha dexamethasone në përgjigje të “niveleve të ulëta kalimtare të oksigjenit”. “Ai e mori dozën e parë dje dhe plani ynë është që t’ia vazhdojmë,” tha Dr. Garibaldi.

Presidentit Trump po i bëhet gjithashtu një trajtim eksperimental me REGN-COV2 të firmës Regeneron, si dhe po i jepet zink, Vitaminë D, famotidinë, melatoninë dhe aspirinë, thanë mjekët.

Presidenti postoi të shtunën mbrëma një video nga spitali, ku thoshte se kishte filluar të ndihej më mirë dhe se shpresonte të “kthehej së shpejti”.

Zëri i presidentit tingëllonte pak i ngjirur video, por ai dukej në humor të mirë. Ai tha se po luftonte për miliona njerëz në mbarë botën që kanë patur virusin.

Ai tha se mund të kishte qëndruar në Shtëpinë e Bardhë për të mbrojtur veten, por si president nuk mund t’ia lejonte vetes të “mbyllej në dhomën në katin e sipërm”.

Presidenti falenderonte në video ekipin mjekësor që po e trajton si dhe udhëheqësit botërorë që i kanë dërguar urime.

KOMENTET KONTRADIKTORE

Shefi i Kabinetit i Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows tha se gjendja e Presidentit Trump të premten ishte shumë më keq sesa e kishin publikuar zyrtarët.

Ai tha në një intervistë me Fox News se mjekët rekomanduan që presidenti të shkonte në spital pasi diktuan se ai kishte ethe dhe niveli i oksigjenit në gjak po i binte me shpejtësi.

Zoti Meadows i bëri komentet pas dy ditë me vlerësime kontradiktore dhe të paqarta për shëndetin e presidentit. Zoti Meadows shtoi: “Mund t’ju them se gjëja më e rëndësishme që shohim tani është se ai tani nuk ka ethe dhe oksigjeni është në nivel të plotë”.

Ai tha se të premten “ishim vërtet të shqetësuar pasi niveli i tij i oksigjenit kishte rënë me shpejtësi. Megjithatë në stilin e tij tipik presidenti ishte ngritur dhe ecte”.

Të premten zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, përfshirë zotin Meadows, thanë se Presidenti Trump po kalonte “simptoma të lehta” dhe po vazhdonte të punonte. Ai tha se megjithatë, mjekët e spitaleve Walter Reed dhe Johns Hopkins rekomanduan që ai të shtrohej.

Zoti Meadows tha se Presidenti “ka bërë përmirësime të pabesueshme nga e premtja në mëngjes kur një numër prej nesh, mjeku dhe unë, ishim shumë të shqetësuar.”

I pyetur nga gazetarët të dielën, Dr. Conley tha: “Unë po përpiqesha të pasqyroja një qëndrim optimist të ekipit dhe të presidentit për rrjedhën e sëmundjes së tij”. “Nuk kam dashur të jap ndonjë informacion që mund t’i jepte kronologjisë së sëmundjes një drejtim tjetër dhe, duke vepruar kështu, u duke sikur ne po përpiqeshim të fshihnim diçka, gjë që jo domosdo është e vërtetë,” tha ai.

NJË KALENDAR AGRESIV FUSHATE

Ndërkohë, fushata e Presidentit Trump tha se Nënpresidenti Mike Pence, do të ketë një program “agresiv” fushate këtë javë, ashtu si edhe tre fëmijët më të mëdhenj të zotit Trump.

“Ne nuk mund të qëndrojmë në bodrum ose të mbyllim ekonominë për një kohë të pacaktuar, por duhet t’i dalim situatës në ballë,” tha këshilltari i fushatës Jason Miller të dielën në televizionin ABC. zëri i amerikës

Trumpi thotë se ndihet “shumë më mirë” dhe “do të kthehet së shpejti”

Presidenti i Shteteve të Bashkura, Donald Trump, i cili po trajtohet për sëmundjen COVID-19 në një spital ushtarak pranë Uashingtonit, tha se ndihet “shumë më mirë” dhe se shpreson se “do të kthehet së shpejti”, për të përfunduar fushatën, përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Në një video 4-minutëshe të postuar të shtunën në Twitter, Trump tha se ditët e ardhshme do të jenë “prova e vërtetë”, ndërsa i falënderoi të gjithë në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën për mbështetjen e tyre.

“Ne do ta mundim këtë koronavirus”, tha Trump, duke shprehur optimizëm për efektivitetin e terapive kundër koronavirusit.

Trump dhe Zonja e Parë, Melania, u diagnostikuan me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, të premten.

Trump, në të njëjtën ditë, u shtrua në Qendrën Mjekësore Ushtarake Walter Reed.

Mjekët që janë duke e trajtuar presidentin, thanë më herët se ai është në “disponim jashtëzakonisht të mirë”, pa temperaturë dhe pa vështirësi në frymëmarrje, ndërsa një anëtar i stafit të tij tha se dy ditët e ardhshme do të jenë kritike për presidentin 74-vjeçar.

“Këtë mëngjes, presidenti ndjehet shumë mirë”, tha doktor Sean Conley. Trump ka qenë pa temperaturë për 24 orë dhe aktualisht nuk po trajtohet me oksigjen, shtoi ai.

“Ekipi dhe unë jemi jashtëzakonisht të lumtur me përparimin që ka bërë presidenti”, tha Conley, por nuk pranoi të thotë se kur pritet të lirohet nga spitali.

Mjekët po ashtu refuzuan të thonë nëse presidenti ka kërkuar ndonjëherë oksigjen, pavarësisht pyetjeve të përsëritura nga gazetarët.

Trump, i cili po merr remdesivir përveç terapisë me antitrupa, mund të vazhdojë të punojë nga suita presidenciale e spitalit, tha Shtëpia e Bardhë.

Remdesiviri është një trajtim eksperimental anti-viral, i cili jepet në mënyrë intravenoze. Ilaçi ka treguar shenja të zvogëlimit të intensitetit dhe jetëgjatësisë së sëmundjes. Trump pritet ta marrë atë për pesë ditë.

Në video-mesazhin e publikuar të shtunën, Trump e vlerësoi edhe punën e ekipit mjekësor.

Sëmundja e papritur e Trumpit shënoi goditje mbi fushatën e tij për zgjedhjet e nëntorit. Trump do të garojë për rizgjedhje më 3 nëntor, kundrejt kandidatit demokrat, Joe Biden.

Trump e ka minimizuar në disa raste kërcënimin e pandemisë së koronavirusit dhe rrallë ka veshur maskë.

Përgatiti: Valona Tela

Mjekët: Trump po ecën mirë, fillon trajtimi me Remdesivir

Washington

Presidenti i SHBA-së Donald Trump “po ecën mirë” dhe ka filluar terapinë me Remdesivir, njoftoi mjeku i tij disa orë pasi ai u pranua në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed pasi u diagnostikua me COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mjeku i Shtëpisë së Bardhë Sean Conley tha se transferimi i presidentit nga Shtëpia e Bardhë u bë pas konsultimit me specialistë nga Walter Reed dhe Universitetin Johns Hopkins “për monitorim të mëtejshëm”.

“Këtë mbrëmje jam i lumtur të raportoj se presidenti po ecën shumë mirë. Ai nuk ndonjë nevojë për oksigjen shtesë, por në konsultim me specialistët ne kemi zgjedhur të fillojmë terapinë me Remdesivir”, tha ai në një deklaratë.

“Ai ka përfunduar dozën e tij të parën dhe po pushon qetë”, shtoi Conley.

Trump u pranua në spital për disa ditë si masë paraprake, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

“Po ecën mirë, mendoj! Faleminderit të gjithëve. DASHURI!!!”, shkroi Trump të premten vonë.

Trump, i cili të premten herët njoftoi së ishte prekur nga virusi, është ndër pacientët me faktorët më të lartë të rrezikut që mund të vuajë pasoja të tmerrshme shëndetësore nga virusi. Ai konsiderohet në aspektin mjekësor me mbipeshë dhe është 74 vjeç.

Njoftimi i tij erdhi disa orë pasi Hope Hicks, një nga ndihmëset më të afërta të Trump-it që ishte pranë tij, doli pozitive me virusin.

Trump ka kaluar pjesën më të madhe të vitit duke minimizuar rrezikshmërinë e virusit dhe është shfaqur vazhdimisht në publik pa maskë.

Shumë nga familja e parë e SHBA-së dhe mbështetësit e tyre nuk pranuan të mbanin maskë gjatë debatit presidencial të martën, duke shkelur rregullat e ngjarjes edhe kur stafi u përpoq që anëtarët e audiencës të vendosnin maskat e fytyrës.

Nënpresidenti Pence dhe roli i tij marrin vëmendje

Nënpresidenti Mike Pence, i cili vjen i dyti në radhë në Zyrën Ovale nëse presidenti bëhet fizikisht i paaftë, u testua të premten negativ për COVID-19, pak orë pasi Presidenti Donald Trump njoftoi se ishte infektuar dhe hyri në karantinë.

Testimi pozitiv i Presidentit Trump, ka nxjerrë në qendër të vemendjes Nënpresidentin Pence, ish-ligjvënës konservator, i cili ka qenë një nga të paktat figura që i ka rezistuar ndryshimeve të pandërprera në administratën e presidentit republikan.

Zoti Pence, 61 vjeç, është planifikuar të debatojë me kandidaten demokrate për nënpresidente, Senatoren Kamala Harris të mërkurën, por nuk është e qartë nëse plani mund të ndryshojë pas testimit pozitiv të Presidentit Trump.

Presidenti Trump dhe Nënpresidenti Pence do të punojnë secili nga rezidenca e tij. Zyrtarët thanë gjithashtu se edhe stafet e tyre do të jenë të ndarë nga njëri-tjetri për të mbrojtur zotin Pence, nëse do të ishte e nevojshme që ai të merrte detyrën e presidentit, ndërkohë që zoti Trump i nënshtrohet trajtimit mjekësor. Presidenti kërkon kalimin e kompetencave tek nënpresidenti në bazë të Amendamentit të 25 të Kushtetutës, pika 3.

Kjo ka ndodhur tri herë në historinë e SHBA. Ish-Presidenti George W. Bush ia transferoi përkohësisht pushtetin nënpresidentit Dick Cheney dy herë, për disa orë në vitet 2002 dhe 2007, kur po i nënshtrohej kolonoskopisë.

Në vitin 1985, George H.W. Bush në atë kohë nënpresident, u bë përkohësisht president për gati tetë orë, kur Presidenti Ronald Reagan hoqi me operacion një dëmtim para-kanceroz të indit.

Në rast se presidenti sëmuret me shpejtësi dhe nuk është në gjendje t’ia kalojë kompetencat nënpresidentit në bazë të pikës 3, atëherë pika 4 e amendamentit jep një zgjidhje për një krizë të tillë.

Sipas pikës 4, nënpresidenti dhe shumica e kabinetit mund t’i dërgojnë njoftim Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit “se Presidenti nuk është në gjendje të kryejë kompetencat dhe detyrat e postit së tij”. Ashtu si në rastin e pikës 3, përsëri nënpresidenti shërben si president i përkohshëm. Sapo presidenti ta marrë veten, nënpresidenti ia kalon kompetencat Dhomës dhe Senatit dhe ato i jepen përsëri presidentit. Kjo, me përjashtim të rastit nëse nënpresidenti dhe shumica e kabinetit i thonë Kongresit se presidenti vazhdon të jetë i paaftë. Në një rast të tillë i takon Kongresit të votojë për provuar paaftësinë ose jo të presidentit.

Zoti Pence merr të njëjtin informacion zbulimi si edhe Presidenti Trump.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Trump nuk është në “paaftësi fizike” dhe po punon në kushte izolimi me simptoma të lehta.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi vjen e treta në radhë për të marrë postin e presidentit pas zotit Pence. Ajo tha të premten se ishte testuar për COVID-19 dhe se do ta merrte përgjigjen së shpejti.

Zoti Pence, ish-guvernator i shtetit Indiana, ka luajtur rol kryesisht në prapaskenë në Shtëpinë e Bardhë, megjithëse është e njohur se ka ambicie presidenciale.

Ai ka luajtur role thelbësore në disa prej nismave legjislative të administratës, përfshirë shkurtimet e taksave të miratuara në vitin 2017.

Zoti Pence kundërshton me vendosmëri të drejtat e abortit dhe mbështet me pasion çështje të tilla si zbutja e rregullave për biznesin dhe reduktimi i përmasave të qeverisë. zëri i amerikës

Ekspertët: Mosha dhe pesha e Presidentit Trump, faktorë në përballjen me COVID-19

Presidenti mbërrin në kompleksin spitalor Walter Reed

Steve Baragona

Mosha dhe pesha janë faktorë që e vënë Presidentin Donald Trump në një kategori më të rrezikuar nga COVID-19, por megjithatë ekspertët thonë se prognoza nuk mund të parashikohet lehtë.

Mjeku i presidentit, Sean Conley, pohoi në një deklaratë të premten se presidenti dhe zonja e parë kanë rezultuar pozitivë për koronavirus. Por mjeku thotë se të dy ata “janë mirë në këtë moment”.

“Parashikoj se presidenti do të vazhdojë të përmbushë përgjegjësitë e tij pa ndërprerje gjatë kohës që kurohet”, tha mjeku.

Presidenti është 74-vjeç dhe të dhënat tregojnë se ritmet e shtrimit në spital janë 5 herë më të larta për grupmoshën e tij se sa për 18-29 vjeçarët, sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve. Po ashtu rreziku për vdekje është 90 herë më i lartë.

Sipas rezultateve të analizave të tij më të fundit, presidenti është 1.9 metra i gjatë dhe peshon thuajse 111 kg. Sipas këtyre shifrave, ai konsiderohet mbipeshë i kategorisë obeze.

Kjo e trefishon rrezikun për shtrim në spital, sipas Qendrës Për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Përgjithësisht, dikush që ka këto veçori kërkon vëmendje të madhe”, thotë Amesh Adalja, mjek i sëmundjeve ngjitëse dhe studiues në Universitetin Johns Hopkins. “Por kjo nuk do të thotë se ai medoemos do të kalojë një sëmundje të rëndë”, thotë eksperti.

“Ky virus ka shfaqur trajektore të ndryshme në çdo person. Nuk dimë mjaftueshëm përse disa individë, megjithëse janë në grupin më të rrezikuar, e kalojnë më lehtë se të tjerë”.

Një studim i kufizuar në një qendër të kujdesit për të moshuarit, të cilët janë në grupin më të rrezikuar, arrin në përfundimin se më shumë se 1/3 e atyre që rezultuan pozitivë për koronavirus nuk shfaqën simptoma.


Send this to a friend