VOAL

VOAL

Vuçiq: Serbia është lodhur nga ata që po e terrorizojnë dhe duhet të përgjigjet

Radio Evropa e Lirë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se “Serbia është lodhur nga ata që po e terrorizojnë që katër muaj”, duke shtuar se ata duhet të bëjnë gjithçka që të shmangin dhunën, por po ashtu të kundërshtojnë ata që “shkatërrojnë” shtetin.

“Po vlon në Serbi, por vetëm ata nuk e shohin këtë. Serbia është lodhur me ata që e kanë terrorizuar tash e katër muaj. Dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që t’iu përgjigjemi atyre që po e shkatërrojnë shtetin tonë”, tha Vuçiq përmes një video-adresimi në Instagram.

Ai shtoi se i fton njerëzit që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të tregojnë se ata duan një “Serbi të lirë”.

Pasi 16 persona vdiqën nga shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, një sërë protestash dhe bllokadash janë mbajtur, të organizuara nga studentët të cilët kanë bllokuar fakultetet për më shumë se tre muaj, duke kërkuar përgjegjësi për aksidentin.

Kërkesat e tyre janë mbështetur nga mësuesit, fermerët, avokatët dhe një numër qytetarësh.

Në mbrëmjen e së enjtes dhe orët e para të së premtes, studentët bllokuan depon e kompanisë së transportit të qytetit në Beograd, prandaj 150 autobusë dhe 130 tramvaje nuk operuan mëngjesin e së premtes.

A po formohet një aleancë ushtarake në Ballkan?

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një parade në Prishtinë më 2024.

 

Mimoza Sadiku

 

Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan këtë javë një deklaratë për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Pa dhënë detaje konkrete, ministrat e Mbrojtjes të tri shteteve thanë se do të rrisin ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride, por edhe do të koordinojnë politikat për integrime euroatlantike.

Serbia e pa këtë si hap që “minon stabilitetin rajonal” dhe si kërcënim për “integritetin territorial” të saj, kurse Kosova tha se nisma s’duhet të shihet si kërcënim ndaj askujt, por duhet të pranohet edhe si mesazh se tri shtetet do të jenë të bashkuara përballë çfarëdo sfide apo kërcënimi.

Njohës të sigurisë, në Prishtinë dhe në Beograd, nuk e shohin deklaratën si hap drejt formimit të një aleance formale të mbrojtjes, sikurse është ajo e NATO-s.

Çfarë i bashkon tri shtetet?

Për Ramadan Ilazin, udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), rëndësia e deklaratës qëndron te fakti se erdhi në kohën kur është rritur paparashikueshmëria e aleancave ekzistuese të sigurisë në botë.

Ai e sheh nismën si hap drejt forcimit të alternativave ose aleancave strategjike, që Kosova të avancojë në aspektin e mbrojtjes, pasi ende nuk ka një rrugë të qartë të anëtarësimit në NATO.

“Unë nuk jam optimist që kjo aleancë shënon fillimin e krijimit të një blloku formal të mbrojtjes, por më shumë të një grupi të ri të shteteve në Evropë, të cilat e ndajnë të njëjtin shqetësim ose të njëjtin lexim të situatës së sigurisë në Evropën Juglindore”, tha Ilazi për Radion Evropa e Lirë.

Ilazi beson se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe vetë aleanca, do të jenë ombrellë e këtyre bashkëpunimeve, pasi nuk mendon se Shqipëria dhe Kroacia do të vepronin në kundërshtim me interesat e NATO-s në rajon.

Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se Shqipëria dhe Kroacia janë kontribuuese të kamotshme për stabilitet rajonal, edhe përmes kornizës të KFOR-it. I pyetur për nismën e re, zyrtari tha se aleanca “është në dijeni”, por se u takon palëve nënshkruese të deklaratës të thonë më shumë.

Pjesëtarë kroatë të NATO-s gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Pjesëtarë kroatë të NATO-s gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Pavarësisht se nuk e ka formën e një marrëveshjeje ndërkombëtare, nisma, me vullnet politik të palëve, mund të çojë “në veprime të buta politike”, sipas ekspertit për çështje të sigurisë në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë, Vuk Vuksanoviq.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimi ballkanik pjesërisht është nxitur mes paralajmërimevepër një reduktim të mundshëm të “angazhimit të Shteteve të Bashkuara në NATO, nëse evropianët nuk investojnë më shumë për mbrojtjen e tyre”.

Sipas Vuksanoviqit, në një mjedis ku NATO-ja nuk largohet, por “ku ajo dobësohet, mund të ndodhë që shtetet e caktuara të formojnë grupime joformale për të bashkëpunuar”.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia paralajmëruan se nisma mund të zgjerohet me anëtarë të rinj, ndonëse s’kanë përmendur emra shtetesh. Megjithatë, Serbia aludoi se një nga këto shtete mund të jetë Bullgaria. Qeveria bullgare nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Edhe nëse i shtohen vende të tjera, Ilazi nuk mendon që ky grup po lëviz drejt krijimit të një aleance ushtarake që mishëron parimet e NATO-s, sikurse mbrojtja kolektive.

Ceremonia e nënshkrimit të deklaratës për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Ceremonia e nënshkrimit të deklaratës për bashkëpunim ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Pse Serbia po e kundërshton nismën?

Beogradi kërkoi shpjegim nga Tirana dhe nga Zagrebi lidhur me qëllimet e nismës, teksa tha se “nuk do të lejojë veprime të njëanshme që mund të rrezikojnë integritetin tonë territorial, sigurinë e qytetarëve dhe paqen në rajon”.

Ministria e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës u kundërpërgjigj, duke thënë se një sjellje e tillë e Serbisë paraqet një shkelje të re të Marrëveshjes së Brukselit, “e cila përcakton qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës”.

Ndërkaq, Kroacia tha se ka kaluar koha kur Zagrebi i kërkonte leje Beogradit se si të vepronte e më kë të bashkëpunonte.

Për Vuksanoviqin, Serbia me më shumë gjasa e sheh këtë nismë si “provokim politik nga ana e Zagrebit”.

Sipas tij, pushteti në Beograd mund ta përdorë këtë zhvillim për të zhvendosur vëmendjen nga situata politike në Serbi dhe protestat që po mbahen atje tash e disa muaj.

Edhe Ilazi mendon se reagimi i ashpër i Serbisë është thjesht për shkak të përfshirjes së Kroacisë, e cila në vitet ’90 zhvilloi një luftë për pavarësi nga ish-Jugosllavia.

Megjithatë, ai konsideron se bashkëpunimi trepalësh është nxitur nga mendimi i njëjtë se Rusia ushtron një ndikim dashakeqësnë rajon, dhe se regjimet autokratike në rajon paraqesin kërcënim për stabilitetin e Ballkanit – akuza që janë bërë vazhdimisht edhe nga autoritetet kosovare.

Përderisa mendon se Kosova do të përfitonte shumë nga përvojat e dy shteteve të NATO-s, por edhe nga trajnimet e ndryshme, Ilazi shpreh skepticizëm rreth zbatimit të nismës, duke kujtuar nivelin e ulët të zbatimit të marrëveshjeve të mëparshme mes Prishtinës dhe Tiranës.

Plenkoviq: BE-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje mungesës së stabilitetit në Ballkan

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

 

Radio Evropa e Lirë

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje mungesës së stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, tha të enjten kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

“Duhet ta vëzhgojmë gjendjen në Evropën juglindore, posaçërisht stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe situatën në Serbi”, tha Pllenkoviq para samitit të BE-së në Bruksel.

“Ka kaq shumë ngjarje globale për momentin, është koha që një pjesë e asaj vëmendjeje të fokusohet edhe në një rajon që është treguar shumë i ndezshëm gjatë 35 vjetëve të fundit”, deklaroi Andrej Pllenkoviq për gazetarë.

Ai po i referohej krizës më të rëndë politike në Bosnje që nga përfundimi i luftës së saj 1992-95, e shkaktuar nga lëvizjet separatiste të Republikës Sërpska, pasi lideri i saj, Millorad Dodik, u dënua me një vit burg për shpërfilljen e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Pllenkoviq gjithashtu iu referua edhe protestave disamujore kundër Qeverisë në Serbi, pas vdekjes së 15 njerëzve nga shembja e një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad në nëntor.

Pllenkoviq i komentoi edhe deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili të mërkurën tha se Koracia dhe Shqipëria e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.

Sipas transmetuesit publik kroat, HRT, kryeministri kroat deklaroi në Bruksel se e kupton që në Serbi po përpiqen të kërkojnë probleme diku tjetër, por se ato nuk gjenden në memorandumin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar rishtazi mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

“Ky është një memorandum për bashkëpunim të përbashkët, nuk ka asnjë karakter armiqësor, kështu që e kuptoj që tani po kërkohen probleme diku tjetër, por në këtë tekst ato nuk ekzistojnë”, tha Pllenkoviq duke iu përgjigjur pyetjes për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Lideri serb tha se memorandumi përbën shkelje të të ashtuquajtures marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armatimit nga viti 1996 dhe se është “pothuajse i sigurt” që për këtë nuk është njoftuar NATO-ja.

Pllenkoviq nguli këmbë se ky memorandum ndihmon përpjekjet e Kosovës dhe Shqipërisë në reformat e tyre dhe në shkëmbimin e përvojave.

Vuçiq thotë se Shqipëria dhe Kroacia kanë hapur “garë armësh” pas memorandumit me Kosovën

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Shqipëria dhe Kroacia e kanë hapur “një garë armësh” duke nënshkruar memorandum për bashkëpunim në mbrojtje me Kosovën.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia e nënshkruan një deklaratë në Tiranë më 18 mars, për ta forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, gjë që nxiti reagime në Serbi.

“Është situatë e vështirë për ne, por ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Dhe, ne do ta ruajmë vendin tonë, do t’i pengojmë ata dhe gjithmonë do ta mbrojmë me sukses nga çdo agresor i mundshëm, qoftë edhe një agresor kaq i fuqishëm”, tha Vuçiq për gazetarë në Bruksel më 19 mars.

Duke folur pas një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Vuçiq theksoi se memorandumi përbën “shkelje të marrëveshjes nënrajonale” dhe se është “i bindur se NATO-ja nuk ka qenë e njoftuar për këtë”.

Ai tha se këtë çështje e ngriti në takim me shefin e aleancës veriatlantike, por nuk tregoi çfarë ka thënë Rutte në lidhje me të.

“Është detyra jonë t’ua themi zotit Rutte, njerëzve në NATO dhe gjithë të tjerëve se kjo është shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se me Rutten ka biseduar dhe situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet ndërmjet Ushtrisë Serbe dhe misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe për situatën në Bosnje e Hercegovinë.

Deklarata e nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes së Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës kërkon forcimin e bashkëpunimit trepalësh dhe rëndësinë e reagimit të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal.

Deklarata përfshin, siç raporton Radio Televizioni Kroat, promovimin e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, forcimin e ndërveprimit nëpërmjet edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve, kundërvënien e kërcënimeve hibride, si dhe mbështetjen e plotë për integrimin euro-atlantik.

Deklarata lë të hapur mundësinë për vende të tjera për t’iu bashkuar asaj.

Serbia e kundërshton pavarësinë e Kosovës sepse e konsideron shtetin pjesë të saj, megjithëse dialogon me Kosovën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në një proces që synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Më 2023, palët arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit, e cila, veç tjerash, i kërkon Serbisë që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Tensionet mes dy shteteve kanë qenë të larta viteve të fundit, dhe Kosova e ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa një sërë sulmesh në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 2023, kur u vra një polic, si dhe për një shpërthim në një kanal jetik të ujit në veriun e Kosovës nëntorin e vitit 2024.

Nata bëhet ‘ditë’ në Turqi! Mijëra protestues pushtojnë sheshet në mbështetje të Imamoglu

Pavarësisht arrestimeve dhe brutalitetit të policisë në qendër të Stambollit, mijëra qytetarë dolën në rrugë të mërkurën në mbrëmje për të protestuar në mbështetje të kryebashkiakut Ekrem Imamoglu, i cili u arrestua në mëngjes së bashku me mbi 100 persona të tjerë.

Mijëra njerëz u mblodhën jashtë bashkisë për të dëgjuar fjalimin e kreut të CHP, Özgür Özel. Ozel në ndërhyrjen e tij tha se vendimi për arrestimin e kryebashkiakut “ishte një grusht shteti”.

Ai ia atribuoi lëvizjen e fundit që ka tronditur Turqinë, Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, duke thënë se e bëri këtë për shkak të një mosmarrëveshjeje personale me Imamoglu, pasi humbi kontrollin e Stambollit për shkak të tij dhe imazhi i presidentit “u zbeh”.

Siç shpjegoi Özel, Erdogan mund të humbiste ndaj Imamoğlu-s dhe vetë Turqinë, ndaj ai luajti “kartën” e grushtit të shtetit.

Para protestuesve ka folur edhe bashkëshortja e Imamoglus, Dilek, e cila tha se nuk është arrestuar kryebashkiaku, por testamenti i 16 milionë qytetarëve, ndërsa vlerësuan punën sociale të kryer nga kryetari i bashkisë menza sociale dhe transport falas për kategoritë e qytetarëve vurnerabël në Stamboll.

Demonstrata sakaq u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Turqisë, si Ankara, Izmir dhe Trabzon. Mijëra qytetarë që dolën në sheshe, goditën edhe tenxheret dhe tiganët duke krijuar një jehonë.

Guvernatori i Stambollit kishte urdhëruar mbylljen e shumë rrugëve kryesore, stacioneve të metrosë dhe rrugëve në qytet, si dhe qendrave kryesore të transportit, ndërsa vendosi një ndalim katër-ditor të demonstratave.

Synimi i dukshëm është parandalimi i demonstratave në favor të kryetarit të bashkisë ose së paku pengimi i dukshëm i tyre.

Ndërkohë, qeveria mori edhe masa ligjore. Aktivistët thonë se që nga mëngjesi i së mërkurës, qasja në platformat kryesore të mediave sociale, si X, Instagram, YouTube dhe TikTok, është kufizuar.

Kujtojmë se arrestimi i Imamoglu vjen një vit pas fitores së tij në zgjedhjet komunale në të cilat ai u rizgjodh me 51.14% të votave si kryebashkiak i Stambollit.

Ai u akuzua për terrorizëm, çka çoi në ndalimin e tij, me ç’rast Ministri i Brendshëm e largoi nga detyra dhe e zëvendësoi me një zyrtar të caktuar nga qeveria deri në përfundimin e procedurave ligjore. sn

Protestat masive detyrojnë Vuçiçin të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme

Parlamenti i Serbisë pranoi zyrtarisht dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vucevic të mërkurën, duke shkaktuar një afat 30-ditor për formimin e një qeverie të re ose thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Vuçeviç, kreu i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe një aleat i presidentit populist Aleksandar Vuçiç, dha dorëheqjen më 28 janar mes protestave të shkaktuara nga shembja e një tende në një stacion treni në qytetin verior të Novi Sadit nëntorin e kaluar, ku 15 persona humbën jetën.

Më shumë se 100,000 protestues zbritën në Beograd të shtunën, në një nga mitingjet më të mëdha në dekada. Protestuesit thonë se katastrofa e trenit ishte një simptomë e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të përhapur, të cilin qeveria e mohon.

Sipas kushtetutës, presidenti Vuçiç ka tani 30 ditë për të propozuar një kryeministër të ri të emëruar për të udhëhequr qeverinë deri në vitin 2027, kur janë caktuar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

“Parlamenti serb, … ka pranuar dorëheqjen e Kryeministrit dhe mandati i qeverisë përfundon,” tha kryetarja e parlamentit Ana Brnabiç. “Afati i fundit për …qeverinë e re është 18 prilli në mesnatë.”

Nëse Vuçiq nuk arrin të emërojë një kryeministër të ri të emëruar brenda afatit, zgjedhjet do të shkaktohen brenda 45 deri në 60 ditë.

Seanca e parlamentit që filloi më 4 mars dhe kishte dorëheqjen e Vuçeviçit si pikën e fundit të rendit të ditës, është dëmtuar nga dhuna, pasi deputetët e opozitës protestuan kundër qeverisë dhe në mbështetje të studentëve demonstrues.

Protestat mbarëkombëtare kanë tronditur Vuçiçin, i cili ka mbajtur pushtetin që kur u bë kryeministër më 2014 dhe president më 2017.

Protestat, të cilat filluan në Novi Sad në nëntor, janë përhapur që atëherë në pjesën tjetër të Serbisë.

Është e paqartë se si do të kalonin aleatët e Vuçiqit nëse shpalleshin zgjedhje të parakohshme. Në dhjetor, anketuesi i IPSOS Strategic Marketing tha se SNS gëzonte mbështetjen e 48.3% të elektoratit, megjithëse ndjenja popullore kundër qeverisë është rritur që atëherë.

Ky është momenti kur hajdutët vjedhin një tualet të artë 18 karatësh nga vendlindja e Winston Churchill.

Partitë opozitare kanë hedhur poshtë mundësinë e një votimi të parakohshëm dhe kanë kërkuar një qeveri të përkohshme pa SNS. Vuçiq e ka hedhur poshtë vazhdimisht një opsion të tillë./ Reuters. sn

Panik në tregje- Kolaps ekonomik në Turqi pas arrestimit politik të rivalit kryesor të Erdogan

Turqia po përballet me një krizë të thellë ekonomike, teksa regjimi autoritar i Rexhep Tajip Erdogan vazhdon goditjet e tij kundër opozitës. Lira turke ra në një nivel historikisht të ulët prej 42 për dollar, duke shënuar rënien më të madhe ditore që nga korriku i vitit 2023. Aksionet dhe obligacionet turke gjithashtu u shembën, duke reflektuar mungesën e stabilitetit ekonomik dhe pasiguritë e tregut.

Kriza erdhi pasi Erdogan urdhëroi arrestimin e rivalit të tij kryesor politik, kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu. Opozita e cilësoi këtë akt si një “përpjekje për grusht shteti” dhe një manovër të pastër politike për të eliminuar kundërshtarët e tij në prag të zgjedhjeve. Imamoglu pritej të ishte kandidati kryesor i opozitës përballë Erdogan, por tashmë ai është vënë në shënjestër të një sulmi të orkestruar nga regjimi.

Panik në tregje, investitorët po largohen

Pas arrestimit të Imamoglu, lira turke pësoi një goditje të rëndë, duke humbur mbi 12.7% të vlerës së saj. Banka qendrore turke u detyrua të ndërhynte duke shitur miliarda dollarë nga rezervat valutore për të ndaluar rënien e monedhës, por pa sukses. Analistët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet më tej, duke vënë në dyshim të ardhmen e ekonomisë turke.

Aksionet kryesore në bursën e Stambollit ranë me gati 6%, duke shënuar performancën më të keqe ditore që nga fundi i vitit 2023. Nën-indeksi bankar u shemb me 9.67%, duke detyruar Borsën e Stambollit të ndërpresë përkohësisht tregtimin për të shmangur një kolaps të plotë. Investitorët e huaj po tërhiqen me shpejtësi nga Turqia, duke rritur shqetësimet për një krizë të re financiare në vend.

Politikat e gabuara të Erdogan, shkaktare e krizës

Kjo situatë dramatike është rezultat i viteve të politikave të gabuara të Erdoganit, i cili ka mbështetur politika ekonomike joortodokse që kanë nxitur inflacionin dhe kanë dëmtuar besimin e investitorëve. Pas një periudhe të gjatë manipulimesh financiare dhe ndërhyrjeve në bankën qendrore, Erdogan është detyruar të mbështesë politika më ortodokse, por dëmi tashmë është bërë.

Ekspertët paralajmërojnë se me këtë krizë të thellë ekonomike dhe represion politik në rritje, Turqia po shkon drejt një pike pa kthim. Arrestimi i Imamoglu dhe shtypja e opozitës tregojnë se Erdogan është i gatshëm të sakrifikojë stabilitetin ekonomik dhe politik të vendit për të mbajtur pushtetin me çdo kusht./ Reuters – Syri.Net

Shpërthejnë protestat dhe incidentet në Stamboll, pas arrestimit të kryebashkiakut Ekrem Imamoglu

Në Stamboll kanë shpërthyer protestat dhe incidente pas anulimit të gradës së kryetarit të bashkisë dhe kandidatit për president të CHP, Ekrem Imamoglu si dhe arrestimit të tij mëngjesin e së mërkurës.

Pavarësisht ndalimit, studentët e universitetit u mblodhën për të protestuar. Policia u përpoq të bllokonte marshimin, por mijëra protestues duke brohoritur pro-demokracisë, arritën të thyenin bllokadën e policisë.

Jashtë portës kryesore, studentët u bënë thirrje studentëve të tjerë që të mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre demokratike. Më pas marshimi u drejtua drejt bashkisë së qytetit në zonën e Saratchane.

Në mobilizim morën pjesë edhe studentë nga universitete të tjera në Stamboll. Policia turke ndaloi protestuesit para Shkollës Ekonomike.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa studentët deklarojnë se do të vijojnë protestat e tyre. bw

Imamglou ia le mesazhin Erdoganit- ‘Populli turk do të të japë përgjigjen e duhur’

Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, tha në një deklaratë se populli turk do t’i japë përgjigjen e duhur Presidentit Erdogan, për ‘gënjeshtrat, komplotet dhe kurthet’ që sajoi ndaj tij.

Imamoglu e ndau mesazhin e shkruar me dorë në llogarinë e tij X disa orë pas arrestimit të tij me akuza për korrupsion dhe ndihmë të një organizate terroriste, gjë që shkaktoi protesta dhe kritika nga ana e opozitës.

Populli ynë do t’i japë përgjigjen e duhur gënjeshtrave, komploteve, kurtheve, atyre që shkelin të drejtat e njerëzve dhe atyre që vjedhin vullnetin e popullit. Unë besoj te Zoti dhe më pas te kombi ynë. Gjithë të mirat.“, shkroi Imamoglu. Syri.net-SKAI.gr.

Turqia e arreston rivalin kryesor të Erdoganit, nën dyshimin për korrupsion

Ekrem Imamoglu, kryetar i Stambollit

 

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet turke e kanë arrestuar të mërkurën rivalin kryesor të presidentit Recep Tayyip Erdogan, Ekrem Imamoglu, nën dyshimin për korrupsion dhe mbështetje të një grupi terrorist.

Partia kryesore opozitare e ka cilësuar arrestimin e tij “tentim për puç kundër presidentit tonë të ardhshëm”.

Arrestimi i Imamoglut – kryetarit të njohur të Stambollit – vjen në një kohë kur shumë figura opozitare janë ndaluar në gjithë vendin, gjë që është cilësuar nga shumë si përpjekje e politizuar për t’i heshtur kundërshtarët.

Qeveria e Erdoganit i ka hedhur poshtë kritikat, duke thënë se gjyqësori është i pavarur.

Imamoglu, 54 vjeç, prin para Erdoganit në disa prej sondazheve në Turqi.

Ai është duke u hetuar në dy raste të ndara, të cilat përfshijnë gjithashtu akuza për drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet dhe manipulim me tenderë.

Partia kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), ishte në prag ta shpallte Imamoglun kandidat për president për ta sfiduar Erdoganit, i cili ka udhëhequr Turqinë për më shumë se dy dekada.

Zgjedhjet e ardhshme janë planifikuar për vitin 2028, por Erdogan e ka arritur kufirin e lejuar prej dy mandatesh si president, pasi më parë ka shërbyer si kryeministër. Nëse dëshiron të garojë përsëri për president, ai duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme dhe të pretendojë se nuk e ka përfunduar mandatin e tij të dytë, ose i duhet ta ndryshojë Kushtetutën.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Imamoglu tha se nuk do të dorëzohet dhe se do të vazhdojë të qëndrojë i palëkundur përballë trysnisë.

Lideri i CHP-së, Ozgur Ozel, e quajti arrestimin e Imamoglut përpjekje për grusht shteti dhe u bëri thirrje të gjitha grupeve opozitare të bashkohen kundër ndalimit të tij. Ai shtoi se partia do ta zgjedhë Imamoglun si lider të dielën, pavarësisht zhvillimeve.

Sipas një komunikate nga zyra e prokurorit të Stambollit për hetimin e parë, gjithsej 100 njerëz, përfshirë gazetarë dhe biznesmenë, dyshohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale të lidhura me tenderë të caktuar të lëshuar nga bashkia e Stambollit.

Në hetimin e dytë, prokurorët e akuzojnë Imamoglun dhe gjashtë persona të tjerë për mbështetjen e Partisë së Punëtorëve Kurdistan, PKK, e cila konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.

Muajin e kaluar, PKK-ja shpalli armëpushim në përgjigje të thirrjes së liderit të burgosur, Abdullah Ocalan, për çarmatim, duke shënuar një hap të madh drejt përfundimit të një kryengritjeje që ka lënë mbi 40.000 të vdekur dhe që mund të ketë pasoja të rëndësishme për sigurinë rajonale dhe politikën.

Arrestimi i Imamoglut ndodhi një ditë pasi Universiteti i Stambollit e shfuqizoi diplomën e tij, vendim i cili, nëse konfirmohet, do ta pengonte atë të garojë në zgjedhjet presidenciale.

Zyra e guvernatorit të Stambollit ndaloi të gjitha tubimet dhe protestat në qytet për katër ditë.

Bosnja lëshon urdhër-arresti ndërkombëtar për Milorad Dodikun, gjykata: Çdo oficer policie ta arrestojë menjëherë!

Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës ka lëshuar një urdhër-arresti mbarëkombëtar për Milorad Dodik dhe dy të tjerë, pasi Presidenti i entitetit të Republika Srpska të mbizotëruar nga serbët e Bosnjës injoroi një urdhër arresti në nivel shtetëror javën e kaluar.

Dy të tjerët janë kryeministri i njësisë Radovan Vishkoviç dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare Nenad Stevandiç. Urdhri nënkupton që çdo oficer policie në vend që i ndeshet duhet t’i arrestojë menjëherë.

Të gjithë ata akuzohen për sjellje antikushtetuese. Mediat boshnjake raportojnë se Stevandiq është larguar nga vendi për në Serbi.

Prokurorët e nivelit shtetëror të Bosnjës lëshuan urdhra arresti për treshen javën e kaluar , gjë që nuk u zbatua.

Dodik nuk ka komentuar ende urdhrin e ri, por ka postuar në X se Republika Srpska po ndërmerr hapa për të formuar policinë e saj kufitare. Kjo do të kontrollojë kufirin midis Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Republika Srpska, dy entitetet në vend.

Ligjet e reja të liderit serb të Bosnjës Milorad Dodik ndezin krizë të madhe politike

Dodik, i cili më parë tha se nuk e njeh zyrën e prokurorit të nivelit shtetëror të vendit, ka hedhur poshtë vlefshmërinë e urdhrit të javës së kaluar dhe çdo përpjekje për arrestimin e tij dhe tha se nuk do të shkojë në Sarajevë për t’u marrë në pyetje.

Gjykata e nivelit shtetëror të Bosnjës e dënoi Dodikun në fund të shkurtit për kundërshtimin e vendimeve të të dërguarit ndërkombëtar të vendit për paqen, Christian Schmidt, që përbën një akt kriminal. Vendimi nuk është përfundimtar dhe Dodik mund ta apelojë atë.

Menjëherë pas kësaj, Dodik prezantoi ligje të reja që synojnë të ndalojnë funksionimin e institucioneve të sigurisë dhe gjyqësorit në nivel shtetëror në atë që përfshin rreth gjysmën e territorit të vendit të Ballkanit Perëndimor.

Vendimet janë pezulluar përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese në nivel shtetëror.

Forca paqeruajtëse evropiane në Bosnje, EUFOR, ka thënë se po rrit numrin e trupave të saj në përgjigje të tensioneve. bw

Srebrenica pas mbylljes së Qendrës Përkujtimore

Qendra Përkujtimore e Srebrenicës është mbyllur deri në një njoftim të dytë, për shkak të situatës së sigurisë.

 

Xhenana Halimoviq

Potoçari nuk dukej kurrë më i heshtur e më i trishtuar.

Pamja nga portat e mbyllura të Qendrës Përkujtimore, ku janë varrosur më shumë se 6.700 viktima të gjenocidit, është sidomos e dhimbshme për banoren e Srebrenicës, Shahida Abdurahmanoviq.

Mes të varrosurve janë edhe 12 anëtarë të familjes së saj të ngushtë.

Është Ramazan – muaj i agjërimit për myslimanët – dhe policia, me kërkesë të disa grave që jetojnë pranë, hap dhomën e lutjeve, çdo mbrëmje.

Pastaj, sërish heshtje.

“Është rrëqethëse. Është një ndjenjë ndryshe. Të trishton dhe të kthen në ato kohët më të vështira. Dhe, sigurisht, nuk mund të mendosh se po ndodh diçka e mirë”, thotë Shahida, shtëpia e së cilës gjendet afër varrezave të Qendrës Përkujtimore.

Qendra Përkujtimore e Srebrenicës, e cila gjendet në entitetin serb Republika Sërpska, në lindje të Bosnje e Hercegovinës, njoftoi më 7 mars se do të mbyllet deri në njoftimin e radhës, për shkak të situatës së sigurisë.

Prej se është hapur në vitin 2003, kjo është hera e parë që mbyllet.

“Vendimi është marrë për shkak të pamundësisë për të ofruar garanci adekuate të sigurisë për punonjësit, bashkëpunëtorët, mysafirët dhe vizitorët. E gjithë kjo bëhet në përputhje me rregulloret ligjore dhe rrethanat aktuale, si dhe me grushtshtetin që po zhvillohet kundër institucioneve shtetërore nga ana e grupeve rebele me seli në Banja Llukë”, shkruan nga Qendra Përkujtimore në rrjetin social X, pas mbylljes.

Më shumë se një javë më vonë, ata nuk duan të flasin më tepër për këtë.

Çka i parapriu mbylljes?

Mbyllja e dyerve për vizitorët vjen pas hyrjes në fuqi të ligjeve antikushtetuese të Republikës Sërpska, që ndalojnë funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Hetimit (SIPA), si dhe të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës në këtë njësi.

Që nga viti 2011, Qendra Përkujtimore sigurohet nga Drejtoria për Koordinimin e Organeve Policore e Bosnje e Hercegovinës.

Edhe pse siguria është nën një agjenci të menaxhuar nga institucionet shtetërore, dhe jo nga policia e entitetit, pasigurinë e shkakton fakti që autoritetet e Republikës Sërpska nuk e pranojnë gjenocidin në Srebrenicë, i cili është konstatuar nga gjykatat ndërkombëtare.

Në mesin e mohuesve të gjenocidit janë edhe zyrtarët më të lartë, përfshirë presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

Ata kundërshtojnë edhe Rezolutën e miratuar nga Kombet e Bashkuara në maj të vitit të kaluar, me të cilën 11 korriku është shpallur Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe dënohet mohimi i gjenocidit dhe madhërimi i kriminelëve të luftës.

Mision i Qendrës Përkujtimore është ta ruajë kujtimin për viktimat e gjenocidit dhe t’i edukojë brezat për rëndësinë e paqes, tolerancës dhe të drejtave të njeriut.

Në Qendrën Përkujtimore ka artefakte të shumta të viktimave të gjenocidit, të gjetura në varreza masive, si orë apo veshje, por edhe të dhuruara nga familjarët.

Mbështetje edhe nga Ruanda

Pas mbylljes, Qendra Përkujtimore e Srebrenicës u bëri thirrje institucioneve në mbarë botën që t’i bashkohen një nisme globale të përkujtimit dhe rezistencës, të quajtur #SrebrenicaShutdown.

Në më pak se 24 orë, mesazhe mbështetjeje kanë arritur nga 17 vende të ndryshme, nga përfaqësues të viktimave të gjenocidit në Ruandë, nga shoqata të kujtimit të Holokaustit, ambasada të shumta, organizata dhe institucione.

Në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës thonë se janë jashtëzakonisht mirënjohës për këtë, sepse, siç shprehen, një gjë e tillë konfirmon rëndësinë e ruajtjes së kujtimeve dhe kundërshtimit të mohimit dhe padrejtësisë historike.

“Këto mesazhe dhe veprime janë një rikujtim i fuqishëm se misioni i Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës u përket shumë njerëzve dhe se e vërteta do t’i ketë gjithmonë mbrojtësit e saj. Ky lloj solidariteti e forcon edhe më tej vendosmërinë tonë për të qëndruar të përkushtuar ndaj misionit tonë dhe për të vazhduar luftën për të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën”, thonë nga kjo qendër për Radion Evropa e Lirë.

Kështu, më 12 mars, dyert e Muzeut në Universitetin De Montfort në Leicester të Mbretërisë së Bashkuar janë mbyllur simbolikisht për pesë minuta.

Policia para Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, 7 mars 2025.

Policia para Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë, 7 mars 2025.

Kim Sadique, profesoreshë e Parandalimit të Gjenocidit dhe Edukimit për të, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky ishte “një akt i vogël solidariteti”, por edhe përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj ngjarjeve në Bosnje e Hercegovinë, përkatësisht në Srebrenicë.

“Qendra Përkujtimore e Srebrenicës është një fener shprese dhe një kundër-narrativ i dukshëm për mohuesit e gjenocidit, që përpiqen ta rishkruajnë historinë e Bosnje e Hercegovinës dhe vazhdojnë ta kërcënojnë të ardhmen e saj. Kjo nuk mund të lejohet dhe kjo është arsyeja përse kemi vendosur të marrim një qëndrim”, thotë Sadique.

Dhe kështu, qyteti ku në mes të korrikut të vitit 1995, forcat serbe kanë vrarë rreth 8.000 burra dhe djem gjatë gjenocidit, duket i shkretë.

Kryesisht janë gra të moshuara që shkojnë për të qenë pranë varreve të të dashurve të tyre.

Për shumë nga to, kjo është e gjitha që u ka mbetur. Dhe kjo është e shenjtë për to, thotë Shahida.

Në gjenocid është vrarë edhe djali 16-vjeçar i motrës së saj.

“Ajo më merr në telefon dhe më thotë: ‘Shahida, prej se është mbyllur Qendra Përkujtimore, nuk fle, fëmija im i vetëm është aty’. Të gjithë njerëzit që i kanë mbijetuar gjenocidit, që janë të afërm, ose edhe diku nëpër botë, nuk ndihen mirë nëse kjo merr fund”, thotë Shahida.

Video nga arkivi:

Në qytet, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2013, shumica janë boshnjakë, ndërsa rreth 45 për qind janë serbë.

Shahida thotë se të gjithë banorët janë të shqetësuar, pasi presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, është dënuar në shkallë të parë para Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës, më 26 shkurt, me një vit burgim dhe ndalesë gjashtëvjeçare të veprimtarisë politike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Shahida thotë se askush nga autoritetet nuk ka folur me qytetarët.

Pushtetin në Srebrenicë e udhëheq kryetari serb, Millosh Vuçiq.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Vuçiq thotë se nuk ka informacione se pse njerëzit ndihen të pasigurt në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.

Ai thotë se i ka kontaktuar edhe forcat policore të entitetit, të cilat, sipas tij, kanë thënë se nuk ka asnjë kërcënim për sigurinë e qytetarëve në Srebrenicë.

“Vërtet, nuk e kemi pasur as incidentin më të vogël”, thotë Vuçiq.

Ai shton se nuk ka kontaktuar me drejtorin e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, Emir Sulagiq, dhe se nuk i di arsyet përse ndihen të pasigurt.

“Policia i ruan objektet atje. Prezenca e policisë është shtuar vetëm për shkak të këtyre pretendimeve, por nuk e di se nga cila anë kërcënohet siguria”, shprehet Vuçiq.

Megjithatë, në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës thonë se ajo do të qëndrojë e mbyllur derisa situata të stabilizohet, ndërsa të gjithë punonjësit do të punojnë nga shtëpia, “nëse është e mundur”.

Video nga arkivi:

Më shumë se 50 njerëz janë dënuar me më shumë se 700 vjet burg për gjenocidin dhe krimet në Srebrenicë, të cilat kanë ndodhur pasi ushtria e Republikës Sërpska e ka pushtuar zonën – atëkohë të mbrojtur nga OKB-ja.

Sipas të dhënave të Institutit për Persona të Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës, 30 vjet pas gjenocidit në Srebrenicë dhe rrethinë, rreth 1.000 persona të zhdukur janë ende në kërkim.

Përgatiti: Valona Tela

Ish-ministri i Brendshëm serb: Sot në qendër të Beogradit ishin 500 mijë njerëz

Ish-ministri i Brendshëm serb, Bozho Preleviç ka thënë se në protestën e së shtunës në Beograd, e konsideruar historike, kanë marrë pjesë 500 mijë qytetarë.

Tubimi i sotëm konsiderohet më i madhi në 25 vitet e fundit në Serbi.

“Si dikush që mora pjesë më 5 tetor, më duhet të them se këtu ka më shumë njerëz dhe sipas bindjes sime, më shumë se 500.000 njerëz janë në protestë…”, ka thënë Bozho Preleviç, avokat dhe ish-ministër i Brendshëm të Republikës së Serbisë.

Qindra mijëra njerëz u mblodhën në Sheshin Sllavija në qendër të Beogradit.

Kërkesë kryesore e protestuesve ishte përgjegjësia politike dhe penale për tragjedinë në Novi Sad, ku nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit humbën jetën 15 persona, nëntorin e kaluar.bw

Beogradi po “vlon”, pamje me dron nga protesta historike në Serbi (VIDEO)

Mbi 100 mijë qytetarë serbë iu bashkuan thirrjeve të studentëve për të protestuar masivisht këtë të shtunë në Beograd, kundër qeverisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiç.

Pamjet nga ajri tregojnë një protestë madhështore. Mediat dhe organizatorët e kanë konsideruar historik tubimin e sotëm në kryeqytetin serb. Protestuesit janë mbledhur në qendër të Beogradit, por turma e madhe vijon edhe në rrugët kryesore të kryeqytetit serb.

 

Qytetarët në Beograd janë mbledhur nga qytete të ndryshme të Serbisë. bw

Tronditet Beogradi, qindra mijëra njerëz në protestën masive kundër regjimit të Vuçiçit

Një det njerëzish përfshiu qendrën e Beogradit të shtunën, duke sfiduar regjimin autokratik të Aleksandar Vuçiçit. Tingujt shurdhues të bilbilave dhe vuvuzelave shpërthyen në të gjithë qytetin, ndërsa mijëra protestues marshuan kundër korrupsionit dhe shtypjes së lirive demokratike nga pushteti i Vuçiçit, i cili po zgjat prej 13 vitesh me metoda gjithnjë e më autoritare.

Image

Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të frikësuar qytetarët me kërcënime për arrestime dhe përleshje të inskenuara, turma masive, e udhëhequr nga studentët, nuk u zmbraps. Ndërsa qeveria pezulloi transportin publik për të penguar protestën, mijëra njerëz erdhën në këmbë nga lagjet e afërta, ndërsa makina të shumta me flamuj kombëtarë e bënë atmosferën edhe më të zjarrtë.

Image

Në përpjekje për të krijuar një alibi për dhunë të mundshme, Vuçiç vendosi mbështetësit e tij, përfshirë ish-paramilitarë dhe grupe ekstremiste, në një kamp jashtë presidencës. Ndërkohë, regjimi i tij vazhdoi fushatën e frikësimit, duke arrestuar aktivistë të opozitës bazuar në një regjistrim të manipuluar, të transmetuar nga mediat propagandistike pro-qeveritare.

Image

Vuçiç, i njohur për retorikën e tij konspirative, përsëriti pretendimet e pabaza se protesta është e orkestruar nga shërbimet perëndimore për ta rrëzuar nga pushteti. Megjithatë, as kërcënimet e tij dhe as makineria e tij e frikësimit nuk ndalën popullin që kërkon drejtësi dhe fundin e një regjimi të mbushur me korrupsion, abuzim dhe lidhje me Moskën dhe Pekinin.

Image

Bashkimi Evropian reagoi, duke paralajmëruar se Serbia duhet të respektojë liritë themelore nëse synon të bëhet pjesë e bllokut. Megjithatë, me një qeveri që po rrëshqet gjithnjë e më shumë drejt diktaturës, rruga e Serbisë drejt Europës duket më e pasigurt se kurrë.

ImageImageImageImageImageImageImageImageImage

VIDEOLAJM/ Studentët “ndezin” Beogradin, “lumenj” njerëzish nisin marshimin drejt qendrës së kryeqytetit serb. Çfarë ndodh pas orës 16.00

Studentët serbë, të mbështetur edhe nga mijëra qytetarë, kanë nisur grumbullimin në kryeqytetin serb, teksa në orën 16.00 është paralajmëruar mbajtja e protestës më historike në Beograd e zhvilluar ndonjëherë. Mediat serbe raportojnë për situatë të tensionuar në vigjilje të protestës dhe parashikohet përplasje me forcat e rendit. Nga ana tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka kërcënuar se nuk do të lejojë cenimin e rendit kushtetues.

Mediat serbe kanë publikuar pamjet e para nga marshimi i protestuesve nga disa drejtime, në kryeqytetin serb.

Tubimi kryesor do të jetë para Kuvendit të Serbisë, por edhe në Slavija, ku do të ketë skenë për protestuesit.

“Lumenjtë” e njerëzve po lëvizin drejt qendrës së Beogradit. Veteranët ushtarakë kanë krijuar një rresht para Kuvendit të Serbisë, ndërsa forca të shumta policore janë vendosur në të gjithë qendrën e kryeqytetit.

Kolonat e protestuesve që iu përgjigjën thirrjes së studentëve për bllokadë po lëvizin nëpër Beograd, nga të gjitha drejtimet dhe të gjitha anët e qytetit. Mediat serbe e konsiderojnë tubimin e sotëm si një protestë historike.bw

Beogradi nën rrethim- Studentët serbë vazhdojnë të sfidojnë pushtetin e Vuçiçit, në rrugë dhe motoçiklistët e traktoristët

Studentët dhe qytetarët kanë ecur prej ditësh në drejtim të kryeqytetit të Serbisë. Dhjetëra protesta e incidente kanë ndodhur vetëm gjatë javës. Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe pushteti i tij deri tani nuk dorëzohen lehtë. Ai thotë, se protestave u ka ardhur fundi, ndërsa studentët thonë se këtë e vendosin ata dhe jo presidenti.

Rruga e gjatë e Millosh Obrenoviçit në qytetin e vogël Obrenovac

Rreth 32 kilometra larg nga qendra e kryeqytetit serb ndodhet Obrenovaci. Qendra e tij ishte e mbushur me njerëz darkën e së enjtes, më 13 shkurt, dy ditë para protestës së madhe të paralajmëruar në Beograd.

Në fillim gjithçka dukej e qetë, por më pas, një radhë njerëzish ecte drejt kryqëzimit të fundit që shpie në dalje të qytetit, afër një shkolle të mesme dhe një taverne serbe. “Aty do të vijnë studentët nga të dyja anët”, thotë Marija, një grua që ecën bashkë me bashkëshortin dhe djalin e tyre. “Jemi nisur sepse e duam këtë vend dhe duam të jetojmë këtu, por jo në një vend ku mbizotëron diktatura”, thotë ajo për DW, ndërsa ecën me flamurin e ngritur në shtizë. “Ka shumë njerëz që ende kanë frikë të dalin në rrugë, por populli është ngritur dhe kjo jep shpresë”, thotë i shoqi, i cili sugjeron që të citohet më shumë e shoqja, pasi të dy mendojnë njësoj.

“Pumpaj…”, brohoret i biri, rreth dhjetë vjeç. Në shqip “pumpaj” do të thotë të fryj, dhe kjo është motoja kryesore e protestave në Serbi. Shumë prej tyre mbajnë pompa për gomat e biçikletave dhe vuvuzela për të bërë sa më shumë zhurmë dhe për të “fryrë” derisa pushteti të “pëlcasë”. Vendtakimi është te shkolla fillore që mban emrin e poetit për fëmijë, mjekut dhe politikanit Jovan Jovanoviq Zmaj dhe te taverna serbe “Čudo” – shqip “Çudia”.

Protestat filluan kundër korrupsionit dhe me kërkesën për përgjegjësi për shkak të rrëzimit të çatisë së stacionit hekurudhor në Novi Sad në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, ku humbën jetën 15 persona dhe dy u lënduan. Por tani ato janë kthyer në një lëvizje masive që kërkon zgjidhje politike.

Serbia2
Serbia2

Motoçiklistët, traktoristët dhe studentët

Vajza të reja të veshura me kostume kombëtare mbajnë në duar bukë pogaçe dhe kripë për mikpritje tradicionale ndaj studentëve që kanë nisur ecjen katër ditë më parë nga vende të ndryshme të Serbisë, në marshim për protesta. Radhët e qytetarëve duken të pafundme në këtë qytet të vogël dhe gjithçka gumëzhin pa pushim. “Edhe 20-30 minuta do të arrijnë studentët…”, thërret një i ri me megafon i veshur me gëzof të verdhë, i cili mban rendin në rrugë.

Pak më vonë dëgjohen dy makina policie që duken si një shkëndijë në fund të rrugës në distancë. Pas tyre, dalin në hije disa drita të tjera. Motoristët e Serbisë u janë bashkuar studentëve që kur ndodhën incidentet dhe dhuna muaj më parë. Ata prinë të parët duke përshëndetur dhe brohoritur, ndërsa nga krahu tjetër dhjetra traktorë gjigantë, disa me njerëz sipër tyre brohorasin. Pak më vonë, studentët nisen drejt rrugës kryesore. Në qiell shpërthejnë fishekzjarret. Për studentët, lule, shtrëngim duarsh dhe përqafime bashkë me lot. “Kam ecur dy ditë, por jemi duke marshuar për lirinë”, thotë Milloshi, një student nga qyteti Shabac.

Këto pamje kanë qenë të shumta javën që shkoi, pasi nga të gjitha anët e Serbisë ka grupe që janë nisur në këmbë. Kur të arrijnë në Beograd, ata do të vendosen te shtëpitë e studentëve të tjerë, fakultetet dhe njerëzit e panjohur që në grupe të ndryshme në internet ofrojnë strehim për protestuesit.

Protestave u janë bashkuar edhe një numër bujqish nga Serbia, që janë nisur me makineritë e tyre drejt Beogradit. Traktorët u raportuan edhe para kampit të atyre që mbështesin ndalimin e bojkotit në universitete dhe në media u raportua se pushteti po sjell traktorët e tyre në disa qendra në periferi të Beogradit si kundërpërgjigje.

Serbia3
Serbia3

Studentët që “duan të mësojnë” – dhe beretat e kuqe

Dita e 6 marsit shënoi momentin kur në Parkun e Pionierëve, pranë godinës së Presidencës, zbarkuan disa qindra persona të rinj me tenda për të krijuar një kamp. Në një njoftim për shtyp, ata thanë se janë grupi që dëshiron të ndalojë bojkotin e universiteteve, grevat dhe të rikthejë normalitetin. Ata e quajtën veten “Studentët 2.0” dhe thanë se janë “studentët që duan të mësojnë”.

Ata i dërguan një letër institucioneve, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, kryetares së parlamentit Ana Brnabiq dhe zyrtarëve të tjerë, ku deklaruan se të gjitha kërkesat e studentëve janë plotësuar dhe kërkojnë kthimin në normalitet.

“Ne nuk duam dhunë, por duam të kthehemi dhe të studiojmë”, tha Millosh Pavlloviq, një student i mjekësisë që u identifikua si një nga drejtuesit e grupit. Fakulteti i tij u distancua nga ai, duke e quajtur një njeri të pushtetit që nuk i përfaqëson.

Në rrjetet sociale, disa nga studentët e grupit u identifikuan si figurantë në emisione të ndryshme televizive, ndërsa mediat e Beogradit pretendojnë se shumica nuk janë studentë dhe kanë indekse të reja.

Disa ditë më vonë, atyre iu bashkuan edhe disa persona të tjerë: veteranët e beretave të kuqe, ish-pjesëtarët specialë të Sigurimit të Shtetit, njësi që lidhen me luftrat e ish-Jugosllavisë, atë të Kosovës dhe vrasjen e kryeministrit, Zoran Gjingjiq, në vitin 2003. Këtij grupi në park, iu bashkuan gjithashtu një numër i serbëve të Kosovës.

Presidenti Aleksandar Vuçiq u shfaq nga tarraca e tij duke folur për grupin e studentëve, duke përmendur situatën aktuale dhe Donald Trumpin e ri, djalin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë qëndrimit të tij në Beograd, ku dha një intervistë për podcastin që Trump i ri drejton. “Protestat janë financuar edhe nga Amerika…”, tha Trump Jr, duke cituar bisedën me presidentin serb.

Një ditë para protestës të së shtunës, Vuçiq apeloi te Studentët 2.0 që të largoheshin pas protestës dhe i priti ata në selinë e tij. “E falenderoj presidentin, pasi ishte i vetmi që na priti dhe na dëgjoi”, tha Pavlloviq, i cili kryeson grupin.

E ardhmja politike e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prej ditësh ka paralajmëruar rrezikun e dhunës së mundshme në protestat e së shtunës. “Ata duan të krijojnë dhunë dhe kjo është mënyra e vetme e tyre”, tha Vuçiq në një adresim për mediat.

“Ne e dimë që po planifikohen trazira më 15 mars. Janë nervozë sepse e dinë që revolucioni me ngjyra nuk do t’iu kalojë”, deklaroi ai. Presidenti, në një adresim të jashtëzakonshëm nga Presidenca, tha se e kishte paralajmëruar qartë se çfarë do të ndodhte që para dhjetë ditësh. “Thashë se ka një rënie të numrave për ata që bllokojnë Serbinë dhe se njerëzit tani e kanë kuptuar këtë, se mbështetja për ato tubime të organizuara nga opozita po bie dhe se do të kalojnë në radikalizim”, shtoi ai.

Dushan Spasojeviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë për DW, se protestat kanë ndikuar jetën e përgjithshme në Serbi. “Në një gjendje normale, qeveria do të plotësonte kërkesat e studentëve dhe gjithçka do të ishte në rregull. Ose, mund të kishim edhe zgjedhje të jashtëzakonshme që do të tregonin nëse ekziston një mazhorancë tjetër”, u shpreh ai. Por ai beson se kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike nuk ekzistojnë më. “Ne kemi nevojë për një zgjidhje të jashtëzakonshme dhe shumica e njerëzve do të pajtoheshin se është e nevojshme një qeveri tranzicioni me përfaqësues nga pushteti, opozita, si dhe ekspertë dhe profesorë universitarë për të dalë nga kriza me një periudhë 6-12 mujore, e më pas të mbahen zgjedhje”, tha Spasojeviq.

Por ky opsion nuk është i pranueshëm për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili disa herë ka përsëritur publikisht se kurrë nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Protestat çuan deri te dorëheqja e kryeministrit, Millosh Vukçeviq, që u pranua në Kuvendin e Serbisë, pavarësisht tensioneve të shumta që ndodhën këto ditë. Vuçiq ka paralajmëruar një mandatar të ri.

Studentët thonë, se protestat nuk do të ndalen dhe se fundi i tyre nuk do të vijë kur ta thotë presidenti, por kur të thonë ata se janë plotësuar kushtet. Për momentin, ata nuk kanë ndërmend të ndalen./DW/

Mijëra qytetarë i mirëpresin studentët në Beograd në prag të protestës së madhe

Pritja e studentëve në qendër të Beogradit, 14 mars 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Beogradit mbrëmjen e së premtes për t’i mirëpritur studentët që po mbërrijnë në kryeqytetin e Serbisë në këmbë nga skajet e largëta të vendit, për një protestë të madhe që do të zhvillohet sot.

Derisa pritej mbërritja e kolonave të para të këmbësorëve nga Serbia jugore dhe perëndimore, disa çiklistë nga Kragujevci ishin të parët që arritën në qendër të Beogradit.

Duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrimin “studentë, Beogradi është i juaji”, qytetarët i pritën studentët në kryeqytet edhe me medalje e lule.

Çiklistët mbërrijnë në qendër të Beogradit.

Çiklistët mbërrijnë në qendër të Beogradit.

Studentët, të cilët i kanë bllokuar fakultetet anembanë Serbisë për më shumë se tre muaj, kanë bërë thirrje për një protestë në Beograd më 15 mars.

Studentët në bllokadë, ndër të tjera, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 njerëzve nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.

Medalje të gatshme për studentët që vijnë në Beograd nga pjesë të ndryshme të Serbisë.

Medalje të gatshme për studentët që vijnë në Beograd nga pjesë të ndryshme të Serbisë.

Rojet e studentëve u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos iu afrohen traktorëve dhe gardhit që çon në Parkun e Pionierëve në mes të Presidencës së Serbisë dhe Kuvendit të Serbisë, ku janë vendosur në kampe një grup tjetër studentësh që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve.

Një numër i madh traktorësh janë parkuar rreth Parkut të Pionierit në qendër të kryeqytetit.

Grupi “Studentët 2.0” është i vendosur në Parkun e Pionierit që nga 6 marsi. Ata e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë” dhe kërkojnë përfundimin e bllokadave.

Traktorët në kampin e "studentëve që duan të mësojnë" para Presidencës serbe.

Traktorët në kampin e “studentëve që duan të mësojnë” para Presidencës serbe.

Në Parkun e Pionierit shihet një prani e madhe policore.

Qytetarët në anën tjetër të gardhit brohoritën “turp” dhe “kë po mbroni” ndaj policëve.

Kampi i “studentëve që duan të mësojnë” janë kryesisht meshkuj, shumë prej të cilëve fshehin fytyrat me kapele dhe kapuç.

Policia pranë Presidencës së Serbisë.

Policia pranë Presidencës së Serbisë.

Traktorë, një gardh dhe policia ndajnë qytetarët, që presin studentët pranë Presidencës dhe Kuvendit, nga kampi në Parkun e Pionierit.Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shteti “do t’i ndërmarrë të gjitha masat” për të siguruar paqe dhe paralajmëroi arrestimin e atyre që shkaktojnë incidente.

Qeveria kishte akuzuar më parë opozitën për përgatitjen e dhunës, ndërsa studentët hodhën poshtë akuzat.

Protesta në Beograd konsiderohet si kulmi i demonstratave disamujore anembanë Serbisë të udhëhequra nga studentët.

Vlon Beogradi- Qindra mijëra protestues mbushin sheshet dhe rrugët kryesore

 

Ndërsa Beogradi po bëhet gati për protestën masive që pritet të organizohet të shtunën, mijëra qytetarë kanë mbushur sheshet kryesore të kryeqytetit për të mirëpritur protestuesit nga mbarë Serbia.

Siç raportojnë mediat serbe, në Beograd, të premten në mbrëmje kanë mbërritur një numër i konsiderueshëm i studentëve, të cilët janë nisur qoftë në këmbë qoftë me biçikleta drejt kryeqytetit.

Protestuesit që kanë ardhur nga qytetet e tjera të Serbisë u mirëpritën nga të pranishmit me pankarta me mbishkrimin “studentë, Beogradi është i juaji”, si dhe me medalje e lule.

Fakultetet anembanë Serbisë janë të bllokuara për më shumë se tre muaj. Studentët po kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 njerëzve nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.

Rojet e studentëve u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos iu afrohen traktorëve dhe gardhit që çon në Parkun e Pionierëve në mes të Presidencës së Serbisë dhe Kuvendit të Serbisë, ku janë vendosur në kampe një grup tjetër studentësh që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve.

Një numër i madh traktorësh janë parkuar rreth Parkut të Pionierit në qendër të kryeqytetit.

Grupi “Studentët 2.0” është i vendosur në Parkun e Pionierit që nga 6 marsi. Ata e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë” dhe kërkojnë përfundimin e bllokadave.

Në tubimin madhor në Beograd, më 15 mars, autoritetet serbe parashohin që të ketë “dhunë të madhe”, teksa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi edhe arrestime.

Mediumi serb, Danas, raportoi një ditë më parë se ish-policë të pensionuar nga Kosova janë ftuar të qëndrojnë në kryeqytet para dhe gjatë protestës së studentëve dhe të veprojnë në mbështetje të regjimit të Vuçiçit. Për pjesëmarrjen e tyre, ata do të paguhen 100 euro në ditë, në bazë të raportimeve.

E përditshmja serbe ka raportuar se bëhet fjalë për ish-policë që ishin të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe më pas ishin integruar në Policinë e Kosovës. Pas largimit nga Policia e Kosovës, ata ishin pensionuar nga shteti serb.

Partia Socialdemokrate në Serbi, të premten, kërkoi që Policia e Serbisë të “kontrollojë urgjentisht” nëse “grupe banditësh dhe kriminelësh” nga Kosova janë akomoduar në një hotel të Beogradit për shkak të protestës së studentëve të shtunën.

Partia opozitare serbe përmes një komunikate ka thënë se “ka informacion” për këtë.

“Sipas informacioneve që kemi, ata kanë për detyrë të nxisin trazira për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kjo parti. bw

Serbë nga Kosova shkojnë në Beograd “për të mbrojtur presidentin”

Studentët që kundërshtojnë bllokimin e fakulteteve, kanë ngritur kampe në qendër të Beogradit, 7 mars, 2025.

 

Sandra Cvetkoviq, Jellena Jankoviq

“Kemi ardhur nga Kosova. Vullnetarisht. Askush nuk na organizoi”, thotë për Radion Evropa e Lirë një nga të mbledhurit në Parkun e Pionierit në Beograd, ku është ngritur një kamp i studentëve, që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve.

Në shtatë ditët e fundit, Parku i Pionierit, i cili gjendet pranë institucioneve më të rëndësishme shtetërore të Serbisë, është bërë vend i protestave të studentëve, të cilët kërkojnë t’iu mundësohet ndjekja e ligjëratave në universitete.

Në këtë lokacion, aktualisht, gjenden edhe pjesëtarë të Njësisë së shpërbërë të Operacioneve Speciale (JSO), komandantët e së cilës janë dënuar për krime lufte dhe likuidime politike; zyrtarë të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, si dhe një grup më i madh njerëzish nga Kosova.

Për disa nga ta, mbështetja e kërkesave të “studentëve që duan të mësojnë”, nuk është motivi parësor për të qenë aty.

Qytetarë nga Kosova në Parkun e Pionierit në Beograd.

Qytetarë nga Kosova në Parkun e Pionierit në Beograd.

“Ne kemi ardhur për të mbështetur presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili është gjithmonë me ne”, thotë për Radion Evropa e Lirë një qytetar që prezantohet si Tihomiri nga Kosova.

I pyetur se sa kohë planifikojnë të qëndrojnë në Parkun e Pionierit, ai përgjigjet shkurtimisht: “Aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Pse protestojnë studentët?

Studentë, të mbështetur edhe nga qytetarë të tjerë, protestojnë anembanë Serbisë që prej incidentit në Novi Sad, ku, më 1 nëntor të vitit të kaluar, 15 persona vdiqën nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit.

Ata kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për tragjedinë.

Prej muajsh, janë duke bllokuar dhjetëra fakultete në Serbi, e shpesh bllokojnë edhe ura e kryqëzime rrugësh.

Duke u bazuar në pamje dhe me ndihmën e mjeteve online për krahasimin e fytyrave, Radio Evropa e Lirë identifikoi mes turmës Sasha Millosheviqin, kryetar i Komunës së Novobërdës në Kosovë dhe njëkohësisht kryetar i Autoritetit të Përkohshëm Komunal të Gjilanit – i cili funksionon në kuadër të sistemit serb – si dhe Sasha Sekulliqin, nga Autoriteti i Përkohshëm Komunal i Prishtinës.

Saša Milošević, President of the Municipality of Novo Brdo. Picture on the right from the campsite in Pioneer Park.

Shasha Millosheviq, kryetar i Komunës së Novobërdës. Fotografia në anën e djathtë është shkrepur në kampin në Parkun e Pionierit.

Saša Sekulić, president of the Association of Serbian Businessmen in Gračanica. The picture on the left is from the camp in Belgrade.

Sasha Sekulliqin, nga Autoriteti i Përkohshëm Komunal i Prishtinës. Fotografia në anën e majtë është nga kampi në Beograd.

Në të njëjtën mënyrë u identifikua edhe Millan Kovaçeviq nga fshati Banjë, afër Skenderajt.

Millan Kovaçeviq nga fshati Banjë, afër Skenderajt. Fotografia në anën e majtë është realizuar në kampin në Parkun e Pionierit në Beograd.

Millan Kovaçeviq nga fshati Banjë, afër Skenderajt. Fotografia në anën e majtë është realizuar në kampin në Parkun e Pionierit në Beograd.

Kovaçeviq u shfaq në media në vitin 2018, kur Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i dhuroi dy lopë dhe pesë dele, pas një premtimi të mëparshëm të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Çadrat e tyre janë të vendosura para hyrjes së Pallatit të Vjetër, ku gjendet Kuvendi i Qytetit të Beogradit.

Ata nuk iu përgjigjën mesazheve dhe thirrjeve të gazetarëve të Radios Evropa e Lirë për komente.

Në Parkun e Pionierit, gazetarët e REL-it identifikuan edhe punonjës të institucioneve në komunën e Oseçinës në Serbinë qendrore.

Në fotografi shihen Zhelko Grujiçiq, anëtar i Këshillit Komunal të Komunës së Oseçinës, si dhe Svetozar Gaçiq, kryetar i Kuvendit Komunal të Oseçinës.

As kjo komunë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se sa zyrtarë komunalë janë duke qëndruar aktualisht në kampin në Beograd, dhe nëse komuna e ka organizuar udhëtimin e tyre.

Opozita serbe njoftoi më herët për “organizimet nga Lista Serbe”

Radio Evropa e Lirë merr vesh se serbë nga zona të ndryshme të Kosovës, si Shtërpca, Graçanica, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi e Zubin Potoku, kanë shkuar në kampin para Presidencës serbe.

Në mesin e tyre ka edhe punonjës të institucioneve serbe, që besohet se u janë dhënë mëditje dhe u është premtuar rritje e pagave mujore.

Ka edhe prej atyre që punojnë në institucionet e Kosovës, por që janë të afërt me Listën Serbe – partinë më të madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Radio Evropa e Lirë ka informacione nga disa burime të afërta me personat që kanë shkuar në kamp, se ata janë informuar “brenda natës” se në çfarë ore dhe nga cili vend do të nisen për në Beograd, për t’i ofruar mbështetje presidentit serb, Vuçiq. Disa u nisën me autobusë të organizuar dhe disa me makinat e tyre private.

Burimet e Radios Evropa e Lirë duan të mbeten anonime për arsye sigurie.

Që nga fundi i shkurtit, opozita serbe në Kosovë ka paralajmëruar opinionin se Lista Serbe po organizon serbë nga Kosova, për të krijuar një “mur njerëzor” para Presidencës së Serbisë, për të “mbrojtur” presidentin Vuçiq nga “revolucioni me ngjyra”.

Radio Evropa e Lirë pyeti Listën Serbe dhe Presidencën e Serbisë nëse është e vërtetë se ato qëndrojnë pas organizimit të shkuarjes së serbëve nga Kosova në Beograd për të “mbrojtur” Vuçiqin, si dhe cili është qëllimi i një organizimi të tillë dhe nga kush duhet të mbrohet Vuçiq, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Trysni për shkak të pikëpamjeve ndryshe

Në anën tjetër, në Mitrovicë të Veriut – pjesa veriore e Kosovës – janë mbajtur deri më tani disa tubime, në mbështetje të studentëve në bllokada, e disa kanë shkuar edhe në protestat në qytete të ndryshme të Serbisë.

Njëri prej tyre është Goran Antiq nga Mitrovica e Veriut. Ai, gjithashtu, planifikon të marrë pjesë edhe në një tubim tjetër në Beograd, më 15 mars.

Antiq, i cili është pronar i një agjencie për transportin e udhëtarëve, bart me shpenzimet e tij edhe studentë dhe qytetarë të tjerë nga Mitrovica e Veriut, të cilët i mbështesin studentët në bllokada.

Motiv i tij – siç thotë vetë për Radion Evropa e Lirë – është t’i ndihmojë njerëzit “që janë duke luftuar për të vërtetën”.

“Do të jemi rreth 60 veta, ndoshta edhe më shumë. Kushdo që vjen, është i mirëpritur, nuk ka shantazh, ryshfet, frikë. Secili vendos sipas ndërgjegjes së vet”, thotë Antiq.

Ai shton se bashkëvendësit e tij që kanë ngritur kampe para Presidencës së Serbisë, për t’i përkrahur “studentët që duan të studiojnë”, janë “të shantazhuar” dhe “marrin ryshfet”.

“Së pari, nuk janë studentë, nuk kanë studiuar kurrë asgjë, vetëm i dëgjojnë punëdhënësit e tyre. Ata shantazhohen me punë, disave u ofrohen mëditje, disave u premtohet se do të punësohen… Të gjithë marrin ose para, ose ndonjë premtim. Në parim, askush nuk ka shkuar atje nga dashuria”, shprehet Antiq.

Sipas tij, Lista Serbe bën trysni, për shkak të “pikëpamjeve ndryshe”.

Ai thotë se institucionet arsimore në veri të Kosovës janë urdhëruar që të mos bashkëpunojnë me të dhe të mos e angazhojnë për ekskursione shkollore.

Ai thotë se nuk ndihet nën presion, se nuk kanë me çfarë ta shantazhojnë, sepse nuk është në “buxhetin e shtetit”.

*Video: Në Beograd, më 15 mars, është paralajmëruar se do të mbahet një tubim i madh i organizuar nga studentët.

Serbët nga Kosova marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë – nga pagat e pensionet deri te përfitimet sociale.

Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që kanë funksionuar nën sistemin e Serbisë, por punonjësit vazhdojnë të paguhen.

Një protestë e studentëve në veri të Kosovës.

Një protestë e studentëve në veri të Kosovës.

Përndryshe, disa studentë nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, i cili funksionon brenda sistemit serb, kanë mbajtur një tubim tjetër në mbështetje të studentëve në bllokadë, më 13 mars. Ata janë përkrahur edhe nga disa profesorë dhe qytetarë të tjerë.

Një ditë më parë, një delegacion i studentëve nga Fakulteti Filozofik në Beograd ka dërguar një ftesë në Mitrovicë të Veriut, për një tubim të planifikuar në Beograd, për datën 15 mars.

Megjithatë, në mes të dhjetorit të vitit të kaluar, Rektorati i Universitetit të Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se mbështet të drejtën e opinionit të lirë, por se distancohet nga pikëpamjet e individëve.

Ai ka theksuar se komuniteti akademik nuk duhet të politizohet.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Një grup personash bllokojnë hyrjen e televizionit N1 në Beograd

Personat e mbledhur pranë ndërtesës së N1 në Beograd më 13 mars 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Një grup prej rreth njëqind personash të panjohur u mblodhën para hyrjes së zyrave të televizionit N1 në Beograd, njoftoi kjo media.

Personat e mbledhur mbanin pankarta ku shkruhej “Ku e keni shefin” dhe brohoritën “Nuk do ta dorëzojmë Serbinë”, duke mos lejuar që askush të hyjë apo të dalë nga televizioni.

N1 njoftoi se nuk dihet se pse këta persona u mblodhën pranë zyrës së këtij televizioni.

Rreth 20 minuta pas tubimit të këtyre personave, policia serbe doli në vendngjarje.

Një gazetar i N1 tentoi të zbulonte se kush ishin personat e mbledhur pranë dyerve të kësaj media. Ata nuk treguan se kush ishin, ndërkaq një person i tha gazetarit se do t’i tregonte se kush ishte nëse do t’i lejohej të hynte në studio televizive për të bërë një deklaratë.

N1 raportoi se në mesin e protestuesve ishin Ivan Siler, ndihmës i kryetarit të Novi Sadit, si dhe Predrag Vulletiq, sekretar për politikën sociale, demografinë dhe barazinë gjinore në Provincën Autonome të Vojvodinës, si dhe Mirosllav Rodiq, deputet në Parlamentin e Vojvodinës.

Radio Evropa e Lirë deri tani ka arritur që të konfirmojë këtë informacion.

Ata janë zyrtarë të Lëvizjes Socialiste, parti e themeluar nga zëvendëskryeministri prorus i Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili ndodhet në listën e zezë amerikane, veç tjerash, për lidhjet e tij me Rusinë.

Lëvizja Socialiste është partnere e vogël në koalicionin qeverisës të Partisë Progresive Serbe (SNS).

Siç raportoi televizioni N1, pasi një grup burrash të panjohur arritën përpara ndërtesës së tyre, një pjesë e punonjësve të ndërtesës së biznesit Airport City dolën jashtë, si dhe në dritare, duke u thënë atyre: “Shkoni në Kosovë”.

Drejtori i programacionit në N1, Igor Bozhiq, tha se nuk e di kush janë personat që bllokuan hyrjen në ndërtesë, por theksoi se ata shkuan aty në mënyrë të organizuar.

Bozhiq tha se N1 nuk ishte në dijeni se ishte paralajmëruar një tubim i tillë, por fakti që policia doli në vendngjarje pas arritjes së protestuesve, sipas tij, tregon se autoritetet ishin të informuara.

Ai shtoi se “figurat kryesore të regjimit”, pas bllokadës së Radio Televizionit të Serbisë kishin pyetur se kur do të bllokohej N1.

“Kjo është një përgjigje e qartë e regjimit. Është e dukshme që po tentohet të largohet vëmendja nga ngjarjet që lidhen me protestat studentore dhe që regjimi përpiqet të tregojë se problemin nuk e kanë vetëm me mediat proqeveritare, por edhe me ato të pavarura”, tha Bozhiq.

Ai shtoi se N1 nuk do të ftojë protestuesit në studio sepse zyrtarët e pushtetit në Serbi nuk pranojnë të vijnë në N1, edhe pse “i kemi ftuar shumë herë”.

Studentët më 10 dhe 11 mars për 22 orë bllokuan ndërtesën e Radio Televizionit të Serbisë, në qendër të Beogradi, duke kërkuar raportim objektiv mbi protestat.

Për muaj të tërë, studentët po protestojnë në Serbi për të kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave pas shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Studentët protestues kanë paralajmëruar një protestë të madhe në Beograd më 15 mars.

Që nga dhjetori, studentët kanë bllokuar fakultetet shtetërore dhe kanë udhëhequr protesta paqësore në mbarë Serbinë.

Asambleja e Republikës Sërpska diskuton për kushtetutën e re që e përcakton atë si shtet

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska diskuton për miratimin e një kushtetute të re të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, 12 mars.

 

Radio Evropa e Lirë

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska (RS) e ka filluar njërën nga dy seancat e posaçme, ku po diskutohet për miratimin e një kushtetute të re, e cila do ta përkufizonte si shtet entitetin serb të Bosnje e Hercegovinës.

Menjëherë pas përfundimit të seancës së parë, do të nisë seanca tjetër, ku Asambleja pritet të diskutojë për një draft-kushtetutë të RS-së dhe përmes saj, ajo pritet ta përcaktojë këtë entitet si shtet të popullit serb në Bosnje, t’ia japë të drejtën e vetëvendosjes, ta formojë ushtrinë dhe ta zhbëjë Këshillin e Popujve.

Kjo është një lëvizje tjetër secesioniste nga autoritetet e RS-së, pasi javën e kaluar Asambleja miratoi ligje që ndalojnë punën e institucioneve shtetërore të drejtësisë së Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese e Bosnjës pezulloi zbatimin e ligjeve, RS-ja ka ngulur këmbë se ligjet do të zbatohen.

Sistemi i qeverisjes në Bosnje e Hercegovinë – vend me rreth 3.1 milionë banorë – është ndër më të ndërlikuarit në botë.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.

Derisa Republika Sërpska mund të miratojë ligje për çështje të brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten mbi të gjitha, sipas kushtetutës.

Duke shpjeguar arsyet për miratimin e një kushtetute të re, ministri i Drejtësisë në RS, Millosh Buklloviq, tha se qëllimi është që të “përmirësohet rendi kushtetues dhe të harmonizohet kushtetuta me sovranitetin e Republikës Sërpska”.

“Miratimi i kushtetutës së re fillimisht është i nevojshëm që të ofrojë siguri ligjore, efikasitet të institucioneve dhe ruajtjen e kompetencave kushtetuese të RS-së, në përputhje me pozicionin e saj të përcaktuar nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit dhe Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës”, tha Buklloviq.

Ai shtoi se kushtetua aktuale e RS-së është miratuar në “rrethana specifike” dhe gjatë dekadave të fundit ka pësuar shumë ndryshime, “shumë nga të cilat ishin të imponuara, kundër vullnetit të institucioneve dhe qytetarëve të RS-së”.

“Ndryshime të tilla kanë shkelur rendin kushtetues dhe kanë dobësuar sovranitetin institucional”, tha Bukelloviq.

Deputeti dhe lideri i Listës së Drejtësisë dhe Rendit në opozitë, Nebojsha Vukanoviq, u bëri thirrje deputetëve që të mos marrin vendime për kushtetutën e re, pasi kjo është një “lëvizje shumë e rrezikshme” që synon mbrojtjen e Millorad Dodik.

“Dhe ju doni të ndryshoni të gjithë kushtetutën në ditëlindjen e liderit tonë (Dodikut). Do të lini pasoja katastrofike. A ka njeri që mund t’i thotë atij në fytyrë se po gaboni? Ju na urreni për të vërtetën”, tha Vukanoviq.

Para nisjes së seancës plenare, përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt, u bëri thirrje deputetëve që ta “parandalojnë sulmin ndaj rendit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës”.

Drafti për kushtetutën e re të RS-së paraqet shkelje të marrëveshjes për paqe dhe asaj të Bërçkos, dhe i vë të dyja në rrezik, shkroi Schmidt në X.

Në po të njëjtën seancë, deputetët do të diskutojnë edhe për krijimin e një gjykate të posaçme dhe të një zyreje prokuroriale për “mbrojtjen e rendit kushtetues”.

Seanca udhëhiqet nga Nenad Stevandiq, kryetar i Asamblesë Kombëtare të RS-së, ndaj të cilit Prokuroria e Bosnjës ka lëshuar një urdhër për ndalim në mënyrë që të merret në pyetje.

Urdhër i tillë është lëshuar edhe ndaj presidentit të RS-së, Millorad Dodik, dhe kryeministrit të këtij entiteti, Radovan Vishkoviq.

Seanca e Asamblesë Parlamentare të RS-së vjen pas një sërë vendimesh që entiteti serb i Bosnjës i mori në ditët e fundit, pasi presidenti i saj Millorad Dodik u dënua më 26 shkurt nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

Asambleja Parlamentare e Republikës Sërpska miratoi ligje më 27 shkurt të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Dodik i dekretoi këto ligje më 5 mars.

Por, dy ditë më vonë, Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

Sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha më 8 mars se veprimet e Dodikut përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.

Para tubimit të 15 marsit në Beograd, studentët kërkojnë paqe, autoritetet paralajmërojnë dhunë

Shuplaka e kuqe është bërë simbol i protestave në Serbi pas tragjedisë në qytetin e Novi Sadit, ndërsa “Duart i keni të përgjakura” është bërë një nga parullat kryesore.

 

Jovana Kërstiq

E shtunë, 15 mars – dita kur përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë parashikojnë “dhunë të madhe”, kurse studentët protestues thonë se është momenti kur “Serbia duhet të jetë në Beograd, në tubimin më masiv ndonjëherë”.

Studentët theksojnë se nuk janë të dhunshëm dhe nuk bëjnë thirrje për dhunë.

Ata kanë bllokuar universitetet shtetërore që prej muajit dhjetor dhe kanë udhëhequr protesta paqësore në të gjithë Serbinë.

Kërkesë e tyre kryesore është përgjegjësia politike dhe penale për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Tani, ata paralajmërojnë një tubim të madh në Beograd. Dhe, ky tubim është bërë disa herë temë diskutimesh e përfaqësuesve të Qeverisë në Serbi.

Në një prej fjalimeve të fundit, presidenti Aleksandar Vuçiq paralajmëroi “dhunë” dhe “arrestime”.

Pa sjellë ndonjë provë apo detaj, ai tha se pret që “opozita të organizojë dhunë të madhe më 15 mars” dhe se “të gjithë ata që marrin pjesë në të, do të arrestohen”.

Profesori në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Bojan Vraniq, thotë se “nuk është hera e parë që presidenti i Serbisë parashikon dhunë në ngjarje të caktuara”.

“Nuk është e pazakontë që të hamendësohet saktësisht se çfarë do të ndodhë. Prandaj, ky parashikim duhet të merret shumë seriozisht”, thotë Vraniq për Radion Evropa e Lirë.

Zyra e Presidentit të Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se në cilat informacione i mbështet Vuçiq pretendimet dhe parashikimet e tilla.

“Nuk do të habitesha nëse do të kishte trazira. Nuk mund të pretendoj se do të provokoheshin artificialisht, sepse, për fat të keq, autorët [e trazirave gjatë protestave] nuk janë zbuluar deri më tani. Edhe nëse janë zbuluar, në përgjithësi, nuk kemi pasur ndonjë situatë në të cilën kemi mundur t’i zbulojmë motivet”, thotë Vraniq.

Çfarë do të thotë 15 marsi për pushtetin?

Sipas interpretimit të autoriteteve serbe, protesta e paralajmëruar për 15 mars në Beograd, është “Dita D”.

Ata që bënë thirrje për tubim, nuk e cilësuan atë ditë si ndonjë “pikë kthese” në protestat dhe bllokadat e studentëve, që vazhdojnë prej muajsh.

Tubimet masive të organizuara nga studentët në disa qytete të mëdha të Serbisë, kanë qenë paqësore.

Në një nga fjalimet e tij, një javë para tubimit të paralajmëruar, Vuçiq tha se autoritetet “do t’ua thërrasin fundin” protestave në atë ditë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Më 10 mars, Vuçiq mori pjesë edhe në një seancë të Qeverisë së Serbisë, në të cilën, siç tha, “është diskutuar për aspektet e përgjithshme të protestës së paralajmëruar të 15 marsit”, por nuk dha detaje.

Në të njëjtën ditë, ai u shfaq në Radio Televizionin e Serbisë, ku parashikoi se “do të bëhen krimet më të rënda kundër Republikës së Serbisë”.

Ai, gjithashtu, u kërkoi “të rinjve të mos marrin pjesë në dhunë” dhe i paralajmëroi ata se disa përfaqësues të opozitës “duan t’i përdorin për qëllimet e tyre të pista politike”.

Pse vihet theksi tek opozita?

Përpos në deklaratat e Qeverisë së Serbisë, përfaqësuesit e opozitës në këtë vend nuk përmenden si organizatorë të protestave.

Tubimi në Beograd u thirr nga studentët protestues gjatë një mitingu masiv në Nish, më 2 mars.

“Që atëherë, anëtarët e Partisë Përparimtare Serbe [në pushtet], përkatësisht zyrtarë të lartë, janë përpjekur ta formësojnë protestën si një protestë opozitare, ta lidhin atë me një lloj përpjekjeje për revolucion me ngjyra, sepse ky është terreni që votuesit e tyre e kuptojnë”, thotë profesori Vraniq.

Nga akuzat për tentativë për “revolucion me ngjyra” deri te thirrjet për dialog dhe kërcënimet për kundërrevolucion – qëndrimi i autoriteteve në Serbi ndaj protestave të studentëve ka ndryshuar muajve të fundit.

Vraniq thotë se pas një sërë sulmesh fizike kundër studentëve në protesta dhe bllokada, “autoritetet kanë qenë në një fazë pasive” kur është bërë fjalë për qëndrimin e tyre ndaj rebelimit akademik.

Ka pasur, po ashtu, thirrje për negociata me komunitetin akademik. Por, Vraniq beson se kjo strategji nuk e ka pasur efektin e dëshiruar.

“Studentët qëndruan parimorë dhe thanë jo, ne i kemi kërkesat tona dhe kur t’i plotësoni, protestat dhe bllokadat do të ndalen”, thotë Vraniq.

Kjo është arsyeja përse, me kalimin e kohës, Partia Përparimtare Serbe “krijon gjithnjë e më shumë përshtypjen se po humbet kontrollin mbi sistemin”, sipas tij.

“Partia Përparimtare Serbe është dikush që ka plotësisht kontroll, që e di se çfarë ndodh, dikush që vazhdimisht i emërton gjërat disi… Ja, le të themi tani që ky është një revolucion me ngjyra”, shton Vraniq.

Revolucione me ngjyra janë quajtur protestat që kanë përmbysur regjimet autoritare në vendet ish-sovjetike.

Çfarë do të thotë 15 marsi për studentët protestues?

Disa ditë para tubimit, studentë nga pjesë të ndryshme të Serbisë udhëtuan për në Beograd.

Disa prej tyre edhe në këmbë, duke përshkuar dhjetëra kilometra.

Njëri nga ta është Alleksa Mikiq, student në Universitetin e Nishit. Duke i komentuar parashikimet e autoriteteve për 15 marsin, ai thotë:

“Mendoj se këto janë vetëm provokime që ndoshta do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Por, unë besoj se do t’iu rezistojmë dhe do të jetë një tubim i madh”.

Pak ditë para protestës, grupi joformal “Studentët në bllokadë” tha se 15 marsi “duhet të jetë një ditë që Serbia nuk do ta harrojë”.

“Të jetë e qartë për të gjithë – ne nuk do të ndalemi, nuk do të lejojmë të na injorojnë, nuk do të lejojmë që kjo ditë të kalojë në heshtje. Ky është momenti ynë. Ky është zëri ynë. Le ta dinë të gjithë: më 15 mars Serbia është në Beograd”, thanë studentët.

“Imagjinojeni Serbinë si një lumë që rrjedh drejt një qëllimi – çdo qytet, çdo fshat, çdo rrugë le të bëhet degë e tij”, thuhet po ashtu në deklaratën e tyre.

Një prej tubimeve të organizuara nga studentët në Nish të Serbisë, më 1 mars.

Një prej tubimeve të organizuara nga studentët në Nish të Serbisë, më 1 mars.

Tensione para tubimit

Ditët para tubimit u karakterizuan me tensione dhe incidente në Beograd.

Pas thirrjes së studentëve, më 10 mars filloi bllokada shumorëshe e ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë (RTS), në qendër të qytetit.

Në një moment kishte edhe “përleshje” me policinë. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi më vonë për plagosjen e një polici.

Ministri Ivica Daçiq tha se policia nuk ka vepruar kundër demonstruesve, por se është sulmuar.

Por, siç raportoi agjencia serbe e lajmeve, Beta, pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan se policia i kishte sulmuar me shkopinj studentët dhe qytetarët e mbledhur.

Ndërkaq, gjatë protestës së 8 marsit, të thirrur nga studentët, një kordon i policisë i ndaloi fermerët me traktorë në Beogradin e Ri, të cilët po shkonin për t’iu bashkuar protestës në qendër të qytetit.

Meqenëse studentët dhe qytetarët tjerë që ishin aty, nuk donin të vazhdonin pa fermerët, pjesëmarrësit e tjerë në tubim shkuan nga qendra tek ata.

Ndërkohë, traktorët u tërhoqën, të ndjekur nga policia, ndërsa protesta përfundoi pa incidente.

Muajt e protestave në Serbi

Protestat në Serbi filluan pas shembjes së një strehe të Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor.

Në këtë incident, 15 persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

Organizata joqeveritare me bazë në Beograd, Arkivi i Tubimeve Publike (AJS), njoftoi më 5 mars se, që nga ajo kohë, protesta janë mbajtur në 400 vende dhe qytete në Serbi.

E vetmja protestë që u përshkua nga dhuna, ndodhi pesë ditë pas incidentit, më 5 nëntor në Novi Sad.

Ai ishte një nga tubimet më të mëdha të mbajtura ndonjëherë në atë qytet.

Trazirat shpërthyen kur grupe burrash – kryesisht të veshur me maska dhe kapele – hodhën gurë dhe sende të tjera drejt selisë së bashkisë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës.

Tubimet e tjera masive të organizuara nga studentët, deri më tani kanë qenë paqësore.

Kërkesa e parë e studentëve është publikimi i gjithë dokumentacionit për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, për të përcaktuar përgjegjësinë penale dhe politike për tragjedinë.

Studentët kërkojnë edhe ndjekjen penale të sulmuesve të pjesëmarrësve në protesta, si dhe pezullimin e procedurave penale ndaj të arrestuarve gjatë protestave.

Qeveria pretendon se i ka plotësuar të gjitha kërkesat e studentëve, ndërsa një grup ekspertësh, i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit, e mohon këtë.

Përgatiti: Valona Tela

Prokuroria e Bosnjës lëshon urdhër për ndalimin e Dodikut

Radio Evropa e Lirë

Zyra e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës i ka lëshuar urdhër policisë për ndalimin e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Paralmentit të këtij entiteti, Nenad Stevandiq, me qëllim që të merren në pyetje, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë.

Urdhri për ndalimin e Dodikut, Vishkoviqit dhe Stevandiqit u lëshua nga prokurori i Prokurorisë së Bosnjës, Çazim Hasanpahiq. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues”.

Njoftimi vjen në ditën kur autoritetet në Republikën Sërpska planifikojnë që entitetin në Bosnje e Hercegovinë ta përcaktojnë si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën për vetëvendosje, të krijojnë ushtrinë e vet dhe të heqin Këshillin e Popujve, sipas një drafti të ri të Kushtetutës të Republikës Sërpska, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës.

Ligji për procedurën penale i Bosnje dhe Hercegovinës parashikon mundësinë e lëshimit të urdhrit për sjellje të detyruar për dhënien e dëshmisë, në rast se personi i thirrur në institucionet gjyqësore refuzon ta bëjë këtë.

Zyra e Prokurorit ka dorëzuar urdhrin për ndalim te policia gjyqësore dhe ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Brendshme e Republikës Sërpska dhe nga Agjencia për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), raportoi radioja në Republikën Sërpska.

Drejtori i gjykatës policore në Republikën Sërpska, Zhellko Dragojeviq, i tha televizionit të Republikës Sërpska se kjo polici nuk ka dhe nuk mund të lëshojë urdhëra të ndalimit sepse kjo gjë është brenda juridiksionit të SIPA-së dhe Gjykatës Policore të Gjykatës së Bosnjës.

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska parashihet të diskutojë më 12 mars draft-kushtetutën e këtij entiteti më 12 mars, që paraqet edhe një lëvizje tjetër secesioniste nga autoritetet e këtij entiteti, pasi u miratuan ligje që ndalojnë funksionimin e institucioneve gjyqësore dhe hetuese të Bosnjës në territorin e Republikës Sërpska. Këto ligje hyn në fuqi javën e kaluar.

Në një seancë më 12 mars, deputetët në Republikën Sërpska po ashtu pritet të diskutojnë për krijimin e një gjykate speciale dhe zyre të prokurorisë për të “mbrojtur rendin kushtetues”.

Këto ligje jokushtetuese janë mriatuar pasi që Dodiku u dënua, në shkallë të parë, nga Gjykata e Bosnjës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të postit të presidentit për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Më 27 shkurt, Parlamenti në RS miratoi ligjet jokushtetuese dhe më 5 mars ato u dekretuan nga Dodiku.

Ndalimi i funksionimit të institucioneve shtetërore të drejtësisë mbi një pjesë të territorit të Bonjës janë në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit dhe më 7 mars, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës pezulloi zbatimin e këtyre ligjeve.

Dodik ka thënë se ligjet do të zbatohen pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Miratimi i këtyre ligjeve është dënuar nga zyrtarë të lartë botërorë, përfshirë nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe disa ambasada të huaja në Bosnje e Hercegovinë.

Parlamenti Evropian do të diskutojë kërcënimet për ndarje në Bosnje gjatë seancës plenare të 12 marsit.

Kushtetuta e Bosnjës është neni 4 i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje më 1995. Sipas këtij dokumenti, shteti mund të marrë juridikisionin “në ato çështje për të cilat arrihet një marrëveshje mes entiteteve”.

Praktikisht, të gjitha kompetencat që autoritetet e RS duan të “rikthejnë” në nivelin e entitetit, janë transferuar në nivelin shtetëror përmes votimit në të dyja dhomat e Parlamentit të Bosnjës, përfshirë edhe votat e përfaqësuesve të RS-së.

Sipas Kushtetutës së Bosnjës, Republika Sërpska dhe Federata e Bosnje e Hercegovinës janë entitete që përbëjnë Bosnjë dhe Hercegovinën dhe nuk kanë statusin e një shteti. Po ashtu, sovraniteti dhe integriteti territorial, sipas Kushtetutës shtetërore, janë të rezervuara vetëm për shtetin e Bosnjës dhe jo për entitetet.

Situata e sigurisë në Ballkan është seriozisht e lëkundur, thotë Vuçiq

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se situata e sigurisë në Ballkan është “seriozisht e lëkundur” dhe se Serbia “përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, si dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj”.

Më 10 mars, Vuçiq mori pjesë në një mbledhje të Qeverisë, në të cilën, siç tha ai, u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në vend dhe rajon, veçanërisht për “sfidat e sigurisë në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë”.

“Diskutuam edhe për të gjitha aspektet e protestës së paralajmëruar më 15 mars”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram pas mbledhjes së Qeverisë.

Më herët, presidenti serb kishte deklaruar se në protestën dhe bllokadën e paralajmëruar nga studentët për 15 mars në Beograd, ai pret që “opozita të organizojë dhunë të madhe”.

Pa dhënë detaje dhe prova për këto pretendime, Vuçiq tha se “të gjithë ata që do të marrin pjesë në këtë, do të arrestohen”.

Tubimet masive të organizuara deri më tani nga studentët në disa qytete të mëdha në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, kanë qenë paqësore dhe nuk janë shënuar incidente.

Vuçiq tha se tema e mbledhjes së Qeverisë ishte edhe ndikimi i bllokadave në Serbi mbi gjendjen e ekonomisë.

“U ndalëm edhe te gjendja e ekonomisë në dritën e protestave aktuale, si dhe dëmi që kanë shkaktuar këto ngjarje, i cili reflektohet në uljen e investimeve dhe sfida të tjera për ekonominë”, theksoi Vuçiq.

Ai shtoi se është arritur një pajtim për marrjen e masave urgjente “për t’i zbutur pasojat dhe për t’’ mbështetur sektorët ekonomikë të prekur nga këto rrethana”.

Me bllokadat dhe protestat prej disa muajsh në Serbi, studentët dhe qytetarët që i mbështesin ata, po kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit mbi rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për tragjedinë, ndjekjen penale të sulmuesve ndaj pjesëmarrësve të protestave të deritashme, si dhe ndërprerjen e procedimeve kundër të arrestuarve në demonstrata.

Qeveria pretendon se i ka përmbushur të gjitha kërkesat e studentëve, ndërsa një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit, në një raport, e ka mohuar këtë.

Rutte: Nuk do të lejojmë që të rrezikohet paqja në Bosnje

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, së bashku me tre anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës.

 

Radio Evropa e Lirë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca mbështet sovranitetin dhe integritetin e Bosnje e Hercegovinës, duke theksuar se nuk do të lejojë që paqja “e fituar me mund” në këtë shtet të vihet në rrezik.

Në një konferencë për media në Sarajevë, pas takimit me anëtarët e Presidencës trepalëshe, Rutte tha se situata aktuale nuk është sikur më 1992, kur nisi lufta në Bosnje.

Vizita e Ruttes u zhvillua në kohën kur autoritetet e Republikës Sërpska, duke kërcënuar me shkëputje, kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.

“Kam dëgjuar shqetësime për situatën e sigurisë. Le të jemi të qartë, kjo situatë nuk është si më 1992 dhe ne nuk do të lejojmë që të krijohet një vakum i sigurisë. Komuniteti ndërkombëtar është këtu dhe është i angazhuar për të vazhduar mbështetjen tonë të fuqishme, përfshirë përmes EUROF-it”, tha Rutte.

Rutte tha se NATO-ja mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, që tha se është thelbi i paqes në Bosnje.

“Retorika nxitëse dhe veprimet janë të rrezikshme. Ato paraqesin një kërcënim të madh për stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe të sigurisë”, tha Rutte.

Ai tha se çdo veprim që e minon Dejtonin, rendin kushtetues dhe institucionet shtetërore, por edhe retorika nxitëse, “janë të papranueshme”.

Rutte tha se këtë situatë duhet ta zgjidhin vetë udhëheqësit e Bosnjës, duke iu drejtuar anëtarëve të Presidencës trepalëshe, teksa theksoi se nga “i gjithë rajoni do të përfitojë nga pajtimi dhe paqja e qëndrueshme në Bosnje”.

Shefi i NATO-s nisi vizitën në Bosnje është me anëtarët e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës – Zhelka Cvijanoviq, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq.

Tre anëtarë të Presidencës së Bonjës, dy qëndrime të ndryshme

Gjatë konferencës së përbashkët për media, kryesuesja e presidencës, Zhelka Cvijanoviq, tha se për të dhe përfaqësuesit politikë të entitetit serb nuk është i diskutueshëm integriteti territorial dhe ruajtja e multietnicitetit të Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe bashkëpunimi me NATO-n, por që ata kundërshtojnë anëtarësimin në këtë aleancë ushtarako-politike.

“Kolegët e mi mendojnë se është normale që një i huaj të imponojë ligje, unë nuk mendoj se është normale që dikush, bazuar në Konferencën e Bonit, të krijojë një kaos të tillë. Në Republikën Sërpska ekziston bindja se kjo shtet është privatizuar në favor të një grupi dhe në dëm të dy të tjerëve përmes spekulimeve të ndryshme”, tha ajo.

Cvijanovq mirëpriti praninë e shtuar të EUFOR-it dhe NATO-s në Bosnje dhe tha se beson se kjo është e mirë për të gjithë “për shkak të kërcënimeve të ndryshme verbale që kemi pasur mundësinë të dëgjojmë”.

“[Përfaqësuesi i lartë në Bosnje, Christian] Schmidt nuk mund ta shpëtojë Bosnjën, por Republika Sërpska dhe Federata e Bosnjës mund ta bëjnë këtë dhe mendoj se duhet të punojmë për këtë, të arrijmë marrëveshje dhe të jetojmë një jetë normale dhe demokratike”, tha ajo.

Anëtari i Presidencës, Denis Beqiroviq tha se është e rëndësishme që Rutte tha se NATO-ja nuk do të lejojë një vakum të sigurisë dhe mbështet përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Schmidt.

“Këto janë momentet më të vështira që nga viti 1995 e deri më sot. Kemi pasur një sulm brutal ndaj Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës. Destabilizimi i rrezikshëm duhet të ndalet. E vetmja që do të përfitonte nga destabilizimi është Moska”, tha ai.

Anëtari i tretë i Presidencës, Zhellko Komshiq, deklaroi se çdo gjë që ka dëgjuar në takimin me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ai do ta nënshkruante menjëherë.

Sipas tij, përgjegjësia për Bosnjën “do të mbetet mbi ne” dhe se detyra e tyre është që “kryesisht të sjellim lajme të mira për qytetarët e Bosnjes.”

“Një çështje që askush nuk e përmend është nevoja që Bosnja të ndajë më shumë fonde për sektorin e mbrojtjes, duke qenë se flasim për dëshirën për t’u bërë anëtare e NATO-s. Shuma e parashikuar në buxhetin që miratojmë sot nuk është as afër 2 të GDP-së”, tha Komshiq.

Përveç takimit me anëtarët e Presidencës, Rutte do të zhvillojë një takim me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Krishto.

Pasdite pritet që Rutte t’u drejtohet studentëve të Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s po viziton në Bosnjë dhe Hercegovinë pas miratimit të ligjeve antikushtetuese në entitetin Republika Sërpska të Bosnje dhe Hercegovinës.

Më herët, Kuvendi i RS-së ka miratuar një ligj për ndalimin e veprimtarisë së Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) të BeH-së, Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial, i cili është përgjegjës për emërimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës ka marrë një masë të përkohshme dhe ka pezulluar zbatimin e ligjit të miratuar nga Kuvendi Popullor i RS-së më 27 shkurt, një ditë pasi presidenti i RS-së, Millorad Dodik, u dënua nga Gjykata e Bosnjë dhe Hercegovinës me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksionit. Ky është dënim i shkallës së parë, ndaj të cilit Dodik ka mundësi të ankohet.

Ai u shpall fajtor për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që Schmidt i kishte anuluar më herët, me të cilat ishte synuar pengimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe përfaqësuesit të Lartë në territorin e RS-së.

NATO-ja ka përsëritur disa herë se kjo organizatë ushtarako-politike mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe se nuk do të lejojë një vakum sigurie apo rrezikim të paqes së fituar me vështirësi.

Forcat e Bashkimit Evropian (EUFOR) në Bosnje dhe Hercegovinë njoftuan më 7 mars se do të rrisin përkohësisht numrin e trupave të tyre si një masë parandaluese, pas rritjes së tensioneve në vend.

EUFOR do ta rrisë numrin e ushtarëve në Bosnje pas tensioneve mes Qeverisë dhe RS-së

Radio Evropa e Lirë

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se do të dërgojë trupa shtesë në misionin e vet paqeruajtës në Bosnje e Hercegovinë, për shkak të rritjes së tensioneve mes qeverisë qendrore dhe liderëve të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska (RS).

Misioni i Bashkimit Evropian në Bosnje (EUFOR) tha të premten se “do ta rrisë përkohësisht” numrin e trupave paqeruajtëse në Bosnje, pa treguar saktësisht sa.

“Kjo është masë proaktive që synon ta ndihmojë Bosnje e Hercegovinën në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në komunikatën e EUFOR-it.

“Ditët në vijim, publiku mund të vërejë një prani të shtuar të EUFOR-it”, tha EUFOR-i, duke theksuar se kjo veprimtari “është drejtpërdrejt e lidhur me detyrën e saj për të mbështetur autoritetet e Bosnje e Hercegovinës në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit”.

EUFOR-i ka rreth 1.500 trupa si pjesë e Batalionit Shumëkombësh me bazë në Sarajevë. Kjo forcë përfshin trupa nga Austria, Greqia, Hungaria, Italia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Turqia.

Ky njoftim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës më 7 mars për ta ndaluar zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska – entiteti serb i Bosnjës – të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Gjykata i shpalli jokushtetuese këto ligje, duke i pezulluar përkohësisht, ndërsa pritet t’i ndalojë ato përfundimisht pas një shqyrtimi të plotë.

Liderët në Sarajevë dhe mbështetësit perëndimorë të Bosnjës i kanë akuzuar liderët etnikë të RS-së se po synojnë ndarjen eventuale nga Bosnja, ndonëse këta të fundit i kanë mohuar akuzat.

Disa veprime të tjera të lidhura me këtë entitet kanë përshkallëzuar tensionet në muajt e fundit.

Gjykata e Bosnjës e dënoi Millorad Dodikun, presidentin e Republikës Sërpska, me një vit burgim dhe ia ndaloi ushtrimin e detyrës së presidentit për gjashtë vjet.

Dodik, i cili ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe i ka hedhur poshtë akuzat, është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar për veprimet që, sipas qeverive perëndimore, synojnë ndarjen e Republikës Sërpska nga Bosnja.

Ndërkohë, BE-ja më 4 mars e dënoi miratimin e një ligji në stilin rus për “agjentët e huaj” nga Republika Sërpska, duke i akuzuar autoritetet e këtij entiteti se po minojnë “rendin kushtetues dhe ligjor të Bosnje e Hercegovinës”, sipas komenteve të dërguara për Radio Evropa e Lirë (REL).

Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, e shtoi trysninë të shtunën ndaj Republikës Sërpska, duke i cilësuar veprimet e Dodikut si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës.

“Qeveria jonë u bën thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese”, shkroi Rubio në rrjetin social X të shtunën herët.

Sistemi i qeverisjes në Bosnje e Hercegovinë – vend me rreth 3.1 milionë banorë – është ndër më të ndërlikuarit në botë.

Që nga Marrëveshja e Dejtonit për paqe, e cila u nënshkrua në vitin 1995 dhe i dha fund luftës në Bosnje, vendi përbëhet nga Federata Boshnjako-Kroate dhe Republika Sërpska e dominuar nga serbët etnikë, nën një qeveri të dobët qendrore.

Derisa Republika Sërpska mund të miratojë ligje për çështje të brendshme, ligjet dhe institucionet në nivel shtetëror mbeten mbi të gjitha, sipas kushtetutës.

Serbia “ndizet” nga protestat, Vuçiçi telefonon Putinin: Rusia e kupton mirë ç’po ndodh dhe na mbështet!

Në një kohë kur Serbia po ato përballet me protestat antiqeveritare në rritje, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, deklaron se ai ka mbështetjen e presidentit rus Vladimir Putin.

Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, presidenti Vuçiç shkruan se me presidentin Putin biseduan për atë që ai e përshkroi si “një revolucion me ngjyra”, një referencë për kryengritjet në ish shtetet sovjetike.

“E falënderova për faktin se zyrtarët rusë nuk e mbështesin revolucionin me ngjyra. Presidenti Putin kishte një qëndrim shumë të qartë për këtë, Rusia e kupton mirë se çfarë po ndodh dhe do të vazhdojë të mbështesë autoritetet legjitime në Serbi”, tha ai.

Biseda e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me homologun rus u zhvillua ndërsa studentët në Serbi janë hedhur në protesta dhe kanë bërë thirrje për një grevë të përgjithshme.

Protestat kundër korrupsionit të udhëhequra nga studentët e universiteteve janë përhapur në gjithë vendin ballkanik gjatë katër muajve të fundit, që kur 15 persona humbën jetën nga pasojat e shembjes së një çatie në një stacion treni në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë.

Në protestat pothuajse të përditshme marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz dhe kanë tronditur kontrollin e fortë të pushtetit nga presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili i ka përshkruar protestat si një përpjekje të organizuar nga perëndimi për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Serbia është zyrtarisht në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.

Pa dhënë hollësi, Presidenti Vuçiç tha se bisedoi me Presidentin Putin për ripërtëritjen e një marrëveshjeje për gazin që skadon më 31 maj dhe për sanksionet amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë që është në pronësi ruse.

Në fillim të muajit janar Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj sektorit të naftës të Rusisë dhe i dhanë kompanisë Gazprom Neft 45 ditë për të lënë pronësinë e industrisë serbe të naftës. Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit me 27 shkurt zgjati afatin për një muaj.

Protestat dhe greva e përgjithshme paralizojnë Serbinë, shtohet zemërimi popullor kundër Vuçiçit. Nis tubimi masiv në Beograd

Nuk ndalet revolta popullore kundër Aleksandar Vuçiç në Serbi. Këtë të premte u paralajmëruan protesta të mëdha, ndërsa vendi ka hyrë edhe në grevë të përgjithshme.

Greva është iniciuar nga studentët dhe gjimnazistët, me mbështetjen e sindikatave dhe shoqatave të ndryshme profesionale.

Kjo është greva e dytë e përgjithshme, pas asaj të mbajtur më 24 janar. Mediat vendase raportojnë se qytetarët u mblodhën në të gjitha qytetet kryesore të Serbisë, në ato me numrin më të madh si në Novi Sad, Nish dhe Kragujevc.

Protesta Ne Serbi

Protestat në këto tri qytete kanë përfunduar dhe një tubim i madh në Beograd ka filluar rreth orës 15:30. Kur ora shënoi 16.00 nisi marshimi i protestuesve në kryeqytetit serb.

Serbi Protesta1

Protestat në Serbi kanë nisur pas shembjes së çatisë në një stacion të trenit në Novi Sad, që la të vdekur 15 persona, ngjarje kjo e ndodhur në 1 nëntor 2024.

Për këto protesta presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka akuzuar shërbimet e huaja të inteligjencës, ndërsa deri më tani dorëheqje ka dhënë kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç dhe kryetari i Komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriç. bw

Nga Vulini deri te Bërnabiqi: Fyerjet ndaj shqiptarëve nga zyrtarë serbë ndër vite

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, në seancën e 4 marsit, tregon raportimet e mediave nga Kosova, dhe i quan ato me emra fyes.

 

Iva Martinoviq, Branko Vuçkoviq

“Yjet dhe heronjtë e mediave shiptare“.

Kështu i quajti disa herë deputetët e opozitës kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, nga foltorja e Kuvendit gjatë seancës së 4 marsit.

“Deklaratat e saj janë pasqyrim i kulturës politike të institucionalizuar. Me këtë propagandojnë urrejtje etnike që rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e shqiptarëve në Serbi”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.

Nga kabineti i kryetares së Kuvendit dhe i Partisë Progresive Serbe në pushtet, nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it në lidhje me fyerjet e bëra.

Nuk është hera e parë që Ana Bërnabiq fyen popullin shqiptar dhe nuk është as e vetmja zyrtare serbe që i ka quajtur ata me emërtim fyes.

Fyerjet nga nivelet më të larta të pushtetit kanë vazhduar pavarësisht vendimit të një gjykate në Serbi, e cila e ka cilësuar termin “shiptari” si politikisht të pasaktë dhe fyes. Po ashtu, edhe Komisionarja për Mbrojtjen e Barazisë ka vlerësuar më parë se përdorimi i tij shkel Ligjin për ndalimin e diskriminimit.

Çfarë tha kryetarja e Kuvendit?

Pasi deputetët e opozitës hodhën bomba tymuese në sallën e Kuvendit, kryetarja e tij i quajti ata “bandë terroriste”.

“Dua t’i informoj deputetët se ata të opozitës janë yjet e të gjitha mediave të Albin Kurtit (kryeministrit të Kosovës), mediave shiptare. U bëtë yje, jeni ndjekësit e tij, ju lumtë (…)”.

Ajo e akuzoi kryeministrin e Kosovës për “metoda terroriste”, duke aluduar në gazin lotsjellës që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin hedhur në të kaluarën në Kuvendin e Kosovës.

Gjuha fyese dhe denigruese u përsërit edhe disa orë më vonë.

“Kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj se si ju lavdërojnë mediat shiptare (…)”, u tha Bërnabiq opozitës, duke treguar faqet e internetit të mediave Koha dhe Reporteri nga Prishtina, të cilat kishin raportuar për bombat tymuese dhe përleshjen mes deputetëve në Kuvendin serb.

*Pamje nga protesta me bomba tymuese në Kuvendin e Serbisë më 4 mars

Shkelja e vendimit të gjykatës

Fjala “shiptar” konsiderohet fyerje nga gjykatat serbe dhe nga pakica kombëtare shqiptare në Serbi, kujton Katarina Golluboviq nga Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut (YUCOM).

Një deklaratë e tillë për shqiptarët nuk është vetëm fyerje, por edhe një sinjal shqetësues në lidhje me të drejtat dhe sigurinë e tyre në Serbi”.

Megjithatë, ajo u përdor disa herë në Kuvend për të paraqitur në një dritë negative deputetët e opozitës.

“Dikush që ka detyrën të kujdeset për mënyrën e të shprehurit në Kuvendin Popullor tregoi se nuk respekton as Rregulloren, as standardet, por mbi të gjitha, as qytetarët që jetojnë në Republikën e Serbisë”, tha Golluboviq për REL-in.

Shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë në jug të Serbisë, në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

“Një deklaratë e tillë për shqiptarët nuk është vetëm fyerje, por edhe një sinjal shqetësues në lidhje me të drejtat dhe sigurinë e tyre në Serbi”, tha për REL-in kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Ana Bërnabiq i ka fyer shqiptarët edhe kur ishte kryeministre e Serbisë.

Për shkak të një deklarate ku tha se Beogradi në negociatat me Prishtinën po merrej me “njerëz që kanë dalë nga mali”, asaj iu ndalua hyrja në Kosovë në vitin 2019.

Ata që jetojnë në Serbi “janë ekspozuar ndaj një diskriminimi të tillë për vite me radhë saqë jemi bërë rezistentë”, thotë ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi:

“Por, kjo është diçka kundër së cilës jemi të gatshëm të luftojmë deri në fund, sepse nuk kërkojmë asgjë më shumë se ajo që është rregulluar me ligj dhe institucione të vetë Serbisë”.

Çfarë thonë në Kosovë?

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me deklaratat e kryetares së Kuvendit të Serbisë.

Sociologu dhe analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, vlerëson se përdorimi i gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve në Kuvendin serb nuk kontribuon në normalizimin dhe përparimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

“Kjo është një mënyrë e vjetruar e të menduarit dhe të bërit politikë, e cila i ka sjellë kaq shumë të këqija rajonit tonë në të kaluarën e afërt”, thotë Muhaxhiri për REL-in.

Ai, gjithashtu, vlerëson se Ana Bërnabiq “nuk është vendimmarrëse”, por shpreh qëndrimet e “një kulture të përgjithshme politike të udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Partia Progresive Serbe”.

Muhaxhiri shton se përdorimi i emërtimit fyes për shqiptarët nga zyrtarë të lartë serbë “vetëm sa zbulon mungesën e tyre të vizionit minimal politik”.

“Meqenëse përparimi ndërkombëtar i Serbisë është i lidhur pandashëm me pranimin e realitetit se Kosova është shtet i pavarur, kjo gjuhë urrejtjeje nuk ka ndikim në politikën bashkëkohore normale. Ajo mund të mobilizojë vetëm një kategori të caktuar të votuesve të Partisë Progresive Serbe që ende jetojnë në të kaluarën”, thotë Muhaxhiri.

Kush e ka fyer popullin shqiptar?

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, thotë se fjalët e kryetares së Kuvendit janë “vetëm një hallkë tjetër në një zinxhir të gjatë, të formësuar dhe promovuar nga njerëz si Aleksandar Vullin”.

Zëvendëskryeministri aktual i Serbisë ka quajtur shqiptarët me emra fyes nga të gjitha pozitat shtetërore që ka mbajtur deri tani.

Kështu, në deklaratat zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilën ai e drejtonte, në vitin 2020, shqiptarët u quajtën me emër fyes gjashtë herë brenda një muaji.

Para formimit të Qeverisë së re të Serbisë në tetor të atij viti, organizata joqeveritare YUCOM i bëri thirrje publike mandatares së atëhershme, Ana Bërnabiq, që të mos e përfshinte Vullinin në listën e ministrave për shkak të qëndrimit të tij ndaj shqiptarëve.

Megjithatë, Vullin u emërua në qeverinë e re si ministër i Punëve të Brendshme, nga ku vazhdoi të fyente popullin shqiptar.

Në vitin 2021, ministria e tij lëshoi më shumë se dhjetë deklarata që përmbanin termin fyes për shqiptarët.

Edhe ministri aktual i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, kur ishte drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, në një deklaratë zyrtare në prill të vitit 2019, i quajti shqiptarët e Kosovës me të njëjtin term fyes.

Ky term është përdorur edhe nga deputetët e koalicionit qeverisës në Kuvendin e Serbisë kur kanë dashur të fyejnë dikë.

Pavarësisht vendimit të gjykatës, ky term ende shfaqet shpesh në faqet e para të tabloideve proqeveritare.

Çfarë tha gjykata?

Gjykata e Apelit në vitin 2018 konfirmoi vendimin gjyqësor pas padisë së ish-aktivistes së Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Anita Mitiq, kundër tabloidit Informer dhe sanksionoi përdorimin e termit “shiptar”.

“Ky term konsiderohet politikisht i pasaktë dhe me përmbajtje fyese në gjuhën serbe për anëtarët e kombësisë shqiptare që jetojnë në Kosovë”, thuhej në vendimin e gjykatës.

Gjithashtu, sipas qëndrimit të gjykatës, të quash një serb me këtë emër është e barasvlershme me etiketimin e dikujt që lufton kundër interesit kombëtar.

Komisionarja për Mbrojtjen e Barazisë, Brankica Jankoviq, në vitin 2015, arriti në përfundimin se dy tabloide kishin shkelur Ligjin për ndalimin e diskriminimit, pasi kishin përdorur këtë term për shqiptarët.

REL-i nuk arriti të marrë një koment nga komisionarja për deklaratat e kryetares së Kuvendit serb deri në publikimin e këtij teksti.

Më herët, Jankoviq kishte deklaruar se përdorimi i fjalës “shiptar” përbën shkelje të nenit të Ligjit për ndalimin e diskriminimit, i cili ndalon trajtimin poshtërues dhe fyes.

Padi për fyerjen e shqiptarëve

Aleksandar Vullin u padit në vitin 2019 nga Këshilli Kombëtar i Pakicës Shqiptare për fyerjen e shqiptarëve. Gjykata e hodhi poshtë padinë dhe Ragmi Mustafi, i cili atëherë ishte kryetar i Këshillit, tha për REL-in se ata kanë apeluar në Gjykatën Kushtetuese.

“Rasti kundër Vullinit për gjuhë të urrejtjes dhe përhapje të intolerancës racore dhe kombëtare është ende aktiv. Po presim për gjashtë vjet dhe nëse refuzohet, do të shkojmë edhe në Gjykatën Evropiane në Strasburg”, tha Mustafi.

*Video nga arkivi: Deklaratat e zyrtarëve serbë duke përdorur terma nënçmues për shqiptarët

Një tjetër padi kundër Vullinit për ndalimin e gjuhës së urrejtjes ndaj pakicës kombëtare shqiptare është ngritur edhe nga organizata joqeveritare YUCOM.

“Qëllimi i padisë ishte ndalimi i një gjuhe të tillë nga të gjithë politikanët, pasi ajo nxit armiqësi ndaj një komuniteti etnik që jeton në Serbi. Fatkeqësisht, në vendimet e fundit ligjore, është vendosur se nuk ka gjuhë urrejtjeje dhe se përdorimi i termit ‘shiptar’ është thjesht fyes”, thotë Katarina Goluboviq.

Ajo shton se me këto vendime, gjyqësori serb i ka dhënë dritën jeshile përhapjes së fyerjeve ndaj një populli të tërë, dhe se individët mund të mbrohen vetëm nëse guxojnë të thonë se ndihen të fyer.

Çfarë përfaqëson ky term fyes?

Shqiptarët e quajnë veten “shqiptarë”, që është sinonim i identitetit etnik të shqiptarëve, por në gjuhën serbe, termi “shiptar” është fyes, pasi ka një term tjetër në këtë gjuhë: “allbanci”.

Ky term ka një konotacion negativ në Serbi, pasi lidhet me njerëz primitivë dhe të pacivilizuar, njerëz që kanë zbritur nga malet, punëtorë manualë.

Shqiptarët e Kosovës thonë se termi “shiptari” u bë për herë të parë fyes në vitet ’60, pasi filloi të keqpërdorej.

Në Kosovë ekziston një term fyes për serbët – “shkije” – por as zyrtarët kosovarë dhe as mediat nuk e përdorin atë.

Radio Evropa e Lirë

Kontribuoi: Sandra Cvetkoviq

Dodik dekreton ligjet jokushtetuese në RS

Millorad Dodik duke dekretuar ligjet jokushtetuese.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, mbrëmjen e 5 marsit ka nënshkruar dekretet për shpalljen e ligjeve jokushtetuese, të miratuara në Kuvendin e këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës, me të cilat ndalohet veprimtaria e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës (VSTS).

Ndër këto ligje përfshihet edhe ai për Regjistrin e Posaçëm dhe transparencën e punës së organizatave jofitimprurëse.

Më herët gjatë ditës, Klubi i Boshnjakëve në Këshillin e Popujve, organ legjislativ i Republikës Sërpska (RS), nuk e aktivizoi mekanizmin e interesit jetik kombëtar, i cili do të mundësonte potencialisht parandalimin e hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon punën e institucioneve gjyqësore dhe prokuroriale të shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës në atë entitet.

Ligjet u miratuan nga Kuvendi i Popullit të RS më 27 shkurt, si organi kryesor legjislativ.

Këshilli i Popujve, në fakt, nuk është një dhomë e barabartë me Kuvendin Popullor të RS-së, por një institucion i veçantë i pushtetit legjislativ, që shqyrton ligjet vetëm nëse një ose më shumë klube të popujve kërkojnë shqyrtimin e shkeljes së interesit jetik kombëtar.

Pas vendimit të Klubit të Boshnjakëve, u krijuan kushtet që këto ligje jokushtetuese, të cilat ndalojnë punën e institucioneve gjyqësore të shtetit të Bosnjës në RS, të nënshkruhen nga presidenti i RS, Milorad Dodik.

Ai veçse kishte paralajmëruar se do ta bënte këtë dhe pasi nënshkroi dekretin për shpalljen e tyre, ligjet do të hyjnë në fuqi një ditë pas pas botimit në Gazetën Zyrtare të RS.

Pas hyrjes në fuqi, mbetet mundësia e kontestimit të këtyre ligjeve para Gjykatës Kushtetuese të Bonjës ose e anulimit të tyre nga përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar, Christian Schmidt, në përputhje me të ashtuquajturit “fuqitë e Bonit”.

Fuqitë e Bonit përfshijnë të drejtën e përfaqësuesit të lartë për të miratuar ose ndryshuar ligje dhe direktiva, për të shkarkuar zyrtarë, për të vendosur sanksione, për të kundërshtuar vendimet e institucioneve, për të ndryshuar të gjitha kushtetutat përveç asaj shtetërore, si dhe për të krijuar ose shfuqizuar institucione.

Çfarë parashikojnë ligjet jokushtetuese?

Me projektligjin për moszbatimin e ligjeve dhe ndalimin e veprimtarisë së institucioneve jokushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, të miratuar më 27 shkurt, parashikohet ndalimi i punës dhe veprimeve të Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnjës, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjës në Republikën Sërpska.

Shfuqizimi i njëanshëm i kompetencave shtetërore të Bosnjë e Hercegovinës në një pjesë të territorit të saj nuk është në përputhje me Kushtetutën e këtij shteti.

Kodi Penal i Bosnjë dhe Hercegovinës parashikon dënime deri në pesë vjet burg dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare për këdo që në mënyrë të paligjshme përpiqet të ndryshojë rendin kushtetues të Bosnjës ose të rrëzojë institucionet e saj më të larta.

Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës, si dhe SIPA, janë themeluar bazuar në ligje të miratuara në Asamblenë Parlamentare të Bosnje dhe Hercegovinës dhe të konfirmuara në Dhomën e Popujve të shtetit.

Për t’u shfuqizuar, sipas Kushtetutës së Bonjsë, për këtë duhet të shprehet edhe Parlamenti i shtetit.

Deputetët e Kuvendit të RS-së kanë miratuar gjithashtu ndryshime në Kodin Penal të entitetit, me të cilat parashikohet ndjekja penale e të punësuarve në institucionet e Bosnjës që jetojnë në RS, nëse nuk zbatojnë vendimet e autoriteteve të entitetit.

Dodik i nënshkroi këto ligje pas vendimit të Gjykatës së Bosnjës më 26 shkurt, e cila e dënoi atë në shkallën e parë me një vit burg dhe ndalim nga ushtrimi i funksionit për gjashtë vjet. Më herët, ai ishte shpallur fajtor për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë, Christian Schmidt.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Millosh Llukiq, u shpall i pafajshëm.

Liderët e R-sëS, përpara shpalljes së dënimit, kishin kërcënuar me “vendime radikale” dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës nëse Dodik do të dënohej.

“Brnabiç insistoi të qëndronim në sallën e mbushur me gaz”, deputeti shqiptar i Kuvendit serb në mes të dhunës dhe tymit, ndan pamjet e pazakonta (VIDEO)

Parlamenti i Serbisë u përfshi sot nga një kaos i pazakontë, që përfshiu hedhjen e bombave tymuese dhe gazit lotsjellës brenda ambienteve të tij.

Gjatë këtyre momenteve të tensionuara, prezent në sallën e kuvendit serb ishte edhe deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, i cili përfaqëson komunitetin e shqiptarëve që jeton brenda territorit të Serbisë.

Ky i fundit ka ndarë në rrjetet sociale momentin e shpërthimit të dhunës mes opozitës dhe mazhorancës serbe.

Ai u shpreh se opozita ka hedhur gaz lotsjellës dhe vezë duke penguar mbajtjen e seancës, ndërsa ka akuzuar kryeparlamentaren Ana Brnabiç se kjo e fundit insistoi të vazhdonte punimet në këtë situatë.

“Opozita me gaz lotësjellës, vezë pengoi po tenton të pengojë mbajtjen e Seancës. Brnabiq insiston në vazhdim nën sallën e mbushur me gaz lotësjellës”, shkroi ai në Facebook krah pamjeve të dhunës.

Nga dhuna në parlament tri depuete përfunduan në spital, ndërsa një prej tyre raportohet se ishte 8 muajshe shtatzënë. bw

‘Lufta’ në parlamentin serb- Dodik: Incidenti, përpjekje për të përmbysur pushtetin

Presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik dënoi përdorimin nga opozita të gazit lotsjellës dhe bombave tymuese për të prishur seancën e parlamentit serb, duke e quajtur atë një përpjekje për të përmbysur me forcë qeverinë, ndërsa mbështeti presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

“Unë mbështes plotësisht presidentin Aleksandar Vuçiç dhe institucionet e Serbisë në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe stabilitetit të shtetit! Sot, ishim dëshmitarë të një përpjekjeje turpëruese për të përmbysur me dhunë qeverinë dhe për ta zhytur Asamblenë Kombëtare në kaos. Në vend të dialogut, ata përdorin bomba tymuese; në vend të politikës, ata nxisin dhunën në rrugë; Në vend që t’i shërbejnë popullit, ata sulmojnë institucionet shtetërore. Kjo nuk është një opozitë politike, por një forcë shkatërruese që kërkon ta gjunjëzojë Serbinë!”, shkroio Dodik në faqen e tij X.

“U uroj atyre që kanë pësuar një shërim të shpejtë. Dhe atyre që mendojnë se mund ta pushtojnë Serbinë me bomba, dhe se: Serbia nuk është pre e askujt!”, përfundoi politikani.

Radio Televizioni i Serbisë, duke cituar një deklaratë të kryetares së parlamentit Ana Brnabiç, raportoi se tre deputetë të Asamblesë Kombëtare (parlamenti njëdhomësh) të Serbisë u plagosën gjatë një përleshjeje midis ligjvënësve nga partitë opozitare dhe shumicës qeverisëse. Një nga të plagosurit është në gjendje të rëndë.

Më parë të martën, deputetët e opozitës u përpoqën të ndërpresin një sesion parlamentar duke vendosur pajisje piroteknike në sallën e sesionit. Sherri nisi kur një deputet i opozitës u përpoq t’i afrohej foltores nga ana tjetër. Bashkëpunëtorët e tij ndezën tymuese me ngjyra dhe shpalosën një banderolë që kërkonte përmbysjen e Vuçiçit. Në përgjigje, deputetët nga koalicioni qeverisës valvitën flamujt kombëtarë të Serbisë./ Tass. sn

Detaje nga kaosi në parlamentin serb- Plagosen tri deputete, njëra prej tyre 8 muajshe shtatzëna

Detaje të reja dalin lidhur me kaosin në parlamentin serb.

Mediat në Serbi bëjnë me dije se nga episodet e dhunshme në Kuvend kanë mbetur të lënduara tri deputete, njëra prej tyre është 8 muajshe shtatzënë.

Deputetët e opozitës serbe hodhën sot bomba tymuese dhe gaz lotsjellës brenda parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj politikave të qeverisë dhe mbështetjes për protestat disa muajshe të studentëve të universiteteve në Serbi.

Demonstratat e nxitura nga shembja e çatisë së një stacioni të trenit që la pas vetes 15 të vdekur katër muaj më parë, janë shndërruar në kërcënimin më të madh për qeverinë serbe.

Në seancën parlamentare, pasi koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe miratoi rendin e ditës, disa politikanë të opozitës u përleshën me rojat e sigurisë, ndërsa po i drejtoheshin kryetares së parlamentit.

Të tjerë deputetë hodhën bomba tymi dhe gaz lotsjellës. Pamjet televizive shfaqën tym të zi dhe rozë brenda ndërtesës.

Kryetarja e parlamentit Ana Bërnabiç tha se dy deputetë mbetën të plagosur ndërsa deputetja e Partisë Përparimtare Jasmina Obradoviç, pësoi një goditje në tru dhe është në gjendje kritike.

“Parlamenti do të vazhdojë të punojë dhe të mbrojë Serbinë,” tha ajo.

Parlamenti pritej të miratonte të martën një ligj për shtimin e fondeve për universitetet, një nga kërkesat kryesore të studentëve që po mbajnë të bllokuar fakultetet që nga dhjetori.

Parlamenti duhej të miratonte gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Millosh Vuçeviç. Por, pikat e tjera të vendosura në rendin e ditës nga koalicioni qeverisës, zemëruan opozitën. sn

VIDEO- Incident në Kuvendin e Serbisë: Bomba me tym dhe kaos në sallë

Kuvendi i Serbisë, 4 mars 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Një incident ndodhi të martën në Kuvendin e Serbisë, ku deputetët e opozitës u ngritën nga ulëset dhe aktivizuan mjete piroteknike në sallë.

Deri te kjo erdhi pasi deputetët e koalicionit qeverisës miratuan rendin e ditës, të cilin opozita e kundërshtoi.

Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetarit, aktivizuan bomba me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë, i pranishëm në vendngjarje, raportoi se tymi nga mjetet piroteknike, mund të nuhatej edhe në korridoret e kuvendit.

Kuvendi i Serbisë, 4 mars 2025.

Kuvendi i Serbisë, 4 mars 2025.

Qeveria miratoi paraprakisht rendin e ditës me 62 pika, ku përfshiheshin edhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë.

Këto të fundit janë kërkesë e studentëve që protestojnë në Serbi, që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Në seancë duhej të miratohej edhe dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, të cilën ai e ofroi më 28 janar, nën presionin e protestave të studentëve.

Opozita kërkoi që në rend dite të ishin vetëm ndryshimet në Ligjin e Arsimit të Lartë, duke thënë se Qeveria që ka shpallur dorëheqjen, nuk mund të miratojë ligje të rëndësishme.

“Ne konsiderojmë se Qeveria ka rënë. Ju nuk keni të drejtë të propozoni ligje, derisa jeni në dorëheqje. Ju duhet ta arrestoni veten dhe të mos bëni cirk”, tha deputetja e Partisë për Liri dhe Drejtësi, Marinika Tepiq.

Disa deputetë të opozitës në sallë mbajtën edhe fotografi me duar të përgjakura dhe pankarta ku shkruhej: “Grevë e përgjithshme”, “Studentët kanë të drejtë” dhe “Mësimdhënës, jemi me ju”.

Pavarësisht kaosit, kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, refuzoi ta shtynte seancën.

“Ne kemi punë për të bërë dhe Serbia nuk do të ndalet kurrë. Revolucioni juaj me ngjyra ka dështuar”, tha ajo.

Ministrat dhe deputetët e koalicionit qeverisës filluan më pas të diskutojnë për pikat e rendit të ditës, ndërsa opozita i ndërpreu, duke bërë zhurmë dhe duke brohoritur.

Forcat policore para hyrjes kryesore në Kuvendin e Serbisë, 5 mars 2025.

Forcat policore para hyrjes kryesore në Kuvendin e Serbisë, 5 mars 2025.

Bërnabiq tha, po ashtu, se deputetja e koalicionit qeverisës, Jasmina Obradoviq, “pësoi goditje në tru” pas incidentit në Kuvend dhe se është “në rrezik për jetën”.

Ajo tha se edhe dy deputete të tjera janë lënduar.

Një gazetar i Radios Evropa e Lirë raportoi se ekipet mjekësore të urgjencës hynë në Kuvendin e Serbisë pas incidentit.

Para ndërtesës së këtij institucioni u mblodhën edhe studentë dhe qytetarë të tjerë, të cilët paraprakisht nderuan 15 viktimat e tragjedisë në Novi Sad, duke bllokuar për 15 minuta një udhëkryq pranë.

Kërkesat e studentëve

Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.

Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

Bërnabiq tha më herët se është arritur marrëveshje me përfaqësuesit e të gjitha universiteteve shtetërore për ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe se me këtë do të përmbushet kjo kërkesë e studentëve.

Qeveria pretendon se janë plotësuar edhe kërkesat e tjera të studentëve.

Studentët thonë se bllokadat dhe protestat e tyre do të vazhdojnë dhe se grupet e ekspertëve do të përcaktojnë nëse kërkesat janë plotësuar ose jo.

Kompania izraelite ia ndalon Serbisë përdorimin e softuerit për spiunim, pasi e përdori kundër gazetarëve dhe aktivistëve

Kompania izraelite Cellebrite ia ndërpreu Serbisë qasjen në produktet e saj, pasi u zbulua se policia dhe shërbimet e sigurisë së vendit përdorën teknologjinë e kompanisë për të spiunuar gazetarët dhe aktivistët socialë, shkruan Haaretz.

Siç u raportua në Haaretz në dhjetor 2024, studiuesit nga Amnesty Tech, krahu i teknologjisë i grupit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, zbuluan se Serbia ishte në gjendje të përdorte teknologjinë e bërë nga Cellebrite për të anashkaluar mekanizmat e sigurisë së telefonave inteligjentë dhe për t’i infektuar ata me malware.

Cellebrite shet teknologjinë e mjekësisë ligjore digjitale tek agjencitë e zbatimit të ligjit, duke përfshirë teknologjitë që mund të hakojnë telefonat inteligjentë të kyçur ose të paaftë dhe të nxjerrin informacione konfidenciale dhe të koduara.

Ashtu si spyware, platformat e Cellebrite përfitojnë nga një dobësi në sistemet e mbrojtjes së telefonave të mençur, të njohur si një shfrytëzim.

Ndryshe nga spyware, i cili mund të instalohet nga distanca, Cellebrite duhet të jetë i lidhur fizikisht me telefon të mençur, transmeton Telegrafi.

Për më tepër, teknologjia e Cellebrite mund të përdoret vetëm për të hakuar dhe nxjerrë përmbajtjen ekzistuese nga telefonat inteligjentë, dhe nuk lejon mbikëqyrje aktive pas shkëputjes dhe nuk mund të gjurmojë pajisjen pasi të jetë restauruar.

Raporti i Amnesty zbuloi, megjithatë, se agjencia e sigurisë së brendshme e Serbisë ishte në gjendje të instalonte spyware-in e vet me qëllim të keq pas zhbllokimit të telefonave inteligjentë, duke abuzuar me teknologjitë e Cellebrite jo për të mbledhur informacion, por si një shfrytëzim për të instaluar në mënyrë aktive programe të mbikëqyrjes.

Nën presidentin serb Aleksandar Vuçiq, media, gjyqësori dhe shoqëria civile ishin në shënjestër të regjimit.

Kompania tha të enjten se pas shqyrtimit të pretendimeve të bëra në raportin e Amnesty International, Cellebrite ka ndërmarrë hapa specifikë për të hetuar çdo akuzë në përputhje me politikën e saj të etikës dhe integritetit.

“Ne e kemi parë të përshtatshme në këtë moment që të ndalojmë përdorimin e produkteve tona nga klientët përkatës. Jemi duke vlerësuar vendet me të cilat ne bëjmë biznes”, tha kompania.

Cellebrite është një kompani izraelite e listuar në Nasdaq me mijëra klientë në SHBA dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në mbarë botën. Megjithatë, me kalimin e viteve, teknologjitë e saj të hakimit kanë gjetur rrugën e tyre në duart e organizatave që shtypin aktivistët e të drejtave të njeriut, pakicat dhe komunitetin LGBTQ.

Siç ka raportuar vazhdimisht Haaretz, klientët e Cellebrite kanë përfshirë regjime represive nën sanksione, duke përfshirë Bjellorusinë, Kinën dhe Hong Kongun, Ugandën, Venezuelën, Indonezinë, Filipinet, Rusinë, Etiopinë, Pakistanin dhe njësinë famëkeqe të ekzekutimit RAB të Bangladeshit.

Softueri spiun mundëson monitorimin në distancë të pronarëve të telefonave të mençur, duke përfshirë aktivizimin e fshehtë të kamerës dhe mikrofonit, qasjen në aplikacionet e mesazheve dhe nxjerrjen e fotove, kontakteve, skedarëve, etj. Por spyware ushtarak i aftë për infektim në distancë shitet vetëm me miratimin e qeverisë.

Zakonisht është gjithashtu jashtëzakonisht i shtrenjtë, dhe dobësitë që teknologjitë shfrytëzojnë për të infektuar pajisjet bëhen edhe më të shtrenjta, pasi ato zbulohen shpesh nga ekipet e sigurisë kibernetike të Google dhe Apple.

Spyware serb, të cilin studiuesit e quajtën NoviSpy, nuk u mbështet në të metat e sigurisë për të infektuar pajisjet. Në vend të kësaj, ai u instalua në pajisjet e synuara vetëm pasi ato u zhbllokuan fizikisht duke përdorur teknologjitë Cellebrite.

Në disa raste, duket se viktimat mund të jenë thirrur nga policia si pjesë e një mashtrimi për të fituar qasje fizike në pajisjen e tyre. sn

Kuvendi i Republikës Sërpska miraton ligje që ndalojnë punën e institucioneve shtetërore të Bosnjës brenda entitetit

Kuvendi i Republikës Sërpska në Banjallukë. Fotografi nga mbledhja e 27 shkurtit 2025.

Radio Evropa e Lirë

Kuvendi i Republikës Sërpska miratoi të enjten ligje që ndalojnë në mënyrë antikushtetuese veprimtarinë e institucioneve gjyqësore dhe hetimore të Bosnje – Hercegovinës në këtë entitet.

Me miratimin e projektligjit për moszbatimin e ligjeve dhe ndalimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore parashihet ndalimi i punës dhe veprimeve të Gjykatës së Bosnje- Hercegovinës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA), si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnje – Hercegovinës në Republikën Sërpska.

Heqja e njëanshme e kompetencave shtetërore të Bosnjës në një pjesë të territorit të saj, nuk është në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Gjykata e Bosnje-Hercegovinës, Prokuroria dhe SIPA, janë formuar mbi bazën e ligjeve të miratuara nga Asambleja Parlamentare e Bosnjës dhe janë konfirmuar nga Dhoma shtetërore e Popullit.

Për t’u shfuqizuar, sipas Kushtetutës, duhet të vendosë edhe Parlamenti i Bosnjës.

Megjithatë, ministrja e Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale të Republikës Sërpska, Senka Jujiq, në arsyetimin e këtij propozimi, pohoi se, sipas Kushtetutës së Bosnje – Hercegovinës, “të gjitha funksionet dhe kompetencat qeveritare që nuk janë shprehimisht të përcaktuara si kompetenca të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, u përkasin entiteteve”.

Për këto ligje votuan 49 deputetë, ndërsa tre ishin kundër. Në votim morën pjesë 52 nga 83 deputetët e Kuvendit të Republikës Sërpska.

Miratimi i ligjeve ndodhi një ditë pas vendimit gjyqësor ndaj presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, të cilin Gjykata e Bosnje – Hercegovinës e dënoi me një vit burgim dhe ia ndaloi veprimtarinë në funksionet publike për gjashtë vjet.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të Republikës Srpska, Millosh Llukiq, u lirua nga akuzat.

Ata ishin akuzuar për mosrespektimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkomëbtar, Christian Schmidt.

Para shpalljes së vendimit, udhëheqësia e Republikës Sërpska, pati kërcënuar me “vendime radikale” dhe me tërheqje nga të gjitha institucionet e Bosnjës, nëse Dodik do të dënohej.

Ligjet u miratuan një natë më parë nga Qeveria e Republikës Sërpska dhe më pas u dërguan në Kuvendin e entitetit.

Me ndryshimet e miratuara në Kodin Penal të Republikës Sërpska, “mosrespektimi ose moszbatimi i vendimeve të institucioneve ose organeve të Republikës Srpska”, konsiderohet vepër penale.

Në rast të shkeljeve parashihen dënime me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe masa ndaluese për ushtrimin e profesionit.

Para seancës parlamentare, presidenti i entitetit, Millorad Dodik, deklaroi se Republika Sërpska “do të kundërshtojë veprimtarinë e Gjykatës dhe Prokurorisë së Bosnje – Hercegovinës”.

Ministri i Drejtësisë i Republikës Sërpska, Millosh Bukejloviq, tha se ndryshimet janë bërë “për shkak të nevojës për mbrojtjen e rendit institucional” dhe synojnë “forcimin e mekanizmit të përgjegjësisë” për personat që ushtrojnë funksione publike në Republikën Sërpska dhe në nivelin e Bosnje – Hercegovinës.

Formimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të RS-së

Kuvendi miratoi edhe projektligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska, i cili parashikon krijimin e një organi që do të emëronte gjyqtarë, prokurorë dhe funksionarë të tjerë gjyqësorë në këtë entitet.

Në Bosnje dhe Hercegovinë ekziston një Këshill i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial shtetëror, i cili emëron funksionarët gjyqësorë në të gjithë vendin, përveç gjyqtarëve kushtetues.

Mbështetjen e shumicës në Kuvendin e Republikës Sërpska e mori edhe Ligji për Regjistrin e Veçantë dhe Transparencën e Punës së Organizatave Jofitimprurëse.

Ky ligj parashikon krijimin e një Regjistri të Veçantë të organizatave jofitimprurëse të themeluara në Republikën Srpska, të cilat marrin mbështetje financiare, ose ndihmë tjetër nga subjektet e huaja, si dhe përfshirjen e tyre në aktivitete politike, duke i klasifikuar ato si ‘agjentë të jashtëm’.

Ndonëse partia në pushtet pretendon se këto vendime janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës Sërpska, partitë opozitare theksuan se bëhet fjalë për ligje që përfaqësojnë “dëshirat e një njeriu [Dodikut]”, me pasoja të mundshme “të paparashikueshme dhe të rrezikshme” për qytetarët e këtij entiteti serb.

“Ajo që po bëni sot është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, Kushtetutës së Bosnje – Hercegovinës dhe Kushtetutës së Republikës Sërpska”, tha deputeti Ognjen Bodiroga.

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, u bëri thirrje deputetëve të votojnë për ligjet, duke thënë se “situata është jashtëzakonisht e favorshme për të rikthyer subjektivitetin e Republikës Sërpska, të garantuar nga Kushtetuta e Bosnje – Hercegovinës”.

Dodik theksoi se Republika Sërpska “është përgatitur për këtë hap prej vitesh”, duke nënvizuar posaçërisht forcimin e “kapaciteteve policore”.

Dodik kishte paralajmëruar edhe në fund të janarit projektligjin për Regjistrin e Veçantë dhe Transparencën e Punës së Organizatave Jofitimprurëse, i njohur në publik edhe si ligji për “agjentët e huaj”.

Një propozim i tillë u tërhoq nga procedura e Kuvendit Popullor të Republikës Sërpska në maj të vitit të kaluar, pas presionit të madh nga opinioni publik vendas, si ai ndërkombëtar.

Si e lidh Serbia Kosovën me trazirat e saj të brendshme?

Protesta e studentëve para Gjykatës Kushtetuese, Beograd, 12 janar 2025 ku shihen flamuj të shumtë me hartën e Kosovës dhe me mesazhin “Nuk ka dorëzim”.

 

Bekim Bislimi

Derisa protestat e udhëhequra nga studentët vazhdojnë të tronditin Serbinë, autoritetet e këtij vendi kërkojnë dikë për të fajësuar. Shënjestër e tyre, prej kohësh, është bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por Qeveria e tij i quan të pabaza pretendimet.

“Askush nuk i gëzohet nxitjes së konflikteve në Serbi më shumë se Kurti dhe ustashët”, tha në dhjetor të vitit të kaluar zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe një ish-organizate fashiste kroate.

Atëkohë, protestat e studentëve në Serbi po merrnin hov.

Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë vazhdojnë ende të mblidhen nëpër qytete të ndryshme të këtij vendi, për të kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për tragjedinë në Novi Sad, ku, nëntorin e kaluar, nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit vdiqën 15 persona.

Po në dhjetor, Kurti, gjatë një vizite në Kroaci, u pyet për protestat e studentëve në Serbi, për të cilat la të kuptohet se ka mirëkuptim, por nuk shprehu mbështetje për “nxitjen e konflikteve”, siç pretendoi Vulin.

“Sistemi i krijuar në Serbi nuk beson në pluralizmin politik, nuk ka sundim të ligjit, prandaj kemi protesta kaq të ashpra studentore”, tha mes tjerash Kurti më 13 dhjetor.

Po atë ditë, portali Informer në Serbi, i njohur për narrativë kundër Kosovës, publikoi një artikull me titull: “Albin Kurti mbështet protestat e ‘studentëve’ në Beograd: Terroristi shqiptar mbështet me gjithë zemër shkatërruesit e Serbisë”.

Pretendime të ngjashme bëri këtë muaj edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

“Ekziston një koalicion i qartë interesash që lidh Albin Kurtin dhe sponsorët e protestave antishtetërore në Serbi”, tha Petkoviq më 16 shkurt, pa specifikuar se për cilët ‘sponsorë’ e ka fjalën dhe pa sjellë ndonjë provë për pohimet e tij.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe zyrtarë të tjerë serbë i kanë akuzuar vazhdimisht studentët protestues se bëjnë përpjekje “për të përmbysur pushtetin”.

Ata i kanë etiketuar protestuesit si “mercenarë të huaj”, “banditë” dhe “huliganë”, ndërsa kanë fajësuar edhe “shërbimet e Perëndimit” për ndërhyrje.

Çka thotë Qeveria e Kosovës?

Për zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, akuzat e tilla “janë manifestim i një pushteti autokratik, që shkakun e problemeve të brendshme dhe shfajësimin e tij synon ta gjejë e ta bëjë tek aktorët e jashtëm, ashtu që të mos kërkohet përgjegjësia”.

Sipas tij, Serbia është “i vetmi shtet në rajon me të kaluar të dëshmuar të ndërhyrjeve dhe nxitjeve të çështjeve të brendshme në shtetet fqinje”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha, ditë më parë, se “Serbia e akuzon Kosovën se mbështet protestat në Serbi, pa bazë dhe pa ofruar ndonjë provë”.

Rohde e akuzoi vetë Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, duke kërkuar vota për Listën Serbe.

Deklarata të ngjashme bëri edhe shefja e misionit të Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, Nathalie Loiseau.

“Këto janë metoda e praktika të Serbisë autokratike, jo të Republikës së Kosovës që është demokratike”, thotë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Çka thonë vëzhguesit?

Vëzhguesit e zhvillimeve në Kosovë dhe në Serbi thonë se autoritetet serbe, duke bërë akuza kundër Kurtit, përpiqen ta manipulojnë opinionin vendor dhe ta zhvendosin vëmendjen nga zhvillimet e brendshme.

Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) në Prishtinë, thotë se pretendimet e zyrtarëve serbë janë “përpjekje për të gjetur armiq të jashtëm për problemet e brendshme”.

“Kjo nuk është asgjë e huaj për regjimet populiste dhe autokratike çfarë e ka sot Serbia”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se pretendimet e tilla të zyrtarëve dhe mediave serbe nuk janë më të besueshme për opinionin në Serbi.

“Kjo me Kurtin aktualisht nuk funksionon, madje as kur e përmendin në media si një argument serioz. Përveç për ata që i besojnë verbërisht Vuçiqit”, thotë Janjiq.

Studentët protestues në Serbi këmbëngulin se janë të pavarur, ndonëse në disa protesta të tyre janë parë edhe pjesëtarë të organizatave dhe partive djathtiste që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

Janjiq shpreh bindjen se edhe ajo shumicë e qytetarëve që e mbështesin Vuçiqin, me besimin se ai nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet, është duke u zvogëluar gjithnjë e më shumë.

A ka rrezik për incidente të mundshme në Kosovë?

Dy analistët pajtohen se akuzat e zyrtarëve serbë ndaj Kurtit nuk kanë bazë reale, por nuk ndajnë mendimin se situata e sigurisë në Kosovë mund të cenohet nën dirigjimin e autoriteteve serbe.

Peci thotë se sjellja e zyrtarëve serbë sinjalizon se ata po përpiqen ta zhvendosin vëmendjen e opinionit të brendshëm, duke e orientuar drejt Kosovës.

Në këtë kontekst, ai thotë se nuk mund të abstrahohen rreziqet për situatën e sigurisë në Kosovë, sidomos në veriun e banuar me shumicë serbe.

Ai thotë se rreziku për nxitje të incidenteve në këtë zonë edhe ashtu të trazuar, është real.

Kjo, pavarësisht faktit se Serbia – pas sulmit të armatosur të një grupi serbësh në Banjskë të Zveçanit, shtatorin e vitit 2023 – është vënë “nën llupën e faktorit ndërkombëtar”.

*Një përmbledhje të krejt asaj çka ndodhi në Banjskë, mund ta shihni në këtë video nga arkivi

Peci thotë pas këtij sulmi, grupet e uniformuara serbe janë tërhequr në brendësi të Serbisë, por shton se nxitja e incidenteve eventuale mund të mos vijë nga persona të tillë.

Në atë rast, ata do të ishin të tejdukshëm edhe për faktorin ndërkombëtar, thotë ai.

“Çfarëdo që ndodh aty [në veri], është e ditur se do t’i atribuohet Serbisë, sepse është një përpjekje e saj për të krijuar një problem, për ta zhvendosur vëmendjen nga problemet që i ka brenda”, thekson Peci.

Ai shton se autoritetet e Kosovës, në këtë kohë, duhet t’i shmangin situatat që, siç shprehet, motivojnë tensione.

Në mënyrë specifike përmend mbylljen e disa qendrave për punë sociale në Mitrovicë të Veriut, të cilat funksiononin nën sistemin e Serbisë, javën e kaluar.

“Ne me këto akte e krijojmë një klimë, e cila e rrezikon sigurinë në veri të vendit për çështje krejtësisht jorelevante, siç janë shërbimet sociale”, thotë Peci.

Por, Janjiq nuk sheh rrezik për ndonjë incident sigurie në veri të Kosovës, të motivuar nga autoritetet e Serbisë.

Sipas tij, Vuçiq, aktualisht, po ballafaqohet me mungesë vizioni se si të dilet nga kriza e brendshme.

“Rreziku që ekziston, e që mund të ketë të bëjë me Kosovën, është fakti se në këtë kaos të institucioneve [në Serbi], krimi i organizuar, e sidomos narko-mafia, mund të fillojnë të marrin pjesë të territoreve”, thotë Janjiq, duke iu referuar edhe veriut të Kosovës.

Për Kosovën, Serbia mbetet kërcënimi kryesor për sigurinë dhe stabilitetin e saj.

Sulmi në Banjskë vetëm se e ka forcuar bindjen e Prishtinës se Beogradi nuk e ka braktisur strategjinë e destabilizimit të vendit fqinj – edhe pse autoritetet serbe kanë mohuar se kanë gisht në atë ngjarje.

Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës thekson se autoritetet e vendit “janë gjithmonë në krye të detyrës, për të siguruar ruajtjen e rendit e sigurisë publike, për të respektuar ligjshmërinë dhe për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallim”.

Analistët thonë se përkundër përpjekjeve të Serbisë për ta zhvendosur fajin jashtë kufijve të saj, e ardhmja e këtij vendi do të përcaktohet nga zhvillimet e brendshme.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka dhënë dorëheqje, Vuçiq thotë se kërkesat e studentëve janë plotësuar, por protestat e tyre nuk kanë të ndalur.

Vuçiq takohet me Dodikun në Banjallukë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe presidenti i Republikës Sërpska (RS) të Bosnje dhe Hercegovinës, Mirollad Dodik, në Banjallukë, më 26 shkurt 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe presidenti i Republikës Sërpska (RS) të Bosnje dhe Hercegovinës, Mirollad Dodik, janë takuar në Banjallukë pak orë pas shpalljes së dënimit ndaj Dodikut.

Dodik u dënua nga një gjykatë në Sararejë me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit të RS-së për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt.

Menjëherë pas dënimit u bë e ditur se Vuçiqi do të udhëtonte drejt Banjallukës për një takim me Dodikun. Gjatë takimit që u zhvillua këtë mbrëmje, të dy e cilësuan vendimin si sulm “kundër Republikës Sërpska dhe popullit serb në tërësi”.

“Është një ditë e vështirë për popullin serb në tërësi. Kundër Dodikut, sipas bindjes sonë, është dhënë një dënim i shkallës së parë në një procedurë juridike të çuditshme dhe të pakuptimtë”, tha Vuçiqi.

Ai e ftoi Dodikun të tregojë atë që e quajti angazhim serb për paqe, dialog dhe jo përmes kërcënimeve dhe shantazheve.

“Kam ardhur në Banjallukë, jo sepse mund të ndikoj në ndonjë mënyrë në vendimet e udhëheqësisë së RS-së, por për t’i ofruar mbështetje popullit tonë në RS dhe për të thënë se Serbia është me ta dhe këtë t’ia them Dodikut, pa rrezikuar askënd”, tha ai.

Vuçiqi theksoi nevojën për ruajtjen e Marrëveshjes së Dejtonit, duke njoftuar se do të mbahet edhe një mbledhje e Kuvendit të Serbisë, ku do të ftohet edhe Dodiku.

Pas takimit, Dodik tha se entiteti i Republikës Sërpska angazhohet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe se është i gatshëm për bisedime në Sarajevë, ose kudo tjetër në Bosnje e Hercegovinë.

“Ne nuk sulmojmë askënd, nuk kemi asnjë plan lufte dhe nuk po përgatisim burime. Jemi të gatshëm për bisedime, por jo që të injorohemi. Jam i gatshëm të bisedoj me të gjithë përfaqësuesit e popullit boshnjak dhe kroat dhe të tregojmë si mund ta bëjmë Bosnje dhe Hercegovinën kushtetuese dhe të qëndrueshme për të gjithë, e jo të nënshtrohemi këtu”, tha Dodik në një konferencë shtypi në Banjallukë.

Siç tha ai, RS-ja insiston për atë që është garantuar nga Kushtetuta e Bosnje dhe Hercegovinës dhe “asgjë më shumë se kaq”.

“Jemi të gatshëm për dialog mbi temat e vështira, siç janë Gjykata dhe Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës, por nuk jemi të gatshëm të pranojmë një trajtim injorues ndaj popullit serb dhe RS-së”, tha Dodik, duke folur në konferencën për shtyp me presidentin e Serbisë, Vuçiqin.

Në takimin në Banjallukë, përveç Dodikut dhe Vuçiqit, ishin gjithashtu Sinisha Mali, ministër i Financave të Serbisë, Zhelka Cvijanoviq, anëtare e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Radovan Vishkoviq, kryeministër i Republikës Sërpska, dhe Nenad Stevandiq, kryetar i Kuvendit Kombëtar të RS-së.

Dodik u akuzua për nënshkrimin e dekretëve presidencialë, me të cilët shpalli dy ligje jo-kushtetuese të RS-së, të cilat përfaqësuesi i lartë i kishte shpallur më parë të pavlefshme.

Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës, si dhe vendimeve të përfaqësuesit të lartë, në territorin e këtij entiteti të Bosnje dhe Hercegovinës.

Përveç Dodikut, edhe Millos Llukiq, drejtor i përkohshëm i Gazetës Zyrtare të RS-së, u akuzua për mosrespektimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë për botimin e ligjeve, por ai u shpall i pafajshëm.

Vendimi i Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës mund të apelohet. Kodi Penal i Bosnje dhe Hercegovinës për këtë shkelje parasheh dënim me burg prej pesë vjetësh dhe ndalim për ushtrimin e funksioneve politike.


Send this to a friend