Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë më 5 dhjetor në Sarajevë, ku një ditë më vonë do të marrë pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga udhëheqësi i kësaj organizate, Adil Kullenoviq, i cili shtoi se kryeministri kosovar do të mbajë një fjalim në këtë konferencë.
“Në këtë sesion do të diskutohet për marrëdhëniet rajonale”, tha Kullenoviq për REL-in.
Vizita e Kurtit në Sarajevë do të komplikojë ndjeshëm marrëdhëniet në Bosnje dhe Hercegovinë, deklaroi presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.
“Ne nuk do të lejojmë që shqiptarëve nga ai rajon t’u lejohet hyrja me letërnjoftim, sepse kjo do të nënkuptonte njëfarë njohjeje të të ashtuquajturës Kosovë. Në këtë drejtim, kemi lajmin se Kurti po vjen në Sarajevë. Dhe kur ndërhymë dhe thamë se kjo do të ishte një shkëndijë për probleme serioze mes nesh në Bosnjë dhe Hercegovinë, ata menduan që ta ftonte ndonjë organizatë joqeveritare në ndonjë sesion”, tha Dodik, raporton RTRS.
Në tetor, Kurti kishte deklaruar gjatë një samiti të Procesit të Berlinit se Kosova do të lejojë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025.
Marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, që do të mundësojë që qytetarët e këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar në Parlamentin e Bosnjës.
Ajo po bllokohet nga përfaqësuesit e entitetit të Republikës Sërpska, të udhëhequr nga Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut.
Qytetarët e Kosovës, që duan të udhëtojnë drejt Bosnjës do të duhen të pajisen me viza, “që lëshohen vetëm në raste të jashtëzakonshme”, dhe duhet të miratohen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës. Kërkesat për viza mund të dorëzohen në Shkup, Podgoricë dhe Beograd, ndërkaq pagesa për vizë është 31 euro.
Për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës që duan të udhëtojnë në Kosovë kërkohet, ndër të tjera, një letër garancie ose rezervim hoteli, kontratë pune dhe certifikatë apo konfirmim se nuk janë të dënuar. Viza kushton 40 euro dhe dorëzohet në ambasadën e Kosovës në Zagreb.
Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën, për shkak të kundërshtimit të entitetit të Republikës Sërpska, të udhëhequr nga presidenti prorus Millorad Dodik, i cili është nën sanksione amerikane për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit.REL
“Mercenarë të huaj” në regjimin e Sllobodan Millosheviqit në vitet ’90, sot “agjentë të ndikimit të huaj”.
Etiketimi si “agjent i huaj” mund të bëhet detyrim ligjor për sektorin joqeveritar në Serbi, nëse Parlamenti në këtë vend miraton aktin e propozuar për agjentët e ndikimit të huaj.
Sofija Todoroviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo organizatë nuk do të pranonte të përdorte një etiketim të tillë.
“Dakordimi me këtë lloj shtypjeje nuk do të ishte opsion”, thotë ajo.
Ligji i propozuar për regjistrimin e posaçëm të agjentëve të ndikimit të huaj përcakton si “agjente të huaja” të gjitha shoqatat dhe organizatat jofitimprurëse, të cilat financohen kryesisht nga jashtë, për qëllime të ndikimit politik.
Këtë propozim e dërguan në procedurë parlamentare deputetët e Lëvizjes Socialiste – themelues i së cilës është nënkryetari prorus i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin.
Ligji për agjentët e huaj – që ndjek modelin e Rusisë, për të heshtur kritikat ndaj qeverisë dhe për të kufizuar punën e aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe të mediave të pavarura – është miratuar ose propozuar edhe në disa vende të tjera, përfshirë edhe të Ballkanit.
Në Lëvizjen Socialiste, megjithatë, thonë se model i tyre ishte Akti Amerikan i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) i vitit 1938 dhe jo ai rus.
Lëvizja Socialiste dhe themeluesi i saj, Aleksandar Vulin, janë prej vitesh partnerë të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Kjo parti nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse do ta mbështeste këtë ligj, ndërsa Vuçiq u tha gazetarëve se as Qeveria dhe as shumica parlamentare nuk janë propozuese të tij.
“Po të donte Qeveria, ajo do ta kishte propozuar. Por, do të ketë diskutime për të, kështu që do të bëhet e qartë se kush çka mendon”, tha Vuçiq.
Ai, po ashtu, tha se nuk i ka kushtuar rëndësi faktit që ky ligj është dorëzuar, pasi, siç u shpreh, ai nuk ka pasur ndonjë rëndësi të veçantë për të.
Fotografi arkivi: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin.
Vulin dha dorëheqje nga Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Serbisë (BIA) në nëntor të vitit 2023, disa muaj pasi Shtetet e Bashkuara e vendosën në listë të sanksioneve, për shkak të lidhjeve me Rusinë, ndër të tjera.
Kur u formua Qeveria e re e Serbisë në muajin maj, ai u bë nënkryetar i saj, i ngarkuar me bashkëpunimin me vendet e BRICS-it – një grupim ku bën pjesë edhe Rusia.
Çfarë thotë ligji i propozuar?
Agjente të ndikimit të huaj, sipas ligjit të propozuar serb, janë të gjitha organizatat joqeveritare që financohen kryesisht nga shtete të tjera, organizatat ndërkombëtare dhe të huaja, shtetas të huaj ose organizata të regjistruara joqeveritare që financohen nga jashtë.
Si agjente të ndikimit të huaj klasifikohen edhe organizatat jofitimprurëse, të cilat janë të angazhuara në aktivitete politike, me synim rrezikimin e demokracisë, cenimin e integritetit të Serbisë, shkeljen e lirive dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe nxitjen e urrejtjes dhe jotolerancës kombëtare, racore ose fetare.
Deputeti i Lëvizjes Socialiste, Gjorgje Komlenski, i cili është një nga dy propozuesit e ligjit, thotë për Radion Evropa e Lirë se masa është e nevojshme, në mënyrë që qytetarët “ta kenë një ide se me çfarë motivesh dikush thotë dhe bën diçka”.
“Shumë organizata joqeveritare janë kthyer në një seksion lobuesish – të financuar shumë mirë – për interesat e huaja”, sipas tij.
I pyetur nëse shteti merr para edhe nga fondet e huaja, Komlenski thotë se shteti i shfrytëzon ato mjete në përputhje me interesat e tij, ndërsa sektori joqeveritar “sipas detyrave të atyre që i ndajnë ato mjete”.
Projekt-ligji parashikon, gjithashtu, që në çdo paraqitje të përfaqësuesve të “agjentëve të ndikimit të huaj”, të shënohet se organizata është e regjistruar në Regjistrin e agjentëve me ndikim të huaj, i cili drejtohet nga Ministria e Drejtësisë.
Në rast të mosrespektimit të detyrimit për t’u shënuar si “agjent i huaj”, ligji i propozuar parashikon dënime si: ndalim të kryerjes së punës dhe kallëzim penal ndaj personave përgjegjës.
Masa parasheh edhe gjoba nga 5.000 dinarë (rreth 42 euro) deri në 2.000.000 dinarë (rreth 17.000 euro).
Në shpjegimin për propozim-ligjin thuhet se në Serbi ka shoqata qytetare, të cilat “punojnë hapur kundër interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”.
Përkrahësit e tij besojnë se qëllimi i veprimit të tyre lidhet me destabilizimin e shtetit, në mënyrë që Serbia “të detyrohet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të pajtohet me shpërbërjen e Republikës Sërpska dhe të vendosë sanksione kundër Rusisë”.
I pyetur nëse ligji rus ishte model, Komlenski thotë se ai nuk është rus, por amerikan.
“Jo, më besoni, as që e kam lexuar atë ligj. Një nga motivet e mia ishte ligji FARA në SHBA i vitit 1938, por mendoj se ky është një version edhe më i butë i asaj që ai ligj u mundëson autoriteteve në SHBA”, thotë Komlenski.
FARA, megjithatë, i përkufizon “agjentët e huaj” si individë që veprojnë nën drejtimin e vendeve të huaja, angazhohen në aktivitete politike, mbledhin para ose veprojnë nën drejtimin e eprorëve, në kontakt me autoritetet amerikane.
Ligji FARA u krijua në vitin 1938 me qëllim shtypjen e propagandës naziste dhe më vonë bolshevike.
Me rishikimet e mëvonshme, ligji ka në shënjestër pastrimin e parave, korrupsionin, terrorizmin dhe anashkalimin e sanksioneve.
Paralajmërimet nga Brukseli dhe Uashingtoni
Në Komisionin Evropian thonë për Radion Evropa e Lirë se çdo projekt-ligj duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane.
“Ju kujtojmë se çdo ligj i një vendi kandidat për anëtarësim në BE, duhet të jetë në përputhje me vlerat themelore demokratike të BE-së, përfshirë lirinë e fjalës dhe të shprehjes”, thuhet në përgjigje.
Para se të bëhet anëtar i BE-së, një vend kandidat duhet t’i harmonizojë ligjet, politikat, institucionet dhe praktikat e tij me standardet dhe kërkesat e BE-së.
Serbia dhe Mali i Zi janë lidere në Ballkanin Perëndimor sa i përket procesit të anëtarësimit në BE.
Nga Departamenti amerikan i Shtetit thonë gjithashtu për REL-in se janë thellësisht të shqetësuar për implikimet që ligji i propozuar për agjentët e huaj në Serbi, mund t’i ketë mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, përfshirë lirinë e shprehjes dhe organizimit.
“Një ligj i tillë mund ta ngushtojë hapësirën për veprim të shoqërisë civile, t’i stigmatizojë organizatat e shoqërisë civile që punojnë për të përmirësuar jetën e qytetarëve serbë dhe ta pengojë punën e mediave të pavarura që ofrojnë informacione të sakta për publikun”, thuhet në përgjigje.
“Një ligj i modeluar sipas atij të Putinit, për ta heshtur sektorin civil”
Sofija Todoroviq nga YIHR-ja thotë se ligji bazohet në pretendimet se ka elemente që e destabilizojnë vendin, edhe pse për to nuk ka aktvendime gjyqësore apo informacione të vërtetuara, përveç indikacioneve dhe deklaratave të zyrtarëve të caktuar.
“Qëllimi është represioni”, thotë ajo, duke shtuar se transparenca e financimit të organizatave joqeveritare, tashmë ekziston.
“Një ligj i tillë do të kontribuonte në etiketimin shtesë të shoqatave të qytetarëve dhe në paraqitjen e njerëzve që punojnë në organizata civile si armiq”, sipas saj.
Me të pajtohet edhe Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Ajo thotë se me këtë ligj “do t’u tregohen dhëmbët të gjithë atyre që mendojnë ndryshe dhe janë kryesisht proevropianë”.
“Është një ligj i ngjashëm me atë të [presidentit rus, Vladimir] Putin dhe ka për synim ta heshtë, ta bëjë të pakuptimtë dhe ta margjinalizojë sektorin civil, që merr donacione nga jashtë, që është kritik dhe që përfaqëson vlerat liberale, ndaj të cilave ata kanë qenë gjithmonë kundër”, thotë Biserko.
Ajo pret që Bashkimi Evropian të mos e lejojë miratimin e ligjit.
Stradner: Iniciativa në Serbi dallon nga ligji amerikan FARA
Ivana Stradner, bashkëpunëtore e Fondacionit joqeveritar për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e rëndësishme të bëhet dallimi midis ligjit FARA në SHBA dhe iniciativës në Serbi, e cila, sipas saj, “është e frymëzuar nga ligji i Putinit për agjentët e huaj”.
Ajo thotë se Kongresi amerikan e miratoi FARA-n në vitin 1938, në kuadër të luftës kundër propagandës naziste, përkatësisht për t’i ekspozuar firmat lobuese që përfaqësonin interesat e Gjermanisë naziste.
“Ndryshe nga kjo, përkrahësit e ligjit serb për agjentët e huaj shpesh përmendin financimin e organizatave joqeveritare nga Perëndimi dhe se si Perëndimi dëshiron të organizojë një revolucion me ngjyra”, thotë ajo.
Stradner shton se nuk është e sigurt se ky ligj do t’i shënjestronte njerëzit që punojnë drejtpërdrejt me Moskën ose Pekinin.
Po sipas saj, ligji i propozuar duket se është pjesë e një loje politike, në të cilën Vulin propozon vendime “joracionale”, kurse Vuçiq heq dorë prej tyre dhe, në këtë mënyrë, “i bën nder Perëndimit”.
Si zbatohet Ligji për agjentët e huaj në Rusi?
Ligji rus që kërkon nga organizatat që marrin para nga jashtë, të regjistrohen si “agjente të huaja”, u prezantua në vitin 2012 dhe u zgjerua në vitin 2022.
Objektiv i parë ishin organizatat joqeveritare, e që nga viti 2017 edhe gazetarët e mediat, përfshirë Radion Evropa e Lirë.
Andrej Shary, drejtor për rajonin rus në Radion Evropa e Lirë, thotë se Ligji për agjentët e huaj nënkupton që çdo mundësi për veprim e shoqërisë civile, që nuk korrespondon me kërkesat e qeverisë, të bëhet e pamundur.
“Sipas interpretimit të Qeverisë ruse dhe publikut patriot, ‘agjentë të huaj’ janë njerëzit që punojnë kundër interesave të atdheut të tyre, mercenarët e Perëndimit, spiunët amerikanë apo gjermanë”, thotë Shary.
Sipas tij, disa mijëra persona janë shpallur tashmë agjentë të huaj dhe shumica e tyre janë larguar nga Rusia.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi në muajin tetor se Ligji rus për agjentët e huaj shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është “arbitrar” dhe përdoret në “një mënyrë të gjerë dhe të paparashikueshme”.
Ligji kërkon që ata për të cilët zbatohet, për shembull gazetarët, ta vënë etiketën “Unë jam agjent i huaj” në çdo artikull apo postim të vetin në rrjetet sociale.
Nëse refuzojnë ta bëjnë këtë, pasojnë dënimet.
“Ndodh ajo që i ka ndodhur edhe Radios Evropa e Lirë. Për të gjitha projektet në gjuhën ruse ne kemi marrë gjoba deri në 18 milionë dollarë”, thotë Shary.
Në rast të mospagesës së gjobave, autoritetet i bllokojnë llogaritë bankare, ndërsa nuk përjashtohet as përgjegjësia penale.
Në vitin 2017, Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë u fut në listën e agjentëve të huaj.
Në shkurt të këtij viti, ai u shpall “organizatë e padëshirueshme” në Rusi, gjë që, praktikisht, e ndalon atë të punojë në atë vend, ndërsa kushdo që bashkëpunon me të, mund të ndiqet penalisht.
Çfarë do të thoshte për Serbinë miratimi i Ligjit për agjentët e huaj?
Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Serbi, Bogolub Millosavleviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se Ligji për agjentët e huaj është diçka që mund t’i përshtatet Rusisë, Bjellorusisë, Koresë së Veriut dhe disa regjimeve të vjetra komuniste.
“Pra, diçka që është krejtësisht e vjetruar, diçka që nuk mund t’i përshtatet një vendi që dëshiron të ketë sadopak demokraci”, thotë ai.
Duke komentuar etiketimin “agjent i huaj”, ai thotë se një praktikë e ngjashme ka ekzistuar edhe gjatë sundimit të ish-presidentit të Serbisë dhe Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, gjatë viteve ‘90.
“Ata që punonin për donatorët e huaj, quheshin të gjithë mercenarë të huaj. Tani janë ‘agjentë të ndikimit të huaj’ dhe janë persona që automatikisht etiketohen si armiq të këtij vendi”, thotë Millosavleviq.
Një projektligj i ngjashëm për agjentët e huaj ekziston në Mal të Zi që nga tetori, por nuk ka hyrë në procedurë parlamentare.
Ai është propozuar nga koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi”, i cili përbëhet nga partitë proruse të ish-Frontit Demokratik (DF) – Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit dhe Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviqit.
Ky propozim është kritikuar nga partnerët e koalicionit në Mal të Zi, si dhe nga opozita, shoqëria civile dhe Bashkimi Evropian.
Në maj, autoritetet në Republikën Sërpska – njërin prej dy entiteteve të Bosnje e Hercegovinës – e kanë tërhequr ligjin e planifikuar për agjentët e huaj nga procedura dhe e kanë kthyer për rishikim, pas një sërë kritikash nga komuniteti ndërkombëtar, mediat dhe sektori joqeveritar.
Masa është paraqitur në vitin 2022 nga Millorad Dodiku, president i Republikës Sërpska dhe udhëheqës i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur, i cili është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për shkak të veprimeve jokushtetuese.
Këtë vit, ligje që synojnë ta frenojnë ndikimin e organizatave joqeveritare, janë miratuar në Gjeorgji dhe në Kirgizi – të dyja ish-republika sovjetike.
Në Gjeorgji, ligji është miratuar pavarësisht protestave të qytetarëve dhe ka vënë në pritje integrimin evropian, si dhe ka ndërprerë mbështetjen financiare nga BE-ja.
As Bashkimi Evropian nuk është i kursyer nga këto metoda jodemokratike, ndaj në Hungari tashmë është në fuqi Ligji për mbrojtjen e sovranitetit dhe një zgjidhje e ngjashme është duke u planifikuar edhe në Sllovakinë fqinje.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka biseduar me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, për “përshkallëzimin e situatës” në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vuçiq tha po ashtu se me zyrtarin e lartë amerikan gjatë takimit në Bruksel ka biseduar edhe për zhvillimet aktuale në botë dhe rreziqet në rritje për sigurinë.
“Përsërita qëndrimin e palëkundur të Serbisë që promovon paqen dhe ruan stabilitetin, duke kërkuar mbështetje të fortë dhe të qartë nga partnerët amerikanë në përpjekjet tona”, tha Vuçiq.
Më herët gjatë ditës, Vuçiq tha se Beogradi është i gatshëm të bashkëpunojë në kryerjen e një hetimi me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe institucionet sa i përket shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok të Kosovës.
“Nëse [shpërthimi] është kryer nga ndokush që është i kombësisë serbe, dhe ai është në territorin nën të cilin ka kontroll efektiv Serbia, ai do të ndalohet dhe arrestohet në sekondë. Deri tani, nuk kemi informacione të tilla”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.
Ai tha se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe në disa mënyra edhe me institucionet në Prishtinë, pa vënë në rrezik sovranitetin dhe pavarësinë e Serbisë.
Vuçiq tha se më pak e rëndësishmja është se kush është autori, dhe më e rëndësishmja është se kush qëndron pas shpërthimit, duke hedhur poshtë mundësinë që prapa kësaj të jetë Rusia.
Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.
Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar. REL
Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, ka analizuar ngjarjet e fundit në Kosovë, duke i vendosur ato në një kontekst më të gjerë gjeopolitik.
Duke iu referuar aktit të fundit terrorist në veri të Kosovës, Biserko thekson se ky incident ka vendosur Ballkanin Perëndimor në vëmendjen kryesore të sigurisë për Perëndimin raporton Danas.
Ajo shton se reagimi i shpejtë i Perëndimit në mbështetje të qeverisë së Kosovës tregon se qendrat e inteligjencës europiane mund të kenë informacione për organizatorët e sulmit.
“Akti terrorist në Kosovë duhet parë në atë kontekst evropian. Fakti që Perëndimi reagoi me shpejtësi dhe mbështeti qeverinë e Kosovës është shumë tregues sepse qendrat evropiane të inteligjencës ndoshta kanë informacion se kush qëndron pas atij akti”, deklaroi Biserko.
Biserko vëren se situata aktuale vendos Serbinë në një pozitë të ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh trazirat e brendshme dhe protestat në vend.
Ajo sugjeron se Vuçiç mund të përdorë incidentin për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme, ndërsa njëkohësisht përpiqet të përfitojë nga fitorja e Trumpit dhe ndryshimet e mundshme në politikën ndërkombëtare.bw
Një kërcënim i ri ndaj qytetarëve të Kosovës, po vjen nga një i ri serb që pretendohet të ketë bazë komunat veriore. I mbuluar me një gjysmë maskë, në një video përmes paltformës Tik-Tok, denoncuar nga një lexues i klankosova.tv, ai thotë se shpërthimin me eksploziv në Ibër Lepenc, e kreu e ashtuquajtura ‘Rezistenca Çetnike Serbe’.
Derisa ai edhe paralajmëron akte të tjera me aksione serioze në prag të festave të fundvitit. ”Banjska ishte vetëm fillimi. Po fillojmë me aksione serioze rreth Krishtlindjeve. Nëse doni të ndihmoni, më shkruani në mesazh”, ishte kërkesa e tij, që për të cilin rast, Policia e Kosovës thotë se është në dijeni.
Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një përgjigje për gazetarin e klankosova.tv, Albert Bajrami tha se policia është në terren dhe po heton situatën.
“Policia është në veri të vendit dhe verifikon çdo informacion dhe e trajton me seriozitet”, tha Elshani. I riu serb fliste fillimisht për pasojat që shkaktoi grupi i ashtuquajtur serb, me shpërthimin në Ibër Lepenc. ”Rezistenca Çetnike Serbe, dje hapi kanalin për shpërndarjen e ujit ne ajër”. Pasojat janë: Nuk ka ujë në jug të Mitrovicës (këtu jetojnë shqiptarët) dhe nuk ka rrymë në disa pjesë të Kosovës”. ”Ti që nuk e do popullin serb, kini frikën, jemi plot”, flet me mburrje ai.
Më tej ndahet një mesazh tjetër më në detaje se ky akt terrorist ishte paralajmëruar muaj më parë. ”Siç e kam paralajmëruar muaj më parë, ne qytetarët u organizuam sepse nuk mund të tolerojmë më ngacmimet, arrestimet dhe pushkatimet e serbëve të pafajshëm”. ”Çdo qytetar ka të drejtën kushtetuese për t’i rezistuar forcave pushtuese. Ata filluan aksionet tona të para guerile, por ky është vetëm fillimi”.
”Rreth Krishtlindjeve, fillon një aksion i madh. Afër je o Krishtlindje…”, figuron mbishkrimi trillues i përdoruesit aleksandarr82 dhe belisrbin1389.
Kjo meqë pretendimet për pushkatime të serbëve në komunat veriore, nuk qëndrojnë./KlanKosova/
Uji rrjedh jashtë kanalit të Ibër-Lepencit përmes një çarje në murin e tij të shkaktuar nga një shpërthim në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut një ditë më parë, 30 nëntor 2024.
Serbia e ka mohuar përfshirjen në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke thënë se dënon shpërthimin si “të papranueshëm dhe të patolerueshëm”, i cili në “mënyrën më të drejtpërdrejtë” rrezikon nevojat themelore jetësore të popullit serb në Kosovë.
Një shpërthim mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.
Autoritetet kosovare e akuzuan menjëherë Serbinë se ka gisht në këtë sulm.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për “sulm kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Por, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, u hodhi poshtë pretendimet e Kurtit, duke thënë se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm.
“Serbia dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi thellësisht shqetësues rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”, tha Gjuriq në një reagim në X.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se shkatërrimi i kanalit ka rrezikuar furnizimin me ujë në komunat e veriut të Kosovës pwr popullin serb, “i cili tashmë jeton në kushte të vështira, veçanërisht në veri të Kosovës”.
Protestuesit në Timishoara kundër kandidatit për president të Rumanisë, pro-rusit Calin Georgescu, më 26 nëntor 2024.
Protestat kundër politikanit pro-rus, Calin Georgescu, u përhapën përtej Bukureshtit në qytete të tjera rumune më 26 nëntor, pas fitores së tij të papritur në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale gjatë fundjavës.
Protesta kundër Georgescut u zhvilluan në mbrëmjen e 26 nëntorit në Bukuresht, Timishoara, Jasi, Brasov dhe Sibiu.
Georgescu do të përballet në balotazh me kandidaten pro-perëndimore të qendrës së djathtë, Elena Lasconi, më 8 dhjetor, pasi fitoi 22.94 për qind të votave në rundin e parë të zgjedhjeve më 24 nëntor në shtetin anëtar të BE-së dhe NATO-s.
Rreth 1.000 persona dolën në Bukuresht për natën e dytë të protestave kundër Georgescut në Sheshin e Universitetit të kryeqytetit rumun.
Shumica e atyre që dolën në rrugë ishin të rinj, të cilët shprehën shqetësimin e tyre për qëndrimet radikale të Georgescut dhe të ardhmen e vendit të tyre.
“Jam këtu sepse për momentin demokracia jonë është në një situatë të pasigurt dhe besoj fort se ne, brezi i ri, mund ta parandalojmë një katastrofë të ardhshme, e cila mund të ndodhë në rundin e dytë”, tha një student nga Bukureshti që refuzoi të identifikohej me emër.
Një tjetër protestuese tha se ishte e demoralizuar që njerëzit zgjodhën të mos informohen për Georgescun përpara zgjedhjeve.
“Unë nuk mund të pranoj që unë ose fëmijët e mi të ardhshëm… të drejtohemi nga një fashist”, tha protestuesja, e cila gjithashtu refuzoi të japë emrin e saj.
Ajo tha se rumunët duhet të ndjekin rrugën e demokracisë dhe se ende ka një mundësi për këtë në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 1 dhjetor dhe në balotazhin presidencial më 8 dhjetor.
“Ne mund të kthehemi 35 vjet më parë dhe të shohim çfarë kanë kaluar prindërit dhe gjyshërit tanë… dezinformimin masiv që përjetuan kur [diktatori komunist rumun, Nicolae] Çaushesku u zgjodh”, tha ajo. “Le të informohemi para se të zgjedhim. Duhet të shkojmë masivisht në votim. Ne të rinjtë kemi një zë dhe duhet ta përdorim atë”.
Në Timishoara, të rinjtë thërrisnin “Sot në Timishoara, nesër në të gjithë vendin”, duke iu referuar revolucionit të dhjetorit të vitit 1989, i cili kishte filluar në Timishoara.
Protesta të ngjashme u mbajtën më 26 nëntor në Jasi dhe Brasov, ku disa dhjetëra të rinj u mblodhën.
Protestuesit në Jasi thanë se nuk dëshironin të drejtoheshin nga një diktator ose një simpatizant i liderëve anti-semitë dhe fashistë të Rumanisë së viteve 1930 dhe 1940.
Georgescu, 62 vjeç, ka mohuar që është ekstremist apo fashist dhe e ka cilësuar veten si “një rumun që e do vendin e tij”.
Ai kishte një mbështetje të ulët në sondazhe përpara një fushate virale në TikTok që bënte thirrje për t’i dhënë fund ndihmës për Ukrainën. Kandidati i pavarur këmbëngul se “nuk ka Lindje apo Perëndim” dhe theksoi se neutraliteti ishte “absolutisht i domosdoshëm”.
Në seancën e Kuvendit të Serbisë më 25 nëntor, pati shtyrje dhe përleshje mes përfaqësuesve të pushtetit dhe atyre të opozitës. Përveç deputetëve, në incident u përfshinë edhe ministra të Qeverisë, ndërsa sigurimi i Kuvendit i ndante ata.
Deputetët opozitarë më herët kishin kërkuar që Kuvendi, në të cilin po diskutohej për buxhetin, të votojë për mosbesimin e Qeverisë pas aksidentit në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona. Megjithatë, pushteti e refuzoi atë propozim.
Gjatë transmetimit të seancës parlamentare nuk u pa qartë se si filloi incidenti, ndërsa zëri ishte i fikur, prandaj nuk mund të dëgjohej se çfarë po i thoshin deputetët njëri-tjetrit.
U pa që deputetët e pushtetit dhe të opozitës po ndaheshin nga sigurimi i Kuvendit, ndërkohë që goditeshin, tërhiqeshin, shtyheshin, lageshin me ujë dhe qëllonin njëri-tjetrin.
Çfarë tha kryetarja e Kuvendit?
Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, pas incidenteve e akuzoi opozitën për “përpjekje për uzurpim të dhunshëm të pushtetit”.
Ajo akuzoi deputetët opozitarë se, pas ndërprerjes së seancës, “shkulën mikrofonat” dhe “thyen ekranin” për të “penguar” vazhdimin e saj.
“Kështu duket liria e fjalës sipas interpretimit të tyre”, deklaroi Bërnabiq në një konferencë për media në hollin e Kuvendit, ndërsa deputetët opozitarë frynin bilbila dhe vuvuzela.
Bërnabiq u shfaq para gazetarëve e shoqëruar nga deputetët e shumicës qeveritare, ndërsa rreth saj dhe mediave qëndronte sigurimi i Kuvendit. Pas sigurimit ndodheshin deputetët e opozitës.
Ajo tha se seanca kishte nisur me një minutë heshtje për viktimat e aksidentit në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor dhe se seanca duhej të ishte dinjitoze.
“Për fat të keq, kjo është gjithçka përveç nderimit dinjitoz për të ndjerët dhe familjet e tyre”, tha Bërnabiq.
Kryetarja e Kuvendit shtoi se do të përpiqet të vazhdojë seancën, ku po diskutohet për buxhetin si dhe ligje të tjera.
Çfarë thonë deputetët opozitarë?
Deputeti i Frontit të Gjelbër e të majtë, Radomir Llazoviq, deklaroi për televizionin N1 se incidentet nisën pasi ai tentoi të ngjiste një ngjitëse me mesazhin “Duart tuaja janë të përgjakura” pranë vendeve të ministrave në sallën e Kuvendit.
Ky është një slogan proteste, pasi javët e fundit është kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për aksidentin në Novi Sad.
Ai tha se pas kësaj, atë e “sulmoi” ministri i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, dhe pas një shtyrjeje me të, siç pretendon Llazoviq, ndodhi “përleshja e përgjithshme” në sallën e Kuvendit.
“Ne u përpoqëm ta qetësonim situatën, por na sulmuan gjatë gjithë kohës, policia dhe Partia Progresive Serbe bashkë”, tha Llazoviq. Ai shtoi se disa deputetë ishin lënduar.
Pamje nga incidenti mes deputetëve në Kuvendin e Serbisë.
Lidhur me incidentet që ndodhën në Kuvend, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Pavarësisht faktit që jam i shqetësuar për sjelljen e egër të një pjese të deputetëve në Kuvendin Popullor, për dhunën e përditshme që ata ushtrojnë në mbarë vendin tonë, dua t’i qetësoj qytetarët dhe t’u them se ndaj sjelljes së tyre të pahijshme, mungesës së edukatës dhe arrogancës, do të përgjigjemi edhe me më shumë punë në të ardhmen”, tha Vuçiq në një video në Instagram.
Kur nisën incidentet?
Incidentet filluan rreth orës 12:30, pasi kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe ministrat e Qeverisë hynë në sallën e Kuvendit.
Ata morën pjesë në seancë pasi në rendin e ditës ishte propozimi i buxhetit për vitin 2025, të cilin duhej ta prezantonte Vuçeviq.
Deputetët opozitarë, pasi Vuçeviq dhe ministrat hynë në sallë, ngritën fletë ku shkruhej “Korrupsioni vret” dhe “Duart tuaja janë të përgjakura”, dhe duke bërtitur “Vrasës”.
Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit Milosh Vuçeviq dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe penale për aksidentin.
Deputetët duke u përleshur gjatë sesionit të së hënës në Kuvendin e Serbisë, Beograd, 25 nëntor 2024.
Deputetët opozitarë shfaqën gjithashtu një transparent me portretin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku duart e tij ishin të ngjyrosura me të kuqe.
Nsaj kësaj reaguan deputetët e pushtetit duke ngritur fletë ku shkruhej: “Korrupsioni dhe hajnia janë emri juaj i mesëm”.
Një pjesë e deputetëve opozitarë më pas tentoi të afrohej te pjesa e sallës ku qëndrojnë ministrat e Qeverisë. Nuk mund të dëgjohej se çfarë po thoshin mes tyre.
Pas kësaj, kryeparlamentarja thirri sigurimin e Kuvendit që të ndërhynte. Ajo kërkoi nga deputetët të ktheheshin në vendet e tyre.
“Kjo është e turpshme për këtë institucion”, tha ajo.
Incident pati edhe në ballkonin e sallës parlamentare, ku gjithashtu ndërhyri sigurimi i Kuvendit.
Para se të caktohej pauza, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, me ftesë të kryetares së Kuvendit, filloi prezantimin e propozimit për buxhetin.
Fjalimi i tij u ndërpre nga opozita, e cila frynte bilbila dhe vuvuzela. Ndërsa Vuçeviq fliste, deputetët opozitarë qëndronin rreth tij dhe ministrave, duke mbajtur parulla me mbishkrimin “Duart tuaja janë të përgjakura.”
Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, ndërpreu seancën, por incidentet në sallë vazhduan edhe pasi ajo caktoi një pauzë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, nesër të hënën do të vizitojë Turqinë, ku do të ketë një takim me Presidentin Recep Tayyip Erdogan, Ministrin e Punëve të Jashtme Hakan Fidan dhe Ministrin e Mbrojtjes, Yasser Guler. Gjatë takimeve të Rutte në Ankara, pala turke pritet të ngrejë praninë e fraksionit kurd PYD dhe milicisë së Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetur nga SHBA. Ankaraja e krahason praninë e forcave kurde në kufirin e saj jugor me organizatën PKK dhe terrorizmin.
Udhëheqja turke pritet gjithashtu të ngrejë me Sekretarin e Përgjithshëm çështjen e rolit të mundshëm ndërmjetësues të Turqisë në luftën Ukrainë-Rusi dhe çështje të tjera dypalëshe, veçanërisht në lidhje me ndryshimet e pritshme në marrëdhëniet transatlantike pas marrjes së pushtetit në SHBA nga Donald Trump.
Në kuadër të kontakteve të tij në kryeqytetin turk, Mark Rutte do të takohet edhe me përfaqësues të industrisë turke të mbrojtjes dhe do të vizitojë objektet e Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore, të cilat së fundmi u vunë në shënjestër të një sulmi terrorist.
Para vizitës së tij në Turqi, Mark Rutte u takua të premten në Florida me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, ndërsa ndalesa e radhës e sekretarit të përgjithshëm do të jetë Athina. bw
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Nevzad Lutfiu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese në Serbi e ka legalizuar pasivizimin e adresës së një shqiptari nga Medvegja.
Në në postim në Facebook, Lutfiu shprehet se Safet Demirit i është refuzuar ankesa nga kjo gjykatë për kthimin e adresës, dhe se kjo do të thotë që edhe institucioni më i lartë i drejtësisë në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave.
“Safetit i është hapur rruga për në Strasburg dhe ai do ta ndjekë atë. Ky spastrim etnik duhet të ketë verdikt ndërkombëtar, prandaj i ofroj mbështetjen time të plotë Safet Demirit”, sqaroi më tej Lutfiu. sn
Ish-ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, është emëruar të martën zëvendëssekretare e Përgjithshme e NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake.
NATO-ja tha se shefi i aleancës, Mark Rutte, vendosi ta emërojë Shekerinskan si zëvendëssekretare të ardhshme.
“Kam kënaqësinë të njoftoj emërim e Radmila Shekerinska si zëvendëssekretare të Përgjithshme. Ajo beson vërtet në NATO, e di punën që nevojitet për të qenë pjesë e aleancës, dhe çfarë do të thotë të jesh anëtar i plotë”, tha Rutte.
Shekerinska do ta marrë zyrtarisht detyrën e re në fund të këtij viti.
Ajo ka shërbyer në të kaluarën si zëvendësministre për Integrim Evropian dhe ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë, përfshirë gjatë kohës kur vendi i saj iu bashkua aleancës së NATO-s më 2020.
Shekerinska do ta zëvendësojë zëvendëssekretarin e Përgjithshëm në detyrë, Boris Ruge, i cili e mori këtë pozitë përkohësisht në fillim të vjeshtës, pasi zëvendëssekretari i atëhershëm, Mircea Geoana njoftoi se do të garonte për president të Rumanisë.
Disa zyrtarë të NATO-s, të cilët folën me kusht që të mbeteshin anonimë, thanë për Radion Evropa e Lirë se ekzistonte një dëshirë e fortë që këtë pozitë ta merrte dikush nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe ajo t’i takonte një gruaje.
Ndër kandidatët e tjerë ishin ish-ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Maria Gabriel, ish-presidentja e Kroacisë, Kollinda Grabar-Kitaroviq, dhe Olivera Injac, e cila ishte ministre e Mbrojtjes në Malin e Zi nga viti 2020 deri në vitin 2022.
Shekerinska do të jetë zyrtarja më e lartë e NATO-s nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, jashtë Bashkimit Evropian. Aktualisht, ajo është nënkryetare e Partisë së Socialistëve Evropianë.
Roli kryesor i zëvendësit të sekretarit të Përgjithshëm është ta zëvendësojë kreun dhe t’i kryesojë takimet e 32 ambasadorëve në Këshillin Veri-Atlantik dy herë në javë, ose në çdo takim urgjent, përfshirë edhe Këshillin NATO-Ukrainë. REL
Presidenti rus Vladimir Putin ftoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe atë të Republika Srpska Milorad Dodik për të vizituar Moskën në maj të vitit të ardhshëm, kur do të shënohet 80-vjetori i fitores në Luftën e Dytë Botërore.
“Ju ftoj të merrni pjesë në festimet e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Madhe Patriotike, që do të mbahet në Moskë më 9 maj 2025”, tha Putin në ftesën drejtuar liderëve serbë.
Në ftesë, Putin theksoi se është i bindur se ruajtja e kujtimit të fitores së madhe do të forcojë vendosmërinë e përbashkët për të kundërshtuar çdo manifestim të neonazizmit dhe për të rritur bashkëpunimin konstruktiv për të garantuar paqen dhe sigurinë në planet.
Presidenti i entitetit boshnjak Republika Srpska Milorad Dodik u mburr në rrjetin X me ftesën e ardhur direkt nga Kremlini.
“Jam i nderuar dhe mirënjohës për ftesën e Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, për të marrë pjesë në ngjarjet ceremoniale me rastin e 80-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike, që do të mbahet në Moskë”, shkroi Dodik.
Kujtojmë se që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, Dodik është takuar disa herë me Presidentin e Rusisë.
Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Radisllav Kërstiq, të cilin gjykata e Hagës e dënoi me 35 vjet burg dy dekada më parë për ndihmë dhe mbështetje të gjenocidit në Srebrenicë, e ka pranuar përgjegjësinë dhe ka shprehur pendesë për pjesëmarrjen e tij në gjenocid.
Kërstiq, në një letër drejtuar gjykatës ku kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu, shkroi se do të kishte votuar për Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën.
“Nuk kam të drejtë vote, sepse në këtë Rezolutë përmendet emri im pasi kam kryer një vepër penale të papërfytyrueshme dhe të pafalshme”, ka shkruar Kërstiq në letrën drejtuar kryetares së gjykatës.
Ai ka shkruar gjithashtu se, nëse i jepet mundësia, do të shkonte në Potoçar për t’i “nderuar” viktimat e gjenocidit.
Në qershor të vitit 2024, mbrojtja e Radisllav Kërstiqit paraqiti kërkesë për lirimin e tij të parakohshëm në Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (ish-Tribunali i Hagës), duke bashkëngjitur letrën e shkruar nga vetë Kërstiq, ku ai kërkon që ajo të bëhet publike.
Kjo letër u shpërnda për media më 13 nëntor nga Mekanizmi në Hagë.
Qendra Memoriale në Potoçari pret që ish-gjenerali Kërstiq, pasi pranoi përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë, të ndajë me Prokurorinë gjithçka që di për krimet e luftës, tha për Radio Evropa e Lirë Allmasa Sallihoviq, zëdhënëse e kësaj qendre ku janë varrosur viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.
Ajo, duke komentuar deklaratën e Kërstiqit, tha se Qendra Memoriale “përshëndet pranimin e përgjegjësisë”.
Nura Begoviq, e cila në gjenocidin e Srebrenicës humbi 19 anëtarë të familjes, tha për Radio Evropa e Lirë se ” Kërstiq sigurisht nuk e bën këtë nga zemra, por vetëm për siguruar falje”.
“Ai do të vinte në Potoçari, është e rëndësishme që e tha këtë, por me siguri familjet nuk do të dëshironin të takoheshin me të”, tha Begoviq.
Rasti i Kërstiqit
Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës më 2004 e dënoi përfundimisht me 35 vjet burgim ish-komandantin e Korpusit të Drinës së Ushtrisë së Republikës Sërpska, Radisllav Kërstiq, duke e shpallur fajtor për ndihmë dhe mbështetje të gjenocidit në Srebrenicë, përndjekje dhe vrasje të boshnjakëve të Srebrenicës në korrik të vitit 1995.
Ky ishte vendimi i parë përfundimtar me të cilin Tribunali i Hagës konstatoi se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë. Ky vendim ia uli dënimin prej 45 vjet burgim Kërstiqit, të cilin ia kishte shqiptuar në vitin 2001 Dhoma e Shkallës së Parë të Tribunalit.
Me vendimin e shkallës së parë, Kërstiq ishte dënuar për kryerje të gjenocidit, por Dhoma e Apelit ndryshoi atë pjesë të vendimit.
Kërstiq në letrën drejtuar kryetares së gjykatës deklaroi se pranon vendimet e Tribunalit të vitit 2001 dhe 2004.
Ai konfirmoi se dinte që “disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm kishin për qëllim të kryenin gjenocid”, por se ai shtab “nuk kishte forca të mjaftueshme për të kryer ekzekutimet” pa “përdorimin e Korpusit të Drinës”, të cilin Kërstiq e komandonte asokohe.
“E dija që përdorimi i forcave nën komandën time do të kontribuonte në mënyrë të konsiderueshme në ekzekutimin e të burgosurve boshnjakë”, ka shkruar Kërstiq në letër.
Ai ka konfirmuar gjithashtu se ka ndihmuar dhe mbështetur krimin kundër njerëzimit duke marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale për zhvendosjen me dhunë të civilëve boshnjakë nga Potoçari, prej 10 deri më 13 korrik 1995.
“Kam marrë pjesë në krijimin e një krize humanitare që i parapriu zhvendosjes së detyruar të grave, fëmijëve dhe të moshuarve nga Srebrenica, në të cilën gjithashtu kam marrë pjesë, duke ditur që civilët në Potoçari ishin të ekspozuar ndaj vrasjeve, përdhunimeve, rrahjeve dhe abuzimeve”, ka shkruar Kërstiq.
Ai shtoi se gjenocidin në Srebrenicë e kryen individë dhe se për veprat dhe krimet e tyre duhet të përgjigjen, duke shtuar se “fatkeqësisht edhe unë jam një nga ata”.
Kërstiq ka deklaruar gjithashtu se po i drejtohet me letër publikut në ish-Jugosllavi.
“Do të doja që fjalët e mia t’i lexojnë dhe kuptojnë të rinjtë që sot jetojnë në hapësirat ku dikur ishte një vend që quhej Jugosllavi (…), të ndalojnë dhe të mendojnë – kurrë më. Kurrë më luftë, kurrë më vdekje për shkak të fesë, kombit ose bindjeve të ndryshme, kurrë më gjenocid”, ka shkruar Kërstiq.
Radisllav Kërstiq u arrestua nga forcat ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë më 2 dhjetor 1998. Pas vendimit përfundimtar, ai u dërgua në Britani të Madhe në vitin 2004 për të vuajtur dënimin.
Në një burg britanik, ai u sulmua dhe u plagos nga të burgosur të tjerë, për çka më 2013 u transferua në Poloni.
Pasi vuajti dy të tretat e dënimit, autoritetet polake, sipas ligjit të atjeshëm, nuk kishin mundësi ta mbanin më në burg, prandaj Kërstiq u rikthye në paraburgim në Hagë, ku ndodhet aktualisht.
Gjykata disa herë më parë e ka refuzuar kërkesën e tij për lirimin e parakohshëm për shkak të rëndësisë së krimit për të cilin është dënuar.
Vendimin për kërkesën e re do ta marrë kryetarja e gjykatës Grasiela Gati (Graciela Gatti) Santana.
Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë në korrik 1995 në Srebrenicë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
Për këto krime, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.
Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm.
Ministri turk i Mbrojtjes Yasar Guler lëshoi një paralajmërim të ashpër se Izraeli mund të përbëjë një kërcënim të drejtpërdrejtë për Turqinë, duke deklaruar se “Izraeli është një vend agresiv; mund të na sulmojë”, ndërsa la te kuptohet mundësinë e shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore në çdo moment.
Duke folur gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë per nje television lajmesh ne Turqi, ministri Guler theksoi se Turqia duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar.
Kur u pyet nëse Izraeli mund të ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për Turqinë, Guler u përgjigj:
“Presidenti ynë po paralajmëron shoqërinë sepse e sheh këtë rrezik. A do të shprehte zoti President shqetësime të tilla nëse nuk do të shihte një kërcënim të mundshëm nga Izraeli?”.
Guler tërhoqi paralele historike, duke kujtuar se si luftërat e mëparshme botërore nisën nga ngjarje në dukje të vogla, duke paralajmëruar se konflikti mund të shpërthejë papritur. “Sigurisht, ne nuk duam luftë, por duhet të jemi gjithmonë të gatshëm”, tha ai.
Ministri i Mbrojtjes theksoi se prioriteti i Turqisë është ruajtja e paqes, por shtoi se forcat e sigurisë së vendit po bëjnë plane të detajuara për çdo kërcënim të mundshëm. Komentet e Guler vijnë mes tensioneve të rritura rajonale, me operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza dhe Liban që ngjallën shqetësime të përhapura në të gjithë Lindjen e Mesme. bw
Vaslije Krgoviq, pjesëtar i Ushtrisë së Malit të Zi (MCG), dyshohet se është arrestuar më 5 nëntor të këtij viti në ngjarjet në fshatin Mojkovac të Shtitaricës.
Sipas informacioneve që ka portali malazez Antena M, Krgoviq, me origjinë nga Donji Polje – Komuna e Mojkovcit, është i afërt me Demokracinë e Re Serbe, partinë e Andrija Mandiqit.
Fotografia e publikuar tregon Krgoviqin me anëtarët e sigurimit të partisë së Mandiqit dhe Mihail Çagjenoviqin, ish-shoferin e Mandiqit, i akuzuar në rastin “grusht shteti” për tentativë terrorizmi.
Më 5 nëntor, katër burra u dërguan në Departamentin e Sigurisë së Mojkovcit (OB) në Shtitaricë, sepse ata “provuan të thyejnë shtizën e flamurit shtetëror të Malit të Zi” natën vonë.
E kjo raportohet se nuk ishte hera e parë e këtij veprimi.
Në Shtitaricë, një grup vendasish për herë të dytë vendosën flamurin e Malit të Zi. Më herët gjatë instalimit të parë, është vjedhur flamuri malazez.
“Antena M” raporton se të hënën, Ministria e Punëve të Brendshme – Drejtoria e Policisë – Qendra Rajonale e Sigurisë – Mojkovac i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Punëve të Brendshme për Krgoviqin lidhur me ngjarjet aktuale në Shtitaricë.
Tensionet në fshatin Shtitaricë u shkaktuan në fillim të festës së këtij viti, kur – sipas disa dëshmitarëve – nga dega e Kishës së Serbisë – Dioqeza e Budimljansko-Nikshicka Ljubisha alias Metodij Ostojic urdhëroi papritmas aktivistët vendas (komiteti i kishës) për të qëndruar përpara hyrjes së tempullit, pasi ata vunë në shtyllë flamurin serb. sn
Moment nga arrestimi i afaristit Zoran Beqiroviç nga policia e Malit të Zi
VOA/Ali Salaj
PODGORICË – Afaristi dhe sipërmarrësi i njohur i Malit të Zi, Zoran Beqiroviç, djali dhe truproja e tij janë arrestuar nën dyshimet se kanë sulmuar gazetaren e gazetës së përditshme ditore “Pobjeda”, Ana Raiçkoviç dhe familjen e saj, njoftoi të hënën policia malazeze.
Sipas autoriteteve, tre të dyshuarit sulmuan “verbalisht dhe fizikisht” gazetaren Raiçkoviç dhe anëtarët e familjes së saj të dielën në Podgoricë. Vetura e zonjës Raiçkoviç u dëmtua gjatë sulmit, sipas njoftimit të policisë.
Sulmi ndaj gazetares Raiçkoviq, e cila raporton mbi ngjarjet e kronikës së zezë në gazetën “Pobjeda”, është dënuar nga udhëheqësit malazezë, zyrtarët ndërkombëtarë dhe sindikata e gazetarëve.
“Liria e medias dhe puna e papenguar e gazetarëve është thelbësore për demokracinë”, deklaroi Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç.
Presidenti malazez, Jakov Milatoviç, kërkoi nga autoritetet shtetërore “të krijojnë një mjedis në të cilin gazetarët do të mund ta bëjnë punën e tyre të papenguar dhe pa frikë”.
Ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Johan Sattler, tha se BE-ja “pret një hetim të shpejtë dhe një përgjigje efektive gjyqësore”.
“Dhuna ndaj gazetarëve nuk ka vend në një shoqëri demokratike”, shkroi zoti Sattler në platformën X.
Sindikata e Medias së Malit të Zi (SMCG) bëri thirrje për ndjekjen e menjëhershme të autorëve të sulmit, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë “mund të dërgohet një mesazh i qartë se nuk ka të paprekshëm në këtë shoqëri dhe se çdo përplasje fizike dhe verbale me përfaqësues të mediave është e papranueshme”.
Gjatë vitit 2024, sipas kësaj sindikate, janë shënuar 18 sulme apo incidente ndaj gazetarëve në Mal të Zi.
Qytetarët dhe aktivistët serbë kanë protestuar sërish ditën e djeshme pas vdekjes së 14 personave nga shembja e strehës së betonit të Stacionit Hekurudhor në këtë qytet më 1 nëntor.
Ata i bëjnë thirrje qeverisë për përgjegjësi dhe kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriç, dhe kryeministrit të Serbisë, Milos Vuçeviç. Siç shihet edhe në foto pjesëmarrësit e protestës, të udhëhequr nga organizatorët kanë lyer urën me ngjyrë të kuqe, duke lënë gjurmë të duarve të përgjakura.
Me ngjyrë të kuqe, ata kanë shkruar mbi urë mesazhe kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiç Disa nga mesazhet janë: “pushteti absolut, përgjegjësi absolute”, “vitet e heshtjes përfundojnë me një minutë heshtje” si dhe “duart e tua janë të përgjakura”.
Stacioni Hekurudhor në Novi Sad u hap solemnisht në muajin korrik të vitit 2024, pas një rindërtimi trevjeçar. Shkaqet e shembjes së tendës prej betoni të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad ende nuk dihen.
Deri më 5 nëntor, Prokuroria e Lartë në Novi Sad ka marrë në pyetje 48 persona, përfshirë ish-ministrin e ndërtimit, drejtorin e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Novi Sad, përgjegjësit në “Hekurudhat e Serbisë” dhe “Infrastrukturën e Hekurudhave të Serbisë”, si dhe përgjegjësit për ekzekutimin e punimeve për shkak të aksidentit të 1 nëntorit.
Pas aksidentit, në Novi Sad dhe Beograd janë zhvilluar disa protesta nga aktivistët, opozita dhe një pjesë e qytetarëve, të cilët i kanë bërë thirrje qeverisë për përgjegjësi.
Gjatë protestës së 5 nëntorit në Novi Sad ndodhën incidente kur grupe burrash, kryesisht me maska dhe kapuçë, hodhën mjete piroteknike, gurë dhe sende të tjera drejt ndërtesës së Komunës, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Gjithashtu për shkak të trazirave para ndërtesës së Komunës së Novi Sadit më 5 nëntor, u arrestuan 14 persona. sn
Partitë proserbe dhe pro-ruse kërkojnë që gjuha serbe të jetë gjuhë zyrtare në Mal të Zi duke marrë parasyshë faktin se, sipas tyre, regjistrimi i popullsisë tregoi se shumica e banorëve flasin këtë gjuhë.
Këtë ndryshim të statusit të gjuhës serbe analistët e shohin si një kërkesë politike që ka për qëllim polarizimin e skajshëm të shoqërisë malazeze.
Ngritja e kësaj çështjeje, sipas analistit dhe gjuhëtarit Haxhi Shabani ka pretendime ndaj pavarësisë dhe shtetësisë së Malit të Zi.
“Duke pasur parasyshë ngjajshmëritë e shumta të gjuhëve që përdoren në Malin e Zi, gjuha serbe dhe gjuha malazeze realisht nuk kanë ndryshime thelbësore, prandaj mund të themi se serbishtja është një gjuhë që faktikisht është në përdorim zyrtar prandaj kërkesa është një çështje që ngritet për të pasur pretendime të tjera. Ato pretendime mund të jenë shumë më afatgjate dhe më të dëmshme për funksionimin e shtetit të Malit të Zi,” thotë zoti Shabani.
Edhe analisti dhe ish-kryeredaktori i disa mediave malazeze, Xhevdet Pepiq tha se këto kërkesa janë lojëra politike me qëllim të ruajtjes së elektoratit.
“Këto janë disa lojëra të partive politike për ta ruajtur elektoratin e vet pasi kjo çështje nuk paraqet asnjë interes për qytetarët e Malit të Zi,” tha Pepiq.
Zoti Pepiq, vuri në dukje se në këtë kuadër nuk kemi asgjë të re përveç ndarjeve edhe më të thella ndëretnike në vend dhe se partitë politike po luajnë me ndasitë e identitetit gjuhësor për tu forcuar në skenën politike në Malin e Zi.
Analisti Nikollë Berishaj vë në dukje se marrja me çështjet gjuhësore sinjalizon për krizën e identitetit që mbretëron në Malin e Zi.
Në regjistrimin e popullsisë, sipas gjuhëtarit Haxhi Shabani janë vërejtur disa dukuri të pakuptimta që janë pasojë e politikave diskriminuese.
“Në këto regjistrime ka edhe disa absurditete, si përshembull më shumë ka malazezë se sa ka folës që gjuhë amtare kanë gjuhën malazeze. Kjo ndodh edhe me shqiptarët: më shumë ka folës të gjuhës shqipe se sa ka shqiptarë. Këto janë pasoja të politikës diskriminuese,” tha analisti Shabani.
Edhe pse gjuha serbe, sipas analistëve, është e përcaktuar në Kushtetutë si “gjuhë në përdorim zyrtar”,së bashku me gjuhët tjera që fliten në vend, kjo kërkesë e partive pro-serbe ka për qëllim dobësimin e shtetit qytetar dhe imponimin e politikës së identitetit etnik gjë që, sipas tyre, shkakton ndarje dhe fërkime të ashpra në shoqërinë malazeze.
Aleksandar Vulin, ish-ministër i Mbrojtjes dhe ish- drejtor i BIA-s, përmes Marko Knezheviq me para të ‘pista’ ka financuar organizata dhe individë në Serbi dhe ka tentuar nxitjen e trazirave në Kosovë.
Në një video të publikuar së fundmi, i infiltruari i Vulinit, Knezheviq i arrestuar muaj më parë në Kosovë shihet duke dorëzuar para tek udhëheqësi i Lëvizjes “Levijatan”, Pavle Bihali.
Avokati nga Serbia Cedomir Stokjoviq thotë se është i bindur që këto para, të dërguara në kesh siç shihet në video janë përdorur për krijimin artificial të protestave në Bërnjak dhe Jarinje.
Stojkoviq thotë se video është bërë për t’ia dëshmuar Vulinit besnikërinë.
Bashkëpunëtori i Aleksandar Vulin, Knezheviq, në këtë video i dorëzon 43,000 euro para në dorë presidentit të organizatës naziste Leviathan, Pavlo Bihalja dhe e regjistron në telefon për të vërtetuar dorëzimin dhe për të justifikuar Vulinën. Bihalji është gjithashtu kryetar i “Lëvizjes Serbo-Ruse”, një organizatë, krijimi i së cilës u koordinua nga Vulin”.
Stojkoviq është i bidnur se nga konteksti i videos se kjo është vetëm një nga shumë dërgesat e parave kesh.
“Për çfarë qëllimi? Për secilin: për krijimin artificial të protestave në Bërnjak dhe Jarinje, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, për sulme dhe kërcënime ndaj aktivistëve properëndimorë dhe frikësim të njerëzve normalë…”, ka shkruar Stokjoviq.
Sipas gazetës Blic, udhëheqësi i lëvizjes të “Leviathan” Pavel Bihali, veprimtarinë tij e ka të shtrirë edhe në Kosovë, kryesisht përmes Dragan Grmushën, kryetar i shoqatës “Junak”, e cila shoqatë para opinionit prezantohet si një shoqatë që merret në radhë të parë me aksione humanitare për veteranët serbë të luftërave të viteve 1990.
Ai po ashtu ka ngritur një sistem të organizuar propagande për të mbështetur Vulin dhe ideologjinë pro-ruse, duke përdorur taktika të dezinformimit dhe manipulimit në mediat sociale.
Për të njëjtin thuhet se përdorë një mbulesë të mirë, punën e tij në të ashtuquajturën “Zyra për Kosovë”, ndërsa është i përfshirë në veprimtari të ndryshme kriminale që ndodhin në veriun e Kosovës. sn
Kështu ka thënë analisti ushtarak serb Mario Galiq gjatë një emisioni në HTV.
Ai e ka dhënë këtë informacion pasi thotë se kjo duhet të ndodhte, sepse sipas tijn të gjithë po armatosen.
“Hungaria bleu Panthers, Italia dhe Gjermania janë në prag të marrëveshjes për të filluar prodhimin serial të Panthers, Serbia filloi të blejë tanke ruse mjaft të avancuara. Të gjithë rreth nesh po armatosen. Gjendja e Forcave tona të Armatosura është aq e keqe sa nuk mund të presim më”, ka thënë analisti ushtarak serb.
Sipas tij Serbia duhet të ndryshojmë teknikën. “Sa i përket mbrojtjes së blinduar, tanket M84 ishin tashmë të vjetruara nga luftërat e kaluara” sn
Qeveria e Serbisë njoftoi të hënën se e ka miratuar një projektligj për siç e quajti ajo organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.
Miratimi i këtij legjislacioni ishte paralajmëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fillim të shtatorit, duke thënë se një prokurori speciale dhe një trup gjykues special “do t’i ndjekin penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.
“Zgjidhjet e propozuara ligjore parashikojnë që juridiksionin në lëndët penale në shkallë të parë ta kenë Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa për procedurën në shkallën e dytë Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd”, tha Qeveria serbe.
Ajo tha se është planifikuar që në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd të krijohet një “departament special për ndjekjen e krimeve të kryera në territorin e ‘Kosovës dhe Metohisë’”.
Më 13 shtator, presidenti serb Vuçiq njoftoi se legjislacioni për organizimin e juridiksionit të organeve gjyqësore serbe për zonën e Kosovës do të miratohej nga Kuvendi i Serbisë brenda 45 ditëve. Siç tha Vuçiq asokohe, prokuroria do të ketë “detyrë të veçantë të hetojë dhe të ndjekë penalisht veprat penale dhe të kundërligjshme të punonjësve dhe zyrtarëve të institucioneve në Prishtinë”.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe rrjedhimisht as institucionet e saj.
Serbët e Kosovës, posaçërisht në veri, janë udhëhequr me dekada nga Beogradi dhe nga institucionet paralele serbe, përfshirë, bankat serbe, një sistem pensionesh dhe beneficionet.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ndërmori disa hapa këtë vit për t’i mbyllur institucionet paralele serbe në veri, në përpjekje për ta shtrirë autoritetin e Prishtinës në veri sa më shumë.
Qeveritë perëndimore i kanë kritikuar hapat e Kurtit duke thënë se ato janë ndërmarrë në mënyrë të “pakoordinuar” dhe në një kohë kur tensionet ende janë të larta në veri.
Në të njëjtën seancë të hënën, Qeveria serbe e ka miratuar edhe një projektligji për shpalljen e Kosovës si “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.
Sipas saj, ky projektligj ofron mbështetje financiare për të papunët, gjegjësisht ata mbi 65 vjeç që nuk kanë ushtruar të drejtën e pensionit, “me qëllim të mbijetesës së tyre në atë territor dhe inkurajon ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike, me theks në zhvillimin demografik, ekonomik dhe kulturor”. REL
Para disa javësh, profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnoviq, i kthyer për herë të parë në Kosovë që nga viti 1997, i ka kërkuar falje publike popullit të Kosovës për humbjet dhe dhimbjet që Serbia u shkaktoi gjatë viteve 1998-1999.
Pas kaq kohësh ai ka dhënë detaje rreth këtij veprimi.
Videnoviq thotë se ai nuk dërgoi falje nga Serbia, por kërkoi falje vet për të gjitha jetët e humbura dhje gjithë fatkeqësinë dhe pikëllimin që vendi i tij Serbia, i shkaktoi qytetarëve të Kosovës.
“Kërkimi i faljes është punë e politikanëve në detyrë dhe e jona, si njerëz të qytetëruar, dashamirës, të hapur dhe të lirë, si fqinjë që respektojmë dhe vlerësojmë njëri-tjetrin, të kërkojmë falje që në hapin e parë në tokën e Kosovës. Po, para së gjithash, në ngushëllimet dhe pendimin tonë, le t’u bëjmë homazhe viktimave të panumërta të pafajshme të asaj errësire të tmerrshme dhe ndërgjegjes çnjerëzore të disa anëtarëve të popullit tim gjatë viteve 1998 dhe 1999, dhe pastaj të përpiqemi të kthejmë një faqe të re të jetën tonë të përbashkët në këto zona”, tha ai për SB.
Megjithatë ai thotë se ka vërejtur një ndryshim të vogël tek serbët. Profesori thotë se ka mbetur i befasuar që jehona në Serbi e adresimit të tij në Kosovë ishte jashtëzakonisht shumë pozitive.
“Kishte, natyrisht, pakënaqësi, por mjaft të moderuar. Nuk kishte asnjë sharje dhe fyerje që shoqërojnë zakonisht daljet e mia publike. E theksova qartë se nuk kam legjitimitet të flas në emër të popullit serb, por kam legjitimitetin e mbi 5000 njerëzve që në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, me gjithë pengesat, mbështetën politikën në parimet e së cilës unë i prezantoj dhe kush do të bashkohej këtu, në Kosovë, për të lutur për falje”, tha ai. sn
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, e ka anuluar një takim të paraparë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, të premten në Beograd, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer.
Arsyeja e anulimit, sipas zëdhënësit, ishte një takim që Vuçeviç e mbajti paraprakisht ditën e njëjtë me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.
Më herët të premten, shefja e KE-së u takua me presidentin e Serbisë, me të cilin bisedoi për rrugën e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Vuçeviç u takua me ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov, në kryeqytetin serb të premten, në ditën kur von der Leyen po qëndron në Serbi si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.
Qeveria serbe tha se Vuçeviç dhe Reshetnikov biseduan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve.
Reshetnikov është në mesin e një numri zyrtarësh nga Moska që janë nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, që nisi më 2022.
Reshetnikov tha se Moska e “çmon politikën e balancuar” të Serbisë dhe qëndrimin e saj për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë, sipas njoftimit.
Në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, thuhet se kryeministri, duke folur për sanksionet ndaj Rusisë, ka thënë se Serbia “përkundër presioneve të mëdha udhëheq një politikë të lirë dhe të pavarur” dhe se ka bashkëpunim të mirë si me Rusinë ashtu edhe me Bashkimi Evropian, Kinën dhe vende të tjera.
Serbia thotë se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por ajo nuk po pranon të rreshtohet përkrah Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit synon të bëhet, për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd vazhdojnë të mbajnë lidhje me Kremlinin./rel
Një takim i mëparshëm mes Dodikut dhe Putinit në Moskë në maj të vitit 2023.
Presidenti prorus i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë samitit të BRICS-it në Kazan të Rusisë mbrëmjen e 24 tetorit.
Dodik gjendet në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Përmes një postimi në X, Dodik tha se me udhëheqësin rus ka diskutuar për përfundimin e tempullit serbo-rus në Banja Llukë dhe për forcimin e potencialit turistik të Serbisë dhe Rusisë.
“Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë të takohem me një lider të madh botëror dhe një mik të sinqertë të Republikës Sërpaka”, shkroi Dodik.
Në samitin, të cilin e organizoi presidenti rus, morën pjesë edhe liderët nga Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut dhe vendet e tjera që janë anëtarë ose që synojnë të anëtarësohen në BRICS.
Ky ishte takimi i pestë mes Dodikut dhe Putinit që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 2022 dhe takimi i 11-të që nga viti 2014.
Presidenti i entitetit serb në Bosnjë e Hercegovinë është nga zyrtarët e paktë që ka takuar zyrtarë rusë dhe bjellorusë që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës.
Komuniteti ndërkombëtar disa herë ka thënë se Bosnjë e Hercegovina ka marrë obligimin që të ndjekë orientimin e Bashkimit Evropian, sa i përket sigurisë dhe politikës së jashtme, pasi Bosnja është shtet kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.
Retorika proruse dhe lidhjet e ngushta me zyrtarët rusë nuk po prodhuar ndonjë përfitim konkretë për Republikës Sërpska. Investimet nga 27 vendet anëtare të BE-së përbëjnë 64 për qind të investimeve totale të huaja në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa investimet ruse përbëjnë më pak se 4 për qind.
Në entitetin e Republikës Sërpska, Rusia është e pesta në listën e investitorëve, pas Serbisë, Italisë, Austrisë dhe Britanisë së Madhe.
Disa projekte të mëdha, të cilat Qeveria e Republikës Sërpska i ka nisur në këtë entitet me kompanitë dhe oligarkët rusë, kanë çuar në humbje milionëshe. REL
Nik Gjeloshaj (në mes) në seancën e Qeverisë së Malit të Zi, shtator 2024.
Radio Evropa e Lirë
Fronti Demokratik prorus (DF) në Mal të Zi paralajmëroi zëvendëskryeministrin e këtij vendi, Nik Gjeloshaj, se mund të përjashtohet nga Qeveria, pasi ai kundërshtoi nismat për përfshirjen e dyshtetësisë dhe të serbishtes si gjuhë zyrtare.
“Ne, me dashamirësi, e këshillojmë Gjeloshajn që ta pranojë realitetin social në Mal të Zi dhe të mos përpiqet të na i mohojë të drejtat që i kanë të gjithë të tjerët… sepse nëse kafshon shumë, mund t’i thyejë dhëmbët”, thuhet në komunikatën e DF-së, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar.
Zëvendëskryeministri Gjeloshaj, njëherësh edhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, ishte në Uashington, ku nënshkroi Memorandumin për Bashkëpunim Strategjik Ekonomik ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA-së.
Në një takim me zëvendësin e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ai paralajmëroi kundër “aktiviteteve potencialisht destabilizuese të strukturave klero-nacionaliste, që synojnë ta minojnë perspektivën evropiane të Malit të Zi”.
Zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj.
Duke e sqaruar këtë deklaratë në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, Gjeloshaj tha se iniciativat e DF-së për ndryshimin e Ligjit për shtetësinë malazeze dhe për miratimin e Ligjit për agjentët e huaj – sipas modelit të ligjit rus – kanë për qëllim ngadalësimin e rrugës evropiane të Malit të Zi.
Në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi është lider në procesin e anëtarësimit në BE.
Duke folur për vijat e kuqe rreth pjesëmarrjes së mëtutjeshme të partisë së tij në Qeveri, Gjeloshaj tha se ato do të ishin vendime që nuk përputhen me politikat e BE-së dhe të SHBA-së.
Ai nuk e përjashtoi mundësinë e një rikonstruktimi të Qeverisë së Malit të Zi apo të një marrëveshjeje të re.
DF-ja në Qeveri prej tre muajsh
Qeveria e Malit të Zi u rikonstruktua në korrik, kur asaj iu bashkuan DF-ja dhe Partia Boshnjake.
Partitë proruse morën dy poste të zëvendëskryeministrave dhe tri ministrore, ndërsa boshnjakët morën një zëvendëskryeministër dhe pesë pozita ministrore.
Ky ishte rikonstruktimi i parë i Qeverisë së Millojko Spajqit, e cila u formua në fund të tetorit të vitit 2023.
Në tetor të atij viti, partitë në pushtet nënshkruan një marrëveshje, me të cilën u zotuan se do ta respektojnë “kursin euroatlantik të Malit të Zi” dhe “do të zhvillojnë bashkëpunim miqësor me të gjitha vendet që i njeh Mali i Zi”.
Marrëveshja u nënshkrua edhe nga partitë e DF-së, njëri nga liderët e të cilave, Andrija Mandiq, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
Partitë e DF-së duan heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, të ndërmarra për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundër anëtarësisë së Malit të Zi në NATO, si dhe mohojnë gjenocidin në Srebrenicë.
Edhe pse DF-ja tha se do t’i ngrinte qëllimet e politikës së jashtme dhe do t’i respektonte marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në praktikë ndodhi ndryshe.
Mali i Zi mori katër nota proteste nga vendet fqinje, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, gjatë mandatit të shumicës së re parlamentare.
Shkak u bënë deklaratat dhe iniciativat e udhëheqësve të DF-së, disa prej të cilave – si rezoluta për gjenocidin në Jasenovac – u pranuan edhe nga partitë e tjera në pushtet.
Gjithashtu, dy ditë pasi DF-ja hyri në Qeveri, Kroacia i shpalli udhëheqësit e saj të padëshirueshëm.
Çfarë tha zëvendëskryeministri?
Partitë proruse dhe proserbe në Qeverinë e Malit të Zi janë për nënshkrimin e marrëveshjes për dyshtetësi me Serbinë dhe me vendet e tjera, si dhe për ndryshimin e Ligjit për shtetësinë.
Duke e shpjeguar këtë iniciativë, udhëheqësi i DF-së, Mandiq, tha se këtë e kërkon edhe diaspora nga radhët e popujve pakicë.
Gjeloshaj reagoi, duke i bërë thirrje Mandiqit të mos i përmendë shqiptarët në kontekstin e rrëfimit për dyshtetësinë.
Ai vlerësoi se ky është një “projekt shovinist” dhe se popullata shqiptare nuk do të marrë pjesë në krijimin e “botës serbe”, e as “botëve të tjera imagjinare dhe të ngjashme mbi baza kombëtare”.
Në intervistën dhënë Zërit të Amerikës, Gjeloshaj tha se shqiptarët janë qytetarë të Malit të Zi, të cilin e perceptojnë si vendin e tyre, dhe se ndryshimi i Ligjit për shtetësinë “do të çonte në një ndarje të madhe në Mal të Zi”.
“Jo vetëm tek unë, por edhe në parti, te populli që i përkas, do të kishte një reagim të ashpër, nëse do të shkonte përpara Ligji për shtetësinë, i cili ka vetëm një qëllim dhe ai është ndryshimi i strukturës kombëtare të Malit të Zi”, tha Gjeloshaj.
Paralajmërimi për mundësimin e shtetësisë së dyfishtë shkaktoi kritika të ashpra edhe nga opozita, sipas së cilës, një gjë e tillë do të mundësonte ndërhyrje nga vendet fqinje, çfarë do të çonte në humbjen e vendimmarrjes sovrane në Mal të Zi.
Pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi, të cilat treguan se serbishtja është gjuhë amtare për 43 për qind të popullsisë dhe gjuha malazeze për 34 për qind, partitë proserbe filluan një fushatë për ndryshimin e Kushtetutës.
Ato duan që serbishtja, e cila tani ka statusin e një gjuhe në përdorim zyrtar si gjuha shqipe, kroate dhe boshnjake, të marrë statusin e gjuhës zyrtare si gjuha malazeze.
Gjeloshaj tha se Kushtetuta nuk do të ndryshohet për ta zyrtarizuar gjuhën serbe.
Ai kritikoi edhe fushatën para regjistrimit të popullsisë, në fund të vitit të kaluar, e cila u sugjeronte qytetarëve se si të regjistroheshin.
“Për mua është poshtëruese t’i tregosh dikujt se si të deklarohet. Mali i Zi është një vend demokratik, ka të drejtën e mendimit, të ndjenjës… ”, tha Gjeloshaj për Zërin e Amerikës.
Para regjistrimit, forca dhe media proserbe dhe proruse u bënin thirrje qytetarëve në Mal të Zi që të deklaroheshin si serbë, që flasin serbisht dhe janë besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe.
Çfarë thanë nga DF-ja?
Duke reaguar ndaj Gjeloshajt, DF-ja tha se i duhet të zvogëlojë kërcënimet dhe “shovinizmin e theksuar ndaj popullit serb në Mal të Zi”.
“Ai nuk na ka futur në Qeveri dhe nuk mund të na nxjerrë jashtë, sidomos për faktin se nuk ka asnjë deputet të partisë së tij në Kuvend, por i ka dy ministri, duke u falënderuar edhe deputetëve serbë”, tha DF-ja dhe shtoi se vetë Gjeloshaj mund të nxirret jashtë.
DF-ja i ka 13 deputetë në Kuvendin e Malit të Zi, ndërsa Alternativa Shqiptare e Gjeloshajt, si pjesë e koalicionit të Forumit Shqiptar, i ka dy.
Përveç deputetëve të DF-së, shumica parlamentare përbëhet nga Lëvizja Evropa Tani, Demokratët, Partia Popullore Socialiste, partitë boshnjake dhe shqiptare.
Autorësia e sulmit, i cili shkaktoi 5 të vdekur dhe 22 të plagosur, u njoftua nga Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya.
VOAL- Dy autorët e sulmit të së mërkurës në mbrëmje në selinë e industrisë së hapësirës ajrore, pranë Ankarasë, duket se i përkasin PKK-së. Një burrë dhe një grua, duke qëlluar në mënyrë të egër, shkaktuan vdekjen e 5 personave dhe plagosjen e 22 të tjerëve, përpara se të vriteshin vetë nga forcat speciale.
Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya i identifikoi të dy si anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit: “U përcaktua se tradhtari ishte Mine Sevjin Alcicek, një anëtar i organizatës terroriste PKK,” tha politikani në një mesazh në X, pasi kishte deklaruar më parë se edhe sulmuesi i parë, Ali Orek, ishte identifikuar si pjesëtar i PKK-së.
Oçalan nga burgu: “Fundi i mundshëm i luftës së armatosur”
Disa orë para të shtënave, gjithashtu të mërkurën, lideri i PKK-së, Abdullah Oçalan, 75 vjeç, kishte pasur një vizitë nga një i afërm, si dhe një deputet pro-kurd i Demokratëve, i pari në katër vjet në burgun në ishullin Imrali. , në Detin Marmara, ku Oçalan po vuan dënimin e përjetshëm që nga viti 1999.
“Nëse ekzistojnë kushtet e duhura, unë kam fuqinë teorike dhe praktike për ta zhvendosur këtë proces nga terreni i konfliktit dhe dhunës në terrenin ligjor dhe politik”, tha Ocalan, siç raportohet nga media të ndryshme turke, në një mesazh dhënë për vizitor. ATS/RSI
Një sulm terrorist ka ndodhur ditën e sotme në objektin kryesor të Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore (TAI) në Ankara të Turqisë.
Sipas informacioneve paraprake, kanë qenë të paktën tre persona që kanë sulmuar godinën, e cila ka të punësuar plot 1,500 persona.
Dyshohet se një nga autorët është afruar dhe ka hedhur veten në erë, më pas ka patur shkëmbim zjarri mes rojeve të godinës dhe autorëve të tjerë.
Nga sulmi raportohet se ka dhjetra viktima dhe disa të vdekur.
Një numër i madh ambulancash dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë mbërritur tashmë drejt vendngjarjes.
Ministri turk i Brendshëm, Ali Yerlikaya tha se “një sulm terrorist ka ndodhur në qendrën ajrore TUSA? Ankara Kahramankazan” dhe se “fatkeqësisht ka viktima”.
“Të plagosurit brenda po evakuohen. Ky është një vend shumë i rëndësishëm në industrinë turke të mbrojtjes. Janë marrë masa paraprake. Ekipet speciale janë dërguar brenda. Inspektime po kryhen edhe nga ajri. Mund të themi se terroristi që kreu sulmin përdori një armë automatike”, raporton CNN turk.
Eurodeputeti kroat Tonino Picula, pasi u emërua raportues i ri i Parlamentit Evropian për Serbinë, bëri të ditur se në vlerësimin e progresit të Beogradit do të insistojë në përmbushjen e kërkesave që i parashtrohen vendeve kandidate për anëtarësim në Union.
Të martën, gjatë seancës plenare në Strasburg, Picula u emërua raportues i përhershëm i PE për Serbinë dhe në pesë vitet e ardhshme do të jetë përgjegjës për të gjitha temat që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë para Parlamenti.
Picula, i cili gjatë mandateve të tij është marrë në mënyrë aktive me marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit, nga mediat në Serbi pranë autoriteteve veçohet si eurodeputet që ka qëndrim armiqësor ndaj Serbisë dhe emërimi i tij si deputet i përhershëm.
Raportuesi i PE-së për Serbinë u cilësua si “gishti në sy” i Beogradit.
Në disa media serbe ai shpesh paraqitet si “serbohater”, si dhe në disa lajme për emërimin e tij si raportues i PE-së, shkruan Hina.
“Në 11 vitet e fundit kam udhëhequr delegacionet për marrëdhëniet me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Në mandatin e fundit kam qenë edhe relator i përhershëm për Malin e Zi, prandaj kam tashmë një lloj rezistence ndaj çdo kritike të pajustifikuar, që mund të jetë ideologjikisht apo me ngjyrë vlerash”, përgjigjet Picula.
“Detyra ime është para së gjithash të flas me përfaqësuesit e institucioneve të një vendi të caktuar që duhet të bëjnë pjesën më të madhe të punës, sepse qeveria është më përgjegjëse për situatën në një vend. “Më takon mua të komunikoj para së gjithash pritshmëritë dhe të analizoj se çfarë, sipas një vlerësimi të përgjithshëm, duhet bërë në biseda të hapura me përfaqësuesit e qeverisë”, tha ai.
“Unë supozoj se procesi do të jetë mjaft kompleks. Gjithsesi, mbi të gjitha kam përvojë politike në krahun tim, si evropiane, ashtu edhe kombëtare, dhe gjithsesi do të veproj në radhë të parë i informuar, por edhe parimor”, thotë eurodeputeti
“Dhe edhe nëse e lëmë mënjanë emërimin tim në atë post me të gjitha interpretimet e tij, sidomos ndoshta në Serbi, duhet thënë se Parlamenti Evropian, nga të tre institucionet e Bashkimit Evropian, ka qenë gjithmonë avokati më konsekuent i politikën e zgjerimit”, tha Picula gjatë intervistës për Hina, por gjithashtu theksoi se “procesi i anëtarësimit duhet të bazohet ende në përmbushjen e kritereve”.
“Nuk mjafton vetëm njohja e Kosovës”
Një nga sfidat kryesore për Serbinë sigurisht që do të jetë harmonizimi me vlerat ligjore të BE-së dhe respektimi i politikës aktuale të Brukselit ndaj pushtimit rus të Ukrainës, njoftoi zyra e deputetit.
Picula do të përgatisë raporte për situatën në Serbi një herë në vit në emër të PE-së pas prezantimit të raporteve vjetore të Komisionit Evropian.
Serbia mori statusin e vendit kandidat në mars të vitit 2012 dhe negociatat e anëtarësimit me BE-në filluan në vitin 2014.
Deri më tani në negociata janë hapur 22 nga 35 kapitujt, dy prej të cilëve janë mbyllur përkohësisht.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranoi këtë javë se negociatat BE-Serbi po përparojnë ngadalë dhe pohoi se kjo “jo për shkak të sundimit të ligjit”.
“Nëse do ta njihnim (shtetin e rremë) Kosovën ose do të vendosnim sanksione ndaj Rusisë, nesër do të bëheshim anëtar i BE-së”, tha Vuçiq.
Ndonëse Vuçiq e hedh poshtë një mundësi të tillë si të papranueshme, Picula shton se edhe kjo nuk do të mjaftonte.
“Më duket se këto janë elemente të rëndësishme që do të nënkuptonin se Serbia me të vërtetë ndryshon qëndrimin e saj ndaj proceseve politike që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të dhe fqinjët e saj. Por sigurisht, përveç kësaj, ka një sërë elementesh të politikave specifike që Serbia duhet t’i përmbushë në rrugën e saj drejt qëllimit të saj përfundimtar. Nuk mund ta reduktojmë në vetëm një, dy ose tre elementë që, sado të rëndësishëm që janë, nuk mjaftojnë”, tha Picula.
“Ka kritere të Kopenhagës që mund të mos tingëllojnë spektakolare, por janë një udhërrëfyes që të gjitha vendet e tjera kanë ndjekur. Edhe Serbia do të duhet të bëjë të njëjtën gjë”, thotë Picula.
Kriteret e Kopenhagës janë kërkesa që BE-ja u vendos vendeve kandidate për anëtarësim, nga ato politike, si sundimi i ligjit, ato ekonomike dhe ligjore, deri te përafrimi me qëllimet e Bashkimit.
Kolegu i Picula-s në Parlamentin Evropian dhe Komisionin për Punë të Jashtme të PE-së, Davor Ivo Stier i HDZ-së, me urime dhe urime për sukses në punën e tij, vlerësoi se i takon Beogradit që qartë të rreshtohet në politikën e jashtme.
Stier komentoi shkurtimisht vizitat e liderëve evropianë në Beograd, duke thënë se pas “të gjithave, Picula do të jetë shumë shpejt atje si reporter”.
“Dera është e hapur, por Serbia është shtet sovran dhe ka të drejtë të vendosë nëse dëshiron të jetë pjesë e BE-së. Kjo është e drejta e saj, por më pas ajo duhet të pranojë gjithçka që përfshin, duke përfshirë një përafrim shumë të qartë me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane, dhe kjo përfshin, siç e dini, vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”, tha ish-i ministri kroat.
“Nuk mund të thuash se duam të jemi pjesë e BE-së, por nuk duam të jemi pjesë e Perëndimit. Megjithatë, nuk është as presidenti i Komisionit dhe as raportuesi i Parlamentit Evropian. Është një vendim që duhet ta marrë Beogradi”, tha Stier për Hina. sn
Presidenti rus Vladimir Putin (majtas) dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, 17 janar 2019.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të dielën se ka biseduar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe se e ka falënderuar atë “që më siguroi se Rusia do t’i japë mjaftueshëm gaz Serbisë këtë dimër”.
Serbinë e zuri pushtimi rus i Ukrainës të varur plotësisht nga gazi rus.
Ndërkohë, duke ndjekur shembullin e shumë vendeve të Bashkimit Evropian (BE), edhe Serbia ka filluar të punojë në gjetjen e burimeve të tjera të furnizimit me gaz.
Megjithatë, pavarësisht thirrjeve nga BE-ja, klubi të cilit synon t’i bashkohet, Serbia nuk po pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd vazhdojnë të mbajnë lidhje me Kremlinin.
Vuçiq njoftoi në profilin e tij në Instagram të dielën se nuk kishte biseduar me Putinin për gati dy vjet e gjysmë dhe se më 20 tetor kanë pasur një “bisedë të mirë, të hapur, të gjatë dhe kuptimplotë”.
“Shpreha shpresën, ashtu si dy vjet e gjysmë më parë, se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse”, tha Vuçiq.
Ai tha në një video në Instagram se me Putinin bisedoi edhe për çështje dypalëshe, ekonomike dhe politike.
Rusia është mbështetja më e madhe e Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli më 2008.
Ndërkohë, biseda mes tyre u zhvillua derisa Rusia po pret përgjigje zyrtare nga Serbia për ftesën Putinit në shtator që Vuçiqi të marrë pjesë në samitin e BRICS në Kazan, i planifikuar të mbahet nga 22 deri më 24 tetor. REL
Versioni cirilik i faqes së internetit të Qeverisë së Malit të Zi.
Sërgjan Jankoviq
Pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi, partitë proserbe përsëritën kërkesën e tyre që gjuha serbe të jetë zyrtare në këtë vend.
Rezultatet e regjistrimit të popullsisë treguan se serbishtja është gjuhë amtare për 43 për qind të popullsisë, ndërsa gjuha malazeze për pak më shumë se 34 për qind.
Ditën kur u shpallën rezultatet më 15 tetor, partitë proserbe përsëritën kërkesën e tyre për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim zyrtarizimin e gjuhës serbe.
Në Kushtetutën e Malit të Zi, gjuha malazeze përkufizohet si “zyrtare” dhe gjuha serbe është “në përdorim zyrtar”, së bashku me gjuhën boshnjake, kroate dhe shqipe.
Ndryshimi i statusit të gjuhës serbe u kërkua prej disa partive në pushtet, duke përfshirë Frontin Demokratik prorus (DF), Partinë Popullore Socialiste proserbe (SNP) dhe parti të tjera më të vogla.
Si argument kryesor, ato përmendën faktin se regjistrimi i popullsisë tregoi se shumica e banorëve flasin serbisht.
Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi u bë në dhjetor të vitit të kaluar.
Për më shumë se një dekadë, partitë proserbe janë duke kërkuar barazimin e statusit kushtetues të gjuhës serbe dhe malazeze.
Kryetari aktual i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq.
Kryetari aktual i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, i cili është edhe udhëheqës i DF-së proruse, ka paralajmëruar vazhdimisht një nismë për ndryshimin e statusit të gjuhës serbe, nëse regjistrimi do të tregonte se shumica e popullsisë e flet atë gjuhë.
Më 15 tetor, kolegu i tij partiak, Dejan Gjuroviq, e përsëriti këtë në Kuvend, duke thënë se gjuha serbe duhet të standardizohet si gjuhë zyrtare në Kushtetutë.
“Duhet pranuar se gjuha serbe duhet të jetë zyrtare, sepse është gjuha e shumicës në Mal të Zi. Të njëjtën gjë e pres edhe nga opozita”, tha ai.
Të njëjtën kërkesë e bëri edhe Dragosllav Shqekiq, zyrtar i SNP-së proserbe dhe ministër i Sportit në Qeverinë e kryeministrit malazez, Millojko Spajiq.
Ai tha se pret që autoritetet të veprojnë në përputhje me “strukturën reale të popullsisë”.
“Respektojeni faktin se serbët përbëjnë një segment të rëndësishëm të kësaj shoqërie. Më e pakta që presin njerëzit që flasin serbisht, është e drejta e tyre për të folur dhe për t’u arsimuar në gjuhën e tyre kudo”, tha Shqekiq.
Nga partitë e tjera në pushtet nuk u deklaruan për këtë çështje.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb në Mal të Zi, Momçillo Vuksanoviq, tha se serbët në këtë vend përballen me “një luftë të ashpër për të ruajtur identitetin e tyre përmes futjes së gjuhës serbe si gjuhë zyrtare në të gjitha institucionet shtetërore dhe afirmimit të alfabetit cirilik”.
Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), ishte e para që reagoi ndaj këtyre pohimeve.
Deputeti i DPS-së, Andrija Nikolliq.
Deputeti i DPS-së, Andrija Nikolliq, ia kujtoi partisë në pushtet deklaratat e saj të mëparshme:
“Ju keni thënë se gjuha serbe duhet t’i kalojë 50 për qind për t’u ndryshuar Kushtetuta. Ju kishit pritshmëri tjera. Dhe, rezultatet janë të njëjta si në regjistrimin e vitit 2011”.
Gjuha malazeze u përcaktua me Kushtetutë si zyrtare gjatë kohës së qeverisjes së DPS-së.
Gjuhët malazeze dhe serbe në tri regjistrimet e fundit të popullsisë
Numri i qytetarëve që flasin serbisht u rrit për 0.3 për qind në mes të dy regjistrimeve – më 2011 dhe më 2023 – ndërsa numri i atyre që flasin gjuhën malazeze, u zvogëlua për 2.4 për qind.
Në regjistrimin e bërë në vitin 2003, kur Mali i Zi ishte në bashkim shtetëror me Serbinë, 63.4 për qind e popullsisë e cilësuan gjuhë amtare serbishten, ndërsa 21.9 për qind gjuhën malazeze.
Kushtetuta e Malit të Zi, në të cilën gjuha malazeze përshkruhet si gjuhë zyrtare, u miratua në vitin 2007, një vit pas referendumit për pavarësinë e këtij vendi.
Mbishkrimi me alfabet cirilik në automjetet e Policisë në Mal të Zi.
Mali i Zi, ashtu si edhe vendet e tjera që dolën nga ish-Jugosllavia, ku gjuhë zyrtare ishte serbo-kroatishtja, e quajti gjuhën zyrtare sipas emrit të shtetit, pas shpalljes së pavarësisë së tij.
Ndryshimet e Kushtetutës në vitin 2011 ishin arsyeja që opozita e atëhershme proserbe, e udhëhequr nga Andrija Mandiq, të kërkonte ndryshime në fushën e çështjeve të identitetit dhe simboleve shtetërore.
Atëkohë, u kërkua standardizimi i gjuhës serbe si zyrtare, përfshirja e të ashtuquajturit flamur kombëtar trengjyrësh dhe shkurtimi i himnit kombëtar.
Qeveria e atëhershme, e udhëhequr nga DPS-ja e Millo Gjukanoviqit, i hodhi poshtë këto kërkesa.
Partitë proserbe e akuzuan Qeverinë e Millo Gjukanoviqit për “përjashtimin e gjuhës serbe dhe të alfabetit cirilik nga Mali i Zi”, edhe pse serbishtja është e përcaktuar në Kushtetutë si “gjuhë në përdorim zyrtar”, ndërsa latinishtja dhe ciriliku janë shkronja të barabarta.
Ndryshimi i Qeverisë u bë në zgjedhjet e vitit 2020, kur opozita e deriatëhershme proserbe u bë pjesë e shumicës parlamentare, ndërsa në vitin 2024 mori edhe disa ministri në Qeverinë e Spajiqit.
Pas ndërrimit të Qeverisë, përdorimi i alfabetit cirilik u vu re gjithnjë e më shumë në institucionet e Malit të Zi.
Procedura për ndryshimin e Kushtetutës së Malit të Zi
Së bashku me DF-në dhe SNP-në, shumica parlamentare përfshin Lëvizjen e Spajiqit, Evropa Tani, Demokratët, partitë kombëtare shqiptare dhe Partinë Boshnjake.
Ata kanë gjithsej 54 nga 81 deputetë, që përbëjnë dy të tretat e shumicës në Parlamentin e Malit të Zi.
Me Kushtetutë, për ndryshimin e çdo neni të saj është e nevojshme një shumicë prej dy të tretash në Parlament, ndërsa për ndryshimin e simboleve shtetërore dhe gjuhës zyrtare, duhet të organizohet referendum.
Në referendum, tri të pestat e të regjistruarve në regjistrin e zgjedhësve, të cilin e përbëjnë rreth 325 mijë qytetarë, duhet t’i mbështesin këto ndryshime.
Në regjistrimin e fundit, pak më pak se 270.000 qytetarë deklaruan se flasin gjuhën serbe.
Udhëheqësit e DF-së paralajmëruan më herët se do ta fusin gjuhën serbe si gjuhë zyrtare “me përfshirje minimale në Parlament”, por nuk shpjeguan se si.
Duke komentuar deklaratat e partive proserbe, Qendra Digjitale Forenzike nga Podgorica vlerësoi se kjo fushatë ka për qëllim “polarizimin dhe destabilizimin e shoqërisë malazeze”.
“Hapja e këtyre temave kërcënon drejtpërdrejt rrugën evropiane të Malit të Zi”, tha kjo qendër.
Regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi i parapriu një fushatë e forcave dhe mediave proserbe dhe proruse, të cilat u bënin thirrje qytetarëve që të deklaroheshin si serbë.
Fushatës iu bashkua edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të identifikoheshin si pjesëtarë të popullit serb dhe besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që flasin gjuhën serbe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli në disa raste për rëndësinë e regjistrimit në përcaktimin e numrit të serbëve në Mal të Zi.
Dy ditë pas shpalljes së rezultateve të regjistrimit, Vuçiq tha se ato ishin një mesazh i mirë “për ata që mendonin se mund ta sfidonin të drejtën e popullit serb për identitet dhe gjuhë, përmes përpjekjeve brutale”.
Rezultatet treguan, gjithashtu, se 6.9 për qind e banorëve në Mal të Zi e konsiderojnë gjuhën boshnjake si gjuhë amtare; shqipen 5.2 për qind; rusishten 2.3 për qind; serbo-kroatishten 2 për qind dhe kroatishten 0.3 për qind.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, është takuar të mërkurën me drejtorin e Shërbimit të Jashtëm për Inteligjencë të Rusisë, Sergey Naryshkin.
Vullin dhe Naryshkin kanë diskutuar për përmirësim dhe forcim të bashkëpunimit mes strukturave të sigurisë së Serbisë dhe Rusisë, ka thënë Qeveria e Serbisë, më 16 tetor.
Sipas komunikatës së Qeverisë, Naryshkin ka thënë se “përpjekjet e zëvendëskryeministrit Vullin, i cili, duke kryer funksionet e ministrit të Mbrojtjes, të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), ka ndikuar në zhvillimin e marrëdhënieve të mira mes shërbimeve serbe dhe ruse.”
Vullin, në anën tjetër, ka falënderuar shefin rus të spiunazhit për “partneritetin e besueshëm dhe gjithmonë të sigurt, si dhe mbështetjen ndaj Serbisë”.
Përveç takimit me Naryshkinin, Vullin pritet të takohet edhe me zyrtarë tjerë rusë, dhe do të marrë pjesë në një pritje të Ambasadës së Serbisë në 80-vjetorin e çlirimit të Beogradit nga pushtimi gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Vulin konsiderohet si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kremlinit në udhëheqësinë serbe.
Ai është takuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, në margjinat e Forumit Ekonomik Lindor në Vlladivostok, kur ka deklaruar se Serbia nuk është vetëm partnere strategjike, por edhe aleate e Rusisë.
Në janar të këtij viti, Vullin është nderuar nga presidenti i Rusisë dhe Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë.
Vullin është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Shtetit, për lidhjet e tij me Rusinë dhe përfshirje në korrupsion gjatë kohës sa ka qenë në krye të BIA-s.
Ai ka dhënë dorëheqje prej kësaj pozite në nëntor të vitit 2023, pas presionit të vazhdueshëm të Perëndimit.
Ai është emëruar nënkryetar i Qeverisë së Serbisë në fillim të majit.
Serbia dhe Rusia kultivojnë tradicionalisht marrëdhënie të afërta.
Serbia është një nga vendet e rralla në Evropë që refuzon t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Kremlinit pas pushtimit rus të Ukrainës.REL
Drejtoria për Statistikat e Malit të Zi, Monstat publikoi të martën një pjesë të rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi të kryer në dhjetor të vitit të kaluar, sipas të cilit në Mal të Zi janë 623,633 banorë, një rritje prej 0.6 për qind krahasuar me të dhënat eregjistrimit të vitit 2011.
Sipas të dhënave të Monstat, asnjë grup etnik në Mal të Zi nuk ka shumicë absolute – 41.1 për qind e qytetarëve e identifikojnë veten si malazezë dhe 32.9 për qind si serbë. Krahasuar me regjistrimin e vitit 2011 kemi një rritje të vogël të numrit të përgjithshëm të serbëve. Në regjistrimin paraprak 45 për qind ishte numri i malazezëve dhe 29 për qind i serbëve në Mal të Zi.
Regjistrimi i kryer në Mal të Zi nga 3 deri më 28 dhjetor 2023 tregon se në Mal të Zi 9,45 për qind janë boshnjakë, 4,97 për qind janë shqiptarë, 1 për qind janë rom dhe 0,97 për qind janë kroatë.
Në pyetjen se cila është gjuha e tyre amtare, 36.2 për qind e banorëve malazezë janë përgjigjur se është gjuha malazeze, ndërsa 43.5 për qind janë përgjigjur se gjuha e tyre amtare është serbishtja. Sipas regjistrimit të vitit 2011, gjuha serbe flitej nga 42.88 dhe gjuha malazeze nga 36.97 për qind e popullsisë në Mal të Zi.
Edhe pse regjistrimi është pyetje statistikore dhe udhërrëfyes për pushtetin ekzekutiv se në çfarë mënyre duhet të zbatohen politika të caktuara, veçanërisht ato demografike dhe ekonomike, çështjet e grupeve etnike dhe gjuhës janë mosmarrëveshjet kryesore politike në Mal të Zi që sipas vlerësimit të analistëve po keqpërdoren për qëllime politike.
Forcat pro-serbe dhe pro-ruse si dhe mediat e shumëta në Malin e Zi dhe në Beograd kanë bërë fushatë prej muajsh, duke u bërë thirrje qytetarëve që të deklarohen si serbë.
Fushatës iu bashkua edhe Kisha Ortodokse Serbe , e cila u bëri thirrje qytetarëve që të identifikohen si anëtarë të popullit serb dhe besimtarë të kishës së tyre që flasin gjuhën serbe.
Kisha serbe që vepron ne Malin e Zi e mohon kombin malazez, duke e klasifikuar atë si pjesë të korpusit serb.
Në këtë kuadër edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq vazhdimisht theksoi rëndësinë e regjistrimit në përcaktimin e numrit të serbëve në Mal të Zi.
Opozita malazeze tha të martën se rezultatet e regjistrimit konfirmojnë se përkundër propagandës së fuqishme, trysnive për të imponuar një koncept etnik, Mali i Zi arriti të ruajë karakterin e tij qytetar.
“Natyrisht, inxhinieria etnike ka dështuar. Është treguar se Mali i Zi ka një bërthamë solide, qytetare dhe shumëetnike, e cila qëndron pa u lëkundur në mbrojtje të interesave shtetërore”, tha Daniel Zhivkoviç.
Për shkak të mosbesimit të një pjese të opinionit në rregullësinë e regjistrimit, në fillim të këtij muaji qytetarëve iu është dhënë mundësia që përmes një aplikacioni të kontrollojnë nëse të dhënat për kombësinë, fenë dhe gjuhën që kanë raportuar në regjistrim janë futur saktë.
Monstat njoftoi se qytetarët nuk kanë raportuar parregullsi për sa i përket saktësisë së të dhënave personale.
Në librin e historisë për klasën e nëntë në Republikën Sërpska, në vend të gjenocidit në Srebrenicë, thuhet se ushtria e këtij entiteti “kapi Srebrenicën dhe Zhepën”.
Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës e ka pezulluar të premten një pjesë të kurrikulës së arsimit fillor në entitetin serb të Bosnjës, Republika Sërpska, e cila paraqet si heronj të dënuarit serbë për krime lufte gjatë luftës së viteve 1992/1995.
Ministria e Arsimit e Republikës Sërpska e solli një modul rreth luftës në Bosnjë dhe shkaktarët e saj nga këndvështrimi serb për nxënësit e klasës së nëntë.
Sipas këtij moduli, ish-lideri politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq – portretizohen si figura historike që mundësuan krijimin e Republikës Sërpska.
Karaxhiq dhe Mlladiq janë dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Lufta shkatërruese në Bosnje, gjatë të cilës u vranë mbi 100.000 njerëz dhe rreth dy milionë të tjerë u zhvendosën, përfundoi pas një marrëveshje për paqe të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit.
Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, Bosnja është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse. Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.
Në një seancë të premten, gjykata vendosi ta pezullojë me efekt të menjëhershëm pjesën e kurrikulës që merret me luftën dhe krijimin e entitetit serb, pas kërkesës së 13 anëtarëve të Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës.
Duke e shpjeguar pezullimin e përkohshëm deri në marrjen e një vendimi final, gjykata tha se zbatimi i atij moduli të kurrikulës rrezikon shkaktimin e përçarjeve dhe ndarjeve shtesë në mesin e nxënësve të etnive të ndryshme.
Në praktikë, gjykata shumetnike ka pushtet të kufizuar për ta bërë të detyrueshëm zbatimin e vendimeve të saj.
Republika Sërpska i ka tërhequr gjykatësit serbë në shenjë proteste kundër pranisë së vazhdueshme të gjykatësve të huaj që shërbejnë në bazë të marrëveshjes për paqe.
Liderët serbë thonë se nuk e respektojnë vendimet e gjykatës dhe i kanë shpërfillur ato në të kaluarën.
Lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili është i sanksionuar nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara për shkeljen e provizioneve të Marrëveshjes së Dejtonit, ka bërë thirrje vazhdimisht për ndarjen e entitetit serb nga Bosnja dhe bashkimin e tij me Serbinë. REL
Ish-deputeti serb, Dragan Shormaz, nga partia e presidentit Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet sa më parë.
Shormaz ka theksuar se “është e rëndësishme që të përfundohet ky proces, pasi Bashkimi Evropian ka vendosur që deri në vitin 2030 të gjithë vendet e rajonit të jenë anëtare”.
Duke folur për situatën në veri të Kosovës, Shormaz ka kritikuar Vuçiç për menaxhimin e sulmit terrorist në Banjskë, i cili përfundoi me humbjen e policit Afrim Bunjaku.
Ai ka shtuar se ndryshimet në veri tashmë janë të dukshme, me serbët që marrin pasaporta kosovare dhe fillimin e pagesave të energjisë.
Shormaz gjithashtu ka theksuar se në Serbi pas sulmit terrorist menjëherë nisi një fushatë për zgjedhje, ndërsa çështja e situatës në veri është anashkaluar.
“Vuçiç ka shkatërruar vetveten me aksionin që ka përfunduar tragjikisht me katër jeta, të policit të Kosovës dhe serbëve. Është interesante se pas kësaj nis fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme, askush nuk flet për Banjskën. Ndërsa, ndodh që ndryshohen targat, serbët marrin pasaportat, marrin patentë shofer, dokumente personale, fillon të paguhet rryma. Në veri mbyllen zyrat postare të bankave, pompat e karburantit, dinari ndalohet, të gjitha këto kanë ndodhur ndërsa në Serbi askush nuk flet për këtë çështje”, ka deklaruar ai nw Rtv Dukagjini.
Atmosfera para selisë së DPS-së pas shpalljes së rezultateve zgjedhore në Podgoricë, 29 shtator.
Millosh Rudoviq
Nëse zgjedhjet në Podgoricë do të ndikojnë në stabilitetin e Qeverisë së Malit të Zi, do të varet nga aleancat paszgjedhore, thotë për Radion Evropa e Lirë analistja politike, Nikolleta Gjukanoviq.
Zgjedhjet në Podgoricë janë një lloj testi për forcat politike në këtë vend, duke qenë se një e treta e popullsisë së Malit të Zi jeton në kryeqytet.
Gjukanoviq vlerëson se, aktualisht, është e paqartë se kush do ta formojë qeverinë e re në Podgoricë.
Sipas saj, gjithçka varet nga ajo se me kë do të bashkohet lista e presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe e ish-kryeministrit Dritan Abazoviq, e cila fitoi gjashtë mandate.
“Ata sigurisht se kanë pritur shumë më shumë vota, por besoj se do të jenë të kënaqur me qëndrimin e partisë, pa të cilën do ta kenë të pamundur ta formojnë qeverinë”, thotë Gjukanoviq.
Nikolleta Gjukanoviq
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podgoricë u mbajtën më 29 shtator.
Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në opozitë fitoi më së shumti vota – rreth 30 për qind – dhe 19 mandate.
Pjesa tjetër e opozitës fitoi shtatë mandate.
Pas DPS-së, koalicionet që përbëjnë pushtetin në nivel lokal dhe shtetëror, fituan më shumë mandate – Lëvizja Evropa Tani (PES) dhe Demokratët 14, ndërsa partitë e Frontit Demokratik pro-rus (DF) 13 mandate.
Marrë parasysh se Kuvendi i Podgoricës i ka 59 vende, për të formuar qeverinë nevojiten 30 mandate.
Kjo do të thotë se si Qeveria malazeze, ashtu edhe opozita do të duhet të kërkojnë partnerë koalicioni.
Se si do të ndikojnë rezultatet në situatën politike në Mal të Zi, do të varet nga bisedimet paszgjedhore, thotë Gjukanoviq.
“Nëse qeveria formohet me DPS-në, kjo mund të reflektohet shumë mirë edhe në nivel kombëtar. Nëse qeveria formohet midis partive që deri vonë kanë pasur pushtetin në Podgoricë (PES, Demokratët dhe DF), do të kemi përsëritje të një qeverie jofunksionale ose zgjedhje të reja”, thotë ajo.
Pas shpalljes së fitores në Podgoricë, DPS-ja opozitare tha se duhen zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, sepse “Qeveria ka rënë”, duke vënë në dukje faktin se partitë që përbëjnë Qeverinë, nuk kanë marrë shumicën në Podgoricë.
Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) në opozitë fitoi më së shumti vota – rreth 30 për qind – dhe 19 mandate.
Si erdhi deri te zgjedhjet?
Këto ishin zgjedhjet e dyta në Podgoricë në dy vjetët e fundit.
Zgjedhjet e mëparshme u mbajtën në tetor të vitit 2022, kur qeverisja e DPS-së u zëvendësua pas një çerek shekulli.
Pushtetin atëkohë e morën PES-i i kryeministrit Millojko Spajiq, Demokratët, DF-ja dhe URA.
Zgjedhjet e parakohshme, pastaj, u zhvilluan pas një konflikti në shumicën qeverisëse, kryesisht për shkak të një ndarjeje në lëvizjen PES, e cila kishte më shumë këshilltarë në Kuvendin e Podgoricës.
PES u themelua në qershor të vitit 2022 nga Spajiq dhe Millatoviq.
Me largimin e Millatoviqit nga partia, PES-i humbi një numër këshilltarësh në Kuvendin e Podgoricës.
Në mes të korrikut, rryma e Millatoviqit, me ndihmën e URA-s dhe opozitës, shkurtoi mandatin e Parlamentit lokal, ndërsa Millatoviq, nga pozita e presidentit, shpalli zgjedhjet.
“Nëse janë njerëz, mund të bëjnë marrëveshje”
Sa i përket një marrëveshjeje mes partive për formimin e qeverisë në Podgoricë, shumica e qytetarëve të anketuar nga Radio Evropa e Lirë shprehen skeptikë.
Gjashtëdhjetëvjeçarja Lubica, megjithatë, është optimiste.
“Unë jam gjithmonë optimiste. Nëse nuk arrijnë marrëveshje dhe shpallin sërish zgjedhje, unë definitivisht nuk do të dilja më”, thotë ajo.
Sllavkoja, 28 vjeç, thotë se konfliktet politike çuan në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe pret që të ketë prapë probleme.
“Gjithçka do të vazhdojë të jetë njësoj, askush nuk do të jetë në gjendje të bjerë dakord për asgjë. Të gjithë luftojnë për poste dhe populli do të vuajë. Nëse do të rebeloheshim si populli në Francë dhe Evropë, ndoshta diçka do të ndryshonte”, thotë ai.
I pyetur se sa mund të zgjasë kjo situatë, ai përgjigjet:
“Kjo zgjat për një jetë të tërë. Nuk do të shohim asnjë përparim për aq kohë sa mentaliteti ynë është i tillë dhe përderisa ka përçarje të tilla”.
Millivoje, 70 vjeç, thotë se nuk ka nevojë për asgjë nga politikanët, përveçse ata ta bëjnë punën e tyre.
“Premtimet parazgjedhore ishin dëshira muzikore. Do të shohim se çfarë do të bëjnë. Unë nuk dal në asnjë palë zgjedhje, sepse nuk u besoj”, thotë ai.
Brankoja, 39 vjeç, thotë se “nëse janë njerëz, mund të bëjnë marrëveshje” për formimin e qeverisë në Podgoricë, por “zgjedhjet e reja nuk përjashtohen”.
“Gjithçka duket se varet nga karriget. Karriget janë të dashura nga të gjithë”, thotë ai.
Kush mund të jetë i kënaqur dhe kush jo?
Gjukanoviq thotë se shumë parti mund të jenë të kënaqura me rezultatet e zgjedhjeve të 29 shtatorit.
Edhe pse partitë në pushtet i shfrytëzuan maksimalisht qëndrimet e tyre për këto zgjedhje, jo të gjitha dolën aq mirë, sipas saj.
“PES-i – i cili ka një infrastrukturë aq të madhe, të gjitha resurset kombëtare dhe lokale që i përdori gjatë fushatës, të gjitha masat dhe politikat në nivel kombëtar që i vuri në funksion të zgjedhjeve lokale – nuk dha rezultate dukshëm më të mira”, thotë Gjukanoviq.
Mbështetësit e DPS-së duke festuar pas shpalljes së rezultateve zgjedhore në Podgoricë, 29 shtator.
Para zgjedhjeve, kryeministri prezantoi disa projekte për Podgoricën, vlera e të cilave llogaritej në më shumë se 500 milionë euro.
Premtimet u mbështetën me video-animacione dhe u prezantuan në konferencat për shtyp të kryeministrit dhe ministrave të tij.
Në anën tjetër, koalicioni i partive të DF-së, thotë Gjukanoviq, i ka shfrytëzuar “me shumë zgjuarsi” të gjitha përfitimet e Qeverisë.
“Dhe, me ndihmën e madhe të Beogradit, Kishës Ortodokse Serbe dhe politikave retrograde, që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve duket se ka qejf t’i dëgjojë, arriti ta ruante veten si një strukturë e rëndësishme politike”, thotë Gjukanoviq.
Udhëheqësit e DF-së e gëzojnë mbështetjen e Beogradit zyrtar, përkatësisht të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe të Kishës Ortodokse Serbe.
DF, mes tjerash, kundërshton pavarësinë e Kosovës, kundërshton anëtarësinë e Malit të Zi në NATO dhe mbron heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Kur bëhet fjalë për DPS-në, rezultati i kësaj partie është befasi e madhe për Gjukanoviqin, sepse ka arritur të mbajë pjesën më të madhe të elektoratit të saj nga zgjedhjet e mëparshme.
“Besoj se edhe teoria, edhe praktika kanë pritur një rënie më të madhe të partisë, pas rënies së saj në vitin 2020 dhe pas ndarjes partiake”, thotë ajo.
DPS-ja e Millo Gjukanoviqit e humbi pushtetin në Mal të Zi në gusht të vitit 2020, pas tri dekadash në pushtet. Kjo u pasua me disfata edhe në zgjedhjet e Podgoricës dhe ato presidenciale.
Ndërkohë, kryeministri i fundit nga DPS-ja, Dushko Markoviq, u largua nga partia dhe themeloi Partinë e Progresit Evropian (SEP), e cila fitoi dy mandate në zgjedhjet e fundit në Podgoricë.
Një qytetare duke votuar në një qendër votimi në zgjedhjet për Podgoricën më 29 shtator 2024.
Pjesëmarrje e ulët
Në Kuvendin e Podgoricës, përveç partisë së Markoviqit, mandate morën edhe Lëvizja për Ndryshim e aktivistit qytetar, Sërgjan Periq, dhe Aleanca Evropiane, e cila bashkon parti socialdemokrate dhe liberale.
Ajo që e shqetëson më shumë Gjukanoviqin, është pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, e cila ishte në nivelin më të ulët në dekadën e fundit.
“Unë mendoj se qytetarët nuk i besojnë procesit zgjedhor. Problemi nuk është se zgjedhjet janë shumë të shpeshta, por që politikanët kanë bërë gjithçka me keqpërdorime dhe qytetarët kanë besim shumë të ulët në procesin zgjedhor”, thotë Gjukanoviq.
Pjesëmarrja ishte pothuajse 15 për qind më e ulët se në vitin 2014, ose 12 për qind më e ulët se në zgjedhjet e fundit lokale, dy vjet më parë.
Analisti malazez Ljubomir Filipoviç ka ndezur një debat në Malin e Zi pasi publikoi rezultatet e testit të tij gjenetik, që tregojnë lidhje të forta me origjinën shqiptare. Pasi bëri testin e ADN-së “23andMe”, Filipoviç zbuloi se nga linja e tij atërore mban gjenet më të përhapura tek shqiptarët e veriut të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa nga ana amtare ka prejardhje greke.
“Duket sikur jam një përzierje 100% ballkanike me prejardhje ilire, trake dhe greke, pa asnjë gjurmë të origjinës sllave,” shprehet Filipoviç. Ai shton se ky fakt tregon se kombet dhe identitetet janë konstruksione sociale dhe jo biologjike.
Deklarata e Plotë e Filipoviçit:
“Prej thjesht kurioziteti, bëra një test ’23andMe’ dhe nuk pati surpriza. Nga ana atërore, mbaj gjenin që haset më shumë tek shqiptarët e veriut të Shqipërisë dhe Kosovës. Duke pasur parasysh origjinën e diskutuar të paraardhësit mitologjik të fisit tim, Bijeli Pavle (Pal Bardhi), nga rajoni i Dukagjinit në Kosovë, gjithçka ka kuptim. Nga ana amtare, jam me origjinë greke, diçka që familja serbe e nënës sime e ka ditur gjithmonë.”
Filipoviç theksoi se analiza gjenetike tregon se kombësia dhe përkatësia etnike nuk lidhen me gjakun. “Nëse gjenetika do të ishte faktori përcaktues i përkatësisë etnike, unë nuk do të kisha një emër sllav apo të flisja një gjuhë sllave. Paraardhësit e mi, si ata të shumë të tjerëve, kanë kaluar nëpër valë të asimilimit dhe zhvendosjeve.”
Në fund, ai e përmbylli duke thënë: “Kombet nuk kanë të bëjnë me gjakun apo me tokën; ato kanë gjithçka të bëjnë me ndjenjën e përkatësisë.” sn
Sipas rezultateve paraprake jozyrtare të Qendrës për Tranzicionin Demokratik, numrin më të madh të votave në Podgoricë e ka fituar Partia Demokratike e Socialistëve e ish presidentit Milo Gjukanoviç, ku mori rreth 30 për qind të votave duke fituar 19 këshilltarë në Kuvendin e Podgoricës që ka 58 vende.
Rezultatet paraprake tregojnë se Lëvizja Evropa Tani e kryeministrit Milojko Spajiç dhe Demokratëve fituan 14 vende, ndërsa lista e Presidentit të Malit të Zi Jakov Milatoviç dhe Lëvizja Ura fituan 6 vende.
Partitë e ish-Frontit Demokratik pro-rus dhe Partisë Popullore Socialiste pro-serbe do të kenë 13 këshilltarë në Kuvendin e Podgoricës.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian mori 3 vende, Partia e Progresit Evropian 2 vende dhe Lëvizja “Revolucioni” 2 vende.
Për të formuar pushtetin vendor në Podgoricë nevojitet një shumicë prej të paktën 29 këshilltarësh.
Edhe pse Partia Demokratike Socialiste, e cila ishte në pushtetin e Malit të Zi për tre dekada, fitoi shumicën e mandateve, është tejet e vështirë që ata të formojnë qeverinë vendore, duke qenë se partitë që sundojnë në nivel shtetëror vazhdimisht kanë theksuar se nuk do të hyjnë në koalicion me këtë parti.
Në Podgoricë kanë votuar 56,3 për qind e votuesve të regjistruar që ësht pjesëmarrja më e ulëtë në dhjetë vitet e fundit.
Rënia e pushtetit në Podgoricë ishte pasojë e mosmarrveshjes dhe ndarjes së partisë që mban pushtetin në Malin e Zi, Lëvizjes Evropa Tani. Partia u nda mes presidentit aktual, Jakov Milatoviç, i cili ishte një nga themeluesit e saj dhe kryeministrin dhe kryetarin të kësaj lëvizjeje, Milojko Spajiç.
Analistët i konsiderojnë të rëndësishme zgjedhjet e Podgoricës dhe i shohin si një provë për zgjedhjet e mundshme të jashtëzakonshme parlamentare në Mal të Zi, të cilat sipas disa vlerësimeve mund të ndodhin për shkak të paqëndrueshmërisë ende të theksuara politike në vend.
Zgjedhjet e mëparshme për Kuvendin e kryeqytetit u mbajtën në tetor të vitit 2022, kur pas gati tre dekadash Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviq humbi pushtetin, në nivel shtetëror dhe pastaj në kryeqytetin malazez në një valë ndryshimesh të përgjithshme politike në shtet.
Mali i Zi ka rreth 633,000 banorë, dhe rreth 180,000 prej tyre jetojnë në Podgoricë, sipas regjistrimit të vitit 2023.
Donald Trump Jr., djali i kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka organizuar një darkë pune me biznesmenë nga Serbia më 23 shtator në Beograd, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë.
Sllavko Cariq, ish-kryetari i bordit ekzekutiv të Erste Bank, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka marrë pjesë në darkë, ku, sipas tij, temë ishin “investimet dhe atraktiviteti i mjedisit të biznesit në rajon dhe në Serbi nga perspektiva e investitorëve nga Shtetet e Bashkuara”.
Sipas tij, u diskutua lidhur me atë se “cilat janë ngjashmëritë dhe dallimet e investimit në rajonin e Evropës Juglindore dhe në SHBA, cilat janë avantazhet e këtij rajoni dhe si të realizohet potenciali i plotë në bashkëpunimin e ndërsjellë biznesor”.
Partnerja e Donald Trumpit Jr, Kimberly Guilfoyle, publikoi në Instagram një fotografi të tyre nga darka në Beograd.
Trump Jr., është nënkryetar ekzekutiv në Trump Organization.
Në këtë kompani përfshihen qindra firma dhe partneritete që zotërojnë ose menaxhojnë ndërtesa biznesi, hotele, kulla rezidenciale, klube golfi, të drejta të markës, marrëveshje të licencimit dhe pasuri të tjera në mbarë botën.
Trump Jr. gjithashtu merr pjesë dhe mbështet babanë e tij në fushatën presidenciale për zgjedhjet e nëntorit.
Ai dëshmoi në një gjykim më 2023 kur familja Trump u akuzua për vepra penale të lidhura me tatimet. Akuzat përfshijnë edhe mashtrimin tatimor dhe falsifikimin e dokumenteve të biznesit.
“Trump Organization”, sipas aktakuzës, kishte ekzagjeruar pasurinë e tij dhe ka falsifikuar të dhënat e biznesit.
Në gjykim, Trump Jr. tha se nuk kishte punuar në raportet financiare të fushatës, ka raportuar BBC.
Djali më i madh i Donald Trumpit kishte marrë pjesë edhe në fushatën presidenciale të babait të tij më 2016.
Ai u mor në pyetje nga Senati amerikan lidhur me hetimin e përfshirjes së supozuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Trump Jr. u takua në qershor të vitit 2016 me avokaten ruse, Natalia Veselnitskaya, pasi iu tha se ajo mund t’i ofronte informacione komprometuese për kundërshtaren e atëhershme të babait të tij, Hillary Clinton. REL
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në Nju Jork se do të dekorojë përfaqësuesit e shteteve “që ishin në anën e Beogradit” gjatë miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në maj.
“E shoh se disa po çmenden sepse ne po dekorojmë njerëzit që mbrojtën ligjin ndërkombëtar dhe mbrojtën Serbinë. Kjo është çështje e brendshme e jona”, tha Vuçiq për gazetarët në Nju Jork më 23 shtator, në prag të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Disa media në Beograd paraprakisht kishin raportuar se Vuçiq do t’i ndajë dekoratë ambasadorit rus në OKB, Vasily Nebenzya.
“Ka, sigurisht, rusë dhe kinezë, nga Nikaragua dhe Meksika, Brazili, India, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kongo, varet nga niveli i mbështetjes”, shtoi Vuçiq.
Në maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën e cila shpalli 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Gjenocidi në Srebrenicë, i kryer në korrik të vitit 1995 nga pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpka, la të vrarë të paktën 8.372 boshnjakë.
Tetëdhjetë e katër shtete votuan për rezolutën, 19 ishin kundër, përfshirë Rusinë dhe Kinën, ndërkaq 68 shtete abstenuan.
Rezoluta, veç tjerash, dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës.
Krimi në Srebrenicë më 2007 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë u njoh si gjenocid i kryer nga Ushtria e Republikës Sërpska. Srebrenica në korrik të vitit 1995 ishte zonë e mbrojtur e OKB-së.
Gjykata e njëjtë gjeti Serbinë fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Gjykata po ashtu tha se Serbia ka shkelur obligimin për të ndëshkuar kryesit e gjenocidit.
Para këtij vendimi, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.
Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm. REL