VOAL

VOAL

VIDEO- Plas revolta në Beograd, protestuesit rrethojnë Parlamentin serb dhe kërkojnë dorëheqjen e Vuçiç

Dijana Hrka, nëna e të riut Stefan Hrka, i cili vdiq gjatë shembjes së një mbikalimi hekurudhor në Novi Sad, filloi sot një grevë urie para Parlamentit të Serbisë, siç kishte njoftuar.

Dhe sipas mediave të huaja, me këtë veprim, ajo po kërkon përgjegjësi për vdekjen e djalit të saj dhe njerëzve të tjerë.

Greva e saj filloi në orën 11:52 të paradites dhe qytetarët, studentët dhe figurat publike që erdhën për ta mbështetur filluan të mblidheshin.

 

Fillimisht ajo donte të ngrinte një tendë afër parlamentit dhe të qëndronte atje derisa autoritetet të plotësonin kërkesat e saj.

Megjithatë, policia rrethoi hapësirat në mënyrë që ajo të bënte grevë në rrugë.

Kështu, qëndrimi i policisë dhe autoriteteve ndaj nënës që humbi fëmijën e saj shkaktoi një revoltë midis qytetarëve që u mblodhën në këtë vend gjatë gjithë ditës.

VIDEO- Beogradi “ndizet” nga protestat, hidhen bomba molotov drejt Parlamentit serb. Militantët e Vuçiçit sulmojnë nënën e një prej viktimave të Novi Sadit

Tensione të ashpra janë shënuar përpara parlamentit të Serbisë, ku mesditën e sotme nisi grevën e urisë Diana Hrka, nëna e një prej viktimave të tragjedisë së Novi Sadit.

Situata u përkeqësua kur mbështetës të presidentit Aleksandar Vuçiç, që ndodhen në kampin e ngritur para tetë muajsh në Bulevardin përballë Parlamentit, filluan të hedhin sende dhe fishekzjarrë drejt grupit kundërshtar të protestuesve që po qëndronin në vend për t’i shprehur mbështetje Dianës Hrka.

Policia është vendosur mes dy grupeve, por pa ndërhyrë aktivisht dhe pa bërë përpjekje për të ndaluar sulmet nga dy grupet. Ndërkohë, studentë dhe qytetarë po mbërrijnë  në vend për t’i dhënë përkrahje grevistes së urisë.

Të ashtuquajturit “besnikë” të Vuçiçit, siç quhen personat që qëndrojnë në atë kamp “të pazakontët”, po e ofendojnë Dianën Hrka me fyerje dhe shprehje vulgare, ndërsa nga ana tjetër protestuesit që e mbështesin atë thërrasin “vrasës, vrasës” dhe brohorasin kundër Aleksandar Vuçiçit.

Diana Hrka nisi grevën e urisë duke kërkuar drejtësi për vdekjen e të birit 27-vjeçar, Stefanit, dhe të 15 personave të tjerë që humbën jetën në atë ngjarje tragjike. Ajo e njoftoi vendimin të shtunën, gjatë manifestimit të madh në Novi Sad, organizuar për të shënuar njëvjetorin e tragjedisë në stacionin hekurudhor.

“Dua të di kush vrau djalin tim, kush vrau 16 njerëz. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë,” deklaroi Diana Hrka, duke shpallur fillimin e grevës së saj të urisë. bw

Një vit nga tragjedia në Novi Sad, mijëra studentë bllokojnë rrugët në Serbi dhe përkujtojmë viktimat! Si u “ndezën” protestat më të mëdha në dekada

Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad, për t’i përkujtuar viktimat e shembjes fatale të çatisë së stacionit hekurudhor, duke shënuar një vit nga tragjedia që ndezi protestat më të mëdha në dekada.

 

Njerëzit vendosën lule dhe qirinj përgjatë gardhit të përkohshëm pranë hyrjes së dëmtuar të stacionit, ku 16 njerëz humbën jetën kur çatia u shemb më 1 nëntor 2024.

Dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në përkujtimet që filluan në stacion në orën 11:52 paradite – në të njëjtën orë kur ndodhi tragjedia.

Ata gjithashtu mbajtën 16 minuta heshtje në nderim të 16 viktimave.

Që nga ajo ditë, Serbia është përballur me protesta të rregullta të udhëhequra nga studentët.

Fillimisht, protestuesit kërkuan hetim transparent, por më pas thirrjet e tyre u zgjeruan në kërkesa për zgjedhje të parakohshme.

Studentë dhe qytetarë të tjerë kanë mbërritur në Novi Sad që nga e premtja, me makina, biçikleta apo në këmbë.

Mijëra njerëz të tjerë marshuan drejt Novi Sadit nga Beogradi – rreth 100 kilometra – dhe nga Novi Pazari, rreth 340 kilometra në jug të kryeqytetit. U deshën simbolikisht 16 ditë – në nderim të 16 viktimave – që ta përfundonin marshimin.

Të premten mbrëma, banorët e Novi Sad dolën në rrugë për t’i pritur marshuesit, duke fishkëllyer dhe valëvitur flamuj, shumë prej tyre të prekur emocionalisht.

“Erdha të përulem para forcës më të madhe në botë sot: studentëve tanë, rinisë sonë”, tha Ratko Popoviç nga rajoni i Novi Sadit

Protestat e vazhdueshëm bënë që kryeministri të jepte dorëheqje, rrëzimin e qeverisë dhe formimin e një të reje. Por, presidenti Aleksandar Vuçiç ka qëndruar në detyrë.

Vuçiç shpesh i ka quajtur demonstruesit “puçistë të financuar nga jashtë”, ndërsa anëtarë të partisë së tij SNS kanë përhapur teori konspirative, duke pretenduar se shembja e çatisë mund të ketë qenë sulm i orkestruar.

Por, në një fjalim televiziv të premten, Vuçiç bëri një gjest të rrallë dhe kërkoi falje për deklaratat, duke thënë se pendohet për disa nga to, pa treguar se për cilat.

“Kjo vlen si për studentët, ashtu edhe për protestuesit, si dhe për të tjerët me të cilët jam përplasur në qëndrime. Kërkoj falje për këtë”, tha Vuçiç, duke bërë thirrje për dialog.

Qeveria ka shpallur të shtunën ditë zie kombëtare, ndërsa kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije, do të mbajë meshë për viktimat në Kishën e Shën Savës në Beograd.

Mbështetësit e Vuçiçit, që kanë ngritur kampe pranë ndërtesës së Kuvendit të Serbisë kundër bllokimit të universiteteve, thanë se do të mblidhen para kishës për të nderuar viktimat.

“Në këtë përvjetor të trishtuar, u bëjmë thirrje të gjithëve… të veprojnë me përmbajtje, të ulin tensionet dhe të shmangin dhunën”, thuhet në një deklaratë të delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi.

Protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por në mes të gushtit ato u përshkallëzuan në dhunë, për çka protestuesit fajësuan taktikat e ashpra të besnikëve të qeverisë dhe policisë.

Në shtator, 13 njerëz, përfshirë ish-ministrin e Ndërtimit, Goran Vesiç, u akuzuan penalisht në lidhje me incidentin në Novi Sad.

Ndërkohë, një hetim i veçantë kundër korrupsionit po vazhdon paralelisht me një hetim të mbështetur nga BE-ja mbi keqpërdorimin e mundshëm të fondeve të BE-së në projekt./rel

U arrestua në Shqipëri- Gjendet i vdekur në burg Faruk Özer, themeluesi i platformës së kriptomonedhave “Thodex”

Faruk Fatih Özer, i njohur si “mbreti” i kriptomonedhave dhe themelues i platformës tashmë të falimentuar “Thodex”, është gjetur i vdekur në qelinë e tij në burgun e Tekirdagut, në perëndim të Turqisë.

Lajmi është konfirmuar nga transmetuesi shtetëror TRT, i cili bën me dije se është hapur një hetim zyrtar për të zbuluar shkaqet e vdekjes. Sipas burimeve të para, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që Özer të ketë kryer vetëvrasje, ndërsa autopsia pritet të sqarojë rrethanat e plota të ngjarjes, raporton Bloomberg.

Faruk Fatih Özer ishte arrestuar më 30 gusht 2022 në Shqipëri, pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet turke. Ai u ekstradua në Turqi në prill të vitit 2023.

Në shtator të vitit 2023, themeluesi i Thodex u dënua me 11.196 vite burg për akuzat e pastrimit të parave, mashtrimit dhe krijimit të një organizate kriminale. Prokuroria kishte kërkuar një dënim rekord prej 40.562 vitesh burg.

Özer konsiderohej si organizatori i një prej skandaleve më të mëdha financiare në historinë e Turqisë, pasi mijëra investitorë humbën kursimet e tyre pas kolapsit të bursës së kriptomonedhave “Thodex”. Ai akuzohej për mashtrimin e 391 mijë qytetarëve, duke shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 2 miliardë dollarësh. bw

Në Serbi themelohet Shoqata Historike Ruse, Vulin flet hapur për “luftën për botën serbe”

Ceremonia e themelimit të Shoqatës Historike Ruse. Beograd, 26 tetor 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Shoqata Historike Ruse është arsyeja e tubimit për të gjithë ata që e shohin Serbinë si një shtet që do të “luftojë pa asnjë kufizim për krijimin paqësor të botës serbe” dhe që të jetë një aleate e vërtetë e Rusisë dhe Kinës, tha kryetari i Këshillit të degës së Beogradit të kësaj shoqërie, Aleksandar Vulin, në Asamblenë themeluese në Beograd më 26 tetor.

Që nga koha kur “bota serbe” u përmend për herë të parë në shtator 2020, siç ka raportuar më herët për Radion Evropa e Lirë, nga Ballkani Perëndimor paralajmëruan se ky term ngjall, pa rezistencë, aspiratat e politikës zyrtare serbe, të cilat në fillim të viteve ’90 luajtën një rol kyç në shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë.

Vulin, lider i orientuar prorus i Lëvizjes Socialiste, ish-shef i shërbimit të inteligjencës serbe, në Asamblenë themeluese të Shoqatës Historike Ruse tha se heqja dorë nga Rusia është gjithashtu heqje dorë nga Serbia, dhe se çdo gjeneratë e popullit serb “ka pritur që mbijetesa e saj fizike të varet nga Rusia”.

Ai gjithashtu theksoi se Shoqata Historike Ruse në Serbi e ka si detyrë të parë luftën kundër çdo rishikimi të historisë dhe ruajtjen e “vërtetësisë historike për popullin serb dhe atë rus”.

Vulin është i njohur për qëndrimet e tij publike proruse dhe në janar të vitit 2024 u dekorua nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe Shërbimi Federal rus i Sigurisë. Departamenti amerikan i Shtetit e sanksionoi atë në vitin 2023, për shkak të lidhjeve me Rusinë dhe për dyshimet për korrupsion gjatë kohës kur ishte në krye të Agjencisë serbe të Sigurisë dhe Informacionit.

Organizatën ruse e udhëheq Sergej Narishkin, drejtori i Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës së Federatës Ruse. Vulin dhe Narishkin janë takuar disa herë që kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Pas këtij veprimi, Bashkimi Evropian (BE) vendosi sanksione ndaj zyrtarëve të Kremlinit, por Serbia – edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE – nuk iu bashkua atyre sanksioneve. Ajo vazhdoi raportin e saj me Moskën, për të cilat shpesh ka qenë përgjegjës vetë Vulin.

Narishkin iu drejtua të pranishmëve me një video-mesazh dhe përmendi lidhjet historike midis Rusisë dhe Serbisë, si dhe “ngjashmëritë parimore të vlerave tona tradicionale”, raportoi agjencia Sputnik.

“Ky është një mesazh i rëndësishëm politik”

Në Asamblenë themeluese, përveç Vulinit, ishin gjithashtu ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, si dhe kryetari i Partisë Socialiste Serbe, Goran Selak.

“Hapja solemne e institucionit të Shoqatës Historike Ruse në Serbi përfaqëson një konfirmim të lidhjes së vazhdueshme dhe të ndërsjellë shpirtërore midis dy popujve tanë, serb dhe rus, të cilët kanë jetuar në harmoni gjatë historisë dhe që, jam i bindur, me ndihmën e Zotit, do të jetojnë kështu edhe në të ardhmen”, tha patriarku Porfirije.

Porfirije theksoi rëndësinë e Shoqatës Historike Ruse “në kohën e një revizionizmi të tmerrshëm historik”.

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, në fjalimin e tij tha se hapja e Shoqatës Historike Ruse në Serbi është “një mesazh i rëndësishëm politik dhe shkencor”.

“Një nga detyrat më të rëndësishme të Rusisë dhe Serbisë është forcimi i sovranitetit, pavarësisë së popujve dhe shteteve tona. Pa njohjen e historisë, nuk ka as sovranitet dhe as të ardhme”, theksoi ambasadori rus.

Në fillim të takimit të mbajtur në Beograd u intonuan himnet e Rusisë, entitetit boshnjak të Republikës Sërpska dhe Serbisë, ndërsa të pranishmit nderuan me një minutë heshtje të dënuarin për krime lufte në Kosovë nga ish-Tribunali i Hagës, Nebojsha Pavkoviq, i cili vdiq ditë më parë.

Shoqata Historike Ruse është një shoqatë, e themeluar, veç tjerash, nga Akademia Ruse e Shkencave, por edhe mediat shtetërore ruse si RIA Novosti dhe Interfax.

Siç ka raportuar më herët REL-i, ndër aktivitetet e Shoqatës Historike Ruse, sipas Narishkinit, është rindërtimi i muzeve në territorin e “Novorusisë”, një term që Kremlini përdor për territoret e Ukrainës që Rusia i ka okupuar gjatë pushtimit.

REL gjithashtu më 2023 hulumtoi rastin e një fotografie të një bombe të pretenduar të NATO-s në një ekspozitë në selinë e Shoqatës Historike Ruse në Moskë.

Në të ishte ekspozuar edhe fotografia e një bombe të NATO-s, mbi të cilën ishte shkruar mesazhi “Gëzuar Pashkët”, e cila u paraqit si pjesë e armatimit të aleancës ushtarake perëndimore gjatë bombardimeve të Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999.

Megjithatë, hulumtimi i REL-it tregoi se bomba ishte fotografuar në një bazë amerikane në Vietnamin e Jugut gjatë periudhës 1967–1970, dekada para ndërhyrjes së NATO-s në ish-Jugosllavi.

Prej një viti në protesta, analiza e DW: Çfarë duan të arrijnë studentët serbë dhe cilat janë kërkesat e tyre

Prej gati një viti studentët në Serbi janë në protesta. Cilat janë kërkesat e tyre dhe çfarë ushqen shpresën për të qenë në gjendje të zbatojnë demokracinë në vend?

 

Për rreth një vit, ata po marshojnë, demonstrojnë dhe bllokojnë universitetet. Ndonjëherë studentëve u janë bashkuar më shumë se 300.000 vetë – janë protestat më të mëdha në historinë e Serbisë.

Një kryengritje rinore që duket siku nuk do të mbarojë kurrë, por rezultati i së cilës është plotësisht i pasigurt. Një kryengritje kundër korrupsionit, kundër sundimit autoritar të Presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili po përgjigjet me propagandë nëpërmjet mediave pro-qeveritare, duke pretenduar se është një “revolucion me ngjyra” i orkestruar nga jashtë.

Si mund të zgjojë një brez shpresë të re për të përmbysur regjimin që ka sunduar 6.7 milionë banorët e këtij vendi të Ballkanit Perëndimor me grusht të hekurt që nga viti 2012? Dhe çfarë u jep studentëve besimin për të kapërcyer dekada nepotizmi?

“Korrupsioni vret”
E gjitha filloi më 1 nëntor 2024, në orën 11:52 të paradites. Papritmas, një tendë masive prej betoni e stacionit të trenit në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i vendit, u shemb. Gjashtëmbëdhjetë vetë u vranë. Ajo që e bëri këtë edhe më të rëndë ishte se stacioni i ishte nënshtruar kohët e fundit një rinovimi në shkallë të gjerë, por askush nuk e kishte kontrolluar qëndrueshmërinë e tendës. Opozita dhe disa media të pavarura folën për korrupsion, dhe studentët shpejt iu bashkuan.

“Mendoj se kjo ishte pika e fundit që e derdhi kupën”, thotë Jelena Popadiç, një studente nga Novi Sadi, me të cilën DW foli disa herë gjatë vitit. “Vjedhja ka ndodhur këtu për aq kohë sa njerëzit janë mësuar me të, në një mënyrë të çuditshme. Por tani korrupsioni ka kushtuar jetë njerëzish.”

Kryengritje e brezit Z
Pas tragjedisë u zhvilluan tubime përkujtimore në të gjithë vendin, në mes të kryqëzimeve, gjithmonë në orën 11:52 të paradites. Menjëherë pas kësaj, filluan bllokadat e të gjitha universiteteve shtetërore. Studentët u organizuan në të ashtuquajturat seanca plenare, bazuar në parimin e demokracisë së drejtpërdrejtë.

Vuçiç, figura kryesore e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, një parti “gjithëpërfshirëse” pa një ideologji të qartë që manovron midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës – fillimisht u habit nga shkalla e kryengritjes. Por ai nuk ishte i vetmi: Në Serbi, brezi Z, e cila më parë konsiderohej politikisht e painteresuar, po ngrihej për herë të parë.

“Përveç mobilizimit të qytetarëve dhe më të moshuarve, ata ia dolën mbanë edhe me mobilizimin e të rinjve”, thotë Vladan Djokic, Rektor i Universitetit të Beogradit. “Ata madje iu drejtuan njerëzve më të rinj se vetja – nxënësve të shkollave të mesme, madje edhe nxënësve të shkollave fillore. Kjo jep shpresë se brezat e ardhshëm do të kujdesen për shoqërinë tonë dhe do të kontribuojnë në mënyrë aktive për një shtet më të mirë dhe më demokratik, ku sundimi i ligjit është më shumë sesa thjesht një fjalë”, theksoi Djokic në një intervistë me revistën javore Vreme.

Presidenti Vuçiç fillimisht iu përgjigj këtij kundërshtari të ri dhe të paparashikueshëm me një përzierje kërcënimesh dhe lëshimesh, ndërroi qeverinë dhe u premtoi të rinjve kredi të lira për strehim. Por nga perspektiva e studentëve, pika më e rëndësishme mbeti e paplotësuar: një hetim i drejtë për shembjen e çatisë dhe publikimi i të gjithë dokumentacionit mbi rinovimin e stacionit.

Sulme brutale nga policia
Që nga vera, kur bllokadat e universiteteve përfunduan dje qeveria u hoqi pagat e profesorëve, akuzat kundër policisë për sulme brutale janë shtuar. Dhjetëra protestues paqësorë janë rrahur, ndërsa të tjerë kanë qenë në paraburgim për muaj të tërë, të akuzuar për përpjekje për të përmbysur “rendin kushtetues”.

Në një intervistë të kohëve të fundit me Frankfurter Allgemeine Zeitung, Vuçiç përsëri nuk paraqiti prova për një komplot të madh nga agjencitë perëndimore të inteligjencës – por ai e la të nënkuptohej përsëri: “Unë kurrë nuk thashë se gjithçka ishte organizuar nga jashtë. Por është financuar mirë nga jashtë, sepse këta njerëz nuk kanë para të mjaftueshme për ta paguar vetë”, tha Vuçiç. “Për shembull, këta studentë që kanë bllokuar universitetet duhet të hanë gjithashtu tre herë në ditë.”

BE-ja spektatore?
Për një kohë të gjatë, Bashkimi Evropian heshtte për aludime të tilla, pasi ishte e lehtë të punohej me Vuçiçin. Njohës të situatave në Ballkan thonë, se kjo për shkak të gatishmërisë së tij për të bërë kompromis për çështjen e Kosovës – dhe se ai i premtoi Gjermanisë litium serb dhe gjysmë-fshehurazi furnizoi Ukrainën me armë dhe municione, pavarësisht “miqësisë së tij tradicionale” me Rusinë.

Por tani edhe kjo po ndryshon. Partia Popullore Evropiane (PPE) po shqyrton statusin e asociuar të partisë së Vuçiçit në aleancën konservatore. Gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd, Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, mbeti dukshëm e ftohtë ndaj Vuçiçit.

Kjo qeveri as nuk po e çon Serbinë drejt BE-së dhe as nuk po zbaton reformat e nevojshme, thotë Naim Leo Besiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane, një OJQ me seli në Beograd. “Kjo është arsyeja pse njerëzit kanë qenë në rrugë për një vit. Sepse çdo ditë ka dikë në forcat e policisë që rreh njerëz – dhe e di se nuk do të shihet kurrë si përgjegjës”, tha Besiri për DW. Por për sa kohë që nuk del një alternativë e qartë politike ndaj Vuçiçit, BE-ja do ta ketë të vështirë të bashkëpunojë me askënd tjetër përveç qeverisë aktuale serbe.

Studentët përgatisin lista zgjedhore
Shumë veta besojnë se kjo alternativë mund të vijë nga radhët e studentëve. Nga protestat në rrugë dhe bllokadat e universiteteve, ata tani janë zhvendosur drejt politikës tradicionale – dhe po kërkojnë zgjedhje të reja. Vuçiç deri më tani e ka hedhur poshtë këtë, por lë të kuptohet se kjo mund të ndodhë vitin e ardhshëm.

Presidenti i monitoron nga afër sondazhet e opinionit. Një listë profesorësh, intelektualësh dhe aktivistësh të të drejtave civile që po përpilohet aktualisht nga studentët është qartësisht në kryesim – edhe pse zyrtarisht nuk ekziston ende. Por një kryesim në sondazhe nuk ka shumë rëndësi në Serbi. Qeveria ka fituar qartë të gjitha zgjedhjet në vitet e fundit – jo vetëm sepse kontrollon sektorin publik dhe mobilizon ose zhvat votat e atyre që janë të punësuar atje.

Studentët nuk dekurajohen. Ata janë të përgatitur të mbrojnë çdo fletë votimi sa herë që mbahen zgjedhjet. Ata vazhdojnë të distancohen nga opozita e vendosur në Serbi, e cila është e fragmentuar, e dobët dhe i mungon shumë besimi.

Çfarë i dallon ato nga protestat e mëparshme, të dështuara kundër sundimit të Vuçiçit? “Mendoj se ndryshimi qëndron te njerëzit. Njerëzit e kanë kuptuar se është tani ose kurrë”, thotë studentja Jelena Popadiç. “Ata nuk do të dorëzohen. Të rinjtë nuk kanë asgjë për të humbur. Jeta këtu thjesht nuk ka kuptim. Ky është shansi ynë i fundit.

Një tjetër tubim masiv është planifikuar për të shtunën, më 1 nëntor, në Novi Sad – ku gjithçka filloi me një tragjedi një vit më parë. Autoritetet kanë paralajmëruar tashmë për dhunë të dyshuar të afërt – një paralajmërim që studentët e interpretojnë si një kërcënim të maskuar të dhunës policore. Por ata nuk janë të frikësuar./DW

Zjarr dhe të shtëna pranë Kuvendit të Serbisë, një i plagosur

Tym del nga një kamp tendash të mbështetësve të Qeverisë para Kuvendi serb, 22 tetor 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Një person është plagosur si pasojë e të shtënave të mërkurën pranë Kuvendit të Serbisë në Beograd gjatë një incidenti ku shpërtheu edhe zjarri në një tendë aty pranë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar këtë incident si “akt terrorist”.

Duke folur në një ceremoni për nënshkrimin e një kontrate për ndarjen e fondeve për blerjen e shtëpive rurale, Vuçiq tha se i duhej të largohej nga kjo ngjarje për shkak të “aktit terrorist para Kuvendit të Serbisë”.

Ndërkohë, zjarri në tendë u shua rreth mesditës pasi ndërhynë zjarrfikësit dhe tymi që dilte nga tenda u zhduk pothuajse plotësisht, raportoi një gazetar i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Policia ende nuk ka njoftuar zyrtarisht se çfarë ka ndodhur dhe çfarë e shkaktoi zjarrin që shpërtheu në tendat e vendosura në zonën që ruhet vazhdimisht nga policia.

Oficerë dhe zjarrfikëse pranë një kampi tendash të mbështetësve të Qeverisë para Kuvendit serb.

Oficerë dhe zjarrfikëse pranë një kampi tendash të mbështetësve të Qeverisë para Kuvendit serb.

Radio Televizioni i Serbisë raportoi se policia e arrestoi një burrë para Kuvendit, nën dyshimin se e ka plagosur me armë zjarri një burrë tjetër.

Shërbimi i ambulancës e konfirmoi më parë se një person është transportuar në Qendrën e Emergjencës.

Tenda – një nga disa që u vendosën këtë vit nga mbështetësit e Vuçiqit gjatë protestave kundër Qeverisë – u dogj plotësisht nga zjarri, i cili u shoqërua me tym të dendur.

Oficerët e policisë, anëtarët e ekipit të mjekësisë ligjore dhe zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje.

Policia bllokoi hyrjen dhe nuk lejoi kalimin para Kuvendit.

Këto tenda u vendosën nga studentë që e përshkruanin veten si “studentët që duan të studiojnë”, të cilët e kundërshtojnë bllokimin e fakulteteve nga grupe studentësh që kërkojnë përgjegjësi për aksidentin në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, në vitin 2024, kur vdiqën 16 njerëz.

Ato u ngritën në “Parkun e Pionierëve” – pranë ndërtesës së Presidencës Serbe, ku ndodhet vendi i punës i kreut të shtetit dhe ish-presidentit të Partisë Progresive Serbe, Vuçiq – tri ditë para një proteste të madhe studentore në Beograd më 15 mars.

Zona e këtij parku prej atëherë ka qenë e paarritshme për përdorim publik, e rrethuar nga një gardh metalik dhe e ruajtur vazhdimisht nga policia.

Vdiq Nebojsha Pavkoviq, i dënuar për krime lufte në Kosovë

Radio Evropa e Lirë

Ish-gjenerali i Ushtrisë së Jugosllavisë dhe i dënuari i Hagës, Nebojsha Pavkoviq, vdiq në moshën 79-vjeçare në Beograd, raporton Radio Televizioni i Serbisë.

Pavkoviq, si komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, u dënua nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999.

Ai e vuajti dënimin në një burg në Finlandë.

Me kërkesë të Qeverisë së Serbisë, Pavkoviq u lirua para kohe më 28 shtator, për shkak të shëndetit të tij të dobët.

Trajtimin, pastaj, e vazhdoi në Akademinë Ushtarake Mjekësore në Beograd.

Nga viti 2000 deri më 2002, Pavkoviq shërbeu si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave.

Më 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s në Republikën e atëhershme Federale të Jugosllavisë, ai ishte komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave.

Në vitin 2009 u shpall fajtor në Hagë për të gjitha akuzat që e ngarkonin: dëbime, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutime të civilëve shqiptarë nga Kosova, në gjysmën e parë të vitit 1999.

Vendimi i shkallës së parë u konfirmua në vitin 2014.

Në maj të vitit 2022, Mekanizmi Ndërkombëtar në Hagë e hodhi poshtë kërkesën e Pavkoviqit për lirim të parakohshëm, për shkak të “peshës së madhe të krimeve të tij” dhe “mungesës së rehabilitimit”.

Aktakuza kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë u ngrit në fund të vitit 2003, dhe në vitin 2005 ai u ekstradua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë, Sreten Llukiq, dhe ish-zëvendëskryeministri i Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.

Pavkoviq dhe Llukiq u dënuan me nga 22 vjet burg secili, ndërsa Ojdaniq dhe Llukiq me nga 15 vjet secili.

Beogradi dhe Moska nënshkruajnë memorandum për thellimin e bashkëpunimit

Radio Evropa e Lirë

Zyrtarët e Beogradit dhe Moskës e kanë nënshkruar të hënën një memorandum për thellimin e bashkëpunimit midis kryeqyteteve të Serbisë dhe Rusisë.

Dokumenti u nënshkrua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Moskës në Beograd”.

Serbia, e cila thotë se synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, vazhdon të jetë një nga partnerët e paktë evropianë të Kremlinit edhe pothuajse katër vjet pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të fqinjit të vet, Ukrainës.

Memorandumi i Bashkëpunimit midis kryeqyteteve të Serbisë dhe Rusisë u nënshkrua nga presidenti i Asamblesë së Beogradit, Nikolla Nikodijeviq, dhe ministri i Qeverisë së Moskës dhe shefi i Departamentit për Ekonomi të Jashtme dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Sergey Cheryomin.

Nikodijeviq deklaroi se memorandumi duhet të mundësojë bashkëpunim të mëtejshëm në fushat e transportit, kulturës, arsimit dhe sportit.

“Është shumë e rëndësishme për ne që një qytet kaq i madh si Moska, një nga qytetet më të mëdha evropiane, dëshiron të ketë bashkëpunim të ngushtë me qytetin e Beogradit”, tha ai në një konferencë për shtyp.

“Unë besoj se memorandumi që nënshkruam sot do të jetë njëfarë ‘bilete hyrëse’ në tregun rus për shumë nga biznesmenët tanë, por edhe se Beogradi dhe Serbia do të sigurojnë kështu investime të reja nga Rusia”, tha Nikodijeviq.

Nikodijeviq vlerësoi se memorandumi i mëparshëm dhjetëvjeçar i bashkëpunimit kishte përmirësuar marrëdhëniet midis dy kryeqyteteve.

“Në të njëjtën kohë, në këtë mënyrë ne ‘ua hapëm derën’ biznesmenëve tanë që kishin bashkëpunim me kompani nga Moska dhe e gjithë Rusia”, shtoi ai.

Zyrtari i Moskës Sergei Cheryomin kujtoi ngjarjen e parë “Ditët e Moskës në Beograd” në vitin 2016.

Një vit më vonë, në kryeqytetin rus u mbajtën “Ditët e Beogradit në Moskë”.

“Situata politike në vitet e fundit nuk na ka lejuar të vazhdojmë me të njëjtën frymë, por falë përpjekjeve të qytetit të Beogradit dhe klimës së favorshme që mbizotëron këtë vit, ne po e ripërtërijmë këtë traditë”, tha Cheryomin.

Memorandumi i Bashkëpunimit midis kryeqyteteve u nënshkrua në 81-vjetorin e çlirimit të Beogradit nga pushtimi nazist në Luftën e Dytë Botërore.

Qyteti u çlirua bashkërisht nga forcat e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike dhe Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Jugosllavisë.

Serbia thotë se ka arrestuar një shtetas shqiptar pasi iu gjetën flamuj të UÇK-së

Flamuj të UÇK-së dhe Shqipërisë shihen në një protestë në Prishtinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

 

Radio Evropa e Lirë

Autoritetet në Serbi thanë se kanë arrestuar një shtetas të Shqipërisë nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “nxitjes së urrejtjes mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se anëtarët e ministrisë që ai drejton në Prokuple, në bashkëpunim me Doganat e Serbisë, arrestuan D.P. (1972) nga Shqipëria.

Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe më pas Prokuroria e Lartë Publike në Prokuple do të paraqesë aktakuzën ndaj tij, u tha në njoftim.

Sipas autoriteteve serbe, Policia serbe në pikëkalimin kufitar Merdarë, që lidh Kosovën me Serbinë, gjatë kontrollit të një furgoni që drejtohej nga A.P. nga Kosova, gjeti pesë çanta ku gjendeshin “22 bluza, 244 flamuj, 86 kapela me mbishkrimin UÇK, 65 triko me figurën e Adem Jasharit dhe Agim Ramadanit, 58 shall me stemën e Shqipërisë dhe 92 kapele” me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Dyshohet se këto ishin planifikuar të përdoreshin dhe ekspozoheshin në ndeshjen që do të mbahet në Leskovc mes ekipeve të futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë”, tha Ministria e Brendshme Serbe.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999. Në Serbi, ajo konsiderohet organizatë terroriste.

Ndeshja futbollistike mes Serbisë dhe Shqipërisë do të mbahet në Leskovc më 11 tetor, duke nisur nga ora 20:45.

Shqipëria dhe Serbia janë pjesë e Grupit K për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Botëror 2026, së bashku me Letoninë, Andorrën dhe Anglinë.

Ndeshja e parë, që u luajt në qershor në Arena Kombëtare në Tiranë, përfundoi pa gola.

Shqipëria aktualisht gjendet në vendin e dytë në tabelë me 8 pikë, ndërkaq Serbia gjendet në vendin e tretë me 7 pikë të grumbulluara.

Shtetasit e dy vendeve janë të përfshirë në rivalitet të madh, që ka në themel tensionet historike dhe etnike, sidomos lidhur me konfliktin në Kosovë dhe historinë më të gjerë të Ballkanit. Serbia vazhdon të mos njohë shtetësinë e Kosovës.

Ndeshja e parë në Tiranë kaloi pa ndonjë incident të madh, përveç disa rasteve kur tifozët kanë hedhur gjësende në fushë, por që nuk kanë ndikuar në vazhdimin e lojës.

Federata e Futbollit e Serbisë njoftoi më 3 tetor se, për arsye sigurie, biletat për ndeshjen në Leskovc nuk do të jenë në shitje, por do të shpërndahen “për komunitetin e futbollit përmes ndarjes nëpër asociacione rajonale, klube, nxënës të shkollave të futbollit dhe prindërit që i shoqërojnë ata, organizata profesionale të futbollit, sponsorë zyrtarë dhe të ftuar të Federatës serbe”.

Ky vendim u arsyetua “kryesisht për shkak të përvojës së keqe” nga viti 2014, kur ndeshja mes këtyre dy përfaqësueseve në Beograd u ndërpre pasi mbi stadiumin e Partizanit u shfaq një dron që mbante mbishkrimin “Autoktonë” mbi një hartë të “Shqipërisë së Madhe”.

Kjo bëri që të shpërthente një përleshje mes lojtarëve të të dyja ekipeve, pas së cilës disa tifozë hynë në fushë dhe sulmuan lojtarët mysafirë, ndërsa futbollistët shqiptarë u larguan nga fusha dhe refuzuan të vazhdonin ndeshjen.

Fillon zbatimi i sanksioneve të SHBA-së kundër industrisë serbe të naftës, NIS

Ndërtesa e zyrave të Industrisë së Naftës së Serbisë në Beograd, 22 shtator 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara e kanë filluar mëngjesin e së enjtes zbatimin e sanksioneve kundër Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, për shkak se Rusia është pronarja shumicë e kompanisë, raportoi Radio Televizioni i Serbisë.

NIS-i tha në një komunikatë lidhur me sanksionet se “prioritetet, si më parë, mbeten furnizimi i rregullt i tregut vendas me produkte nafte, si dhe ruajtja e stabilitetit social të punonjësve”.

“NIS-i ka siguruar furnizime të mjaftueshme me naftë për përpunim në këtë kohë, ndërsa pompat e karburanteve furnizohen rregullisht me të gjitha llojet e produkteve të naftës”, u njoftua.

Kjo kompani paralajmëroi se, në rast se kartelat e huaja për pagesë pushojnë së funksionuari, pagesa në pikat e karburantit do të jetë e mundur me kartela vendase, me para në dorë, si dhe me metodën “IPS show”.

Në lidhje me shitjen me shumicë, kompania deklaron se është e gatshme t’i përmbushë “të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj partnerëve të biznesit, duke përfshirë klientët e korporatave dhe klientët e mëdhenj”.

“Kartelat e pagesës së klientëve të korporatave po funksionojnë pa probleme”, shtoi ajo.

NIS-i shtoi se, në bashkëpunim me partnerët, Qeverinë e Serbisë dhe aksionarët, po punon për ta tejkaluar këtë gjendje.

Shtetet e Bashkuara e vendosën NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse, Gazprom Neft, me qëllim të parandalimit të Rusisë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.

Zbatimi i sanksioneve ishte shtyrë tetë herë, herën e fundit deri më 8 tetor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 7 tetor se Beogradi do të diskutonte me Rusinë çështjen e sanksioneve kundër industrisë serbe të naftës.

“Nuk kemi më për çfarë të flasim me amerikanët. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë punën e tyre dhe Evropa do të mbështesë sanksionet amerikane”, tha Vuçiq.

Në shtator, NIS paraqiti një kërkesë të ndryshuar tek autoritetet amerikane për heqjen nga lista SDN (Shtetas të Përcaktuar Specialisht), i cili, siç deklaruan ata, është një proces i gjatë dhe kompleks, dhe kërkesa fillestare u dërgua më 14 mars të këtij viti.

Ndërkohë, struktura e pronësisë së NIS ka ndryshuar disa herë, por ajo është ende në pronësi të shumicës së kompanive ruse.

Gazprom doli nga NIS-i në shtator dhe një kompani tjetër e kontrolluar nga Gazprom – Intelligence nga Shën Petersburgu – u bë një nga pronarët kryesorë.

Intelligence Joint Stock Company u bë pronare e 11.3 për qind të aksioneve të kompanisë, sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të Bursës së Beogradit më 21 shtator.

Pjesën më të madhe të aksioneve në NIS e mban ende Gazprom Neft, një degë e Gazprom (44.9 për qind), ndërsa shteti i Serbisë ka 29.9 për qind të aksioneve.

Aksionet e mbetura mbahen nga aksionarë të vegjël.

Në janar, Vuçiq hodhi poshtë mundësinë e shtetëzimit të NIS-it, duke shtuar se Serbia “nuk do të marrë pjesë në sekuestrimin e pronës ruse”.

Pasojat e mundshme të sanksioneve amerikane do të jenë vështirësitë në furnizimin e naftës së papërpunuar në Serbi dhe eksportimin e karburantit, çmimet më të larta të derivateve të naftës, mungesat dhe problemet në transaksionet e pagesave, thanë më parë ekspertët për Radion Evropa e Lirë.

NIS-i tashmë po regjistron humbje operative. Në raportin e saj financiar të publikuar në gusht, u tha se kompania operoi me një humbje prej 30 milionë euro në fund të gjysmës së parë të vitit, për shkak, ndër të tjera, të sanksioneve të SHBA-së.

Pasojat mund të ndihen edhe në vendet e rajonit ku vepron NIS-i.

NIS-i është e vetmja kompani në Serbi e angazhuar në kërkimin, prodhimin, rafinimin dhe prodhimin e naftës.

Ajo ishte në pronësi të shtetit deri në vitin 2008, kur Serbia shiti 51 për qind të aksioneve të NIS-it te Gazprom Neft për 400 milionë euro.

Tri vjet pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, Serbia mbetet e varur nga Rusia në aspektin e energjisë.

Kjo varësi ishte një nga argumentet kryesore që autoritetet në Beograd të mos zbatonin sanksionet perëndimore kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës, pavarësisht thirrjeve dhe paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni.

(EMRAT) Greqi, zbulohen 1.1 ton kanabis dhe arsenal luftarak, në pranga 3 burra dhe 3 gra nga Shqipëria

Një operacion i policisë greke në bashkëpunim me forcat speciale EKAM, ka zbuluar një sasi tepër të madhe droge në Greqi bashkë më arsenal armësh, duke çuar në arrestimin e 6 shqiptarëve.

Grupi kriminal kishte kultivuar drogë në Greqi dhe kishte arritur të nxirrte prodhimin, ndërkohë që tregtonte edhe kokainë dhe drogëra të tjera sintetike. Operacioni i policisë u zhvillua në zona të ndryshme të Athinës dhe Arkadias.

Kreu i grupi kriminal ishte 39-vjeçari Fatjon Prendi, ndërsa pas tij në hierarki vinte 36-vjecari Elson Ndreca. Si bashkëpunëtorë të tyre në ruajtje dhe magazinimin e drogës, parave, celularëve dhe transportin e kreut të grupit, u vunë në pranga dhe 35-vjeçarja Brisejda Cami, 73-vjeçarja Pashke Gega dhe 35-vjeçarja Zoje Ndoj. Në pranga gjatë operacionit ra edhe 50-vjeçari Arben Mashi, të cilit iu gjet dhe sekuestrua një thikë, ndërkohë që rezultoi se jetonte në mënyrë të paligjshme në Greqi.

Gjatë operacionit u sekuestruan nga policia greke 1 ton e 161 kg kanabis, 1640 rrënjë kanabisi, 4.3 gram kokainë, 3.5 gram ketaminë, 10 gram kristal methamfetaminë MDMA, 9 tabela ekstazi, nga shitja e të cilave parashikohej një fitim prej 8 milionë euro.

Gjatë kontrollove policia greke gjeti dhe sekuestroi edhe 2 pistoleta, 1 Kallashnikov, 1 granatë, 134 fishekë, 1 thikë, 4 peshore elektronike, 3 automjete, 17 celularë, 12.250 euro false, 120 euro, 1900 lekë, 70 paund, 22 dollarë amerikanë, 10 dollarë kanadezë dhe 20 franga zvicerane.

Sipas burimeve policore, Fatjon Prendi rezulton me precedentë penalë në Greqi për tentativë vrasje dhe grabitje në bashkëpunim dhe ndodhej në masën detyrim paraqitje, ndërsa Arben Mashi rezulton me precedentë penalë për organizatë kriminale, drogë e armë si dhe shkelje të ligjit mbi emigrantët. bw

Autoritetet malazeze po hetojnë incidentet me armë zjarri në kufirin mes Malit të Zi dhe Kosovës

Qendra e skijimit Shtedim pranë kufirit Mali i Zi – Kosovë

 

Sllavica Brajoviq, Sandra Cvetkoviq

Policia malazeze dhe Prokuroria në Rozhajë janë duke hetuar dy incidente në kufirin mes Malit të Zi dhe Kosovës – një në korrik të vitit të kaluar dhe një tjetër më 24 gusht të këtij viti – kur u dëmtuan objektet e qendrës së skijimit Hajlla-Shtedim nga të shtëna me armë zjarri.

Në të dyja rastet, Policia dhe Prokuroria dyshojnë se të shtënat janë kryer nga territori i Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Rozhajë, Aldin Kallaç.

Objektet e qendrës së skijimit, që ndodhen pranë kufirit kosovaro-malazez në territorin e Rozhajës dhe janë ende në ndërtim e sipër, po ruhen nga Policia që nga korriku.

Prokuroria në Rozhajë kishte hapur tashmë një rast për incidentin e korrikut të vitit 2024, kur në objektin e teleferikut u gjetën vrima plumbash.

Pas gjetjes së dëmtimeve të reja në teleferik në fund të gushtit të këtij viti, Prokuroria i ka kërkuar Policisë të mbledhë të dhëna për të hapur rast edhe për këtë incident.

“Drejt fundit të gushtit janë vërejtur tri dëmtime në kabinën e qendrës së skijimit nga armë zjarri. Policia ka ndërmarrë veprime për t’i zbuluar autorët, por rrethanë rënduese mbetet fakti se veprimi është kryer nga territori i Republikës së Kosovës”, tha Kallaç.

Ai shtoi se Policia është ende duke mbledhur informacione dhe se është kërkuar bashkëpunim edhe nga Policia e Kosovës.

“Përmes institucioneve ndërkombëtare, Policisë së Kosovës i janë dërguar kërkesa për bashkëpunim dhe identifikimin e autorëve. Por, deri tani nuk kemi marrë përgjigje. Pas mbledhjes së të gjitha informacioneve do të hapet rast i plotë”, theksoi Kallaç për REL-in.

Fadil Gashi nga Policia e Kosovës për rajonin e Pejës i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka asnjë informacion për incidente të sigurisë në kufirin me Malin e Zi, duke theksuar se policia rajonale është më shumë e angazhuar “për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike”, e jo për incidente ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe drejtorisë qendrore të Policisë së Kosovës me pyetjen nëse kanë ndonjë informacion lidhur me rastin dhe është në pritje të përgjigjes. Për të njëjtën çështje, përgjigje pritet edhe nga Qeveria e Kosovës.

Nga ana tjetër, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, i tha Radios Evropa e Lirë se mban kontakte me autoritetet lokale në Rozhajë, konkretisht me kryetarin Rahman Husoviq, por se askush nuk e ka informuar për këto dyshime apo për incidentet e ndodhura.

“Tani po e dëgjoj nga ju. Askush nuk më ka kontaktuar, askush nuk ka raportuar asgjë. Kryetarin e Rozhajës e kam parë për herë të fundit në qershor, por nuk kam marrë asnjë ankesë. Para shtatë-tetë ditësh kam qenë në Plavë, mund të më thoshin diçka, por askush nuk më ka thënë asgjë”, tha ai.

Incidentet në qendrën e skijimit, çështje edhe në Kuvendin Komunal të Rozhajës

Në seancën e Kuvendit Komunal të Rozhajës, të mbajtur më 18 shtator, shefi i Departamentit të Sigurisë në këtë komunë, Vlladimir Delleviq, ka deklaruar se në qendrën e ardhshme të skijimit Hajlla-Shtedim janë regjistruar disa incidente, përfshirë një më i rëndë më 24 gusht të këtij viti.

Ai ka konfirmuar se incidente kishte pasur edhe në korrik të vitit të kaluar dhe se që nga 9 korriku i këtij viti, Policia po e ruan qendrën e skijimit 24 orë në ditë, pasi kishin “informacione operative se e gjithë infrastruktura mund të rrezikohej”.

“Incidenti ka ndodhur më 24 korrik 2024, kur nga territori i shtetit fqinj u përdor armë zjarri dhe u dëmtua konstrukti metalik pranë portës së sipërme të qendrës së skijimit në ndërtim e sipër”, tha Delleviq.

Për incidentin e 24 gushtit të këtij viti, ai shtoi se rasti “mund ta tejkalojë kuadrin e një incidenti të sigurisë dhe të ngrihet në nivel diplomatik”.

“Sapo është përpiluar një raport për këtë dhe është dorëzuar te drejtori. Ai dhe ministri i Punëve të Brendshme do t’i drejtohen Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila do të marrë masa… të cilat nuk i di”, tha Delleviq.

Për incidentin e vitit të kaluar opinioni publik nuk ishte njoftuar, po ashtu as për ruajtjen e qendrës nga Policia që prej korrikut të këtij viti, dhe as për incidentin e gushtit të fundit.

Ministritë e Punëve të Brendshme dhe të Jashtme, si dhe Drejtoria e Policisë, nuk janë prononcuar për këtë çështje. Radio Evropa e Lirë u ka dërguar pyetje të gjitha këtyre institucioneve.

Qendra e ardhshme e skijimit ndodhet në territorin rreth të cilit kishte pasur mosmarrëveshje kufitare

Qendra e ardhshme e skijimit ndodhet në një zonë që dhjetë vjet më parë ishte në qendër të kontestit mes Malit të Zi dhe Kosovës për demarkacionin e kufirit. Një pjesë e politikanëve në Kosovë atëherë pretendonin se vendi kishte humbur rreth tetë mijë hektarë tokë.

Mali i Zi dhe Kosova, në gusht të vitit 2015, nënshkruan në Vjenë marrëveshjen për demarkacionin, duke u bazuar në kufirin 80 kilometra të gjatë të përcaktuar me Kushtetutën e ish-Jugosllavisë Socialiste Federative të vitit 1974.

Marrëveshja ngjalli reagime të ashpra të opozitës dhe banorëve të fshatrave përgjatë kufirit, të cilët pretendonin se Kosova po humbiste mijëra hektarë tokë.

Lëvizja Vetëvendosje, në atë kohë opozitare dhe e udhëhequr nga Albin Kurti – sot kryeministër në detyrë – organizoi protesta duke kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen.

Ndërsa Mali i Zi e ratifikoi marrëveshjen në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës e miratoi atë tri vjet më vonë, në mars të vitit 2018.

Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin ishte një nga kushtet e fundit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ndërtimi i qendrës së skijimit nisi para shtatë vjetësh

Ndërtimi i qendrës së skijimit Hajlla-Shtedim ka filluar në fund të vitit 2018.

Deri tani janë përfunduar rreth 80 për qind e punimeve, ndërsa më herët ishin ndërtuar shtatë kilometra rrugë deri te pistat e skijimit. Afatet për përfundimin e projektit janë tejkaluar disa herë.

Në vitin 2023, Qeveria ndau rreth dhjetë milionë euro për punimet në qendrën e skijimit në Rozhajë.

Më 29 shtator të këtij viti, nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Boshnjake, Mirsad Nurkoviq, deklaroi se Qeveria, në mbledhjen e asaj dite, kishte ndarë edhe 1.6 milion euro shtesë për këtë qendër skijimi.

Me këtë, investimet e këtij viti arrijnë në gjithsej 4.1 milionë euro, sqaroi Nurkoviq në një komunikatë të Partisë Boshnjake.

Radio Evropa e Lirë

Vuçiqi në OKB: Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit në OKB. 24 shtator 2025

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara tha se Kosova është “pjesë e pandashme e Serbisë” dhe “shtylla kryesore e identitetit, kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore” të Serbisë.

“Për ne, serbët, ajo nuk është thjesht një copë toke, por djep i shpirtit tonë dhe e ekzistencës sonë në këtë tokë”, tha Vuçiq.

Sipas tij, serbët në Kosovë po jetojnë në “kushte dramatike”.

“Atyre po u mohohen të drejtat themelore njerëzore: e drejta për jetë, për lëvizje, për arsim dhe për përkujdesje shëndetësore. Atyre u mohohet qasja në vendin e punës dhe në pronë”, pretendoi udhëheqësi serb.

Që nga viti fillimi i vitit, Kosova ka nisur mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, të cilat i konsideron paralele dhe të jashtëligjshme.

Këto veprime të autoriteteve kosovare kanë hasur në kundërshtim të komunitetit serb dhe janë përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka cilësuar si veprime të pakoordinuara.

Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Vuçiq i bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të “marrë hapa konkretë dhe të vendosur” për të ndalur, siç tha ai, dhunën në Kosovë.

Gjithashtu, udhëheqësi serb deklaroi se “Serbia beson në dialogun” që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008, të cilën Serbia refuzon që ta njohë. Mbi 100 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës përfshirë 22 nga 27 shtete të Bashkimit Evropian, ku Kosova dhe Serbia synojnë të anëtarësohen.

Dy shtetet zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve që nga viti 2011. Procesi, që lehtësohet nga BE-ja, ka prodhuar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur viteve të fundit dhe që nga shtatori i vitit 2023, palët nuk kanë zhvilluar asnjë rund të dialogut në nivel politik, por vetëm runde në nivele të kryenegociatorëve.

Rundi i fundit i dialogut në nivel politik u mbajt disa ditë para sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Në përvjetorin e dytë të sulmit, për të cilin Prishtina e fajëson Beogradin, autoritetet në Kosovë kërkuan ekstradimin e Radoiçiqit dhe të përfshirëve të tjerë në Banjskë.

Vitin e kaluar, Kosova ngriti aktakuzë kundër 45 të dyshuarve për sulmin në Banjskë, ndërsa vetëm tre nga këta të akuzuar janë duke u gjykuar në Prishtinë, pasi të tjerët janë të paarritshëm për autoritetet kosovare. Që të tre i mohojnë akuzat.

Rreth situatës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Republikën Sërpska

Gjatë fjalimit në OKB, Vuçiq theksoi se stabiliteti rajonal është “me rëndësi të madhe për Serbinë” dhe se Serbia, si garantuese e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila u nënshkrua para 30 vjetësh, “gjithmonë do të punojë për zbatimin e saj të plotë dhe respektimin e të drejtave të tre popujve në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

“Veprimet njëanshme dhe keqpërdorimi i autoritetit, në kundërshtim me marrëveshjen, nuk kontribuojnë në paqe dhe sjellin tensione të reja”, deklaroi udhëheqësi serb.

Ai shtoi se Serbia “do të përdorë të gjitha mjetet diplomatike” për të parandaluar veprimet njëanshme në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjithashtu, Vuçiq theksoi se “prej 30 vjetësh”, në Kombet e Bashkuara dhe kudo tjetër, “po zhvillohet një fushatë e rreme kundër Serbisë dhe Republikës Sërpska, entitetit në Bosnje e Hercegovinë.

“Në të gjithë botën, pafundësisht mund të keni dëgjuar, siç do të thoshin ‘nga burime të mirinformuara’, se ishte çështje kohe kur Serbia do të sulmonte dikë në rajon dhe se Republika Sërpska dhe udhëheqja e saj do të cenonin integritetin territorial të Bosnjës”, tha Vuçiq, duke shtuar se “gjithë këtë kohë, kjo ka qenë një gënjeshtër”.

Qeveria në Beograd mbështet Millorad Dodikun, ish-presidentin e Republikës Sërpka, të cilit Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës dhe Hercegovinës i hoqi mandatin e presidentit të entitetit, pas një vendimi të formës së prerë të Gjykatës së Bosnjës, për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar në këtë shtet.

Vetë Vuçiq takohet shpesh me Dodikun, i cili është mysafir i shpeshtë në manifestimet shtetërore që organizohen në Serbi.

Protestat antiqeveritare në Serbi

Vuçiq e shfrytëzoi fjalimin e tij në OKB për të komentuar edhe për protestat antiqeveritare që po zgjasin tash e disa muaj në Serbi, përmes së cilave po kërkohet shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, kërkesë që autoritetet refuzojnë.

Protestat udhëhiqen nga studentët, të cilët për muaj të tërë kanë bllokuar fakultetet, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad më 2024.

“Pavarësisht dhunës së treguar nga demonstruesit, ne përpiqemi të gjejmë një pjesë të rëndësishme të fajit te vetja jonë dhe te ne që drejtojmë vendin. Desha të dëgjoj dhe të kuptoj mesazhin e protestuesve, dhe prandaj edhe nga këtu u ofroj dialog, sepse nuk ka alternativë tjetër”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se “ofron dialog dhe diskutim të pakushtëzuar mbi të gjitha çështjet e rëndësishme për shoqërinë tonë për njerëzit që mendojnë ndryshe”.

“Dhe jam absolutisht i sigurt se gjatë periudhës së ardhshme do të tejkalojmë të gjitha vështirësitë e muajve të kaluar”, tha Vuçiq.

Gjatë protestave antiqeveritare, në disa raste ka pasur përplasje midis policisë dhe demonstruesve. Pjesëmarrësit në protestat antiqeveritare dhe opozita kanë akuzuar policinë për përdorim të tepruar të forcës, akuzë që autoritetet i mohojnë.

Nga Bashkimi Evropian, ku Serbia synon të bëhet anëtare, disa herë është bërë thirrje për uljen e tensioneve.

Vuçiq flet edhe për palestinezët, Izraelin dhe Charlie Kirkun

Situata në Gaza dhe zgjidhja e konflikteve me Izraelin kanë zënë një pjesë të rëndësishme të zyrtarëve gjatë fjalimeve në OKB.

Në fjalimin e tij, Vuçiq tha shkurt se palestinezët dhe izraelitët “janë miq të Serbisë”.

“Të dy janë miqtë tanë dhe as nuk dua të marr anën e dikujt duke folur për të mirët dhe të këqijtë vetëm për të fituar ndonjë pikë politike”, tha ai.

Si president i Serbisë, ai e ofroi Beogradin si “vend për dialog për të gjitha palët e përfshira në konflikt”.

Një pjesë e fjalimit të Vuçiqit iu kushtua edhe Charlie Kirk, aktivistit konservator që u vra. Kirk, 31-vjeçar, ishte aleat i ngushtë i presidentit amerikan, Donald Trump.

“Ai u vra në mënyrë çnjerëzore vetëm sepse idetë e tij nuk i pëlqenin vrasësit”, tha udhëheqësi serb.

Seanca e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara zhvillohet 80 vjet pas themelimit të kësaj organizate ndërkombëtare, që bashkon 193 shtete të botës.

Reagim për praninë e Osmanit në OKB

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha se Serbia ka dorëzuar një notë proteste OKB-së për pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara.

Pas fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme, Vuçiq u tha gazetarëve se Osmani mund të hyjë në sallën kryesore të Asamblesë së Përgjithshme “vetëm në rast të një vizite turistike” dhe vlerësoi se kjo do të mbetet kështu “për shumë vite”.

Osmani po qëndron në OKB, ku po zhvillon takime me zyrtarë nga vende të ndryshme, përfshirë zyrtarë të lartë amerikanë.

Gazprom-i rus del praktikisht nga pronësia e NIS-it

Radio Evropa e Lirë

Gjiganti rus i gazit, Gazprom, ka dalë praktikisht nga pronësia e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), pasi aksionet e tij janë marrë nga kompania ruse, Intelligence, tregojnë të dhënat e publikuara në ueb-faqen e Bursës së Beogradit.

Gazprom, i cili nuk është përfshirë nga sanksionet amerikane që kërcënojnë NIS-in, për shkak se një pjesë të madhe të tij zotëron Gazprom Neft, i cili është nën sanksione, ka transferuar rreth 11.3% të aksioneve të NIS-it tek Intelligence.

Tash për tash, nuk dihet nëse kompania Intelligence është nën sanksione.

NIS-i është në rrezik të vihet nën sanksionet e SHBA-së, të cilat janë shtyrë gjashtë herë gjatë këtij viti, për shkak të lidhjes me Gazprom Neft-in, i cili është nën sanksionet e Perëndimit, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Pas vendosjes së sanksioneve, Gazprom Neft ka transferuar rreth 5% të aksioneve të tij te kompania mëmë, Gazprom, duke bërë që pjesëmarrja e tij në NIS të bjerë nën 50%.

Nga ana tjetër, Gazprom ka pasur rreth 11% të aksioneve.

Sipas dokumenteve të publikuara në Bursën e Beogradit, shoqëria aksionare Intelligence nga Shën Petersburgu ka kaluar pragun e një pjesëmarrjeje të konsiderueshme prej 10%, duke blerë pak më shumë se 11.3% të aksioneve të NIS-it.

Sot, pjesëmarrja e Gazprom Neft-it në NIS është rreth 44.9%, shteti i Serbisë ka 29.9%, ndërsa pjesa tjetër u përket aksionarëve më të vegjël.

Gazprom Neft është në pronësi të gjigantit rus të naftës, Gazprom, i cili kontrollon rreth 95% të aksioneve të degës së tij të specializuar në naftë dhe derivatet e saj.

Lajmi për ndryshimin e strukturës së pronësisë në NIS u publikua për herë të parë të dielën nga revista serbe, Nedelnik.

Më 19 shtator, NIS-i njoftoi se ka dorëzuar një kërkesë të re pranë Departamentit të Thesarit të SHBA-së për shtyrjen e zbatimit të sanksioneve ndaj kompanisë.

Sanksionet ndaj NIS-it u vendosën më 10 janar, për shkak të lidhjes së kompanisë me Gazprom Neft-in, që krijonte një “rrezik sekondar”, por zbatimi i tyre u shty gjashtë herë, pas kërkesave të NIS-it.

Për herë të fundit, ato u shtynë deri më 26 shtator.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të premten se nuk është i sigurt se a është e mundshme që sanksionet ndaj NIS-it të shtyhen përsëri.

“Kam frikë se kjo nuk do të ndodhë më dhe kam frikë se do të jemi në një situatë jashtëzakonisht të vështirë. Do të bëj çmos gjatë bisedimeve me Marco Rubion [sekretarin amerikan të Shtetit]”, tha Vuçiq, i cili këtë javë do të qëndrojë në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku, sipas njoftimit të tij, pritet të takohet me Rubion.

Në janar, Vuçiq tha se kërkohet “dalja e plotë e Rusisë nga pronësia e NIS-it”, gjë që do të kërkonte transformim të pronësisë.

Drejtori i ndërmarrjes Srbijagas, Dushan Bajatoviq, tha në fillim të gushtit se Serbia do ta blinte kompaninë, por se pala ruse thotë se NIS-i nuk është në shitje.

Beogradi i mbështet akuzat e Rusisë për ndërhyrjen e Brukselit në protesta në Serbi

Protesta e studentëve në Beograd, 15 mars 2025.

 

Nevena Bogdanoviq

Akuza nga Kremlini kundër Bashkimit Evropian (BE), por pa asnjë provë.

Ky është thelbi i mesazhit të shërbimeve sekrete ruse, të cilat i akuzojnë BE-në dhe vendet e saj anëtare se qëndrojnë prapa protestave antiqeveritare në Serbi.

Teksa më 1 nëntor shënohet përvjetori i vdekjes së 16 njerëzve në aksidentin që nxiti protestat masive, Kremlini i përshkruan si “trushpëlarë” mijëra qytetarë që kërkojnë llogaridhënie nga pushteti.

Në një njoftim të Shërbimit të Jashtëm Informativ të Rusisë (SVR) më 15 shtator, thuhet “veprimtaria subversive” e Brukselit është hedhur në veprim.

Studentët që kanë bllokuar fakultetet dhe që udhëheqin protestat, përshkruhen si “të rinj të radikalizuar” që po kalojnë nga protestat paqësore drejt metodave “revolucionare” të përleshjes dhe dhunës.

“Sfondi i liberalizmit evropian synon ta sjellë në pushtet në vendin më të madh të Ballkanit një udhëheqje të bindur dhe besnike ndaj Brukselit”, thuhet në deklaratën e SVR-së.

Ivana Strander, bashkëpunëtore e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, vlerëson se Kremlini vazhdon ta mbështesë regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili vazhdimisht refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës që nga viti 2022.

“Presidenti rus Vladimir Putin po e shfrytëzon Ballkanin për të anashkaluar sanksionet dhe për të financuar makinerinë e luftës. Po ashtu, Putinit i përshtatet kaosi në Ballkan dhe Vuçiq e ndihmon në këtë drejtim”, tha ajo.

Mohimi nga Brukseli

Brukseli i ka hedhur poshtë akuzat e Kremlinit.

“Akuzat se BE-ja apo vendet anëtare nxisin protestat thjesht nuk qëndrojnë”, tha Komisioni Evropian për televizionin N1.

“Kjo është edhe një përpjekje tjetër e Rusisë për të përhapur dezinformata dhe retorikë armiqësore politike kundër BE-së, vendeve të saj anëtare dhe shteteve kandidate. Na vjen keq që kjo narrativë po amplifikohet fuqishëm në shumë media serbe”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Që nga fillimi i protestave masive kundër Qeverisë në Serbi, Brukseli ka mbajtur një qëndrim të rezervuar.

BE-ja së fundmi ka kërkuar ndalimin e valës së fundit të dhunës, e cila u pasqyrua në përplasjet mes policisë dhe protestuesve, si dhe në përplasjet mes mbështetësve të pushtetit dhe opozitës në disa qytete të Serbisë.

Hulumtuesi nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd, Vuk Vuksanoviq, vlerëson se është e vështirë të akuzohet BE-ja, kur shumë protestues shprehin “zemërim dhe frustrim ndaj heshtjes që vjen nga Brukseli – përjashtuar deklaratat e komisares Marte Kos dhe debatin në Parlamentin Evropian”.

“Rusia do ta shfrytëzojë çdo rast për ta ‘sulmuar’ BE-në, e cila për ta, në këtë moment, është pjesa më e urryer e Perëndimit, madje më shumë se Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Trumpit”, tha ai.

Ndërkohë, Ivana Stradner thekson se, ndërsa Kremlini akuzon Brukselin për përpjekje për të rrëzuar pushtetin në Serbi, ekzistojnë dëshmi për ndërhyrje të Rusisë dhe për bashkëpunimin e saj me regjime autoritare anembanë globit.

“Rusia ka ndihmuar regjime autoritare si Bjellorusia, Venezuela, apo satelitët e saj në Gjeorgji”, tha ajo.

Rusia si “partnere” e Vuçiqit

Në reagimin e parë zyrtar të Beogradit, Aleksandar Vuçiq i quajti shërbimet sekrete ruse “partnerë”.

“Vuçiq në publik mbështetet te Rusia dhe e akuzon Perëndimin për ‘revolucion me ngjyra’, ndërsa pas dyerve të mbyllura do të përpiqet të sigurojë që qeveritë perëndimore të mos ia kthejnë shpinën në mes të krizës politike në Serbi”, vlerëson Vuk Vuksanoviq.

Presidenti i Serbisë, që nga fillimi i protestave, ka përsëritur narrativen ruse për një të ashtuquajtur “revolucion me ngjyra”.

Me këtë term, zyrtarët rusë i kanë përshkruar kryengritjet në ish-republikat sovjetike kundër regjimeve autoritare, duke akuzuar Perëndimin për ndërhyrje.

Paralelisht, Beogradi po forcon marrëdhëniet me Moskën, e cila përballet me izolimin nga Perëndimi.

Vuçiq ka paralajmëruar se shërbimet e sigurisë të Serbisë do të kenë “kontakte shtesë” me shërbimet sekrete ruse pas deklaratës së tyre.

“Kjo është një provë serioze për Evropën. Nëse Evropa nuk është në gjendje ta disiplinojë një lider si Vuçiqi, si do ta disiplinojë Putinin?”, pyet Ivana Stradner.

Si një “përpjekje përfundimtare për revolucion me ngjyra”, pa ofruar prova, shërbimi rus ka përmendur datën 1 nëntor – përvjetorin e aksidentit që ndezi protestat.

Vuçiq deklaron se autoritetet serbe “janë shumë më të përgatitura” dhe se “gjërat janë ndryshe” krahasuar me fillimin e demonstratave.

Për dallim nga mosreagimi fillestar i policisë në rrugë, muajt e fundit është vënë re përdorimi i forcës.

Protestuesit e akuzojnë policinë për dhunë dhe shtypje, ndërsa shteti këmbëngul se po vepron “në përputhje me ligjin”.

“Shtypja nga Vuçiqi në Serbi duket sikur është marrë nga ‘manuali’ i shërbimit rus, veçanërisht pasi Vuçiq synon të kontrollojë tërësisht hapësirën informative dhe të përdorë forcën kundër qytetarëve”, tha Stradner.

Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Jashtme nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me pretendimet e shërbimit rus.

Studentët me mesazh për Vuçiqin në rusisht

Nga llogaria zyrtare e studentëve në bllokadë, për momentin nuk ka reagim ndaj akuzave të shërbimeve sekrete ruse.

Por, për Radion Evropa e Lirë kanë folur studentët e Fakultetit të Elektroteknikës në Beograd, të cilët ndodhen në bllokadë.

Siç thonë ata, tashmë janë mësuar me përpjekjet për diskreditimin e lëvizjes studentore.

“Sepse regjimi ka muaj të tërë që përpiqet në çdo mënyrë ta diskreditojë lëvizjen tonë”, shtojnë ata.

Duke hedhur poshtë akuzat ruse, studentët i përshkruajnë ato si një “skenar” të pushtetit.

“Një skenar që ata e luajnë bashkë me të vetmit partnerë ndërkombëtarë të gatshëm të pranojnë lojëra të tilla – e këta janë pikërisht partnerët nga vende po aq diktatoriale”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

“Faktin që ‘informacionet’ e supozuara të shërbimit sekret janë shpërndarë publikisht, e shohim si dëshmi për këtë”, theksojnë studentët.

Ndërkohë, një fakultet i ka dërguar presidentit Vuçiq një mesazh në gjuhën ruse:

“Kërkesat tona janë të qarta: shpall zgjedhje, mos përdor shërbimet e huaja për të ngritur popullaritetin tënd – kjo do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë”, thuhet në reagimin e studentëve të Fakultetit Juridik në Nish, të cilët gjithashtu ndodhen në bllokadë.

Këto dy fakultete ishin mes dhjetëra institucioneve të bllokuara nga studentët në fund të vitit 2024 – me kërkesën kryesore për ndëshkimin e përgjegjësve për vdekjen e 16 personave gjatë shembjes së çatisë së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.

Kërkesa më e fundit e drejtuar autoriteteve është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Duke mohuar përgjegjësinë për tragjedinë, Vuçiq dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit refuzojnë të shpallin zgjedhje.

Reagime të ashpra nga opozita në Serbi

Akuzat e autoriteteve ruse kanë nxitur reagime të forta nga një pjesë e opozitës proevropiane në Serbi.

Partia Demokratike i cilësoi ato si “fyerje për qytetarët dhe gënjeshtër”.

“Këtu nuk ka asnjë plan të jashtëm, asnjë ‘majdan’ dhe asnjë komplot. Ekziston vetëm vullneti i qytetarëve të Serbisë për t’i dhënë fund korrupsionit, vjedhjes dhe diktaturës”, theksoi DS-ja.

Kryetari i Partisë së Lirisë dhe të Drejtësisë, Dragan Gjilas, vlerësoi se shërbimi rus, “me shpikjen e ‘majdanit serb’, edhe një herë e ka mbështetur me forcë regjimin e Vuçiqit”.

Ai kujtoi se autoritetet ruse kishin lëshuar një deklaratë të ngjashme edhe gjatë protestave antiqeveritare në fund të vitit 2023, të cilat shpërthyen pas akuzave se pushteti, i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe, kishte manipuluar zgjedhjet.

Akuza ndaj mediave

Shërbimi i jashtëm rus ka përpiluar gjithashtu një listë të mediave të pavarura në Serbi, duke i akuzuar ato për “indoktrinimin e të rinjve serbë”.

Pa ofruar burime, pretendon se ato financohen nga Brukseli.

Pavol Salaj, nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, vlerëson se shërbimi rus po akuzon padrejtësisht mediat e pavarura në Serbi.

“Meqë shërbimi sekret rus po merret me represion transnacional në një vend kandidat për anëtarësim në BE, institucionet dhe shtetet anëtare nuk duhet të qëndrojnë të heshtura”, tha Salaj për Radion Evropa e Lirë.

Në mesin e mediave të përmendura janë agjencia FoNet, javori Vreme dhe disa media lokale, si RAM, Južne vesti, Slobodna reč, Boom93, Podrinske, FreeMedia e Novi Pazarit, SOinfo, FAR, Storyteller, si dhe organizata joqeveritare Link.

“Mbulimi i gazetarëve si ‘vegla të ndikimit të huaj’, pa asnjë provë, nuk është vetëm i pabazë, por paraqet edhe kërcënim për sigurinë e tyre dhe për lirinë e ushtrimit të profesionit”, tha për Radion Evropa e Lirë Maja Sever, kryetare e Federatës Evropiane të Gazetarëve.

“Çdo sulm ndaj tyre është njëkohësisht edhe sulm ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar saktë dhe paanshëm”, shtoi ajo.

Përveç reagimeve nga Brukseli, edhe përfaqësues të shoqatave të gazetarëve kanë kërkuar përgjigje nga autoritetet serbe, ndërkohë që tabloidet pranë pushtetit në Serbi, pas deklaratës ruse, kanë filluar të targetojnë mediat e pavarura lokale.

Aktakuzë ndaj 13 personave pas shembjes së çatisë së Stacionit Hekurudhor, mes tyre ish-ministri Goran Vesiq

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria e Lartë në Novi Sad ka ngritur aktakuzë kundër trembëdhjetë personave në lidhje me shembjen e mbulesës së stacionit hekurudhor në këtë qytet, ku humbën jetën 16 persona dhe një tjetër u plagos rëndë.

Në mesin e të akuzuarve është edhe ish-ministri i Ndërtimtarisë, Goran Vesiq.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se aktakuza është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer vepra penale të kualifikuara si “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” sipas Kodit Penal.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës së Lartë në Novi Sad që të caktojë paraburgim për të akuzuarit, duke u thirrur në shqetësimin e madh publik që mund të cenojë zhvillimin e qetë dhe të drejtë të procesit gjyqësor, si dhe për shkak të rrezikut të përsëritjes së veprës penale.

Aktakuza përfshin ish-zyrtarë të Ministrisë së Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, ish-drejtorë të kompanisë “Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë”, projektues të konstrukteve, inxhinierë përgjegjës për projektin e lejes së ndërtimit, mbikëqyrës të punimeve, si dhe persona përgjegjës për kontrollin teknik dhe ekzekutimin e punimeve.

Sipas aktakuzës, përgjegjësit kanë lejuar përdorimin e objektit publik – ndërtesës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, krahu B – edhe pse punimet e rindërtimit ishin ende në zhvillim dhe objekti nuk kishte marrë lejen e përdorimit. Përveç kësaj, ata akuzohen për mosmirëmbajtjen e strukturës para rindërtimit dhe për parregullsi gjatë fazës së projektimit dhe ekzekutimit të punimeve.

“Për mbrojtjen e interesave të të dëmtuarve, prokuroria ka propozuar që gjykata t’u njohë kërkesat pasurore-juridike palëve të autorizuara. Gjithashtu është propozuar që të gjithë të akuzuarve t’u ndalohet ushtrimi i funksioneve dhe veprimtarive përkatëse, si dhe të detyrohen të mbulojnë shpenzimet e plota të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Pak ditë pas shembjes së mbulesës, Goran Vesiq dha dorëheqje, duke deklaruar se nuk ndihej fajtor, por se po vepronte si “njeri i përgjegjshëm”. Ai tha se gjatë mandatit të tij ishte përgatitur vetëm projekti përfundimtar i punimeve në stacionin hekurudhor, i cili, sipas tij, nuk miratohej nga ministria që ai drejtonte.

Vesiq dhe zyrtarë të tjerë kishin theksuar menjëherë pas tragjedisë se mbulesa e shembur nuk ishte përfshirë në projektin e rekonstruksionit të stacionit.

Vetëm katër muaj pas përfundimit të punimeve dhe hapjes solemne, në nëntor 2024, shembja e mbulesës së ndërtesës së stacionit hekurudhor shkaktoi vdekjen e 16 personave dhe plagosjen e rëndë të një tjetri.

Kjo tragjedi ndezi një valë protestash masive kundër qeverisë në mbarë Serbinë. Gjatë nëntë muajve të fundit, qindra mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë me kërkesën kryesore që të vendoset përgjegjësia penale dhe politike për këtë ngjarje.

Në qendër të protestave kanë qenë akuzat se shembja e mbulesës ishte pasojë e korrupsionit.

Serbi- Studentët paralajmëronë protestë masive në Novi Sad, forcat policore të Vuçiç rrethojnë fakultetet

Një protestë e madhe me temën “Serbi, a mund të dëgjohemi?” do të mbahet sonte në Novi Sad të Serbisë, ndërsa tubime mbështetëse janë planifikuar në disa qytete të vendit.

Tubimi në Novi Sad fillon në orën 19:00, ndërsa para fillimit të protestës, forca të forta policore tashmë po mbërrijnë në kampusin e Universitetit të Novi Sadit.

Arsyeja e protestës, të thirrur nga studentët në bllokadë, është, sipas tyre, shkelja e autonomisë së Universitetit dhe prania e policisë në ndërtesat e Fakultetit të Filozofisë dhe Fakultetit të Sportit dhe Edukimit Fizik.

Fakulteti i Filozofisë, nga i cili studentët u përjashtuan dhjetë ditë më parë, sipas mediave serbe është plot me policë, dhe anëtarët e Njësisë së Ndërhyrjes dhe të Xhandarmërisë mund të shihen përmes dritareve të hapura. bw

Ndërtimi i kabllit nënujor me vlerë 1,9 mld euro Greqi-Qipro-Izrael, Zyra e Prokurorit Publik Evropian nis hetimet! Më i gjati dhe më i thelli në botë

Zyra e Prokurorit Publik Europian po heton vepra të mundshme penale që lidhen me ndërtimin e një kabulli nënujor të energjisë elektrike të financuar nga BE, me vlerë 1.9 miliardë euro (1.2 miliardë paund), që lidh Europën dhe Mesdheun lindor, raportoi “Reuters”.

 

Zyra e prokurorit konfirmoi se hetimi ishte duke vazhduar, duke thënë se “nuk mund të jepen detaje të mëtejshme në këtë kohë, në mënyrë që të mos rrezikohet rezultati i tij”.

Kompania greke e shërbimeve IPTO po ndërton kabllon e Ndërlidhjes së Detit të Madh (GSI) për të lidhur rrjetet elektrike të Europës me ato të Qipros, me një qëllim të ardhshëm për ta zgjeruar atë në Izrael. Projekti ka pësuar vonesa të shumta dhe Nikosia ka kërkuar sqarime mbi koston dhe qëndrueshmërinë e tij. Greqia përsëriti angazhimin e saj ndaj projektit në mars, pas raportimeve se ai ishte pezulluar për shkak të shqetësimeve ekonomike dhe gjeopolitike.

Por çfarë thonë Athina dhe Nikosia?

Të mërkurën, Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, tha se Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO) kishte hapur një hetim për “vepra të mundshme penale”.

Në Greqi, IPTO nuk ka komentuar, ndërsa një zëdhënës i qeverisë tha se nuk ka pasur shqetësime. Piotr Serafin, Komisioneri i BE-së për Financat dhe Kundër Mashtrimit në Qipro, refuzoi të komentojë të enjten, duke përmendur pavarësinë e Zyrës së Prokurorit Publik Europian, duke vënë në dukje se nuk ishte në dijeni të ndonjë shqetësimi nga zyra e tij në lidhje me projektin.

Sipas promovuesve të projektit të ndërlidhjes së energjisë elektrike, kur të përfundojë, lidhja do të jetë “kabulli më i gjatë i tensionit të lartë në botë”, me gjatësi 1,240 kilometra dhe kabulli më i thellë në botë, duke arritur në 3,000 metra. Panorama

Vuçiqi paralajmëron blerje të mundshme armësh nga Kina, kritikon fqinjët

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në Pekin, Kinë, 2 shtator 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të mërkurën se pjesëmarrjen e tij në paradën ushtarake në Pekin e shfrytëzoi për të parë se “çfarë do të ishte me interes për t’u blerë për nevojat e ushtrisë serbe, në mënyrë që ajo të jetë një faktor parandalues ndaj çdo agresori të mundshëm nga fqinjësia”.

“Nuk është rastësi që Prishtina, Zagrebi dhe Tirana formuan një aleancë ushtarake. Dhe ata nuk e bënë atë për shkak të Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por për shkak të Serbisë. Ata e bënë kundër Serbisë”, tha Vuçiq për gazetarët në Pekin.

Ai theksoi se Serbia “nuk do ta prekë askënd”, por se po e forcon ushtrinë e saj për ta “ruajtur integritetin territorial”.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan më 18 mars një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Qeveria kroate bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se deklarata e tri shteteve nuk synon krijimin e ndonjë aleance ushtarake.

Duke folur për paradën ushtarake të ushtrisë kineze dhe blerjen e mundshme të armatimeve nga ajo, Vuçiq tha se Serbia nuk është e interesuar për raketat balistike dhe hipersonike kineze, por se Kina ka avionë shumëfunksionalë të nivelit të lartë dhe helikopterë modernë.

Lideri serb u tha gazetarëve në Pekin se pati takime me përfaqësues të 11 kompanive, me të cilët bisedoi edhe për prezantimin dhe përdorimin e makinave fluturuese në Serbi.

“Kompanitë janë nga fusha të ndryshme. Përdorimi i inteligjencës artificiale do të ketë shumë rëndësi për ne në të ardhmen”, tha Vuçiq.

Duke komentuar bisedimet me përfaqësuesit e kompanisë kineze Zijin, ai tha se Serbia është e interesuar për blerje të mëtejshme të arit nga kjo kompani, e cila është pronare shumicë e Kompleksit Minierë-Trajtim Metalurgjik Bor.

“Patëm takime me kompani të rëndësishme energjetike. Biseduam me kompaninë Xpeng për makinat fluturuese. Besoj se vitin e ardhshëm, deri më 1 dhjetor, do të mund t’u tregojmë njerëzve se si funksionojnë në Serbi dhe se do të jenë në përdorim gjatë ekspozitës Ekspo2027 në Beograd”, tregoi ai.

Ai shtoi se gjatë vizitës në Kinë është takuar me 12 liderë botërorë, përfshirë presidentin e Azerbajxhanit Ilham Alijev, presidentin e Indonezisë Prabovo Subjanto dhe kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico.

Vuçiq dhe kryeministri i Sllovakisë ishin të vetmit liderë evropianë që morën pjesë në Pekin në paradën ushtarake me të cilën Kina shënoi 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Të ftuar të liderit kinez Xi Jinping ishin presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe krerë të tjerë shtetesh e qeverish, përfshirë ata nga Bjellorusia, Irani dhe vende të tjera.

“Vdekja e Greqisë”, postimi i Elon Muskut mbi demografinë dhe mbylljen e shkollave lëshon alarmin në vendin fqinj

Postimi i Elon Muskut rreth “tragjedisë” së Greqisë shkaktoi sensacion, duke komentuar krizën demografike që po çon në mbylljen e qindra shkollave.

Konkretisht, Musk e ribotoi postimin në faqen e internetit Visegrad24, e cila citon një fragment nga artikulli i Financial Times në lidhje me mbylljen e 700 shkollave për shkak të mungesës së fëmijëve.

Postimi i Musk

“Më shumë se 700 shkolla janë mbyllur në Greqi për shkak të krizës së zgjatur demografike.

Greqia ka një nga normat më të ulëta të fertilitetit në Bashkimin Evropian – rreth 1.3 lindje për grua. Popullsia po plaket me shpejtësi, ndërsa të rinjtë po largohen masivisht nga vendi.

“Gjatë vitit shkollor 2025-2026, 721 shkolla do të mbyllen, pasi nuk arritën pragun minimal prej 15 nxënësish të kërkuar për të qëndruar të hapura”, thuhet në publikimin e ripostuar nga Elon Musk. bw

Dhjetëra mijëra njerëz nëpër rrugët e Beogradit kërkojnë zgjedhje dhe ndryshim të qeverisë

Demonstrues antiqeveritarë në një protestë të thirrur në Beograd nga nxënësit e shkollave të mesme, më 1 shtator 2025.

 

Shërbimi i Ballkanit i REL-it

Dhjetëra mijëra qytetarë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, morën pjesë më 1 shtator në një marshim përkujtimor gjatë një proteste kundër qeverisë, të thirrur nga nxënësit e shkollave të mesme, në kuadër të një bllokade në ditën e parë të vitit shkollor.

Tubimi përfundoi në Sheshin e Republikës, në qendër të Beogradit, me vendosjen e kurorave dhe trëndafilave të bardhë për 16 viktimat e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad. U mbajt gjithashtu një heshtje 16-minutëshe në nderim të viktimave.

Arsyeja e kësaj proteste, e cila u mbajt në disa qytete të Serbisë, ishte fakti se kanë kaluar dhjetë muaj nga shembja e strehës, një incident që çoi në protesta masive në Serbi dhe bllokada të institucioneve të arsimit të lartë. U bë thirrje për zgjedhje të parakoshme, për hetime transparente ndaj përgjegjësve për incidentin, si dhe për institucione e media të lira.

Porositë nga protesta në Beograd për mediat, drejtësinë e kulturën

Protestuesit e mbledhur në Beograd u ndalën shkurtimisht në disa vende gjatë këtij marshimi.

Para godinës së gazetës ditore Politika dhe të Radio Beogradit, u mbajt një fjalim i regjistruar ku thuhej se “media e lirë po vdes”.

“Ne kujtojmë, nuk heshtim”, thuhej aty.

Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, nga një altoparlant i improvizuar u dëgjua një fjalim i incizuar, ku thuhej se “gjyqësori është një pushtet i pavarur në Serbi vetëm në librat tanë shkollorë”.

Rojet parandaluan incidente në një pjesë të marshimit, kur kolona kaloi pranë një rruge dhe parku, ku ishin vendosur çadrat proqeveritare, raportoi Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL).

Një kamp i përkohshëm i mbështetësve të qeverisë ishte ngritur më 12 mars në Parkun Pionir, pranë Presidencës së Serbisë.

Edhe policia ishte e pranishme në atë zonë.

Ekipi i REL-it në terren raportoi se disa demonstrues hodhën gurë drejt policisë dhe atyre të mbledhur para çadrave, por gjithçka kaloi pa incidente.

Protestuesit më parë u ndalën pranë godinës së Qendrës Kulturore Studentore (QKS), nga e cila studentët u dëbuan gjatë bllokadës në korrik, si dhe para Ministrisë së Arsimit.

Para ndërtesës së QKS-së u tha se, nën qeverinë aktuale, “kultura është bërë mjet për promovim politik”.

Tubimi filloi në Sheshin Sava në Beograd, ku përmes altoparlantit u lexuan emrat e 16 personave që humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Gjatë leximit të emrave, 16 nxënës të shkollave të mesme i dorëzuan simbolikisht trëndafila të bardhë nxënësve që udhëhiqnin kolonën.

Nxënësit e shkollave të mesme në bllokadë e kishin thirrur protestën përmes rrjeteve sociale me mesazhin: “Nxënësit e shkollave të mesme kujtojnë.”

Radio Evropa e Lirë bisedoi me disa nga pjesëmarrësit e protestës.

Milica nga Gjimnazi Filologjik tha se mori pjesë në protestë sepse prindërit e saj kanë luftuar për të njëjtin qëllim prej 30 vitesh, dhe se ajo po e merr këtë betejë përsipër.

“Dua ta vazhdoj shkollimin këtu dhe të ndihmoj ta rregulloj Serbinë”, u shpreh ajo.

Sanja Tasiq i tha REL-it se ajo ishte në protestë “për të njëjtën arsye si edhe të tjerët”.

“Le të kërkojmë ndryshime që ende nuk kanë ndodhur. Ne kërkojmë sundimin e ligjit, barazi për të gjithë, një shoqëri të drejtë”, tha ajo.

Dejani deklaroi se “herë pas here duhet të dalim, të mblidhemi, të tregojmë që asgjë nuk është zgjidhur”. “Ajo që është nisur duhet të përfundohet”, u shpreh ai.

Beograd, 1 shtator 2025.

Beograd, 1 shtator 2025.

Disa mijëra njerëz në Novi Sad

Protesta në Novi Sad përfundoi pranë godinës së stacionit hekurudhor, ku ndodhi aksidenti më 1 nëntor 2024.

Demonstruesit nderuan viktimat me një heshtje 16-minutëshe, raportoi ekipi i REL-it.

Më herët, disa mijëra njerëz kishin marshuar në heshtje nga Universiteti i Novi Sadit deri tek stacioni hekurudhor, në një protestë të organizuar gjithashtu me thirrjen e nxënësve të shkollave të mesme.

Kolona u kryesua nga nxënësit e shkollave të mesme që kishin thirrur tubimin, ndërsa sigurinë e saj e ruanin fermerë me traktorë dhe motoçiklistë.

Tubimi filloi në kampusin e Universitetit të Novi Sadit, ku u lexuan emrat e viktimave në stacionin hekurudhor me mesazhin: “Nuk do të harrojmë dhe nuk do të heqim dorë”.

Po atë ditë, studentë dhe qytetarë në disa qytete të Serbisë nderuan 16 personat që humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të rikonstruktuar të Novi Sadit.

Dhjetë muaj nga shembja e strehës

Aksidenti në stacionin hekurudhor çoi në protesta masive në gjithë Serbinë, duke kërkuar që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për këtë ngjarje.

Qeveria mohoi përgjegjësinë për aksidentin, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq refuzoi të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat studentët protestues i kishin kërkuar në maj.

Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad ngriti aktakuzën për rastin e strehës më 30 dhjetor, por Gjykata e Lartë në Novi Sad e ktheu atë “për përpunim të mëtejshëm” në mes të prillit, duke shpjeguar se “nevojitej një sqarim më i mirë i çështjes për të shqyrtuar themelin e saj”.

Kjo e ktheu procedurën sërish në fazën e hetimit.

Në një rast tjetër, Prokuroria për Krim të Organizuar njoftoi më 1 gusht se kishte arrestuar 11 persona të dyshuar për korrupsion në lidhje me projektin e modernizimit të hekurudhës nga Novi Sadi deri në kufirin hungarez. Pjesë e këtij projekti ishte edhe rikonstruksioni i stacionit hekurudhor të Novi Sadit.

Përveç ish-ministrit të Ndërtimit, Tomisllav Momiroviq, i cili u arrestua më 1 gusht, në proces përfshihet edhe ish-ministri Goran Vesiq, i cili ndodhet në trajtim spitalor.

Mediat raportuan më 15 gusht se të gjithë të dyshuarit ishin dërguar në arrest shtëpiak.

Paralajmërimi i kryeministrit të Kroacisë: Serbia është në prag të luftës civile

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka thënë se Serbia është në prag të luftës civile. Gjatë një diskutimi në panel të liderëve në Forumin Strategjik të Bledit, teksa foli për situatën politike në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat që shoqërojnë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ai poashtu tha se Serbia është në prag të luftës civile.

 

“Këto protesta të vazhdueshme kanë vazhduar praktikisht për më shumë se dy vjet, gjë që është ende një situatë e pazakontë. Kjo është arsyeja pse e thashë më shumë për audiencën që nuk i ndjek të gjitha detajet, mos mendoni se njerëzit nga Perëndimi i ndjekin detajet siç i njohim ne, kështu që le t’u japim atyre një ide të vogël se sa e kushtueshme duket e gjitha në të vërtetë, dhe veçanërisht si është dukur në muajt e fundit. Mos mendoni se po e mbështes një skenar të tillë, sepse po e përshkruaj ftohtësisht”, deklaroi Plenkoviç.

Protestat kanë nisur prej muajsh në Serbi, me kërkesë kryesore përcaktimin e përgjegjësisë për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

Studentët që kanë protestuar masivisht i konsiderojnë të pashmangshme zgjedhjet e reja, pasi thonë se pushteti aktual nuk ka bërë asgjë lidhur me përgjegjësinë për tragjedinë në Novi Sad. Panorama

Kroacia dërgon në paraburgim dy të arrestuarit për spiunazh, Kosova e gatshme të bashkëpunojë

Radio Evropa e Lirë

Kroacia ka shqiptuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për spiunazh për Serbinë, teksa autoritetet në Kosovë thanë se janë të gatshme të bashkëpunojnë për këtë rast, pasi “veprimtaria e të arrestuarve është zhvilluar në Kosovë”.

Prokuroria e Qarkut në Split njoftoi më 28 gusht se pas pranimit të kallëzimit penal nga Sektori i Pavarur për çështje të policisë ushtarake një ditë me herët, ka ndërmarrë veprimet e para hetimore dhe ka nxjerrë vendim për fillimin e hetimeve kundër një shtetasi të Republikës së Kroacisë (i lindur më 1971) për veprën penale të spiunazhit, dhe kundër një shtetaseje të Republikës së Serbisë (e lindur më 1979) për të njëjtën vepër penale.

Po ashtu, “me vendim të Prokurorisë së Qarkut në Split është caktuar fshehtësia e tërë e hetimit, me arsyetimin se publikimi i të dhënave nga procedura mund të dëmtojë zhvillimin e hetimeve”.

Sipas medias kroate, Index, piloti korat J.I. dhe e dashura e tij, A.M. serbe nga Mitrovica e Veriut dyshohen se kanë spiunuar për Serbinë. Është raportuar se ajo kishte punuar në Misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit, EULEX.

Sipas Index-it, që u thirr në burime, dyshohet se piloti kroat, i angazhuar në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij, të cilat ajo më pas ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe.

Lista Serbe është partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Prokuroria e Qarkut në Split i ka propozuar gjyqtarit të hetimeve të Gjykatës së Qarkut në Split caktimin e paraburgimit për të pandehurin e parë, për shkak të rrezikut të ndikimit mbi dëshmitarët dhe të përsëritjes së veprës penale, ndërsa për të pandehurën e dytë për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët dhe përsëritjes së veprës penale.

“Gjyqtari i hetimeve e ka pranuar pjesërisht kërkesën e prokurorisë dhe ka caktuar paraburgim për të pandehurin e parë për shkak të rrezikut të ndikimit mbi dëshmitarët, si dhe për të pandehurën e dytë për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimit mbi dëshmitarët”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Qarkut në Split.

“Megjithatë, për të dy të pandehurit është refuzuar propozimi për paraburgim lidhur me rrezikun e përsëritjes së veprës penale. Prokuroria e Qarkut në Split ka njoftuar se do të parashtrojë ankesë kundër pjesës së vendimit me të cilën është refuzuar kërkesa e saj”.

Radio Evropa e Lirë u ka drejtuar pyetje KFOR-it për këtë rast, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se “duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit”.

Ndërkaq, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, pas seancës së Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 28 gusht, u pyet nga gazetarët lidhur me këtë rast. Ai u përgjigj shkurt se as ai dhe as ndonjë eksponent tjetër i Listës Serbe nuk e njeh A.M., duke mohuar që ndokush prej tyre të ketë pasur lidhje me të.

Dyshime të forta për spiunazh te Lista Serbe, arrestohet piloti kroat i KFOR dhe e dashura e tij serbe

Një shtetase serbe nga Mitrovica dhe partneri i saj, anëtar i Forcave Ajrore të Kroacisë, janë arrestuar në ishullin Vis nën dyshimin se kanë spiunuar për Serbinë.

Hetimi ndaj tyre është zhvilluar nga policia kroate në bashkëpunim me Europolin. Sipas burimeve të gazetës kroate Index, dyshimet janë se piloti kroat i ka siguruar të dashurës së tij informacione konfidenciale, të cilat më pas ajo i ka përcjellë te Lista Serbe.

Të dy të dyshuarit u intervistuan të mërkurën, ndërsa pritet vendimi gjyqësor ndaj tyre. Mediat kroate raportojnë se piloti ka qenë i angazhuar edhe në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe dyshohet se i ka zbuluar partneres së tij detaje mbi lëvizjet e trupave ndërkombëtare dhe të komunitetit serb në veri të Kosovës, duke filluar nga fundi i vitit 2022.

Hetuesit po ashtu dyshojnë se informacionet përfshinin të dhëna sensitive lidhur me komunën e Zubin-Potokut, zonë e njohur për tensione, bllokada dhe përplasje mes serbëve lokalë dhe autoriteteve të Kosovës.

Çifti akuzohet gjithashtu për shkëmbim informacionesh lidhur me transferimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i arrestuar në dhjetor të vitit 2022 për sulmet ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut.

Arrestimi i tij atëkohë shkaktoi protesta dhe ngritjen e barrikadave në Jarinjë e Bërnjak për gati tri javë, duke tensionuar situatën në veriun e Kosovës.

E dyshuara serbe, e cila kishte punuar për një kompani të huaj në Serbi dhe më parë ishte angazhuar si reportere nga Mitrovica, dyshohet se ka qenë ndërmjetëse në përcjelljen e informacionit te Lista Serbe. Hetuesit kanë gjetur komunikime të shumta në telefonat e tyre që lidhen me aktivitete spiunazhi. bw

Bosnje: Bllokohet propozimi i Cvijanoviqit për ta nominuar Trumpin për Çmimin Nobel

Anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Denis Beqiroviq, Zhelka Cvijanoviq dhe Zhelko Komshiq.

 

Radio Evropa e Lirë

Anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Denis Beqiroviq, kanë refuzuar të përfshijnë në agjendën e Presidencës një iniciativë të anëtares, Zhelka Cvijanoviq për ta nominuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqe, raporton Televizioni publik i Republikës Sërpska.

Cvijanoviq ka bërë të ditur më parë se ajo do ta nominojë Trumpin për Çmimin Nobel në Komitetin e Nobelit.

“Presidenti amerikan e meriton këtë nominim sepse, përmes angazhimit të tij diplomatik dhe autoritetit personal, ai ka arritur rezultate që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe kanë kontribuuar në stabilizimin e shumë krizave në botë”, ka thënë ajo në letrën e përgatitur për propozim.

Sipas saj, “mirënjohja për përpjekjet e tij dhe arritjet në fushën e paqes” arsyetojnë vendimin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës për ta nominuar presidentin Trump për Çmimin Nobel për Paqe.

Më 31 korrik 2023, SHBA-ja e ka futur Cvijanoviqin në listën e personave të sanksionuar, për shkak të kërcënimit të Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, si dhe të integritetit dhe sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës.

Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska i ka miratuar dy ligje anti-Dejton, që kanë të bëjnë me mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës dhe të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.

Të dyja ligjet janë pezulluar nga Schimdt, mirëpo autoritetet e Republikës Sërpska i kanë çuar përpara procedurat dhe kanë insistuar se nuk do t’i respektojnë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë, çka ka thelluar edhe më shumë krizën institucionale në Bosnje-Hercegovinë.

Edhe presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili ka qenë propozuesi i ligjeve për mosrespektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, është nën sanksione amerikane.

SHBA-ja ka vendosur sanksione të reja kundër Dodikut më 5 janar 2022, përveç atyre të vitit 2017, për rrezikim të Marrëveshjes së Dejtonit.

Çmimi Nobel për Paqe është njëri prej pesë çmimeve Nobel.

Ai u ndahet individëve apo organizatave që kanë bërë kontribute të mëdha për paqen në botë, kryesisht përmes promovimit të vëllazërisë mes kombeve, çarmatosjes dhe paqes.

Çmimi e ka nismëtar Alfred Nobelin dhe është ndarë prej Komitetit Norvegjez të Nobelit prej vitit 1901. Ceremonia mbahet çdo vit, më 10 dhjetor, në Osllo.

Fituesit shpërblehen me medalje, diplomë dhe para të gatshme.

A do t’i blejë Serbia aksionet ruse në NIS?

Sonja Goçanin

A ka bërë Serbia zyrtarisht ofertë për blerjen e aksioneve të Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS)?

Kësaj pyetjeje nuk i është përgjigjur Ministria e Minierave dhe Energjisë, megjithëse kështu kishte deklaruar më herët gjatë gushtit drejtori i ndërmarrjes Srbijagas, Dushan Bajatoviq.

Bajatoviq, sipas mediave, në fillim të gushtit tha se Serbia do ta blinte këtë kompani, por pala ruse thotë se NIS-i nuk është në shitje.

As Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje nga drejtori i Srbijagas-it për më shumë detaje se çfarë ka ofruar Serbia. Përgjigje nuk ka pranuar as nga NIS-i.

NIS-i është futur në listën e sanksioneve amerikane në janar, për shkak të lidhjeve me Gazprom Neft-in rus, i cili ndodhet nën sanksionet perëndimore për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Më 28 korrik, SHBA e shtyu për herë të pestë zbatimin e sanksioneve.

Çfarë ka ndërmarrë pala serbe dhe çfarë ajo ruse?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në janar se po kërkohet “dalja e plotë e Rusisë nga pronësia e NIS-it”, për çka do të jetë e nevojshme një transformim i pronësisë.

Më 14 mars, NIS-i i ka paraqitur Departamentit amerikan të Thesarit një kërkesë për heqjen nga lista e sanksioneve, ndërkohë që Gazprom Neft ka transferuar rreth 5 për qind të pjesës së vet te Gazprom, një kompani ruse që nuk është e përfshirë në sanksionet perëndimore.

Aktualisht, pjesëmarrja pronësore e Gazprom Neft-it në NIS është rreth 44.9 për qind, shteti i Serbisë ka 29.9 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom rreth 11 për qind. Aksionet e tjera u takojnë aksionarëve më të vegjël.

Ministrja e Energjisë së Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, tha më 12 gusht se, duke e parë në aspektin afatgjatë, gjendja aktuale me shtyrjen e sanksioneve ndaj NIS-it në baza mujore “po sjell shumë pasiguri”.

“E vetmja zgjidhje afatgjatë për NIS-in është heqja nga lista e sanksioneve”, theksoi ajo.

Ajo më herët, në korrik, kishte thënë se po ndërmerren “masa konkrete për të ulur pasiguritë në funksionimin e NIS-it”.

Ndër të tjera, siç deklaroi atëbotë, është në proces zgjedhja e dy anëtarëve të pavarur të Bordit të Drejtorëve “me qëllim përmbushjen e kërkesave të OFAC-ut [Zyra për Kontrollin e Pasurisë së Huaj në Departamentin amerikan të Thesarit] lidhur me menaxhimin e kompanisë”.

NIS është e vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës si dhe prodhimin e gazit natyror.

“Blerja e detyruar ose riorganizim”

Millan Kovaçeviq, ekspert për investime të huaja, thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia ka mundësinë që ta detyrojë “palën ruse” të shesë në paketën aksionet që ka në NIS, por nuk e bën këtë për interesa politike.

“Nëse ndonjë anëtar i kompanisë e vështirëson suksesin thjesht duke qenë anëtar, tërë veprimtaria e kompanisë duhet të jetë nënshtruar suksesit të saj. Pra, ekziston mundësia që dikush të ‘detyrohet’ të dalë nga pronësia, por pyetja është nëse Serbia do të ndjekë këtë rrugë”, thotë ai.

Serbia, megjithëse është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, refuzon të harmonizohet me sanksionet perëndimore ndaj Rusisë. Zyrtarët e Serbisë mbajnë kontakte me homologët rusë edhe gjatë kohës kur pushtimit rus i Ukrainës po vazhdon, ndërsa Serbia shpreson në mbështetjen e Rusisë në negociatat për Kosovën, ish-provincën e saj, të cilën nuk e njeh si shtet të pavarur.

Kovaçeviq thekson se ekziston edhe mundësia e riorganizimit të NIS-it, ku “biznesi transferohet në një kompani me pronësi të ndryshme”.

Sipas tij, është i kuptueshëm pozicioni i partnerit rus, i cili nuk dëshiron të shesë pjesën e aksioneve.

Sipas të dhënave të NIS-it, vëllimi i investimeve në këtë kompani që nga viti 2008, kur kompania u privatizua, arrin mbi 4 miliardë euro.

“Në kushte normale, një transaksion varet nga fakti nëse shitësi është i gatshëm të shesë. Megjithatë, këtu nuk bëhet fjalë për një transaksion të thjeshtë. Duhet parë sa e dëmshme është për kompaninë që ata [partnerët rusë] mbeten”, thotë ai.

Një nga skenarët e përmendur më parë për NIS-in është edhe nacionalizimi. Ai do të ndodhte nëpërmjet një ligji të veçantë të Kuvendit të Serbisë, që parashikon një transaksion me kompensim të caktuar për aksionet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e hodhi poshtë në janar mundësinë e nacionalizimit të NIS-it, duke shtuar se Serbia nuk do të marrë pjesë në konfiskimin e pasurisë ruse.

“Strategjia e tërheqjes”

Ekonomisti Millan Kovaçeviq vlerëson se për momentin nuk duket që Qeveria e Serbisë po ndërmerr hapa që do të zgjidhnin problemin e NIS-it.

“Kam frikë se [zyrtarët e Serbisë] do të vazhdojnë të përpiqen të tejkalojnë të tjerët dhe të ulen ‘në më shumë se një karrige’. Nga kjo mund të dalin kushte edhe më të këqija se tani”, thotë ai.

Ministrja e Minierave dhe Energjetikës, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, tha në korrik se ministria që ajo udhëheq i kishte kërkuar SHBA-së shtyrjen e sanksioneve për 180 ditë, por SHBA-ja i shtyn ato vetëm për 30 ditë secilën herë.

Sipas saj, qëllimi përfundimtar është heqja e NIS-it nga lista e sanksioneve amerikane. Ajo shtoi se për këtë, më e rëndësishme është “progresi në dialogun mes SHBA-së dhe Rusisë”.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte sugjeruar se mund të arrihej një marrëveshje me Rusinë për luftën në Ukrainë në të ardhmen e afërt pas takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaskë më 15 gusht.

Megjithatë, në këtë takim nuk u arrit marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Ekonomisti Millan Kovaçeviq vlerëson se për Serbinë nuk është e zgjuar të presë që negociatat mes SHBA-së dhe Rusisë do ta zgjidhin çështjen e NIS-it.

“Këtu mund të arrihet vetëm një shtyrje, jo heqja e sanksioneve. Në varësi të marrëveshjes që do të arrihet për Ukrainën, me kalimin e kohës mund të ketë disa rregullime dhe lehtësime të sanksioneve, por jo heqje radikale”, thotë ai.

Biznesi i NIS-it

Përfaqësuesit e NIS-it njoftuan në gusht se kompania përfundoi gjysmën e parë të vitit me një humbje prej 3.6 miliardë dinarësh (30 milionë euro).

Drejtori financiar i NIS-it tha se, përveç sanksioneve të SHBA-së, në rezultatet e kompanisë ndikuan edhe rënia e çmimeve të naftës në tregun botëror, efekti i stokut të shtrenjtë të naftës dhe produkteve të saj, si dhe rezultati financiar negativ i HIP Petrohemisë, të cilën NIS e mori në pronësi më 2023.

Udhëheqësit e NIS-it gjithashtu njoftuan se do të vazhdojnë të punojnë për heqjen e kompanisë nga lista e sanksioneve të SHBA-së.

Serbia, në vitin 2008, shiti 51 për qind të aksioneve të NIS-it kompanisë Gasprom Neft për 400 milionë euro.

Ambasadori rus në Beograd: Perëndimi dëshiron ta zëvendësojë Vuçiqin me një politikan të dobët

Radio Evropa e Lirë

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harcenko, deklaroi se Perëndimi dëshiron të zëvendësojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me një politikan të dobët që kontrollohet nga Bashkimi Evropian (BE).

“Në fakt, dëshira është të hiqet Vuçiqi dhe të vendoset një nga ‘liderët’, i cili do të ishte i njëjtë ose i ngjashëm me ata që janë formalisht në pushtet në vendet e tjera, por janë plotësisht të nënshtruar ndaj BE-së”, tha ai për agjencinë ruse të lajmeve, RIA Novosti.

I pyetur për këto deklarata të ambasadorit rus, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference për media tha se e falënderon diplomatin rus për “korrektësinë”.

Vuçiç u takua me Harcenkon më 21 gusht dhe pas këtij takimi njoftoi se një takim i nivelit të lartë mes udhëheqjes së Serbisë dhe Rusisë do të zhvillohet së shpejti.

“Theksova se mbetemi të përkushtuar për zhvillimin e marrëdhënieve miqësore me Rusinë, me një vendosmëri të qartë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë”, deklaroi pas atij takimi Vuçiq.

Reagimi i opozitës serbe

Partia opozitare Liria dhe Drejtësia (SSP) kritikoi ambasadorin rus për deklaratat, duke thënë se nuk është hera e parë që ai publikisht ndërhyn në çështjet e brendshme të Serbisë.

Zëvendëspresidenti i SSP-së, Borko Stefanoviq, shkroi në një letër të hapur drejtuar ambasadorit rus se ai prej kohësh “fyen vazhdimisht qytetarët e Serbisë, duke i etiketuar si mercenarë të huaj dhe instrumente të Perëndimit”.

“Me këtë veprim humbisni simpatinë e popullit tonë, sepse me të njëjtin këmbëngulje mbroni regjimin e një autokrati dhe veprimet e tij kriminale”, tha Stafanoviq.

Lidhjet e Beogradit zyrtar me Moskën

Nga Kremlini, Beogradi zyrtar mori mbështetje për protestat antiqeveritare, përmes së cilave demonstruesit po kërkojnë mbajtjen e zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme në Serbi.

Në një komunikatë të Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme më 13 gusht, u tha se “disa forca në Serbi, nën petkun e sloganeve për ‘kërkimin e drejtësisë dhe demokracisë’, nuk hezitojnë të përdorin agresion të hapur, barbarizëm dhe dhunë”.

Protestat masive në Serbi, të udhëhequr nga studentët, po vazhdojnë prej më shumë se nëntë muajsh, pas rrëzimit të një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit në nëntor të vitit të kaluar, kur humbën jetën 16 persona.

Përmes këtyre protestave ata po kërkojnë llogaridhënie për tragjedinë në Novi Sad, që institucionet shtetërore të kryejnë detyrat e tyre, si dhe organizimin e zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme.

Beogradi ka vazhduar të mbajë marrëdhënie të ngushta me Moskën edhe pasi Rusia u vendos nën sanksione nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Vuçiq u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kremlin në maj gjatë shënimit të 80-vjetorit të fitores mbi fashizmin.

Edhe pse Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, autoritetet refuzojnë të bashkohen me sanksionet kundër Rusisë.

Dodiku kërkon të mbajë pushtetin përmes referendumit në Republika Srpska, reagon BE: Vendimi i gjykatës është përfundimtar

Zyra e Bashkimit Evropian në Bosnje-Hercegovinë ka dënuar vendimin e Kuvendit të Republikës Srpska për mbajtjen e një referendumi, ku qytetarët e entitetit do të shprehen mbi aktgjykimin e gjykatës dhe KQZ-së kundër Millorad Dodikut, i cili iu hoq mandati i presidentit të RS-së.

Në një deklaratë, BE thekson se vendimi i Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës është përfundimtar dhe i detyrueshëm, dhe nënshtrimi i tij në votim publik shkel parimin e sundimit të ligjit dhe pavarësinë e organeve gjyqësore.

Delegacioni i BE-së gjithashtu i bëri thirrje autoriteteve të RS-së të shmangin provokime që mund të çojnë në kriza dhe destabilizim dhe të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Bosnjës dhe Hercegovinës. “Ne presim që autoritetet e RS-së të qetësojnë situatën dhe të respektojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues dhe ligjor të BiH-së,” thuhet në reagim.

Sipas vendimit të miratuar, referendumi do të mbahet më 25 tetor 2025. Ky vendim bie ndesh me Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila nuk parashikon mundësinë që entitetet të organizojnë referendume mbi vendimet e institucioneve shtetërore. bw

Kuvendi i Republikës Sërpska miraton vendimin jokushtetues për mbajtjen e një referendumi

Millorad Dodik gjatë seancës plenare më 22 gusht 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Kuvendi Popullor i Republikës Sërpska (RS) miratoi të premten mbrëma një vendim antikushtetues për mbajtjen e një referendumi, në të cilin qytetarët e këtij entiteti do të duhet të shprehen mbi aktgjykimin e Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës kundër Millorad Dodikut dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Bosnje e Hercegovinës me të cilin atij iu hoq mandati i presidentit të RS-së.

Referendumi do të mbahet, sipas vendimit të miratuar, më 25 tetor të këtij viti.

Vendimi për referendumin nuk është në përputhje me Kushtetutën e Bosnjë e Hercegovinës, e cila nuk parashikon mundësinë që entitetet të shpallin në mënyrë të pavarur referendume mbi vendimet e institucioneve shtetërore.

Pyetja e referendumit, e cila u lexua në seancë nga shefi i Grupit Parlamentar të SNSD-së, Sërxhan Mazalica, është:

“A i pranoni vendimet e të huajit të pa zgjedhur Christian Schmidt [përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnje] dhe aktgjykimet e Gjykatës antikushtetuese të Bosnje e Hercegovinës të shqiptuara kundër presidentit të RS-së, si dhe vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit presidentit të RS-së, Millorad Dodik?”

Për vendimin votuan 50 nga 65 deputetët e pranishëm, ndërsa pjesa tjetër prej 15 deputetësh, që morën pjesë në votim, nuk votuan as për, as kundër.

Autoritetet e RS-së nuk e njohin përfaqësuesin e Lartë në Bosnje, Christian Schmidt, dhe ia kontestojnë legjitimitetin, duke pretenduar se emërimi i tij nuk është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Koalicioni qeverisës në RS më herët kishte propozuar që referendumi të mbahej më 18 ose 25 tetor, por data u përcaktua vetëm gjatë vetë seancës, kur u precizua edhe pyetja e referendumit.

Vendimin për referendumin e shoqëroi edhe miratimi i ndryshimeve, me procedurë të përshpejtuar, në Ligjin për referendumin dhe nismën qytetare, të cilat do t’i mundësojnë Kuvendit të RS-së të formojë komisione të veçanta për referendumet.

Gjykata e Bosnje e Hercegovinë në fillim të gushtit shpalli një vendim të formës së prerë me të cilin Millorad Dodik u dënua me një vit burg, si dhe ndaj tij u shqiptua një ndalim prej gjashtëvjetësh i ushtrimit të funksioneve publike. Dënimi me burg u shlye me një pagesë monetare, ndërsa KQZ e Bosnjës, duke vepruar sipas aktgjykimit, ia hoqi Dodikut mandatin e presidentit të RS-së.

Që nga 18 gushti, Dodik zyrtarisht nuk është më president i RS-së, ndërsa KQZ e Bosnje është e detyruar që brenda 90 ditësh të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë.

Miratohen edhe konkluzione me të cilat “hidhet poshtë” aktgjykimi ndaj Dodikut

Përveç vendimit për referendumin, deputetët e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga SNSD miratuan edhe një sërë konkluzionesh me të cilat Kuvendi i RS-së “hedh poshtë” aktgjykimin e Gjykatës së Bosnjës dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me të cilat i përfundoi mandati i Dodikut në funksionin e presidentit të Republikës Sërpska.

Në konkluzione thuhet se Kuvendi Popullor kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, se “Dodik ftohet të vazhdojë ushtrimin e funksionit të presidentit të RS-së”, si dhe u kërkohet të gjitha institucioneve të entitetit të mos ndërmarrin aktivitete lidhur me shpalljen e zgjedhjeve.

Njëri nga përfundimet paralajmëron se “bashkëpunimi eventual me KQZ-në e Bosnje në lidhje me këtë çështje do të përbënte kryerje të veprës penale të mosrespektimit të vendimeve të institucioneve ose organeve të RS-së, të parashikuar në Kodin Penal të RS”.

Gjithashtu, u miratua edhe një përfundim sipas të cilit Kolegji i Kuvendit të RS duhet të përgatisë një draft-rezolutë mbi vetëvendosjen e popullit serb dhe të Republikës Sërpska, ndonëse Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës nuk parashikon të drejtën e entiteteve për vetëvendosje.

Opozita paralajmëron për veprim ‘antikushtetues’ dhe për rrezikun e radikalizimit

Deputetët opozitarë gjatë debatit theksuan se Kuvendi i entitetit nuk ka kompetenca të shprehet për vendimet e gjykatave.

Zagorka Grahovac, deputete e partisë Për Drejtësi dhe Rend, deklaroi se Kuvendi “mund të shprehë një qëndrim politik, por jo të vendosë për aktgjykimet gjyqësore”.

“Kuvendi i entitetit nuk mund të ndalojë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Kjo i takon pushtetit gjyqësor, i cili është i ndarë nga ai legjislativ dhe ekzekutiv”, theksoi Grahovac.

Ajo paralajmëroi se miratimi i konkluzioneve për mosmbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme do të nënkuptonte “hyrje në një vepër të re penale – pengimin e mbajtjes së zgjedhjeve”.

Nedelko Glamoçak nga Partia Demokratike Serbe (SDS) vlerësoi se nën petkun e mbrojtjes së RS-së po zhvillohet një politikë që rrezikon si institucionet, ashtu edhe qytetarët.

“Koha do të tregojë se e gjithë kjo është hyrje në një fushatë parazgjedhore. Por, kjo strategji është shumë e rrezikshme për Republikën Sërpska. Ne nuk mund të shkojmë kundër tërë botës”, tha Glamoçak.

Ai tha se SDS-ja “nuk do të ndjekë koalicionin qeverisës në aventura” dhe bëri thirrje për unitet rreth RS-së, e jo rreth individëve dhe aktgjykimeve të tyre.

Ramiz Sallkiç, deputet i pavarur në Kuvendin e RS-së, theksoi se debati mbi aktgjykimin ndaj Dodikut nënkupton hyrje në një fazë të re të shkeljes së Kushtetutës së Bosnjës.

“Imagjinoni sikur çdo parlament lokal të vendoste nëse do ta njohë apo jo një aktgjykim. Kjo të çon në një spiralë veprash penale. Aktgjykimi është i formës së prerë dhe duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, tha ai.

Ai bëri thirrje që Kuvendi të miratojë një përfundim me të cilin do t’i kërkohej KQZ-së që sa më shpejt të caktojë datën e zgjedhjeve për presidentin e RS.

Dorëheqja e Vishkoviqit dhe mandati teknik i Qeverisë

Në të njëjtën seancë, deputetët pranuan dorëheqjen e Radovan Vishkoviqit nga funksioni i kryeministrit të RS-së, me ç’rast Qeveria e entitetit kaloi në mandat teknik.

Sipas procedurave të parashikuara, presidenti i RS-së është ai që brenda rreth dhjetë ditësh duhet të propozojë mandatarin për kryeministër të ri të entitetit.

Meqenëse Dodikut i është hequr mandati, ndërsa Kushtetuta e Bosnjës dhe ajo e RS-së nuk e përcaktojnë se kush ushtron funksionin e presidentit të RS-së në rast të shkarkimit të tij, aktualisht nuk ka kush të propozojë kryeministrin e ri.

Megjithatë, Dodik vazhdon të paraqitet si president i RS-së, dhe ashtu u prezantua gjatë seancës edhe nga Nenad Stevandiq, kryetari i Parlamentit të entitetit.

Dodikut, të cilit i janë hequr kompetencat, iu mundësua edhe t’u drejtohej deputetëve në funksionin e presidentit të entitetit, megjithëse, formalisht, nuk e ka më atë post.

Bosnja në krizë kushtetuese, Dodiku nuk pranon të largohet nga posti, çfarë pritet të ndodhë

Tani është zyrtare: Milorad Dodik nuk është më president i Republika Srpska (RS), një nga dy entitetet e Bosnjë-Hercegovinës. Më 18 gusht 2025, Gjykata Supreme e B-H hodhi poshtë ankesën e tij kundër vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për të revokuar mandatin e tij dhe për t’ia ndaluar atij aktivitetin politik për gjashtë vitet e ardhshme.

Kjo i jep fund një procesi dyvjeçar – por zbatimi i vendimit nuk do të jetë i lehtë, pasi Dodik nuk do të japë dorëheqjen pa luftuar. “Unë nuk do ta respektoj këtë. Do ta respektoj vullnetin e popullit serb. Ata ishin të paturpshëm dhe arrogantë, dhe presin që unë të nënshtrohem. Unë nuk do ta bëj këtë,” tha Dodik në një reagim.

Dodik theksoi gjithashtu se ai mbetet president i pjesës së dominuar nga serbet e Bosnjës. “Populli më zgjodhi, unë nuk do të zëvendësohem nga një qeveri e huaj! Ata bëjnë punën e tyre, ne bëjmë tonën. Shpresoj që rrugët tona të mos kryqëzohen përsëri,” deklaroi Dodik. Kjo e vë B-H në prag të një krize kushtetuese.

Në ditët në vijim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Sarajevë, do të shpallë zgjedhje të parakohshme për postin e presidentit të RS-së. Udhëheqja e RS-së në Banja Luka ka njoftuar tashmë se do ta parandalojë këtë votim, “nëse është e nevojshme me përdorimin e policisë”.

Kjo do të tensiononte marrëdhëniet midis përfaqësuesve politikë të tre popujve shtetformues të Bosnjës – boshnjakëve (myslimanëve boshnjakë), kroatëve dhe serbëve. Një luftë e përgjakshme shpërtheu në B-H nga viti 1992 dhe përfundoi në fund të vitit 1995 me Traktatin e Paqes së Dejtonit.

Dodikut duhet t’i merret pasaporta diplomatike
Qeveria boshnjake ka njoftuar tashmë se mosrespektimi i vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk do të tolerohet. Ministri i Jashtëm Elmedin Konakoviq – një boshnjak – nisi procedurat për revokimin e pasaportës diplomatike të Dodikut, pasi ai nuk është më në detyrë. Në RS, Asambleje Kombëtare pritet që të merret një vendim për të mbajtur një referendum.

Referendum mbi pavarësinë e RS?
Ndërkohë, Dodik – i cili nuk është më ligjërisht president i Republika Srpska – ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit të entitetit të dominuar nga serbet të Bosnjës dhe ka njoftuar emërimin e një kreu të ri të qeverisë. Meqenëse presidenti është i vetmi institucion në RS që mund të emërojë kreun e qeverisë, një veprim i tillë mund ta çojë të gjithë qeverinë e RS para Gjykatës Kushtetuese të B-H, pasi është emëruar në mënyrë të papërshtatshme ligjore.

Dodik ka njoftuar dhjetëra referendume mbi pavarësinë e RS gjatë njëzet viteve të fundit – por vetëm një u zhvillua dhe rezultatet u anuluan. Këtë herë, megjithatë, situata është më ndryshe, pasi politikani serb nuk është gjendur kurrë në një situatë kaq të keqe sa tani, pas largimit të tij nga detyra dhe ndalimit të aktivitetit politik. Shumë vëzhgues besojnë se Dodik nuk ka më asgjë për të humbur – dhe për këtë arsye do të vazhdojë me planin e tij këtë herë, por këtë do ta dëshmojnë ditët dhe javët e ardhshme.

Opozita e RS e ndarë
Ndërkohë, opozita në RS po përpiqet të bjerë dakord për një kandidat të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Por kjo do të jetë e vështirë: Kryetari aktual i Banja Lukës dhe kreu i Partisë Demokratike Progresive (PDP) të opozitës, Drashko Stanivukoviq, ashtu si Dodik, është kundër zgjedhjeve të reja.

Stanivukoviq akuzoi diplomatin më të rëndësishëm ndërkombëtar në Bosnjë, Përfaqësuesin e Lartë, i cili mbikëqyr edhe zbatimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, si përgjegjës për krizën në vend. Ai ka miratuar edhe ligjin sipas të cilit Dodik u dënua. Që nga gushti i vitit 2021, ish-ministri gjerman i Bujqësisë Christian Schmidt (CSU) është Përfaqësues i Lartë në B-H.

Për partitë e tjera opozitare të RS, kjo është një shenjë e qartë se Stanivukoviq është në anën e Dodikut. “Maskat kanë rënë. Stanivukoviq duhet të veprojë siç thonë [Aleksandar] Vuçiqi [presidenti i Serbisë] dhe Dodik. Ai po dirigjohet prej tyre, në mënyrë që t’i shkaktojë sa më shumë dëme opozitës. Për të parandaluar unitetin”, komentoi kreu i Listës për Rend dhe Ligj (LPR), Nebojsha Vukanoviq.

Serbia nënshkroi Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit për serbët e Bosnjës në vitin 1995. Fqinji lindor i B-H njoftoi, se vendimi kundër Dodikut është “goditja më e rëndë politike për popullin serb që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit” dhe populli serb “nuk do të heshtë për këtë”.

Hungaria dhe Rusia mbështesin Dodikun
Mbështetja për Dodikun erdhi nga Hungaria. Kryeministri Viktor Orban ka deklaruar se Dodik është dënuar vetëm pse “refuzon të luajë lojën e Brukselit”. Hungaria nuk do ta pranojë vendimin kundër Dodikut, tha ai. Mbështetje Dodikut i ka ardhur edhe nga ambasada ruse në Sarajevë.

Por Kroacia, si vend fqinj, ka një qëndrim krejt tjetër. Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq i bëri thirrje Dodikut të respektojë vendimin dhe të shmangë destabilizimin e Bosnjës. Kroacia nënshkroi po ashtu Marrëveshjet e Paqes të Dejtonit në vitin 1995 në emër të kroatëve të B-H.

Dodiku nuk është presidenti i parë i RS që i ndalohet aktiviteti politik. Në vitin 1999, Përfaqësuesi i Lartë i atëhershëm Carlos Westendorp shkarkoi Presidentin e RS-së, Nikola Poplashen. Kryeministri i atëhershëm e mbështeti shkarkimin. E kryeministër ishte: Milorad Dodik që tani është shkarkuar dhe dënuar.

Media: Shërbimi sekret amerikan po përgatitet për Samitin e Budapestit ku mendohet të takohen Trumpi, Putini e Zelensky

Shërbimi Sekret i SHBA-së po përgatitet për samitin e Budapestit, në Hungarinë e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orbán, i cili ka qenë i afërt me Presidentin Donald Trump që nga mandati i parë i presidentit amerikan në detyrë..

Sipas Politico ,  Shërbimi Sekret shpesh vëzhgon vende të shumta dhe vendi përfundimtar mund të ndryshojë.

Budapesti po del si një zgjedhje e parë për Shtëpinë e Bardhë, thanë dy personat, të dy të cilëve iu dha anonimiteti për të diskutuar biseda private.

Shtëpia e Bardhë po planifikon një takim të mundshëm trepalësh midis presidentëve të SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës në kryeqytetin hungarez të Budapestit, si hapi tjetër në negociatat për t’i dhënë fund luftës shumëvjeçare, sipas një zyrtari të administratës Trump dhe një personi pranë administratës.

Presidenti rus Vladimir Putin i tha Trump se preferonte Moskën dhe Presidenti francez Emmanuel Macron shtyu Gjenevën si vende ideale takimi. Për të mos mbetur jashtë, ministri i jashtëm zviceran i premtoi Putinit “imunitet” për një urdhër arresti për krime lufte nëse kombi i njohur për neutralitet zgjidhej për bisedime paqeje.

Hungaria do të ishte një zgjedhje e pakëndshme për Ukrainën, pasi ajo i rikthehet Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, të cilin SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia premtuan të mbështesnin pavarësinë, sovranitetin dhe respektin për kufirin e Ukrainës në këmbim të heqjes dorë nga armët e saj bërthamore.

Sulmi i Putinit në vitin 2014 ndaj Ukrainës e vërtetoi marrëveshjen të pakuptimtë kur asnjë nga nënshkruesit nuk ofroi forca ushtarake për t’iu kundërvënë sulmeve. sn

Vuçiçi gjen armiq të jashtëm: Vendi në rrezik, do reagojmë si asnjëherë më parë

Pas protestave të dhunshme, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka filluar të shohë haluçinacione duke aluduar për armiq të jashtëm, ai ka paralajmëruar se “vendi është në një rrezik të madh” dhe se sipas tij, është vetëm çështje kohe kur pjesëmarrësit e protestave “do të vrasin dikë”, gjë për të cilën ka theksuar se përgjigjja e shtetit do të jetë shumë më ndryshe nga ajo që është parë deri tani.

“Pas gjashtë ose shtatë ditësh do të shihni një veprim shumë vendimtar. Në tri ose katër ditët e ardhshme do t’ju duket sikur jemi tërhequr si shtet, sikur nuk ekzistojmë, sikur jemi të mundur. Por në një moment do të shihni gjithë vendosmërinë e shtetit serb,” u shpreh Vuçiç.

Ai shtoi se Serbia do të përdorë çdo mjet të mundshëm për të rikthyer rendin, paqen dhe qetësinë në vend.

“Do t’u kundërvihemi të gjitha presioneve të jashtme, atyre që na kërcënojnë dhe na tregojnë se çfarë na lejohet e çfarë jo, ndërsa deri tani nga ata kemi parë vetëm përpjekje për të futur kaos në vendin tonë. Ne do të fitojmë,” tha presidenti serb. sn

Ishte nisur nga Izraeli drejt SHBA-së, sekuestrohet gjysmë ton drogë me vlerë 1.5 milionë euro në aeroportin e Athinës

Një sasi prej gjysmë ton e substancës narkotike KHAT u gjet dhe u sekuestrua nga inspektorët e Autoritetit të Pavarur të të Ardhurave Publike në Aeroportin e Athinës “Eleftherios Venizelos”.

Mediat greke bëjnë të ditur se substanca e paligjshme ishte fshehur brenda katër faturave të ngarkesës me mallra të deklaruara si perde, çarçafë dhe pëlhura, që ishin nisur nga Izraeli me destinacion përfundimtar SHBA-në.

Në një kontroll të rastësishëm, të kryer nga inspektorët e Departamentit të Kontrabandës së Doganës së Aeroportit të Athinës, ata gjetën pakot e fshehura me gjethet e thata KHAT dhe sekuestruan një sasi totale prej gjysmë ton. Vlera e sasisë së sekuestruar shkon në 1,500,000 euro.

Kjo është sasia më e madhe e kësaj droge të veçantë e gjetur (e mëparshmja ishte përsëri në AIA, 458 kilogramë, më 4.12.2014). E fundit ishte në vitin 2022, në AIA, 34 kilogramë.

KHAT, koka natyrale, siç quhet ndryshe, është një substancë psikotrope që shkakton varësi, e nxjerrë nga bima Catha Edulis, e cila kultivohet në Bririn e Afrikës, në Gadishullin Arabik Jugor dhe përgjatë bregdetit të Afrikës Lindore. sn

Trazirat në Serbi, policia e Vuçiçit përdori bomba zanore ndaj protestuesve

Për të pestën natë me radhë, Serbia është përfshirë nga përleshje mes protestuesve dhe policisë në disa qytete. Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, njoftoi nga Beogradi se incidentet përbëjnë “shkelje drastike të rendit publik”.

Situata më e tensionuar u regjistrua në Valljevë, ku zyrat e Partisë Përparimtare të Serbisë, e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiç, u përfshinë nga flakët. Sulme janë regjistruar edhe ndaj ndërtesave të gjykatës, zyrës së prokurorit dhe administratës së qytetit.

Protestuesit dëmtuan rëndë edhe zyrat e Partisë Radikale Serbe, nën drejtimin e Vojisllav Sheshel, i njohur për krime lufte. Në disa pamje të shpërndara në media, policia shihet duke përdorur gaz lotsjellës dhe bomba zanore për të shpërndarë turmat, ndërsa protestuesit hedhin sende në drejtim të tyre.

Një skenar i ngjashëm ndodhi edhe në Beograd, ku turma u mblodh para selisë së partisë së Vuçiçit, por u shpërnda nga forcat e rendit. Tensionet u ndezën pas publikimit të disa fotografive në rrjetet sociale që tregojnë të rinj të ndaluar në Novi Sad, të gjunjëzuar me shpinën kah policia gjatë arrestimeve. sn

Tym, zjarr dhe shpërthim i fortë- Momente tmerri në Greqi, motorri i avionit merr flakë gjatë fluturimit (VIDEO)

Pasagjerët në një aeroplan Condor përjetuan momente të tmerrshme të shtunën në mbrëmje, pasi motori i tij u përfshi nga flakët menjëherë pas ngritjes nga aeroporti i Korfuzit

Videot e postuara në TikTok dhe platforma të tjera të mediave sociale kapin shkëndijat e shpërthimeve nga motori i djathtë i Boeing 757-300 , i cili po operonte në linjën Korfuz-Dusseldorf, tymin e shkaktuar nga zjarri dhe shpërthimet e forta.

Defekti ndodhi pak pas orës 8 të mbrëmjes, në një lartësi prej rreth 1500 metrash , ndërsa avioni ishte në fazën e ngritjes pas nisjes. 250 pasagjerët dhe banorët e zonës dëgjuan një zhurmë shurdhuese që shkaktoi panik.

Pilotët ndoqën protokollin e sigurisë dhe e fikën motorin. Avioni më pas bëri një kthesë rrethore, pra u kthye djathtas dhe u zhvendos paralel me pistën. bw

Vuçiç nuk gjen qetësi- Sërish protesta të dhunshme në Serbi, i vihet zjarri selisë së partisë në pushtet, policia kundërpërgjigjet me gaz lotsjellës

Përleshje të reja shpërthyen midis protestuesve antiqeveritarë dhe policisë së trazirave në të gjithë Serbinë në natën e pestë radhazi të trazirave, pasi zyrave të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet iu vu zjarri.

Policia në Valjevo thuhet se përdori granata tymuese dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve pasi një grup i vogël personash të maskuar sulmuan objektet bosh të SNS-së, duke i vënë flakën. Policia reagoi me gaz lotsjellës dhe u kundërpërgjigj ndaj protestuesve.

Pati akuza të përhapura për dhunë dhe brutalitet policor në kryeqytet, Beograd, dhe Novi Sad. Ministria e brendshme e Serbisë i ka mohuar këto akuza.

Kjo vjen ndërsa Rusia u zotua të mbështeste presidentin pro-Moskës, Aleksandar Vuçiç, i cili drejton SNS-në, duke thënë se kjo nuk do të “mbetej pa u përgjigjur”.

Protestat u shkaktuan fillimisht nga shembja e një stacioni hekurudhor në Novi Sad në nëntor të vitit të kaluar, me serbët që kërkuan zgjedhje të parakohshme dhe fundin e mbretërimit 12-vjeçar të Presidentit Aleksander Vuçiç.

Ndërsa demonstratat kundër korrupsionit kanë tërhequr qindra mijëra protestues , ato kishin qenë kryesisht paqësore deri në përplasjen e së mërkurës, kur besnikët pro-qeveritarë organizuan kundërdemonstrata.

Të shtunën në mbrëmje, policia e trazirave u vendos përsëri në një numër qytetesh, përfshirë Beogradin, ndërsa njerëzit morën pjesë në demonstrata për të kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Zyrat dhe flamujt që përfaqësonin partinë SNS të Vuçiçit kishin qenë në qendër të zemërimit të protestuesve.

Protestuesit thyen gjithashtu dritaret e selisë së Partisë Radikale Serbe, një partner i koalicionit të SNS-së në pushtet.

Javën e kaluar, janë raportuar të lënduar në protesta në të gjithë vendin dhe një video e paverifikuar ka qarkulluar në mediat sociale ku shihet policia duke rrahur një burrë në Valjevo.

Michael O’Flaherty, Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, shprehu shqetësim të premten në lidhje me “forcën joproporcionale të policisë” në Serbi, duke u kërkuar autoriteteve të “i japin fund arrestimeve arbitrare dhe të qetësojnë situatën”.

Protestat kanë përfshirë Serbinë pothuajse çdo ditë që nga nëntori, pas shembjes së çatisë së stacionit hekurudhor të Novi Sadit që vrau 16 persona.

Tragjedia u bë simbol i korrupsionit të rrënjosur në vendin ballkanik, me thirrjet fillestare për hetime transparente që u shndërruan në kërkesa për zgjedhje të parakohshme.

Në kulmin e tyre, protestat tërhoqën qindra mijëra njerëz në rrugë.

‘Luftë’ në rrugët e Serbisë. Mbështetësit e pushtetit sulmojnë protestuesit, Vuçiçi zbret në shesh

Serbia po përjeton një valë protestash të paprecedenta në qytetet kryesore të vendit, të cilat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe mbështetësve të Partisë Progresive Serbe (SNS), që drejtohet nga presidenti Aleksandër Vuçiç.

Protestat, të organizuara nga lëvizja “Studentët në Bllokim”, janë përshkallëzuar sonte në Beograd, Novi Sad, Nish, Kragujevc, Suboticë, Shabac e Leskovc.

Tubimet nisën si reagim ndaj dhunës së përsëritur ndaj qytetarëve dhe akuzave ndaj qeverisë se po mbron huliganët në vend që të garantojë sigurinë publike.

Protestuesit janë mbledhur para zyrave të SNS-së dhe stacioneve policore, duke kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie. Në Novi Sad, situata doli jashtë kontrollit kur turma e protestuesve marshoi nga kampusi studentor drejt zyrave të SNS-së në Bulevardin e Çlirimit.

Sipas raportimeve nga mediat serbe në rrugën Stražilovska, persona të maskuar, të dyshuar si mbështetës të SNS-së, hodhën fishekzjarre dhe mjete piroteknike drejt protestuesve. Përplasja u ashpërsua kur qytetarët reaguan duke thyer dritaret e zyrave të partisë. Policia speciale ndërhyri me kordone sigurie, por tensionet vetëm u rritën.

Edhe në Beograd, protestuesit u mblodhën në lagjen Vraçar, ku u përballën me një prani të madhe policore para komitetit lokal të SNS. Incidenti më i rëndë u regjistrua kur një efektiv policie u filmua duke goditur me shuplakë një protestues, skenë që shkaktoi reagime të ashpra nga turma, e cila brohoriti: “Kë po mbroni?”.

Kolona u zhvendos më pas drejt Parkut Pionirski, të quajtur ndryshe ‘Ćaciland’, një vend simbolik për përkrahësit e presidentit Aleksandar Vuçiç, ku ndodhej edhe vëllai i tij, Andrej Vuçiç, i shoqëruar nga grupe të organizuara të mbështetësve të SNS-së. Tensionet atje bënë që turma e protestuesve të kthehej në drejtim të sheshit Slavia.

Në një deklaratë të dhënë pak para orës 22:00, Vuçiç reagoi për situatën duke thënë se “Serbia është ngritur si kurrë më parë”.

“Më shumë se kurrë, duhet të dëgjojmë dhe të kuptojmë njëri-tjetrin dhe të mos urrejmë askënd. Kam ardhur për t’u bashkuar me një popull që nuk sulmon askënd”, u shpreh ai. sn

Stërvitja e përbashkët Serbi-Kinë, BE lëshon alarmin: Bie ndesh me politikën tonë të jashtme

Në javët e ardhshme, Serbia do të zhvillojë ushtrime ushtarake me Kinën, hera e parë që një kandidat për anëtarësim në BE e bën këtë, dhe të dy vendet po bëjnë një hap të ri drejt thellimit të bashkëpunimit ushtarak.

Ministria kineze e mbrojtjes ka deklaruar se stërvitja “Paqësori 2025” do të zhvillohet nga njësi speciale të ushtrive kineze dhe serbe dhe do të zhvillohet gjatë gjysmës së dytë të korrikut në Provincën Hebei, në Kinën veriore.

Rajoni i Ballkanit është bërë strategjikisht i rëndësishëm për Kinën, e cila ka investuar shumë në të me projekte të mëdha infrastrukturore. Konkretisht, ajo nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me Serbinë, ndërsa Beogradi bleu armë nga Pekini, duke u bërë vendi i parë evropian që bleu një sistem kinez të mbrojtjes ajrore.

Politikat miqësore të Serbisë ndaj Pekinit, si dhe Moskës, kanë ndezur kambanat e alarmit në Bruksel, i cili i ka dërguar paralajmërime të shumta Beogradit, i cili synon të bashkohet me bllokun. Lidhur me vlerësimin e BE-së për stërvitjen e planifikuar ushtarake me Kinën, Brukseli deklaroi se Serbia duhet të përmbahet nga “veprimet dhe deklaratat që bien ndesh me qëndrimet e politikës së jashtme të BE-së”.

Një zëdhënës deklaroi se BE dëshiron të jetë e sigurt se mund të mbështetet te Serbia si një partner i besueshëm evropian, i përkushtuar ndaj parimeve, vlerave dhe sigurisë së përbashkët. “Ne kemi nevojë që Serbia të na sigurojë për orientimin e saj strategjik”, shtoi zëdhënësi. bw


Send this to a friend