VOAL

VOAL

Nikoliq kërkon mbrojtjen e të “drejtave serbe” në Ballkan

Presidenti serb, Tomisllav Nikoliq në takim me të dënuarin për krime lufte në Bosnje, Momçillo Krajishnik

Presidenti serb ka kërkuar mbrojtje më të madhe për të drejtat e serbëve në rajonin e Ballkanit pas takimit me një ish lider serb të Bosnjës i cili është i dënuar për krime lufte.

Takimi në mes të presidentit serb, Tomisllav Nikoliq dhe liderit serb të Bosnjës, Momçillo Krajshnik më 11 janar ka reflektuar ngritjen e nacionalizmit serb në rajon derisa takimi është dënuar nga grupet për të drejtat e njeriut.

Krajshnik ka bërë 13 vjet e gjysmë burg pasi është dënuar nga Tribunali i Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi për persekutimin dhe zhvendosjen me dhunë të jo serbëve gjatë luftës së Bosnjës. Ai është liruar në vitin 2013.

Më 1995, marrëveshja e paqes e arritur me ndihmën amerikane e ka kthyer Bosnjën në një union të dy rajoneve, njërit serb dhe tjetrit myslimano-kroat.

Por, marrëveshja ka filluar të dëmtohet pasi liderët serbë të Bosnjës kanë filluar thirrjet për ndarje të Republikës Serbe të Bosnjës dhe bashkimit të saj me Serbinë.

Krajshnik, që tani e udhëheqë një organizatë jo qeveritare të quajtur Asociacioni i Krijuesve të Republikës Serbe, pas takimit me Nikoliqin ka thënë se Bosnja është “bërë një shtet i pamundur”.

“Populli serb nuk ndjehet rehat”, ka thënë ai dhe ka shtuar “e as kroatët nuk ndjehen mirë…Situata në Bosnje është alarmuese”.

Nikoliq, i cili konsiderohet fuqishëm pro rus, ka thënë se serbët jo vetëm që duan mbrojtjen e “statusit” të tyre, por po bëjnë thirrje për mbrojtjen e shkronjave të sllavishtes së vjetër dhe gjuhën serbe në përgjithësi.

“Black out” energjetik në Greqi, shteti fqinj ndërpret eksportin në Shqipëri

Temperaturat e ulëta kanë shkaktuar një “black out” energjetik në Greqi.

Të ndodhur përballë kësaj situate, për shkak të kushteve të vështira atmosferike, Autoriteti i Shpërndarjes së Energjisë ka qenë i detyruar të ndalojë eksportet e planifikuara përmes interkoneksioneve me Shqipërinë, Bullgarinë dhe Turqinë. Kjo situatë, raportojnë mediat greke, do të vijojë deri ditën e enjte.

Por të kontaktuar nga Vizion Plus, zyrtarë të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë konfirmojnë se pavarësisht ndërprerjeve të furnizimit me energji nga shteti fqinj, nuk do të ketë impakt në vendin tonë.

Shkupi dhe Sarajeva kryeqytetet më të ftohta

Moti i ftohtë mbizotëron edhe në kryeqendrat tjera të rajonit, në Lubjanë, Zagreb dhe Prishtinë këtë mëngjes temperatura ishte -13, në Beograd -10, ndërsa në Podgoricë -6 dhe Tiranë -4 gradë Celcius

SARAJEVË – Me temperaturat e matura -18 gradë Celsius, Shkupi këtë mëngjes ishte kryeqyteti më i ftohtë i rajonit, Sarajeva me -17 gradë Celsius radhitet e dyta.

Shumë mot i ftohtë mbizotëron edhe në kryeqytetet e tjera të rajonit, kështu që këtë mëngjes, -13 gradë Celsius janë matur në Lubjanë, Zagreb dhe Prishtinë, Beogradi ishte -10, ndërsa pak më të ngrohta ishin Podgorica me -6 gradë Celsius, dhe më e ngrohta ishte Tirana me -4 gradë Celsius.

Përpos Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Juglindore, pjesa më e ftohtë e kontinentit evropian ishte Evropa qendrore.

Temperatuarat më të ulta ishin në Pragë me -16 gradë Celsius, në kryeqytetin polak, Varshavë, kryeqytetin e Sllovakisë, Bratisllava ishte -14 gradë Celsius, në Vjenë ishte -12, në Budapest -10 gradë Celsius.

Është interesante se Moska ishte më e ngrohtë nga kryeqendrat e sipërpërmendura, ku u shënuan -10 gradë Celsius.

Përkundër kësaj në Evropën Perëndimore temperaturat janë të favorshme mbi zero, kështu në kryeqytetin belg, Bruksel këtë mëngjes janë matur 6 gradë Celsius, ndërsa në Amsterdam ishte 7 gradë Celsius.

41 vjet më parë: Ja aksidenti i Titos dhe reagimi i tij gjatë një vizite në Suedi (Video)

Shpeshherë mediat e huaja, sidomos ato të shteteve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia publikojnë momente dhe ngjarje të ish-Jugosllavisë.

Gjithsesi, ndër ato që publikohen më së shpeshti janë edhe ngjarjet që kanë karakterizuar ish-udhëheqësin e ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito.

Dhe së fundmi nga mediat kroate, përcjell Telegrafi, është publikuar një video, në të cilën shihet një aksident i cili i kishte ndodhur Titos, gjatë një vizite në Suedi, në vitin 1976, para takimit me kryeministrin suedez, Olof Palme.

Siç edhe mund të shihet në pamje, gjatë daljes nga vetura, para rezidencës Harpsund, anëtarët e pakujdesshëm të delegacionit jugosllav, “i kapën” një çikë me derën e veturës, dorën e Titos.

Ai nuk e jep veten, dhe pasi e “nxjerr” dorën nga dera, vazhdon ngjitjen shkallëve të rezidencës.

Kroatët të zëshëm në Bruksel kundër arrestimit të Haradinajt

Gjatë diskutimit të raporteve të posaçme për Kosovën dhe Serbinë në Komitetin e Jashtëm Europarlamentar, përfaqësuesja e ekzekutivit europian e injoroi këtë çështje

Rasti “Haradinaj” u përmend me shqetësim, veçanërisht prej eurodeputetëve kroatë, të cilët preken po ashtu nga ligji problematik i Serbisë, që i lejon vetë Beogradit të gjykojë këdo në territorin e ish-Jugosllavisë.

“Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë” u shpreh raportuesja Ulrike Lunaçek dhe se “Beogradi duhet t’i tërheq mbrapsht urdhër-arrestet e vjetruara”, sipas eurodeputetes austriake.

Kreu i Delegacionit të PE për Kosovën, Tonino Picula, deklaroi se “i ashtuquajturi juridiksion rajonal, që i mundëson Serbisë të akuzojë qytetarë të shteteve fqinje, siç dëshmon edhe rasti i zotit Haradinaj, nuk i ndihmon aspak stabilitetit të rajonit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”. Përkrah socialdemokratit kroat, foli Dubrakva Šuica e PPE-së, duke kërkuar nga Serbia që të përballet me të kaluarën e vet, “pasi në të kundërt nuk do të mund të shkojë larg në procesin e integrimit europian”.

Marijana Petir, gjithashtu kroate, ftoi raportuesin për Serbinë, të djathtin gjerman David McAllister, që të ndihmojë “me njohuritë e tij” për ta detyruar Serbinë që të heq nenet e papranueshme në ligjet e këtij vendi, “në mënyrë që mos të pretendohet ngritja e akuzave për qytetarët e vendeve fqinje, siç është rasti me Ramush Haradinaj, por potencialisht edhe për shtetasit e 18 vendeve të tjera të BE- së që kanë marrë pjesë në luftën ballkanike duke mbrojtur Kroacinë kundër agresionit serb”.

Serbia i dorëzon Francës kërkesën për ekstradimin e Ramush Haradinajt

Autoritetet serbe thanë të martën se kanë dërguar në Francë kërkesën për ekstradimin e ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.

Gjykata në qytetin Colmar në Francën lindore, duhet të shqyrtojë kërkesën para se të marrë një vendim për zotin Haradinaj i cili po mbahet në paraburgim në atë qytet që nga 5 janari kur u ndalua në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe 13 vjet më parë.

Ndalimi i tij nxiti reagimin e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, të cilat bënë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm, ndërsa tashmë avokatët mbrojtës kanë bërë edhe kërkesën zyrtare për lirimin e tij. Për të enjten është paralajmëruar një seancë rreth zotit Haradinaj.

Të martën parlamenti i Kosovës hodhi në debat çështjen Haradinaj duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.

Kjo nuk është hera e parë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb.

Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Ramush Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte në Gjykatën ndërkombëtare në Hagë.

Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.

Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.

Ndalimi i tij në bazë të urdhër arrestit serb ka shtuar tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu të vështira ndërmjet Kosovës e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe Serbisë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj, megjithëse është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Ministri i Punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha se vendi i tij ka marrë informacione se “se diaspora shqiptare po përgatitet”, siç tha “për marrjen e përfaqësive diplomatike-konsullore serbe, me qëllim të detyrimit të Serbisë që të heq dorë nga ndjekja e Ramush Haradinajt”.

Ai tha se këtë informacion Serbia e ka marrë nga agjencitë perëndimore të sigurisë.

Deklaratat e tij u dënuan ashpër nga ministria e Jashtme e Kosovës e cila “i konsideron ato nxitëse, tendencioze dhe që kanë për qëllim ta mbajnë në tension rajonin. MPJ vlerëson se kjo është gjuhë e viteve 90-a dhe e frikës kur Serbia i orkestronte vetë sulmet që ua atribuonte të tjerëve. Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Daçiçit janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Në këto rrethana, akte të tilla të dhunës mund të orkestrohen nga vetë shteti serb, në mënyrë që t’i atribuohen pastaj diasporës shqiptare”, thuhet në një reagim të ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Teksti i plotë – Heqja e ligjit të Luftës, ish-ministri grek: Rama i frymëzuar nga Turqia

Ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Theodhoros Pangallos, i cilëson të pakuptimta kërkesat e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë nga Parlamenti grek.

 

Në një shkrim të botuar në të përditshmen greke “To Vima”, publikuar sot në “Panorama” Pangallos shprehet se këto pretendime të paraqitura nga Kryeministri shqiptar, në formën e paketës, janë frymëzim turk, e cila nga ana e saj kërkon që të zhvillojë negociata jo mbi bazën e kuadrit ligjor, por të mbështetura në raportin e forcës.

Pangallos ngre pyetjen në shkrimin e tij nëse a e ka siguruar me të vërtetë Shqipëria e zotit Rama një raport të tillë?! Apo ndoshta mbështetet te premtime marrëdhëniesh të paligjshme, që mund të rezultojnë të kota dhe fatale?!

Jo pa ironi, ishministri grek i Jashtëm i PASOK-ut shprehet se hera e fundit që Shqipëria lidhi aleancë kundër Greqisë, ishte me Italinë e Musolinit.

Pangallos, duke bërë një historik të marrëdhënieve shqiptaro-greke, shkruan se në vitin 1996 realizon vizitë zyrtare në Tiranë Presidenti i Republikës së Greqisë, Kostis Stefanopoulos. Ministrat e jashtëm të të dy vendeve, Pangallos dhe Serreqi, nënshkruan “Traktatin e Miqësisë, të Bashkëpunimit dhe të Fqinjësisë së Mirë”.

NGA THEODHOROS PANGALLOS*

Rrugëtimi i gjatë i Shqipërisë drejt demokracisë postkomuniste filloi më 11 prill 1985. Atëherë vdiq dhe u varros me nderime të mëdha Enver Hoxha, lideri i komunizmit shqiptar, i veçantë në llojin e vet dhe përkrahës i idesë së ndërtimit të socializmit në një vend të vetëm, megjithëse Shqipëria kishte shumë veçanësi dhe ishte jashtëzakonisht e vogël.

Enver Hoxha kishte zhbërë shumë prej strukturave dhe zakoneve shoqërore mesjetare të shqiptarëve dhe kishte kryer shtetëzimin e bujqësisë, aktiviteti kryesor prodhues i popullsisë së vendit. Që prej vitit 1970 e në vazhdim, tirania që ai ushtronte, merr një karakter krejtësisht personal. Pushtohet prej një manie të theksuar persekutimi, sipas së cilës do ta sulmojnë “monarkofashistët” grekë dhe e mbush vendin me bunkerë krejtësisht të panevojshëm nga çdo pikëpamje, në mënyrë që “çdo shqiptar të mbrohet pranë shtëpisë së vet”.

Njëkohësisht, torturat, ekzekutimet dhe përndjekjet sistematike policore nga “Sigurimi” famëkeq, e bënin jetën në atë vend, gjithnjë e më të vështirë. Me gjithë këto, dhe pavarësisht faktit se Shqipëria, si aleat i Italisë, do të konsiderohet botërisht si një anëtar agresor i Boshtit, me gjithë izolimin e regjimit shqiptar, i cili, edhe në kampin socialist ishte përplasur me Titon e Jugosllavisë fqinje, me revizionistët rusë që prej Kongresit të 20-të dhe në vazhdim me Kinën, Greqia tregoi një interes aq të madh për rivendosjen e marrëdhënieve, saqë në vitin 1987 Këshilli i Ministrave vendosi të heqë gjendjen e luftës midis dy vendeve.

Në vitin 1989, pasardhësi i Hoxhës, Ramiz Alia, pavarësisht pritshmërive të tij, nënshkroi marrëveshjen e Helsinkit, duke njohur në këtë mënyrë ekzistencën e të drejtave të njeriut dhe nevojën e mbrojtjes së tyre. Sigurisht që Shqipëria nuk u bë demokraci nga njëra ditë në tjetrën, dhe as që ishte ndonjëherë demokratike në të kaluarën. Por a ishte e nevojshme vallë që shoqëria dhe populli i saj fatkeq të përjetonin atë regjim, që u krijua nga pakica për pakicën, para se ai të transformohej dhe të kërkonte votën e çdo qytetari si dhe shumicën, si bazë legjitimiteti të pushteteve?

Në shumë zona të vendit, regjimi komunist filloi të shkërmoqej dhe kjo gjë pati pasoja të tërthorta për sa i përket mënyrës se si funksionin disa mekanizma represioni të së kaluarës. Për shembull, rivendosen kontaktet midis fshatrave greqishtfolës që ndodheshin në të dyja anët e kufirit. Në përmasa të vogla në fillim, por në mënyrë të vrullshme më vonë, shfaqet tendenca e largimit drejt Greqisë, e cila që nga viti 1991 merr përmasa masive. Llogaritet se në vitin 1992, në një total prej dy milionë banorësh nga popullsia aktive e Shqipërisë, një milion prej tyre, domethënë 50%, kishin kaluar në Greqi.

Në atë periudhë, Antonis Samaras viziton Derviçanin, kryeqendrën e Dropullit, domethënë të zonës më të pastër nga ana e përbërjes së popullsisë, në minoritetin grek. Ndërkohë që sazet popullore vijonin të luanin, z. Samaras i fton banorët që të vizitonin vëllezërit e tyre në Greqi, të cilët i prisnin krahëhapur. Kjo “krahëhapur” meriton një diskutim tjetër. Por është fakt se, përpara se të niste ajo valë imponuese në përmasa e emigrantëve, ushtarët e armatosur të regjimit nuk po u qëllonin më me armë të gjithë atyre që e kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

“Shooting borders” e regjimit shqiptar nuk po i mbanin më të veçuar të dy popujt, të cilët, për shekuj me radhë kishin përjetuar së bashku dhe të përzier me njëri-tjetrin peripeci të shumëllojshme. Zgjedhjet e para, të cilat u zhvilluan në një nivel minimal lirie, i fiton Partia Socialiste, vazhdim dhe zgjatim i regjimit të mëparshëm. “Free but not fair” (të lira por jo të drejta) i karakterizon Këshilli i Europës ato zgjedhje. Ky etiketim ishte i saktë.

Nuk ekzistonin, p.sh., në atë periudhë, automjete private dhe ndërtesa private, kështu që kandidadët e opozitës duhej të përballeshin me kundërshtarë që lëviznin me automjete të shtetit dhe i kishin zyrat dhe selitë e tyre elektorale brenda ndërtesave shtetërore. Në vitin 1992, në zgjedhjet e dyta, fituese shpallet opozita liberale me liderë Sali Berishën dhe Gramoz Pashkon.

Në vitin 1996 realizon vizitë zyrtare në Tiranë Presidenti i Republikës së Greqisë, Kostis Stefanopoulos. Ministrat e jashtëm të të dy vendeve, Pangallos dhe Serreqi, nënshkruajnë “Traktatin e Miqësisë, të Bashkëpunimit dhe të Fqinjësisë së Mirë”. Dy vjet më vonë, ky Traktat ratifikohet nga Parlamenti grek. Ajo që kërkon z. Rama është diçka krejtësisht e pakuptimtë, sepse vendos karrocën para kuajve.

Kërkon që të ratifikohet aposteriori në Parlament vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 1987, në një kohë që ekzistenca e Traktatit të Miqësisë presupozon se marrëdhëniet midis dy vendeve janë rivendosur dhe gjendja e luftës i takon së kaluarës. I gjithë ky diskutim ka karakter propagandistik. Zoti Rama nuk na e thotë se çfarë dëshiron konkretisht, që ngre këtë çështje inekzistente dhe e përfshin në një paketë çështjesh, prej të cilave, disa ekzistojnë realisht dhe meritojnë një trajtim serioz, ndërsa disa të tjera janë inekzistente, rrjedhimisht krijohen artificialisht.

Por edhe vetë ideja e paketës si e tillë, është e frymëzimit turk dhe ka të bëjë me faktin se Turqia dëshiron “negociata” që nuk do të kenë kuadër të qartë ligjor, por do të mbështeten te raporti i forcave. Por a e ka siguruar me të vërtetë Shqipëria e zotit Rama një raport të tillë? Apo ndoshta mbështetet te premtime marrëdhëniesh të paligjshme që mund të rezultojnë të kota dhe fatale? Hera e fundit që Shqipëria lidhi aleancë kundër Greqisë, ishte me Italinë e Musolinit.

*Ish-ministër i Jashtëm i Greqisë. Artikull i botuar në gazetën greke “TO VIMA”. Përktheu: PANORAMA

MPJ dënon deklaratat e Daçiçit: Provokime të hapura ndaj stabilitetit në rajon

“Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Daçiç janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve”

PRISHTINË – Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dënon ashpër deklaratat që ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka bërë në lidhje me “gjoja sulme të diasporës shqiptare në botë ndaj misioneve diplomatike të Serbisë”.

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç sot është shprehur se sipas informacioneve të institucioneve të sigurisë së Serbisë, diaspora shqiptare po planifikon marrjen me dhunë të ndonjë prej misioneve diplomatike dhe konsullore të Serbisë në SHBA apo në Evropë. Sipas tij qëllimi i këtij veprimi është që Serbia të heqë dorë për gjykimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai po ashtu është shprehur se kjo tregon se politikanët shqiptarë janë të gatshëm “të bëjnë madje edhe terrorizëm”.

Ndërkaq, ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, duke konsideruar se këto deklarata janë nxitëse, tendencioze dhe që kanë për qëllim ta mbajnë në tension rajonin. Sipas MPJ-së, kjo është gjuhë e viteve 90-të dhe e frikës kur Serbia i orkestronte vetë sulmet që ua atribuonte të tjerëve.

“Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Daçiç janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Në këto rrethana, akte të tilla të dhunës mund të orkestrohen nga vetë shteti serb, në mënyrë që t’i atribuohen pastaj diasporës shqiptare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Ndryshe, ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-udhëheqës i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, javën e kaluar, ditën e enjte, u ndalua nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit bazuar në një urdhër arresti të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Ai në vitin 2015 ishte arrestuar edhe në Slloveni dhe më pas është liruar.aa

Daçiçi: Shqiptarët në diasporë planifikojnë sulm për shkak të arrestimit të Haradinajt

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiçi nuk të ndaluar me propagandën kundër shqiptarëve, pasi ka deklaruar se diaspora shqiptare planifikon të marrë nën kontroll një nga objektet e misioneve diplomatike apo konsullore të Serbisë, shkruan B92.

Sipas tij, qëllimi i një veprimi të tillë është që të detyrojë Serbinë të heqë dorë nga kërkesa për gjykimin e Ramush Haradinajt, transmeton Telegrafi.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, ka deklaruar se lidhur me një gjë të tillë janë informuar policia dhe organet e sigurisë të këtyre vendeve, dhe të gjitha misionet diplomatike dhe konsullore të Serbisë,

“Kjo tregon për atë se për çfarë janë politikanët shqiptarë të gatshëm – madje edhe për terrorizëm”, ka shtuar Daçiq.

Sipas tij, Serbia i bënë përgjegjëse për sigurinë të gjitha ato vende ku janë përfaqësitë e Serbisë, si dhe “kërcënon” politikanët shqiptarë “që mos të luajnë me zjarrin”.

“Serbia nuk do të heqë dorë nga ndjekja e Haradinajt dhe cilido që ka bërë krime ndaj popullit serb. Edhe populli serb, dhe të gjithë meritojnë drejtësi”, thotë Daçiqi.

Daçiqi është shprehur i befasuar me deklaratën e shefit të Diplomacisë së Shqipërisë, Ditmi Bushati, i cili ka kërkuar ndërprerjen e dialogut pas arrestimit të Haradinajt.

Dodiku: Republika Serbe të bashkohet me Serbinë dhe katër komunat veriore të Kosovës

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinë, Millorad Dodik, ka dhënë një ide për të zgjeruar territorin e Shtetit të Serbisë.

Në një intervistë për gazetën serbe Kurir, ai ka thënë se do të duhej të bëhej bashkimi i Republikës Serbe të Bosnjës, Serbisë dhe katër komunave të Kosovës të banuara me serbë në veri. Kjo, sipas tij, do të ofronte një zgjidhje afatgjatë për stabilitetin në Ballkan.

“Kosova është një çështje e dhimbshme, por ne duhet të hapim dialogun me serbët dhe të themi se katër komunat duhet të mbesin brenda Serbisë”, ka thënë Dodik. “Kjo do të ishte një satisfaksion për serbët. Kjo do të largonte ndjenjën nga serbët se janë poshtëruar në tërë këtë situatë”. /Klan Kosova/

Turqia e 14-ta në botë për nga rezervat e arit

Rezerva e arit në Turqi e cila në 3 mujorin e tretë të vitit të kaluar ishte 442.1 ton, deri tani ka pasuar një ulje prej 45.6 tonësh

ANKARA – Sipas informacioneve të mbledhura nga gazetari i Anadolu Agency (AA), Turqia me 396.5 ton ndodhet e 14-a në botë për nga rezervat e arit. Këto rezerva janë të barabarta me 13.1 për qind të gjithë rezervës së arit në vend.

Rezerva e arit në Turqi e cila në 3 mujorin e tretë të vitit të kaluar ishte 442.1 ton, deri tani ka pasuar një ulje prej 45.6 tonësh.

SHBA-ja me rezervat më të larta 

Vendi që kryeson për nga rezervat e arit në botë është SHBA-ja e cila ka një rezervë prej 8.133.5 ton. Kjo shumë është e barabartë me 74.2 për qind e gjithë rezervave në vend.

Ndërsa Gjermania, lokomotiva e ekonomisë së Evropës, ndodhet në vendin e dytë me një rezervë prej 3.377.9 ton. Kjo sasi është e barabartë me 68.1 për qind e të gjitha rezervave në këtë vend.

Kina e cila ka tërhequr vëmendjen e të gjithë botës për nga rritja ekonomike, ka një rezervë prej 1.842 ton. Kjo sasi përllogaritet vetëm 2.2 për qind e sasisë së arit që ndodhet në vend.

Një tjetër vend i zhvilluar në këtë rajon, Japonia ka një rezervë prej 765 ton ar. Edhe pse ky vend ndodhet i nënti në botë për nga renditja kjo sasi përbën vetëm 2.4 për qind të sasisë së arit në rang kombëtar.

Ndërsa Arabia Saudite, e njohur me sasinë e madhe të rezervave nëntokësore të arit përllogarit 322.9 ton. Kjo shifër përbën 2.2 për qind të sasisë së arit në vend.

Turqia në renditjen e vendeve me rezervat më të mëdha të arit ndodhet në vendin e 14 me 396.5 ton. Edhe pse ajo ndodhet pas vendeve të zhvilluara si SHBA-ja, Kina, Rusia dhe India, mund të themi që ka një performancë të mirë krahasuar me vendet në zhvillim si Koreja e Jugut e cila ndodhet në vendin e 33, si dhe Polonia e cila me 102.9 ton rezervë ndodhet në vendin e 36-të

Lista me 20 vendet e para me rezervat më të larta të llogaritura në ton:

SHBA 8.133,5
Gjermania 3.377,9
FMN 2.814
Italia 2.451,8
Franca 2.435,8
Kina 1.842,6
Rusia 1.615,2
Zvicra 1.040
Japonia 765,2
Holanda 612,5
India 557,8
EBA 504,8
Tajvani 423,6
Turqia 396,5
Portugalia 382,5
Arabia Saudite 322,9
Britania e Madhe 310,3
Libani 286,8
Spanja 281,6
Australia 280

Beograd: Një pjesë e meshës së Krishtlindjeve ortodokse iu kushtua Kosovës

Pamje nga një ceremoni e mëparshme për Krishtlindjet ortodokse në Beograd

Patriku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, sot e ka mbajtur liturgjinë e Krishtlindjeve në një kishë në Beograd.

Në këtë liturgji kanë marrë pjesë edhe zyrtarët më të lartë të Serbisë, përfshirë presidentin, Tomisllav Nikolliq.

Irinej ka kërkuar nga besimtarët që t’i luten Zotit për t’i fikur armiqësitë ndërmjet njerëzve, raporton agjencia Beta.

Një pjesë e liturgjisë i është kushtuar edhe lutjeve për Kosovën, të cilën Irinej e ka quajtur “djep shpirtëror dhe kombëtar”.

“Derisa të ketë serbë, do të ketë Kosovë. Kosova është shpirti i Serbit”, tha Irinej.

Radio Televizioni i Serbisë ka raportuar sot se për të parën herë prej vitit 1999, është mbajtur liturgjia e Krishtlindjeve në tempullin e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë, me pjesëmarrjen e peshkopit Teodosije, të priftërinjëve dhe afro 20 besimtarëve ortodoksë.

Bosfori mbyllet për qarkullim, Turkish Airlines anulon 610 fluturime

Për shkak të reshjeve të mëdha të borës në Stamboll, ngushtica e Bosforit sot është e mbyllur për qarkullimin e anijeve në dy drejtimet, kurse Turkish Airlines ka anuluar 610 fluturime

STAMBOLL – Për shkak të reshjeve të mëdha të borës që kanë përfshirë Stambollin, ngushtica e Bosforit sot është e mbyllur për qarkullimin e anijeve në të dy drejtimet. Siç njoftoi Drejtoria e Portit të Stambollit, për shkak reshjeve të borës dhe stuhive të fuqishme, qarkullimi i anijeve nëpërmjet kalimit të Bosforit është mbyllur sot nga ora 08:55 sipas kohës lokale.

Përveç kësaj, për shkak të borës së madhe, akullit dhe erërave të forta janë anuluar 610 fluturime të planifikuara të kompanisë Turkish Airlines. Për shkak të anulimit të mbrëmshëm të fluturimeve në hotele janë vendosur 5.900 pasagjerë.

Mbrëmë janë anuluar edhe fluturimet e sotme për Sarajevë, Beograd, Shkup dhe Lubjanë si dhe për shumë qytete të tjera europiane. aa

Pezullohet qarkullimi në autostradën Beograd-Nish

Trafiku në të dy drejtimet në autostradën Beograd – Nish, afër unazës Trupale është pezulluar për shkak të motit të keq dhe shikimit të dobët

BEOGRAD  –  Trafiku në të dy drejtimet në autostradën Beograd – Nish, afër unazës Trupale është pezulluar për shkak të motit të keq dhe shikimit të dobët, si dhe mos posedimit të pajisjeve adekuate dimërore të disa pjesëmarrësve të trafikut, u njoftua sot në mëngjes nga NP “Rrugët e Serbisë”.

Ekipet kujdestare të “Rrugëve të Serbisë”, janë duke bërë përpjekje për të depërtuar në këtë drejtim të rrugës, për të normalizuar trafikun.

Në disa rrugë lokale ku shtresa e dëborës arrin deri në dy metra mëngjesin e sotëm ka shkaktuar vështirësi serioze në trafik në afërsi të Nishit. AA

Turqia mund t’ia ndalojë SHBA-së qasjen në bazën Inxhirlik

Aeroplanë amerikanë në bazën ajrore, Inxhirlik

Zyrtarët turq kanë lënë të kuptohet se ata mund t’ia ndalojnë koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja që po e lufton grupin militant, Shteti Islamik, që ta përdorë bazën e rëndësishme ajrore turke, Inxhirlik, afër kufirit me Sirinë.

Koalicioni e ka përdorur këtë bazë për kryerjen e sulmeve ajrore kundër IS-it, derisa milicitë aleate kurde janë duke u përballur në betejë me luftëtarët e Shtetit Islamik.

Por, për Turqinë, grupi kurd në kuadër të këtij koalicioni është organizatë terroriste sepse ata kanë lidhje me separatistët kurdë që janë në luftë me Turqinë.

“Ne duhet ta themi se përdorimi i bazës Inxhirlik nga aleatët e NATO-s po vihet në pikëpyetje nga populli turk. Prandaj, kjo çështje është në agjenden e qeverisë. Natyrisht, marrëveshjet ndërkombëtare duhet të verifikohen. Duhet thënë sinçerisht: nëse ekziston një organizatë terroriste e njohur nga të gjithë, përfshirë edhe ne, ajo duhet luftuar së bashku”, ka thënë zëvendëskryeministri turk, Vejsi Kajnak.

Izmir: 2 të vrarë gjatë sulmit me bombë, 10 të lënduar

Një polic turk dhe një punonjës i gjykatës në qytetin bregdetar turk, Izmir janë vrarë gjatë sulmit me veturë bombë, raporton Reuters, duke u mbështetur në burime policore.

Policia raportohet se ka vrarë dy persona që dyshohet se kanë kryer sulmin, prej të cilit edhe së paku 10 persona janë lënduar.

Policia po e kërkon një person të tretë si të dyshuar se ka marrë pjesë në organizimin e këtij sulmi.

Shpërthimi në qytetin e tretë më të madh të Turqisë pason vrasjen e 39 njerëzve në një lokal nate të Stambollit pak pas Vitit të Ri.

Ja për çfarë e akuzon Serbia Ramush Haradinajn

BEOGRAD– Në fletëarrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Beogradi për Ramush Haradinajn rëndojnë një sërë akuzast. Mediat kosovare raportojnë se kreu i AAK-së akuzohet se është përgjegjës për krime të shumta ndaj serbëve, të kryera gjatë luftës në Kosovë, në rajonin e Dukagjinit. Prokuroria e Serbisë për krime lufte e akuzon Haradinajn se në vitin 1997, së bashku me vëllezërit e tij Dautin e Shkëlzenin, kishte organizuar “sulme terroriste” ndaj policisë serbe në rajonin e Dukagjinit.

Haradinaj akuzohet edhe për themelimin e njësisë speciale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Shqiponjat e zeza”, të cilën Prokuroria e Serbisë e konsideron përgjegjëse për torturimin dhe vrasjen e dhjetëra civilëve serbë, trupat e të cilëve janë gjetur në Liqenin e Radoniqit dhe në disa puse në komunën e Deçanit.

Haradinaj akuzohet edhe për vrasje masive të serbëve në zonën e Glloxhanit. Sipas Prokurorisë serbe për krime lufte, në verë të vitit 1998, në pemishten e Glloxhanit ishin gjetur kufomat e mbi 20 personave të vrarë. Më 4 mars të vitit 2005, gjykata e Hagës kishte ngritur aktakuzë kundër Haradinajt. Ai ishte akuzuar për krime kundër njerëzimit dhe për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, të kryera prej marsit deri më 30 shtator 1998, kur Haradinaj ishte Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit.

Ndërkohë, në 2012-ën, Gjykata e Hagës e kishte liruar Haradinajn nga të gjitha akuzat. Por, Prokuroria serbe për Krime lufte thotë se ka në dorë dëshmi edhe më të fuqishme, të cilat i plotësojnë akuzat me të cilat ngarkohet lideri i AAK-së, transmeton B92.

Greqi/Arrestohet një nga femrat terroriste më të kërkuara

Një ndër terroristet më të kërkuara është ndaluar prej policisë greke në Athinë.

Sipas burimeve policore, e shumëkërkuara Pola Rupa, një ndër krerët e organizatës terroriste “Lufta Revolucionare”, është ndaluar në lagjien “Ajos Dhimitrios”, në Athinë.

Policia thotë se së bashku me të, në banesë ndodhej edhe fëmija i saj dhe një femër tjetër, 25 vjeç, e cila e strehonte gjatë arratisë së saj më shumë se 2-vjeçare.

Mësohet se Rupa nuk ka kryer rezistencë gjatë arrestimit të saj.

Ajo u ka kërkuar autoriteteve të mos prekin fëmijën dhe është dorëzuar.

Pola Rupa dhe mikja e saj u dërguan në Drejtorinë e Anti-terrorit në Athinë, ku dhe do të merren në pyetje.

Vogëlushi ka qenë pranë nënës së tij gjatë gjithë viteve që ajo ka qenë në arrati, raporton TCH.

Mësohet se fëmija do të dërgohet në një qendër të posaçme mbrojtjeje për fëmijët e mitur.

Pola Rupa, së bashku me bashkëshortin e saj Nikos Maziotis, një anarkist-marksist, përbëjnë dyshen kryesuese të organizatës famëkeqe terroriste “Lufta Revolucionare”, që pasoi organizatën e “17 nëntorit” pas arrestimit të anëtarëve të saj në vitin 2003.

“Lufta  Revolucionare” akuzohet se ka kryer disa akte terroriste gjatë 15 viteve të fundit, midis tyre edhe kundër Amabasadës amerikane në Athinë.

Disa anëtarë të kësaj organizate u arrestuan në vitin 2012 dhe u dërguan për gjykim, por vonesa në gjykim dhe tejkalimi i afateve të paraburgimit u mundësoi lirinë çiftit Maziotis-Rupa, të cilët u zhdukën në mënyrë misterioze në vitin 2014.

Gjatë kësaj kohe, dy terroristët kryen disa akte terrori dhe grabitje të armatosura.

Nikos Maziotos ra në duart e policisë në verën e vitit 2015, pas përballjes me policinë gjatë një grabitjeje në një bankë, ndërsa Rupa vazhdoi aktivitetin e saj, ku sipas policisë vendase, është e dyshuara kryesore në disa grabitje të armatosura.

Ajo akuzohet se ka patur rol protagonist në tentativën për arratisje të Maziotit dhe bashkëpunëtorëve të tij me helikopter nga burgu i Koridhalos.

Aktiviteti i Rupës vazhdoi deri mëngjesin e së enjtes, kur edhe u ndalua nga antiterrori grek.

Turqia i kërkon Rusisë dhe Iranit të ndalojnë sulmet e shiitëve në Siri

Kryediplomati turk, Mevlut Çavushoglu

Turqia më 4 janar iu ka kërkuar Rusisë dhe Iranit që të frenojnë Hezbollahun dhe grupet e tjera militante Shiite në Siri të cilat Ankaraja i akuzon se rregullisht e kanë shkelur armëpushimin aktual në fuqi në Siri.

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu ka paralajmëruar se nëse vazhdojnë shkeljet e armëpushimit, ajo do të dëmtojë bisedimet për paqe të cilat Turqia, Rusia dhe Irani janë duke i organizuar për 23 janar në kryeqytetin e Kazakistanit.

“Pas armëpushimit, ne po shohim shkelje. Kur shohim se kush po i kryen këto shkelje po del se është Hezbollahu, në veçanti grupet Shiite dhe regjimi”, ka thënë Çavushoglu sipas agjencisë së lajmeve turke, Anadolu.

Edhe grupet rebele kanë paralajmëruar mos marrjen pjesë në bisedimet për paqe në Astana nëse vazhdohet me sulmet e grupeve pro qeveritare siriane.

Megjithë këto thirrje, luftimet kanë vazhduar në Ëadi Barana afër Damaskut edhe më 4 janar, sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Qeveria ndërkaq akuzon rebelët në rajon se po sabotojnë infrastrukturën e furnizimit me ujë në këtë qytet.

Stamboll, turistët të mahnitur nga “Pallati nën ujë”

Sterna, të cilën e quajnë edhe “Pallati nën ujë”, është ndërtuar në shekullin e gjashtë gjatë sundimit të mbretit bizantin Justiniani, ku me rritjen e qytetit siguronte ujë të pijshëm

STAMBOLL – Qindra turistë u mblodhën sot në mëngjes në hyrje të Bazilikës Sternë në Stamboll për të vizituar disa nga sternat më të mëdha të ndërtuara në nëntokë.

Sterna, të cilën e quajnë edhe “Pallati nën ujë”, është ndërtuar në shekullin e gjashtë gjatë sundimit të mbretit bizantin Justiniani, ku me rritjen e qytetit siguronte ujë të pijshëm.

Disa dokumente të lashta tregojnë se në ndërtimin e sternës, e vendosur rreth 150 metra nga ndërtimi histori Aja Sofja në sheshin Sulltan Ahmet, janë angazhuar 7.000 punëtorë.

Dhoma e madhe është e mbushur me radhë shtyllash dhe harqe të tullave, si dhe me mure të trashë prej 3.5 metrave.

Kapaciteti i paraparë i dhomave është 100.000 ton ujë, por sot fundi i saj është i mbuluar me disa centimetra ujë. Për turistët pjesa më interesante e “Pallatit nën ujë” janë gurët e kokës së Meduses, të cilat janë të orientuara 90 dhe 180 shkallë. aa

Myslimania Shhaideh emërohet zv/kryeministre e Rumanisë

Presidenti Iohannis ka njoftuar anëtarët e kabinetit

BUKURESHT – Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis, pas emërimit të Sorin Grindeanu për kryeministër të vendit, i cili ishte rekomanduar nga Partia Social Demokratike (PSD) si fituese e zgjedhjeve që u mbajtën më 11 dhjetor, sot para opinionit publik ka bërë të ditur anëtarët kabinetit.

Emri i parë që u rekomandua nga PSD për postin e kryeministrit por që u refuzua nga ana e presidentit Iohannis, myslimania tataro-turke Sevil Shhaideh, është emëruar zv/kryeministre dhe ministre e Zhvillimit Rajonal.

Kabineti i ri në të cilin marrin pjesë 26 ministra, nuk ballafaqohet me asnjë pengesë për t’u miratuar në parlamentin shumicën e të cilit e përbëjnë PSD dhe Unioni i Liberalëve dhe Demokratëve.

Në kabinet, partnerit të koalicionit ALDE i janë dhënë katër ministri.

Ndryshe, rekomandimi i PSD-së për emërimin e muslimanes tataro-turke Sevil Shhaideh në postin e kryeministrit ishte refuzuar nga presidenti me prejardhje gjermane, Klaus Iohannis.

Iohanis i kishte bërë thirrje PSD-së të rekomandojë emër të ri për funksionin e kryeministrit.

Në rast se emërimi i Sevil Shhaideh do të miratohej nga Iohannis, ajo do të bëhej kryeministrja e parë grua, muslimane dhe tataro-turke. aa

Ja kush është atentatori i Stambollit. Gruaja e tij flet pas arrestimit: Çfarë di për ngjarjen (Emri)

 

Dy ditët e fundit në media po qarkullojnë foto dhe video të atentatorit të mundshëm të sulmit natën e ndërrimit të viteve në një klub në Stamboll, ndërsa sot policia turke ka shkuar më tej me hetimet, duke i identifikuar atë si dhe duke i zbuluar vendqendrimin, aty ku edhe arrestuan gruan e tij.

Atentatori i dyshuar quhet Iahke Mashrapov dhe eshtë 28 vjeç dhe mban pasaportë të Kirgistanit.

Lajmi bëhet i ditur nga korrespondentja e televizionit britanik ITV Sally Lockwood, e cila citon burime të policisë turke.

Sakaq, gruaja e tij mësohet të jetë ndaluar në provincën konservatore të Konias, ku kishin ardhur me dy fëmijët e tyre në fund të nëntorit nga Kirgistani.

“Për atentatin e mora vesh nga televizori. Nuk e dija që burri im ishte një simpatizant i ISIS”. Kështu deklaroi para policisë turke gruaja e vrasësit.

Një ditë më parë, ISIS mori përsipër sulmin në klub “Reina” që la pas 39 të vdekur, 25 prej të cilëve me shtetësi të huaj.

Turqia: Jemi afër identifikimit të personit të dyshuar

Autoritetet turke thonë se janë afër identifikimit të personit të armatosur i cili po kërkohet në lidhje me sulmin e Vitit të Ri në një klub nate të Stambollit, që la 39 të vdekur, shumë prej tyre të huaj. Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Zëvendëskryeministri turk Numan Kurtulmus u tha gazetarëve të hënën se autoritetet kanë marrë shenjat e gishtave dhe një përshkrim të personit të armatosur.

Një imazh jo shumë i qartë i personit të dyshuar i nxjerrë nga kamerat e sigurisë u është dhënë të gjitha mediave turke. Kurtulmus gjithashtu konfirmoi se tetë vetë janë marrë në pyetje në lidhje me sulmin vdekjeprurës.

Grupi militant, Shteti Islamik, mori përgjegjësinë për sulmin. Në një deklaratë grupi tha se sulmin e ka kryer “një ushtar i kalifatit”.

Sulmi filloi në orët e hershme të së dielës kur një person i armatosur vrau një oficer policie dhe një civil jashtë klubit Reina para se të hynte brenda. Mbi 600 veta ishin në klub në atë kohë dhe disa prej tyre u hodhën në ujërat e Bosforit për t’u shpëtuar plumbave.

Klubi Reina në lagjen Ortakoy, një zonë në ngushticën e Bosforit është i njohur për praninë e personave të famshëm dhe të huajve.

Autoritetet që janë vënë në kërkim të sulmuesit, thanë se ai mund të jetë përzier me njerëzit që iknin nga klubi. Përveç 39 të vrarëve, rreth 70 veta mbetën të plagosur.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha të dielën se personi i armatosur që sulmoi klubin e natës në Stamboll, synonte kaosin në vend, po ai dështoi.

“Ata po provojnë të shkaktojnë kaos, të dëshpërojnë njerëzit tanë dhe te destabilizojnë vendin tonë me sulme të neveritshme mbi civilët”, tha ai. “Në do të qëndrojmë më kokë të ftohtë si komb, duke qëndruar më të bashkuar dhe nuk do të krijojmë hapësirë për lojëra të tilla të pista”, nënvizoi ai.

Në një deklaratë të Departamentit të Shtetit, zëvendësi i zëdhënësit, Mark Toner tha se “sulmet e tilla vetëm sa forcojnë vendosmërinë tonë për të punuar me qeverinë turke për të luftuar të keqen e terrorizimit”.

Rreth 25 nga 39 të vrarët janë të huaj, përfshirë të tillë nga Jordania, Libani, Izraeli, Arabia Saudite, Iraku dhe Kanadaja.

Dy shpërthime në afërsi të një stadiumi të futbollit në Stamboll më herët gjatë dhjetorit, lanë pas vetes 28 të vrarë dhe mbi 150 të plagosur.

Në qershor, një sulm që u mor përsipër nga grupi militant Shteti Islamik, la 40 të vrarë në aeroportin Ataturk në Stamboll.

KRITIKA QEVERISË TURKE PËR SULMIN

Kryeministri i Turqisë u zotua të hënën se do të ndëshkonte përdoruesit e mediave sociale që lëvdojnë terrorizmin e militantëve islamikë; por kritikët laikë të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan thonë se ai dhe qeveria e tij mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për sulmin terrorist të Vitit të Ri, që la 39 të vdekur në një klub nate të Stambollit.

Kritikët e Erdoganit kanë përmendur kritikat me bazë fetare ndaj festimeve të Vitit të Ri. Kritikat u bënë javën e kaluar nga disa media pro-qeveritare dhe nga kryekleriku mysliman i Turqisë, Mehmet Gormez, që është kreu i Drejtorisë së Çështjeve Fetare, një institucion shtetëror i vendit.

Më 30 dhjetor, Gormez nxori një predikim për të 85 mijë xhamitë e vendit, duke i quajtur festimet e Vitit të Ri “të paligjshme” dhe duke argumentuar se ato i përkisnin “kulturave të tjera.”

Pas sulmit në klubin e natës “Reina”, Gormez e dënoi masakrën, duke thënë se asnjë sulm terrorist nuk është i pranueshëm.

Megjithatë, kjo nuk e ka qetësuar një grup përfaqësuesish të shoqërisë civile turke, që ngriti padi penale të hënën kundër klerikut, duke thënë se predikimi i tij bëri që të viheshin në shënjestër ata që festonin Vitin e Ri në klubin e natës.

Shteti Islamik e mori përgjegjësinë për sulmin në Stamboll

Pjesëtarët e policisë speciale të Turqisë e sigurojnë hapësirën pas sulmit në klubin Reina në një lagje të Stambollit

Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), e ka marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës në një klub nate në Stamboll, në orët e para të Vitit të Ri 2017, nga i cili u vranë 39 vetë dhe u plagosën 69 të tjerë.

Në kumtesën e sotme të Shtetit Islamik theksohet se “një ushtar i kalifatit” e ka kryer sulmin atje ku “festonin të krishterët, mohues të religjionit”.

Të përditshmet turke, Hurriyet dhe Karar, kanë raportuar sot herët në mëngjes se zyrtarët e sigurisë së Turqisë kanë shprehur dyshime për involvimin e Shtetit Islamik në këtë masakër. Gazetat, po ashtu, kanë raportuar se i dyshuari, me gjasë, ishte nga Uzbekistani ose Kirgizia.

Aktualisht, në Turqi po vazhdon kërkimi për personin i cili e kreu këtë sulm, që ishte i si Baba Dimër.

Sulmi në Stamboll, numri më i madh i viktimave shtetas të huaj

Ministrja e Punëve Sociale dhe Familjare Fatma Betul Kaya Sayan tha se shumica e viktimave të sulmit të mbrëmshëm terrorist në Stamboll përbëhet nga shtetas të huaj

STAMBOLL – Ministrja e Punëve Sociale dhe Familjare, Fatma Betul Kaya Sayan tha se shumica e viktimave të sulmit të mbrëmshëm terrorist në Stamboll përbëhet nga shtetas të huaj.

Ministrja Kaya sot vizitoi të plagosurit në spitalin shtetëror “Istinye” në Stamboll, pas së cilës iu drejtua gazetarëve dhe dënoi ashpër sulmin e mbrëmshëm terrorist në të cilin u vranë të paktën 39 persona dhe 69 të tjerë u plagosën.

“Në mesin e të plagosurve ka edhe shtetas turq, por shumica e tyre janë të huaj. Shumica e tyre kishin vizituar disa herë Turqinë dhe e njohin mirë me vendin tonë”, tha ministrja Kaya.

Në pyetjen e gazetarëve se për qytetarët e cilëve vende bëhet fjalë, ministrja turke e Politikës Sociale Kaya theksoi se në mesin e të plagosurve ka sauditë, marokenë, libanezë, libianë dhe nga vende të tjera.

Ata identifikuan 20 të vdekur, duke përfshirë 15 të huaj dhe pesë shtetas turq. Gjatë identifikimit të viktimave të tjera, pritet së shpejti edhe zbulimi i një informacioni të tillë.

Mbrëmë, në sulmin terrorist në një klub nate në lagjen Ortakoi të Stambollit në qarkun Beshiktash u vranë të paktën 39 presona dhe u plagosën 69 të tjerë, ndërsa hetimet për sulmin janë në zhvillim e sipër, si dhe ndjekja e gjerë policore për sulmuesit.

Sulm vdekjeprurës në një klub nate në Stamboll

Kryetari i Stambollit, Vasip Sahin, tha se 35 veta u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën gjatë një sulmi në një klub nate të mbushur me kremtues me rastin e Vitit të Ri në Stamboll.

Vasip Sahin e cilësoi incidentin si një sulm terrorist ndërsa shtoi se një polic është në mesin e të vrarëve.

Mediet turke thanë se të paktën një sulmues i armatosur kishte hyrë në klubin që ndodhet në lagjen Ortakoy, i veshur si babagjyshi i Viti të Ri.

 

Dëshmitarët thanë se mbi 600 veta ishin në klub në kohën e sulmit dhe disa njerëz kërcyen në ujë në ngushticën e Bosforit për të ikur nga të shtënat.

Masat e sigurisë ishin shtuar në qytetet më të mëdha turke pas sulmeve terroriste të muajve të kaluar.

Dy shpërthime në afërsi të një stadiumi të futbollit në Stamboll më herët gjatë dhjetorit, lanë pas vetes 28 të vrarë dhe mbi 150 të plagosur.

Një grup militant kurd kishte marrë mbi vete përgjegjësinë.

Në qershor, një sulm që u mor përsipër nga grupi militant Shteti Islamik, la pas vetes 40 të vrarë në aeroportin Ataturk në Stamboll.

Presidenti amerikan, Barack Obama, shprehu ngushëllime për sulmin dhe udhëzoi ekipin e tij që t’u ofrojë ndihmë autoriteteve turke.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Eric Sshultz tha se “presidenti është informuar nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare për sulmin në Stamboll”.

Ai tha se presidenti Obama, i cili ndodhet për pushime në Hawaii, krahas ngushëllimeve për jetët e pafajshme, ka udhëzuar ekipin e tij që të ofrojë ndihmën e përshtatshme për autoritetet turke.

Grekët në kërkim të djalit që bëri shqiponjën…

Një i ri shqiptar me emrin Streson Paskali duket se i ka sfiduar keq grekët me një foto që ka realizuar me një nga rojet e Parlamentit të Greqisë.

Djali ka bërë gazmorin, teksa ka bërë shenjën e shqiponjës me dy duart dhe ka shënuar në Instagram: “Nuk i pëlqen shumë shqiponja këtij tipit…, por puna e tij….”, shkruan 27.al. Por kjo ka vënë në lëvizje grekët të cilët e cilësojnë provokim.

Presioni i SHBA bën që Dodiku të merret në pyetje nga prokurorët

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjes dhe Hercegovinës, Milorad Dodik

Pas presionit të SHBA-së, udhëheqësi i rajonit autonom boshnjak, Republika Serbe ka pranuar të merret në pyetje nga prokurorët më 30 dhjetor për mbajtjen e një referendumi në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Kryeprokurori i Bosnjës e ka thirrur Milorad Dodikun para tre muajsh, por ai kishte refuzuar të udhëtonte drejt Sarajevës, me arsyetimin se nuk ndjehej i sigurt. Dodik kishte thënë se ai do të pranonte të merrej në pyetje vetëm në territorin e Republikës Serbe.

Zyra e prokurorit ka thënë mbrëmë se Dodiku ka pranuar të merrej në pyetje si i dyshuar në rastin e referendumit të mbajtur në muajin shtator.

Plebishiti kishte të bënte me të drejtën e “të festuarit të Ditës të Republikës Serbe”.

Dodiku i ka thënë agjencisë së lajmeve, SRNA se hetimi është i motivuar politikisht ndërsa prokurorët janë të ndikuar nga shtetet e tjera dhe boshnjakët myslimanë.

Vendimi i tij që të merret në pyetje pason një bisedë telefonike që Dodik e pati me një zyrtar të lartë amerikan i cili i ka kërkuar atij t’i përgjigjet ftesës së prokurorisë dhe të heq dorë nga një referendum për ndarjen nga Bosnja të Republikës Serbe që ai e ka paralajmëruar për vitin 2018.

Dodiku dhe partia e tij duan pavarësimin e rajonit autonom serb dhe marrëdhënie më të afërta me Rusinë.

Gjatë kësaj jave është njoftuar se ai ndonëse e kishte marrë ftesën për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, kërkesa për vizë diplomatike iu kishte refuzuar nga ambasada në Sarajevë. Ai tani kërkon vizë të rregullt për këtë udhëtim drejt Uashingtonit më 20 janar.

Serbia vazhdon modernizimin e ushtrisë, blen 9 helikopterë të rinj

Kryeministri i Serbisë, Vuçiçi, gjatë takimit me kryediplomatin rus, Sergei Lavrov në Beograd, 12 dhjetor

 

Serbia e ka nënshkruar një kontratë të re për modernizimin e ushtrisë së saj, duke blerë edhe nëntë helikopterë nga kompania Airbus. Kjo vetëm sa do të rrisë më shumë garën ushtarake që u nxit nga vendimi paraprak i Rusisë për t’i falur këtij shteti ballkanik disa aeroplan luftarak, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.

Ministria e mbrojtjes së Serbisë ka njoftuar se marrëveshja thotë se Beogradi do të blejë helikopterët e llojit H-145-M për shfrytëzime të ndryshme, edhe nga ushtria edhe nga policia serbe.

Në kuadër të marrëveshjes përfshihen pjesë rezervë, trajnime për pilotët dhe ekipe të mirëmbajtjes për helikopterët.

Gjatë dhjetorit, Rusia ka njoftuar se ka vendosur t’ia fal Serbisë gjashtë aeroplanë të vjetër MiG-29, për të cilat Beogradi duhet të harxhojë 180 milionë për riparimin e tyre. Modernizimi i nisur i ushtrisë serbe ka nxitur garë me Kroacinë, vendin anëtar të NATO-s me të cilën Serbia ka qenë në luftë gjatë viteve të ’90-ta.

Zagrebi ka njoftuar se ka vendosur të zëvendësojë flotën e saj të vjetër të aeroplanëve luftarak, MiG-21 me aeroplanë të shteteve perëndimore.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë konferencës së fund vitit ka hedhur poshtë kritikat e perëndimit për kontratat e reja ushtarake.

“Jam krenar që më në fund e kemi një forcë ajrore e cila do të mbajë qiellin tonë të lirë”, ka thënë ai dhe ka shtuar: “Serbia tani do jetë një vend më i sigurt se dje”.

Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, Serbia nuk dëshiron anëtarësim në NATO-, ndonëse është në proces të afrimit me Bashkimin Evropian.

Gjendet i djegur trupi i ambasadorit grek në Brazil

Autoritetet në Brazil kanë gjetur të djegur brenda një mjeti të braktisur trupin e ambasadorit grek, Kyriakos Amiridis që ishte zhdukur prej tre ditësh.

Makina ishte marrë me qira nga ambasadori grek.

Diplomati 59-vjeçar Kyriakos Amiridis ishte parë për herë të fundit në qytetin e Nova Iguacu, ku është zbuluar edhe makina e tij.

Sipas BBC, ambasadori ka kryer për herë të fundit një telefonatë me bashkëshorten e tij, ku i ka treguar që do të dilte dhe më pas asnjë prej familjarëve nuk ka patur kontakte më me të.

Policia fillimisht ka përjashtuar një rrëmbim të mundshëm duke u shprehur se asnjë nuk kishte interes ta rrëmbente ambasadorin.

Rio De Zhaneiro  ka një përqindje të lartë të krimit dhe veçanërisht gjatë festave të fundvitit ku me mijëra turistë vizitojnë qytetin.

Armatoset Kroacia. Kërkon avionë suedezë, ose koreanojugorë

Avionët luftarak suedez “Gripen JAS 39 C/D” dhe të Koresë së Jugut, “FA-50”, janë opsionet më të mira për pajisjen më avionë të rinj të forcës ajrore kroate.

Ky është përfundimi dhe rekomandimet e ekipit të ekspertëve këshillues nga Ministria e Mbrojtjes për Forcave Ajrore kroate, raporton “Jutarnji list”.

Nga gara, të paktën sipas ekspertëve, ka rënë avioni luftarak amerikan F-16.

“Konkluzioni ynë është se Kroacia duhet të mbajë forcat ajrore luftarake, dhe ne rekomandojmë që vendimi të merret në fillim të vitit të ardhshëm, dhe se vendimi në lidhje me llojin e avionëve të bëhet deri në fund të vitit 2017“, tha për “Jutarnji list”, thotë anëtari i ekipit të ekspertëve këshillues të ministrit të Mbrojtjes, gjenerali në pension, Josip Stimac, raporton Express.

Ai nuk ka dashur të flasë në detaje në lidhje me përfundimet e ekipit këshillues, përveç se ka konfirmuar përfundimin “se cilët avionë luftarak, Republika e Kroacisë mund t’i përballojë dhe t’i mirëmbajë”.

Katër opsionet për ekipin këshillues për aviacionin u përpiluan nga ish Ministri i Mbrojtjes, Josip Bulevic, dhe detyra e tij ishte për të analizuar katër informacionet jo detyruese në lidhje me mundësinë e pajisjes me avionë të forcave ajrore kroate, me avionë të rinj apo të përdorur.

Ofertat ishin pranuar nga firma suedeze “Saab” me versionin “JAS 39 C/D”, Izraeli me avionët e përdorur “F-16”, Koreja e Jugut për “FA-50” dhe Franca për “Rafael”. Fjala është për oferta informative që Ministrisë së Mbrojtjes i jep disa udhëzime në marrjen e vendimeve në të ardhmen.

Dokumenti i dytë është “Studimi i zhvillimit të aftësive për të mbrojtur hapësirën ajrore të Republikës së Kroacisë me avionë luftarak me më shumë mundësi përdorimi”, i përpiluar vitin e kaluar dhe i cili është bazë për marrjen e vendimeve për fatin e aviacionit luftarak.

Në përcaktimin e variantin më të mirë për forcat ajrore kroate janë marrë parasysh mundësitë teknike dhe ekonomike të ofertave.

Sarajevë: Ambasada e SHBA-së nuk i jep vizë Milorad Dodikut

Presidenti i Republikës serbe të Bosnjës, Milorad Dodik ka thënë se ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bosnje e Hercegovinë ia ka refuzuar kërkesën për vizë diplomatike.

Viza do ia mundësonte atij udhëtimin drejt SHBA-së në muajin janar për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgjedhur, Donald Trump, në të cilin ai ishte i ftuar.

Dodik i ka thënë RTRS, transmetuesit publik të republikës serbe në Bosnje, më 7 dhjetor se arsyetimi i ambasadës për këtë vendim ka qenë se ai nuk shkonte në Uashington si përfaqësues i Bosnjes dhe Hercegovinës.

Lideri serb ka thënë se ftesa për të marrë pjesë në inaugurim i është dërguar nga pjesëtarët e ekipit të Trumpit.

Dodik e ka kujtuar një detaj të një bisede telefonike që e ka pasur gjatë javës së kaluar me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, i cili ka kërkuar nga ai që të heq dorë nga politikat e partisë së tij separatiste pro ruse dhe “t’i përgjigjet prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës”.

Dodik i ka përshkruar komentet e Yee’s kanë qenë të nxitura nga ambasadori amerikan në Bosnje, Maureen Cormack, i cili ka qenë i pranishëm gjatë bisedës telefonike.

RTRS ka raportuar se Yee e ka “fajësuar Dodikun për bllokimin e rrugës së Bosnjës dhe Hercegovinës drejt BE-së”.

Daçiçi: Trumpi nuk ia rikthen Kosovën Beogradit, Lavrovi miku më i mirë

BEOGRAD – Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka thënë se është në marrëdhënie të mirë me të gjithë përfaqësuesit e vendeve të huaja, sidomos pas vizitës së tyre në Serbi. Ai ka shtuar se megjithatë se mysafiri i tij i preferuar është ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të cilit i drejtohet kur Serbia ka ndonjë problem

“Ende nuk jemi në situatë kur mund t’i drejtohemi (John) Kerryt për të zgjidhur një problem, por Lavrovit,. Por kjo nuk do të thotë se e kemi zgjidhur problemin, por dimë se Rusia është në anën tonë dhe kur bëhet fjalë për vendimet e OKB-së nuk mund të marrë ndonjë vendim në dëm të Serbisë. Kjo ka ndodhur disa herë, me rastin e rezolutës për Srebrenicën apo anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Dhe kjo është një marrëdhënie miqësie”, ka thënë Daçiç për mediat serbe.

Duke iu referuar votave të fundit në Kombet e Bashkuara kur Serbia votoi kundër rezolutës për Krimenë, Daçiç ka thënë se Serbia nuk do të mund të votojë kundër interesave të Rusisë dhe në të njëjtën kohë pret mbështetjen e saj në situata të diskutueshme.

Ai ka rrëfyer se me të gjithë shtetarët me të cilët ai ishte takuar ka marrëdhënie të mira, dhe që ka një “koleksion” të 100 numrave të telefonit të kolegëve nga vende të ndryshme të botës.

“Fitorja e Trump do të thotë se Serbia do të jetë më mirë se gjatë administratës së Obamës apo Clintonit, sepse Trump ka shpallur një qasje të ndryshme nga SHBA për krizat globale”- ka thënë më tej shefi i diplomacisë serbe.

Megjithatë, Daçiç ka shtuar se askush nuk duhet të presë ndryshimet që shkruajnë mediat, të tilla si ato që “Trump do t’ia kthejë Kosovën, Serbisë”.

Gjykata e dënon për kalim kufiri, Vulin: Nuk e njoh Kosovën si shtet, s’vlen vepra penale

BEOGRAD- Gjykata Themelore në Mitrovicë ka dënuar Ministrin e Punës në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, për një vepër penale.

Në vendkalimet kufitare ka arritur vendimi me urdhrin për arrestimin e Vulin, ndërsa ai thotë se “nuk e njeh Kosovën si shtet dhe për këtë arsye nuk ka mundur të kryej veprën penale të kalimit të kufirit, kur nuk ekziston shteti që mund të ketë një kufi”. Siç merr vesh Tanjug, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka dënuar Vulin, për veprën penale – “të kalimit të paligjshëm të kufirit ose e kalimit kufitar sipas nenit 146, paragrafi 1 të KPK”, me gjobë.

“E kam marrë informatën se të ashtuquajturat autoritet në Prishtinë më kanë dënuar për një lloj të dënimit për gjoja kalimin e paligjshëm të kufirit. Unë nuk e pranoj Gjykatën e tyre, gjykimet e tyre, as që më bjen në mend për të vepruar në përputhje me vendimet e kësaj gjykate”, ka thënë Vulin për Tanjug.

Mali i Zi, urdhër arresti ndërkombëtar për dy rusë dhe tre serbë

Mali i Zi nxorri një urdhër arresti ndërkombëtar për dy rusë dhe tre serbë që dyshohen si të përfshirë në një komplot për grusht shteti që synonte përmbysjen e qeverisë së vendit të vogël ballkanik pro-NATO-s.

Televizioni shtetëror i Malit të Zi tha të martën se të pesë personat kërkohen për veprimtari të dyshuar terroriste që përfshinte plane për të vrarë kryeministrin e vendit dhe për të marrë Parlamentin ditën e zgjedhjeve në tetor.

Dy rusët, që thuhet se punojnë për një agjenci ruse të spiunazhit ushtarak, akuzohen se gjurmonin lëvizjet e ish-kryeministrit Milo Gjukanoviç nga territori i Serbisë fqinje.

Kremlini ka mohuar përfshirjen, por ka mbështetur aktivisht grupet vendëse që e kundërshtojnë anëtarësimin në NATO të Malit të Zi, një aleat tradicional sllav.

Rreth 20 njerëz janë arrestuar në Mal të Zi lidhur me skemën e dyshuar të grushtit të shtetit.

Ambasada e SHBA në BeH refuzon vizën për Milorad Dodikun

Ambasada amerikane në BeH ka refuzuar kërkesën për vizë diplomatike me të cilën Dodik do të mund të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-ve Donald Trump

SARAJEVË – Ambasada amerikane në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) refuzoi nxjerrjen e vizës për presidentin e entitetit të Republikës Sërpska (RS) në BeH, Milorad Dodik.

Dodik të hënën për “RTRS” deklaroi se ambasada amerikane në BeH ka refuzuar kërkesën për vizë diplomatike me të cilën do të mund të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-ve Donald Trump, me arsyetimin se në këtë vend nuk udhëton si përfaqësues i BeH-së.

Ai gjatë emisionit tregoi ftesën për ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri amerikan. “Përse vlen atëherë pasaporta diplomatike e BeH-së?”, pyeti Dodik. Ai theksoi se nuk përjashton mundësinë për heqjen dorë të saj, si dhe se ekziston mundësia që vitet në vijim të udhëtojë me pasaportë të Serbisë.

Dodik kujtoi se ka marrë ftesë për inaugurimin nga njerëzit që kanë qenë në shtabin zgjedhor të Trump, e që janë në ekipin i cili planifikon tranzicionin e pushtetit. Po ashtu ai theksoi se akreditimet e prisnin në Uashington. aa

Nis gjyqi i parë për 15 korrikun në Turqi

Stamboll, 27 dhjetor 2016.

Njëzetenëntë policë kanë dalë në gjyq në Stamboll, nën akuzat se kanë bërë përpjekje të rrëzojnë Qeverinë e Turqisë me grushtshtet.

Është ky gjyqi i parë i komplotistëve të dyshuar, prejse ka ndodhur përpjekja për puç në muajin korrik.

Turqia ka arrestuar rreth 40 000 njerëz, ndërsa ka pushuar nga puna dhjetëra-mijëra të tjerë, nën dyshimet se kanë lidhje me puçin.

Autoritetet turke fajësojnë klerikun fetar, Fethullah Gulen, për organizimin e grushtshtetit, por ai e mohon përfshirjen.

Gjyqi që ka nisur sot, do të zgjasë katër ditë dhe zhvillohet nën masa të rrepta të sigurisë në kompleksin e burgut Silivri, në periferi të Stambollit.

Beogradi trysni Prishtinës për asociacionin e komunave me shumicë serbe

Përfaqësues të Beogradit thanë që nëse gjatë disa javëve të ardhshme nuk do të ketë hapa konkretë për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, atëherë përfaqësuesit serbë do ta themelojnë vetë atë.

Këto komente pasuan një takim të përfaqësuesve serbë të Kosovës me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç të hënën, për të tejkaluar, siç u tha, ndarjet që ekzistojnë në kudër të Listës serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës.

Ndarjet pasuan vendimin e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa për të shkarkuar ministrin e pushtetit lokal Lubomir Mariç për shkak të siç është thënë kundërshtimeve të vazhdueshme të tij ndaj institucioneve të Kosovës

Ky vendim sipas qeverisë, qe marrë me propozim dhe këshillim me përfaqësuesit e Listës Serbe në parlamentin e Kosovës. Në vend të tij u emërua Mirjana Jevtiç, e cila deri tash ishte zëvendësministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kjo çoi në ndarje në Listën Serbe përfaqësuesit e së cilës u këshilluan të hënën në Beograd që të veprojnë të bashkuar dhe të ndryshojnë vendimet rreth ndryshimeve në përfaqësimin e tyre në qeverinë e Kosovës deri më 31 janar.

Pas takimit të së hënës shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se deri më 15 shkurt do të pritet për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pas asaj kohe serbët do të veprojnë vet për themelimin e tij dhe do të merren vesh mes vete se si do të duket asociacioni dhe çfarë përgjegjësishë do të ketë.

Më 25 gusht të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas marrëveshjes, serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni do të ketë përgjegjësinë për disa fusha siç janë shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e planifikimi urban e rural si dhe do të ketë të drejtë të marrë fonde nga Beogradi.

Qeveria thotë se asociacioni është në pajtim me ligjet e kushtetutën e Kosovës dhe propozimin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari në bazë të të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës, ndërsa kanë mohuar çdo mundësi që ai të ketë përgjegjësi ekzekutive. Por, për opozitën asociacioni mund të çojë në ndarjen e brendshme të Kosovës.

Debatet rreth kësaj marrëveshjeje si dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi, çuan në krizën më të thelë politike në Kosovë.

Marrëveshja ishte pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Dodiku: Jam ftuar në inaugurimin e Trumpit

Kryetari i Republika Srpska, Milorda Dodik. ka thënë se është ftuar të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-së Donald Trump më 20 janar 2017 në Washington.

“Kam marrë ftesën të marr pjesë në solemnitetin e dhënies së betimit të presidentit të ri amerikan, akreditimet më presin në Washington, e kemi radhën e shtatë”, ka thënë për gazetën e Beogradit “Veçernje novosti” kryetari i Republika Srpska Milorad Dodik.

Ai ka shtuar se do të marrë pjesë në inaugurim nëse administrata në largim nuk ia konteston vizën.

“Ditëve të fundit nga Washingtoni po më arrijnë kërkesa që të heq dorë nga politika e partisë që e udhëheq, po më bëhen kushtëzime të ndryshme dhe nëse i plotësoj ato do ta merrja vizën”, ka thënë Dodik.

Ai ka shpjeguar se nuk e ka paguar ftesën për të marrë pjesë në inaugurimin e Donald Trumpit, e ka shtuar asi, nëse dikush mendon se kjo mund të bëhet, le ta provojë.


Send this to a friend