VOAL

VOAL

Gazeta serbe: Ivanoviçin e vranë të njëjtët që e likuiduan edhe Janiçijeviçin

Kështu, siç transmeton Gazeta Express, “Veçernje Novosti”, duke shtuar se “shumë ngjashmëri ndërmjet vrasjes qyqare të liderit të Iniciativës Qytetare SDP e kanë orientuar një pjesë të hetimeve drejt zbulimit të lidhjeve të mundshme ndërmjet këtyre dy rasteve”.

“Të dy janë vrarë me armë zjarri të kalibrit 9 milimetra, në të njëjtën datë – më 16 janar, vetëm në një distancë prej katër vitesh, të ngjashme janë edhe disa ngjarje që i kanë paraprirë likuidimit. Janiçijeviç u vra në prag të shtëpisë së vet në veri të Mitrovicës. Vrasësit e tij, motivet dhe urdhëruesit kurrë nuk u zbuluan. Disa herë iu dogj vetura…”, shkruan gazeta beogradase, duke shtuar se besohet se edhe Janiqijeviqi është vrarë për shkak të angazhimit politik, si anëtar i Partisë së Pavarur Liberale.

Oliver Ivanoviç ishte lider i serbëve të Veriut të Mitrovicës. Kishte shërbyer si edhe si deputet i Parlamentit të Kosovës.

Një kohë ishte në proces gjyqësor për krime lufte. Ishte shpallur fajtor për krime lufte. Por lënda ndaj tij ishte kthyer në rigjykim.

Vrasjen e tij janë duke e hetuar prokurorët e Prokurorisë Speciale të Kosovës. Ende asnjë person nuk është arrestuar. Ndërkohë, ka pasur akuza se vrasjen e tij e kanë bërë strukturat kriminale të lidhura me Serbinë. Nuk e kanë ndërlidhur me vrasjet etnike.

Vuçiçi: Duhet të merremi me çështjen e Kosovës, përndryshe brenda 40 vitesh nuk do të ketë as shtet dhe komb serb

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç sot deklaroi se zgjidhja e çështjes së Kosovës është në interesin më të mirë të Serbisë.

“Duhet të krijohet një atmosferë ku njerëzit do të duan të qëndrojnë në vend dhe të kenë fëmijë dhe në këtë kuptim do të vazhdojmë bisedimet me shqiptarët dhe ndërmjetësit pavarësisht se asgjë nuk u besoj”, tha Vuçiçi, në prezantimin e planit aksional për politikën e popullsisë.

“E vetmja gjë që duam është të përpiqemi të lusim njerëzit që të kuptojnë se sa ka nevojë vendi ynë për fëmijët dhe në këtë kontekst do të vazhdojmë bisedimet me shqiptarët, pa marrë parasysh se as atyre e as ndërmjetësve asgjë nuk u besoj, nuk kemi zgjidhje tjetër”, tha presidenti serb në konferencën për media në Beograd, duke përsëritur se nëse nuk ka zgjidhje kompromisi, nuk do të ketë kurrfarë zgjidhje.

Duke prezantuar të dhënat që tregojnë se numri i fëmijëve të lindur në Serbi është 1.44 për qind ndërkohë që për shtimin normal nevojiten edhe 0.8 për qind më tepër, Vuçiç thekson se numri i fëmijëve të sapolindur në Deçan u rrit në 262 foshnja ndërsa në Milanovc të Epërm kanë vdekur 308 persona.

Siç shpjegoi ai, në varësi të çështjes së Kosovës, Serbia deri në vitin 2060 do të ketë 5 milionë banorë dhe për këtë fajtorë nuk janë as Amerika e as Bashkimi Evropian, por vetë serbët.

“Ky është momenti i fundit që të fillojmë të merremi me këtë, në 27 vitet e fundit kemi normë negative të rritjes së popullsisë, kurse kjo ka filluar të bjerë në 67 vitet e fundit. Për këtë arsye është e rëndësishme të zgjidhim çështjen e nyjes së Kosovës. Kjo është në interesin tonë më të mirë dhe ne duhet të krijojmë një atmosferë të tillë ku njerëzit do t’i besojnë paqes, stabilitetit dhe do të duan të qëndrojnë këtu dhe të kenë fëmijë”, tha ai.

Sipas tij, Serbia duhet të merret me këtë çështje, përndryshe brenda 40 vitesh nuk do të ketë as shtet dhe komb serb.

Në konferencë, ai komentoi edhe Marrëveshjen e Brukselit, e cili përmban 15 pika ku gjashtë i dedikohen themelimit të Asociacionit të komunave serbe.

Duke folur për formimin e Ushtrisë së Kosovës, Vuçiç tha se shqiptarët shkojnë në zonat serbe dhe marrin të rinjtë serbë dhe u bëjnë thirrje të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ai gjithashtu përsëriti se populli përmes referendumit do të vendosë për çështjen e Kosovës.

Gjithashtu, presidenti i Serbisë njoftoi se për rreth dy javë, shërbimet kompetente do të adresohen në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviç-it.

“Do të befasohen vetëm ata që kanë njohur fajtorin që më parë”, përfundoi ai.

Vuçiç gjithashtu komentoi edhe rreth ngjarjeve tragjike 14 vjet më parë, “kur është kryer dëbim në Kosovë”, duke theksuar se Serbia ka restauruar deri tani 42 kisha dhe manastire, por që nga viti 2005 deri në vitin 2017 vetëm rreth 10 mijë persona të zhvendosur janë kthyer. aa

Greqi: Fundoset anija, vdesin 14 emigrantë

Të paktën 14 emigrantë, përfshirë edhe fëmijë, kanë vdekur pasi anija me të cilin po udhëtonin rreth 20 persona është fundosur në Detin Egje, ka njoftuar sot policia greke.

Anija me emigrantë ishte nisur nga Turqia për në Greqi. Tre persona- dy gra dhe një burrë- kanë arritur të notojnë deri në bregdet dhe kanë njoftuar autoritetet për fundosjen e anijes.

Katërmbëdhjetë trupa të pajetë janë nxjerr nga uji dhe ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar kërkimet edhe për katër persona, që konsiderohen të zhdukur, kanë thënë zyrtarët.

Personat që kanë shpëtuar u kanë thënë autoriteteve se ata po udhëtonin me një anije druri, në të cilën besohet se kanë qenë 21 persona.

Ende nuk është e qartë pse është fundosur anija.

Agjencia për kufinjtë e BE-së, Frontex, ka thënë se më 2017, Bashkimi Evropian ka parë numrin më të ulët të kalimeve të paligjshme të kufirit, që prej se kriza me emigrantë ka nisur katër vjet më parë.

Më 2016, BE-ja arriti marrëveshje me Turqinë për të zvogëluar numrin e personave që kalonin në BE përmes rrugëve të bregdetit turk për në ishujt e afërt grek.

Kotzias përsëri në shënjestër – Tjetër zarf me plumba në zyrë dhe një letër

Tjetër mesazh i qartë kërcënues në adresë të ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias. Një zarf me një plumb është dërguar në adresën e tij, shkruan “Ta Nea”.

Siç është mësuar nga burime të policisë, qe i referohen mediat greke, zarfi i është dërguar nga persona ende të paidentifikuar të huaj dhe e ka etiketuar si pranues Ministrin Kotzia dhe përmbante një fishek dhe një letër, përmbajtja e të cilës nuk bëhet ende e ditur.

Zarfi u transferua në Laboratorët e Shërbimeve Penale dhe kanë nisur hetimet. Oficerët e policisë hetojnë nga ku është dërguar letra dhe po kërkojnë dërguesin.

Mali i Zi druan nga hakerët rusë

Gjatë dy vjetëve të fundit, autoritetet në Mal të Zi kanë regjistruar rritje të sulmeve kibernetike – shumica e tyre kundër institucioneve shtetërore dhe mediave.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale më 15 prill, ky vend po merr masa për një tjetër valë sulmesh.

Mali i Zi dhe vendet e tjera në Ballkan frikësohen se ndërhyrja e Moskës do të shtrijë edhe më shumë ndikimin e saj atje.

Zyrtarët në Podgoricë druajnë se vendi i tyre është veçanërisht i cenueshëm, pasi fituesi i zgjedhjeve presidenciale ka gjasa ta udhëheqë Malin e Zi drejt negociatave të hershme të anëtarësimit në Bashkimin Evropian – një veprim që Kremlini e kundërshton fuqishëm.

Bashkimi Evropian, së voni, ka hartuar strategjinë e re të zgjerimit që parashikon anëtarësimin e Malit të Zi në bllok deri në vitin 2025.

“Po bëjmë gjithçka të mundur për të qenë të përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë Millica Jankoviq, shefe e Drejtorisë për Administrimin Elektronik dhe Sigurinë e Informacionit pranë Ministrisë së Administratës Publike në Mal të Zi.

“Po bëjmë monitorime të vazhdueshme dhe po përpiqemi t’i njohim sulmet dhe t’i parashikojmë përpara se të ndodhin”, thotë Jankoviq për Radion Evropa e Lirë.

Rritja e sulmeve kibernetike, të cilat analistët e sigurisë i lidhin me Rusinë, ka përkuar me fazën finale të negociatave të Malit të Zi për anëtarësim në NATO, në fund të vitit 2016.

Jankoviq tha se në vitin 2017 janë regjistruar rreth 700 sulme kibernetike.

Udhëheqësit e Malit të Zi po ashtu thonë se Moska ka bërë përpjekje të ndërhyjë në zgjedhjet e përgjithshme në këtë vend më 2016. Zyrtarët rusë i mohojnë akuzat. Por, autoritetet malazeze dhe partitë në pushtet thonë se Rusia ka sponsorizuar edhe një përpjekje për grushtshtet në ditën e këtyre zgjedhjeve.

“Sulmet me sfond politik zakonisht ndodhin në organizimin e shteteve. Programet keqdashëse që shpërndahen në shërbimet e shteteve janë armët më masive që i përdorin shtetet për të ndjekur qëllimet e tyre politike”, thotë Adis Balota, dekan i Fakultetit të Teknologjisë Informative në Universitetin e Mesdheut në Podgoricë.

 

Qeveria e Malit të Zi nuk e ka akuzuar direkt Rusinë për sulmet kibernetike.

Por, firma të sigurisë teknologjike si FirstEye dhe Trend Micro thonë se kanë parë prova që i lidhin shumë sulme me APT28-shin, një grup i hakerëve rusë, i njohur edhe si “Fancy Bear”. Këtë grup, shërbimet e inteligjencës amerikane dhe analistët privatë të sigurisë kibernetike e kanë lidhur me shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse, GRU.

“Fancy Bear” është akuzuar për përpjekje për ndërhyrje në zgjedhje dhe sulme kibernetike në NATO, në Shtëpinë e Bardhë dhe në disa institucione qeveritare të Gjermanisë.

Agjencia e BE-së për Sigurinë e Rrjetit dhe Informacionit ka thënë se infrastruktura malazeze është vënë në shënjestër nga “Fancy Bear”.

“Rusia me gjasë do të vazhdojë të përdorë aftësitë kibernetike për të minuar integrimin e qetë të Malit të Zi në aleancë”, ka thënë Tony Cole, nënpresident dhe shef i teknologjisë për qeverinë globale në FireEye.

Mali i Zi është bërë vitin e kaluar anëtari i 29-të i NATO-s. Ky hap është kritikuar fuqishëm nga Moska dhe është kundërshtuar nga disa malazezë që favorizojnë lidhje më të ngushta me Rusinë.

Gjenerali i ushtrisë amerikane, Curtis Scaparrotti, i cili mbikëqyr forcat ushtarake amerikane në Evropë, ka thënë se zona që e shqetëson sot, është Ballkani.

“Rusia ka punë në Ballkan dhe unë mendoj se ne i kemi larguar disi sytë nga kjo zonë”, ka thënë Scaparrotti para një komiteti të Senatit më 8 mars.

“Kjo është një fushë në të cilën mund të kemi probleme në të ardhmen”, ka thënë ai.

Kremlini ka mohuar fuqishëm çdo rol në sulmet mbi qeveritë, mediat ose zgjedhjet në gjithë botën.

Edhe pse fushata për zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi nuk ka nisur ende, analistët thonë se nëse Moska do të kishte kandidat të preferuar, ai do të ishte Mlladen Bojaniq.

Bojaniq është ish-deputet dhe aktivist i të drejtave civile, i cili ka kundërshtuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka mbështetjen e aleancës më të fuqishme opozitare – Frontit Demokratik – subjekt pro-rus.

Ai pritet të kandidojë kundër ish-kryeministrit Millo Gjukanoviq.

Gjukanoviq, i cili ende nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, ka udhëhequr Malin e Zi për më shumë se një çerek shekulli, përpara se të tërhiqej nga politika, pasi Partia e tij Demokratike e Socialistëve ka fituar zgjedhjet e përgjithshme më 2016.

Përgatiti: Valona Tela

Kryeministri slloven jep dorëheqje

LUBJANË – Kryeministri slloven Miro Cerar ka dhënë dorëheqje pasi Gjykata e Lartë anuloi rezultatet e referendumit mbi projektin hekurudhor të mbështetur nga qeveria.

Cerar ka dhënë dorëheqje pas takimit të jashtëzakonshëm të qeverisë të mbajtur mbrëmë dhe pasi u anuluan nga Gjykata e Lartë rezultatet e referendumit të mbajtur në shtator të vitit të kaluar mbi projektin hekurudhor të Koper-Divaca, të mbështetur nga qeveria dhe që u votua nga shumica e qytetarëve.

Pas takimit të jashtëzakonshëm të qeverisë, Cerar tha se anulimi i rezultateve të referendumit ishte “pika e fundit që ka mbushur kupën”, duke shtuar më tej se, “Projekti hekurudhor ka marrë një goditje të re. Nuk dua të përfshihem në ngjarje të tilla”.

Më tej thuhet se Cerar brenda ditës bashkë me arsyet do t’i paraqesë dorëheqjen presidentit Borut Pahor.

Qeveria e koalicionit, e udhëhequr nga kryeministri Cerar, ka qenë në pushtet që nga viti 2014. Sllovenia në kushte normale pritej të zhvillonte zgjedhje të përgjithshme në maj. aa

Vuçiç-Mitchel: Është koha e duhur për të gjetur zgjidhje për Kosovën

“Dakordohem me Mitchell se duhet gjetur kompromis rreth kësaj çështjeje por Serbia nuk do të pranojë rrezikimin e popullit dhe shtetit të saj”, ka thënë presidenti i Serbisë

BEOGRAD – Tani është koha e duhur për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Kosovës, u dakorduan sot Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç dhe Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Wess Mitchell në Beograd, por Vuçiç tha se Serbia nuk do të pranojë rrezikimin e popullit dhe shtetit të tij.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë Wess Mitchell, i cili ndodhet për vizitë në Serbi gjatë turneut të tij ballkanik, tha se tani është koha për t’iu përkushtuar çështjes së Kosovës dhe për të gjetur zgjidhje kreative.

“Tani është koha që t’i përkushtohemi kësaj çështjeje si dhe çështjes së emrit të Maqedonisë, hartës së Bosnjë e Hercegovinës dhe të sigurojmë një të ardhme për brezat e ardhshëm në rajon”, tha Mitchell në konferencën e përbashket për media me Vuçiç në presidencën serbe.

Ai tha se SHBA është e gatshme të dëgjojë dhe të ndihmojë në gjetjen e zgjidhjeve kreative për këtë çështje.

“Gjetja e një zgjidhjeje për Kosovën është detyrë e të gjithë neve. SHBA-të mbështesin dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe do të vazhdojmë me këtë mbështetje, por gjithashtu u bëri thirrje të dyja palëve që të përmbushin të gjitha detyrimet sipas marrëveshjes së Brukselit”, shtoi ai.

Sipas Vuçiç-it, Serbia i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe se Kosova kishte një detyrim dhe kjo është themelimi i Asociacionit të komunave serbe, të cilën nuk e ka përmbushur, “e as që do ta përmbushë ndonjëherë”.

“Serbia nga marrëveshja e Brukselit i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta, kurse shqiptarët kanë vetëm një detyrim, një detyrim të vetëm të cilin nuk e kanë përmbushur. Bashkimi Evropian dhe SHBA-të dhe të gjithë të tjerët e dinë këtë. Jam mirënjohës që Mitchell në Prishtinë, tha se ky detyrim duhet të përmbushet. Unë jam pothuajse i bindur se nga kjo marrëveshje nuk ka asgjë, pesë vjet nuk kanë lëvizur fare, jam i bindur se as nuk do të lëvizin, ndërsa kanë patur mbështetje kohë pas kohe edhe nga komunitetit ndërkombëtar”, tha Vuçiç.

Ai tha se po flasin për standarde të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe Kosovës, duke shtuar se Serbia do të punojë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por se në qoftë se nuk ia del, kjo do të jetë edhe një tjetër dështim i saj politik.

Duke komentuar rreth transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vuçiç u bëri thirrje SHBA-së dhe BE-së dhe të gjithë të tjerëve që të tregojnë “një letër të vetme në bazë të të cilës do të formohen Forcat e Sigurisë të Kosovës”.

“Sigurisht që nuk ekziston, askush nuk mund ta shpikë atë as në BE, e as në SHBA apo kudo në botë”, tha presidenti i Serbisë.

Ai shpjegoi se mund të ekzistojë me KFOR-in dhe se Rezoluta 1244 nuk parashikon forca të armatosura.

“Kjo është pyetja ime për të gjithë mysafirët tanë të cilët aq shumë e duan forcën e Kosovës, të më theksojnë vetëm një nen, vetëm një shkronjë që jep të drejtën e themelimit të forcës. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Serbia e kundërshton atë dhe këtë ia kam thënë edhe Mitchell-it, kurse puna ime është që të flasë në përputhje me ligjin dhe kështu do të veproj. Nuk mendoj se kjo do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e kujtdo qoftë në rajon, përkundrazi”, tha Vuçiç.

Mitchell reagoi ndaj kësaj duke thënë se askush nuk mund të vendos veton ndaj Kosovës për të zhvilluar pavarësinë e saj, por se kjo duhet të bëhet në përputhje me kushtetutën.

“Ata mendojnë se kjo është e ligjshme dhe ne besojmë se kjo është e paligjshme. Ky është dallimi ynë thelbësor, ne jemi të vegjël, ata janë të mëdhenj, për ata mundet, për ne nuk mundet. Njerëzit në Serbi duhet të jenë të vetëdijshëm se ne pa amerikanët nuk mund ta zgjidhim problemin me Kosovën, si dhe probleme të tjera. Ata që mendojnë ndryshe janë naiv”, ka thënë Vuçiç.

Duke folur në tema të tjera të takimit, të dy bashkëbiseduesit kanë theksuar se kishin një bisedë të hapur. Vuçiç ka falënderuar Mitchell si “një nga të rrallët, i cili, përkundër qëndrimeve të ndryshme të të dy vendeve, dëgjoi qëndrimet e Serbisë”.

Ata ranë dakord se bashkëpunimi mes dy vendeve është i mirë por se është i nevojshëm përmirësimi i tij i mëtejshëm.

I pyetur se pse sot takohet edhe me udhëheqësit e opozitës në Beograd, ndërsa nuk është takuar në Prishtinë dhe Shkup, Mitchell u përgjigj se është e rëndësishme që të takohet me të gjithë aktorët e shoqërisë, ndërsa Vuçiç shtoi se Mitchell ka të drejtë të takohet me këdo që ai dëshiron.

Mitchell u takua edhe me kryeministren e Serbisë Ana Brnabiç ndërsa do të realizojë takim edhe me udhëheqësit e opozitës në Serbi.

Wess Mitchell filloi turneun ballkanik me vizitën në Prishtinë, pastaj në Shkup ndërsa pas Beogradit do të udhëtojë në Athinë dhe Nikozi.

Vulin: Ushtria e Kosovës do të kërcënonte paqen në Ballkan

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksander Vulin, tha se Kosova nuk mund të ketë ushtri dhe se “formacioni i tillë ilegal i armatosur” do të përbënte kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Duke komentuar deklaratën e ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, se askush nuk ka të drejtën e vetos mbi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur dhe se vendi i tij do ta mbështesë këtë transformim, Vulin tha se ushtria e Kosovës mund të formohet vetëm me forcë.

“‘Në Kosovë dhe Metohi‘ mund të ekzistojë vetëm një forcë e armatosur dhe ajo është KFOR-i. Derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos e ndryshojë vendimin e tij, kështu do të jetë. Dhe për Serbinë kjo është mundësia e vetme e pranueshme”, tha Vulin, transmeton Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Mitchell ka qëndruar të hënën në Prishtnë, ndërsa të martën në Beograd është takuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq.

Pesëmbëdhjetë vjet nga vrasja e kryeministrit të Serbisë

Në Beograd shënohet sot 15-vjetori i vrasjes së ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Xhinxhiç.

Ai ka qenë kryeministri i parë serb i zgjedhur pas rënies së regjimit të Sllobodan Millosheviçit në vitin 2000.

Qeveria e Xhingjiçit ka bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës për Krime Lufte dhe ka arrestuar dhe ekstraduar në këtë gjykatë disa të akuzuar.

Gjingjiq është vrarë më 12 mars të vitit 2003 nga një snajperist pranë ndërtesës së Qeverisë në qendër të Beogradit.

Organizatori i vrasjes, Millorad Ulemek Llegija, dhe snajperisti Zvezdan Jovanoviq janë dënuar me nga 40 vjet burgim.

Ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit sot nis një tur nëpër Ballkan, anashkalon Shqipërinë

Ndihmës-sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Wess Mitchell do të vizitojë Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Greqinë dhe Qipron gjatë mes 12 dhe 17 marsit. Ndërsa udhëtimet e të dërguarit të SHBA-ve nisin nesër, nuk dihet pse në këtë tur rajonal është përjashtuar vetëm Shqipëria.

letraNga Maqedonia, i dërguari i SHBA-ve nuk do të udhëtojë drejt Tiranës por drejt Beogradit. Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se më 14 Mars ai do të jetë në Serbi ku do të
takohet me zyrtarë të lartë, duke përfshirë presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Brnabiç si dhe udhëheqësit e opozitës. Ai do të riafirmojë marrëdhënien e fortë midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të nxisë qeverinë serbe të ecë përpara për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, të përparojë me reformat për të arritur qëllimin e saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian si dhe të mbështesë në mënyrë aktive stabilitetin rajonal.

Pas Maqedonisë Wess Mitchell do të udhëtojë më 15 Mars drejt kryeqytetit grek Athinës, ku do të takohet me zyrtarë të lartë grekë për të diskutuar mbi thellimin e lidhjeve strategjike me SHBA-të dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh, duke përfshirë fushat e mbrojtjes, energjisë, tregtisë dhe investimeve.
Ai pritet ta përmbyllë turin e tij në Nikosia, kryeqytetin e Qipros më 16 Mars, ku do të diskutojë me krerët më të lartë atje mbi çështjet dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë këtu zhvillimin e burimeve energjetike në Mesdheun Lindor. Ai do të takohet gjithashtu me krerët grekë qipriotë dhe turq qipriotë, si dhe me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara.

Nuk dimë nëse do ta kishte zgjedhur Tiranën si destinacion po të kishte pasur edhe një ditë më shumë të lirë në axhendën e tij. Kujtojmë që paraardhësja e tij Victoria Nuland e ka vizituar edhe Shqipërinë gjatë turit të saj në Europën Juglindore.

Ministri grek i Mbrojtjes: Jemi shumë pranë një incidenti fatal me Turqinë

“Jemi shumë pranë një incidenti fatal me Turqinë”. Ky është alarmi i dhënë nga ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos.

Në një intervistë dhënë për francezen “Liberation”, Kamenos foli për tensionet mes dy vendeve dhe për ato që i quajti “agresione” të Turqisë.

“Ne jemi të detyruar të mbrojmë territorin tonë, që nuk është territor vetëm i Greqisë, por është territor i Bashkimit Europian”, tha ai.

U duk sikur vizita historike e Erdogan në Athinë më 7 dhjetor të vitit të kaluar hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, por jo. Pak javë pas kësaj vizite, tensionet u ndezën edhe më fort, për të kulmuar me disa përplasje të anijeve ushtarake në Egje dhe rastin e dy ushtarëve grekë që mbahen të burgosur nga Turqia.

Ushtarët u kapën nga Turqia në territorin e saj. Greqia thotë se e kaluan kufirin gabimisht, ndërsa ministri i Jashtëm turk deklaroi për të përjavshmen gjermane “Die Zeit” se drejtësia turke po mundohet të kuptojë nëse ushtarët grekë e kaluan kufirin aksidentalisht apo qëllimisht.

Prokuroria në Zagreb akuzon për krime lufte 22 serbë të Kroacisë

Fotografi ilustruese nga arkivi

Prokurorët kroatë kanë njoftuar se kanë akuzuar 22 serbë entikë për krime lufte të kryera gjatë konfliktit në vitet 1990.

Zyra e prokurorit në Zagreb ka thënë përmes një deklarate sot se 22 serbë të Kroacisë janë akuzuar për vrasjen e 22 civilëve dhe dy zyrtarëve policorë, të cilët janë mbajtur në tri zona në lindje të shtetit më 1991.

Serbët kanë qenë pjesë e një grupi paramilitar që ka vepruar në lindje, gjatë viteve 1991-95 në luftën mes kroatëve dhe forcave serbe të përkrahura nga Beogradi.

Zyra e Prokurorit ka thënë se tetë të dyshuarit kanë urdhëruar 14 persona të tjerë “për rrahje dhe vrasje” të civilëve kroatë dhe për “marrjen ilegale të pengjeve”.

Akuzat po ashtu pretendojnë se tetë personat kanë udhëruar njerëz të tjerë të “torturojnë dhe vrasin të burgosurit e luftës” dhe të djegin e shkatërrojnë shtëpitë dhe bizneset e tyre.

Në akuzë pretendohet se të dyshuarit janë përgjegjës për granata, të cilat kanë vrarë civilët dhe u kanë shkatërruar pronat.

Krimet e supozuara janë kryer në fshatrat Çetekovac, Balinci dhe Çojlug në Kroaci, në shtator të vitit 1991.

Greqi, arrestohen dy gazetarë gjermanë

Janë dërguar në prokurori dy gazetarët, të cilët theksohet se punojnë për kanalin gjerman ARD në rajonin Dimetoka në kufi

ATHINË – Në Greqi janë arrestuar dy gazetarë gjermanë të cilët janë kapur në zonën e ndaluar ushtarake në kufirin e Greqisë me Turqinë.

Sipas lajmit të “Kathimerinit” mësohet se janë dërguar në prokurori dy gazetarët, të cilët theksohet se punojnë për kanalin gjerman ARD në rajonin Dimetoka në kufi.

Për dy gazetarët, ku njëri është grua, të moshës 31 dhe 33 vjeç theksohet se ka kaluar në veprim ambasada gjermane në Athinë.

Në anën tjetër, theksohet se gazetarët në deklaratat e tyre në polici janë shprehur se po punonin mbi një lajm në lidhje me turqit që kthehen nga Gjermania në Turqi në mënyrë të paligjshme. aa

Sllobodan Millosheviçit monument në Beograd?

Shoqata e Qytetarëve Sloboda dhe aktivistët e rinj të SPS kanë nisur iniciativën për Asamblenë e Qytetit për të ndërtuar një monument të Sllobodan Millosheviqit në Beograd.

Ata gjithashtu kërkojnë që një rrugë dhe një shesh të marrë emrin sipas ish-udhëheqësit serb dhe jugosllav, njofton e përditëshmja Vecernje Novosti.

Sipas gazetës, iniciativa iu dorëzua autoriteteve të qytetit të premten në mesditë, dhe iniciativa iu dërgua gjithashtu edhe në Presidencën e Serbisë.

Iniciatorët besojnë se Millosheviçi ishte një nga burrështetasit më të mëdhenj të Serbisë moderne që nuk lejoi që dikush ta poshtërojë popullin serb, ai lejoi krijimin e një sistem shumëpartiak, e mbrojti vendin nga NATO dhe  është një detyrim moral për qytetarët e Serbisë që në këtë mënyrë paguajnë borxhin e mirënjohjes.

Të shtunën, 11 mars, mbushen 12 vjet që nga vdekja e Millosheviçit, i cili u burgos dhe u gjykua në Tribunalin e Hagës.

Millosheviç dhe familja e tij ishin në listën e personave të ndaluar të hyjnë në Bashkimin Evropian. Ai është i lidhur me ndryshimin e politikës në Serbi që nga fundi i viteve 1980, sidomos nga fjalimi i famshëm në Gazimestan dhe sesioni i 8-të i SKK të Serbisë.

Emri i tij ishte i lidhur me vrasjen e Ivan Stamboliç dhe katër vrasjet në autostradën Ibar, por gjithashtu me ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në ngjarjet në të gjitha fushat e betejës së ish-Jugosllavisë, veçanërisht me ngjarjet e tilla si vrasjet masive në Srebrenicë, ngjarjet në Vukovar dhe të ngjashme me këto. Ai u akuzua për krime kundër njerëzimit në Kroaci dhe Kosovë dhe gjenocid në Bosnje-Hercegovinë nga Tribunali i Hagës./B92

Tensionohen në kulm marrëdhëniet Turqi-Greqi, Ankaraja kërkon përmbajtje

Turqia dhe Greqia nuk po gjejnë dot mënyrën për të jetuar në paqe të plotë, me përplasje të vazhdueshme diplomatike dhe ushtarake, shkruan “Panorama”.

Tensionet politike dhe ushtarake midis Greqisë dhe Turqisë janë rritur në muajt e fundit, pasi Presidenti Recep Tayyip Erdogan bëri thirrje për rinegociatat e kufijve mes të dy vendeve dhe një anije patrullimi turke goditi një anije greke bregdetare në Egje.

Turqia gjithashtu ka arrestuar dy ushtarë grekë mbi akuzat e spiunazhit, pasi kaluan kufirin e saj. Një gjykatë turke refuzoi lirimin e tyre të hënën, edhe pas kërkesave të zyrtarëve më të lartë grekë.

Greqia gjithashtu nuk i ka dorëzuar ushtarët turq të dyshuar për përfshirje në grushtin e dështuar të korrikut 2016, duke refuzuar t’i ekstradojë në Turqi. Por në Greqi, zërat kundër Turqisë janë rritur me arrestimin e dy ushtarëve grekë, të cilët protestuesit i kanë quajtur bij të të gjithë Greqisë.

Revoltat kanë rezultuar me djegien e flamurit turk në Athinë, çka ka tensionuar edhe më tej situatën, me zyrtarë turq që raportohet të jenë shprehur se janë gati të vdesin për flamurin.

Ministria e Jashtme turke kërkoi nga autoritetet greke që të veprojnë kundër protestuesve të së djathtës ekstreme, të cilët kanë djegur flamurin turk në një tubim të organizuar nga “Agimi i Artë” në Athinë, ku bëhej thirrje për dy ushtarët e arrestuar javën e kaluar pasi aksidentalisht, siç ka thënë pala greke, kanë kaluar kufirin e Turqisë, ndërsa patrullonin në verilindje, në Evros.

Në njoftimin e ministrisë turke thuhet se, “Ne dënojmë me forcë djegien e flamurit tonë gjatë një tubimi kundër Turqisë të organizuar nga një parti politike raciste në Athinë më 5 mars. Ne kërkojmë që autoritetet greke të arrestojnë keqbërësit, të cilët kanë kryer këtë veprim të tmerrshëm kundër flamurit tonë dhe t’i çojnë ata para drejtësisë sa më shpejt që të jetë e mundur”. Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy, kritikoi edhe deklaratat lidhur me Turqinë dhe integritetin e saj territorial nga Presidenti grek Prokopios Pavlopulos.

“Ne ftojmë Presidentin Pavlopulos të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe kufijtë tanë, si dhe të përmbahet nga një retorikë, e cila nuk është e përshtatshme për pozitën e tij dhe që mund të shkaktojë tensione të panevojshme”, tha Aksoy. Shtypi grek njoftoi se Pavlopulos ka thënë: “Ne nuk mund të kemi territorin që duhet të kishim historikisht … Nëse historia na detyron, ne do të bëjmë atë që kanë bërë paraardhësit tanë”.

Deklarata e Presidentit grek është bërë gjatë një ceremonie ku mori titullin “Qytetar Nderi” në Pydna-Kolindros në Pieria, veriu i Greqisë. Në një thirrje drejtuar Turqisë në këtë kohë tensionesh, për të respektuar obligimet e saj ndërkombëtare, Pavlopoulos kujtoi gjithashtu se “Greqia ka një zë dhe qëndrim në Bashkimin Europian”.

Ai shtoi se dëshiron që vendi të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët, përfshirë Turqinë dhe mbështet ambiciet e vendit për t’u anëtarësuar në BE, nëse Ankaraja respekton “totalisht lidhjet ndërkombëtare dhe europiane … dhe veçanërisht Traktatin e Lozanës dhe Ligjin e Detit”.

Pavlopoulos po u referohej thirrjeve të fundit nga Ankaraja për një “përditësim” të traktatit që përkufizon kufijtë mes Greqisë dhe Turqisë, por edhe përpjekjeve për të parandaluar eksplorimin e hidrokarbureve në zonën ekskluzive ekonomike të Qipros.

Vuçiç në Bukuresht: Zgjidhje për Kosovën, më pas anëtarësim në BE

Presidenti rumun Klaus Iohanis ka theksuar se është e domosdoshme gjetja e zgjidhjes për Kosovën, meqë pa të nuk ka integrim në Bashkimin Evropian

BEOGRAD – Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç gjatë vizitës së tij të punës në Rumani sot zhvilloi takim me presidentin e këtij vendi Klaus Iohanis.

Vuçiç i ka kërkuar presidenti rumun që të kyçet në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, gjë të cilën Iohanis e pranoi duke theksuar se është e domosdoshme gjetja e zgjidhjes për Kosovën, meqë pa të nuk ka integrim në Bashkimin Evropian (BE), bëjnë të ditur nga Kabineti i presidentit serb.

Që të dy diskutuan për integrimet evropiane dhe për pozitën e pakicave kombëtare në të dy shtetet.

Presidenti serb Vuçiç në Bukuresht deklaroi se pala serbe është e interesuar për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik me Rumaninë, sidomos në industrinë automobilistike, kimike dhe të ndërtimit.

Siç njoftojnë nga presidenca serbe, Vuçiç në takimin me kryeministren e Rumanisë Vjorika Dançila konstatuan se është e domosdoshme të punohet në hapjen e vendkalimeve, rindërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Timishuarë, rruga evropiane si dhe ndërtimi i autostradës Beograd-Timishuarë.

Greqia merr oferta për eksplorimin e naftës në det të hapur

Ministri grek i Energjisë, George Stathakis, duke përshëndetur interesin nga kompanitë e naftës tha se ishte një votëbesim për ekonominë e vendit

ATHINË – Menaxhimi i Burimeve të Hidrokarbureve (HHRM) bëri të ditur se Greqia ka marrë oferta nga kompanitë kryesore të naftës, Exxon, Total dhe Repsol për eksplorimin e naftës dhe gazit në det të hapur.

Sipas HHRM-së, një nga dy konzorciumet, Exxon, Total dhe Hellenic Petroleum paraqitën një përpjekje për të eksploruar naftë dhe gaz në jug të ishullit Kreta.

Kompania poashtu deklaroi se Hellenic Petroleum gjithashtu ka bashkuar forcat me kompaninë spanjolle Repsol në një përpjekje për të kërkuar hidrokarburet për një bllok në Detin Jon.

Sipas agjencisë shtetërore greke të lajmeve, vlerësimi i ofertave pritet të përfundojë.

Ministri grek i Energjisë, George Stathakis, duke përshëndetur interesin nga kompanitë e naftës tha se ishte një votëbesim për ekonominë e vendit.

Vendi nisi ofertat për eksplorimin e naftës dhe gazit në vitin 2017 në Detin Jon dhe në jug të ishullit të Kretës. aa

Turqia thotë se do të mbajë samit për situatën në Siri në muajin prill

Pamje nga shkatërrimet në Goutan Lindore. 5 mars, 2018

Hami Askoy nuk ka thënë se ku do të mbahet ky samit. As Rusia, por as Irani nuk kanë konfirmuar menjëherë këtë informacion.

Duke folur në një konferencë për media në Ankara, Askoy tha se Turqia do t’i tregojë zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara se pritet që Uashingtoni të ndërmarrë hapa konkret për marrjen e armëve që u ka dhënë milicisë të kurdëve sirianë YPG. Zyrtarët turk dhe amerikanë pritet të takohen në Uashington më 8 dhe 9 mars.

Askoy tha se ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu do të vizitojë Moskën më 12 dhe 14 mars, ndërsa do të qëndrojë në Uashington më 19 mars.

Cavusoglu pritet të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara.

Askoy tha se Cavusoglu, gjatë vizitës në Gjermani, po ashtu do të bisedojë për ekstradimin e liderit të kurdëve të Sirisë, Saleh Muslim, i cili është liruar nga një gjykatë çeke, pavarësisht kërkesës së Turqisë për ekstradim.

Ushtria e Malit të Zi numëron 1.769 pjesëtarë

Sipas të dhënave nga raporti, nga 1.796 pjesëtarë të ushtrisë, prej tyre 237 janë oficerë, 470 nënoficerë, 243 persona civilë, ndërsa 549 ushtarë të angazhuar me kontratë

PODGORICË – Formacionin ushtarak të mbrojtjes malazeze në vitin 2017 e përbënin 1.769 ushtarë, tregon raporti mbi gjendjen e ushtrisë për vitin e kaluar, që Qeveria e Malit të Zi e miratoi në seancën e fundit.

Sipas të dhënave nga raporti, nga 1.796 pjesëtarë të ushtrisë, prej tyre 237 janë oficerë, 470 nënoficerë, 243 persona civilë, ndërsa 549 ushtarë të angazhuar me kontratë. Në ushtri janë të punësuar 177 gra, prej të cilave 70 gra ushtarë profesioniste, ndërsa 107 gra janë persona civilë në shërbim të ushtrisë.

“Mosha mesatare e personave të punësuar në ushtri është 40 vjeç. Struktura më e pafavorshme e moshës është tek nënoficerët dhe arrin 43 vjeç. Më e favorshme është tek ushtarët me kontratë dhe arrin 32 vjeç”, shtohet në raport.

Lidhur me misionet e jashtme, gjatë vitit 2017 pjesëtarët e ushtrisë së Malit të Zi kanë qenë të angazhuar në katër misione ndërkombëtare. aa

Grekët për emrin e Maqedonisë: Të jetë i përbërë nga një fjalë e vetme

Mediat greke vazhdojnë të bëjnë publike pjesë të siç theksojnë propozim-marrëveshjes midis Athinës dhe Shkupit për zgjidhjen e çështjes së emrit. Gazeta greke “Nea Selida” shkrua se Greqia propozon emër të gjerë, por në formë të një fjale. Kjo gazetë vë në dukje se Qeveria greke propozon emër për përdorim të përgjithshëm. Për shembull, vendi mund të quhet “Gorna Makedonija” (Maqedonia e Epërme) por vetëm si një fjalë e vetme dhe jo e ndarë. Gazeta “Nea Selida” përmend edhe shkurtesën MK, të cilën thotë se Greqia nuk e pranon. Sipas shkrimeve shkurtesa do të mund të ishte “GO” ose “GM”. Në analizën e saj, kjo gazetë e përmend edhe çështje e identitetit.

Lidhur me identitetin e qytetarëve të shtetit shumë-etnik, ata do të mund të identifikohen si “qytetar të Maqedonisë së Epërme”, në mënyrë që asnjë grup etnik të mos ndjehet i nënvlerësuar ose me të drejta të shkelura”……shkruan “Nea Selida” për të shtuar se Athina zyrtare dëshiron zgjidhje të plotë të të gjitha çështjeve, mes të cilave edhe irredentizmi, veçanërisht nëpër librat shkollorë.

Mediat greke gjithashtu shkruajnë se me heqjen e përmendore së Aleksandrit të Madh nga brendësia e Aeroportit të Shkupit, i hapet rruga lidhjes së serishme ajrore midis dy vendeve. Aterimi i parë pas 12 viteve do të jetë diplomatik dhe do ta sjellë në Shkup ministrin e Jashtëm grek Nikos Kocias, me siguri kah mesi i këtij muaji”, shkruan “Nea Selida”.

Por pavarësisht shkrimeve të tilla të mediave greke, kryeministri Zoran Zaev ende nuk e di datën e saktë të mbërritjes së shefit të diplomacisë greke në Shkupit. Sipas tij për vizitën e Kociasit do të vendosin vetë ministrat e jashtëm brenda këtyre ditëve.

“Nuk e di, besoj që do të vij gjatë këtij muaji, me siguri këtë do ta konfirmojnë të dy ministrat së bashku”, ka thënë më herët kryeministëri Zoran Zaev.

Gjatë vizitës në Shkup, sipas paralajmërimeve shefi i diplomacisë greke Nikos Kocias pritet ta sjellë edhe draft-propozimin për zgjidhjen e kontestit shumë vjeçar midis Greqisë dhe Maqedonisë. Vetë kryeministri Zoran Zaev pak ditë më parë në një intervistë për mediat ndërkombëtare tha se ndërmjetësi i OKB-së Metju Nimic në tavolinën e bisedimeve ka shtruar 5 propozime, njëri prej të cilëve është hedhur poshtë. Në shqyrtim janë emrat Republika e Maqedonisë (Shkupi), Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia e Vardarit, raporton Alsat -M.

Shqiptarët mbrojnë Greqinë, dëshmi rrëqethëse nga kufiri me Turqinë

Situata është tensionuar shumë mes Greqisë dhe Turqisë gjatë muajve të fundit me fërkime të vazhdueshme në det, ajër dhe tokë. Grekët dhe turqit nuk kanë ndarë ende hesapet mes tyre për disa ishuj në Egje, ndërsa problematikat e brendshme të të dyja qeverive u japin edhe më tepër shtysë që të rrisin artificialisht tensionet jashtë.

Gjatë ditës së djeshme, rojet kufitare turke arrestuan pjestar të ushtrisë greke në zonën kufituare mes dy vendeve në lumin Evros (turqit e thërrasin Meriç). Në dukje është një ngjarje e zakonshme që më parë është zgjidhur brenda pak orësh, por kësaj radhe situata ndryshon.

Albeu.com kontaktoi që në mëngjes me djem shqiptar që shërbejnë në ushtrinë greke, pikërisht në zonën kufitare me Turqinë ku edhe ndodhi incidenti duke marrë një informacion paraprak se njëri prej ushtarëve të arrestuar dyshohej ishte me origjinë shqiptare, i cili më pas rezultoi i pavërtetë.

Duket e pabesueshme, por janë shqiptarët ata që po mbrojnë grekët nga rreziku turk dhe kjo nuk po ndodh aspak rastësisht.

Kjo, pasi mësuam se 40 për qind e ushtarëve që gjenden në zonën mes Turqisë dhe Greqisë janë pikërisht djem të familjeve shqiptare që kanë emigruar në shtetin helen vite më parë.

“Këtu ku jemi ne, në kufi me Turëinë, në Evros, jemi 40 për qind shqiptarë. Grekët kanë miq dhe rrinë në Athinë, kurse neve na sjellin në kufi me Turqinë, në kulmin e tensioneve. Me sa kam mësuar këtu, kjo është politikë e ministrit Kamennos, i cili drejton një parti nacionalistësh dhe na ka vendosur në shënjestër të gjithë shqiptarëve që kanë pasaporta greke”., – rrëfen për një i ri shqiptar që shërben në ushtrinë greke.

“Kohët e fundit situata është përkeqësuar shumë. Kur u bë ajo përplasja me anijen (një anije turke goditi anijen greke në ishujt Imia sh.r) na dërgonin çdo ditë me tanke, raketa dhe armë të rënda në vijën e kufirit”.

“Nga oficerët këtu trajtohemi mirë, por 95 për qind e shqiptarëve që bëjnë ushtrinë në Greqi sillën të shërbejnë në kufi me Turqinë”., vijon ai rrëfimin.

Mësohet se toga e fundit e rekrutëve të rinj të dërguar në zonën kufitare përbehej nga 8 shqiptarë dhe vetëm 4 grekë.

Shqiptarët përbëjnë një numër të konsiderueshëm në ushtrinë greke, për të cilët gjendja është përkeqësuar me ardhjen e Panos Kamenosit në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

Me t’u rekrutuar, ata dërgohen në zonën më problematike të Greqisë, siç është pikërisht kufiri greko-turk ku edhe rreziku i ndonjë konflikti është tepër i madh me ashpërsimin e gjuhës nga Ankaraja zyrtare.

Ushtria greke e alarmuar: Turqit kanë kapur dy ushtarët tanë në kufi

ATHINË – Pas incidentit në detin Egje kur një anije turke përplasi atë të Greqisë, me sa duket “paqja” mes të dyjave është e largët. Tensionet mes dy vendeve janë rikthyer që prej ditës së djeshme kur dy ushtarë grekë u kapën në territorin turk, teksa patrullonin në zonën e Kastanies në Evros.

Sipas mediave greke, ushtarët e kapur janë mirë me shëndet, por në rast se më herët, për ngjarje të tilla në një zonë ku kufiri mund të kalohet padashje, zgjidheshin në nivele të ulëta drejtuesish, tani është dashur ndërhyrja dhe negociatat e zyrtarëve në nivele të larta.
greqi
Sipas Zougla.gr, e cila iu referohet burimeve të ushtrisë greke, kapja e ushtarëve mund të cilësohet e qëllimshme, pasi bëhet fjalë për një zonë të pyllëzuar, ngatërresa të cilat kanë ndodhur edhe në të kaluarën por nuk janë znadhuar kaq shumë.

Zougla.gr shkruan ndër të tjera se rasti madje është trajtuar edhe në gazetat më me zë në Turqi si “Hurriyet” dhe “Milliyet” të cilat kishin në faqe kryesore titujt: “Dy ushtarë grekë u arrestuan në Evros”.

E ndërsa grekët e cilësojnë të stisur dhe të fryrë këtë rast, mësohet se autoritetet turke kanë nisur tashmë procedurat për kthimin e ushtarëve në Greqi, pas verifikimeve.

Situata e krijuar mes dy vendeve ka vënë në alarm repartet ushtarake greke në ishujt dhe zonat kufitare pranë Turqisë.

Mediat serbe: Thaçi e Haradinaj nuk kanë arsye për festë, INTERPOL-i do t’i kërkojë përsëri

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi janë dy nga ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët janë hequr nga fletarrestet e INTERPOL-it, por ata së shpejti do të kthehen në to, shkruan “Blic” i Beogradit, duke iu referuar burimeve të veta.

Siç transmeton Gazeta Express, sipas informatave jozyrtare të mediumit serb, ankesa e Serbisë për fshirjen nga sistemi i INTERPOL-it i emrave të Thaçit dhe Haradinajt, si dhe të rreth 20 ish-pjesëtarëve të UÇK-së për të cilët Serbia pat shpallur fletarreste ndërkombëtare duke i akuzuar për krime lufte, do të pranohet dhe do të miratohet. Kjo, madje, do të ndodhë brenda më së shumti një jave, shkruan “Blic”.

Siç njoftoi dje Gazeta Express MPB-ja serbe ka njoftuar se lidhur me fshirje e emrave  të ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka parashtruar ankesë në Komitetin Ekzekutiv të Interpolit.

“Në koordinim me institucionet tjera, menjëherë pas njoftimit se nga sistemi i Interpolit janë fshirë më shumë fletarreste për krime lufte, kemi parashtruar ankesë për shkak të këtij akti”, kanë thënë nga MUP-i për gazetën “Novosti”, ndërsa të njëjtin njoftim sot e transmeton edhe “Blici”.

Në ankesën serbe, shkruan gazeta, “me përpikëri janë cekur të gjitha shkeljet e së drejtës materiale dhe rregullave që e definojnë punën e Interpolit”, me përfundimin se kjo organizatë ka marrë vendim të paligjshëm.

“Kjo është precedent në punën e kësaj organizate. Presim që Komiteti Ekzekutiv në mbledhjen e parë të ardhshme, brenda pak ditëve, ta pranojë ankesën tonë dhe që vendimi i disa individëve nga shërbimi juridik i Interpolit urgjentisht të ndryshohet, ashtu që të gjitha fletarrestet e fshira do të kthehen në sistemin e Interpolit”, thonë nga MUP-i.

Sipas medias beogradase, ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë hequr nga feltarrestet e kuqe duke anashkaluar komisionet kompetente të organizatës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Flamur Sefaj të martën njoftoi se ka marrë konfirmim nga Interpoli se kjo organizatë i ka pezulluar fletarrestet për ish-anëtarët e UÇK-së, të cilët Serbia i akuzon për krime lufte.

“Vendkalimet ndërkombëtare kufitare në të ardhshmen edhe zyrtarisht do të jenë të hapura për Ramush Haradinajn, por edhe për bashkëluftëtarët e tij të afërt nga ditët terroriste – Hashim Thaçin, Azem Sylën, Shujkri Bujën, Lirim Jakupin…”, shkruan shtypi serb.

Ministri malazez: Do dërgojmë ushtarë malazezë në misionin e KFOR në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Predrag Boskoviç diskutoi dje gjatë takimit me sekretarin amerikan të sigurisë në Pentagon, James Mattis, për reformat dhe mbështetjen e SHBA ndaj Ushtrisë së Malit të Zi, sidhe për përfshirjen e ushtarëve të rinj malazezë në misionin e KFOR në Kosovë.
Boskoviç bashkë me sekretarin amerikan Mattis, diskutuan mbi modalitetet e pjesëmarrjes së përbashkët të të dyja vendeve në kuadrin e pranimit të Forcave të NATO-s.
Qëllimi i Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi, Boskoviç tha se është rritja e numrit të zyrtarëve malazezë në misionin mbështetës, kështu për të dërguar dy ushtarë të stafit në misionin e KFOR në Kosovë, si dhe të sigurohet pjesëmarrje në misionet dhe operacionet e tjera të udhëhequra prej NATO-s.
Kështu shkruan në komunikatën e Qeverisë së Malit të Zi, e cila njofton për takimin që pati ministri malazez me Sekretarin amerikan të Shtetit në Pentagon.
Sekretari amerikan i Shtetit tha se Mali i Zi ka bërë përparim të dukshëm në zbatimin e reformave të nevojshme sociale si dhe, është bërë një aleat i besueshëm brenda Aleancës.
Mali i Zi, tha Mattis, po jep kontribut të rëndësishëm në paqen dhe sigurinë kombëtare.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të japin mbështetje të fortë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë e Malit të Zi në forcimin e kapaciteteve të përgjithshme të mbrojtjes.

Veteranët e luftës në Bosnje i bllokojnë rrugët

Doboj, Bosnje, 1 mars 2018.

Veteranët e luftës kanë bllokuar rrugët në disa pjesë të Bosnje dhe Hercegovinës për të kërkuar përfitime shtesë.

Sipas raporteve, veteranët e luftës së viteve 1992-95, në mënyrë paqësore, i përfunduan bllokadat në Federatën Myslimano-Kroate të vendit, mëngjesin e sotëm.

Protesta ka nisur të mërkurën dhe ka bërë që mijëra njerëz të mbeten të bllokuar në automjetet e tyre, në temperatura të ftohta.

Që nga përfundimi i luftës, Bosnja përbëhet nga dy entitete të ndara: Federata Myslimano-Kroate dhe Republika Sërpska. Të dyja i kanë qeveritë e tyre.

Ish-luftëtarët e Ushtrisë Boshnjake dhe Këshillit Kroat të Mbrojtjes kanë bllokuar rrugët në Tuzlla, Zenica dhe Doboj, si dhe rrugën nga Sarajeva për në Konjiq.

Veteranët protestues u bëjnë thirrje ligjvënësve t’i përgjigjen kërkesës së tyre për 326 marka në muaj përfitim për veteranët e papunësuar.

Ata po ashtu kërkojnë një regjistër të unifikuar të atyre që kanë luftuar në luftë.

Kryeminsitri i Federatës Myslimano-Kroate, Fadil Novalliq, tha në një konferencë për media se Federata nuk mund t’i përballojë përfitimet shtesë për veteranët.

Novalliq po ashtu tha se qeveria është e gatshme të negociojë dhe paralajmëroi se krijimi i kaosit nuk sjell zgjidhje.

Bushati takon Ivica Daçiçin, diskutime për Kosovën dhe Luginën e Preshevës

Gjatë diskutimeve në takim, Ministrat morën në shqyrtim arritjet e kësaj nisme dhe bashkëbiseduan mbi drejtimet e ardhshme të punës në kontekstin e dinamikës së evropianizimit të rajonit. Diskutimet u përqendruan në qasjen e përbashkët të vendeve të rajonit dhe bazuar mbi avokatinë e Italisë për një rigjallërim të politikës së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe Strategjinë e publikuar së fundmi nga Komisioni Evropian, si një dokument që e vë theksin në jetësimin e ëndrrës integruese të rajonit.

“Axhenda trilaterale ka kontribuar në konsolidimin e bashkëpunimit politik mes vendeve tona, si dhe ka ndihmuar në ndërtimin e një imazhi të ri që bazohet në bashkëpunimin rajonal dhe vënien në jetë të politikave dhe projekteve të BE-së në Ballkan me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Italisë dhe BE-së.”, theksoi Ministri Bushati në ndërhyrjen e tij.

Ministrat e vunë theksin në shtimin e përpjekjeve të përbashkëta për implementimin e angazhimeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht hartës së rrugës që përcaktoi Samiti i fundit i Triestes për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale dhe jetësimin e axhendës së ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike.

Në takim, u konfirmua angazhimi dhe vendosmëria e vendeve për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon, si objektiv i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor, çka duhet të shërbejë si themeli i forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit për çështjet e sigurisë, duke tejkaluar ndasitë dhe interesat e ngushta kombëtare.

Gjithashtu, Ministrat u dakordësuan të shtrijnë veprimin e Trilateralit edhe në nivel sektorial, përmes një kalendari periodik takimesh të institucioneve dhe agjencive të linjës.

Gjatë qëndrimit të tij në Beograd, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Ivica Daçiç.

Lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri Bushati theksoi mbështetjen e vendosur të Shqipërisë për Dialogun me ndërmjetësinë e BE-së, si instrumenti i duhur për të arritur drejt zgjidhjeve të përbashkëta për një sërë çështjesh të rëndësishme në dobi të jetës së qytetarëve të dy vendeve.

“Ky është investimi më i mirë që ofron mundësi reale drejt pajtimit përfundimtar dhe rrugës së përbashkët evropiane”, theksoi Ministri Bushati. Më tej ai kërkoi nga pala serbe vullnet real dhe angazhim të vendosur politik për çështje që përfshijnë kufizimet dhe pengesat për tregun e energjisë, gjithpërfshirjen dhe anëtarësimin në organizatat rajonale e ndërkombëtare.

Ministri Bushati nënvizoi interesin e posaçëm të qeverisë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke kërkuar më shumë kujdes e vëmendje dhe përfshirje më të madhe në jetën socio-ekonomike të Serbisë, si dhe garantimin e të drejtave tërësore.

Në kuadrin dypalësh, Ministri Bushati evidentoi pasurimin me zhvillime të reja të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal përmes sinergjive për evropianizimin e mëtejshëm rajonit.

Bushati sot në Beograd, takim trepalësh mes Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë

Ministria e jashtme italiane në një komunikim me mediat ka informuar se Ministri Angelino Alfano ndodhet sot me mision diplomatik në Beograd për të marrë pjesë në takimin trepalësh Itali- Serbi-Shqipëri. Në këtë takim merr pjesë Minsitri i jashtëm shqitpar Ditmir Bushati dhe Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç. Fillimisht ky takim ishte programuar të mbahej më datë 9 janar por u shtye për më datë 27 shkurt.Ky është takimi i tretë trepalësh që zhvillohet mes këtyre vendeve. Takimi i parë është mbajtur në Romë më 23 janar të 2015, e një vit më vonë më janar të 2016 në Tiranë. Italia ka qënë gjithmonë në krahë të Shqipërisë dhe Serbisë në afrimin e tyre drejt Bashkimit Europian. Përshpejtimi i rrugëtimit europian i dy vendeve të Ballkanit, probleme të lidhura me sigurinë ndërkombëtare, emigracionit, cështje të ekonomisë, energjisë dhe transportit janë në axhendën e punës së këtij takimi. Ministria e Jashtme italiane informon se takimi trepalësh në Beograd do të mbahet në vilën Mir e rreth orës 14.20 do të zhvillohet konferenca e përashkët e shtypit e 3 ministrave. Italia mban presidencën e radhës në OSBE e Misitri i jashtëm italian do të takohet në Beograd dhe me kreun e këtij misioni në Serbi diplomatin italian Andrea Orizio.

Skandali i gruas, jep dorëheqjen ministri grek i Ekonomisë

Ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit në Greqi, Dimitris Papadimitriou ka dhënë dorëheqjen. Kjo vjen disa orë pas dorëheqjes së bashkëshortes së tij, Rania Antonopoulou, ministre e Punës, kompetente për uljen e Papunësisë.

Kjo e fundit dha dorëheqjen pasi merrte subvencione për qiranë e banesës.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras ka pranuar të dyja dorëheqjet e ministrave. Ndërsa sot do të kryejë kompozim të detyruar brenda pak orësh pas largimit të dy ministrave në fjalë, por edhe për shkak të gjendjes së rënduar të shëndetit te ministrit të Emigracionit, Janis Muzalas, njoftojnë mediat vendase.

Kryeministri grek duhet të shpallë emrat e rinj të kabinetit sa më shpejt. Çifti ministror, më të pasurit e qeverisë sot e të ardhur nga New York për të kontribuuar në nxjerrjen e vendit nga kriza, merrnin edhe asistencë për qira nga populli grek, një skandal ky i zbuluar nga opozita.

Gjithsesi, nuk priten ndryshime të mëdha nga kryeministri Cipras, por vetëm të detyrueshme.

Vuçiçi: Na duhet një marrëveshje me Prishtinën, përndryshe mbytemi në të kaluarën tonë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiçi tha se ne duhet të kuptojmë se sa dhe pse është e rëndësishme për të arritur një kompromis me Prishtinën, përndryshe do të themi: “mbytemi në të kaluarën tonë”.

Vuçiq në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin e KE-së Jean-Claude Juncker, tha se “jam duke e kërkuar mbështetjen e Komisionit Evropian dhe të gjitha fuqive botërore”.

“Nëse nuk e kuptojmë, dhe ju e dini mirë se çfarë dua të them për pavarësinë e Kosovës, ne duhet të bëjmë kompromise… nëse nuk e bëjmë, do të shkatërrojmë veten në të kaluarën tonë – paralajmëroi presidenti serb”, tha ai.

Vuçiqi foli për një marrëveshje të detyrueshme ligjërisht me Prishtinën, ku shtoi se ishte e rëndësishme të gjente një kompromis me shqiptarët dhe të zgjidheshin historikisht këto marrëdhënie, për të krijuar miqësinë e dy popujve.

“Kjo është çështja më e vështirë për ne, dhe kjo është një pyetje për Serbinë të gjithë qytetarët tanë dhe për të ardhmen tonë”, tha Vuçiq.

Ai vuri në dukje se marrëveshja duhet të jetë e tillë që si Beogradi edhe Prishtina të humbasin diçka. Një palë nuk mund të marrë gjithçka, dhe tjetra humbet gjithçka, theksoi ai, raporton “Vestinet”.

Shpresoj që shqiptarët të kuptojnë se sa e rëndësishme është kjo marrëveshje. Ai tha se do të bënte gjithçka për të gjetur zgjidhjen, edhe nëse ishte e vështirë.

Terroristi që sulmoi ambasadën amerikane në Podgoricë ishte i dekoruar nga Millosheviçi

Policia malazeze dyshon se Dalibor Jaukoviç (43-vjeçar), është personi që hodhi bombën në oborrin e ambasadës amerikane gjatë natës së mbrëmshme dhe pastaj vdiq në një shpërthim tjetër, raportojnë mediat malazeze.

Jaukoviç ka jetuar në Podgoricë dhe është i lindur në Kraljevë.

“Nuk ka viktima të tjera në shpërthim, dhe motivi është ende i panjohur”, raportojnë mediat.

Në profilin e tij në facebook, shihet se Jaukoviq ishte nderuar me medalje për merita në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999.
Jaukoviç iu dha medalje për “angazhim të jashtëzakonshëm në kryerjen e detyrave në mbrojtje të vendit”

Sulm në ambasadën amerikane në Podgoricë

Qeveria e Malit të Zi tha se një person i panjohur hodhi një mjet shpërthyes mbi ndërtesën e ambasadës amerikane në Podgoricë, ndërsa më pas hodhi veten në erë, rreth gjysmë ore pas mesnatës.

Në një postim në rrjetin twitter, qeveria tha se “një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para kësaj, ai person hodhi një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara”.

Qeveria malazeze tha se “me gjasë, mjeti shpërthyes ishte granatë dore. Hetimet anë duke u zhvilluar” por nuk ka dhënë më shumë hollësi.

Nuk ka pasur dëme në njerëz e as dëme materiale në ambasadën amerikane e cila paralajmëroi shtetasit amerikanë që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin ambasadën deri në një njoftim të radhës. Të gjitha shërbimet konsullore për ditën e enjte, janë anuluar.

Mali i Zi, një nga vend i vogël me dalje në det, u bë anëtari i 29-të i NATO-s në muajin maj të vitit 2017.

Paga mesatare, më e larta në Slloveni, më e ulëta në Kosovë

Sipas të dhënave të fundit zyrtare, pagat mesatare më të larta në rajon i ka Sllovenia dhe Kroacia, ndërsa më të ulëtat Kosova dhe Maqedonia.

Të dhënat e Entit statistikor të Sllovenisë tregojnë se në fund të vitit 2017 paga mesatare neto mujore në Slloveni u rrit në 1.062 euro, që është një rritje nominale prej 3.1 për qind, kurse reale prej 1.7 për qind në krahasim me vitin 2016.Vitin e kaluar si në sektorin privat ashtu edhe publik Sllovenia ka shënuar rritje të të ardhurave mesatare mujore.

Pas Sllovenisë radhitet Kroacia, ku sipas të dhënave të fundit, paga mesatare është rreth 835 euro. Sipas Byrosë Qendrore të Statistikave (DZS), paga mesatare mujore neto për një punëtor në Kroaci në nëntor të vitit të kaluar ishte 6.190 kuna ose 832 euro, që paraqet rritje mujore nominale prej gati 3 për qind kurse në atë vjetore prej 6.6 për qind.

Ndërkaq, të dhënat e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) tregojnë se paga mesatare në Kosovë për vitin 2017 ishte 363 euro, shifër që tregon për pagë më të ulët mesatare në rajon.

Ndërsa, të dhënat e Entit të Statistikave të Maqedonisë tregojnë se në nëntor të vitit 2017 paga mesatare neto mujore në këtë vend arriti në 23.196 denarë ose 377 euro.

Sipas Agjencisë për Statistikave, paga mesatare mujore neto në BeH në dhjetor të vitit 2017 ishte në 862 MK (Marka Konvertibile), apo 440 euro, ku nominalisht ishte më e lartë për 0.6 për qind në krahasim me muajin e mëparshëm dhe me 1.1 për qind më e lartë në krahasim me muajin dhjetor 2016.

Pas BeH-së pasojnë Shqipëria dhe Serbia. Duke u bazuar në Institutin e Statistikave të Shqipërisë, paga mesatare e miratuar në Shqipëri, për sektorin shtetëror për tremujorin e tretë të vitit 2017 është 458 euro.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Serbisë, paga mesatare neto në dhjetor 2017 arriti në 54.344 dinarë apo 459 euro, e cila është një rritje nominale dhe reale për 14.2 për qind në në krahasim me muajin nëntor.

Pas Serbisë pason Mali i Zi, ku sipas të dhënave të fundit nga Enti i Statistikave shtetërore të këtij vendi (Monstat), paga mesatare në muajt e fundit të vitit 2017 arriti në 512 euro. Shuma e pagës mesatare neto në vend në dhjetor ka mbetur e njëjtë si në nëntor ndërsa në raport me muajin dhjetor të vitit 2016 u rrit për 0.6 për qind. aa

2 milionë euro kanabis gati për treg, pranga 2 shqiptarëve në Turqi

Dy shqiptarë, njëri prej të cilëve me origjinë nga Kosova, janë arrestuar nga Policia e Stambollit teksa po përpiqeshin të hidhnin në treg 200 kg kanabis në llojit skunk.

Gazeta turke “Milliyet” tha se droga në Turqi ishte futur nga dy trafikantët 27-vjeçari D.R. nga Kosova dhe 33-vjeçari me iniciale J.A. nga Shqipëria.

 

Sipas medias turke, dy të arrestuarit ishin pjesë e një rrjeti ndërkombëtar droge me qendër në Shqipëri, ndërsa vlera në treg e drogës së kapur ishte mbi 2 milionë euro.

Droga raportohet se është futur në Turqi me rrugë tokësore dhe po fshihej në një adresë në Kucukcekmece.

 

Trafikantët shqiptarë e kishin ndarë kanabisin në paketa dhe e kishin bërë gati për shpërndarje në momentin e arrestimit.

Kryediplomati malazez: S’ka ndryshime të veçanta në marrëveshjen e demarkacionit

Marrëveshja e re mes dy presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi do të mund ta korrigjojë marrëveshjen teknike që ishte arritur tri vite më parë, por sipas ministrit malazez, Srxhan Darmanoviç nuk do të ketë ndryshime të veçanta.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviç, i pyetur nëse në bazë të asaj marrëveshjeje mund të ndodhë ndryshimi i kufirit, Darmanoviç është përgjigjur se deklarata politike e Thaçit dhe Vujanoviçit konfirmon atë që tashmë ekziston në Marrëveshje, në nenin 7, shkruan tg. “Prandaj, nuk ka ndryshime të veçanta”, iu ka thënë gazetarëve Darmanoviç, dhe shpjegoi se me nenin 7 pasi që të dyja vendet e ratifikojnë marrëveshjen, Komisioni duhet të dalë në terren dhe të kryejë këtë proces.

Sipas tij, ekziston mundësia që disa korrigjime të vërtetohen metër për metër. “Marrëveshja për kufirin duhet të ratifikohet, e këtu bëhet fjalë për korrigjime eventuale teknike që nuk sjellin kurrfarë rezultati negativ për asnjërën prej palëve në procesin negociator”, shtoi ai, raportojnë mediat malazeze.

Gjuriçi: Do të bisedohet për Asociacionin, Ivanoviçin…

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se më 26 shkurt, në Bruksel, pas më shumë se 14 muajsh, do të vazhdojë dialogu me Prishtinën për çështje teknike.

Ai tha se Beogradi do të këmbëngulë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në adresimin e çështjeve themelore të jetesës për popullin serb, si dhe në hetimet për vrasjen e politikanit serb në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviç.

“Beogradi është i gatshëm të shkojë në Bruksel. Do të kemi shumë pyetje për bashkëbiseduesit nga Prishtina”, tha Gjuriçi për gazetarët në Bruksel.

“Për ne, nuk ka çështje më të rëndësishme se Asociacioni i komunave serbe. Këtë na e kanë borxh që 1,767 ditë dhe kjo është temë mbi të gjitha temat”, tha Gjuriq.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar të dielën se dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojë më 26 shkurt..

Senatori Johnson: “Popujt e Ballkanit duhet të falin njëri-tjetrin për të ardhmen”

“Të gjithë duhet të shikojmë në të ardhmen. Askush nuk do të harrojë të kaluarën. Popujt në rajon të tentojnë të falin për të pasur një të ardhme më të mirë”, tha senatori amerikan, Johnson, pas takimit me Vuçiçin

BEOGRAD – Senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Ron Johnson, deklaroi dje në Beograd se nga popujt e Ballkanit nuk kërkon që të harrojnë të kaluarën, por të falin njëri-tjetrin për hir të së ardhmes.

“Të gjithë duhet të shikojmë në të ardhmen. Askush nuk do të harrojë të kaluarën. Por kërkoj nga të gjithë popujt në rajon që të tentojnë të falin për të pasur një të ardhme më të mirë”, tha Johnson pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai tha se çdo marrëveshje duhet të ketë ide për të ardhme më të mirë për të gjithë popujt që jetojnë në Ballkanin Perëndimor.

Johnson shtoi se në Prishtinë do të dërgojë porosinë se “durimi dhe fleksibiliteti janë ato që do të ndihmojnë të ecim përpara”.

Ai shtoi se ngritja e flamurit serb para Shtëpisë së Bardhë para 100 viteve tregon se Serbia është e rëndësishme për paqen rajonale, por edhe botërore dhe sot është i bindur se populli serb dëshiron paqe dhe stabilitet për të gjithë njerëzit në rajon.

Vuçiç tha se me senatorin Johnson ka biseduar për katër tema, marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, çështja e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, procesi i integrimit evropian dhe rajoni.

Tema e cila iu kushtua më shumë kohë në konferencën e shtypit ishte Kosova, ndërsa Vuçiç tha se SHBA-të dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme meqë SHBA-të kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, ndërsa Serbia jo.

Ai tha se Serbia është e hapur për bisedime dhe e gatshme për zgjidhje me kompromis, porse, siç tha, për kompromis nevojiten dy palë.

“I luta SHBA-të, si vend që ka pasur ndikim të madh në krijimin e asaj që shqiptarët e Kosovës dhe shumë të tjerë e quajnë pavarësia e Kosovës, që neve të na ndihmojnë në stabilizimin e rajonit, duke u kërkuar shqiptarëve një zgjidhje më fleksibile që do të përbënte një kompromis”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se Beogradi dhe Prishtina doemos duhet të gjejnë zgjidhje dhe se një produkt i rëndësishëm i kësaj zgjidhjeje do të ishte të qetësohen marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve si dy popujt më të mëdhenj në Ballkan për një periudhë të gjatë dhe të parandalohet largimi i të rinjve nga të dy vendet.

“Të sjellim një zgjidhje e cila do të jetë e mirë për fëmijët tanë dhe të ardhmen, e që Serbia mos të jetë e poshtëruar”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se lajm i mirë është se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë paqe dhe stabilitet në rajon dhe tha se me senatorin bisedoi për vizitën në Zagreb.

Vuçiç tha se me Johnson ka biseduar për Bosnjë e Hercegovinën duke u shprehur se Serbia mbështet integritetin territorial të këtij shteti dhe integritetin e Republika Sërpska në kuadër të BeH-së.

Ai tha se Serbia dhe SHBA-të kanë shkëmbim ekonomik prej 560 milionë dollarë, dhe se të dyja palët presin që shkëmbimi të jetë në nivel më të lartë.

Vuçiçi: Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës vazhdon më 26 shkurt

“Mendoj se në tavolinën e bisedimeve do të vendosen të gjitha temat, duke filluar nga Bashkësia e Komunave Serbe, deri tek diplomat”, tha presidenti i Serbisë në një prononcim për gazetarët

BEOGRAD – Dialogu teknik mes Beogradit dhe Prishtinës do të rifillojë më 26 shkurt, ndërkohë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç sqaroi se delegacioni serb do të kryesohet nga Marko Gjuriç.

“Dialogu teknik në të cilin Beogradi do të përfaqësohet nga Marko Gjuriç do të vazhdojë më 26 shkurt. Mendoj se në tavolinën e bisedimeve do të vendosen të gjitha temat, duke filluar nga Bashkësia e Komunave Serbe, deri tek diplomat”, tha presidenti i Serbisë në një prononcim për gazetarët.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić(Ana Brnabiç), me herët gjatë javës deklaroi se është duke punuar në zbatimin e marrëveshjes për energjetikë, që sipas saj është e vetmja çështje e ngelur për zbatim nga ana e tyre.

Vuçiç tha më tej se në fund të muajit, ose në fillim të tjetrit do të vazhdoj dialogu në të cilin do të përfshihen edhe ai, si dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. “Për sa i përket Serbisë, ne jemi gjithmonë të gatshëm. Jam i gatshëm t’u përgjigjem ndërmjetësve evropianë të çdo kohë”, tha ai.

Rikujtojmë se takimi i dy delegacioneve u anulua më 16 janar, si pasojë e vrasjes së liderit të nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç.

Pas një takimi të mbajtur sot me studentët nga Mitrovica, Vuçiç tha se çështja më e rëndësishme është që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë konsensus “me të cilin do të mbeten të kënaqura të dyja palët”, pasi siç tha, nuk e imagjinon dot anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara pa një marrëveshje paraprake me Serbinë.

“Nëse dikush dëshiron në OKB, e ka patjetër një marrëveshje me Serbinë, për çka nevojitet një kompromis i cili përfshinë marrëveshjen ‘pak ne-pak ju”, tha Vuçiç.

Greqi, mbahet festivali “Nata e Fantazmave”

Duke ardhur nga vende të ndryshme të Greqisë, pjesëmarrësit në festival janë veshur me kostume të bëra me maska interesante dhe lëkurë të kafshëve

AMFISSA – Festivali “Ghost Night”, i cili bazohet në kujtimin e një historie tragjike dashurie të së kaluarës në Greqi, u zhvillua në qytetin Amfissa me pjesëmarrjen e qindra njerëzve të veshur me “kostume të fantazmave”.

Në festivalin i cili këtë vit zhvillohet për herë të 23-të dhe i cili konsiderohet si një prej festivaleve më shumëngjyrëshe të vendit kanë treguar interes një numër i madh personash nga çdo grupmoshë.

Duke ardhur nga vende të ndryshme të Greqisë, pjesëmarrësit janë veshur me kostume të bëra me maska interesante dhe lëkurë të kafshëve.

Pjesëmarrësit në festival kanë shëtitur në këtë rajon me pishtarë në duart e tyre. Evenimenti përfundoi me ndezjen e një zjarri në sheshin e qytetit. aa

Kryeministri Tsipras autorizon fazën finale të negociatave me Shqipërinë

Burime diplomatike pranë Ministrisë së Jashtme greke i kanë konfirmuar Top Channel se kryeministri grek, Aleksis Tsipras ka autorizuar fazën finale të negociatave për shportën e çështjeve të pazgjidhura mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Sipas këtyre burimeve, dy ditë më parë, kryeministri grek ka dhënë dakortësinë dhe fuqinë ekzekutive për minisitrin e Jashtëm dhe ekipin negociator grek, për të kaluar në fazën e shkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve.

 

Mësohet se në Kretë, në Korçë, por edhe gjatë takimit të fundit që dy ministrat e Jashtëm kishin në Bullgari, janë detajuar edhe pak prej pikave me të cilat dy palët nuk kishin një pozicion përfundimtar. Top Channel ka mësuar se tashmë konsiderohen të mbyllura marrëveshja e detit, ku palët kanë detajuar çdo pikë të saj, madje kanë dakortuar edhe në hartë për ndarjen e re të vijës bregdetare dhe të zonës ekskluzive ekonomike.

Lidhur me këtë, pala jonë ka bërë kujdes, me qëllim zbatimin e përpiktë të së drejtës ndërkombëtare, duke bërë kujdes që të mos “mërzisë” edhe aleatin e madh të Shqipërisë, Turqinë.


Send this to a friend