VOAL

VOAL

Miçunoviç: “Vuçiçi i gatshëm për heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë”

Rrëfimi për Kosovën si territor yni, krahinën tonë jugore në përbërje të Serbisë, sot ka përfunduar. Asnjë preambulë nuk mund ta kthejë atë, ka vlerësuar në intervistën për javoren “Vreme” deputeti i Partisë Demokratike Dragolub Miçunoviç, transmeton Koha.net.

Ai thotë se edhe më herët ka pasur biseda për temën Kosova, porse ata janë injoruar e madje janë akuzuar “si tradhtarë”.

Sipas mendimit tim, ka thënë ai, Vuçiçi është i gatshëm të bëjë ndërrime kushtetuese, të hiqet preambula , ka thënë Miçunoviçi i cili shton se preambula është interesante si mallkim, i cili sikur thotë “ai që më fshin, mallkuar qoftë “.

Së pari duhet të zgjidhet se e kujt është Kosovë si territor, pastaj duhet të normalizohen marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën. Vuçiq, gjoja është i gatshëm ta bëjë këtë, të normalizojë marrëdhëniet, që serbët të hyjnë në Qeverinë e Kosovës, ka thënë Miçunoviç.

Ideja e Vuçiçit për Kosovën nuk është e sinqertë

Gazetari serb i Deutsche Welle, Nemanja Rujeviç, ka deklaruar për televizionin serb se ideja për dialog të brendshëm mbi Kosovën nuk është e keqe, sikur të ishte e sinqertë.

“Siç thotë opozita, në këtë atmosferë nuk mund të ketë dialog sepse në asgjë nuk ekziston dialogu. Kuvendi është shndërruar në instrument të qeverisë ekzekutive, nuk mund të ketë dialog të vërtetë për asgjë. Argumenti tjetër i opozitës është se tanimë është vonë për dialog, nuk pinë ujë, sepse nuk do të zemërohemi si fëmijë të vegjël dhe themi nuk dëshirojmë që në vitin 2017 të flasim për Kosovën, sepse këtë është dashuri ta bëjmë para pesë viteve”, ka thënë Rujeviç, transmeton gazetametro.net.

Ai konsideron se kryetari i Serbisë Aleksander Vuçiç mendon për çdo gjë në mënyrë taktike e jo në mënyrë politike, dhe se ka luajtur mençur sepse “iu ka gjuajtur ashtin opozitës”.

“E cila tani duket jodemokratike, nuk dëshiron të bisedojë etj. Kot ju nuk doni, kur gjithë kjo po ndodh nëpërmes të medieve”, thotë ai.

Sipas mendimit të tij, Kosova kurrë nuk ka qenë temë kryesore për njerëzit para zgjedhjeve, por ka kapacitet të nxehë emocionet në çdo moment.

Në periudhën janar-qershor Stambollin e vizituan mbi 4 milionë turistë të huaj

Në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti, shtetasit gjermanë zënë vendin e parë me 9,2 për qind në mesin e atyre që kanë vizituar Stambollin

STAMBOLL – Sipas të dhënave të Drejtorisë së Kulturës dhe të Turizmit të Stambollit, numri i të huajve të cilët e kanë vizituar Stambollin gjatë periudhës janar-qershor në krahasim me atë të vitit të kaluar është zvogëluar për 1 për qind. Kurse gjatë muajit qershor, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar numri i të huajve që vizituan Stambollin është rritur për 17 për qind.

Gjatë periudhës janar-qershor Stambollin e kanë vizituar 4 milionë e 385 mijë e 153 turistë. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shkuarja e turistëve përmes rrugës ajrore është zvogëluar për 0,7 për qind, kurse përmes rrugës detare për 65,3 për qind. Ndërkaq 20 për qind e të huajve që kanë vizituar Stambollin përmes rrugës ajrore kanë përdorur Aeroportin “Sabiha Gökçen”.

Në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti, shtetasit gjermanë zënë vendin e parë me 9,2 për qind në mesin e atyre që kanë vizituar Stambollin.

Pas gjermanëve me radhë vijnë iranianët me 7,7 për qind, rusët me 4,6 për qind, arabët sauditë me 4,3 për qind, irakianët me 4,2 për qind, britanikët me 3,5 për qind, ukranianët me 3,4 për qind, francezët me 3,3 për qind, amerikanët me 2,9 për qind, holandezët me 2,5 për qind, kuvajtianët me 2,1 për qind, turkmenët me 2,1 për qind, azerbajxhanasit me 2,1 për qind, kinezët me 2 për qind dhe algjerianët me 1,8 për qind.

Nëse shikohet numri i vizitorëve gjatë tre viteve të fundit nga shtetet arabe në periudhën janar-qershor, është shënuar një rritje prej 22 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Që nga viti 2011 e deri më tani në mesin e vizitorëve të huaj, përqindja e atyre që vijnë nga shtetet arabe nga 11 për qind është rritur në 22 për qind.

“Pritet që ky vit të përfundojë me rritje në krahasim me vitin e kaluar”

Drejtori Komunal i Kulturës dhe Turizmit të Stambollit, Coşkun Yılmaz lidhur me këto të dhëna tha se pas uljes së numrit të vizitorëve për arsye të ndryshme gjatë vitit të kaluar, këtë vit është bërë një rimëkëmbje.

“Në muajt prill dhe qershor në krahasim me muajt e njëjtë të vitit të kaluar është siguruar një rritje prej 17 për qind, dhe për shkak se në muajt tjerë në krahasim me vitin e kaluar ka pasur një rritje, në fund të 6 muajve të parë ka një zvogëlim prej 1 për qind në numrin e vizitorëve të huaj në krahasim me vitin e kaluar. Kemi pritje të mëdha që kjo rimëkëmbje do të vazhdojë në gjysmën e dytë të këtij viti dhe që ky vit të përfundojë me rritje në krahasim me vitin e kaluar”, tha Yilmaz. aa

Turqi, arkeologët zbulojnë një vegël shkrimi 1800 vjet të vjetër

ÇANAKKALA – Gërmimet arkeologjike në veriperëndim të Turqisë kanë nxjerrë në sipërfaqe të tokës një vegël për shkrim, më konkretisht një stilus, të vjetër rreth 1800 vjet.

Në lokalitetin arkeologjik Assos, të njohur edhe si Behramkale, në të cilin gjendet njëri nga vendbanimet port, më të rëndësishme nga koha romake, më herët janë zbuluar mbetje të një teatri antik dhe mbetje të mureve.

Profesori universitar Nurettin Arslan, që kryeson ekipin e arkeologëve, në një prononcim për AA tha se vegla e zbuluar është një instrumet i zgjatur nga bronzi dhe ka një anë të mprehtë dhe anën tjetër pak më të rrafshtë.

Sipas tij, ky instrument është përdorur për të shkruar, për të bërë llogari si dhe për shënim, në kryesisht tabela nga dylli të përdorura në atë periudhë.

“Pjesa pak më e rrafshtë është përdorur për të korrigjuar gabimet e mundshme, siç janë sot gomat”, tha Arslan, për të shtuar se çdo person i shkolluar në atë kohë kishte në pronësi një stilus.

Arslan tha se në atë kohë, shkrim-leximi nuk ka qenë karakteristikë vetëm e personave të lirë ose të pushtetarëve, sepse siç thotë, edhe robërit kanë ditur të shkruajnë dhe lexojnë.

“Robërit e arsimuar kanë përdorur këto instrumente për të mbajtur shënime për pronarët e tyre”, shpjegoi ai.

Ai rikujtoi se arkeologët në të njëjtin vend zbuluan më parë pjesët e një vazoje që datojnë nga periudha e rreth 2500 vjet më parë.

Kontroll importeve, acarohen marrëdhëniet Serbi-Kroaci

Qeveria serbe i ka dërguar një notë proteste qeverisë kroate dhe Komisionit Europian, pas vendimit të Zagrebit zyrtar për të rritur kontrollet mbi importin e produkteve të agrikulturës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, e cila ka deklaruar se Beogradi po kontakton edhe me vende të tjera të prekura nga kjo masë për të arritur një reagim të përbashkët.

“Kur dikush bën një lëvizje si ajo e Kroacisë, atëherë nuk mund të ketë hapësirë për bisedime për bashkëpunim dhe integrim ekonomik. Këto janë gjëra që nuk duhet të ndodhin në rajonin tonë”, ka thënë Brnabiç.

Ajo ka nënvizuar se Serbia do të tregohet sërish konstruktive dhe tolerante, po nuk do ta injorojë këtë vendim të Zagrebit.

“Ne do të mbrojmë prodhuesit dhe eksportuesit tanë”, ka thënë Brnabiç, duke shtuar se Kroacia po shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Serbisë dhe BE-së.

“Nord Stream II do të vazhdojë edhe përkundër sanksioneve amerikane”

Jusufov, i cili është gjithashtu themelues i kompanisë për investime në Moskë, Fund Energy, tha se Nord Stream II do të mundësojë siguri energjetike për kombet evropiane

Interesi i fortë i ndërsjellë nga Rusia dhe Evropa Perëndimore për të realizuar projektin e gazit natyror Nord Stream II (Rrjedha e Veriut) do ta çojë përpara projektin dhe do të sigurojë përfundimin e tij, tha të enjten Igor Jusufov, ish-ministri i energjisë i Rusisë.

Jusufov, i cili është gjithashtu themelues i kompanisë për investime në Moskë, Fund Energy, tha për Anadolu Agency (AA) se Nord Stream II do të mundësojë siguri energjetike për kombet evropiane.

Projekti Nord Stream II u njoftua më 18 qershor 2015, kur Shell, Gazprom i Rusisë, E.ON dhe BASF të Gjermanisë së bashku me OMV-në austriake nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për ndërtimin e projektit, i cili do të shtojë dy tubacione shtesë në projektin origjinal Nord Stream.

Projekti ka në plan që të ketë një kapacitet prej 55 miliardë metra kub në Evropë në vit për të siguruar rrjedhje të mjaftueshme të gazit nga Rusia në Gjermani përgjatë Detit Baltik për të furnizuar 26 milionë familje në rajon.

Megjithatë, të mërkurën presidenti amerikan, Donald Trump, ligjësoi një projektligj që imponon sanksione ndaj Rusisë për ndërhyrjen e saj të dyshuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, edhe pse shprehu kundërshtime të mëdha ndaj dispozitave të saj, ndërsa veprimi i tij sfidoi palët e përfshira në projekt dhe vuri në pikëpyetje realizimin e projektit.

Trump kritikoi Kongresin dhe shpalosi rezervat e tij për projektligjin në një deklaratë të gjatë kur ai njoftoi vendimin e tij për ta nënshkruar projektligjin. Trump e përshkroi projektligjin si “tejet të mangët” për shkak të “dispozitave të tij jokushtetuese”.

“Unë jam i sigurt se ato (sanksionet) do të reflektojnë në radhë të parë disa polemika brenda politikës amerikane,” tha Jusufov.

Ish-ministri vuri në dukje se sanksionet përfshijnë tregun rus të energjisë dhe bashkëpunimin me kompanitë evropiane për projektet e tubacionit si Nord Stream II.

“Veçanërisht pasi që furnizimi me këtë tubacion ka gjasa të jetë shumë më i lirë sesa gazi që do t’i nënshtrohet dy herë një procedure të shtrenjtë teknologjike të lëngëzimit dhe rikuperimit, dhe gjithashtu do të transportohet edhe nëpër oqean”, tha ai.

Interes i fortë i përbashkët

Një numër i madh i kompanive energjetike të Evropës Perëndimore janë të përfshira në projektin e Nord Stream II, ndërsa ekziston gjasa që sanksionet të dëmtojnë interesat e tyre, shpjegoi Jusufov.

Ai shtoi se të premten, ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, shprehu shqetësimet e tij mbi sanksionet e SHBA-ve kundër Rusisë dhe paralajmëroi kundër përdorimit të tyre si një mjet për të dëmtuar kompanitë evropiane.

“Presidenti Trump e di këtë, dhe po kështu edhe Departamenti i Shtetit dhe administrata e SHBA-ve. Politikat e sanksioneve nuk janë as mjet i përshtatshëm dhe as instrument i përshtatshëm për promovimin e interesave kombëtare të eksportit dhe sektorit të brendshëm të energjisë”, tha Gabriel të premten.

Sanksionet e miratuara nga Trump gjithashtu kërcënojnë bizneset e kompanive të mëdha gjermane të energjisë me Rusinë.

Sanksionet përfshijnë masa të mundshme kundër kompanive që japin mbështetje financiare ose teknologjike për tubacionet e eksportit rus të energjisë.

Kompanitë gjermane kanë shprehur shqetësime për pasojat e mundshme të gazsjellësit të planifikuar Nord Stream II mes Rusisë dhe Gjermanisë.

Gabrieli prej kohësh e ka favorizuar projektin Nord Stream II dhe lidhje më të ngushta ekonomike me Rusinë, si një mënyrë për të fituar ndikim politik mbi Moskën.

“Gjithsesi, pasi që ka interes të përbashkët si nga Rusia, ashtu edhe nga ana e Evropës Perëndimore në suksesin e projektit të Nord Stream II, unë do të pajtohem me presidentin Putin: projekti i lindur si pasqyrim i interesit të ndërsjellë ekonomik është në përputhje të plotë me parimet e ekonomisë së tregut për të cilën zotohen SHBA-të”, tha Jusufov.

“Kështu që unë nuk do të dyshoj që Nord Stream II do të realizohet dhe do t’i shërbejë kauzës së sigurisë energjetike të kombeve evropiane”, shtoi ai.

Projekti i gazit natyror Nord Stream II përbëhet nga një sistem i dy linjave të tubacioneve në det të hapur, 1.224 kilometra përgjatë Detit Baltik, nga Rusia në Gjermani. aa

KUNDËR NDËRTIMIT TË HIDROCENTRALEVE NË HOT, JASENICË E PLAVË NË DËM TË TOKAVE DHE PASURISË SONË – Nga Ibrahim HYSENAJ

 
Iniciativa Shtetërore e Malit të Zi për ndërtimin e Hidrocentraleve në tokat shqiptare, Hot, Jasenicë dhe Plavë, dëshmon përpjekjen e parreshtur dhe ndoshta të fundit e më të rëndën për spastrimin etnik, fetar e kulturor të shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, nga këto vende etnike shqiptare.
 
Ne, shqiptarët, nga Plava dhe Gucia, nuk do të pajtohemi me këtë veprim, i cili synon ndërtimin e Hidrocentralve ogurzeza mbi pasuritë tona kombëtare. Me këtë veprim të ulët, ka vetëm një qëllim: të ndërtohen projkte të tilla, të cilat do të na linin pa ujë, pa të drejtë shfrytëzimi të këtyre tokave dhe në fund, nëse nuk ke ujë të pijshëm dhe ujë për ujitje të tokës, atëherë detyrohesh të marrësh arratinë, diku tjetër, larg nga toka jote, atdheu yt stërgjyshor.
 
Kur do të ndalen këto veprime antishqiptare: fillimisht, në fshatin Martinaj, para disa vitesh krjuan deponinë e mbetirunave dhe ky veprim ishte një paralajmërim për ikje, sepse në një vend ku ke mbi kokë mbeturina, je i detyruar të ikësh nga to, duke mos e duruar erën e vdekjes.
Tani, projektet për ndërtime të Hidrocentraleve, janë në shërbim të atyre që investojnë dhe atyre që i ftojnë këta investitorë, pra Shteti. Për ne, shqiptarët, nuk ka asnjë përfitim material, moral apo social, por vetëm dëmtim në tokat tona, mbetje pa ujë të pijshëm, ujitje dhe mbjellje të tokës apo ndërtime të reja, të gjitha këto nëse ndërtohen këto Hidrocentrale do të jemi të detyruar të mbesim si një trup pa shpirt!
 
Është momenti më jetik që të reagojmë si komunitet e shtet, fillimisht Shqipëria dhe Kosova do të duhej të jepnin një notë proteste kundër degradimit të tokave dhe pasurive tona kombëtare, pastaj diaspora shqiptare e Malit të Zi, por jo vetëm, të ngriten në protesta demokratike në mbrojtje të pasurisë sonë që po na merret nga dita në ditë, pa na pyetur se nga jemi e kush jemi !

Habit ministri i Jashtëm i Serbisë: Kosova prej nëntë vitesh është shtet i pavarur i njohur nga 110 shtete

 

Ivica Daçiç në artikullin për gazetën “Blic”: Me ndarjen mund të zgjidhet konflikti që vazhdon prej dekadash lidhur me ish-krahinën serbe të banuar pothuajse vetëm nga shqiptarët.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç në një artikull për gazetën më të madhe në Beograd, “Blic”, shkruan, se Kosova është tashmë prej mëse nëntë vitesh shtet i pavarur i njohur prej 110 shteteve. DPA citon nga artikulli i Blic: Në Kosovë ndodhen shumë manastire mesjetare serbe dhe fushëbeteja, kështu që Beogradi deri tani donte ta kishte sërish këtë rajon. Në Veri të Kosovës jeton një minoritet kompakt serb. Sipas ideve të mëparshme për ndarjen Veriu i Kosovës mund t’i bashkohet Serbisë.

Por në një rast të tillë pala shqiptare shtron çështjen e rreth 100.000 shqiptarëve në Jug të Serbisë, që mund të bashkohen me Kosovën. Manastireve historike serbe në Kosovë, që ndodhen në listën e UNESCO-s si trashëgimi e kulturës botërore, në rast të ndarjes mund t’u jepet një status i veçantë autonomie, ka propozuar Daçiç sërish. Një javë më parë në një tekst autorial për gazetën “Blic”, Vuçiç ai ka shkruar se në Serbi duhet të fillojë një dialog i brendshëm për Kosovën dhe se Serbia duhet të jetë realiste karshi zhvillimeve në Kosovë dhe jo ta fusë kokën në rënë si struci.

Vuçiq mendon se “Kosova është në thelb problemi ynë më i rëndë, ndaj është e nevojshme, si kurrë më parë, që të gjithë së bashku të gjejmë një përgjigje. Një përgjigje që do të jetë e qëndrueshme, që përjashton konfliktin si opcion, një përgjigje e cila të gjithëve në rajon do t’u sillte leverdi”.

Analistët mbi apelin e Vuçiçit

Dushan Janjiq, koordinator i Forumit për Raporte Etnike thotë për DW se nuk është optimist se ky dialog do të rezultojë me sukses: “Vuçiqi nuk ka në fakt një ide të qartë se për çfarë do të bisedohet. Por paraprakisht i ka quajtur si të dështuar të gjithë ata që janë kundër këtij dialogu. Një tekst dhe një ton i tillë, si dhe arroganca e tij, nuk janë një nisje e mirë dhe krijojnë rezistencë ndaj këtij dialogu.” Janjiq mendon se këto tekste paraqesin një lloj manipulimi me dialogun, sipas motos “unë ju kam pyetur, ju po heshtni dhe nuk po përgjigjeni. Ndaj kam vendosur vet, ndërsa përgjegjësitë do t’i ndajmë të gjithë”. Situata në Ballkan po ndryshon me shpejtësi, thotë për DW Dushan Prorokoviq nga Qendra për Alternativa Strategjike. Mali i Zi është futur në NATO, ndërsa Maqedonia ka intensifikuar sërish përpjekjet për anëtarësim.

“Në këtë kontekst e shoh edhe iniciativën e fundit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Tani dëshirohet përshpejtimi i procesit dhe një përfundim sa më i shpejtë i procesit, si dhe futja e Kosovës në Kombet e Bashkuara – ndoshta vitin e ardhshëm”, mendon ai. Prorokoviq pohon se ky dialog i brendshëm ka për qëllim legjitimimin e gjithë procesit. “Ne do të zhvillojmë një gjoja dialog, i cili në fund do të rezultojë me njohjen e realitetit, që do të thotë se Kosova do të bëhet anëtare e OKB pa njohjen formale nga Serbia. Ky është modeli i dy Gjermanive, për të cilin flitet që nga viti 2008 dhe që nënkupton marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, që duhet të kenë raporte si dikur Berlini Lindor dhe Boni.”

Dushan Prorokoviq thotë se në opinion kjo do të paraqitet si një zgjidhje e mesme: “Ne nuk e kemi njohur Prishtinën, nuk do të vendosim raporte diplomatike, por Kosova do të legjitimojë statusin e anëtares në OKB, sepse ky është realiteti”. „Mendoj se gjërat po shkojnë në këtë drejtim”, thotë bashkëbiseduesi i Dë, por kjo sipas tij, „nuk do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e Kosovës, sepse Serbia do të përballet me probleme shumë serioze”.

„Anëtarësimi i Kosovës në OKB do të dëmtonte pozitën e Serbisë në shtigje afagjata. Pas kësaj do të mund të pritej edhe anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në NATO, që do të thotë se do të ndryshonte edhe pozita e Serbisë, e cila do të detyrohej ndoshta edhe vet të bëhet anëtare e NATO-s”, pohon Prorokoviq. „Mendoj se më pas mund të priten shumë shpejtë edhe aktakuza e Kosovës kundër Serbisë për gjenocid dhe probleme të mëdha rreth përcaktimit të vijës kufitare, që Serbinë do ta fuste në probleme shumë të mëdha dhe të mundimshme. Ndaj mendoj se dogma se njohja e Kosovës do t’i zgjidhë problemet është shumë e rrezikshme dhe e gabuar”, pohon ai.

DW

Kosova dhe Serbia, të dyjat duhet të humbim nga pak

Presidenti i Serbisë Aleksander Vucic, ka thënë se për të mbyllur një herë e përgjithmonë çështjen e Kosovës, të dyja palët duhet të “humbin nga pak”. Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick, Vucic ka pranuar edhe një herë se kjo është një temë e dhimbshme për serbët.
“Kemi ende sfida. Njëra ndër to është Kosova, një temë e dhimbshme për ne serbët. Është e lehtë të thuhet: Shkoni luftoni për Kosovën. Por kjo na ka sjellë gjithmonë luftëra. Unë dua të eci në një rrugë të re për Serbinë. Dua të bisedojmë në mënyrë të hapur dhe korrekte rreth një zgjidhjeje për konfliktin e Kosovës”, ka thënë Vucic.

“Edhe nëse serbët nuk janë të gatshëm për këtë, unë nuk dorëzohem. Sepse ky debat do të ketë një efekt shërues te ne, pa marrë parasysh a do të arrijmë ndonjë rezultat apo do të dështojmë”, u shpreh ai.
Por, çfarë do të ishte një dështim në këtë çështje?
“Nëse të dyja palët nuk jemi të gatshëm të humbasim diçka, atëherë konflikti do të vazhdojë përgjithmonë. Kjo na dëmton të dyja palët. Unë besoj që jam njeriu i duhur për këtë punë”, theksoi Vucic.

I pyetur se çfarë është në gjendje të jap Serbia për arritjen e marrëveshjes, Vucic tha se për këtë nuk diskuton publikisht.
“Nuk diskutojmë për këtë publikisht. Jemi të gatshëm të gjejmë një kompromis të mirë dhe të bëjmë përparim. Dikur konflikti duhet të zgjidhet dhe do të ishte më mirë ta bëjmë sot, se sa pas 100 vitesh”, ka thënë Vucic.
“E di që shqiptarët dhe Serbët këtu në Zvicër jetojnë në paqe dhe jetojnë së bashku si shokë. Pikërisht këtë duhet ta arrijmë në vendin tonë”, deklaroi ai.

Ballist Morina: Gjykatësi kroat jep lajmin e mirë

Pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës së Dubrovnikut për ekstradimin e Ismail Morinës në Beograd, mediat serbe thellohen më tej në këtë çështje në lidhje me hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren nga autoritetet gjyqësore kroate.

Në një intervistë për gazetën “Vecernje Novosti”, gjykatësi që mori vendimin në dëm të tifozit shqiptar, Pero Miloglav lë të kuptohet se ky vendim ka shumë mundësi të hidhet poshtë në instancat e tjera më të larta. Ai fillimisht thekson se mori vendimin në bazë të dokumentave që kishte në tryezën e tij, por shton se tashmë çështja kalon në Gjykatën e Lartë të Zagrebit që do të japë edhe vendimin përfundimtar. Ai shton se mundësitë që Gjykata e Lartë ta zhvlerësojë ekstradimin janë të mëdha.

Gjithsesi, edhe në rast se ky organ konfirmon dënimin, shpresat për Ismail Morinën nuk do të shuhen, sepse është ministri kroat i Drejtësisë, Drago Boshnjak ai që do të thotë fjalën e fundit nëse Morina duhet të ekstradohet, ose jo në Serbi.

Ministria serbe e Drejtësisë ka kërkuar transferimin e Morinës në Beograd menjëherë pasi ai u ndalua nga autoritetet kroate. Aktualisht, Gjykata e Lartë serbe ka nisur një proces ndaj tij për çështjen e ngritjes së dronit në ndeshjen eliminatore Serbi-Shqipëri të tre viteve më parë dhe sipas mediave, ai rrezikon deri në tre vjet heqje lirie.

Gjithsesi, lobimi dhe ndërtimi i kanaleve diplomatike mes Tiranës dhe Zagrebit i ngritur për këtë çështje mund ta lehtësojë pozitën e Morinës, pasi vendimi përfundimtar, ashtu siç e bën me dije edhe gjyqtari i shkallës së parë të Dubrovnikut, i takon pikërisht një anëtari të ekzekutivit kroat, ministrit të Drejtësisë, Drago Boshnjak.

Top Channel

Ky zyrtar serb e pranon Kosovën si shtet

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të jetë në tri faza, duke nisur nga pranimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përjashtuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe pa njohje nga ana e Serbisë, ndërsa në këmbim do të kërkonim përfitime konkrete financiare.

Kjo do të jetë, shkurtimisht, përmbajtja e platformës për zgjidhjen e problemit me Kosovën të cilën do t’ia dorëzojë presidentit serb, Aleksander Vuçiq, zëvendëskryeministri i Serbisë dhe lideri i Partisë Socialdemokrate të Serbisë, Rasim Lajiq.

“Novosti” shkruar se ky është propozimi i parë konkret i një partie e cila ka dalë publikisht pasi Vuçiq njoftoi për hapjen e dialogut të brendshëm për Kosovën.Lajiq mendon se “konflikti i ngrirë” me Kosovën nuk i konvenon Serbisë dhe se duhet vepruar tani sepse “çdo gjë tjetër çon në pavarësi të ngadalshme, ndaj së cilës Serbia nuk do të fitojë asgjë”.

“Qëllimi duhet të jetë normalizimi, pa njohje, dhe kjo të bëhet në disa faza. Faza e parë e dialogut nënkupton mundësimin e bashkëpunimit të plotë ekonomik me Kosovën. Në këtë kohë, përmes pikave administrative kalojnë mbi 400 milionë euro mallra në vit, por kjo mund të dyfishohet përderisa nuk do të ekzistonin pengesa ligjore e politike. Serbia nuk mund të ketë më ndikim politik ndaj Prishtinës, por ndikimin politik mund ta mbajë se ç’ke me të”, ka deklaruar Lajiq, transmeton Koha.net.

Sipas tij, faza e dytë do të jetë hapja e çështjes së statusit të serbëve në Kosovë, ndërsa AKS-në (Asociacioni i komunave serbe) e sheh si një formë të vetëqeverisjes për ta. Veç asaj, “duhet negociuar edhe çështjen e pasurisë dhe trashëgimisë kulturore të Serbisë në Kosovë”

“Hapi i tretë do të ishte bisedimet për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përjashto OKB-në, me përfitime të qarta për Serbinë”, shton Lajiq, transmeton Koha.net. “Në fund të fundit, sikur të mund ta bënin pa ne, ato diskutime as që do të ishin të nevojshme”

Nga ana tjetër, sipas tij, Serbia do të mund të kërkonte shumëllojshmëri gjërash, “nga mbështetja financiare për zhvillimin e infrastrukturës, deri tek përshpejtimi i rrugës drejt Bashkimit Evropian, dhe në fazën përfundimtare duhet të hapë negociatat mbi statusin përfundimtar”.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe shef i Këshillit parlamentar për Kosovë, Milovan Drecun, thotë se ky është vetëm një propozim në fillim të dialogut të brendshëm dhe se për këtë do të bisedohet tek më vonë.

“Për ne është e papranueshme njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe anëtarësimi i saj në OKB. Për gjithçka tjetër mund të bisedojmë”, u shpreh Drecun, transmeton Koha.net.Ndërkaq, mendim krejtësisht tjetër ka lideri i Partisë Liberale, Çedomir Jovanoviq i cili thotë se Serbia duhet të ndalojë së bllokuari Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshi edhe OKB-në.

Ai, megjithatë, thotë se “nuk është fjala për vendimin e Serbisë për ta njohur Kosovën” dhe se deri tek një qëndrim i tillë “do duhej të vijnë fëmijët tanë në një mënyrë normale”.

‘S’kemi më djem për luftë të re me Kosovën’, Vuçiçi përshëndet deklaratën e akademikut serb

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka shprehur kënaqësinë e tij ndaj thirrjes së tij për dialog të brendshëm për Kosovën, dhe ka thënë se ka vënë re se ka shumë deklarata serioze dhe të përgjegjshme për këtë temë nga njerëzit si akademiku Dushan Kovacevic. Ky akademik ka thënë, se Serbia nuk ka më djem për luftë të re me Kosovën, e kjo duket se i ka pëlqyer edhe Vucic’it, shkruan “gazetametro”.

“E shihni që kemi arritur ta realizojmë atë, gjithkush po flet për këtë. Ai dialog i brendshëm ka filluar, siç shihet kemi edhe deklarata edhe nga njerëzit e përgjegjshëm dhe serioz siç është Dusan Kovacevic, por edhe shumë deklarata tjera të papërgjegjshme, por ky është një dialog. E kemi pritur këtë dhe kjo është një gjë shumë e mirë. E kemi hapur këtë temë”, ka thënë Vucic për RTS nga Nishi.

Presidenti ka theksuar se ky dialog nuk është menduar që dikush ta vizitojë në presidencën e tij, siç edhe kanë menduar disa të tjerë.

“Jo. Ky është një dialog shumë shoqëror dhe do të ndahet në shumë tema, ku dhe do të bisedohet për secilën temë veçmas, të shohim dhe të mundohemi të jemi realë, të mundohemi ta zgjidhim problemin sot, që të mos ia lëmë fëmijëve nesër. Nëse dikush e kupton këtë gjë”, ka shtuar Vucic.

Ai gjithashtu ka theksuar se: “Të gjithë njerëzit në Serbi e kuptojnë se nuk duhet të ndryshohet asgjë, të ndalemi te problemet e njëjta dhe për fëmijët tanë, ndërsa në të njëjtën kohë nga shteti kërkojmë më shumë para, edhe shumë gjëra tjera që shteti duhet t’i zgjidhë por ky shtet nuk mund t’i zgjidhë, atëherë kjo tregon përkushtim të vogël për zgjidhjen e problemeve dhe përgjegjësi të pamjaftueshme”.

Akademiku serb: Beogradi s’ka më fëmijë për luftë të re, ky do të ishte fundi i saj

BEOGRAD– Pas pësimeve në gjashtë luftëra gjatë shekullit të 20-të, Serbia nuk ka më popull e fëmijë për një luftë të shtatë, meqë kjo luftë e re do të ishte fundi i këtij vendi. Kështu ka deklaruar akademiku serb, Dushan Kovaçeviç, raportojnë mediat e Beogradit.

Ai ka thënë se qëllimi i dialogut që zhvillojnë politikanët në emër të qytetarëve duhet të jetë pengimi i luftës në të cilën do të vriteshin fëmijët serbë.

Njëri nga intelektualët më të spikatur serb nuk ka mëdyshje sa i përket mbështetjes së thirrjes të presidentit të Serbisë Aleksander Vuçiç për një dialog të gjerë shoqëror për Kosovën.

Ai ka thënë se ka ndeshur në reaksione të mira kundruall propozimit që me rrugë paqësore të zgjidhen problemet ndërmjet serbëve dhe të shqiptarëve, citohet të ketë thënë akademiku Kovaçeviç.

Autori bashkëkohor më i shquar serb i dramave thirret në përvojën personale diplomatike nga periudha e shërbimit në Portugali si ambasador i Serbisë-Malit të Zi të dikurshëm dhe vlerëson se këtij apeli të Vuçiqit për dialog i ka “kontribuar” edhe presioni shtesë i bashkësisë ndërkombëtare.

Ai thotë se është i sigurt se pas 50 vjetëve të jetuara në shekullin e 20-të, Serbia kurrë nuk do të duhej të bënte luftë:

Ajo që kurrsesi s’po mund ta kuptoj, thotë ai, “janë njerëzit të cilët sot në Beograd nxisin luftë”.

Sipas tij, politika e jashtme e Aleksandar Vuçiçit është zhvilluar sipas parimit të kompromisit pragmatik.

Turqia blen sistemin raketor rus S-400

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia ka rënë dakord të blejë sistemin rus të raketave S-400, pavarësisht nga shqetësimet e NATO-s. Blerja vjen ndërkohë që Ankaraja përpiqet ta afrojë Moskën, pas rrëzimit nga Turqia të një bombarduesi rus në vitin 2015.

“Tani kemi ndërmarrë hapa me Rusinë për këtë blerje. Marrëveshjet janë nënshkruar,” u tha zoti Erdogan deputetëve të tij. “Me vullnetin e Perëndisë, do të shohim ardhjen e raketave S-400 në vendin tonë dhe do të vazhdojmë pastaj me prodhimin e përbashkët,” tha Presidenti turk.

Zoti Erdogan u përpoq ndërkohë të zbutë shqetësimet e partnerëve të tij të NATO-s, “Përse do të shkaktojë kjo tensione? Një vend duhet të jetë në kërkim të mënyrave ideale për sigurinë e vet,” tha ai.

Ankaraja ka mosmarrëveshje me aleatët e saj perëndimorë lidhur me mbështetjen që ata u japin grupeve siriane kurde që luftojnë kundër Shtetit Islamik, grupe që shihen si terroriste nga Turqia. Një çështje tjetër janë kritikat perëndimore në rritje ndaj Turqisë mbi të drejtat e njeriut.

Partnerët e Ankarasë në NATO kanë shprehur shqetësim rreth përputhshmërisë së sistemit raketor rus me teknologjinë e Aleancës, së bashku me frikën se Moska mund të përdorë sistemin S-400 si një kalë troje për të komprometuar sistemet e NATO-s.

Kjo çështje pritet të shtojë pikëpyetjet rreth besnikërisë së Ankarasë.

Zaur Gasimov, analist i në Fondacionin Max Webber që merret me marrëdhëniet ruso-turke, thotë se blerja e sistemit S-400 është një hap i kushtueshëm i palës turke për të demonstruar sovranitetin e saj dhe një sinjal për SHBA, BE dhe Gjermaninë. “Duke blerë sistemin S-400, Ankaraja tregon se është e gatshme të afrohet më shumë me Moskën”, thotë analisti.

Ankaraja këmbëngul se sistemi raketor prej 2.4 miliardë dollarësh, i cili njihet si një nga më të efektshmit në treg, përfaqëson çmimin më të ulët në treg. Shitja mbështetet me angazhimin e Rusisë për të transferuar edhe teknologjinë, që gjithashtu është një përparësi e qeverisë turke.

Por, pas blerjes së raketave, qëndrojnë ndoshta arsye të tjera, jo thjesht nevojat për mbrojtje. Ankaraja po përpiqet të bindë Moskën për t’i dhënë fund të gjitha sanksioneve ekonomike të vendosura ndaj Turqisë pas rrëzimit të avionit rus.

Disa nga këto sanksione janë reduktuar pas një sërë takimesh midis Presidentit Erdogan dhe homologut të tij rus Vladimir Putin.

Greqia reagon ashpër ndaj Shqipërisë për prishjen e ndërtimeve pa leje “të minoritetit grek” në Dhërmi

ATHINË – Ka reaguar ashpër Ministria e Punëve të Jashtme greke, pas prishjes së disa ndërtimeve pa leje në Dhërmi. Sipas deklaratës për shtyp botuar në faqen zyrtare të ministrisë, Greqia kujton se ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe mbrojtja e të drejtave të pakicave është e lidhur shprehimisht me mbrojtjen e pasurive të pjesëtarëve të minoriteteve, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave të BE-së si një prej kushteve të para për fillimin e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë.

Mësojmë se inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka nisur një aksion për rrëzimin e objekteve të shpronësuara në zonën e Dhërmiut. Aksioni është bërë në zonën e Potamit, pranë rrugës nacionale, ku janë shembur një hotel 5-katësh dhe një godinë tjetër që përdorej si subjekt tregtar. Mësohet se shembjet janë bërë në kuadër të planit rregullues për zonat e bregdetit dhe në ditët e ardhshme do të shemben objekte të tjera.  Në këtë aksion inspektorët e IKMT-së janë asistuar nga policia e rendit dhe agjentët e FNSH-së për të shmangur çdo problematikë. 

 Reagimi i shtetit grek:

“Shqipëria po shkel ligjet e veta dhe të drejtat e minoritetit grek në vend”, thuhet në reagim, teksa më tej shtohet se me këto veprime, “Shqipëria nuk e do avancimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.

“Greqia mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, përfshirë atë të Shqipërisë. Por një kusht për rrugën evropiane të këtyre vendeve është besnikëria ndaj rregullimeve dhe principeve evropiane për sundimin e ligjit. Dhunimi i këtyre principeve nga një shtet kandidat nënkupton se, në realitet, ky shtet nuk e do kursin evropian”, thuhet në një deklaratë për shtyp nga Ministria e Jashtme greke, raporton “Panorama”.

Sipas Athinës zyrtare, autoritetet po i kryejnë këto shkatërrime në kulmin e sezonit turistik veror, dhe se kjo sipas saj “konfirmon se Shqipëria nuk i ka kuptuar kërkesat e Këshillit të Ministrave të BE-së”.

Ministria greke tha se sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave të minoritetit “janë vendosur nga Këshilli i Ministrave të BE-së si një ‘sine quan non’ për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë”.

Fatkeqësisht, në mospërputhje totale me sundimin e ligjit, autoritetet shqiptare sot nisën shembjen e disa pronave të turizmit në Dhërmi, Himarë, në pronësi të anëtarëve të minoritetit grek.

Do të flas me Ramën që të bëjmë një takim të përbashkët Serbi-Shqipëri-Itali

Gjatë një vizite zyrtare në Romë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka thënë gjatë ditës së martë se do të iniciojë një takim trepalësh mes Serbisë, Italisë dhe Shqipërisë që do të synonte krijimin e lidhjeve më të ngushta dhe pjesëmarrjen në projekte të përbashkëta. Gjatë vizitës zyrtare në Romë, Vuçiç u takua me presidentin Italian Sergio Mattarella, madje ai u shpreh para gazetarëve se do të diskutonte me kryeministrin Edi Rama për zhvillimin e një takimi trepalësh, Serbi-Shqipëri-Itali, shkruan agjencia e lajmeve serbe, “tanjug.rs”.

Turqi, gjenden hambarë drithërash të vjetër 3500 vite

“Numri i hambarëve në Kaymakci, madhësia dhe dimensionet e tyre janë mjaft të mëdha. Farat e gjetura në hambarët në fjalë na japin të dhëna rreth asaj se çfarë aktivitete bujqësore janë zhvilluar”, tha Unlusoy

MANISA – Në kuadër të gërmimeve arkeologjike në zonën Kaymakci në afërsi të pellgut Golmarmara në provincën Manisa, pjesa perëndimore e Turqisë, gërmuesit kanë gjetur hambarë drithërash për të cilët është konfirmuar se i përkesin Epokës së Vonshme të Bronzit.

Në kuadër të punimeve gërmuese në Kaymakci, që përbëhet nga shtëpi dhe kala në të cilat supozohet të kenë jetuar paraardhësit e lidianëve, vendbanimi më i madh në Epokën e Vonshme të Bakrit në rajonin e Egjeut, ka sjellë në dritë zbulime historike të rajonit që njihet për produktivitetin bujqësor.

Sinan Unlusoy, profesor universitar dhe zëvendëskryetar i punimeve të gërmimit që realizohen nga një ekip arkeologësh nga universitete të shquara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Evropës dhe Turqisë, tha se punimet në këtë rajon kanë dhënë rezultate befasuese, duke shtuar se janë në përpjekje për të zbuluar detajet e jetesës së njerëzve në Epokën e Vonshme të Bakrit.

“Nga rezultatet e befasishme të gërmimeve tona janë shtëpitë, strukturat dhe rrugët, si dhe shumë hambarë drithërash në formë të rrumbullakët”, tha Unlusoy, duke shtuar se hambarë të ngjashëm bëhen edhe ditët e sotme në shumë fshatra të Anadollit.

“Megjithatë, numri i hambarëve në Kaymakci, madhësia dhe dimensionet e tyre janë të mjaft të mëdha. Farat e gjetura në hambarët në fjalë na japin të dhëna rreth asaj se çfarë aktivitete bujqësore janë zhvilluar. Këto hambarë do të na ofrojnë të dhëna rreth kushteve ekonomike të asaj epoke dhe madje edhe për rendin politik”, shtoi Unlusoy.

Ai tha se shpresojnë që të arrijnë rezultate lidhur me metodat bujqësore, speciet bimore dhe shtazore, mjedisin dhe stilin e të ushqyerit të njerëzve në Epokën e Vonshme të Bakrit.

Unlusoy po ashtu informoi se brenda hambarëve janë gjetur fara gruri, elbi dhe rrushi, që është vlerësuar se i përkasin periudhës para 3.500 vitesh.

Rajoni, i cili në burimet e Perandorisë Hitite në vitet 2000 para erës sonë njihet si “Shteti i Lumit Seha”, supozohet të ketë qenë vendbanim katër herë më i madh se Troja. aa

Vuçiçi: Dialogu i brendshëm për Kosovën është vendimtar për Serbinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi, ka vlerësuar se dialogu i brendshëm për Kosovën është vendimtar për ardhmërinë e Serbisë dhe të popullit serb.

“Koha është që ne si popull të mos e fusim më kokën në rërë si struci dhe të provojmë të jemi më real, të mos lejojmë të humbim ose dikujt t’ia dorëzojmë atë që e kemi, por edhe të mos presim që në duar do të na vijë edhe ajo të cilën qëmoti e kemi humbur”, ka shkruar Vuçiq në një teks autorial të botuar në gazetën Blic, në të cilin shprehet lidhur me çështjn se përse Serbisë i duhet dialogu i brendshëm për Kosovën.

Vuçiqi, mëtutje, ka vlerësuar se është koha që Serbia të punojë, mendojë dhe të fitojë pa konflikt, raporton agjencia Beta nga Beogradi.

“Zgjidhja nuk qëndron në mitet dhe konfliktet tona, por nga ana tjetër nuk qëndron as në mohimin dhe tërheqjen nga të gjithë interesat tonë kombëtarë dhe shtetërorë”, ka shkruar Vuçiq dhe ka vlerësuar se Serbia nuk është për tu nënçmuar, megjithë faktin se shqiptarët, në realizimin e ideve kombëtare, e kanë mbështetjen e vendeve perëndimore.

Presidenti Vuçiq ka vlerësuar se për përparim të Serbisë është e domosdoshme bile të zgjidhet çështja e Kosovës.

“Që përparimi jonë të jetë i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm, duhet patjetër, nëse asgjë tjetër, bile të përpiqemi ta zgjidhim nyjen gordiane, atë të Kosovës, e jo të fshehemi dhe barrën më të rëndë ta bartim te fëmijët tonë”, ka shkruar Vuçiq.

Gazetarët dalin para gjyqit në Turqi

Punëtorët e gazetës opozitare turke, Cumhuriyet, përkatësisht 17 prej tyre, do të dalin sot në gjyq, pas disa muajve që kanë kaluar në paraburgim.

Shumica e të dyshuarve ishin ndaluar në tetor të vitit 2016, periudhë në të cilën Turqia ishte në gjendje të jashtëzakonshme.

Gjendja e jashtëzakonshme në Turqi është shpallur pas tentimeve të dështuara për grushtshtet në korrikun e vitit të kaluar.

Autoritetet e fajësojnë klerikun Fethullah Gulen për këtë çështje.

Gjykimi i gazetarëve dhe menaxherëve të gazetës Cumhuriyet, kanë rritur shqetësimet për lirinë e shtypit nën regjimin e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Të pandehurit mund të dënohen deri me 43 vite burgim.

Punëtorët e gazetës Cumhuriyet akuzohen për publikim të sekreteve shtetërore dhe bashkëpunim me Gulenin.

Përmes një deklarate të përbashkët, grupet që mbrojnë lirinë e shtypit kanë thënë se “rasti i punëtorëve të gazetës Cumhuriyet ka për qëllim heshtjen e një prej zërave të paktë opozitarë në vend”.

Sipas grupit për mbrojtjen e lirisë së shtypit, P24, aktualisht në Turqi janë 166 gazetarë të burgosur, shumica e të cilëve të arrestuar në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend.

Mirëpo Erdogan ka insistuar këtë muaj se janë vetëm “ dy gazetarë të vërtetë” mbrapa grilave në Turqi.

Kremlini: Shumë shpejt Moska i dorëzon Serbisë sistem raketor

Dmitry Shugaev, drejtori i Shërbimit Federal për Bashkëpunim Ushtarak të Rusisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Vladimir Putinit, ka konfirmuar se Moska së shpejti t’i dorëzojë Serbisë sistemin raketor S-300.

“Partnerët serbë kanë shprehur interes për S-300 SAM. Po bisedojmë për këtë sistem”, ka thënë ai në panairin e aviacionit “MAKS 2017”, shkruan Express. Më tej ai sqaroi se do të realizohet po ashtu dorëzimi i gjashtë aeroplanëve luftarakë, MiG-29. “Pos aeroplanëve, Moska do t’i japë Serbisë 30 tanke T-72S dhe 30 makina të blinduara BRDM-2”, tha Shugaev.

Sistemi raketor S-300 është një nga armatimet më të avancuara, të cilin e kanë Bullgaria, Kina, Egjipti, Irani, Greqia dhe Rusia. Rrezja e veprimit të saj është nga pesë deri në 150 kilometra, e në lartësi deri në 27 mijë metra. Shpejtësia e raketës është deri në 2,800 kilometra në orë.

Tërmet vdekjeprurës pranë Greqisë dhe Turqisë

Një tërmet i fuqishëm goditi ishujt grekë dhe bregdetin turk në Egje, duke vrarë së paku dy njerëz në ishullin Kos të Greqisë, plagosur mbi 100 dhe duke dëmtuar ndërtesa.

Kryetari i qytetit Kos, Giorgos Kyritsis, dha bilancin e viktimave.

Sipas Institutit Gjeologjik të SHBA-së, tërmeti me fuqi prej 6.7 shkallësh të Richterit e ka pasur epiqendrën dhjetë kilometra në jug të qytetit Bodrum të Turqisë.

Disa persona në Bodrum po ashtu janë plagosur.

Turqia dhe Greqia shtrihen pranë pllakave tektonike dhe goditen rregullisht nga tërmetet.

Tërmeti më vdekjeprurës që ka goditur Turqinë viteve të fundit, ka qenë ai i vitit 1999, i cili ka lënë të vrarë rreth 17,000 njerëz.

Skenari i Erdoganit “për grushtetin” e 15 korrikut – Nga Faton MEHMETI

15 korriku i 2016 shënon kulminacionin e realizmit të një skenari për vënien e diktaturës në atë që sot konsiderohet, Turqia moderne. Në këtë  skenar filmash të realizuar nga vetë Erdogani, gjoja se u tentua të vritej presidenti turk, të bëhet grusht shtet dhe se populli rikthehu mbretin në kolltutukun e Kemajl Ataturkut. Në kohën kur popullariteti i Erdoganit po lëkundej karshi synimeve të tija për të vendosur pushtetin diktatorial në duart e tij, inskenoi gjoja një grusht shtet , për të pasur pastaj të drejtën e botës gjoja në emër të drejtësisë të eleminonte të gjithë kundërshtarët e tij. Një përsekutim, arrestim dhe eleminim i çdo kujt që mendon ndryshe nuk mbahet mend të ketë ndodhur, që nga koha e Sadam Huseinit, i cili eleminonte njerëzit vetëm se nuk mbanin fotografinë e tij në dhomën e ndejës. Me një qendrim tipi dikatorial, me “ bekimin’ e pupullit të tij , diktatori më i ri në Evropë po shpallte vetën shpëtimtar të Turqisë, i popullit turk nga “ kërcënimi”. Paranoja , që e karakterizon ç do diktator, nuk po e linte të qetë Erdoganin për të bërë thirrje për të arrestuar kundërshtarin e tij që jeton ne SHBA, Fetullah Gulen.  Pavarësisht se kërkësa e tij nuk u mor parasysh, Erdogani duke përdorur “ vëllazërin “ e tij me  Hashim Thaçin, kërkoj qe edhe në Kosovë të mbyllet çdo shkollë, apo organizatë që ka lidhje me Gulenin.  Kjo kërkesë u përsërit edhe nga ambasadorja e Turqisë Kivilcim Kiliçe cila  kërkon të luftohet organizata “Feto” e Fethullah Gulenit e cila, sipas saj, është e shtrirë nëpërmjet shkollave, organizatave joqeveritare e mediumeve në Kosovë. Kjo kërkesë nuk është as e arsyshme, as logjike dhe aspak humane. Kjo është “ kërkesë” e diktatorit Erdogan, i cili fut hundët në Kosovë sikur Kosovën të ia kishte lën baba me tapi. Jo zonja ambasadore, Kosova nuk është as krahinë, as tokë turke që luftën e brendshme politike në Turqi ta mbartin këtu. Asnjë organizatë që ka lidhje me Gulenin apo as ai vet, nuk është shpallur terrorist, dhe derisa vepron krejt legalisht pse mos të ushtroj veprimtarinë e tij. Në krahasim me Erdoganin, Gyleni është edhe me liberal, më evropian dhe me largpamës. Derisa Erdogani një diktator tipik, që mundohet përmes intrigave dhe veglave të tij në Kosovë siç eshte Thaçi , të demtoj kundërshtarët e tij politikë. Duke përdorur injorancën e Thaçit  fatkeqësisht Erdogani ka arritur të fus hundët këtu, duke sponsorizuar organizata për të përhapur teza kinse Kosova është tokë turke, këtë e ka bartur edhe përmes partive poltike siç është partia Fjala ne Kosovë dhe Besa në Maqedoni, të cilat janë prodhim alla erdoganian. Këta edhe organizuan marshin në një vjetorin e “ grusht shtetit” në Turqi, në përkrahje të Erdoganit.  Pasi mori në Kosovë aeroportin, KEK-un, pastaj në Shkup gjithashtu aeroportin dhe në Shqipëri tani aeroportin e Vlorës, Erdogani veç sa po vazhdon skenarin e tij për tu konsideruar “ baba i myslimanëve në ballkan” duke përfshir këtu Kosovën dhe Shqipërinë, si dhe shqiptarët në Maqedoni. Ky diktator i vogël, që po mundohet të rritet mbi shpatullat e shqipterëve,  po vazhdon të shijoj realizmin e skenarit të tij i ulur në kulltuqet e shtrenjta. As Hashimi, as Fjala dhe Besa nuk perfaqësojnë shqiptarët dhe bindjet e tyre drejt perendimit, pasi “ fal “ perandorisë Osmane, pasardhëse e të ciles është Turqi e sotme, shqiptarët humbën 500 vjet. Dhe një mesazh të fundit për ambasadorën turke në Kosovë Kivilcim Kiliç: shqiptarët ansnjëherë nuk do i përdorni për qëllimet tua politike, ne jemi të orientuar drejt SHBA dhe perendimit, lindja me Erdoganin i takon të kalurës për ne. Kaq !

Greqia ia heq shtetësinë kryetarit të bashkisë së Himarës: Veproi kundër nesh!

ATHINË – Greqia i heq nënshtetësinë greke kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo (Gjergji) Goro. Vendimi është firmosur nga ministri i brendshëm grek, Panos Skurletis muajin e kaluar dhe tashmë është botuar edhe në fletoren zyrtare.

Athina zyrtare thotë se vendimi bazohet në nenin 17 të ligjit për shtetësinë, sipas të cilit shtetësia greke hiqet në rastet kur personi që jeton në një vend të huaj, vepron pro atij vendi dhe kundër interesave të Greqisë.

jorgo goro 1

Burimet thonë se për këtë vendim ka ndikuar ai që njihet “Lobi i Himarës”, një rrymë ekstremiste që kundërshton dialogun e barabartë mes dy vendeve sovrane dhe që i kërkon Athinës të mbajë qëndrime radikale në çështjet dypalëshe.

Sipas mediave greke, vitet e fundit të qëndrimit të tij në bashkinë e Himarës, z.Goro, shumë herë ka ndërhyrë në vendimet dhe veprimet që godasin interesat thelbësore të emigrantëve grekë në rajonin e Himarës në të drejtat kombëtare, të pronësisë, të komunitetit apo ato fetare. Duke kulmuar me vendimin për prishjen e Kishës së Shën Athanasit dhe 18 shtëpive në qendër të qytetit.

Presidentja e Kroacisë ndërpret vizitën në Austri për shkak të zjarreve në Dalmaci

Për shkak të situatës me zjarre në Dalmaci, presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç ka vendosur të shkurtojë qëndrimin në të ashtuquajturin takim trelateral tradicional të presidentëve të tri shteteve Kroaci, Itali dhe Slloveni, i cili këtë vit mbahet në qytetin austriak Salzburg.

Siç transmetojnë mediat kroate, Kitaroviq nga Austria direkt do të shkojë në Split për t’u njohur nga vendi i ngjarjes me gjendjen në qytetin më të madh kroat në bregdetin dalmatin dhe rrethinën e tij, por edhe në lokacionet tjera ku janë regjistruar vatra zjarri.

Mali i Zi kërkon ndihmë ndërkombëtare për luftimin e zjarrit

Zjarri në Llushticë, Mali i Zi

 

Mali i Zi ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare për të luftuar flakët në zonat afër detit Adriatik, nga të cilat janë detyruar të evakuohen shumë turistë.

Zjarri ka nisur si shkak i erërave të forta dhe motit të thatë.

“Situata në Llushticë është kritike. Ministria e punëve të Brendshme në Malin e Zi ka kërkuar të aktivizohet Mekanizimi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian”, ka thënë qeveria përmes një deklarate.

Udhëheqësit e qyteteve bregetare të Kotorrit, Tivatit dhe Herceg Novit i kanë bërë thirrje qeverisë të kërkojë ndihmë nga shtetet fqinje, Kroacia, Bosnja dhe Serbia.

Të paktën 100 turistë janë detyruar të largohen nga një zonë bregdetare, e cila ka qenë më e prekuara nga flakët.

Si shkak i erërave të forta dhe kohës së thatë, zjarri në Llushticë, në jug të Malit të Zi është zgjeruar afër shtëpive dhe zonave të kampit.

“Ne nuk kemi kapacitete të mjaftueshme ta lokalizojmë zjarrin”, ka thënë Stevan Katiq, udhëheqës i qytetit, Herceg Novi.

Shërbimet e emergjencës kanë thënë se erërat e forta janë duke penguar zjarrëfikësit.

NATO mesazh solidariteti për Turqinë në përvjetorin e parë të 15 Korrikut

Stoltenberg, ka publikuar një mesazh me shkrim në lidhje me përvjetorin e parë të tentativës për grusht shteti në Turqi, ku ai ka rikujtuar se menjëherë pas tentativës, në natën e 15 korrikut NATO ka qenë pranë Turqisë

BRUKSEL – Sekretari i Përgjithshëm i NATOS-s, Jens Stoltenberg, në lidhje me përvjetorin e parë të tentativës për grusht shteti më 15 korrik në Turqi, tha se “Dëshiroj të theksoj në mënyrë të fortë se është e papranueshme çdo lloj tentative që do të dëmtojë demokracinë e cilitdo prej anëtare të NATO-s”

Stoltenberg, ka publikuar një mesazh me shkrim në lidhje me përvjetorin e parë të tentativës për grusht shteti në Turqi, ku ai ka rikujtuar se menjëherë pas tentativës, në natën e 15 korrikut NATO ka qenë pranë Turqisë, aleatit të saj dhe menjëherë ka dënuar tentativën.

Ndër të tjera pasi ka rikujtuar se pas tentativës për grusht shteti ka vizituar Ankaranë, Stoltenberg, është shprehur se “Ende nuk kam mundur të harroj shokimin kur kam parë dëmin e shkaktuar ndaj ndërtesës së parlamentit nga organizatorët e grushtit.

“Duke theksuar se përkujton me nder personat që kanë humbur jetën atë natë, Stoltenberg, ka vazhduar më tej se “Dëshiroj të theksoj në mënyrë të fortë se është e papranueshme çdo lloj tentative që do të dëmtojë demokracinë e cilitdo prej anëtarëve të NATO-s. Vlerësoj popullin turk i cili qëndroi përballë kësaj tentative të pabesë kundrejt qeverisë së zgjedhur me votë të Turqisë dhe institucioneve demokratike të saj.” AA

Ankaraja s’i lejon ligjvënësit gjermanë të vizitojnë trupat e tyre

Ankaraja ka refuzuar lejen e ligjvënësve gjermanë për të vizituar ushtarët që shërbejnë në një bazë ajrore pranë qytetit Konia të Turqisë.

Një refuzim i Turqisë, më herët, për t’i lejuar ligjvënësit gjermanë që të vizitojnë trupat e tyre në bazën Incirlik, ka bërë që Berlini t’i zhvendosë ato trupa në Jordani.

Për arsye historike, forcat e armatosura të Gjermanisë janë nën kontrollin parlamentar dhe Berlini këmbëngul që parlamentarët të kenë qasje tek ushtarët e tij.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë u tha anëtarëve të Komitetit Parlamentar të Mbrojtjes se Turqia ka kërkuar që udhëtimi i paraparë për 17 korrik, të shtyhet, për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Kryetari i Komitetit të Mbrojtjes, Rainder Arnold, tha se qeveria, sidomos kancelarja gjermane, Angela Merkel, duhet të marrë hapat e nevojshëm, për t’iu mundësuar ligjvënësve të vizitojnë trupat në Konia.

Dy vendet janë në mosmarrëveshje për një varg çështjesh, përfshirë refuzimin e Berlinit për të ekstraduar azilkërkuesit që Ankaraja i akuzon për përfshirje në përpjekjen për grushtshtet, vitin e kaluar, në Turqi.

Tusk: Serbia në BE, vetëm pasi të ketë përfunduar dialogun me Kosovën

BEOGRAD – Kryetari i Këshillit Europian Donald Tusk ka theksuar se Serbia mund të llogarisë në anëtarësimin e plotë të saj në BE pas përfundimit të dialogut me Prishtinën.

“Në fund të dialogut, ekziston anëtarësimi i plotë i Serbisë në BE. Këtë e kemi premtuar në Selanik dhe kjo është ajo që jemi të gatshëm ta përmbushim”, thënë Donald Tusk, kryetar i Këshillit Europian pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, njofton media serbe Tanjung.

“Ekziston perspektiva dhe kjo është gjë e mirë, por Serbia dëshiron të marrë një motivim më të madh”, ka thënë Vuçiç këtij takimi dha ka shtuar se tani është koha të bisedojë edhe me liderët e Gjermanisë e të Francës, Angela Merkel dhe Emnanuel Macron.

“Kemi biseduar për procesin e dialogut me Prishtinën dhe për parashikimet tona lidhur me të. Se çfarë shohim si mundësi për ta përfunduar këtë proces, si ta bëjmë dhe si të jemi njësoj të kënaqur ose të pakënaqur në Beograd e në Prishtinë. Si të bëjmë diçka për paqe të qëndrueshme në rajon”, ka thënë Vuçiç.

Turqia në prag të 15 korrikut

E shtuna shënon përvjetorin e parë të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi kundër Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Por masat e forta për goditjen e kundërshtarëve pas grushtit të shtetit kanë krijuar shqetësime rreth thellimit të ndarjeve politike.

Në mbulimin e mediave turke për ngjarjet e 15 korrikut 2016 përfshihen pamje të ushtarëve që hapin zjarr ndaj njerëzve të paarmatosur në Urën e Bosforit në Stamboll dhe avionë që bombardojnë parlamentin.

Më shumë se 240 vetë u vranë dhe rreth 3,000 të tjerë u plagosën kur një grup ushtarak u përpoq të merrte pushtetin.

Postera të mëdhenj me njerëz që u ngritën kundër grushtit ushtarak mund të shihen në disa nga qytetet kryesore të Turqisë.

Turqia vazhdon të jetë nën gjendjen e jashtëzakonshme, me më shumë se 60,000 njerëz të burgosur dhe 140,000 të larguar nga puna.

Shumë prej tyre akuzohen si anëtarë të FETO-s, siç i quan qeveria ndjekësit e klerikut turk Fethullah Gulen me banim në SHBA, të cilin qeveria e fajëson për grushtin e dështuar të shtetit.

Gylen ka mohuar se është përfshirë në trazirat e vitit të kaluar.

Gjendja e jashtëzakonshme lejon zotin Erdogan dhe Kabinetin e tij të nxjerrin dekrete pa miratimin e parlamentit apo të gjykatave.

Greqi – Moment shokues, shtatë serbë e vrasin një amerikan

Në Greqi para pak ditësh ka mbetur i vdekur një turist amerikan. Ngjarja ka ndodhur në Zakynthos në kohën kur Bacary Henderson ndodhej në pushime në Greqi

Ai kishte shkuar në një lokal ku ishin shumica serbë të cilët u ndien të provokuar nga gjuha e tij. Gazeta greke, “Proto Thema” ka lëshuar pamjet e një kamere të kafenesë e cila tregon moment tragjik për amerikanin.

Në video shihet se si serbët e godasin në grup për vdekje amerikanin. Madje disa prej tyre thuhet se e kanë goditur edhe me shishe rakie.

Policia greke ka arrestuar deri tani shtatë serbë të dyshuar për rrahjen deri të vdekje të turistit amerikan.

Ceremoni përkujtimore për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë

“Srebrenica është plaga më e thellë e boshnjakëve dhe ata asnjëherë nuk do ta harrojnë këtë. Hakmarrja jonë më e madhe duhet të jetë drejtësia dhe sinqeriteti””

POTOÇARI – Me rastin e 22-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, ku u masakruan më shumë se 8 mijë civilë boshnjakë dhe e cila në Evropë përshkruhet si tragjedia më e madhe njerëzore e përjetuar pas Luftës së Dytë Botërore, në ish-fabrikën e baterive në Potoçari e cila në luftë është përdorur si bazë e ushtarëve të OKB-së është mbajtur një ceremoni përkujtimore.

Anëtari i Këshillit të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, në një fjalim të mbajtur në këtë ceremoni, duke theksuar se koha në të cilën jetojnë kërkon nga ata ngritjen e zërit dhe t’i japin përgjigje atyre që nuk kuptojnë ose nuk dëshirojnë të kuptojnë mesazhin e tmerrshëm të gjenocidit, Izetbegovic ka rikujtuar se ato që janë përjetuar gjatë viteve 1995 dihen shumë mirë nga të gjithë, ku njësitë nën urdërat e Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç kanë masakruar mijëra boshnjakë të marrë peng.

“Kujt dhe çfarë të këqijash kishin kryer ata të rinj dhe të moshuar që u vranë këtu duke mbrojtur familjet dhe jetët e tyre”, është shprehur Izetbegovic, duke shtuar më tej se “15 vjeçari Damir Suljic dhe 72 vjeçari Alija Sahilovic u vranë vetëm se ishin myslimanë, sepse ishin boshnjakë dhe kishin lindur në Srebrenicë.”

Duke vënë në dukje se në gjenocidin e përjetuar në Srebrenicë edhe OKB-ja ka qëndruar “e heshtur” dhe “pasive” Izetbegovic tha më tej se “Morën informacione të sakta rreth masakrave që vazhduan për ditë me radhë. Kishin edhe pamje satelitore në lidhje me varret masive. Por sërish e braktisën si frikacakë zonën e sigurtët të OKB-së”.

Asnjëherë nuk është zgjuar ndërgjegjja e shtypësve, është shprehur Izetbegovic duke bërë të ditur se “ata edhe sot pikërisht ashtu si 22 vite më parë vazhdojnë ta mohojnë dhe fshehin tiraninë e përjetuar këtu.”

Pasi ka tërhequr vëmendjen se gjykatat ndërkombëtare dhe ato lokale ndodhitë që janë përjetuar i kanë cilësuar vetëm me një emër të mundshëm që është “gjenocid”, Izetbegovic, ka theksuar se “Përvoja e hidhur e Srebrenicës na drejton një pyetje të rëndë të gjithëve ne. Ndonjëherë ne mendojmë se kjo pyetje nuk ka përgjigje. Por kjo duhet ta ketë një përgjigje. Këto përgjigje janë në të ardhmen plot jetë dhe paqe. Ndërsa drejt një të ardhmeje të tillë mund të shkohet në saje të paqes. Kjo është e nevojshme për ne edhe për brezat e ardhshëm. Por çdo gjë duhet të dihet nga të gjithë. Se në Bosnje dhe Hercegovinë nuk mund të ketë një paqe dhe të ardhme më të mirë pa drejtësi dhe pastërti.”

Lideri boshnjak i ka bërë thirrje popullit, politikanëve serb dhe liderëve fetarë që të pranojnë të vërtetën dhe të heqin dorë nga mohimi i gjenocidit dhe ndër të tjera ka vënë theksin se pala serbe duhet të hedhë këtë hap për vendosjen e paqes së vërtetë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.

“Srebrenica është plaga më e thellë e boshnjakëve dhe ata asnjëherë nuk do ta harrojnë këtë. Hakmarrja jonë më e madhe duhet të jetë drejtësia dhe sinqeriteti. Për këtë arsye ne nuk do të heqim asnjëherë dorë nga lufta jonë për drejtësi dhe sinqeritet”, është shprehur Izetbegovic.

“Drejtësia erdhi me vendimin e ICTY”

Kryetari i Gjykatës Penale Ndërkombëtare të ish-Jugosllavisë (ICTY), Carmel Agius i cili ka mbajtur një fjalim në ceremoni, është shprehur se pavarësisht shumë vështirësive që gjykata është përballur janë krenarë me punimet që kanë kryer për ndëshkimin e përgjegjësve të luftës së Bosnjës dhe për gjetjen e varreve masive. “Mohimi i historisë është një sulm kundrejt të vërtetës. Gjenocidi në Srebrenicë nuk mund të krahasohet me asnjë ngjarje përpara”, ka shtuar Agius.

Të afërmit e viktimave nuk duhet të bien në kurthet e atyre që mohojnë gjenocidin, ndërsa liderët politikë kanë një detyrë të vështirë në emër të qeverisjes së vendit, ka rikujtuar Agius.

Në ceremoninë përkujtimore dhe të varrosjes së mbetjeve mortore të 71 viktimave në emër të Turqinë merr pjesë edhe zv.kryeministri Numan Kurtulmuş.

Çfarë ndodhi në Srebrenicë?

Pasi Srebrenica u pushtua nga njësitë serbe nën komandën e Ratko Mlladiç më 11 korrik 1995, civilët boshnjakë që u strehuan tek ushtarët holandezë nën çatinë e OKB-së, u dorëzuan serbëve.

Serbët të cilët lejuan mbërritjen e grave dhe të fëmijëve në rajonin e kontrolluar nga ushtarë boshnjakë masakruan më shumë se 8 mijë boshnjakë meshkuj në zonën e pyllëzuar, nëpër fabrika dhe depo të cilët në atë periudhë u varrosën në varre masive.

Mbetjet mortore të gjetura në varret masive në punimet e nisura për të gjetur të zhdukurit pas luftës pas përcaktimit të identitetit ato varrosen çdo vit më 11 korrik me një ceremoni të zhvilluar në varrezat memoriale Potoçari. aa

Serbi: Policia e parandaloi përleshjen lidhur me Srebrenicën

Pamje nga përkujtimi i masakrës së Srebrenicës nga “Gratë në të zeza” në Beograd, në korrik të vitit të kaluar

 

Forcat policore të Serbisë e kanë ndarë mbrëmë një shesh në qendër të Beogradit, për t’i parandaluar përleshjet ndërmjet dy gupeve që protestonin lidhur me masakrën e mijëra myslimanëve të Bosnjës në Srebrenicë, në vitin 1995.

Në njërën anë ishin përfaqësuesit e “Asociacionit për serbët e zhdukur”, të cilët ishin përpjekur ta paraqesin listën me emrat e serbëve, që ishin vrarë në hapësirën e Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovinë, ndërmjet viteve 1992 – 1995.

Ky grup refuzon të pranoj se forcat serbe kanë kryer gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995. Për ta, krimi kundër myslimanëve të Bosnjës gjatë disa ditëve të verës së atij viti, i organizuar nga forcat ushtarake të Serbisë, është i njejtë sikur edhe krimet e tjera në të cilat viktima ishin serbët dhe të tjerët gjatë luftës.

Në anën tjetër të sheshit ishin aktivistet e grupit “Gratë në të zeza”, njëra nga pak organizatat në Serbi, që insiston të pranohet gjenocidi në Srebrenicë.

Këto protesta u bënë para përkujtimit në Potoçari afër Srebrenicës, ku gjendet varret e mijëra të të vrarëve.

Erdogani kundërshton referendumin e kurdëve në Irak

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se është shumë e rëndësishme që Iraku fqinj të mbetet vend i bashkuar dhe se referendumi i planifikuar i kurdëve për pavarësi nuk duhet të mbahet.

Autoritetet në rajonin kurd të Irakut kanë planifikuar të mbajnë referendumin për pavarësi më 25 shtator dhe presidenti i Qeverisë rajonale kurde i ka thënë agjencisë Reuters, javën e kaluar, se nuk duhet të ketë kthim prapa nga përpjekja për shtetin e pavarur kurd.

“Rëndësia e integritetit territorial të Irakut po rritet nga dita në ditë”, tha Erdogan në një konferencë për naftën në Stamboll.

“Ata duhet të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të tillë si referendumi për pavarësinë”, shtoi Erdogan.

Turqia, me dekada të tëra, lufton kurdët në territorin e saj që përpiqen për më shumë autonomi.

Kush do e drejtojë qeverinë e Kosovës – ja çfarë mendon kryeministrja e Serbisë për Kurtin e Haradinajn

Kryeministrja e re e Serbisë, Ana Brnabic në një intervistë për gazetën serbe Blic ka folur edhe për situatën politike në Kosovë.

E pyetur se cili do të ishte kryeministër më i mirë për Serbinë, Haradinaj apo Kurti, ajo tha se të gjithë janë të njejtë, dhe se me janë të gatshëm të bisedojnë me secilin që e përfaqëson Kosovën.

“Kurti apo Haradinaj? Kosova është pjesë e Serbisë, dhe si partnerë të përgjegjshëm ne do të flasim me të gjithë që e përfaqësojnë palën tjetër”, tha kryeministrja serbe.

Ajo foli edhe për dialogun në Bruksel, ku tha se është e gatshme të marrë pjesë në negociata me Prishtinën.

“Në qoftë se ka nevojë që unë të shkojë në Bruksel, do ta bëj. Kjo është pjesë e punë sime. Por, sipas BE-së do të ishte më mirë për ta zhvilluar dialogun në nivel presidencial. Thaçi dhe Vuçiq deri më tani kanë marrë pjesë në dialog, dhe mendoj se kjo do të ishte zgjedhja e duhur”, shtoi Ana Brnabic, transmeton “Lajmi.net”.

Kryeministrja serbe ditë më parë kishte deklaruar se qëndrimi i saj ndaj Kosovës do të vazhdojë të mbetet i njëjti, sikur ka qenë gjithmonë i udhëheqësve serb.

Mijëra veta në “Marshin e Paqes” për në Srebrenicë

Në kuadër të “Marshi i paqes” i cili këtë vit organizohet për herë të 13-të, pjesëmarrësit do të ecin rreth 35 kilometra çdo ditë për të arritur në Potoçari

NEZUK – Më shumë se 5 mijë persona sot në orët e mëngjesit u mblodhën në vendbanimin Nezuk i cili ndodhet në pjesën qendrore të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) për të marrë pjesë në aktivitetin për të ndjekur rrugën e atyre që dëshironin të shpëtonin nga gjenocidi i Srebrenicës që llogaritet si tragjedia më e madhe njerëzore në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore, dhe që njihet si “Rruga e vdekjes”.

Pjesëmarrësit të cilët bënë lutje dhe mbajtën një minutë heshtje për viktimat e gjenocidit, do të ecin rreth 100 kilometra rrugë pyjore në të cilën kishin ecur viktimat e gjenocidit. Në përfundim të kësaj ecjeje pritet arritja në Varrezat e Memorialit të Potoçarit, ku më 10 korrik do të varrosen edhe 71 viktima, identiteti i të cilëve është zbuluar.

Në kuadër të “Marshi i paqes” i cili këtë vit organizohet për herë të 13-të, pjesëmarrësit do të ecin rreth 35 kilometra çdo ditë për të arritur në Potoçari.

Pjesëmarrësit tre ditët e tyre do t’i kalojnë nëpër rrugë, kurse në mbrëmje do të qëndrojnë në pikat e strehimit në zonën pyjore të përcaktuara më parë. Gjatë këtij rrugëtimi atyre do t’u jepen informacionet lidhur me gjenocidin, dhe ata të cilët kanë arritur të mbijetojnë duke e përdorur “Rrugën e Vdekjes” do t’i tregojnë kujtimet e tyre.

Në aktivitet po marrin pjesë persona nga e gjithë bota”

Kryetari i Komitetit organizativ të aktiviteteve përkujtimore të përvjetorit të 22-të të gjenocidit të Srebrenicës, Xhamil Durakoviç tha se “Marshi i Paqes” është shndërruar në një aktivitet global.

“Në aktivitet po marrin pjesë persona nga e gjithë bota. Po ashtu edhe fëmijët, nipërit dhe mbesat e atyre që u vranë në vitin 1995. Qëllimi i “Marshit të Paqes” është që duke vazhduar në këtë rrugë të ndiejnë të paktën një pjesë të asaj që përjetuan viktimat e Srebrenicës. aa

Serbia thotë se i paguan borxhet Kosovës deri më 2041

Gazeta “Blic” e Beogradit sot shkruan se borxhi përfundimtar i Kosovës më 30 qershor të këtij ka qenë 304,5 milionë euro. Por, ankohet kjo gazetë, borxhin nuk e paguan Kosova, veçse Serbia dhe këtë ajo do ta bëjë gjithnjë deri në vitin 2041, kur për pagesë në Beograd shkon edhe detyrimi i fundit ndaj kreditorëve.

Sipas këtij mediumi, pjesën më të madhe të borxhit të Kosovës Serbia tashmë e ka paguar sepse detyrimet para dhjetë vjetësh ishin rreth një miliard euro.

Sipas shënimeve të Bankës Popullore të Serbisë (NBS), detyrimet e Kosovës të cilat i ka marrë Serbia me marrëveshje të riprogramuara që janë arritur në periudhën nga 2002 deri në vitin 2005, kanë qenë rreth 932,73 milionë euro. Pjesa më e madhe e këtyre borxheve janë marrë me marrëveshje nga vitet e 70-ta deri në ato të 90- të shekullit të shkuar.

Kreditorët dhe shumat janë të ndryshme, thotë ky medium dhe sipas tij Serbia duhet t’i paguajë borxhe Bankës Botërore (433,31 milionë euro), Klubit të Parisit (297,20 milionë euro), Klubit të Londrës (169,85 milionë euro), Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës (5,79 milionë euro), Shoqatës së Hekurudhave Europiane (4,62 milionë euro), Kuvajtit (18,10 milionë euro) dhe BE-së për detyrime ndaj Bankës Europiane për Investime (0,43 miliona euro).

Guvernatorja e Bankës Popullore të Serbisë (NBS), Jorgovanka Tabakoviq ditë më parë ka thënë se Serbia po paguan këto borxhe të Kosovës sepse ai territor me Kushtetutë është pjesë e Serbisë.

“Po, kjo është specifike. Serbia e paguan atë borxh, sepse Kosovën e konsideron territor të vetin”, ka thënë ajo.

Nga viti 2002 deri më tash, sipas Blicit, Serbia borxhe për Kosovën ka paguar rreth 649,68 milionë euro.

Pretendohet se anija greke ka hapur zjarr ndaj anijes turke në Egje

Komanda e Forcave Detare të Turqisë ka dërguar një anije luftarake në jug të Detit Egje pas pretendimeve se nga anijet e sigurisë bregdetare të Greqisë është hapur zjarr ndaj një anijeje me flamur turk

ANKARA – Komanda e Forcave Detare të Turqisë ka dërguar një anije luftarake në jug të Detit Egje pas pretendimeve se nga anijet e sigurisë bregdetare të Greqisë është hapur zjarr ndaj një anijeje me flamur turk, teksa paraprakisht edhe Komanda e Sigurisë Bregdetare e Turqisë dërgoi dy anije.

Sipas të dhënave të siguruara nga burime të Ministrisë së Brendshme të Turqisë, pas pretendimeve se ndaj anijes së mallrave me flamur turk me emrin “ACT” që po lundronte në ujërat ndërkombëtare të Detit Egje është hapur zjarr nga anija e sigurisë bregdetare të Greqisë në ujërat e Rodosit, në vendin e ngjarjes janë dërguar dy anije të Komandës së Sigurës Bregdetare të Turqisë.

Mësohet se ekuipazhi i anijes turke është sjellë në ujërat territoriale të Turqisë i shoqëruar nga ekipet e Komandës së Sigurisë Bregdetare të Marmarisit, ndërsa prej tyre do të merret deklaratë lidhur me rastin. Theksohet se në anije ka gjurmë plumbash dhe se nuk ka persona të plagosur.

Burimet diplomatike theksojnë se janë në kontakt me institucionet relevante.

Ndërkaq, përveç dy anijeve të Komandës së Sigurisë Bregdetare, në rajon menjëherë është dërguar edhe një anije luftarake e Komandës së Forcave Detare të Turqisë. aa

Erdogan: Jemi të vendosur të ndërtojmë industrinë tonë kombëtare të aeroplanmbajtëseve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi të hënën se numri i projekteve me rëndësi kritike për sigurinë e vendit do të rritet gjithnjë e më shumë.

“Sa u përket luftanijeve, janë 14 projekte të përfunduara në kantieret ushtarake dhe ato të sektorit privat; ndërkohë që gjatë viteve të ardhshme do të nënshkruhen marrëveshjet për edhe 10 projekte të tjera”, sqaroi Presidenti Erdogan gjatë fjalës së rastit në ceremoninë e lëshimit në det të korvetës “Kinaliada”, organizuar në kantierin e Tuzlas.

Të gjitha këto zhvillime – theksoi Erdogan – janë mishërim i rëndësisë, që Turqia u kushton zgjidhjeve të projektuara me mundësi kombëtare në fushën e detarisë kundër kërcënimeve, që formohen dhe transformohen në këtë rajon.

“Me lejen e Zotit, ne do të bëjmë edhe aeroplanmbajtësen tonë kombëtare. Jemi të vendosur për këtë”, shtoi ai.

Kreu i shtetit turk nënvizoi se këto hapa duhet t’i bëjnë më shpejt, si një vend që synon të eliminojë plotësisht vartësinë e jashtme në industrinë e mbrojtjes deri në vitin 2023.

Mes të tjerash, Erdogan bëri me dije se Turqia renditet aktualisht mes atyre 10 vendeve në botë, të afta për të projektuar, ndërtuar dhe mirëmbajtur një anije luftarake me mundësi krejtësisht kombëtare.

“Cilado qoftë arsyeja, as që mund të bëhet fjalë që ne të tolerojmë qëndrimet e atilla, të cilat kanë si qëllim të frenojnë progresin e Turqisë në industrinë e mbrojtjes. Ata, që do të tentojnë një diçka të tillë, do të na gjejnë vetë ne përkarshi. Të gjithë sipërmarrësit tanë dhe të gjitha kompanitë tona me të vërtetë profesionistë/e, produktivë/e dhe të sinqertë/a, që punojnë për vendin e popullin tonë dhe që ndërkohë fitojnë natyrisht edhe për veten e tyre, duhet ta dinë dhe të jenë të sigurt se na kanë neve pranë”, përfundoi Presidenti Erdogan.

Thaçi: U pajtuam për fazë të re të dialogut që çon në pajtimin e vendeve tona

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se në takimin e sotëm që kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë diskutuar për domosdoshmërinë e hapjes së një faze të re të dialogut mes dy shteteve.

“Në takimin e udhëhequr nga Mogherini, që zhvilluam me presidentin e Serbisë, Vuciq, u fokusuam në domosdoshmërinë e hapjes së një faze të re të dialogut, që do të qonte drejt një normalizimi të plotë dhe pajtimi të shteteve tona”, ka thënë Thaçi nga Brukseli në një intervistë për RTK-në transmeton zeri.info.

“Ishte konkludim i përbashkët që vetëm pajtimi dhe normailizmi mes vendeve tona, paraqet më tepër paqe dhe stabilitet për rajonin dhe për vetet shtetet tona.  Ne i dhamë besimin e plotë për zonjën Mogherini për të ndërjmjetësim të këtij dialogu.  Jemi dakorduar që ky proces të jetë sa më shpejt i arritshëm dhe i implementueshëm. Dua të besoj se ky proces nuk do të jetë garë se kush kë do ta mund por proces i standardeve dhe vlerave i të dy vendeve dhe popujve tanë. E këto vlera, janë ato evropiane”, ka shtuar më tej presidenti Thaci, transmeton zeri.info.

Ai foli edhe për liberalizimin e vizave.

“Zonja Mogherini e ka lehtësuar dhe e ka udhëhequr takimin. Ne potencuam për mbylljen e procesit të izolimit të padrejtë që i bëhet Kosovës dhe nevojën që të bëhet liberalizimi i vizave për Kosovën”, ka thënë ai.

Më tutje, presidenti Thaçi ka thënë se kjo fazë e re e dialogut kërkon edhe unitet politik në vend.

“Ky ka qenë takimi i parë për këtë fazë të re të dialogut për normalizim dhe pajtim mes popujve tanë. Është vetëm faza e parë preliminare. Unë kam besim të plotë se institucionet e Kosovës, mediat, ekipet e ekspertëve, do të japin kontributin e çmuar për këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës.  Fqinjësia e mirë dhe pajtimi tregon se pavarësia e Kosovës ka paraqitur për rajonin më shumë paqe she stabilitet. Unë i ftoj të gjithë spektrin politik kosovar që të reflektojnë mbi interesat partiake dhe personale dhe të mendojnë për interesat shtetërore”, ka thënë ai. Në fund, ai ka thënë se ideale do të ishte që dialogu me Serbinë të përfundonte këtë vit, mirëpo kjo nuk është e sigurt.


Send this to a friend