VOAL

VOAL

Pendarovski: Ka kaluar koha kur Shqipëria shihej si armike e maqedonasve

Isuf Kadriu

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i ka quajtur të “panevojshme” dhe të “vjetërsuara” reagimet lidhur me takimin në Tiranë të kryeministrit Edi Rama me liderët e partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

Lidhur me këtë takim, në të cilin sipas pjesmarrëvesve është diskutuar kryesisht për çështjet që kanë të bëjnë me përshpejtimin e integrimit evropian të të dyja vendeve, ka pasur reagime të shumta në Shkup, në veçanti nga opozita maqedonase, e cila e ftesën e kryeministrit shqiptar e ka vleresësuar si “përpjekje për shpëtimin e qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski”, por edhe si të “dëmshme për interesat shtetërore e kombëtare maqedonase”.

VMRO DPMNE-ja ka reaguar edhe për debatin në këtë takim për ndryshimin e kushtetutës maqedonase, si kusht që del nga marrëveshja me Sofjen për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë.

Por, presidenti Pendarovski në një prononcim për mediat ka thënë se “ka ikur koha kur proceset politike, ngjarjet apo takimet që ndodhin në Tiranë duhet t’i shikojmë si kërcënim për sigurinë tonë.

“Dekada më parë, Republika e atëhershme Socialiste e Shqipërisë ishte një kërcënim sigurie për ne. Ka kohë që ka kaluar koha kur proceset politike apo ngjarjet apo takimet që ndodhin në Tiranë duhet t’i shohim si një kërcënim sigurie për ne. Të mos harrojmë, Republika e Shqipërisë është anëtare e NATO-s dhe ka nisur negociatat me BE-në bashkë me ne. Shqipëria është miku ynë dhe nuk kam fare dyshim për ndonjë qëllim të fshehtë të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Unë e di shumë mirë, po ashtu edhe ju. Nuk mendoj se aty po krijohet ndonjë skenar antimaqedonas”, ka deklaruar Pendarovski.

Lidhur me komentet se liderët shqiptarë janë thirrur në Tiranë për t’u marrë vesh për ndryshimet kushtetuese, Pendarovski tha se për këtë çështje nuk ka pasur nevojë të shkojnë në takim, pasi siç tha ai, të gjithë liderë politikë që kanë qenë në Tiranë edhe më parë kanë thënë se do të mbështesnin ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve në Preambulë, si kusht i domosdoshëm për të mos u përsëritur vetoja bullgare ndaj procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Takimi që liderët e partive nga blloku shqiptar e patën me kryeministrin e Shqipërisë është vlerësuar pozitivisht nga kryeministri Dimitar Kovaçevski i cili të mërkurën tha se “çdo takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama është i mirëseardhur” sepse sipas kryeministrit Kovaçevski , “Edi Rama është një mik i dëshmuar i Maqedonisë së Veriut dhe një euroatlantist i dëshmuar”.

Takimi i zhvilluar të martën në Tiranë u iniciua nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ku morën pjesë liderët e të gjitha partive shqiptare nga Maqedonia e Veriut, përveç kreut të lëvizjes Besa, Bilal Kasami, i cili edhe pse i ftuar, refuzoi të merrte pjesë me arsyetimin se nuk dëshironte të ulej në një tavolinë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Kasami takimin e kishte vlerësuar si “përpjekje për shpëtimin e Ahmetit pas përçarjeve në partinë e tij”.

Por, pas takimit, liderët e partive të shqiptare vlerësuan se takimi ishte relaksues dhe në “frymë vëllazërore” dhe se në fokus ishte e ardhmja e përbashkët evropiane e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Pse po e viziton kleriku rus Shkupin?

Vizita e mitropolitit rus, Antoni, më 11 janar në Maqedoninë e Veriut. Ai është takuar me kryetarin e Kishës Ortodokse Maqedonase, Stefanin.
Zërijeta Hajro Jajaga

Kisha, edhe pse është e ndarë nga shteti, ajo ka për detyrë që në mënyrë konstruktive të ndjekë drejtimin e zhvillimeve të shtetit, duke mbetur përkrah politikave euroatlantike, ashtu siç e kanë ndjekur dhe ndihmuar Kishën Ortodokse Maqedonase të gjitha qeveritë e mëparshme maqedonase, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërmjet bashkësive fetare dhe shtetit.

Këto komente pasojnë vizitën e mitropolitit rus, Antoni, më 11 janar në Maqedoninë e Veriut me ç’rast është takuar me kryetarin e Kishës Ortodokse Maqedonase, Stefanin.

Mitropoliti rus, Antoni, nuk ka dhënë shumë informacione për mediat lidhur me qëllimin e kësaj vizite. Megjithatë, pas takimit me zyrtarët e lartë të Kishës Ortodokse Maqedonase ka thënë se në Maqedoninë e Veriut ka ardhur për ta uruar personalisht kryepeshkopin maqedonas, Stefanin për festën e emrit (“imen den” festë që ndërlidhet me festën e shenjtorëve që kanë emrin e ndjetë) dhe me këtë rast për të përcjellë urimet nga Patriarku rus, Kirili.

Gjatë takimit që ka realizuar mitropoliti rus, Antoni, me zyrtarët e Kishës Ortodokse Maqedonase është shoqëruar nga ambasadori i Federatës Ruse në Shkup, Sergej Bazdnikin.

Mitropoliti rus, Antoni, është pritur nga kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, Stefani.

Mitropoliti rus, Antoni, është pritur nga kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, Stefani.

Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, tha se për momentin vizita e klerikut rus bëhet vetëm në kuadër të diplomacisë kishtare dhe nëse mbetet në ato korniza, nuk është problematike.

“Nëse diplomacia kishtare, e cila pa diskutim e dimë se po përdoret nga presidenti rus [Vladimir]Putin, si një nga mjetet e tij për të justifikuar luftën në Ukrainë dhe për të justifikuar mizoritë që po kryen atje, atëherë nuk do ta mbështesja këtë, por deri në këtë moment mendoj se takimet kanë qenë vetëm në kuadër të kishës dhe është biseduar vetëm për çështjet kishtare”, tha Pendarovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas fjalimit në një ngjarje të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve.

Vizita e klerikut të lartë mund të shkaktojë probleme, si për vendin, ashtu edhe për vetë kishën

Por, Aleksandar Spasenovski, ligjërues në Fakultetin Juridik, njohës i marrëdhënieve ndërmjet bashkësive fetare dhe shtetit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se takimi i mitropolitit rus me krerët e Kishës Ortodokse Maqedonase paraqet “ofsajd për vendin, si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë gjeopolitik”.

“Maqedonia [e Veriut] është anëtare e NATO-s, po ndërton një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është interesi ynë themelor strategjik që duhet mbështetur dhe ndihmuar. Vizita e Kishës Ortodokse Ruse në vendin tonë, paraqet një largim nga një interes i tillë strategjik dhe mund të shkaktojë probleme, si për vendin, ashtu edhe për vetë kishën”, thotë Spasenovski.

Nga ana tjetër, edhe Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik në Maqedoninë e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se ardhja e klerikut të lartë rus në Maqedoninë e Veriut në asnjë mënyrë nuk është me qëllim të mirë.

“Për vetë faktin se Kisha Ortodokse Ruse është përkrahëse e fortë e politikave të Putint dhe agresionit në Ukrainë dhe kështu, meqë është e përfshirë në rrjedha politike, pra nuk është jashtë politikave institucionale shtetërore të Rusisë si shtet, atëherë ardhja e tij dhe mesazhi që mund të sjellë mund të jetë problematike. Vetë Kisha Ortodokse këtu duhet të jetë e kujdesshme që mos bjerë në grackën e ndonjë premtimi”, vlerëson Ramadani.

Finalizimi i autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase

Vizita e klerikut të lartë rus në Maqedoninë e Veriut përkon me kohën kur Kisha Ortodokse Maqedonase pret një akt konfirmues kishtar (tomos) nga Patrikana e Euminike në Stamboll. Kjo pasi Kisha Ortodokse Serbe më 24 maj të vitit të kaluar ka pranuar autoqefalin e Kishës Ortodokse Maqedonase, duke i dhënë fund kontestit prej disa dekadash mes tyre, përkatësisht nga viti 1067. Rikujtojmë se problemet ndërmjet dy kishave, serbe dhe asaj maqedonase kishin dalë në sipërfaqe sidomos pas pavarësisë së Maqedonisë (së Veriut) më 1991 pasi Kisha Serbe konsideronte se ndarja e Kishës Maqedonase nuk është bërë sipas rregullave kishtare.

Më 9 maj të 2022, Patrikana Ekumenike e Stambollit pranoi Kishën Ortodokse Maqedonase si kishë të pavarur. Më 25 gusht 2022 edhe Kisha Ortodokse Ruse e njohu Kishën Ortodokse Maqedonase si kishë motër autoqefale.

Kjo është vizita e parë e një kleriku të lartë rus që kur Kisha Ortodokse Ruse e njohu Kishën Ortodokse Maqedonase si kishë autoqefale. Mitropoliti Antoni paraprakisht ka vizituar Serbinë dhe Bullgarinë.

Rreziku për prishjen e raporteve me Patrikanën e Stambollit

“Në aspektin kishtar, atë religjioz apo fetar, kjo vizitë është e paarsyeshme pasi Kisha Ortodokse Maqedonase rrezikon t’i prishë raportet me Patrikanën Ekumenike në Stamboll pas vendimit historik të Patriarkut Bartolomeu të njohë Kishën Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit, si kishë kanonike dhe të njohur në botën ortodokse”, thekson Aleksandar Spasenovski.

Ismet Ramadani rikujton se Kisha Ortodokse Maqedonase u bë autoqefale, (e pavarur) nga Patrikana e Stambollit dhe në këtë vijë duhet të mbetet.

“Ky veprim i tyre (Kishës Ortodokse Maqedonase) duhet të kultivohet edhe më tutje pasi në një mënyrë na distancon nga krejt ajo që është politikë ruse dhe veprimet e Putinit në Ukrainë” thotë Ramadani.

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, është mbështetës i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e ka “bekuar” invazionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë me pretendimin se ushtria ruse po bën një “akt heroik”.

Lufta kundër korrupsionit, prioritet i SHBA-së në Maqedoninë e V.

Zërijeta Hajro Jajaga

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, ka bërë të ditur se për Uashingtonin, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të ketë prioritet në Maqedoninë e Veriut, krahas çështjeve që lidhen me energjetikën dhe ekonominë.

Ajo i ka bërë këto deklarata pak para vizitës së Këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet në rajonin e Ballkanit.

“Me Chollet do të diskutohen prioritetet e përbashkëta, ndërkohë që çështja e korrupsionit mbetet primare për Uashingtonin. Ai do të ngre më shumë çështje gjatë vizitës brenda kësaj jave. Viti 2023 do të jetë shumë intensiv për ju dhe ai do të konfirmojë angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në çdo mënyrë të mundshme”, ka thënë Aggeler në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Osmani ka thënë se çdo ndihmë që vjen nga Uashingtoni paraqet një shtytje të rëndësishme sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Çdo mbështetje nga Shetet e Bashkuara është e mirëseardhur, mbetet që ato të vendosin se në çfarë mënyre do ta ofrojnë atë bashkëpunim”, ka theksuar Osmani, duke kujtuar se në periudhën e kaluar vendi ka marrë ndihmë financiare dhe ekspertizë për reformat në drejtësi.

Ndryshe, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, në Maqedoninë e Veriut ka qëndruar një ekip për sanksione nga Uashingtoni për të hetuar funksionarët dhe ish-funksionarët e dyshuar për korrupsion.

Siç pati njoftuar Ambasada e Shteteve të Bashkuara, ky ekip ka pasur për detyrë “të ketë një qasje më agresive për aktorët e korruptuar, si për ata në të kaluarën, ashtu dhe ata aktualë”.

I pyetur nëse është diskutuar për rezultatet e hulumtimit që ka realizuar ekipi amerikan për korrupsionin dhe krim të organizuar, Osmani ka thënë se “korniza që përcakton marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut është dialogu strategjik dhe plani aksional”.

Në bazë të anketës së fundit që ka realizuar Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), në dhjetor të vitit të kaluar, qytetarët e Maqedonisë së Veriut e kanë humbur besimin në sistemin gjyqësor.

Sipas rezultateve të aneketës, vetëm 4 për qind e të anketuarve i besojnë plotësisht gjyqësorit.

“Vendimi për ndryshimin e kushtetutës duhet të merret në interes të qytetarëve”

Ambasadorja amerikane Aggeler ka përsëritur të hënën edhe një herë qëndrimin e SHBA-së në lidhje me ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshimet e kushtetutës u imponuan pas miratimit të “propozimit francez” nga Shkupi dhe Sofja zyrtare, në bazë të të cilit pakica bullgare në Maqedoninë e Veriut do të njihej si popull shtetformues.

Për ndërhyrjen në kushtetutë nevojiten dy të tretat e votave, përkatësisht 80 prej 120 votave të deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Zyrtarët e lartë të Maqedonisë së Veriut nuk japin ndonjë datë të saktë se kur mund të nisë procesi për ndryshimet kushtetuese, por kujtojnë se procesi i skriningut duhet të përfundojë deri në nëntor të këtij viti.

“Kjo është çështje e rëndësishme. Në radhë të parë është e rëndësishme për udhëheqësinë e Maqedonisë së Veriut. SHBA mbështet lëvizjen e vendit drejt integrimit euroatlantik. Ne besojmë se anëtarësimi në BE është i një rëndësie vendimtare dhe do të ketë përfitime të mëdha për vendin. E inkurajojmë udhëheqësinë dhe funksionarët e zgjedhur të këtij vendi të veprojnë në interes të qytetarëve të tyre dhe të veprojnë sa më parë, të bëjnë ndryshimet e duhura që do të mundësojnë hapjen e negociatave aderuese drejt BE-së”, ka theksuar Aggeler.

Maqedonia e Veriut e ka fituar statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2005.

Por, procesi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim është bllokuar për 17 vjet për shkak të kontestit për çështjen e emrit me Greqinë dhe së fundmi në kontekstin me Bullgarinë, për shkak të çështjeve që lidhen me gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Steinmeier në Shkup: BE-ja pret normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, dhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, Shkup, 29 nëntor 2022.

Isuf Kadriu

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet në agjendën evropiane, ashtu si edhe pritjet për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Steinmeier i bëri këto komente në Shkup, ku të martën qëndroi për vizitë zyrtare.

Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, ai tha se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut është i arritshëm.

Ai nuk dha ndonjë afat për këtë, por theksoi nevojën e zbatimit të reformave të domosdoshme për anëtarësim në BE.

Kreu i shtetit gjerman tha se vizita e tij në Shkup është në funksion të përcjelljes së mesazhit se rajoni është në agjendën evropiane.

Duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Steinmeier tha se normalizimi sa më i shpejtë i tyre është në interesin e BE-së.

“… për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem që propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, tha presidenti gjerman.

Propozimi që përmendi ai – i njohur në publik si plani franko-gjerman – thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Së voni, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.

Ekzistenca e tij është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë.

Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.

Procesi i Berlinit “i rëndësishëm për rajonin”

Gjatë qëndrimit në Shkup, presidenti gjerman tha se rëndësi të madhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka edhe bashkëpunimi mes shteteve që bëjnë pjesë në nismën e njohur si Procesi i Berlinit.

Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 si platformë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – për të përshpejtuar përafrimin e tyre me BE-në.

Në kuadër të kësaj nisme u arritën edhe disa marrëveshje, të cilat i përmendi Steinmeier.

“Mendoj se udhëtimi me karta identiteti, njohja reciproke e diplomave shkollore dhe universitare, gatishmëria e BE-së për të ndihmuar në problemet energjetike paraqesin një progres të rëndësishëm dhe etablimin e rajonit në një treg të përbashkët”, tha presidenti gjerman.

Duke folur për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian dhe paralajmërimet e zyrtarëve maqedonas se ky proces mund të rrumbullakohet deri në vitin 2030, Steinmeier tha se askush nuk mund të premtojë diçka të tillë.

Ai i inkurajoi drejtuesit e institucioneve që të punojnë në përmbushjen e reformave të domosdoshme për anëtarësim në BE.

“Do të doja që procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Duhet që procesi i reformave të lëvizë me shpejtësinë e nevojshme, shikuar nga këndvështrimi evropian. Shpresoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Nuk mund të them nëse kjo do të ndodhë në vitin 2030”, tha Steinmeier.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, dhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, në Shkup, 29 nëntor 2022.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, dhe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, në Shkup, 29 nëntor 2022.

“Ju duhet ta kuptoni se, për momentin, askush nuk mund ta thotë këtë, asnjë nga politikanët në Maqedoninë e Veriut, në Gjermani apo në Bashkimin Evropian. Këtë askush nuk mund ta premtojë, por duhet të punoni që të arrihet ky synim”, tha presidenti gjerman.

Ai, po ashtu, tha se e mirëpret mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën, e cila po përballet me agresionin rus.

“Maqedonia e Veriut është partner i besueshëm dhe si shtet anëtar i NATO-s po jep një kontribut të çmueshëm, të cilin ne e vlerësojmë lart”, u shpreh Steinmeier.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, tha se “vizita e presidentit gjerman në kushtet e ndryshimit të gjeopolitikës, kërcënimeve të sigurisë nga agresioni rus në Ukrainë dhe sfidave energjetike në kontinentin evropian, është konfirmim i miqësisë dhe vendosmërisë së Gjermanisë për të mbështetur rajonin”.

Ai theksoi se e vlerëson shumë përkushtimin e Gjermanisë në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Ne, tani 17 vjet, po përgatitemi për këto bisedime [për anëtarësim në BE]. Është periudha më e gjatë e përgatitjeve në historinë e BE-së. Ne jemi kandidati më i përgatitur për anëtarësim në BE në historinë e kësaj organizate. Unë jam i bindur se nëse ky proces nuk bazohet në aspektet historike dhe nëse bazohet në kriteret elementare evropiane dhe në vlerat evropiane, ne, në një afat rekord, do t’i mbyllim këto bisedime”, deklaroi Pendarovski.

Ai tha se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të jetë partnere e besueshme e BE-së dhe NATO-s – si alternativa të vetme për të ardhmen e popullit dhe të shtetit në përgjithësi.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, mbajti një fjalim edhe para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, si dhe disa takime me drejtues të partive politike.

Maqedonia e Veriut ka nisur formalisht negociatat për anëtarësim në BE në muajin korrik.

Bujar Osmani: Nëse dikush dëmtohet nga Ballkani i Hapur, ne s’do të jemi pjesë e nismës

Isuf Kadriu

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha të dielën në Shkup se nisma e Ballkanit të Hapur synon thellimin e bashkëpunimit mes shteteve të rajonit, por ajo, sipas tij “nuk do të jetë e plotë pa pjesëmarrjen e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Në një aktivitet me ambasadorin e Kosovës në Shkup, Florian Qehaja, me rastin e 13 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dyja vendeve, Osmani tha se Maqedonia e Veriut mund të largohet nga Ballkani i Hapur nëse ndonjë nga shtetet do të dëmtohej nga kjo një nismë.

Maqedonia e Veriut ka njohur shtetin e Kosovës më 9 tetor të vitit 2008, ndërsa marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 16 tetor të vitit 2009

“Ballkani i Hapur është një nismë organike, një nismë e vendeve të rajonit, që krijon ndjesinë se ne edhe vet mund të bashkëpunojnë pa na ftuar dikush tjetër në ndonjë nismë tjetër. Por, problem i Ballkanit të Hapur është se aty nuk janë të gjitha gjashtë shtetet”, tha Osmani.

“Vlerësoj se janë legjitime qëndrimet e tri shteteve tjera që kanë vendosur të mos jenë pjesë e nismës. Detyra jonë është që të bëjnë përpjekje që t’i bindim, por ne përmes rezultateve duhet të dëshmojnë se jemi vlerë. Nëse nuk tregojmë rezultate atëherë s’ka se pse dikush të na bashkohet”.

“Ne, si Maqedoni Veriut nuk do të lejojmë që ndonjë shtet tjetër të dëmtohet. Ne konsiderojmë se nëse dikush do të dëmtohet, mendoj këtu edhe për Kosovën për shkak të pikëpamjeve të saj ndaj kësaj nisme, atëherë ne nuk do të marrim pjesë në këtë nismë. Ne do të jemi gardianë të mbrojtjes së cilit do shtet në Ballkanin e Hapur”, ka deklaruar Osmani.

Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut i jep mbështetje Kosovës në të gjitha nismat dhe përpjekjet për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare si në NATO, Këshillin e Evropës si dhe liberalizimin e vizave

“Maqedonia e Veriut mbështet fuqishëm Republikën e Kosovës në rrugën e njohjeve ndërkombëtare. Ne para disa ditëve i bëmë thirrje Bashkimit Evropian që menjëherë, pa asnjë vonesë të miratoj liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ne po i japim mbështetje Kosovës edhe në Këshillin e Evropës për pranimin e saj në këtë institucion evropian, por edhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare”, ka deklaruar Osmani.

Sipas tij, kjo është rruga e vetme për të stabilizuar rajonin që të vazhdojë procesin e anëtarësimit në NATO dhe BE.

“Si vend anëtare e NATO-s, Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në këtë kuadër i japim mbështetje përpjekjeve të Kosovës që të bëjë pjesë e aleancës”, tha ai.

Nisma Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e saj.

Opozita maqedonase kundër Ballkanit të Hapur, bllokon ligjet në Kuvend

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë samitit të Ballkanit të Hapur në Beograd. 2 shtator 2022.

 

Isuf Kadriu

Opozita maqedonase ka bllokuar miratimin e disa ligjeve në Kuvend që kanë të bëjnë me nismën Ballkani i Hapur.

Marrëveshjet për qasje të lirë në tregun e punës, për bashkëpunim në fushën e mjekësisë veterinare dhe të sigurisë ushqimore, si dhe për ndërlidhje dhe identifikim elektronik, janë bllokuar në komisionet e Kuvendit maqedonas që drejtohen nga partia opozitare, VMRO DPMNE.

Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, tha të mërkurën se propozim-ligjet nuk do të kalojnë për miratim në seancë plenare derisa Qeveria nuk e informon opozitën se për çfarë nisme bëhet fjalë dhe cili është qëllimi i Ballkanit të Hapur.

Ai tha se pret nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski, që ta ftojë në takim dhe t’i sqaroj se çfarë kërkon Maqedonia [e Veriut] në një grupi rajonal me Serbinë dhe Shqipërinë.

“Kur të marrim të dhëna se cili është qëllimi i iniciativës dhe çfarë sjell ajo për vendin tonë, atëherë mund të ulemi dhe të flasim më konkretisht për mbështetje apo mos mbështetje”.

“Kam dëgjuar në një sqarim se nisma se është për bashkëpunim të fqinjësisë së mirë, por shpesh shtroj pyetjen se si kufizohn dy nga këto tre vende që janë në Ballkanin e Hapur”, ka deklaruar Mickoski, duke aluduar në Shqipërinë dhe Serbinë të cilat nuk kufizohen me njëra tjetrën.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate, e cila drejtohet nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski, kërkoi të mërkurën nga VMRO DPMNE-ja që t’ua mundësojë ratifikimin e këtyre marrëveshjeve.

“Bëhet fjalë për marrëveshje me ratifikimin e të cilave qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë do të kenë mundësi të punojnë në cilindo nga tre vendet pa marrë leje pune, pa asnjë pengesë, pa aplikime dhe pritje, pa kosto administrative. Këto marrëveshje do të ofrojnë vende të reja pune, duke plotësuar mungesën e personelit në sektorin privat në secilin prej tre vendeve”, ka deklaruar Mile Taleski, deputet i LSDM-së.

Nisma Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e saj.

Sa shqiptarë duhet të ketë në institucionet e Maqedonisë së Veriut?

Zërijeta Hajro Jajaga

Në bazë të përditësimit të të dhënave të Ministrisë për Shoqëri Informative dhe Administratë, në përputhje me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik në institucionet e shtetit, shqiptarët duhet të përfaqësohen në administratë me 30 për qind në përputhje me të dhënat e regjistrimit të realizuar në tetor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës më 30 mars, numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente dhe jorezidente në Maqedoninë e Veriut është 2.097,319, prej tyre 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllahë.

Ndërkohë, si popullsi rezidente pa përfshirë këtu qytetarët me shtetësi maqedonase që jetojnë në diasporë, Maqedonia e Veriut ka vetëm 1.836,713 banorë, prej tyre 58.44 për qind maqedonas dhe 24.3 për qind shqiptarë.

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simonovski, tha se tashmë e ka informuar Ministrinë për Shoqëri Informative dhe Administratë, se si kategori relevante për përfaqësimin e bashkësive etnike në institucionet e shtetit mbetet vetëm ajo pjesë e popullsisë që është e regjistruar si rezidente në Maqedoninë e Veriut.

Ministri i Shoqërisë Informative, Admirim Aliti, thotë për Radion Evropa e Lirë se Ligji për të punësuarit në sektorin publik ku është e inkorporuar dhe çështja e përfaqësimit të etniteteve të ndryshme në institucionet e shtetit, qartë përcakton se për bazë merret numri i përgjithshëm i qytetarëve të regjistruar, pa bërë ndarjen mes asaj rezidente dhe jorezidente.

“Ajo që ne e kemi për detyrë, si Ministri, është të respektojmë ligjin. Në ligj theksohet ‘qytetarët’ askund nuk bëhet dallimi rezident ose jorezident. Edhe në data-bazën paraprake në bazë të të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2002 është përfshirë edhe qytetarët rezident dhe ata jorezident. Të njëjtën gjë e bëmë edhe tani. Por, qarqe të ndryshme maqedonase dëshirojnë të nxjerrin probleme nga kjo. Drejtori i Entit të Statistikave thirret në disa standarde të OKB-së ku i jepet prioritet popullatës rezidente, por nuk thirret në Kushtetutë. E, ne gjithsesi primare kemi respektimin e Kushtetutës së vendit para respektimit të standardeve të organizatave ndërkombëtare”, thotë Aliti.

Çka thotë ligji?

Ligji për të punësuarit në sektorin publik, i cili filloi të zbatohet në vitin 2015, parashikon një mekanizëm për shpërndarjen e punësimeve të reja me përfaqësim adekuat dhe të drejtë të përfaqësuesve të bashkësive të ndryshme etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Me përditësimin e fundit të të dhënave nga dikasteri i Shoqërisë Informative, shpërndarja e punësimeve të reja bëhet në mënyrë elektronike përmes mekanizmit të quajtur ‘balancues’.

Balancuesi si mekanizëm ka filluar të zbatohet në vitin 2016, metodologji kjo për planifikimin e punësimeve në sektorin publik. Në bazë të kësaj metodologjie, çdo institucion obligohet të hartojë planin vjetor të punësimit dhe të zbatojë procedurat e punësimit në përputhje me planin vjetor duke respektuar përfaqësimin e drejtë e adekuat të të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Versioni i fundit i balancuesit me përditësimin e të dhënave nga regjistrimi i fundit i popullsisë që u realizua në tetor të vitit të kaluar ka filluar të zbatohet nga gushti këtij viti.

Ndërkohë që ekspertët janë të ndarë nëse duhet të jetë përkatësia etnike apo përgatitja e tyre profesionale ajo që hap dyert për punëtorët e rinj të administratës.

Dragan Gocevski, ligjërues i së Drejtës Administrative në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfshirja e shqiptarëve në institucione në përputhje me rezultatet e regjistrimit, u tregua e pasuksesshme, për sa i përket funksionimit të administratës.

Gocevski konsideron se nëse duhet respektuar balancuesi, atëherë duhet të merret si bazë vetëm përqindja e popullsisë rezidente.

“Do të duhet të shfrytëzohen të dhënat nga regjistrimi i fundit dhe më e rëndësishmja të merret parasysh qëndrimi organeve përkatëse, në këtë rast Entit Shtetëror të Statistikave, institucion ky i cili ka bërë të ditur se duhet të merren parasysh vetëm të dhënat e popullsisë rezidente”, thotë Gocevski.

Me këtë qëndrim nuk pajtohet Isak Sherifi, profesor në Universitetin e Tetovës, ish i burgosur politik.

“Përderisa diaspora shqiptare është e pranishme në vendlindje përmes remitancave, dhe investimeve, në vendlindje duhet të shërbehet nga një administratë e cila është në përputhje me përqindjen e popullsisë së përgjithshme, përfshirë këtu dhe personat që jetojnë në diasporë” vlerëson Sherifi.

Në anën tjetër, Gocevski shton se balansuesi ka arritur që vetëm pjesërisht të prodhojë efektet e pritura, përkatësisht t’u hapë dyert bashkësive të ndryshme etnike në formë të barbartë në përputhje me të dhënat e regjistrimit të popullsisë.

“Balancuesi si mekanizëm u tregua i pasuksesshëm, pasi efektet e dëshiruara arritën të realizohen pjesërisht. Pse e them këtë? Gjatë punësimit askujt nuk mund t’i tregohet se si ndihet, cilës bashkësi etnike i takon. Përkatësisht, abuzohet me vendet e garantuara për bashkësitë e caktuara etnike, pasi gjithsesi thotë se ndihet se i përket përkatësisë së caktuar etnike në varësi se për kë është i garantuar ai vend pune”, thotë Gocevski.

Por, Sherifi vlerëson se shumë institucione edhe pas dy dekadave nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit e shmangin përfaqësimin e shqiptarëve në përputhje me përbërjen e përgjithshme të popullsisë.

“Pa mekanizmat që prodhoi Marrëveshja e Ohrit për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjitha etniteteve në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët në administratën e shtetit do të mbeteshin të përfaqësuar në mënyrë provizore”, thekson Sherifi.

Nga ana tjetër, Neda Malevska nga Qendra për Menaxhim me Ndryshime, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të hiqet plotësisht mekanizmi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në bazë të përkatësisë etnike në institucionet e shtetit, dhe në vend të kësaj të vendoset matës për efikasitetin e kryerjes së detyrave nga administratorët.

“Vlerësoj se qasja e ministrit Admirim Aliti, i cili në përditësimin e të dhënave ka përfshirë dhe popullsinë jorezidente, është joadekuate sepse ajo përqindje nuk jeton këtu dhe si e tillë nuk duhet të përfshihet si përqindje që duhet të jetë e përfaqësuar në institucione”, thotë Maleska.

Partia maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE, vlerëson se duhet të hiqet mekanizmi i balancuesit pasi ka ndikim negativ për sa i përket kualitetit dhe profesionalizmit të punonjësve në administratë.

Sipas të dhënave nga regjistri i të punësuarve në sektorin publik deri në dhjetor të vitit 2021, në gjithsej 1 mijë e 346 institucione të pushtetit qendror dhe atij lokal, ka të punësuar 132 mijë e 88 administratorë. Nga ky numër 82 mijë e 975 janë maqedonas, 22 mijë e 954 shqiptarë, 2 mijë e 203 turq, 1 mijë e 34 romë etj, që në esencë shqiptarët në institucionet e shtetit janë të përfaqësuar me rreth 20 për qind.

Nis gjyqi për zjarrin vdekjeprurës në spitalin e Tetovës

Një polic duke qëndruar para spitalit të djegur në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Shtator, 2021.

Isuf Kadriu

Një vit pas zjarrit vdekjeprurës në spitalin modular të Tetovës, nis gjykimi i tre personave të akuzuar për këtë ngjarje.

Ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, Boban Vecevski, dalin të martën para Gjykatës Themelore në Tetovë.

Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”.

Për këto vepra, sipas ligjeve në Maqedoninë e Veriut, personat e dyshuar, nëse shpallen fajtorë, mund të dënohen deri në 5 vjet burgim.

Zjarri në spitalin ku trajtoheshin pacientë me sëmundjen COVID-19, ka shkaktuar vdekjen e 14 personave.

 

Në mesin e viktimave ka pasur pacientë të infektuar dhe familjarë që kujdeseshin për ta.

Ngjarja ka ndodhur më 8 shtator të vitit 2021.

Sipas ekspertizave të bëra në Maqedoninë e Veriut dhe në Gjermani, zjarri është shkaktuar nga mbinxehja e një kablloje vazhduese, ku kanë qenë të lidhura disa pajisje elektronike, përfshirë defibrilatorin – mjet për trajtimin e pacientëve në rast të ndonjë sulmi kardiak.

Në Maqedoni të Veriut ka pasur disa protesta për këtë rast, ndërsa ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe ish-zëvendësministri Ilir Hasani kanë dhënë dorëheqje, edhe pse ato janë refuzuar nga kryeministri i asaj kohe, Zoran Zaev.

Dorëheqje kanë dhënë edhe tre të akuzuarit.

Maqedonia e Veriut ka 19 spitale modulare për pacientët me COVID-19 – dy prej të cilave janë donacion, ndërsa për ndërtimin e të tjerave janë shpenzuar 3.6 milionë euro.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 341.000 raste me COVID-19 dhe mbi 9.400 viktima.

Shkup, Ekspozitë me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Nënë Terezës

VOA/Isak Ramadani

Instituti për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut çeli një ekspozitë me fotografi për Nënën Terezë, me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së shenjtores me origjinë shqiptare nga Shkupi. Instituti do ta paraqesë ekspozitën me fotografi të njohësve dhe shoqëruesve të Nënës Terezë edhe nëpër kryeqendra të tjera.

Në 25 vjetorin e vdekjes së Nënës Terezë, Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve (ITKSH) në Maqedoninë e Veriut e shënoi këtë datë me një ekspozitë të fotografive me Nënën Terezë të bëra nga Dom Lush Gjergji dhe monsinjor Zef Gashi.

Ekspozita përkon edhe me datëlindjen dhe datën e kanonizimit të Nënës Terezë, teksa ekspozita një ditë më parë u shfaq edhe në Selanik të Greqisë.

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Skender Hasani tha se ekspozita e titulluar “E kam në zemër popullin tem shqiptar”, është një lajtmotiv që ngërthen në vetvete udhëtimin nëpër kohë të gjithë filozofisë jetësore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë:

“Nëse zbërthejmë thënien e njohur – Një fotografi vlen sa 1000 fjalë -, mund të them lirisht se edhe këto fotografi që sot i kemi para nesh shprehin në vetvete linjat karakterologjike të një personaliteti kompleks, siç ishte Nënë Tereza, me gjithë botën e saj të pasur shpirtërore që manifestoi me vepra konkrete dedikuar të sëmurëve dhe të braktisurve. Ne që qëndrojmë në kujtime për qytetin e saj të lindjes dhe në të gjitha qytetet ku emri dhe vepra e saj lartësohen, mundohemi të ruajmë disa nga thesaret e trashëgimisë së saj jetësore, duke nxjerrë mësime dhe guxime që Nënë Tereza na i la si testament të shtrenjtë”, tha z. Hasani.

Zëvendës-kryeministri Artan Grubi përkujtoi përpjekjet e disa viteve më parë për imponimin nga qarqe të ndryshme në Shkup për një identitet të tjetërsuar ndaj së shenjtës Nëna Terezë dhe lirinë e mundësinë e tanishme që datat lidhur me shenjtoren të shënohen në mënyrë institucionale. Ekspozita u mbajt në ambientet e Ministrisë për Sistem Politik, në krye të së cilës është zoti Grubi:

”Dhe kjo, unë vlerësoj se është e arritura më e madhe e gjithë asaj rezistence dhe gjithë atij besimi në vlerat hyjnore të Nënës Terezë dhe veprës së saj dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar politikat tjetërsuese monoetnike, monofetare, monokulturore. 25 vite bëhen pa prezencën fizike të Nënës Terezë, por 25 vite që ne me krenari e themi se është nga Shkupi, që është shqiptare, por që i takon gjithë botës” u shpreh Zëvendës-kryeministri Grubi.

“Nëna Terezë si dimension universal është shumë pak e njohur nga ne dhe këtu do të mundohemi të bëjmë një kombinim… atë që është pak e njohur për botën, siç është jeta, fëmijëria dhe rinia e Gonxhe Bojaxhiut ne t’ia prezentojmë botës, ndërkaq, atë që nuk e njohim boll ne si departament ta zbërthejmë e ta shkoqisim në forma të tilla siç është kjo ekspozitë”, tha Emin Azemi, studiues i ITKSH-së.

Partia BESA fiton zgjedhjet në Tetovë, BDI-ja e Ali Ahmetit pranon humbjen

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

RFE/RL

Lëvizja Besa ka fituar në zgjedhjen për asamblenë komunale në qytetin e Tetovës në Maqedoninë e Veriut, në zgjedhjet që janë mbajtur më 20 gusht.

Kjo parti që drejtohet nga kryetari i Tetovës, Bilall Kasami ka fituar ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, parti kjo që është pjesë e qeverisë së kryeministrit social demokrat, Dimitar Kovaçevski.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë, me popullatë dominuese shqiptare që ndodhet në pjesën perëndimore të vendit janë mbajtur për shkak të problemeve në funksionimin e saj për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe pamundësisë për të miratuar raportin përfundimtar vjetor të buxhetit, që sipas ligjit për vetëqeverisje lokale është i obligueshëm, në të kundërtën shpërndahet kuvendi komunal.

Këshilli komunal në Tetovë ka 31 këshilltarë dhe sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, lëvizja Besa fituar mbi 30 për qind të votave nga rreth 27 mijë qytetarë që kanë dalë në votime. Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 25 për qind të votave. Në vend të tretë është radhitur VMRO DPMNE-ja, pastaj LSDM-ja, Partia Demokratike Shqiptare, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarë.

“Tetovarët pa dallim të përkatësinë etnike, poetike apo fetare të dielën votuan për vazhdimin e ndryshimit në Tetovë, për zhvillimin e qytetit, ku rinia do të ketë të ardhme dhe perspektivë”, ka deklaruar Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes BESA.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka pranuar disfatën e partisë së tij në këto zgjedhje, duke theksuar se për të më me rëndësi se fitorja është demokratizimi dhe sundimi i ligjit në Maqedoninë e Veriut.

“Për ne me rëndësi janë proceset, më me rëndësi është që të vazhdojmë të investojnë në standardet demokratike, në sundimin e ligjit dhe shtetit juridik”, ka deklaruar Ahmeti.

VMRO DPMNE-ja ka shpallur fitoren ndaj LSDM-së në Tetovë me rezultatin 3 me 1 dhe ka kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare meqë sipas deputetit të kësaj partie Vllatko Gjorçev “në Tetovë është deligjitimuar pushteti LSDM-BDI”.

Përveç në Tetovë, të dielën zgjedhje janë mbajtur edhe në dy komuna të vogla, Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë ku nuk ka pasur kryetar të komunave për shkak të mos arritjes së pragun për daljen ë votime në zgjedhjet e vitit 2021. Këto dy komuna janë fituar nga Lidhja Social Demokrate.

Zgjedhjet e së dielës, në veçanti ato në Tetovë si një nga komunat më të mëdha të Maqedonisë së Veriut shihen si test për partitë në pushtet dhe pas fitores së lëvizjes BESA tek elektorati shqiptar dhe VMRO DPMNE-së tek ai maqedonas, pritet të rritet kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Pritje disaorëshe në kufirin serbo-maqedon, me gjithë marrëveshjet e Ballkanit të Hapur

Pritjet në pikën e kalimit kufitar në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Zërijeta Hajro Jajaga

Pritje me orë të tëra për të hyrë nga Serbia në Maqedoninë e Veriut, përmes pikës kufitare Tabanoc.

“…kur arrin, të them te pragu i shtëpisë, nuk është e drejtë të pritet kaq gjatë për kot, sepse në sytë e mi kjo pritje prej orësh është e kotë”, thotë Azir Hani, i cili bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët tregon se ka udhëtuar nga Zvicra, për t’i kaluar pushimet në Maqedoni të Veriut.

“Gjithë Evropën e kalova dhe ja, tani këtu po qëndrojmë me orë. Kjo nuk ka kuptim”, thotë një tjetër mërgimtar, i cili u identifikua vetëm si Jane.

“Në kufijtë e tjerë rastis që të kesh një ose, e shumta, tri vetura para teje, kurse këtu shihni se sa e gjatë është kolona”, thotë ai.

Pritjet në territorin e Serbisë në pikën e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut, në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Pritjet në territorin e Serbisë në pikën e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut, në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Shqipe Ameti, nga Presheva – komunë në jug të Serbisë – thotë se i ndodh që brenda javës të vizitojë dy herë familjarët që i jetojnë në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.

“Nga Presheva deri në Kumanovë rruga është një orë, kurse tri orë i humb në kufi”, thotë Shqipja, sipas së cilës, këto pritje në temperatura mbi 35 gradë celsius ndodhin “pa nevojë”.

Pritjet në pikën e kalimit kufitar në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Pritjet në pikën e kalimit kufitar në Tabanoc më 26 korrik 2022.

Megjithatë, sipas autoriteteve maqedonase, pritjet janë pasojë e fluksit më të madh të qytetarëve që kalojnë kufirin gjatë muajve të verës.

Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë së Veriut tha në njoftimin e së mërkurës se pritja në vendkalimin e Tabanocit zgjat rreth një orë.

Aktualisht, në këtë pikë funksionojnë pesë korsi për makina, dy për kamionë dhe një për autobusë.

Nga fillimi i korrikut ka qenë e paraparë që kontrollet e udhëtarëve dhe makinave të bëheshin vetëm në njërën pikë – domethënë, ata që hyjnë nga Serbia në Maqedoninë e Veriut të kontrollohen vetëm në pikën doganore të Maqedonisë së Veriut.

Por, marrë parasysh se sistemi i integruar i kalimit kufitar nuk është ende në funksion, pasagjerët i nënshtrohen kontrollit të pasaportave në pikat e kontrollit edhe të Serbisë, edhe të Maqedonisë së Veriut.

Hapja e sistemit “One Stop” apo “Një ndalesë” në Tabanoc është promovuar qysh në vitin 2019 nga kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Atëbotë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut tha se kishte ndarë 2.8 milionë euro nga arka e shtetit për realizimin e këtij projekti.

Megjithatë, gjendja në terren duket ndryshe.

Kolona në pritje e automjeteve transportuese në pikën e kalimit kufitar Tabanoc më 26 korrik 2022.

Kolona në pritje e automjeteve transportuese në pikën e kalimit kufitar Tabanoc më 26 korrik 2022.

“Kamionin e kam të ngarkuar me kumbulla… Më thoni ju tani, në këto temperatura që janë mbi 35 gradë, nëse është në rregull që të pres… Malli sa s’është prishur nga i nxehti”, thotë për Radion Evropa e Lirë Goran Tanev, transportues, duke treguar se është lënë të presë për më shumë se dy orë.

Maqedonia e Veriut, bashkë me Shqipërinë dhe Serbinë – si vende të nismës së njohur si Ballkani i Hapur – kanë rënë dakord, madje, edhe për një korsi të veçantë në Tabanoc për qytetarët e këtyre tri vendeve.

Ndonëse nga zyrtarët është thënë se ajo do të përshpejtojë qarkullimin e udhëtarëve dhe të mallrave, një shofer kamioni shprehet pesimist:

“Çfarë Ballkani i Hapur, asgjë nuk funksionon në praktikë. Radhët mbeten të gjata”, thotë Time Iliev.

Drejtoresha e Drejtorisë së Doganave në Maqedoninë e Veriut, Sllavica Kutirov, thotë se po punohet në drejtim të hapjes së një korsie të veçantë për vendet anëtare të Ballkanit të Hapur, por nuk saktëson se kur do të mund të vihet në funksion.

Në anën tjetër, Bilana Muratoska, nga Asociacioni i Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, Makam-Trans, thotë se nuk pret që transportuesit të kenë ndonjë përfitim të dukshëm nga marrëveshjet që bëjnë udhëheqësit e Ballkanit të Hapur sa i përket lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave.

“Në Tabanoc kemi dyfishim të detyrave, inspektimi bëhet nga njëra palë, ashtu siç bëhet edhe nga pala tjetër – pra ajo maqedonase dhe ajo serbe dhe anasjelltas, pavarësisht se tani janë në një pikë të përbashkët kufitare”, thotë Muratovska për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, gjendjen e përmirëson vetëm kontrolli përmes një sistemi të unifikuar të të dhënave – e, nëse ndonjëherë do të arrihet deri këtu, mbetet të shihet.

Familja nga Kosova me kallëzim penal kundër spitalit “Zhan Mitrev”

Sanija me djalin e saj, Edonin – Fotografi nga arkivi i Sanijas.

Zërijeta Hajro Jajaga

“Djalin e dërgova në spitalin ‘Zhan Mitrev’, në tetor të vitit të kaluar, në këmbë të veta. Aspak në gjendje kritike. Dhe u desh ta marr në arkivol”.

Kështu nis rrëfimin për Radion Evropa e Lirë Sanija Gjakova, një grua nga Prishtina, e cila është në mesin e së paku tetë familjeve të tjera që kanë ngritur kallëzime penale kundër spitalit privat të kardiokirurgjisë, “Zhan Mitrev”, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pas vdekjes së të afërmve të tyre.

Djali i Sanijas, Edoni, 43 vjeç, ka vdekur në dhjetor të vitit të kaluar, pas, siç thotë e ëma, një trajtimi prej rreth dy muajsh në “Zhan Mitrev”.

Ky spital ka përbërë tituj lajmesh këtë javë, pasi Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka nisur hetime kundër tij, nën dyshimet për trajtimin joadekuat të dhjetëra pacientëve që kanë vdekur, përfshirë disa të sëmurë me sëmundjen COVID-19.

Hetimet kanë nisur pasi rrjeti i gazetarisë hulumtuese, IRL, ka transmetuar më 18 korrik një emision me titull “Gjaku i papastër”.

Sipas këtij hulumtimi, dyshohet se pacientët që kanë pësuar, i janë nënshtruar filtrimit të gjakut, si pjesë e një eksperimenti.

Ky trajtim, sipas IRL-së, ka infektuar dhjetëra pacientë “me baktere vdekjeprurëse”, ndërsa spitali e ka aplikuar pa leje nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore.

“Rastet që i kemi punuar, bazohen në 24 tragjedi familjare”, ka thënë gazetarja Sashka Cvetkovska, pjesë e grupit hulumtues.

Rastet që i kemi punuar, bazohen në 24 tragjedi familjare”

Sashka Cvetkovska

Në reagimin e parë, spitali i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se ato janë “të fabrikuara” për të krijuar “një imazh të rremë”.

Nga IRL-ja kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se rasti i Edon Gjakovës nga Kosova është përfshirë në raportin e tyre hulumtues “Gjaku i papastër”.

Edoni është infektuar me baktere, thotë e ëma

Nëna e Edonit, Sanija, thotë se djali i saj ka bërë kontrolle të rregullta vjetore në spitalin “Zhan Mitrev”, pasi, 13 vjet më herët, kishte pësuar arrest kardiak.

Në tetor të vitit të kaluar, kujton ajo, Edoni ka kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin në Shkup, për shkak të disa shqetësimeve në bark.

Kanë kaluar disa ditë derisa u është nënshtruar kontrolleve dhe trajtimeve të ndryshme, të cilat, siç thotë ajo, i ka vetëfinancuar me mijëra euro.

“Pas laparoskopisë, Edonit ka filluar t’i përkeqësohet gjendja. Unë e pyeta doktoreshën se përse kollitet… Më tha se qëndron i shtrirë…”, thotë Sanija.

Këtë kontroll mjekësor, Edoni e ka kryer në mes të nëntorit, sipas nënës së tij. Mjekët, tregon ajo, i kanë thënë se dyshojnë se pacienti ka “ndezje të zorrës së trashë”.

Gjendja e tij ka vazhduar të rëndohet dhe, më 13 dhjetor, pas konfirmimit të marrë nga familja, mjekët në “Zhan Mitrev” kanë vendosur ta trajtojnë Edonin me filtrim gjaku – pas të cilit trajtim Edoni ka vdekur.

Nëna e tij dyshon se ai është infektuar me baktere vdekjeprurëse, që, siç thotë, ka dëgjuar se kanë qarkulluar në spital në atë kohë.

Ajo thotë se dyshimet i janë rritur edhe më shumë kur në fletëlëshimin e spitalit, pas vdekjes së Edonit, ka parë të ketë shkruar se ky institucion “e ka trajtuar mirë të ndjerin dhe familja e tij nuk do ta padisë për asgjë”.

Pas këmbënguljes së familjes, thotë Sanija, spitali e ka hequr këtë fjali nga raporti.

Në prill të këtij viti, familja Gjakova, përmes avokatit nga Shkupi, Asmir Alispahiq, ka ngritur kallëzim penal kundër punonjësve të spitalit “Zhan Mitrev” për trajtim joadekuat të Edonit.

Në bazë të asaj që ne posedojmë si dëshmi, kemi indikacione se bëhet fjalë për përdorimin e instrumenteve të papastra mjekësore”

Asmir Alispahiq

“Në bazë të asaj që ne posedojmë si dëshmi, kemi indikacione se bëhet fjalë për përdorimin e instrumenteve të papastra mjekësore [gjatë trajtimit të Edonit]”, thotë për Radion Evropa e Lirë avokati Alispahiq, pa ofruar shumë detaje.

“Autoritetet e spitalit e kanë hartuar dokumentacionin mjekësor në atë mënyrë që palët e dëmtuara të mos kenë mundësi të informohen për arsyen që ka çuar te vdekja e pacientit”, thotë Alispahiq dhe shton se për këtë rast, ka informuar edhe rrjetin hulumtues, IRL.

Pas transmetimit të hulumtimit të këtij rrjeti, kanë dalë edhe qytetarë të tjerë të Maqedonisë së Veriut që kanë paralajmëruar hapa ligjorë kundër spitalit “Zhan Mitrev”.

“Mjekët më jepnin informacione kundërthënëse”

Një ndër ta është Valentin Allçev, 43 vjeç, nga qyteti i Velesit, nëna e të cilit, 72 vjeçe, ka vdekur në spitalin “Zhan Mitrev”, në janar të këtij viti.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se gjatë qëndrimit disaditor të nënës së tij në spital, është përballur me informacione kundërthënëse nga vetë mjekët.

“Mjekët në telefon më thoshin një gjë dhe, kur shkoja në vizitë, më thoshin diçka tjetër”.

“Ua kërkova rezultatet e gjakut, por nuk m’i dhanë. Një mjek më tha se nënës i është rritur njësia e leukociteve… Mjekja tjetër më tha se nëna ka bakter në gjak”.

Kam pyetur se si e ka marrë atë bakter në kushte spitalore… Më kanë thanë se ka mundësi përmes vendosjes së gypit të intubimit”

Valentin Allçev

“Kam pyetur se si e ka marrë atë bakter në kushte spitalore… Më kanë thënë se ka mundësi përmes vendosjes së gypit të intubimit”, thotë Valentini.

I dyshimtë, sipas tij, është fakti se në fletëlëshimin që i ka dhënë spitali, pas vdekjes së nënës, nuk përmendet askund se pacientja ka pasur bakter.

“Fletëlëshimin e kam marrë pas tri javësh, nuk thuhet gjëkundi se ka pasur bakter, por vetëm se është trajtuar për COVID-19”, thotë Valentini.

Çfarë thonë nga “Zhan Mitrev”?

Nga spitali “Zhan Mitrev” thonë për Radio Evropa e Lirë se të gjithë pacientët marrin fletëlëshime të plota, ku janë të shënuara të gjitha trajtimet, medikamentet dhe procedurat e trajtimit, por nuk komentojnë raste individuale.

Ata shtojnë se bashkëpunojnë me institucionet dhe se do të ofrojnë gjithçka që kërkohet prej tyre.

Institucionet kërkojnë më shumë kohë për hetime

Përgjegjësia mjekësore apo institucionale në rastin e spitalit “Zhan Mitrev”, aktualisht, nuk është përcaktuar.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, kërkoi më shumë kohë për hetimin e rastit dhe marrjen e informacioneve konkrete.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, gjatë konferencës me gazetarë.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, gjatë konferencës me gazetarë.

Në një konferencë për media, të mbajtur të mërkurën në Shkup, Sali nuk dha përgjigje konkrete mbi pretendimet për eksperiment, e as për përdorimin e metodës së filtrimit të gjakut, e cila aplikohet te pacientët me sëmundje të rënda dhe lejohet te pacientët me COVID-19.

Ai tha se gjatë pandemisë COVID-19, asnjë sistem shëndetësor nuk ka përdorur trajtime të bazuara në fakte. Sipas tij, “trajtimet janë bazuar vetëm në rekomandime”.

Nga inspektimi i Agjencisë për Barna dhe Pajisje Mjekësore të Maqedonisë së Veriut, e cila duhet të konstatojë nëse është ndjekur procedura e testimeve klinike të pastrimit të gjakut ose jo, nuk ka ende rezultate.

“Është logjike që të jepet pak kohë për të përcaktuar gjithçka sipas protokolleve, rregulloreve dhe ligjeve”, tha Lirim Shabani, drejtor i kësaj agjencie.

Gazetarja e IRL-së, Sashka Cvetkovska, që ka hulumtuar rastin, thotë se shpreson, ashtu si edhe gjithë publiku, që institucionet ta zgjidhin atë.

“Do të isha shumë e zhgënjyer nëse kjo nuk ndodh”, thotë Cvetkovska për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë treguan inspektimet e mëparshme?

Në tre vjetët e fundit, Inspektorati Sanitar Shtetëror i Maqedonisë së Veriut ka kryer 45 inspektime të rregullta dhe 52 inspektime të jashtëzakonshme në 12 institucione shëndetësore private.

Detajet i bëri të ditura drejtoresha Irinka Sotirovska Buhova, e cila tha se në “Zhan Mitrev” janë kryer tri kontrolle të rregullta dhe nëntë të jashtëzakonshme – pesë prej të cilave për raportim të trajtimit jashtë protokollit. Por, sipas saj, pas inspektimit, këto mangësi janë sanuar.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton propozimin francez

Isuf Kadriu

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të shtunën ka miratuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian.

Propozimi u miratua me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Deputetët e opozitë nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Kuvendi obligon Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet mes tjerash në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.

Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tre ditë është debatuar për këtë propozim.

Debati u përcoll me kundërshtime e madje edhe me tentime për përplasje fizike.

Gjatë gjithë debatit, deputetët e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.

Çka përmban propozimi francez?

Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.

Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.

Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se BE-ja do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

Në pikën e katërt të propozimit francez, krahas detyrimit për realizimin e reformave, theksohet se, “Këshilli në këtë drejtim mirëpret synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.

Përmes propozimit francez synohet tejkalimi i dallimeve që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë dhe zhbllokimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane.

Propozimi francez parasheh kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin para deputetëve, që u përcoll me fishkëllima nga opozita, tha se Qeveria është e vendosur “të qëndrojë në rrugën e mbrojtjes së gjuhës maqedonase, identitetit, veçorive historike dhe kulturore të popullit maqedonas përmes barazisë së tij me kombet evropiane”.

Por deputetët e VMRO-DPMNE-së vazhduan me akuzat ndaj Qeverisë për “tradhti kombëtare” pasi, sipas tyre, “propozimi francez rrënon gjuhën dhe identitetin kombëtare maqedonas”.

Deputetët e opozitës nuk janë bindur as nga deklarata e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila të enjten në fjalimin para deputetëve tha se propozimi garanton gjuhën maqedonase dhe se askush nuk duhet të jetë i shqetësuar për identitetin e tij.

Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për më shumë se dy vjet.

Kushtet e Bullgarisë- Pse po sulmohen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Në Shkup ende vazhdojnë protestat kundër “sakrificave” që u kërkohen maqedonasve në këmbim të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Organizatorë janë opozitarët e VMRO-DPMNE dhe grupime proruse, kryesisht nacionalistë që përdorin retorikën e rrezikut nga bullgarizimi i vendit. “I bëjmë thirrje çdo familjeje të shpalosë flamurin maqedonas në ballkonin apo dritaren e tyre” kërkuan organizatorët e protestës së radhës, me moton “Ulitmatum, JO faleminderit!”

 

Çfarë kërkojnë protestuesit

Opozita kërkon të refuzohet “propozimi francez”, që bëri të mundur heqjen e vetos së Bullgarisë për negociatat. Bullgaria dëshiron që Maqedonia e Veriut të njohë zyrtarisht se gjuha e saj ka rrënjë bullgare, të njohë pakicën bullgare në vend dhe të heqë “gjuhën e urrejtjes” kundër Bullgarisë.
Dokumenti i njohur si “Propozimi francez” premton se Maqedonia e Veriut do t’i përfshijë pakicat bullgare në Kushtetutën e saj. Opozita kundërshton.

“VMRO DPMNE nuk do të mbështesë asnjë ndryshim të Kushtetues për këtë të jeni të sigurtë dhe edhe qytetarët të jenë të sigurtë se çfarëdo që të ndodh me këtë tradhëti kombëtare që e përgatit qeveria LSDM-BDI, VMRO-DPMNE nuk do ta pranojë asesi. Për këtë janë të nevojshme 81 deputetë”, tha Micksoki.

Protestat dhe shqiptarët

Kulmi i tensioneve ishte të mërkurën,. Gati 50 policë u plagosën nga bombat molotov, fishekzjarret dhe goditjet me gurë. Të maskuar me kapuçë, protestuesit sulmuan policët, hodhën lëndë djegëse dhe tentuan të hyjnë me forcë në Kuvend në një përpjekje të ngjashme me 27 prillin e vitit 2017.
Por mes dhunës dhe kaosit të protestës në Shkup, mori vëmëndje të madhe një incident në rrugët e Shkupit. Shqiptari, i quajtur Isuf Koka doli me pistoletë në dorë dhe iu drejtua turmës së maqedonasve duke qëlluar në ajër.

Protestuesit u larguan të trembur, ndërsa Isuf Koka u arrestua megjithëse armën e mbante me leje.
Akti u krye në një moment tensioni. Pas shqiptarit me pistoletë në dorë duket statuja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Lëvizja e turmës së maqedonasve në atë kah ishte e qëllimshme. Aty pranë qenë bizneset e shqiptarëve, që ishin të detyruar t’i dalin për zot pronës së tyre, përballë një turme nacionalistësh të dalë nga kontrolli. Por përse sulmohen shqiptarët, për kushtet që u vendos Bullgaria?

Shakaja e pamenduar e Edi Ramës

Shkëndia që u shfrytëzua për të ndezur flakën e urrejtjes kundër shqiptarëve, qe një shaka e kryeministrit të Shqipërisë. Kur Edi Rama prezantoi kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitri Kovaçevski para kancelarit gjerman, Sholc ai nuk i rezistoi dot batutës dhe u shpreh: Në të ardhmen Bullgaria Perëndimore.

Kovaçevksi qeshi.

Disa ditë më pas, rrugët e Shkupit u mbushën plot. Atë që Rama e tha me shaka, opozita maqedonase e përdor si retorikë frike për të nxitur njerëzit të dalin në rrugë. “Dje kur u prezantua si kryeministër i Bullgarisë së ardhshme perëndimore, Kovaçevski po të kishte një gram dinjitet do të reagonte në mbrojtje të vendit të tij” u shpreh kreu i VMRO-DPMNE.

Qëndrimi i partive shqiptare për propozimin francez

Politikisht, partitë shqiptare e kanë përshëndetur propozimin francez, pasi nuk kanë asnjë ndjesi në lidhje me identitetin maqedonas, për të cilin kundërshton opozita.

Ali Ahmeti i BDI-së pas takimit me Kovaçevskin thase tha se vendi duhet ta pranojë propozimin dhe me të të vuloset ardhmëria evropiane.

“Për të mirën e të gjithëve, për ardhmërinë e sigurtë dhe progresive le ta shfrytëzojmë këtë mundësi historike dhe të vulosim njëherë e përgjithmonë fatin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian” tha Ahmeti.

Edhe Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët e pranoi propozimin francez, megjithëse në opozitë.

“ASh është në anën e vazhdimit të rrugëtimit evropian, jemi në anën e mos krijimit të alternativave të tjera çfarëdo qofshin, qofshin të quajtura Ballkani i Hapur. Alternativa e vetme e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit duhet të jetë Bashkimi Evropian dhe asgjë tjetër hiç” u shpreh Ziadin Sela, kryetar i ASh-së.

Me gjasë, propozimi francez diskutohet të hënën në parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Forcat që e kundërshtojnë kanë mbetur pakicë dhe në qendër të sulmeve të tyre janë shqiptarët.

Pas zmbrapsjes spektakolare që u bëri turmës së ekstremistëve maqedonas, Isuf Koka u arrestua nga policia. Vëllai i tij që ishte punonjës i Bashkisë së Shkupit u largua nga puna. Kreu i VMRO-DPMNE, Kristian Mickovski tha se shqiptari i armatosur ishte nisur për ta vrarë, por pas daljes së pamjeve në rrjetet sociale u duk se e gjitha ishte një gënjeshtër. Filmimet tregonin se drejt hotelit të Isuf Kokës në hyrje të Çarshisë ishte nisur një turmë që qëllonte me gurë. Pas tij dukej busti i Skënderbeut.

“Unë nuk jam për dhunë, nuk jam për armë, jam për mënyrë të qetë për protestat, por kur ka parë se i rrezikohej jeta dhe pronat, ai është çuar. Nuk e arsyetoj përdorimin e armëve, por s’ka pas ku me shku. Te ne është problem, se në vend të arrestohet sulmuesit, arrestohet mbrojtësi. Nuk reagoi polici, çfarë duhet të bëjmë? T’i lëmë të hyjnë?” tha babai i Isuf Kokës, duke shpjeguar se shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me problemet mes bullgarëve dhe maqedonasve, por kjo nuk është hera e parë që janë dëmtuar nga protestat e ekstremistëve antishqiptarë.

SHBA i bën thirrje Shkupit të miratojë propozimin francez

RFE/RL

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Marie Byrnes, përmes një letre të hapur drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, i ka bërë thirrje Maqedonisë së Veriut që të pranojë propozimin e Francës për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, gjë që do t’i hapte derë integrimit evropian.

Në letrën e hapur, ambasadorja Byrnes ka thënë se “populli dhe institucionet e këtij vendi (Maqedonisë së Veriut) kanë mbështetjen e fuqishme të SHBA-së në rrugëtimin drejtë BE-së, për marrjen e një vendimi, i cili sado që mund të jetë i rëndë, është i rëndësishëm për të ardhmen e vendit”.

“Anëtarësimi në BE do ta bëjë vendin tuaj më të fortë. Anëtarësimi në një organizatë ndërkombëtare, aq më pak pjesëmarrja në ato procese, është punë e vështirë dhe vjen me vendime të vështira… Por, pranimi i këtij propozimi do të thotë që më në fund do të keni një vend në tryezën e negociatave të anëtarësimit. I vendos vendet anëtare të BE-së, shumë prej të cilave janë partnere dhe aleate tuaj të ngushta, në një dhomë me ju… Pasi të filloni negociatat, do të keni më shumë mjete dhe falë metodologjisë së re, qasje më të hershme në fondet dhe programet e BE-së – të cilat mund t’i përdorni për të realizuar qëllimet tuaja dhe për të ndërtuar të ardhmen që dëshironi për veten dhe fëmijët tuaj”, ka shkruar ambasadorja amerikane.

Sipas saj, propozimi i ri francez nuk cenon gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe se përmbajtja e tij më shumë është teknike.

“Ai (propozimi) njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe i mbron ato nga sfidat e mëtejshme. Megjithëse mund të mos jetë i përsosur, propozimi bën atë që është e domosdoshme: mbron interesat tuaja thelbësore dhe nis negociatat dhe procesin dinamik të shqyrtimit. Në këndvështrimin tonë pragmatik, ai përfaqëson realisht mundësinë më të mirë për ta çuar, më në fund, vendin tuaj përpara në rrugën e tij drejt BE-së, duke forcuar kontrollin mbi të ardhmen tuaj”, vlerëson Byrnes

Ajo shton se “zgjedhja për të ecur përpara është vendimi juaj si një komb sovran – dhe ne e dimë se është një zgjedhje e vështirë”

“Në tryezën e bisedimeve, nëse mendoni se shqetësimet tuaja nuk po trajtohen, mund të bëni zgjedhje të tjera. Ju duhet të bëni hapin e parë për të arritur në të dytin”, thotë ambasadorja amerikane, Kate Marie Byrnes, në letrën e hapur drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Të mërkurën edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përmes një letre i është drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarisë, i cili sipas Macronit, i hap rrugën integrimit evropian.

“Një mundësi historike po hapet, zgjedhja është e juaja”, u tha qytetarëve maqedonas presidenti francez Macron, në letrën e publikuar të enjten nga ambasada franceze në Shkup.

Macron nuk pretendon se propozimi francez është i përsosur, por thotë se e fut vendin në Bashkimin Evropian.

Në propozimin francez gjuha maqedonase definohet si e tillë, pra gjuhë maqedonase pa sqarime plotësuese apo fusnotë, ndërkohë që apostrofohet se Bashkimi Evropian do t’i notojë deklaratat e dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në raport me gjuhën.

Poashtu në këtë propozim thuhet që Maqedonia e Veriut duhet të “nisë dhe të arrijë si çështje me prioritet ndryshimet kushtetuese, me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët”.

Propozimi francez është mbështetur nga Bullgaria, e cila edhe vendosi të heq veton ndaj Shkupit për nisjen e bisedimeve me BE-në, të cilën e kishte vendosur në nëntor të vitit 2020.

Partitë qeverisëse në Shkup mbështetin propozimin francez, por ai kundërshtohet nga opozita maqedonase e cila për çdo ditë po organizon protesta, të cilat u përshkallëzuan edhe në dhunë nëpër rrugët e Shkupit.

 

Protestuesit maqedonas i sulmuan biznesin, shqiptari nuk duron dhe shkreh armën

Protesta e opozitës maqedonase kundër propozimit francez, u shoqërua me incidente në Shkup.

Mbështetësit e VMRO-DPMNE sulmuan edhe bizneset, mes tyre edhe të shqiptarëve.

Pronari i hotel De Koka, Isuf Koka u arrestua nga policia maqedonase pasi gjuajti dy-tre plumba në ajër, kur hoteli i tij dhe dy dyqanet në sheshin Skenderbeu u sulmuan nga protestuesit maqedonas.

Dhjetëra huliganë maqedonas filluan të gjuanin gur në drejtim të dyqaneve te parkingu i Skenderbeut, ndërsa u dëmtuan edhe disa vetura të parkuara. Pasi policia po reagonte me vonesë dhe turma tentoi të futet në Çarshi, pronari i hotel De Koka dhe dy dyqaneve tjera, Isufi nxori pistoletën me leje dhe gjuajti dy-tre plumba në ajër.

Protestuesit u larguan, ndërsa pas disa minutave, ai u arrestua.

Në ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, është munduar që nëpërmjet këtij incidenti, ta kthejë vëmendjen nga ai.

Në profilin e tij në Facebook, Mickoski shkruan se “ky është personi që sonte deshi të më vrasë”.

Megjithëse e vërteta është krejtësisht tjetër – në kohën kur Mickoski dhe turma e madhe kaloi urën dhe arritën gati te Ministria e Punëve të Jashtme, dhjetëra huliganë provokuan situatën në Çarshi dhe Isufi gjuajti në mbrojtje të pronës private./ Koha.net

Protestuesit në Shkup thyejnë xhamat e MPJ-së dhe sulmojnë policinë

Protesta para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku protestuesit gjuajnë me mjete të forta drejt policisë. Shkup, 5 korrik 2022.

Zërijeta Hajro Jajaga

Në ditën e katërt të protestave me moton “Ultimatum? Jo, faleminderit”, kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes, protestuesit maqedonas kanë thyer xhamat e Ministrisë së Jashtme dhe kanë sulmuar policinë.

Si rrjedhojë, dy protestues janë arrestuar, ndërsa ende nuk dihet nëse ka policë të lënduar. Gjatë protestave të ditës së hënës, katër policë ishin lënduar.

Protesta, e cila ka filluar para objektit të qeverisë, ka vazhduar më pas tek MPJ, ku protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike dhe gjësende të forta, duke thyer xhamat e përparmë të ministrisë.

Protesta kundër pranimit të propozimit francez për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave me BE-në. Foto gjatë arrestimit të një protestuesi. Shkup, 5 korrik 2022

Protesta kundër pranimit të propozimit francez për heqjen e vetos bullgare dhe fillimin e negociatave me BE-në. Foto gjatë arrestimit të një protestuesi. Shkup, 5 korrik 2022

Protestuesit i kanë bërë thirrje ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit, që “ta mësoj historinë maqedonase”.

Në pankartat e protestuesve emri i Bujar Osmanit, ishte deformuar në Bugar Osmani.

Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen Kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit.

Protestuesit mbajnë në duar pankartë ku emri i ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani është deformuar në Bugar Osmani. Shkup, 5 korrik 2022.

Protestuesit mbajnë në duar pankartë ku emri i ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani është deformuar në Bugar Osmani. Shkup, 5 korrik 2022.

Protestuesit në fund kanë ndaluar para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në protestën që vazhdoi deri rreth orës 22:00 të 5 korrikut.

Një grup i maskuar i protestuesve kanë thyer kordonin e policisë dhe në drejtim të tyre kanë hedhur gjësende të forta, lëndë piroteknike, letër tualeti dhe vezë.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë, ishte dëshmitar i arrestimit të dy protestuesve, të cilët kishin sulmuar policinë.

Policia ka arritur që t’i shpërndajë protestuesit para Kuvendit, duke vendosur situatën nën kontroll.

Këto protesta janë kundër propozimit francez përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes zyrtare rreth të kaluarës dhe çështjes së identitetit maqedonas.

Protestuesit hedhin thyejnë xhamat dhe hedhin mjete të forta në drejtim të ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shkup, 4 korrik 2022.

Protestuesit hedhin thyejnë xhamat dhe hedhin mjete të forta në drejtim të ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Shkup, 4 korrik 2022.

Protestuesit po kërkojnë që autoritet e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, të refuzojnë propozimin e Bashkimit Evropian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim.

Sipas tyre, francez bën “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk e njeh gjuhën e as historinë maqedonase.

Gjatë protestës s, policia maqedonase tha se janë lënduar katër policë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka bërë thirrje për protesta të qeta dhe demokratike duke nënvizuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe këtë të drejtë askush nuk guxon tua mohojë.

“Dhuna ndaj atyre që kujdesen për rendin – policisë maqedonase , ndaj institucioneve nuk do të sjell asgjë. Dje kishim tentim për eskalim të situatës, kemi 4 polic të lënduar”, ka thënë ai.

Gjatë protestës së një ditë më parë, një grup i qytetarëve të udhëhequr nga lideri i partisë ‘E Majta’, Dimitar Aapsiev, i cili njihet për qëndrimet e tij nacionaliste, theu rrethojën e vendosura para Qeverisë dhe në drejtim të Policisë dhe ndërtesës qeveritare hodhën letra tualeti, shishe plastike, topa uji, mjete piroteknike dhe vezë.

Kovaçevski: E pa tolerueshme të protestohet me maska

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski gjatë ditës ka thënë se protestat e dhunshme nuk i kanë hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që pretendon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Po, protestojnë njerëz që mbajnë maska , të cilët godasin policinë. Po, kemi polic të lënduar. çdo kush mund të protestoj për çdo çështje. Por qëllimi që të shkohet në protesta me maska është I pa tolerueshme për një shtet që kaloi 27 prillin. Kjo nuk guxon të na ndodhë. Mbrëmë e patë se policia u tërhoq. Këtu bisedohet për propozim të ofruar nga Bashkimi Evropian” ka deklaruar kryeministri I Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, rrethuar nga forca policore gjatë protestave që po mbahen në Shkup kundër propozimit francez

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, rrethuar nga forca policore gjatë protestave që po mbahen në Shkup kundër propozimit francez

Ndryshe, përmes propozimi francez i cili arriti në Maqedoninë e Veriut më 30 qershor synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike me këtë dhe zhbllokimin e procesit integrues.

Bullgaria tashmë dy vjet, përmes vetos, e ka bllokuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, me këtë edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë drejt rrugëtimit në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

Bujar Osmani: Propozimi i ri francez e njeh maqedonishten si gjuhë zyrtare në BE

Isuf Kadriu

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani deklaroi të shtunën se propozimi i modifikuar francez për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes, e mbyll çështjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase, të cilat, sipas tij pranohen si të tilla nga Bashkimi Evropian.

“Bullgaria mund të mbajë qëndrimin e saj për gjuhën maqedonase, por kjo nuk do të jetë e pranueshme për BE-në në kuadër të negociatave. Propagandistët thonë se kjo është një qorrsokak, ne do të bullgarizohemi, por ne jemi këtu për të çmontuar narrativë të tillë ”, ka deklaruar Osmani duke sqaruar propozimin francez për të cilin në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen konsultimet me të gjithë faktorët në vend.

Osmni ka thënë se propozimi mund të kaloj vetëm me vendim të qeverisë pa pasur nevojë për votim nga Parlamenti, siç kishte deklaruar më parë kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Për kreun e diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani, “dallimi më i madh” ndërmjet propozimit të ri dhe atij të vjetër francez është se “gjuha maqedonase mbetet e mbrojtur në BE dhe propozimet e deritanishme si “gjuha e Maqedonisë së Veriut”, “gjuha sipas Kushtetutës” dhe fusnota me një yll se “gjuha maqedonase për Bullgarinë është e papranueshme, janë refuzuar”.

Ai tha se maqedonishtja njihet nga BE-ja dhe me procesin e anëtarësimit, do të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së”.

Bullgaria në vazhdimësi ka insistuar se gjuha maqedonase është një dialekt i gjuhës bullgare, sikur edhe identiteti i saj, që sipas Sofjes ka “rrënjë bullgare”.

Kjo ka bërë që Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 të përdorte veton për bllokimin e nisjes së bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.

Bullgaria me propozimin e parë të Francës ka insistuar edhe në përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut para se të nisin bisedimet e anëtarësimit, por me modifikimin e propozimit, sipas Ministrit Osmani, kjo do të ndodhë para hapjes së kapitullit të parë të bisedimeve.

“Propozimi që ishte më herët parashikonte që fillimisht të miratohen ndryshime kushtetuese, pastaj të fillonin negociatat. Tani ka fillim të negociatave, konferencë të parë ndërqeveritare, hapja e negociatave, procesi i plotë i skriningut dhe para hapjes së kapitullit të parë, duhet ne të bëjmë ndryshime kushtetuese”, ka theksuar Osmani.

Drejtuesit e institucioneve ka thënë se propozimi i ri nuk përfshin çështjet historike që janë gjithashtu një kontest i hapur mes Shkupit dhe Sofjes.

Opozita maqedonase propozimin e ka vlerësuar “të dëmshëm për interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase.

Sipas VMRO DPMNE-së, propozimi i ri nuk dallon nga propozimi i parë, sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike.

Kjo parti konsideron se ndryshimet janë “kozmetike” apo se ka “ndryshim të terminologjisë që nuk i ndryshon kuptimin propozimit të parë”.

Gjuha maqedonase dhe identiteti jonë nuk njihen nga pala bullgare. Ato kanë prejardhje bullgare. Për të gjitha personalitetet historike do të themi se janë bullgarë”, ka thënë VMRO DPMN-ja.

Opozita për të shtunën në mbrëmje ka paralajmëruar një protestë para qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Lëkundet qeveria në Shkup, opozita këmbëngul për zgjedhje të parakohshme

Opozitarë dhe qeveritarë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut janë kundër propozimit francez, i cili mundëson heqjen e vetos bullgare që vendi bashkë me Shqipërinë të marrin datën për fillimin e negociatave me BE-në.

Partitë e vogla të koalicionit Partia Liber Demokrate (PLD), DOM dhe Lidhja Demokrate e Pavle Trajanovit kanë bërë të qartë dje se nëse kryeministri Dimitar Kovaçevski e pranon propozimin francez, atëherë ata do të braktisin koalicionin qeverisës, përcjell INA.

Kryetari i PLD-së, Goran Milevski, tashmë ka deklaruar se e kundërshton planin francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes Sofjes dhe Shkupit dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Si argument pse është kundër, Milevski në Facebook ka shkruar se mosmarrëveshjet bilaterale nuk duhet të bëhen kushte evropiane, se çdo zgjidhje e propozuar duhet të marrë pëlqimin e Kuvendit të Maqedonisë, gjuha nuk mund të jetë kompromis, sepse tashmë është çështje e zgjidhur me Marrëveshja e Prespës. Qëndrime të ngjajshme kanë shprehur edhe krerët e partive të tjera, që nëse do dalin atëherë Qeveria e Kovaçevskit do ta ketë fatin e njëjtë me ate të Petkovit në Sofje.

Nga ana tjetër, kjo çarje brenda Qeverisë është shfrytëzuar nga opozitarja VMRO-DPMNE, e cila sërish ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme. VMRO-DPMNE në një konferencë për media kërkoi nga partnerët e koalicionit në Qeverinë e LSDM-së dhe BDI-së që ta refuzojnë propozimin dhe i bëri thirrje Kovaçevskit, nëse mendon se propozimi është i mirë, të shkojë në zgjedhje. Nga kjo parti thonë se propozimi francez ka marrë pëlqimin edhe nga kryeministri Kovaçevski dhe ministri i jashtëm Bujar Osmani dhe se ai duhet të ketë kaluar nëpër kanalet e komunikimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Republikës Franceze.

“VMRO-DPMNE e refuzon propozimin e Parisit dhe mendon se ai çon vetëm në asimilimin e maqedonasve dhe bullgarizim të shtetit. Por, nëse Kovaçevski mendon se propozimi është i mirë, atëherë shkoni në zgjedhje. Pra le të zgjedhë populli”, deklaroi VMRO-DPMNE. Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje përmes rrjeteve sociale porositi se formalisht ende nuk e kanë marrë propozimin e Francës, të harmonizuar nga ana e 27 vendeve-anëtare të BE-së. Ai thekson se çfarëdo që të jetë teksti i harmonizuar përfundimtar, duhet të plotësohen disa kushte që i njëjti të jetë i pranueshëm për Qeverinë e Maqedonisë.

Kushtet e kërkuara nga Kovacevski: Formulim i qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas, Çështjet historike nuk mund të jenë kriter në kornizën negociuese, Negociatat mes RMV-së dhe BE-së duhet të fillojnë para nisjes së procedurës për ndryshime kushtetuese për futjen e bullgarëve, kroatëve dhe malazezëve në Preambulën e Kushtetutës, Patjetër të ketë garanci të forta edhe nga Bullgaria, edhe nga BE-ja se nuk do të vendosen kushte të reja jashtë asaj që do të dakordohet në kornizën negociuese dhe protokollin dypalësh. -Çdo zgjidhje do të duhet të konsultohet edhe me institucionet e RMV-së.

VIDEO/ 50 mijë njerëz në shesh! Protesta në Shkup nga opozita kundër deklaratës së Edi Ramës

Protesta në Maqedoninë e Veriut nga opozita kundër deklaratës së Rames për Kryeministrin e Bullgarisë Perëndimore.

Janë më shumë se 50 mijë mbështetës të opozitës maqedonase në këtë protestë kundër Edi Ramës dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.

Gjatë takimit të Selanikut, Edi Rama e prezantoi kryeministrin maqedonas, Kovaçevski si kryeministër të Bullgarisë Perëndimore.

Kjo deklaratë e Ramës, e quajtur prej tij si batutë, ndezi tensionet politike në Shkup, nga ana e opozitës, të cilët kanë nisur protestat. syri.net

Avionët luftarakë amerikanë F-35 zbarkojnë në Shkup

Avionët luftarakë F-35 që i përkasin Gardës Kombëtare të shtetit të Vermont të SHBA-së kanë arritur sot në Shkup. SHBA ka dërguar këta avionë luftarakë për herë të parë në Maqedoninë e Veriut.

Dy avionët amerikanë F-35 u mirëpritën në Aeroportin e Shkupit edhe nga ministrja e Mbrojtjes Slavjaka Petrovska raporton Gazeta Express.

“Aterimi i këtyrë avionëve në territorin maqedon që është teknologjia e fundit është provë e lidhjes së pathyeshme që ekziston mes neve dhe aleatëve të NATO-s”, tha ajo

Kolonel Lejtnant John McRae nga Garda Kombëtare e Vermont tha se partneriteti afatgjatë është i bazuar në këtë e që garanton sigurinë e përbashkët.

“Pikërisht përshkak të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, si një aleat ne mund të ndajmë sigurinë që vie nga kontrolli i hapësirës ajrore dhe zbarkimin e shpejt dhe të avancuar për avionët F-35”, tha ai.

Nis punimet Forumi i Prespës për Dialog

Mikpritës i Forumit të Prespës për Dialog është presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Zërijeta Hajro Jajaga

Udhëheqës të vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot e nesër në Forumin e Prespës për Dialog, që zhvillon punimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Tema e forumit është: “Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën moderne evropiane të sigurisë”.

Nikoqir i ngjarjes është presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Nga Kosova merr pjesë presidentja Vjosa Osmani, ndërsa të pranishëm do të jenë edhe presidentët apo kryeministrat e Sllovenisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Nga personalitetet ndërkombëtare marrin pjesë: kryetari i Këshillit të Evropës, Charles Michel, komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nënsekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo, si dhe sekretarja e përgjithshme e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Schmid.

Personalitete nga komuniteti akademik, biznesi, media dhe sektori qytetar do të marrin pjesë po ashtu.

Këtë vit, Forumi i Prespës për Dialog përkon me katërvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila i ka dhënë fund një kontesti për emrin midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Marrëveshja e Prespës, e cila është nënshkruar më 17 qershor të vitit 2018, i ka hapur më pas rrugë anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Sipas autoriteteve në Shkup, Forumi i Prespës për Dialog paraqet një platformë për t’i mbrojtur, promovuar dhe kanalizuar përfitimet e marrëveshjeve politike.

Por, në opinionin publik ka mendime të ndara nëse Marrëveshja e Prespës, krahas largimit të bllokadës për anëtarësim në NATO, i ka hapur edhe perspektivat e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE, vazhdimisht kritikon pushtetin për ndryshimin e emrit të shtetit – nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut – pa marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar për integrimin evropian.

Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeminstër për Çështje të Integrimeve të Maqedonisë së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se Marrëveshja e Prespës i ka zhgënjyer qytetarët.

“Tani, disa vite më vonë, ne shohim se të gjitha ato pritje ishin joreale, gjë që në formë plotësuese e përforcon ndjenjën e frustrimit te qytetarët e Maqedonisë së Veriut, dëshpërimin nga procesi i përgjithshëm i integrimeve”.

“Nëse edhe më tej mbetet e paqartë perspektiva evropiane, vlerësoj se do të përforcohen të gjitha tezat se Marrëveshja e Prespës duhet të pësojë adaptime të caktuara”, thotë Naumovski.

Por, sipas ish-diplomatit, Muhamed Halili, nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës paraqet një hap shumë të rëndësishëm për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Halili thotë se zhvillimet në Ukrainë, pas pushtimit rus, vënë edhe më shumë në shprehje rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës, e cila ka mundësuar integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Imagjinoni ju që në këtë fazë të krizës ukrainase, Maqedonia e Veriut të mos ishte shtet anëtar i Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s! Dhe, me një strukturë të tillë të dobët financiare, ekonomike, ushtarake, a do të mund t’u bënte ballë synimeve ruse për zgjerim, jo vetëm në atë pjesë të Rusisë së dikurshme, por edhe në Ballkan…”, thotë Halili.

Maqedonia e Veriut, që nga viti 2005, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Edhe pse ka hapur dyert për fillimin e negociatave të anëtarësimit në vitin 2018, Bashkimi Evropian nuk i ka nisur ende ato, as me Maqedoninë e Veriut, as me Shqipërinë.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut, Bullgaria ka vënë bllokadë, për shkak të disa kontesteve midis dy vendeve, që lidhen me gjuhën dhe identitetin.

Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

Forumi i Prespës për Dialog është lansuar vitin e kaluar si platformë për ndërtimin e mirëbesimit dhe dialogut politik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

Humori i Ramës me Kovaçevskin- Plas KEQ, VMRO paralajmëron protesta, kërkon dorëheqjen

Komenti i Edi Ramës ka shkaktuar reagime të forta në vendin fqinjë nga faktorë të ndryshëm politikë. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski doli në një konferencë për shtyp, duke ngritur zërin kundër gjithë çfarë kishte ndodhur.

Dje, kryeministri Edi Rama ka bërë një batutë lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe veton që i ka vendosur Bullgaria për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në takimin që u mbajt ditën e djeshme në Selanik, Rama e prezantoi para kancelarit gjerman Olaf Scholz me kryeministrin e Maqedonisë, Dimitar Kovaçevskin si kreun e qeverisë së Bullgarisë Perëndimore.

Komenti i Ramës ka shkaktuar reagime të forta në vendin fqinj nga faktorë të ndryshëm politikë. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski doli në një konferencë për shtyp, duke ngritur zërin kundër gjithë çfarë kishte ndodhur. Madje i dërgoi një mesazh kryeministrit Dimitar Kovaçevski pas ironisë në Selanik, duke i kërkuar dorëheqje.

“Nëse me Zaev Maqedonia arriti fundin, tani me Kovaçevskin e theu. Publiku maqedonas dëshmoi dje një faj të paparë ndërkombëtar. Dje pamë se si Dimitar Kovaçevski e ka tejkaluar Zoran Zaevin në çdo mënyrë duke shkelur dinjitetin  e vendit përmes turpit në skenën publike ndërkombëtare. Jo vetëm poshtëruese fjalët me të cilat Maqedonia u turpërua dhe u ofendua në një takim ndërkombëtar para liderëve ballkanikë dhe kancelarit gjerman, por edhe më shumë që Kovaçevski e ndoqi të gjitha me të qeshura dhe miratim të papërshtatshëm. Dje kur u prezantua si kryeministër i Bullgarisë së ardhshme perëndimore, Kovaçevski po të kishte një gram dinjitet do të reagonte në mbrojtje të vendit të tij, të cilin e përfaqëson dhe për të cilin merr rrogë nga qytetarët dhe jo duke qeshur e gëzuar. Çfarë ka për të qeshur dhe për t’u gëzuar zoti Kovaçevski? Dinjitetin ose e ke ose nuk e ke fare. Kur nuk e ke, atëherë sharjet dhe poshtërimet të dukën qesharake! Megjithatë, për popullin jo! Ndaloni poshtërimet e shtetit, papërgjegjshmërinë dhe grabitjen e popullit. Është e tepërt!”,-ka shkruar Mickoski, pas së cilës edhe një herë ka bërë thirrje për protestë të madhe më 18 qershor para Qeverisë.

Ndërkohë që “i zhgënjyer” ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski në faqen e tij në Facebook rreth ironisë së Edi Ramës duke shkruar se shakaja ishte e papranueshme dhe se ai duhet të kërkojë falje.

“Shakaja” e Ramës është e papranueshme, ai i ka borxh që t’i kërkojë falje kryeministrit dhe mbarë opinionit maqedonas. Kovaçevski në vend të buzëqeshjes duhet të kthejë me reciprocitet dhe të kërkojë falje. Heshtja është më shumë se një turp! Kështu mendoni për ndërtimin e një Ballkani të Hapur?,”- ka shkruar Dimitrievski.

Postimi i plotë

Kjo ka nxitur reagimin edhe të kryeministrit Edi Rama, i cili është detyruar që të bëjë edhe një sqarim. Sipas tij, ai kishte ironizuar vetëm bllokadën e shëmtuar ndaj Maqedonisë së Veriut, e se gjithçka tjetër ishte vetëm histeri. Mirëpo pavarësisht se ç’pretendon Rama, duket se ka pasoja në Maqedoninë e Veriut.

Bullgaria i vendos tri kushte Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE

Bullgaria i vendos tri kushte Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në BE. Ky fakt u bë i ditur nga Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov. Ai sot takoi eurokomisarin Oliver Varhelyi me të cilin biseduar për veton kundër Maqedonisë së Veriut.

“Që nga mëngjesi dhe në ditët e fundit kam dëgjuar lloj-lloj pretendimesh të rreme se qeveria bullgare kishte dy politika të jashtme. Dua t’u bëj të qartë qytetarëve bullgarë dhe komisionerit Varhelyi se Bullgaria ka tri kërkesa të qarta për përparimin e Maqedonisë së Veriut. Respektimi i qëndrimit kornizë, të cilin e miratoi Parlamenti bullgar, përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e tyre dhe së treti, të zbatohet marrëveshja e fqinjësisë”, tha Petkov, njofton “BGNES”.

Këto kanë qenë diskutimet tona më parë, thekson Petkov, ndërsa tani dhe ne po punojmë për të parë nëse është e mundur që BE të jetë garantuese e këtyre tre kushteve. Eurokimsari Varhelyi tha se ende nuk ka zgjidhje, çka është fustruese për ne, sepse nuk mund të vazhdojmë me procesin e anëtarësimit”, tha Varhelyi.
“Ende presim mbështetjen e Bullgarisë dhe për këtë po punojmë në të gjithë këto bisedime që kam udhëhequr në Sofje, ashtu edhe në Shkup, që përfundimisht të sqarohen dhe të forcohet perspektiva evropiane për RMV-në. Do të doja të shikoja që të arrihet marrëveshje në qershor, për këtë në mëngjes takohem me kryemnistrin dhe ministrin e jashtëm, do të takohem edhe me Presidentin”, tha Varhelyi. bw

VIDEO- Gafa frojdiane e Ramës: Të bëhet paqja përfundimtare Shqipëri-Kosovë

Nganjëherë është goja ajo që nxjerr padashur atë që fsheh mendja.

Lapsusi frojdian i Edi Ramës gjatë fjalimit në samitin e Open Balkan në Ohër, ishte ku e më ku spektakolar sesa pengimi i tij, që gati e rrëzoi në skenë dhe që u bë lajmi pikant i të gjitha mediave.

Duke folur se si afrimi përmes interesave që nxit Ballkani i Hapur, se si bashkëpunimi për krizën e grurit apo të energjisë, do ti paqtojë edhe vendet armike Rama ngatërroi  pa dashje Prishtinën me Beogradin.

“Vetëm duke lënë pas të shkuarën dhe duke shtuar bashkëpunimin ne do të mbërrijmë tek paqja përfundimtare mes Kosovës dhe Shqipërisë” tha kryeministri i vendit më të madh të shqiptarëve.

Në fakt, pavarësisht se kjo qe një gafë, sot, në kuadrin e Open Balkan mund të flitet realisht për paqe mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Presidenti serb shkrihej së qeshuri kur gjatë fjalimit të tij Rama ironizonte me faktin se Vuçiçi nuk është bajlozi që do na pijë ujërat e detrave tona. Të dy politikanët dukeshin si vëllezër, ndërkohë që Rama me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin duken si armiq.

Varhelyi përplaset me Ramën: Integrimi nuk është dasmë

Nga samiti për ‘Open Balkan’, kryeministri Edi Rama ka shtuar dozën e sulmeve ndaj Bashkimit Europian. Sipas Ramës, Shqipëria nuk do të presë më për martesën, ndërsa ironizoi se i vjen keq për gjendjen që ndodhet sot unioni. Në kundërpërgjigje, eurokomisioneri i BE, Oliver Varhelyi u shpreh se integrimi nuk është martesë, por plotësim kriteresh e rritje e nivelit të jetesës së kërkuar nga qytetarët e vendeve të Ballkanit

SYRI TV

Krisja dhe problemet e Shqipërisë në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian janë bërë evidente edhe në samitin e mbajtur në Ohër në kuadër të ‘Open Balkan’.

Në prani të Komisionerit për Zgjerim të BE-së Oliver Varheliy, kryeministri Edi Rama ka ironizuar Brukselin me pritjen për martesë, duke shprehur keqardhje për gjendjen ku ndodhet unioni. Por në kundërpërgjigje, eurokomisioneri Varheliy i ka kujtuar kryeministrit shqiptar se integrimi nuk është çështje martese, por plotësim kushtesh dhe rritje e nivelit të jetesës të vendeve që drejtojnë nëpërmjet reformave.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksin e kanë vënë tek forcimi i institucioneve në vendet e Ballkanit Perëndimor. I dërguari special i SHBA në rajon, Gabriel Escobar vuri theksin gjithashtu edhe tek rëndësia që pjesë e këtij projekti të jenë të gjashta vendet, dhe ‘Open Balkan’ të jetë një projekt ekonomik, e jo politik.

Mbështetja e Lavrovit për ‘Ballkani i Hapur’ shqetëson edhe Shkupin

Mbështetja e hapur që Lavrov i dha Ballkanit të Hapur një ditë më parë është konsideruar shqetësuese nga Maqedonia e Veriut, vend anëtar i NATO-s që nga viti 2020.

Nëse Lavrov do të kishte zbritur në Beograd dhe do të kishte përshëndetur nga atje takimin e Ballkanit të Hapur, gjasat janë që sot takimi për Ballkanin e hapur të ishte anuluar.

Këtë e ka pranuar Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar sot me ndalimin e homologut të tij rus të hynte në Serbi.

Ai është shprehur se nëse një vizitë e tillë nga Lavrov do të ndodhte, do të vihej në pikëpyetje edhe mbajtja e takimit të nismës Ballkani i Hapur në Ohër.

“Edhe pse Serbia, kuptohet, është shtet i pavarur i cili vetë i vendos prioritetet e saj të jashtme politike, në kuadër të disa iniciativave rajonale në të cilat marrim pjesë siç është Ballkani Perëndimor, kuptohet që më shumë rëndësi është që vendet me të cilat bashkëpunojmë të jenë në një linjë me ne në disa sisteme të vlefshme”, tha Osmani.

Ndërkohë një reagim i fortë ka ardhur edhe nga Kosova. Deklaratat e Lavrov për Ballkanin e Hapur konsiderohen si konfirmim për akuzat e mëhershme në lidhje me synimet për hegjemoni ruse në Ballkan.

Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani tha se rusët e shohin projektin e Ballkanit të Hapur si një shans për të prishur integrimin në BE dhe NATO të vendeve të rajonit.

“Ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov konfirmon hapur lidhjen në mes synimeve hegjemoniste të Rusisë në Ukrainë dhe synimeve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës. Për më tepër, Lavrov e sheh nismën e Ballkanit të Hapur si një instrument për promovimin e hegjemonisë rajonale nga Rusia dhe Serbia dhe për të prishur integrimin në BE dhe NATO”, ka shkruar Vela në Twitter, të martën.

Çfarë ka thënë Lavrov?

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, deklaroi të hënën se ‘Ballkani i Hapur’ është iniciativë e Serbisë e që NATO dhe BE-ja nuk e kanë dashur pozicionimin e Rusisë në lidhje me këtë çështje”.

Kryediplomati rus e kishte në agjendë që më 7 qershor ta vizitojë Serbinë. Por, tri shtete ia ndaluan hapësirën ajrore, duke ia pamundësuar vizitën.

Pas kësaj, ai në një konferencë për media ka thënë se “askush s’mund ta prishë Serbinë me Rusinë”. Lavrov foli edhe për “Ballkanin e Hapur”, duke hedhur Kritika ndaj NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Shihet qartë se zyrtarët e Brukselit nuk kanë dashur që ne të konfirmojmë pozicionin tonë për Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe të shprehim përkrahjen për iniciativën e Beogradit ‘Ballkani i Hapur’”, kishte deklaruar Lavrov.
Lavrov, po ashtu ka përmendur sërish ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë gjatë viteve 1999. gsh

Çfarë pritet të ndodhë në Ohër?

Milosh Teodoroviq

Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të obligohen me një marrëveshje të përbashkët për përpjekjet e përbashkëta për të luftuar evazionin fiskal në të tri vendet.

Kështu thuhet në tekstin e Memorandumit të mirëkuptimit, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje dhe të cilin përfaqësuesit e tre vendeve duhet ta nënshkruajnë në qytetin maqedonas të Ohrit, në takimin e nismës “Ballkani i Hapur”, të planifikuar për të mërkurën, më 8 qershor.

Krahas kësaj, në Ohër do të nënshkruhet edhe marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, si dhe memorandume për bashkëpunim kulturor dhe në fushën e turizmit.

Në asnjërën prej katër dokumenteve të planifikuara nuk përmendet zgjerimi, por u drejtohet ftesa shteteve tjera të interesuara të bashkëpunojnë në të ardhmen.

Në samitin e Ohrit për herë të parë do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Malit të Zi, kryeministri Dritan Abazoviq.

Ai është kritikuar nga një pjesë e publikut në vendin e tij për shkak se nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në “Ballkanin e Hapur”, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk arriti të zgjerohej.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e kryeministri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur

Tre nismëtarët, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.
Çfarë thuhet në pjesën për taksat?

Në tekstin e Memorandumit që ka të bëj me taksat, i cili do të nënshkruhet dhjetë muaj pasi nisma e Ballkanit Perëndimor u emërua zyrtarisht “Ballkani i Hapur”, në vend të emrit të mëparshëm “mini-Schengen”, thuhet se nënshkruesit kanë parasysh “rëndësinë e shtuar” të bashkëpunimit në luftën kundër evazionit fiskal, gjegjësisht, shmangies së pagesës së tatimit.

“Dispozitat e këtij dokumenti nuk do të rezultojnë në vendime apo veprimtari të veçanta që janë të detyrueshme dhe të imponuara për asnjë palë apo palë të tretë”.

Ndër të tjera, gjithsej tetë nene të marrëveshjes theksojnë nevojën për punë të përbashkët për të inkurajuar përmbushjen e detyrimeve tatimore në të tre vendet dhe se secila palë mund të caktojë një person për të koordinuar aktivitetet në emër të saj.

Gjithashtu, secila palë i paguan shpenzimet e veta për zbatimin e Memorandumit.
Përshpejtimi i njohjes së diplomave

Në tekstin e Marrëveshjes së paraparë në fushën e njohjes reciproke të diplomave, në të cilën Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja me shtatë nene i referohet kualifikimeve të nivelit e pestë (arsimi i lartë), si dhe niveleve gjashtë deri në tetë të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve (nga njohuritë dhe aftësitë e arsimit të avancuar në atë të lartë).

Është specifikuar që diplomat me vulën apostile të institucionit kompetent i nënshtrohen njohjes së drejtpërdrejtë. Vula apostile është një shenjë e legalizimit të dokumenteve të përdorura në korrespondencën juridike ndërkombëtare.

Në qoftë se paraqitet dyshimi për vërtetësinë e diplomës, parashikohet mundësia që përmes rrugës elektronike të kërkohet vërtetimi nga institucioni që e ka lëshuar atë. Afati për përgjigje nga ajo adresë është 14 ditë, ndërsa për përfundimin e plotë të procesit të njohjes, 20 ditë.

Specifikohet se diplomat në Shqipëri do të njihen nga Qendra për shërbime arsimore në Ministrinë e Arsimit, në Serbi nga Agjencia për kualifikime për njohje profesionale, si dhe në Maqedoninë e Veriut nga Njësia për njohjen e diplomave profesionale e Ministrisë së Arsimit.

Tri anëtaret e “Ballkanit të Hapur”, ftojnë edhe me këtë rast vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen Marrëveshjes.
Memorandum për shkëmbimin kulturor

Siç u tha, për të promovuar shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, të tre palët synojnë të nënshkruajnë një Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor.

Në shtatë nenet e Memorandumit, në të cilat Radio Evropa e Lirë kishte qasje, nënshkruesit angazhohen për të inkurajuar lëvizshmërinë e punonjësve të kulturës dhe thellimin e bashkëpunimit institucional.

Palët kontraktuese deklarojnë se do të përpiqen të harmonizojnë kriteret dhe të shtojnë numrin e konkurseve për financimin e projekteve kulturore.

“Përparësi do t’i jepet projekteve të lëvizshmërisë që janë inovative, eksperimentale dhe/ose shumë-disiplinare, si dhe që lidhin operatorët e mundshëm nga disa palë kontraktuese”, thuhet në dokument.

Neni 6 i Memorandumit specifikon se shtetet nënshkruese do të hartojnë një “kalendar të përbashkët kulturor”, “në afatin më të shpejtë të mundshëm”.
Planifikohet harta turistike

Në Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor, i cili gjithashtu duhet të nënshkruhet në Ohër dhe në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, parasheh formimin e një harte turistike të quajtur “Ballkani i Hapur”.

Shtetet nënshkruese janë të detyruara të inkurajojnë kontaktet ndërmjet organizatave të tyre turistike dhe punëtorëve, si dhe parashikohet krijimi i grupeve të posaçme të punës për këtë fushë.

“Duke formuar grupe të posaçme pune, palët kontraktuese marrin përsipër të identifikojnë kuadrin ligjor në fushën e turizmit, si dhe të nisin përpjekjet për harmonizimin e ligjeve të tyre në mënyrë që të përshtaten reciprokisht me sistemin e operatorëve turistikë”, specifikohet në njërin prej tetë neneve në Memorandum.

Gjithashtu, nënshkruesit theksojnë se do të përpiqen të shkëmbejnë informacione për legjislacionin e tyre në fushën e mbrojtjes së burimeve natyrore dhe ruajtjes së trashëgimisë historike dhe kulturore, të cilat janë atraksione turistike.

“Palët kontraktuese, në përputhje me ligjet e tyre të brendshme, do të nxisin krijimin e kushteve të favorshme për tërheqjen e investimeve në industrinë e turizmit”, thuhet gjithashtu.

Si element marrëveshjeje mes të tre palëve në fushën e turizmit, saktësohet se zgjerimi i turizmit detar, lumor dhe liqenor mund të konsiderohet si “portë e turizmit rajonal”.

Rama kundër rezolutës për gjenocidin serb në Kosovë- Ziadin Sela thirrje deputetëve: Kujtoni pamjet e ’99

Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, dënon qëndrimin e mazhorancës socialiste, kundër rezolutës së Partisë Demokratike për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. 

I ftuar në studion e Syri Tv, Sela e quajti absurde dhe skandaloze mosnjohjen e masakrave serbe si gjenocid nga Parlamenti shqiptar.

Ai përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për deputetët, duke kërkuar prej tyre që t’i kthehen pamjeve të vitit 1999, kur shqiptarët u masakruan dhe u dëbuan nga shtëpitë e tyre prej ushtrisë serbe.

Sela tha se lënia në harresë e asaj që ka ndodhur ndaj shqiptarëve, rrezikon të riciklojë historinë.

“Është absurde. Gjenocidi është gjenocid dhe si i tillë duhet dënuar, pa marrë paarasysh se për cilën periudhë kohore dhe për cilën shtet bëhet fjalë. Qasja e Shqipërisë nuk mund të jetë vasale ndaj kësaj çështje. Prandaj thashë më lart, nga buron legjitimiteti i një kryeministri që ka për obligim ta çojë vendin drejt BE? Parlamenti i Shqipërisë si organ i pavarur duhet t’i dënojë gjenocidet kudo që kanë ndodhur, aq më tepër gjenocidi ndaj popullit shqiptar. Ka qenë një gabim shumë i madh kur e gjithë bota demokratike dhe e civilizuar gjenocidit në Srebrenicë i thotë gjenocid, ishte skandal që Parlamenti shqiptar të mos votojë një rezolutë të tillë. Dhe, të vendoset në pikëpyetje edhe gjenocidi ndaj shqiptarëve, me të vërtetë është skandal, uroj që Parlamenti i Shqipërisë ta sjellë këtë rezolutë. Nës vlen fjala, thirrja publike, që çdo deputet duhet ta mendojë shumë mirë vuajtjen, t’i kthejë fotografitë e ’99 kur fëmijë dhe pleq nuk u kursyen, apo dhe për mijëra që nuk u dihet varri apo dhe për dhjetëra mijëra gra e nëna, e motra tonat të cilat u përdhunuan, të votojnë një rezolutë të tilla, pasi përndryshe rrezikojmë të na riciklohet historia”. 

syri.net

Geer: Unioni i ri politik nuk zëvendëson anëtarësimin në BE

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer.

 

Isuf Kadriu

Ambasadori i BE-së në Shkup, David Gere tha të enjten se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian pasi interesi strategjik i unionit është që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE.

“Ne jemi absolutisht të vendosur të ecim përpara. E dimë se është në interes strategjik të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që këto vende të anëtarësohen në Union dhe presim që procesi të vazhdojë dhe ta shohim Maqedoninë e Veriut në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi ambasadori Gere.

I pyetur nëse propozimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron për unionin e ri politik paraqet zëvendësim në rast të dështimit të mundshëm të procesit të zgjerimit, Gere tha se qëndrimi i presidentit Macron dhe presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel është i qartë, se proceset e anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor mbeten çështje kryesore.

“Nuk ka ndryshime në procesin e zgjerimit dhe e vetmja rrugë është zgjerimi në Ballkanin Perëndimor. Është një prioritet absolut dhe një rrugë e bazuar në reforma. Kështu që unë nuk e shoh këtë si një ndikim në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE”, ka deklaruar ambasadori i BE-së në Shkup, David Gere.

Ai tha se BE-ja dëshiron fillimin sa më të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe se inkurajojnë të gjitha përpjekjet për arritjen e këtij qëllimi.

Nisja e bisedimet kundërshtohet nga Sofja e cila në nëntor të vitit 2020 vendosi veto për shkak të kontestit lidhur me gjuhën dhe identitetin maqedonas si dhe të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Lidhur me këtë kontestit, më 18 maj, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, vendi i të cilit me 30 qershor përfundon kryesimin me BE-në. Përveç me Kovaçevskin, presidenti francez Macron ka biseduar edhe me presidentin bullgar, Rumen Radev dhe kryeministrin, Kiril Petkov.

“Presidenti i Republikës Franceze kujtoi përkushtimin e tij ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin e destabilizimit që po kalon kontinenti evropian”, thuhet në një deklaratë të pallatit Elize.

Ndërkohë, kryeministri Kovaçevski ka thënë se gjatë bisedës me presidentin e Francës kanë rënë dakord se nuk ka kohë për të humbur dhe se vonesat e mëtejshme për fillimin e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE mund të ketë pasoja të rënda rajonale dhe rrisin ndikimin e palëve të treta në rajon.

Stërvitje ushtarake e NATO-s në Maqedoninë e Veriut

Isak Ramadani

Në Maqedoninë e Veriut.4600 ushtarë të tetë vendeve anëtare të NATO-s po marrin pjesë në një stërvitje ushtarake.

Stërvitja “Swift Response 22”, “Përgjigja e Shpejtë 22” po mbahet në poligonin ushtarak Krivollak, një nga zonat më të mëdha në Ballkanin Perëndimor për manovra dhe stërvitje ushtarake.

Pjesëtarë të ushtrisë amerikane, britanike, franceze, italiane, shqiptare, malazeze, greke dhe maqedonase shfaqën para krerëve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe oficerëve të lartë të ushtrive të vendeve pjesëmarrëse aftësitë luftarake sidomos në ulje me parashuta. 45 aeroplanë transportues e luftarakë që u nisën nga baza e Avianos në Itali fluturuan mbi Krivollak ku u hodhën 200 parashutistë, ndërsa helikopterë Çinok dhe Apaçi po ashtu ishin pjesë e stërvitjes.

Autoritetet maqedonase të Mbrojtjes thanë se mesazhi nga stërvitja “Përgjigja e Shpejtë” nuk është demonstrimi i forcës, por i bashkimit dhe aleancës.

Stërvitja shikohet si tejet e rëndësishme për ushtritë e Aleancës për sa i përket shkëmbimit të njohurive, përgatitjes, koordinimit dhe aftësive për veprim të përbashkët për realizimin e operacioneve të tilla.

Oficerët e lartë të ushtrive aleate e vlerësuan lart përgatitjen e ushatarëve në këtë stërvitje.

Maqedonia e Veriut u pranua në Aleancën ushtarake të NATO-s në mars të vitit 2020. Hapësirën ajrore të saj e sigurojnë aeroplanët grekë. Poligoni ushtarak Krivollak në pjesën qendrore të vendit vlerësohet si strategjik nga Aleanca Veriatlantike.

Patriarkana e Stambollit njeh Kishën kanonike të Maqedonisë së Veriut

VOA

Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës së Stambollit e ka njohur Kishën Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit (KOM – AO) si kishë kanonike dhe të njohur në botën ortodokse.

Megjithëse vendimi nuk ka të bëjë me autoqefalinë e Kishës maqedonase e cila bie nën juridiksionin e Kishës ortodokse serbe, akti është cilësuar si historik në Shkup. Kisha maqedonase ishte e izoluar ndërkombëtarisht.

Kisha maqedonase e shtoi para pak vitesh atributin “Arqipeshkvia e Ohrit”, ndërsa në vitin 2018 iu drejtua Sinodit të Shenjtë të Patriarkanës në Stamboll për njohjen e autoqefalisë së KOM-AO.

Patriarkana e Stambollit e drejtuar nga Patriarku Bartolomeu është subjekt i vetëm me të drejta kanonike që mund ta njohë autoqefalinë e një kishe ortodokse.

Por vendimi i Patriarkanës së Stambollit thekson se “i mbetet Kishës së shenjtë të Serbisë t’i rregullojë çështjet që ka me Kishën e Maqedonisë së Veriut, gjithsesi në kuadër të aktit të shenjtë kanonik dhe traditave kishtare”.

Autoritetet kishtare maqedonase i kanë thënë medias lokale në Shkup se për statusin përfundimtar do të ketë bisedime shtesë, dhe se kisha maqedonase nuk është e përçarë me kishën e përgjithshme ortodokse.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski falenderoi në rrjetet sociale Patriarkun Bartolomeu për “veprën e madhe ndaj një populli të madh ortodoks dhe për misionin historik dhe për përgjegjësinë”. Zoti Kovaçevski vlerëson se me këtë është bërë një hap i madh dhe më i rëndësishëm.

Kisha Ortodokse Serbe nuk ka pranuar ta njohë kishën maqedonase me emrin Kisha Ortodokse Maqedonase, ndonëse kjo e fundit ka vepruar pa pengesa brenda vendit që nga themelimi në vitin 1967. Kisha serbe konsideron se ndarja e Kishës Maqedonase nuk është bërë sipas rregullave kishtare. Problemet midis dy kishave dolën në sipërfaqe sidomos pas pavarësisë së Maqedonisë (së Veriut) në vitin 1991.

Në Kushtetutë si shqiptarë

Isuf Kadriu

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në Kushtetutën e këtij shteti, do të definohen si “shqiptarë” dhe jo si qytetarë që përbëjnë mbi 20 për qind të popullsisë së përgjithshme, në rast se ndryshohet Kushtetuta aktuale, sipas së cilës është bërë një përkufizim i tillë. Ky formulim ishte bërë me ndryshimet kushtetuese të miratuara më 2002, një vit pas konfliktit të armatosur të 2001-shit.

Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është zyrtare në komunat me shumicë shqiptare, në Shkup, si dhe në institucionet qendrore, si në Kuvend dhe Qeveri, por në Kushtetutë ajo nuk definohet si gjuhës shqipe, por si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e qytetarëve nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonisë së Veriut.

Debati për ndryshimet kushtetuese është ngritur pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë, sipas të cilave, shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë prej 1.8 milion banorësh.

Ndryshimet kushtetuese nuk janë përjashtuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, nëse për këtë, sipas tij, do të kishte një konsensus të gjerë politik në vend.

“Sa i përket Kushtetutës, po, nëse ka nisma të tilla, sigurisht se po, ne do t’i mbështesim. Ndryshimi i Kushtetutës duhet të kalojë disa procedura, që do të thotë se Kuvendi hap diskutim, fillimisht për partitë politike, e më pas përfshihen ekspertët”, ka deklaruar Kovaçevski.

Deklarata e kryeministrit pason thirrjet e partive politike shqiptare për ndryshimin e Kushtetutës, me synimin që të hiqet përkufizimi i shqiptarëve si popull 20 për qindësh, porse kërkesa e tyre në vazhdimësi është refuzuar. Madje, disa parti maqedonase, që konsiderohen si ekstreme në veprimin e tyre politik, besonin se regjistrimi i popullsisë do t’i nxirrte shqiptarët më pak se 20 për qind me çka ata, sipas tyre, do të humbnin të drejtat e tyre.

Por, pas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, edhe kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se është i gatshëm për të biseduar për gjithçka, përfshirë ndryshimin e Kushtetutës.

“Jam i gatshëm të flasim për gjithçka, që të ndërtojmë një shtet qytetar, i cili do të bazohet në vlerat e vërteta. Unë dua ta shoh Maqedoninë [e veriut] si shtet të qytetarëve të barabartë ku nuk do të garohet për shkak të kuotës ose përqindjeve, por për njohuri, aftësi dhe kompetenca”, ka deklaruar Mickoski.

Ndërkohë, ndryshimi i qëndrimit të partive politike maqedonase, sipas Bashkim Selmanit, njohës i çështjeve juridike, ka të bëjë më shumë me përpjekjet e tyre për të përfituar politikisht, meqë, sipas tij, partitë maqedonase tashmë janë të vetëdijshme se asnjëherë nuk mund ta marrin pushtetin pa partitë shqiptare.

“Sa i përket VMRO-së, unë besoj se ajo këtë e ka si tendencë për të rritur simpatinë te shqiptarët, por është dëshmuar se dy partitë maqedonase, si VMRO dhe LSDM, e kanë kuptuar se pa taborin shqiptar nuk mund të vijnë në pushtet”, ka thënë Selmani.

Në bazë të përkufizimit kushtetues si popull prej 20 për qindësh, shqiptarët realizojnë edhe të drejtat tjera, si përdorimin e simboleve kombëtare, përfaqësimin në institucione, arsimim, kulturë e sfera tjera.

Bashkim Selmani ka shprehur dilema nëse shqiptarët, me ndryshimin e përkufizimit të tyre, do të ruajnë të drejtën e përfaqësimit të tyre në institucione. Sipas tij, partitë shqiptare duhet të kenë kujdes që të definojnë qartë të gjitha çështjet për të mos lënë hapësirë për interpretime të ndryshme:

“Ne i dimë tendencat e tyre, në vazhdimësi ata kur të japin diçka, të marrin diçka tjetër. Nëse kjo bëhet, atëherë ne nuk kemi se ku të kapemi, prandaj shqiptarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe për këtë çështje të ketë debate publike, sepse kjo është një indikacion – ne kemi shumë ligje tjera për të diskutuar pasi janë diskriminuese – pasi, siç thashë, ata edhe kur japin një të drejtë, gjejnë labirintet juridike që shqiptarët t’i barazojnë me zero për të gjitha të drejtat e tyre”.

Ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut duhet të kalojë përmes një procedure të ndërlikuar parlamentare dhe me debate në opinion para se të miratohet në Kuvend me dy të tretat e votave të deputetëve.

Ish-sekretari i Qeverisë maqedonase në paraburgim

Isuf Kadriu

Sekretari i deritanishëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut , Muhamed Zeqiri, të enjten rreth mesnate është dërguar në burgun e Shkupit, pasi Gjykata Themelore i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

Zeqiri dyshohet se ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar dhe ka të bëjë me dyshimet për abuzim lidhur me një kontratë për shërbime konsulence.

Gjyqtari i procedurës paraprake vendosi masën e paraburgimit pasi sipas komunikatës së Gjykatës, “ekziston rreziku i arratisjes, zhdukjes të gjurmëve apo ndikimit të dëshmitarëve, si dhe rrezikut që ai të përsërisë veprën”.

Prokuroria dyshon se sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë në periudhën nga prilli 2021 deri në janar 2022, pa procedurë të prokurim publik, ka lidhur kontratë për shërbime konsulence me një kompani që kap vlerën e përgjithshme prej rreth 941,985 euro, që është rreth 147,000 më shumë se vlera e paraparë.

Vepra dyshohet të jetë kryer së bashku me dy shtetas kroatë, të cilëve gjithashtu iu shqiptua masa e paraburgimit, por meqë ata nuk ndodhen në Maqedoninë e Veriut, paraburgimi do të hyjë në fuqi pas ndalimit të tyre.

Pas njoftimit të Prokurorisë për hapjen e hetimeve, Zeqiri dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i sekretarit të Përgjithshëm. Në njoftimin e publikuar, ai tha se ka besim se do të vërtetojë pafajësinë e tij.

“Unë besoj në institucionet e sistemit, besoj në drejtësi dhe besoj se e vërteta do të dalë në shesh. Unë jam në dispozicion të të gjitha institucioneve në çdo kohë, për të provuar pafajësinë time”, ka deklaruar Zeqiri.

Dorëheqja e tij është pranuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili tha se e respekton vendimin si akt të përgjegjësisë politike dhe tha se pret një hetim plotësisht transparent dhe të pavarur nga Prokuroria dhe drejtësia.

Muhamed Zeqiri ishte zgjedhur sekretar i Përgjithshëm në nëntor të vitit 2020.

Muhamed Zeqiri ka punuar si gazetar para se të zgjidhej deputet në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016 në listën e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, që në atë kohë drejtohej nga Zoran Zaev.

Bullgarët, serbët dhe turqit s’i pranojnë rezultatet e regjistrimit në Maqedoninë e Veriut

Pamje gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

RFE/RL

Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë të premten ka reaguar lidhur me rezultatet e regjistrimit të popullsisë c duke kontestuar numrin e popullsisë bullgare.

Sipas rezultateve të Entit të Statistikës, në Maqedoninë e Veriut jetojnë 3,504 bullgarë.

“Si është e mundur që të ketë një dallim të madh mes atyre që janë deklaruar si bullgarë (3,504) dhe numrit prej mbi 100.000 shtetasve maqedonas, të cilët janë të pajisur me shtetësi bullgare. Objekt i analizës serioze është fakti se 7.2% e qytetarëve të shtetit fqinj nuk janë të numëruar aktivisht. Sipas informacioneve, të dhënat për ta janë mbledhur nga një bazë e duhur informative, por pa u theksuar përkatësia e tyre etnike dhe fetare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Rezultatet e regjistrimit i kontestuan të premten edhe Partia Demokratike e Serbëve dhe komuniteti serb në Maqedoni. Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 26 mijë serbë apo 1.3 për qind.

Edhe pakica turke ka thënë se nuk i pranon rezultatet pasi pretendon se turq ka më shumë se shifrat zyrtare prej rreth 75 mijë personave apo 3.84 për qind.

Komisioni Evropian konsideron se regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut është realizuar, sipas të gjitha standardeve evropiane. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha të premten se “ligji dhe metodologjia në të cilën bazohet përgatitja, organizimi dhe zbatimi i regjistrimit ishin në përgjithësi në përputhje me standardet përkatëse të përcaktuara me legjislacionin statistikor të Bashkimit Evropian”.

Në Maqedoninë e Veriut, bazuar në rezultatet e publikuara më 30 mars, jetojnë 1,836,713 banorë apo rreth 10 për qind më pak se në regjistrimin e vitit 2002. Prej tyre 58.44 për qind maqedonas dhe 24.3 për qind shqiptarë.

Sofja reagon për numrin e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut

Slavi Trifonov, kryetar i partisë parlamentare bullgare “Ka një popull të tillë”.

Isuf Kadriu

Maqedonia e Veriut do të mbetet pjesë e Ballkanit Perëndimor nëse nuk ua mundëson qytetarëve që jetojnë në këtë vend, që lirshëm të shprehin identitetin e tyre kombëtar, ka deklaruar Slavi Trifonov, kryetar i partisë parlamentare bullgare “Ka një popull të tillë”, duke komentuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Sipas rezultateve të publikuara të mërkurën, 30 mars, nga Enti Shtetëror i Statistikës, në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 3,500 bullgarë.

Në një reagim në Facebook, Slavi Trifunov, partia e të cilit është pjesë e Qeverisë së Bullgarisë tha se është e absurde të mendohet se kaq bullgarë jetojnë në Maqedoninë e Veriut, kur sipas tij, vetëm në dy vitet e fundit, 16.692 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pasaporta bullgare.

“Sipas ligjeve bullgare, që një shtetas i Maqedonisë së Veriut të marrë pasaportën bullgare, ai duhet të vërtetojë rrënjët e tij bullgare. Kështu, mbi 100.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut i kanë vërtetuar rrënjët e tyre bullgare në Bullgari, por në Maqedoninë e Veriut ata kanë frikë të quhen ‘bullgarë’. Pse në një vend normal evropian, ku pretendon të anëtarësohet Maqedonia e Veriut, një person do të kishte frikë të thotë se çfarë është? Ky nuk është një vend normal evropian”, ka shkruar Trifonov.

“Nëse Maqedonia e Veriut dëshiron të jetë një vend normal, evropian dhe të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, atëherë qytetarët e saj do të duhet të deklarojnë lirshëm përkatësinë e tyre dhe të drejtat e tyre nuk duhet të shkelen. Derisa kjo të ndodhë, Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Trifonov, kryetar i partisë parlamentare bullgare “Ka një popull të tillë”.

Reagimi i tij vjen një ditë para se në Shkup të takohen grupet e ekspertëve të të dyja vendeve për të diskutuar lidhur me dallimet për të kaluarën historike.

Sofja, në nëntor të vitit 2020 ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke e kushtëzuar zgjidhjen kontestit për identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.

Një e treta- Mbi 29% e popullsisë në Maqedoninë e Veriut janë shqiptarë

Maqedonia e Veriut ka publikuar të dhënat zyrtare të censusit, ku rezulton se shqiptarët përbëjnë gati 1/3 e popullsisë.

Shqiptarët janë 29.5% në popullsinë e përgjithshme dhe 24.3% në popullsinë rezidente, ndërsa në qytetin e Shkupit 22.8%.

Në shifra konkrete, numri i popullsisë shqiptare në RMV rezulton se është 619.187 banorë.

Ndërkohë, numri i maqedonasve përbën 54.21% në total ose rreth 1.1 milionë banorë.

Sipas të dhënave të publikuara nga enti statistikor, me regjistrimin e popullsisë që zgjati nga 5 deri më 30 shtator 2021, u regjistruan 1.832.696 persona, 568.175 familje dhe 837.255 banesa.

Regjistrimin e fundit, Maqedonia e Veriut e realizoi në vitin 2002. Në vend numëroheshin afër 2 milionë banorë, prej tyre rreth 25 për qind shqiptarë.

 

Isuf Kadriu

Në Maqedoninë e Veriut, 24.3 për qind e popullsisë është shqiptare, bëri të ditur të mërkurën Enti Shtetëror i Statistikave. Bazuar në rezultatet e regjistrimit të mbajtur nga 5 deri më 30 shtator të vitit 2021, numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente është 1,836,713 banorë.

Sipas këtyre të dhënave, nga numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente 58.44 për qind e tyre janë deklaruar maqedonas, 3.84 për qind turq, 2.53 për qind janë nga komuniteti rom , 0.47 për qind janë vllehë, 1.3 për qind serbë dhe 0.87 për qind janë deklaruar si boshnjakë.

Në bazë të të dhënave nga regjistrimi i vitit 2002, numri i popullsisë shqiptare ka shënuar rënie për rreth një për qind në vitin 2021.

Enti Shtetëror i Statistikës të mërkurën më 30 mars, publikoi edhe numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, që përfshin atë rezidente dhe jorezidente. Janë regjistruar gjithsej 2,097,319 persona dhe prej tyre 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.

Sipas të dhënave, rreth 3,500 persona janë deklaruar si bullgarë, shifër kjo larg pretendimeve të Sofjes, e cila ka kontest me Maqedoninë e Veriut edhe për çështjen e pakicës bullgare.

Në Shkup, shqiptarët përbëjnë 22.8 për qind të popullsisë krahasuar me 20.4 për qind sa ishin në regjistrimin e vitit 2002.

Bazuar në të dhënat e Entit të Statistikës, popullsia rezidente në Maqedoninë e Veriut është ulur për 185 mijë njerëz apo në rreth 9 për qind në krahasim me regjistrimin e popullsisë në vitin 2002.

“Regjistrimi i popullsisë u realizua me sukses. Ne dëshmuam se mundemi dhe dimë të realizojnë regjistrim të popullsisë. Nëse më parë duheshin dy vjte për shpalljen e rezultateve, në këtë e bënë për gjashtë muaj, ashtu siç e kishim paraparë”, deklaroi drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Apostol Simovski.

Lidhur me rezultatet e regjistrimit, nëpërmjet një statusi në Facebook ka reaguar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas të cilit, Maqedonia e Veriut pas 20 vjetësh ka një pasqyrë më të qartë sa i përket numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe përqindjes së komuniteteve në vend.

“Përgëzoj të gjitha institucionet që ishin të përfshira dhe ndihmuan regjistrimin si proces që filloi në muajin mars të vitit të kaluar me diasporën e vendit, e që përfundoi në shtator me regjistrimin e popullatës në vend, proces dhe sfidë aspak e lehtë, por që ia dolëm ta përfundojmë me sukses”, ka shkruar Ahmeti.

Para kësaj, regjistrimin e fundit, Maqedonia e Veriut e kishte bërë në vitin 2002 dhe bazuar në të dhënat zyrtare, vendi atëherë numëronte 2 milionë banorë, prej tyre 25.17 për qind shqiptarë.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të drejtat e tyre i realizojnë në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur pas luftës së vitit 2001.

Me ndryshimet kushtetuese që ishin bërë në vitin 2002, të drejtat e shqiptarëve janë rregulluar në bazë të përqindjes së tyre në shtet.

Përveç maqedonishtes, gjuhë zyrtare në këtë vend është edhe gjuha, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës jomaqedonase, që i bie të jetë gjuha shqipe, edhe pse nuk përmendet si e tillë.

Në bazë të këtij formulimi kushtetues, shqiptarëve u sigurohen edhe të drejtat e tjera kombëtare, si përfaqësimi adekuat në institucione, përdorimi i simboleve kombëtare, gjuhësore e kulturore.

Pikërisht, ky formulim kushtetues ka politizuar edhe regjistrimin duke bërë që ai të mos mbahej për 20 vjet.

VMRO thotë se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Sofjen

Kreu i VMRO-së, Hristijan Mickoski.

Isuf Kadriu

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Bullgarinë, nëse zgjidhje që mund të arrihet do të dëmtojë interesat kombëtar dhe shtetërore të Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar të mërkurën, lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski.

Ai ka kërkuar nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) e kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, që të miratojë në Kuvend një rezolute për mbrojtjen e figurës dhe të identitetit të heroit kombëtar të maqedonasve, Goce Dellçev.

Kryetari i VMRO-së tha se dyshon që në bisedimet me palën bullgare, pala maqedonase, do të heqë dorë nga prejardhja maqedonase e Dellçevit, por edhe nga identiteti dhe gjuha maqedonase.

“Kam ofruar unitet që të gjithë së bashku të qëndrojmë pas mbrojtjes së interesave kombëtare pasi popullit i ka ardhur mbi kokë nga politikanët e korruptuar dhe të kriminalizuar, në llogari të identitetit të popullit maqedonas, të cilët po pasurohen dhe po bëjnë karrierë në kurriz të popullit maqedonas”, ka deklaruar Mickoski.

Ai tha se pozicionet në bisedimet me Bullgarinë janë rrënuar edhe për shkak të siç tha, faktit se në proces fjalën kryesore e kanë politikanët shqiptarë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

“Pozicionet negociuese po minohen, pasi identiteti maqedonas dhe i shtetit në përgjithësi është vendosur në ankand. Artan Grubi, Bujar Osmani dhe Ali Ahmeti ndryshimin e Kushtetutës e kanë vendosur në ankand dhe këtë po e vërteton administratori Kovaçevski, trashëgimtari i verbër i Zaevizmit. Me kërkesën tona që në Kuvend të miratohet një deklaratë për të madhin Goce Dellçev, jo vetëm që forcohen, por edhe më shumë i jepet rëndësi atyre që po negociojnë në tavolinë”, tha Mickoski.

Ai tha se edhe zyrtarëve bullgarë, kryeministrit, Kiril Petkov dhe presidentit, Rumen Radev ia ka bërë me dije se “VMRO-ja nuk do të pranojë asnjë marrëveshje të dëmshme mes dy vendeve”.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski hodhi poshtë pretendimet e opozitës duke theksuar se bisedimet me Sofjen janë transparente dhe se nuk mund të flitet për “tradhti të interesave kombëtare dhe shtetërore”.

“Procesi po zhvillohet në nivel të ekspertëve, që po punojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme me kapacitet të plotë, së bashku me kolegët e tyre nga Bullgaria dhe kur do të ketë një zgjidhje, e pranueshme për të dyja palët, kjo do të bëhet e ditur për opinionin, por edhe për këtë do të njoftohet të gjitha institucionet të cilat duhet ta miratojnë në përputhje me dispozitat në fuqi. Gjithçka që kemi biseduar deri më tani ka qenë transparente dhe asgjë nuk kemi fshehur, kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Kovaçevski.

Sipas tij, nuk qëndrojnë pretendimet e VMRO-së, se institucionet e Maqedonisë së Veriut po heqin dorë nga përkatësia etnike e Goce Dellçevit.

“Goce Dellçev është revolucionar i luftës nacionale maqedonase, që luftoi për shtet të pavarur në të cilin ne sot jetojmë, që është anëtare e NATO-s dhe në prag të nisjes së bisedimeve me BE-në, pas zgjidhjes së kontestit me Bullgarinë që duhet të zgjidhen ë frymën e vlerave evropiane dhe në frymën e respektit të ndërsjellë”, ka deklaruar kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

Goce Dellçev, një personalitet që ka vepruar kundër sundimit osman deri në vitin 1903 konsiderohet si hero dy shteteve, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Debati mes ekspertëve të dy vendeve, përskaj çështje për identitetin dhe gjuhën, përfshin edhe prejardhjen e shumë personaliteteve historike.

Sofja kërkon nga Shkupi që të pranojë rrënjët bullgare në gjuhën dhe identitetit maqedonas. Pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve për këto çështje, Bullgaria në nëntor të vitit 2020 përdori veton me çka u bllokua nisjen e bisedimeve të anëtarësimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.

Maqedonia e Veriut e gatshme t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë

Kryeministri bullgar Kiril Petkov dhe ai maqedonas Dimitar Kovaçevski.

Isuf Kadriu

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë zyrtarizuar krijimin e grupeve të punës, përmes të cilave synojnë vendosjen e bashkëpunimit në shumë sfera, përskaj atyre të historisë që të arrijnë një marrëveshje finale për kontestet që kanë bllokuar integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, që u mbajt në Sofje, u shprehën me tone optimiste se pesë grupet e punës do të japin rezultate për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Por, në prononcimet e tyre për mediat, ata folën shumë pak për thelbin e kontestit, që ka të bëjë me identitetin dhe gjuhën maqedonase si dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.

Anëtarët e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Sofje, 25 janar 2022.

Anëtarët e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Sofje, 25 janar 2022.

Maqedonia e Veriut, në samitin e Bashkimit Evropian në nëntor të vitit 2020, nuk e mori datën për nisjen e bisedimeve me bllokun evropian, për shkak të vetos bullgare. Sofja kërkon nga Shkupi që të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë maqedonase.

Në takimet e të hënës dhe të martës në Sofje, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se është folur edhe për të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut duke shprehur gatishmërinë për përfshirjen e tyre në Kushtetutë.

“Në Kushtetutën tonë, përveç popullit maqedonas, janë të përfshirë edhe shqiptarët dhe popuj të tjerë, dhe normalisht në rast se ka qytetarë të tjerë që ndihen ndryshe nga të tjerët, mund të përfshihen në Kushtetutë. Por, ky është një proces që kalon përmes ndryshimeve kushtetuese dhe besoj se kjo do të ndodhë në kuadër të ndryshimit të Kushtetutës apo përshtatjes së saj me kriteret evropiane. Ndërsa sa i përket çështjeve tjera që ekzistojnë mes dy vendeve, normalisht se do të bisedohet dhe kur të ketë rezultate, gjithsesi se ato do të bëhen të ditura për opinionin”, tha Kovaçevski.

Kreu i Qeverisë bullgare, Kiril Petkov, foli me tone optimiste se komisionet e historisë të dy vendeve, që sipas tij, janë shprehur të gatshëm për të intensifikuar punën që të ketë rezultate konkrete, sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, edhe Petkov nuk dha detaje konkrete, mbi thelbin e kontestit midis Sofjes dhe Shkupit.

“Përmes memorandumeve dhe iniciativave që i nënshkruam të martën do të kemi avancim të raporteve mes dy vendeve. Fqinjësia e mirë do të vendoset në piedestal… në takimet tona jemi pajtuar për një nivel të ri të punës së komisionit të përbashkët të historisë. Ekspertët e dy vendeve thanë se janë të gatshëm që energjia e re të kalojë në tone konstruktive dhe të ketë rezultate në punë”, deklaroi Petkov.

Kryeministri bullgar Petkov, tha se nuk pret që tensionet në Ukrainë të reflektohen në bisedimeve që po zhvillojnë Shkupi dhe Sofja, pasi dy vendet, sipas tij, po përballen edhe me sfida tjera ndërkombëtare, siç është pandemia e koronavirusit dhe kriza energjetike.

Në mbledhjen e parë të dy qeverive pas zgjedhjes në postet e kryeministrave, Kovaçevski dhe Petkov njoftuan për formimin e grupit të punës që mbulon bashkëpunimin në ekonomi, energjetikë, financa, inovacion dhe zhvillim, investime dhe bujqësi.

Grupi i dytë i punës në fokus do të ketë transportin, infrastrukturën, vetëqeverisjen lokale dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Sipas krerëve të qeverive të dy vendeve, grupit i tretë do të merret me integrimet evropiane, politikat e gjelbra dhe qeverisjen e mirë. Grupi i katërt do të përqendrohen në kulturën, arsimin dhe shkencën, turizmin dhe rininë e sportin. Grupi i pestë do të ketë çështjet më të ndjeshme, që në fakt edhe parqet thelbin e kontestit, aspektet historike mes dy vendet.

Nisma për grupet e punës dhe që së pari të diskutohet për bashkëpunimin ekonomik e pastaj për historinë, është e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov. Ai ka thënë se nga këto grupe pret rezultatet konkrete në gjashtë muajt e parë të këtij viti, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me dallimet kryesore mes dy vendeve, për gjuhën, identitetin, historinë dhe të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.


Send this to a friend