VOAL

VOAL

Maqedonia e Veriut do të strehojë përkohësisht 450 afganë

RFE/RL

Maqedonia e Veriut do të pranojë 450 afganë që janë duke ikur nga talebanët dhe do t’i strehojë ata derisa të kompletohet procesi i aplikimit për viza speciale amerikane.

Këta persona janë punëtorë dhe anëtarë të familjeve të afganëve, të cilët kanë punuar në misionet humanitare dhe paqeruajtëse, aktivistë nga organizata për të drejta të njeriut, gazetarë, përkthyes dhe studentë, ka thënë Qeveria maqedonase përmes një deklarate më 17 gusht.

Shkupi ka thënë se do të pranojë edhe afganë “të cilët kanë mbështetur trupat e NATO-s në 20 vjetët e fundit, përfshirë ushtrinë e Maqedoninë e Veriut”, e cila ka kontribuar me ushtarë te forcat e koalicionit – të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara – në Afganistan në periudhën 2002-2008.

Aktualisht në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit janë duke u zhvilluar një mori operacionesh të transferimit të personave që janë tejet të frikësuar nga regjimi i talibavëne.

Shumica e tyre kanë punuar bashkë me amerikanët apo me shtete tjera të NATO-s, si përkthyes apo në role tjera, gjatë luftës gati 20-vjeçare.

Shumica e 450 afganëve që do të nisen drejt Maqedonisë së Veriut pritet të arrijnë në këtë shtet në fund të javës, varësisht nga kushtet në aeroportin e Kabulit, është thënë në deklaratë.

Ministri i Jashtëm në Maqedoni të Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se nënshtrimi në masën e karantinës do të varet nga statusi i vaksinimit të këtyre personave kundër koronavirusit.

Përveç Maqedonisë së Veriut, edhe Kosova e Shqipëria kanë shprehur gatishmëri për të mirëpritur afganët që janë duke ikur nga shteti i tyre.

Autoritetet në të dyja vendet kanë konfirmuar se kanë diskutuar me autoritetet amerikane për strehimin e tyre, ndonëse ende nuk dihet saktë sa persona do të strehojnë ato.

Grupi i parë i afganëve pritet të arrijë të mërkurën në Shqipëri.

Autoritetet kanë konfirmuar se ata do të strehohen në Tiranë dhe Durrës.

Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.

Ende nuk dihet vendndodhja e tij.

Trupat amerikane janë duke kontrolluar aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, ndërkohë që banorë të dëshpëruar janë duke tentuar të ikin nga shteti.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje nga Afganistani duke thënë se “misioni asnjëherë nuk ka pasur për qëllim shtet-ndërtimin”.

“Jam shumë i trishtuar me faktet me të cilat përballemi tani, por nuk më vjen keq për vendimin tim për t’i dhënë fund luftës në Afganistan”, tha Biden në një fjalim drejtuar kombit më 16 gusht.

“Amerikanët nuk mund dhe nuk duhet të vdesin dhe të luftojnë në një luftë që afganët nuk janë të gatshëm të luftojnë për veten e tyre”, ka thënë presidenti Biden.

Sipas tij interesi kombëtar i Shteteve të Bashkuara në Afganistan ka qenë gjithmonë kryesisht në parandalimin e sulmeve terroriste.

Presidenti amerikan ka thënë se Qeveria afgane nuk arriti të dëgjojë këshillën e tij dhe të negociojë një zgjidhje politike me talibanët, duke shtuar se kolapsi i Qeverisë afgane ndodhi shumë më shpejt sesa që kishte pritur administrata e tij.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Rreth 100 shtetas të Maqedonisë së Veriut presin evakuimin nga Afganistani

Forcat e sigurisë afgane në Zonën e Gjelbër në Kabul më 15 gusht 2021.

Isuf Kadriu

Në Afganistan ndodhen rreth 100 shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë janë në pritje të evakuimit, pasi talibanët hynë në Kabul, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme.

Sipas një njoftimit me shkrim të kësaj ministrie, tani për tani të gjithë ata janë në vende të sigurta dhe bëhet fjalë kryesisht për shtetas të angazhuar nëpër kompani të huaja.

“Nga informacionet e fundit që kemi marrë, kompanitë që punësojnë punëtorë nuk përballen me ndonjë vështirësi dhe kanë rezervuar fluturimet e tyre për të evakuuar punëtorët e tyre dhe disa prej tyre tashmë janë transferuar në disa nga vendet fqinje dhe transferimi i tyre në vend nuk diskutohet”, thuhet në njoftimin e MPJ-së maqedonase.


Në 24 orët e fundit, disa qytetarë që kanë të afërm ose miq në Afganistan telefonuan Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe pyetën për situatën atje, por nuk kërkuan ndihmë për shpëtimin e tyre.

Ministria e Punëve të Jashtme thekson se situata po monitorohet nga afër dhe se disa vende tashmë kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar sa i përket evakuimit për qytetarët maqedonas.

“Nga udhëzimi i djeshëm i rrjetit tonë diplomatik për kontakt me ministritë e jashtme përkatëse në vendet që mbulojnë, të dielën disa nga ambasadat dhe konsullatat tashmë janë kontaktuar dhe disa nga vendet mike, kanë shprehur gatishmërinë që fluturimet e mundshme të evakuimit të jenë në dispozicion edhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Maqedonia e Veriut gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për strehuar afganët, veçanërisht grave dhe fëmijëve të udhëheqësve të shoqërisë civile, jeta e të cilëve është në rrezik për shkak të bashkëpunimit me shtetet perëndimore. Këtë gatishmëri të Maqedonisë së Veriut, por edhe të shteteve tjera, e ka bërë të ditur ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright.

“Ne duhet të përqendrohemi në shpëtimin e jetëve në Afganistan. Shtetet e Bashkuara po punojnë për të evakuuar njerëzit në rrezik të veçantë nga talibanët, dhe unë jam mirënjohës ndaj Shqipërisë, Kanadasë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për sigurimin e strehimit për aleatët tanë afganë, veçanërisht gratë dhe fëmijët e udhëheqësve të shoqërisë civile. Shpresoj se ky shembull do të ndiqet nga të tjerët,” shkroi në Twitter, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright.

Intervista – Ahmeti: Në 20 vjetorin e marrëveshjes së Ohrit, arritje dhe sfida në zbatimin e saj

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti flet për rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit që u nënshkrua para 20 vjetësh duke i dhënë fund konfliktit të armatosur midis Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave ushtarake e policore maqedonase. Zoti Ahmeti, i cili ishte drejtues i UÇK-së e vlerëson si hap të rëndësishëm miratimin e pjesës normative të Marrëveshjes, teksa thotë se ka ngecje të zbatimit të disa pjesëve të saj në praktikë. Ai theksoi në intervistën me korrespondentin e Zërit të Amerikës, Isak Ramadani se me këmbëngulje do të vazhdohet me respektimin e Marrëveshjes, të cilën e quan paqësore dhe shembull për zgjidhjen e konflikteve jo vetëm në rajon por dhe më gjerë.

Zëri i Amerikës: Z. Ahmeti, ju nuk jeni nënshkrues i Marrëveshjes së Ohrit, por jeni shkaktar për arritjen e saj. Përgjatë viteve ka pasur politikanë që e kanë quajtur marrëveshjen të vdekur. Marrëveshja e Ohrit, ndërkohë është shkrirë në ligje dhe Kushtetutë. Por ka ende elemente që nuk zbatohen në praktikë. Pse?

Ali Ahmeti: Është shumë me rëndësi që pjesa normative e Marrëveshjes paqësore të Ohrit është e përfunduar, por ka edhe shumë punë për t’u bërë edhe më tutje në pjesën praktike-pragmatike për t’u zbatuar e materializuar ajo pjesë normative e cila ka kaluar në organet legjislative të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pra, duhet të jemi shumë të hapur në këtë temë: një marrëveshje që del nga një kryengritje nuk është edhe aq lehtë për t’u zbatuar me përpikmëri në bazë të marrëveshjes së nënshkruar.

Zëri i Amerikës: Si u bë që dokumenti aq i rëndësishëm (origjinali) u zhduk për kaq gjatë dhe u gjet vetëm tash para 20 vjetorit të nënshkrimit. A kishte qenë gjatë gjithë kohës tek eksponentë të PPD-së? (Partia për Prosperitet Demokratik)

Ali Ahmeti: Kemi bërë hulumtime në Arkivin e shtetit dhe nuk ka rastisë që ta gjejmë këtë dokument dhe më në fund e ka dorëzuar njëri nga pjesëmarrësit në Marrëveshjen e Ohrit. Pastaj në mënyrë të organizuar është dorëzuar nga Ministri për Sistem Politik dhe Zëvendës-Kryeministër i parë, dhe sigurisht është mbajtur protokoll e shënim për dorëzimin e këtij dokumenti. Në këtë rast nuk ka pasur diçka të qëllimshme, por nuk është i qëllimshëm as tani me veprimin e fundit të dorëzimit në mënyrë publike të dokumentit (origjinal) të Marrëveshjes së Ohrit.

Zëri i Amerikës: Marrëveshja duhej zbatuar deri në vitin 2004. Si e shikoni ritmin e miratimit dhe zbatimit të saj në praktikë?

Ali Ahmeti: Ka edhe shumë për t’u bërë por ne kemi përkushtim, kemi përgatitje, kemi përvojën e duhur; Kemi investuar në ngritjen dhe përgatitjen e kuadrove dhe mendojmë se do t’ia dalim me sukses edhe në ato çështje të cilat kanë mbetur pa u materializuar dhe kjo tani më është çështje kohe, çështje e një procesi që është duke u zhvilluar bukur mirë dhe jam shumë optimist sepse baza është ndërtuar shumë e fortë dhe nuk ka më kthim prapa. Ne nuk kemi hyrë në këtë luftë dhe nuk e kemi bërë Marrëveshjen paqësore të Ohrit që ta marrim hisen e tjetërkujt, por ama ne kemi luftuar që të mos jemi qiraxhinj në shtëpinë tonë, por të jemi zotë në shtëpinë tonë. Dhe vetë komuniteti maqedonas është ndërgjegjësuar se Marrëveshja e Ohrit ka qenë dhe mbetet në dobi të shtetit. Dmth nuk është ai opinion që ka ekzistuar para 20 vjetësh.

Zëri i Amerikës: A ka gatishmëri tek pala maqedonase, nëse keni biseduar me drejtues të partive të tyre që termi “20%” në kushtetutë, i cili u referohet shqiptarëve të ndryshojë dhe të emërtohet në mënyrë të përshtatshme, si “shqiptarë”?

Ali Ahmeti: Unë mendoj se kjo çështje është bërë më shumë mediatike se sa problem real. Kjo qenë puna më e vogël nëse ne do ta kishim futur në bisedime në mandatin që lamw ose në këtë mandat çështjen e ndryshimit të këtij pasusi në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe do të ishte çështja më e lehtë përpara Ministrit të Jashtëm, Zëvendës-Kryeministrit të parë, apo të Kryeministrit. Nuk ka qenë aq e lehtë për t’u pranuar dhe për t’i bërë këto negociata. Pra kjo është një çështje që me një mirëkuptim nga palët sepse dihet që 20 përqindësh që definohet në Kushtutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) është si një moment kompromisi që kemi që e kemi bërë në vitin 2001 gjatë negociatave, edhepse unë nuk kam qenë në tryezë të negociatave, por Marrëveshja paqësore e Ohrit më parë është pranuar nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK) e më pas është hedhur në tavolinë për t’u pranuar nga të tjerët. Ne kemi bërë por pa e rrezikuar dhe pa e cënuar substancën e Marrëveshjes paqësore të Ohrit. Kështu që është çështje kohe që këto gjëra të rregullohen në Kushtetutën e RMV-së.

Zëri i Amerikës: Rivalët politikë por dhe të tjerë ju kritikojnë dhe akuzojnë në lidhje me statusin e pazgjidhur të veteranëve të UÇK-së, përderisa ish-pjesëtarët e forcave ushtarake e policore maqedonase morën pensione nga shteti. A ka vend për këto kritika?

Ali Ahmeti: Ne kemi nënshkruar që të gjithë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që kanë nevojë për trajtim se kanë pësuar trauma, do të trajtohen në institucione të ndryshme shtetërore, por nuk kemi një marrëveshje që ushtarët e UÇK-së do të përfitonin nga pensionet apo fondet e shtetit, por në bazë të Marrëveshjes që kemi nënshkruar dhe që ne në përpikmëri e kemi respektuar, ushtarët e UÇK-së do të trajtohen si të gjithë qytetarët në institucionet shtetwrore. Sot i keni pjesën dërrmuese të ish-ushtarëve të UÇK-së në polici, në ushtri, në administratë…

Zëri i Amerikës: A është kjo një marrëveshje për paqen afatgjatë të këtij vendi, apo mund të ketë zgjerim të kërkesave për, siç paralajmërojnë një pjesë e politikanëve maqedonas, për federalizim, apo ndryshim të sistemit kushtetues?

Ali Ahmeti: Çdo analizë e frikshme që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit bëhet me qëllim të frikësimit të popullit. Marrëveshja është në dobi të popujve dhe të shtetit, paqes dhe qëndrueshmërisë. Unë vendin tim dhe tëndin, vendin tonë, pas dhjetë vitesh e shoh të anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Nëse para dy-tre vitesh ka qenë e pabesueshme, utopi që ky vend të jetë në NATO, sot Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s. Vetëm se duhet t’i bëjmë detyrat, t’i përmbushim standardet që kërkohen nga ne; të mbisundojë shteti ligjor.

Ahmeti për AA: Marrëveshja e Ohrit shpëtoi vendin nga tragjedi të mundshme

“Është intervenuar në kohë, duke pasur parasysh përvojat e hershme si në Bosnjë dhe Kosovë që ndodhën. Komuniteti ndërkombëtar ishte shumë më i shpejtë dhe ndërhyri mes palëve për të filluar negociatat për një marrëveshje të mundshme paqësore”

Abdulbesar Ademi, Abdula Berisha   |12.08.2021

Kreu i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, lidhur me zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka deklaruar se pjesa legjislative e saj është përmbushur, por “pjesa pragmatike ka akoma për të bërë”.

Maqedonia e Veriut nesër shënon 20-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend, shqiptar dhe maqedonas.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), kreu i BDI-së thekson se Marrëveshja e Ohrit është një ndër dokumentet më të rëndësishme të Maqedonisë së Veriut, sepse kjo marrëveshje “shpëtoi vendin nga tragjedi të mundshme”.

“Marrëveshja e Ohrit shpëtoi vendin nga tragjedi të mundshme, që mund të ndodhnin nga ndarjet, tragjedi të panumërta në humbje njerëzish. Është intervenuar në kohë, duke pasur parasysh përvojat e mëhershme si në Bosnjë dhe Kosovë që ndodhën. Komuniteti ndërkombëtar ishte shumë më i shpejtë dhe ndërhyri mes palëve për të filluar negociatat për një marrëveshje të mundshme paqësore”, shprehet Ahmeti.

Ahmeti foli edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për çka tha se nga kjo marrëveshje kanë fituar të gjithë komunitetet që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, por shtoi se ka akoma punë për të bërë.

“Marrëveshja e Ohrit është zbatuar, pjesa legjislative është përmbushur, pjesa pragmatike ka akoma për të bërë. Nuk duhet të jemi mendjemëdhenj që të themi është mbyllur gjithçka, ke akoma dikastere pa përfaqësim të komuniteteve të tjera, përfshirë këtu shqiptarët, turqit, romët e kështu me radhë. Akoma ka paragjykime nga komuniteti maqedonas se po e humbin shtetin e tyre. Nga Marrëveshja e Ohrit kanë fituar të gjithë. Kanë fituar edhe maqedonasit, sepse të fitosh paqe, stabilitet dhe siguri, sigurisht që kjo është një fitore shumë e madhe”, deklaron Ahmeti

Nga Marrëveshja e Ohrit, Ahmeti thotë se kanë fituar edhe besimet fetare, si ai evangjelist dhe ai hebraik, besime të të cilave nuk u njiheshin të drejtat e legjitimitetit.

“Themelet e shtetit i forcoi Marrëveshja e Ohrit dhe i afroi komunitetet. Ne nuk kemi qenë egoistë vetëm për vete, por kemi hapur shteg edhe në ushtri, por edhe në arritjen e marrëveshjes që të trajtohemi të gjithë të barabartë”, shprehet Ahmeti.

I pyetur rreth motos së jubileut të 20-të të nënshkrimit të marrëveshjes “Përtej Ohrit”, Ahmeti thotë se kjo nënkupton që vendi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE), të ketë standarde të përafërta me vendet e BE-së, por edhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithëve pavarësisht përkatësisë etnike.

“Kjo është Maqedonia përtej Ohrit. Me standarde, me sundim të ligjit, me luftë kundër korrupsionit dhe me një Maqedoni të sigurt për të jetuar. Kemi aq shumë punë për të bërë për ta tejkaluar Ohrin, edhe në fushën e ekonomisë, edhe në fushën e ambientit. Ne akoma kemi vendbanime pa kanalizime, ne akoma kemi ajrin që ndotet nga amvisëritë ose biznese të ndryshme. Sa më shumë që thellohesh, aq më shumë sheh se sa punë ke përpara për të bërë”, thotë Ahmeti.

Marrëveshja e Ohrit

Konflikti ndëretnik shpërtheu në fillim të vitit 2001 mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe forcave të sigurisë së Maqedonisë për shkak të pakënaqësisë së shqiptarëve, të cilët kërkonin përfaqësim më të lartë dhe avancimin e të drejtave të tyre në vend.

Gjatë konfliktit, që zgjati disa muaj, në kryeqytetin Shkup filluan negociatat mes palëve, për të vazhduar më tej në Ohër ku u bë përafrimi i dokumentit. Këto negociata zgjatën dy muaj dhe u mbyllën me sukses më 13 gusht të atij viti me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë në rezidencën presidenciale në Shkup.

Pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes ishin krerët e partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesit e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-së.

Marrëveshja çoi në avancimin kryesisht të të drejtave të shqiptarëve, por edhe të komuniteteve të tjera pakicë në vend, gjegjësisht të komunitetit turk, boshnjak, serb, vlleh dhe rom. Përgjatë viteve, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes Kornizë janë miratuar mbi 130 ndryshime dhe plotësime ligjore, prej të cilave pjesa më e madhe janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të drejtë, ndërsa një pjesë e tyre janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

20 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, opinioni i ekspertëve dhe publikut të gjerë për marrëveshjen është i ndarë. Për disa kjo marrëveshje kontribuoi në ndërtimin e Maqedonisë së Veriut multietnike, garantoi dhe promovoi të drejtat e komuniteteve më të vogla etnike, ndërsa disa mendojnë se duhet akoma shumë të bëhet për ta zbatuar atë.

Ahmeti ishte udhëheqësi politik i UÇK-së dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së vitit 2001 ai themeloi BDI-në. Që nga ajo kohë, kjo parti politike ka luajtur një rol kyç në çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Në hasmëri të përhershme nuk ecet përpara”

Në intervistën për AA, kreu i BDI-së foli edhe rreth iniciativës “Ballkani i Hapur” ku bëjnë pjesë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, por nuk janë bashkangjitur Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Sipas Ahmetit, kjo temë kërkon trajtim të qetë dhe pa emocione.

“Është një temë shumë e ndjeshme. Është një temë që kërkon trajtim të qetë, pa emocione, pa ngarkesa. Në hapësirat e Ballkanit Perëndimor, kryesisht në territoret e ish-Jugosllavisë, janë bërë luftëra të përgjakshme dhe këto lufta kanë përfunduar para 22 vjetësh. Tash e 22 vjet nuk kemi përplasje të armatosura, kemi marrëveshje që kërkojnë zbatim e materializim dhe ky rajon duhet të pajtohet”, tha Ahmeti.

Duke marrë shembull gjermanët dhe francezët pas Luftës së Dytë Botërore, ai thotë se duhet të vendoset një standard komunikimi në mënyrë që të mos përsëriten luftërat e para 25 viteve në territoret e ish-Jugosllavisë.

“Në hasmëri të përhershme nuk ecet përpara. Edhe pse situata është shumë e ndjeshme në raport Serbi-Kosovë, në raport Bosnjë-Serbi, në raport Mali i Zi-Serbi, sepse në këtë kontekst Mali i Zi ndjehet i rrezikuar si një vend i vogël nga Serbia. Por me pretendime të politikave të së kaluarës nuk ecet përpara, me politika ekspansioniste, pushtuese, asimiluese, nuk ecet përpara”, thekson Ahmeti.

Sipas tij, lidhur me iniciativën “Ballkani i Hapur” nevojitet sqarim, komunikim dhe bashkëpunim i sinqertë mes vendeve të rajonit, duke theksuar se të gjitha vendet duhet të investojnë në ndërtimin e paqes, sigurisë dhe ardhmërisë.

“E vetmja mënyrë është tanimë komunikimi, bashkëpunimi i sinqertë mes vendeve, pa parë që të jenë uzurpatorë dhe totalitarë, por të jenë komunikues, bashkëpunues dhe të vendoset drejtësi dhe barazi mbi të gjithë. Komunikim i lirshëm i njerëzve, ekonomi stabile pa ndikime apo mbisundime dhe mendoj që e lehtë nuk është, por duhen sqarime, duhen komunikime, përndryshe, duhet të jemi anëtarë të BE-së, duhet të jemi në Evropën e bashkuar”, thotë Ahmeti.

Qëllimi kryesor i iniciativës “Ballkani i Hapur”, e cila u formalizua në një forum ekonomik të mbajtur në fund të korrikut në Shkup, është të bëjë nismat ekzistuese rajonale më efektive në mënyrë që të arrihen rezultate praktike dhe të dukshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Nisma gjithashtu synon të arrijë krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, i cili, si një formë kalimtare, duhet ta çojë rajonin më pranë BE-së dhe të përshpejtojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë.

“Interesimi ynë, raportet me Turqinë të jenë në kuadër të marrëdhënieve miqësore”

I pyetur rreth marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, Ahmeti thotë se marrëdhëniet janë miqësore, ndërsa përshëndet komunikimin në të gjitha fushat, që sipas tij, është në avancim e sipër.

“Sigurisht që interesimi ynë në vazhdimësi ka qenë që raportet me Turqinë të jenë në kuadër të marrëdhënieve miqësore. Ka komunikim, ka bashkëpunim në të gjitha fushat, në fushat politike, në fushën e ekonomisë, ka investime nga Turqia dhe ky komunikim është për t’u përshëndetur, është në avancim e sipër me kalimin e kohës”, tha Ahmeti.

Grubi: Universiteti “Nënë Tereza”, evolucion në vete i marrëveshjes paqësore të Ohrit

Shkup

Zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve midis Komuniteteve, Artan Grubi, në tryezën e rrumbullakët kushtuar 20-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit ka deklaruar se nga tani do të fillojnë një kapitull të ri përtej Ohrit për të ndërtuar të ardhmen e vendit në frymën e kësaj marrëveshjeje, por “kompatibil me të nesërmen”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, Grubi theksoi se një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit është arsimi sipëror që filloi nëpërmjet legalizimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT). Ai po ashtu vlerësoi edhe legalizimin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, si hap i dalë nga Marrëveshja e Ohrit.

“Universiteti ‘Nënë Tereza’ është evolucion në vete i marrëveshjes paqësore të Ohrit. U themelua pa asnjë britmë, pa asnjë kritikë, pa asnjë zë oponence në Kuvend, por në mënyrën më të mirë dhe më të qetë të mundshme me përkrahje shumë të gjerë”, u shpreh Grubi.

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup filloi me punë më 27 tetor të vitit 2016 në ndërtesën e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut dhe që nga ajo kohë është në përpjekje për të ndërtuar një objekt të ri personal. Ky universitet, edhe pse gjatë themelimit hasi në disa pengesa për shkak të mungesës së kuadrit dhe objektit, operon me pesë fakultete, respektivisht në shkenca sociale, në shkenca informatike, në shkenca teknologjike, në shkenca teknike dhe në ndërtimtari dhe arkitekturë.

Duke folur për shënimin e 20-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën institucionet shtetërore tashmë kanë filluar aktivitetet kushtuar kësaj dite, zv/kryeministri Grubi njoftoi se këtë vit motoja do të jetë “Përtej Ohrit”.

“Çfarë ka (ndodhur) deri më 2021-shin ishte deri tek Ohri, pas 2021-shin, siç e thashë kush e ka guximin të na bashkangjitet, sepse do të fillojmë kapitullin e ri përtej Ohrit. Aty do të na duhet ndihma e gjithë secilit, të gjitha tre universitetet të cilët ligjërojnë në gjuhën shqipe këtu në vendin tonë, gjithë botës akademike, gjithë botës së biznesit, gjithë botës politike, sepse do të duhet të ndërtojmë koncepte të reja në të cilat ne si komunitet i dytë shumicë, bashkë edhe me komunitetin shumicë dhe komunitetet e tjera të ndërtojmë të ardhmen e këtij vendi në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por të jemi kompatibil me të nesërmen duke qenë shumë të vetëdijshëm me të sotmen në të cilën jetojmë”, deklaroi Grubi.

Marrëveshja Kornizë, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 në Rezidencën Presidenciale në Shkup mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-ve. Kjo marrëveshje, negociatat e të cilës filluan në Shkup për të vazhduar më tej në Ohër ku u bë përafrimi i dokumentit, i dha fund konfliktit ndëretnik të vitit 2001 ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha etnike në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve.

Maqedonia e Veriut nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim ndërkufitar me Bullgarinë dhe Kosovën

Shkup

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale i Maqedonisë së Veriut, Goran Milevski deklaroi se vlera e përgjithshme e projekteve për bashkëpunim ndërkufitar me Bullgarinë dhe Kosovën arrin 3.6 milionë euro të siguruara nga IPA Programi për bashkëpunim ndërkufitar i Bashkimit Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Milevski sot së bashku me kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve publike të komunave të ndryshme në vend i nënshkruan 12 marrëveshjet për bashkëfinancim nacional të projekteve të shpërndara përmes IPA Programit ndërkufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe Interreg – IPA Programit ndërkufitar mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ai theksoi se vlera e përgjithshme e projekteve është 3.6 milionë euro dhe se mjetet janë siguruar nga IPA Programi për bashkëpunim ndërkufitar me Kosovën dhe me Bullgarinë.

“Tetë projekte do të financohen nga programi për bashkëpunim ndërkufitar me Bullgarinë ndërsa 4 projekte do të financohen nga programi për bashkëpunim ndërkufitar me Kosovën. Vlera e përgjithshme e projekteve me Bullgarinë është 2.7 milionë euro ndërsa me Kosovën është 900 mijë euro”, tha ministri.

Në këtë mënyrë, siç theksoi ministri Milevski, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale i stimulon aplikuesit potencialë që më me guxim të hyjnë në partneritetet për bashkëpunim ndërkufitar dhe të përgatisin projekte që janë të rëndësishme për shtetin dhe për qytetarët në rajonet ndërkufitare.

Duke rikujtuar se bashkëfinancimi nacional është kusht i detyrueshëm për shfrytëzimin e mjeteve të programit, ministri Milevski tha se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale nga buxheti i saj do të sigurojë 337 mijë euro për të mbuluar 15 për qind të bashkëfinancimit.

Ndryshime në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut, kush sulmon gazetarët, kameramanët apo fotoreporterët dënohet deri në 3 vite burg

MAQEDONI E VERIUT

Ndryshimet e reja në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut do të sjellë ashpërsim të dënimeve ndaj autorëve që sulmojnë gazetarët, kameramanët apo fotoreporterët.

Ministri i Drejtësisë njoftoi se me ndryshimet e reja ata që do të sulmojnë gazetarët mund të dënohen me gjobë deri në 3 vite burg.

Nga ana tjetër do të ketë ulje gjobash për shpifjet nga media. Ndryshimet do të miratohen në shtator dhe prej atëhere sulmet ndaj punonjësve mediatikë do të trajtohen si sulme ndaj zyrtarëve të shtetit.bw

Shkup – Organizatorët e dhunës në kuvend dënohen me 25 vjet burgim

Protestuesit duke hyrë në ambientet e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. 27 prill 2017.

Isuf Kadriu

Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me 25 vjet burg organizatorët e dhunës në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, më 27 prill të vitit 2017.

Ish-kryetarin e kuvendit, Trajko Veljanovski gjykata e dënoi me gjashtë vjet e gjashtë muaj burg, ish-ministrat Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski u dënuan me nga gjashtë vjet e tre muaj burg, ndërsa me gjashtë vjet burg u dënua ish-drejtori policisë sekrete, Vlladimir Atanasovski.

Për ish-kryeministrin, që gjendet në arrati, Nikolla Gruevski dhe zyrtarin policor, Nikolla Boshkovski, procedura u ndërpre deri në kapjen e tyre dhe nxjerrjen para drejtësisë.

Të dënuarit janë shpallur fajtorë për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, bazuar në nenin 313 të Kodit Penal.

Gjykatësi Ilija Trpkov tha se procedura gjyqësore, bazuar në faktet e paraqitura nga më shumë se 100 dëshmitarë, këta persona i shpallë fajtorë për atë që kishte ndodhur në kuvend më 27 prill të vitit 2017, kur një turmë e madhe njerëzit kishte hyrë me dhunë në institucionin ligjvënës për të penguar zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit, Talat Xhaferi.

“Për atë qëllim, të pandehurit organizuan dhe mbështetën materialisht protestat masive, së pari para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe pastaj protestat e lëvizjes ‘Për një Maqedoni të Bashkuar’, e cila kulmoi me hyrjen me forcë në kuvend më 27 prill 2017. Të pandehurit, si organizatorë, përfshin në organizimin e këtij akti të gjithë strukturën e partisë dhe mjetet materiale për të përmbushur qëllimin. Për t’ia arritur qëllimit ata mundësuan reduktimin e numrit të oficerëve të policisë që siguronin protestat dhe ndërtesën e kuvendit”, ka thënë veç tjerash gjykatësi Trpkov, duke shpallur vendimin e trupit gjykues.

Video nga arkivi: Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

“Shteti mbrohet mendje dhe zemër, jo me dhunë”, tha gjykatësi Trpkov, sipas të cilit, me sulmin e organizuar ndaj kuvendit janë shkelur themelet demokracisë.

Gjykatësi gjithashtu iu referua deklaratës së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili kishte ftuar njerëzit “Të mos rrinë në shtëpi me pantofla, por të dalin dhe të marrin fatin në duart e tyre”.

Gjykatësi gjithashtu kujtoi se ish kryetari i kuvendit, Veljanoski në seancën konstituive nuk e ndryshoi pikën në rendin e ditës me kërkesë të dhjetë deputetëve, siç e parasheh rregullorja, por e përfundoi seancën. Por, para kësaj, ai lejoi një deputet të këndonte himnin shqiptar për të tensionuar situatën. Sipas gjykatësit, Trajko Veljanovski e kishte bërë këtë veprim pasi e kishte informuar ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski i cili ndodhej në Vjenë se pas orës 17:00, Lidhja Social Demokrate (LSDM) do të zgjidhte Talat Xhaferin për kryetar të kuvendit. Në një situatë të tillë, ish-ministri Mile Janakieski kishte kërkuar nga deputeti Krsto Mukoski i (amnistuar për veprën e bërë), që të hapte dyert e kuvendit për t’i mundësuar turmës që të pushtonte institucionin ligjvënës.

Nga dhuna e protestuesve që kishin hyrë në kuvend, ishin lënduar shumë deputetë, ndërsa më së rëndi e kishin pësuar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

Dhuna shpërtheu disa minuta pas zgjedhjes së Talat Xhaferi në postin e kryetarit të kuvendit. Zgjedhja e tij u kundërshtua nga partia maqedonase, VMRO-DPMNE, e cila ishte ende në pushtet.

Për veprën e njëjtë, gjykata deri më tani kanë dënuar 16 persona me mbi dhjetë vjet apo gjithsej 211 vjet burg, nën akuzën e “kërcënimit terrorist të rendit kushtetues”.

Kreu i shtetit maqedonas, Stevo Pendarovski kishte nxitur reagime në opinion pas një deklarate që synonte rigjykimin e të dënuarve për dhunën e përgjakshme në kuvend.

“Njerëzit që ishin futur në kuvend nuk janë terroristë. Këtë e them pas konsultimeve të gjera që kam realizuar me ekspertë të ndryshëm”, kishte deklaruar presidenti Pendarovski, në një intervistë televizive. Por kjo deklaratë, përveç nga VMRO-DPMNE-ja, u kundërshtuar nga të gjitha partitë tjera politike duke e vlerësuar si presion dhe ndërhyrjen e punën e gjyqësorit.

Maqedonia e V. – Mijëra shqiptarë në pritje të miratimit të Ligjit për shtetësinë

Një protestë e shqiptarëve në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, të enjten është vendosur në procedurë parlamentare miratimi i ndryshimeve në Ligjin për shtetësinë, që është propozuar nga opozita shqiptare, që përbëhet nga Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët.

Ndryshimet e këtij ligjit të diskutueshëm tani një kohë të gjatë synojnë zgjidhjen e problemit të mijëra qytetarëve, kryesisht shqiptarë, të cilët edhe 30 vjet nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, nuk kanë arritur të pajisen me shtetësi.

Por ky propozim-ligj që mbështetet edhe nga partitë në pushtet, Lidhja Social Demokrate (LSDM) e kryeministrit Zoran Zaev, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e Ali Ahmetit, që bën pjesë në koalicionin qeverisës, ka nxitur reagime të shumta nga partitë opozitare maqedonase.

Opozita maqedonase ka paralajmëruar se do ta bllokojë ligjin në forma të ndryshme, pasi ka thënë se është antikushtetues. Opozita argumenton se përmes këtij ligji synohet pajisja me shtetësi, pa asnjë kriter, e mijëra personave të tjerë, që mund të ndryshojnë edhe përbërjen etnike të vendit, duke aluduar në shqiptarët.

Skënder Rexhepi, kryetar i Grupit Parlamentar i opozitës shqiptare, thotë se me këtë propozim-ligji synohet të zgjidhet një problem jetësor i mijëra shqiptarëve të cilët sigurimi i shtetit, sipas tij, i kishte shpallur të rrezikshëm duke ua mohuar edhe të drejtat me elementare për jetë.

“Ligji i cili aktualisht është në fuqi, është në dëm të qytetarëve të cilat kanë problem me pajisjen me shtetësi, e të cilët jetojnë në kushte mizore në këtë shtet. Sigurimi i ka lënë mijëra njerëz pa shtetësi deri sot, duke i karakterizuar ata si të rrezikshëm për shtetin, pavarësisht se kanë bërë edhe nga 70 vjet jetë këtu”, ka deklaruar Rexhepi.

Kryeministri Zoran Zaev, njëherësh kryetar i LSDM-së, thotë se propozimi parasheh lehtësira, përfshirë dhe përvojat evropiane për personat që kanë probleme gjatë marrjes së shtetësisë.

“Me ligjin e ri vetëm se zgjerohen kriteret dhe lehtësohen procedurat që këta njerëz të mund të pajisjen me shtetësi. Janë rreth 15 apo 16 kritere të reja, në bazë të procedurës mbi ndryshimet e fundit në Ligjin për shtetësi në vitin 2004. Në kuadër të propozim-ligjit kemi përfshirë edhe rregullativën evropiane sesi mund të jepet shtetësia në raste të ndërlikuara që nuk e arritën këtë të drejtë në procedurën normale”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Ligji parashihet të miratohet me procedurë të shpejtuar dhe “Yll Evropian”, një procedurë që mundëson miratimin e ligjit brenda disa ditësh.

Pikërisht forma e tillë e miratimit të ligjit, ka bërë partitë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-në dhe “E Majta” të paralajmërojnë bllokimin e tij përmes formave të ndryshme. VMRO-ja këtë po e bën përmes ndërhyrjeve procedurale, ndërsa “E Majta” me amendamente.

“Ne do të bllokojmë kuvendin për të detyruar pushtetin që të heqë dorë nga miratimi i këtij ligji, pasi ka për qëllim që në mënyrë artificiale të pajisë me shtetësi rreth 70 apo 80 mijë persona. Ky ligji nuk guxon të kalojë. Ne tashmë kemi dorëzuar edhe një propozim tonin, me të cilin parashihen dënime me burg për çdokënd që keqpërdor procedurën e shpejtuar për miratimin e ligjeve, siç po ndodh edhe në rastin konkret me Ligjin për shtetësinë”, ka deklaruar deputeti i partisë ”E Majta”, Borisllav Krmov.

Opozita shqiptare veprimin e opozitës maqedonase e quan të turpshëm.

“Është e turpshme për këta deputetë, që një pikë kaq të rëndësishme për qytetarët, e kanë kaluar në banalitet. Nuk është në rregull që deputetët e VMRO-së të vazhdojnë me ndërhyrje procedurale për të penguar miratimin e Ligjit për shtetësinë ndërsa nesër dalin dhe kërkojnë vota nga qytetarët shqiptarë. Kjo është tallje nëse mendoni se ne nuk e dimë qëllimin tuaj”, ka deklaruar Skënder Rexhepi, kryetar i Grupit Parlamentar i opozitës shqiptare.

Mbetet në fuqi dënimi për ish-kryeprokuroren e Maqedonisë së V.

Isuf Kadriu

Gjykata e Apelit në Shkup la në fuqi dënimin me 7 vjet burg për ish-kryeprokuroren speciale, Katica Janeva, dhe 9 vjet burg për Bojan Jovanovskin, i njohur si Boki 13, pronor joformal i televizionit “1TV”.

Dënimet e tyre lidhen me aferën e njohur si “Reket”.

Janeva dhe Jovanovski janë shpallur fajtorë për marrje të 1.5 milion eurove ryshfet nga biznesmeni Orce Kamçev, për t’i mundësuar atij lehtësime në një proces gjyqësor që zhvillohej kundër tij.

Jovanovskin, aktakuza e ka ngarkuar për veprën penale “marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm dhe pastrim parash”, kurse Janevën për “shpërdorim të detyrës, të pozicionit dhe të autoritetit si prokurore speciale publike”.

Të dy aktualisht janë në arrest shtëpie, por tani që vendimi ka marrë formën e prerë, ata do të duhet të shkojnë në burg.

Ata mund të ankohen në Gjykatën Supreme, por, sipas ligjit, kjo nuk do të mund të evitojë shkuarjen në burg menjëherë.

Ish-kryeprokurorja speciale, Janeva, është arrestuar më 21 gusht të vitit 2019, pasi në opinion kanë dalë dëshmi për përfshirjen e saj në aferën e njohur si “Reketi”.

Ajo ishte emëruar në krye të Prokurorisë Speciale menjëherë pas themelimit të saj në vitin 2015.

Kjo prokurori ishte themeluar për të hetuar aferën e përgjimeve, që ishte zbuluar nga kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, në vitin 2013.

Zaev, tani kryeministër i Maqedonisë së Veriut, atëbotë ka qenë në opozitë.

Prokuroria Speciale kishte iniciuar shumë vepra penale kundër ish-zyrtarëve të Qeverisë së kaluar, që drejtohej nga Nikolla Gruevski, por përfshirja e Janevës në aferën korruptive ka prishur imazhin e kësaj prokurorie, duke çuar në shurjen e saj.

Lëndët e saj gjyqësore kanë kaluar në prokurorinë e rregullt, por shumë prej tyre ende nuk kanë marrë epilog gjyqësor.

Maqedoni e Veriut, kreu i BFI-së mesazh urimi për festën e Kurban Bajramit

Shkup

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, uroi besimtarët myslimanë të vendit dhe bashkatdhetarët për festën e Kurban Bajramit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në mesazhin e tij, Fetahu përmes “urimeve të përzemërta” lutë Allahun Fuqiplotë në këtë Festë të bekuar “t’i pranojë lutjet tona, kurbanët tonë dhe ibadetet tona, ta forcojë paqen në botë, ta largojë të keqen në mes njerëzve, t`na dhuroi durim në sprovat e kësaj jete”.

Ai gjithashtu shprehet se festa e Kurban Bajramit sjell gëzime të mëdha në familjet dhe mbarë muslimanët në vend dhe më gjerë.

“Kurban Bajrami është Festë e madhe sepse në vete përmban shumë dimensione historike dhe shoqërore me domethënie të jashtëzakonshme për njerëzimin në përgjithësi, e për besimtarët në veçanti”, thuhet në urimin e kreut të BFI-së.

Fetahu gjithashtu thotë se gjatë ditëve të Kurban Bajramit realizohet detyra e therjes së kurbanëve që paraqet porosinë kryesore për afirmimin dhe forcimin e dinjitetit njerëzor.

“Festa e Kurban Bajramit është festë e gëzimit të madh sepse me aktin e therjes të kurbanit, besimtari e ngrit veten lartë duke shfaqur bindjen e vërtetë në një Zot, dhe kultivon moral të lartë, mbisundon epshin dhe emocionet. Me këtë sakrificë për hirë të Zotit synojmë të mbisundojmë ndaj materiales dhe epsheve tona”, thuhet në urim.

Kreu i BFI-së gjithashtu thotë se festa e Kurban Bajramit formon ambientin e paqes dhe tolerancën në mes njerëzve, është festë e afrimit në mes njerëzve, kujdesit ndaj të varfërve, shtrirja e dorës së pajtimit.

Akademiku Muhiç: Gjenocidi nuk ‘ndodhi’, ai ishte i organizuar

Forumi i Boshnjakëve të Maqedonisë në Shkup organizoi një takim komemorativ për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi filloi me një minutë heshtje dhe lutje për viktimat, ndërsa të pranishëm ishin akademiku Ferid Muhiç; kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu; kryetari i Komunës së Petrovecit, Borçe Mitevski; deputetë boshnjakë nga parlamentet e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Në fjalën e tij, akademiku Ferid Muhiç theksoi rëndësinë e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, duke theksuar gjithashtu edhe minimizimin që tentohet t’i bëhet kësaj ndodhie.

“Këtu dua ta sqarojmë një çështje që minimizon atë problem të përgjegjësisë dhe në një mënyrë e shndërron gjenocidin në fenomen natyror, katastrofë, kataklizmë. ‘Ndodhi gjenocidi’. Nuk ndodhi! Si nuk ndodhi, çfarë flas unë tash? Po them se nuk ndodhi ashtu siç ndodhin gjërat, si katastrofat, si vërshimet, si tërmetet, si zjarret, si cunami. Këto (katastrofa) ndodhin, ky (gjenocidi) nuk ndodhi, ky është i organizuar, i paramenduar, i projektuar”, tha Muhiç.

 

Ai u shpreh kundër edhe përdorimit të termit “pësuan” kur flitet për viktimat e gjenocidit.

“Në gjenocid kanë ‘pësuar’ 8.372 (persona). Nuk kanë pësuar, askush nuk ka pësuar! Ata janë vrarë! (Njerëzit) pësojnë në termet, në cunami, në zjarr. Këta janë vrarë me qëllim dhe me vetëdije”, theksoi ai.

Fjalim kishte edhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili foli rreth bashkëjetesës mes të gjitha përkatësive etnike në komunën e udhëhequr nga ai, duke shtuar se këtë ia ka përcjellë edhe autoriteteve boshnjake gjatë vizitës së tij të fundit në Sarajevë.

 

“Gjatë qëndrimit tim atje, informova anëtarin e presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, se së shpejti do ta përurojmë memorialin e përkushtuar për Srebrenicën, i cili do të gjendet në zemër të komunës sonë. Ai më falënderoi që përmes këtij gjesti do të japim kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e kujtimit për viktimat e gjenocidit në Srebrenicë”, u shpreh Ganiu.

Fjalim të ngjashëm kishte edhe kryetari i Komunës së Petrovecit, Borçe Mitevski, komunë në të cilën banojnë një numër i theksuar i boshnjakëve.

Gjithashtu, fjalime kishin edhe deputetë boshnjakë nga Kosova, të cilët theksuan rëndësinë e rezolutës për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, të miratuar së fundmi në Kuvendin e Kosovës.

Shkup, vendoset memorial kushtuar viktimave të gjenocidit të Srebrenicës

Sot në Shkup u mbajt Marshi tradicional i Paqes, me të cilin qytetarë nga etni të ndryshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut shënuan 11 Korrikun – Ditën e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, raporton Anadolu Agency (AA)

Organizatori i marshit ishte Komuna e Çairit në bashkëpunim me komunitetin boshnjak, ndërsa kryetari i kësaj komune, Visar Ganiu, theksoi se kjo komunë është një shoqëri multietnike ku banojnë shumë boshnjakë dhe se kjo ngjarje është e rëndësishme për bashkëjetesë dhe të ardhme të përbashkët në këtë komunë.

Në kuadër të përvjetorit të Srebrenicës, në parkun e Çairit është vendosur po ashtu memorial kushtuar viktimave të gjenocidit.

“Ky memorial do të qëndrojë këtu në zemër të komunës sonë dhe të gjithë do të mund ta vizitoni atë. Do të ketë pistën e vet. I rrethuar me gjelbërim, ai do të mbajë simbolikën e tij, nedrim për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës”, tha Ganiu.

Gjatë aktivitetit, organizatorët dhe pjesëmarrësit vunë lule pranë memorialit.

Kryetari Ganiu shtoi se në të ardhmen e afërt, në prani të autoriteteve boshnjake nga Maqedonia e Veriut, si dhe nga Bosnjë dhe Hercegovina, një monument do të zbulohet në komunën e Çairit në kujtim të viktimave të gjenocidit.

Gjykata Supreme në Shkup shqyrton ankesën për rastin e Kumanovës

Në Maqedoninë e Veriut ka pasur protesta kundër verdiktit për rastin e Kumanovës. Nëntor, 2017.

Isuf Kadriu

Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut nisi të mërkurën seancën publike lidhur me ankesën e palës mbrojtëse ndaj gjykimit të 33 personave për rastin e Kumanovës.

Më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, në Kumanovë kishte ndodhur një përleshje e armatosur mes forcave maqedonase të sigurimit dhe një grupi që prezantohej si ish-Ushtria Çlirimtare Kombëtare.

Gjatë luftimeve që zgjatën dy ditë, ishin vrarë tetë pjesëtarë të policisë dhe dhjetë anëtarë të grupit të armatosur, që ishte pozicionuar në Lagjen e Trimave në këtë qytet, për t’u tërhequr autoriteteve vëmendjen për, siç është thënë, shkeljen e të drejtave të shqiptarëve.

Për veprën penale “terrorizëm”, Gjykata Penale e Shkupit, më 2 nëntor të vitit 2017, shtatë persona të grupit i dënoi me burg të përjetshëm, 13 u dënuan me nga 40 vjet burg, gjashtë me nga 20, një me 18, dy me nga 14, dy të tjerë me nga 13 dhe dy me nga 12 vjet burg.

Shumica e grupit të gjykuar janë shtetas të Kosovës.

Në korrik të vitit 2019, vendimi u konfirmua edhe nga Gjykata e Apelit.

Pala mbrojtëse tani kërkon përsëritjen e gjykimit, për shkak të, siç thotë, shkeljes së procedurës së gjykimit dhe mosrespektimit të kërkesës për paraqitjen e më shumë dëshmitarëve, përfshirë drejtuesit e lartë të policisë sekrete, të cilët, sipas palës mbrojtëse, kanë inskenuar gjithë rastin.

Pala mbrojtëse ka kërkuar edhe hetim ndërkombëtar të rastit, pasi pretendon se gjykimi i grupit të armatosur është i motivuar politikisht dhe me prapavijë etnike.

Në vitin 2019, pas zgjedhjes president i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka premtuar një rishqyrtim të ngjarjeve të Kumanovës.

Në këtë kuadër, Agjencia e Inteligjencës Shtetërore ka bërë të ditur se posedon informata se pas incidentit, mund të ketë pasur motive politike dhe financiare, por detaje të tjera nuk janë dhënë, për të mos dëmtuar, siç është thënë, procesin e hetimeve.

Ish-zyrtarët e akuzuar për keqpërdorime, ende në liri

Ish-kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski duke bërë një vizitë në burgun Sutka të Shkupit, më 2009 (Foto ilustruese nga arkivi)

 

Isuf Kadriu

Proceset gjyqësore kundër dhjetëra ish-zyrtarëve të Qeverisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, të akuzuar nga organet e ndjekjes për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe vepra të tjera penale, ende nuk kanë marrë epilog, edhe pesë vjet nga nisja e hetimeve dhe e proceseve gjyqësore.

Gjykimet deri tani kanë përfunduar për ish-Ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila është dënuar me gjashtë vjet burgim, ish-drejtori i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov është dënuar për tre vepra penale, me nga 12, 8 dhe 3 vjet burgim dhe disa ish-punonjës tjerë policorë.

Ata janë funksionarët e vetëm nga Qeveria e kaluar, që janë dënuar për keqpërdorim detyre e vepra të tjera penale.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, është dënuar me dy vjet burgim për blerjen e një makine luksoze në vlerë prej mbi 600 mijë eurove, por ai nuk ka vuajtur dënimin për shkak të arratisjes në Hungari.

Kundër tij po zhvillohen edhe disa procese të tjera, sikur edhe një tjetër gjykim ndaj ish-shefit të Policisë Sekrete, Sasho Miajllkov, por që u shty për shkak të siç u tha “qartësimit të dëshmive”.

Procese gjyqësore kanë nisur, por ende pa epilog edhe kundër disa ministrave tjerë të ish-Qeverisë së Gruevskit, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski, ndërsa hetime kishin nisur edhe për shumë të tjerë.

Epilog nuk ka as për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill 2017, për çka janë akuzuar Nikolla Gruevski, ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski dhe shumë ish-zyrtarë të tjerë.

Drejtuesit e institucioneve gjyqësore, vonesat i kanë arsyetuar me “çështje komplekse”, siç kanë thënë, por edhe pengesa të natyrave të ndryshme, që nuk i kanë sqaruar “për të mos ndikuar në hetimin dhe gjykimin e rasteve”.

Nga Qeveria, që tani drejtohet nga socialdemokrati Zoran Zaev, gjithashtu nuk kanë komentuar, siç kanë thënë “për të mos ndikuar në punën e gjyqësorit”, por që në fillim të mandatit, Zaev kishte premtuar “se të gjithë ata që e kanë shkelur ligjin nuk do të mund t’i ikin drejtësisë”.

Temelko Ristevski, njohës i çështjeve kushtetuese, thotë për Radion Evropa e Lirë, se e gjithë kjo është pasojë e gjyqësorit joefikas dhe të politizuar.

“Nuk po shkon ashtu siç ishte planifikuar. Kemi gjyqësi joefikase, kemi arsye objektive e subjektive. Ato objektive kanë të bëjnë me keqpërdorimin e ligjit, mosdorëzimin apo mospranimin e ftesave, organizim jo të mirë të procedurës gjyqësore. Për shkak të punës jo të mirë, mund të ndodhë që lëndët edhe të vjetërsohen. Kjo është e pafalshme. Unë kam qenë gjyqtar ushtarak dhe nëse një gjykatës do të dështonte në procesin gjyqësor, kjo do të ishte e papranueshme dhe gjykatësi nuk mund të llogariste në vazhdimin e mandatit. Kemi gjyqësi joefikase, mosnjohuri të lëndëve e arsye të tjera, siç është edhe pandemia, por kjo nuk duhet të jetë arsye për dështimin e gjyqësorit”, thotë Ristevski, duke shtuar se mospërfundimi i lëndëve gjyqësore ndikon negativisht në proceset në vend, evropianizimin e vendit, kthimin e besimit të qytetarëve në gjyqësor e pasoja të tjera.

“Gjyqësia duhet të jetë më efikase, nëse duam të anëtarësohemi në BE duhet të jemi më efikas, gjyqësori duhet të jetë në krye të detyrës, duhet të garantojë sundimin e ligjit, të jetë efikas dhe i pavarur, të respektojë të drejtat dhe liritë e qytetarëve”, thotë Temelko Ristevski, njohës i çështjeve kushtetuese.

Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pushteti aktual ka dështuar në sigurimin e një gjyqësori të pavarur, ndryshe nga ai që ishte në qeverisjen e Nikolla Gruevskit.

Sipas Selmanit, problemi kryesor qëndron në siç thotë ai, shpikjen e nocionit të pajtimit nga ana e kryeministrit Zoran Zaev. Ai vlerëson se kjo lë dyshime sikur ka një marrëveshje mes pushtetit të tij dhe atij të kaluar për të mos u konfrontuar për qëllime të ndërsjella, që janë të dëmshme për demokracinë dhe pritjet e qytetarëve për vendosjen e sundimit të ligjit në vend.

“Ai shpiku nocionin e pajtimit që ka pasur për qëllim që pushtetet të mos ngacmohen, në kuptimin e zbardhjes së krimit dhe kriminalitetit. Ky është zemërimi më i madh, pasi nënkupton se gjyqësori ende është i varur politikisht, pasi po të zbardhen përgjegjësitë penale, atëherë do të zbardhet edhe dëmi material që i është shkaktuar qytetarëve, qoftë me borxhet publike, kthimin e parave dhe konfiskimin e pronës. Qytetarët i shohin pasuritë e paligjshme që i kanë përfituar këta njerëz dhe shumë të tjerë. Por, e keqja këtu është se kjo qeveri, nuk pati qëndrim dhe vullnet për t’u përballur me krimin”, thotë Selmani.

Ngecjet në reformimin e sistemit të drejtësisë, janë theksuar në të gjitha raportet e Bashkimit Evropian, ndërsa në rast të nisjes së bisedimeve të anëtarësimit në bllokun evropian, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, pritet të jenë të parat në agjendën e bisedimeve.

Bullgaria i nxjerr 5 kushtet Shkupit për çeljen e negociatave me BE-në. Zaev: Do t’i përmbushim

Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka publikuar listën e detyrimeve që sipas tyre i ka ndërmarrë qeveria e Maqedonisë së Veriut gjatë vizitës në Sofje më 17 qershor.

Gjatë takimeve të kryeministrit Zoran Zaev me kryeministrin bullgar, Stefan Janev dhe presidentin Rumen Radev, por edhe në takimin mes dy ministrave të Jashtëm, Bujar Osmani dhe Svetlan Stoev, thuhet se Shkupi është pajtuar që të kryejë këto detyrime:

Të specifikojë në OKB se emri i shtetit vlen vetëm për shtetin si subjekt politik dhe jo për rajonin gjeografik Maqedonia e Veriut;

Shkupi sa më shpejtë ta konfirmojë në OKB, bazuar në nenin 11, paragrafi 3 të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë se emri i gjatë dhe shkurtesa e shtetit vlen vetëm për subjektin politik “Republika e Maqedonisë së Veriut”, dhe jo për rajonin gjeografik “Maqedonia e Veriut”, pjesë e së cilës gjendet në kuadër të kufijve sovran të Bullgarisë. Pas dërgimit të këtij konfirmimi, Bullgaria menjëherë do të ndërpresë këmbënguljen që shteti fqinj të përdorë vetëm emrin e gjatë “Republika e Maqedonisë së Veriut” në BE dhe organizatat ndërkombëtare.

Të tërhiqet nga pretendimet për pakicë maqedonase në Bullgari;

Republika e Maqedonisë së Veriut duhet përfundimisht të tërhiqet nga pretendimet për pakicë në Bullgari, duke konfirmuar se nuk ekzistojnë baza historike, etnike dhe të tjera që të kërkohet pakicë për cilindo grup qytetarësh që nuk janë shtetas të saj në territorin e Republikës së Bullgarisë. Kjo do të ishte në harmoni me klauzolën për mos përzierje në punët e brendshme të Bullgarisë, e rregulluar me nenin 11, paragrafi 5 në Marrëveshjen e vitit 2017.

Të fillojë rehabilitimin e viktimave të komunizmit jugosllav në territorin e Maqedonisë së Veriut;

Republika e Maqedonisë së Veriut të fillojë procesin e rehabilitimit të viktimave të komunizmit Jugosllav, të shtypur në territorin e saj për shkak të vetëdijes së tyre bullgare. Ky gjest historik nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut në praktikë do ta shprehte zgjedhjen tone të përbashkët civilizuese evropiane.

Të rishikojë përmbajtjet mësimore në marrëveshje me historianët bullgarë;

Republika e Maqedonisë së Veriut ta harmonizojë përmbajtjen e programeve mësimore me Republikën e Bullgarisë, me qëllim që objektivisht të reflektojë historinë tonë të përbashkët, e vendosur si element qendror në Preambulën dhe Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë, si dhe me qëllim të eliminimit të përmbajtjeve mësimore që ndjellin urrejtje ndaj Bullgarisë.

Të eliminojë shenjat dhe mbishkrimet me gjuhë të urrejtjes ndaj bullgarëve në territor të Maqedonisë së Veriut.

Bashkë me Bullgarinë të identifikojë dhe të largojë shenjat dhe mbishkrimet në territorin e Maqedonisë së Veriut të cilat shkaktojnë urrejtje ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve.

Në kumtesën e Ministrisë së Jashtme bullgare thuhet se Bullgaria ishte e detyruar të prolongojë përkrahjen për fillimin e bisedimeve mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut në Këshillin për Çështje të Përgjithshme të BE-së në Luksemburg më 22 qershor. Në mbledhje, Bullgaria dha notë pozitive për arritjet e Shqipërisë në procesin e reformave dhe tha “po” për miratimin e kornizës së bisedimeve për Shqipërinë, thuhet në kumtesë.

Ministria e Jashtme Bullgare thekson se sot i ka dërguar letër edhe Ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani me të cilën i shprehin atij pritjet bullgare që Maqedonia e Veriut të respektojë detyrimet e marra.

Por detyrimet e pretenduara nga Bullgaria deri tani nuk janë konfirmuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Nga zyra e kryeministrit Zaev nuk ka informatë se çfarë propozimesh ka dorëzuar kryeministri dhe për çfarë detyrimesh është pajtuar.

Ahmeti iu kthehet sërish temave etnike

Zërijeta Hajro Jajaga

Hapja e temës për ndryshimin e simboleve shtetërore po bëhet në kohën kur Maqedonia e Veriut po kalon nëpër në një situatë të ndjeshme, pasi Bullgaria po e konteston të kaluarën historike të vendit, ku përfshihen edhe figurat historike dhe himni kombëtar, vlerësojnë përfaqësuesit e sektorit civil.

Këto reagime vijnë pasi kryetari i partisë shqiptare, që është pjesë e qeverisë, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë për “TV Klan Maqedoni” tha se me palën maqedonase është diskutuar për ndryshimin e himnit, stemës dhe të flamurit shtetëror.

“Është biseduar edhe për himnin, është biseduar edhe për stemën edhe për flamurin e shtetit. Këto janë çështje për të cilat megjithatë duhet të ketë një konsensus, mirëpo kjo do të varet shumë edhe nga një marrëveshje brenda maqedonasve. Sa i takon himnit, do të thotë është biseduar, nuk ka ndonjëra palë kundërshtim të jashtëzakonshëm. Më tepër kjo është çështje kohe dhe mendoj që pa rezerva edhe mund të bisedohet”, ka thënë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Pas kësaj deklarate të Ahmetit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, por edhe zyrtarët e lartë të BDI-së, kanë hedhur poshtë se për momentin, kjo çështje është pjesë e diskutimit brenda partnerëve të koalicionit qeverisës.

Megjithatë, nga BDI-ja kanë theksuar se çështja e ndryshimit të simboleve kombëtare gjithmonë ka qenë pjesë e diskutimeve me palën maqedonase sepse, siç kanë nënvizuar zyrtarët e kësaj partie, himni shtetëror nuk paraqet një element përfshirës, pasi shqiptarët nuk janë pjesë e këtij himni.

Xhelal Neziri nga organizata joqeveritare SCOPP, thotë për Radion Evropa e Lirë se simbolet e Maqedonisë së Veriut nuk krijojnë një kohezion të nevojshëm brenda shtetit, pasi këto simbole janë miratuar pa pasur një konsensus ndëretnik. Ai shpreh mendimin se të njëjtat duhet të ndryshohen, pasi shqiptarët nuk ishin të përfshirë në procesin e miratimit të tyre, por shton se kjo temë aktualisht nuk është prioritet.

“Është fakt se shqiptarët etnikë, nuk identifikohen me këtë himn (himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut) për shkak se e shohin si përjashtues për ta. Nga ana tjetër, nëse një marrëveshje finale, do të nënkuptonte që disa nga figurat historike që përmenden në vetë himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, do të identifikoheshin si bullgarë, atëherë shtrohet pyetja nëse ata e kanë vendin në himnin shtetëror të Maqedonisë së Veriut”, thotë Neziri.

“Ka shumë elemente që të hapen këto tema, por natyrisht ato nuk janë me prioritet dhe për këtë kërkohet një qasje më racionale dhe një kohë më e mirë, ku të gjitha partitë të kenë mendime për këto ndryshime, që në fund të arrihet një konsensus”, shton ai.

Ndërkaq, drejtuesi i Qendrës për Studime Politike, Vladimir Bozhinovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se me këtë deklaratë të Ahmetit, partia e të cilit është pjesë e qeverisë, që është temë etnike, vjen pak kohë pasi kreu i BDI-së njoftoi se partia e tij do të fokusohet në agjendën e gjelbër. Sipas tij, kjo deklaratë ka për qëllim që ta shpërqendrojë vëmendjen e opinionit nga vetoja bullgare, e cila po pengon procesin euro-integrues të shtetit.

“Ngritja e kësaj çështjeje në një mënyrë është koincidencë me veton e Bullgarisë. Nuk është as koha e as momenti që të diskutohet për simbolet shtetërore”, thotë Bozhinovski.

Pas pavarësisë, Maqedonia e Veriut ka ndryshuar stemën shtetërore që ishte miratuar më 1946, kur shteti ishte pjesë e Federatës Jugosllave. Më 2009, shteti hoqi yllin e pestë nga stema, që ishte simbol i socializmit.

Ndërkaq sa i përket himnit, në tekstin e tij ende përdoret teksti i shkruar nga Vllado Malevski më 1941 dhe në vitin 1992, kur u pavarësua Maqedonia e Veriut, ky tekst, përmes ligjit, u definua si himn shtetëror.

Më 1995, pas presionit të Greqisë, Maqedonia e Veriut hoqi diellin e “Verginës” që ishte pjesë e flamurit shtetëror.

Filloi “Java Çame në Shkup”, është paraparë edhe një marsh deri te Ambasada e Greqisë

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut filloi Java Çame, në kuadër të së cilës janë paraparë disa aktivitete publike, përfshirë edhe një marsh deri te Ambasada e Greqisë në Shkup. Programi i hapjes së Javës Çame në Shkup përfshiu hapjen e një ekspozite për Çamërinë, ku u paraqitën figura historike dhe vendbanime çame, si dhe recitim të poezive dhe valle me motive çame. ( Abdula Berisha – Anadolu Agency )

Programi i hapjes së Javës Çame në Shkup përfshiu hapjen e një ekspozite për Çamërinë, ku u paraqitën figura historike dhe vendbanime çame, si dhe recitim të poezive dhe valle me motive çame.

Aktivitetet kryesore të Javës Çame në Shkup janë paraparë të mbahen të enjten, duke përfshirë një panel diskutim me të ftuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe “Marshi i Paqes për Çamërinë”, marsh i cili është paraparë të përfundojë para Ambasadës së Greqisë në Shkup.

Në emër të Këshillit Organizativ të Javës Çame në Shkup, Xheneta Mamuti ndau entuziazmin që për herë të parë edhe në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut organizohet Java Çame.

“Ju ftoj juve që jeni këtu, por edhe të gjithë shqiptarëve kudo janë, që të enjten më 24 qershor 2021, në ora 14:30, në numër sa më të madh të mbështesin marshin për Çamërinë dhe të dëshmojmë se Shkupi dhe në përgjithësi të gjithë shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë në mbrojtje të secilit shqiptar në botë dhe në mbrojtje të viktimës, kushdo qoftë ai dhe kurdo qoftë ajo kohë. Sot Shkupi është Çamëri dhe sot ne jemi çamë”, tha Mamuti.

Më 27 qershor të këtij viti përkujtohet 77-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, pasi me ligj kjo ditë në Shqipëri është “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.

Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të civilëve, por edhe me shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.

Qytetarët, skeptikë për investimet milionëshe në “Kodrën e Diellit”

Zërijeta Hajro Jajaga

Banorët lokalë dhe ekspertët e turizmit po kërkojnë që autoritetet të jenë transparente gjatë realizimit të investimeve në qendrën turistike “Kodra e Diellit”, teksa janë paralajmëruar investime të huaja në këtë qendër, por edhe nuk është hapur procesi i tenderimit.

Këto reagime vijnë pas paralajmërimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut se në qendrën në “Kodrën e Diellit” do ta marr me koncesion për 99 vjet një investitor i huaj dhe do të investojë 100 milionë euro, përkatësisht 50 milionë investitori dhe 50 milionë do të investojë qeveria.

Iniciativa qytetare “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”, i ka quajtur të pakuptimta paralajmërimet nga qeveria për investime milionëshe në këtë qendër turistike, duke argumentuar se kjo qendër gjatë dy dekadave të fundit është pothuajse jofunksionale, për shkak të vështirësive për sa i përket qasjes, si dhe mungesës së parkingjeve dhe mosfunksionimit të teleferikëve.

“Është shumë qesharak paralajmërimi se do të bëhen fusha të golfit, se do të bëhet një nga resortet më të mëdha, kur ai resort ende nuk e ka të rregulluar çështjen pronësore juridike. Çdoherë kur këto qendra rinovohen, duhet bërë projekte afatshkurtra dhe afatgjate dhe të planifikuara mirë. Asnjëherë te ne institucionet, që thirren në studime fizibiliteti apo analiza të ndryshme strategjike për zhvillimin e turizmit, por nuk janë bërë publike për opinionin”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Hamdi Sulejmani nga iniciativa “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit”.

Qendra e skijimit “Kodra e Diellit”

Skijatorët ankohen se në qendrën Turistike për skijim në Tetovë edhe në vlugun e sezonit, mungojnë kushtet për të skijuar si rrjedhojë e ndalesave të shumta të ashensorëve për skijim si dhe mospërpunimit të shtigjeve.

“Nuk mund të vijë një investitor i huaj në një vend ku nuk ka asnjë çështje të rregulluar pronësore, e as planifikim të duhur hapësinor, pasi kjo paraqet një nga hapat kryesor me qëllim që të bëhet një investim”, shton Sulejmani, i cili me profesion është arkitekt.

Nuk mund të dihet investitori pa nisur procesi i tenderimit

Arben Halili nga fshati Shipkovicë në Malësinë e Tetovës, që ndodhet vetëm pak kilometra nga “Kodra e Diellit”, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjithmonë kur është vit zgjedhor, paralajmërohen investime të mëdha në këtë qendër turistike.

Sipas tij, nuk mund të flitet për investitorin e mundshëm, derisa nuk ka filluar procesi i tenderimit, pasi sipas Halilit, kjo është në kundërshtim me rregullat e Bashkimit Evropian.

“Vetë fakti që flitet në mënyrë hipotetike për një investim miliona eurosh apo për një investitor gjerman, të çon nga ajo që nuk ka të bëjë aspak me një investim serioz ose se kjo bëhet për t’i hapur rrugë ndonjë investitori potencial. Por, gjithsesi në një shtet serioz, i cili pretendon të jetë pjesë e strukturave të Bashkimit Evropian, nuk mund të dihet investitori para se të bëhet shpallja e tenderimit”, thotë Halili.

Halili thotë se “Kodra e Diellit” ka nevojë për riorganizim dhe jo për një partneritet publiko-privat, pasi sipas tij, në të kaluarën, kjo formë e bashkëpunimin ka dëshmuar se nuk është e suksesshme.

“Unë jam për dhënien në menaxhim te një partner, i cili do ta marrë përgjegjësinë e menaxhimit të kësaj qendre”, thotë ai.

Qendra e skijimit në “Kodrën e Diellit” është një prej qendrave më të njohura jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kjo qendër, që gjendet në Tetovë, njihet për terrenet e saja të skijimit.

Qëndrime kundërthënëse rreth investitorit

Gjatë kësaj jave, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka bërë të ditur se në strategjinë kombëtare 2021-2027, është përfshirë edhe rivitalizimi i qendrës “Kodra e Diellit”. Ai ka theksuar se për të investuar në këtë qendër është interesuar një investitor “i besueshëm” nga Evropa.

“Ky projekt parashihet të realizohet në bazë të ligjit për koncesione me partneritet publiko-privat apo investime strategjike, varësisht fazës përfundimtare të marrëveshjes”, ka thënë Zaev.

“Në thelb, parashihet të jepet në një koncesion prej 99 vjetësh njërit prej investitorëve më të mëdhenj të qendrave të skijimit në Evropë. Është e udhës që investitori vetë të vendosë që ta bëjë publik emrin e tij. I gëzohem këtij investimi sepse do t’i japë një dimension të ri turizmit dimëror”, shtoi kryeministri maqedonas.

Po gjatë kësaj jave, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani ka thënë se investitori i interesuar për “Kodrën e Diellit” është nga Abu Dabi. Në këtë vend, Osmani thotë se qendra turistike e “Kodrës së Diellit” është prezantuar si projekt rajonal, ku bën pjesë edhe Kosova, pasi gjatë dimrit, turistët do ta shfrytëzonin për skijim e gjatë verës do të përdorej si atraksion turistik, me fusha të golfit dhe atraksione të tjera.

“Në Abu Babi kam folur shumë për ‘Kodrën e Diellit’. Atje pash interes për investime në ‘Kodrën e Diellit’ dhe atë e kam prezantuar në dy forma si projekt në vete, por edhe si projekt bashkë me Republikën e Kosovës, si projekt i malit, që në të dyja anët të tërhiqen sa më shumë investitorë, për ata që kërkojnë tregje më të mëdha apo rajone më të mëdha”, ka thënë Osmani.

Zero transparencë për investimet

Por, Mislim Zendeli, profesor në Fakultetin për Menaxhment në Universitetit të Tetovës, thotë se për disa vite me radhë sezoni turistik në “Kodrën e Diellit” u krijonte të ardhura financiare shumë familjeve të fshatrave të Malësisë së Tetovës, pasi kjo qendër ishte ndër destinacionet kryesore në Ballkanin Perëndimor për sporte dimërore.

Një skitar në "Kodrën e Diellit".

Një skitar në “Kodrën e Diellit”.

Ai thotë se në dy dekadat e fundit, sa herë që afrohet mbajtja e zgjedhjeve të reja, bëhen edhe premtime për këtë qendër, që sipas tij, janë të parealizueshme.

“Transparenca është zero. I gjithë procesi është jotransparent, si ai i studimeve të fizibilitetit, por edhe rreth planifikimit të realizimit të këtij procesi. Është evidente që duhen mjete, duhen investime, nevojitet angazhim nga qeveria dhe jo vetëm fjalë. Që nga viti 2001 deri më 2021 kemi dëgjuar vetëm fjalë”, thotë Zendeli.

Ai shton se me qëllim që t’i kthehet shkëlqimi kësaj qendre turistike, duhet që të bashkëpunojnë të gjitha palët, veçmas, qeveria, pushteti lokal, banorët e fshatrave përreth, sektori civil dhe kompania ELEM-turs, që është pronare e pjesshme, që menaxhon “Kodrën e Diellit”, dhe në mënyrë transparente të vendosin për ofertën më të mirë për këtë qendër turistike.

“Kodra e Diellit” pa hotele luksoze e teleferikë funksionalë

Në këtë drejtim, drejtuesi i qendrës së skijimit në “Kodrën e Diellit”, Zhivko Aleksovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se kësaj qendre i mungon rrjeti i hoteleve, bora artificiale, teleferikët modernë, me qëllim që t’u përgjigjen kërkesave të turistëve.

“Sa i përket turizmit dimëror, nevojiten investime për borën artificiale, që do të mundësonte që të zgjatej sezoni i skijimit. Nevojitet po ashtu funksionalizimi i një teleferiku të ri nga Tetova deri në ‘Kodrën e Diellit”, po ashtu parkingje, me qëllim që të lehtësohet qasja deri te kjo qendër skijimi”, thotë Aleksovski.

Ndërkaq, Naum Martinovski, ligjërues në Fakultetin për Turizëm në Ohër, thotë se “Kodra e Diellit” duhet të rivitalizohet dhe të përdoret si qendër turistike gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në sezonin e dimrit.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se për t’u paraqitur si atraksion turistikë, që do të tërhiqte edhe turistë të huaj, “Kodra e Diellit” duhet të lidhet me qendrën e skijimit të Brezovicës, që gjendet në Malet e Sharrit.

“Me rëndësi është që ‘Kodra e Diellit’ të lidhet me pjesën e Kosovës, me kompleksin e Brezovicës sepse në atë më mënyrë do të ishte atraksion për turistët ndërkombëtarë”, tha Martinovski.

Frika nga privatizimi i lumenjve dhe hapësirave malore

Kundër investimeve në “Kodrën e Diellit” ka reaguar ashpër edhe Branimir Jovanoviq, i cili ka qenë këshilltar i ish-ministrit të Financave, Dragan Tevdovski, gjatë qeverisë së parë të Zaevit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se investimet milionëshe, të paralajmëruara nga kryeministri Zaev, i ngjasojnë me periudhën e viteve të 90-ta, kur u realizua procesi i privatizimit dhe pronat shtetërore kaluan në pronësi të një grupi të caktuar biznesmenësh, të cilët morën në pronësi edhe hapësira të gjelbëruara dhe lumenj.

Paralajmërim për investime në kohë zgjedhjesh

Investime në “Kodrën e Diellit” në vlerë prej 30 milionë eurove, ishin paralajmëruar edhe më 2012, nga kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski. Ai kishte paralajmëruar se projekti do të realizohej në disa faza dhe për të do të shpallej edhe ofertë për gjetjen e një investitori ndërkombëtar.

Investime për “Kodrën e Diellit” kishte paralajmëruar edhe ish-presidenti, Gjorgje Ivanov, i cili kishte thënë se një investitor nga Katari ishte i gatshëm të investonte në këtë qendër turistike.

Zaev: “Non-papers” nuk dolën rastësisht, ja si mund të zgjidhen problemet mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në një intervistë për Klan Maqedonia, ka thënë se nuk është e rastësishme dalja në skenë e dokumenteve, të njohura si “non-papers”, të cilat ai i ka quajtur promotorë të politikave nacionaliste në rajon. Sipas tij, dokumente të tilla dalin në pah sa herë që dështon Evropa.

Në të njëjtën intervistë, Zaev citohet të ketë thënë se projekteve të tilla, në të cilat diskutohet për kufij të rinj në Ballkan, BE duhet t’u përgjigjet me përforcim të proceseve eurointegruese për rajonin.

“Këto duhet të jenë sinjale për Bullgarinë dhe për Brukselin se duhet intensivisht ta vazhdojnë procesin e integrimit të rajonit në BE. Është kthimi i borxhit ndaj Ballkanit Perëndimor, kurse ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut ky borxh është 10 herë më i madh”, ka thënë Zaev.

Ai ka komentuar edhe çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë duhet të marrin si model Marrëveshjen e Prespës.
Madje, ai shtoi se BE në mënyrë të pakushtëzuar duhet të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

“Liderët e Kosovës dhe liderët e Serbisë qytetarëve të tyre ua kanë borxh ardhmërinë, perspektivën. Nuk është e lehtë për të dyja palët. Por, le të mësojnë nga shembulli ynë me Greqinë. Duhet të mbyllen dyert e së kaluarës kur hapen dritaret e së ardhmes”.

Sa i përket zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut, Zaev premtoi bashkëpunim me partitë shqiptarë në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë.

“Po, me BDI-në, me Besën dhe me PDSH-në do të bashkëpunojmë. Me një pjesë në rrethin e parë kurse me të tjerë në rrethin e dytë zgjedhor. Dikund do të bashkëpunojmë qysh në rrethin e parë dhe pres nga partnerët kandidatë të mirë e të pranueshëm siç pres të pranohen edhe nominimet tona të kandidatëve”, tha Zaev.

Brenda burgut të Shkupit: Keqtrajtime psikike, fizike dhe korrupsion

Një burg në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

 

Isuf Kadriu

Një i dënuar në burgun e Idrizovës, që ndodhet 13 kilometra nga Shkupi, rrëfen për Radion Evropa e Lirë për gjendjen e rëndë, që sipas tij, mbretëron në këtë burg, që është më i madhi në Maqedoninë e Veriut.

I.A (për shkaqe sigurie nuk deshi të identifikohet, por identiteti i tij është i njohur për redaksinë) rreth 40 vjeç, që po vuan dënimin me 13 vjet burg, thotë se sjellja e punonjësve të burgut është çnjerëzore, ndërsa kushtet ku ata vuajnë dënimin janë katastrofale.

Burgu i Idrizovës në Shkup.

Burgu i Idrizovës në Shkup.

“Gardianët sillen sikur të jenë rrugaçë, sjellja e tyre është katastrofale. Maltretime psikike kemi non stop, kemi edhe raste të sulmeve fizike dhe nuk kemi ku të ankohemi. Edhe mua më ka ndodhur një rast konkret, kam kërkuar ndihmë nga Avokati i Popullit, por as që ka ardhur të më kontaktojë. Pata një problem me një gardian, i cili më sulmoi ndërsa mua më dënuan, më ndërruan vendin, më dërguan në vetmi edhe pse kam probleme shëndetësore”, thotë ky i burgosur, teksa i përshkruan më tej kushtet e qëndrimit në burgje si shumë të rënda, mungesë të gjërat më elementare, ushqim të dobët, por edhe ujë për pije.

Ai thotë se të burgosurit më së rëndi e kanë pasur gjatë pandemisë, pasi nuk u janë ofruar as shërbimet elementare shëndetësore.

“Jemi ankuar, kemi kërkuar ndihmë edhe nga jashtë, por askush nuk na ka marrë në dorë. Ata që kanë dalë pozitivë i kanë mbajtur në dhomat të vetmisë dhe ndonjëherë i kanë ofruar ndonjë paracetamol dhe asgjë tjetër. Ka dashtë Zoti nuk ka pasur viktima, pasi sa i përket mjekëve të burgut, asgjë nuk kanë ndërmarrë”, thotë i burgosuri me inicialet I.A, që po vuan dënimin në burgun e Idrizovës.

Edhe gazetari Tomisllav Kezhalovski, ish i burgosur, rrëfen për Radion Evropa e Lirë gjendjen në burgje, e cila, sipas tij, nuk ka ndryshuar fare që nga periudha kur ai qëndroi në burg në vitin 2013.

“Atje asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket arsimimit apo ngritjes së nivelit profesional të të punësuarve. Ndaj meje pati dhunë psikike nga të punësuarit e burgut edhe pse rasti im kishte marrë përmasa ndërkombëtare. Kur ndaj meje ushtronin dhunë psikike, paramendoni se çfarë mund t’u ndodhë të burgosurve të tjerë. Korrupsioni gjithashtu është i pranishëm.. për të pasur një telefon apo një sistem më të rehatshëm, patjetër që duhet të japësh ryshfet”, thotë Kezhalovski.

Burgu i Idrizovës në Shkup.

Burgu i Idrizovës në Shkup.

Se gjendja në burgjet e Maqedonisë së Veriut, në veçanti në atë të Idrizovës, është e rëndë, flet edhe raporti i fundit i Këshillit të Evropës mbi gjendjen në burgje, i publikuar më 11 maj.

Burgjet në Maqedoninë e Veriut, sipas raportit, janë të mbushura me staf të korruptuar, ndërsa të burgosurit vazhdimisht keqtrajtohen, kurse autoritetet nuk kanë arritur të përmirësojnë mangësitë strukturore brenda sistemit të burgjeve në këtë vend.

“Mangësitë kanë të bëjnë veçanërisht me mungesën e një qasjeje profesionale në menaxhimin e situatave komplekse, menaxhimin dhe performancën e dobët të stafit, nivele të ulëta të personelit, cilësi e dobët e kujdesit shëndetësor të ofruar për të burgosurit, mungesë e regjimit të duhur, dhunë mes të burgosurve, kushte të dobëta materiale dhe korrupsioni endemik i personelit, veçanërisht në burgun e Idrizovës” thuhet në një pjesë të raportit.

Raporti vë në pah praninë e madhe të korrupsionit në mesin e punonjësve të burgut, të cilët trajtojnë të burgosurit kundrejt pagesave të ndryshme për t’i akomoduar në ambiente më të mira.

Për gjendjen e rëndë në burgjet e Maqedonisë së Veriut flitet edhe në raportin e Avokatit të Popullit, por raporti i vitit 2020 flet për ulje të torturës dhe të ankesave për sjellje joprofesionale në burgje.

Raporti flet edhe për aspektet e ushtrimit të dhunës fizike, e cila bazuar në qëndrimet e institucioneve, ka të bëjë “me shkeljen e rendit dhe të disiplinës në institucion ose kur të burgosurit nuk i kanë respektuar apo i kanë kundërshtuar urdhrat e personave zyrtarë”.

Fotografi e realizuar në burgun e Idrizovës. Drejtoria e Burgjeve e Maqedonisë së Veriut e pranon se kushtet në burgjet e këtij shteti, nuk janë të mira.

Fotografi e realizuar në burgun e Idrizovës. Drejtoria e Burgjeve e Maqedonisë së Veriut e pranon se kushtet në burgjet e këtij shteti, nuk janë të mira.

Avokati i Popullit, thuhet të raport, ka ndërmarrë masa për hetimin e të gjithë vërejtjeve dhe ankesave të paraqitur për tejkalim të kompetencave të personave zyrtarë.

Avokati i Popullit, Naser Zyberi thotë për Radion Evropa e Lirë se shqetësuese janë kushtet e këqija në burgje.

“Gjendja në burgjet e Maqedonisë së Veriut është e pavolitshme. Ka mungesë të ujit, pastërtisë, higjienës, kualitetit dhe sasisë së ushqimit. Në disa raste ka edhe mungesë të hapësirës për vendosje…Problemi më i theksuar është gjendja me trajtimin shëndetësor të personave të dënuar. Në disa prej burgjeve ekzistojnë ekipe mjekësore, por janë të pamjaftueshme, por në disa prej burgjeve fare nuk ka mjek të punësuar”, thotë Avokati i Popullit, Naser Zyberi.

E pyetur të komentojë kritikat për gjendjen në burgje, Drejtoria e Burgjeve, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, pranon gjendjen e vështirë në burgje, por nuk komenton kritikat për ushtrim dhune ndaj të burgosurve dhe praninë e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të burgjeve.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për problemet me të cilat përballet sistemi i burgjeve dhe me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës së të dënuarve, në kuadër të Projektit të rindërtimit të burgjeve, do të vazhdojmë me ndërtimin e objekteve të reja dhe për këtë qëllim janë siguruar burime financiare në vlerë totale prej rreth 31.8 milionë euro. Duke pasur parasysh dinamikën me të cilën janë ndërtuar ndërtesat e mëparshme, ne presim që të realizojmë plotësisht fazën e dytë, që nënkupton përmirësimin e kushteve për qëndrim në burgun e Idrizovës dhe në burgjet nëpër qytetet tjera”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Drejtorisë së Burgjeve.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pas zgjedhjeve parlamentar në korrik të vitit 2020, kishte premtuar reforma të thella në gjithë vendin, përfshirë edhe përmirësimin e kushteve në burgje dhe luftimin e korrupsionit të evidentuar në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare.

Maqedonia e Veriut mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në këtë takim, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve “janë vlerësuar si të shkëlqyeshme”.

Siç njofton Presidenca e Kosovës, të dy palët kanë shprehur gatishmërinë që marrëdhëniet të thellohen edhe më tej, posaçërisht në sferën e ekonomisë dhe turizmit.

Ministri Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut do të qëndrojë krah Kosovës në rrugën e saj evropiane, duke shprehur mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkim Evropian. Në këtë kontekst, ai ka kundërshtuar idetë për rivizatimit të kufijve, duke theksuar se “Marrëveshja e Ohrit, pavarësia e Kosovës dhe perspektiva euroatlantike e rajonit janë treguar modele të suksesshme”.

Presidentja Osmani ka ritheksuar se skenarë të tillë duhet ta parandalohen bashkërisht. “Nuk pranojmë ide që prekin kufijtë tanë dhe e bëjnë Kosovën jofunksionale”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në takim, ndër të tjera është biseduar edhe situata me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), në të dy shtetet.

​​​​​​​Presidentja Osmani ka thënë se në bashkërendim me Qeverinë po e bëjnë të pamundshmen që bashkë me partnerët ndërkombëtarë t`i sigurojnë vaksinat për qytetarët e Kosovës.

Ministri Osmani i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë ka takuar edhe homologen e tij Donika Gërvalla, ndërsa do të takohet sot edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Ende në përdorim tekstet shkollore që fyejnë shqiptarët

Isuf Kadriu

Nxënësit maqedonas të vitit të dytë në arsimin e mesëm nga libri i Sociologjisë mësojnë se shqiptarët, turqit e romët lindin shumë fëmijë, pasi siç thuhet një përqindje shumë e madhe e kësaj popullsie nuk është e arsimuar, nuk kanë kontroll të lindjeve andaj edhe përqindja e natalitetit të tyre është shumë më e lartë në raport me maqedonasit. Prandaj, në këtë njësi mësimore theksohet nevoja e marrjes së masave për të kthyer natalitetin në suaza normale apo të stimulohet nataliteti te maqedonasit, meqë siç thuhet, shpërpjesëtimi me grupet tjera etnike ka pasoja negative në planin politik, ekonomik dhe social.

Përmbajtje të tilla fyese, me shtrembërime historike, me gabime gjuhësore e përmbajtjesore, ka në shumë libra shkollor në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut. Ato janë denoncuar në vazhdimësi në media, por institucionet, përkatësisht Ministria e Arsimit, përveç premtimeve për evitimin e gabimeve të tilla, deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete.

Libri i Sociologjisë, me përmbajtje të tillë, është në përdorim që nga viti 2002. Nga Ministria e Arsimit, e cila drejtohet nga Milla Carevska, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se “gabimet do të përmirësohen në kudër të planit për reformën e plotë të sistemit arsimor, që parasheh sigurimin e teksteve cilësore në arsimin fillor dhe të mesëm”.

Pjesë nga libri i Sociologjisë me të cilën mësojnë nxënësit e vitit të dytë në shkollat e mesme në Maqedoninë e Veriut, ku flitet për shqiptarët.

Me dikasterin e Arsimit që nga viti 2002 kanë udhëhequr pesë ministra shqiptarë, por asnjëri prej tyre nuk ishte i qasshëm për të komentuar gjendjen me tekstet mësimore. Gjatë mandateve të tyre, nuk kanë munguar premtimet dhe madje për këtë qëllim ishin formuar edhe komisione, por deri më tani nuk ka pasur asnjë epilog konkret, ndërkohë që tekstet me përmbajtje fyese e gabime tjera të shumta, vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit mësimor.

Liman Aliu, mësimdhënës i Sociologjisë, thotë se ka qenë nxënës kur është përballur me fyerjet e rënda në këtë libër shkollor dhe tani si mësimdhënës thotë se mundohet që t’ua sqarojë nxënësve për shtrembërimet historike e fyerjet që u bëhen shqiptarëve. Ai pranon se faji për këtë u takon të gjithëve.

“Unë kam mbajtur mësim me nxënësit, por atyre ua kam sqaruar se ka shtrembërim të fakteve dhe për këtë dëshmitarë janë vetë nxënësit. Unë shumë kam qenë i emocionuar dhe i prekur nga ajo që përmban ky libër dhe sa herë që mbërrij në këtë njësi mësimore, mundohem t’ua sqaroj nxënësve, t’i ndërgjegjësojë ata apo t’ua sqaroj se çfarë mendojnë qarqet akademike maqedonase për shqiptarët”, thotë Aliu.

Xheladin Murati, profesor i Pedagogjisë thotë se kjo që ndodh me tekstet shkollore është kulmi i fyerjeve që i bëhen shqiptarëve, ndërsa përgjegjësinë thotë se fillimisht duhet kërkuar te shërbimi pedagogjik, autorët, recensentët, përkthyesit dhe lektorët e më pas edhe te Ministria e Arsimit.

“Ministria e Arsimit bartë përgjegjësi, por përgjegjësia më e madhe bie mbi shërbimin pedagogjik që merret me botimin e teksteve. Dhe, kjo nënkupton se ministri nuk i lexon librat, por ai duhet të informohet nga shërbimet pedagogjike. Pra, kompleksi është më i gjerë sepse përgjegjësia për gabimet, ato historike, kombëtare, për çështjet sociale, për aspektet gjuhësore të tekstit, për përkthimin me gabime të tekstit.. në radhë të parë fajtorë janë autorët, pastaj recensentët të cilët e kanë lejuar përdorimin e tij me të gjitha të metat që i posedon”, thotë Murati.

Ai thotë se testet më përmbajtje të tillë fyese për shqiptarët rrisin edhe mosdurimin etnik në vend dhe në këtë rast sipas tij, kemi të bëjmë me dështim të politikës arsimore që bart dhe rreziqe në një vend shumetnik, siç është Maqedonia e Veriut.

“Ajo që shkruhet nëpër tekste ndaj shqiptarëve, ofendimet që u bëhen atyre, paraqet dështim komplet të politikës arsimore. Por, si duket kjo mund të jetë bërë edhe me qëllim për të poshtëruar popullatën shqiptare me problemet me të cilat ajo nuk përballet, apo imponohen si të tilla. Mendoj se është gabim i madh që këto tekste ende vazhdojnë të jenë në përdorim. Ato nuk janë zbuluar sot, por në përdorim janë që nga viti 2002 apo 2003”, thotë profesori Xheladin Murati.

Përgjegjësia për këto skandale, sipas Muratit, u bie edhe mbi profesorët, të cilat nuk kanë ndërmarrë asnjë masë, apo edhe të bojkotojnë tekstin shkollor nga ana e nxënësve. Ai thotë se nuk duhet të priten reformat në arsim që të ndryshohen tekstet, por të ketë botime krejt të reja, pasi gabimet janë aq që mëdha, jo vetëm fyese apo me gabime gjuhësore, por edhe përmbajtjesore, pasi nuk kanë asnjë logjikë në trajtimin, qoftë edhe të temave shkencore.

Presidenti dhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut uruan Presidenten e re të Kosovës

Shkup

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, kanë uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Pendarovski, në postimin e tij në rrjetin social Twitter, duke uruar Osmanin, tha se “Besoj se bashkëpunimi midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të vazhdojë me intensitet më të fuqishëm, në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe miqësore”.

Nga ana tjetër edhe Kryetari i Kuvendit, Xhaferi, në postimin e tij uroi Osmanin, duke theksuar se ajo është politikane, grua dhe mbi të gjitha njeri me vlera, virtyte dhe qëndrim sypatrembur.

“Uroj që shpresat, besimi dhe mbështetja e fuqishme të jenë shtytësi më i madh në realizimin e vizionit dhe largpamësisë tënde për një shtet të zhvilluar, demokratik dhe mik i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, shkroi Xhaferi.

Gjatë ditës së djeshme, deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën Vjosa Osmanin për presidente të re të Republikës së Kosovës.

Në seancën për zgjedhjen e presidentit morën pjesë 82 deputetë, nga të cilët pro Osmanit votuan 71 deputetë, ndërsa kishte 11 vota të pavlefshme.

Mesazh urimi kishte publikuar edhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi për shtyrje të regjistrimit për në shtator

Shkup

Pas një debati që zgjati dy ditë, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet ligjore për të shtyrë regjistrimin nga muaji prill në shtator, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kjo u ra dakord në takimin e liderëve të mbajtur të hënën midis kryeministrit dhe njëherësh kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski.

Megjithatë, votimi mbi ndryshimet e Ligjit të Regjistrimit u shty për shkak të kundërshtimit nga partitë opozitare shqiptare.

95 deputetë votuan për ndryshimet e Ligjit të Regjistrimin të Popullsisë, Amvisërive dhe Banesave, ndërsa 12 ishin kundër.

Ndryshimet ligjore morën edhe votat e nevojshme në votimin e Badinterit, ndërsa nuk kishte asnjë abstenim.

Me të njëjtin numër votash, u miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me të cilat shtyhen zgjedhjet lokale nga gjysma e parë në gjysmën e dytë të tetorit, si dhe mundësohet përdorimi i terminaleve të gjurmëve të gishtave në zgjedhje.

Sipas ligjit fillestar, regjistrimi i popullsisë rezidente të Republikës së Maqedonisë së Veriut duhej të kryhej nga 1 deri më 21 prill, duke përdorur një kompjuter dhe një aplikacion të veçantë.

Debatet rreth censusit në Maqedoninë e Veriut

Isak Ramadani

Procesi i regjistrimit të popullsisë që po mbahet për diasporën e Maqedonisë së Veriut ka mobilizuar edhe faktorët politikë me thirrjet për t’u regjistruar, ndërsa opozita maqedonase po bën thirrje për shtyrjen e procesit për shkak të pandemisë së koronavirusit. Deri tani janë regjistruar mbi 150 mijë qytetarë me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Censusi brenda vendit duhet të fillojë më 1 prill dhe të zgjasë deri më 21 prill.

Regjistrimi i popullsisë që aktualisht po zhvillohet në diasporë dhe brenda pak ditësh do të fillojë edhe këtu në Maqedoninë e Veriut, ka nxitur mjaft debate dhe si edhe në të kaluarën, çështja po merr dimensione politike.

Opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja, e cila në fillim kërkonte shtyrjen për një vit të procesit për shkak të mospërputhjes, sipas saj, me rregullat e EUROSTAT-it, tash ngul këmbë që censusi të shtyhet për në vjeshtë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Nga ana tjetër, pushteti është i vendosur që censusi të bëhet medoemos, vetëm nëse nuk përshkallëzohet gjendja me koronavirusin. Qeveria paralajmëron gjoba për ata që thërrasin në bojkotimin e regjistrimit të popullsisë dhe për ata që nuk ua hapin dyert regjistruesve.

Megjithatë, një takim që pritet të mbahet të hënën midis Kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të VMRO-së Hristijan Mickovski do të sqarojë nëse do të ketë shtyrje të procesit ose jo.

Drejtori i Entit te Statistikave, Apostol Simovski thotë se censusi para së gjithash është një operacion që siguron të dhënat bazë për krijimin e politikave jetike për qytetarët.

“E keni lirinë që të deklaroheni ashtu siç ndjeheni dhe shfrytëzojeni këtë mundësi”, tha drejtori Simovski duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i harrojnë të gjitha thirrjet për bojkotimin e censusit, “t’i harrojnë trysnitë dhe imponimin e frikës se me anë të regjistrimit dikush do të preket nga sëmundja e tmerrshme e koronavirusit”.

“Do t’i respektojmë protokollet deri në pikën e fundit dhe askush nga pjesëmarrësit në regjistrim nuk do të ndikojë që pandemia të përhapet”, tha zoti Simovski.

Censusi i fundit në vitin 2002 nxori pak mbi dy milonë banorë, prej tyre 25 përqind shqiptarë. Në dhjetë vitet e fundit ka pasur një shpërngulje drejt Evropës Perëndimore dhe sipas vlerësimeve të Bankës Botërore kjo shifër tejkalon 400 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët u larguan për një jetë më të mirë.

Sëkëndejmi, komunitetet joshumicë mund të realizojnë më shumë të drejta nëse përbëjnë të paktën 20 përqind, apo kur janë 50% në një komunë të caktuar mund të përdorin edhe simbolet e tyre kombëtare.

Prandaj shqiptarët i japin rëndësi regjistrimit të diasporës, ku deri më tash janë regjistruar mbi 150 mijë qytetarë me origjinë nga Maqedonia e Veriut, por jo të gjithë evidentohen si banorë rezidentë.

Thirrjeve për regjistrimin e shqiptarëve në diasporë i është bashkuar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Për cenusin janë interesuar edhe Shtetet e Bashkuara, teksa Ndihmës-Sekretari i Departamentit të Shtetit Matthew Palmer ka inkurajuar drejtuesin e opozitës, Mickovski dhe partinë e tij VMRO-DPMNE “që të punojnë së bashku me të tjerët për të siguruar suksesin e censusit që është një mjet i rëndësishëm statistikor për përmirësimin e qeverisjes”, është shprehur zoti Palmer.

Censusi ne Maqedonine e Veriut, filantropi Lazim Destani, thirrje diasporës shqiptare: Regjistrohuni, është akt kombëtar për të marrë çka na takon

Për afro dy muaj me radhë, nga 1 marsi deri më 21 prill 2021, në Maqedoninë e Veriut do të bëhet regjistrimi i popullsisë. Ky census, bëhet pas 20 vjetësh dhe në këtë periudhë është mjaft i rëndësishëm për shqiptarët e këtij shteti. Por, sipas legjislacionit maqedonas, të drejtën për t’u regjistruar e kanë dhe të gjithë ata persona që kanë lindur në Maqedoninë e Veriut, por që jetojnë më shumë se një vit jashtë vendit. Mundësia u është ofruar për regjistrim online deri më 21 prill, ora 24.00. Procesi i regjistrimit online të diasporës kryhet nëpërmjet një aplikacioni që është funksional gjatë gjithë kohës.

Në këtë kuadër, si një domosdoshmëri dhe rëndësi e veçantë për  shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, por edhe si një akt kombëtar, filantropi dhe biznesmeni i njohur, Lazim Destani, iu ka bërë një thirrje publike të gjithë mërgimtarëve të diasporës shqiptare nga Maqedonia e Veriut, që të regjistrohen sa më parë. Edhe si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës Shqiptare, Z.Destani i kërkon diasporës në fjalë, që ta shohin këtë rast, si një moment historik që “shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të marrin hisen që iu takon”.

Më poshte gjeni kërkesën e plotë të Z.Destani, si dhe linkun ku secili mund të regjistrohet online:

“Apel mërgimtarëve nga Maqedonia e Veriut, REGJISTROHUNI !

Të nderuar pjesëtarë të diasporës sonë, qytetarë shtetas të Maqedonisë së Veriut! Përmes këtij apeli po Ju drejtohem për ta theksuar e për ta risjellë në vëmendjen e çdonjërit peshën e jashtëzakonshme që ka akti i regjistrimit, pasi ky nuk është vetëm akt qytetar, por gjithësesi është edhe akt kombëtar, andaj, REGJISTROHUNI!

Si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës sonë, Ju bëj thirrje të gjithëve kudo që ndodheni jashtë vendit, me punë e aktivitete anekënd botës. Siç jeni në dijeni, tashmë gati dy dekada pas regjistrimit të fundit, nga data 1 Mars ka nisur regjistrimi i popullatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa përfundon më 21 Prill.

Ashtu siç jemi treguar gjithmonë të gatshëm dhe aktiv për mbrojtjen dhe avancimin e çështjes sonë kombëtare, le të tregohemi të vëmendshëm edhe tani në këtë moment historik, kur gjithësecili prej nesh, duke i dalë zot familjes dhe pronës së vet, do ta dëshmojmë se dimë t’i dalim zot hises që na takon në shtëpinë tonë të përbashkët.

Regjistrimi i popullatës së një vendi vërtet është një akt me karakter statistikor, por bazuar në sistemin juridik e kushtetues që ka Maqedonia e Veriut, regjistrimi është shumë më shumë se thjesht statistikë. Sipas këtij sistemi, rezultatet e regjistrimit e përcaktojnë edhe bazën juridiko-kushtetuese për gjithçka që na takon si etni në këtë vend.

Ky është linku i aplikacionit të publikuar nga Enti Shtetëror për Statistikë ku duhet të regjistroheni vetë, duke e plotësuar online formularin sipas udhëzimeve të dhëna:

https://census.stat.gov.mk/al/

Regjistrohuni sa më parë që të jetë e mundur dhe pa humbur kohë, si dhe shpërndajeni njoftimin te të afërmit dhe miqtë tuaj që mund të jenë të painformuar!”

Intervista – Ragmi Mustafi: Keqpërdorimi i ligjit në Serbi për përndjekjen politike të shqiptarëve

Nevena Bogdanoviq

Presionet politike dhe juridike të Qeverisë në Beograd ndaj shqiptarëve në Serbi janë duke u rritur çdo ditë e më shumë, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi.

Mustafi ka publikuar në Twitter se ka marrë ftesën për një seancë dëgjimore në Gjykatën për Kundërvajtje në Vrajë, e caktuar për datën 25 mars dhe se ai është akuzuar për shkelje të Ligjit për flamurin e Serbisë – më saktësisht, sipas nenit që ndalon shfaqjen e një flamuri të një shteti të huaj, në qoftë se krahas tij nuk qëndron edhe flamuri i Serbisë.

Duke sqaruar arsyen e ftesës nga gjykata për kundërvajtje, Mustafi thotë që më 28 nëntor të vitit 2020, ashtu sikurse edhe në vitin paraprak, në Ditën e Flamurit Shqiptar (festë shtetërore e pavarësisë së Shqipërisë), është shfaqur flamuri shqiptar në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc.

“Ne e kemi vendimin e Këshillit Kombëtar që flamuri i shqiptarëve në Serbi është ai që ne e shfaqim çdo vit, do të thotë, çdo 28 nëntor, në ndërtesën e Këshillit Kombëtar”, tha Mustafi.

Ai konsideron se nuk e ka shkelur Ligjin për flamurin dhe stemën e Serbisë, ndërkaq në pyetjen se pse mendon kështu, ai ka theksuar:

“Ne e kemi shfaqur flamurin kombëtar të shqiptarëve. E kemi vendimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar se ai është flamuri i shqiptarëve në Serbi. Gjithashtu, më duhet të theksoj që i njëjti flamur është edhe flamuri i Republikës së Shqipërisë. Por, gjithsesi, në rast se e shihni në kuptimin ligjor, ju keni hotele dhe se di, se sa kompani tjera që kanë të shfaqura më shumë flamuj, flamuj të botës që mund t’i shfaqin. Ajo që është e kontestueshme është përndjekja e motivuar politikisht përmes atij ligji, gjegjësisht, përmes atij neni të ligjit”, theksoi Mustafi.

Gjuha e urrejtjes kundër shqiptarëve, “e institucionalizuar”

Duke u bërë thirrje autoriteteve se çështja e shfaqjes së flamurit të shqiptarëve, bashkë me të drejtat tjera të pakicave, të “shqyrtohet seriozisht” në Serbi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, ka theksuar që Kushtetuta e Serbisë, në nenin 79, përcakton që pakicat kombëtare i caktojnë vetë simbolet e tyre dhe kanë të drejtë t’i shfaqin ato.

“Në këtë rast, nuk mundet as shteti e as cilido funksionarë tjetër, të përcaktojë simbolet e pakicës kombëtare shqiptare sepse kjo është e drejtë kushtetuese e jona”, theksoi Mustafi.

Sipas tij, kjo është hera e tretë që merr ftesë për të njëjtën kundërvajtje, ndërkohë që dy procedura të kundërvajtjes për shfaqjen e flamurit shqiptar në vitet e mëparshme, janë ende në vazhdim.

Ai gjithashtu vë në dukje ftesën nga Gjykata për Kundërvajtje e ka marrë vetëm ai, por jo edhe përfaqësuesit e tjerë politikë lokalë të shqiptarëve në Serbinë e Jugut, në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilët gjithashtu ngritën flamurin shqiptar më 28 nëntor të vitit të kaluar.

Ai më pas bëri një paralele lidhur me atë se pse ai beson që është duke u vënë në funksion “keqpërdorimi i ligjit në përndjekjen politike të shqiptarëve”. Thirrja për t’u paraqitur në Gjykatën lokale për Kundërvajtje vjen disa ditë pasi ai paraqiti një ankesë pranë Gjykatës së Apelit në Beograd.

Ankesën në Gjykatën e Apelit e ka paraqitur kundër vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, e cila i ka hedhur poshtë si të pabazuara akuzat e Këshillit Kombëtar Shqiptar kundër ministrit të Policisë, Alleksandar Vullin, për gjuhë të urrejtjes dhe diskriminim, për shkak të përdorimit të fjalës “shiptar”.

Vullin, si bartës i funksioneve shtetërore, disa herë, zyrtarisht, e ka përdorur këtë term, pavarësisht që gjashtë vjet e gjysmë më parë, Komisionerja për Mbrojtjen e Barazisë së Serbisë, Brankica Jankoviq, vlerësoi që një trajtim i tillë ndaj anëtarëve të popullit shqiptar ishte ofendues, ndërkaq që vendimi i parë përfundimtar i gjykatës në të cilin fjala “shiptar” u karakterizua si gjuhë e urrejtjes, u miratua më 2018.

“Vendimi i Gjykatës së Lartë, me të cilin është legalizuar institucionalizimi i gjuhës së urrejtjes në Serbi, tregon se ju nuk mund të padisni një ministër në këtë vend, në këtë rast ministrin e Policisë dhe që si qytetar i lirë i këtij vendi të merrni një vendim ligjor”, theksoi Mustafi në intervistën për Radion Evropa e Lirë, duke paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në rast se në gjykatën në Serbi nuk do të sanksionohet gjuha e urrejtjes e Vullinit.

Deklaratat e Vullinit, “qasje fashiste ndaj pakicave”

Radio Evropa e Lirë: Keni vlerësuar se vendimi i Gjykatës së Lartë për të hedhur poshtë akuzën e juaj “ka treguar motivet politike të sistemit gjyqësor të Serbisë”. Mbi çfarë baze thoni se sistemi gjyqësor i Serbisë është i politizuar?

Ragmi Mustafi: Kemi tri vendime të gjykatës (Gjykatës së Lartë në Beograd), sipas të cilave shprehja “shiptar” është e karakterit ofendues dhe se me këtë inkurajohet diskriminimi i pakicës kombëtare shqiptare.

Në ato procese, sektori joqeveritar paditi mediat e shkruara. Këshilli Kombëtar Shqiptar e ka paditur ministrin, i cili e përdorë këtë fjalë sepse nuk kemi kapacitete të mjaftueshme financiare për të paditur secilin deputetë dhe secilën media. Por, kur këtë e thotë një ministër, kjo nënkupton institucionalizim të gjuhës së urrejtjes.

Në këtë rast, Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë padinë si të pabazuar, vetëm për shkak se ne e kemi paditur ministrin dhe ky është një sinjal i qartë që gjykatat janë nën presion politik.

Radio Evropa e Lirë: Fjalën ofenduese për shqiptarët, siç e potencuat, e flasin edhe deputetë të caktuar të shumicës në pushtet në foltoren e kuvendit. Kjo ndodh edhe para përfaqësuesve të pakicës kombëtare shqiptare në kuvend. Si e vlerësoni qëndrimin e autoriteteve ndaj përfaqësuesve politikë të shqiptarëve, të cilët kanë fituar tri vende në zgjedhjet e fundit?

Ragmi Mustafi: Mendoj se deputetët tanë dhe posaçërisht, e veçoj Shaip Kamberin, i theksojnë mirë problemet e shqiptarëve në shtëpinë më të lartë të Republikës së Serbisë. Por, si sillet qeveria ndaj tyre? Është sjellja e njëjtë sikurse ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës – injorim i përditshëm dhe i tërësishëm i problemit. Nuk është kjo mënyra që të zgjidhen problemet e këtushme.

Nuk është mënyra e duhur që t’i thuhet dikujt ‘e dini çfarë, ju jeni në Republikën e Serbisë dhe në rast se nuk doni të jetoni këtu, shkoni diku tjetër’. Me këtë nuk tregoni vullnet e për më shumë nuk tregoni mirëkuptim për çështjet e pakicave. Sipas mendimit tim, me disa deklarata të ministrit Vullin dhe të tjerëve, vetëm sa tregohet një lloj qasjeje fashiste ndaj pakicave.

Vetë ministri Vullin ka thënë “kush guxon t’u kërcënohet gjykatave në Serbi me Strasburgun?”. E kush guxon kështu që të sillet ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës? Fakti që dikush është ministër ose qeveri, kjo nuk nënkupton se ata guxojnë krejt dhe gjithçka edhe nëse kanë ndikim në gjykata, në polici dhe gjithkund në institucionet e pavarura, si dhe që në atë mënyrë t’i injorojnë plotësisht shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Injorimi i tërësishëm” i problemit të shqiptarëve në Serbi

Radio Evropa e Lirë: Në rrjetet sociale u keni bërë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim të Evropës (OSBE), që “të mos e kthejnë kokën prej qëndrimit autoritar dhe diskriminues të autoriteteve në Beograd ndaj pakicave”. A keni biseduar tashmë me përfaqësuesit ndërkombëtarë?

Ragmi Mustafi: Në çdo takim me përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Serbisë, ne i paraqesim pikëpamjet tona për zgjidhjen e problemeve jetësore të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe në Serbi.

Ne mendojmë se një nga problemet më të mëdha është pasivizimi masiv dhe selektiv i vendbanimeve. Ka më shumë se 4 mijë shqiptarë, të cilëve u është pasivizuar vendbanimi në Medvegjë, ndërkaq në numër më të vogël edhe në Preshevë dhe Bujanoc. Me këtë pezullohen të drejtat qytetare të shqiptarëve që janë shtetas të Republikës së Serbisë.

Në mënyrë të njëjtë, ne i paraqesim qëndrimet tona, para qeverisë dhe bashkësisë ndërkombëtare, lidhur me disa marrëveshje të nënshkruara –nga ajo për çmilitarizim e vitit 2001, të cilën ne e quajmë “Marrëveshja e Konçulit”, në të cilën qeveria federale atëherë mori përsipër të realizojë të drejtat individuale dhe kolektive të shqiptarëve, përmes një procesi demokratik, e të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta e Serbisë.

Por, kjo nuk ka ndodhur. Dy nga katër qëllimet e asaj marrëveshjeje janë: përmirësimi i shpejt ekonomik, si dhe integrimi i shqiptarëve në institucionet publike dhe shtetërore. Ato nuk kanë ndodhur kurrë.

Më pas, kemi marrëveshjen e vitit 2007, gjegjësisht marrëveshjen për riorganizimin e Trupit koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike.

Kemi edhe marrëveshjen e tretë, të vitit 2013, “planin me shtatë pika”, i cili u miratua nga ana e Qeverisë së Serbisë, që përmes dialogut me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve, të realizohen të drejtat e pakicave.

Që nga viti 2001 e këndej, është e dukshme që bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Serbisë nuk janë marrë seriozisht me problemet e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ne kemi numër të tmerrshëm të të papunësuarve. Kemi numër të madh të njerëzve që kanë diplomuar në Kosovë, ndërkaq që ato diploma nuk janë pranuar edhe pse pranimi i tyre ishte paraparë me marrëveshjet. Gjithashtu, nuk ka integrim të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Vetëm në Spitalin e Vrajës, spitalin rajonal për rajonin e Pçinjës, në të cilin komunat e Preshevës dhe Bujanocit e përbëjnë 30 për qind të popullatës, nuk është i punësuar asnjë shqiptar.

Keni institucionet tjera, kadastrën dhe të ngjashme, që funksionojnë në nivelin e qeverisjes lokale, ku nuk ka të punësuar asnjë shqiptar. Kjo vetëm sa tregon se si qeveritë e Serbisë i kanë injoruar tërësisht problemet e shqiptarëve.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë përgjigje merrni kur me qëndrimet e juaja i ballafaqoni përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë?

Ragmi Mustafi: Shikoni, në Serbi ekzistojnë 23 këshilla të pakicave kombëtare. Vetëm dy- tri prej tyre kanë probleme më të mëdha. Tash, kur ata (qeveria) mbase e krijojnë ndonjë të dhënë statistikore, nga 23 këshillat nacional, tre prej tyre nuk janë të kënaqur me standardet dhe me ato që u përcaktohet atyre. Por, pastaj kjo (qëndrimi i qeverisë) nuk ka asnjë lidhje me të drejtat e njeriut dhe të pakicave.

Dikur thuhej që një dialog do të fillohej me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve, por ai dialog nuk u iniciua, asgjë nuk u zgjidh.

Përmendet se shqiptarët nga Lugina e Preshevës janë peng i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Derisa të mos zgjidhet kjo, statusi juridik i shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja nuk do të zgjidhet.

Lugina e Preshevës –“Urë për marrëdhënie të mira” ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës

Radio Evropa e Lirë: Keni kërkuar disa herë që çështja e pozitës së shqiptarëve në Serbi të përfshihet në dialogun e Brukselit (dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nën ombrellën e Bashkimit Evropian). Çfarë përgjigje keni marrë?

Ragmi Mustafi: Në qoftë se kanë kaluar 20 vjet dhe nuk janë zgjidhur shumë çështje serioze, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe të pakicës shqiptare (në Serbi), atëherë ne zgjidhjen e shohim në dialogun e Beogradit dhe Prishtinës. Ai dialog, në fund do të duhej të kishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Me atë marrëveshje gjithëpërfshirëse do të duhej të normalizoheshin marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por nuk mund të normalizohen pa Luginën e Preshevës, në mes. Do të thotë që Lugina e Preshevës është urë e marrëdhënieve të mira ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në kërkesat tona, ne kemi marrë përgjigje nga Prishtina, se ata do të iniciojnë këtë çështje në dialog, por kjo mbetet të shihet.

Bashkësia ndërkombëtare dhe zyrtarët e Serbisë nuk janë prononcuar për këtë çështje sepse tek ata mbretëron, të them, një mendim se me këtë hapen shumë çështje. Por, kjo nuk është kështu.

Në rast se mund të hapet çështja e pakicës serbe në Kosovë, atëherë do të duhej të hapet edhe çështja e pakicës shqiptare në Serbi. Nuk do të duhej që në këtë pjesë të Ballkanit të kemi standarde të dyfishta – që njëra pakicë të trajtohet ndryshe nga një tjetër. Standardet e përbashkëta për pakicat i kontribuojnë paqes. Mendoj që paqja mund të arrihet me dialog serioz dhe me hapjen e çështjeve që kanë të bëjnë me pakicat kombëtare.

Investimet nga Serbia dhe nga Kosova, janë të mirëseardhura

Radio Evropa e Lirë: Ju keni kontakte të rregullta me autoritetet në Prishtinë, ndërkaq që Qeveria e Kosovës, në shtator të vitit të kaluar, ka paralajmëruar themelimin e Zyrës për ndihmë për qytetarët e komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. A prisni që ai vendim të realizohet tash, pas zgjedhjeve parlamentare dhe pas formimit të qeverisë së re, si dhe a ka pasur reagime të autoriteteve në Beograd?

Ragmi Mustafi: Kjo është një zyrë pranë kryeministrit të Qeverisë së Kosovës. Ky ka qenë vendim i qeverisë, i cili është marrë në mbledhjen ku kanë qenë të pranishëm të gjithë ministrat dhe kanë votuar për të. Do të duhej të realizohej tash, kur të vijë kryeministri i ri sepse vendimet e qeverisë paraprake nuk mund të anulohen.

Mendoj se kemi bërë një hap të madh përpara me një vendim të tillë, vetëm që tash mbetet që zyra të formohet. Tash për tash (në Kosovë) nuk kanë ndonjë program për të hapur zyra të tjera në Luginën e Preshevës, por vetëm në Prishtinë.

Ne kemi biseduar lidhur me atë se e kemi një institucion në Kosovë, që merret me njerëzit nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Mendoj që është gjë e mirë, sepse me këtë u ndihmojmë edhe atyre që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njëjtë sikurse edhe bashkëqytetarëve tanë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja që jetojnë në Kosovë, por të cilët kanë mbetur pa dokumente.

Një numër mjaft i madh i atyre që nuk janë kthyer pas viteve të 90-ta, pas luftës së vitit 2001 në Luginën e Preshevës, e të cilët kanë mbetur në Kosovë dhe nuk janë regjistruar, tashmë ligjërisht janë qytetarë të padukshëm atje.

Në të njëjtën mënyrë, ajo zyre do të duhej të ndihmonte komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ashtu sikurse kohë më parë, Qeveria e Kosovës ndihmoi gjatë kohës së pandemisë me 500 mijë euro – 200 mijë euro ka marrë Presheva, 200 mijë Bujanoci dhe 100 mijë Medvegja.

Mendoj që investimet kapitale, të cilat do t’i ndihmonin bashkëqytetarëve tanë në këto tri komuna, janë të mirëseardhura. Në këtë kuptim, ne presim që ngjashëm të ndihmojë edhe Qeveria e Serbisë.

Pandemia nxori në pah nevojën për një spital të qarkut (rajonal)

Radio Evropa e Lirë: Ju e përmendët donacionin nga Qeveria e Kosovës gjatë pandemisë së koronavirusit. Por, si e vlerësoni raportin e Qeverisë së Serbisë ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, gjatë pandemisë?

Ragmi Mustafi: Gjatë pandemisë së koronavirusit është parë domosdoja që popullata shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të ketë spitalin e saj. Unë e kam iniciuar një nismë të tillë, ndonëse kjo nuk është pritur mirë në Serbi, për shkak se ekziston ligji për spitalet ose nuk di se çka. Por, një kërkesë e tillë gjendet në “planin prej shtatë pikave” me Qeverinë e Serbisë.

Gjegjësisht, pika e shtatë thotë – organizimi i sistemit të kujdesit shëndetësor dytësor për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Gjatë pandemisë u tregua që shqiptarët, në njëfarë mënyre ishin mjaft të frikësuar se nuk do të marrin kujdesin e duhur shëndetësor në spitalet në Vrajë dhe në Nish. Ndjenja e frikës është nxitur pas një periudhe të gjatë të diskriminimit të shqiptarëve.

Për sa i përket vaksinimit, mendoj se po zhvillohet siç duhet. Unë vetë e kam marrë vaksinën, për të treguar vullnetin dhe për t’i ftuar qytetarët që të marrin vaksinën sepse të gjithë ekspertët thonë që vetëm përmes vaksinimit mund të mundet koronavirusi.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Sasho Mijallkov dënohet me 12 vjet burgim

Sasho Mijallkov më 26 shkurt.

Isuf Kadriu

Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar me 12 vjet burgim, Sasho Mijallkovin, ish-shefin e policisë sekrete të Maqedonisë së Veriut.

Ai, së bashku me disa ish-bashkëpunëtorë të tij, është shpallur fajtor për veprën penale “Bashkim kriminal”, “Përgjime të paligjshme” dhe “Shkatërrim të pajisjeve për përgjim”.

Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski, dy drejtues të lartë në Drejtorinë e Sigurimit dhe Kundërzbulimit janë dënuar me nga 15 vjet burgim.

Ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska u dënua me 4 vjet burgim, ndërsa Vlladimir Vallerov, Silvana Zllatkova dhe Vasil Isakovski, të gjithë punonjës në shërbimin sekret janë dënuar me nga 2 vjet burgim.

“Të akuzuarit shpallen fajtorë për përgjim masiv të paligjshëm, me një qëllim të vetëm dhe motiv për të vendosur kontroll të plotë politik, ekonomik dhe kontroll të përgjithshëm në jetën e përditshme duke shkelur në drejtat elementare të njeriut. Viktimat, përkatësisht të dëmtuarit janë politikanë, gazetari, personalitete nga jeta politike ekonomike e biznesi që kanë ndikim në shoqëri. Ata kishin për qëllim të kishin kontroll mbi të gjithë, jo vetëm mbi kundërshtarët politikë, por mbi të gjitha ata që kanë ndikim, përfshirë edhe bashkëpunëtorët e tyre. Të gjithë përgjonin dhe madje nuk e dinin nëse edhe vetë përgjohen”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Penale në Shkup.

“Përgjimet janë kryer përmes pajisjeve dhe sistemit që ekzistonte në Ministrinë e Punëve të Breshme për ndjekjen e komunikimeve, sisteme që duhet të shërbimin për sigurinë dhe të drejtat të qytetarëve dhe të shtetit në përgjithësi… Këto pajisje ishte shkatërruar menjëherë pas informacioneve se bisedat e përgjuara tashmë ishin të kapshme për opinionin e gjerë me nisjen e publikimit të tyre duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej më shumë se një milion euro”, thuhet më tej në vendim.

Në bazë të akuzës për rastin e koduar si “Target-Fortesa”, Sasho Mijallkov, i cili ka qenë në krye të Drejtorisë për Siguri Kombëtare, ka përgjuar në mënyrë të paligjshme mbi 4.000 numra të telefonit, apo rreth 20.000 persona, pa pasur vendim gjyqësor për përgjime të tilla.

Ish-drejtori i policisë sekrete maqedonase, Sasho Mijallkov, të martën ishte dorëzuar në Prokurorinë e Shkupit, për të marrë vendimin e arrestit shtëpiak, pas dy ditë kërkimesh intensive nga policia, e cila shpalli edhe fletarrestim ndërkombëtar.

Edhe pse Mijallkov tha se është dorëzuar vetë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se kjo është bërë e mundur falë angazhimit të policisë dhe personalisht vetë atij.

Opozita kërkoi interpelancë për ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski.

Afera e përgjimeve ishte zbuluar në vitin 2015 nga Zoran Zaev, i cili atë kohë ishte në opozitë.

Shkup, dorëzohet ish-shefi i Shërbimit Sekret Sasho Mijallkov

Isak Ramadani

Ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim Sasho Mijallkov në Maqedoninë e Veriut u dorëzua të martën pas një arratie dy ditore. Ai kërkohej nga organet e rendit që prej ditës së dielë kur duhej t’i dorëzohej vendimi i gjykatës për arrest shtëpiak. Zoti Mijallkov është një prej 12 të akuzuarve në rastin gjyqësor të koduar ‘Target-Kështjella’ që ka të bëjë me përgjimin në masë të rreth 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, një skandal i cili u publikua në fillim të 2015 nga Zoran Zaev, atëherë drejtues i opozitës.

Në seancën e fundit gjyqësore Prokuroria kërkoi dënim maksimal për zotin Mijallkov, por nuk kërkoi masën e paraburgimit apo të arrestit shtëpiak para shpalljes së vendimit gjyqësor që pritet të bëhet të premten.

Ish-shefi i shërbimit sekret u paraqit të martën në mbërmje në Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Shkup “për të marrë vendimin”, siç i tha ai televizionit maqedonas 24 Vesti para ndërtesës së prokurorisë. Ai tha se nuk ishte arratisur, por se “kishte qenë në izolim për shkak të temperaturës së lartë prej 40 gradësh dhe frikës se mund të ishte prekur nga koronavirusi”. Ai tha se i kërkon falje qeverisë, organeve të drejtësisë, të rendit e Prokurorisë për gjendjen e krijuar, duke përsëritur se “nuk do të arratisej asnjëherë”.

Por Kryeministri Zoran Zaev tha në një konferencë shtypi menjëherë pas paraqitjes së z. Mijallkov, se ai ishte dorëzuar pas trysnisë që ndërmorën organet kompetente për gjetjen e tij. Zoti Zaev kishte drejtuar vetë operacionin 40 orësh për kapjen e ish-kryeagjentit të vendit.

Ai u dorëzua pasi kuptoi se do të ketë pasoja ndaj pronës së tij, xhiro-llogarive bankare dhe biznesit. Janë tregime për fëmijë fjalët e tij se ka qenë në izolim për shkak të sëmundjes”, tha kryeministri maqedonas.

Edhe një pjesë e medias në Shkup duke u mbështetur në burime të afërta me zotin Mijallkov shkruajnë se ai ishte detyruar të dorëzohej pas njoftimeve se anëtarë të familjes së tij mund të akuzoheshin për dhënien e ndihmës rreth arratisjes e po ashtu edhe truprojat e tij, si dhe se do të kishte konfiskime të pronës së tundshme dhe bllokime të pronës së patundshme.

Ndërkohë, kanë vazhduar akuzat në realicionin polici – prokurori lidhur me përgjegjësinë mbi arratisjen. Prokuroria bëri të ditur qysh të hënën se kishte njoftime për mundësinë e arratisjes së ish-kreut të Sigurimit dhe kërkoi masën e vendosjes së tij në arrst shtëpiak. Ndërkaq, Ministri i brendshëm Oliver Spasovski u tha gazetarëve se nuk do të jepte dorëheqjen, por do të kërkonte përgjegjësi tek instanca të tjera.

Emri i zotit Sasho Mijallkov ngjallte shumë frikë ndërsa ai ishte në krye të shërbimit sekret nga 2006 – 2015. Asnjë media në atë kohë nuk merrej me emrin e tij edhe pse kishte njoftime për shkelje të ligjit, përkatësisht raste të dyshuara si të montuara gjyqësore ku mund të ishin përfshirë agjentë sekretë. Zoti Mijallkov para se ta merrte në drejtim Shërbimin e Kundërzbulimit njihej për pronat që posedonte në Çeki. Ai ka lidhje të ngushta familjare me ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski, po ashtu i arratisur në Hungari.

Maqedoni e Veriut: Arratiset ish-drejtori i Shërbimit Sekret Sasho Mijallkov

Isak Ramadani

Ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, ose shërbimit sekret maqedonas, Sasho Mijallkov u arratis menjëherë pasi një gjykatë në Shkup kërkoi masën e arrestit shtëpiak para shpalljes së vendimit gjyqësor lidhur me një rast ku ai ishte njëri prej të akuzuarve.

Policia maqedonase nuk ka mundur ta gjejë atë në hotelin luksoz “Marriot” në qendër të Shkupit, që është në pronësi të tij, e as në shtëpinë e tij. Autoritetet e rendit kanë nisur kërkimin e tij brenda vendit, por nëse kjo nuk rezulton me sukses për një kohë të shkurtër, atëherë do të shpallin edhe fletëarrestin ndërkombëtar.

Sipas medias në Shkup zoti Mijallkov, është parë të dielën në kafenenë e hotelit të tij ‘Marriot’, i shoqëruar me ish-kryetarin e Komunës së Aerodromit të Shkupit.

Rasti ‘Target-Kështjella’, për të cilin akuzohet zoti Mijallkov së bashku me njëmbëdhjetë persona të tjerë, kryesisht ish-zyrtarë të policisë, ka të bëjë me përgjimin në masë të rreth 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, një skandal i cili u publikua në fillim të 2015-ës nga Zoran Zaev, atëherë drejtues i opozitës. Prokuroria në seancën e fundit gjyqësore kërkoi dënim maksimal për zotin Mijallkov, por nuk kërkoi masën e paraburgimit apo të arrestit shtëpiak para shpalljes së vendimit gjyqësor që pritet të bëhet të premten.

Kryeministri Zaev tha të hënën se ishte i dëshpëruar nga arratisja. “Do të kërkojmë përgjegjësi pasi t’i kemi të gjitha hollësitë rreth rastit”, u shpreh ai për median, duke i hedhur poshtë dyshimet në publik për ndonjë marrëveshje politike lidhur me arratisjen. Ndërkaq, drejtuesi i VMRO-DPMNE-së opozitare maqedonase, Hristijan Mickovski ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë. “Kemi thënë se mafia ka shtetin e vetë në Maqedoni”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Emri i zotit Sasho Mijallkov ngjallte shumë frikë ndërsa ai ishte në krye të shërbimit sekret nga 2006 – 2015. Asnjë media në atë kohë nuk merrej me emrin e tij edhe pse kishte njoftime për shkelje të ligjit, përkatësisht raste të dyshuara si të montuara gjyqësore ku mund të ishin përfshirë agjentë sekretë. Zoti Mijallkov para se ta merrte në drejtim Shërbimin e Kundërzbulimit njihej për pronat që posedonte në Çeki. Ai ka lidhje të ngushta familjare me ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski, po ashtu i arratisur në Hungari.

Opozita maqedonase mbledh nënshkrime kundër regjistrimit të popullsisë

Kryetari i partisë VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski, duke nënshkruar peticionin kundër regjistrimit të popullsisë.

Isuf Kadriu

Partia VMRO-DPMNE ka nisur të shtunën mbledhjen e nënshkrimeve për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, të paraparë për muajin prill.

Opozita maqedonase pretendon se partitë në pushtet kanë kurdisur rezultatet e regjistrimit sa i përket përqindjes së shqiptarëve në shtet dhe se me një veprim të tillë, sipas saj, nuk do të ketë operacion statistikor, por politik.

“Regjistrimi është një operacion statistikor, dhe si i tillë duhet të bazohet në një metodologji dhe proces që do të tregojë rezultate reale, dhe jo false, të bazuar në marrëveshje koalicioni. Pas përgjigjes masive të qytetarëve kundër regjistrimit,(kryeministri Zoran) Zaev duhet menjëherë të tërhiqet nga ideja e regjistrimit në prill”, thuhet në një komunikatë të VMRO-së, e cila pretendon se vetëm të shtunën janë grumbulluar mbi 25,000 nënshkrime të qytetarëve.

Kryetari i kësaj partie Hristijan Mickoski ka akuzuar qeverinë për “rrënimin e shtetit dhe varfërimin e qytetarëve”.

“Imagjinoni për katër vjet ne u zhytëm në këtë kënetë dhe baltë politike. Nuk bënë asnjë projekt nga fillimi deri në fund. Imagjinoni si do të duket ky regjistrim i bërë për 20 ditë, sipas një recete të shkruar nga Zoran Zaev dhe LSDM? Unë ju them, ky është një turp i madh”, ka deklaruar Mickoski.

Sipas ligjeve në fuqi, opozita duhet të mbledhë mbi 30,000 nënshkrime për të rikthyer debatin për Ligjin e regjistrimit të popullsisë, por kjo nuk nënkupton me automatizëm dhe shtyrjen e procesit, pasi shumica parlamentare sërish mund të votojë të njëjtin ligj, që i jep formën e prerë regjistrimit të popullsisë.

Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev, ka thënë se asnjë nismë e opozitës nuk do të mund të shtyjë regjistrimin ndërsa sipas saj, “VMRO me këtë hap synon të fshehë pakënaqësitë brenda saj”.

“VMRO-DPMNE me Hristijan Mickoskin janë parti anti-njerëzore, që punojnë kundër qytetarëve dhe kundër shtetit. Prandaj, është e qartë se nisma e Mickoskit është vetëm për përdorim brenda partiak dhe interesa personale. Përpjekjet e VMRO-DPMNE-së, për të bllokuar këtë proces të rëndësishëm për qytetarët dhe për të ardhmen e vendit, nuk do të kenë sukses”, thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së.

Maqedonia e Veriut regjistrimin e fundit e ka mbajtur në vitin 2002.

Në vitin 2012 kishte një përpjekje për regjistrimin e popullsisë, por ai ishte ndërprerë disa ditë pasi kishte nisur për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me regjistrimin e diasporës shqiptare.

Sipas regjistrimit të fundit, Maqedonia e Veriut ka rreth 2 milionë banorë, prej tyre, 25.17 për qind janë shqiptarë.

Në Shkup u mbajtën protesta për rastin “Monstra”

Shkup

Në Shkup u organizua sot protestë nga familjet e të akuzuarve në rastin “Monstra”, për shkak të pakënaqësisë me punën e Prokurorisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit, që numëronin më shumë se 1.000 persona, së pari u mblodhën në një park në komunën e Çairit, të cilët më pas marshuan nëpër rrugët e Shkupit, ndërsa ndalesa e tyre e fundit ishte Ura e Hekurt në Shkup, që ndodhet pranë Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Gjatë marshimit, protestuesit brohorisnin parulla të ndryshme, përfshirë parulla kundër prokurores Fatime Fetai, si dhe mbanin parulla “Pa drejtësi, nuk ka qetësi”, “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrimi” dhe “Drejtësi dhe Liri”.

Përderisa njëri nga organizatorët përgatitej të jepte deklaratë për mediat, një numër i vogël i protestuesve hodhën gjësende dhe një mjet shpërthyes të zëshëm drejt policisë. Me ndërhyrjen e organizatorëve, këta protestues u larguan për të mos përshkallëzuar situatën, duke thënë se ata ishin mbledhur që të shprehin në mënyrë të qetë dhe dinjitoze pakënaqësinë e tyre lidhur me gjykimin në rastin “Monsta”.

Në emër të organizatorëve, Bedri Ajdari dha një deklaratë për media, ku theksoi nënvizoi kërkesën e tyre si organizatorë të kësaj proteste.

Ajdari tha se të gjitha provat tregojnë se kjo çështje është një rast i montuar politikisht dhe se ata si familje nuk i edukuan fëmijët e tyre për të kryer vrasje dhe akte terroriste, por përkundrazi, tha ai, ata gjithmonë do të dënojnë akte të tilla çnjerëzore dhe gjithmonë do të mbështesin të pafajshmit.

Duke kujtuar deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev, i cili para se të merrte detyrën tha se këta njerëz janë të pafajshëm, Ajdari kërkoi nga Zaev që të sqarojë se në çfarë baze e bëri këtë deklaratë.

Ajdari theksoi se ata duan që ligjet aktuale në vend të zbatohen, duke shtuar se sistemi ligjor në vend është i korruptuar.

Sipas tij, të gjithë protestuesit u mblodhën sepse besojnë se vetëm drejtësia është e nevojshme për të gjitha rastet e montuara politikisht.

“Ne kërkojmë shkarkimin e prokurores Fatime Fetai e cila zbatoi urdhrin e partive politike dhe dorës së zezë nën hije në institucionet kompetente në Maqedoninë e Veriut. Ne i kërkojmë Këshillit Gjyqësor në këtë çështje të mos marrë parasysh kërkesën e prokurorisë, e cila është e paligjshme”, tha Ajdari.

Duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, ai tha se dhimbja e tyre nuk do të ndalet derisa vrasësit e vërtetë të dalin para drejtësisë, duke shtuar se vrasësit e vërtetë mbrohen nga vetë sistemi shtetëror dhe lëvizin lirshëm.

“Ne kërkojmë ndihmë nga përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Maqedoninë e Veriut, nga Bashkimi Evropian (BE) dhe nga SHBA, për të ndihmuar këtë çështje dhe çështjet e tjera të montuara politikisht të trajtohen nga një aspekt i pavarur, dhe jo si Prokuroria aktuale nga aspekt i interesave politikë të palëve të ndryshme”, shtoi Ajdari.

Protestuesit kërkuan shkarkimin e prokurores Fatime Fetai e cila më 21 janar të këtij viti në fjalën e saj përfundimtare në rastin “Monstra” kërkoi dënime maksimale.

Ndryshe, prokurorja Fatime Fetai në fjalën e saj përfundimtare, të shkruar në 70 faqe, tha se dy të arratisurit, Alil Demiri dhe Afrim Ismailovic, kryen vrasjet. Haki Aziri akuzohet se i ka ndihmuar, por pa e ditur që ata kanë kryer vrasje. Sa i përket Fejzi Azirit, prokurori e akuzon atë për ndihmën e Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviçit për të ikur. Për të pandehurin Sami Luta, prokurorja Fetai tha se aktakuza u hodh për shkak të mungesës së provave.

Rasti “Monstra”

Gjyqi për rastin “Monstra” filloi më 20 dhjetor 2012. Në këtë rast bëhet fjalë për vrasjen e pesfishtë të kryer më 12 prill 2012 afër Liqenit të Smilkovës në periferi të Shkupit.

Në qershor të vitit 2014, 6 të akuzuar në këtë rast u dënuan me burgim të përjetshëm. Një person u shpall i pafajshëm.

Më 24 nëntor 2017, Gjykata e Lartë vendosi që rasti “Monstra” duhet të rihapet dhe të akuzuar të mbrohen në liri, me përcaktimin e masave paraprake.

Më 3 shkurt, pala mbrojtëse do të ketë fjalën përfundimtare, ndërsa Gjykata duhet të caktojë një datë tjetër për vendimin për rastin “Monstra”.

Familjet e të akuzuarve kanë shprehur vazhdimisht pakënaqësi me procesin gjyqësor, duke deklaruar se “është një proces i montuar dhe se të akuzuarit janë të pafajshëm”.

VMRO-ja paralajmëron se mund të mos e njohë regjistrimin e popullsisë

Isuf Kadriu

Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE ka paralajmëruar të shtunën se mund të mos e njoh rezultatin e regjistrimit të popullsisë, që është paraparë të mbahet në prill të këtij viti.

“Tri pika, përkatësisht tri kushte, janë të paqarta për ne. Së pari, pse të mos publikohet metodologjia e regjistrimit që supozohej të ishte një pjesë e integruar e Ligjit të regjistrimit, për të parë të gjithë? E dyta, pse LSDM-ja është kundër që regjistrimi apo evidentimi i qytetarëve të bëhen me shenjat e gishtave, ngjashëm sikur që përdoren edhe për dokumentet personale dhe e treta, pse LSDM po përpiqet të bëjë një regjistrim në të cilin njerëzit nuk do të kenë besim, qytetarët nuk do të kenë besim dhe institucionet nuk do të kenë besim. Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE do të kryejë një regjistrim të besueshëm sipas të gjitha standardeve të Eurostat-it”, tha Stefan Andonovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Dyshimet e opozitës maqedonase kanë të bëjnë në veçanti me numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo në vazhdimësi ka ngritur dilemën se shqiptarët janë në numër më pak 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë 2 milionëshe, bazuar në regjistrimin e zhvilluar në vitin 2002.

Paralajmërimi i VMRO-DPMNE-së për mosnjohjen e regjistrimit ka bërë që Lidhja Socialdemokrate (LSDM) në pushtet e akuzoi partinë më të madhe të opozitës për “sjellje anti-shtetërore, të papërgjegjshme dhe shkatërruese, në kundërshtim me interesat kombëtare”.

“VMRO-DPMNE nuk dëshiron të kuptojë se regjistrimi është një operacion statistikor, jo politik, një proces i rëndësishëm për të pasur të dhëna të plota që janë të rëndësishme për krijimin e politikave dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekuilibruar të të gjitha sferave në vend. Regjistrimi do të kryhet në përputhje me të gjitha standardet dhe rregulloret e Eurostat-it, në përputhje me praktikat ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Vërejtje lidhur me regjistrimin paraprakisht kanë paraqitur edhe partitë opozitare shqiptare duke kërkuar garanci se ky proces nuk do të keqpërdoret në dëm të interesave të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet që brenda janarit të votojë ndryshimet në ligjin me organizimin e referendumit, me çka edhe nisin përgatitjet për realizimin e këtij procesi statistikor, që do të mbahet 19 vjet pas atij të realizuar në vitin 2002.

Ndërroi jetë zëvendëskryetari i Qyteti të Shkupit, Enver Maliqi

Shkup

Qyteti i Shkupit ka njoftuar se ka ndërruar jetë zv/kryetari Enver Maliqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke mos përmendur arsyen e vdekjes, nga Qyteti i Shkupit përmes një njoftimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale theksojnë se “humbëm një njeri me vlera të larta”.

“Me dhimbjen më të thellë i informojmë qytetarët që sot ndërroi jetë Enver Maliqi, zëvendës kryetari dhe anëtari i Këshillit të Qytetit të Shkupit. Sot humbëm një mik të madh, koleg të dashur dhe njeri me vlera të larta, veprimtaria e të cilit lidhet ngushtë me Shkupin në çdo aspekt. I lehtë qoftë dheu për ty”, thuhet në njoftimin.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Maliqi u zgjidh anëtar i Këshillit të Qytetit të Shkupit nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BD), ndërsa më pas u emërua zv/kryetar i Qytetit të Shkupit nga ana e kryetarit Petre Shilegov.

Para inkuadrimit në politikë, Maliqi ka qenë i njohur si një afarist i suksesshëm në Maqedoninë e Veriut dhe vendet e rajonit, duke poseduar kompani në fushën e shpërndarjes së mallrave, patundshmërive, si dhe hoteleve.

Akademik Ali Aliu dhe profesor Xhevat Lloshi fitues të Çmimit Shtetëror “22 Nëntori”

Shkup

Akademik Ali Aliu nga Maqedonia e Veriut dhe profesor Xhevat Lloshi nga Shqipëria janë fitues të sivjetmë të Çmimit Shtetëror “22 Nëntori” të Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Evenimenti i ndarjes së çmimit u mbajt me respektimin e masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku të pranishëm ishin kryeparlamentari Talat Xhaferi, një delegacion qeveritar i udhëhequr nga zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi si dhe përfaqësues të partive politike, akademikë dhe studiues.

Çmimi Shtetëror “22 Nëntori” ndahet me rastin e Ditës së Alfabetit Shqip ndërsa nga Këshilli për ndarjen e çmimit theksojnë se çmimi ndahet për mirënjohjen e njerëzve nga jeta politike, kulturore dhe shoqërore, të cilët kanë dhënë kontribut në avancimin e bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

Para se të ndajë çmimet, kryetarja e Këshillit për ndarjen e çmimit “22 Nëntori”, profesoresha Gëzime Starova tha se gjuha dhe shkrimi jo vetëm që janë mjetet më të forta për ruajtjen dhe kultivimin e unitetit të një kombi, por gjithashtu janë faktor të rëndësishëm në realitetin shumëkulturor të vendit.

“Sot ne me të drejtë theksojmë se diversitetin etnik dhe gjuhësor në shoqërinë tonë e shohim si një pasuri të përbashkët, vlerë kjo që e kemi pranuar si realitetin tonë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Starova.

Akademiku Ali Aliu në fjalën e rastit tha se me këtë çmim atë e lidhin edhe kujtimet e shkollës fillore, që ai e ka kryer në qytetin e Manastirit dhe ka qëndruar si konviktor në “ndërtesën e ABC-së”, ndërtesë në të cilën u mbajt Kongresi i Manastirit.

“Për të gjitha këto, një falënderim i madh këshillit që konsideroi se e meritojmë këtë nder, Xhevat Lloshi dhe unë, dhe për praninë tuaj që e konfirmoni këtë”, tha Aliu.

Profesori Xhevat Lloshi tha se ndonëse çmimi lidhet me historinë dhe kulturën shqiptare, ai ka vend edhe në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe e pasuron atë.

“Dëshiroj të vë në dukje që çdo fëmijë në Shqipëri e mëson që në fillim këtë ngjarje të madhe. Por, nga ana tjetër, kjo ngjarje ka ndodhur në territorin e Maqedonisë së Veriut. Unë mendoj që çmimi që jepet tani, tregon për një frymë të re në marrëdhëniet midis popujve”, tha Lloshi.

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe apo Kongresi i Manastirit shënon mbledhjen e dijetarëve shqiptarë që u zhvillua më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në këtë kongres ishin të pranishëm delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare nga e gjithë bota, të cilët miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe.

Për popullin shqiptar, Kongresi i Manastirit ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit 20, ku me rezultatet e saj më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare.

Shënohet 112 vjetori i Kongresit të Manastirit

Isak Ramadani

Në Shkup po mbahen simpoziume shkencore me rastin e 112 vjetorit të Kongresit të Manastirit, i njohur si Dita e Alfabetit (të gjuhës shqipe). Dita e nesërme, 22 nëntor kur përfunduan punimet e Kongresit më 1908, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut prej para pak vitesh është bërë festë zyrtare.

Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut (ITKSH) ka organizuar këto ditë një sërë aktivitetesh lidhur me përvjetorin e Kongresit të Manastirit apo Ditën e Alfabetit që këtu është festë zyrtare për shqiptarët.

Studiues dhe zyrtarë shtetërorë morën pjesë në takimin e së shtunës, që iu përkushtua Gjerasim Qiriazit, njërit prej pjesëmarrësve dhe kontribuesve të Kongresit para 112 vjetësh.

Skënder Hasani, drejtor i ITKSH tha se alfabeti i gjuhës shqipe, “që u ndihmua aq shumë nga misionarët amerikanë, u vulos më 22 nëntor, 1908 dhe Instituti për Trashëgiminë dhe Kulturën Shqipërtërore u themelua pikërisht më 22 nëntor dhe tash është vendosur në objektin e ish-ambasadës amerikane në Shkup. Ky Kongres është faqja tjetër e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe sintetizim më i saktë i përpjekjeve iluministe të rilindasve tanë për ndriçimin e kombit”.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi shprehu kënaqësinë që manifestimi fillon me Gjerasim Qiriazin dhe përfundon me përurimin e librit për Parashqevi Qiriazin. “Nuk mund të ishte ndryshe, sepse ata të dy dhe shumë intelektualë të tjerë anembanë ku frymonin shqiptarët u tubuan në Kongresin e Manastritit që nga përbërja dhe çështjet që i diskutoi dhe zgjidhi – konsiderohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike dhe kulturore të shqiptarëve”, u shpreh kryeparlamentari Xhaferi.

Arafat Shabani, zv.ministër i Arsimit në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut theksoi shpresën se nga shtatori i ardhshëm “Abetarja e unifikuar do të bëhet realitet në të gjitha shkollat e trevave shqiptare”.

Edhe Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivit Shqiptar, nënvizoi se Kongresi i Manastirit përbën një moment shumë të rëndësishëm të kombit shqiptar “që tregon se sot e kësaj dite frymon si i tillë, pavarësisht realiteteve të ndryshme politike. Prandaj, bashkëpunimi në mes institucioneve tona, pavarësisht shtetit ku ndodhet, duhet të jetë gjithnjë e më i fortë”, theksoi z. Bido

David Hosaflook një studiues i njohur i kulturës dhe historisë shqiptare foli për peripecitë e shumta në kërkim të varrit të njërit prej vëllezërve Qiriazi, eshtrat e të cilit më në fund ishin gjetur në një varrezë të dëmtuar protestante të qytetit të Strumicës.

Dita e nesërme, 22 nëntori, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është festë zyrtare.

Në qytetin e Manastirit, Shtëpia e Alfabetit është shndërruar në muze, por ende me probleme të pazgjidhura pronësore.

zëri i amerikës

Sofja konfirmon veton, akuzon Shkupin për nxitje të urrejtjes

Isuf Kadriu

Drejtuesit e institucioneve në Maqedoninë e Veriut, kanë zbehur optimizmin për një marrëveshje me Bullgarinë, një ditë para mbledhjes së ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku do bisedohet mbi kornizën negociuese të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se po bëhet gjithnjë e më e sigurt se vendi nuk do të mund ta evitojë veton nga Bullgaria. Pavarësisht kësaj, Zaev la të shpresohet se konferenca e parë ndërqeveritare ndoshta do të mbahet deri në fund të vitit.

“Ne kemi arritur marrëveshje për pesë personalitete historike, tri periudha historike dhe ne jemi të gatshëm t’i shpallim ato dhe të nisin t’i aplikojmë në tekstet shkollore, si këtu ashtu edhe në Bullgari. Ne duhet të vazhdojmë më tej dhe unë jam i bindur se me vendimet pozitive ne ndërtojmë miqësinë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.

Zyrtarë të lartë të Bullgarisë, si zëvendëskryeministri Krasimir Karakaçanov dhe shefja e diplomacisë, Ekaterina Zaharieva, kanë bërë të qartë se bisedime mund të ketë, sikur që mund të ketë edhe marrëveshje, por vetëm nëse pranohen kërkesat e palës bullgare. Madje, në paraqitjet e fundit, zyrtarët bullgarë kanë akuzuar Shkupin për nxitje të urrejtjes dhe vjedhje e falsifikim të historisë.

“Nuk mundet që të vidhni historinë bullgare, të thoni se ky apo ai janë maqedonas dhe jo vetëm që ta vidhni, por edhe ta falsifikoni dhe në bazë të falsifikimeve të nxitini gjuhën e urrejtjes… Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet, do të bisedonim edhe gjatë natës së festave të Vitit të Ri, nëse ata janë të gatshëm të pranojnë kërkesat tona. Ata nuk mund të dalin me argumente se ‘ky është identiteti ynë’. Prisni, ‘ky është identiteti juaj, por është i sajuar’”, ka deklaruar për televizionin Kanal 3, zëvendëskryeministri Karakaçanov, i cili njëherësh është edhe ministër i Mbrojtjes.

Zyrtarët bullgarë gjithashtu kanë kritikuar autoritetet maqedonase për nderimet që po i bëjnë të kaluarës komuniste, e që sipas tyre është në favor të Rusisë.

“Nuk mundet që në njërën anë të dëshironi të anëtarësoheni në BE dhe të demokratizoni shoqërinë dhe në anën tjetër të mbani manifestime për diktatorin më të errët, Titon. Nëse vazhdojmë t’i mbyllim sytë nga faktet se ky vend vazhdon ashtu siç e kishin paramenduar Titoja dhe Stalini, atëherë ne me këtë i bëjmë shërbim Moskës”, ka deklaruar shefja e diplomacisë bullgare Eketerina Zaharieva, në një intervistë për televizionin shtetëror bullgar.

Duke komentuar pozicionin e palës bullgare dhe asaj maqedonase, Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bullgaria vështirë do të bëjë kompromis, por sipas tij, pala bullgare do të qëndrojë deri në fund pas kërkesave të saja.

Ai thotë se pala maqedonase duhet të reflektojë, pasi në këtë rast nuk bëhet fjalë për mohim të identitetit.

“Mendoj se Bullgaria me të drejt kërkon një kompromis, i cili mendoj se nuk ka të bëjë me identitetin, por ka të bëjë me gjenezën. Askush nuk ta konteston identitetin se si ndihesh ti. Këtë askush nuk mund të ta kontestojë, por kompromise duhet të ketë nga të dyja palët. Unë nuk shoh ndonjë problem. Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe hapja e derës për në Evropë i garanton maqedonasve të sotëm që të mbijetojnë apo të kenë perspektivë si popull. Këta, këtë duhet ta kuptojnë. Mendoj se Bullgarinë duhet ta shohin si shtet vëlla. Kjo mendoj se duhet të ndodhë këtu, por konsideroj se ende rryma serbe është e fortë në Maqedoninë e Veriut dhe e pengon këtë proces”, thotë Sinani.

Pala bullgare konteston gjuhën dhe identitetin e maqedonasve me pretendimin se ato kanë “rrënjë bullgare”, se gjuha maqedonase është krijuar pas vitit 1945 nga një dialekt i gjuhës bullgare dhe asaj serbe. Dy vendet në vitin 2017 nënshkruan një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por në vend të afrimit, jo ka ndarë edhe më shumë dy shtetet.

Maqedoni e Veriut: Rajonet e banuara me shqiptarë, me standard më të ulët jetësor

Zërijeta Hajro Jajaga

Rajonet e banuara me popullsi kryesisht shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kanë standard më të ulët jetësor, thuhet në të dhënat e reja të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Sipas raportit “Rajonet në Maqedoninë e Veriut” të publikuar nga Enti i Statistikave, del se paga mesatare e qytetarëve në Shkup është për 150 euro më e lartë kundrejt atyre të cilët jetojnë në rajonin verilindor (ku përfshihet Kratova, Krivapallanka, Kumanova dhe Likova e të tjera) të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë që rajoni i Pollogut, që ka popullsi kryesisht shqiptare, ka standardin më të ulët jetësor.

Nëse shihet Bruto Produkti Vendor për kokë banori, në Shkup është 7 mijë e 300, përkatësisht rreth 5 mijë euro më e lartë me qytetarët që jetojnë në rajonin e Pollogut. Bruto Produkti Vendor për kokë banori në këtë rajon është 2 mijë e 420 euro.

Në rajonin e Pollogut bëjnë pjesë Komuna e Tetovës, Gostavarit, Mavrovës, Bogovinës, Vrapçishtit etj.

Përpos në Shkup, ku është e koncentruar një e treta e popullsisë së Maqedonisë së Veriut, paga mesatare në shtatë rajonet e tjera të shtetit, është më e ulët se mesatarja shtetërore.

Zhvillimi i barabartë rajonal është e rregulluar me ligj, por edhe me strategjitë dhjetëvjeçare të politikave qeveritare.

Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjithnjë e më shumë po vjen në shprehje zhvillimi jo i barabartë në tetë rajonet e Maqedonisë së Veriut.

“Brenga jonë si Odë është se në të ardhmen, nëse vazhdon ky trend i zhvillimit joproporcional të rajoneve, e tërë Maqedonia e Veriut do të bëhet Shkup dhe Shkupi si kryeqendër do të jetë e tërë Maqedonia e Veriut. Për këtë qëllim duhet sa më shpejtë të intervenohet nga ana e shtetit që t’i jepet fund kësaj dukurie”, thotë Iseni.

Ai thotë se për të mos pasur hendek mes rajoneve, duhet që të zbatohen ligjet në fuqi.

“Problemi së pari është në nivel qendror, pasi ligji në fjalë që rregullon barazinë zhvillimore nuk zbatohet ashtu siç duhet. Në bazë të Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal, 1 për qind e Bruto Prodhimit Vendor duhet të investohet në zhvillimin e barabartë rajonal, që është në vlerë afërsisht 100 milionë euro, ndërkohë që vlera më e lartë e investimeve nga ana e shtetit në këtë politikë nuk arrin as 11 për qind të kësaj vlere ligjore”, thotë Iseni.

Përderisa Aleksandar Cvetkovski nga organizata joqeveritare AGTIS, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjithkund në botë, në kryeqytet është e koncentruar fuqia ekonomike, andaj sipas tij, pagat aty janë më të larta.

“Kjo ndodh për faktin se nga vendet e vogla, njerëzit e mençur largohen, pjesa më e madhe ikin në mërgim, përderisa një pjesë transferohen në Shkup. Më besoni në Prilep, Manastir apo Ohër është shumë e vështirë të gjeni një kuadër kualitativ. Të gjithë ata që ishin të mirë, në profile të caktuara, tashmë kanë ikur. Nëse një person është shkolluar në Shkup gjithsesi vendos të qëndrojë në kryeqendër, ku i ofrohen më shumë mundësi”, thotë thotë Cvetkovski.

Të dhënat e Entit të Statistikave po ashtu shfaqin një pabarazi sa i përket shkallës së papunësisë në rajone të ndryshme të Maqedonisë së Veriut.

Rajoni Verilindor prin sa i përket shkallës së papunësisë, me 33 për qind, ndërkaq, shkalla e papunësisë më 2019, në tërë Maqedoninë e Veriut, ishte 17.5 për qind.

Ndërkaq, përqindja më e ulët e papunësisë është në juglindje të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht 6.3 për qind.

Në këtë drejtim Aleksandar Cvetkovski thekson investimi në politikat arsimore do të bënte që të rinjtë që mbarojnë studimet, t’iu përgjigjen kërkesave të tregut të punës dhe që të njëjtit, të ardhmen e tyre të mund ta ndërtojnë edhe në qytetet më të vogla.

“Shkollat pothuajse nuk ofrojnë asnjë njohuri për të përgatitur gjeneratat e reja të jenë konkurrues në tregun e punës. Mungojnë kuadrot që i nevojiten sektorit të biznesit. Ja për shembull në rajonin e Pellagonisë kërkohen mekanikë për ekskavatorë, shitës të kompjuterëve, por të tillë në gishta mund të numërohen”, thotë Cvetkovski.

Ndërkaq Drilon Iseni drejtor nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se duhet ndërtuar mekanizma për një qasje të barabartë për sa i përket investimeve, në mënyrë që të shmangen dallimet e mëdha zhvillimore të rajoneve të ndryshme.

“Nëse merret aspekti i investimeve në rajonin e Pollogut, gjatë vitit 2018 janë regjistruar 109 milionë euro investime kryesisht private dhe një pjesë publike. Përderisa të njëjtin vit, në rajonin e Shkupit janë investuar 1.2 miliard euro, që është 11 fish më shumë krahasuar me rajonin e Pollogut”, thotë Iseni.

Ai nënvizon se derisa nuk realizohet regjistrimi i popullatës, është shumë e vështirë të hartohen politika efektive zhvillimore për rajonet e caktuara në Maqedoninë e Veriut, sepse siç thotë Iseni, mungon pasqyra reale e shpërndarjes së popullsisë në territorin e shtetit.


Send this to a friend