VOAL

VOAL

NEW YORK TIMES: OPOZITA KËRKON NJË QEVERI TRANZICIONI PA NDIKIMIN E GRUEVSKIT NGA JOANNA BERENDT

Foto nga Georgi Licovski/European Pressphoto Agency

Qeveria e Maqedonisë fajësohet për skandalin e përgjimeve

Qeveria e Maqedonisë fajësohet për skandalin e përgjimeveZoran Zaev ka thënë gjatë një interviste për një stacion televiziv se opozita është e vendosur të ketë qeveri kalimtare pa ndikim të Gruevskit. Nëse kryeministri nuk jep dorëheqje deri në fund të muajit, opozita, është zotuar Zaev, do të marrë parasysh «radikalizimin» e veprimeve të protestës, shkruan «New York Times».

——–

Shërbimi i sigurisë kombëtare, duke vepruar me urdhra të Qeverisë konservative dhe gjithnjë e më autoritare të Maqedonisë, ishte prapa skandalit të përgjimeve që e ka vënë në dyshim qëndrueshmërinë e vendit, bëhet e ditur në një raport të ri.

Publikimi i raportit prej Komisionit Evropian të premten ka pasur një raund të ri të pasuksesshëm negociatash në kryeqytetin Shkup, me qëllim të kapërcimit të krizës, më e madhja që ka përjetuar shteti me dy milionë banorë prej se fitoi pavarësinë më 1991. Katër krerë politikë, bashkë me ambasadorët e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kanë dështuar të premten të arrinin marrëveshje për formimin e një qeverie kalimtare që do ta përgatiste vendin për zgjedhjet e parakohshme në prill të vitit të ardhshëm.
«Tingëllon qesharake që elita politike e një shteti të zhvilluar evropian nuk ka aq integritet moral, saqë është e domosdoshme ndërhyrja nga BE-ja dhe SHBA-ja për të zgjidhur problemet e veta», ka deklaruar Albert Musliu nga Komiteti i Helsinkit, grup për të drejtat e njeriut. «Por fatkeqësisht, kjo është e vërtetë», ka deklaruar gjatë një interviste ai.

Megjithatë, negociatorët – Nikola Gruevski, që është kryeministër që nga viti 2006, Zoran Zaev i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë në opozitë; dhe krerët e dy partive më të vogla që përfaqësojnë minoritetin shqiptar të vendit – janë pajtuar të bëjnë pa asnjë vonesë ndryshimet e nevojshme që janë propozuar nga Johannes Hahn, komisionar i Bashkimit Evropian.

«Tani nuk ka hapësirë për kompromis», ka deklaruar Musliu. «Të gjithë krerët duhet të veprojnë sa më shpejt që është e mundshme për të rikthyer besimin e shoqërisë në institucionet publike që është reduktuar në minimum në muajt e fundit».

Raporti, rezultat i hetimit të 670 mijë bisedave të përgjuara ilegalisht nga më shumë se 20 mijë numra telefonash, ka vënë në pah brishtësinë e strukturës demokratike në Maqedoni, që monitorohet nga afër prej qeverive perëndimore, sepse është në udhëkryq të Ballkanit.

Sipas dokumentit, të përgatitur prej ekspertëve të pavarur, Qeveria nën kryesimin e Gruevskit ka keqpërdorur shërbimet e sigurisë kombëtare «për të kontrolluar zyrtarët më të lartë në administratën publike, prokurorët, gjykatësit dhe kundërshtarët politikë».

Raporti gjithashtu thekson «përfshirjen e dukshme të drejtpërdrejtë të zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe partiak në kurdisje të zgjedhjeve, korrupsion, abuzim të pushtetit dhe autoritetit, konflikt të interesit, shantazh, zhvatje, dëmtim kriminal», si dhe «në përfshirje të papranueshme politike në nominim/emërim të gjykatësve».

Gruevski, që nuk ka çelur gojën gjatë 24 orëve pas publikimit të rezultateve të raportit, as i ka shkuar ndërmend të shprehë keqardhje, teksa ka folur gjatë shënimit të një përvjetori të partisë së tij të mbajtur të shtunën mbrëma. Ai ka akuzuar një organizatë pa përmendur emrin, mbase një shërbim të huaj inteligjence, se kishte paguar «shumë para një numri njerëzish që mund të bëjnë një numër përgjimesh» me qëllimin e «shkatërrimit brutal» të partisë së tij dhe «për të futur frikën në mesin e popullit». «Por në vend se t’ia dilte me sukses në këtë drejtim, ata do të shkatërrojnë veten, duke rënë në kurthin e zgjedhjeve të parakohshme, në të cilat do të fitojmë ne», ka deklaruar Gruevski.

Xhabir Deralla, themelues dhe president i Civil, organizatë për të drejtat e njeriut në Maqedoni, e ka përshkruar fjalimin si «eksploziv, kërcënues dhe popullist». «Gruevski i ka prirë Qeverisë në një mënyrë jashtëzakonisht kriminale», ka deklaruar Deralla gjatë një interviste. «Bisedat e përgjuara zbulojnë krimet për të cilat në një vend normal, ai dhe shumë anëtarë të Qeverisë së tij do të duhej të dërgoheshin në burg për goxha do vite».

Kriza që po thellohet ka shkaktuar jo vetëm frustrim në mesin e popullsisë së gjerë, me protestat e fundit ku morën pjesë dhjetëra mija maqedonas duke u shndërruar në të dhunshme, por edhe me dëmtim të aspiratave të Maqedonisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Sipas raporteve të medieve, Gruevski është i gatshëm të pranojë çfarëdo zgjidhje, përfshirë krijimin e qeverisë kalimtare, derisa ai të vazhdojë të mbetet në pushtet. «Çdo ditë është kritike», thekson Deralla. «Dhe makineria e Gruevskit e di fort mirë këtë punë dhe punon me zell të madh për të mbetur në pushtet».
Por Zaev ka thënë gjatë një interviste dhënë të enjten për një stacion televiziv se opozita është e vendosur të ketë qeveri kalimtare pa ndikim të Gruevskit. Nëse kryeministri nuk jep dorëheqje deri në fund të muajit, opozita, është zotuar Zaev, do të marrë parasysh «radikalizimin» e veprimeve të protestës.

BASHKIMI EVROPIAN – MAQEDONIA TË KRYEJË NDRYSHIME RRËNJËSORE

Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian u ka këruar të marten drejtuesve politikë të Maqedonisë që t’i japin fund krizës politike dhe të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme, në bazë të marrëveshjes së 2 qershorit.

Këshilli ka miratuar konkluzionet për Maqedoninë, duke kërkuar realizimin e shpejtë të reformave dhe hetime mbi veprimet e mundshme kriminale që dalin nga skandali i përgjimeve.

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, vendi i të cilit është kryesues i radhës me Bashkimin Evropian, ka thënë se shpreson që mesazhi i Këshillit të Ministrave do të dëgjohet në Shkup, “por nëse gjendja nuk ndryshon atëherë BE do të shikojë se ç’farë masash mund të ndërmarrë”, është shprehur ai.

Ministri letonez ka shtuar se marrëveshja e 2 qershorit do të kthente vlerat demokratike në vend, përfshirë marrëdhëniet e mira ndëretnike përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe forcimin e marrëdhënieve të mira mes vendeve fqinjë. Ministri Rinkēvičs ka nënvizuar nevojën për reforma në fushën e sundimit të së drejtës, pavarësinë e gjyqsorit, median, reformat zgjedhore, çështjen e korrupsionit dhe atë të politizimit të institucioneve shtetërore.

Kryeministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pritet që t’i miratojnë këto konkluzione ditën e enjte dhe të premte.

Katër drejtuesit e partive kryesore në Maqedoni do të takohen sërish më 29 qershor, në pritje të një marrëveshjeje për formimin e një qeverie të përkohëshme, e cila do të përgatiste zgjedhjet e parakohëshme të planifikuara për muajin prill të vitit 2016.

Burime të afërta me dy partitë rivale maqedonase, VMRO dhe Lidhja Social Demokrate thonë se kryeministri aktual Nikolla Gruevski mund të largohet nga detyra gjashtë muaj para zgjedhjeve të parakohshme. za

Çavkov – Nuk do të ketë hetim ndërkombëtar për Kumanovën

VOAL – SHKUP – Sulmi i 9 majit mes forcave të rendit në Kumanovë dhe një grupi të armatosur të pjesëtarëve të ish-UÇK-së, nuk do të bëhet pjesë e hetimeve ndërkombëtare. Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka hedhur poshtë zërat për një hetim ndërkombëtar për ngjarjen e 9 dhe 10 majit në Kumanovë.
Kjo u bë e ditur dje nga ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov, gjatë qëndrimit të tij në Kumanovë ku zhvilloi një takim me përfaqësuesit e bashkësisë lokale të “Lagjes së Trimave”.“Ne si MPB pjesën tonë të aktiviteteve e mbaruam. Me realizimin e ekspertizës në vendin e ngjarjes të cilën e kryesonte prokuroria publike janë ngritur dhe siguruar të gjitha gjurmët si dëshmi për zhvillimet dhe ngjarjet. E tani, pritjet tona, si edhe tuajat, janë që prokuroria publike përmes një procedure transparente dhe efektive gjyqësore të qartësojë të gjitha rrethanat e zhvillimeve në Kumanovë. Nuk ka kërkesa dhe sipas bindjes sime të thellë  nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar lidhur me këtë rast”, deklaroi ministri Çavkov.

Shpenzimet marramendëse për ‘Shkupin 2014’ vazhdojnë

Ndërtimi përmendoreve dhe objekteve të ndryshme, të cilat janë pjesë përbërëse eprojektit “Shkupi 2014”, nuk ndalet, pavarësisht krizës politike dhe aferës së përgjimeve, për të cilën opozita thotë se ka nxjerr në sipërfaqe “veprimet kriminale të pushtetit aktual”.

Drejtoresha e organizatës joqeveritare Transparencë për Maqedoninë, Ana Janevska – Delleva, thotë se është e pakuptimtë që të vazhdojë hapja e më shumë tenderëve për realizimin e projektit “Shkupi 2014”, ndërkohë që i njëjti duhej të përfundonte që në vitin e kaluar.

Sipas Dellevës, hapësirë për dyshime lë ndarja e 500 mijë eurove plotësuese për enterierin e brendshëm të Muzeut të VMRO DPMNE-së, të cilat nuk ishin paraparë gjatë tenderimit të parë.

Për të mbetet e diskutueshme në bazë të çkaje rritet kostoja për ndriçimin e përmendoreve dhe monumenteve kulturore që janë pjesë përbërëse të këtij projekti nga 96 mijë euro sa ishin paraparë në marrëveshjen e qytetit të Shkupit me firmën që duhej të realizojë këtë projekt për 38 mijë euro më shumë, duke rritur koston e ndriçimit të objekteve në 134 mijë euro.

Mbetet për t’u shqyrtuar rritja e kostos së ndërtimit të rrethores së urës para ‘Holidej In’, për të cilën rrethore gjatë vitit 2014 ishin paraparë një milion e 150 mijë euro, dhe tani qyteti i Shkupit ka nënshkruar një marrëveshje plotësuese dhe harxhimet rreth realizimit të këtij projekti rriten për 260 mijë euro plotësuese”, thekson Delleva, duke shtuar se duhet bërë e qartë sa ka kushtuar projekti “Shkupi 2014”, ku është fokusuar qeveria aktuale për të investuar.

“Është koha e fundit që kryeministri Nikolla Gruevski, si inspirues politik i këtij projekti, përfshirë këtu dhe ministren e Kulturës, Elizabeta Kanceska -Milevska, dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, Koce Trajanov, si realizues kryesorë të këtij projekti, të na kumtojnë kur do të përfundojë ky projekt , dhe një e herë e përgjithmonë të bëhet publik konstrukti financiar i realizimit të këtij projekti”, vlerëson Delleva.

Margarita Caca – Nikollovska, ish-gjykatëse në Gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg, konsideron se me zgjidhje juridike të krizës politike në vend, nënkuptohet dhe veprim i menjëhershëm i organeve kompetente.

Kjo, sepse nëse ekzistojnë dëshmi të caktuara, të cilat kanë dalë në pah përmes bisedave të përgjuara telefonike, duhet të fillojë menjëherë mbledhja e dëshmive të tjera që do të dëshmonin fajësinë ose pafajësinë e udhëheqësve të caktuar të apostrofuar nga opozita maqedonase se janë të përfshirë në afera të ndryshme korruptive.

“Nga mosveprimi i organeve gjyqësore me kohë, krijohet mundësi që dëshmitë e paraqitura nga bisedat e përgjuara të publikuara nga opozita,thënë kushtimisht ‘të humbasin’, dhe nesër kush do të përgjigjet? Për këtë duhet të mendojnë mirë të gjithë pjesëmarrësit, qoftë në mënyrë aktive ose joaktive, duke filluar nga përfaqësuesit e qeverisë dhe duke përfunduar me organet e sistemit gjyqësor, sepse veprat kriminale nuk vjetrohen si lëndë”, konsideron Margarita Caca Nikollovska.

Nga ana tjetër, Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, thotë se të gjithë qytetarët duhet të jenë të shqetësuar për harxhimet marramendëse rreth projektit “Shkupi 2014”, sepse në fund të fundit kostoja e këtij projekti ka impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së tyre.

“Mund të them se ne do të mbytemi në rërën tonë të ekonomisë së brendshme, të cilën vetë po e krijojmë, sepse lejojmë të subvencionohen nga qeveria ato degë, të cilat absolutisht nuk kanë perspektivë ose nuk sjellin kurrfarë benificioni, siç është realizimi i projektit ‘Shkupi 2014’”, thekson Visar Ademi.

Së fundmi, Qyteti i Shkupit nga buxheti komunal vetëm për zbukurimine hapësirave ku është vendosur përmendorja e Filipit II, para Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ka ndarë 318 mijë euro. rel

GJORGJI SPASOV – ALI AHMETI ËSHTË SHPËTIMTARI I GRUEVSKIT

VOAL – MAQEDONI- Kryeministri Nikolla Gruevski ka bashkëpunuar me kompani dhe biznesmenë të cilët tani kanë përfunduar në burg dhe u është ndaluar veprimtaria nga organizatat ndërkombëtare, për shkak të veprimeve të tyre kriminale.

Kështu ka pohuar për mediat njohësi i situatës politike në Maqedoni, Gjorgji Spasov, duke numëruar disa prej biznesmenëve të cilët, siç tha, Gruevski i ka pasur partnerë edhe në projekte të qeverisë.

Duke komentuar bisedimet për zgjidhjen e krizës dhe kërcënimet e Ahmetit ndaj Zaevit se, nëse nuk pranon marrëveshje do të iniciojë zgjedhje të parakohshme, Spasov ka thënë se Ahmeti edhe në të kaluarën ka marë vendime për të shpëtuar partnerin e tij, Nikolla Gruevski.

“Në vitin 2011, Cërvenkovski e dinte se popullariteti i Gruevskit po binte për shkak të aktiviteteve të tij ndaj televizionit A1, ndaj e luste Ahmetin që të shtyheshin zgjedhjet deri në shtator, meqë në shtator mendonte se do të fitonte opozita. Por, Ali Ahmeti, për ta shpëtuar Gruveskin, asokohe urgjentisht i shpalli zgjedhjet në muajin maj”, ka pohuar Gjorgji Spasov.

FOTO E DITËS – ALI AHMETI SHKËLQYER NË MAQEDONISHT, DOBËT NË SHQIP

SHKUP- Një deftese e fillores së kreut të BDI¬së, Ali Ahmetit që po qarkullon në rrjetet sociale, dëshmon se ai fëmijë ka qenë një nxënës shumë i dobët i gjuhës shqipe, ndërkohë që ka shkëlqyer në njohjen e maqedonishtes.

Së fundi, në rrjetet sociale po qarkullon një foto që pretendohet të jetë dëftesa e Ali Ahmetit në shkollën fillore “Marshall Tito”, raporton “lajmpress.com”. Njohja e shkëlqyeshme e gjuhës maqedonase vërehet edhe në vlerësimet e mësuesve të Titos, të cilët Ahmetin e kanë vlerësuar me notë maksimale 5, ndërsa në lëndën e gjuhës shqipe atë e kanë vlerësuar me notën mjaftueshëm 2, vetëm që të kalojë e mos të shkojë në provimet e vjeshtës.

Këto fotografi po qarkullojnë pas publikimit të bombës 38 nga Zaevi ku dëgjohet Ali Ahmeti duke folur në gjuhën maqedonase, edhe përkundër faktit se publikisht ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke kërkuar zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

Eliot Engel i pakënaqur me trajtimin e shqiptarëve në Maqedoni

Kongresisti amerikan Eliot Engel deklaroi për INA se është i pakënaqur nga mosrespektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

“Jam i pakënaqur me mosrespektimin e Qeverisë së Maqedonisë së Marrëveshjes së Ohrit. Unë mendoj se ka shumë punë për të bërë, ngaqë mendoj se Maqedonia, është një vend i rëndësishëm, dhe aleat i Shteteve të Bashkuara. Ne kemi mbështetur këtë vend që të bëhet pjesë e strukturave euroatlantike. Por dua që të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke përfshirë edhe shqiptarë, duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të jenë të barabartë”, deklaroi për INA, kongresisti Engel, pas një takimi që zhvilloi në Uashington me kryetarin e Lëvizjes për Reforma të PDSH-së, Ziadin Sela.

Ai ka theksuar se ka qenë i shqetësuar për ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë dhe për ngecjen në planin e dialogut politik. I pyetur për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, Engel ka theksuar se ata duhet të kenë të drejta të barabarta.

“Së fundi jam edhe i shqetësuar me atë se çfarë po ndodh me komunitetin shqiptar në Maqedoni. Unë dëshiroj t’ju siguroj me këtë rast që shqiptarët në Maqedoni, duhet të trajtohen njësoj si të gjithë qytetarët, të jenë me të drejta të plota dhe të pa nëpërkëmbura”, deklaroi Engel, duke premtuar se gjatë disa javëve të ardhshme do të qëndrojë për vizitë në Maqedoni.

“Pas disa javëve do të jem në Maqedoni, duke shpresuar se mund të takohemi dhe të flasim për disa probleme, edhe me liderët e tjerë shqiptarë”, deklaroi kongresisti demokrat, që është edhe anëtar i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit Amerikan.

SHBA : U mbajtë protesta e shqiptarëve në Nju Jork: Edhe ne jemi Kumanovë! Nga Beqir Sina

 

SHBA : U mbajtë protesta e shqiptarëve në Nju Jork: Edhe ne jemi Kumanovë!

-Meqënse shteti i Kosovës nuk është antar i OKB-së kërkojmë që Shqiperia të padisë Qeverinë e Maqedonisë tek Gjyqi Ndërkombëtar i Krimeve ‘ICC’. Mbasi, sipas ligjit internacional çdo shtet fqinjë apo mik i një shteti, që nuk është antar i OKB-së, mund të padis në emër të atij shteti “ON BEHALF”. “Kështuqë, Shqipëria është më shumë se nji shtet mik apo fqinje, është shteti Amë dhe nuk duhet të toleroi Maqedoninë, të bëj terror mbi shqiptarët e me këtë edhe të nxit destabilitet në rajon.

“Daghammarskjold Plaza”- New York : Dje, me datën 15 qershor 2015 ne New York para ndërtesës së OKB-së, komuniteti shqiptare organizoj një protestë ne përkrahje Iliridës dhe shqiptarëve në qytetin shqiptarë të Kumanovës. Në këtë protestë u ngrit zëri ndaj represionit të shtetit sllavo maqedonas qeverisë së kryeministrit Gruevski, dhe u dënua ashpër vrasja tinëzare e luftëtareve te lirisë, më 9 dhe 10 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Mbi dhjetra shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare të disaporës së bashku me disa anëtarë të familjeve të të rënëve, kanë protestuar dje, në sheshin e protestave”Daghammarskjold Plaza”, në mbeshtetje të popullates civile shqiptare nga Kumanova.
Protestuesit u mblodhën për të protestuar kundër pushtetit maqedonas me rastin e ngjarjeve të 9-10 majit, sulmit brutal të forcave të policisë ndaj një grupi shqiptarësh që rezultojë të jenë 9 shtetas të Kosovës të vrarë dhe 21 të arrestuar mes tyre edhe banorë civilë të Lagjes së Trimave në Kumanovë.
Protesta e Nju-Jorkut, tuboi shqiptarët nga disa shtete të SHBA-ve, të cilët kish udhëtuar nga Detroiti, Çikago, Uiskonsin, Nju Xhersi, Kenetktiket, Uashingtoni e tjer. Protestuesit mbanin në duar flamuj shqiptarë dhe amerikan, fotografi të viktimave të Kumanovës, dhe pankarta me simbolin “Jemi Kumanova”, “Liri për luftëtarët shqiptarë” – “Liri për luftëtarët – Burg për tradhëtarët” -“Politikan shqiptarë mos shkelini mbi gjakun e luftëtarëve të lirisë” – “Referndum për bashkim Kombëtar”.
Gjatë protestave u dëgjuan edhe thirrje edhe kundër udhëheqësve politik shqiptarë në Maqedoni, duke kërkuar edhe deri në largimin e tyre nga politika.
Kjo protestë në Nju-Jork, u mbështet me një mesazh të veçantë edhe nga kryebashkëjaku i qytetit të Waterburyt në Connecticut, Majori, Neil O’Leary edhe nga përfaqësues të komuniteteve të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Protesta u organizua nga Shoqata “Hasan Prishtina” në Waterbury, Organizata e Komunitetit Dibran, në Staten Island, dhe Fondi i Përbashkët i Patersonit në Nju Xhersi, me përkrahje të shoqatatve të tjera të komunitetit, ish luftëtarët e Batalionit Atlantiku, dhe Fondacionit Vendlindja Thërret, si dhe nga aktivistë dhe veprimtarë që veprojnë në zonën e Tri-Shteshit.
Mizafer Sadiku – Hoxha, sekretar i qendrës kulturore Hasan Prishtina në Waterbury, udhëheqës teknik i programit të protestës, tha se qëllimi i kësaj proteste është që gjithë shqiptaret nga gjitha trojet shqiptare të bashkuar ta mbeshtesim popullatën civile, e të pa fajshme shqiptare në Kumanove. Njikohesishtë, tha ai t’u bëjmë thirrje autoriteteve maqedonase që ta ndalin dhunën ndaj popullatës së pa fajshme shqiptare, sepse, simbas tij, kjo nuk mund të tolerohet në asnji mënyrë, edhe është në kundërshtim në bazë të kushtetutës së shtetit Maqedonas”.
Më pas folën edhe Rakip Etemi kryetar i komunitetit Hasan Prishtina, professor Esat Ahmeti për Fondin e Përbashkët të Patersonit, New Jersey. Profesor, Esat Ahmeti, i cili është nga Kumanova, veç të tjerash tha: “Jemi mbledhur sot këtu në mbeshtetje të popullatës civile në Kumanovë, dhe bëri thirrje për të qenë të gjithë shqiptarët, me Kumanovën”.

Aktivisti i komunitetit zoti Naim Balidemaj , kujtojë se Maqedonia, është një shtet i cili krenohet me Nëna Terezen dhe Aleksadrin e Madh, ose me “fundërrinat” tartaro – bullgare, të ardhura në hapsirat shqiptare, të cilët nuk kan të bëjnë asgjë me nacionalitetin maqedonas.

“Maqedonia, tha ai është një shtet mustruoz i krijuar nga ish- Jugosllavia e Titos, për të mos lejuar ekspasionin serb në rajon, i cili ne shqiptarëve po na kushton sot shumë, sepse edhe kasta politike shqiptare nuk është e përcaktuar për zgjedhjen e problemit gjithë shqiptar në Ballkan, i cili do të ketë qetësi vetëm atëhere, simbas Balidemajt, kur ky shtet Maqedonia të shpërbëhet dhe të gjitha trevat shqiptare t’i bashkohen shtetit tonë Shqipërisë. Dhe, kjo duhet të ndodh sa më parë, në një shtet “inegzistet” i dyzuar serbo – bullgar”, tha Balidemaj.
Kurse, Hadije Jashari-Ukshini, kunata e Sami Ukshinit, Komandant Sokolit, gjatë fjalës se rastit, si përfaqesuese e familjes Ukshini nga Morina-Gjakovë, u shpreh se i madh është ai njeri që i shikon të gjithë njësoj, që vepron pa anuar e që mendon për të gjithë.. I tillë, tha ajo është edhe Sami Ukshini /Komandant Sokoli, kur është në pyetje çështja kombëtare.
“Dëshmi e gjallë e vlerave të larta njerëzore, është komandant Sokoli e Sokolët tjerë, tha më tej kunata e Sami Ukshinit, të gjithë ata që ranë e u burgosën në Betejën e Kumanovë. “Ata i vrau e i burgosi tradhëtia. Tradhtia e përgatitur mjeshtërisht, për të vrarë trimat që sollën Lirinë. U vranë djemtë më të mirë të Kombit, shqiptar, u arrestuan e u torturuan deri në vdekje, çka nuk ndodh askund në shtetet demokratike”, tha ajo.
Në emër të familjes së Komandant Sokolit, zonja Hadije Jashari-Ukshini, shpalosi disa kërkesa:

-Meqënse shteti i Kosovës nuk është antar i OKB-së kërkojmë që Shqiperia të padisë Qeverinë e Maqedonisë tek Gjyqi Ndërkombëtar i Krimeve ‘ICC’. Mbasi, sipas ligjit internacional çdo shtet fqinjë apo mik i një shteti, që nuk është antar i OKB-së, mund të padis në emër të atij shteti “ON BEHALF”.

“Kështuqë, tha ajo Shqipëria është më shumë se nji shtet mik apo fqinje, është shteti Amë dhe nuk duhet të toleroi Maqedoninë, të bëj terror mbi shqiptarët e me këtë edhe të nxit destabilitet në rajon.
Padinë në emër të Kosovës tek Gjyqi Ndërkombëtar për krime “ICC” mund ta bëjnë edhe shtetet tjera mike siq është, Kroacia apo SHBA, por i takon Shqipërisë si shtet Amë të bëj këtë” , tha zonja Hadije Jashari-Ukshini, kunata e Sami Ukshinit, Komandant Sokolit, gjatë fjalës se rastit, si përfaqesuese e familjes Ukshini nga Morina-Gjakovë.
Myslim Rruci, i cili foli për shoqatën dibrane, tha se Shqiptarët janë autoktonë në këto troje, asnjëherë nuk kan luftuar ose sulmuar fqinjët e tyre, në këto treva etnike shqiptare, por kan dashur të jetojnë si fqinjë të mirë me këdo në këto rajon të trazuar nga luftërat e përgjakshme ” Në emër të paqes, demokracisë kërkojmë vetëm drejtësi për kauzën tonë” tha ai.
Para protestuesve për përkrahjen e popullatës civile shqiptare në Kumanovë, folën edhe perfaqësues të ardhur nga shetet e tjera. Ata në fjalën e tyre bënë thirrje për bashkim kombëtar dhe solidarizim me Kumanovën, folën nga bina veprimtari Gazmend Leshi nga Illinois, Gani Ahmeti nga Wisconsin, dhe Destan Aliu, nga Kërçova.

Ndërkohë, nëpërmjet linjës telefonike, Avdyl Zeka, vëllai i njërit prej të burgosurve nga Peja, familjes Zeka, tregojë për keqtrajtimin e të burgosurve shqiptar, që mbahen në burgjet e tmershme të Maqedonisë. Gjithashtu, edhe vëllai i njërit prej të burgosurve të tjerë, foli nga bina dhe kërkojë që të gjithë të protestojmë deri në lirimin e tyre dhe të bëhet një hetim ndërkombëtar, për krimet e policisë maqedonase ndaj shqiptarëve.
Musa Paçuku , kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dibra” në Staten Island, tha se :”Mesazhi i kësaj proteste , pikërisht para selisë së OKB-së, është që bashkësija ndërkombëtare të bëjë trysni mbi Qeverin e Maqedonisë, për ta ndaluar dhunën mbi shqiptarët në Kumanovë e Maqedoni . Vetëm të bashkuar kështu siç jemi sot ne shqiptarët, do jemi më të fort në iedalet tona”, perfundoi z.Paçuku.
Kryetari i Akedemisë Shqiptaro Amerikane të Shkencave, Skender Kodra, profesori i psikologjisë klinike që jeton në New York, kërkoi reagim për të ndihmuar banorët e kësaj lagje, dhe premtoi para masë së protestuesve, se ai dhe një staf i tij do të bëjnë kërkimet mbi traumat e pasluftës – terrorizimit të qytetarëve dhe keqtratimin e të burgosurve shqiptar.
“Shteti duhet të mbajë përgjegjësi dhe të kompensojë çdo familje për këtë vuajtje nga PTSD (Post Traumatic Stress Disorder). Duhet të sigurohen mjekë të specializuar dhe avokatë që të hapin dosjen, sepse në gjithë ato pamje që kemi ndjekur, bëhet fjalë për tmerr të përjetuar, për dëme të mëdha dhe sulme me armë të rënda. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi nga shteti për këtë vuajtje psikike dhe shpirtërore që kanë pësuar këta banorë”, tha profesor Kodra.
“Në rast se kjo nuk bëhet brenda një kohe të shkurtër nga institucionet përgjegjëse, apeloj që të ndërmarrim diçka diaspora, që të përgatisin një staf profesional. Jam i gatshëm të jem në shërbim të këtij misioni së bashku me koegët e mi”, thekson ai, duke shtuar se dëmet materiale edhe mund të kompensohen, por jo dëmet shpirtërore, dhe mendore që janë krijuar si pasojë e terrorit policor.
Ndërsa, z. Shefki Mexhuani, i cili ka të vrarë në këtë ngjarje, në Lagjen e Trimave, një nipin e tij,(djalin e motrës, tha se :” Nipi i tij nuk është vetëm fatlumi i tij, por të gjithë ju jeni “dajat” e atyre që ranë për liri, si fatlumi, Valoni, Mirasadi,,Turgaj Begaj,, Samiti, Nusreti, Xhaferii dhe Arbeni këta janë djemtë ma të mirë të Shqiptarisë, përcjellsit e amanetit të Adem Jasharit. Por, shtoi Mexhuani, ne jemi të gatshëm së bashklu me bashkëluftëtarët, e mi të futemi në atë rrugë të vështirë, që po na e imponon vetë regjimi i Gruevskit “tha ai.

Protesta u mbyll me leximin e mesazhit të përcjell nga kjo protestë paqësore, nga gazetari Qazim Doda, i cili tha se :” Kjo protestë u mbajtë në shenjë përkrahje dhe respekti për të burgosurit dhe dëshmorët e rënë në Betejën e Kumanovës, një protestë kjo gjithëshqiptare, për zgjidhjen e çështjes Shqiptare në Maqedoni dhe Lirimin e të burgosurbve Shqiptar”.
Në mesazh thuhej ndër të tjera se “ Faktori ndërkombëtar dështoi të reagojë në ngjarjet e Kumanovës, duke shkelur edhe Konventën e Gjenevës, për robërit e luftës mbasi disa prej tyre janë vrarë në qeli, tha ai duke shtuar :” Kemi, ardhur këtu të protestojmë kundra padrejtësisë që po i bëhet popullit shqiptar në trojet e veta, dhe të pushtuar nga sllavo-maqedonasit. Mos implemntimi i Marrveshjes së Ohrit solli vetëm një “garanci”, se në Maqedoni, mun të filloi luftë e re për konfederalizimin e Maqedonisë, ose ndarjen në mes sllaveve dhe shqiptarëve,. Edhe pse faktori ndërkombëtar u bë grant në implemtnimin e asaj marrëveshje, deri tani ajo ka dështuar, për të sjell në jetë një marrëveshje të tillë, siç qe ajo e arritur në Ohër me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar”, tha mes të tjerave z. Doda.
Protestuesit u shpërndan të qetë duke brohoritur Kumanovë jemi me ju, Shqiperi Etnike, Ndalni dhunës ndaj Shqiptarëve, Liri të burgosurve në Kumanovë.

Sela në Nju Jork, takoi kongresistin amerikan Eliot Engel

Engel pas disa javëve në Maqedoni

Engel : Mbas disa javëve do të jemë në Maqedoni – duke shpresuar se mund të takohem dhe të flasin për disa probleme, edhe me liderit e tjerë shqiptarë”

NEW YORK : Në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,Kryetari i Lëvizjes për Reforma në PDSH, z.Ziadin Sela , ka takuar në zyrën e tij kongresistin Eliot Engel, duke realizuar kështu një takim të rëndësishëm me Anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, kongresist demokrat i qarkut të 16-të të New Yorkut.

Sela në fillim të takimit me kongresistin Engel, ka shprehur një mirënjohje të thellë për Shtetet e Bashkuar, kontributin e madh historik të SHBA, për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, duke filluar prej presidentit Uillson, Bush dhe Klinton, si dhe ka falenderuar me këtë rast kongresistin Engel – për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë ai dhe po i jep shqiptarëve, çështjes shqiptare kudo në Shqipëri, Kosovë dhe viset shqiptare.

Në këtë kontekst zoti Sela, ka thënë se Engel, mbetet përherë mik i përhershëm dhe i dëshmuar i shqiptarëve. “Kongresisti Engel, njëherit është i njohur për opinionin edhe si zëri i fuqishëm i çështjes shqiptare në Capitol Hill të Washington D.C”, tha Sela.

Më pas kreu i lëvizjes për reforma në PDSH, zoti Sela, ka njoftuar kongresistin Engel me zhvillimet politike në Maqedoni, veçanërisht, ai foli gjatë për ngjarjet 9-10 majit në Kumanovë. Ai bëri gjithashtu edhe një prezantim të gjerë edhe Lëvizjes për Reforma në PDSH, për të cilën Sela, tha se është e vetmja që mundet t’a ndryshojë situatën politike në Maqedoni, simbas tij.

Kryetari Sela, e njohu gjerësisht kongresistin Engel me qëndrimet e Lëvizjes për Reforma, rreth situatës politike në Maqedoni, për daljen nga kriza aktuale, si dhe tha se çfarë kontributi mund të jap lëvizja tij që të zgjidhen problemet dhe të përshpejtonin integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE.

Kreu i Lëvizjes për Reforma në PDSH, e siguroi kongresitin Engel, se lëvizja e tij, edhe më tej do të jet e fokusuar për të bërë një politik konstruktive dhe të përgjegjshme, për të dhënë kontributin e saj maksimal në çdo proces politik në Maqedoni.

Nga ana e tij kongresisti amerikan Eliot Engel, mik i përhershëm dhe i dëshmuar i shqiptarëve, u shpreh i lumtur për t’u takuar me Selën, për të mësuar më shumë rreth situatës aktuale në Maqedoni, për të cilën premtojë se do t’a vizitojë së shpejti

“Jam i lumtur gjithmonë, që po përpiqem për të ndihmuar, tha Engel, dhe i shqetësuar me atë se çfarë po ndodh me komunitetin shqiptar në Maqedoni. Unë dëshirojë t’ju sigurojë me këtë rast që shqiptarët në Maqedoni, duhet të trajtohen njësojë si të gjithë qytetarët, të jenë me të drejta të plota dhe të pa nëpërkëmbura”.

Më tej kongresisit demokrat i Nju Jorkut, Eliot Engel pohojë se ka qenë shumë i shqetësuar dhe nuk e ka kuptuar ende atë se çfarë ka ndodhur dhe pse ndodhi në Maqedoni.

“Jam i pa kënaqur me mosrespektimin e Qeverisë së Maqedonisë së Marrëveshjes së Ohrit. Unë mendoj se ka shumë punë për të bërë, ngaqë mendoj se Maqedonia, është një vend i rëndësishëm, dhe aleat i Shteteve të Bashkuara, duke e mbështur Maqedoninë dhe shpresuar se Maqedonia do të bëhet pjesë e BE-së, por, shtoi ai dua që të gjithë qytetarët e Maqedonisë, duke përfshirë edhe shqiptarë, duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të jenë të barabartë.”

Kongresisti amerikan Eliot Engel, për gazetën tonë u shpreh i kënaqur për të shkëmbyer mendime me Selën, për të dëgjuar se çfarë tha kreu i Lëvizjes për Reforma në PDSH , dhe deklarojë se shpreson që mbas disa javëve të jetë në Maqedoni – duke shpresuar se ata mund të takohen dhe të flasin për disa probleme të tjera atje, edhe me liderit e tjerë shqiptarë./Beqir Sina

ANALISTËT – VETËM SHBA MUND TA ZGJIDHIN KRIZËN NË MAQEDONI

 VOAL – SHKUP – Partitë politike kanë vazhduar me akuzat lidhur me dështimin e bisedimeve në Bruksel, ndërkohë që organet e tyre drejtuese po forcojnë pozicionet duke thelluar edhe më shumë dallimet dhe rrjedhimisht duke pakësuar gjasat për zgjidhjen e krizës së rëndë në të cilën ndodhet vendi.

VMRO DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv që ka përfunduar punimet të dielën vonë, për dështimin e bisedimeve edhe njëherë ka fajësuar Lidhjen Social-Demokrate të opozitës.

“Ne si shtet kemi ardhur në situatë që një parti e cila vazhdimisht humb në zgjedhje të shantazojë tërë shtetin dhe të nxis krizë politike duke shpresuar në marrjen e pushtetit, pa zgjedhje, pa marr mandatin e popullit, pa mbajtur llogari për çështjet më të rëndësishme të vendit, apo interesat e qytetarëve”.

“Ajo po rrënon imazhin e shtetit para faktorit ndërkombëtar, po rrënon ekonominë e vendit me qëllim që dështimet t’i mvishen qeverisë. Është e qartë se ajo tenton të prish marrëveshjen e dy qershorit, të prish gjithçka që është arritur deri më tani. Pavarësisht kësaj, ne jemi të gatshëm në çdo kohë të përballemi me ta në zgjedhje”, ka deklaruar Ilija Dimovski nga VMRO DPMNE-ja.

Nga Lidhja Social-Demokrate në mbledhjen e së hënës që pritet të zgjasë deri në orët e vona do të vendosin për hapat e mëtejmë.

Opozita ndërkohë ka paralajmëruar nisjen e publikimit të dëshmive të reja nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve. Zaev pretendon se posedon edhe shumë fakte tjera për siç shprehet, punën kriminale të pushtetit aktual të cilin e akuzon për dështimin e bisedimeve të fundit në Bruksel.

Nga LSDM-ja thonë se janë të gatshëm për vazhdimin e bisedimeve dhe formimin e një qeverie kalimtare, por pa kryeministrin aktual, Nikolla Gruvski.

“Zgjedhjet e reja nuk mund ti organizoj një qeveri me një kryeministër i cili është fajtori kryesor për të gjitha veprimet kriminale që kanë ndodhur vite më radhë në Maqedoni”, thonë nga LSDM-ja e cila ka marrë mbështetjen e të gjitha partive të vogla opozitare si dhe të dhjetëra organizatave joqeveritare për të udhëhequr bisedimet eventuale me kryeministrin, Nikolla Gruevski.

Por, bazuar në qëndrimet e partive bisedimet vështirë se do të nisin ndërkohë që në opinion janë shtuar kritikat edhe ndaj përfaqësuesve ndërkombëtar, në veçanti ndaj komisionerit Johanes Hahn se gjoja mban anën e kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Ismet Ramadani nga Këshilli Euroatlantik dhe njohës i çështjeve politike thotë se dyshimet janë rritur kur Hahn doli me qëndrimin se zgjedhjet e kaluara kanë qenë kryesisht të mira në kohën kur opozita çdo ditë publikon dëshmi për falsifikimin e tyre.

“Me deklaratat e tyre lanë mjaft dyshime në opinion se janë të përcaktuar të ndihmojnë njërën palë. Johanes Hahn kur ishte në SHBA dha një deklaratë duke vlerësuar raportin e OSBE-së, sigurisht se pa e lexuar, pra në mënyrë paushall”, tha Ramadani duke ngritur nevojën për kyçje serioze dhe në një nivel shumë të të lartë të diplomacisë amerikane në zgjidhjen e krizës politike.

Ai thotë se ndërhyrja amerikane ka qenë vendimtare në shumë raste të krizave në Maqedoni, ndërsa veçon atë të konfliktit të vitit 2001.

“Unë mendoj se duhet një kyçje e nivelit më të lartë të SHBA-ve, me një përfaqësues dhe ndërmjetësim në stilin e tyre të njohur. Ata janë shumë pragmatikë dhe praktikë. Për të identifikuar shumë shpejtë dhe qartë fajtorin, këtë mund ta bëjë vetëm politika amerikane andaj vlerësoj se kjo është më se e domosdoshme”, thotë Ismet Ramadani, Kryetar i Këshilli Euroatlanik të Maqedonisë.

BDI ‘E PËRFSHIRË NË VEPRIMTARI KRIMINALE’

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), parti në Qeverinë e Maqedonisë, dhe zyrtarët e saj, përfshirë edhe kreun e partisë, Ali Ahmeti, janë të përfshirë në veprime të shumta kriminale, ka thënë lideri i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev, teksa ka publikuar biseda të shumta telefonike të përfaqësuesve të kësaj partie nga ajo që njihet si “aferë e përgjigjimeve”.

Zaev ka publikuar biseda të përgjuara telefonike, të zhvilluara mes kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, me zëvendëskryeministrin, Musa Xhaferi, ministra dhe zyrtarë tjerë të partisë, për atë se si merren vesh për tenderë të ndryshëm, ndarjen e posteve dhe përfitime materiale.

Në bisedën në vazhdim, gjithnjë sipas Zaevit, kryetari të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryetari i degës partiake në Çair të Shkupit, Beqir Asani, merren vesh për çmimin e një parcele që do t’i shitej një afarist të interesuar.

(Biseda është transkriptuar në origjinal)

“A.A-Për një metër katror me mujt me ia qit 1 mijë mirë është, nëse s’mundeni…

B.A-Do të folmi na pak me to se ishte në Turqi, ai që ishte i interesum, dhe në qoftë se ja del mirë, nëse jo unë mendoj se nuk ja vlen me majt.

A.A– Për 1 mijë hiç mos vet.

B.A– Ok, shef.

A.A– Futja.

B.A- U bë.

A.A- E shomim pastaj, kryesorja llogaria është e mirë.

B.A- Ia vlen.

A.A- Ia vlen, ia vlen

B.A- Nuk janë edhe pak.

A.A-Po mundesh t’ia hidhesh, hidhja.

B.A- U bë shef”.

Kreu i opozitës, Zoran Zaev, ka thënë se nga bisedat telefonike dëshmohet qartë, sipas tij, “përfshirja e zyrtarëve të BDI-së në krime të renda“.

Ai ka publikuar edhe biseda ku dëgjohen kërcënime me likuidime dhe presione tjera mes përfaqësuesve të partisë.

“Përgjegjësia e tyre në gjithë atë që po ndodh në Maqedoni është më se e qartë. Arsyet për qëndrimin e BDI-së në pushtet edhe kur kanë qenë të nënçmuar, nuk kanë qenë interes i qytetarëve, por fuqia, interesi dhe paraja. Gjithë atë që e ka bërë Gruevski, krimin, korrupsionin, presionet dhe shkeljet e tjera të shumta, e ka bërë me dijen edhe të BDI-së“, ka deklaruar Zaev.

Një bisedë telefonike mes Ahmetit dhe kryemistrit Nikolla Gruevski flet edhe për ndërtimet pa leje, ku përfshihet edhe ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovksa, e cila sërish fyen shqiptarët duke i quajtur “indianë“ dhe me epitete tjera ofenduese.

Zaev ka thënë se nga bisedat dëshmohet qartë se “BDI-ja ka partizuar në skajshmëri Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe institucione tjera“.

Pretendimet e kreut të opozitës, përmes një komunikate, janë hedhur poshtë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Partia e Ahmetit vlerëson se pohimet për krime nga BDI-ja janë konstatime të Zaevit që nuk mund të vërtetohen në bisedat e publikuara.

“BDI mbetet në qëndrimin që të publikohen të gjitha materialet që opozita disponon për BDI-në, por kërkon që të mos të bëhen interpretime qëllimisht të gabuara për ta lajthitur opinionin. BDI, gjithashtu, mbetet në qëndrimin që të njëjtat të procesohen nëpër institucione sipas dëshirës së opozitës”, thuhet në kumtesën e BDI-së

Ndryshe, publikimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të qeverisë aktuale ishte pezulluar nga ana e liderit të opozitës për gati dy javë, për shkak të negociatave për zgjidhjen e krizës politike, por pas dështimit të tyre, Zaev ka vendosur me prezantimin e dëshmive të reja, ndërkohë që paralajmëron edhe masa tjera kundër pushtetit aktual, nëse deri nga fundi i këtij muaji nuk arrihet zgjidhje për qeverinë kalimtare, e cila do të kishte mandat për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Nëse deri atëherë nuk arrijmë zgjidhje, ne do t’i vëmë në dispozicion të gjithë mekanizmat demokratikë, përfshirë protestat kundër regjimit aktual“, ka deklaruar Zaev.

Në 100 vjetorin e Josif Bagerit, shqiptarët ortodoksë në Maqedoni kërkojnë kujdes

 

VOAL – SHKUP – Në Shkup u shënua 100 vjetori i vdekjes së Rilindasit të njohur shqiptar, Josif Bageri, organizuar nga shoqata Josif Bageri.

Kjo ceremoni pati rëndësinë e saj për shkak të pranisë së dy personaliteteve të mirënjohura shqiptarëve ortodoksë, Branislav Sinadinovski dhe Branko Manojlovski, raporton ina.

Ata përmes kësaj ceremonie kanë përcjellë mesazhe të rëndësishme lidhur me komunitetin ortodoks shqiptarë në Maqedoni dhe të kaluarën e tyre të pasur që nga figura e rilindasit Josif Bageri, që i takon Rekës së Epërme, zona që nxori personalitete të shquara nga radhët e shqiptarëve ortodoks.

Profesori i mirënjohur Branislav Sinadinovski theksoi se ata po vazhdojnë rrugëtimin e Bagerit, një figurë emblematike e shqiptarëve në Maqedoni, i cili ka dhënë kontribut mbarëshqiptarë për kombin, gjuhën dhe shkollën shqipe.

“Duhet që sa më shpejt të ndërtojmë një muze mbi themelet e shtëpisë së tij, në Nistrovë, ku do të përkulen të gjithë shqiptarët dhe më pas atë pak që mundemi të bëjmë si shtet është të formojmë fondacion me emrin e tij dhe t’u jepen stipendi studentëve më të mirë, si dhe të sillet ligj për ndarjen e çmimit shtetëror me emrin Josif Bageri”, deklaroi Sinadinovksi.

Ai më tej theksoi se Josif Bageri dhe shumë veprimtarë të tjerë që trashëguan veprën dhe misionin e tij kombëtar ndihmuan në përhapjen e arsimit shqip ndër masat popullore.

Në këtë ceremoni fjalime përshëndetëse pati edhe Branko Manojlovski, një figurë e shquar e komunitetit shqiptar ortodoks, që ishte ndër të parët që shpalosi rrënjët kombëtare dhe misionin e zbardhjes së të vërtetës për shqiptarët ortodoks në Maqedoni. “Shqiptarëve ortodoksë duhet t’i njihni të gjithë, sepse ata janë fshehur, t’u jepni pozita dhe punë dhe t’i lironi, sepse ata nuk lirohen me muhabete dhe llafe”, theksoi Manojlovksi.

Në këtë ceremoni nuk lanë pa folur edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Fazli Veliu, ndërsa fjalime rasti patën edhe personalitete universitare dhe akademike që evokuan për veprimtarinë e Josif Bagerit.

RADIO EVROPA E LIRË – MIJËRA VETA MBRËMË NË SHKUP KËRKUAN DORËHEQJEN E QEVERISË

Mijëra vetë kanë protestuar mbrëmë në Shkup të Maqedonisë duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë, në periudhën kur negociatat e ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për kapërcimin e krizës së thellë politike, duket se gjenden në një rrugë pa krye.

Në protestën e organizuar nga lëvizja Besa, ku kryesisht kanë marrë pjesë shqiptarët nga të gjitha viset e Maqedonisë, është kërkuar edhe dorëheqja e Ali Ahmetit, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, që është pjesë përbërëse e kaolicinit qeverisës, që udhëhiqet nga kryeministri, Nikolla Gruevski, lideri i partisë WMRO-DPMNE.

Agjencia AP raporton se protestuesit shqiptarë kanë marshuar të qetë në Shkup.

Organizuesit e protestës, po ashtu, kanë kërkuar hetime të reja për disa raste gjyqësore ku janë dënuar shqiptarët, duke konsideruar se ka dyshime se ato procese ishin të motivuara politikisht.

NË SHKUP U ZHVILLUA PROTESTA GJITHËSHQIPTARE E ORGANIZUAR NGA LËVIZJA POLITIKE ‘BESA’

VOAL – SHKUP – Disa mijëra shqiptarë sot protestuan në Shkup në organizimin të lëvizjes politike “BESA”.

Protesta ka nisur nga parku i Çairit duket përfunduar në urën “Goce Dellçev” disa metra larg Qeverisë.

Protestuesit brohorisnin “Stop dhunës ndaj shqiptarëve”, “Ali tradhtari”, “Besa –Besë besën e kemi dhënë!, “UÇK” , etj në shoqërimin edhe të këngëve patriotike.

Marshi protestues u sigurua edhe nga dhjetëra aktivistë të Lëvizjes “BESA” dhe shoqatave të tjera pjesëmarrëse në protestë.

Anëtari i Këshillit Koordinues të Lëvizjes BESA, Skender Rexhepi deklaroi se prania e një numri kaq të madh dëshmon se Këshilli Organizativ e bëri mirë punën duke treguar se shqiptarët dinë të bashkohen për të mbrojtur të drejtat e tyre.

“Këshilli organizativ e ka bërë këtë protestë sepse nuk do të ketë më shkelje të shqiptarëve. Mjaft më me vrasje burgosje, pse mos jemi bashkë dhe të jemi me popullin. Deri sa do përmbushen kërkesat tona ne nuk do të ndalemi. Ky shtet duhet të formatohet dhe të jetë i barabartë”, deklaroi Rexhepi në skenën e ngritur pranë urës disa metra larg Qeverisë.

Në këtë protestë me moton “Protestoj Shqip” u kërkua dorëheqja e Qeverisjes aktuale, zbardhja e të gjitha të vërtetave për shqiptarët dhe kërkesa për një marrëveshje të re në Maqedoni.

Protesta u vlerësua tejet masive nga organizatorët dhe se në përkrahje të saj ishin dhjetëra shoqata dhe thirrje të personaliteteve publike shqiptare. Protestës nuk i`u bashkëngjitën dy partitë e tjera RDK dhe Lëvizja për Reforma në PDSH e Ziadin Selës, për shkak të mosmarrëveshjeve midis tyre. kp

NË SHKUP PO ZHVILLLOHET MARSHI PROTESTUES GJITHËSHQIPTAR ‘PROTESTOJ SHQIP’

VOAL – SHKUP -Në kryeqytetin e Maqedonisë vazhdon marshi protestues gjithëshqiptar nën organizim të Lëvizjes “BESA”, me moton “Protestoj Shqip”.

Në këtë protestë kërkohet dorëheqja e Qeverisë aktuale, zbardhja e të gjitha të vërtetave për shqiptarët dhe kërkesa për një marrëveshje të re në Maqedoni.

Protestuesit në lagjen Çair kanë brohoritur me parullat: “Ali Ahmetin e japim, lirinë s’e japim”, “Menduh Thaçin e japim, lirinë s’e japim”.

Sipas këshillit organizativ, protesta nis nga Parku i Çairit dhe do të përfundojë para urës “Goce Dellçev” që është afër Qeverisë së Maqedonisë. rel

Radio Evropa e Lirë – RIKTHEHEN PROTESTAT NË MAQEDONI

Rikthehen protestat në Maqedoni kundër qeverisë aktuale.

Nga lëvizja politike Besa, organizatore e protestës së të shtunës, thonë se pushteti aktual është fajtor për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vendi.

Kritika në veçanti drejtohen ndaj dy partive kryesore politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim në Qeveri dhe Partia Demokratike Shqiptare e opozitës, të cilat fajësohen, jo vetëm për moszgjidhjen e çështjeve të hapura të shqiptareve, por edhe për, siç thonë, “përkeqësimin e statusit të shqiptarëve në vend dhe rastet e montuara si “Monstra”, “Sopoti” dhe së fundi ai në Lagjen e Trimave në Kumanovë”.

Afrim Gashi nga lëvizja Besa thotë se dy partitë shqiptare janë peng i politikave të pushtetit aktual.

“Shqiptarët e Maqedonisë nuk mund të jenë peng të disa figurave politike andaj mendoj se kjo protestë do të jetë zëri i shqiptarit të Maqedonisë. Konsideroj se BDI-ja dhe PDSH-ja për momentin nuk përfaqësojnë shqiptarët dhe interesat e tyre, por edhe për maqedonasit është ky një mesazh se nuk mund ta zgjidhin çështjen shqiptare duke hipotekuar disa figura politike”.

“Nëse dëshirohet që të zgjidhen problemet në Maqedoni, të ketë gjendje më stabile dhe afatgjate, është e nevojshme që maqedonasit ta kuptojnë saktë se cili është interesi i shqiptarëve dhe cilat janë kërkesat e tyre”, thotë Gashi duke paraqitur më pas kërkesat e protestuesve.

Kërkesa e parë është dorëheqja e Qeverisë VMRO-BDI, pastaj zbardhja e të gjitha rasteve të montuara siç është rasti Monstra, rasti Sopoti, Brodeci, por edhe rasti i fundit në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Kërkesa e tretë dhe shumë e rëndësishme është që të dëgjohet zëri i shqiptarëve se ata kërkojnë një sistem tjetër shtetëror, ridefinimin e Maqedonisë”, shpjegon Gashi.

Protesta e lëvizjes Besa dhe e dhjetëra organizatave joqeveritare që dolën në mbështetje të saj ka karakter një-etnik, edhe pse drejtuesit e saj bën thirrje që asaj t’i bashkëngjiten edhe pjesëtarë të bashkësive tjera etnike.

Nga lëvizja “Protestoj”, organizatore e protestave të ndryshme kundër pushtetit aktual thonë se partitë apo kushdo qoftë tjetër duhet të mbajnë llogari që protestat të mos i drejtohen vetëm një etniteti, por të kenë karakter shumetnik, pasi Maqedonia përballet me probleme të shumta që prekin të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

“Të gjithë jemi të goditur nga gjendja, në të cilën ndodhemi. Të drejtat themelore të qytetarëve janë shkelur andaj edhe mendoj se më mirë do të ishte që së bashku të luftojmë kundër kësaj gjendjeje dhe të mos dalim me kërkesa të ndara. Këtu nuk duhet të përfshihen vetëm se kërkesat etnike, pasi ka edhe shumë probleme tjera, si ato ekonomike, sociale e kështu me radhë”, thotë Jordan Shishovski nga lëvizja “Protestoj”.

Lidhur me krizën politike si pasojë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve, janë mbajtur edhe protesta tjera. Ajo e opozitës u mbajt më 18 maj para qeverisë me pjesëmarrjen e bashkësive të ndryshme etnike, që shënoi njëherë edhe protestën e parë shumetnike në vend.

Një ditë më vonë, partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski organizoi para Kuvendit një kundër-protestë për siç u tha, mbrojtjen e demokracisë në Maqedoni.

Dy partitë politike që nga këto dy protesta kanë vendosur kampe, njëra para Qeverisë dhe tjetra para Kuvendit duke organizuar manifestime të ndryshme, njëra kundër Qeverisë dhe tjetra në mbrojtje të saj.

SOT NË SHKUP MARSHI PROTESTUES GJITHËSHQIPTAR – PROTESTOJ SHQIP

VOAL – SHKUP – Protestoj shqip”, është moto e marshit protestues gjithëshqiptar që do të mbahet sot në Shkup. Protestuesit do të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë antishqiptare, të inkriminuar dhe të korruptuar Gruevski & Ahmeti; zbardhjen e të gjitha të vërtetave shqiptare në Maqedoni dhe do të parashtrojnë kërkesën për një marrëveshje të re për Maqedoninë.

Organizatorët thonë se ky është marsh shqiptar, pa emblema partiake dhe për këtë arsye edhe një herë i kanë ftuar të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, që të dalin bashkë me familjet e tyre për t’i shprehur fuqimisht kërkesat e kësaj proteste.

“Duam të shpjegojmë se kjo protestë është shqiptare, sepse kriza në për të cilën kalon ky shtet nuk e ka dëgjuar vetëm zërin shqiptar, nuk e ka dëgjuar vetëm mendimin e shqiptarëve. Sipas nesh, shqiptarët janë të hapur të diskutojnë edhe për shtet qytetar, edhe për deetnizimin të shtetit, por para së gjithash duhet të merremi vesh t’i përmbyllim çështjet ndëretnike. Derisa ne diskriminohemi si shqiptarë, nuk mund të veprojmë si qytetarë”, thuhet në njoftimin e Këshillit Organizativë.

Marshi do të fillojë në parkun e Çairit në orën 17.00 dhe do të lëvizë nëpër rrugën Cvetan Dimov, deri te semaforët e qendrës tregtare “Mavrovasja”, ku do të kthejë djathtas dhe do të drejtohet te Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Meqë para Qeverisë tashmë janë ngujuar një grup protestuesish, ne do të ndalojmë te ura “Goce Dellçev”. Aty do të jetë e vendosur një skenë, në të cilën do të lexohet mesazhi i marshit protestues dhe do të mbahen disa fjalime rasti.

MINISTRIA E JASHTME E MAQEDONISË KONFIRMON SE BEG RIZAJ E MIRSAD NDRECAJ ISHIN TË ARRESTUAR

 

Ministria e Jashtme e Maqedonisë e konfirmoi autenticitetin e dokumentit të publikuar nga televizioni Alsat M para 3 ditësh, përmes të cilit MPJ-ja e kishte njoftuar ambasadën e Kosovës se mes personave të arrestuar nga policia gjenden edhe Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, të cilët më vonë rezultuan të vdekur.

“Ajo ishte listë preliminare, e të gjithëve në identifikim dhe ne si Ministri e Jashtme e kemi marrë për përdorim të mëtutjeshëm. Atë e përcollëm edhe deri tek Ambasada e Kosovës në Shkup”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Ministrisë së jashtme për televizionin Alsat M.

Në këtë listë preliminare që e quan MPJ nuk figurojnë emrat e 8 personave të tjerë që humbën jetën gjatë aksionit por qëndrojnë ata të Mirsad Ndrecajt dhe Beg Rizajt.

Nga dikasteri i Nikolla Poposkit nuk japin asnjë shpjegim për fatin e dy kryesuesve të grupit të Kumanovës. Alsat M iu drejtua sot me të tjera pyetje Ministrisë së Jashtme, se si ka ndodhur që në momentin e shkresës zyrtare të dërguar institucioneve kosovare, Shkupi zyrtar ka thënë se Rizaj dhe Ndrecaj janë të gjallë dhe të arrestuar, ndërsa vetëm pak ditë më vonë Ministria e Brendshme njoftoi se të dy gjenden në mesin e viktimave.

Alsat M pyet gjithashtu MPJ-në se pse në këtë listë preliminare që është dërguar 3 ditë pas aksionit në Kumanovë nuk figurojnë emrat e 8 personave të tjerë që kanë humbur jetën gjatë aksionit, Xhafer Zymeraj, Valon Kabashi, Turgaj Gashi, Arben Rexhaj, Sami Kastrioti, Hisen Rushiti, Fatlum Vishesela dhe Nusret Kaloshi.

Deri në këtë moment nuk kemi marrë përgjigje plotësuese nga Ministria e Jashtme edhe pse premtuan se do të përgjigjen brenda ditës. Ambasadori i Kosovës në vend Ylber Hysaj nga ana tjetër vazhdon të heshtë dhe të mos bashkëpunojë me mediat për të zbardhur të vërtetën e plotë rreth dokumentit të adresuar për të nga institucionet e Shkupit.

Për të tretën ditë me radhë Alsat M kërkon qëndrim prej tij, por kjo është përgjigjja e vetme që morëm sot.

Hysa si duket për fundjavë ka zgjedhur të qëndrojë në Greqi, ndërsa ne do të vazhdojmë të presim kthimin e tij dhe përgjigjen e tij lidhur me këtë rast. Dokumenti i Ministrisë së Jashtme drejtuar ambasadës së Kosovës ku thuhet se Komnadant Nato dhe Komandant Begu janë të arrestuar, mban datën 12 maj, ndërsa vetëm një ditë më vonë, Ministria e Brendshme përmes një komunikate zyrtare për mediat i shpalli të vrarë të dy kosovarët.

Zbardhja e të vërtetës për rastin e Kumanovës mund të bëhet vetëm me hapjen sërish të një hetimi mbi ngjarjet e 9 dhe 10 majit. Deri tani zyrtarisht një gjë të tillë nuk e ka kërkuar askush. Hetim të ri mund të kërkojnë autoritet e Kosovës por edhe ato të vendit, të cilët deri tani nuk kanë treguar gatishmëri për një gjë të tillë.

AKADEMIKJA E QUAN ‘KRIM KULTUROR’ MËSIMIN E SHQIPES NGA FËMIJËT MAQEDONAS

 

Akademikja maqedonase Katica Gjullakova në një deklaratë për gazetën maqedonase “Veçer” ka theksuar se asnjëherë gjuha shqipe nuk mund të mësohet nga maqedonasit nëpër çerdhe, shkolla fillore dhe ato të mesme të Maqedonisë.

Gjullakova këto komente i bëri pas paralajmërimit të liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev se nuk ka asgjë kundër që edhe fëmijët maqedonas të mësojnë gjuhën shqipe nëpër çerdhe edhe shkolla.

“Askush nuk ka të drejt maqedonasit t`i obligojë të mësojnë gjuhën shqipe. Ky është krim kulturor që të detyrohen maqedonasit që të obligohen të përdorin një gjuhë tjetër. Sot shumë lehtë premtojmë masa ekstreme radikale të cilat e kërcënojnë në tërësi pasqyrën identitare të shtetit maqedonas”, ka deklaruar akademikja Gjullakova, transmeton zhurnal.mk.

UASHINGTONI MBËSHTET PËRPJEKJET E KOMISIONERIT HAHN PËR MAQEDONINË

Shtetet e Bashkuara shprehën sot mbështetje për përpjekjet e Komisionerit të Bashkimit Evropian Johannes Hahn për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Sipas zëdhënëses të Departamentit të Shtetit, Shtetet e Bashkuara përshëndesin udhëheqësit politikë të Maqedonisë që më 2 qershor ranë dakort që vendi të zhvillojë zgjedhje të reja deri në prill të vitit të ardhshëm për të dalë nga kriza e tanishme.

Sipas zëdhënëses rruga nuk do të jetë e lehtë, por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do ta ndihmojnë Maqedoninë drejt përballimit të sfidave dhe realizimit të synimit të saj për t’u integruar në institucionet Euro-Atlantike.

Ndërkohë udhëheqësi i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev tha të premten se po largohet nga bisedimet e planifikuara për javën tjetër në Bruksel, që synojnë t’i japin fund krizës politike, e cila vazhdon prej shumë muajsh. Ai iu referua komenteve të bëra të enjten nga Komisioneri i Bashkimit Evropian për çështjet e Zgjerimit, Johannes Hahn, komente, që sipas tij përmbanin elementë të njëanshëm.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për çështjet e Zgjerimit, Johannes Hahn, tha dje gjatë një konference në Uashington se përsa i përket zgjedhjeve të ardhshme në Maqedoni, janë të nevojshme disa përgatitje, të cilat kërkojnë kohë.

Zoti Hahn arriti të martën një marrëveshje në parim mes udhëheqësit të opozitës, Zoran Zaev dhe Kryeministrit Nikolla Gruevski për zgjedhje të parakohshme në prill të vitit të ardhshëm.

Komisioneri i BE-së tha dje se zgjedhjet e prillit të kaluar u vëzhguan nga OSBE-ja dhe, megjithë disa mangësi, në përgjithësi ka patur një raport pozitiv rreth tyre.

Udhëheqësi i opozitës, Zoran Zaev reagoi sot duke thënë se përshkrimi që zoti Hahn u bëri zgjedhjeve të kaluara përmban elementë të njëanshëm, prandaj ai nuk do të marrë pjesë në negociatat e planifikuara për më 10 qershor në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së.

Opozita në Maqedoni thotë se zgjedhjet e kaluara u manipuluan. Ajo e ka bojkotuar parlamentin që nga ajo kohë.

Një çështje me rëndësi kritike për bisedimet e ardhshme me ndërmjetësimin e BE-së është se kush do t’i organizojë dhe monitorojë zgjedhjet.

Zoti Hahn tha dje se për zgjedhjet e ardhshme, që ai ka thënë se mund të mbahen në fund të prillit 2016, do të duhet të modifikohet kodi zgjedhor dhe të shqyrtohen listat e zgjedhësve.

Qeveria e Kryeministrit Gruevski ka qenë nën trysni që nga janari i këtij viti lidhur me një skandal përgjimesh të zyrtarëve të lartë. Përgjimet u bënë publike nga zoti Zaev dhe qeveria thotë se ato janë organizuar nga një shërbim i huaj zbulimi në bashkëpunim me zotin Zaev për të rrëzuar qeverinë.

Në komentet e djeshme, komisioneri Hahn tha BE-ja po i bën thirrje opozitës të kthehet në parlament për ta trajtuar çështjen e përgjimeve përmes debatit. Nga ana tjetër, sipas zotit Hahn, kjo është një çështje penale, që duhet trajtuar në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane.

Ai tha se të gjitha palët kanë rënë dakord të pranojnë rekomandimet e Komisionit Evropian, sidomos për çështjet e sundimit të ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. za

QËNDRIMET E KOMISARIT HAHN E REVOLTOJNË OPOZITËN MAQEDONASE

Komisari i BE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Johannes Hahn në Këshillin Alantik në Uashington ka deklaruar: nëse kriza politike në Maqedoni nuk zgjidhet, ky vend mund të humbasë rekomandimin për hapjen e bisedimeve me BE. 

Sipas Komisarit të BE, Johannes Jahn, në Maqedoni ka një skandal të madh, që askush nuk mund ta injorojë. “Ka mbi 22 mijë inçizime dhe të mos flasim për përmbajtjen e tyre që është diçka tjetër. Ne mendojmë se duhet të ketë një reagim të dyfishtë në gjithë këtë. Njëra është politike dhe për këtë kemi kërkuar që opozita të kthehet në parlament. Ndaj gjithë kësaj situate duhet që të ketë një qasje sipas standardeve evropiane”, ka thënë Hahn.

Sipas tij, Evropa ka përgjegjësi morale që të sigurojë perspektivën evropiane të Maqedonisë në interes të stabilitetit të rajonit. “Jam i vetëdijshëm për krizën në Maqedoni dhe ka pasur bisedime mes opozitës dhe qeverisë për kohën më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve, sepse është e domosdoshme përgatitja”, ka deklaruar Hahn.

Opozita maqedonase bojkoton takimin e Brukselit

Komisioneri i BE Johannes Hahn gjatë një fjalimi në Uashington ka theksuar se edhe pse zgjedhjet e kaluara adresonin defekte të shumta, ato u vlerësuan përgjithësisht pozitive nga OSBE-ja. Ky vlerësim për zgjedhjet në Maqedoni ka hasur në reagim të ashpër tek opozita maqedonase. Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev nuk do të marë pjesë në bisedimet e filluara mes 4 liderëve të partive politike dhe me ndërmjetësimin e euro-komisarit Johannes Hahn, që ishin planifikuar të vazhdonin më 10 qershor në Bruksel. Vendimi radikal i opozitës vjen pas deklaratës së komisarit Hahn të bërë gjatë vizitës në Uashington, ku theksoi se proceset zgjedhore në Maqedoni janë vlerësuar pozitivisht nga misioni mbikëqyrës i OSBE-së. Zaev vlerëson se qëndrimi i tillë i euro-komisarit është i njëanshëm dhe tendencioz, për shkak se edhe OSBE-ja, por edhe bisedat e përgjuara konfirmojnë, se proceset e fundit zgjedhore kanë qenë të manipuluara: “Bëj me dije se nuk do të marr pjesë në mbledhjen e caktuar me eurokomisarin Hahn, më 10 qershor në Bruksel. Deklarata në Uashington e Johannes Hahnit, komisarit për zgjerim të BE-së, përmban elemente tendencioze dhe është e papërshtatshme për periudhën përgatitore, para mbledhjes vendimtare në Bruksel”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Mazedonien Zoran Zaev Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev

Zaev tha gjithashtu se arsye shtesë për të mos marë pjesë në takimin e Brukselit janë edhe veprimet e fundit të Prokurorisë, por edhe dhuna që ishte evidentuar periudhën e fundit, ndaj disa kritikuesve të pushtetit. “Pas bisedimeve më 2 qershor në Shkup, është ngritur një tjetër aktpadi kundër meje për marrje ryshfet, edhe pse padia penale nga policia kundër meje ishte për tentim për marrje ryshfeti. Është bërë diversion i veturës së djalit të Zoran Verushevskit-i akuzuar për përgjimet, janë bërë bastisje të reja në shtëpitë e të paraburgosurve, janë djegur vetura, janë sulmuar kritikët e pushtetit”, ka thënë Zoran Zaev.

Komisioni i BE hedh poshtë mediat pro-qeveritare

Disa media pro-qeveritare në Shkup kanë shtrembëruar deklaratën e komisarit Hahn në Uashington, duke pretenduar në raportimine tyre, sikur komisasri Hahn ka deklaruar që qeveria aktuale do t’i organizojë zgjedhjet e reja, prillin e ardhshëm. Komisioni Evropian reagon duke i kundërshtuar spekulimet. “Komisari nuk ka thënë se qeveria aktuale duhet t’i organizojë zgjedhjet e parakohshme. Komisari Hahn vetëm ka përsëritur atë çfarë u ra dakord në takimin në Shkup. Kjo është se do të ketë zgjedhje të reja në prill 2016, do të ketë një përforcim të rregullave zgjedhore dhe që duhet të identifikohen parregullsitë e zgjedhjeve të mëparshme. Komisioni Evropian do të lehtësojë reformat ligjore dhe se palët kanë treguar gatishmëri që javën e ardhshme të vendosin se kush do ta bëjë organizimin e qeverisë, e cila duhet të përgatisë zgjedhjet”, thuhet në reagimin e Komisionit Evropian. dw

ZAEV – LARGOHEM NGA BISEDIMET

Udhëheqësi i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev tha se po largohet nga bisedimet e planifikuara për javën tjetër në Bruksel, që synojnë t’i japin fund krizës politike, e cila vazhdon prej shumë muajsh. Ai iu referua komenteve të bëra dje nga Komisioneri i Bashkimit Evropian për çështjet e Zgjerimit, Johannes Hahn, komente, që sipas tij përmbanin elementë të njëanshëm.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për çështjet e Zgjerimit, Johannes Hahn, tha dje gjatë një konference në Uashington se përsa i përket zgjedhjeve të ardhshme në Maqedoni, janë të nevojshme disa përgatitje, të cilat kërkojnë kohë.

Zoti Hahn arriti të martën një marrëveshje në parim mes udhëheqësit të opozitës, Zoran Zaev dhe Kryeministrit Nikolla Gruevski për zgjedhje të parakohshme në prill të vitit të ardhshëm.

Komisioneri i BE-së tha dje se zgjedhjet e prillit të kaluar u vëzhguan nga OSBE-ja dhe, megjithë disa mangësi, në përgjithësi ka patur një raport pozitiv rreth tyre.

Udhëheqësi i opozitës, Zoran Zaev reagoi sot duke thënë se përshkrimi që zoti Hahn u bëri zgjedhjeve të kaluara përmban elementë të njëanshëm, prandaj ai nuk do të marrë pjesë në negociatat e planifikuara për më 10 qershor në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së.

Opozita në Maqedoni thotë se zgjedhjet e kaluara u manipuluan. Ajo e ka bojkotuar parlamentin që nga ajo kohë.

Një çështje me rëndësi kritike për bisedimet e ardhshme me ndërmjetësimin e BE-së është se kush do t’i organizojë dhe monitorojë zgjedhjet.

Zoti Hahn tha dje se për zgjedhjet e ardhshme, që ai ka thënë se mund të mbahen në fund të prillit 2016, do të duhet të modifikohet kodi zgjedhor dhe të shqyrtohen listat e zgjedhësve.

Qeveria e Kryeministrit Gruevski ka qenë nën trysni që nga janari i këtij viti lidhur me një skandal përgjimesh të zyrtarëve të lartë. Përgjimet u bënë publike nga zoti Zaev dhe qeveria thotë se ato janë organizuar nga një shërbim i huaj zbulimi në bashkëpunim me zotin Zaev për të rrëzuar qeverinë.

Në komentet e djeshme, komisioneri Hahn tha BE-ja po i bën thirrje opozitës të kthehet në parlament për ta trajtuar çështjen e përgjimeve përmes debatit. Nga ana tjetër, sipas zotit Hahn, kjo është një çështje penale, që duhet trajtuar në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane.

Ai tha se të gjitha palët kanë rënë dakord të pranojnë rekomandimet e Komisionit Evropian, sidomos për çështjet e sundimit të ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. za

IGFM: TË NDIHMOHET KUMANOVA, TË ZBARDHET E VËRTETA

VOAL – Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut (IGFM) me zyrën e saj në Maqedoni apelon tek organizatat ndërkombëtare që të zbardhin të vërtetën e 9 dhe 10 majit në Kumanovë, përmes një hetimi ndërkombëtarë.

“Nga ana tjetër shprehim shqetësimin e madh për heshtjen e institucioneve për qindra fëmijët, gratë dhe pleqtë e traumatizuar në këtë zonë, që përbën terror dhe një formë gjenocidi ndaj popullatës civile. Në këtë drejtim institucionet shtetërore përgjegjëse në Maqedoni si ato shëndetësore, rehabilituese dhe sociale nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për rikthimin e normalitetit jetësor dhe ndihmën e dhënë për banorët e kësaj zone, që kanë probleme traumatike”, thekson IGFM, një organizatë që ka degët e saj në gjithë botën lidhur me të drejtat e njeriut.

Kjo organizatë gjithashtu kërkon që edhe organizatat dhe shoqatat për të drejtat e njeriut si Komiteti i Helsinkit, UNICEF, OSBE  dhe disa organizata tjera ndërkombëtare për çudi akoma po heshtin për të vërtetën e Kumanovës dhe pasojat që ka lënë ajo ngjarje.

“Apelojmë që këto organizata sa më shpejt të reagojnë dhe ti vijnë në ndihmë banorëve lokal, që në këtë kohë kanë më shumë nevojë për rehabilitim dhe ndihmë sociale dhe shëndetësore se sa materiale.  Të mos heshtin sepse fëmijë e gra çdo natë po përjetojnë dhe rikujtojnë tmerrin dhe po jetojnë ditët në ankth duke mos iu rikthyer jetës normale. Me këtë apel i drejtohemi edhe përfaqësive diplomatike të vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-ve dhe disa vende tjera mike që të ndihmojnë në këtë aspekt sepse shteti dhe institucionet përgjegjëse janë vënë në heshtje dhe  janë të fokusuar në fshehjen e të vërtetës dhe pasojave që kanë ndodhur në Lagjen e Trimave në Kumanovë”, thekson kjo organizatë.

IGFM alarmon edhe gjendje të paraburgosurëve për rastin e Kumanovës, të cilët janë të torturuar dhe maltretuar brutalisht nga periudha e arrestimit të tyre e deri në burgun e Shutkës. Një pjesë e tyre kanë mbetur me pasoja të pashërueshme jetësore dhe askush nuk mund t’ia kthejë shëndetin. Maqedonia në këtë rast u dëshmua se nuk njeh dhe respekton standardet evropiane, edhe pse në anën tjetër pretendon se është një shtet që synon BE-në.

IGFM nënvizon se një pjesë e të arrestuarve janë familjarë dhe persona të pafajshëm që nuk kanë pasur asnjë lidhje me grupin e armatosur dhe se ata janë gjetur dhe janë kapur atë ditë në shtëpitë e tyre dhe se është e çuditshmë dhe skandaloze se si ky shtet cilindo qytetarë që kap në rrugë e shpallë terrorist.

Në fokus të së vërtetës është e domosdoshme edhe ndriçimi i vrasjeve të 10 civilëve që ishin pjesë e grupit, se në çfarë rrethana kanë ndodhur ato dhe duhet të ketë një proces të plotë transparent si nga ana e organeve hetimore të Maqedonisë , ashtu edhe të atyre kosovare.

MESILA DODA: JANULLOVSKA NJË PRIKOPATE VRASËSE I SHTYP SHQIPTARËT

VOAL – Deputetja demokrate në Shqipëri, Mesida Doda ka theksuar se ish-ministrja e brendshme e Maqedonisë Gordana Jankullovska është një psikopate vrasëse.“Jankullovska është një psikopate vrasëse që shtyp shqiptarët. Shqiptarë të pafajshëm vuajnë dënime që janë intriga të politikës maqedonase. Shteti jonë nuk hap gojë. Nuk mund të sillemi ne sikur kemi respekt për qëndrueshmërinë e Maqedonisë, por të kujdesemi për bashkëkombësit tanë”, deklaroi deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë.Ajo theksoi se janë parë deportime të Çamëve, të Kosovës, por sot sipas saj kemi një tragjedi të re që siç tha “Nuk mund të ekzistojë dot një shtet që kthen 30 për qind të policisë në pakicë. Nuk mund të ekzistojë një shtet që vret njerëzit e vetë dorëzuar. Kjo është dhunim i të drejtës njerëzore”.“Veç një bashkëpunim real midis nesh mund të na forcojë nga albanofobët. Duhet lobim për bashkëpunim. Nuk duhet lejuar cenimi i jetës së bashkëkombësve tanë. Kjo ngjarje do hetim ndërkombëtar. Duhet hetim transparent nga persona të painfluencuar nga Gruevski. Nuk duhet të jetë stabiliteti i Maqedonisë shqetësimi ynë por të drejtat e Shqiptarëve. Ju nuk përmendët në asnjë moment faktorin shqiptar.
Na përket neve të merremi me të drejtat e bashkëkombësve tanë. Duhet të jemi të gjithë në një front”, deklaroi deputetja Doda.

DISA NGA TË ARRESTUARIT NË KUMANOVË – TË REKRUTUAR NGA SHËRBIMET SEKRETE

Disa prej kosovarëve të arrestuar nga grupi i Kumanovës para autoriteteve kompetente maqedonase deklaruan se kanë pasur kontakt me të paktën dy njerëz nga Agjencia e Inteligjencës dhe me dy nga DSK-ja, mëson jo-zyrtarisht Alsat M nga burimet e hetimit

Sipas informatave të pakonfirmuara tani për tani, në një pjesë të deklaratave zyrtare të të arrestuarve është përmendur agjenti me inicialet SH.M identiteti i të cilit u publikua nga disa mediume në vend dhe në Kosovë.

Personi tjetër i përmendur nga njëri prej të arrestuarve në Kumanovë, thuhet se është këshilltar i sigurisë te Presidenti, i cili së bashku me SH.M është shfaqur në regjistrim që në telefonin e vet e ka pasur njëri nga të vdekurit në aksion. Cila ka qenë natyra e këtyre komunikimeve dhe çfarë janë marrë vesh, tani për tani nuk dihet.

Alsat M edhe sot kërkoi përgjigje nga Agjencia e Inteligjencës për takimet mes zyrtarëve të Agjencisë dhe liderëve të grupit të Kumanovës. Në pyetjen nëse është e vërtetë se pjesëtarë të agjencisë kanë pasur kontakte të tilla, dhe nëse kanë pasur me çfarë karakteri ishin ato, nuk morëm përgjigje.

Publiku është i njohur tashmë vetëm me qëndrimin e institucionit. E ai është paralajmërimi se do të ngrenë procedurë për përgjegjësi penale për ata që e zbuluan identitetin e agjentit të tyre të fshehtë. Nga Agjencia nuk u përgjigjën ende se sa persona fizikë ose juridikë janë të dyshuar në denoncimin e tyre.

Për denoncimin Alsat ka pyetur në Prokurorinë publike. Ata konfirmuan se e kanë pranuar, por nuk u përgjigjen se sa njerëz janë subjekt i hetimeve të mundshme.

“Për momentin mund të konfirmojmë se ka arritur Iniciativa nga Agjencia e inteligjencës e cila është marrë në shqyrtim nga një prokuror kompetent. Për detajet e procedurës do të informoheni me kohë”.

Zyrtarisht, deri më tani vetëm nga MPB-ja njoftuan se agjentë të tyre nga DSK-ja, së paku zyrtarisht nuk kanë pasur kontakt me anëtarët e grupit të Kumanovës, para ngjarjeve të 09 dhe 10 majit. Ndonëse jozyrtarisht, në deklaratat e të arrestuarve është theksuar se njëri nga udhëheqësit e grupit ka qenë në kontakt me dy nga punonjësit e tyre njëri me inicialet B.D. tjetri B.N.

Në njoftimin e Agjencisë së inteligjencës nuk kishte asnjë konfirmim apo mohim, por dënim për zbulimin e identitetit të pjesëtarit të tyre dhe paralajmërim për kallëzim penal. Në publik, tashmë spekulohet se si cak i hetimeve mund të jenë mediat dhe gazetarët me qëndrime kritike. kp

LËVIZJA BESA THËRRET SHQIPTARËT NË MARSH PROTESTE NË SHKUP MË 13 QERSHOR

Lëvizja BESA në konferencën e sotme të shtypit shpalli thirrjen për marshin protestues për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni. Protesta do të mbahet në Shkup më 13 qershor (të shtunën e ardhshme) me fillim në ora 17:00.

Marshi do të niset nga lagjja e Çairit dhe do vazhdojë deri te Qeveria e Republikës së Maqedonisë, ku do të lexohen mesazhet e protestës.

Kryetari i Këshillit Koordinues së Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, shpjegoi se marshi do të ketë karakter gjithëshqiptar dhe se Lëvizja BESA vetëm e inicon atë.

”Për këtë arsye marshi nuk do të ketë emblemën e Lëvizjes BESA. Madje, edhe motoja qendrore e këtij marshi është lënë të vendoset me konsensus të të gjithë organizatorëve”, tha Kasami.

Lëvizja BESA u bën thirrje publike subjekteve politike shqiptare, Rilindjes Demokratike Kombëtare dhe Lëvizjes për Reforma në PDSH, si dhe organizatave joqeveritare, intelektualëve, artistëve, gazetarëve, dhe personaliteteve të tjera shqiptare që ta formojnë bashkërisht një këshill për organizimin e marshit protestues.

Kasami i paraqiti 18 pikat e deklaratës me të cilën kërkojnë:

– dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë Gruevski & Ahmeti, sepse kjo qeveri e ka partizuar shtetin, i ka keqpërdorur institucionet, ka dështuar në rrugën e integrimit dhe në thelb është antishqiptare;

– hetimin dhe ndëshkimin e të gjitha krimeve të politikanëve të inkriminuar;

– që Zaev t’i publikojë të gjitha materialet që kanë të bëjnë me të vërtetat shqiptare, e veçmas ato që kanë të bëjnë rastet e montuara, siç është “Monstra” – ndryshe do ta konsiderojmë pjesëmarrës në fshehjen e krimeve;

– Do të deklarojmë se pas publikimeve të përgjimeve, si dhe pas dështimit në mbrojtjen e ndonjë agjende shqiptare, BDI dhe PDSH nuk janë më përfaqësuese të shqiptarëve të Maqedonisë dhe ato nuk kanë të drejtë të vendosin për shqiptarët në asnjë negociatë të mundshme;

– lirimin e të burgosurve të rasteve të montuara “Monstra”, “Sopot” dhe “Brodec”;

– zbardhjen e vrasjes së Harun Aliut dhe shokëve të tij;

– ndriçimin e plotë të rastit të Lagjes së Trimave në Kumanovë, përgjegjësinë e autorëve dhe organizatorëve të atij skenari dhe zgjidhjen urgjente të dëmtimeve të vendbanimeve shqiptare të shkatërruara padrejtësisht;

– dorëheqjen e zv. kryeministrit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, sepse 11 vjet pas skadimit të afatit për realizimin e asaj marrëveshjeje nuk ka më asnjë kuptim të flitet për implementim të saj;

– dorëheqjen e zv. kryeministrit për Integrime Evropiane, sepse Maqedonia tashmë është prapakthyer nga agjenda euro-integruese;

– dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë dhe të Prokurorit Publik, për shkak të drejtësisë së partizuar dhe antishqiptare në Maqedoni;

– dorëheqjen e ministrit të Mjedisit Jetësor për shkak të dështimit në zgjidhjen e çështjes së ajrit të ndotur në Tetovë;

– dorëheqjen e ministrit të Arsimit për skandalet e shumta në arsim, si ai i fundit i racizmit ndaj shqiptarëve;

– dorëheqjen e ministrit të Ekonomisë, sepse vendbanimet shqiptare në Maqedoni vazhdojnë të jenë zonat më të varfra në vend dhe, rrjedhimisht, emigrimi vazhdon të jetë marramendës;

– dorëheqjen e zv. ministrit të Punëve të Brendshme për shkak të skenarit të Kumanovës;

– dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për shkak të qasjes së tij raciste ndaj shqiptarëve;

– zyrtarizmin e gjuhës shqipe në gjithë territorin e Maqedonisë;

– ndarjen e drejtë të buxhetit të Republikës së Maqedonisë;

– marrëveshje të re për RIDEFINIMIN e Maqedonisë si shtet i përbashkët konsensual i shqiptarëve dhe maqedonasve.

Lëvizja Besa është subjekti më i ri politik i i shqiptarëve të Maqedonisë, e formuar nga fundi i vitit të kaluar dhe ka orientim opozitar ndaj dy partive më të mëdha – BDI-së së Ali Ahmetit dhe PDSH-së së Menduh Thaçit. Pas disa komunikatave, me të cilat ka reaguar ndaj ngjarjeve aktuale në Maqedoni, organizimi i promovuar sot paraqet aktivitetin e saj të parë më konkret në publik. kp

DIPLOMATI PITER FEITH NË SHKUP PËR MARRËVESHJEN E OHRIT

 

Pa i lajmëruar aspak gazetarët, diplomati Piter Feith ka ardhur dje në Shkup dhe i ka ftuar për t’i dëgjuar përfaqësues të partive politike në Maqedoni rreth implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Debatin e kishte organizuar Sekretariati për çështje evropiane dhe instituti europian për paqe, por bisedat kanë qenë të mbylluara për publikun. Organizatorët theksojnë se në këtë fazë vetëm është biseduar për raportin e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Në hotelin “Holidei Inn” kanë qëndruar Musa Xhaferri dhe Fatmir Besimi nga BDI-ja, Ilia Dimovski nga VMRO DPMNE-ja dhe nga LSDM_ja Frosina Remenski.

Por askush prej tyre ska dashur të japë ndonjë deklaratë se për çfarë po bisedohet me Feithin.

Diplomati Feith është mediator senior në Inastitutin europian për paqe. Instituti është partner i pavarur i BE-së dhe Europës, i cili e zbaton agjendën globale të paqes nëpërmjet ndërmjetësimit dhe dialogut joformal. Instituti udhëheqë edhe multi-diplomaci dhe vepron si mjet i jashtëm, si mbështetës i BE-së, atje ku unioni ka ndikim të kufizuar.

Por emri i Piter Feithit ka shkaktuar shumë interes në Maqedoni, pasi ai ishte i kyçur direkt për ndërprerjen e Konfliktit të vitit 2001. Ai është një diplomat me përvojë, ishte përfaqësues i BE-së në Kosovë, kurse ka qenë edhe në funksione të larta në BE dhe NATO.

Piter Feith u fol se mund të jetë një ndër ndërmjetësuesit e BE-së për krizën politike në Maqedoni, por Qeveria e Maqedonisë dhe kryeshefi i diplomacisë Poposki ishin kategorikë kundër që ai të marrë një rol të tillë.

AMBASADA AMERIKANE – MAQEDONIA KA NEVOJË PËR REFORMA TË THELLA

 

Ambasada Amerikane në Shkup duke përshëndetur marrëveshjen e arritur dje nga qeveria dhe opozita thekson se Maqedonia ka nevojë për reforma të thella në të ardhmen për të përmirësuar klimën demokratike.

Përmes një deklarata të lëshuar të mërkurën, Ambasada Amerikane në Shkup thekson se katër drejtuesit e partive ranë dakort për forcimin e institucioneve të vendit dhe ripohuan angazhimin e tyre drejt procesit të integrimeve Euro-Atlantike,  përmes forcimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe atyre të fqinjësisë së mirë.

Rruga drejtë së ardhmes nuk do të jetë e lehtë dhe do të kërkojë bashkëpunimin e gjithë udhëheqësve të Maqedonisë, thekson Ambasada Amerikane në Shkup. za

ALI AHMETI – DALJA E BDI-së NGA QEVERIA NUK DO TA ZGJIDHTE KRIZËN

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës thotë se pret që marrëveshja e arritur dje midis katër drejtuesve politikë, në bisedimet e ndihmuara nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian Johanes Hahn të respektohet nga të gjitha palët. Ai bën të ditur se kërkesa e tij kryesore ka qenë respektimi dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Zoti Ahmeti thotë se lagimi i partisë së tij nga qeveria, nuk do të zgjidhte krizën. Ai flet edhe për rastin e Kumanovës, si dhe për çështje që shqetësojnë shqiptarët e Maqedonisë.

Zëri i Amerikës: Z. Ahmeti, çka nënkupton marrëveshja për zgjedhje deri në muajin prill të vitit të ardhshëm dhe a do të thotë “periudha e tranzicionit” se do të ketë një qeveri të përkohshme e cila do ta përgatiste kushtet për këto zgjedhje?

Ali Ahmeti: Pa dashur të paragjykoj të gjithë procesin, në këto zhvillime kanë dhënë një kontribut të madh Brukseli dhe Uashingtoni. Ky dialog ka filluar me inkurajim të ambasadorit të BE-së dhe të SHBA-së. Fillimet e këtij dialogu janë në Shkup, për të vazhduar në Strasburg me ndërmjetësimin e tre deputetëve të Parlamentit Evropian dhe gjithashtu me angazhimin shumë të fortë edhe të Komisonerit për Zgjerim Johanes Han. Tani, për t’u rrumbullakësuar të gjitha këto takime, është 2 qershori në prani të zotit Han. Të gjitha palët kemi pranuar një axhendë për dalje nga kriza dhe për t’i futur të gjitha dallimet në kuadër të normalitetit në binarë drejt zgjidhjeve të problemeve me të cilat ballafaqohet vendi. Me këtë marrëveshje detajohet që në prill të vitit 2016 do të kemi zgjedhje të parakohshme dhe në kuadër të kësaj marrëveshjeje, sigurisht që në Bruksel do të flitet për hollësitë dhe zbatimin e saj. Këtu kemi kodin zgjedhor, pastrimin e listave zgjedhore, funksionimin e organeve të jurisprudencës, marrëdhëniet me fqinjët, Marrëveshja e Ohrit, proceset euroatlantike. Partitë politike kanë marrë obligime nga takimi dhe për mendimin tim, kjo marrëveshje është obligative për të gjitha palët me qëllim që vendi ta kapërcejë krizën.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se do të ketë një qeveri teknike apo të përkohshme deri para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme?

Ali Ahmeti: Të gjitha çështjet janë të hapura; me rëndësi është që ka vullnet të mirë tek të gjitha palët për kapërcimin e situatës. Besoj se asnjëra palë nuk do të luajë rolin e të mallkuarit, sepse nuk është mirë për vendin, as për proceset dhe axhendën e rëndësishme që kemi ne dhe të gjitha partitë politike. Shpresoj që palët të mos nxjerrin imtësira, por të merremi me gjërat për të cilat jemi marrë vesh në prani të Komisionerit Hahn dhe të ambasdorëve të SHBA-së dhe BE-së. Mendoj që kjo aspak nuk duhet të nënvlerësohet nga partitë politike, sepse nuk do të krijojë një imazh të mirë për vendin por as për vetë partitë politke, kështu që duhet t’i qëndrojnë fjalës së dhënë dhe ajo që kemi nënshkruar dje, të respektohet nga të gjitha palët.

Zëri i Amerikës:  A do të thotë se krizës disamujore po i afrohet fundi?

Ali Ahmeti: Mendoj se të gjithë kemi punuar dhe investuar për ta mbyllur këtë kapitull. Vendi po ballafaqohet me situata jo të mira, pas aferës së përgjimeve, ka protesta, procese gjyqësore ende të pahapura dhe të pambyllura; me shumë të panjohura dhe mendoj që të gjithë duhet të marrin përsipër përgjegjësitë që sa më shpejtë kjo situatë të kapërcehet sepse është një ngërç i madh në të gjitha institucionet e vendit duke filluar që nga qeveria deri te drejtoritë; nuk funksionon si duhet shteti, nuk ka vullnet nga administrata. Të gjithë janë në pritje se ç’do të ndodhë nesër, se si mund të tejkalohet kjo gjendje dhe vendi të hyjë në binarë dhe në rrugën e duhur.

Zëri i Amerikës: Z. Ahmeti, si iu përgjigjeni kritikëve të cilët kërkojnë largimin e BDI-së nga qeveria?

Ali Ahmeti: Bashkimi Demokratik për Integrim ka përgjegjësi përpara shqiptarëve, përpara elektoratit të vet; ka përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve dhe jo për krijimin e tyre dhe ne e kemi vlerësuar si të dobishme pjesëmarrjen tonë në institucione, edhe pse sikur të braktisnim institucionet kohë më parë, sigurisht që mund të ndodhte efekti euforik, ja psh: “bravo, BDI braktisi institucionet e tash do të krijohet ndoshta një tjetër situatë…”. Unë nuk dua të merrem as me paragjykime dhe as nuk dua t’i mbush mendjen atyre të cilët nuk e dinë as strategjinë, as projektet e platformën e BDI-së, por vendimet që ne kemi marrë, i kemi bërë në mënyrë kolegjiale. Është diskutuar në Këshillin e Përgjithshëm, në Kryesinë e partisë dhe të gjithë veprimtarinë që e kemi bërë e kemi bërë duke analizuar të gjitha rrethanat dhe mbi bazë të tyre kemi vepruar. Nuk kemi vendosur në radhë të parë, interesin e Bashkimit Demokratik për Integrim, por interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe nuk kemi dashur të bëhemi pjesë e shtimit të problemeve, por kemi dashur të jemi pjesë konstruktive e zgjidhjes së problemeve me të cilat po ballafaqohet vendi.

Zëri i Amerikës:  Cilat kanë qenë kërkesat tuaja, nëse mund t’i bëni publike, në bisedimet e lehtësuara nga komisioneri Hahn?

Ali Ahmeti: Sigurisht që në të ardhmen do të shpaloset e gjithë korniza për të cilën kemi biseduar, por qasjen më serioze ne e kemi pasur tek Marrëveshja e Ohrit, që palët duhet të marrin përgjegësi edhe më tej për këtë marrëveshje me peshë kombëtare e ndërkombëtare. Gjithashtu marrëdhëniet me fqinjët; kemi pasur parasysh edhe proceset euro-atlantike që janë me rëndësi të jashtëzakonshme jo vetëm për Maqedoninë por dhe për të gjithë rajonin, si dhe probleme të tjera me të cilat ballafaqohet vendi, si Kodi zgjedhor, pastrimi i listave zgjedhore, media, gjyqësori, procesest gjyqësore kanë qenë me interes, por të gjitha një nga një do të marrin drejtim për zgjidhje deri në prill të vitit 2016, me çka vendi duhet të jetë i gatshëm për zgjedhje.

Zëri i Amerikës:  Çka fitojnë konrektisht shqiptarët, përveç kthimit të qëndrueshmërisë eventualisht, nga marrëveshja. A janë ngritur çështje të tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni?

Ali Ahmeti:  Këtu fitojnë të gjithë. Edhe shqiptarët edhe maqedonasit. Paqja, siguria dhe stabiliteti dhe proceset euro-atlantike janë vlerë dhe dobi për të gjithë qytetarët e Repubikës; gjithashtu Kodi zgjedhor, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për anëtarësim të vendit, sigurisht që është në dobi të të gjithëve.

Zëri i Amerikës:  A besoni se kushtet që janë paraqitur ose që do të dalin gjatë procesit të bisedimeve do të plotësohen nga palët e përfshira?

Ali Ahmeti: Obligime për të respektuar fjalën e dhënë kemi që të gjithë. Obligim për paqe, stabilitet në vend kemi që të gjithë dhe jemi të detyruar t’i japim përparësi, në radhë të parë stabilitetit dhe që të mos shikojmë interesat e ngushta grupore apo partiake. Dhe unë u bëj thirrje të gjithë nënshkruesve të marrëveshjes në prani të miqve tanë ndërkombëtarë, që të jemi korrekt dhe t’i qëndrojmë fjalës së dhënë. Të mos i ndërlikojmë gjërat që edhe ashtu janë të ndërlikuara, por t’iu japim drejtim të gjitha problemeve për zgjidhje përfundimtare që vendi të hyjë në kuadër të normalitetit, sepse përndryshe ne do të humbasim imazhin dhe do të na e kthejë shpinën edhe Evropa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të ballafaqohemi me vështirësi të jashtëzakonshme, sepse çdo pengesë dhe tendencë për ta anashkaluar këtë marrëveshje të arritur më 2 qershor, mund të reflektojë negativisht dhe të ketë pasoja në Republikën e Maqedonisë. Unë kërkoj që kjo marrëveshje të respektohet dhe të zbatohet me përkushtim.

Zëri i Amerikës:  Po çështja e emrit të Maqedonisë, a është pjesë e këtij procesi?

Ali Ahmeti:  Përderisa në këtë marrëveshje përfshihet si pikë e veçantë procesi euro-atlantik, sigurisht që ka të bëjë edhe me zgjidhjen e çështjes së emrit, por pa u futur si problem i veçantë, sepse kuptohet që për arritjen e anëtarësimit të vendit tonë në Nato, ne duhet të kemi një zgjidhje të kësaj çështjeje.

Zëri i Amerikës: Si i përgjigjeni kritikave në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, për mungesën e zbatimit të saj në praktikë, për mangësitë në lidhje me gjuhën shqipe dhe simbolet?

Ali Ahmeti:  Marrëveshja e Ohrit ka qenë në qendër të debatit dhe të vëmendjes të të gjithë nënshkruesve, përfshirë Naton, Brukselin dhe Uashingtonin. Ne kemi punuar me përkushtim që kjo Marrëveshje të zbatohet dita ditës dhe të avansohet. Kemi dallime për sa i përket ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, edhepse në këtë drejtim janë bërë disa hapa të vegjël. Ka interesim, si nga faktori i brendshëm, në veçanti ai shqiptar, por edhe në rajon, ndërsa kujdes të veçantë kanë treguar Brukseli dhe Uashingtoni. Këtyre ditëve në Shkup kemi njeriun më të thirrur, si njohësin më të mirë të Marrëveshjes së Ohrit, sepse ka qenë i përfshirë drejtpërsëdrejti në arritjen e kësaj marrëveshjeje, Z. Piter Fejth, i cili është këtu me nismën e institucioneve evropiane për një ekspertizë të hollësishme të marrëveshjes së Ohrit; për një raport të detajuar se sa është bërë, ç’ka mbetur për t’u realizuar nga kjo marrëveshje. Ai është njeriu i cili do ta bëjë këtë ekspertizë për t’i raportuar BE-së dhe institucioneve të tjera. Kjo është një punë e mirë që do të bëhet nga një institucion i pandikuar dhe një analizë për përgjegjësit kryesorë si BE-në, SHBA-të dhe Naton, sepse pikërisht ato janë garantues të kësaj marrëveshjeje.

Zëri i Amerikës: Z. Ahmeti, në lidhje me Kumanovën, vazhdon të ketë mjaft paqartësi si për motivet e gjithë ngjarjes, poashtu edhe për mënyrën e reagimit dhe ndërhyrjes së forcave maqedonase. A ndjeni përgjegjësi, duke qenë pjesë e kësaj qeverie, për atë që ndodhi atje?

Ali Ahmeti: Nuk di çfarë përgjegjësie kërkohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim… përgjegjësi morale, apo përgjegjësi institucionale. Unë kam folur publikisht, shumë hapur, që kam qenë i angazhuar jashtëzakonisht shumë që të mos ndodhin gjëra të tilla, jo vetëm këtë vit por që nga viti 2002, në vazhdimësi kam kontaktuar me njerëz të pakënaqur, me grupe të caktuara, dhe kam bërë të pamundurën që këto gjëra të mos ndodhin. Por, kam kërkuar që për këto situata të komunikojmë dhe të vendosen kontakte të drejtpërdrejta në mes dy qeverive, institucioneve të Maqedonisë dhe të Kosovës, sepse është në interes të të dy shteteve, por edhe më gjerë, që kjo ngjarje të ndriçohet deri në fund dhe të mos u lihet hapsirë teorive të konspiracioneve të ndryshme. Ne jemi vende fqinje dhe të gjitha gjërat duhet të pastrohen deri në fund dhe këto probleme të mos ndikojnë për ftohjen dhe acarimin e raporteve. Uroj që sa më shpejtë dy qeveritë tona të takohen dhe besoj që veçmë këtë muaj kjo duhet të ndodhë. Jo vetëm me Kosovën, por të vazhdohet edhe me Shqipërinë dhe me vende të tjera të rajonit, sepse bashkëpunimi me fqinjët është mjaft me rëndësi për të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, qoftë për proceset politike ose për zhvillimin ekonomik; gjërat janë të ndërvarura dhe duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që të gjitha energjitë pozitive t’i vëmë në funksion dhe në dobi të rajonit dhe të qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Sidoqoftë, atje pati, nëse pajtoheni, një përdorim të tepruar të forcës dhe ata banorë atje kanë pësuar vuajtje, padyshim edhe shpirtërore…

Ali Ahmeti:  Unë nuk jam pjesë e operativës. Ne jemi parti politike dhe unë nuk kam bërë programin operativ për izolim të grupit. Dëme materiale ka. Mbi të gjitha duhet patur parasysh se nuk ka banorë civilë të vrarë dhe kjo duhet të theksohet. Dëmet materiale duhet të kompensohen. Tashmë qeveria ka formuar komisione dhe ato kanë qenë në vend për verifikimin e tërësishëm të gjendjes dhe kostos së dëmeve materiale. Të gjithë qytetarët e dëmtuar kanë marrë ndihmë nga shteti sa për të kaluar ditët në fillim dhe të shohim kur do të fillojë puna për riparimin e dëmeve të shkaktuara në atë lagje.

EKSPERTËT – MARRËVESHJA NË SHKUP HAP POZITIV, POR I PAMJAFTUESHËM

 

Marrëveshja preliminare e arritur në takimin e së martës mes liderëve të partive politike me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, shihet si hap pozitiv drejt zgjidhjes së krizës së rëndë politike në të cilën ndodhet Maqedonia.

Detajet e marrëveshjes nuk janë kumtuar, përveç faktit se zgjedhje të parakohshme parlamentare do të ketë deri në prill të vitit 2016.

Partitë, sipas Komisioneri të BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, mbetet që marrëveshjen ta finalizojnë në takimin e radhës në Bruksel, më 10 qershor.

Çështja kryesore ka të bëjë me atë se kush do të drejtojë qeverinë gjatë periudhës kalimtare, a do të ketë qeveri të ekspertëve apo koalicion të gjerë nga partitë politike?

Nga Lidhja Social-Demokate, e udhëhequr nga opozita, kanë bërë të ditur se marrëveshja e arritur një ditë më parë, nuk do të ketë vlerë nëse në krye të qeverisë do të jetë, kryeministri aktual Nikolla Gruevski.

Sipas opozitës, “nga qeveria e re duhet të përjashtohen të gjithë ministrat, apo zyrtarët e përfshirë në krime të rënda, e të cilat janë dëshmuar me publikimin e bisedave të përgjuara telefonike“.

Edhe njohësit e çështjeve politike, thonë se marrëveshja nuk do të kishte kuptim, nëse qeveria vazhdon të drejtohet nga Nikolla Gruevski.

Analisti, Mersel Bilalli thotë për Radion Evropa e Lirë se ekzekutivi i ri do të drejtohet nga ekspertët, të cilët, përkundër vështirësive që do të kenë, do të arrijnë të nxjerrin vendin nga kriza.

“Kjo para-marrëveshje është hap serioz drejt zgjidhjes dhe sanimit të krizës politike në Maqedoni. Vlerësoj se taktika e bisedimeve dhe fleksibiliteti politik kërkon që të afrohen çështjet që janë më pak kontestuese, siç është për shembull data e bisedimeve; megjithatë thellë jam i bindur se do të ketë ndryshime serioze, jo vetëm në përbërjen e qeverisë, të cilat jam i sigurt se nuk do ta drejtojë Gruevski”.

“Por [do të ketë ndryshime] edhe në të gjitha strukturat tjera, veçënërisht në gjykata, prokurori, në sistemin e mediave, administratë publike e kështu me radhë. Konsideroj se është një proces i cili do të jetë shumë i mundimshëm, por që domosdo do të ndodhë“, thotë Bilalli.

Ndërkohë, edhe Stojan Andov, ish Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kryeministri Nikolla Gruevski dhe të gjithë anëtarët e tjerë të qeverisë nga partia e tij duhet të braktisin qeverinë.

Sipas tij, zgjidhje të krizës nuk mund të ketë nëse ai do të jetë pjesë e qeverisë së re, nëse eventualisht vjen deri te një zgjidhje e tillë.

“Mendoj se Gruevksi duhet të largohet nga të gjitha funksionet shtetërore dhe politike. Vetëm kështu mund të bisedohet për mënyrat e zgjidhjes së krizës politike. Por, jo vetëm kaq, mendoj se duhet të largohen edhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, me të cilët ka ndërtuar këtë politikë. Pa largimin e tyre nuk do të ketë zgjidhje të krizës, këtë duhet të gjithë ta kemi të qartë“, thotë Andov.

Sipas tij, marrëveshja e një dite më parë tregon se Gruevski ka hequr dorë nga qëndrimi i mëparshëm se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ndërsa mbetet të shihet nëse do të heqë dorë edhe nga qëndrimi kundër qeverisë kalimtare.

Ish kreu i Kuvendit, thotë se në pozitë jo të mirë ndodhet edhe kreu i opozitës, Zoran Zaev, pasi ka pranuar zgjedhje të parakohshme pa u definuar pjesa tjetër e çështjeve të hapura, se kush do të udhëheqë vendin deri në zgjedhje, apo se çfarë do të ndodhë gjatë periudhës kalimtare?

Nga ana tjetër, mbi 80 organizata joqeveritare përmes një letre drejtuar komisionerit për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, kanë kërkuar formimin e një qeverie kalimtare, si mënyrë e vetme për dalje nga kriza.

Sektori civil kërkon kthimin e lirisë dhe demokracisë në Maqedoni, e cila, siç thuhet, mund të arrihet përmes një qeverie të re, por pa kryeministrin aktual, Nikolla Gruevski dhe anëtarët e tjerë të përfshirë në atë që njihet si aferë e përgjimeve.

“Përbërja e saj duhet ‘ti përjashtojë të gjithë anëtarët e përbërjes së qeverisë aktuale, pasi të gjithë janë të komprometuar seriozisht përmes fjalëve dhe veprave të tyre në bisedat e regjistruara dhe të publikuara nga opozita”.

“Pjesëmarrja e cilitdo anëtar nga përbërja aktuale në qeverinë kalimtare do ta cenonte seriozisht besueshmërinë e procesit dhe të qytetarëve ndaj zgjidhjes së drejtë të krizës politike”, thuhej në letrën e sektorit civil. rel

ERMIRA MEHMETI: ZGJEDHJET NË PRILL 2016 NËNKUPTON SE QEVERIA E MAQEDONISË NISUR NGA SOT ËSHTË NË DORËHEQJE

VOAL – Maqedonia do të zhvillojë zgjedhje të përgjithshme në prill të vitit 2016. Njoftimi u bë sot i ditur nga  Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian Johanes Hahn i cili u takua në Shkup me drejtuesit e katër partive kryesore. Duke njoftuar marrëveshjen mes partive komisioneri evropian tha se vendi do të ketë një periudhë tranzicioni  prej 10 muajsh. Javën e ardhshme pritet të ketë një takim të ngjashëm në Bruksel.

Nga ana e saj deputetja Ermira Mehmeti, e cila i ka kërkuar Ali Ahmetit që BDI të largohet nga qeveria e Gruevskit, shkruan në faqen e saj zyrtare të Facebook-ut. “Marreveshja per zgjedhje ne prill 2016 nenkupton se Qeveria, duke nisur nga sot, eshte ne doreheqje.”

SHKUP – GJYKATA PENALE SHQYRTON AKUZAT E QEVERISË NDAJ ZAEVIT

 

Gjykata Penale në Shkup për disa orë ka diskutuar të hënën në lidhje me kërkesën e drejtuesit opozitar Zoran Zaev për hedhjen poshtë të akuzave kundër tij. Prokuroria maqedonase e akuzon zotin Zaev për përdorim të dhunës kundër përfaqësuesve të organeve më të larta të shtetit ndërsa bashkëpunëtorët e tij – për spiunazh. Pala mbrojtëse e zotit Zaev thotë se veprimet e tij nuk përbëjnë vepër penale kundër shtetit. Gjykata pritet të marrë një vendim brenda ditëve që vijnë.

​​
Zoran Zaev dhe opozita për disa muaj rresht kanë publikuar biseda të përgjuara telefonike ku pretendohet se zyrtarë të lartë qeveritarë flasin për manipulime dhe shpërdorime.

Rasti i njohur si “Puç” nga organet hetuese dhe në opinionin publik të Maqedonisë, ku akuzohet drejtuesi opozitar Zoran Zaev dhe katër persona të tjerë, ka vënë në sprovë gjyqësorin e vendit. Në këtë vend ku sa vjen e shtohen vërejtjet e institucioneve ndërkombëtare mbi kontrollin nga pushteti të gjyqësorit, por dhe për shkallën e lartë të korrupsionit, akuzat për dhunë dhe spiunazh kundër personaliteteve politike, për një numër analistësh por dhe ekspertësh ligjorë, nuk paraqesin ndonjë të papritur, në një kohë kur Maqëdonia po prballt me skandalin e madh të përgjimeve.

Zoran Zaev akuzohet për dhunë kundër përfaqësuesve të organeve më të larta shtetërore; ish-drejtori i Agjensisë së Sigurisë dhe Kundërzbilimit, Zoran Verushevski akuzohet për spiunazh, për përgjim të paligjshëm dhe dhunë kundër përfaqësuesve të organeve më të larta shtetërore dhe së bashku me gruan e tij ndodhen në paraburgim për akuzat e njejta. Poashtu një bashkëpunëtor i zotit Zaev ndodhet në burg në pritje të vendimit gjyqsor, ndërsa një pjesëtar i policisë sekrete ka pranuar akuzat kundër tij dhe është dënuar me procedurë të shpejtë me tre vjet burg. Ky i fundit është kthyer në dëshmitar të këtij procesi.

Ndërkohë, drejtuesi opozitar Zaev vëren se në aktakuzë nuk qëndrojnë fjalët “shërbime të huaja sekrete”, ndërsa një person është dënuar për spiunazh, që është e palogjikshme sipas tij, sepse spiunazhi, sipas ligjit, ndërlidhet me një institucion a shërbim të huaj sekret.

Nga ana tjetër, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski vazhdon ta akuzojë rivalin e tij Zoran Zaev si bashkëpunëtor të shërbimeve të huaja sekrete, por pa saktësuar ndonjë shërbim konkret dhe për montazhin, prerjen dhe ngjitjen e shiritave të bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë qeveritarë.

Opozita për katër muaj ka publikuar biseda të përgjuara telefonike ku pretendohet se dëgjohen zërat e kryeministrit, disa ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë duke folur për manipulime të ndryshme të zgjedhjeve, gjyqsorit, medias e biznesit.

Kriza politike, si pasojë e gjithë kësaj, nuk po mund të gjejë ende një zgidhje. Të marten në Shkup do të vijë Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johanes Hahn dhe tre deputetët e Parlamentit Evropian në cilësinë e lehtësuesve, siç thuhet këtu, të bisedimeve ndërmjet katër drejtuesve të partive më të mëdha. Megjithatë, analistët nuk presin ndonjë përparim të madh drejt zgjidhjes së krizës.

Opozita maqedonase ngul këmbë për formimin e një qeverie të përkohshme pa Nikolla Gruevskin në krye të saj, ndërsa ky i fundit thotë se qeverinë mund ta formojë vetëm ajo parti e cila fiton votat në zgjedhje.

Partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike duket se mbështesin qëndrimet e VMRO-DPMNE-së dhe Nikolla Gruevskit në lidhje me këtë. za

HAH NESËR NË SHKUP PËR T’IA KËRKUAR GRUEVSKIT DORËHEQJEN

Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Johanes Hahn, do të vizitojë nesër Shkupin me qëllim zgjidhjen e krizës politike mes katër partive kryesore politike atje.

Me detyrën e ndërmjetësuesit, Hahn thuhet se do t’i kërkojë Gruevskit dorëheqjen dhe të krijojë më tepër hapësira për partitë shqiptare në qeveri.

Ajo që parashikohet është qëndrimin i palëkundur i kryeministrit Gruevski për të mos dhënë dorëheqje.

Në një intervistë për mediat vendase, Gruevski tha se ka një plan për daljen nga kriza dhe këtë do t’ia parashtrojë të dërguarit të BE-së gjatë takimit mes tyre. Por , ai tha se kreu i opozitës Zoran Zaev nuk do të ketë kurrë mundësi të vendosë për kreun e ri të qeverisë maqedonase.

“LSDM-ja duhet të mësojë se kryeministër dhe ministër zgjidhesh vetëm atëherë kur fiton shumicën në zgjedhje dhe ke mbështetjen e pjesës më të madhe të Maqedonisë. Deri atëherë, ata nuk do të kenë mundësi të zgjedhin asgjë”, tha Gruevski.

Në takimin e të martës, Hahn shoqërohet edhe nga eurodeputetët, Ivo Vajgël, Eduard Kukan dhe Riçard Houit, të gjithë të pranishëm në dialogun e zhvilluar në Strasburg dy javë më parë me Gruevskin dhe Zaevin pa praninë e dy liderëve shqiptarë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Ndryshe nga takimet e tjera, ai i nesërmi do të mbahet në rezidencën e ambasadorit të Bashkimit Europian, Aivo Orav, ku do të jetë gjithashtu i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Shkup, Xhes Bejli.

NUK I TREMBEN TË FTOHTIT AS SHIUT – TË VENDOSUR DERI NË RRËZIMIN E GRUEVSKIT

Kampuesit para qeverisë dhe para Kuvendit nuk i tremb as i ftohti as shiu, thonë se do mbeten deri në fund. Njëra palë derisa kryeministri nuk jep dorëheqje, të tjerët do të qëndrojnë para parlamentit, derisa të ketë nevojë të jenë atje. Edhe pse ata kanë pritje të ndryshme janë unik në një gjë, shpresojnë në zgjidhje të shpejtë të krizës.

Një pjesë e kampuesve para Kuvendit nuk e di se pse ata janë aty, por siç thonë i kanë pëlqyer kolltuqet prej kashte.“Që kur i keni? Që nga dje. Prej dje? Nuk e di unë nuk isha këtu.Por ju erdhën mirë? Po. Mirë është. Tani patjetër të rrimë ulur. Pse patjetër? E pra tani çfarë të them, nuk e di. Cilat janë kërkesat tuaja pse jeni këtu? Nuk e di, vetëm të të gënjej, nuk e di. Nuk di asgjë”.“Ne i mbrojmë qëndrimet e Kryeministrit tonë të zgjedhur në zgjedhje legjitime dhe ne e dimë se në anën tjetër ata që shtrihen para qeverisë duan vullnetin e popullit ta ndryshojnë me forcë me shërbimit e huaja dhe populli maqedonas me këtë nuk pajtohet. Gjendja politike nuk varet prej nesh por nga pala tjetër që e shkaktoi këtë. A nuk varet nga kryeministri? Nga kryeministri nuk varet asgjë, sepse kryeministri u zgjodh në zgjedhje legjitime dhe është përfaqësues i popullit dhe ai qëndron prapa kryeministrit dhe ne nuk shohim asnjë faj tek ai”.“Flasim për bombat dhe nuk kërkojmë kush ka përgjuar, mua shumë më irriton kjo. Një nga momentet që jam këtu është ajo se kush mund t’i ketë bisedat e mia në telefonin e tij, ndërsa flasim dhe brengosemi për atë që është folur. Le së pari, të shohim kush na ka përgjuar. Nuk Ju vjen inati që tenderë janë kurdisur? Për çfarë tenderë flitni? Të lutem. Unë nuk dëgjova një gjë të këtillë në televizion. Ja dëgjoj dhe shoh televizion, një punë e këtillë nuk kam dëgjuar, se ky pushtet ka bërë krim më serioz”.

Kampuesit para Qeverisë thonë se kampi zgjerohet çdo ditë e më shumë.

“A keni shëtitur në atë dhe në këtë kamp që të shihni se si populli është bashkuar, jo vetëm maqedonasit, por edhe shqiptarët? Këtu ka flamuj nga të gjitha kombësitë, kjo është ajo bukuri që e ka te ne. Nuk ka dallim. Atje janë vetëm njëlloj”.

“Ndoshta nuk do të jetë shpejt, por jam i sigurt se deri në gjysmën e qershorit do të ketë epilog. Edhe po të binte borë edhe po të binte shi, ne mbetemi këtu derisa diktatori i fundit në këto hapësira nuk jep dorëheqje. Ai na shkurtoi lirinë, sigurinë, rendin juridik, demokracinë dhe mbetemi këtu derisa nuk e kthejmë atë që ai na ka marrë”.

“Mendojmë se së shpejti do të zgjidhet situata, Gruevski do të japë dorëheqje. Shpresoj se do të ketë dhe do të duhej të kishte zgjidhje. Me kaq bomba dhe skandale të cilat e ndjekin Gruevskin dhe qeverinë e tij, në kohën më të afërt duhet të ketë dorëheqje”.

Kampet u vendosën menjëherë pas protestave masive të opozitës para qeverisë dhe tubimit të VMRO-së para Kuvendit. /AlstaM/

TAKTIZIMET E ZAEVIT NDAJ RASTIT ‘MONSTRA’

Që nga nisja në muajin shkurt e publikimit të bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve qeveritar, nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, kreu i opozitës, Zoran Zaev kishte paralajmëruar zbardhjen edhe të rastit “Monstra“, të vrasjes se pesëfishtë në Smillkovcë.

Por, deri më tani, përveç paralajmërimeve, ai nuk ka zbardhur asnjë dëshmi, përkundër pritjeve të shumta në opinion, te i cili ka dyshime se i gjithë rasti është i montuar nga struktura të caktuara për qëllime politike dhe destabilizuese.

Zoran Zaev, disa herë ka thënë se rasti është shumë i ndjeshëm, me paqartësi e dilema të shumta, nëse vërtetë të dënuarit për këtë rast, janë autorët e vërtetë të krimit.

Por, kreu i Lidhjes social-demokrate të opozitës këtë nuk e ka thënë ende publikisht në konferencat e shumta për media që mbanë për “shkeljet e paligjshme të bëra nga zyrtarët“.

Vonesat në publikimin e bisedave të zyrtarëve për këtë rast kanë nxitur debate nëse Zaev taktizon për qëllime tjera, apo për mos nxitje të trazirave të mundshme.

“Ajo që tani përmendet si rast shumë sensitiv për marrëdhëniet ndëretnike, rasti Monstra është me siguri rast nga i cili do të preken dy partitë që tani përbëjnë koalicionin qeveritar, VMRO-në dhe BDI-në dhe duket qartë se ky rast përdoret nga ana e liderit të LSDM-së për të arritur deri te ndonjë pikë e bisedimeve tek e cila ne si opinion nuk kemi qasje”.

“Paralajmërimi se do të publikojë gjithë atë që posedon rreth këtij rasti të mistershëm dhe zbardhjen e tij deri në fund, sikur u hesht pas takimit të fundit të liderëve, andaj ka hapësirë që të dyshojmë se ka ndodhur diçka brenda apo se ky rast është përdorur për të bërë një presion, apo për të shtyrë para procesin negociues në kuadër të takimit të liderëve“, thotë analisti Xhelal Neziri.

Nga ana tjetër, Sonja Stojadinoviq, njohëse e çështjeve politike, beson se taktizimet e kreut të opozitës më tepër kanë të bëjnë me përgatitjen e opinionit shqiptar me atë që mund të publikohet, për të mos u përshkallëzuar situata, ashtu siç ndodhi me rastin e Martin Neshkovskit, kur u zbardhën bisedat lidhur me vrasjen e tij, e që u përshkallëzuan në dhunë mes policisë dhe protestuesve.

“Paralajmërimet e para të zotit Zaev lidhur me rastin ‘Monstra’ ishin se dëshmitë e publikuara për këtë rast do të jenë ‘bombat’ më të fuqishme që do të zgjidhin problemin me diktaturën në Maqedoni, por ku u panë reagimet dhe protestat për rastin e vrasjes së Neshkovskit, atëherë kreu i opozitës bëri një hap pas duke parë se sa mund të jetë i ndjeshëm rasti Monstra”.

“Besoj se kalkulimet e tij kanë të bëjnë me përgatitjen e popullatës shqiptare me atë se çka do të publikohet në opinion, të mos ketë përshkallëzim të gjendjes dhe në anën tjetër të pastrojë dilemat që kanë të bëjnë me këtë rast, në njërën anë t’i njoftojë familjarët e viktimave se kush në të vërtetë janë vrasësit e bijve të tyre dhe në anën tjetër të nxjerr në dritë të vërtetën për atë që po mbahen në burg“, thotë Stojadinoviq.

Ajo shton se kreu i opozitës e ka për obligim që të zbardh gjithçka që posedon për kërë rast që të mos humb besimin dhe pritjet e shumë njerëzve lidhur me këtë rast.

Por, ndryshe vlerëson analisti, Xhelal Neziri. Ai thotë se publikimi i të vërtetës për rastin “Monstra”, jo që nuk do të lëkund raportet ndëretnike apo të shkaktojë trazira, por do të forcojë edhe më shumë besimin ndaj njëri tjetrit, pasi qytetarët, qofshin shqiptar apo maqedonas, siç thotë ai do ta kenë të qartë një herë e përgjithmonë se kush janë nxitësit e vërtetë të tensioneve ndëretnike.

“Zbardhja e së vërtetës sikur edhe të mos jetë në favor të ndonjë bashkësie etnike në Maqedoni nuk do të përkeqësojë raportet ndëretnike, por përkundrazi do të përfocojë besimin mes tyre”.

“Edhe bisedat që janë zbardhur deri më tani nga lideri i opozitës përmbanin fjalor fyes apo përmbajtje të urrejtjes për shqiptarët, por reagim nga ana e shqiptarëve nuk pati, pasi të gjithë ne dëshirojmë të dimë se çfarë në të vërtetë ndodhi ditën kur u vranë pesë personat në Smillkovcë, në atë që njihet si rasti ‘Monstra’ dhe a janë në të vërtetë fajtor njerëzit që po mbahen në burg“, thotë Neziri.

Vrasja e pesë të rinjve maqedonas në afërsi të liqenit të Smillkovcës kishte ndodhur më 11 prill të vitit 2012.

Ky krim, i cilësuar si rasti “Monstra”, pati shkaktuar tensione dhe trazira ndëretnike në Maqedoni, meqë vepra ishte klasifikuar si terroriste nga qeveria. Për këtë vepër, gjashtë shqiptarë janë dënuar me burg të përjetshëm. rel

ZAEV: SHQIPTARËT E RASTIT “MONSTRA” JANË TË PAFAJSHËM

Kreu i Lidhjes Socialdemokrate opozitare të Maqedonisë Zoran Zaev, lidhur me vrasjen te Liqeni i Smilkovës, ka dalë me një pohim të drejtpërdrejtë, që për shumëkënd mund të jetë shokues, por edhe mund të shkaktojë trazira etnike në vend.

Shtatë shqiptarët e Maqedonisë që janë dënuar për rastin, në të ashtuquajturin proces “monstra”, janë të pafajshëm, ka thënë Zaevi në një intervistë për gazetën gjermane “Die Zeit”, të publikuar sot.

“Ata padrejtësisht po qëndrojnë në burg”, ka thënë Zaevi.

Lideri i opozitës maqedonase ka theksuar se zbulimi i së vërtetës për vrasjen e pesësfishtë të para tri viteve, mund të nxisë përplasje në Maqedoni, që “mund të ketë edhe viktima”.

Për këtë arsye për momentin po zhvillojmë biseda intensive me komunitetin shqiptar, që të gjejmë një mënyrë për ta penguar atë reagim. Duhet që të jemi të vëmendshëm me të vërtetën. Duhet që ta ruajmë unitetin e popullit”, tha Zaevi. Në pyetjen nëse vërtet frikësohet se gjendja mund të dalë nga kontrolli, Zaevi përgjigjet: ”Po, deri në një shkallë të caktuar jam i shqetësuar. Duhet që t`i përrgatisim njerëzit për të vërtetën, duhet që të jemi të përgjegjshëm”.

Ai, megjithatë, nuk pret që të përsëritet konflikti i vitit 2001 dhe vlerëson se populli është i bashkuar.

“Qytetarët tanë janë rojtarët më të mirë të paqes. Ajo është porosia më e mirë. Kam frikë se individë të caktuar megjithatë mund të nxisin dhunë”, thotë Zaevi.

MAQEDONIA – NJË PENG I RI NË ARENËN GJEOPOLITIKE TË RUSISË

Maqedonia s’ka qenë kurrë pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme ruse. Por zhvillimet e fundit tërheqin vëmendjen e Moskës. Disa analistë besojnë se për kryeministrin Gruevski është e mirëseardhur mbështetja ruse.

“Anëtarësimi në BE dhe në NATO mbetet prioritet ynë më i lartë”, deklaroi kryeministri Nikola Gruevski gjatë manifestimit të partisë së tij VMRO-DPMNE më 18 maj në Shkup, ndërkohë që dhjetra përkrahës të tij në radhët e para të demonstruesve mbanin t-shirts me portretin e Putinit dhe valëvisnin flamuj rusë.

Shumë mendojnë se kontradikta mes fjalëve të Gruevskit dhe folklorit pro-rus në radhët e përkrahësve të tij reflekton skizmën aktuale të shoqërisë së Maqedonisë, e cila është përfshirë muajt e fundit nga një krizë e thellë politike, e shoqëruar me incidente të rënda sigurie, që u përshkallëzuan së fundi me ngjarjen në Kumanovë, ku gjetën vdekjen 18 vetë.

Por ajo që në dukje është një konflikt tipik i brendshëm Ballkanik, shumë shpejt mori trajtat e një shkalle të re të konfrontimit mes Rusisë dhe Perëndimit. Së fundi Moska zyrtare deklaroi se “ngjarjet në Maqedoni janë orkestruar duke ushtruar presion nga jashtë”, me këto fjalë u shpreh ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov më 20 maj duke marrë në mbrojtje qeverinë konservatore në Shkup. Kjo ishte deklarata e fundit në një varg pozicionimesh zyrtare nga Rusia gjatë këtij muaji, gjë që i ka befasuar shumë në vendin e varfër ballkanik me dy milionë banorë. Qëkurse ka marrë fund konflikti i armatosur mes forcave maqedionase të rendit dhe guerrilasve shqiptarë në vitin 2001, komentet nga Ministria e Jashtme e Rusisë lidhur me situatën e brendshme politike në Maqedoni kanë qenë të rralla. Ndryshe nga vendet fqinjë Serbia dhe Greqia, që kanë lidhje të ngushta historike me Rusinë, Maqedonia asnjëherë nuk ka tërhequr vëmendjen e Moskës.

“Maqedonia nuk është dhe asnjëherë nuk ka qenë pjesë aktive e politikës së jashtme ruse”, thotë për DW Julija Brsakoska-Bazerkoska, profesore në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit.

Gazsjellësi “Turkish Stream”

Sipas Lavrovit, refuzimi i Gruevskit për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe vullneti i tij për të bashkëpunuar në ndërtimin e linjës gazsjellëse “Turkish Stream”, janë arsyeja e trazirave të nxitura, sipas tij nga “Perëndimi”.

Sergej Lavrov dhe John Kerry Sergej Lavrov dhe John Kerry

“Nëse shihni pozitën gjeografike të rajonit, Maqedonia ka pozicionin më të përshtatshëm për të ndërtuar zgjerimin e projektit më të ri të infrastrukturës së energjetikës në rajon, të ashtuquajturin ‘Turkish Stream”, tha në një intervistë për televizionin Bloomberg, Vladimir Chizhov, ambasadori rus në BE.

Por disa analistë dyshojnë se ‘Turkish stream’ do të ndërtohet. Nikola Kjurchiski nga akademia presidenciale në Moskë, thotë në intervistë për DW, se ka shumë arsye të besosh, që ky projekt do të përfundojë në Turqi, sepse në rast të kundërt ai do të binte ndesh me rregullat e tregut të brendshëm të BE-së. Për më tepër, siç shpjegon më tej Kjurchiski, Rusia ndërkohë ka mjaft linja për ta sjellë gazin në Europë, të cilin është duke e shitur me çmim gjithnjë e më të ulët, kësisoj ajo nuk ka nevojë për një linjë tjetër.

“Turkish stream është një projekt mjaft i kushtueshëm dhe jo rentabël. Vlera e tij NVP (Net Present Value) është kalkuluar me një kurs negativ në miliona dollarë e në këto rrethana vështirë se mund të realizohet njëproket i tillë”, vëren Kjurchiski.

Nisur nga fakti që kriza politike në Maqedoni nuk ka shenja që të marrë fund së shpejti, reagimi i Rusisë duket më shumë si një përpjekje e Moskës për të forcuar influencën në Ballkan, me ose pa projektin e premtuar për energjinë.

Duke folur në mbledhjen e një komisioni të senatit më 24 shkurt, sekretari i Shtetit për Marërdhëniet me Jashtë, John Kerry, theksoi se SHBA mendon, që një numër vendesh europiane, përfshirö edhe Maqedoninë, ndodhen në “linjën e zjarrit”, kur është fjala për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës.

Gruevski nën presion në rritje

Nikola Kjurchiski Nikola Kjurchiski

Kryeministri i Maqedonisë Gruevski e gjen veten nën presion të madh prej opozitës në vend dhe pas skandalit të krizës në Kumanovë duket se ai e ka humbur mbështetjen nga BE-ja dhe SHBA-ja. Nëntë vjet në pushtet ai rëndom përshkruhet prej medias vendase dhe asaj perëndimore si dhe analistëve politikö si një njeri autoritar. Pikëpamje të tilla nuk gjejnë hapësirë në median pro-qeveritare dhe analistët e saj në Maqedoni, të cilët shprehin entuziazëm për stilin e qeverisjes sipas modelit Putin e veçanörisht qëndrimit të këtij të fundit ndaj medias dhe OJQ-ve. Ndërkohë që opinioni publik në Maqedoni e kërkon mbështetjen e gjerë dhe integrimin e qytetarëve në BE dhe NATO, disa analistë besojnë se Gruevski e mirëpret mbështetjen nga Rusia dhe është duke u përpjekur ta pozicionojë veten në mesin e lojës së madhe gjeopolitke për ta nxjerrë veten nga kriza.

“Qëkurse ka humbur mbështetjen e BE-së dhe të SHBA-së, Gruevski është duke kërkuar i dëshpëruar mbështetje nga fuqitë botërore, e kjo është arsyeja, përse ai i është drejtuar Rusisë. Ai nuk ka alternativë tjetër”, thotë Kjurchiski.

Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije, se së fundi Moska e ka shtuar dukshëm stafin e ambasadës ruse në Shkup. dw

QUN LAJQI: ENVER ROBELLI, PAQ FAQEN E ZEZË

VOAL – Aktori Qun Lajqi ka reaguar ashpër ndaj gazetarit, Enver Robelli, i cili i cilësoi të vrarët në Kumanovë si kriminelë e njerëz që e meritojnë burgun e jo nderimin e popullit.Quni në Facebook ka shkruar:

Robel Rrebeli!
KUMANOVA ASHT E JONA DHE E DJEMVE TANË QË DHANË JETËN ATJE PËR LIRINË E VËLLEZËRVE TË TYRE ooooooo ROBEL E SHKUAR RREBELI!!!!!……!
ATA S’ISHIN BANDA POR HEROJ TË KOMBIT OR PAQ FAQËN E ZEZË TI E TË GJITHË ATA QË E KANË KËT MENDIM!!!

GRUEVSI EMËRON DREJTORIN E SHËRBIMIT SEKRET DHE DREJTORIN E SIGURISË PUBLIKE

 

Qeveria e Maqedonisë emëroi të martën dy drejtorë të rinj në postet e sigurisë. Pas dorëheqjes së Sasho Mijallkovit dy javë më parë nga posti i drejtorit të shërbimit sekret, qeveria ka emëruar në këtë post Lupço Andonovskin, i cili deri tani ishte shef i kundërzbulimit për rajonin e Shkupit.

Qeveria ka emëruar gjithashtu Gorançe Savevskin si drejtor të sigurinë publike, pas largimit të Mitko Çavkovit, i cili mori detyrën e ministrit të Punëve të Brendëshme.

Ndryshimet bëhen në klimën e krizës që ka përfshirë Maqedoninë për shkak të skandalit të përgjimeve dhe ngjarjeve të përgjakshme në Kumanovë.

Ish-shefi i sigurimit Sasho Mijallkov, i cili ka lidhje të ngushta familjare me kryeministrin Nikolla Gruevski, shihet si figurë e debatueshme, me një histori jo të qartë në veprimtaritë e tij të biznesit. Emri i tij është një nga më të përfolurit në skandalin e përgjimeve.

Ndërkohë, katër drejtuesit e partive më të mëdha në vend, nuk arritën ndonjë marrëveshje as të martën, për t’i dhënë fund krizës.

Nikolla Gruevski, kryeministër dhe kryetar i VMRO-DPMNE-së dhe Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate të opozitës informuan kryetarët e dy pative shqiptare, Ali Ahmetin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Menduh Thaçin e Partisë Demokratike Shqiptare, si dhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së Jess Baily dhe Aivo Orav lidhur me takimin që mbajtën në Strasburg para pak ditësh me tre deputetë të Parlamentit Evropian, me Komisionerin e BE-së Johanes Hahn.

Por, asnjë hollësi tjetër nuk ka dalë nga takimi i katër drejtuesve politikë. Ata do të mbajnë një raund të ri bisedimesh nga fillimi i javës së ardhshme.

Opozita maqedonase ngul këmbë për dorëheqjen e kryeministrit Gruevski dhe për formimin e një qeverie të përkohshme, një kërkesë e papranueshme për zotin Gruevski dhe partinë e tij. za


Send this to a friend