VOAL

VOAL

Kosova – Brukselit: S’ka Asosacion pa zbatimin e marrëveshjeve nga Serbia

Qeveria e Kosovës ka paraqitur sot pranë Bashkimit Evropian raportin periodik, i cili ofron një vlerësim mbi gjendjen aktuale sa i përket dialogut të Brukselit, i cili mbulon periudhën nga1 janari deri më 14 qershor të vitit 2016.

Ky raport vlerëson progresin e përgjithshëm dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit si dhe trajton secilën marrëveshje në aspekt të detyrimeve të palëve përkatëse të marra gjatë dialogut të Brukselit.

Raporti është i nënshkruar nga Ministrja për dialog, Edita Tahiri, njëherësh Kryenegociatore në Dialogun e Brukselit.

Njoftimi i plotë i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës:

Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton rëndësi të madhe dialogut të Brukselit  sepse ky dialog kontribuon në paqe dhe stabilitet në rajon, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal, si dhe kontribuon në avancimin e qëllimeve tona drejt integrimit euroatlantik të Kosovës për të mirën e qytetarëve.

Dialogu i Brukselit ka kontribuar në avancimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian. Kosova filloi rrugëtimin e saj zyrtar drejt integrimit në BE me rastin e vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, marrëveshje kjo e cila ka hyrë në fuqi në prill të këtij viti. BE-ja ka marrë vendim për rekomandimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke realizuar kështu ëndrrën e tyre për lirinë e lëvizjes, si evropianët më të rinj. Këto janë arritje të mëdha të cilat e vërtetojnë suksesin e Kosovës në përmbushjen e standardeve të kërkuara evropiane, njëkohësisht marrim përsipër më shumë përgjegjësi dhe motivim më të madh për t’i çuar përpara reformat evropiane në vend.

Në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, kjo periudhë raportuese nuk ka shënuar ndonjë përparim substancial. Kosova ka qenë efektive në përmbushjen e detyrimeve të saj dhe ka bashkëpunuar ngushtë me BE-në për ta çuar përpara procesin e zbatimit të marrëveshjeve. Megjithatë, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për Serbinë e cila praktikisht ka bllokuar procesin e zbatimit, duke mos bërë ndonjë lëvizje të rëndësishme në përmbushjen e detyrimeve të saj. Kjo sidomos në lidhje me marrëveshjen  për kodin shtetëror për Kosovën dhe marrëveshjen për funksionimin e pavarur të sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT), të dyja këto marrëveshje janë bllokuar nga Serbia. Këto dy marrëveshje janë të një rëndësie të madhe për Kosovën dhe kanë qenë në tryezën e negociatave për më shumë se pesë vjet. Serbia ka vonuar edhe heqjen e barrikadës (“Parkut të paqes”) nga Ura e Ibrit në Mitrovicë për shkak se BE-ja nuk ka qenë në gjendje të fillojë revitalizimin e urës, për të cilën është rënë dakord të përfundojë jo më vonë se në qershor të vitit 2016. Si përgjigje ndaj këtyre bllokadave, Kosova nuk ka ndërmarrë ndonjë hap rreth zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin.

Më 1 mars të këtij viti ishte rënë dakord që ITU-ja të ndaj kodin shtetëror telefonik për Kosovën (383). Austria ka aplikuar me kohë për kodin shtetëror telefonik të Kosovës në ITU (në janar të këtij vitit). Kosova i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj rreth zbatimit, por Serbia bllokoi procesin duke mos përmbushur pjesën e saj të obligimeve.

Sa i përket energjisë, më 1 tetor të vitit 2015, Kosova/KOSTT nënshkroi marrëveshjen me ENTSO-E, një marrëveshje që përcakton që KOSTT të operojë si një sistem i pavarur i transmisionit, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 për energjinë. KOSTT duhej të fillonte së operuari si një sistem i pavarur që në muajin shkurt, megjithatë, Serbia ka bllokuar këtë proces pasi që nuk ka arritur të regjistrojë një kompani të re për furnizim me energji elektrike në pajtim me ligjin e Kosovës, siç parashikohet nga marrëveshja për energjinë.

Padyshim, Serbisë i mungon vullneti politik për ta respektuar marrëveshjet e Brukselit për telekomin dhe energjinë, gjë për të cilën dëshmon historia pesëvjeçare e negociatave për këto dy çështje. Pa rezultate ka qenë edhe përpjekja e fundit për rrugëdalje nga BE-ja, përmes marrëveshjeve të 25 gushtit të vitit 2015, marrëveshje të cilat kishin për qëllim përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve për telekom dhe energji, të nënshkruara në vitin 2013. Asnjë justifikim që Serbia mund të përpiqet ta paraqesë duke përdorur pretekstin e zgjedhjeve në Serbi të mbajtura më 24 prill të këtij viti nuk qëndron, sepse afatet zbatuese (në fakt, afatet e zgjatura) kanë qenë para periudhës së zgjedhjeve atje.

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka informuar rregullisht BE-në për bllokadat e lartpërmendura nga Serbia dhe, megjithëse kemi kërkuar nga BE-ja që të shtoj përpjekjet e saj për zhbllokimin e këtij procesi, për fat të keq nuk është arritur ndonjë progres deri më tani. Ana pozitive është se BE-ja ka njohur performancën e Kosovës në përmbushjen e obligimeve zbatuese. BE-ja ka bërë të gjitha përpjekjet për zhbllokimin e procesit dhe po vazhdon ta bëjë këtë. Për këtë qëllim, BE-ja ka organizuar disa takime teknike në Bruksel në përpjekje që të arrihet një përparim drejt zbatimit, por, këto takime vetëm sa treguan edhe një herë mungesën e vullnetit politik nga ana e Serbisë për t’i përmbushur detyrimet e saj.

Si përgjigje ndaj bllokadave të Serbisë, Kosova e ka bërë të qartë se nuk do të ndërmerr asnjë veprim për zbatimin e Marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, para se Serbia të heq bllokadën për kodin telefonik për Kosovën dhe funksionimin e pavarur të KOSTT-it, si dhe para se të largohet barrikada nga Ura e Ibrit në Mitrovicë.

Qeveria e Kosovës deklaron se sapo të largohen bllokadat e lartpërmendura, do të zbatojë detyrimet e saj lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin. Asociacioni nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive dhe nuk duhet të jetë një nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë, për shkak se kjo nuk përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet përkatëse të Kosovës. Rrjedhimisht, statuti i Asociacionit do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me Vendimin e 26 dhjetorit të vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Pajtueshmëria e Marrëveshjes për Asociacionin me Kushtetutën e Kosovës parashikohet në pikën 2 të kësaj Marrëveshje. Qeveria e Kosovës e sheh Asociacionin si një strukturë ligjore që do t’i ndihmojë komunat për t’i koordinuar më mirë çështjet komunale dhe të ndihmojë në riintegrimin e komunitetit serb në sistemin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë se themelimi i Asociacionit është i kushtëzuar me shpërbërjen e plotë dhe të verifikuar të strukturave paralele të mbetura të Serbisë në Kosovë. Asociacioni nuk mund të themelohet në një situatë që vazhdon të jetë paradoksale ku në të njëjtën kohë veprojnë komunat legale si dhe ato ilegale, sidomos në veri të Kosovës.

Ne vërejmë me shqetësim se Serbia vazhdon të mbështesë aktivitetet e strukturave të saj paralele në komunat e Kosovës duke shkelur kështu Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Përveç kësaj, Serbia vazhdon të ndërhyjë në komunat legale në veri të Kosovës duke i penguar ato që të funksionojnë në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës. Këto komuna nuk i kanë miratuar ende simbolet dhe vulat e përcaktuara me ligjet e Kosovës dhe madje as buxhetet e tyre nuk janë në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës, në përpjekje për ta mbajtur sektorin e arsimit dhe shëndetësisë jashtë financimit nga buxheti i Kosovës.

Në mënyrë të ngjashme, liria e lëvizjes në Urën e Mitrovicës nuk është vendosur ende. Largimi i barrikadës dhe rivitalizimi i Urës së Mitrovicës i paraparë që të përfundohet në fund të qershorit të vitit 2016 nuk ka shënuar ndonjë progres të dukshëm për shkak të pengesave nga Serbia. Zyra e BE-së në Kosovë, e cila është përgjegjëse për rivitalizimin e urës nuk ka filluar punën ende, siç parashihet në marrëveshjen e Brukselit të 25 gushtit të vitit 2015. Serbia është duke u përpjekur ta pengojë këtë çështje duke mos lejuar kryetarin e  Mitrovicës veriore që ta nënshkruajë një Memorandum të Mirëkuptimit me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që do të konfirmonte se vija administrative midis Mitrovicës jugore dhe veriore, është në përputhje me Ligjin e Kosovës.

Në tetor të vitit 2016 është planifikuar të mbahet regjistrimi i popullsisë në katër komunat veriore. Ne kërkojmë mbështetje nga BE-ja për të siguruar që Serbia nuk do ta pengojnë procesin. Në fillim të vitit 2014 ishte arritur marrëveshja për regjistrim në këto komuna, në mes të kryetarëve ligjor të këtyre komunave dhe Qeverisë së Kosovës, me praninë e Ambasadës Amerikane dhe Zyrës së BE-së, në këmbim të lejimit që këto dy komunat ta rrisin numri i këshilltarëve komunal pasi u ankuan se numri aktual nuk reflekton proporcionalitetin e popullsisë së këtyre dy komunave (Zveçanit dhe Zubin Potokut). Megjithatë, kryetarët e këtyre katër komunave, të ndikuar negativisht nga Serbia, nuk janë duke bashkëpunuar në këtë çështje. Qeveria ka miratuar projektligjin për regjistrimin e popullsisë dhe Kuvendi i Kosovës është në proces të miratimit.

Për më tepër, duhet theksuar se Serbia po shkel parimet e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të përcaktuara në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 (Pika 14) duke përdorur një qasje destruktive dhe anti-evropiane kundër integrimit të Kosovës në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, siç ishte rasti i UEFA, FIFA dhe më herët UNESCO. Megjithatë, Kosova fitoi mbështetjen e shumicës dhe u bë anëtare me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA. Kosova u anëtarësua në Gjykatën e përhershme të arbitrazhit më 14 qershor 2016, përkundër përpjekjeve kundërshtuese të Serbisë, si dhe një numër të organizatave ndërkombëtare.

Zhvillime pozitive janë shënuar në procesin e finalizimit të zbatimit të marrëveshjeve për çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe të ashtuquajturën “mbrojtja civile”, rreth ndërtimit të objekteve të përhershme të MIK (IBM), etj.

Sa i përket “Mbrojtjes civile”, zbatimi pothuajse ka përfunduar, kjo strukturë ilegale është shuar më 11 janar 2016, ish personeli i saj është integruar në institucionet civile të Kosovës në nivelin qendror. Nga gjithsej 483 persona, 433 kanë nënshkruar kontratat e punës me Qeverinë e Kosovës dhe 50 tjerët janë në proces të nënshkrimit të kontratës.

Lidhur me drejtësinë, Kosova është duke e finalizuar procesin e konsolidimit të sistemit unitar të drejtësisë në komunat veriore të vendit, ku do të vendosen një gjykatë themelore dhe një zyre prokurorie për t’i shërbyer shtatë komunave, në përputhje me ligjet e Kosovës, siç parashihet me Marrëveshjen e Brukselit. Strukturat paralele të drejtësisë janë mbyllur dhe ish personeli i tyre është duke u integruar në sistemin e drejtësisë në Kosovë (si gjyqtarë, prokurorë dhe staf administrativ).

Në këtë periudhë është arritur një marrëveshje e re për njohjen reciproke të certifikatave të import-eksportit të mallrave të rrezikshme (certifikatave ADR), një marrëveshje e cila është duke u zbatuar në tërësi.

Ende ka çështje të pazgjidhura për t’u zbatuar, sidomos në fushën e lirisë së qarkullimit, çështje e cila mbetet të trajtohet në periudhën e ardhshme.

Qeveria e Kosovës konsideron se zbatimi i marrëveshjeve është kyç për suksesin e këtij dialogu. Kërkojmë nga BE si lehtësuese dhe garantuese e Marrëveshjes së Brukselit që të kërkojë qëndrueshmëri dhe efektivitet të palëve ndaj detyrimeve të tyre të zbatimit, si e vetmja rrugë që çon në arritjen e qëllimeve të dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Mendojmë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të përparojë duke siguruar mosndërhyrje në sovranitetin e njëri-tjetrit, pra duke detyruar Serbinë që të ndal ndërhyrjet në Kosovë përmes shpërbërjes së strukturave të saja paralele të mbetura në Kosovë.

E vlerësojmë lartë përkrahjen e BE-së dhe rolin e saj lehtësues në këtë dialog, si dhe mbështetjen e plotë nga SHBA-ja, Gjermania dhe të gjitha vendet e tjera anëtare të BE, thuhet në fund të kësaj përmbledhje ekzekutive të nënshkruar nga Ministrja për Dialog Edita Tahiri.

Ky Raport është publikuar në webfaqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit.

Rrihet barbarisht dëshmitari kryesor në rastin e Enver Zymberit (dokumenti – fotot)

Njëri nga dëshmitarët kryesorë për vrasjen e policit Enver Zymberi, Sllobodan Vuçiniçi, është rrahur barbarisht nga disa persona, ndërsa për shkak të plagëve dhe gjendjes së tij të rëndë, është dërguar për trajtim mjekësor në Beograd, bëjnë të ditur burime të KosovaPressit.

Ngjarja ka ndodhur më 12 qershor rreth orës 21:30 në kafenenë ‘Dukat’, në Zubin Potok.

Sipas këtyre burimeve, viktima fillimisht ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Zubin Potok, për t’u transportuar më vonë në shok-dhomën e repartit të kirurgjisë të Spitalit në veri të Mitrovicës, ndërsa të martën është dërguar me urgjencë në Beograd.

Bëhet e ditur se gjendja e tij shëndetësore është shumë e rëndë dhe në rrezik për jetën.

Burime të KosovaPress-it më tej kanë shtuar se dërgimi i viktimës për në Beograd është bërë qëllimshëm, ku janë përfshirë edhe pjesëtarë të BIA-s (Shërbim i Inteligjencës së Serbisë), vetëm për t’u eliminuar dëshmitari.


Mësohet po ashtu se policia në veri lidhur me këtë ngjarje, ka intervistuar vëllezërit Urosh dhe Millovan Bozhoviq.

Ja dëshmia:

“Me të kuptuar se Sllobodan Vuçiniq është dëshmitar i mbrojtur në rastin e vrasjes së Enver Zymberit, është organizuar sulmi ndaj viktimës, ku njëri nga organizatorët kryesor të sulmit dyshohet të jetë Miodrag Llekiq, aktualisht pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri, i cili bartë gradën e kapitenit dhe është njëri nga personat më me ndikim në strukturën komanduese të policisë për rajonin e veriut”, kanë thënë burimet.

Ndryshe, kapiteni Miodrag Llekiq së bashku me vëllain e tij Millan Llekiq, po ashtu pjesëtar i policisë në veri, ishin suspenduar nga detyra për disa muaj gjatë vitit të kaluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, për shkak të hetimeve ndaj tyre që u zhvilluan në lidhje me vrasjen e Enver Zymberit.

rrb2rrb3rrb4rrb5rrb6

Jakup Krasniqi kërkon dorëheqjen edhe të Qeverisë

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se qeveria është fajtore për parametrat e vendosjes së kufirit me Malin e Zi.

Ai ka thënë se kufiri nuk caktohet me kadastër, dhe kjo nuk është dashur të jetë element bazë për shënimin e kufirit.

Kransiqi ka thënë se askush më mirë se qytetaret nuk e dinë për vijën e kufirit.

Sipas tij, presidenti por edhe kryeministri janë ngutur duke thënë gjithçka ka qenë në rregull, por sot gjërat kanë ndryshuar dhe duhet bërë një rishikim i këtij kufiri.

Ai ka thënë në televizionin Rrokum se presidenti dhe kryeministri për përgjegjësinë që e kanë duhet të japin dorëheqje dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

S’mjafton dorëheqja e Komisionit për Demarkacion, duhet të largohet Qeveria, ka thënë Krasniqi.

Kransiqi ka thënë se deputetët që kanë thënë se vija kufitare me Malin e Zi e dëmton vendin, duhet ta mbajnë fjalën e tyre dhe të mbajnë përgjegjësi për vlerësimin që e kanë thanë.

“Sa i përket Luginës së Diellit, kjo është pasojë e marrëveshjeve të Brukselit, sidomos ato të 19 Prillit dhe 25 Majit”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se nëse këta janë ende në pushtet do të kemi edhe më shumë dëme për Kosovën.

Ai ka thënë se e vetmja mënyrë është pastrimi i këtyre njerëzve dhe shkuarja e vendit në zgjedhjet e parakohshme.

Sipas tij, opozita e bashkuar ka arritur të ndalë Demarkacionin dhe Asociacionin, duke shtuar se kthimi i Vetëvendosjes nuk është dashur të ndodhte pa një debat mes vete, ngase kauzat aty kanë qenë të përbashkëta.

Ai ka folur edhe për sistemin e drejtësisë, duke thënë se nuk është duke funksionuar, e duke shtuar se edhe loja që po bëhet me EULEX’in është në vazhdën e favoreve të tyre politike, se sa në të mirë të mirëqenies se qytetareve.

Edhe Komuna e Deçanit bën thirrje për protestën e nesërme

Aktgjykimi i fundit (20.05.2016) i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i cili legjitimon Vendimin e Qeverisë së Serbisë të vitit 1997, për faljen e pronave të dy ndërmarrjeve publike, APIKO dhe ILIRIA, Manastirit të Deçanit, ka nxitur reagime të institucioneve dhe qytetarëve të Deçanit.

“Pas këtij Aktgjykimi, Kuvendi Komunal në një Seancë të jashtëzakonshme, ka kundërshtuar Vendimin ë Kushtetueses, të cilin e konsiderojnë politik dhe të dëmshëm për deçanasit. Këshilltarët komunal, duke parë seriozitetin e gjendjes së krijuar dhe pakënaqësitë qytetare, ka formuar një Komision Komunal të kryesuar nga Kryetari i Komunës, z.Rasim Selmanaj, e në të cilin janë edhe përfaqësuesit e subjekteve politike që janë pjesë e legjislativit (AAK, LDK, PDK)”, thuhet në komunikatën e Komunës së Deçanit, transmeton Koha.net.

Komisioni Komunal, sipas po të njëjtës komunikatë, në kuadër të aktiviteteve kundërshtuese të aktgjykimit të Kushtetueses, (pos aktiviteteve tjera), ka planifikuar të organizon edhe një “Protestë gjithë popullore”, e cila organizohet me 16.06.2016 (E enjte), në qendër të Deçanit, duke filluar nga ora 12.00.

Dekriminalizimi i politikës, farsë apo realitet?! – Nga Florim Zeqa

Pushtetarët aktualë dekriminalizimin janë duke e përdoruar vetëm si slogan politik, për shtrirjen gjithnjë e më shumë të rrjetit kriminal në institucionet e pavarura të shtetit. Andaj, qytetarët e Kosovës e kanë të vështirë t’u besojnë deklarimeve të liderëve shtetërorë për dekriminalizimin e politikës, për disa arsye. I pari, Hashim Thaçi i kaloi dy mandate e gjysmë si kryeministër i vendit, nën premtimet për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. I dyti, Isa Mustafa, edhe më keq, duke e ndihmuar të parin (Hashim Thaçin), erdhi në pushtet përmes intrigave dhe mashtrimeve deri në tradhtimin e kauzës së përbashkët opozitare për largimin e kapësve të shtetit nga pushteti.
Për këto arsye është rrezik që liderët shtetërorë të vazhdojnë lojën me fjalë, duke ndryshuar sloganin politik, nga krimi i organizuar dhe korrupsioni në dekriminalizim politik. Që dekriminalizimi të mos përdoret vetëm si slogan politik nga pushtetarët kosovarë, Evropa dhe Amerika duhet t’u vënë limite kohore liderëve tanë shtetërorë në përmbushjen e premtimeve,…ndryshe mund t’i kalojnë mandatet politike pa bërë asgjë në atë drejtim, siç ndodhi përgjatë këtyre tetë viteve të fundit me korrupsionin në vend. Jo vetëm që nuk u luftua, mori përmasa alarmante, duke u shndërruar në sindromë kancerogjene të shtetit të Kosovës, shkruan gazeta Kosova Sot.
Dekriminalizimi duhet të fillojë në Parlament
Prandaj, vetëm përmes një presioni të fuqishëm ndërkombëtar, mund të kemi përmirësime në sundimin e ligjit në Kosovë. Mund të fillojë suksesshëm procesi i gjatë i dekriminalizimit të politikës dhe depolitizimit të institucioneve të pavarura të shtetit. Dekriminalizimi i politikës dhe depolitizimi i institucioneve të pavarura, janë dy procese të ndërlidhura me njëri-tjetrin,…për zbulimin e prejardhjes dhe konfiskimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë. Të parët, që do duhej t’i ndiejnë efektet e dekriminalizimit janë oligarkët e pushtetit (uzurpatorët e shtetit), pastaj edhe klanet politike dhe grupet mafioze brenda disa partive opozitare në vend. Dekriminalizimi duhet të fillojë në Parlament, sepse nuk mund të zhvillohet shteti, kur kriminelet i bëjnë ligjet e atij shteti. Parlamenti i Republikës së Kosovës që moti e ka humbur funksionalitetin, qëllimin dhe misionin e tij, kështu i përgjysmuar, jo vetëm që nuk i ngjan më një parlamenti, është shndërruar në instrument të grupeve të interesit, për konsum të brendshëm politik.
Mungesa e reformave gjyqësore
Mungesa e reformave gjyqësore e ka bërë të pamundur dekriminalizimin e gjykatave, prokurorisë dhe segmenteve të tjera përcjellëse: policisë hetimore dhe shërbimeve të tjera të sigurisë në vend. Përderisa politika kriminale synon mbajtjen e pushtetit të dhunës përmes parasë, përmes korrupsionit dhe presionit mediatik, vështirë të priten rezultate pozitive në dekriminalizimin e politikës në veçanti dhe shoqërisë njerë- zore në përgjithësi. Pushtetarët kanë arritur t’i kriminalizojnë edhe një pjesë të medieve në Kosovë, me qëllim të promovimit të “vlerave” dhe manipulimit të vazhdueshëm të opinionit publik me të pavërteta rreth marrëveshjeve të Brukselit, Demarkacionit dhe zhvillimeve të tjera që kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit tonë. Andaj, pa dekriminalizimin e medieve nuk mund të bëhet fjalë për dekriminalizim të shoqërisë dhe as të institucioneve të shtetit të Kosovës. Mediet nën kontrollin qeveritar janë produkt i një mendësie të bazuar në praktikat e regjimeve diktatoriale. Pushtetarët, me kontrollin ndaj medieve kanë krijuar aleatë të fuqishëm për shtrembërimin e realitetit, tjetërsimin e së vërtetës dhe paraqitjen e gënjeshtrës si të “vërtetë”! Se a kemi të bëjmë vërtet me presion ndërkombëtar për dekriminalizimin e politikës apo me farsë politike të liderëve tanë shtetërorë, mbetët të shihet në javët dhe muajt në vazhdim.

‘Lugina e Diellit’ hedh shtat mbi gërmadhat e shtëpive të shqiptarëve

Aty ku nisi ndërtimi i 300 shtëpive të lagjes “Lugina e Diellit” në Zveçan, shumë shqiptarë kishin shtëpitë e tyre, raporton KTV.

Serbët e asaj ane i dëbuan duke ua shkatërruar shtëpitë. Derisa tash Qeveria e Serbisë në të njëjtin vend mendon për t’i kthyer serbët e shpërngulur në Serbi.

Të mllefosur me këtë nismë, aktivistë të Iniciativa Qytetare për Veprim nga Mitrovica përmes fotografive në të cilat shiheshin ish-shtëpitë e shqiptarëve protestuan para qeverisë.

Bujar Voca fajëson kryeministrin Isa Mustafa, i cili, sipas tij, po qëndron duarkryq dhe nuk po lëviz që të ndalojë realizimin e këtij projekti.

Aktivistët nuk e kanë ndërmend ta ndalen me kaq. Ata kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera ditët në vazhdim.

EULEX i riprogramon përkohësisht procedurat gjyqësore në Kosovë

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë i ka riprogramuar të gjitha procedurat gjyqësore deri në përfundimin e të gjitha procedurave që ndërlidhen me vazhdimin e mandatit të këtij misioni.

Një zëdhënëse e misionit të EULEX-it, Dragana Nikoliq – Solomon, i tha Radios Evropa e Lirë se ky vendim është një masë parandaluese.

“Mandati i misionit është zgjatur nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 14 qershor. Megjithëkëtë bisedimet ndërmjet BE-së dhe Qeverisë së Kosovës po vazhdojnë ende. Për këtë, si masë parandaluese me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të të gjitha palëve, të gjitha procedurat janë riprogramuar me qëllim që të drejtat e njeriut të të gjithëve që janë të përfshirë të mos shkelen”, tha Nikoliq Solomon.

Mandati i misionit të BE-së për sundimin e ligjit ka skaduar më 14 qershor pas dy vjetësh, dhe autoritetet në Prishtinë në biseda me BE-në kanë arritur një marrëveshje për zgjatjen e tij prej dy vitesh, deri më 2018.

Qeveria e Kosovës i ka dhënë mbështetje misionit, por mbetet që Kuvendi i Kosovës ta miratojë vendimin për zgjatjen e mandatit. Vlerësohet se çështja e kompetencave të misionit në fushën e luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar ka bllokuar për disa ditë zgjatjen e mandatit.

Misioni i EULEX-it është më i madhi mision në historinë e BE-së dhe ai u shtri në territorin e Kosovës me ftesë të institucioneve të vendit pak ditë para shpalljes së pavarësisë më 2008.

Ai ka patur kompetenca ekzekutive në fushën e krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe njëkohësisht i ka ndihmuar institucionet e drejtësisë në vend të ngrisin kapacitetet. (REL)

Mustafa: U arrit marrëveshja për vazhdimin e mandatit të EULEX-it

Foto nga arkivi, Kryeministri Isa Mustafa dhe Përfaqësuesja e BE-së, Federica Mogherini

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë finalizuar marrëveshjen për vazhdimin e mandatit të EULEX-it (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit) edhe për dy vite tjera.

Konfirmimin për këtë marrëveshje e ka kumtuar vet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili ka thënë se të martën kjo çështje është dakorduar, kurse miratimi në Kuvend pritet të merret të enjten.

“Presim ta marrim këmbimin e letrës nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, pastaj do të mbajmë një takim të Qeverisë dhe nesër (të enjten) mendojmë t’ia dërgojmë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim”, ka deklaruar Mustafa në mbledhjen e qeverisë.

EULEX-i është misioni me i madh i Bashkimit Evropian i shtrirë në një vend. Ky mision, përveç kompetencave të caktuara ekzekutive në fushën e drejtësisë, kryesisht merret me këshillimin dhe monitorimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë në qershor të vitit 2008, për të ndihmuar rendin ligjor pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ky mision ka trashëguar një pjesë të kompetencave nga misioni i Kombeve të Bashkuara – UNMIK.

Letër Kuvendit të Kosovës: Mos e ratifikoni Demarkacionin

Përfaqësuesit e rajonit të Rugovës i kanë dërguar një letër Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga ligjvënësit që të mos e ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Ata kërkojnë formimin e një komisioni i ri qeveritar ku do të jenë anëtarë dhe përfaqësues të brezit kufitar

Përfaqësuesit e rajonit të Rugovës i janë drejtuar me një letër Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të mos ratifikohet Marrëveshja me Malin e Zi për Demarkacionin e kufirit. Në një takim të përbashkët në emër të komunitetit rugovas ata kanë nënshkruar letrën të cilën ia kanë drejtuar sidomos deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku kanë arsyetuar pse nuk duhet të ratifikohet Marrëveshja dhe pse nuk do ta pranojnë rugovasit.

Në këtë letër ata kanë kërkuar të mos ratifikohet Marrëveshja duke u bazuar në interesat lokale dhe nacionale të rugovasve, të drejtën e pakontestueshme historike, të drejtën pronësore, juridike e kadastrale të territorit të tyre shumëvjeçar, duke u bazuar në metodologjinë e gabuar të verifikimit të fakteve.

Konfirmohet anëtarësimi i Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit

Ministria e Jashtme e Kosovës përmes një komunikate e ka konfirmuar pasditën e së martës pranimin e vendit në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit me seli në Holandë, të cilën e konsideron “një ndër organizatat më prestigjioze dhe më të vjetra ndërshtetërore”.

“Republika e Kosovës tashmë zyrtarisht është anëtarja e 121 me të drejta të plota e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit me seli në Holandë. Anëtarësimi në këtë institucion ndërkombëtar është një arritje shumë e rëndësishme”, ka thënë ndër të tjera MPJ e Kosovës në këtë komunikatë.

Komunikata e citon edhe kryediplomantin kosovar, Enver Hoxhaj, duke thënë se “me gjithë përpjekjet e Serbisë për ta bllokuar procesin që nga janari, nga votat e shteteve anëtare u konfirmua edhe zyrtarisht pranimi i Kosovës në këtë organizatë”.

Komunikata vlerëson se “anëtarësimi në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit do ta ndihmoj Kosovën në aspektin ekonomik sepse do të ofroj siguri për sipërmarrësit e huaj për të investuar në vendin tonë, pasi që kjo gjykatë do t’iu mundësoj investitorëve të jashtëm që kontratat me Republikën e Kosovës t’i bëjnë duke parashikuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga Gjykata e Arbitrazhit”.

Atlasi gjeografik i vitit 1961: Kufiri i Kosovës është në Çakorr (Hartat)

Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, gjithnjë sipas këtij Atlasi është: Starac 2426 m, Çakorr 1849 m, Planinica 2077 m, Dramodol 2119 m, Shtedin 2274 m.

Sipas Atlasit gjeografik të ish Jugosllavisë i botuar në vitin 1961 në Zagreb, vija kufitare e Kosovës me Malin e Zi përcaktohet të jetë deri në Çakorr.

Harta me numër 32 e këtij Atlasi, pika kufitare është në majën më të lartë të Zhlebi.

Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, gjithnjë sipas këtij Atlasi është: Starac 2426 m, Çakorr 1849 m, Planinica 2077 m, Dramodol 2119 m, Shtedin 2274 m.

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi ka mbetur pezull pasi që opozita po e kundërshton raportin final të komisionit qeveritar.

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit është kushti kryesor që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

hartakosovavp2

Kosova ka buxhet vetëm për 12 mijë veteranë

Buxheti i ndarë për përfituesit e statusit të veteranëve të luftës së fundit në Kosovë është i pamjaftueshëm për të gjithë ata që kanë aplikuar, thonë në Qeverinë e Kosovës.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se buxheti i ndarë për këtë kategori është 25 milionë euro. Kjo shumë, sipas ndarjeve buxhetore, është planifikuar për një numër prej mbi 12 mijë veteranëve të luftës.

Por, në muajin maj, qeveria ka ndarë për këtë kategori 170 euro pensione, për 23 mijë persona.

Ndërkohë që llogaritet se janë mbi 42 mijë veta që kanë kërkuar statusin e veteranëve të luftës së fundit në Kosovë.

Ministri Hoti thotë se duhet kërkuar mundësinë e gjetjes së një zgjidhje eventuale. Për këtë çështje, pritet që gjatë kësaj javë, në Prishtinë të qëndrojnë edhe përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar të cilët do të diskutojnë problematikën me Qeverinë e Kosovës. Gjatë kësaj kohe pritet të bëhet edhe rishikimi i buxhetit.

“Planifikimi ka qenë për 12 mijë veteranë të luftës, me një shumë prej 25 milionë euro. Por, ne në muajin maj, kemi paguar afër 23 mijë veta. Prej tyre, 23 mijë veta që janë paguar në muajin maj, janë edhe 2 mijë ose 3 mijë të tjerë që kanë aplikuar dhe mund të përfshihen në muajin qershor dhe në muajt në vijim.

“Lista që është dorëzuar në qeveri nga komisioni, përfshinë 46 mijë veteranë. Pra, është e dukshme që buxheti që kemi ndarë për sivjet nuk plotëson as për së afërmi të gjitha kërkesat që kemi për të paguar pensionet për veteranët”, ka thënë Hoti.

Në bazë të ligjit, veteran luftëtarëi UÇK –së, është qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e UÇK- së, dhe është regjistruar si ushtar i armatosur dhe i uniformuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK së, dhe i cili ka qenë aktiv deri në përfundimin e luftës.

Sipas ligjit, këtë benificion, veterani nuk mund ta marr nëse është shfrytëzues i ndonjë skeme pensionale të financuar nga shteti në Republikën e Kosovës, apo është i punësuar në sektorin publik dhe privat në vend.

Aktualisht, rreth 23 mijë është numri i atyre që marrin pension nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pasi është konstatuar se nuk punojnë askund, thotë zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Rita Hajzeraj.

“Në Komisionin qeveritar çdo ditë vijnë lista për veteranët e luftës, por deri më tani janë 23 mijë persona që nuk punojnë askund e që marrin pension rreth 170 euro në muaj nga MPMS“, ka thënë Hajzeraj.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se numri i veteranëve të luftës është 46, 230. Por, siç thotë ai, jo të gjithë përfitojnë beneficione nga shteti.

Ai ka thënë se vetëm personat që kanë gëzuar statusin e veteranit dhe nuk punojnë, marrin pension nga buxheti.

“Këtu është një keqkuptim, sepse ky është numri total i veteranëve, por sipas ligjit vetëm ata që dëshmojnë me dokumente që kërkohen në bazë të udhëzimit administrative të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, që janë të papunë, kanë gjendje të rëndë sociale, përfitojnë. Këtu nuk bëhet fjalë për 46 mijë veteranë që do të marrin pensione nga shteti”, ka thënë Çeku.

Përveç pensionit, veteranët e luftës dhe familjet e tyre, kanë edhe një mori benificionesh tjera, duke filluar nga shërbimet mjekësore brenda dhe jashtë Kosovës, të cilat i realizojnë pa kompensim material, përparësi në punësim në organet e administratës publike dhe ndërmarrjet e sektorit publik dhe privat, lehtësime tatimore, doganore e të tjera.

Numri i madh i veteranëve të luftës ka qenë temë debati për një kohë të gjatë.

Dyshimet janë se ky numër është i fryer, ngaqë llogaritet të jetë shumë më i vogël.

Andaj, në vazhdimësi është tërhequr edhe vërejtja se kishte keqpërdorime me listat e veteranëve të luftës, ku besohet se janë përfshirë edhe persona të cilët nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (RFE)

Sot dita e çlirimit të Gjakovës

Dita e 14 Qershorit shënon një ditë shumë të rëndësishme për Komunën e Gjakovës, si një nga zonat më të prekura nga lufta e fundit në Kosovë.

Është ditë kur shënohet çlirimi i qytetit, ku zakonisht organizohen manifestime të ndryshme për shënimin e kësaj dite.

Edhe këtë vit janë paraparë aktivitete të ndryshme për nder të kësaj dite, të cilat do të fillojnë me homazhet tek varrezat e dëshmorëve, për t’u përmbyllur me një koncert, i cili do të mbahet në mbrëmje, raporton kp.

Lufta e dëmtoi Gjakovën shumë: e dogji, e rrënoi dhe e shkatërroi gati tërësisht. Por, dëmin më të madh, kjo luftë Gjakovës ia shkaktoi në aspektin emocional, për shkak të numrit të madh të njerëzve të vrarë nga kjo anë.

Gjakova u çlirua nga makineria kriminale serbe më 14 Qershor 1999.

Shtëpitë për serbët në veri do të ndërtohen pavarësisht kundërshtimeve

Foto nga arkivi / Mitrovica veriore

Përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës kanë deklaruar se ndërtimi i 300 shtëpive të reja, të nisura ditë më parë me vënien e gurthemelit nga shefi i zyrës së Qeverisë së Kosovës, Marko Gjuriçi, do të fillojë të bëhet pavarësisht nga kundërshtimet e qeverisë në Prishtinë.

Kryetari i Organit të Përkohshëm të Zveçanit, institucion ky i krijuar nga Beogradi zyrtar, Ivan Todosijeviçi, i tha Radios Evropa e Lirë, se i mbetet Prishtinës që të tregojë vullnetin e mirë për të dhënë lejen e ndërtimit për shtëpitë, gurthemeli i të cilave është vënë.

“Gurthemeli është vënë dhe së shpejti do të fillohet ndërtimin. Nëse do të kishte vullnet të mirë Prishtina në mënyrë të papengueshme do të lëshonte lejet e tilla nga pala kosovare. Është vetëm çështja e vullnetit të mirë të Prishtinës, por jemi dëshmitarë të këtyre 17 viteve të fundit, Prishtina në asnjë moment nuk ka treguar vullnetin e mirë për të ndihmuar kthimin e popullatës serbe në Kosovë dhe Metohi”, tha Todosijeviq, duke akuzuar autoritetet qendrore në Prishtinë, për siç tha, tentim për të penguar procesin e nisur.

Rreth 300 shtëpi janë planifikuar të ndërtohen me një fond të ndarë nga Qeveria e Serbisë, në një luginë ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit. Përfaqësues politikë serbë thonë se me ndërtimin e shtëpive synohet kthimi i rreth 1 mijë e 500 serbëve të shpërngulur pas luftës në Kosovë.

Por, vënia e gurëthemelit të shtëpive për serbët në veri, është kundërshtuar nga autoritetet në Kosovë, të cilat thonë se veprimet e tilla janë në kundërshtim me ligjin dhe prishin marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve të Kosovës.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, i tha Radio Evropa e Lirë se investimet e Serbisë në një pjesë të territorit të Kosovës, pa marrëveshje dhe njoftime paraprake janë ndërhyrje në çështjet e brendshme të shtetit.

Sipas tij, financimi i projekteve të tilla të mëdha dhe donacionet të cilat mund të vinë në Kosovë duhet të bëhen përmes institucioneve qendrore të Kosovës.

“Duhet të konsiderohet si ndërhyrje sepse nuk ka pasur kurrfarë informate paraprake zyrtare përkitazi me ndonjë projekt donator që shteti i Serbisë dëshiron ta realizojë në drejtim të komunitetit serb në Kosovë”, tha Agani.

Ai tha se për të bërë çfarëdo ndërtimi brenda territorit të Kosovës, vetë komunat duhet të marrin leje përkatëse.

“Ministria e mjedisit dhe planifikimit hapësinor si pjesë e Qeverisë së Kosovës është e vendosur që çfarëdo lloj aktiviteti ndërtimor në atë pjesë të territorit të shtetit tonë të zbatohet në bazë të legjislacionit i cili është në fuqi dhe në ketë aspekt ju kemi bërë me dije organeve komunale, se domosdoshmërisht duhet të respektohet legjislacioni. Pra, komuna e Zveçanit paraprakisht para dhënies së çdo kushti ndërtimor ose leje të ndërtimit nevojitet të ketë planin zhvillimor komunal dhe hartën zonale të komunës”, tha Agani.

Agani tha se Qeveria po angazhohet që të krijojë kushte normale për të gjithë qytetarët e saj si dhe kthimin e tyre në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

“Ju e dini që me vite të tëra ata kanë refuzuar që të bashkëpunojnë me organet qendrore të vendit. Në vitet e fundit kemi një ndryshim evident të kësaj situate dhe kemi një integrim shumë më të mirë. Kemi një ndarje të mjeteve të konsiderueshme të buxhetit në vitin 2015 për realizim në vitin 2016”, tha Agani duke shtuar se vetëm nga ministria që ai drejton janë ndarë mbi një milion euro për projektet të ndryshme.

Projekti i Qeverisë së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, u cilësua si i pari i këtij lloji për, siç thuhet, kthimin e serbëve të shpërngulur ndërkohë që zyrtarët serbë thonë se projektet e këtilla nuk janë të drejtuara kundër askujt.

Kosovë: Institucionet fetare më të besueshme se ato shtetërore

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë

Barometri më i ri i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë ka nxjerrë në pah rezultatin se qytetarët e Kosovës më shumë u besojnë institucioneve fetare se sa atyre shtetërore.

Ky edicion i barometrit reflekton perceptimin e besimit të qytetarëve në institucionet fetare, si dhe perceptimin e tyre lidhur me kërcënimet dhe rrezikun që vijnë nga grupet ekstremiste.

Në anketë kanë marrë pjesë 1 mijë e 70 të anketuar nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe nga të gjitha bashkësitë etnike. Anketimi i qytetarëve është bërë nga 21 deri më 29 tetor të vitit 2015.

Rreth 57 për qind e qytetarëve të anketuar kanë shprehur qëndrimin se u besojnë institucioneve fetare, ndërsa rreth 22 për qind e të anketuarve u besojnë gjykatave.

Në Qeverinë e Kosovës besojnë 14 për qind e qytetarëve të anketuar. Por, rreth 57 për qind e të anketuarve konsiderojnë që Qeveria e Kosovës nuk ka pasur sukses në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

Vetëm 5 për qind e të anketuarve e vlerësojnë si pozitive punën e qeverisë lidhur me këtë çështje, ndërsa të tjerët konsiderojnë se qeveria, deri diku ka pasur sukses.

Vesë Kelmendi, hulumtuese e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, gjatë prezantimit të hulumtimit, ka thënë se në perceptimin e qytetarëve ka ndikuar mungesa e sundimit të ligjit, mosinteresimi i institucioneve të shtetit për vendet rurale, si dhe sistemi i degraduar arsimor.

“Qytetarët që vijnë kryesisht nga zonat rurale, kanë më shumë besim në institucionet fetare. Kjo ka ndodhur për shkak se ata janë neglizhuar nga institucionet shtetërore, ndërsa qëndrimet e tyre i kanë më shumë të përafërta me prijësit e tyre fetar”, ka theksuar Kelmendi.

Ajo ka shtuar se banorët e Ferizajt, Gjilanit dhe Mitrovicës janë ata që më shumë u besojnë institucioneve fetare.

Kelmendi ka thënë gjithashtu se gratë më shumë u besojnë institucioneve fetare edhe pse shumë shpesh ato janë anashkaluar nga institucionet e tilla dhe nuk janë të përfaqësuara brenda këtyre institucioneve, në të cilat kryesisht nuk kanë qasje.

Rreth 65 për qind e të anketuarve, të cilët më shumë u besojnë institucioneve fetare janë nga zonat rurale.

Në anën tjetër, Lah Nitaj, zyrtar i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka theksuar se ndikimi i organizimi të dobët të sistemit të arsimit në perceptimin e qytetarëve nuk është fakt i qëndrueshëm, për shkak se sipas tij, sistemi arsimor i Kosovës është i organizuar mirë.

“Sfidë e përgjithshme mbetet kualiteti i arsimimit”, ka thënë Nitaj, duke shtuar se Kosova ka numrin më të madh të studentëve në krahasim me vendet që e rrethojnë.

Arsyen se pse qytetarët u besojnë më shumë institucioneve fetare, Besa Ismajli, profesoreshë në fakultetin e Shkencave Islame në Prishtinë, e shpjegon me faktin se sipas saj, Bashkësia Islame në Kosovë është më tepër e angazhuar në terren, tek qytetarët.

Ajo ka theksuar se rezultatet e barometrit, duhet të jenë bazë për politikat e ardhshme në vend.

“Institucionet fetare në Kosovë kanë arritur aty ku të tjerat nuk kanë arritur, po që është dashur të arrijnë. Kjo mbase për mungesë të resurseve, por konsideroj që është moment i fundit që institucionet fetare të mbështeten, në mënyrë që ato tu ngjajnë institucioneve që janë brenda kornizave ligjore”, ka theksuar Ismajli.

Ndryshe, rreth 95 për qind e qytetarëve të anketuar konsiderojnë të dëmshëm shkuarjen në Siri dhe Irak, ndërkaq që 76 për qind e të anketuarve konsiderojnë se organizatat e shpallura ndërkombëtarisht si terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Nusra janë rrezik i madh.

Rreth 55 për qind e të anketuarve konsiderojnë që luftëtarët nga Kosova që janë kthyer nga luftërat në Siri dhe Iraku, duhet t’i nënshtrohen programeve strikte për ri-integrim dhe rehabilitim.

Por, megjithatë, 75 për qind e të anketuarve, konsiderojnë se këta luftëtarë paraqesin rrezik për sigurinë e shtetit.

Florian Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson që perceptimet e qytetarëve janë mjaft të rëndësishme dhe duhet të shfrytëzohen në funksion të luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Megjithatë, sipas tij, besimi më i madh i qytetarëve në institucione fetare se sa në ato të qeverisë, nuk duhet parë nga prizmi i rritjes së ekstremizmit të dhunshëm, por duhet trajtuar nga aspekti i sociologjisë së religjionit.

Sipas tij, ekzistojnë përpjekje për t’i përgjithësuar këto probleme në dëm të shoqërisë së Kosovës.

“Fakti që shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës janë kundër rritjes së ekstremizmit të dhunshëm, janë kundër shkuarjes së qytetarëve tanë në Siri dhe Irak, si dhe pjesa e papërfillshme nuk ka mendim, tregon gjendjen në të cilën gjendemi. Veprimet e disa individëve, të cilat janë bërë mbështetësit e një ideologjie në dëm të interesave shoqërore dhe shtetërore, janë të margjinalizuar dhe nuk reflektojnë qëndrimin e shumicës së popullatës së Kosovës”.

Qehaja ka shtuar që pavarësisht faktit që institucionet e vendit kanë arritur ta parandalojnë rritjen e ekstremizmit të dhunshëm në dy vjetët e fundit, megjithatë është e nevojshme angazhim edhe më i madh në mënyrë që të arrihet qëllimi për çrrënjosjen e ekstremizmit

Stojkoviçi: Bisedimet Beograd – Prishtinë të transferohen në Moskë

Kryetari i të ashtuquajturit Koalicion i personave të shpërngulur në Kosovë Milosh Stojkoviç ka deklaruar se ky koalicion përpiqet që bisedimet e Beogradit dhe Prishtinës të transferohen nga Brukseli në Moskë.

Stojkoviçi ka thënë se pret që nga deputetët e Lëvizjes së Socialistëve (kryetar i saj është Aleksander Vulin) në Parlament të përpiqen për këtë iniciativë të të shpërngulurve.

“Në bazë të marrëveshjes së Lëvizjes së Socialistëve dhe të Koalicionit të të shpërngulurve pres nga deputetët e Vulinit që të papërkulur të përpiqen për iniciativën tonë për transferimin e bisedimeve të Serbisë dhe të institucioneve të përkohshme të Kosovës nga Brukseli në Moskë”, ka thënë Stojkoviq, njofton B92.

Ai theksoi se “është e qartë që administrata e Brukselit më shumë po i mbron më shumë krimet e komandantëve të UÇK–së sesa që përkujdeset për pasurinë dhe të drejtat e të shpërngulurve nga Kosova”.

Stojkoviq ka vlerësuar se “bisedimet në Moskë do të ishin më domethënëse për jetën e përbashkët të serbëve e shqiptarëve në territorin e Kosovës dhe se misionit UNMIK duhet kthyer garancinë e stabilitetit”.

Lagjja serbe “Lugina e Diellit”, si legjitimim i ndarjes së Kosovës – Nga Skënder Mulliqi

Ndikimi i politikës së Beogradit nuk po pushon edhe në kushte të paqes

Kjo klasë politike e korruptuar dhe e kriminalizuar nuk po është në gjendje t’i frenojë apetitet serbe në Kosovë.

Pas përfundimit të luftës në shumë shkrime e kam theksuar rrezikun e ndarjes së Kosovës. Millosheviqi para së të fillonte shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë, kishte filluar rikonolizimin e Kosovës me kolonë nga Shqipëria, duke i vendosur në fshatin Baballoq të Deçanit e vende të tjera bashkë me kolonë kinezë. Serbia kurrë nuk hoqi dorë nga elaboratet kundër shqiptarëve. Edhe pse Serbia në vitin 1999 e humbi luftën, ajo nuk hoqi dorë nga territoret shqiptare. Në ketë drejtim pa dyshim i kanë ndihmuar edhe udhëheqjet e deritashme shtetërore të papërgjegjshme. Pa asnjë kusht u futën në bisedime më Serbinë më shumë për çështje të brendshme së sa për çështje teknike. Këto bisedime maratonike rezultuan më shumë marrëveshje politike, por të cilat kurrë nuk u përfillën nga Beogradi zyrtar. Shumica nga këto marrëveshje shumë pak u bën të ditura për opinionin e gjerë publik. Ndarja e Kosovës filloi më formimin e strukturave paralele serbe, të cilat kurrë deri më sot nuk shpërbën as nga KFOR-i, si përgjegjës për kufijtë shtetëror të Kosovës e as nga institucionet tona. “Rojat e Urës”ishin ata që u vunë si barrikada të gjalla mbi urën në lumin Iber. Këta kriminelë të përkrahur nga Beogradi zyrtar nuk pushuan më veprimet e veta destruktive për destabilizimin e Kosovës.

Veriu me status special Madje këta morën guxim dhe shpesh rrahën shqiptarë, por edhe ndërkombëtarë. Organet tona të shtetit kurrë nuk e vunë kontrollin e plot në këtë pjesë të vendit. Struktura ushtarake e KFOR-it më në fund doli më deklaratë së veriu i Mitrovicës kërkon zgjedhje politike. Kjo në fakt ishte parapërgatitje që veriu të merr ndonjë status special brenda një territori legjitim. Edhe pse pas një kohe të gjatë u hoqën barrikadat e quajtura “Rojat e urës” u vendosën barrikadat më emërimin injorues “Parku i Paqes”. Ky nuk ishte park i paqes po park i djallit, park i një loje të pistë më territorin e Kosovës edhe ashtu të vogël. Të vogël sepse historikisht serbët kishin bërë spastrime etnike duke filluar nga Nishi, Toplica, Prokuplja e vendbanime të tjera me shumicë shqiptare në Serbi. Këtij spastrimi etnik ia patën bërë aminin edhe Fuqitë e Mëdha të kohës. Sikur historia nga pak po na përsëritet, edhe pse Kosova është vend sovran dhe i pavarur, me ndihmën e madhe të miqve tanë në botë. Ndikimi i politikës së Beogradit nuk po pushon edhe në kushte të paqes. Nuk po pushon sepse e kanë gjetur një klasë politike servile karshi faktorit ndërkombëtar dhe karshi Serbisë hegjemoniste. Kjo klasë politike e korruptuar dhe e kriminalizuar nuk po është në gjendje t’i frenojë apetitet serbe në Kosovë. U futën në bisedime pa asnjë kusht, të cilat bisedime rezultuan në dëm të Kosovës dhe në dobi të Serbisë, që ky shtet të inkuadrohet në strukturat e BE-së. Kosova është i vetmi vend në Evropë që ka mbetur që 17 vjet e izoluar si në geto.

Marrëveshje që seriozisht cenojnë tërësinë territoriale të Kosovës Minoriteti serb fitoi atë që e kishte proklamuar moti politika e Beogradit dhe Boris Tadiqi se “nuk është e mundur që shqiptarët të fitojnë të gjitha, ndërsa serbët mos të fitojnë asgjë”. Ai kishte përmendur edhe 15 përqindëshin e territorit të Kosovës, e cila rezultoi më formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Në veri të Mitrovicës ka shumë pak shqiptarë, të cilët po jetojnë keq dhe pa përkujdesjen e duhur të organeve tona të shtetit. Kurse në anën tjetër veriu gjithnjë po popullzohet me serbët sigurisht të cilët nuk kanë jetuar në këtë pjesë të Kosovës. Përçarjet e fundit të faktorit politik shqiptar ishin të mirëseardhura për plasimin e politikës shoviniste serbe brenda territorit të Kosovës. Jo që Serbia po arrin ngadalë ta përvetëson këtë pjesë të vendit të pasur më minerale, por ajo po e fut ndikimin politik në Kosovë. E ka gjetur terrenin shumë të përshtatshëm, duke filluar sidomos nga Qeveritë ‘Thaçi 1’ dhe ‘Thaçi 2’ dhe Qeveria ‘Thaçi -Mustafa’ për t’i realizuar planet një nga një deri të realizimi i të gjitha interesave të tyre. Kjo qeveri firmosi dy marrëveshje më të këqijat të mundshme në Bruksel dhe në Vjenë, atë të ‘Zajednicës’ dhe atë të Demarkacionit me Mal të Zi. Edhe marrëveshja e parë edhe marrëveshja e dytë janë marrëveshje të cilat seriozisht cenojnë tërësinë territoriale të Kosovës.

Kjo garniturë politike në të tri anët e kufirit e ka shitur Kosovën Qeveria e Serbisë ka nisur ndërtimin e një vendbanimi prej 300 shtëpive në veriun e Kosovës, për kthimin e 1500 serbëve nga Serbia. Ky projekt gjigant që quhet “Lugina e Diellit ” i ngjan kolonizimit dhe është investimi më i madhi i Serbisë në periudhën e pasluftës në Kosovë. Autoritetet shqiptare deri më tash reaguan shumë dobët apo në mënyrë sporadike, thuajse nuk bëhet fjalë për territorin e Kosovës. Ekzistojnë të gjitha organet relevante në Kosovë, të cilat japin ose nuk japin leje për një ndërtim të tillë. E dihet se si nuk u lejuan shqiptarët të ndërtonin të Kroi i Vitakut. Ky është një tregues tjetër së në çfarë dergje e kanë pru shtetin e ri të Kosovës kjo nomenklaturë hazarde politike. Këta e kanë dert së si të akomodohen mirë e më mirë në pushtet. Ia falën dreqit si në planin politik duke e futur vendin që shumë kohë në krizë permanente institucionale dhe shumë pak bën për përmirësimin e gjendjes së dobët ekonomike. Mjerimi social tashmë i ka goditur shumë familje shqiptare, kurse në anën tjetër pushtetarët kanë bërë një luks sikur të jetonin në ndonjë shtet shumë zhvilluar të botës. Kjo garniturë politike në të tri anët e kufirit e ka shitur Kosovën. Veriun – Serbisë, pjesën më të bukur të vendit ia dhuroi Malit të Zi dhe një pjesë e ka marrë Maqedonia pa e pyetur fare palën shqiptare. Kjo është panorama më e zymtë e Kosovës e krijuar pas luftës. Dhe, gjithë këto kritika që po shigjetohen kundër punës së keqe të kësaj klase politike, dhe ata as që po marrin vesh. Por, pa dyshim së do të vjen dita kur do të largohen turpshëm nga pushteti ashtu siç edhe kanë ardhur turpshëm në pushtet…

Pronat e uzurpuara problem për investitorët nga diaspora

Një pjesë e investitorëve nga diaspora, që kanë blerë prona shoqërore në valët e privatizimit në Kosovë, nuk kanë arritur ende që t’i shfrytëzojnë ato, për shkak të problemeve pronësore. Investime të shumta që investitorët nga diaspora kanë synuar t’i bëjnë në Kosovë nuk i kanë realizuar në mungesë të masave konkrete të autoriteteve për të zgjidhur kontestet.

Arsim Maxhuni nga Gjermania para tri viteve, në njërën nga valët e privatizimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kishte blerë një lokal në Prishtinë, në vlerë prej 200 mijë eurosh. Ka më shumë se tri vjet që nuk ka arritur ta shfrytëzojë këtë pronë, për shkak të problemeve pronësore.

Mehdi Jonuzi, familjar i Arsim Maxhunit, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka treguar rreth problemeve që ata i kanë me këtë pronë.

“Prona është e dhëndrit, e vajzës sime, e cila është në Gjermani. Ata e kanë blerë një lokal në Prishtinë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, dhe këtë lokal e kanë blerë para tri viteve në shumë prej 200 mijë eurosh. Ata i kanë paguar paratë,por prona është e uzurpuar dhe nuk iu është lejuar ta shfrytëzojnë”, thekson Jonuzi.

Për këtë çështje, thotë Jonuzi, kanë angazhuar edhe një avokat, por lënda për këtë rast, e nisur para dy viteve, ende vazhdon të mbetet e pazgjidhur.

Por, lidhur me kontestet pronësore, gjyqtari i materies civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Hasim Sogojeva, në një përgjigje dërguar përmes postës elektronike i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në zgjidhjen e problemeve pronësore Kosova ka shënuar ngecje.

Sipas tij, është më se e nevojshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të nxjerrë ligje që rregullojnë fushën e pronësisë. Problemet, thotë ai, janë shkaktuar edhe me faktin se një pjesë e dokumentacionit të pronave është marrë nga Serbia, pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Gjyqtari Sogojeva thotë se për zgjidhjen e problemeve të shumta pronësore që ka Kosova është e nevojshme që Serbia ta respektojë marrëveshjen me Kosovën dhe ta kthejë dokumentacionin pronësor.

“Sipas të dhënave që ekzistojnë nga numri i kontesteve në përgjithësi, numri i kontesteve pronësore është afërsisht deri në 30 për qind. Çështja e pronësisë në Kosovë daton shumë herët –prej momentit të formimit të ish-Jugosllavisë së parë dhe formimin e ish –Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore. Ka vazhduar edhe gjatë viteve të 90-ta, e deri me vendosjen e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë”, ka sqaruar Sogojeva.

Ai ka bërë të ditur se ka përpjekje që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përmes nxjerrjes së ligjeve, që kjo çështje të rregullohet me ligje të veçanta ose me Kodin Civil .

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit shprehin vendosmërinë e tyre në lirimin e pronave nga shfrytëzuesit e paligjshëm në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha asetet e ndërmarrjeve shoqërore, të cilat janë nën juridiksionin e AKP-së, do të lirohen nga përdoruesit e jashtëligjshëm apo uzurpimet.

“Agjencia, bazuar në informatat e marra nga blerësit dhe institucionet e tjera relevante, ka evidentuara rastet e uzurpimeve të pronave të privatizuara. Një raport me këto raste është hartuar dhe është dërguar në institucionet përgjegjëse për lirimin e këtyre pronave.”

“Aksioni për lirimin e pronave shoqërore dhe atyre të privatizuara tashmë është duke vazhduar, me mbështetje të plotë të Policisë së Kosovës, e cila me kërkesë të AKP-së po asiston në aksione në terren, sipas nenit 26 të ligjit të AKP-së, si dhe vendimeve të Prokurorive kompetente”, thekson Kaloshi.

Ndërkaq, sa i përket ankesave të blerësve që kanë blerë prona shoqërore e të cilat nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë për shkak të uzurpatorëve apo problemeve pronësore, Kaloshi thekson se blerësit, kur kanë blerë një pronë të tillë, kanë qenë të informuar qysh atëherë se ato prona kanë qenë të uzurpuara.

Dhe sipas Kaloshit, pas nënshkrimit të kontratës me blerësit dhe kalimit të pronës tek blerësi, ka qenë përgjegjësi e pronarit të pronës që përmes institucioneve përgjegjëse, siç janë policia dhe gjykatat, të kërkojë të drejtën e qasjes në pronën e tij.

Ndryshe, në një raport të publikuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, thuhet se 368 është numri i shitjes se pronave me uzurpatorë në kohën e përfundimit e shitjes, me vlerë në mbi 105 milion euro. (REL)

Kosovë: Sulmohen dy persona për shkak të orientimit seksual

Pamje e ndërtesës së stacionit hekurudhor në Ferizaj (foto e vitit të kaluar)

Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) ka njoftuar se dy persona homoseksualë ishin viktima të një sulmi, që ka ndodhur të premten në mbrëmje në Ferizaj.

Nga ky sulm ata kanë pësuar lëndime në trup dhe fytyrë dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore, njoftoi CSGD. Qendra thotë se sulmuesit, katër meshkuj, që janë arrestuar nga policia, nuk janë njohur me viktimat.

Incidenti ka ndodhur në vendin e punës së personave homoseksualë.

CSGD u bënë thirrje institucioneve që të ndërmarrin hapa të nevojshëm ligjorë dhe sulmuesve “t’u jepet dënimi i merituar e jo të mbetet rast i pazgjidhur”.

Kjo qendër, po ashtu, ka shprehur keqardhje që këto sulme e konfirmojnë “nivelin e lartë të homofobisë dhe mungesën e tolerancës në shoqërinë tonë”.

Afër kishës pa leje në qytezën studentore të UP-së dyshohet për varrezë masive

Prokuroria Speciale e Kosovës do të duhet që së shpejti të urdhërojë fillimin e gjurmimeve brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, afër kishës së kontestuar ortodokse.

Mjeku ligjor Arsim Gërxhaliu ka thënë në një intërvistë për emisionin “Personale” të TV Dukagjinit se kanë pranuar një dëshmi serioze nga një qytetare, e cila pretendon se ka parë që gjatë luftës të jetë gropuar në atë pjesë.

“Jo shumë ditë më herët kam pas një thirrje nga një grua, të cilën do ta takoj javën e ardhshme, e cila prej ndërtesës ka pa që në afërsi të kishës do ta tregoj vendin ku dyshon se kanë varrosur njerëz kështu që do ta kontrollojmë”, ka thënë Gërxhaliu.

Njeriu që për 17 vjet është përgjegjësi kryesor për gjetjen e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, për herë të parë ka rrëfyer eksluzivisht për këtë emision se dy ditë pas hyrjes së trupave të KFOR-it kanë ekzaminuar bodrumin e Fakuktetit Juridik, ku në afërsi të këtij lokacioni dyshohej se ishin dhunar femra nga forcat ushtarake serbe.

“I gjithë bodrumi ka qenë me gjak dhe më veshje të brendshme të femrave”, ka treguar Gerxhaliu.

Mijëra civilë shqiptarë janë vrarë gjatë luftës së fundit në përpjekje të ish diktatorit serb Millosheviq që të zbatonte planin “Patkoi” për zhvendosjen e popullatës shumicë shqiptare nga Kosova.

Civilët e vrarë ishin hedhur nëpër varreza masive në Kosovë derisa në përpjekje të të humbur gjurmët disa ishin dërguar edhe në Serbi. Ende janë mijëra të pagjetur.

Kisha ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës ishte ndërtuar nga dikatatura e Millosheviqit në shenjë dominimi ndaj shumicës shqiptare.

Kosova me mungesë të rezervave të grurit

Ilustrim

Republika e Kosovës, qe katër vjet ka filluar të grumbullojë rezerva shtetërore, sidomos artikujt e nevojshëm ushqimorë dhe joushqimorë, që duhet të shfrytëzohen për nevoja të furnizimit të qytetarëvenë raste të luftës apo fatkeqësive të tjera natyrore.

Këto rezerva nuk janë të mjaftueshme, por duke i ditur mundësitë buxhetore të vendit, konsiderohet se është filluar të krijohet një rezerve shtetërore modeste, thonë zyrtarë qeveritarë.

Ekrem Avdyli, ushtrues detyre i udhëheqësit të Divizionit për Rezerva Shtetërore të Mallrave, divizon ky që funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se rezervat e grurit janë për 20 ditë për gjithë popullatën.

“Me planin strategjik të hartuar në bashkëpunim me përfaqësuesit e ministrive të linjës, është përcaktuar që gruri, si rezervë shtetërore, të jetë rreth 20 (ditë) nga konsumi i përgjithshëm ditor për të gjithë popullatën. Deri më tani konsiderohet se është në rrugë të mbarë sipas planifikimeve me Programin vjetor 2013-2016. Edhe për vjetët në vijim është planifikuar që të vazhdohetfurnizimi me grurë deri sa të përmbushet plani strategjik 2013-2020”, thuhet në përgjigjen e Avdylit nëpërmjet postës elektronike.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile, konsiderojnë se rezervat aktuale të shtetit nuk i përmbushin nevojat e popullatës në rastet emergjente.

Kryetari i organizatës joqeveritare për mbrojtjen e konsumatorit, “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, për Radion Evropa e Lirë, thotë se autoritetet kompetente nuk kanë qenë shumë transparente në procesin e grumbullimit të rezervave shtetërore.

“Asnjë vendim për rezervat shtetërore nuk është marrë në konsultim me qytetarët. Do të thotë se kjo është një çështje e mbyllur. Një çështje e rezervuar për ata që dinë. Ne i kuptojmë problemet që janë të natyrës financiare, por nuk kuptojmë pse ata janë mbyllur në mosdijen e tyre dhe nuk hulumtojnë më gjerë”, thotë Kaçaniku.

Edhe profesori në Fakultetin Ekonomik, Muhamet Sadiku, thotë se në aspektin ligjor kjo çështje është rregulluar, por në opinion mungojnë informatat se sa është sasia e rezervave dhe cilët artikuj hyjnë në listën e rezervave shtetërore.

“Unë mendoj se Kosova duhet t’i kushtojë kujdes këtij aspekti, duhet t’i fuqizojë edhe më tej këto rezerva. Në shtetet tjera, përveç produkteve ushqimore, rezerva mobilizohen edhe për derivate të naftës. Por, me rëndësi është që të sigurohen rezerva për popullatën”, shton Sadiku.

Kriter për përcaktimin e sasisë për rezervat shtetërore merret numri i popullatës dhe lloji i produktit, ku shtetet, sipas prioriteteve të tyre dhe fuqisë ekonomike, sigurojnë p.sh. grurin për të gjithë popullatën për një vit në bazë të konsumit vjetor.

Rezervat shtetërore në Kosovë i përbëjnë produktet e miellit, orizi, sheqeri, konservat e mishit, makaronat, marmelata dhe kripa. Kurse, nga produktet joushqimore, Republika e Kosovës ka rezerva të derivateve të naftës.

Të gjitha rezervat shtetërore të mallrave, thonë zyrtarë qeveritarë,menaxhohen nga operatorët ekonomikë privatë të përzgjedhur sipas procedurave të prokurimit publik dhe konsiderohen se janë mjaft të sigurta. (REL)

Burrat në PDK, gratë në PTK

Shefat e partisë më të madhe politike në vend (PDK) e kanë zgjedhur kompaninë më fitimprurëse në vend, Telekomin e Kosovës, për t’i punësuar gratë dhe familjarët e tyre, ku pagat e punëtorëve janë më të lartat në vend.

Bëhet fjalë për ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë të partisë së Kadri Veselit, të cilët i kanë punësuar familjarët e tyre në Telekomin e Kosovës, ku pagat e punëtorëve janë në nivel të ministrave të kabinetit qeveritar.

Në këtë kompani publike, por edhe në disa të tjera ku pagat janë të larta, kanë punësuar familjarë të tyre edhe zyrtarë të partisë së kryeministrit, Isa Mustafa (LDK), shkruan gazeta ‘Zeri’.

Kështu deputeti, Bekim Haxhiu, përpos pagës vjetore si deputet dhe pensionit të invalidit të luftës bashkërisht prej 26 mijë eurosh, siguron të hyra vjetore prej 11 mijë eurosh nga paga e bashkëshortes, e cila punon në Telekomin e Kosovës.

Bashkëshortja në Telekomin e Kosovës i punon edhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, e cila ka një pagë mujore prej mbi 1100 eurosh.

12 Qershor 1999 – Kosova Day – Zbarkimi i NATO-s NË KOSOVË

Zëvendëskryeministri Stojanoviç thotë se “Lugina e Diellit” do të ndërtohet

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Branimir Stojanoviçi, është i bindur se “Lugina e Diellit” në veri të Mitrovicës do të ndërtohet.

Projekti për ndërtimin e 300 shtëpive në një vend dhe kthimin e një mijë serbëve ka filluar së ndërtuari më 9 qershor kur i ashtuquajturi shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriçi, vuri gurthemelin, edhe pse këtë projekt Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e konsideronte si projekt të jashtëligjshëm.

Për këtë, Stojanoviçi thotë se do të përmbushen të gjitha kërkesat ligjore dhe ajo lagje do të ndërtohet, duke u referuar edhe në pajtimin e kryetarit të Komunës së Zveçanit që të përmbushen të gjitha procedurat që kërkohen.

Branimir Stojanoviçi ka thënë se deri tash nuk ka pasur kthim substancial të serbëve në Kosovë sepse nuk janë krijuar parakushtet e një kthimi të qëndrueshëm.

“Deri tash kemi pasur vetëm fotografi të një rezultati të përkohshëm, i cili është portretizuar si një kthim. Prandaj është i rëndësishëm projekti “Lugina e Diellit” dhe pa mëdyshje që ne do të insistojmë për të”, ka thënë ai.

Sot 17 vjetori i çlirimit të Prishtinës

Sot bëhen 17 vjet kur forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hynë në Prishtinë.

Kjo u bë në ditën kur hyri në fuqi marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar më 9 qershor në Kumanovë në mes forcave të NATO-së dhe ushtrisë jugosllave.

Me këtë marrëveshje fillon edhe tërheqja e forcave serbe nga Kosova.

11 Qershori është edhe ditë e çlirimit të Prishtinës. Për nder të kësaj dite sot në kryeqytet do të ketë disa aktivitete.

Haliti i jep të drejtë Serbisë për ndërtimin e Luginës së Diellit

 Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti ka dhënë mendimin e tij në lidhje me ndërtimin e 300 shtëpive për serbët në veri të Mitrovicës, nga Qeveria e Serbisë.

Ai, sipas KosovaPress, ka thënë se Serbia ka të drejtë t’i ndërtojë dhe t’i ndihmojë qytetarët serbë në Kosovë.

“Unë kam një mendim timin në përputhje me Marrëveshjen e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës, Serbia ka të drejtë që t’i ndërtojë dhe të ndihmojë qytetarët serb në Kosovë në shumë fusha duke përfshirë edhe infrastrukturën. Prandaj, unë do të uroja që ambienti edhe në veri edhe në jug të jetë i përshtatshëm edhe për shqiptarët e veriut, ashtu siç duhet të jetë edhe për serbët në jug për të bashkëjetuar dhe për të qenë të gjithë kosovarë”, tha Haliti.

Se ndërtimi i këtyre nuk ka leje për ndërtim e institucioneve të Kosovës, Haliti tha se për këtë Kuvendet Komunale japin leje, dhe nëse nuk janë në përputhje me planin hapësinor të Mitrovicës, atëherë Ministria e Ambientit mundet të reagojë.

Wall Street Journal: Shtyhen vizat për Kosovën, Gjeorgjinë e Ukrainën

Shpresat që Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Kosovës, Bashkimi Evropian t’ua aprovojë lëvizjen e lirë për në shtetet anëtarë të bllokut deri në verë, janë zbehur në ditët e fundit, pasi shqetësime të reja janë ngritur nga shtetet më të mëdha anëtare.

Shqetësimet vijnë nga shteti gjerman në lidhje me krimin e organizuar nga bandat gjeorgjiane si dhe shqetësimeve për Francën se marrja e vizave mund të krijojë dobësi të reja të sigurisë në një kohë të frikës së rritjes së sulmeve terroriste.

The Wall Street Journal, shkruan se zyrtarët dhe diplomatët e BE-së tani thonë se shtatori duket të jetë data më e hershme që qeveritë e BE-së dhe Parlamenti Evropian të nënshkruajnë marrëveshjet.

Marrëveshja do ju japë miliona qytetarëve nga këto vende, që të mbajnë pasaporta biometrike dhe qasje pa viza në zonën Shengen, që mbulon shumicën e vendeve të BE-së.

Në muajt e fundit, Komisioni Evropian, ekzekutivi i BE-së, ka rekomanduar statusin pa viza për Gjeorgjinë, Ukrainën, Kosovën dhe Turqinë.

Diplomatët thonë se ka disa qeveri të BE-së që duan të mbajnë deri ndonjë vendim në Gjeorgji, Ukrainë dhe në Kosovë deri sa të marrin në konsideratë kërkesën pa viza të Turqisë.

Kjo ka krijuar shqetësime të mëdha në Kiev, Tbilis dhe Prishtinë.

Serbia nis rikolonizimin e Kosovës

Qeveria e Serbisë ka nisur ndërtimin e një vendbanimi prej 300 shtëpive në veriun e Kosovës, për kthimin e 1500 serbëve nga Serbia. Ky projekt gjigant që quhet “Suncana Dolina” i ngjan kolonizimit dhe është investimi më i madhi i Serbisë në periudhën e pasluftës në Kosovë. Kryeministri Mustafa dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, këtë projekt e cilësojnë të paligjshëm

Autoritetet e Serbisë si në “bahçe të babës” kanë promovuar të enjten në veriun e Kosovës, projektin e parë kolonizues dhe më të kushtueshmin që investon Qeveria e Serbisë në Republikën e Kosovës, ndërtimin e 300 shtëpive për kthimin e 1500 serbëve nga Serbia. Në një hapësirë në mes të komunës së Zveçanit dhe të Mitrovicës së Veriut, pranë kalasë, ka nisur ndërtimi i këtij vendbanimi që serbët e quajnë “Suncana Dolina” (Lugina e Diellit).

Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe peshkopi i Argjipeshkvisë Rashkë-Prizren, Teodosije, kanë vendosur gurin e themelit dhe kanë përuruar fillimin e punimeve në këtë lokalitet. Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe shumë politikanë serbë nga Kosova dhe Serbia, ndërsa është prezantuar edhe maketi i këtij vendbanimi kolonizues.

“Ky është hap historik për kthimin e popullit tonë në Kosovë e Metohi, për serbët në Kosovë, por edhe për të gjithë serbët nga Kosova të cilët para 16 vjetësh u dëbuan”, tha Marko Gjuriq, pas vënies së gurthemelit. Ai shtoi se projekti i filluar nuk është projekt i hartuar kundër askujt dhe bëhet fjalë për projekt, siç tha ai “të dashurisë ndaj popullit, qëllimi i të cilit është që të zbuten pasojat e spastrimit etnik dhe dëbimit të përgjakshëm”.zëri

Presidenti Thaçi në Bruksel: Kosova ka shumicë të islamit europian

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur një ligjëratë publike në “Këshillin Evropian për Punë të Jashtme” (EFCR), ku ka folur për të arriturat dhe sfidat e Kosovës dhe të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, njofon kumtesa ministrore.

“Nuk ka dyshim që Bashkimi Evropian është në një udhëkryq të madh. BREXIT, vala e refugjatëve nga Azia dhe Afrika, ekspansioni i ri rus që ka shkaktuar krizat si ajo në Ukrainë, kërcënimet që vijnë nga radikalizmi – politik dhe fetar, terrorizmi… lista e shqetësimeve është bukur e gjatë për kontinentin tonë. Por, ku ndodhet Kosova në tërë këtë?”, e nisi prezantimin e tij presidenti Thaçi.

“Para 10 viteve, Kosova ende po diskutonte me bashkësinë ndërkombëtare të drejtën për të vendosur vetë për të ardhmen e saj politike. Për vetëm tetë vite si shtet, Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit që tanimë ka filluar të zbatohet. Kemi marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe presim që këtë vit edhe qytetarët e Kosovës, më në fund, të lëvizin të lirë në zonën Schengen. Jemi bërë anëtare e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) të Kongresit Amerikan, pasi kemi përmbushur kritere strikte të reformave në ekonomi, në politikë dhe në drejtësi”, u shpreh presidenti Thaçi.

Tutje, presidenti Thaçi numëroi të arriturat e Kosovës në ekonomi, duke veçuar sektorin stabil dhe borxhin publik më të ulët në rajon. Duke folur për progresin në fushën drejtësisë, presidenti Thaçi theksoi se “Kosova ka pasur fat të ketë gëzuar mbështetje të fuqishme ndërkombëtare në ndërtimin e organeve të drejtësisë” dhe se “falë punës në ngritjen e kapaciteteve, organet e drejtësisë kanë ndërmarrë hapa për të luftuar krime serioze”.

“Janë arrestuar dhe janë gjykuar edhe zyrtarë të lartë për përfshirje në krim dhe korrupsion”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke folur për dialogun, i pari i vendit tha se falë dialogut me Serbinë, janë shënuar suksese edhe në integrimin e pjesës veriore të Kosovës.

“Kemi organizuar zgjedhjet në përputhje me ligjet e Kosovës dhe qytetarët tanë që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës kanë zgjedhur liderët e tyre legjitimë. Ata që dikur ishin në barrikada, sot janë pjesë e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën politike, në Kuvendin e Kosovës, në Qeverinë e Kosovës si ministra, në komunë si kryetarë komunash apo si këshilltarë”, theksoi presidenti Thaçi.

Në ligjëratën e tij në ECFR, presidenti Thaçi tha se komunikimi tani është normalitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe shtoi se tani është koha për një hap të ri, atë të ndërtimit të besimit mes popujve dhe shteteve por edhe ndërmjet rajonit të Ballkanit dhe BE-së.

“Është e rëndësishme që rajoni të ruajë besimin në idenë e BE-së dhe në aspiratën për anëtarësim në BE”, u shpreh presidenti Thaçi, i cili shtoi se “nëpërmjet dialogut konstruktiv që rajoni duhet të ketë me BE-në, do të jemi në gjendje që të dëshmojnë se pse Evropa nuk është e plotë pa pasur në gjirin e saj edhe Ballkanin Perëndimor. Por, nëpërmjet dialogut edhe t’i tregojmë BE-së se çfarë vlera sjell Kosova, por edhe Ballkani Perëndimor, në këtë bashkësi të popujve dhe shteteve.”

“Kosova, si dhe mbarë rajoni, është shumetnike dhe shumfetare. Vërtetë kemi shumicë që i përket fesë islame. Por është ky një islam evropian, që promovon tolerance, bashkëjetesën dhe paqen, ashtu siç ka bërë për shekuj të tërë. Kjo vlerë e Kosovës dhe e rajonit, është vlerë edhe për Evropën”, tha presidenti Thaçi.

“Është e rëndësishme që BE të mbetet e angazhuar në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit. Vonesat e BE-së që t’i shtrijë dorën Ballkanit Perëndimor u hapin rrugë ideologjive të tjera, nacionaliste apo fetare”, sqaroi presidenti Thaçi.

“Kosova është një rrëfim suksesi, por nuk është ende storie e përfunduar. Kemi edhe shumë rrugë për të bërë, por jemi në rrugë të drejtë”, përfundoi presidenti Thaçi.

Pas prezantimit të tij, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve, të cilët u interesuan për zhvillimet edhe në vendet fqinje të Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se është me rëndësi që përkundër problemeve që kanë vendet e rajonit, që të gjitha janë të përcaktuara që të bëhen anëtare të BE-së dhe se BE-ja është “motori” i ndryshimeve pozitive në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

ECFR është “think-tank” i njohur me seli në Bruksel që merret me përpilimin e raporteve dhe analizave për BE-në dhe rolin e BE-së në marrëdhëniet ndërkombëtare. Anëtarë të Bordit të ECFR janë, ndër të tjerë, edhe Martti Ahtisaari, Javier Solana dhe Joschka Fischer./ZERI/

Murat Mehës i trefishohet paga, blen prap tokë

Kërkesave të opozitës për shkarkimin e Murat Mehës, Qeveria e Kosovës i është kundërpërgjigjur me rritje trefish të pagës së tij, përkatësisht nga 5770 euro në vit, në 16200. Ai këtë vit i ka deklaruar edhe dy parcela të reja toke dhe më shumë para të gatshme në banka

Murat Meha, i cili është kritikuar më së shumti për humbjen e mijëra hektarëve tokë të Kosovës gjatë shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, e ka rritur këtë vit pasurinë edhe me dy parcela të reja toke, si rezultat i trefishimit të pagës së tij nga Qeveria e Kosovës.

Shefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, sipas formularëve të deklarimit të pasurisë, në vitin 2015 ka deklaruar pagë vjetore prej 5770 eurosh, ndërsa sivjet paga e tij i është rritur në 16200, apo rreth 10.500 euro më shumë se një vit më parë.

Po ashtu, bazuar në formularët e deklarimit të pasurisë për vitin 2016, krahas një viti më parë, Meha i ka deklaruar edhe dy parcela të reja toke prej rreth 3 ari, të cilat i ka vlerësuar rreth 50 mijë euro.

Moska-UNMIK-ut: Kosova të zbatojë marrëveshjet me Serbinë

Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Gennady Gatilov

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, ka nisur një vizitë zyrtare në Moskë të Rusisë, me qëllim të, siç thuhet, mbajtjes së kontakteve me vendet që janë të interesuara për gjendjen në Kosovë.

Një zëdhënës i misionit UNMIK, Jan Malekzade, i tha Radios Evropa e Lirë se Tanin ka takuar zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme Ruse, përfshirë edhe zëvendësministrin Gennady Gatilov, për të diskutuar çështjet rajonale.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm mban kontakte të afërta me të gjitha shtetet e interesuara për gjendjen në Kosovë dhe në veçanti me vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Ai së voni ka vizituar Uashingtonin dhe tani ndodhet në Moskë për të biseduar drejtpërdrejt me homologët e Federatës Ruse”, tha Jan Malekzade.

Misioni i OKB-së, që udhëhoqi me Kosovën që prej përfundimit të luftës e deri në shpalljen e pavarësisë së saj më 2008, prej mijëra punonjësve të saj ka zvogëluar numrin në disa qindra, duke kryer një rol të një zyreje politike. Misioni që funksionon mbi bazën e një Rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që prej vitit 1999, në baza të rregullta tre mujore harton raporte për sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, për gjendjen në Kosovë.

Vizita e shefit të UNMIK-ut në Moskë, Zahir Tanin, bëhet pak javë para raportimit të radhës për gjendjen në Kosovë dhe në pritje të rifillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Ndërkohë, sipas një kumtese për media të Ministrisë së Jashtme ruse, në takimin me Tanin, zëvendësministri i jashtëm rus, Gennady Gatilov, i bëri thirrje Kosovës që të përmbushë obligimet e saj për të cilat ka arritur marrëveshje me Serbinë.

“Gatilov theksoi nevojën e zbatimit të obligimeve që pala shqiptare e Kosovës ka marrë me marrëveshjet e arritura me palën serbe”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Jashtme ruse, të cilën e citon agjencia e lajmeve Sputnik. Gjithashtu në kumtesë thuhet se pala ruse ka ritheksuar rëndësinë e punës se misionit të OKB-së në Kosovë, në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon. (REL)

Rruga Gjilan – Ferizaj merr emrin “Beau Biden”

Ferizaj Municipality Beau Biden St

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që rruga Gjilan-Ferizaj të mbajë emrin “Beau Biden”.

Në vendimin e qeverisë thuhet se “Beau Biden u mor me ndërtimin dhe menaxhimin e institucioneve juridike të Kosovës, ku ka trajnuar shumë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj dhe me punën e tij ka ndihmuar dhe mundësuar themelimin e sistemit të ri penal juridik në Kosovë”.

“Beau Biden është biri i burrështetasit amerikan Joe Biden, Nënpresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një mik i madh i Kosovës, i cili me punën e tij, bashkë me Presidentin e SHBA-ve, Barack Obama, në mënyrë të vazhdueshme ka kontribuuar në shtetndërtimin e Kosovës, në zhvillimin e përgjithshëm, në forcimin dhe sigurinë e paqes në rajon. Kjo e bën familjen Biden mike të vërtetë dhe të përhershme të Kosovës”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha gjatë në mbledhjes së qeverisë se “përmes këtij vendimi tregohet falënderimi dhe mirënjohja e Kosovës për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, posaçërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Joseph Robinette “Beau” Biden III, ish-prokuror i përgjithshëm i shtetit Delauer në Shtetet e Bashkuara vdiq vitin e kaluar nga një sëmundje e rëndë. Ai kishte punuar në Kosovë si këshilltar i lartë në kuadër të Misionit të OSBE-së gjatë vitit 2001 në ndërtimin dhe menaxhimin e institucioneve juridike të Kosovës. Beau Biden ishte biri i Nënpresidentit amerikan Joe Biden.

Qeveria e Kosovës insiston për regjistrimin e popullsisë në veri

Qeveria e Kosovës është e gatshme që të ulet për të biseduar me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe drejtuesit e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, për të arritur një pajtim lidhur me nisjen e procesit të regjistrimit të popullsisë në këto katër komuna.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, i cili ka theksuar se procesi i regjistrimit të popullsisë në komunat veriore duhet të nisë së shpejti, por pa precizuar ndonjë afat të caktuar kohor.

“Shumë shpejt. Pra, ne e kemi tash lajmin që ka një lloj hezitimi për pjesëmarrje. Është diçka që mendoj se do të tejkalohet, duke pasur parasysh që ne si qeveri do të bisedojmë me të gjithë faktorët relevantë që t’ua shpjegojmë se kjo është në të mirën e tyre. ”

“Fundja, kjo është dhe do të bëhet me përkrahjen konkrete të Bashkimit Evropian dhe asgjë të keqe nuk ka në këtë drejtim, përkundrazi, të gjitha dobitë do të jenë në të mirë të komunitetit serbë, në normalizimin e mëtutjeshëm të raporteve në Kosovë, por edhe atyre ndër-fqinjësore”, ka thënë Abdullahu.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës duhet t’i ketë të dhënat e sakta lidhur me numrin e popullatës nëpër komunat veriore, në mënyrë që shpërndarja e të mirave buxhetore dhe të mirave të tjera të shpërndahet në përputhshmëri të drejtë me numrin e tyre.

Ndryshe, në mënyrë që procesi i regjistrimit të jetë i mundur, nevojitet revidimi i Ligjit për regjistrimin e popullsisë, në të cilin do të duhej të parashihet formimi i një Komisioni të veçantë, i cili do t’i koordinonte aktivitetet në komunat e veriut. Nevojën për miratimin e një ligji të tillë, përveç institucioneve të Kosovës, e ka theksuar edhe Komisioni Evropian.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Listës Serbe vlerësojnë se pas shqyrtimit të ligjit me kryetarët e komunave në veri, si dhe me përfaqësuesit e serbëve në nivelin lokal dhe qendror, nuk janë krijuar kushtet për zbatimin e një procesi të regjistrimit të popullsisë.

Slavko Simiq, kryetar i Listës Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë që rekomandimet ndërkombëtare e vënë në pah që regjistrimi i popullsisë mund të bëhet vetëm në kushte kur mjedisi ka siguri dhe stabilitet politik. Sipas tij, në rastin në veri, këto mungojnë.

“Mendoj që të gjithë ne, me forca të bashkuara, të investojmë shumë mund që të përmbushen standardet ndërkombëtare, në mënyrë që të mbahet regjistrimi në komunat, në të cilat ky regjistrim nuk është mbajtur në vitin 2011. Duhet të krijojmë një klimë reale politike dhe të sigurisë që serbët të dalin në mënyrë masive në regjistrim. Në këto kushte, jam i sigurt që qytetarët nuk do të dilnin në numër të madh dhe do ta kishim një pasqyrë joreale dhe një vlerësim joreal. Do ta kishim një regjistrim jo të besueshëm“, tha Simiq.

Ai ka shtruar se është absurde që deputetët e Listës Serbe të votojnë për projektligjin dhe më pas kryetarët e komunave në veri të mos mund ta zbatojnë atë.

Ndërkaq, Adrijana Hoxhiq, shefe e administratës komunale në Mitrovicë të veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë konsideron që regjistrimi i popullsisë në veri duhet të jetë një nga temat e dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka shprehur mendimin se regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet për faktin se edhe buxhetet komunale përcaktohen në bazë të numrit të qytetarëve në komunat e përkatëse.

“Nuk është mirë që të bëhet regjistrimi në qoftë se ai proces nuk është i pranueshëm për të gjithë, e posaçërisht për ato komuna në të cilat duhet të ndodhë ai regjistrim. Pavarësisht asaj se si do të votohet në Kuvendin e Kosovës, është mjaft e rëndësishme që për këtë proces ta kemi një marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës“, ka theksuar Hoxhiq.

Por, Abdullahu thekson se refuzimi eventual i përfaqësuesve të komunitetit serb do të jetë krejtësisht i papranueshëm dhe për të përjashtuar një bllokim të procesit duhet të gjendet zgjidhja me përfaqësuesit serb.

“Konsideroj që forma më e mirë për të dalë nga kjo situatë, nga kjo lloj përpjekje për një bllokim të kësaj natyre, është që të ulemi dhe të bisedojmë. Për më shumë, kjo fiton argument, kur i shtohet se edhe nga Komisioni Evropian kemi premtime konkrete se Komisioni do ta përkrahë këtë proces të regjistrimit të komunitetit serb me mjete materiale, që ai të mos na kushtojë edhe neve më shumë. Prandaj, benefitet do të jenë edhe në këtë sferë”, ka thënë Abdullahu.

Abdullahu ka shtuar se për realizimin e procesit të regjistrimit duhet të gjenden edhe modalitetet përkatëse dhe funksionale, si dhe të bëhen ndryshimet në ligjin për regjistrim.

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë është mbajtur në vitin 2011, por ai proces ishte bojkotuar nga komunat në veri të Kosovës, për faktin se atë proces e kishin organizuar institucionet e Kosovës. (REL)

Kosova bën përpjekje të reja për deradikalizimin

Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke punuar në deradikalizmin, rehabilitimin dhe integrimin e personave të cilët kanë qenë pjesë në luftërat në Siri dhe Irak, përkrahë organizatave terroriste. Ata thonë se përpjekjet për të gjetur rrugët për përballje më këtë dukuri, po bëhen përmes strategjisë kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, që është miratuar vitin e kaluar.

Bashkërenduesi i kësaj strategjie, Edon Miftari dhe njëherësh këshilltar për siguri i Kryeministrit të Kosovës thotë për Zërin e Amerikës se institucionet e Kosovës së bashku me partnerët ndërkombëtarë janë duke hartuar programe të posaçme për rehabilitim e personave që kanë qenë pjesëmarrës në luftërat në Siri dhe Irak.

“Këto nënkuptojmë programe që kanë të bëjnë me persona që janë duke e vuajtur denimin me burg për veprën penale të terrorizmit, në mënyrë që këta persona deri në momentin kur të lirohen nga denimi të jenë pjesë kontribuese e shoqërisë së Kosovës dhe të mos dalin nga burgu duke qenë ende të radikalizuar apo ende të kenë në një farë forme trurin e shpërlarë me fundamendalizëm që e kanë marr atje (Siri dhe Irak)”, tha ai.

Ai thotë se në këtë program do të përfshihen familjarë, organizata të ndryshme të shoqërisë civile dhe sociologë. Zoti Miftari thotë se institucionet e Kosovës tashmë kanë të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’u përballur me këtë dukuri.

“Përkushtimi dhe vullneti qëndron. Në aspektin financiar ne qëndrojmë në një gjendje shumë të mirë për shkak se Kosova është një nga shtetet përfituese të një fondi global me një shumë prej pesë million dollarëve që do të fokusohet kryesisht për programet që do të zbatohen nga shoqëria civile dhe organizatat e ndryshme të shoqërisë civile në aspektin e rehabilitimit mirëpo edhe parandalimit, qoftë në vetëdijësim dhe me ri-integrim”, tha zoti Miftari.

Sociologu dhe studiuesi i çështjeve të religjionit Ismail Hasani thotë se ri-socializimi i personave të përfshirë në këto luftëra është një sfidë e madhe ndërsa veçon kohën e pasluftës dhe vështirësitë e kërkuara për integrimin e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shoqëri.

“Normalisht se rruga e ri-integrimit të këtyre njerëzve përkatësisht ri-socializimit është shumë herë më e vështirë se sa që ishte rruga e ri-socializimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së menjëherë pas luftës. Ne e dimë se IOM dhe organizata tjera sa mund kanë shpenzuar për këtë proces, por megjithatë ri-socializimi i tyre në raport me ri-socializimin e këtyre njerëzve të radikalizuar është krejt e kundërt”, tha ai.

Zoti Hasani thotë se shenjat për radikalizim të jetës fetare janë parë vite më parë ndërsa thotë se kërkohet një bashkëpunim më i mirë ndërmjet institucioneve shtetërore dhe Bashkësisë Islame të Kosovës për të zbutur këtë problem.

“Të eliminohet në tërësi nuk ka mundësi përnjëherë sepse përmasat e radikalizmit kanë shkuar bukur thellë. Ne këto i shohim në jetën e përditshme me mënyrën e sjelljeve, veprimeve, kryerjes së ritualeve të ndryshme të njerëzve që janë jo të zakonshme për Islamin tradicional i cili është kultivuar në këto kordinata dhe njerëzit e kësaj përkatësie konfesionale mburren më të përkatësi. Por, me islamin tradicional, jo me islamin radikal, jo me veprimet të cilat përjashtojnë dhe jetojnë me eksluzivitetin në mënyrë të sjelljes, veshjes dhe mënyrës së veçantë të praktikimit të besimit, etj”, tha zoti Hasani.

Zoti Miftari thotë se gjendja ka filluar të ndryshojë viteve të fundit, pas angazhimit të institucioneve të Kosovës për tu përballur me këtë dukuri.

“Arsyet apo shkaqet pse kjo ka ndodhur në Kosovë ndoshta kanë të bëjnë me 15 vitet e fundit kur Kosova ishte nën administrimin e organizmave ndërkombëtarë, kur edhe nuk ka pasur funksionim të mirëfilltë ose kontroll të mirëfilltë qoftë të organizatave bëmirëse ose të atyre shoqërive të cilat kanë dhënë fianncime të ndryshme dhe kanë sjellë një lloj konflikti”, tha zoti Miftari.

Që nga viti 2014, autoritetet në Kosovë kanë bërë përpjekje që nëpërmjet arrestimeve dhe ligjeve të ndalojnë shkuarjen e qytetarëve të saj në luftërat në Siri dhe Irak përkrahë organizatave terroriste. Janë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza, ndërsa janë dënuar edhe imam për rekrutimin e luftëtarëve.

Thaçi kërkon që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s

Bruksel: Jens Stoltenberg dhe Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shtruar nevojën që Kosova të ketë Forcat e Armatosura dhe të jetë pjesë e NATO-s. Këto qëndrime, Thaçi, sipas një komunikate për media, i ka shprehur në Bruksel gjatë një takimi që ka zhvilluar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në takim, thuhet se u bisedua për mundësinë e inicimit të një dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe NATO-s, si dhe për bashkëpunimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) me Aleancën Veri-Atlantike.

Presidenti Thaçi është shprehur po ashtu se FSK-ja është e gatshme që të marrë pjesë në manovrat, por edhe të kontribuojë në misionet paqeruajtëse të NATO-s, sidomos në fushat ku është specializuar.

“Kosova është e vendosur që të bëhet anëtare e NATO-s”, ka thënë Thaçi.

Në takim, sipas komunikatës, sekretari Stolteberg dhe presidenti Thaçi biseduan edhe për përkushtimin e Kosovës për sfidat e sigurisë, radikalizmin dhe terrorizmin. Me këtë rast, presidenti Thaçi u shpreh se Kosova do të mbetet e vendosur që të luftojë pa kompromis çdo ekstremizëm dhe radikalizëm.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se KFOR-i do të vazhdojë misionin e tij për një ambient të sigurt në Kosovë dhe do të garantojë lirinë e lëvizjes për aq kohë sa është e nevojshme.

Sekretari i Përgjithshëm vlerësoi se çfarëdo reduktimi i numrit të forcave të NATO-s në Kosovë do të bazohej në përmirësimin e kushteve në terren.

OVL UÇK: Numri i veteranëve i fryrë, t’i hetojë Prokuroria

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mbledhjen e fundit, shqyrtoj edhe çështjen e procesit të verifikimit të veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Me këtë rast, kryesia dyshon se ka numër të fryrë të veteranëve, ose që ka nga ata të cilëve iu është dhënë statusi i veteranit por kjo bjen në kundërshtim me ligjin në fuqi, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media.

Saktësinë e numrit të veteranëve, OVL UÇK mendon se institucionet e Kosovës përkatësisht Prokuroria e shtetit, duhet që ta vërtetojnë.

AKR zyrtarizon koalicionin me Vetëvendosjen në Prishtinë

PRISHTINË – Aleanca Kosova e Re (AKR) zyrtarizoi sot koalicionin e saj me Lëvizjen Vetëvendosje në komunën e Prishtinës. Pas shumë mosmarrëveshjeve dhe mosgjetjes së një gjuhe të përbashkët në Asamblenë Komunale të Prishtinës dhe bllokimit të shumë çështjeve në interes të qytetarëve të Prishtinës, AKR-ja ka vendosur të bëjë koalicion qeverisës lokal për të shtyrë proceset përpara në interes të qytetarëve.

“Mbi bazën e vullnetit politik dhe nevojën për zhbllokimin e gjendjes në Kuvendin Komunal të komunës së Prishtinës dhe me qëllim ofrimin e shërbimeve më të mira publike për qytetarët arrihet kjo marrëveshje koalicioni qeverisës lokal mes dy subjekteve politike: Lëvizjes Vetëvendosje, përfaqësuar nga kryetari i komunës së Prishtinës dhe nga kryesuesi i grupit të këshilltarëve komunal- dhe Aleancës Kosova e Re – përfaqësuar nga kryetari i degës së Prishtinës dhe kryesuesi i grupit të këshilltarëve komunal”, thuhet në njoftim.

AKR-ja në kuadër të koalicionit do të ketë dy drejtori, drejtorinë e bujqësisë dhe drejtorinë e kulturës në komunën e Prishtinës. AKR thotë se është e angazhuar që të gjitha proceset në nivel vendi dhe komune t’i shtyjë përpara në të mirë të qytetarëve dhe ky koalicion vjen për shkak të një parimi të tillë, pasi për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet subjekteve politike, pasojat janë duke i vuajtur qytetarët. /K.press

Serbia mban peng marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës

 Autoritetet në Prishtinë thonë se pengesat e bëra nga Serbia janë faktori kryesor i mospranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në veçanti në institucionet evropiane. Krahas mospranimit nga pesë vendet e BE-së, bllokimi i Kosovës nga Serbia i ka pamundësuar asaj të jetë pjesë e një numri organizatash jo vetëm rajonale, por dhe më gjerë.

Qeveria e Kosovës thotë se synimi parësor i saj janë mekanizmat evropianë, dhe me theks të posaçëm Këshilli i Evropës, një prej institucioneve që për Kosovën ka nxjerrë dhe raporte.

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, i tha Radios Evropa e Lirë, se me pengesën që Serbia i bën Kosovës po shkel parimet themelore të anëtarësimit në BE.

“Qasja e Serbisë është plotësisht e papranueshme. Është një qasje politikisht delikuente dhe shumë e rrezikshme sa i takon sigurisë dhe paqes në rajon. Dhe për sa i përket plotësimit të njërës nga kushtet që vlen edhe për Serbinë, normalizimi i raporteve me fqinjët është si premisë për t’i shpejtuar hapat drejt integrimeve evropian”, tha Abdullahu.

Problemet me anëtarësimin e vendit në organizatat ndërkombëtare janë theksuar posaçërisht me faktin e mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së dhe kundërshtimit të fuqishëm të Serbisë në organizata ku ajo mund të ketë ndikim më të madh.

Megjithëse ishte paralajmëruar prej vitesh anëtarësimi i vendit në Këshillin e Evropës, Kosova mbeti ende jashtë tij, për shkak të pamundësisë së mbledhjes së votave të mjaftueshme. Aplikimi në këtë institucion evropian nuk është bërë, sado që autoritetet në Prishtinë e patën paralajmëruar vite më parë.

Abdullahu thotë arsyet pse Kosova deri me tash nuk ka aplikuar në ketë mekanizëm janë të ndryshme.

“Arsyet janë nga më të ndryshmet, por ajo çka mund të thuhet konkretisht është se ne kemi raporte të mira me Këshillin e Evropës. Nuk besoj se në të ardhmen e afërt do të jetë pengesë e madhe edhe tejkalimi i atyre sfidave që të njihemi edhe nga Këshilli i Evropës”, tha Abdullahu për Radion Evropa e Lirë.

Por, ndërkohë, autoritetet në Prishtinë thonë se me BE-në, pavarësisht telasheve me vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë arritur një marrëdhënie të re kontraktuale përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që do t’i mundësojë vendit përafrimin me BE-në duke tejkaluar dallimet e sotme brenda vetë këtij mekanizmi.

Anëtarësimi në UEFA dhe FIFA, dy organizatat botërore të sportit, duket sikur kanë thyer mitin e mospranimit të Kosovës në botë.

Për qeverinë, Kosova ka ecur në drejtim të njohjes së saj në botë, por për opozitën, vendi nuk ka arritur të ndryshojë qasjen e institucioneve ndërkombëtare karshi tij.

Zgjim Hyseni, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosovën për vite me radhë e ka karakterizuar një politike e jashtme e dështuar dhe kjo, sipas tij, është rritur me koalicionin e dy partive më të mëdha në vend, PDK dhe LDK.

“Në këtë drejtim, një prej faktorëve që ka penguar suksesin dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare ka qenë fakti që tashmë dihet, edhe në shtete tjera partnere, që Kosova udhëhiqet prej një klase politike të korruptuar. Kjo është reflektuar në mos-suksesin tonë sa i takon politikës së jashtme”, tha Hyseni.

Por, sipas tij mos anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare është ndikuar edhe nga qasja që Kosova ka pasur në raport me dialogun me Serbinë.

“Në rast se ne nuk e konsiderojmë si kapitull të mbyllur marrëdhënien tonë me Serbinë, dhe gjithmonë ende ka ende për të diskutuar këtu, ky është një argument në duart e diplomacisë Serbe që [mund të thonë] ju lutem mos bëni hapa të njëanshëm për ta njohur Kosovën sepse ne ende po diskutojmë për ta gjetur një zgjidhje sa i takon kësaj pune”, tha Hyseni.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, konsideron se Kosova dhe institucionet e saj duhet të kenë qëllime të caktuara kur bëjnë kërkesë për anëtarësim në ndonjë mekanizëm ndërkombëtar.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës, duhet të thellojë reformat e brendshme për të forcuar kredibilitetin e vendit që mund të shfrytëzohet, sipas tij për anëtarësime në forume të ndryshme.

“Ne duhet t’i bëjmë prioritetet tona. Për mendimin tim çështja më primare e politikës së jashtme, sa i përket anëtarësimeve dhe njohjeve, është që vendi të fokusohet në pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Ne do të kemi telashe të mëdha pas 2-3 vitesh kur do të bëjmë hapa më serioz drejt anëtarësimit”, tha Muharremi.

Pengesa e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve vazhdon të jetë marrëdhënia ende e rëndë me Serbinë.

Të dyja palët janë futur në një dialog për normalizim të marrëdhënieve, dhe sado që marrëveshja e prillit e vitit 2013 parasheh që asnjëra palë të mos e pengojë tjetrën në rrugën e integrimeve evropiane, një gjë është ende e qartë: Kosova nuk ka arritur të përafrohet me një numër të institucioneve evropiane.

Brovina: Demarkacionin mund ta votojmë symbyllur

Nënkryetarja e PDK-së , Flora Brovina ka thënë se partia e saj e kishte propozuar Gani Kocin për ministër të Drejtësisë, por në mes ka dalur ndonjë pengesë.

“Ne e kemi diskutuar, dhe e kemi propozuar Kocin për ministër, por prej propozimit deri tek vendimi duket se ka pasur pengesa. Ne e mbrojmë Kocin, e respektojmë. Ai e di pse nuk u bë ministër”, ka thënë Brovina në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka thënë se opozita me gaz nuk mund të zgjidhë asgjë, porse personalisht ka shprehur dyshimet e saj për demarkacionin.

Megjithatë, ajo ka thënë se mund të merret një vendim brenda partisë për të votuar për këtë.

“Nëse hedhin gaz sërish, do ta votojmë symbyllur”, ka thënë Brovina.


Send this to a friend