VOAL

VOAL

Simiçi përgënjeshtron: Askush nuk ka biseduar me Thaçin për formimin e FAK-ut

Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se ka biseduar edhe me Listën Srpska përkitazi me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, e ka demantuar lideri i Listës Srpska, Sllavko Simiq. Mjetet e informimit në gjuhen serbe në veri të Mitrovicës kanë transmetuar fjalët e kryetarit të Listës Srpska. Sllavko Simiq, i cili ka demantuar presidenin Hashim Thaçi, se për themelimin e FAK-ut ka biseduaar edhe me përfaqësuesit e Listës Srpska, pa miratimin e të cilës Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të transformohet në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Ai madje ka thënë se nuk ka as edhe një përfaqësues i vetëm i Listës Srpska, i cili do ta kishte guximin që të bisedojë i vetëm apo fshehtas për themelimin e FAK-ut dhe nëse është e vërtetë ajo që ka thënë Thaçi, atëherë ai duhet ta tregojë emrin e njeriut nga Lista Srpska, me të cilin ka biseduar në këtë temë.. Ai thotë se as me të nuk ka biseduar askush lidhur me këtë temë, ndonëse, siç kanë thënë ai “për çdo ditë sillet në qarqet e larta politike të Kosovës”.

“Unë bisedoj me shumë përfaqësues të instituticioneve dhe me duhet të jem i sinqert e të them se deri me tani askush nuk e ka hapur  me mua temen e themelimit, apo të transformit të Forcës së Siguriës së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Në përgjithësi në përpiqemi t’i potencojmë ato tema të cilat e shqetësojnë komunitetin serbë në Kosovë, nga temat ekonoomike deri te ato të sigurisë, sepse ato janë tema që shqetësojnë dhe që rëndojnë mbi popullatën serbe”, ka thënë Simiq, përcjell ‘zeri.info’.

Ai ka ripërseritur se asnjë prej liderëve serbë në Kosovë nuk do ta ketë guximin që vetëm, ose fshehtas të bisedojë për këtë temë serioze me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, e as me Hashim Thaçin.

“Them sigurt se asnjë përfaqësues i Listës Srpska nuk do të guxonte që i vetëm të hyjë në aranzhma të bisedimeve për transformimin e Forcave së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Kjo temë është shumë e ndërlikuar, të cilën shumë nuk e kuptojnë, kështu që nuk do të flisja nëse dikush ka biseduar rreth kësaj teme. E them këtë për shkak, sepse mund të ketë tendenca për krijimin e përqarjeve dhe konflikteve të reja dhe ndasi përbrenda listës”, ka thënë Simiq. Ai është shprehu i siguritë se askush nga përfaqësuesit e serbeve nuk ka folur me Hashim Thaçin për temën e transformimit të FSK në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Nëse Hashim Thaçi ka biseduar me këdo, lë të na e thotë lirisht me kë ka biseduar nga përfaqësuesit e Listës Srpska, por unë jam i sigurit se deputetët nga lista jonë, ministrat në qeveri nuk kanë biseduar për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës”, ka përfunduar kryetari i Listës Srpska, Sllavko Simiq, fjaët e të cilit i përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.

Se serbët nuk do të pajtohen me transformimn e FSK-së në FAK e kanë thënë edhe ministrat serbë në Qeverinë e Isa Mustafës, në veçanti ministri Lubomir Mariq, por edhe zëvendësi i Isa Mustafës, Branimir Stojanoviq.

Ai ka thënë para pak ditëve se ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës, deputetë e kryetar komunash nga Lista Srpska nuk e kanë fare hallin e transformimit të FSK-së në FAK, por vëmendje të madhe i ka kushtuar formimit të “Zajednicës…” dhe hartimit të Statutit të saj.

Ai madje ka reaguar në pohimet se Statutin e “Zajednicës” do ta hartojnë kryetarët e komunave në bashkëpunim me institucionet kosovare dhe  me pjesëmarrje të OSBE-së në Kosovë, shkruan ‘zeri.info’.

‘Për hartimin e Statutit do të punojë ekipi drejtues, sipas marrëveshjes në Bruksel, kjo është e vetmja gjë për të cilën nuk ka fare dilema, të gjitha të tjerat janë kalkulime. Është e sigurt që në hartimin e Statutit të BKS do të punojnë një numër i madh i njerëzve të cilës të japin sugjerimet e tyre. Kjo flet se kjo temë është interesante, e cila do të jetë interesante edhe në periudhën e ardhshme. Sigurisht se për këtë do të shkruhet edhe shumë, gjë që është mirë, që do të thotë se në hartimin e Statuti është duke u punuar dhe do të punohet edhe mëtutje, e në interesin tonë është që kjo punë të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që ta bëjmë “Zajedncën..”, ka thënë Branimir Stojanoviq, zëvendëskryeministër i Kosovës. /ZERI/ 

Fillojnë gërmimet për varrezën masive në kampusin e UP-së

Foto nga arkivi

Drejtori i Departamentit të Mjeksisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i tha Radios Evropa e Lirë, se gërmimet e terrenit në kampusin e Universitetit të Prishtinës, për kontrollin e një lokacioni, të dyshuar për një varrezë, do të fillojnë ditën e mërkurë, më 13 korrik.

Në punimet në kampusin e Universitetit, do të jetë i pranishëm edhe delegacioni nga Serbia për të përcjellë zhvillimet.

Gërxhaliu tha se ka dyshime “se bëhet fjalë për viktima të përkatësisë shqiptare”.

“Në bazë të informacioneve të dëshmitarëve, më sakt të qytetarëve që na kanë dhënë informacionet do të fillojmë punimet. Do të punojmë së bashku me ekspertët e EULEX-it. Do të jetë i pranishëm edhe delegacioni nga Serbia, me kërkesën e tyre. Së bashku me ta punojmë 17 vjet dhe kanë shpreh dëshirën të jenë këtu. Prokurori dhe komisioni e kanë pranuar. Nesër (e mërkurë), fillon hulumtimi i vendit të dyshuar. Nuk mund të themi se bëhet fjalë për një varrezë masive, sepse ende nuk është përcaktuar si e tillë”, tha Gërxhaliu.

Punimet do të zhvillohen brenda dy ditëve dhe nëse gjenden mbetjet mortore, punimet e makinerisë së rëndë do të pushojnë, ka thënë Gërxhaliu, “për t’i përshtatur një tjetër formë të punimeve”.

Çaushi: Haradinaj është tërhequr nga mënyra e kundërshtimit të demarkacionit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, në Interaktiv të KTV-së ka shprehur bindjen se lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është tërhequr paksa nga mënyra e kundërshtimit për demarkacionin.

Ai ka thënë se nuk mjafton thirrja që demarkacioni mos të votohet, por duhet të ndalohet që ajo të hyjë në rend dite.

“Qëndrimi i z. Haradinaj se demarkacioni nuk duhet votuar është një tërheqje prapa, sepse si mund ta arsyetojmë ne veprimet e drejta në Kuvendin e Kosovës për dhjet muaj rresht për të kundërshtuar demarkacionin”, ka thënë Çaushi, përcjell Koha.net. “Nuk duhet të vijë fare në Kuvend që të votohet dhe nuk duhet të lejohet të votohet. Gazi lotsjellës është i drejtë se bëhet për një kauzë tepër të rëndësishme”, ka thënë më tej ai.

Demarkacioni rikthen gazin në Kuvend

Gazi lotsjellës do të mund të kthehet sërish në Kuvendin e Kosovës.

Krejtësisht legjitime e të drejtë e ka konsideruar këtë formë të kundërshtimit deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi. Në emisionin ‘Interaktiv’ në KTV, ai ka thënë se do të bëjnë çmos që ta parandalojnë votimin në Kuvend për ratifikim të demarkacionit të kufirit mes Kosovës e Malit të Zi.

‘Është e tërësisht e ligjshme dhe e drejtë kur gazi lotsjellës përdoret për një kauzë tepër të rëndësishme për vendin. Cilido nga subjektet opozitare të që tërhiqet nga kundërshtimi që e kemi pasur për këtë kohë të përbashkët është mëkat”, ka thënë Çaushi, teksa ka thënë se qëndrimi i ish-deputetit e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj se demarkacioni nuk duhet votuar është një tërheqje prapa.

‘Nuk duhet të vijë fare në Kuvend që të votohet dhe nuk duhet të lejohet të votohet’, ka thënë Çaushi.

Këshillat e Jahjagës dhe rekomandimet e zonjës Nulland! – Nga Florim Zeqa

E fillova kështu shkrimin, pasi ekziston një lidhje analogjike mes këshillave të Jahjagës dhe rekomandimeve të nënsekretares amerikane në raport me pushtetarët aktual.
Ardhja e Hashim Thaçit në krye të shtetit, asgjë nuk ka ndryshuar në kursin politik të vendit. Arsyeja pse presidenti Thaçi nuk e ka ftuar akoma asnjë takim të Këshillit Kundër Korrupsionit apo Task-forcën që i pat “themeluar” ish presidentja Jahjaga, është pak më tepër se injorancë, është anashkalim i qëllimshëm.
Problemi qendron në faktin, se ato këshilla kanë qenë të themeluara me direktivat e Thaçit, me qëllim të krijimit të iluzionit tek qytetarët e vendit dhe një pjesë të ndërkombëtarëve, se gjoja presidentja Jahjaga me përkushtim është duke e luftuar korrupsionin e lartë qeveritar dhe krimin e organizuar ekonomik dhe politik në vendin tonë.
Po të ishte ndryshe, ish presidentja Jahjaga, do të sillej ndryshe me krizen e gjatë parlamentare; nuk do të bënte “sehir” ndaj gazit lotsjellës, vezëve dhe vuvuzelave të opozitës në kuvend,…e aq më shpejt do duhej të reagonte si presidente e vendit në momentet kur thyheshin xhamat dhe ndizej flakë ndërtesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në vend të veprimeve konformë obligimeve kushtetuese si presidente e vendit, për shpërbërjen e kuvendit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të jashëzakonshme parlamentare, si e vetmja zgjidhje për dalje nga kriza institucionale, ajo heshti deri në fund të mandatit të saj!
Heshti sepse, kështu i rekomandonte shefi i saj (Hashim Thaçi), i cili pas humbjes së postit të kryeministrit, priste çastin e realizimit të objektivit të tij jetësorë, për t’u bërë president i vendit.
Prandaj, Këshilli Kundër Korrupsionit dhe Task-Forca, si të tilla çfarë janë tani, të konsumuara dhe të parendësishme nuk i bëjnë më përshtypje njeriut numër 1 në vendin tonë!
Duke qënë se është kështu, Këshilli Kundër Korrupsionit dhe Task-Forca, si organizata fantome, janë të padobishme dhe pavlerë për presdidentin e ri.
Dihet mirëfilli, se ish presidentja Jahjaga ishte marionetë në duart e Thaçit, sikurse që është ky i fundit figurë shahu në duart e ndërkombëtarëve.
Mbase arsyeja tjetër, pse presidentiThaçi nuk thërret takim me këshillat e sipërpermendura, është fakti, se ai nuk është aq naiv siq e mendojnë disa!
Hashim Thaçi, me dëshirë nuk do të thërret takim me këshillat dhe agjensionet fantome kundër vetvetës dhe kundër bashkpartiakëve, ani pse në çdo kohë dhe çdo orë do ta bënte kundër partnerit të koalicionit qeverisës.
Takimi i presidentit Thaçi me Këshillin Kundër Korrupsionit dheTask-Forcën,  është i mundur të ndodhë shpejt vetëm në rast të ndonjë presioni të fuqishëm ndërkombëtar, jo si dëshmi e shprehjes së vullnetit për një shtet ligjor, përçim të mesazhit institucional  për domosdoshmërinë e luftimit të  e krimit të organizuar dhe korrupsionit,…por vetëm sa për të shpëtuar “lëkurën” e tij, duke sakrifikuar kështu ndonjërin nga bashkëpuntorët e tij më të ngushtë, ish bashkëluftëtarët e djeshëm apo opozitarët e tij të sotëm!
Nulland mbështetë pushtearët, injoron opozitën kosovare!
Vizita e nënsekretares amerikane të shtetit, zonjës Victoria Nuland në Kosovë, i tejkaloi të gjitha parashikimet, pasi misioni i saj nuk ishte në funksion të zgjidhjes së krizës politike,…i kontribuoi në masë të madhe thellimit të krizës politike në vend me anashkalimin e opozitës kosovare, duke injoruar vullnetin e shumicës shqiptare në vend,…ngase qeverisja aktuale nuk është produkt i vullnetit qytetar, por i pazareve të pista politike, pas bllokadës pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, ku rreth 70% të qytetarëve të Kosovës kishin votuar për ndryshimin e kursit qeverisës të vendit.
Rekomandimet e saj apo më mirë të themi, presionit politik ndaj pushtetarëve të korruptuar për votimin demarkacionit me Malin e Zi apo votimin e humbjes së mbi 8 mijë hektarëve tokë të Kosovës në këmbim të liberalizimit të vizave dhe kushti tjetër i themelimit të FAK-ut (një force të ngjajshme me shoqatën e zjarrëfikësve) me Asocioacionin e komunave serbe (Zjednicës),…nuk duket të jetë kërkesë shumë miqësore!
Kërkesat e nënsekretares amerikane të shtetit, zonjës Victoria Nuland për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit duke mbështetur pushtetarët, bartësit kryesor të krimit dhe korrupsionit në vend,…janë pak më tepër se lojë fjalësh, janë patetike dhe ogurëzeza për të ardhmen e vendit tonë.
Thënë ndryshe, janë këto “gjella të prishura” që nuk i gëlltitë dot vullneti i shumicës shqiptare në vend. Nëse në të ardhmen e afërt nuk vie deri të ndryshimi i kursit politik në vendin tonë, atëherë shpërthimi i pakënaqësisë qytetare është i paevitueshëm.
Megjithatë, zgjidhja mbetët në dorën e të zgjedhurve të popullit, deputetëve të pozitës dhe opozitës në kuvend.
Deputet shqiptar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me vogëlsinë time, ju lutem t’i thërrisni ndërgjegjës kombëtare, t’i bashkoni mendjet dhe zemrat,…me forcën shpirtërore t’i përgjigjeni interesave të atdheut dhe shtetit të Kosovës me mosvotimin e marrveshjeve fatkeqe për vendin, pavarësisht presionit ndërkombëtar.
Si vend i varur që jemi nga bashkësia ndërkombëtare, forcërisht është e mundur të ndodhë çdo gjë në Kosovë. Mirëpo deputetët, që kanë marrë votën e bekuar të qytetarëve të këtij vendi, e kanë për obligim të mbrojnë me dinjitet integritetin dhe sovranitetin e vendit,…në asnjë rrethanë nuk guxojnë ta tradhëtojnë besimin votuesve dhe vullnetin e qytetarëve të vendit të tyre .
Ata deputet dhe deputete që votojnë marrëveshjet fatkeqe për vendin në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jo vetëm që tradhëtojnë besimin e qytetarëve, do shkelin mbi gjakun e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës çlirimtare, veprimtarëve dhe aktivistëve të devotshëm të çështjes kombëtare,…mallkimi i të cilëve do t’i ndjekë brez pas brezi gjatë historisë.

Kush është ish-këshilltarja e Kryeministrit Thaçi, Ministre e Drejtësisë në Qeverinë Mustafa

Dhurata Hoxha është emëruar zyrtarisht Ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Isa Mustafës. Detyrën asaj ia ka dorëzuar Hajredin Kuçi që deri tash drejtonte këtë Ministri, tashmë i emëruar zëvendëskryeministër.

Hoxha nuk ka qenë emër shumë publik, megjithatë ajo ka qenë pjesë e Qeverisë edhe në mandatet e kaluara. Ministrja e Drejtësisë, ka qenë këshilltare politike e sigurisë në kabinetin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi – tash president i vendit.

Ajo është edhe këshilltare Politike e Kryetarit të Kuvendit dhe PDK’së, Kadri Veseli. Përveç tjerash edhe profesoreshë në disa kolegje private, shkruan Gazeta Express.

Kjo është biografia e plotë e Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha: 

Dhurata Hoxha aktualisht është Këshilltare Politike e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ku përgjegjësitë e saj mbulojnë politikat e sigurisë dhe sundimit të ligjit. Para se të emërohej në pozitën aktuale ka qenë Këshilltare e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në të cilën pozitë është emëruar që nga marsi 2011 – Dhjetor 2015. Përgjegjësitë e saj kryesore kanë qenë në fushën e sigurisë kombëtare si dhe sundimit të ligjit.

Përvoja e Hoxha përfshinë edhe këshilltare e Ministrit të Punëve të Brendshme që nga tetori 2008 – mars 2011. Ndërsa në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Dhurata ka kontribuar në hartimin e legjislacionit kyç të sigurisë, duke përfshirë edhe strategjitë kryesore të sektorit të sigurisë.

Ajo ka përfunduar studimet master në departamentin e Studimeve të Sigurisë, me koncentrim në sigurinë ndërkombëtare, në Georgetown University në Washington DC. Znj. Hoxha ka përfunduar studimet e saj universitare në Graceland University, ku ajo diplomoi në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike me nderime të larta.
Dhurata që nga viti 1999, ka punuar edhe në ambasadën britanike si Menaxhere e projekeve, si dhe ka punuar edhe në  Zyrën amerikane (tani Ambasada e SHBA) në Prishtinë në seksionin POL /ECON, dhe në OSBE.

Hoxha është anëtare e Kryesisë qendrore të PDK-së, si dhe e Kryesisë së PDK-së dega Prishtinë. Në zgjedhjet e fundit, si anëtare e PDK-së, Dhurata kandidoi për deputete të Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Që nga viti 2008, Hoxha është gjithashtu profesor jo i rregullt në  kolegjin ESLG dhe Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), ku ajo ligjeron lëndët si Terrorizmi dhe Dhuna Politike; Feja dhe Globalizimi, Politika dhe Politikat Publike;  Etika në Marëdhëniet Ndërkombëtare, dhe Vlerat dhe Politikat Publike.  Ajo ka qenë gjithashtu e përfshirë në shumë projekte si konsulente.

Dhurata Hoxha është një kuadër i ri profesional i edukuar në SHBA, me ekspertizë në sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo është anëtare e Women in International Security (WIIS) me seli në Washington DC. Interesi i saj hulumtues dhe kërkimor përfshin sigurinë ndërkombëtare dhe kombëtare, kërcënimet globale kundër terrorizmit, sigurinë e energjisë, sundimi i ligjit, dhe qeverisja e mirë.

A kemi gazetari të pavarur në Kosovë apo jo?! – Nga Florim Zeqa

Fjala demokraci rrjedhë nga fjala Greke “ISONOMIA”, që nënkupton barazinë e njerëzve para ligjit, me lirinë e shprehjes dhe pjesemarrjen  e drejtëpërdrejtë të popullit në vendim-marrje.
Në një shoqëri të lirë dhe demokratike fjala “SEKRET” është e neveritshme, konspiracioni monolitik (partiak) i pa pranueshëm, i cili ju besohet mjetëve të pa ndershme të informimit, për të perhapur sferën e tyre të influencës.
Në demokraci, kur pushteti rrëmbehet një herë nga totalitarët nuk lëshohet  aq lehtë. Për t’a mbajtur  pushtetin i perdorin të gjitha mjetet antidemokratike e anti ligjore për ruajtjën e pushtetit duke perfshirë ketu: armiqësinë në vend të zgjedhjeve të lira, kërcënimin në vend të drejtësisë, gorillat e natës (njerëzit më maska) në vend të ushtrisë së ditës.
Si rezultat i kësaj intelektualët mbesin në heshtje, asnjë krim nuk zbulohet, qytetarët tërhiqen nga debatet publike,… mediat janë ato që e thyejnë heshtjen e nuk ndalën për asnjë qast.
Mediat (të shkruara dhe elektronike) janë regjistri i veprimeve tona, janë kujdestar i ndërgjegjës sonë, mbajtës i ngjarjeve tona,… të cilave ju drejtohemi për të gjetur   forcë dhe kurajo, më shpresën që më ndihmën e tyre, njeriu të bëhet ai që ka lindë të jetë: i lirë dhe i pavarur.
Një fjalë e urtë Gjermane thotë: “gazetarët shenojnë lindjën dhe përfundimin e një kohe”, që do të thotë se roli i mediave në një shoqëri demokratike është krucial dhe i pa zevendësueshëm.
Qytetari i Kosovës duhet të shëndrrohet në një qënje aktive politike, t’i shprehë lirshëm opinionet e veta, e jo të mbetët shikues apo monitorues i gënjeshtrave, i krimit e vjedhjës,… në asnjë rrethanë nuk guxon të bie viktimë e heshtjes.
Në kohën kur gënjeshtra është bërë standard i jetës, i veprimeve të qeveritarëve, kur njerëzve u ka humbur dashuria në mes tyre, kur janë të hapura shumë kriza morale, kulturore e sociale, janë MEDIAT ato që duhet të thonë të vërtetën për gjithëçka,… për të zbardhur të vërtetën e kamufluar të të gjtiha prapësive të ndodhura në Kosovë, nga paslufta e tutje.
Sfidat në gazetari janë të përditshme; për të ardhur deri të një e vertetë, një gazetari i duhet shumë mund e kohë, dhe jo rrallë ndodhë që ajo e vërtetë e arritur nëpër sakrifica të mos plasohët për opinion, shkaku i presioneve nga qeveritarët që i bëhet mediumit për të cilin ai punon.
Miratimi i Kodit Penal për mediat në Kuvendin e Kosovës, s’është gjë tjetër veq se një tëndencë për mbajtjën e mediave nën cenzurë të fortë diktatoriale nga qeveria, që për qëllim ka ndrydhjën e fjalës së lirë në Kosovë,… për ndjekjën e burgosjën e gazetarëve që janë të gatshëm të thojnë të vërtetën, e në veqanti gazetarinë hulumtuese që mirret me zbardhjën dhe zbulimin e veprimeve korruptive e kriminale në Kosovë.
Gazetaria nën grilat e qeverisë
Në Kosovë, nga paslufta e këndej përkundër rritjes enorme të numrit të gazetave kemi pasur degradim të vazhdueshëm të gazetarisë, si pasojë e presionit, kërcënimeve e shantazheve të vazhdueshme të pushtetarëve dhe grupeve tjera të interesit ndaj mediave të shkruara dhe elektronike.
Mbase në situatë më të vështirë janë mediat e shkruara, si rezultat i zhvillimit të hovshëm teknologjik, ka rënë në masë të madhe tregu i shitjes së gazetave të shkruara, ku si pasojë e kësaj situate disa prej mediumeve të shkruara kanë rënë në kolaps financiar.
Pronarët e gazetave për të mbijetuar është dashur të zgjedhin njërën nga dy rrugët e vështira; hyrjen nën tutelën e ndonjë sponzorizuesi të padëshiruar apo hyrjen nën kthetrat e pushtetarëve.
Mediumet që kanë pranuar si zgjidhje hyrjen nën tutelën e pushtetarëve apo subjekteve politike me ndikim, automatiksiht e kanë të humbur pavarësinë e tyre editoriale, ngase politikat redaktoriale të gazetës i përcakton subjekti që i financon.
Këtë që e themë e vërteton levizja e disa gazetarëve nga një gazetë në tjetrën. I njëjti gazetar që deri dje ka shkruar kundër pushtetit, me kalimin në mediumin tjetër i është dashur të ndërroj “lëkurën”. A ka më vështirë për një gazetar profesionsit që të ndryshoj brenda natës,…të nesërmën t’i thotë djallit ëngjëll, apo siq e thotë populli; “dreqit dajë”!
Pronarët e mediumeve (gazetave) që ju nënshtrohen pushtetarëve, përveqse nuk e kanë problem (mos)shitjen e gazetës, i kanë të siguruara të gjitha shpenzimet, duke gëzuar edhe beneficione tjera shtesë nga shteti…
Në këto rrethana, më së vështiri është për gazetarët profeisonist që ju duhet të bien ndesh me etiken e tyre, për të kamufluar të vërtetën sipas porosive të pushtetarëve apo bosëve partiak.
Për fatin e mirë të gazetarisë, në këtë situatë nuk janë gazetarët që jetojnë në diasporë apo bashkëpuntorët e jashtëm siq i quajnë pronarët e gazetave, të cilët kanë qendruar të palëkundur dhe të pathyeshëm në sfidat e kohës nëpër të cilën kaloi populli ynë në këto tri dekadat e fundit.
Krijuesit dhe gazetarët në diasporë, të vërtetën e thonë lakuriq ashtu siq është, të pakamufluar, të pazbukuruar dhe të pacenzuruar nga politikat redaktuese.
Lum ai gazetar që arrinë ta ruaj pavarësinë shpirtërore dhe paanësinë partiake. Futja e shpirtit të një gazetari apo krijuesi nën grilat e pushtetarëve, apo hyrja nën kthetrat partiake është pak më tepër se vetvrasje, është ngulfatje e shpirtit për së gjalli!
Në pyetjen, se a kemi gazetari të pavarur në Kosovë apo jo?!, u mbetët lexuesve ta thonë fjalën e tyre të lirë, nga brendia e zemrës dhe thellësia e shpirtit.

AAK: Nuk e dimë pse Nulandi s’e takoi opozitën

Zyrtarët e AAKsë nuk kanë asnjë një informacion se pse zyrtarja amerikane, Victoria Nuland s’e takoi Ramush Haradinajn. Mirëpo, thonë se është shenjë e mirë se ajo kërkoi luftë kundër krimit e korrupsionit. Pavarësisht premtimit të Kryeministrit Isa Mustafa se do ta çojnë përpara demarkacionin, AAK thotë se kështu siç është s’do të ketë ratifikim të vijës kufitare me malazezët.

Nënkryetari i AAKsë, Ahmet Isufi, ka thënë për Express se s’e nuk e di pse Ndihmës Sekretarja Amerikane, Vicotria Nuland s’e takoi Ramush Haradinajn, Visar Ymerin e Fatmir Limajn.

Isufi ka thënë se me rëndësi ishte që Nuland në takimet me zyrtarët e lartë kishte kërkesa të qarta për luftë kundër krimit e korrupsionit.

“Nuk kemi ndonjë informatë (pse nuk pati takim me Haradinajn), por, është me rëndësi shumë përkrahja e SHBA’së për stabilitet në Kosovë dhe Ballkan. Është e sigurt se në takimet e Nuland me zyrtarët e Kosovës krye temë ishte lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit që i është bërë edhe vërejtje Qeverisë”, ka thënë Isufi.

Nuland: Demarkacioni i rëndësishëm për perspektivën eurointegruese të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Mustafa, priti në takim zëvendës- sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, ku diskutuan për zhvillimet në Kosovë

PRISHTINË- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim zëvendës- sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, ku diskutuan për zhvillimet në Kosovë, për bashkëpunimin dhe përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën.

Në një njoftim nga zyra e kryeministrit thuhet se në takim Mustafa njoftoi Nuland për përkushtimin e institucioneve të Kosovës dhe progresin e arritur në proceset eurointegruese, në zhvillimin ekonomik dhe në fuqizimin e shtetit ligjor.

Duke folur drejt së ardhmes euro-atlantike të Kosovës, kryeministri Mustafa u shpreh se së bashku me përkrahjen e SHBA-ve, do të adresojnë çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, për ta hapur udhën e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së.

Mustafa, gjithashtu shprehu interesimin që të punohet në riformatimin e Qeverisë, ku përfshihet zvogëlimi i kabinetit, pjesëmarrja e njerëzve të rinj si dhe rritja e efikasitetit dhe të përshpejtimit të proceseve reformuese.

Ndërkohë, zëvendës- sekretarja Nuland, duke përcjellë përshëndetjet e presidentit Obama nga Samiti Varshavës, shprehu përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për proceset në Kosovë.

Nuland bëri të ditur se zgjidhja e çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektivës eurointegruese të Kosovës.

Duke vlerësuar progresin e arritur në zhvillimin ekonomik dhe në luftën kundër terrorizmit, Nuland shprehu përkrahjen edhe për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, si dhe inkurajoi që të vazhdohet me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në takim të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, zëvendës asistenti i sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Michael Carpenter si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.

Nulandi takohet me Thaçin, Mustafën, Veselin, Stojanoviçin

Victoria Nuland (majtas) dhe Hashim Thaçi (djathtas)

Në kuadër të një vizite zyrtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, ka qëndruar të dielën në Prishtinë, ku është takuar, veç e veç, me drejtuesit e institucioneve më të larta të shtetit të Kosovës.

Në takime të ndara, Nuland është pritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, si dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, nga radhët e komunitetit serb, Branimir Stojanoviq.

Siç është thënë më herët në një njoftim të Departamentit Amerikan të Shtetit, qëllimi i vizitës së ndihmëssekretares Nuland në Kosovë dhe i takimit me krerët institucionalë të vendit, është diskutimi lidhur me përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për procesin e integrimeve evropiane dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në komunikatat për medie, të lëshuara nga institucionet e larta të vendit, thuhet se ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Nuland, ua ka përcjellë udhëheqësve institucionalë të Kosovës përshëndetjet e presidentit amerikan, Barak Obama, nga Samiti i Varshavës, si dhe të zëvendëspresidentit Joe Biden.

“Ishim bashkë me presidentin Obama në Varshavë dhe presidenti ju dërgon përshëndetjet e tij, sikur edhe zëvendëspresidenti Joe Biden, i cili mirëpret përparimin në hapat e rëndësishëm që duhet të ndërmarrë Kosova në muajt në vijim”, ka thënë Nuland në takimin me presidentin Thaçi, thuhet në komunikatën për medie të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në këtë komunikatë, gjithashtu theksohet se Nuland ka përshëndetur arritjet e Kosovës, veçanërisht në luftimin e korrupsionit, porse ka theksuar nevojën që të bëhet edhe më shumë në këtë drejtim.

Ajo, gjithashtu, ka theksuar se vëmendja e BE-së është zhvendosur nga rajoni i Ballkanit, ndërsa SHBA-të në vjeshtë do të jenë të përqendruara në zgjedhjet presidenciale dhe se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet që vetë të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konsolidimin e shteteve të tyre, por edhe të marrëdhënieve të tyre.

“Është mirë që Kosova të bëjë hapat e nevojshëm para vjeshtës dhe kështu të ruajë momentumin e zhvillimeve pozitive”, citohet të ketë thënë Nuland, sipas komunikatës së Presidencës së Kosovës.

Po ashtu, në komunikatë thuhet se presidenti Thaçi, e ka njoftuar ndihmëssekretaren amerikane të Shtetit, Nuland, për prioritetet e tij, dhe“promovimin e dekriminalizimit të skenës politike në Kosovë”, si dhe instalimin e praktikave “që personat e dënuar apo të akuzuar, të heqin dorë nga postet dhe detyrat politike në vend”.

“Kemi iniciuar plotësimin e Kodit Penal. Deri në vjeshtë do të kemi hapa konkretë në këtë drejtim”, ka thënë presidenti Thaçi dhe ka shtuar se“nuk do të lejohet që askush t’i ikë drejtësisë”.

Në komunikatë thuhet se presidenti Thaçi, po ashtu, ka thënë se Kosova i promovon marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke përfshirë edhe Serbinë, por se të dyja palët duhet t’i z batojnë marrëveshjet e arritura deri më tash.

“Është koha për një kualitet të ri në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do të sjell pajtim dhe marrëdhënie fqinjësie më të mira dhe më bashkëpunuese”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në takimin e Thaçit me Nuland është folur edhe për fushën e sigurisë dhe përkushtimin e Kosovës në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, por edhe në përmbylljen e procesit të ndërtimit të arkitekturës së sigurisë, përfshirë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Nuland është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.

Nëpërmjet një komunikate për medie, është thënë se Nuland ka shprehur mbështetjen e fuqishme të Qeverisë amerikane për Kosovën në ecjen e saj përpara për forcimin e sundimit të ligjit, të sistemit të drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar.

Veseli ka shprehur “përkushtimin e tërësishëm në agjendën e forcimit të shtetit ligjor në Kosovë, si dhe në reformat e domosdoshme institucionale, që kanë të bëjnë me agjendën euro-atlantike të vendit”, thuhet në komunikatën për medie të Kuvendit të Kosovës.

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Nuland, në takimin me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ka diskutuarpër zhvillimet në Kosovë, për bashkëpunimin dhe përkrahjen e mëtejme të SHBA-së për Kosovën.

Në një komunikatë për medie nga zyra e kryeministrit të Kosovës, thuhet se: “kryeministri Mustafa ka folur për proceset aktuale dhe për përkushtimin e institucioneve të Kosovës në adresimin e çështjeve të rëndësishme që lidhen me të ardhmen euroatlantike të Kosovës”.

“Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa ka theksuar se institucionet e Kosovës, duke u bazuar edhe në përkrahjen e ofruar nga SHBA-ja, do të adresojnë çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke i hapur udhë lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në vendet e BE-së”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

Po ashtu, sipas kësaj komunikate, Nuland “ka theksuar rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives euro-integruese të Kosovës”.

Nuland, gjithashtu, vlerësoi reformat e ndërmarra në zhvillimin ekonomik, në luftën kundër terrorizmit, si dhe shprehu përkrahjen për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, si dhe ka inkurajuar vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit me takimet në Prishtinë, ka nisur vizitën e saj në rajonin e Ballkanit dhe gjatë ditës do të udhëtojë për në Tiranë, dhe më 11 korrik do të vazhdojë vizitat edhe në Beograd e Shkup.

Vizita e ndihmëssekretares Nuland në rajonin e Ballkanit bëhet për t’u dhënë mbështetje proceseve integruese dhe në veçanti bashkëpunimit rajonal, në kohën kur problemet e brendshme të pothuajse secilit shtet veç e veç, kanë ndikuar mbi këtë proces.

Maloku: Mustafa e pranoi se demarkacioni është pazar, jo çështje hartash e shkence

Isa Mustafa, një ditë më parë, tha se demarkacioni me Malin e Zi nuk është çështje shkence por çështje politike.

Tha se është duke u bërë zhurmë e panevojshme për të krijuar opinion negativ për Qeverinë.

Por, ish-deputeti Naim Maloku ka thënë se komentet e Kryeministrit konfirmojnë se shënimi i vijës kufitare me malazezët ishte çështje pazari e jo diçka tjetër.

“Dhe me ne fund Kryeministri e pranoi publikisht qe: caktimi i vijes kufitare s’ka te beje me harta, matje apo fakte tjera…PUNE PAZARI ESHTE”, ka shkruar Maloku

Mustafa i trembet Haradinajt: Mos më kërcëno!

Isa Mustafa ka lënë të kuptohet se ai e ka marrë si kërcenim letrën publike që deputeti i AAK­së ia drejtoi atij dhe Presidentit Hashim Thaçi

Në një përgjigje të tij, kryeministri Isa Mustafa thotë se Haradinaj po do ta marrë në dorë ligjin me kanun për të përcaktuar tradhtarët. Ai i është kundërpërgjigjur deputetit, me siç thotë ai, argumente për demarkacionin. Kjo është përgjigja e plotë e Isa Mustafës ndaj Daut Haradinajt: Sot e lexova një ultimatum të deputetit Daut Haradinaj në “letrën e tij publike” që mos ti bëjë tradhti vendit me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Deputeti Haradinaj e paska marrë në dorë ligjin (apo kanunin) për të caktuar se kush dhe për çfarë është tradhtar, duke parashikuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Qeveria do t’ia prezantoj Kuvendit Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, sipas argumenteve të Komisionit shtetëror. Z. Haradinaj, në vend të kërcënimeve do të ishte e rrugës t’ia prezantoj Kuvendit argumentet se cila tokë që është administruar nga Kosova përfundimisht më 31 dhjetor të vitit 1988 iu paska dhënë Malit të Zi. Unë do tu gëzohesha argumenteve të tilla. Por, deri sot, përveç manipulimeve me harta topografike e ushtarake, në periudha kohore të cilat nuk i përkasin kohës dhe rrethanave të shpalljes së pavarësisë, si dhe kërcënimeve dhe denigrimeve, asnjë argument nuk është ofruar as nga ata që e pollën këtë kauzë të humbjes së 8,000 hektarëve e as nga ata që po i thonë vetes specialist dhe që janë vënë në shërbim të kësaj kauze dhe të politikës populliste. Z . Haradinaj duhet tu tregoj qytetarëve të Kosovës, pse grupi parlamentar i AAK­së votoi Ligjin për Shpalljen e Bjeshkëve të Nemuna zonë të mbrojtur në po këta kufij me Malin e Zi. Duhet tu tregoj qytetarëve pse Plani Hapësinor I Kosovës, i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës ( i nënshkruar nga Kryetari i mëparshëm i Kuvendit) është në po këta kufij. Tu tregoj qytetarëve se pse Ligji për kufijtë Komunal i aprovuar në vitin 2012 ( i nënshkruar nga kryetari i mëparshëm i Kuvendit) është në këta kufij. Tu tregoj qytetarëve të Pejës, pse Plani Zhvillimor Komunal i Pejës, që është drejtuar nga AAK, është në këta kufij. Të më tregoj edhe mua si qytetar i këtij vendi. Argumentet nuk zëvendësohen me trimëri dhe as me kërcënime. Kur nuk ka argumente, trimëria shndërrohet në ligësi.

Kozmologia Laura Mersini-Houghton mysafire e Doku – Tech

Në një kumtesë për DOKU:TECH thotë se mirëpret Laura Mersini-Houghton, kozmologen shqiptaro-amerikane

Ajo, me këtë rast, do të prezantojë teorinë e saj mbi Multiuniversin- teoria e pakrahasueshme e universit tonë si univers paralel me shumë të tjerë.

Laura Mersini-Hougton është kozmologe dhe fizikante teorike, profesoreshë e asociuar në Universitetin e North Carolina në Chapell Hill. Ajo është mbështetëse e teorisë së multiverseve, e cila thotë se universi ynë është vetëm një nga shumë të tjerë që na rrethojnë.

Ajo ka argumentuar se anomalitë strukturale në universin tonë më së miri shpjegohen nga tërheqjet gravitacionale të ushtruara nga universet tjera. Mersini-Houghton kreu bacherlorin e saj në Universitetin e Tiranës, Shqipëri, dhe masterin në Univerzitetin e Maryland. Ajo u doktorua në vitin 2000 në Univerzitetin e Wisconsin-Milwaukee.

Në arat e Gjilanit nisën korrjeshirjet, priten rendimente rekorde

Gjilan, 8 korrik – Komuna e Gjilanit ka nisur zyrtarisht të premten fushatën e korrje-shirjeve.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, në hapjen zyrtare, ka thënë se këtë vit presin rendimente rekorde.

“Sot po fillojmë fushatën e lamëve në komunën tonë dhe jo rastësisht e kemi zgjedhur ta hapim në tokat e bukës në Cernicë, që është simbolika e bereqetit për këtë vit në Gjilan dhe Anamoravë. Sipas njoftimeve profesionale nga Drejtoria e Bujqësisë, sivjet presim rendimente rekorde. Pas korrje-shirjeve duhet të bëhemi gati për mbjelljet vjeshtore, që nënkupton korrjen e misrit, por edhe përgatitjet për mbjelljet sezonale”, është shprehur kryetari Haziri.

Ai tha se synim i Komunës së Gjilanit është që toka e bukës të shfrytëzohet maksimalisht, në mënyrë që të mos mbetet asnjë pëllëmbë toke pa u punuar.

“Në Gjilan po synojmë që asnjë pëllëmbë toke të mos e lëmë pa e mbjellë. Po punojmë shumë që, përveç grurit dhe kulturave tjera, në Gjilan të kthehet kultivimi i duhanit dhe jemi gati që t’i subvencionojmë bujqit qind për qind. Synimi yni është që toka e bukës të shfrytëzohet maksimalisht dhe i lus familjet bujqësore dhe pronarët e tokave që vërtetë të përgatiten këtë vjeshtë për punë. Me bereqetin e këtij viti, besoj që edhe sofra do të jetë e begatshme. Urime”, tha Haziri.

Drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramdani, ka informuar se në këtë vit janë të mbjella 3 mijë hektarë grurë.

“Sot, pas vlerësimit se janë krijuar të gjitha kushtet dhe është bërë pjekja teknologjike e grurin, e fillojmë zyrtarisht fushatën. Komisioni komunal nga sot e deri në përmbyllje të fushatës do të jetë në monitorim intenziv. Këtë vit i kemi 3 mijë hektarë të mbjellura me grurë, 100 hektarë me elb dhe 130 hektarë me tërshërë. Në komunën e Gjilanit janë 68 kombanja dhe për dy javë besoj se do ta përfundojmë fushatën e korrje-shirjeve”, ka thënë Ramadani.

Për fund, kryetari Haziri dhe drejtori Ramadani kanë apeluar bujqit që të jenë të kujdesshëm gjatë fushatës dhe të mos i ndezin hamulloret.

Gërmime për varrezë masive në kampusin e Universitetit të Prishtinës

Në kampusin universitar të Universitetit të Prishtinës të mërkurën e ardhshme do të fillojnë gërmimet për varrezë masive. Gërmimet janë parashikuar të zgjasin dy ditë.

Drejtori i Departamentit për Mjekësi Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka thënë se javën e ardhshme në kampusin universitar, përkatësisht afër kishës ortodokse do të fillojnë gërmimet vlerësuese për varrezë masive.

Gërmimet vijnë pas informatave të dy qytetarëve të ndryshëm që thonë se gjatë vitit 1999 kanë parë forcat serbe duke gërmuar në këtë lokacion.

Ndërkaq koordinatori i Komisionit qeveritar për Persona të zhdukur Kushtrim Gara, sipas rtk-së, ka thënë se me kërkesë të këtij Komisioni dhe familjarëve të të pagjeturve Prokuroria Speciale ka lëshuar po ashtu urdhëresë duke autorizuar gërmimet.

Arbana Xharra: Alma Lama a po të vjen turp ta shesësh votën për një pozitë???

VOAL – Gazetarja e njohur Arbana Xharra i ka kushtuar këtë status në faqen e saj në facebook gjestit të Alma Lamës, ish deputete e Vetëvendosjes, tani deputete e LDK-së, e cila votoi për të zgjedhur Hsshim Thaçin president në shkëmbim të postit të ambasadores në Itali. Ja statusi i plotë i gazetares Xharra:

Alma Lama a po te vjen turp ta shesesh voten per nje pozite??? Deri ketu paska ra pazari??? Ku mbeti gjithe ajo zhurme e moral politik qe me vite na ke shitur. Me befasoj lajmi kur lexova se ti ke rene ne kete nivel, e aq me shume kur tash po kujtoj gjithe ate perpjekje qe ke bere gjeja per te miren e ketij vendi. Te gjitha kauzat tuaja, pasken qene per nje post diplomatik!

Kuvendi i Kosovës nuk e miraton Demarkacionin

Përderisa ekzistojnë dilemat, dyshimet ose edhe argumentet se Kosova mund të humbë territor me marrëveshjen e demarkacionit me Malin Zi, Kuvendi i Kosovës nuk do të mund ta ratifikojë këtë marrëveshje, thonë përfaqësues të pushtetit dhe opozitës në Kuvendit të Kosovës.

Kyqëndrim i tyre vjen, përkundër paralajmërimeve nga raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, së në rast se Kuvendi i Kosovës nuk e ratifikon marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi para pushimit të verës, “do të mund të rrezikojë votën në Parlamentin Evropian dhe të shtyjë gjithë procesin”.

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo brenda koalicionit qeverisës në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka cilësuar problematike çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, për faktin se lidhur me këtë çështje janë krijuar dy “të vërteta”, ajo e Qeverisë së Kosovës dhe ajo e partive opozitare.

Sipas tij, lidhur me këto përplasje do të duhej të kishte një ballafaqim argumentesh ndërmjet pushtetit dhe opozitës në institucione, në komisionet parlamentare, në Kuvendin e Kosovës, si dhe me specialistët nëpër komisione të ndryshme, por kjo nuk po ndodhë.

“Jemi të bombarduar nga informatat, nga kërkesat, por edhe nga opinionistët, që nuk bën për ta votuar. Në anën tjetër, kemi të vërtetën e qeverisë, që thotë ‘gjithçka është në rregull’. Hajde tash që këto dy të vërteta, të vërtetën e kundërshtarëve dhe të vërtetën e qeverisë, t’i ballafaqojmë me një debat në parlament dhe të vendosim. Në qoftë se nuk bëhet kështu, atëherë unë besoj që nuk mund të bëhen votat, sepse njerëzit nuk duan që të mbesin dhe të etiketohen në mënyra të ndryshme nga elektorati, nga qytetarët dhe në fund të fundit edhe nga familjarët e vet”, thotë Haliti.

Haliti, po ashtu, ka shprehur mendimin se do të ishte e rrugës që opozita të ndërmarrë një nismë për një ballafaqim të tillë në Kuvendin e Kosovës.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës, kanë mbetur të betonuar në pozicionin e tyre kundërshtues ndaj marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Daut Haradinaj, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo parti ka hequr dorë nga pjesëmarrja në seancat e Kuvendit të Kosovës dhe se deputetët nuk do të kthehen në Kuvend.

“Jo vetëm që nuk do të jetë në Kuvend, por unë jam i bindur që AAK, unë personalisht, por edhe krejt njerëzit e Kosovës kanë për ta kundërshtuar, sepse Kosova nuk ka çka të humbë më shumë. Bile, ne i kemi thënë Malit të Zi, ‘mos na shtini që t’i hapim letrat e vjetra, sepse ne i lypim pastaj Ulqinin, Tivarin, Hotin, Grudën, Plavën dhe Gusinë”.

“Ne kemi lypur vetëm Çakorrin dhe Kullën e Zhlebit. Për këtë arsye, ne mendojmë që kufiri duhet të kthehet aty ku ka qenë dhe ne nuk duam që të kthehemi më tutje me hartat e vjetra. Por, nëse dikush pretendon ta prekë kufirin, atëherë kufiri do të kthehet aty ku ka qenë dhe do të kthehemi në historinë e vitit 1913”, tha Haradinaj.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, drejtuar qytetarëve të vendit, ka thënë se kriteri, cili do ta hapë rrugën për liberalizim të vizave për Kosovën, “duhet të plotësohet nga qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në ditët e ardhshme”.

Ai ka ftuar “të gjitha partitë parlamentare që kjo e arritur evropiane t’i bashkojë dhe të ratifikohet marrëveshja”.

Por, nënkryetari i Kuvendit, Haliti, shpreh mendimin se në rast se nuk ratifikohet marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, përgjegjësinë do ta bartin të dyja palët, qeveria dhe opozita.

“Përgjegjësia është e të dyja palëve. Por, fundja, unë nuk e besoj që është më i rëndësishëm liberalizimi i vizave se sa saktësimi i kufijve. Ne duhet, së pari, të punojmë për interesa të Kosovës dhe interesat e Kosovës janë integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës”.

Ndërkaq, Haradinaj thekson se AAK, si pjesë e opozitës është e gatshme ta pranojë pjesën e saj të përgjegjësisë në rast se procesi për marrjen e liberalizimit të vizave zvarritet ose edhe dështon, për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

“Jo vetëm që është e pranueshme, por është zgjedhje e AAK. Ne jemi munduar tash e dy vjet që ta sensibilizojmë presidenten, kryeministrin, ministrin e jashtëm dhe tash president, që t’i vetëdijesojmë se ku ka qenë problemi. Por, meqenëse ata e kanë injoruar një fakt, atëherë tashmë ai është bërë edhe si kusht”.

“Por, unë do t’i kisha bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe t’i thuhet ‘vëni kushte edhe për Kroacinë dhe Slloveninë, se akoma nuk e kanë bërë kufirin dhe u keni dhënë të drejtën për të qenë anëtare të BE-së’. Pse duhet Kosova ta ketë një kusht të tillë? Unë nuk e di. Megjithatë, Kosova nuk ka territor për ta humbur dhe ky është një qëndrim publik, jo vetëm i AAK-së, por mendoj edhe i qytetarëve të Kosovës”, tha Haradinaj.

Mosratifikimi deri më tash i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës, ka qenë shkak që, të martën, me 5 korrik, Fajon, mori vendimpër shtyrjen e votimit për vizat për Kosovën në Komitetin LIBE (Komiteti për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme) të Parlamentit Evropian, për datën 5 shtator, në vend të gjysmës së korrikut, siç ishte paraparë.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës, ende nuk e ka proceduar marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës.(REL)

Fajoni: Ratifikimi i demarkacionit para verës, ndryshe humbet shansi

Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, i tha Radios Evropa e Lirë se “nëse Kuvendi i Kosovës nuk e bën ratifikimin e marrëveshjes para pushimeve të verës, do të mund të rrezikojë votën në Parlamentin Evropian dhe të shtyjë gjithë procesin”.

Ajo tha se qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për obligimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, që do të mundësonte hapjen e procesit të liberalizimit të vizave. Fajon, që mori vendimin për shtyrjen e votimit në komitetin LIBE deri më 5 shtator, në vend të 12 Korrikut, siç ishte paraparë, tha se përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme evropiane janë të qartë se “pa përmbushjen e kushtit për demarkacion nuk mund të arrihet shumica e votave në Parlamentin Evropian”.

Raportuesja e PE-së për liberalizim të vizave, Tanja Fajon, në vendimin e saj për shtyrje të votimit në Komisionin për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, tha se “është e detyruar ta bëjë për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në përmbushjen e kriterit të fundit”.

Fajon u bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë që të përmbushin kushtet, përmes ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes së demarkacionit, “përpara pushimeve të verës”.

“Nëse duam që të kemi një zë të fuqishëm dhe një porosi të fortë në Parlamentin Evropian, atëherë duhet të ratifikohet kjo marrëveshje. Kam pyetur Komisionin dhe të gjitha institucionet e tjera për kushtet që i janë vënë Kosovës. Ju e dini se jam ithtare e liberalizimit, por fakti dhe realiteti janë se këto vende dhe Komisioni po kërkojnë përmbushjen e këtij kriteri, dhe vetëm kështu mundësohet liberalizimi. Nëse Kuvendi këtë e bën pas pushimeve të verës në Kosovë, kjo do të mund të rrezikojë votën në Parlamentin Evropian dhe të shtyjë gjithë këtë çështje. Nuk dua që kjo të ndodh dhe nuk dua që të humbim kohë”, tha Fajon.

Ajo tha se të gjitha proceset e liberalizimit të vizave kanë kaluar nëpër një rrugë të vështirë dhe se zyrtarët evropianë dhe përfaqësuesit e qeverive të vendosur se “pa përmbushjen e këtij kushti është e pamundur që të merret liberalizimi i vizave”.

“Shpresa ime më e madhe tani është që Kuvendi I Kosovës ta kryej këtë sa më shpejtë dhe unë do të bëjë çdo gjë të mundur që të bëhet votimi në Parlamentin Evropian në shtator”, tha Fajon.

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, e arritur vitin e kaluar, nuk është futur në rend dite në Kuvendin e Kosovës për ratifikim, për shkak të kundërshtimeve të fuqishme të opozitës që përdori edhe gazin lotsjellës për të pamundësuar këtë gjë.

Opozita ka theksuar se me marrëveshjen Kosova humb një pjesë të territorit të saj. Qeveria ndërkaq ende nuk e ka vendosur nëse do të procedojë marrëveshjen në Kuvend, përkundër kundërshtimeve të forta. (REL)

Kosovë: Shkatërrohen mijëra armë të vogla dhe të lehta

Pamje nga një shkatërrim i mëparshëm i armëve në Kosovë

Ministria e punëve të brendshme e Kosovës ka njoftuar se nesër do të shkatërrohen 2382 armë të vogla dhe të lehta.

Në këtë mënyrë, me mbështetjen e Zyrës së jashtme gjermane dhe Programit për zhvillim të OKB-së, Kosova e shënon Ditën Ndërkombëtare të shkatërrimit të armëve të vogla.

Këto armë janë konfiskuar nga Policia e Kosovës gjatë punës së saj në hetimin e krimeve.

Fajon: Shtyhet për shtator votimi i liberalizimit për Kosovën

Tanja Fajon

Anëtarja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, ka thënë se shtyhet votimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Është shtyrë votimi për udhëtim të lirë pa viza për Kosovën për shtator. Votimi, në masë të madhe, varet nga ratifikimi i marrëveshjes kufitare me Main e Zi”, ka shkruar evrodeputetja, Tanja Fajon, në një postim në rrjetin Twitter.

Aktualisht, nuk është e qartë se kur do të mund të të ratifikohej Marrëveshja për demarkacionin e vijës kufitare me Malin e Zi, në Kuvendin e Kosovës, meqë ajo kundërshtohet nga partitë opozitare.

Po ashtu, kundër kësaj marrëveshjeje janë shprehur edhe disa anëtarë të Kuvendit të Kosovës nga partitë e koalicionit qeverisës, LDK dhe PDK.

Naim Tërnava: Trojet tona duhet t’i ruajmë si sytë e ballit

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pas faljes së namazit të Bajramit të Madh, në mesazhin e tij drejtuar besimtareve, ka thënë që ta duan më shumë Kosovën, dhe të kujdesën për vendin e tyre, për të cilin u dha shumë gjak.

Tërnava duke përmendur rastet e tmerrshme që po terrorizojnë botën, sipas tij këto janë akte barbarë dhe larg çdo tolerance e mësimi që na ka dhënë Kurani.

“Islami është kundër çdo vrasje e terrori ndaj çdo natyre nëpër botë. Kjo që po ndodh nuk është asgjë nga Islami”, ka thënë ai.

Tërnava po ashtu  tha se duhet ruajtur e kujtuar sakrifica e të gjithë atyre që dhanë jetën për Kosovën./Zeri/

Nis Festa e Bajramit të Madh – në Kosovë pak solidaritet

Qytetarë myslimanë të Kosovës duke pritur para një tende, për të qenë pjesë e një iftari pa pagesë, gjatë muajit të Ramazanit ( Prishtinë, 2013)

Solidariteti ndërmjet njerëzve në Kosovë ka filluar të zbehet për shkak të kushteve ekonomike e sociale që e karakterizojnë shoqërinë në Kosovë, ka deklaruar profesori i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, Xhabir Hamiti, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.

Profesor Hamiti ka folur në ditën e kremtimit të Fitër Bajramit, një prej festave më të rëndësishme të besimit islam, që pason muajin e shenjtë të Ramazanit, kur besimtarët agjërojnë 30 ditë.

Profesor Hamiti thotë se kushtet e vështira ekonomike që po e përcjellin popullin e Kosovës, në përgjithësi, e kanë zbehur njërën nga karakteristikat që e veçojnë festën e Fiter Bajramit, solidaritetin ndërmjet njerëzve.

“Si popull shqiptar, pa dallim feje, jemi shquar për solidarizimin me të tjerët. Mendoj që akoma një cilësi e tillë vazhdon t’i shoqërojë shqiptarët, por besoj që ka një zbehje, duke pasur parasysh edhe kushte e rëndë ekonomike dhe sociale të cilat po mbretërojnë në trojet tona. Shkalla e solidarizimit është akoma e gjallë në shpirtrat e njerëzve dhe uroj që kjo të vazhdojë edhe më tutje. Ne në fakt kërkohemi që të jemi gjithmonë në shërbim të tjetrit”, thekson Hamiti.

Kosova është njëra nga vendet me ekonominë më të pa zhvilluar në rajon dhe një pjesë e madhe e qytetarëve jetojnë në kushte të rënda ekonomike dhe sociale.

Numri i familjeve të cilat jetojnë në varfëri e të cilat marrin asistencë sociale është mbi 25 mijë, me mbi 100 mijë anëtarë.

Disa prej familjeve të cilat jetojnë në kushte të vështira ekonomike, për festën e Fiter Bajramit, ndërkohë janë ndihmuar nga qytetarë dhe kompani të ndryshme tregtare në Kosovë.

Një zëdhënës i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se janë mbi 15 mijë familje të cilat janë ndihmuar nga donatorët e ndryshëm.

“Muaji i Ramazanit është edhe muaji i solidaritetit, muaji i ndihmave të ndryshme. Kur jemi tek çështja e solidaritetit mund të konstatojmë se në këto ditë të vështira të popullit të Kosovës, kur kihet parasysh niveli i lartë i papunësisë dhe kemi një shtresë bukur të madhe të popullit që kanë nevojë për ndihmë, kjo dukuri e solidaritetit ka qenë prezent sidomos në këtë vit, në këtë Ramazan ka qenë shumë e theksuar”, thekson Sadriu.

Ndërkohë, Ardita, një qytetare nga Prishtina, thotë se Festa e Bajramit në familjen e saj ka rëndësi të veçantë, por shton se përgatit edhe një numër paketash për familjet në nevojë.

“Festa e Fiter Bajramit në familjen tonë është mjaft e rëndësishme. Në këtë ditë ushqimet janë nga më të ndryshimet dhe që bëhen enkas për këtë festë. Pastaj fillojnë vizitat që iu bëhen familjarëve dhe miqve. Po ashtu, ajo çka veçohet janë pakot ushqimore që ne i shpërndajmë tek dy apo tre familje që jetojnë në kushte jo të mira ekonomike”, tregon ajo

Myslimanët kudo në botë, pas një muaji agjërimi, i kthehen përditshmërisë së tyre të natyrshme, jetës ditore, orarit natyral ditor, thotë profesori Xhabir Hamiti.

Profesori Hamiti për Radion Evropa e Lirë flet për rëndësinë dhe domethënien e festës së Fiter Bajramit .

“Festa e Bajramit, ndryshe e njohur si Eid al-Fitr në gjuhën arabe, dhe Bajram në gjuhën që ne e kemi përdorur shekuj me radhë, janë dy terme të cilat nuk janë të gjuhës shqipe. Eid al-Fitr do të thotë kthim në natyrshmëri, ndërsa Bajram është fjalë persiane që e ka kuptimin e solemnitetit. Myslimanët kudo në botë, pas një muaji agjërimi, i kthehen përditshmërisë së tyre të natyrshme, jetës ditore, orarit natyral ditor, dhe të bashkuar falen dhe luten për ditë më të mira dhe për një të ardhme më të mirë të tyre”, thekson Hamiti.

Si çdo festë tjetër, edhe festën e Fitër Bajramit, sipas Hamitit, e karakterizon gëzimi, si dhe përkushtimi ndaj Zotit, por, po ashtu, sipas tij, ka edhe aspektin tjetër të socializmit me njerëz, vizitave të ndërsjella familjare dhe fqinjësore, të cilat, siç thotë ai, e rrisin dashurinë dhe paqen mes njerëzve.

Besimtarët myslimanë në Kosovë, sipas profesor Hamiti, janë duke e kremtuar në mënyrë më aktive festën e Fiter Bajramit.

“Të gjithë familjaret e besimit islam në Kosovë dhe ne trojet tona shqiptare këtë festë në veçanti e presin me padurim…edhe mërgimtarët të cilët punojnë në vende të ndryshme të botës, të paktën këtë datë, e shënojnë në orarin e tyre që të kthehen në familjet e tyre që të festojnë dhe nuk shoh një zbehje, por një përkushtim që vazhdon të mbahet dhe të festohet ashtu siç është më së miri”, thotë Hamiti. (REL)

Nuk kemi liderë, por kemi shumë udhëheqës politik të rrejshem – Vështrim nga Skënder MULLIQI

Me secilin njeri që takohesh temë e pashmangshme është  politika. Sikur të kishin shumica një vend të punës, sigurisht së tema e politikës  do të kishte mbeturn temë sporadike. Por , në këtë vendin tonë të mbërthyer më plotë probleme të natyrës ekonomike dhe të natyrës politike, komentimet lidhur më punën e kësaj klase politike në pushtet  janë  bërë të pashmangshme.Në bisedë e siper njerëzit nga mllefi i akumuluar sepse po jetojnë keq nuk hezitojnë ta dergojnë aty ku nuk duhet jetën që po e bëjnë , dhe çdo gjë  tjetër  bashkë më këta politikanë  .Të gjithë pajtohen së këta qeveritarë dhe këta  parlamentarë  nuk  po kan dijeni , e po gjejnë arsyetime banale. Kuptohet këta udhëheqës politik po e ‘ blejnë “ kohën për të mbetur sa më gjatë në pushtet.  Shekulli në të cilin sa po kemi hy kërkon njerëz  të guximishem , njerëz të cilët kan predispozita për ndryshime pozitive , të cilët do të  na bëjnë më kuptu së do të kemi një të ardhme të ndritur. Këta po tregohen guximtarë vëtem atëherë kur u bjen mirë për vete. Është iluzore që të presim diqka të hajrit nga ata që rastësisht kan hy në profesionin e politikës, ose kan hy më qëllime djallëzore, për  ta shfrytëzuar pasurinë e popullit dhe djersën e tij. Kjo qeveri sikurse ato paraprakët po punojnë ad hok, pa ndonjë projekt afatgjatë qeveritarë, pa planifikuar ama bash asgjë që do të kishte sjellur ndonjë ndryshim pozitiv të gjendjës .Vendimet politike të kësaj garniture pushtetare po janë të pa menduara mirë, e të cilat vendime po na sjellin  humbje të territoreve rreth e për qark Kosovës. Gjithnjë  po gjejnë arsyetime banale së kështu i kan sygjeruar miqët  ndërkombëtar, e mvarësi të tjera politike. Sigurisht së ka mundësi të ndodhë edhe varianti i parë edhe variant i dytë, sepse këta e kanë të zënë ‘bishtin” më derë . Kanë keqpërdorë aq shumë pozitat pushtetare sa as vet nuk dinë se cilin    keqpërdorim e kan  më të madh  së tjetrin. Kur këta  si pushtetarë bëhën pjesë e kriminaliteteve të ndryshme , nuk ka  mundësi të luftohën dukurit negative .    Rregullat e lojës dhe të suksesit në politikë i përcaktojnë  njerëzit e guximshem dhe njerëzit të cilët dojnë dhe dijnë të punojnë pa hile. Të guximshmive , u prinë edhe fati.  Guximi dhe kreativiteti në politikë , por edhe në jetë shpaguhen. Nuk na duhen ata që rrahin gjoksin për heronjë,  por kemi nevojë   për njerëz të cilët  teorinë e lidhin mirë më praktikën . Njerëzit e profilit  të tillë po na mungojnë edhe në krye të subjekteve  politike.Opinioni është merzitur nga banalitetet e kësaj kaste politike,e cila po merret më gjëra sporadike , me llafe të kota , më retorikë boshe politike , që për synim kanë edhe zhvendosjën  e vëmendjës   nga problemet e shumta të cilat  kërkojnë zgjedhje .Kjo strukturë politike në pushtet , politikën si profesion fisnik  , edhe ekonominë po i shohin  si marketing.  Po bëjnë përpjekje të fshehën pas njeri- tjetrit, po i bëjnë akuza të rënda  njeri- tjetrit duke filluar nga pozitat që i kan deri të akuzat për vrasje, për  keqpërdorime gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj,  deri të keqpërdorimet e dy fondeve të luftës. Të gjitha këto natyrisht po bëhën kur pritet të nisë punën Gjykata Speciale , të cilën gjykatë e prunë vet të dera e shtëpisë. E kan pru Gjykatën Speciale  sepse nuk kan lënë hapësirë që të funksionojnë  si duhet organet tona  të drejtësisë  .  Është turpi jonë  që po lejohen grupimet e tilla të interesit të  na manipulojnë .Po vazhdojnë të na sundojnë në mënyrë komode, pa drojë së do tu rrezikohet pushteti apsolut të cilin e kan instaluar.Nuk kemi liderë ,  por kemi shumë  udhëheqës politikë  të rrejshem,..

Kosova dhe SHBA mbesin partnerë strategjikë

Dita e Pavarësisë së SHBA-së është njëkohësisht edhe festë për shqiptarët në Kosovë. Po aq sa edhe pavarësia e vendit, 4 Korriku – Dita e Pavarësisë së SHBA-së – për qytetarët e Kosovës shënon një kremtim të veçantë.

Në këtë Ditë në Prishtinë, në Bulevardin Bill Clinton, pikërisht përpara shtatores së Presidentit Clinton, më 4 korrik ngrihet flamuri amerikan, një prej aktiviteteve të Shoqatës “Miqtë e Kosovës”. Shtatorja u vendos në vitin 2009 dhe tregon Presidentin Clinton me një dokument në dorë të 24 Majit 1999, me të cilin miratohet hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës, Agim Rexhepi, thotë se për “kosovarët dhe përgjithësisht shqiptarët, Dita e Pavarësisë së SHBA-së është e një rëndësie të posaçme, një obligimi moral dhe njerëzor ndaj SHBA-ve, për shkak “të të gjithë asaj që kanë bërë përgjatë gjithë historisë e në veçanti në vitin 1999, kur me aleatët e tyre e ndalën spastrimin etnik”.

“Pjesa dërrmuese e kosovarëve e vlerësojnë shumë këtë, por mendoj se është e nevojshme të bëhet edhe më shumë, përveç aktiviteteve me rastin e 4 Korrikut, me qëllim të dëshmimit të respektit ndaj SHBA-së. Me këtë forcohet vetëdija e opinionit në Kosovë dhe përçohet një porosi e fuqishme në SHBA”, thotë Rexhepi.

Në bazë të një hulumtimi të Gallup International, të zhvilluar në 139 shtete të botës, Kosova radhitet për herë të dytë, vendi më pro amerikan.

Në Kosovë ka njerëz që bartin emra të burrështetasve amerikanë, kurse një pjesë e rrugëve dhe bulevardeve gjithandej vendit mbajnë emrat e presidentëve amerikanë.

Shaban Gashi nga Peja, që mbi 30 vjet jeton në New York me gjithë familjen e tij, ka vendosur që më 4 korrik në Sheshin Nëna Tereza në Prishtinë të shpalos 100 fotografi të tij “të bëra përgjatë përpjekjeve shumëvjeçare të luftës për çështjen kombëtare shqiptare”.

clksvv

“Në këto fotografi janë të gjitha aktivitetet e familjes sime, e cila në 35 vitet e fundit është marrë me çështjen kombëtare, filluar me aktivitetet përpara Shtëpisë së Bardhë. Nuk kemi kursyer asnjëherë asgjë. Kur ka qenë e nevojshme kemi protestuar edhe përpara OKB-së dhe Shtëpisë së Bardhë. Qëllimi ynë ka qenë që të arrijmë këtu ku kemi arritur – deri tek pavarësia e Kosovës nuk do të arrihej pa mbështetjen e SHBA-së”, tha Gashi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kremtimin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, tha se “Shtetet e Bashkuara mbesin partneri më strategjik dhe miku më i madh për Kosovën dhe prandaj e gjithë agjenda politikeështë përputhur me atë amerikane”.

Qytetarët e Kosovës i shohin SHBA-të si vend mik për shkak të mbështetjes së madhe që SHBA-të i kanë dhënë në arritjen e pavarësisë, pas largimit të forcave ushtarake serbe në vitin 1999, që pasoi një periudhë prej 78 ditë të bombardimeve të NATO-s mbi objektivat serbe.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë me Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se “është i lumtur që do ta festojë Ditën e Pavarësisë në një vend që – jashtë Shteteve të Bashkuara – është vendi më pro-amerikan në botë”.

Ambasadori Delawie tha se SHBA-të, pas një numër mosmarrëveshjesh dhe kontesteve për kufirin dhe paqartësive të gjata për mënyrën e qeverisjes, 200 vjet më vonë, u shndërruan në demokraci të gjallërishme dhe të fuqishme, që përmbushin vizionin e shumë njerëzve që i kanë pasur shpresat më të mëdha.

“Këtë e shpresoj edhe për Kosovën: që pas dhjetëra e qindra viteve, Kosova ende të jetë demokraci e gjallërishme dhe e fuqishme, që do t’i ndihmojë qytetarët e saj për t’i përmbushur dëshirat e tyre”, ka thënë ambasadori Delawie. (REL)

Punësimet pa kritere në institucione, mjegullojnë të ardhmen e shtetit nesër! – Nga Florim Zeqa

LDK-ja dikur shtëpi e madhe, e hapur dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, parti e besës dhe shpresës shqiptare, është shndërruar në një organizatë private e një grupi aksionarësh dhe kusarësh politikë.
Në mbamendjen e qytetarëve të vendit akoma janë të freskëta premtimet e liderit të LDK-së, zotit Isa Mustafa në prag të zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit 2014-të. Vargu i premtimeve ishte i gjatë dhe i pafund, megjithatë ia vlenë t’i shkëpusim disa prej tyre; largimi i uzurpatorëve nga pushteti, çkapja e shtetit, zbulimi i vrasjeve politike, hapja e 120 mijë vendeve të punës,…e shumë të tjera.
Tek secili segment i sipërpërmendur, jo vetëm që nuk kemi përmbushje të premtimeve, kemi anashkalim dhe heshtje, kapje dhe uzurpim të tmerrshëm të shtetit.
Premtimeve të liderit të LDK-së i besuan edhe disa gazetar dhe të ashtuquajtur analist të varur nga politika klienteliste e liderit diktatorial të LDK-së, të cilët për fatin e keq i harruan të gjitha, me t’u bërë pjesë e kapjes së shtetit.
Akoma edhe më të zëshëm dhe më të ashpër kundër bashkqeverisjes me kapësit e shtetit, ishin edhe një pjesë e urithëve nëntokës së të LDK-së në Diasporë, të cilët pas lidhjes së kurorës së turpit mes dy liderëve të partive në koalicionin qeverisës (PDK-LDK),…edhe ata i harruan fjalët e veta për interesa personale, pas punësimit të familjarëve të tyre në institucione me ndërmjetësimin (kumbarinë) e Isa Mustafës tek strukturat e SHIK-ut (PDK-së), duke i hëngër fjalët e veta porsi “qershiat e lagura”!
Për habi apo për ironi të faktit, djalli i deridjeshëm i tyre (Hashim Thaçi) u shndrrua në “ëngjull”, përderisa lideri diktatorial i LDK-së dhe kryeministri aktual i vendit (Isa Mustafa) në zot të tyre.
Kryeministri aktual i vendit, zoti Mustafa, qeverisjen e vendit e nisi dhe po e vazhdon me receptin e pararëndësit të tij (Thaçit), por me doza më të shtuara!
“Çkapësi” i shtetit (Isa Mustafa), është duke vazhduar me ritëm të shtuar në uzurpimin e institucioneve të shtetit me militant partiak dhe familjar të tyre, duke u munduar t’i bëjë konkurencë partnerit të koalicionit në këtë drejtim,….megjithatë do ta ketë të pamundur të barazoj shifrat në uzurpimin dhe gllaberimin e buxhetit të shtetit me kapësit tetvjeqar, ngase nën menaxhimin e tij i ka vetëm gjasht ministri që i kontrollon dhe shantazhon sipas orekseve të tija ditore.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është duke u ngutur për të shpërblyer të gjithë ata deputetë të LDK-së që e votuan atë për kryeministër, dhe që e bënë Hashim Thaçin president, të gjithë ata këshilltar dhe militant partiak që e mbështetën atë në vendimet antikushtetuese në bisedimet e Brukselit dhe të gjithë ata gazetar dhe analist që propaganduan parreshtur ardhjen e tij në pushtet,…ngase paraprakisht ministrat dhe zv. ministrat e LDK-së në qeveri shkuan së bashku me familjarët e tyre.
LDK-ja dikur shtëpi e madhe, e hapur dhe e barabart për të gjithë qytetarët e Kosovës, parti e besës dhe shpresës shqiptare është shndrruar në një organizatë private e një grupi aksionarësh dhe kusarësh politik, tashmë të ulur në prehërin e SHIK-ut dhe në kumbari me strukturat paralele të “Zajednicës” serbe!
Ajo çka është më e keqja, punësimet e familjarëve të militantëve partiak bëhen pa asnjë kriter profesional dhe moral. Punësohen nga dy, tre apo më shumë anëtar nga e njëjta familje nëpër institucione shtetërore duke anashkaluar kuadro shumfish më të përgatitura dhe më të merituara për rrethanat e kohës.
Megjithatë janë disa kritere të pashpallura që duhet të plotësojnë sejmenët e pushtetit; duhet të jenë të dëgjueshëm, servil dhe puthadorë të kryeministrit, presidentit dhe kryeparlamentarit,…dhe në asnjë rrethanë të mos e kundërshtojnë “Zajednicën” dhe Demarkacionin me Malin e Zi, të mos e kundërshtojnë serbizimin e Kosovës nga brenda, as të mos i kundërshtojnë vendosjet e permendoreve të Millutinit, Llazarit apo të Milloshit nesër…
Kjo është logjika e pushtetmbajtësve kosovar, përmes së cilës mbisundojnë vullnetin e popullatës (shumicë) shqiptare në vendin tonë.
Ata servil që dëshirojnë të ngriten në poste të larta apo të gradohen me çertifikata dhe diploma, nëse nuk i përkasin rrjetit familjar të pushtetarëve, atëherë duhet t’i plotësojnë kriterin e mitdhënjes, varësisht prej nivelit dhe pozicionit që synojnë.
Si zakonisht, këtu nuk bëhet fjalë për shuma të vogla prej disa mijëra, por prej dhjetëra mijëra eurosh. Nëse rastësisht ndokujt i mungon diploma, ajo fabrikohet brenda natës në ndonjërin nga universitetet publike, me bollëk në Kosovë.
Sa për ilustrim, e marrim rastin më të freskët të diplomimit të kadetëve (oficierëve) të rinjë të FSK-së, me ç’rast i përzgjedhuri nga nëntë kadetët e tjerë, edhe pse nuk i demonstroi shkathësitë e tij në të folurit e gjuhës shqipe,…ministri i FSK-së, zoti Demolli u ndie i ngazëllyer me performancën e kadetëve të rinjë, pa i njohur fare shkathtësitë e tyre profesionale,…i vlerësoj si e ardhmja e ndritshme FAK-ut në “Standby”!
Punësimet pa kritere në institucionet shtetërore, përveqse janë të dëmshme, e mjegullojnë dhe e bëjënë takoma më të pasigurtë të ardhmën e shumë gjeneratave në shtetin e Kosovës.

Përgënjeshtron Kryeipeshkvin Gjergji: Kosova s’është e rrezikuar nga sulmet terroriste

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, ka thënë se Kosova nuk mund të jetë bazë e sulmeve terroriste siç kanë ndodhur në Stamboll, Bangladesh e Paris.

Këtë komente Mustafa i ka bërë pas deklaratës së Kryeipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili tha se shumë shpejt Prishtina, Tirana e Shkupi mund të goditen nga sulmet e ngjashme terroriste siç ndodhën ditë më parë në Stamboll.

Por, zëvendësministri ka thënë se të gjitha statistikat tregojnë se Kosova s’është e rrezikuar nga sulme të tilla.

“Statistikat me të cilat disponon policia e Kosovës, AKI’ja dhe partnerët ndërkombëtarë flasin se Kosova nuk është dhe nuk mund të jetë një bazë e sulmeve të tilla terroriste”, ka thënë Mustafa, për Express, të dielën.

Ky zyrtar i Qeverisë së Kosovës ka treguar se për tetë muaj s’ka asnjë informacion se ndonjë kosovar ka shkuar në luftërat e Sirisë e Irakut.

“Falë punës së madhe të institucioneve qytetarët kanë arritur ta kuptojnë rrezikun që sjell terrorizmi dhe se Republika e Kosovës me kohë është rreshtuar krah aleatëve në kampin ndërkombëtar kundër terrorizimit.  Fakti që mbi tetë muaj nuk ka informacione për shkuarje të reja të qytetarëve kosovarë në Siri e Irak është dëshmia më e mirë e orientimit properëndimor dhe proamerikan të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Zëvendësministri i Punëve të Brendshme.

Ipeshkvia e Kosovës – sot meshë për të rënët në tragjedinë e Stambollit

Ipeshkvia e Kosovës në shenjë solidarizimi me popullit turk, për të rënët në tragjedinë e Aeroportit të Stambollit dhe për paqe në botë, sot do të kremtojë meshë në të gjitha kishat e saj.

Ipeshkvia në deklaratën e saj, të lëshuar ditë më parë ka theksuar se kjo shëmti e njerëzve të ligj në Aeroportin e Stambollit, ka tronditur botën e qytetëruar dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë.

“Ipeshkvia e Kosovës solidarizohet me dhimbjen e popullit turk, është e bashkuar në lutje për viktimat e kësaj të keqeje dhe për familjarët e tyre, që Zoti t’iu jep të gjithëve forcë dhe ngushëllim. Lusim Zotin që kjo e keqe kundër njeriut dhe popujve, me përmasa ndërkombëtare, të ndalet sa më shpejt, duke i kthyer zemrat e njerëzve që të kuptojnë se e ardhmja e njerëzimit nuk ndërtohet me dhunë e vrasje, por në vëllazëri, në paqe, në dashuri dhe me respekt ndaj tjetrit vëlla dhe motër. Për shpirtin e të ndjerëve të rënë në këtë tragjedi dhe për paqe në botë, Ipeshkvia e Kosovës do të kremtojë meshë në të gjitha kishat e saj”, thuhet në këtë deklaratë.

Ramajli: E kryem obligimin që kishim para nesh

Nënkryetari i Kuvendit në vitin 1990, kur edhe ka ndodhur shpallja e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, Iljaz Ramajli tha se shpallja e Deklaratës Kushtetuese ka qenë vullnet i mirë i të gjithë shqiptarëve.

Ai ka thënë se në atë kohë ata kanë kryer obligimin, që ka qenë para tyre për të nxjerrë deklaratën kushtetuese, transmeton Koha.net.

“Ne si individ të cilët na u ka dhënë rasti dhe privilegji që me 2 Korrik në 1990 të jemi delegat të Kuvendit të Kosovës, atëherë dhe na është dhënë mundësia që të shpallim deklaratën kushtetuese e cila ka qenë e vullnetit absolut i gjithë shqiptarëve të Kosovës për të përcaktuar pozitën kushtetuese, juridike të Republikës së Kosovës si Republikë të Kosovës në rrjedhën e ngjarjeve që kanë ardhur më vonë. Ne atëherë e kemi kryer obligimin i cili ka qenë para nesh për ta nxjerr deklaratën kushtetuese, por unë konsideroj që ju edhe delegat deputet e Republikës së Kosovës sot, gjithashtu keni përgjegjësi të jashtëzakonshme që një shtet të ri siç është republika e Kosovës, një shtet që ka probleme ekonomike sociale ta qoni përpara dhe qytetarëve të Kosovës të iu siguroni një jetë më të mirë”, tha Ramjani.

Lexuesi i Deklaratës së 2 Korrikut ka një kërkesë për institucionet e Kosovës

Delegat i shpalljes së Deklaratës KushtetuesE të vitit 1990, ishte edhe Muharrem Shabani, i cili mbahet mend për leximin e deklaratës.

Ai sot në vizitën në Kuvendin e Kosovës tha se mos harresa e kësaj dite është mos harresë e kontributit të popullit shqiptar. Ai kërkoi nga institucionet e vendit që të tregojnë kujdes më të madh për ish-deputetët që janë raste sociale.

Ne sigurisht që me 2 Korrik në kuadër të rrjedhave tonë historike dhe rrugëtimit tonë, liri kombëtare dhe pavarësi është një ngjarje që ka shprehur vullnetin e akumuluar apo sublimuar të popullit me dekada të tëra për liri. Çdo punë në territorin e Kosovës, mbi tokë, por edhe nën tokë minatorët e Trepçë, ishin ata të parët që tregonin shprehje vullnetit për shpalljen e Kosovës Republikë të barabartë me të gjitha njësit tjera. Mos harresa e kësaj dite është mos harresë e një kontributi të popullit. Na mungojnë koleget, por familjaret e tyre të jenë krenar për angazhimin e tyre, mendoj që kishte me qenë mirë kryetar dhe të gjitha institucionet tjera sepse një numër sot nuk kanë mundur të vijnë shkaku se disa me paterica e disa nuk kanë qenë këndej që bile për kundër kësaj asnjëherë nuk është vë në pyetje përkujdesja e një gjendje sociale, e dinjitetshme e kujdesit shëndetësor e material të tyre”, tha Shabani.

Dosja e dështimeve H – Nga Adriatik Kelmendi

Derisa Qeveria ndodhet në huti dhe në vend se ta çojë flamurin e Kosovës në veri, po shohim flamuj të Serbisë nga veriu të na hyjnë me poshtërim në thellësi të Kosovës. Opozita çon flamurin shqiptar në kufi me Malin e Zi, një ditë më vonë Podgorica e heq me poshtërim prej atje.

KOSOVA E KËTYRE ditëve, sidomos në raport me shtetin që nuk na njeh, Serbinë, i ngjan asaj veturës me bulona të çliruar, së cilës i bien pjesët rrugës. Pa kujdesin e shoferit, gjasat e mëdha është që do të mbetet në mes të rrugës.
E problemi këtu është se vetëm shofer të zotin nuk po e gjejmë asnjë.

Pushtet e opozitë duken të humbur që qorrsokak.
Qeveria ka kohë që jep shenja se nuk po ka ide sesi të ecën përpara për të thyer destruktivitetin e Beogradit dhe të të instaluarve të tyre në Kosovë përmes Listës Serbe. Dështimet e tyre të kohëve të fundit në dialogun në Bruksel dhe në integrimin e serbëve kosovarë, flasin për dështimin e shtetit.

Teksa opozita, për shkak të veprimeve të dobëta improvizuese në këtë drejtim, po krijon hapësirë që ky pushtet i ngathtë të jetë edhe më dëshpërues.
Me një situatë ilustruese, pushtet e opozitë kanë zënë n’thue në shkronjën H.

Derisa Qeveria ndodhet në huti dhe në vend se ta çojë flamurin e Kosovës në veri, po shohim flamuj të Serbisë nga veriu të na hyjnë me poshtërim në thellësi të Kosovës.
Opozita çon flamurin shqiptar në kufi me Malin e Zi, në shenjë proteste për demarkacionin dhe bën dy hajgare të hidhura:
E para, kontesti për demarkacionin me Malin e Zi nuk është kontest etnik shqiptaro-malazias, por shtetëror Kosovë-Mal i Zi, që i bie se nuk do të shënjonte kufirin deri ku shtrihen shqiptarët, por deri ku shtrihet Kosova. Në këtë rast, për të qenë edhe më e madhe ironia, të banuara me shqiptarë janë edhe vendbanimet në pjesën e Malit të Zi, prapa flamurit, kështu që kjo ndarje nënkupton autogol të panevojshëm.

E dyta, kur ta merr mendja se ke të drejtë ta vendosësh një flamur shqiptar diku, duhet të përgatitesh edhe ta mbrosh atë. Një ditë më vonë autoritetet malaziase e hoqën flamurin dhe dërguan notë proteste në Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare.
A s’është politikëbërje me huti e hajgare kjo?!

JO VETËM se kemi hyrë në stinën e verës dhe janë rritur temperaturat, por kjo punë ka kohë që ka filluar të qelbet erë të rëndë.
Beogradi e filloi me luftën e egër kundër pranimit të Kosovës në UNESCO.
Kaloi te kundërshtimi i padinjitetshëm i pranimit në UEFA e FIFA.
Vazhdon me bllokimin e kodit telefonik.

Vazhdon me financimin e strukturave paralele.
Nuk avancon me zhbllokimin e urës mbi Ibër në Mitrovicë.
Teksa së fundi është humbur “marrja” krejt.
Si në bahçe të babës fillon ndërtimin e një lagjeje të tërë, të quajtur “Lugina e Diellit”, pa as më të voglin njoftim të Prishtinës.
Vjen e hyn shtatorja gjigant e Car Llazarit legalisht prej Serbisë nëpër dogana të Kosovës – si të bëhej fjalë për skrap dhe jo monument të propagandës – e këta të Qeverisë e marrin vesh vetëm kur ta shohin në Mitrovicë!

Shkon Jablanoviqi në vendbetejën më të lavdishme të UÇK-së, në Koshare, dhe i lartëson forcat serbe atje, e këta tanët e marrin vesh në lajmin e përkthyer nga gazeta “Politika” e Beogradit.
Në Gazimestan, përveçse është toleruar gjithmonë që të uzurpohet nga serbët beteja e popujve të Ballkanit me Perandorinë Turke në vitin 1389, tash aty vijnë manifestues me fanella të kryekriminelit Milosheviq.

“Elektro Privreda” e Serbisë vendos kabllo të rrymës në veri të Mitrovicës, duke prerë drunj dhe dëmtuar varrezat myslimane, e të gjithë qeveritarët shikojnë seri.
Dhe, natyrisht, me këtë ritëm nuk do të ndalet këtu.

PËR TË GJETUR kaçavidën për të ndrequr veturën, duhet së pari të konstatohet se çka po shkakton prishjen.
Besoj se pistat kryesore janë dy – zvetënimi i procesit të dialogut me Serbinë në Bruksel, si dhe roli i Listës Serbe në Kosovë.
Ka kohë tashmë që është dashur të kërkohet me ngulm ndërrimi i tërësishëm i negociimit me Serbinë, duke parë sesa më shumë që vazhdohet dialogu, aq më pak angazhohet Beogradi për të përmbushur marrëveshjet e dakorduara.

Për më tepër, ka një momentum të ri në Beograd, pas zgjedhjeve të fundit në Serbi. Partia e kryeministrit në detyrë, Aleksandar Vuçiq, ka fituar sërish shumicën e votave, gjë që i siguron atij edhe një mandat të rehatshëm katërvjeçar në krye të qeverisë. Duke e parë këtë komoditet pushteti, Vuçiq ka filluar të koketojë me partitë nacionaliste ekstremiste serbe si mundësi për ndarjen e pushtetit, parti këto që angazhohen zyrtarisht për shkëputje të raporteve me Brukselin dhe orientim kah Moska. Kjo do të mund të rrisë gjasat për koncesione edhe më të mëdha nga Brukseli, në mënyrë që ta marrin me të mirë.

Ndërkohë, edhe situata e brishtë e krijuar në vetë Bashkimin Evropian pas referendumit për dalje nga organizata e Mbretërisë së Bashkuar, vetëm sa i hap Vuçiqit shteg për manovrim.
Në anën tjetër, ai vazhdon ta ketë kontrollin absolut edhe tek serbët kosovarë, nëpërmjet të Listës Serbe, mirëpo këtë në dëm të vet këtyre serbëve dhe të Kosovës në përgjithësi.

Liderët institucionalë dhe deputetët e Listës Serbe në Kosovë, duke qenë thuajse të përzgjedhur një për një me emra e mbiemra nga Vuçiqi, me metoda jodemokratike ia kanë dalë që të fitojnë vota për përfaqësim në Kuvend, e pastaj edhe në Qeveri, por pa ndier asnjë përgjegjësi ndaj askujt përveç padronit të tyre në Beograd.

Mund të vërehet në çdo veprim që përfaqësuesit e Listës Serbe bëjnë në Kosovë, se mendojnë se çka do t’u thotë për këtë Beogradi sesa çka do t’u thonë qytetarët serbë të vendit, e për Qeverinë në Prishtinë as që bëhet fjalë.
Se fundi i fundit, nga vullneti i Vuçiqit i varet krejtësisht edhe karriera politike. Ai i ka caktuar në listat zgjedhore, ai e ka dërguar xhandarmërinë që t’i bindë qytetarët serbë në veri të votojnë për ta, ai ka vendosur se kush bëhet ministër dhe ai vendos se kush mund të bëjë karrierë në Beograd.

Rasti i Jablanoviqit është ilustrimi më i saktë i kësaj fuqie. Ai u shkarkua nga Qeveria e Kosovës, por sot është zyrtar qeveritar në Qeverinë e Serbisë.
Me manovrime të këtilla as që mund të pritet ndonjë proces më i shpejtë i integrimit në Kosovë e as ndonjë avancim në raportet Kosovë-Serbi.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

Mustafa: Kufiri nuk mund ta ndryshojmë duke i ndryshuar komisionet

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se çështjen e shënimit të kufirit me Malin e Zi, një subjekt opozitar e ka shndërruar në kauzë politike.

Mëtutje, në një shkrim në rrjetin Facebook, zoti Mustafa theksoi se “nuk duhet të luajmë me ndjenjat e qytetarëve për kauza politike, sepse kjo na kushton shumë”.

Sipas tij, “kufirin nuk mund ta ndryshojmë duke i ndryshuar komisionet” dhe se “kufiri është vullnet i të dy palëve, në rastin tonë edhe i faktorit ndërkombëtar”.

Zoti Mustafa ka shprehur përkushtimin e qeverisë për t’i kryer procedurat që demarkacioni të rafitikohet në Kuvendin e Kosovës.

Ka ardhur koha që mos ta kërrusim më shpinën para shkopit pushtetar – Nga Skënder Mulliqi

 

Shoqëria po rrezikohet të kriminalizohet

Skllavërimi i këtij populli po zgjat shumë

Nuk di së cilën të keqe ta përmend më parë, sa shumë të këqija e kanë goditur shtetin tonë të ri, shtetin të cilin nuk po e ndërtojmë mirë. Ata që e kanë marrë timonin, janë do grupe njerëzish që kanë bërë shtet për vete duke përjashtuar shumicën. Na është kriminalizuar politika aq shumë sa nuk di njeriu së cili nga qeveritarët apo nga parlamentarët nuk ka lidhje direkte ose tërthorazi me krimin. Na është bërë kaq shumë korrupsion dhe krim sa secilën ditë po harxhohemi moralisht, ekonomikisht dhe në secilën formë tjetër për t’i përballuar. Edhe mbarë shoqëria po rrezikohet të kriminalizohet. Nuk kemi së si t’i eliminojmë si tema krimin dhe korrupsionin, kur ata që ish-dashur t’i luftojnë këto dukuri e i kanë gjithë mekanizmat shtetërorë nuk po i luftojnë se janë bërë vetë pjesë e krimit dhe e korrupsionit. Deri më sot patëm shumë raporte ndërkombëtare, të cilat edhe shprehën shqetësimin për nivelin e lartë të krimit dhe të korrupsionit, por asnjë sugjerim, asnjë vërejtje nuk pati ndikim pozitiv në kastat që u ndërruan në pushtetet e pasluftës. Kosova e vogël ka një qeveri pak gjë më të vogël se Kina shumëmiliardëshe! Kësaj i thonë më shumë së turp. Po çfarë ekonomisti është Isa Mustafa kur në këtë krizë të madhe të përmasave globale formon apo riformatizon një qeveri aq mamuthe? Kjo vërejtje do të ishte e mirë, po të kishim kujt t’ia adresonim.

Punësimet e akrabave

Këta qëllimisht janë futur në këto lojëra politike për ta ruajtur kapitalin e tyre, për përfitime të reja nga tenderomania, nga zhvatja, nga uzurpimet e llojllojshme të pronës shoqërore, deri të punësimet e kucave dhe maceve. Po punësohen bijtë dhe bijat e deputetëve, të cilët jo vetëm që marrin edhe paga të tjera, por kanë edhe biznese. Faktorit ndërkombëtar i interesojmë si shtet dhe si komb aq sa ne interesohemi për të ardhmen tonë. Zgjedhjet do të vijnë një ditë, por kam drojën se prapë populli do të manipulohet nga manipulatorët, të cilët e kanë perfeksionuar mirë zanatin e mashtrimit. Institucionet e shtetit i kanë vënë në dy binarë: binari i interesit privat dhe binari i interesit klanor. Ajo që mungon është binari publik, të cilin shteti ynë prej 17 vjetësh e ka larguar nga binarët e hekurudhës kosovare. Aq shumë ngjarje dhe afera korruptive e të krimit patëm, sa vështirë njeriu edhe t’i mbajë në mend. Kur kemi deputetë që janë zhytur në krime apo i fshehin gjurmët e krimit, duke përdorur legjitimitetin e popullit, nuk mund të flasim për shtet ligjor dhe shtet demokratik. Organet më të larta të shtetit moti e kanë humbur legjitimitetin me punën e keqe të tyre.

Ka ardhur koha që mos ta kërrusim më shpinën para shkopit pushtetar

Liderët e partive kryesore politike në Kosovë qofshin të majtë apo të djathë, e që nuk e dinë as vetë së çka janë, nuk e kanë dhënë provimin për të mirë. Në Kosovë nuk mungojnë njerëz më kredibilitet, njerëz me ideale, me moral politik, njerëz që mund të sakrifikohen për të bërë një shtet normal. Skllavërimi i këtij populli po zgjat shumë. Ka ardhur koha që mos ta kërrusim më shpinën para shkopit pushtetar. Indiferenca do të thotë zgjatje e vuajtjeve dhe e mjerimit social. Mos të lejojmë krimi të na bëhet pjesë e jetës, por me punën tonë ta varrosim krimin…

SHBA dhe Kosova e rikonfirmojnë miqësinë e ndërsjellë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie e ka cilësuar si nder privilegj që Shtetet e Bashkuara po festojnë 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve me qytetarët e Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesit e saj.

Në pritjen e organizuar për 4 Korrikun, ambasadori amerikan ka thënë se Kosova si shtet i ri, është ballafaquar me shumë sfida. Por, ai ka ftuar lidershipin kosovar që të marr shembull nga Shtete e Bashkuara të Amerikës të cilat pas pavarësisë u bënë bashkë dhe krijuan një shtet qytetarë ku të gjithë ishin dhe janë të barabartë para ligjit.

“SHBA dhe Kosova kanë miqësi e cila do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse të dy shtetet ndajnë vlera të njëjta të paqes dhe demokracisë”, është shprehur Delawie.

Ndërkaq presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se agjenda politike e Kosovës është e përputhshme me agjendën e qeverisë amerikane.

“Në afat të shkurtër duhet ta përmbyllim demarkacionin si kriter i mbetur për lëvizje të lirë në Europë, e në rrugëtimin afatgjatë duhet të luftojmë korrupsionin dhe ekstremizmin, dy rreziqe thelbësore që mund të na dëmtojnë rrugëtimin tonë drejt NATO-s dhe BE-së”, ka thënë Thaçi.

Në pritjen për 4 Korrikun kanë marrë pjesë personalitetet më të larta politike vendore e ndërkombëtare në Kosovë.

Më 2 Korrik 1990 Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

Më 2 korrik 1990 kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut.

Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve të tjera të Kuvendit të Kosovës.

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme socialiste në federatën jugosllave./KosovaPress/

Bahtiri: Mos dilni në protesta, nuk duhen turbullira

Monumenti i Car Lazarit në veri të Mitrovicës

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka apeluar tek qytetarët e Mitrovicës që të mos i bashkohen protestës së paralajmeruar në rrjetet sociale, për të kundërshtuar vendosjen e bustit të ‘Car Llazrit’ në Mitrovicë, sikurse edhe ndërtimin e lagjes serbe ‘Lugina e Diellit’.

Në një pronocim për Radion Evropa e Lire, Bahtiri ka thënë se nuk dihet adresa e atyre që e kanë thirrur këtë protestë, prandaj nuk nevojiten, siç thote ai, turbullira në Mitrovicë.

Ndryshe, në rrjetet sociale po bëhen thirrje që të dielen të mbahet një protestë gjithëpopullore për të kundërshtuar bustin e ’Car Llazrit’ në Mitrovicë dhe ndërtimin e lagjes serbe ‘Lugina e Diellit’ në veri të Mitrovicës.

Në veri të Mitrovicës, në rreth-rrotullimin kryesor, është vendosur të dielën në mbrëmje një përmendore e princit serb Llazar, e lartë 7.5 metra.

Përmendorja e vendosur në këtë anë të qytetit thuhet të jetë pjesë e një ikonografie për nder të Ditës së Shën Vidit, që kremtohet nga komuniteti serb, në fund të muajit qershor.

VV-Mustafës: Për ty territori i Kosovës nuk është i rëndësishëm

PRISHTINE- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka përsëritur mbrëmë se Kosova duhet që ta bëj shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, kusht ky sipas tij, i vendosur nga Bashkimi Evropian që qytetarët të lëvizin pa viza. Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se nëse nuk bëhet demarkacioni Kosova do të humb shansin për të lëvizur pa viza dhe se ekziston rreziku që vendi të futet në një cikël ku individët mund të shkaktojnë incidente kufitare me një vend mik, anëtar të NATO-s.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi ka thënë për Indeksonline se rreziku për tensionim të mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi vjen për shkak të humbjes së mbi 8000 hektarëve tokë të Republikës së Kosovës. Sipas tij, nuk mund të ketë raporte të mira fqinjësore në kurriz të njërës apo tjetrës palë dhe se këtë duhet ta kuptojë edhe Isa Mustafa e edhe qeveria e Malit të Zi.

“Por për Isa Mustafën nuk është i rëndësishëm territori dhe sovraniteti i Republikës prandaj jep deklarata të tilla absurde. Është e çuditshme se si për Isa Mustafën qenka prioritet miratimi i demarkacionit ndërsa asnjë veprim nuk e ndërmori në luftimin e krimit dhe korrupsionit që gjithashtu është kërkesë e BE-së për liberalizimin e vizave. Normalisht që luftimi i krimit dhe korrupsionit nënkupton pamundësimin e pasurimit të tij, djemve të tij dhe pushtetarëve të tjerë, prandaj nuk i konvenon një gjë e tillë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se demarkacioni nënkupton humbjen e territorit të Republikës së Kosovës, e një gjë e tillë nuk është problem për një politikan si Isa Mustafa. “Megjithatë, sondazhet e fundit kanë dëshmuar që shumica dërmuese e qytetarëve nuk janë të gatshëm të japin territor për liberalizim të vizave. Ky vullnet duhet të respektohet dhe ne do të bëjmë çmos që ta mbrojmë këtë vullnet gjithëpopullor”, ka thënë tutje Krasniqi.

Të premten në të gjitha xhamitë e Kosovës lutje për viktimat në Turqi

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava u ka dërguar telegram ngushëllimi udhëheqësve më të lartë të shtetit turk, pas sulmit terrorist në Aeroportin “Ataturk” të Stambollit.

Në telegramin e Myftiut Tërnava, dënohet ashpër sulmi terrorist mbi Turqinë, shprehet ngushëllim për familjarët e viktimave dhe u dëshirohet shërimin të plagosurve.

Myftiu Tërnava, po ashtu, ka udhëzuar të gjithë imamët e Bashkësisë islame të Kosovës, që nesër ditë e premte, në namazin e xhumasë të bëhen dua e lutje për shpirtrat e viktimave të pafajshme që pësuan nga akti terrorist në Stamboll.

Interesat e Kosovës nuk mbrohen me këtë kastë politike në pushtet!! – Nga Skënder MULLIQI

Barrikada “Rojat e urës”, barrikada me gurë dhe zhavorë dhe barrikada “Parku i Paqës”, janë barrikadat të cilat në mënyrë permanente po shënojnë kufirin ndarës të Veriut serbë dhe Jugut shqiptarë. Për ta futur ngadalë Veriun e vendit nën juridiksionin e Serbisë, serbët të udhëhequr nga politika zyrtare e Beogradit, morën hapin tjetër për ndërtmin e lagjjes “Lagjja e Diellit”, duke filluar kolonizimin më ndërtime të reja nga fondi i qeverisë së Serbisë. Hapi i radhës mbrenda një harku kohorë të shkurtër të serbizimit të Kosovës, është vendosja e bustit të Car Lllazarit në qender të qytetit. Të gjitha këto hapa po bëhën për grabitjën e territorit të Kosovës, e kjo udhëheqje e jona ka mbetur duke bërë sehirë. Disa këto veprime serbe po i klasifikojnë si shkelje të shtetësisë së Kosovës, në vend që ti klasifikojnë si grabitje të reja të një territori legjitim nga ana e Serbisë.
Këtu nuk bëhët fjalë për shkelje ligjesh, për shkelje të kushtetutës, por bëhët fjalë për një okupim të ri. Mos të flasim për hyrje daljët e zyrtarëve më të lartë serbë edhe në mbrendi të territorit të Kosovës gjatë këtyre viteve, pa i pyetur fare organet tona të shtetit. Serbët qendruan pa lejen e Kosovës edhe në Kosharën Legjendare, për të lavdëruar ushtarët dhe paramilitarët serbë të cilët u vranë duke mbrojtur gjoja kufirin. Vetë vizita e serbëve në kufirin shqiptaro -shqiptarë, është një fyerje e radhës, është fyerje e luftës tonë çlirimtare dhe fyerje e herojëve të kombit, Agim Ramadanit, Sali Çekut e shumë ushtarakëve të gjallë me nam, dhe dëshmorëve të cilët thyen kufirin për hërë të parë, duke thyer kështu përgjithmonë edhe mitin serbë për Kosovën. Po festohet Vidovdani në Gazimestan për çdo vit, madje duke iu u bërë edhe roje çetnikëve dhe çetnikizmit serb midis Kosovës më organe tona të rendit, se mos po na gjen diqka e keqe, në vend që një festë e huaj të ndalohet më ligj. Në Gazimestan ishte lëshuar kushtrimi serbë për luftë shfarosëse kunder shqiptarëve nga krimineli, Sllobodan Millosheviqi. Po lejohet një festë për një betejë të humbur të serbëve më gjithë ikonografinë dhe fjalimet nga kuzhinat shoveniste millosheviqiane. Marshimi nga Gazimestani i serbëve vazhdoi për në Veri për ta vendosur bustin e Car Llazarit, që është turpi i organeve tona të shtetit, të cilët jo që nuk janë në gjendje të pengimit të vendosjës të këtij busti, por po lëshojnë edhe deklarata më shumë së skandaloze. Bajram Gecaj deklaroi se kjo na qenka punë në kompetenca të komunës. Madje ai shkojë edhe më largë duke e krahasur bustin e Car Llazarit më vendosjën e bustit të rrëmbmadhit Adem Jasharit. Një krahasim i tillë është më shumë së iritues. Për të qenë irionia edhe më e madhe këtë bust të një shovenisti serbë e vunë serbët që janë në organet shtetërore të Kosovës. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi na kanë treguar se për ta mbajtur pushetitin e tyre autokratik, nuk mërziten shumë së çka po ndodhë me fatin e Kosovës dhe të popullit të saj. Për ta ruajtur pushtetin me çdo kusht këta po bëjnë edhe lëshime pas lëshimeve, të cilat po prekin statusin politik të vendit. Mos të flasim për gjendjën e keq ekonomike dhe krizën institucionale e cila nuk po ka të përfunduar. Mos homogjenizimi i opozitës në këtë drejtim ia ka mundësuar pushtetit një akomodim edhe më të madh. Kjo qasje jo koherente është duke na shkaktuar dëme të mëdha në kohën kur kërkohet një homogjenizim i gjithë spektrit politik shqiptarë, kur edhe Evropa po përballet më një krizië të re politike, pas daljës së Anglisë nga BE-ja. Interesat nacionale dhe shtetërore nuk ka mundësi të mbrohen më këto struktura politike të korruptuara në pushtet…


Send this to a friend