VOAL

VOAL

Në Prekaz vendosen emrat e 1432 fëmijëve të vrarë gjatë luftës

Në Prekaz, në nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë vendosur emrat e 1432 fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

E drejtësia për këta fëmijë që ëndrrat iu ndalën në gjysmë, ende nuk është arritur, transmeton Klankosova.tv.

Pranë emrave të tyre, u vendos edhe nga një lule.

Kurti i prerë në qëndrim: S’ka koalicione me partitë e mëdha, do të qeverisim vetëm

Kryeministri Albin Kurti këmbëngul se qeverinë e ardhshme do ta formojë i vetëm së bashku me dy partitë më të vogla, Guxo dhe Alternativa, pa bashkëpunimin me ndonjërën prej partive të mëdha shqiptare. Këto deklarata, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje i bëri gjatë qëndrimit në Gjilan duke shtuar se po presin certifikimin e rezultateve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve para se të ndërmarrin hapat e radhës të nevojshëm.

“Nuk ka ndryshuar situata që ne të kemi qëndrime të tjera sa i përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër qeverisë sonë dhe kundër Lëvizjes Vetëvendosjes, por ne kemi dalë fitimtarë dhe fitimtari duhet dhe do ta formojë qeverinë”, u shpreh Kurti.

Njohësit politikë thonë se Kurti mund të formojë Qeverinë por që e njëjta do të jetë e pakicës dhe e pafuqishme. Qeveria do të mund të bëhet vetëm me afrime të reja të ndonjë deputeti të caktuar që Lëvizja Vetëvendosje të shkojë në 61 votat që kërkohen për të formuar institucionet.

“Vetëvendosje edhe mund ta formojë me arnime të caktuara e me huazime të caktuara mirëpo ajo do të jetë qeveri e pakicës dhe një qeveri fraxhile e përkohshme e cila nuk mund t’i qëndrojë dhe t’i bëjë ballë kërkesave të kohës, sfidave por edhe vet sfidave të Parlamentit”, u shpreh profesor Mazllum Baraliu.

Në një kohë të ndryshimeve të shumta gjeopolitike, partive politike iu kërkohet që të bashkëpunojnë për një koalicion të gjerë për hir të interesave të Kosovës.

“Një qeveri e përbashkët, koalicioni të gjerë, me bazë të gjerë do të ishte e vetmja zgjidhje më e mirë dhe një fuqizimi fjalës tonë por edhe i qëndrimit ndaj sfidave nga jashtë dhe nga brenda që mund të na vijnë”, thekson Baraliu.

Procesi i numërimit po shkon drejt fundit ndërsa rezultatet përfundimtare pritet që të shpallen gjatë kësaj jave para se t’i hapen rrugë ankesave të mundshme dhe certifikimi final. sn

KQZ-ja numëron të gjitha votat me postë, VV mbetet e para

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë, ka bërë të ditur pasditen e së martës se i ka numëruar të gjitha votat me postë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, dhe që Lëvizja Vetëvendosje prin me 51.57 për qind të votave, apo me mbi 31.000 vota.

Pas saj radhiten Lidhja Demokratike e Kosovës me 30.55 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës me 9.48 për qind dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 3.23 për qind.

Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt, pasi KQZ-ja njoftoi se ka miratuar më shumë se 63.000 pako me fletëvotime.

Zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se menjëherë pas numërimit të votave me postë, ka nisur numërimi i votave me kusht dhe i personave me aftësi të kufizuara, dhe që procesi pritet të përfundojë të mërkurën.

Me rezultatet aktuale, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.

Për të pasur shumicën, duhen së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.

Si partia e parë, Vetëvendosje i ka aktualisht 48.

Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.

Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.

Procesi i numërimit të votave është aktualisht në javën e katërt.

KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji.

Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re. sn

Kurti: Kjo prokurori më shumë po lufton qeverinë se sa korrupsionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte urdhëruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë që të dëshmonte në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ditën e sotme në orën 10:00.

Por pavarësisht urdhrit, Kurti nuk është paraqitur në prokurori.

Një ditë më parë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës njoftoi se Kurti, në orën 10:00 (4 mars), do të ishte i pranishëm në vendosjen e gurthemelit të një kopshti fëmijësh në qytetin e Gjilanit.

Nga Gjilani, Kurti deklaroi: “Nëse prokuroria e ka pasur të rëndësishme dëshminë time, duhet të vinte te ne. Kjo prokurori më shumë po e lufton qeverinë sesa krimin e korrupsionin”.

Kurti insistoi se ai asnjëherë nuk ka thënë se refuzon të japë dëshmi, por tha se kjo duhet të ndodhë në zyrën e Kryeministrit. sn

Ambasadori britanik: Kosova duhet të ketë një qeveri stabël sa më shpejt të jetë e mundur

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka lavdëruar zgjedhjet e fundit në Kosovë, duke theksuar se ato kanë kaluar në mënyrë paqësore dhe demokratike. Ai e ka cilësuar këtë si një arritje të madhe për Kosovën dhe rajonin.

Kështu, Hargreavs ka theksuar nevojën urgjente për krijimin e një qeverie stabël dhe të fuqishme.

“Zgjedhjet kanë qenë në përgjithësi paqësore, dhe në tërësi mund ta themi me besim që përfaqëson qëndrimin e popullatës në Kosovë. Të kemi në këtë rajon zgjedhje demokratike aq lehët siç kanë kaluar është një arritje tejet e madhe që duhet ta kemi parasysh dhe ta përgëzojmë. Të gjithë në Kosovë me padurim presin për të kuptuar saktë cilat do të jenë rezultatet finale, dhe çfarë nënkupton kjo për themelimin e qeverisë në Kosovë, edhe unë jam nga këta personat që mezi pres.

Dua të them që njëra nga gjërat e rëndësishme është se Kosova është në gjendje të konstituohet një qeveri stabile sa më shpejt të jetë e mundur sepse janë kohë të vështira gjithandej Evropës dhe nuk është koha për një vend si që Kosova të jetë pa qeveri me një mandat stabil ose me një parlament i cili nuk është në gjendje të miratojë legjislacionin në mënyrë efektive. Shpresa ime kryesore është që qeveria të konstituohet në një mënyrë që ia jep këtij vendi një stabilitet për një kohë të mirë që të mund të angazhohet në sfidat ndërkombëtare me shumë sfida vendore, që janë shumë urgjente…Konsideroj që duhet të kemi një qeveri të fuqishme, stabile sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ambasadori britanik. sn

Aksion në Mitrovicën e veriut, policia konfiskon armë, eksploziv dhe uniforma ushtarake

Policia e Kosovës informon se ka konfiskuar armë eksploziv dhe uniforma ushtarake në një fshat të Leposaviçit në Mitrovicën e Veriut

Sipas njoftimit, realizmi i operacionit policor rezultoi me gjetjen dhe konfiskimin e armës, municionit, një sasie të eksplozivit dhe uniformave ushtarake, të cilat do të prezantohen për media në një konferencë ku do të marrë pjesë ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla, drejtori i përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend Hoxha dhe zv drejtori i DRP Mitrovicë Veri, Veton Elshani.

Konferenca do të mbahet në ndërtesën e Drejtorisë Rajonale të Policisë-Mitrovica Veri, ora 18:00.

Njoftimi i plotë

“Sot, më 28.02.2025, Policia e Kosovës do të organizojë një konferencë për media ku do të shpalosen detaje rreth operacionit policor që u zhvillua në një fshat të Leposaviqit. Realizmi i operacionit policor rezultoi me gjetjen dhe konfiskimin e armës, municionit, një sasie të eksplozivit dhe uniformave ushtarake, të cilat do të prezantohen për media. Në këtë konferencë do ta marrë pjesë: ministri i MPB-së z. Xhelal Sveçla, drejtori i përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend HOXHA dhe ZV drejtori i DRP Mitrovicë Veri Veton Elshani.bw

Kryeministri Kurti i dërgon telegram ngushëllimi familjes Qerkini

 

 

Prishtinë, 24 shkurt 2025

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Qerkini, me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit të tyre, Bajram Qerkini.

 

Duke ndarë dhimbjen me familjen Qerkini, kryeministri Kurti, në letrën e tij shkruan se baci Bajram ishte shembull i përkushtimit në kërkimin e së vërtetës për të zhdukurit gjatë luftës.

 

“Bajram Qerkini ishte simbol i forcës dhe durimit të prindit. Si Kryetar i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, ai e shndërroi dhimbjen e tij personale në kauzë të përbashkët. Ai u angazhua edhe në nivel institucional, si përfaqësues i shoqatave të familjarëve në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur”, thuhet në telegramin e kryeministrit Kurti.

 

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij, ai u shprehu ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe që ndanë rrugëtimin me të.

Osmani uron fituesit e zgjedhjeve në Gjermani

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi udhëheqësin e CDU-së në Gjermani, Friedrich Merz, dhe atë të CSU-së, Markus Soeder, për fitoren në zgjedhjet federale të 23 shkurtit.

“Vendet tona ndajnë një histori të gjatë të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe mezi pres t’i thellojmë lidhjet tona të ngushta në vitet në vazhdim”, shkroi Osmani në platformën X.

Aleanca CDU/CSU i fitoi zgjedhjet me 28.5 për qind të votave.

Udhëheqësi i saj, Merz, pritet të nisë tani bisedimet për të zgjedhur partnerin e koalicionit.

Ai e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, e cila doli e dyta në zgjedhje.

Tre vjet më parë, Merz është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih.

Temë e atij takimi ishin integrimet evropiane dhe Ballkani Perëndimor, sipas një njoftimi të atëhershëm të Kryeministrisë së Kosovës.

Gjermania është ndër mbështetëset kryesore të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Me mbi 260 ushtarë aktualisht, ajo është pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, që nga përfundimi i luftës më 1999.

Gjermania, po ashtu, është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008.

Në këtë vend jeton edhe pjesa më e madhe e diasporës së Kosovës.

SHBA: Veprimet e pa bashkërenduara në veri të Kosovës – mund të krijojnë pasoja negative në marrëdhëniet dypalëshe

VOA Leonat Shehu

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë shprehu të dielën shqetësimin për siç tha mbylljen e papritur dhe të pabashkërenduar të zyrave për Punë Sociale të Serbisë në veri të Kosovës, një veprim që siç u tha mund të dëmtoj marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Në një reagim përmes rrjeteve sociale, ambasada amerikane tha se “këto dhe veprime të ngjashme ndikojnë negativisht në mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë të krijojnë pasoja negative për të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe marrëdhëniet tona dypalëshe”.

Reagimi i ambasadës pasoi operacionin e së premtes të policisë së Kosovës e cila mbylli katër degë të Qendrës për Punë Sociale të Serbisë që vepronin në veri të vendit, nën dyshimet për falsifikim të dokumenteve dhe ndikim të votuesve në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Policia tha se aksioni pasoi arrestimin e katër zyrtarëve të kësaj qendre në Zubin Potok me 8 shkurt, nën dyshimin për veprën “cenim i vullnetit të votuesve”.

Sipas policisë zyrtarët e Qendrës për Punë Sociale, dyshohet se nëpërmjet kërcënimit i kanë detyruar apo udhëzuar qytetarët se si të votojnë, duke i kushtëzuar ndihmat sociale me votën e tyre në favor të një partie të caktuar politike”.

Aksioni i policisë nxiti reagimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë, të cilët e vlerësuan atë përshkallëzues ndërsa kërkuan reagim ndërkombëtar për të dënuar siç u tha “këto lëvizje që rrezikojnë jetën e mijëra përdoruesve të përfitimeve sociale”.

Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi fitoi shumicën e votave të serbëve në zgjedhjet parlamentare të mbajtura gati dy javë më parë në Kosovë. Kjo listë po synon të mbajë 10 vendet e rezervuara për komunitetin serb në parlamentin e Kosovës.

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në raportin vlerësues për procesin e zgjedhjeve tha se shumë bashkëbisedues raportuan për trysni nga anëtarët e Listës Serbe ndaj votuesve dhe se kishte ndërhyrje të hapur dhe të përsëritur nga Serbia.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit shënuan edhe rikthimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në proceset zgjedhore në Kosovë pas bojkotimit të disa proceseve të kaluara si zgjedhjet e fundit lokale.

Mbyllen katër Qendra serbe për punë sociale në veri, dyshohet se “shkelën vullnetin e votuesve”

Autoritetet e Kosovës duke mbyllur njërën Qendër në Mitrovicë të Veriut. Fotografi e 21 shkurtit.

 

Radio Evropa e Lirë

Policia e Kosovës i ka mbyllur të premten objektet e Qendrës për punë sociale në Mitrovicën e Veriut – të cilat funksiononin në kuadër të sistemit paralel serb – për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

Policia ka thënë përmes një njoftimi se është duke kontrolluar objektet e kësaj Qendre në tri komuna me shumicë serbe në veri – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – pasi ka dyshime për “veprime të kundërligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në këtë aksion nuk është arrestuar askush dhe se është duke u zhvilluar një intervistë informative me drejtorin përgjegjës të Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan.

“Dyshohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve”, ka thënë Elshani.

Policia e Kosovës ka thënë përmes një deklarate se ka kërkuar leje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë për t’i kontrolluar objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.

Sipas komunikatës, këta zyrtarë të “institucioneve paralele dhe ilegale” dyshohet se i kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt dhe sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit aktual, Albin Kurti fitoi më së shumti vota, ndërsa në mesin e komunitetit serb, Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, fitoi bindshëm.

Më 21 shkurt, Lista Serbe ka reaguar ndaj bastisjeve në Qendrat e punës sociale në disa komuna në veri të Kosovës, duke pretenduar se kryeministri Kurti “po i shfrytëzon ditët e fundit për të sulmuar edhe një herë gjithçka serbe”.

“Lista Serbe e dënon ashpër këtë veprimtari të paligjshme dhe antiserbe të falangës së Kurtit dhe dërgon mesazh se asnjë nga të punësuarit apo shfrytëzuesit e përfitimeve sociale nuk do të mbetet pa të drejtat e veta dhe se sot kryesia e partisë sonë do të takohet me të punësuarit dhe do të ofrojë të gjithë mbështetjen e mundshme”, thuhet në komunikatë.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë “lëvizjet në rritje që rrezikojnë në mënyrë drastike jetën e mijëra përfituesve të mirëqenies sociale”.

Më 18 shkurt, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet në Kosovë, duke kërkuar vota për Listën Serbe.

Edhe Nathalie Loiseau, shefe e misionit të Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, pati thënë më 11 shkurt se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë marrin të ardhura të ndryshme nga buxheti i Serbisë, si paga, pensione, ndihmë sociale, shtesa për fëmijë, prindër, e të ngjashme.

Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur shumicën e institucioneve që funksionojnë brenda sistemit serb gjatë vitit të kaluar, me argumentin se puna e tyre është e paligjshme, por Beogradi zyrtar ka vazhduar t’iu japë paga.

Kurti në 36-vjetorin e grevës së minatorëve: Trepça nuk është e nuk ka qenë asnjëherë thjesht një ndërmarrje

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në 36-vjetorin e grevës së minatorëve të vitit 1989 në Stan Tërg, ka nderuar kontributin dhe sakrificën e tyre, duke theksuar rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje.

Ai është shprehur se qysh në atë grevë kërkohej ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi në përgjithësi.

”Sot 36 vjet më parë, 1,300 minatorë të Trepçës hynë në grevë, nëntokë, për tetë ditë. Nga 20 shkurti e deri më 28 shkurt 1989, horizontet 8 dhe 9 të zgafellës së Xeherores së Stan Tërgut, u patën kthyer në llogore rezistence kundër politikave antishqiptare të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Kërkesat e minatorëve ishin të shtruara asokohe në gjithsej dhjetë pika, që i mësoi e gjithë Kosova, shqiptaria dhe opinioni publik ndërkombëtar, ndër të cilat pika e 8, thoshte: “fati i shqiptarëve në Kosovë e në Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”. Pra qysh në atë grevë kërkohej ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi në përgjithësi” u shpreh Kurti.

Më tutje Kurti tha se Trepça nuk është e nuk ka qenë asnjëherë thjesht një ndërmarrje.

”Trepça nuk është e nuk ka qenë asnjëherë thjesht një ndërmarrje. Ajo është zinxhiri që lidh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë ekonomike dhe jo vetëm. Nëpërmjet zhvillimit, ka ndihmuar arsimin e industrinë. E përmes saj është bërë dhe shkruar historia. Jo vetëm historia ekonomike e vendit, por edhe ajo politike me efekte rajonale dhe me jehonë ndërkombëtare”, u shpreh Kurti. sn

AFET: Bashkimi Evropian të bëjë më shumë përpjekje në dialogun Kosovë-Serbi

VOA Leonat Shehu

Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, bëri thirrje të enjten që blloku të bëjë më shumë përpjekje për pajtim dhe rezultate në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thirrjet u bënë gjatë paraqitjes të projekt raportit të këtij komisioni për Kosovën, që më pas do të debatohet në Parlamentin Evropian.

Nënkryetari i Komisionit për politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian Urmas Paet tha se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të shtojë angazhimin në Ballkanin Perëndimor.

“Dhe ne duhet të bëjmë më shumë përpjekje për pajtim dhe në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë dhe të sjellë rezultate”, tha ai.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, i cili ka përgatitur raportin për Kosovën shfaqi shpresën që qeveria e ardhshme të rifillojë dialogun me Beogradin krahas rritjes së angazhimit evropian në rajonin e Ballkanit.

“Është shumë e rëndësishme duke pasur parasysh situatën gjeopolitike, që Bashkimi Evropian do të marrë një rol edhe më aktiv në Ballkanin Perëndimor pasi ato vende janë padyshim duke konkuruar me regjime autoritare që jo vetëm do të donin ta shihnin rajonin si zonën e tyre të interesit, por edhe si një urë lidhëse për të importuar mospajtime dhe konflikte në Evropë”, tha zoti Terras.

Në projekt raportin për Kosovën, bëhet thirrje që Prishtina dhe Beogradi të shmangin veprimet e njëanshme që mund të përshkallëzojnë tensionet dhe që marrëveshjet ndërmjet tyre të respektohen plotësisht, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Sipas raportit disa nga sfidat e Kosovës janë probleme të trashëguara, zgjidhja e të cilave kërkon përfshirjen e gjithë rajonit në procesin më të gjerë të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i cili filloi për të gjetur një kompromis të pranueshëm për palët, fatkeqësisht nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Komisioni i ri Evropian, Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare, duhet të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të siguruar që dialogu Prishtinë-Beograd të vazhdojë me energji të përtërirë”, thuhet në projekt raport.

Në raport i bëhet thirrje Bashkimit Evropian që të heq masat e vendosura ndaj Kosovës për shkak të veprimeve në veri dhe të rrisë përpjekjet për të nxjerrë Kosovën jashtë “zonës gri” drejt integrimeve evropiane, pasi kjo është në interes të popullit të saj dhe të Bashkimit Evropian, posaçërisht në kohën e konkurrencës në rritje me regjimet autoritare.

Që nga qershori i vitit 2023 Kosova është nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian për shkak të siç është thënë mungesës së bashkërendimit të qeverisë së saj rreth veprimeve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Kosova mbetet e fundit në rajon në proceset integruese ndërsa përparimi i saj në këtë drejtim është i lidhur ngushtë edhe me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Të dyja vendet janë përfshirë që nga viti 2011 në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian por përkundër arritjes së marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve në Bruksel dhe Ohër, palët nuk po arrijnë të pajtohen për rrugët e zbatimit të saj në një proces të ngecur negociatash që pritet të jetë edhe sfida kryesore e qeverisë së re te vendit në rrafshin ndërkombëtar.

Sfidat e brendshme të Kosovës

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, tha se ndonëse ka një sërë çështjesh ku është shënuar përparim në Kosovë në krahasim me raportin e mëparshëm, ai tha se “duhet të vazhdojmë të theksojmë pikat e dobëta si lufta me korrupsionin, pavarësia, prokuroria dhe gjykatat, transparenca e pronësisë së medias”.

Në projekt raport thuhet se renditja e Kosovës në Indeksin e Perceptimit të korrupsionit mbetet e pakënaqshme duke nënvizuar se rritja e besimit të njerëzve kërkon jo vetëm reforma legjislative por edhe rezultate të dukshme në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e rasteve të korrupsionit.

Shqetësim serioz siç theksohet në raport mbeten dobësitë sistematike në gjyqësorin e Kosovës, posaçërisht në lidhje me pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe respektimin e ndarjes së pushteteve, vonesat në gjyqe dhe kritikat nga zyrtarët e qeverisë për vendimet gjyqësore në raste individuale.

Kur do të mund të formohet Qeveria e re e Kosovës?

Të supozojmë se jemi rreth mesit të muajit mars, kur pritet të përfundojë saga e numërimit dhe e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Atëherë nis sfida e re – ajo e formimit të Qeverisë.

Sipas njohësve të çështjeve politike, situatë më të paparashikueshme sesa kjo aktuale në Kosovë nuk ka pasur prej vitesh.

Asnjëra parti nuk ka regjistruar fitore bindëse për të formuar e vetme Qeverinë, ndërsa bashkimi i forcave këtë herë duket proces i ndërlikuar.

Cilat janë procedurat përpara?

Presidentja Vjosa Osmani duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila duhet të mbahet më së largu 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zyrtar zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Kjo mbledhje konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Në bazë të rezultateve preliminare, kryetari i Kuvendit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar më së shumti vota. Por, nëse kjo parti nuk e propozon dikë për kryetar, procesi do të ngrijë në vend.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës na rikujton që, nëse kjo ndodh, nuk do të ishte hera e parë:

“Bazuar në praktikën e vitit 2014, kur procedura e konstituimit të institucioneve kishte zgjatur gjashtë muaj – atëkohë Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar afat ligjor, as kushtetues, se brenda çfarë periudhe është i obliguar subjekti fitues i zgjedhjeve që të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit”.

Sipas tij, nëse nuk do të ketë aktgjykim tjetër të Kushtetueses, procesi mund të zvarritet deri vitin e ardhshëm, kur të skadojë mandati i presidentes, dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Më 2014, procesi ishte zhbllokuar vetëm kur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte braktisur bllokun e atëhershëm opozitar, dhe i ishte bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në koalicion qeveritar.

Hyrja në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Hyrja në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Pse mund të krijojë bllokadë LVV-ja?

Partia e kryeministrit aktual, Albin Kurti, mund t’i zvarrisë proceset nëse nuk arrin të formojë koalicion të qëndrueshëm për të përmbyllur ciklin e formimit të institucioneve.

Por, nëse kryetari i Kuvendit zgjidhet, atëherë nisin tiktaket e orës për afatet tjera.

Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.

Ndonëse as këtu nuk ekziston një afat i saktë, vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.

“Unë pres që sapo presidentja të nominojë kandidatin që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, i njëjti do të jetë i obliguar që brenda një afati prej 15 ditësh ta propozojë para Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar”, ka sqaruar Cakolli.

Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit.

Një prej mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës.

Një prej mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës.

Cili është skenari më i mundshëm?

Sipas Cakollit, asnjëra prej partive nuk po duket që ka as ndonjë nguti, dhe as ndonjë interes për formimin e institucioneve:

“Në njërën anë, LVV-ja duket se do ta ketë tejet të vështirë gjetjen e partnerëve në mesin e partive shqiptare, për shkak se, të paktën, në bazë të rezultateve të deritashme, nuk e ka një partner të tillë dhe vetëm me parti minoritare joserbe nuk mund ta formojë Qeverinë. Besoj që do ta ketë tejet të vështirë, dhe si rrjedhojë do të tentojë që të bllokojë formimin e institucioneve përmes mosemërimit të kandidatit për kryetar Kuvendi”.

Partitë opozitare do të mund të kenë sfidë tjetër, nëse supozojmë se do të kryhet çështja e kryetarit të Kuvendit.

“Ato do ta kenë problem çështjen e presidentit – e cila menjëherë do të jetë në muajin mars dhe prill të vitit të ardhshëm – pasi LVV-ja, me 47 deputetë, sa i ka në bazë të projeksioneve të tanishme, mund ta bllokojë sërish zgjedhjen e presidentit dhe të shkaktojë zgjedhje të parakohshme”, ka vlerësuar Cakolli.

Partitë mund të mos kenë gatishmëri për të lëvizur përpara, sepse, sipas Cakollit, bëhet fjalë për sfidën e sigurimit të votave, por edhe kërkesat e faktorit ndërkombëtar që mund të peshojnë ndaj Qeverisë së re.

Kush do të mund ta formonte një Qeveri më stabile?

Cakolli ka thënë se përvoja nga zgjedhjet e vitit 2021 ka treguar se as edhe një Qeveri me 68 deputetë nuk ka qenë e mjaftueshme për kalim të projektligjeve në mënyrë efikase.

“Për një skenar më solid nevojitet një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive shqiptare”, ka pohuar ai, duke përmendur si më të mundshëm një bashkim mes LVV-së dhe PDK-së, edhe për shkak të votave që duhen për pozitën e presidentit të ardhshëm.

Në diskutime partiake e jashtë tyre ekzistojnë edhe plot skenarë, dhe thuhet se po bëhen edhe plot matematika tjera.

Koha do të na tregojë se kush kishte të drejtë…

Radio Evropa e Lirë

Kush sa vota i mori?

Kandidatët që garuan për pozitën e kryeministrit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të enjten numrin e votave që kanë fituar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pas numërimit të mbi 90 për qind të votave në vendvotime.

Sipas rezultateve, liderët e partive kryesore dhe kandidatët për pozitën e kryeministrit renditen kështu:

  • Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat për kryeministër – 259.532 vota
  • Bedri Hamza, kandidat për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës – 150.294 vota
  • Memli Krasniqi, lider i Partisë Demokratike të Kosovës – 85.293 vota
  • Lumir Abdixhiku, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidat për kryeministër – 109.202 vota
  • Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidat për kryeministër – 37.752 vota
  • Zllatan Ellek, lider i Listës Serbe – 9.354 vota.

Në rezultatin e publikuar nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe mbi 80 mijë vota nga diaspora.

Personi më i votuar në Kosovë vazhdon të mbetet presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e vitit 2021, pati fituar 300.756 vota.

Dalja në zgjedhjet e sivjetme ishte 40 për qind – rreth 8 për qind më e vogël sesa në zgjedhjet e 2021-tës.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – parti në pushtet – ka dalë e para në këto zgjedhje, me 40.80 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63 për qind të votave, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka marrë 7.46 për qind të votave, si dhe Lista Serbe 4.61 për qind të votave.

Partitë tjera kanë fituar përqindje më të vogël të votave.

Me Ligjin e ri për zgjedhjet, votat e kandidatëve për deputetë numërohen ndaras në Qendrat Komunale të Numërimit. Ky proces ka nisur me vonesë, ndërsa organizatat për monitorim të zgjedhjeve e kanë kritikuar vetë KQZ-në se nuk është përgatitur mjaftueshëm mirë për procesin.

Kush u ngjit në krye të listës?

Dhjetë figurat më të votuara në Lëvizjen Vetëvendosje, pas Kurtit, janë: Glauk Konjuca me 199.136 vota, Faton Peci me 96.849 vota, Hekuran Murati me 94.531 vota, Albulena Haxhiu me 89.601 vota, Xhelal Sveçla me 85.632 vota, Donika Gërvalla me 79.691 vota, Avni Dehari me 68.735 vota, Mimoza Kusari – Lila me 61.945 vota dhe Arben Vitia me 48.760.

Nga radhët e PDK-së, pas Hamzës dhe Krasniqit, më të votuarit janë: Uran Ismaili me 37.017 vota, Vlora Çitaku me 34.805 vota, Sala Jashari me 32.052 vota, Përparim Gruda me 27.004 vota, Jakup Nura me 26.635 vota, Rrahman Rama me 25.532 vota, Nait Hasani me 24.162 vota dhe Elmi Reçica me 23.163.

Si do të duket Kuvendi i ardhshëm i Kosovës?
Infografikë

Si do të duket Kuvendi i ardhshëm i Kosovës?

Nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas Abdixhikut, më të votuarit janë: Doarsa Kica Xhelili me 44.738 vota, Hykmete Bajrami me 41.796 vota, Kujtim Shala me 37.886 vota, Avdullah Hoti me 30.932 vota, Anton Quni me 27.292 vota, Lutfi Haziri me 27.260 vota, Jehona Lushaku Sadriu me 22.122 vota, Armend Zemaj me 19.341 vota dhe Imri Ahmeti me 18.397 vota.

Në listën e koalicionit mes AAK-së dhe Nismës, pas Haradinajt, më votuarit janë: Fatmir Limaj me 22.207 vota, Time Kadriaj me 12.976, Bekë Berisha me 12.972 vota, Ardian Gjini me 9.757 vota, Xhevahire Izmaku me 9.439 vota, Gani Bajraktari me 8.970, Albana Bytyqi me 8.398 vota, Besnik Tahiri me 8.006 vota dhe Pal Lekaj me 7.845 vota.

Nga kandidatët e Listës Serbe, më së shumti vota ka marrë Branislav Nikolliq nga Shtërpca, gjithsej 12.331 vota. Nikolliq është vëllai i Bratisllav Nikolliqit, ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës.

Pas tij renditet Sërgjan Popoviq nga Graçanica me 11.329 vota të fituara, si dhe Lilana Stefanoviq nga Mitrovica e Veriut me 11.231 vota. Lilana Stefanoviq, përndryshe, është ish-kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicën e Veriut, e cila ka dhënë dorëheqje, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit 2022.

Bartësi i Listës Serbe, Zllatan Ellek, sipas rezultateve aktuale, është në vendin e shtatë për nga numri i votave të fituara – 9.354. Para tij, në vendin e katërt është Sllavko Simiq me 10.752 vota, në vendin e pestë Verica Çeraniq me 10.412 vota, ndërsa në vendin e gjashtë Igor Simiq me 10.391 vota të fituara.

Në vendin e tetë është Milana Nikolliq me 8.163 vota, në të nëntin Stefan Kovaçeviq me 7.635 vota, dhe në të dhjetin, Novak Zhiviq me 6.612 vota.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar më së shumti vota në këtë proces zgjedhor, është zotuar se do ta formojë Qeverinë e re, ndonëse me rezultatet aktuale, ajo nuk i ka 61 deputetë për miratim të kabinetit të ri qeveritar.

Analistët politikë kanë përmendur mundësinë e bashkimit të forcave të LVV-së me komunitetet joserbe, që i kanë 10 ulëse të garantuara në Kuvend.

Partitë opozitare, PDK, LDK, dhe AAK, kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të koalicionit me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për formimin e një Qeverie së bashku.

Njohësit e çështjeve politike paralajmërojnë se në ditët dhe javët në vijim, Kosova rrezikon të përballet me turbulenca politike, për shkak të thellimit të ndasive mes partisë në pushtet dhe atyre në opozitë.

Kaosi digjital prapa zgjedhjeve në Kosovë

Procesi i numërimit të votave.

 

Bekim Bislimi

Sulmet e supozuara kibernetike në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë kishin për qëllim të minonin besimin në institucionet e Kosovës, të nxisnin trazira dhe të krijonin kaos politik, vlerëson profesori i Shkencave të Sigurisë në Kosovë, Avni Islami.

“Realizimin e qëllimit të tyre e shmangën vetë qytetarët e Kosovës”, thotë ai, “duke mos rënë pre e ndërhyrjeve dhe dezinformatave”.

Në ditën e zgjedhjeve në Kosovë, më 9 shkurt, derisa pritej publikimi i rezultateve preliminare nga KQZ-ja, këtij institucioni i dështoi platforma elektronike.

Ajo u kthye në funksion pas disa orësh, por edhe në ditët në vazhdim pati ndërprerje të kohëpaskohshme.

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ngriti alarmin më 18 shkurt, duke thënë se siguria e shtetit të Kosovës u vu në rrezik nëpërmjet lajmeve të rreme dhe sulmeve kibernetike në ueb-faqen e KQZ-së, si gjatë fushatës parazgjedhore, ashtu edhe në ditën e votimeve, më 9 shkurt.

Për ndërhyrje në zgjedhje, po atë ditë, foli edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili e drejtoi gishtin nga Serbia.

E pyetur nga Radio Evropa e Lirë se për çfarë sulmesh bëhet fjalë dhe nëse është hapur ndonjë rast, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit tha se “Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës të bëjë mbledhjen e informatave rreth mosfunksionimit të platformës online të KQZ-së, pas raportimeve për mosfunksionimin e saj”.

“Pra, tani jemi në fazën e mbledhjes së informatave dhe kryerjen e veprimeve të tjera, për të vërtetuar saktësinë e tyre”, thuhet në përgjigje.

KQZ-ja njoftoi qysh më 10 shkurt se i është drejtuar Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të sigurisë, lidhur me “problemet e mosfunksionimit të platformës për rezultatet preliminare”.

Policia e Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar në lidhje me kërkesat e Prokurorisë, e as pyetjes se sa raste të veprës penale “hyrje në sistemet kompjuterike” janë regjistruar deri më tash këtë vit.

Ndërhyrje nga Rusia dhe Serbia

Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë theksoi në raportin e tij se dy media shtetërore ruse, RT Ballkan dhe Sputnik Serbia, publikuan rreth 60 artikuj për zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe se disa prej tyre kishin narrativë manipulimi kundër komunitetit serb.

Në anën tjetër, ambasadori gjerman në Prishtinë, Rohde, tha se Serbia ndërhyri në zgjedhjet në Kosovë, duke kërkuar vota për Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve, të cilën e mbështet që nga themelimi i saj më 2013.

Ende nuk është e qartë se sa deputetë i siguroi kjo parti në Kuvendin e Kosovës, pasi vazhdon numërimi i votave me kusht dhe i atyre nga diaspora.

Cili mund të ketë qenë qëllimi?

Profesor Islami beson se ueb-faqja e KQZ-së ishte cak i sulmeve kibernetike, të cilat kishin për qëllim krijimin e një opinioni të mosbesimit te popullata e Kosovës ndaj institucioneve të saj, si dhe shkaktimin e trazirave në vend.

“Pra, në njërën anë, të supozohej se partia e parë [Vetëvendosje] ka manipuluar me zgjedhje dhe, në anën tjetër, të nxitej dalja në rrugë e përkrahësve të subjekteve të caktuara politike. Kësisoj, do të krijohej një klimë e anarkisë dhe destabilizimit në përgjithësi”, thotë Islami për Radion Evropa e Lirë.

Qëllimi, sipas tij, nuk u arrit, sepse qytetarët nuk ranë pre e, siç i quan ai, provokimeve.

Islami shpreh bindjen se Kosova është cak i atyre që e kundërshtojnë pavarësinë e saj dhe orientimin e saj properëndimor.

“Hakerët ose profesionistët që punojnë në këtë drejtim, gjejnë dritare ose zbrazëtira, përmes të cilave depërtojnë dhe i sulmojnë sistemet, sikurse ishte rasti i ueb-faqes së KQZ-së”, thotë Islami.

Çka është sulmi kibernetik?

Sulmi kibernetik nënkupton përpjekjet e hakëreve për të fituar qasje të paligjshme në një kompjuter ose sistem kompjuterik, me qëllim të shkaktimit të dëmit.

Sulmi i tillë mund ta bëjë rrjetin kompjuterik të paqasshëm dhe, në këtë mënyrë, bllokon punën e institucioneve, korporatave apo bizneseve.

Pasojat mund të jenë të rënda – nga humbja e të dhënave deri te dëmtimi i infrastrukturës kritike dhe ndikimi negativ në ekonominë dhe sigurinë e një vendi.

Çfarë sigurie kibernetike ka Kosova?

Kosova ka Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2023-2027.

Aty thuhet se vendi “do të krijojë mjedis online të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët, bizneset dhe qeverinë, duke punuar në zvogëlimin e dobësive dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve, për të trajtuar çështjet e sigurisë kibernetike duke parandaluar dhe minimizuar dëmet”.

Kjo, sipas strategjisë, synohet të arrihet përmes punës në kornizën ligjore dhe metodave për t’i identifikuar të gjitha entitetet kritike të infrastrukturës së informacionit.

Kastriot Fetahaj, inxhinier i sigurisë kibernetike dhe zhvillues i softuerit për kompaninë amerikane The Daily Wire, thotë se siguria kibernetike në institucionet e Kosovës vazhdon të jetë e brishtë, për shkak të kapaciteteve të kufizuara ose fare teknike dhe humane.

Përkundër Ligjit për sigurinë kibernetike që i hapi rrugë themelimit të Agjencisë për Siguri Kibernetike, Fetahaj kujton se kjo agjenci nuk është themeluar as sot e kësaj dite.

Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës i thanë REL-it se, në dhjetor të vitit të kaluar, është hapur konkursi për kryeshef të kësaj agjencie, në mënyrë që të niste me themelimin dhe funksionalizimin e saj, por, sipas tyre, “konkursi ka dështuar, për shkak të mospërmbushjes së kritereve dhe specifikave” .

Fetahaj thotë se siguria kibernetike në institucionet shtetërore çalon në “pikat fundore”, që nënkuptojnë ueb-faqet dhe shërbimet për informim dhe përdorim të gjerë.

Ai shton se në bazë të vrojtimeve të tij në ueb-faqen e KQZ-së, ajo “ka qenë e infektuar nga data 7 shkurt deri së paku më 13 shkurt” me virus, i cili është shpërndarë edhe te qytetarët e rëndomtë që i janë qasur asaj faqeje.

“Kur i shohim këto parregullsi, qoftë te portali i numërimit të votave, qoftë te faqja zyrtare e KQZ-së, atëherë siguria [kibernetike] në institucione shtetërore, lë shumë për të dëshiruar”, thotë Fetahaj.

Kjo siguri nuk mund të arrihet asnjëherë 100%, por për ta përmirësuar atë, ai thotë se institucionet duhet të investojnë shumë më tepër në infrastrukturë dhe pajisje, ta zgjerojnë stafin për siguri kibernetike dhe ta trajnojnë atë.

Po ashtu, thotë Fetahaj, pagat në institucionet shtetërore për ekspertët e sigurisë kibernetike janë tejet të ulëta në krahasim me sektorin privat dhe kjo është një prej arsyeve përse personat me ekspertizë në institucione private dhe ndërkombëtare, nuk kanë interes të punojnë në institucione shtetërore.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet ta rikategorizojë sektorin e sigurisë kibernetike dhe sektorin e IT-së, t’i heqë nga shkallëzimi që parasheh Ligji i punës, për arsye se nëse vazhdojmë me këtë shkallëzim, gjasat për të pasur ekspertë që e dinë dhe e kryejnë punën e vet ashtu siç duan institucionet shtetërore, janë minimale”, thotë Fetahaj.

Sulmet kibernetike në të kaluarën

Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike disa herë në të kaluarën.

Në maj të vitit 2024, grupe hakerësh prorusë morën përgjegjësinë për disa sulme të tilla, të cilat i bllokuan përkohësisht disa ueb-faqe qeveritare, përfshirë atë të Presidencës dhe Kryeministrisë.

Qeveria e Kosovës konfirmoi atëkohë se sulmet vinin nga “hakerët rusë”, por nuk specifikoi se për kë saktësisht bëhej fjalë.

Në një raport që publikoi organizata Demokraci Plus në vitin 2022 thuhej se Kosova “është subjekt i dezinformimit nga aktorë malinj të huaj, si Rusia, Kina dhe Serbia”.

Atë vit, Kosova, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor regjistruan disa sulme të njëpasnjëshme kibernetike. Caqe ishin ueb-faqet e institucioneve shtetërore, ndërsa prejardhja e sulmuesve u regjistrua në vende të ndryshme, përfshirë: Rusinë, Holandën, Lituaninë e të tjera.

KQZ-ja numëron votat e të gjitha vendvotimeve

Pamje nga Qendra e Numërimit të votave në Prishtinë.

 

Radio Evropa e Lirë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar të enjten rezultatin preliminar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, pas numërimit të 100 për qind të votave nga vendvotimet.

Megjithatë, në rezultatin e publikuar nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe mbi 80 mijë vota nga diaspora.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – parti në pushtet – ka dalë e para me 40.80 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63 për qind të votave, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka marrë 7.46 për qind të votave, si dhe Lista Serbe 4.61 për qind të votave.

Partitë tjera kanë fituar përqindje më të vogël të votave.

Me Ligjin e ri për zgjedhjet, votat e kandidatëve për deputetë numërohen ndaras në Qendrat Komunale të Numërimit. Ky proces ka nisur me vonesë, ndërsa organizatat për monitorim të zgjedhjeve e kanë kritikuar vetë KQZ-në se nuk është përgatitur mjaftueshëm mirë për procesin.

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, deri më 19 shkurt janë numëruar 92.73 për qind e votave për kandidatët për deputetë, apo 2.340 qendra votimi nga gjithsej 2.533 të tilla.

“Procesi i numërimit ka përfunduar në 31 komuna, ndërkaq është duke vazhduar në Qendrat Komunale të Numërimit në shtatë komuna tjera: Leposaviq, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Zveçan”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar më së shumti vota në këtë proces zgjedhor, është zotuar se do ta formojë Qeverinë e re, ndonëse me rezultatet aktuale, ajo nuk i ka 61 deputetë për miratim të kabinetit të ri qeveritar.

Analistët politikë kanë përmendur mundësinë e bashkimit të forcave të LVV-së me komunitetet joserbe, që i kanë 10 ulëse të garantuara në Kuvend.

Partitë opozitare, PDK, LDK, dhe AAK, kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të koalicionit me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për formimin e një Qeverie së bashku.

Njohësit e çështjeve politike paralajmërojnë se në ditët dhe javët në vijim, Kosova rrezikon të përballet me turbulenca politike, për shkak të thellimit të ndasive mes partisë në pushtet dhe atyre në opozitë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nderon ish-kreun e shtetit Bamir Topi me titullin “Medalja Presidenciale e Meritave”: Forcoi raportet Shqipëri-Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë ish-presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, titullin “Medalja Presidenciale e Meritave”, në një ceremoni të zhvilluar me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Prishtinë.

Ky nderim iu dha Topit për kontributin e tij të jashtëzakonshëm gjatë mandatit të tij si President i Shqipërisë në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe angazhimin e tij në promovimin e frymës përbashkuese.

Në fjalën e tij, Bamir Topi e falënderoi Presidenten Osmani për këtë nderim dhe theksoi se ky çmim është një vlerësim për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga vendi ku jetojnë. Ai kujtoi momentin historik kur Presidenti amerikan, George Bush, shpalli publikisht nevojën e përmbylljes së Pavarësisë së Kosovës, një ngjarje të cilën ai e ka ndjekur nga afër si President i Shqipërisë.

Topi gjithashtu bëri të ditur se ka qenë në Kosovë dy javë para shpalljes së Pavarësisë, dhe se ky proces ka qenë një hap i rëndësishëm për të dy vendet. Ai e mbylli fjalën duke nënvizuar se më 17 shkurt 2008, Kosova u bë e pavarur dhe sovrane, një ngjarje që shënoi një fitore të madhe për shqiptarët dhe për miqtë e Kosovës, duke e konsideruar atë si një ditë të shënuar për të gjithë.

Ish-presidenti Bamir Topi: Është shumë nder i veçantë dhe iu falënderoj për këtë vlerësim. Ky vlerësim në fakt vjen tek unë, por besoj dhe ka  gjithë bindjen së kontributi i çdo shqiptari në çdo pjese të territorit ku jetojnë shqiptarë, do të ishte njësoj siç kemi bërë dhe ne. Unë kam qenë me fat që kam qenë një bashkëkohës, por edhe një bashkudhëtar politik në procesin e Pavarësisë së Kosovës.

Pata privilegjin që në 10 qershor të viti 2007, të pres në Tiranë Presidentin amerikan, Geroge Bush, i cili atë ditë projektoi publikisht Pavarësinë e Kosovës. Më pas kam qenë në Kosovë në një vizitë zyrtare rreth dy javë para shpalljes së Pavarësisë. Zoti na nderoi bashkë me kontributin tuaj, të miqve ndërkombëtarë, që më 17 shkurt 2008, Kosova u bë e pavarur dhe sovrane. bw

Gjermania akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet e 9 shkurtit të Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë të mbajtura më 9 shkurt, duke kërkuar vota për Listën Serbe.

Rohde shkroi në rrjetet sociale se për ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e 9 shkurtit ka folur edhe shefja e misionit të Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, Nathalie Loiseau.

Më 11 shkurt, në prezantimin e gjetjeve preliminare të këtij misioni të BE-së u tha se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

Sipas rezultateve preliminare, Lista Serbe – parti që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka fituar 4.55 për qind të votave të rregullta.

Ende është e paqartë se sa vende në Kuvendin e Kosovës do të marrë kjo parti nga dhjetë vendet e garantuara për komunitetin serb, teksa ende nuk janë numëruar votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë.

Serbia kishte ofruar transport për serbët që të shkonin në Kosovë për të votuar më 9 shkurt. Pas votimeve, Lista Serbe ka pretenduar se ka fituar të dhjetë vendet e garantuara.

Reagimi i Rohde vjen pasi një ditë më herët Zyra për Jashtëm e Gjermanisë shprehu shqetësimin lidhur me situatën në Serbi, ku sipas Berlinit zyrtar, aktivistët atje po përballen me sulme dhe fushata shpifjeje.

Rohde tha se “këto sulme dhe fushata kalojnë kufijtë serbë. Siç ka theksuar Loiseau, Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet kosovare duke kërkuar vota për Listën Serbe. Në të njëjtën kohë, Serbia pa bazë po akuzon Kosovën se po mbështet protestat në Serbia, pa ofruar asnjë provë”.

Muajve të fundit, Serbia po përballet me protesta masive të organizuara nga studentët të cilët po kërkojnë përgjegjësi institucionale lidhur me një incident vdekjeprurës në stacionin hekurudhor në Novi Sad nëntorin e vitit të kaluar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se ka një komplot të dyshuar nga jashtë për ta rrëzuar atë dhe Qeverinë e tij nga pushteti.

Ai ka thënë se janë investuar shumë para për ta rrëzuar Qeverinë në Serbi, por nuk ka ofruar prova për këto pretendime.

Kosova kërkon nga Kallas hapa konkretë për të detyruar Serbinë t’i hapë arkivat shtetërore

Kryetari i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

 

Radio Evropa e Lirë

Kryetari i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i ka nisur një letër kryediplomates së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, duke kërkuar hapa konkretë prej saj dhe bllokut evropian për të detyruar Serbinë që të bashkëpunojë dhe t’i hapë arkivat e saj shtetërore, përfshirë ushtarake, policore dhe të inteligjencës, për të kuptuar vendndodhjen e të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë, më 1998/99.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka bërë të ditur se delegacioni kosovar, përveç hapjes së arkivave, ka kërkuar edhe bashkëpunim të plotë për ”zbardhjen e rolit të forcave paramilitare dhe bashkëpunëtorëve serbë, të cilët, me mbështetjen e regjimit të [Sllobodan] Millosheviqit, ekzekutuan dhe zhdukën mijëra shqiptarë”, si dhe “llogaridhënie për refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për të dorëzuar informacion mbi varrezat masive të njohura brenda territorit të saj”.

Hoti e ka bërë të ditur këtë kërkesë drejtuar Kallasit në ditën e shënimit të 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Pavarësia jonë është arritur me sakrifica të mëdha dhe ne nuk mund të lejojmë që viktimat e gjenocidit të harrohen apo të mohohet e drejta e familjeve për të ditur të vërtetën. Serbia vazhdon të mohojë përgjegjësinë e saj dhe të sabotojë përpjekjet për drejtësi, duke refuzuar të zbulojë të dhënat mbi vendndodhjen e të zhdukurve”, ka thënë mes tjerash Hoti.

Edhe në ceremonitë e mbajtura gjatë ditës nga krerë të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, janë nderuar “të gjithë ata që u sakrifikuan dhe u flijuan” për lirinë.

Më 15 janar të këtij viti ishte planifikuar mbajtja e një takimi të Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe të Serbisë për të pagjeturit, mirëpo ai ka dështuar për shkak të refuzimit të Serbisë për të marrë pjesë, si shenjë proteste pas një aksioni të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të Serbisë.

Komisioni i përbashkët Kosovë – Serbi për të pagjeturit është ngritur në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.

Formimit të Komisionit i ka paraprirë pajtueshmëria e arritur nga udhëheqës të Kosovës dhe Serbisë më 2023 për Deklaratën e përbashkët për Personat e Zhdukur.

Disa prej zotimeve të bëra në deklaratë përfshijnë:

  • qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar;
  • vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe
  • punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Në praktikë nuk është realizuar asnjëra pikë e deklaratës, pavarësisht thirrjeve të bllokut evropian.

Kosova dhe Serbia dialogojnë prej vitit 2011 dhe kanë arritur edhe një mori marrëveshjesh tjera, por jo të gjitha janë zbatuar.

Bashkimi Evropian u rikujton dy palëve shpesh se avancimi në procesin e dialogut është i lidhur me rrugën e tyre në integrimet euro-atlantike.

17 vjetori i pavarësisë së Kosovës, Albin Kurti: Kemi punuar për të përmbushur idealin e dëshmorëve dhe ëndrrat e rinisë

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje festive me rastin e 17 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij para kabinetit qeverisës tha se teksa festojmë kujtojmë me krenari rrugëtimin tonë të gjatë drejt lirisë dhe pavarësisë

“Kushtetua jonë vërtetë është e re , por kultura jonë është e një populli të lashtë e autokton e rrënjosur thellë në historinë tonë të lavdishme. Ne sot nderojmë të gjithë ata që sakrifikuan dhe u flijuan për lirinë tonë”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se liria për të cilën është sakrifikuar kaq shumë kërkon demokraci e demokracia kërkon institucione të forta.

“Institucione të forta që mbrojnë sundimin e ligjit, garantojnë zgjedhje të lira te të ndershme dhe sigurojnë që pushteti u shërben qytetarëve”, tha Kurti.

Kryeminitri theksoi tutje se suksesi ynë është dëshmi që kemi punuar në përputhje me amanetin e idealin e dëshmorëve të kombit dhe në përputhje me të drejtat e popullit, dëshirat e rinisë dhe ëndrrat e fëmijëve.

“Urime e gëzuar dita e pavarësisë. Rroftë Republika jonë”, tha Kurti. bw

Newborn me një pamje të re për Pavarësinë e Kosovës

Monumenti i pavarësisë NEWBORN do të vijë sërish me pamje të re për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke reflektuar një nga temat më të diskutuara në vend dhe në mbarë botën – inteligjencën artificiale.

Ideatori i këtij monumenti, Fisnik Ismaili, ka theksuar se përmes ngjyrosjes së NEWBORN-it, ata synojnë të përfaqësojnë Kosovën me tema aktuale ndër vite. Sivjet, fokusi është tek inteligjenca artificiale, një teknologji që po ndryshon mënyrën se si funksionon shoqëria moderne.

Punimet për transformimin e monumentit nisën të premten, dhe pritet të përfundojnë të dielën. Ndërsa më 17 shkurt, në mëngjes do të realizohen fotografitë zyrtare, pas çka qytetarët do të kenë mundësinë ta nënshkruajnë monumentin.

NEWBORN është shndërruar në një atraksion turistik që kur u ekspozua për herë të parë me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Monumenti simbolizon shtetin më të ri në Evropë.  sn

Gërvalla në konferencën e sigurisë në Mynih, ky është fokusi

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC), një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për çështjet e sigurisë globale.

Në këtë konferencë, që mbledh çdo vit liderë botërorë, diplomatë të lartë dhe ekspertë të sigurisë, Gërvalla do të zhvillojë takime të rëndësishme me homologë nga vende të ndryshme të botës dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

Sipas një komunikate të MPJD-së, diskutimet do të përqendrohen në sfidat aktuale të sigurisë dhe forcimin e bashkëpunimit mes aleatëve.

“Pjesëmarrja e Kosovës në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC), rikonfirmon përkushtimin për stabilitetin dhe paqen ndërkombëtare, si dhe për thellimin e partneriteteve strategjike në adresimin e sfidave të përbashkëta”, thuhet në njoftim./ Kosova Press.

Presidentja Osmani kërkon ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor në takim me kryetarin e KQZ-së

Kuti të mbushura me vota nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, në qendrën e numërimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, 11 shkurt.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të enjten në mëngjes me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ku kërkoi ruajtjen e integritetit të procesit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, pas telasheve të vazhdueshme me të cilat është përballur komisioni.

“Presidentja ripotencoi rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi”, tha Presidenca në një njoftim në Facebook.

Vonesat në fillimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe problemet e njëpasnjëshme me faqen e KQZ-së, softueri i së cilës për raportimin e rezultateve ra nga sistemi vazhdimisht, kanë ngritur dyshime për integritetin e procesit zgjedhor.

Presidenca tha se Radoniqi sqaroi para presidentes Osmani se KQZ-ja i ka njoftuar “menjëherë” institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve.

“Njëkohësisht, presidentja është njoftuar nga Radoniqi se KQZ-ja, është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve”, thuhet në njoftim.

KQZ-ja njoftoi të enjten se numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës po zhvillohet në 19 prej 38 komunave të vendit.

Numërimi nisi me një ditë vonesë më 11 shkurt vetëm në katër komuna, ndërsa në komunat e tjera nisi në ditët pasuese.

Këto vonesa mund ta shtyejnë shpalljen e rezultateve përfundimtare, pasi pas numërimit të këtyre votave dhe verifikimit të votave për subjektet politike, duhet të numërohen edhe votat jashtë Kosovës, ato me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), i cili e ka vëzhguar fushatën zgjedhore dhe votimin, tha të martën se vonesat “janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin në procesin zgjedhor”.

Sipas ligjit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve.

Të mërkurën, KQZ-ja i hodhi poshtë dyshimet e ngritur rreth procesit zgjedhor, duke thënë se “integriteti i votës nuk është i cenuar”.

“Pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre”, tha ajo.

Ndërkohë, kur janë numëruar mbi 99 për qind e votave vetëm për subjektet politike, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i ka fituar 40.81 për qind të votave, sipas KQZ-së.

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, i ka fituar 22.16 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës i ka siguruar 17.60 për qind të votave.

Koalicioni mes Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës dhe NISMA-s, fitoi 7.46 për qind të votave. Ndërkohë, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, i fitoi 4.43 për qind të votave.

Për formimin e qeverisë së re, partia fituese duhet t’i ketë 61 deputetë, dhe rezultatet preliminare tregojnë se asnjëra prej tyre nuk i ka.

Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta që Kosova ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë.

Vëzhguesit thanë se zgjedhjet ishin të qeta, me disa parregullsi, por pa incidente të mëdha.

Në zgjedhje dolën 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë. Paraprakisht, për këto zgjedhje votoi edhe diaspora, nëpërmjet postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë.

Posti i presidentit mund të bëhet pjesë e “pazareve” për qeverinë e re

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovë ku ndodhet edhe Presidenca. (Fotografi nga arkivi)

 

Bekim Bislimi

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë nuk krijojnë mundësi për asnjë parti politike që ta formojë qeverinë e vetme.

Njohësit e çështjeve politike thonë se koalicionet eventuale pas zgjedhjeve, mund ta përfshijnë edhe çështjen e pozitës së presidentit të Kosovës.

Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 7 prill 2026.

Bazuar në rezultatet preliminare, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka marrë më së shumti vota, ka siguruar 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për formimin e qeverisë i duhen së paku 61.

Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 25 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8.

Nga 20 ulëset e mbetura në Kuvendin me 120 gjithsej, dhjetë janë të garantuara për komunitetin serb dhe dhjetë për komunitetet tjera pakicë.

Çështja e presidentit, në dy nga tre skenarët për qeverinë

Analistët e çështjeve politike konsiderojnë se rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mund të ndryshojë minimalisht, pas numërimit të votave nga jashtë Kosovës dhe të atyre me kusht.

Por, bazuar në rezultatet aktuale, ata thonë se janë tre skenarë për formimin e qeverisë së re.

Skenari i parë nënkupton një qeveri të formuar nga Lëvizja Vetëvendosje me komunitetet joserbe, një përfaqësues të komunitetit serb dhe ndonjë deputet nga tri partitë e deritashme opozitare.

Një koalicion i Lëvizjes Vetëvendosje me njërën nga partitë aktuale opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës ose Lidhjen Demokratike të Kosovës, si dhe me komunitetet joserbe, shihet si skenar i dytë për formimin e qeverisë së re dhe krijimin e shumicës parlamentare.

E, si skenar i tretë konsiderohet një koalicion ndërmjet tri partive politike PDK, LDK, AAK dhe komuniteteve joshumicë serbe.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane thotë se, në rast se Lëvizja Vetëvendosje arrin ta formojë qeverinë e re me pakicat joserbe, çështja e postit të presidentit të Kosovës nuk do të jetë në tavolinën e “pazareve politike”.

Por, në të dy skenarët tjerë, ajo nuk do të mund të shmanget, sipas tij.

“Në këta dy skenarët e tjerë, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë së bashku me një parti tjetër shqiptare, apo opozita e gjitha së bashku. Këtu, pastaj, edhe posti i presidentit përfshihet në diskutime. Thjesht, sepse do të jenë më shumë aktorë të përfshirë dhe secili, me të drejtë, do të kërkojë pjesën e vet të kulaçit”, thotë Shasha për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai thekson se posti i presidentit të Kosovës nuk do të jetë interesi primar i subjekteve politike në kalkulimet për t’u përfshirë në formimin e qeverisë së re, por më shumë pjesë e plotësimit të një marrëveshjeje eventuale.

“Interesi primar i tyre do të jetë pushteti ekzekutiv. Më duket se çështja e presidentit do të trajtohet më shumë si ato përfitimet e rendit të dytë”, vlerëson Shasha.

Si do të duket Kuvendi i ardhshëm i Kosovës?
Infografikë

Si do të duket Kuvendi i ardhshëm i Kosovës?

Zgjedhja e presidentit si “levë” për të shkuar në zgjedhje të reja?

Më ndryshe e sheh situatën Belgzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokolari” në Prishtinë.

Sipas tij, vetëm “një koalicion i madh” mund të bëhet shkak që çështja e presidentit të ardhshëm të vendit të përfshihet si pjesë e një marrëveshjeje politike.

Zgjedhjen e presidentit, Kuvendi i Kosovës duhet ta votojë me dy të tretat e votave të 120 deputetëve sa i ka gjithsej. Në rast se kandidati për president nuk i merr këto vota në dy rundet e para, në rundin e tretë zgjidhet me votat e gjysmës së deputetëve.

Në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin edhe në rundin e tretë, atëherë ai shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Kamberi thekson se, në rast se qeverinë e re e krijon Lëvizja Vetëvendosje me pakicat joserbe ose partitë aktualisht opozitare me pakicat joserbe, votat e domosdoshme për zgjedhjen e presidentit janë të pasigurta.

Mospajtimi i një ose dy deputetëve të pushtetit në atë rast, sipas tij, do ta dështonte zgjedhjen në rundin e tretë të votimit.

Ai vlerëson se çështja e postit të presidentit ka pak gjasa të bëhet pjesë e ndonjë marrëveshjeje për ndonjë koalicion pas zgjedhjeve, përveç nëse arrihet ndonjë “koalicion i madh”.

“Çështjen e presidentit, në këtë konstalacion, e zgjidh vetëm një koalicion i madh për qeverinë. Kur them ‘koalicion i madh’, e mendoj Vetëvendosjen me PDK-në ose Vetëvendosjen me LDK-në. Kjo, aktualisht, më duket mundësia më pak e mundshme, përveç nëse ndodh ndonjë presion i madh ndërkombëtar, në këtë rast nga administrata amerikane”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

Në katër vjetët e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka qeverisur me pakicat joserbe.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Vetëvendosja, PDK-ja dhe AAK-ja kanë deklaruar se e përjashtojnë mundësinë e koalicionit mes vete. Para zgjedhjeve, mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen e ka hedhur poshtë edhe LDK-ja.

Kamberi i sheh të gjitha subjektet politike si të pakënaqura me rezultatet e arritura në zgjedhjet e 9 shkurtit, sepse, sipas tij, as mandatari për kryeministër nga Vetëvendosja, as nga opozita nuk do të mund të krijonte një qeveri stabile.

Sipas tij, “pazari” për postin e presidentit më shumë do të bëhej pengesë sesa mjet për formimin e qeverisë së re.

Për më tepër, thotë ai, partitë politike do ta ruajnë çështjen e zgjedhjes së presidentit për më vonë, si levë për veprime të mundshme politike pas një viti.

“Mua më duket më shumë se jemi në një situatë ku partitë do t’i bëjnë kalkulimet e tyre për një afat të shkurtër politik elektoral, njëvjeçar, derisa të vijmë në situatën për zgjedhjen e presidentit dhe, vetëm pastaj, të kalkulojnë se çfarë u përshtatet më shumë. Pra, a ta çojnë vendin në zgjedhje apo t’i japin Kosovës një president të ri apo presidente të re”, thotë Kamberi.

Me Kushtetutën e Kosovës, presidenti i vendit gëzon mandat pesëvjeçar. Posti i tij është kryesisht ceremonial, por luan rol udhëheqës në politikën e jashtme dhe si komandant i forcave të armatosura.

Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, mori mandatin më 4 prill të vitit 2021, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt të atij viti.

Me partinë e saj Guxo, që ka qenë në listë të përbashkët me Vetëvendosjen, Osmani ishte personi më i votuar në ato zgjedhje, me mbi 300 mijë vota.

Ajo u zgjodh presidente nga Kuvendi i Kosovës në rundin e tretë të votimit, pasi mori 71 vota nga 82 deputetë sa ishin të pranishëm në seancën e zgjedhjes së saj.

Çitaku: PDK-ja s’bën koalicion me VV-në, preferon koalicion me opozitën

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.

 

Radio Evropa e Lirë

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, tha se PDK-ja është e gatshme për një koalicion me parti të tjera opozitare, por jo edhe për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, që fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Megjithatë, Çitaku shtoi se ende duhet të përfundohen disa procedura, si numërimi i të gjitha votave, para se se të fillojnë “konsultimet, bisedimet me partnerët eventualë të koalicionit, që do të udhëhiqet nga Bedri Hamza”.

“Çdo vendim politik i PDK-së do të merret nga organet e partisë duke u bazuar në interesin e qytetarëve. Ne jemi te gatshëm ta marrim përgjegjësinë e qeverisjes me vendin”, tha Çitaku në konferencën për media.

Në bazë të 99 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, përkatësisht 47 nga 120 vendet parlamentare. Megjithatë, këto ulëse nuk janë të mjaftueshme për të formuar qeverinë e vetme.

Si do të duket Kuvendi i ardhshëm i Kosovës?
Infografikë

Si do të duket Kuvendi i ardhshëm i Kosovës?

Për të pasur shumicën në Kuvend, një partie i duhen së paku 61 deputetë nga 120 sa ka ky institucion gjithsej. Por, përqindja pritet të ndryshojë pas numërimit të votave të diasporës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka dhënë qëndrim zyrtar lidhur me koalicionet e mundshme paszgjedhore, ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ngjashëm si PDK-ja, e përjashtoi mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Me kënaqësi do të kishim bashkëpunuar me subjektet politike opozitare shqiptare, për të krijuar shumicën që realisht është e mundur”, tha Haradinaj, në një konferencë për gazetarë.

“Është në nderin tim që ta ndihmoj një qeveri të opozitës – assesi me Vetëvendosjen”, theksoi ai.

Njëzet nga 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës u takojnë minoriteteve – dhjetë komunitetit serb dhe dhjetë komuniteteve joserbe.

Përfaqësues politikë të komuniteteve pakicë joserbe në Kosovë, të cilët, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës, kanë thënë do të mbështesnin – parimisht – cilindo mandatar për formimin e qeverisë së re, pavarësisht nëse do të vinte nga partia aktuale në pushtet, Vetëvendosje, apo nga partitë opozitare.

Disa nga ata, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, kanë kushte për mbështetjen e kandidatit të ri për kryeministër, ndërsa të tjerë nënkuptojnë mbështetje të pakushtëzuar për cilëndo qeveri.

Gjatë fjalimit kur shpalli fitoren në ditën e zgjedhjeve, lideri i VV-së, Albin Kurti, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2021 në koalicion me pakicat joserbe, tha se partia e tij do të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm, por pa dhënë detaje se si apo në aleancë me kë.

Kur i fitoi zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019, Kurti e formoi qeverinë me mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, pikërisht me iniciativën e këtij partneri të koalicionit, ajo qeveri ra më pak se dy muaj pas formimit, për shkak të mosmarrëveshjeve për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.

Në zgjedhjet e mëvonshme, VV-ja fitoi mbi 50 për qind të votave dhe arriti ta formojë qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me partitë opozitare. Qeveria “Kurti 2” u bë qeveria e parë në Kosovë që e përfundoi mandatin katërvjeçar.

Rezultati i zgjedhjeve s’e përjashton mundësinë e krizës institucionale

Një fletëvotim gjatë procesit të numërimit të votave në një nga qendrat e numërimit në Prishtinë.

 

Arton Konushevci

Ndërsa Kosova përpunon ende rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, analistët politikë tërheqin vërejtjen se vendi mund të rrëshqasë drejt krizës institucionale.

Kjo krizë bën që institucionet e shtetit të mos funksionojnë normalisht dhe të mos arrijnë t’i përmbushin detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore.

“Unë nuk shoh mundësi që Qeveria e Kosovës të formohet së shpejti”, thotë për Radion Evropa e Lirë Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

“Kjo, për shkak se partitë duhet të ulen të negociojnë dhe negociatat do të marrin shumë kohë. Nuk pritet të jetë një proces i lehtë”, sipas saj.

Çfarë sollën zgjedhjet e 9 shkurtit?

Me mbi 99 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti prin me rreth 40 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22%, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me rreth 7%.

Për formimin e qeverisë së re, partia fituese duhet t’i ketë 61 deputetë, e që aktualisht asnjëra nuk i ka.

Shifrat, megjithatë, mund të ndryshojnë pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës.

Në mandatin e kaluar katërvjeçar, Kurti ka qeverisur me partitë e pakicave joserbe.

Pas shpalljes së fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit, ai ka shprehur bindjen se Vetëvendosja e tij do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.

Pas zgjedhjeve, partitë tash në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me Vetëvendosjen. Gjatë fushatës parazgjedhore, një mundësi të tillë e ka hedhur poshtë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ramush Haradinaj i AAK-së ka shpalosur edhe idenë e formimit të qeverisë nga opozita, por nuk ka marrë përgjigje prej PDK-së e LDK-së.

Disa përfaqësues të partive të komuniteteve pakicë, ndërkaq, kanë thënë se do ta mbështesnin parimisht cilindo mandatar për formimin e qeverisë së re.

“Pritje edhe dy-tre muaj apo më gjatë”

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se ka rrezik real që Kosova të futet në krizë institucionale.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai vë në pah retorikën fyese dhe dëbuese, që, sipas tij, përdor para të gjithëve kryeministri Kurti.

fjalimin pas fitores, Kurti ka përdorur shprehje denigruese në drejtim të partive opozitare.

“Ato mund të kuptohen si mesazh që Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë dëshirë, në asnjë rrethanë, që të bëjë koalicion me partitë shqiptare. Kjo është një mënyrë e përçarjes”, thotë Miftaraj.

Ai shton se do të duhen së paku dy muaj apo dy muaj e gjysmë, për të kuptuar nëse do të ketë qeveri të re, apo vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në tryezë të bisedimeve, thotë ai, do të jenë matematika të ndryshme. Ai nuk e përjashton mundësinë që partitë shqiptare në opozitë ta formojnë qeverinë e re, duke bërë pjesë të koalicionit komunitetet joshumicë – pa serbët.

Emini ka pritje të ngjashme – ajo mendon se nuk do të ketë formim të qeverisë së re së paku deri në verë, marrë parasysh rezultatet që kanë prodhuar zgjedhjet.

“Fjalimi toksik ndaj opozitës tregon që Kurti, në njëfarë mënyre, e kishte për qëllim që ta antagonizonte opozitën dhe ajo t’i refuzonte negociatat me të… Por, edhe për opozitën është e vështirë, sidomos për LDK-në, e cila ka qenë në koalicion [me Kurtin] dhe ka përjetuar rënien me të madhe gjatë asaj kohe”, thotë Emini.

As ajo nuk e përjashton mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, nëse partitë nuk arrijnë të dakordohen, por thotë se ato nuk do të ishin zgjidhje e mençur, marrë parasysh se Kosova, këtë vit, mban edhe zgjedhjet lokale.

“Unë nuk mendoj se përsëritja e zgjedhjeve mund të sjellë ndonjë rezultat. Ajo që mund të sjellin zgjedhjet e tilla, është mosadalja e qytetarëve dhe kështu do të përsëritej një proces me rezultate të ngjashme. Do të ishte humbje kohe dhe humbje e jashtëzakonshme e resurseve”, thotë Emini.

Sipas saj, Kosova nuk e ka luksin për zgjedhje të tilla edhe për shkak të dinamikave në botë dhe pritjeve prej saj, sidomos sa i përket rinisjes së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Brendapërbrenda, ndoshta do të mund të funksiononim disi, mirëpo në politikën e jashtme do të kishim pasoja serioze”, thotë Emini.

Çka ndodh tash?

Në Ligjin për zgjedhjet në Kosovë nuk është i përcaktuar ndonjë afat kohor se kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i shpallë rezultatet përfundimtare.

Deri më tash, janë evidentuar disa shkelje në procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë, si dhe ka pasur pengesa të qasjes në ueb-faqen e KQZ-së.

Kurdo që të bëhet numërimi i të gjitha votave nga KQZ-ja dhe certifikimi i rezultateve, presidentja e Kosovës thërret seancën konstituive të Kuvendit brenda 30 ditësh nga shpallja e rezultateve.

Deputetët betohen dhe zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët.

Pas kësaj procedure, presidentja i jep mandatin për formimin e qeverisë kandidatit të propozuar nga partia ose koalicioni fitues.

Kandidati për kryeministër propozon përbërjen e qeverisë dhe programin qeverisës.

Qeveria votohet nga Kuvendi me shumicën e thjeshtë të votave (50% + 1 deputetë të pranishëm).

Sipas Nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës, nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh, emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre.

A ka pasur kriza më herët?

Kosova ka pasur disa bllokada institucionale, kryesisht për shkak të mungesës së konsensusit politik.

Një e tillë ndodhi pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014.

Atëkohë, PDK-ja që doli e para, nuk arriti të siguronte shumicën për krijimin e qeverisë.

Koalicioni opozitar LDK-AAK-Nisma e sfidoi të drejtën e PDK-së për të propozuar kryetarin e Kuvendit, por Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të PDK-së dhe e detyroi koalicionin opozitar të bënte marrëveshje me PDK-në.

Pas disa muajsh bllokadë u arrit një marrëveshje për bashkëqeverisje mes PDK-së dhe LDK-së, që e solli Isa Mustafën në postin e kryeministrit.

Në vitin 2020 kishte po ashtu një krizë pas rrëzimit të Qeverisë së parë të Kurtit. Në mars të atij viti, vetëm pas disa javësh në detyrë, qeveria e tij u rrëzua pas një mocioni të mosbesimit, të iniciuar nga partneri i koalicionit, LDK.

Presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, i dha mandatin për formimin e qeverisë Avdullah Hotit nga LDK-ja, pa shpallur zgjedhje të reja.

Megjithatë, kjo qeveri u përball me sfida të mëdha politike dhe ligjore dhe, pas disa muajsh, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në fund të vitit 2020, për shkak të një votimi jokushtetues nga deputeti Etem Arifi.

Zgjedhjet e reja u mbajtën në shkurt të vitit 2021 dhe Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind të votave.

Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.

LVV konteston rezultatet e zgjedhjeve në disa qendra votimi, kërkon korrigjime nga KQZ

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar një ankesë për pasaktësi në rezultatet preliminare të zgjedhjeve, duke pretenduar se 716 vota të saj janë regjistruar gabimisht në favor të subjektit politik Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe zyrtari i LVV-së, Getoar Mjeku, ka bërë të ditur se ky gabim është evidentuar në disa vendvotime:

0104/01 ShFMU “Drita” Gramaçel, Deçan

0402/11 ShFMU “Thimi Mitko” Gjilan

0617/02 ShFMU “Ismail Qemali” Saradran, Istog

1917/02 ShML “Ahmet Gashi” Prishtinë

2010/01 ShFMU “Mati Logoreci” Prizren

2805/01 ShFMU “Petar Kocić” Bubë, Zubin Potok

Sipas Mjekut, në këto vendvotime, Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar ka marrë përkatësisht 58, 243, 135, 159 dhe 121 vota, ndërsa LVV nuk ka asnjë votë të regjistruar, përveç në vendvotimin e Prizrenit ku figuron me vetëm 5 vota.

LVV ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të shqyrtojë dhe korrigjojë këtë pasaktësi në procesin e numërimit të votave. sn

Vetëvendosje fitoi zgjedhjet- Albin Kurti: Qytetarët na besuan mandatin, gati të nisim punën për qeverinë e re

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij ka shënuar një fitore të padiskutueshme në zgjedhjet parlamentare, duke theksuar se rezultati është i qartë në shumicën e komunave të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar dominimin e LVV në shumicën e komunave, edhe pa përfshirë votat me kusht dhe ato nga diaspora.

“Fitore e padiskutueshme, me vota cep më cep. Në 21 komuna prijmë si fitues, sipas rezultateve preliminare, pa votat me kusht dhe ato të mërgatës. Qytetarët na e besuan mandatin e ri të qeverisim vendin, dhe puna e qeverisë së re vazhdon sapo të çertifikohen rezultatet. Deri atëherë, do të kujdesemi për ruajtjen e secilës votë që na e keni besuar”, ka shkruar Kurti.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur partitë opozitare kanë ngritur dyshime mbi integritetin e procesit zgjedhor, duke kërkuar transparencë në numërimin e votave.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon përpunimin e të dhënave, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të certifikohen në ditët në vijim.bw

Cili është qëndrimi i partive joserbe për Qeverinë e ardhshme të Kosovës?

Disa nga përfaqësuesit e komuniteteve joserbe në Kosovë gjatë një prej takimeve të mëhershme me Leëvizjen Vetëvendosje. Fotografi nga arkivi.

 

Sandra Cvetkoviq

Përfaqësues politikë të komuniteteve pakicë joserbe në Kosovë, të cilët, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës, do të mbështesnin – parimisht – cilindo mandatar për formimin e qeverisë së re, pavarësisht nëse do të vinte nga partia aktuale në pushtet, Vetëvendosje, apo nga partitë opozitare.

Disa nga ata, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, kanë kushte për mbështetjen e kandidatit të ri për kryeministër, ndërsa të tjerë nënkuptojnë mbështetje të pakushtëzuar për cilëndo qeveri.

Në bazë të 99 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti mori më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, përkatësisht 47 nga 120 vendet parlamentare – megjithatë, jo mjaftueshëm për të formuar qeverinë e vetme.

Sipas rezultateve preliminare, Partia Demokratike e Kosovës pritet t’i ketë 25 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 dhe koalicioni i mbledhur rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës 8.

Këto shifra mund të ndryshojnë pas numërimit të votave me kusht dhe të diasporës.

Pas shpalljes së fitores në zgjedhjet e së dielës, Kurti tha se Vetëvendosja do ta formojë në mënyrë të pavarur qeverinë, që do të thotë se votat e komuniteteve pakicë mund të jenë vendimtare për zgjedhjen e saj.

Me shumë mundësi, e ashtuquajtura “qeveri e pakicës” do të formohej edhe nëse mandatar për kryeministër do të ishte dikush nga partitë aktuale opozitare, sepse për të zgjedhur një qeveri, duhen 61 vota.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nga gjithsej 120 vende parlamentare në Kuvendin e Kosovës, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë – prej të cilave dhjetë për komunitetin serb dhe dhjetë për komunitetet tjera që jetojnë në Kosovë.

Kështu, komuniteti boshnjak i ka tri ulëse parlamentare, komuniteti turk dy, pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian (RAE) kanë nga një, një vend shtesë shkon për komunitetin nga radhët RAE që ka fituar më shumë vota, dhe një vend parlamentar i takon komunitetit goran.

Kush nga pakicat ka hyrë në Kuvendin e Kosovës?

Bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve, Lista Serbe – partia më e madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit – fitoi nëntë ulëse parlamentare, ndërsa një e fitoi Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit, ministër në Qeverinë e Albin Kurtit.

Kur bëhet fjalë për dhjetë vendet e garantuara për komunitetet e tjera joshumicë, Partia Demokratike e Turqve të Kosovës fitoi dy ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa, nga komuniteti boshnjak, Partia e Re Demokratike, Koalicioni Vakat dhe Bashkimi Socialdemokrat fituan nga një ulëse.

Nisma e Re Demokratike e Kosovës, që përfaqëson komunitetin egjiptian, fitoi një ulëse. Ky komunitet mori më së shumti vota nga RAE, kështu që Partia Liberale e Egjiptianëve fitoi një mandat tjetër parlamentar.

Gjithashtu, Partia e Ashkalinjve për Integrim fitoi një ulëse, Partia e Bashkuar Rome e Kosovës një dhe Partia e Bashkuar Gorane një.

Për kë do të votojnë pakicat?

Duda Bale nga Lidhja Socialdemokrate Boshnjake e Kosovës thotë se hyn në Kuvendin e Kosovës për t’i mbrojtur interesat e komunitetit boshnjak dhe se vota e saj e mbështetjes do t’i shkojë kandidatit për kryeministër që do t’i plotësojë kushtet e këtij komuniteti.

Një prej kushteve kryesore, sipas Bales, është formimi i komunës së Zhupës me shumicë boshnjake.

Bazuar në regjistrimin e popullsisë në vitin 2024, komuniteti boshnjak në Kosovë është i dyti më i madhi dhe përbën rreth 1.69 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Për ta mbështetur Qeverinë e re të Kosovës, Bale thotë se duhet të marrë garanci nga kryeministri i mandatuar se do të bëhen më shumë investime në zonat ku jetojnë boshnjakët dhe se do të ketë një reformë të sistemit arsimor në mësimdhënien në gjuhën boshnjake.

“Ne jemi këtu për komunitetin tonë, jemi pakicë. Puna ime dhe detyrimi im moral është ta mbështes komunitetin tim. Për mua është e rëndësishme që vetëm kërkesat e boshnjakëve të vihen në tavolinë dhe të diskutohen. Cilitdo mandatar për kryeministër që vjen, do t’i vendosen kushtet”, thotë Bale për Radion Evropa e Lirë.

Rasim Demiri nga Koalicioni Vakat thotë se është ende herët të mendohet se cili kandidat për kryeministër të përkrahet dhe në çfarë kushtesh, por shton se një vendim i tillë do të shqyrtohet me kujdes.

“Pasi ta përfundojmë procesin zgjedhor, do të shohim se si dhe në çfarë mënyre do të qasemi. Çdo vendim që merret, do të merret në favor të komunitetit boshnjak”, thotë Demiri për Radion Evropa e Lirë.

Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike nuk ishte në dispozicion për koment. Në Qeverinë e Kurtit ajo ishte zëvendëskryeministre për komunitetet pakicë.

Albert Kinolli nga Partia e Bashkuar Rome e Kosovës thotë se do t’i japë mbështetje të pakushtëzuar Qeverisë së re të Kosovës, pavarësisht se nga cila parti vjen mandatari për kryeministër.

“Për ne është e rëndësishme që të gjitha organet e shtetit tonë të jenë funksionale, sepse populli i Kosovës e meriton. Së dyti, kushdo që do ta krijojë shumicën, ne do të jemi me të, do të jemi me ata që kanë shumicën për të formuar institucionet e Qeverisë së Kosovës”, thotë Kinolli për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të bjerë në kontakt me përfaqësuesit politikë të turqve, ashkalinjve dhe egjiptianëve.

Elbert Krasniqi, nga Nisma e Re Demokratike e Kosovës, e cila përfaqëson komunitetin egjiptian, ishte ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kurtit, ndërsa partia e tij ka përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje në periudhën parazgjedhore.

Kur i fitoi zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019, Kurti e formoi qeverinë me mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por, pikërisht me iniciativën e këtij partneri të koalicionit, ajo qeveri ra më pak se dy muaj pas formimit, për shkak të mosmarrëveshjeve për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit.

Partitë aktuale opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë hedhur poshtë mundësinë e lidhjes së koalicionit me Vetëvendosjen. Një qëndrim të tillë e ka shprehur edhe udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, gjatë fushatës zgjedhore.

Ramush Haradinaj i AAK-së ka dalë edhe me idenë e formimit të qeverisë nga opozita, por ajo nuk ëshrë komentuar nga PDK-ja e LDK-ja.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Misioni i BE-së i vlerëson si pozitive zgjedhjet në Kosovë, por me disa të meta

Anëtarë të misionit vëzhgues të Bashkimit Evropian (BE) flasin në një konferencë për media në Prishtinë në lidhje me gjetjet fillestare të tyre për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, Prishtinë, 11 shkurt.

 

Radio Evropa e Lirë

Misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian (BE) i ka vlerësuar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë si pozitive dhe të qeta, por me disa të meta.

Gjuha negative dhe nxitëse e partisë në pushtet ndaj medias dhe gjyqësorit, ndërhyrja e Serbisë përmes trysnisë ndaj votuesve serbë të Kosovës, si dhe kritikat e një zyrtari amerikan ndaj kryeministrit Albin Kurti gjatë fushatës, ishin disa nga çështjet që u përmendën në konferencën për media të martën, në Prishtinë.

Nathalie Loiseau, shefe e misionit vëzhgues të BE-së në Kosovë, tha se gjetjet fillestare tregojnë se dita e zgjedhjeve ishte e qetë, votuesit kishin mundësi të votonin në kushte të mira, kurse fushata ishte mjaft konkurruese.

“Këto janë sinjale që qytetarët e Kosovës janë të përkushtuar ndaj demokracisë”, tha Loiseau.

Rreth 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë votuan më 9 shkurt, pa llogaritur votat nga jashtë dhe me kusht.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurtit i fitoi 40.83 për qind e votave, duke lënë mbrapa partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (22.15%), Lidhja Demokratike e Kosovës (17.59%), Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma (7.47%), dhe Lista Serbe (4.43%).

Gjuha nxitëse dhe bojkotimi i mediave

Megjithatë, Loiseau tha se misioni ka vërejtur se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, përdori gjuhë negative ndaj medias dhe gjyqësorit gjatë fushatës zgjedhore që zgjati një muaj, nga 11 janari deri më 9 shkurt.

“Kjo u pasqyrua edhe në rrjetet sociale. Ne kemi vërejtur me brengosje gjuhën negative nga partia në pushtet kundër medias dhe gjyqësorit. Bojkotimi i mediumeve specifike dhe debateve ka kontribuuar në uljen e mundësisë për votuesit që të bëjnë zgjidhje më të mira”, tha ajo.

Në fillim të janarit, organizata joqeveritare ndërkombëtare e vendore i bënë thirrje LVV-së që të hiqte dorë nga bojkotimi i disa mediave të caktuara.

LVV-ja kishte thënë se nuk po bojkotonte mediat, por po “përjashtonte” tri kanale specifike dhe se një vendim i tillë “nuk cenonte peizazhin e pasur dhe të larmishëm mediatik të Kosovës”.

Ajo nuk përmendi emra, por në reagimet e mëhershme të organizatave mediatike thuhej se bëhej fjalë për disa nga televizionet e mëdha në vend, sikurse Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7.

Loiseau shtoi se polarizimi dhe ndarjet e thella ishin të dukshme në retorikën e fushatës nga partitë politike.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa shqiptoi dënime prej mijëra eurove ndaj partive të ndryshme politike në vend përgjatë gjithë fushatës zgjedhore, për shkak të gjuhës së tyre nxitëse.

Ndërhyrja e Serbisë përmes Listës Serbe

Shefja e misionit të BE-së theksoi se numri i partive politike serbe që morën pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit ishte hap pozitiv, por shtoi se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhje duke e mbështetur vetëm Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë që rëndomë ka gëzuar mbështetjen e Beogradit zyrtar.

“Shumë bashkëbisedues raportuan për presion nga anëtarët e Listës Serbe mbi votuesit dhe kishte ndërhyrje të vazhdueshme dhe të përsëritshme nga Serbia”, tha ajo.

Disa ditë para ditës së zgjedhjeve, një kandidat serb për deputet tha për Radion Evropa e Lirë se humbi punën pasi doli kundër Listës Serbe.

Ai tha se një anëtar i autoritetit të përkohshëm komunal në Skenderaj, Nebojsha S. Tomasheviq, i ka thënë më 27 janar se “do të sigurohet që ai të mos marrë më asnjë rrogë nga buxheti i Serbisë, sepse është tradhtar”.

Marta Temido, shefe e delegacionit të anëtarëve të Parlamentit të Evropian, tha gjatë konferencës të hënën se autoritetet serbe ndërhynë duke mbështetur Listën Serbe.

“Ne e kuptojmë se autoritetet e Serbisë kanë ndërhyrë seriozisht duke mbështetur një nga gjashtë partitë serbe. Bashkëbiseduesit tanë kanë raportuar se ka pasur presion mbi votuesit serbë. Mungesa e pluralizmit të mirëfilltë politik në komunitetin serb nuk është e shëndoshë”, tha Temido.

Sipas rezultateve preliminare, Lista Serbe i ka fituar 9 nga 10 vendet e rezervuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit e ka siguruar vendin e mbetur.

Subjektet tjera politike nga komuniteti serb nuk arritën të hyjnë në Kuvendin e Kosovës.

Kritikat e Grenellit

Loiseau gjithashtu i përmendi në raportin preliminar edhe kritikat që dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, ia bëri kryeministrit Kurti gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë.

“Në fushatë ishim gjithashtu dëshmitar të ndërhyrjes së të dërguarit të SHBA-së për misione speciale, Richard Grenell, në mediat sociale, ku ai kritikoi kryeministrin Kurti. Kjo mund të përshkruhet si diçka jodiplomatike”, tha ajo.

Në një shkrim në X më 3 shkurt, Richard Grenell tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit Kurti, sipas tij, nuk ishte e tillë.

Kabineti i Kurtit nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë, në lidhje me këto komente, por duke folur për një medium në Kosovë, Istogu Channel, ai ka përsëritur se marrëdhëniet me SHBA-në janë në nivelin më të mirë – në çka ka reaguar sërish Grenell, duke thënë se ato në fakt nuk kanë qenë kurrë në pikë më të ulët.

Loiseau foli edhe për disa gjetje të tjera në raportin preliminar, si telashet me të cilat u përball Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë numërimit të votave të partive, kur softueri i saj binte vazhdimisht.

Ajo tha se raportin përfundimtar misioni i bllokut do ta publikojë pas rreth dy muajve, i cili do të përfshijë një analizë dhe rekomandime.

Samiti për Inteligjencën Artificiale, Osmani përfaqëson Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron, po merr pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale që mbahet në Paris.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë qëndrimit në Francë, presidentja Osmani do të marrë pjesë në Samitin për Inteligjencën Artificiale, përkrah presidentit Macron, zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, JD Vance, kryeministrit të Indisë, Narendra Modi, si dhe liderëve të tjerë botërorë.

“Në kuadër të vizitës, presidentja Osmani do të jetë e pranishme në darkën zyrtare në Pallatin Élysée, në pritjen zyrtare të organizuar nga delegacioni amerikan, si dhe në seancën plenare të bashkëkryesuar nga presidenti Macron dhe kryeministri Modi”, thuhet në njoftim.

Në këtë udhëtim zyrtar, Osmani është shoqëruar nga bashkëshorti i saj Prindon Sadriu, i cili do të jetë pjesë e organizmit që bën zonja e parë e Francës, Brigitte Macron. sn

“Pres fitoren e Vetëvendosjes”, Palokaj: Deputetët e pakicave mund të jenë vendimtarë për krijimin e qeverisë

Gazetari Agustin Palokaj, gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në News24 nga Kosova, ka komentuar procesin zgjedhor që po mbahet në vendin e tij. Ai shprehu pritshmëritë se Vetëvendosja mund të dalë fituese e zgjedhjeve, por e theksoi se ende nuk dihet se me çfarë rezultati.

Palokaj gjithashtu shpjegoi faktorët që mund të ndikojnë në formimin e qeverisë, duke përmendur sistemin e deputetëve të rezervuar për pakicat kombëtare në Kuvendin e Kosovës. Nga 120 deputetë, 20 vende janë të rezervuara për pakicat, dhe 10 prej këtyre janë për serbët. Sipas tij, këto vende mund të jenë vendimtare për formimin e qeverisë.

Ai e theksoi se nuk është e sigurt nëse Lista Serbe, e cila përfaqëson më shumë Beogradin zyrtar se sa serbët e Kosovës, do të marrë këto vende të rezervuara për serbët. bw

Zgjedhjet në Kosovë- Spahiu: VV do të marrë 42% të votave, Kurti me pak mundim do ta formojë vetë qeverinë

Thuajse dy orë nga përmbyllja e procesit të votimit në Kosovë, analisti Nexhmedin Spahiu është besimplotë se vota e qytetarëve atje dhe e diasporës do të sjellë një rikonfirmim të Albin Kurtit.

Në një intervistë për edicionin e pasdites në Syri Tv, Spahiu bëri një paranshikim të partive kryesore që do të marrin rezultate në këto zgjedhje parlamentare, ku LVV, pritet të marrë 42% të votave,  me LDK-PDK 20% dhe AAK e Ramush Haradinajt me 10%.

Sipas Sahiut, VV e Albin Kurtit do t’ia dalë që edhe përmes disa blerje deputetësh të formojë qeverinë, ndërsa votuesit sipas pritshmërive dhe nga raportimet të arrijnë në 900 mijë deri në 1 milion.

Besoj do të sjellë rikonfirmim të Kurtit. S’mund të them shifra të sakta të rezultateve, pasi s’ka ende matje shkencore. Pritshmëritë e mia janë që LVV të kete 42 %, që me pak mundime ta bëjë vetë qeverinë, eventualisht me blerje të njdonjë deputeti nga partitë e tjeera. LDK-PDK 20%, Aleanca poshtë 10%.

Pas kësaj që pamë deri në ora 15.00, 28% të votave, e pritshme të jenë rreth 900 mijë deri në 1 milion votues, një pjesëe e mirë e qytetarëve s’e kuptojnë se votimi është detyrë patriotike dhe këtë se kuptojmë, nuk janë patriotik dhe këtë e reflektojnë me mosdaljen në zgjedhje.

Besoj se kjo s’do të refklektohet fare, jemi mësuar tashmë që elektorati i Kosovës dhe njerëzit kanë parë kritika të shumta ndaj Kurtit e qeverisë së tij, ndaj ndërkombëtarëve e BE , e kjo s’u bën më përshtypje. Do ta mbajnë mendjen në bazë të përcepritimit të interesave të tyre, personale, lokale e në raport me ato ndërkombëtare.

Nëse Kurti do të rikonfirmohet, arsyeja pse do ta votojnë votuesit, është që të jenë më të sigurtë që Serbia të mos kthehet më në Kosovë sidomos në veri. sn

‘70% e diasporës ka votuar’- Saiti: Kandidatët kanë pasur vit elektoral të ashpër, interesi në qendrat e votimit është i lartë dhe i qetë

Në një lidhje të drejtpërdrejtë, gazetari Gazment Saiti, raportoi nga Kosova procesin zgjedhor duke ndjekur nga afër procesin e votimit nga qytetarët, ku u shpreh se deri tani situata është e qetë ndryshe nga ajo që u pa gjatë fushatës elektorale.

Saiti u shpreh se, qytetarët e diasporës kanë votuar dhe interesi është i lartë si nga ata por edhe qytetarët e Kosovës që kanë të drejtën e votës kudo ku ndodhen.

Gazment Saiti:

Ndodhem në qëndrën e e Dragashit, e cila ka votues të cilët kanë interes të madh për të hedhur votën e tyre dhe për të zgjedhur qeverinë e re. Natyrisht e gjithë zona ka 40 mijë qytetarë të cilët kanë të drejtën e votës.

Ndryshe nga vitet e kaluara ky vit elektoral ka pasur një ashpërsim të kandidatëve dhe partive poltike. Madje mund të themi që qytetarët kanë qenë më shumë të angazhuar sa i përket mbledhjes së votave ose informimit të qytetarëve se ku do votojnë. Ditët e fundit ka qenë qetë dhe sot ditën e votimit shihet që qytetarët janë të qetë dhe nuk kanë konflikte apo pakënaqesi me njëri-tjetrin.

Ajo cfarë më bën përshtypje në qendrat e votimit është se komisionerët në momentin që mbydhet procesi i votimit nis numrimi i votave dhe pas daljes së rezulatateve takohen pa oasur asnjë pakënaqësi dhe ajo cfarë ngelet është ajo cfarë do të ndodhë bnë qëndrën kryesore ku do të zgjidhet qeveria e re.

Në diasporë aktualisht flasim për një numër jo shumnë të madh votuesish dhe sipas informacioneve flitet për 30 mijë votues në konsullatat, ndërsa nëpërmjet postës janë 60-62 mijë votues total. sn

Pasi votoi, Albin Kurti shijon një kafe nën rrezet e diellit, shoqërohet nga bashkëshortja

Pak më parë kryeministri Albin Kurti ka votuar sot në qendrën e votimit në Fakultetin Ekonomik, në Prishtinë.

Pas përfundimit të votimit, Kurti duket se ka zgjedhur të shijojë kohën e bukur dhe me diell në një nga kafenetë e kryeqytetit të Kosovë.

Capture

Kujtojmë se pas votimit, në fjalën për mediat, Kurti ka dhënë edhe një mesazh për qytetarët duke u bërë thirrje të votojnë.

“Ditë e re dhe mot me diell për zgjedhjet e para të rregullta parlamentarë në shtetin e pavarur të Kosovës. Inkurajoj qytetarët të votojnë. Ushtroni të drejtën demokratike që të bëni zërin tuaj të dëgjohet. Përdorni lirinë për të vendosur për 4 vitet e ardhshme”, tha ai. bw

Nesër zgjedhjet në Kosovë, gjithçka që duhet të dini nga procesi

Në Kosovë mbahen të dielën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të 9-at me radhë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe të parat zgjedhje të rregullta që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.

Për 4 vitet e shkuara qeverinë e udhëhoqi partia Vetëvendosje me kryeministër Albin Kurtin, i cili jo rrallë pati përplasje me Serbinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Po ashtu mospajtime të thella pati edhe me komunitetin ndërkombëtar për shkak të veprimeve të quajtura “të pakoordinuara”, në veri të Kosovës, shkruan Deutsche Welle.

Zgjedhjet e përgjithshme mbahen edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndonëse përfaqësuesit e tyre bojkotuan zgjedhjet lokale të vitit 2023. Por kësaj radhe disa subjekte të vogla politike, edhe Lista Srpska që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, marrin pjesë në zgjedhje. Për një muaj rresht subjektet politike që synojnë të udhëheqin qeverinë për mandatin e ardhshëm katër vjeҫar shpalosën programet e tyre zgjedhore.

Ndër subjektet më të mëdha politike që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosja VV e udhëhequr nga Albin Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, Partia Demokratike e Kosovës PDK me kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamza, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Gjatë një muaji, fushata zgjedhore në Kosovë u karakterizua nga një gjuhë jo pak nxitëse dhe të urrejtjes, por, nuk u shënua ndonjë incident, konstatoi rrjeti i organizatave joqeveritare që monitoron procesin.

Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues ndërkombëtar nga 18 vende të Bashkimit Evropian, nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës. Më shumë se 200 ushtarë italianë të KFOR-it, ju shtuan trupave tjerë të KFOR-it, një njësi e specializuar e policisë së misionit EULEX dhe mijëra policë të Kosovës do të jenë të pranishëm pranë qendrave të votimit për të siguruar një ambient të qetë dhe proces të rregullt të zgjedhjeve të përgjithshme.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore në Kosovë fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit, në orën 07:00, dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00 të 9 shkurtit. Pra, heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit. sn

Gjermania i dhuron Kosovës server e pajisje për 9 shkurtin, Rohde: Ky donacion siguron që zgjedhjet të jenë të sigurta

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde vlerësoi, se donacioni siguron proces zgjedhor të sigurt, fuqizon organet e administrimit të zgjedhjeve dhe rrit besimin e publikut.

Kanë mbetur edhe tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur ndërkohë, se janë bërë të gjitha përgatitjet që ditën e dielë, 09.02 të zhvillohet procesi zgjedhor. 28 forca politike garojnë në këto zgjedhje, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur. Të drejtë vote kanë rreth dy milionë votues, prej të cilëve 105 mijë janë qytetarë që votojnë jashtë Kosovës. KQZ, njoftoi se tashmë janë shtypur edhe fletëvotimet me një numër total prej 1,752,650 fletëvotimesh, numër ky më i vogël sesa numri i votuesve.

Pse ka më pak fletëvotime se votues?

Numri më i vogël i fletëvotimeve lidhet me faktin, se në të gjitha zgjedhjet e mëparshme dalja e qytetarëve në zgjedhje nuk ishte me shumë se 50% e votuesve me të drejtë vote. “Sipas vendimit të KQZ-së janë shtypur 1.752.650 fletëvotime, prej të cilave 1.664.100 për votimin në vendvotime të rregullta, 28.450 për votimin me kusht; 38.650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë; dhe 21.450 për votimin në përfaqësi diplomatike”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Bazuar në Listën Votuese të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2.075.868 votues, prej të cilëve 1.970.944 votues janë votues që i takojnë Listës Votuese brenda Kosovës dhe 104.924 votues janë pjesë e Listës Votuese jashtë Kosovës. “Andaj, sipas vendimit të KQZ-së, 323.218 apo 15.57% fletëvotime do të jenë më pak se numri i votuesve. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Rohde: Të sigurohet proces zgjedhor i sigurt

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi një donacion me server dhe pajisje nga Gjermania, pajisje përcjellëse që do të ndihmojnë për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, tha se ky donacion siguron proces zgjedhor të sigurt, fuqizon organet e administrimit të zgjedhjeve duke rritur besimin e publikut. Rohde shprehu bindjen e tij se procesi zgjedhor i së dielës do të zhvillohet pa vështirësi.

“Demokracia dhe zgjedhjet e lira janë themeli i një shoqërie prosperuese. Ne dëshirojmë të fuqizojmë të ardhmen tonë dhe demokracinë që siguron lirinë individuale për të gjithë ne. Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka bërë përparime të madh në ngritjen dhe demokratizim. Prandaj digjitalizimi i procesit zgjedhor do të jetë kyç për këtë progres. Ky donacion prej më shumë se 140 mijë eurosh siguron që edhe këto zgjedhje aktuale dhe në të ardhmen të jenë të sigurta në Kosovë”, tha ambasadori Rohde. Ai u shpreh i bindur, 100%, se ditën e dielë Kosova do të ketë zgjedhje pa vështirësi.

Rritje e standardeve zgjedhore në Kosovë

Vlerësim për donacionin gjerman vjen nga KQZ. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se “kjo mbështetje e shtetit gjerman do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe avancimin e standardeve zgjedhore në Kosovë”. “Pranimi i këtyre serverëve modern shënon zhvillim të mëtejshëm të infrastrukturës së KQZ-së dhe është vazhdimësi e procesit të digjitalizimit të operacioneve zgjedhore. Kjo mbështetje është e çmuar dhe do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës tonë dhe avancimin e standardeve zgjedhore në Kosovë. Gjithashtu, duke pasur parasysh rolin e KQZ-së, ky donacion është një investim i madh edhe në integritetin e procesit zgjedhor dhe në besimin e qytetarëve ndaj procesit zgjedhor”, tha Radoniqi, i cili së bashku me ambasadorin gjerman Jörn Rohde, inkurajuan qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të dalin të votojnë ditën e dielë.

Fushata zgjedhore në kulmin e saj

Ndonëse kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve, subjektet politike po vazhdojnë fushatën zgjedhore ku nuk mungon gjuha nxitëse dhe e urrejtjes ndërmjet kundërshtarëve politikë. Rrjeti i organizatave joqeveritare që monitoron procesin zgjedhorë, DnV, thotë se “ka vazhduar përdorimi i gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike”, dhe për këtë shkak është shtuar edhe numri i gjobave ndaj tyre nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa PZAP. Shifra e gjobave ndaj partive politike tashmë ka arritur në rreth gjysmë milioni euro. “Numri i aktiviteteve ku është përdorur gjuhë fyese, nxitëse apo e urrejtjes, pothuajse është dyfishuar”, sipas DnV.

Edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), u ka kërkuar subjekteve politike që të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore. Ajo kërkon nga subjektet politike “zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve duke mos përdorur dhe ekspozuar të dhënat personale në komunikimet nëpërmjet postës elektronike (e-mail), mesazhet (SMS) dhe thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak”. sn

26 vjet nga konferenca e Rambujesë

Më 6 shkurt 1999 filloi punimet Konferenca e Rambujesë në afërsi të Parisit, e cila synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.

Iniciues të konferencës, e cila zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA, Boris Maiorsky – Rusi dhe Wolfgang Petritsch – BE.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit.

Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike – marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i emisarit special të SHBA-së Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bindë presidentin e atëhershëm të RSFJ-së, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak.

Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë. sn

Serbët akuzojnë njëri-tjetrin për blerje votash

Posterë të Partisë së Serbëve të Kosovës (Partija Kosovskih Srba).

 

Sandra Cvetkoviq

Reklama për vende pune në shëndetësi dhe për ndihmë financiare për të papunët nga buxheti i Serbisë… Pajisje shtëpiake dhe subvencione bujqësore nga Qeveria e Kosovës… Të gjitha në këmbim të “votave të sigurta”.

Këto janë disa nga akuzat që po përshkojnë fushatën zgjedhore në mesin e komunitetit serb në Kosovë.

Një pjesë e tyre i referohet Listës Serbe – partisë më të madhe serbe në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ndërsa të tjerat Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, udhëheqësi i së cilës, Nenad Rashiq, drejton Ministrinë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Kundërshtarët politikë të Listës Serbe thonë se dhënia e ndihmës sociale prej 20.000 dinarësh (rreth 170 euro) për 5.000 persona – e cila është paralajmëruar qysh vitin e kaluar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është “e rezervuar” ekskluzivisht për “votuesit e sigurt” të Listës Serbe.

Sipas tyre, zyrtarë të Listës Serbe janë duke i përgatitur edhe listat nëpër zyrat e veta.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me disa qytetarë në komunën e Graçanicës dhe atë të Leposaviqit, të cilët e pohojnë të njëjtën gjë, por nuk duan të flasin publikisht.

Zyrtarë të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, në anën tjetër, akuzohen se kanë shpërndarë pajisje shtëpiake dhe subvencione bujqësore nga buxheti i Qeverisë së Kosovës për të fituar vota.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim prej një deri në pesë vjet burgim për çdo person që kërkon ose përfiton ndonjë avantazh të padrejtë, me qëllim të votimit për një person të caktuar.

Akuzat ndaj Listës Serbe

Millija Bishevac nga Lëvizja Popullore Serbe ishte ndër të parët që, më 20 janar, tha se qytetarët e Zubin Potokut, në vend se të shkonin në Shërbimin Kombëtar të Punësimit të Republikës së Serbisë, drejtoheshin në zyrat e Listës Serbe “për t’u futur në lista” për marrjen e ndihmës prej 20.000 dinarësh, që shteti i Serbisë e ka premtuar për 5.000 të papunë.

Kjo ndihmë është paraparë me një vendim të Qeverisë së Serbisë, i cili është prezantuar nga vetë presidenti Vuçiq, pas mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Listën Serbe dhe Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, për t’i pyetur rreth akuzave se kjo ndihmë u jepet ekskluzivisht njerëzve “të përshtatshëm” dhe “votuesve të sigurt të Listës Serbe”, por nuk mori përgjigje.

Më 3 shkurt, drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, tha se nga mesi i këtij muaji do të fillojë pagesa e ndihmës financiare për 5.000 të papunët e parë në Kosovë, të cilët do të marrin nga 20.000 dinarë në muaj.

Më pas, siç tha ai, do të fillojë mbledhja e dokumentacionit për një numër të tjerë të të papunëve, “në mënyrë që t’u jepet ndihmë financiare të gjithë atyre që nuk kanë të ardhura të tjera”.

Petkoviq shtoi se ndihma nga shteti i Serbisë nuk ka të bëjë me zgjedhjet në Kosovë dhe se këto janë aktivitete që “zgjasin gjatë gjithë vitit”.

Megjithatë, ai nuk i komentoi akuzat se listat për ndihmë janë duke u përgatitur nga zyrtarë të Listës Serbe në lokalet e partisë.

Vuçiq, Petkoviq dhe zyrtarë të tjerë të lartë serbë u bëjnë vazhdimisht thirrje serbëve në Kosovë që të votojnë për Listën Serbe, ndërsa Komisariati për Refugjatë i Republikës së Serbisë është angazhuar në dërgimin e personave të zhvendosur në Kosovë, për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Petkoviq tha se personat që do të marrin ndihmë nga shteti serb, janë të regjistruar në Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe se ata nuk marrin të ardhura nga burime të tjera të punësimit.

Posterët e Listës Serbe të vendosur në një ndërtesë banimi.

Posterët e Listës Serbe të vendosur në një ndërtesë banimi.

Ndihma të tjera për serbët në Kosovë nga Beogradi

Përveç ndihmës prej rreth 170 eurosh për 5.000 të papunë, vendimi i Qeverisë së Serbisë parashikon edhe 60.000 dinarë (rreth 500 euro) për 300 të papunë shtesë, libra falas për nxënësit e shkollave që funksionojnë brenda sistemit të Serbisë në Kosovë, si dhe shtesa ushqimore.

Gjithashtu, u paralajmërua edhe punësimi i 100 punëtorëve shëndetësorë, pastaj investime shtesë në Qendrën Spitalore Klinike në Mitrovicë të Veriut, si dhe stimulime për bizneset mikro dhe të vogla dhe për fermerët.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petkoviq, tha se konkurset për pozita të reja në institucionet shëndetësore tashmë janë hapur.

Bëhet fjalë për pozita në Shtëpinë e Shëndetit Prishtina, Obiliqi, Graçanica, Zubin Potoku, Fushë Kosova, Gushterica e Poshtme, Osojani, për Qendrën Shëndetësore Prizren dhe Pejë, për institucionet farmaceutike të Prishtinës dhe Gjilanit. Të gjitha këto funksionojnë në mjediset serbe në Kosovë, brenda sistemit të Serbisë.

Screenshot i reklamave për vende pune.

Screenshot i reklamave për vende pune.

Përndryshe, edhe gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, zyrtarë të Listës Serbe kanë shpallur konkurse për ndarjen e banesave apo për vende të reja pune.

“Blerja e votave me fondet e Qeverisë së Kosovës”

Në anën tjetër, udhëheqësi i Demokracisë Serbe në Kosovë, Aleksandar Arsenijeviq, e akuzoi Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit se “blen vota me fondet e Qeverisë së Kosovës”.

Rashiq u emërua ministër për Komunitete dhe Kthim nga kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, pasi Lista Serbe u largua nga institucionet e Kosovës, në përpjekje për të parandaluar zëvendësimin e targave serbe në veri të Kosovës me targa të Republikës së Kosovës.

Arsenijeviq publikoi një video, ku pretendohet se po bëhen lista për ndihma nga Ministria për Komunitete dhe Kthim në lokalet e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë në Leposaviq.

Ai u bëri thirrje autoriteteve kompetente që “të reagojnë urgjentisht”.

Në video – autenticitetin e së cilës Radio Evropa e Lirë nuk mundi ta konfirmonte – dëgjohet një grua duke pyetur nëse ndihma po shpërndahet përmes një partie politike. Një grua tjetër përgjigjet duke thënë: “Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit dhe Marina Bogojeviqit” dhe më pas shton se “mund të regjistroheni për ndihma në formën e mobilieve ose pajisjeve elektroshtëpiake”.

Policia e Kosovës për Rajonin e Veriut konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Demokracia Serbe ka raportuar për blerje të supozuara të votave, se një person është marrë në pyetje dhe se është iniciuar rasti për “dhënie apo marrje të ryshfetit”.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Rashiq mohoi blerjen e supozuar të votave, duke shtuar se këto janë “programe të rregullta” të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

“Në dy vjetët e fundit, ne jemi përpjekur t’i zgjerojmë aktivitetet tona në veri. Në thirrjet tona i kemi përfshirë të gjitha autoritetet relevante atje, e në radhë të parë komunën. Nëse dikush ka shkarkuar nga ueb-faqja jonë ndonjë aplikacion për ndonjë nga programet tona dhe e ka lidhur atë me blerjen e votave… kjo është e pakuptimtë”, tha Rashiq.

I pyetur nëse ministria që ai udhëheq, shpërndan pajisje elektroshtëpiake, Rashiq u përgjigj: “Mësa di unë, jo”.

Megjithatë, ai tha se nuk mund të shpjegojë se si dhe kur është bërë video-incizimi, ku pretendohet se po bëhet lista për këto ndihma në zyrat e partisë së tij.

“Ndoshta autori i atij regjistrimi e di. Mendoj se është e neveritshme që dikush përpiqet të përhapë fjalë se votat blihen me pajisje elektroshtëpiake ose mobilie”, tha Rashiq.

Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë filloi më 11 janar dhe do të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve.

Në garë janë gjashtë subjekte të komunitetit serb: Lista Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Drejtësia Popullore Qytetare.

Përgatiti: Valona Tela

Send this to a friend