VOAL

VOAL

Zelensky emëron shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka emëruar gjeneralmajorin Anatoliy Barhilevych, në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ukrainase.

Këtë post, deri më 9 shkurt e mbante Serhiy Shaptala.

Gjatë një video-adresimi më 9 shkurt, Zelensky e përshkroi Barhilevychin si “një person me përvojë që kupton detyrat e kësaj lufte dhe objektivat e Ukrainës”.

Ai tha se ky emërim është bërë me rekomandim të komandantit të ri të përgjithshëm të ushtrisë ukrainas, Oleksandr Syrskiy.

Syrskiy u zgjodh të drejtojë ushtrinë ukrainase të enjten. Ai deklaroi më 9 shkurt se shteti duhet të ndryshojë dhe përmirësojë metodat e tij të luftës nëse dëshiron të mposhtë forcat pushtuese ruse.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ndryshimet në postet kyçe ushtarake ukrainase po ndodhin në një kohë kritike për Ukrainën, shtet që ka dështuar të rimarrë territor të konsiderueshëm nga Rusia që nga fundi i vitit 2022 dhe tani po përballet me mundësinë që të mos marrë një ndihmë të rëndësishme ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, pasi që ligjvënësit republikanë kanë bllokuar paketën e ndihmës për Kievin në vlerë prej 60 miliardë dollarësh.rel

Zelensky emëron komandantin e ri të ushtrisë ukrainase

Komandanti i ri i përgjithshëm i forcave ukrainase, Oleksandr Syrskiy.

 

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se ka emëruar Oleksandr Syrskiy në postin e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës. Këtë njoftim Zelensky e bëri disa minuta pasi njoftoi se ishte koha për një “udhëheqje të ripërtërirë” të Forcave të Armatosura të shtetit.

Zelensky u takua me ish-komandantin e përgjithshëm, gjeneralin Valeriy Zaluzhniy, më herët gjatë 8 shkurtit dhe tha se i ka kërkuar që të qëndrojë “në ekipin e tij”, edhe pse nuk specifikoi se në çfarë kapaciteti.

Për javë të tëra ka pasur spekulime se Zelensky po e shqyrtonte mundësinë e largimit të Zaluzniyit, për shkak të dallimeve që kishin në strategji në kohën kur Ukraina po vazhdon luftën kundër forcave pushtuese ruse.

Tensionet mes presidentit Zelensky dhe gjeneralit Zalunzhniy u vunë re në nëntorin e vitit të kaluar, pasi gjenerali kishte publikuar një ediorial në The Economist, ku deklaroi se lufta kishte hyrë në një ngërç dhe se vetëm përparimi teknologjik do t’i mundësonte Ukrainës që të përmbushë qëllimin e saj për të çliruar territoret e pushtuara.

Pas publikimit të editorialit, Zyra e Zelenskyt menjëherë kishte hedhur poshtë vlerësimet e gjeneralit lidhur me situatën në fushëbetejë.

Ndërrimi i udhëheqësit të ushtrisë ukrainase u bë teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës është afër dyvjetorit të nisjes së tij.rel

Parlamenti Evropian kërkon hetime ndërkombëtare për parregullsitë e raportuara për zgjedhjet në Serbi

Parlamenti Evropian, përmes një rezolute të veçantë, pritet të kërkojë hetime të pavarura ndërkombëtare për parregullsitë që janë raportuar gjatë zgjedhjeve në Serbi. Për këtë rezolutë pritet të votohet të enjten, më 8 shkurt, gjatë një seance plenare të PE-së në Strasburg.

Në tekstin e draftit të rezolutës së dakorduar nga disa grupe politike në PE, për të cilin do të votohet, shprehet keqardhje për faktin se Serbia nuk ka siguruar zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve dhe normave ndërkombëtare. Aty po ashtu shprehet keqardhje edhe për refuzimin nga autoritetet e Serbisë që të pranojnë se kanë ndodhur parregullsi në zgjedhje.

Serbia ka mbajtur zgjedhjet lokale, parlamentare dhe krahinore më 17 dhjetor 2023.

“Bëjmë thirrje për hetime të pavarura nga ekspertë dhe institucione të respektuara ndërkombëtare për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale, me kujdes të posaçëm në zgjedhjet për Asamblenë e qytetit të Beogradit”, thuhet në tekstin e draftit të rezolutës.

“I bëjmë thirrje Komisionit Evropian që të shqyrtojë dërgimin e një misioni ekspertësh në Serbi, për të vlerësuar situatën dhe zhvillimet pas zgjedhjeve të fundit dhe të bëjë përpjekje për të lehtësuar një dialog shoqëror, i cili do të çonte deri te kthimi i besimit në institucione”, theksohet në draft-rezolutën.

Sipas tekstit të kësaj rezolute të propozuar, PE-ja ka dënuar mungesën e pluralizmit politik gjatë procesit zgjedhor, favorizimin e partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS) nga ana e mediave gjatë fushatës, fushatat e shumta të dezinformimit, në të cilat, sipas përpiluesve të këtij teksti, pos mediave pro-qeveritare në Serbi ishin përfshirë edhe struktura të Rusisë. PE-ja po ashtu dënoi edhe kërcënimet ndaj organizatave joqeveritare dhe gazetarëve të pavarur.

Ndër parregullsitë në zgjedhje në Serbi Parlamenti Evropian përmendi votimin e shtetasve nga vendet tjera, posaçërisht nga Bosnja e Hercegovina për zgjedhjet lokale, sjelljen në mënyrë të organizuar të votuesve në vendvotime nga partia në pushtet, shlyerjen e votuesve nga regjistri në disa raste, joshja e paligjshme e votuesve dhe forma tjera të shkeljeve të parimeve të zgjedhjeve të lira.

Deputetët e Parlamentit Evropian janë të mendimit se një vend si Serbia, që është kandidat për anëtarësim në BE, duhet të respektojë standardet themelore demokratike.

Në draft-rezolutë po ashtu dënohet edhe përdorimi i tepruar i forcave policore në Serbi ndaj protestuesve gjatë protestave kundër parregullsive në zgjedhje.

Po ashtu deputetët e Parlamentit Evropian përmes rezolutës, dënojnë edhe sulmet verbale nga përfaqësuesit e pushtetit në Serbi ndaj vëzhguesve nga BE-ja si dhe pohimet se vende të BE-së ishin përfshira në organizimin e protestave pas zgjedhjeve. Po ashtu është dënuar edhe gjuhën kundër BE-së që është përhapur në Serbi nga mediat e afërta me partinë në pushtet. Në tekst përmendet se kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, publikisht i ka falënderuar shërbimet e Rusisë për informata rreth protestave, të organizuara nga opozita në Serbi.

Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Komisioni Evropian që të shqyrtojë edhe pezullimin e fondeve të BE-së për Serbinë nëse dëshmohet se autoritetet e Serbisë kanë qenë direkt të përfshira në manipulimin e rezultateve zgjedhore.

“Shprehim keqardhje për mungesën e kritikave të zëshme nga Komisioni Evropian, posaçërisht nga komisionari për zgjerim në një varg dyshimesh për mashtrime zgjedhore në Serbi dhe bëjmë ftesë që Komisioni të adresojë këto çështje që solli deri te dyshimet, pa vonesa”, u tha në tekst.

PE po ashtu kërkoi që edhe negociatat e anëtarësimit të Serbisë me BE-në të lidhen me reforma, përfshirë edhe me adresimin e problemeve me zgjedhjet. Pa këto, u tha në tekst, nuk do të duhej të vazhdojnë negociatat.

Partitë opozitare në Serbi kanë akuzuar Qeverinë për manipulimin e procesit zgjedhor dhe kanë organizuar protesta pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Nga BE-ja është shprehur shqetësim për raportet rreth parregullsive. Por, më kritik, duke kërkuar edhe masa, ka qenë Parlamenti Evropian i cili edhe i kishte dërguar vëzhguesit në zgjedhjet e dhjetorit në Serbi. Në Parlamentin Evropian ishte zhvilluar edhe debate rreth këtyre zgjedhjeve dhe tash pritet të miratohet edhe rezoluta. Qeveria e Serbisë i ka hedhur poshtë kritikat e eurodeputetëve dhe ka bërë akuza personale ndaj deputetëve që kanë folur për parregullsi në zgjedhje.

Zyrtari Roth i përgjigjet Hovenierit: Tjetër shembull për deklaratat e pabalancuara të SHBA-së ose BE-së për Kosovën

“Të pabalancuar” e ka quajtur Kryetari i Komisinit për Punë të Jashtme në Bundestag, Michael Roth, reagimin e mbrëmshëm të ambasadorit amerika në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili u shpreh “thellësisht i shqetësuar” me veprimet e Ministrsisë së Brendshme për konfiskimin e një automjeti që barte pagesa në dinarë serbë për serbët e Kosovës.

“Një tjetër shembull për deklaratat e pabalancuara të SHBA-së (ose BE-së) për Kosovën.

S’po shoh mesazhe kaq të qarta në lidhje me agresionet serbe (sulm terrorist në Bajnska, rrëmbim apo shantazh) në rajon, i dashur ambasador ShBA-së në Kosovës”, ka shkruar ai në “X”.bw

Eurodeputetët kundër Vuçiçit, letër KE dhe BE: Mos njihni zgjedhjet në Serbi

Disa eurodeputetë i dërgojnë letër zyrtarëve të KE-së dhe BE-së, kërkojnë që të mos njihen rezultatet e zgjedhjeve në Serbi.

Anëtarët e Parlamentit Evropian nga Partia Popullore Evropiane (EPP), të Gjelbrit dhe Social Demokratët (S&D) i dërguan një letër Presidentit të Komisionit Evropian, Komisionerit për Zgjerimin dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikat e Integrimit dhe Sigurisë, në të cilat ata kërkojnë një hetim ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare, provinciale dhe lokale serbe që ishin nën kujdesin e OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian.

Letra gjithashtu kërkon që rezultatet e zgjedhjeve të mos njihen derisa të përfundojë një hetim i plotë i pavarur për parregullsitë zgjedhore. Deputetët kërkojnë një hetim me vëmendje të veçantë për zgjedhjet për Kuvendin e Qytetit të Beogradit, si dhe raportimin e tyre në Parlamentin Evropian.

“Ne mbetemi në mbështetje të qytetarëve të Serbisë që po protestojnë për mundësinë e tyre për të ushtruar të drejtat e tyre demokratike, si dhe për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Fatkeqësisht, akuzat e rënda lidhur me zgjedhjet e fundit nuk janë në përputhje me standardet demokratike dhe e cenojnë këtë qëllim”, thuhet në letrën e eurodeputetëve.

“Disa misione vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore kanë arritur në përfundimin se zgjedhjet në Serbi nuk mund të konsiderohen të lira dhe të ndershme dhe kanë gjetur dëshmi për parregullsi dhe mashtrime të hapura zgjedhore. Misioni vëzhgues i KRRT-së ka shprehur shqetësim edhe për zgjedhjet lokale në qytetin e Beogradit”, thuhet në letër.

Në letër thuhet se disa nga gjetjet përfshijnë akuza për blerje votash, abuzim me burimet publike, nënshkrime të falsifikuara të mbështetjes në listat zgjedhore, ndikim joproporcional të qeverisë në media, manipulime serioze dhe të planifikuara mirë të listës së votuesve dhe migrim të votuesve, duke përfshirë edhe vendet fqinje, si dhe presionin ndaj përfituesve të ndihmës sociale dhe punonjësve të ndërmarrjeve shtetërore për të votuar për partinë në pushtet për të mbajtur vendet e punës dhe përfitimet e tyre.

Më 8 shkurt Parlamenti Evropian do të votojë për rezolutën për zgjedhjet serbe. Rezoluta u pasua me debate në seancën plenare në Strasburg, si dhe nga Komiteti i Punëve të Jashtme të PE (AFET).sn

Ndihmë për Ukrainën, BE-ja zhbllokon paketën prej 50 miliardë eurosh për Kievin

Të 27 liderët evropianë kanë rënë dakord për një paketë ndihme prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel të enjten.

Ai ka thënë se marrëveshja “mbyll një financim të qëndrueshëm, afatgjatë dhe të parashikueshëm për Ukrainën”.

Kishte frikë se kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, do të bllokonte paketën e ndihmës siç kishte bërë në një samit evropian dhjetorin e kaluar.

Orban kishte thënë se donte të detyronte rishikim të politikës së BE-së ndaj Ukrainës dhe kishte vënë në pikëpyetje idenë e angazhimit për të financuar Ukrainën për katër vjetët e ardhshme. Por duket se ai është bindur të mos vërë veton pas kërcënimeve për bllokim të ekonomisë hungareze.

Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, ka thënë se sot ishte “një ditë e mirë për Evropën”.bw

BE kërkon tranzicion të gjatë për largimin nga përdorimi të dinarit serb

Një grua duke bërë pagesë me dinarë në një dyqan në Graçanicë. Janar, 2024.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb, pasi më 1 shkurt hyri në fuqi një rregullore që parasheh vetëm përdorimin e valutës euro për pagesa në Kosovë.

Qeveria e Kosovës tha se zbatimi i rregulores së Bankës Qendrore të Kosovës për me para të gatshme do të bëhet përmes një tranzicioni të lehtësuar, duke mos specifikuar një afat kohor për këtë tranzicion.

“Periudha e shkurtër kohore e tranzicionit për zbatimin e rregullores, së bashku me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikon që të ndërlikojë seriozisht jetën e tyre”, tha BE-ja përmes një deklarate të lëshuar më 1 shkurt.

Blloku evropian po ashtu bëri thirrje që Kosova “të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga Brukseli.

Brukseli shprehu shqetësim për vendimin e BQK-së për pagesat vetëm me euro, pasi sipas bllokut, ky vendim, që pamundëson përdorimin e dinarëve serbë, mund të ketë pasoja në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë.

Sipas BE-së, për këtë vendim, që hyn në fuqi më 1 shkurt, nuk ka pasur konsultime paraprake “veçmas për ndikimin që mund të ketë në spitale dhe shkolla, duke pasur parasysh “mungesën e alternativave në këtë moment”.

“BE-ja vë në pah se kjo rregullore do të ndikojë po ashtu në mbështetjen financiare që marrin serbët e Kosovës nga Serbia”, u tha në deklaratën e lëshuar nga BE-ja.

Paraprakisht, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe BE-në, i kishte bërë thirrje Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera.

Megjithatë, nga 1 shkurti nuk do të lejohet importi i parave nëse institucionet që e bëjnë importin, nuk janë të licencuara nga BQK-ja.

Më 31 janar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se do të nisë një fushatë për informimin e qytetarëve për këtë rregullore, duke shtuar se shpreson që do të ketë bisedime mes bankave qendrore të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një mekanizmi për transfer transparent të mjeteve.

Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së ka ngritur shqetësime te popullata serbe në Kosovë, e cila ka përdorur dinarin serb për të kryer pagesa. Me këtë valutë, pagën e kanë marrë edhe punonjësit në institucioneve serbe në Kosovë, por edhe me dinarë janë paguar edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët janë përdorur në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, paraprakisht e kishte thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.rel

“BE e shqetësuar”, gjenerali rumun “vë alarmin”: Nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë, do të sulmojë…

Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Rumanisë, gjenerali Vlad Gheorghița, paralajmëroi se në rast se Rusia fiton luftën kundër Ukrainës, Moldavia mund të bëhet objektivi i saj i radhës.

“Popullsia e Rumanisë, si e gjithë popullsia e Bashkimit Evropian, është e shqetësuar. Nëse Rusia mbizotëron në Ukrainë, Moldavia do të bëhet objektivi kryesor. Do të jemi dëshmitarë të tensionit në Ballkanin Perëndimor. Besoj se nuk duhet humbur asnjë sekondë. Ne duhet të marrim masa dhe të jemi të përgatitur”, tha Gheorghița.

Presidentja e Moldavisë Maia Sandu ka deklaruar se Rusia do të përpiqet edhe një herë këtë pranverë për të destabilizuar vendin. Sipas saj, gjatë gjithë kësaj kohe “Rusia është përpjekur të destabilizojë rendin dhe autoritetet në Kishinau, duke u përpjekur të shfrytëzojë regjimin në rajonin e Transnistrias”.

Transnistria është një territor i panjohur ndërkombëtar që konsiderohet si pjesë e Moldavisë. Ajo është përcaktuar zyrtarisht nga Republika e Moldavisë si Njësi Administrativo-Territoriale e Bregut të Majtë të lumit Dniestër.

Në mars 2022, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi një rezolutë që përcakton territorin si nën pushtimin ushtarak nga Rusia.bw

Vuçiçi: Serbia së shpejti prezanton një sistem anti-dron të blerë nga Rusia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi të martën se Beogradi do ta prezantojë muajin e ardhshëm një sistem rus për mbrojtje ndaj dronëve, të quajtur Repellent, të cilën e ka blerë kohë më parë nga aleatja e vet, Rusia.

Prezantimi i tij do të bëhet në Festën Kombëtare të Serbisë më 15 shkurt në qytetin jugor Nish, sipas tij.

Vuçiç nuk tregoi se kur e mori Serbia saktësisht sistemin e ri, por shtoi se “ai është në duart tona”, dhe se Serbia e ka paguar për të shumë kohë më parë.

Gjatë një vizite në kazermën Topçider në kryeqytetin serb më 30 janar, Vuçiqi kishte thënë se janë ndarë para nga buxheti i Serbisë për “701 sisteme komplekse të armëve nga industria vendase” dhe se “më shumë se 850 të tjera do të prokurohen në vitet e ardhshme”.

Ai përsëriti se Serbia është një “superfuqi rajonale e tankeve” dhe se Serbia është “afër kompletimit të baterisë së tretë të sistemit raketor të mbrojtjes ajrore, FK-3, nga Kina”.

Vuçiç njoftoi për sistemin e ri anti-dron disa javë pasi Shtetet e Bashkuara e pranuan një kërkesë nga Kosova për blerjen e raketave antitanke Javelin, e cila do të shqyrtohet nga Kongresi amerikan, vendim të cilin lideri serb e cilësoi si një “zhgënjim i madh”.

Serbia e deklaron veten si një vend ushtarakisht neutral dhe blen armë si në lindje ashtu edhe në Perëndim.

Ajo synon anëtarësimin në Bashkim Evropian, por është kritikuar vazhdimisht nga Brukseli për shkak të bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën në fushën e mbrojtjes.

Që nga viti 2016, Serbia ka blerë vazhdimisht pajisje ushtarake dhe armë nga Rusia.

Megjithatë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, asnjë kontratë e re për prokurimin e armëve nuk është lidhur. Vuçiq deklaroi në mesin e shtatorit 2022 se një pjesë e dërgesave të mëparshme nuk kishin mbërritur për shkak të luftës në Ukrainë.

Në mesin e atyre dërgesave të mëparshme, në atë kohë u përmend edhe sistemi anti-dron, Repellent.

Për shkak të pushtimit të Ukrainës, Rusia është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera perëndimore. Serbia refuzon t’i respektojë këto sanksione.

Vendimi për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në pranverë

Gjatë vizitës në Topçider të martën, Vuçiç foli edhe për iniciativën e re për kthimin në fuqi të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi.

Ai tha se ka marrë një “argument bindës” nga përfaqësuesi i ushtrisë se pse është i nevojshëm shërbimi i detyrueshëm ushtarak, por se vendimi për këtë do të dihet pas datës 1 maj.

“Ne do të shohim nëse do të zgjasë (mandati ushtarak) 90 apo 100 ditë, apo ndoshta 110 ditë. Po ashtu edhe kur do të jetë, si do t’i përmbushim supozimet financiare dhe logjistike, por do të flasim”, tha Vuçiq.

Iniciativa për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për katër muaj ka nisur më 4 janar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe.

Siç deklaronte në atë kohë Ministria e Mbrojtjes, kjo është bërë “me qëllim të rritjes së aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura të Serbisë, përmes përtëritjes dhe përmirësimit të mbushjes dhe stërvitjes së forcave aktive dhe rezervë”.

“Propozimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë vjen pas një shqyrtimi të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutrale”, njoftoi Ministria në fillim të vitit.

Kjo nuk është iniciativa e parë e tillë prej se Serbia e hoqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak 30 vjet më parë./REL

Emigrantët e mundshëm për në Gjermani kanë frikë se racizmi atje po rritet

Nënshkrimi i marrëveshjes ku ishte i pranishëm edhe presidenti vietnamez Vo Van Thuong

Gjermania ka nevojë për punëtorë të kualifikuar nga jashtë dhe ministri i Punës sapo ka nënshkruar një marrëveshje në Vietnam. Por emigrantët e mundshëm kanë frikë se racizmi në Gjermani është në rritje.

Nga Deutsche Welle

Kur presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe ministri i Punës Hubertus Heil u shfaqën në Universitetin Vietnamezo-Gjerman (VGU) në Ho Chi Minh City, ata u kapën në befasi: britmat e studentëve i përshëndetën si yje rocku. Disa prej tyre do të punojnë në kompani gjermane.

Personalitetet politike gjermane u vlerësuan gjithashtu në Institutin Goethe në Hanoi, ku rreth 6000 të rinj vietnamezë çdo vit mësojnë gjermanisht. Shtatë herë më shumë regjistrohen në provimet e gjuhës që i kualifikojnë për formim profesional ose studim në Gjermani.

Në fund të vitit 2023, Gjermania filloi zbatimin e ligjit të ri të imigracionit të kualifikuar, i cili përdor një sistem pikësh për të reduktuar pengesat, me të cilat përballen punëtorët e kualifikuar që duan të vijnë në Gjermani.

Që atëherë, politikanë të lartë gjermanë kanë shtuar përpjekjet e tyre për të tërhequr punëtorë të kualifikuar nga vende të tjera: ministrja e Jashtme Annalena Baerbock ishte kohët e fundit në Filipine, për shembull, dhe ministrja e Ndihmës për Zhvillim Svenja Schulze ndodhet në Marok. Në Vietnam, Steinmeier dhe Heil nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që përmirëson rregullimin e imigracionit për motive punësimi në Gjermani.

Vietnami angazhohet për të ndihmuar

Në Vietnamin komunist ka interes të madh për të punuar në Gjermani, ku diaspora vietnameze është rritur në më shumë se 200.000 vetë. Vietnami është një vend i ri nga pikëpamja demografike, kështu që është më pak i kërcënuar nga “ikja e trurit” që prek shumë kombe të tjera. Udhëheqësit vietnamezë ishin gjithashtu shumë të interesuar për arritjen e një marrëveshjeje të përbashkët për të përmirësuar kontrollin e emigrimit të fuqisë punëtore të shtetasve të tyre në Gjermani.

Instituti Goethe luan një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Pikërisht atje, për shembull, 22-vjeçarja Phuong Phan merr trajnimin gjuhësor që i nevojitet për të punuar më vonë në industrinë e hotelerisë dhe gastronomisë në Turingi. Ky land i Gjermanisë Lindore është një nga të parët që ka nënshkruar kontrata dypalëshe me Vietnamin.

Phuong Phan thotë se shpreson se trajnimi në Turingi do t’i sigurojë “të mësuarit praktik” duke kontribuar në zhvillimin e saj personal. Prindërit e mbështesin dhe ajo kërkon çdo ditë në internet për informacione rreth “Gjermanisë simpatike”.

Megjithatë, kohët e fundit ajo ka hasur në diçka që nuk ishte aq e bukur: raporte që flasin me hollësi përksenofobinë që ndonjëherë ndeshet në Gjermani, veçanërisht në lindje. Ajo nuk dëshiron të flasë për këtë në bisedën me DW, por thotë se kjo temë është trajtuar edhe në kurset e saj të gjuhës.

“Po, ne po ndjekim zhvillimin e situatës. Dhe pak nga pak, ne kemi filluar të kemi rezerva, sepse mbajmë përgjegjësi për këta të rinj, përfshirë edhe ndaj prindërve të tyre,” thotë Nguyen Thi Thanh Tam, përgjegjës për vendosjen në Turingi.

Ai aktualisht është duke trajnuar një grup tjetër të rinjsh vietnamezë në Hanoi dhe konfirmon se tema e “racizmit në Gjermani” është trajtuar qartë në orët e fundit. “Ne duam që studentët të përgatiten për situata të pakëndshme në këtë drejtim në Gjermani”, thotë ai.

Foto e gjashtë personave në një tavolinë të mbuluar me ngjyrë të verdhë me lule dhe flamuj në sfond, dy burra që nënshkruajnë një letër.Foto e gjashtë personave në një tavolinë të mbuluar me ngjyrë të verdhë me lule dhe flamuj në sfond, dy burra që nënshkruajnë një letër.
Në nënshkrimin e marrëveshjes ishte i pranishëm edhe presidenti vietnamez Vo Van Thuong (i 3-ti nga dj.).Fotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance
Nevojiten 400.000 punëtorë të kualifikuar në vit

Sipas Agjencisë Federale Gjermane të Punësimit (BA), Gjermania ka 1.73 milionë vende pune të lira. Ndryshe nga fushata gjermane për kërkimin e punëtorëve 60 vjet më parë, përpjekjet aktuale nuk janë të përqendruara te punëtorët e industrisë, por te profesionistë të kualifikuar dhe njerëz me përvojë në sektorin e shërbimeve.

Në atë kohë, në Gjermani vinin pak më pak se 300.000 vetë në vit. Sot studimet thonë se Gjermanisë i duhen rreth 400 mijë vetë në vit. Kohët e fundit, Ministri i Punës Heil udhëtoi në Brazil, Indi dhe Kenia për të propaganduar Gjermaninë si një destinacion pune dhe tani ndodhet në Vietnam. “Ne i kemi përmirësuar kushtet me Ligjin e Fuqisë punëtore të Kualifikuar; tani bëhet fjalë për vënien në praktikë të gjërave,” tha ai për DW në Hanoi.

Koordinim i dobët

Zyrtarisht, Ministria e Brendshme mbikëqyr imigrimin e punëtorëve të huaj të kualifikuar. Por në praktikë, përgjegjësitë në këtë fushë mbivendosen. Një shembull janë afro 350 mijë azilkërkuesit në Gjermani, të cilët, nëse refuzohen, nuk integrohen në tregun e punës dhe shumë prej tyre duhet të largohen nga vendi.

Më shumë se 17% e personave që aplikuan për azil në Gjermani në vitin 2023 tani janë turq, kryesisht të rinj të mirëarsimuar. Por vetëm një në 10 azilkërkues turq merr mbrojtje në Gjermani. Dhe, tani për tani, në vend që t’u japë të tjerëve mundësinë për të kërkuar punë, Gjermania i urdhëron ata të largohen nga vendi.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme njihet për procedurat e gjata të vizave, diçka që i pengon edhe punëtorët e kualifikuar. Përgjegjësi kanë edhe ministritë e Ekonomisë dhe Punës dhe Agjencia e Punësimit, përveç organizatave si agjencia zhvillimore GIZ dhe fondacione të ndryshme.

Shumë kompani kanë programet e tyre të rekrutimit dhe trajnimit, sepse burokracia  në sektorin publik është shumë e ngadaltë për të përmbushur nevojat e tyre për rekrutim. Toan Nguyen, drejtor menaxhues i Akademisë TY, e cila vepron si një agjenci për kujdestarët që duan të shkojnë në Gjermani, ankohet se ka “shumë njerëz për të kaluar dhe ende shumë pengesa që kualifikimet të njihen”.

Trafikimi i qenieve njerëzore, një problem tjetër

Kjo i bën gjërat të vështira për punëtorët e interesuar të kualifikuar dhe të lehta për agjencitë e dyshimta dhe trafikantët e qenieve njerëzore. Në Azinë Juglindore, femrat janë pre kryesore e këtyre të fundit, të cilat i futin kontrabandë në Gjermani dhe përfundojnë në punë me pagë të ulët apo edhe në shtëpi publike.

“Ne duhet të përdorim imigracionin e ligjshëm për të shtypur këtë praktikë”, deklaroi Steinmeier në Vietnam. Marrëveshja dypalëshe që sapo është nënshkruar synon të ofrojë këshilla të besueshme për kushte të drejta pune dhe agjenci punësimi të akredituara, si dhe tryeza të rregullta të rrumbullakëta për migracionin për motive punësimi në të cilat marrin pjesë specialistë nga të dy vendet.

Gjithashtu, ligji i ri gjerman për shtetësinë e bën vendin më tërheqës për emigrantët e mundshëm. “Krahasuar me Japoninë, ku emigrojnë shumë vietnamezë gjithashtu, por ku lejohen të punojnë vetëm përkohësisht, Gjermania tani ofron një perspektivë më afatgjatë,” thotë Viet Huong Nguyen i TY Academy.

Ksenofobia, një pengesë

Në dritën e këtyre zhvillimeve pozitive për migracionin për motive punësimi, informacionet aktuale për grupe raciste në Gjermani janë shqetësuese. Ministri i Punës Heil tha për DW se askush nuk kishte folur drejtpërdrejt me të për këtë çështje, por se duhen marrë masa para se të jetë tepër vonë. “Ne duhet ta bëjmë të qartë në Gjermani se ne nuk mund të ruajmë mirëqënien tonë pa fuqi punëtore nga jashtë,” tha ai.

Vietnamezët që tashmë jetojnë në Gjermani janë gjithashtu të shqetësuar. Një prej tyre është Huong Trute, të cilin Presidenti Steinmeier e ftoi ta shoqëronte në udhëtimin e tij në Vietnam. Ajo jeton prej 40 vitesh në Gjermani dhe punon në sektorin e gastronomisë. Ajo thotë se kohët e fundit i është dashur t’u përgjigjet gjithnjë e më shumë pyetjeve nga bashkatdhetarët e shqetësuar në Vietnam. Pasi pa një grup tjetër që po trajnohej në Institutin Goethe për të punuar në hotelet dhe restorantet e Tyringisë , ajo tha: “Sinqerisht? Po do të kisha mundësi t’i çoja këta të rinj diku tjetër, do ta bëja.” Ajo thotë se ngjarjet në Turingi po acarohen dhe kjo e frikëson.

Never forget Holokaust: Ne mes të Berlinit shkolla e mesme me emrin e shqiptarit Refik Veseli – Përktheu dhe përgatiti Elida Buçpapaj

Në mes të Berlinit gjendet Refik Veseli Schule – me emrin e shqiptarit Refik Veseli – simbol i mirëkuptimit multikulturor.

Gjithçka filloi me një udhëtim shkëmbimi eksperiencash i studentëve të Berlinit në Izrael. Gjatë vizitës në memorialin Yad Vashem, nxënësit e Shkollës së Mesme të integruar në Berlin-Kreuzberg hasën në historinë e njërit nga “Të Drejti ndër Kombet”, përkatësisht Refik Veselit.

 

Një shqiptar tregon guxim moral

 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja hebreje Mandil ishte në arrati nga nacionalsocialistët. Ata lanë atdheun e tyre, Jugosllavinë dhe ikën në Tiranë në Shqipëri. Atje, Moshe Mandil fillimisht gjeti strehim dhe punë në një dyqan fotografie me gruan e tij Ela dhe fëmijët e tyre Gavra dhe Irena. Kur nazistët përparuan në Shqipëri në vitin 1942, ata nuk ishin më të sigurt atje. Shtatëmbëdhjetë vjeçari Refik Veseli, një nxënës në biznesin e fotografisë, më pas i çoi në fshatin e prindërve të tij. Natën hipnin mbi mushka nëpër rrugë të fshehta dhe i kalonin ditët e fshehura nëpër shpella. Ata mundën të fshiheshin në qytezën e thellë malore të Krujës deri në çlirimin e vitit 1944.

 

Një “i drejtë midis kombeve”

 

Në vitin 1987, Gavra Mandil i shkroi Yad Vashem dhe i tregoi historinë e tij. Ai donte të nderonte popullin shqiptar, por veçanërisht shpëtimtarët e tij. Në justifikimin e tij ai shpjegoi: “Mund të ndodhë që ata nuk janë rritur me trashëgiminë e Gëtes dhe Shilerit, por i kushtojnë rëndësinë më të madhe jetës njerëzore në mënyrën më të natyrshme dhe të vetëkuptueshme”. Po atë vit, familja Veseli u njoh si e Drejta Ndër Kombet – të parët shqiptarë që u nderuan nga Yad Vashem.

 

Një model për sot

 

Nxënësve nga Berlini, kryesisht me origjinë turke, u bëri aq përshtypje kjo histori, saqë vendosën: Shkolla jonë të mbajë emrin e Refik Veselit. Ata nuk hoqën dorë nga kjo ide deri sa shkolla e tyre mori emrin e ri. Nxënësit, prindërit dhe mësuesit e shihnin sfidën që paraqiste për ta. Presidenti federal gjerman i asaj kohe Joachim Gauck nënvizoi këtë përgjegjësi në fjalimin e tij në 60-vjetorin e Yad Vashem duke theksuar se njeriu ka gjithmonë zgjedhjen për të bërë mirë. Në misionin e saj, Shkolla Refik Veseli formuloi më pas moton e saj: “Sei mutig, schau hin, misch dich ein, sei solidarisch und handle! Du hast immer eine Wahl! – “Bëhuni guximtar, shikoni, përfshihuni, solidarizohuni dhe veproni! Ju keni gjithmonë një zgjedhje.”

 

Një sinjal për shpresën dhe të ardhmen

 

Deri vonë, shkolla në Skalitzer Strasse në Kreuzberg konsiderohej një shkollë problematike. Por një emër i ri, një drejtim i ri dhe një drejtoreshë e re bëjnë mrekulli: Në shkollën “Refik Veseli” prej kur e mori emrin ka një frymë optimizmi: për nxënësit tani është shkolla “e tyre”, prindërit filluan të përfshiheshin e të gjithë bashkë për të rritur nivelin e shkollës, duke e bërë që të jetë shkolla e parë në zonën ku matura do të ishte e mundur drejtpërdrejt.

Pajtimi, ndryshimi dhe bashkëjetesa multikulturore nuk ndodhin automatikisht. Ato nuk ndodhin as kur lëvizin “Islami” apo “politika”. Ato ndodhin kur njerëzit individualë janë aty për të tjerët pavarësisht rezistencës – si Refik Veseli.

 

Burimi nga faqja e shkollave të mesme Berlin

Përktheu dhe përgatiti Elida Buçpapaj

Lobimi në Strasburg, anëtarësimi në KiE bën bashkë politikën e Kosovës

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës ka bërë bashkë partitë politike. Një delegacion që udhëhiqet nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ndodhet në Strasburg të Francës për të lobuar për pranimin e Kosovës në institucionin e rëndësishëm për të drejtat e njeriut.

“Siç tregon raporti i juristëve të shquar, ‘rregullat ligjore janë në përgjithësi në përputhje me standardet ndërkombëtare, ose, siç është rasti me Kushtetutën, shkojnë përtej këtyre standardeve”, është shprehur Konjufca.

Në mes të takimeve kyçe që delegacioni ka marrë pjesë ishte dhe diskutimi në Komitetin e Çështjeve Politike dhe Demokracisë, ku Kryetari i kuvendit prezantoi rastin e Kosovës për anëtarësim.

Delegacioni, që përfshinte dhe deputetë të opozitës, është takuar edhe me Lulzim Bashën në Këshillin e Europës.sn

Zelensky kërkon hetim ndërkombëtar pas akuzave të Kremlinit për rrëzimin e avionit

Kremlini ka akuzuar sërish Ukrainën për rrëzimin e një avioni ushtarak rus, që tha se po transportonte 65 ushtarë ukrainas të kapur gjatë luftës, të cilët më 24 janar po transportoheshin për këmbim. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të këtij rasti.

Avioni u rrëzua në rajonin e Belgorodit pranë kufirit me Ukrainën.

Rrëzimin e aeroplanit transportues ushtarak, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov e quajti “akt monstruoz”, megjithëse Moska ende nuk ka treguar ndonjë provë se ai u rrëzua nga një raketë ukrainase apo që ushtarët ukrainas ishin në bord.

Derisa nuk tha se kush e rrëzoi avionin, Zelensky tha se “duhet të vërtetohen të gjitha faktet…shteti ynë do të insistojë në një hetim ndërkombëtar”.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se këmbimi i të burgosurve ishte planifikuar të bëhej më 24 janar dhe Rusia nuk e kishte informuar Ukrainën se të burgosurit ukrainas do të fluturonin me aeroplanë mallrash.

Drejtoria kryesore e inteligjencës së Ukrainës tha se nuk ka “informacion të besueshëm dhe gjithëpërfshirës” se kush ishte në bordin e avionit por tha se të burgosurit rusë për të cilët ishte përgjegjës “u dorëzuan në kohë në pikën e këmbimit të kushtëzuar, ku ata ishin të sigurt”.

Ekspertët e aviacionit i thanë Radios Evropa e Lirë se ishte e mundur që një raketë kundërajrore ukrainase të rrëzonte aeroplanin, por shtuan se ai mund të ketë qenë gjithashtu kundërajror rus.

“Gjatë hetimit, ju mund të përcaktoni lehtësisht se cili sistem rrëzoi aeroplanin bazuar në elementët dëmtues të raketave,” tha Roman Svitan, një kolonel rezervë i Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe një pilot instruktor i aviacionit luftarak.

Kur u pyet për pretendimet ruse për dhjetëra të burgosur në bord, Svitan tha se nga pamjet e publikuara deri më tani, ai nuk ka parë asnjë provë për të mbështetur deklaratat.

“Nga pamjet që ishin aty, i shikova të gjitha, nuk është e qartë se ku ka dhjetëra trupa…Nuk shihet fare një trup i vetëm. Një kohë kam qenë hetues ushtarak, duke përfshirë edhe hetimin e fatkeqësive; më besoni, nëse do të kishte shtatëdhjetë apo tetëdhjetë njerëz atje, fusha do të ishte e shpërndarë me kufoma dhe mbetje trupash”, shtoi Svitan.

Rusia akuzoi Ukrainën se e rrëzoi qëllimisht avionin transportues ushtarak Ilyushin Il-76 duke thënë se radari rus regjistroi lëshimin e dy raketave nga rajoni i Harkivit i Ukrainës, i cili kufizohet me rajonin Belgorod.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha në një deklaratë, që nuk përmendi rrëzimin, se ushtria ukrainase kishte vërejtur më shumë avionë transporti ushtarak rus që u ulën në Belgorod, dhe e ndërlidhi këtë me sulmet raketore ruse në Harkiv dhe qytete të tjera të Ukrainës.

“Me këtë në mendje, Forcat e Armatosura të Ukrainës do të vazhdojnë të marrin masa për të shkatërruar mjetet e shpërndarjes dhe të ushtrojnë kontrollin e hapësirës ajrore për të eliminuar kërcënimin terrorist, përfshirë në drejtimin Belgorod-Harkov”, thuhet në Telegram.

Një deklaratë e inteligjencës ushtarake ukrainase, në Facebook, tha se Kievit nuk i ishte kërkuar të garantonte sigurinë e hapësirës ajrore rreth zonës së Belgorodit, siç ishte rasti gjatë shkëmbimeve të mëparshme të të burgosurve të luftës.

Ai tha se akuzat e Rusisë se Kievi rrëzoi avionin e transportit mund të jetë “një veprim i planifikuar për të destabilizuar situatën në Ukrainë dhe për të dobësuar mbështetjen ndërkombëtare për shtetin tonë”.

Rusia bëri thirrje për një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 25 janar për të diskutuar rrëzimin e avionit, të cilin Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e quajti një akt “kriminal” nga Ukraina.

Zyrtarët rusë thanë se avioni mbante 65 ushtarë ukrainas, gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe tre shoqërues.

Radio Evropa e Lirë e ka siguruar një listë të gjashtë anëtarëve të ekuipazhit, që supozohej të ishin në fluturim. Vdekjen e tre anëtarëve të ekuipazhit e kanë konfirmuar për REL-in të afërmit e tyre.

Videoja në mediat sociale tregoi një aeroplan që rrotullohej në tokë, i ndjekur nga një zhurmë e fortë dhe një shpërthim që drejt qiellit dërgoi flakë dhe një top tymi.

Nikki Haley e vetme përballë ish-presidentit Donald Trump, pas daljes nga gara të guvernatorit DeSantis

VOA/Richard Green

Guvernatori i Floridas Ron DeSantis ndërpreu fushatën e tij elektorale për zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane që do të përzgjedhin kandidatin zyrtar për president. Zoti DeSantis u tërhoq kështu nga gara pasi nuk arriti të sfidojë ish-presidentin Donald Trump. Ish-ambasadorja në OKB dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley mbetet tashmë rivalja e vetme përballë zotit Trump dhe thotë se dëshiron të fitojë gruaja më e mirë.

Guvernatori DeSantis njoftoi vendimin e tij në një video të publikuar në rrjetin e mediave sociale X, dikur i njohur si Twitter.

Ai i dha fund kandidimit të tij vetëm një javë pasi u radhit i dyti pas zotit Trump në votimet e para brenda Partisë Republikane në Ajova.

Nëse do të kishte diçka që mund të bëja për të sjellë një rezultat të favorshëm, më shumë aktivitete elektorale, më shumë intervista, do t’i bëja. Por, nuk mund t’u kërkoj mbështetësve tanë të japin kohën e tyre dhe të dhurojnë nga burimet e tyre, nëse unë nuk kam një rrugë të qartë drejt fitores. Prandaj po ndërpres sot fushatën time. Jam krenar që kam përmbushur 100% të zotimeve të mia dhe nuk do të ndalem me kaq. Është e qartë se shumica e votuesve republikanë duan t’i japin Donald Trump-it një tjetër shans”, tha zoti DeSantis.

Guvernatori i Floridas hyri në fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale si sfidanti kryesor ndaj ish-presidentit Trump, i cili bëri sulme të vazhdueshme personale ndaj tij.

Nga njoftimi në rrjetin X

Nga njoftimi në rrjetin X

Por pas njoftimit të zotit DeSantis për ndërprerjen e fushatës, zoti Trump foli me fjalë të mira.

Para se të fillojmë do të doja të përgëzoja Ron De Santisin, dhe sigurisht për ata që e kanë njohur, një person të jashtëzakonshëm, bashkëshorten e tij Casey, për një fushatë të mrekullueshme për president. Ai bëri një fushatë vërtet të mirë. Ju them që nuk është e lehtë. Mendojnë se është e lehtë t’i bësh këto, por nuk është e lehtë”, tha ish-presidenti Trump.

Ish-presidenti Trump gjatë një aktiviteti në Rochester, New Hampshire (21 janar 2024)

Ish-presidenti Trump gjatë një aktiviteti në Rochester, New Hampshire (21 janar 2024)

Tërheqja e zotit DeSantis erdhi dy ditë përpara se të mbahen zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër. Ish-ambasadorja në OKB dhe ish-guvernatore e Karolinës së Jugut, Nikki Haley mbetet tashmë rivalja e vetme përballë zotit Trump.

Dua t’i them Ronit se ‘Bëre një garë të shkëlqyer’. Ai ka qenë një guvernator i mirë dhe i urojmë gjithë të mirat. Tashmë ka mbetur një burrë dhe një zonjë dhe po e mbyll me shprehjen: Fitoftë gruaja më e mirë”, tha zonja Haley gjatë një aktiviteti elektoral në Nju Hempshër.

Sipas ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare John Bolton, parashikimi i rezultatit të zgjedhjeve presidenciale amerikane do të jetë “i pamundur”. Ai thotë se ka grupe të mëdha votuesish të cilëve nuk u pëlqen asnjëri kandidat.

Mendoj se këto zgjedhje do të jenë shumë si 2020-ta dhe 2016-ta, me një grup të madh votuesish – dhe unë mendoj se këtë vit është grupimi më i madh – një grup i madh votuesish të cilëve nuk u pëlqen asnjë kandidat. Pra në fund, fituesi do të jetë kandidati që është më pak i papëlqyer nga ky grupim i madh votuesish. Nuk është mënyra ideale për të zgjedhur një president, por mendoj se njerëzit janë shumë të pakënaqur”, tha zoti Bolton.

Megjithë këtë pakënaqësi të madhe të votuesve, zoti Bolton mendon se zgjedhjet do të jenë një përballje elektorale e ngjashme me zgjedhjet e vitit 2020 dhe shumë prej drejtuesve në të dyja partitë janë tashmë të bindur se zoti Trump do të jetë kandidati zyrtar për president i Partisë Republikane.

Për këtë artikull u morën materiale nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters.

Bardhi ngre shqetësimet e opozitës në PE: Nuk kemi parë dorë të shtrirë nga mazhoranca, por agresivitet

Në Komisionin e Stabilizim Asociimit në Parlamentin Europian ne Bruksel, Gazment Bardhi ka ngritur shqetësimet e opozitës duke thënë se parlamenti është jofunksional prej 3 muajsh, teksa shtoi se nga ana e mazhorancës nuk ka pasur një dorë të shtrirë për dialog, por vetëm arrogancë të shtuar.

Ai tha ndër të tjera Bardhi përmendi dhe ngërçin e Reformës Zgjedhore, ku tha se lidhet me nevojën qe ka Shqipëria për zgjedhje te lira dhe te ndershme.

“Ashtu si raporti i Komisionit Europian evidenton, prej 22 muajsh në Kuvendin e Shqipërisë ne kemi rënë dakord të ngremë një komision bipartizan për te realizuar reformën zgjedhore i cili është bllokuar, nuk ka kryer asnjë veprimtari, nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje. Nëse analizon 2 raportet e fundit të misionit te vëzhguesve të OSBE ODIHR do të vërehen çështje që vënë ne pikëpyetje garantimin e standardeve për zgjedhje te lira dhe të ndershme në Shqipëri. Qoftë raporti i vitit 2021, qoftë raporti i vitit 2023 evidenton fenomenin e shit blerjes se votës, keqpërdorimit të burimeve shtetërorë apo abuzimit me nëpunësit e administratës publike ne funksion te frikësimit te votuesve apo orientimit te votave. Kjo është një çështje që do te duhet të adresohet përmes reformës zgjedhore por për fat të keq gjate këtyre 22 muajve puna e komisionit është penguar të prodhoje një produkt që do ti garantonte Shqipërisë zgjedhje te lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm”, tha ndër të tjera Bardhi.

Fjala e Bardhit:

Biem besoj dakort të gjithë se integrimi europian është një objektiv i përbashkët i mazhorancës dhe opozitës. Unë dua të sqaroj, edhe për të qënë të qartë, që në fakt arsyet e mungesës normalitetit aktualisht në kuvend gjenden në raportin e fundit të progresit të Komisionit Europian.

Siç evidentohet aty situata jo normale, apo funksionimi jo normal i parlamentit lidhet me disa të drejta kushtetuese që kanë deputetet e opozitës. Nuk është e vërtetë që ne kemi depozituar në të njëjtën kohë 8 kërkesa per komision hetimor. Ne kemi dorëzuar 8 kërkesa për komision hetimor gjatë 2 viteve të kësaj legjislature dhe ç’është e vërteta ekzaktesisht pas atij komisioni hetimor që përmendi kolegu Majko që ishte i suksesshëm dhe falë punës së tij prokuroria e posaçme arriti të provonte akuza për korrupsion ndaj disa ish zyrtarëve, për atë që quhet afera e inceneratorëve. Që nga ai moment mazhoranca ndaloi çdo ngritje të komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita. Në total janë 8 dhe vetem sesionin e fundit janë rrezuar brenda 1 jave 3 kërkesa për komisione hetimore. Janë refuzuar 4 kërkesa për interpelancë nga kryeministri i vendit për çështje që kanë interes për publikun. Mbahen të pashqyrtuara 31 projekt ligje të deputeteve te opozites, nderkohe sa i takon ligjeve me porosi ti deputeteve apo kolege te mazhorances ato miratohen pa u future ne kalendar, pa kaluar 2 javë nga depozitimi i tyre në parlament.

Kjo është arsyeja pse sot deputetët e opozitës nuk kanë lejuar funksionimin normal të parlamentit pa u rikthyer ato të drejta qe atyre ja njeh Kushtetuta e Republikës së Shqiperisë. Unë e vlerësoj fjalën e kolegut Majko qe eshte i gatshem për dialog edhe në përgjigje të thirrjes së partnereve tanë ndërkombëtar, edhe ketu degjova që behej thirrje per dialog, por ne fakt gjatë ketyre 3 muajve të mungeses së funksionimit normal të parlamentit ne nuk kemi gjetur rrugën e dialogut apo doren e shtrire për dialog nga mazhoranca por kemi parë shtimin e masave agresive, arrogante ndaj opozitës. Ndryshimet e njëanshme në rregulloren e Kuvendit apo ndryshimet e njëanshme në ligjin per komisionet hetimore nuk janë një dorë e shtrire për dialog por jane një mesazh i qartë i mungesës së vullnetit për të gjetur zgjidhje, për të respektuar të drejtat kushtetuese të opozitës.

Një tjeter çeshtje që ne fakt e ka futur ne ngerç kuvendin lidhet me nevojën qe ka Shqipëria për zgjedhje te lira dhe te ndershme. Ashtu si raporti i Komisionit Europian evidenton, prej 22 muajsh në Kuvendin e Shqipërise ne kemi rënë dakort të ngrem një komision bipartizan për te realizuar reformen zgjedhore, i cili eshte bllokuar, nuk ka kryer asnjë veprimtari, nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje. Nëse analizon 2 raportet e fundit të misionit te vëzhguesve të OSBE ODIHR do të verehen çeshtje që vën ne pikëpyetje garantimin e standarteve për zgjedhje te lira dhe të ndershme në Shqipëri. Qoftë raporti i vitit 2021, qoftë raporti i vitit 2023 evidenton fenomenin e shit blerjes se votës, keqperdorimit të burimeve shteterore apo abuzimit me nënpunesit e administrates publike ne funksion te frikësimit te votuesve apo orientimit te votive. Kjo eshte nje çështje që do te duhet të adresohet përmes reformës zgjedhore por per fat të keq gjate këtyre 22 muajve puna e komisionit është penguar të prodhoje nje produkt që do ti garantonte Shqipërise zgjedhje te lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm.

Sikunder po, une bie dakort që institucionet e drejtësisë ashtu si kolegu im Majko evidentoi kanë nën hetim një ish zv/kryeministër i cili sot është në arrati, ne nuk e dimë ku është, një ish minstër mjedisi apo një ish ministër të brendshëm por besoj biem dakort që secili prej tyre në momentin kur është marrë nën hetim disa muaj se të merrej nën hetim nga prokuroria, është shkarkuar nga kryeministri, cka vë në pikëpyetje dijenin e kryeministrit mbi hetimet që po kryheshin nga ana e institucioneve të drejtësisë. Asnjë zyrtar në detyrë aktualisht, pra asnjë ministër, edhe pse ka akuza ndaj tyre, asnjë kryetar bashkie për të cilët ka akuza dhe hetime nuk rezulton të jetë marrë nën hetim nga prokuroria.

Megjitahë e kam thënë dhe dua përsëris edhe këtu, për ne opozitën nxitja ndaj institucioneve të drejtësisë për të vepruar në përputhje me ligjin dhe për të vën përpara drejtësis cilindo që me fakte dhe prova ka abuzuar me ligjin, ka qën gjithmonë dhe do të vazhdojë të mbetet e tillë.

Demonstrata të mëdha kundër neonazizmit në Gjermani

Dhjetëra-mijëra vetë dolën në Gjermani në rrugë gjatë fundjavës për të protestuar kundër ekstremizmit të djathtë. Presidenti Steinmeier tha se ata mbrojnë republikën dhe kushtetutën kundër armiqve të saj.

Nga Deutsche Welle

Gjermania është përfshirë prej demonstratave masive gjatë së cilave në rrugët e qyteteve dolën rreth 1,4 milionë vetë për të protestuar kundër partisë ekstremiste të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe agjendës së saj kundër emigracionit.

Të premten dhe në fundjavë në rreth 100 qytete në të gjithë vendin u zhvilluan demonstrata nën moton “Të mbrojmë demokracinë”. Të shtunën dhe të dielën u zhvilluan mitingje në disa nga qytetet e mëdha si Hamburg, Frankfurt, Këln, Dormund, Mynih dhe Berlin.

Image

Pas demonstratave në Halle/Saale dhe asaj në Lajpcig, ku morën pjesë përkatësisht rreth 16.000 dhe 40.000 vetë, demonstrata u zhvilluan edhe në disa qytete në lindje të Gjermanisë, si në Cottbus, Dresden dhe Chemnitz.

Mbështetje nga politikanët

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha në një video-mesazh në lidhje me demonstratat: “Këta njerëz na inkurajojnë të gjithëve”. Ata mbrojnë “republikën dhe kushtetutën tonë kundër armiqve të saj”.

Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser (SPD), tha për gazetën “Rheinische Post” se fakti “që qindra-mijëra vetë po dalin në demonstrata dhe po mbrojnë në mënyrë aktive demokracinë tonë është një shenjë shumë inkurajuese”.

Pse po protestojnë kaq shumë njerëz tani?

Vala e mobilizimit kundër partisë së ekstremit të djathtë AfD u ndez nga një shkrim i datës 10 janar publikuar nga grupi investigativ Correctiv, i cili zbuloi seanëtarët e AfD-së ishin takuarnë nëntor 2023  në Potsdam me një grup ekstremistësh për të diskutuar për dëbimin e emigrantëve dhe “qytetarëve të paasimiluar”. Të pranishëm kishin qenë edhe anëtarë të Unionit Kristian Demokrat (CDU), partia kryesore opozitare.

Pjesëmarrësit në takim kishin diskutuar për “riemigrimin”, një term që përdoret shpesh në qarqet ekstremiste të djathta si eufemizëm për dëbimin e emigrantëve dhe të pakicave, përfshirë ata që kanë marrë nënshtetësinë gjermane.

Lajmi për takimin tronditi shumë vetë në Gjermani në një kohë kur AfD-ja po ngjitet në sondazhetqë po zhvillohen në prag të tre zgjedhjeve të mëdha rajonale në Gjermaninë lindore, ku mbështetja për këtë parti është më e fortë. Kancelari Olaf Scholz, i cili iu bashkua një demonstrate fundjavën e kaluar, tha se çdo plan për të dëbuar emigrantë apo qytetarë ishte një “sulm kundër demokracisë sonë, dhe nga ana tjetër, ndaj të gjithë neve”.

AfD-ja e konfirmoi praninë e anëtarëve të saj në takim, por tha se propozimet e saj për emigracionin, të cilat ishin pjesë e manifestit të fundit zgjedhor, nuk përfshijnë shtetas që kanë marrë nënshtetësinë gjermane. Komente të tilla në takim ishin bërë nga një figurë e ekstremit të djathtë austriak, Martin Sellner, i cili nuk është anëtar i AfD-së.

ImageImage

ImageImage

Një asteroid ndriçon qiellin mbi Berlin

“Topi i zjarrit” u vu re pak pas mesnatës të së dielës – Disa fragmente mund të kenë arritur në tokë

VOAL- Një asteroid ka ndriçuar qiellin e natës mbi Berlin. Ngjarja ka ndodhur natën ndërmjet të shtunës dhe të dielës, kur trupi qiellor me diametër rreth një metër u dogj në kontakt me atmosferën. Një shfaqje që u pa vetëm nga kryeqyteti gjerman, por edhe nga Lajpcigu dhe Praga. Janë të shumta videot që janë publikuar në rrjetet sociale orët e fundit.

Sipas llogaritjeve të agjencisë amerikane të hapësirës NASA, pika e pritshme e goditjes për asteroidin ishte afër Nennhausen, një qytet me gati dy mijë banorë që ndodhet rreth shtatëdhjetë kilometra në perëndim të kryeqytetit gjerman. Një fizikan nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA), i konsultuar nga Spiegel, beson se disa fragmente mund të kenë arritur në tokë.

Trupi qiellor që po afrohej ishte zbuluar disa orë më parë nga astronomi hungarez dhe “gjuetari i asteroideve” Krisztián Sárneczky. Emri i përkohshëm i objektit të djegur në atmosferë ishte Sar2736.rsi-eb

Marsh në Frankfurt kundër së djathtës ekstreme

Pamje nga marshi i 20 janarit në Frankfurt.

 

Dhjetëra mijëra njerëz kanë ndalë të shtunën nëpër rrugët e Frankfurtit, për të protestuar kundër partisë së të djathtës ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Policia ka thënë se rreth 35.000 njerëz kanë marrë pjesë në protestë, nën sloganin “Mbrojeni Demokracinë”.

Protesta është mbajtur në qendër të Frankfurtit, i cili njihet si kryeqyteti financiar i Gjermanisë.

Një zëdhënës i Policisë e ka përshkruar atmosferën si paqësore.

Protesta si kjo e së shtunës, janë mbajtur edhe në disa qytete tjera, dhe ato e gëzojnë mbështetjen e kancelarit të shtetit, Olaf Scholz.

Po të shtunën është raportuar për një protestë të ngjashme edhe në Limburg, dhe që numri ka qenë më i madh sesa është pritur – 2.800.

Protestat janë nxitur nga një raport i platformës Correctiv, prej të cilit është bërë e ditur se politikanët e AfD-së kanë mbajtur një takim me ekstremistët e të djathtës ekstreme në Potsdam.

Pjesëtarë të partisë konservatore Unioni Demokristian, partisë më të madhe opozitare, kanë marrë pjesë, po ashtu, në takim.

Në takimin në Potsdam, ekstremistët e krahut të djathtë kanë diskutuar për temat si “riemigrimi”, termë që përdoret prej qarqeve të së djathtës ekstreme si eufemizëm për dëbim të migrantëve dhe minoriteteve.

Në një paraqitje të bërë të premten, Scholz e ka konsideruar riemigrimin si “sulm ndaj demokracisë sonë”.

Ai i ka mirëpritur protestat e planifikuara për fundjavë.

“E them shumë qartë, ekstremistët e krahut të djathtë janë duke e sulmuar demokracinë tonë”, ka thënë ai.

Dhjetëra mijëra njerëz pritet të marrin pjesë në protesta të ngjashme që do të mbahen në qytetet gjermane.rel

Rohde: Banjska ndryshoi gjithçka, Gjermania do sjellë kontigjent të ri

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, duke thënë se Banjska ndryshoi gjithçka.

Rohde tha se ai vetë as nuk e ka imagjinuar se do të ndodhte diçka e tillë, ndërsa ka kërkuar që autorët të dalin para drejtësisë dhe të ndëshkohen, raporton Express.

“Banjska ndryshoi gjithçka. Ishte një sulm terrorist. Këta nuk ishin qytetarë të pakënaqur, por kishin raketahedhës, automatikë, granata… Jemi ende në kërkim të autorëve të dyshuar që duhet të dalin para drejtësisë. Vetë Milan Radoiçiç tha se është përgjegjës, por ende nuk ka përgjegjësi, nuk mund të pranojmë parimin e mosndëshkimit. Nëse kryen një krim, duhet të gjykohesh. Shpresojmë se Serbia është duke punuar në këtë”, ka deklaruar Rohde në një intervistë për Kosovo Online.

Ambasadori gjerman ka bërë me dije se Gjermania do ta shtojë praninë e saj në Kosovë me një kontigjent nga maji.

“Personalisht, nuk mund ta imagjinoja se do të ndodhte diçka e tillë, dhe për këtë arsye NATO e shtoi praninë e saj dhe Gjermania do të bëjë të njëjtën gjë me një kontingjent të ri nga maji. Ajo që duam është paqe dhe stabilitet. Sulmet si ky janë saktësisht e kundërta e kësaj. Nëse nuk dënohen autorët e sulmit në Banjskë, si mund të rritet besimi mes dy vendeve. Kjo ishte një punë e madhe dhe me të vërtetë autorët duhet të ndëshkohen”, ka deklaruar Rohde.

Deputetja Kearns: Serbia po i qesh në fytyrë BE-së – qasja e Perëndimit ndaj Kosovës, e padrejtë

Në Parlamentin Evropian, të mërkurën është diskutuar mbi parregullsitë në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale në Serbi.

Eurodeputetët patën kritika të ashpra për vendin fqinj, duke kërkuar nga udhëheqësit e shtetit që t’i hetojnë gjetjet e monitoruesve ndërkombëtarë.

Pas votimeve nga Parlamenti Evropian, të enjten, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka marrë një letër të mbështetur nga 24 politikanë të lartë evropianë, duke i kërkuar asaj që të hetojë akuzat për parregullsi në zgjedhjet e fundit në Serbi, shkruan Klankosova.tv.

Në mesin e nënshkruesve të kësaj thirrjeje, siç ka raportuar “Politico”, që BE-ja të nisë një hetim për zgjedhjet në Serbi, ishte edhe Alicia Kearns, një deputete konservatore e Parlamentit Britanik dhe kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Britanik.

Në një bisedë për “Zërin e Amerikës”, shërbimi për Gjeorgjinë në Uashington, deputetja britanike ka thënë se “kolegët që vëzhguan zgjedhjet thanë se nuk kishin parë kurrë abuzime të tilla të tmerrshme të procesit zgjedhor”.

Kearns ishte edhe ndër nënshkrueset e apelit që parlamentarët evropianë dhe amerikanë i dërguan administratave në Uashington dhe Bruksel verën e kaluar, me të cilin kërkohej që të shtrëngojnë politikën ndaj Serbisë dhe ta zbusin atë ndaj Kosovës. Ajo gjithashtu akuzoi Beogradin për kontrabandë armësh në Kosovë përmes Kishës Ortodokse Serbe, të cilën KFOR-i më vonë e mohoi.

Kearns tani ka bërë thirrje përsëri për një ndryshim në politikën e ShBA-së dhe BE-së ndaj Beogradit dhe pretendon se “Serbia po qesh përballë Bashkimit Evropian”.

“Ata pretendojnë se po shkojnë drejt së ardhmes euroatlantike, por në fakt janë të lidhur me Rusinë, me Iranin, kanë zgjedhur aleatët e tyre. Ata aktualisht po i qeshin BE-së në fytyrë, po i marrë paratë e tyre dhe nuk po ecin përpara në çështjen e reformave. Duhet që qasja e BE-së dhe ShBA-së të jetë e drejtë dhe e balancuar. Qasja aktuale ndaj Kosovës është e padrejtë, e pabalancuar dhe e gabuar, dhe ata duhet të paralajmërojnë se Serbia do t’i bartë pasojat dhe t’i jepet fund këtij iluzioni që kanë – se Serbia po punon për një të ardhme euroatlantike”, tha deputetja britanike.

24 nënshkruesit e letrës, duke përfshirë Michael Roth, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të parlamentit gjerman dhe homologu i tij francez Jean-Louis Bourlanges, i kërkuan BE-së të hetojë në mënyrë të pavarur akuzat e mashtrimit dhe të bëjë rekomandime për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta në Serbi, shkruan “Politico”, transmeton Klankosova.tv.

Nënshkruesit kryesojnë kryesisht komitetet e punëve të jashtme ose evropiane në parlamentet e tyre kombëtare dhe vijnë nga e gjithë BE-ja – duke përfshirë nga Franca, Italia, Danimarka dhe Luksemburgu – si dhe nga Ukraina, Moldavia dhe Britania e Madhe.

“Në varësi të gjetjeve të hetimit”, thonë ata, “mund të kërkohen zgjedhje të reja në Serbi”.

“Qëllimi ynë i përbashkët është ta shohim Serbinë si anëtare të Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade”, shtojnë ata. Kërkesa për hetim vjen pasi von der Leyen po përgatit planet për një BE me më shumë se 30 anëtarë.

Blloku aktualisht ka 27 vende anëtare, por në dhjetor hapi negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Vende të tjera, si Kosova, Gjeorgjia dhe disa tjera të Ballkanit Perëndimor, janë në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit. /Klankosova.tv

Deputetët europianë: BE të hetojë manipulimet masive zgjedhore në Serbi

24 deputetë nga e gjithë Europa kanë nënshkruar një letër, përmes së cilës kërkojnë hetim të pavarur për manipulimet industriale në zgjedhjet e fundit në Serbi, që nxorën fituese partinë e Aleksandër Vuçiçit.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut, Michael Roth, i cili tha se Vuçiç është i izoluar.

“I dashur president Aleksandër Vuçiç, ky s’është as konspiracion, as fushatë socialiste. Ju jeni totalisht i izoluar!

24 deputetë nga e gjithë Europa i bëjnë thirrje BE-së që të hetojë në mënyrë të pavarur akuzat për mashtrim dhe të bëjë rekomandime për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi”, ka shkruar ai.

Në letër, deputetët europianë thonë se e duan Serbinë brenda një dekadë në BE, por se për këtë duhet një demokraci funksionale në Serbi.

“Në hijën e pretendimeve për manipulime masive zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale serbe që u zhvilluan më 17 dhjetor 2023, i bëjmë thirrje BE-së të kryejë një hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë zgjedhore të raportuara dhe pretendimeve për mashtrim.

Qëllimi ynë i përbashkët është ta shohim Serbinë si anëtare të Bashkimit Europian brenda kësaj dekade. Një kërkesë e domosdoshme për këtë është një demokraci funksionale dhe shteti ligjor.

Manipulimet masive zgjedhore të vëzhguara nga misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vëzhguesit e pavarur të shoqërisë civile janë shkelje të qarta të parimeve të zgjedhjeve të lira, të barabarta dhe të fshehta dhe të cilat s’janë në pajtim me këtë kërkesë. Kjo ngre shqetësime të mëdha për legjitimitetin e rezultateve zgjedhore në nivel kombëtar dhe veçanërisht në lidhje me zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Beogradit”.

Deputetët europianë thonë se këto ngjarje dhe reagimi represiv i shtetit pas tyre, tregojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të zhvillimit autokratik të vendit.

“Ky zhvillim përfshin bashkëpunimin e vazhdueshëm të Serbisë me Federatën Ruse, pavarësisht nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Kjo përbën një kërcënim kritik ndaj stabilitetit të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Nëse nuk ka përgjigje të përbashkët europiane tani, ajo do të kërkojë për veprime të ngjashme nga aktorët në shtetet fqinje në të ardhmen”.

Nënshkruese e letrës është edhe deputetja e zëshme britanike për çështjet në Ballkanin Perëndimor, Alicia Kearns, si dhe kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleksandr Merezhko. Po ashtu, deputetë nënshkrues janë edhe nga shtete të tjera përfshirë Francën, Italinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Irlandën etj.sn

BE i kërkon Serbisë të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Luginë të Preshevës

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që të lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në tri komunat në jug të Serbisë, të cilat paralajmërohen në përputhje me marrëveshjen e arritur në dialogu rreth vizitave të ndërsjella. Blloku ka kërkuar që Kosova të respektojë në të njëjtën mënyrë këtë marrëveshje.

Reagimi i BE-së vjen pasi ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në fillim të janarit iu refuzua leja për të vizituar Luginën e Preshevës – komunat jugore në Serbi: Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në Serbi ishte paralajmëruar në përputhje me marrëveshjen e dialogut rreth vizitave zyrtare. Prandaj, Serbia është dashur ta lejojë dhe ajo vizitë të realizohej”, u tha në një përgjigje të Peter Stano, zëdhënës i BE-së për punë të jashtme dhe siguri.

Stano tha po ashtu se “BE-ja vazhdon të bëjë ftesë për të dyja palët që në tërësi, dhe pa kushtëzime, të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe marrëveshjet për vizitat zyrtare dhe lirinë e lëvizjes”.

“Të gjitha mospajtimet duhet të zgjidhen përmes dialogut. BE-ja mbetet e gatshme t’ua lehtësojë palëve diskutimet për të gjetur zgjidhje”, tha zëdhënësi i BE-së.Më 4 janar, Sveçla kishte planifikuar që të vizitonte Luginën e Preshevës. Por, vizita nuk u lejua që të zhvillohej nga autoritetet e Serbisë.

Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur Serbia, por edhe Kosova, kanë refuzuar që të japin leje për vizita zyrtare në shtetet përkatëse.

Më 27 nëntor të vitit 2021 autoritetet në Serbi kishin refuzuar kërkesën e katër ministrave për vizitë dyditore në Luginë të Preshevës.

Më herët, Kosova po ashtu kishte refuzuar vizitën në Kosovë e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç.

Në të gjitha këto raste, BE-ja gjithmonë i kishte kritikuar palët për refuzimin e dhënies së lejeve për vizita, duke u kërkuar atyre që të lejojnë vizita të tilla në bazë të marrëveshjes së arritur për vizita të ndërsjella zyrtare.

Sipas aranzhimeve mes Kosovës dhe Serbisë për vizitat zyrtare, të arritura nën ndërmjetësimin e BE-së, këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato.bw

Deputetja gjermane Cramon: Isha vëzhguese në Serbi, zgjedhjet u manipuluan, nuk kisha parë kurrë diçka të tillë më parë

Thirrja për autoritetet kompetente shtetërore të Serbisë që në mënyrë transparente të hetojnë të gjitha raportet e besueshme për parregullsi në zgjedhjet e dhjetorit u dëgjuan disa herë gjatë ditës së sotme nga foltorja e Parlamentit Evropian.

Ky i fundit ka diskutuar për zgjedhjet e fundit në shtetin serb, ku vëzhguesit ndërkombëtarë kanë hasur në parregullsi të shumta ndërsa kritika kishin edhe deputetët.
Më e zëshmja duket se ishte eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila tha se kurrë nuk ishte përballur në karrierën e saj me zgjedhjet sikurse në shtetin serb.

“Që kur u bëra vëzhguese e zgjedhjeve 20 vjet më parë, nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Le të jemi të qartë: këto zgjedhje janë të manipuluara. Janë të vjedhura. Opozita e bashkuar mund të kishte fituar në Beograd, nëse mijëra nuk do të ishin sjellë, riregjistruar ose nën presion për të votuar për SNS-in. Ne kërkojmë një hetim të paanshëm ndërkombëtar së bashku me OSBE-në siç ishte rasti në Serbi pas zgjedhjeve të vitit 1996. Është në interesin tonë të përbashkët të shohim një Serbi demokratike evropiane”, deklaroi ajo.

Ndërkohë, Komisioneri Evropian për Drejtësi, Didier Reynders tha se këto zgjedhje ishin shumë të rëndësishme dhe se ato u mbajtën nën vëzhgimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Konkluzioni i raportit është se procesi zgjedhor duhet të reformohet, tha ai.

“Kur flasim për procesin zgjedhor të një shteti demokratik, ai duhet të përmirësohet për të folur për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Ne presim që të gjitha raportet e besueshme të parregullsive të trajtohen në mënyrë transparente nga forcat vendore të zbatimit të ligjit. Kjo përfshin pretendimet për parregullsi në zgjedhjet në Beograd dhe komunitete të tjera lokale. Këtu përfshihen rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme dhe ne presim që Serbia t’i zbatojë ato rekomandime sa më shpejt të jetë e mundur”, tha eurodeputeti.

Ai theksoi rëndësinë e protestave paqësore, si dhe se dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk është e pranueshme, duke shtuar se PE do të monitorojë nga afër protestat pas zgjedhjeve.

Ndryshe, partia në pushtet e Serbisë, SNS, e cila dikur udhëhiqej nga presidenti Aleksandar Vuçiq ka fituar zgjedhjet lokale, rajonale dhe parlamentare.

Megjithatë ato u kontestuan nga opozita serbe, e cila ka filluar sërish protestat pas një pushimi dyjavor shkaku i festave të fundvitit.

Parlamenti Evropian pritet të miratojë një rezolutë rreth zgjedhjeve në shtetin serb, e cili pritet të votohet në muajin shkurt.sn

BE fut në listën e terroristëve liderin e Hamasit: Masa, përgjigje ndaj kërcënimeve dhe sulmeve në Izrael

Yehya Sinwar kuptohet të jetë organizatori i sulmeve të 7 tetorit të grupit militant

 

Selia e BE-së tha se masa ishte në “përgjigje ndaj kërcënimit të paraqitur nga Hamasi dhe sulmeve të tij brutale dhe pa dallime terroriste në Izrael”.

Sinwar tani është subjekt i “ngrirjes së fondeve të tij dhe aseteve të tjera financiare në vendet anëtare të BE”, shtoi ai.

Vendimi vjen pasi blloku ngriu fondet dhe asetet e tjera në Evropë të Mohammed Deif, komandantit të përgjithshëm të krahut ushtarak të Hamasit dhe të zëvendëskomandantit Marwan Issa.

Kujtojmë se Hamasi është cilësuar si organizatë terroriste nga BE për rreth 20 vjet.panorama

Ushtria ukrainase thotë se ia ka rrëzuar Rusisë dy avionë spiunë

Njëri nga avionët që Ukraina thotë se i rrëzoi ishte avioni paralajmërues dhe kontrollues A-50, i cili ka një radar të madh që është në gjendje t’i vërejë caqet herët dhe në një largësi prej 650 kilometrave.

Ushtria e Ukrainës tha të hënën se forcat e saj i kanë rrëzuar dy avionë spiunë rusë gjatë një “misioni të suksesshëm” mbi Detin e Azovit.

“Forcat ajrore të ushtrisë ukrainase i kanë shkatërruar një avion gjurmues A-50 të armikut dhe një post të komandimit ajror Il-22 të armikut”, tha komandanti i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, gjenerali Valeriy Zaluzhniy, në Facebook.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk kishte të dhëna për rrëzimin e dy avionëve ushtarakë rusë. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk ka komentuar rreth kësaj ngjarjeje.

Këta avionë janë mjete të rëndësishme për Rusinë, e cila i përdor për t’i orkestruar lëvizjet në fushëbetejat e luftës në Ukrainë.

Rrëzimi i tyre do të ishte arritje shumë e madhe për Ukrainën në luftën tashmë dyvjeçare, ku luftimet në vijën e frontit po zhvillohen kryesisht në llogore dhe me artileri.

A-50 është një avion paralajmërues dhe kontrollues me një radar të madh i cili është në gjendje t’i vërejë caqet herët dhe në një largësi prej 650 kilometrave.

Ai bart zakonisht një ekuipazh prej 15 vetave. Raportohet se Rusia vepron me nëntë avionë të tillë.

Il-22 është një post i komandës ajrore, i cili ka për qëllim t’i mbikëqyrë operacionet ushtarake dhe ritransmeton valë radiosh te trupat në vijën e frontit. Raportohet se forcat ajrore ruse kanë dhjetëra avionë të tillë.

Ukrainë është etur t’iu lënë mbresa mbështetësve të vet perëndimorë me aftësitë e saj për t’i përdorur armëve që ia kanë dhënë ata.

Ndërkohë, të hënën më herët, Kombet e Bashkuara u kërkuan donatorëve që gjatë këtij viti të japin 4.2 miliardë dollarë ndihmë humanitare për ukrainasit në shtetin e shkatërruar nga lufta dhe për ata që janë larguar nga shteti.

Mbi 14.6 milionë ukrainas brenda vendit, apo 40 për qind e popullsisë së përgjithshme, kanë nevojë për ndihmë humanitare gjatë këtij viti, tha zyra për Koordinim të Çështjeve Humanitare (OCHA).

Që nga nisja e këtij viti, Ukraina po përballet me një fushatë intensive të sulmeve ajrore ruse, duke vështirësuar edhe më shumë jetën e civilëve.rel

Deputeti gjerman: Nuk do e tolerojmë sjelljen autokratike të Vuçiçit

Deputeti i Bundestagut të Gjermanisë, Josip Juratoviç, thotë se Bashkimi Evropian duhet t’i rishikojë negociatat me Serbinë për anëtarësim, pas parregullsive që u raportuan në zgjedhjet e mbajtura në muajin e kaluar.

Juratoviç, mes tjerash theksoi se nuk mund ta tolerojnë më qasjen autokratike gjithnjë e më të fortë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

“Në politikën tonë të jashtme, ne nuk mund të zgjedhim gjithmonë partnerët me të cilët do të negociojmë. Por në këtë situatë, në të cilën drejtuesi i kampanjës shpërfill parregullsitë në zgjedhje dhe në këtë mënyrë shkel hapur rregullat demokratike, ne nuk mund ta tolerojmë më këtë dhe nuk jam i vetëm në mendimin se negociatat e mëtejshme të para-anëtarësimit ndërmjet Serbisë dhe BE-së duhet të “ngrihen” derisa të respektohen parimet themelore të sistemit të vlerave demokratike”, ka thënë Juratoviç, në një intervistë për mediumin malazez “Pobjeda”.

“Fatkeqësisht, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të krijojë drejtpërdrejt politikën e Serbisë në botën demokratike të cilës ne i përkasim dhe të cilës gjoja synon Serbia, vetëm njerëzit mund ta bëjnë këtë përmes proceseve demokratike, duke përfshirë një garë të ndershme zgjedhore”.

Deputeti vuri në pah se ata që duan të bashkëpunojnë duhet të respektojnë rregullat demokratike.

“Ajo që mund të ndikojmë është që ata që duan të bashkëpunojnë me ne duhet të respektojnë rregullat demokratike nëse duan të jenë partnerët tanë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në të ardhmen. Këto zgjedhje janë kashta e fundit për tolerancën tonë ndaj qasjes autokratike gjithnjë e më të fortë të Aleksandar Vuçiçit dhe ndjekësve të tij”, tha deputeti i Bundestagut të Gjermanisë, Josip Juratoviç. /Klankosova.tv.

Nëna e tij u largua nga froni, Frederiku X kurorëzohet si mbreti i ri i Danimarkës

Danimarka hyri në një epokë të re pasi mbreti Frederik X mori fronin pas largimit nga froni të nënës së tij Mbretëreshës Margrethe II .

Dorëzimi i fronit u bë në një takim kabineti në Pallatin Christiansborg në kryeqytetin Kopenhagë, kur Margrethe nënshkroi një deklaratë për abdikimin e saj, duke ia transferuar zyrtarisht kurorën Frederikut, sipas Korporatës Daneze të Transmetimeve.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen më pas shpalli publikisht pranimin e Mbretit, një traditë e vendosur që nga kushtetuta e 1849.

Mijëra njerëz u mblodhën në rrugët e Kopenhagen, pavarësisht motit të ftohtë, për të dëshmuar nga afër momentin historik.

83 vjeçarja ishte monarkja më jetëgjatë e Evropës dhe mbretëresha e fundit e familjeve mbretërore në botë. Ajo njoftoi se mandati i saj historik do të përfundonte pas 52 vitesh në një fjalim në natën e Vitit të Ri.bw

Eksperti gjerman: Shitja e raketave amerikane për Kosovën, sinjal i ndryshimit të raporteve me Serbinë

Mesazhi që Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në Serbi, duke paralajmëruar shitjen e raketave kundërtanke në Kosovë, është se Beogradi zyrtar nuk konsiderohet partner i besueshëm.

Kështu tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kurt Bassuener, hulumtues i latë në Këshillin për Demokratizim të Politikave me seli në Berlin.

SHBA-ja njoftoi më 11 janar se ka pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërajrore Javelin, që prodhohen në SHBA.

Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se blerja e tyre do t’i kushtojë Kosovës 75 milionë dollarë.

Tani kjo çështje është dërguar në Kongresin amerikan për miratim dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se beson që kërkesa për blerjen e këtyre armëve do të miratohet. Ndërkaq, homologu i saj serb, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar lajmin si “zhgënjim të madh”.

Bassuener tha se beson se kjo lëvizje ende nuk shfaq një ndryshim të politikës së Perëndimit ndaj Vuçiqit, por është tregues se ndryshimi i politkës mund të shqyrtohet.

“Mesazhi që SHBA-ja po dërgon me këtë blerje është se Serbia, pavarësisht deklaratave të Perëndimit se është partnere në dialog, nuk po konsiderohet partnere e besueshme, ose e besueshme nën udhëheqjen aktuale”, tha ai.

Njoftimi për synimin e Kosovës që të blejë sisteme raketore nga SHBA-ja vjen në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta.

Në muajt e fundit, ushtria serbe disa herë ka lëvizur trupat drejt kufirit me Kosovën, kufi që ruhet nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, teksa u regjistruan disa incidente në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – përfshirë edhe një sulm të armatosur nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovë në Banjskë të Zveçanit.

SHBA-ja ka thënë se dhuna e parë në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës dhe gjatë përleshjeve që pasuan u vranë dhe tre sulmues serb, nuk do të lejohet që të përsëritet.

Eksperti gjerman Bassuener tha se beson që incidenti në Banjskë është një prej motiveve që SHBA-ja dëshiron të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Kosovës.

“Në takimet e mia në Uashington, nuk kam parë ndryshim të madh në mënyrën e mendimit. Por, ka më shumë njohje se politikat që janë ndjekur deri më tani nuk kanë dhënë rezultatet e pritura. Prandaj, shpresoj se vendimi për raketat Javelin është sinjali i parë i një ndryshimi të strategjisë ndaj Ballkanit Perëndimor nga të dyja anët e Atlantikut”, tha ai.

Shitja e sistemeve Javelin, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.

Kosova edhe në të kaluarën ka blerë ose ka pranuar në formë donacioni armë nga Shtetet e Bashkuara.

Zyrtari i Bundestagut gjerman: Vuçiçi nuk është më një partner i besueshëm, s’ka vend për shërbëtorët e Putinit në BE

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut gjerman, Michael Roth deklaroi për gazetën “Nova” se Aleksandar Vuçiç nuk është më një partner i besueshëm, sepse nuk ka vend për shërbëtorët e Putinit në Bashkimin Evropian. “Vëzhguesit ndërkombëtarë në këto zgjedhje raportuan për blerjen e votave dhe përdorimin e votuesve fantazmë në favor të SNS-së në pushtet. Këto janë metoda nga mjetet e një sundimtari autokratik, jo të një presidenti që është i përkushtuar ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe dëshiron ta udhëheqë vendin e tij në BE”, tha Roth.

Reporteri në Bundestagun për Ballkanin Perëndimor, Thomas Hacker, ka thënë për N1, duke folur për zgjedhjet në Serbi, se “vëzhgues të ndryshëm kanë konstatuar parregullsi të ndryshme”. Sipas tij, marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Gjermanisë kanë qenë shumë intensive për vite me radhë. Ai përsëriti se hapja dhe transparenca janë më të rëndësishmet në zgjedhjet demokratike. “Qeveria duhet të ketë interes, nëse gjithçka ka qenë në rregull, ta vërtetojë duke paraqitur ato dokumente, lista zgjedhore. Nëse nuk e bëjnë këtë, mendoj se BE-ja ka detyrim të bëjë pyetje, të pyesë se çfarë po ndodh me parregullsitë e raportuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë, çfarë ndikimi kanë pasur ato manipulime në rezultatet e zgjedhjeve”, thotë ai.

Sipas tij, “në parlamentin e Beogradit këto manipulime, siç duket, ndryshuan ndjeshëm rezultatin dhe votat e opozitës duket se kanë kaluar në duart e pushtetarëve”. Ai gjithashtu iu referua se çfarë do të ndodhë nëse “situata përshkallëzohet”. “Nëse bllokadat në veri të Kosovës organizohen nga Serbia dhe nëse mund të hiqen vetëm me një fjalë, nëse Dodik ishte në një demonstratë në Beograd verën e kaluar, në një tubim dhe thoshte rroftë Serbia, rroftë Serbia, rroftë Rusia, dhe Vuçiqi po i qëndron pranë, se edhe kjo tregon se qeveria aktuale ka tendenca kombëtare ose ka një hap prapa, nëse situata është e tillë që krahas gjithë kësaj ende kryen manipulime elektorale, atëherë ne jemi shumë kritik ndaj kësaj dhe kjo është arsyeja pse transparenca është shumë e rëndësishme. Le t’i nxjerrim faktet atje dhe të shohim se çfarë ndodhi,”, -thotë ai.bw

“NATO ka vdekur”, zyrtari i BE zbulon bisedën me Trumpin: Më tha se nëse Europa sulmohet, SHBA nuk do të ndërhyjë

Komisioneri Evropian për Tregun e Brendshëm Thierry Breton ka zbuluar një bisedë të kaluar mes tij dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se ky i fundit e paralajmëroi se SHBA nuk do e ndihmonte BE-në nëse do të sulmohej.

“Duhet të kuptoni se nëse Evropa është nën sulm, ne nuk do të vijmë kurrë t’ju ndihmojmë dhe t’ju mbështesim,” citoi ai të ketë thënë ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Sipas Breton, ish-presidenti e bëri këtë koment gjatë një bisede me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos në vitin 2020. Në takim ishte i pranishëm edhe vetë Breton.

Komisioneri evropian pretendon se edhe Trump tha se “NATO ka vdekur” dhe se SHBA-të do të tërhiqen nga aleanca. “Kjo ishte një thirrje e madhe zgjimi dhe ai mund të kthehet,” tha Breton për Trump.bw

Opozita italiane kërkon hetim pasi qindra demonstrues bënë përshëndetje fashiste

Televizioni shtetëror italian tha të hënën në mbrëmje se autoritetet po hetonin përshëndetjen masive në demonstratë.

Politikanët e opozitës në Itali të hënën kërkuan që Qeveria, e kryesuar nga kryeministri i ekstremit të djathtë Giorgia Meloni, të shpjegojë se si qindra demonstrues arritën të bënin një përshëndetje të ndaluar fashiste në një tubim në Romë pa asnjë ndërhyrje policore.

Tubimi i së dielës mbrëma në një lagje të klasës punëtore përkujtoi vrasjen në vitin 1978 të dy anëtarëve të një grupi rinor neofashist në një sulm të pretenduar më vonë nga militantët e ekstremit të majtë.

Në një moment të tubimit, pjesëmarrësit ngritën krahun e djathtë në një përshëndetje me krahun  drejt që i referohet diktaturës fashiste të Benito Musolinit.

Sipas legjislacionit të pasluftës, përdorimi i simbolikës fashiste, përfshirë përshëndetjen me krahun drejt të njohur edhe si përshëndetja romane, është e ndaluar.

Shefja e Partisë Demokratike Elly Schlein, e cila kryeson partinë më të madhe opozitare në legjislaturë, ishte ndër ata që kërkuan të hënën që Ministri i Brendshëm i Melonit të paraqitej në Parlament për të shpjeguar pse policia me sa duket nuk bëri asgjë për të ndaluar tubimin.

Elly Schlein dhe të tjerët të indinjuar nga përdorimi i përshëndetjes fashiste në tubim e vunë në dukje këtë muajin e kaluar, kur një shikues në premierë në La Scala bërtiti “Rroftë Italia antifashiste!” Burri u rrethua shpejt nga policia nga skuadra antiterrorizëm e Italisë.

“Nëse bërtisni “Rroftë Italia antifashiste”në një teatër, ju identifikoheni nga policia; nëse shkon në një tubim neofashist me përshëndetje dhe banderola romane, nuk identifikohesh,” tha Schlein në një postim në platformën e mediave sociale X. Më pas ajo shtoi: “Meloni nuk ka asgjë për të thënë?”

Televizioni Shtetëror Rai tha të hënën në mbrëmje se policia italiane po hetonte përshëndetjen masive në tubim.

Zëvendëskryeministri Antoni Tajani, i cili drejton një parti të qendrës së djathtë në koalicionin 14-mujor të Melonit, u mësy nga gazetarët për përshëndetjen fashiste.

“Ne jemi një forcë që sigurisht nuk është fashiste, ne jemi antifashistë,” tha Tajani në një konferencë shtypi për një çështje tjetër.

Tajani, i cili shërben gjithashtu si ministër i Jashtëm, vuri në dukje se sipas ligjit italian, mbështetja e fashizmit është e ndaluar. Të gjitha mitingjet “në mbështetje të diktaturës duhet të dënohen”, tha ai.sn

Gabriel Attal do të jetë kryeministri më i ri francez

Emmanuel Macron ka zgjedhur 34-vjeçarin për të udhëhequr qeverinë e ardhshme për të zëvendësuar Elisabeth Borne në dorëheqjen.

VOAL- Pas dorëheqjes së Elisabeth Borne, presidenti francez Emmanuel Macron zgjodhi Gabriel Attal për të zënë vendin e kryeministrit dhe e ngarkoi atë të formonte qeverinë e ardhshme.

34-vjeçari do të jetë kryeministri i parë homoseksual dhe kreu më i ri i qeverisë në historinë e Republikës së Pestë, duke tejkaluar të parin e mbajtur deri tani nga Laurent Fabius, i cili iu bashkua Matignon më 1984 në moshën 37-vjeçare.

Qarkullonin edhe emrat e Sébastien Lecornu dhe besnik Julien Denormandie, por Macron preferoi të fokusohej në një personalitet shumë të njohur sipas sondazheve. Attal, pasi ishte zëdhënës i Ekzekutivit, menaxhoi portofolin e arsimit.

Djali i një producenti filmash, Attal hyri në politikë si socialist, por menjëherë iu bashkua lëvizjes en Marche më 2016! e cila i shërbeu Macronit si trampolinë drejt Elysee.rsi-eb

Pr/ligji – Pakti Meloni-Rama për refugjatët/ Parlamenti italian nis dëgjesat me profesorë universitetesh

SYRI TV ka zbardhur se deri më ora 18.00 të datës 11 janar 2024, deputetët e parlamentit italian kanë afat të prezantojnë në format dixhital, propozimet amenduese mbi draft-ligjin “Ratifikimi e ekzekutimi i protokollit mes Qeverisë së Republikës Italiane e Këshillit të Minsitrave të Republikës së Shqipërisë mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e emigracionit firmosur më 6 nëntor 2023 në Romë si dhe normat e koordinimit të sistemit të brendshëm ligjor.”

Prej orës 17.15 të ditës së sotme, 8 janar 2024 e deri më ora 18.00 të datës 11 janar Komisioni i Çështjeve të Jashtme e Çështjeve Komunitare në parlamentin italian, nis një maratonë dëgjesash informale me ekspertët më të mirë të problematikave të së drejtave kushtetuese e humanitare mbi emigracionin, njoftoi gazetarja Alba Kepi nga Italia.

SYRI TV ka mësuar se në dëgjesat informale me komisionin parlamentar është ftuar të flas në lidhje videokonferencë dhe shqiptarja Lea Ypi, profesoreshë e Teorisë Politike në departamentin e qeverisë pranë Shkollës së Ekonomisë në Londër.

Në kalendarin e këtij komisioni, pasditen e sotme parashikohen dëgjesat me katër profesorë universitarë të Universiteteve King’s College Londër, Universiteti  Tuscia, Universitit Roma Tre e Universiteti i Firenzes, dhe me Ambasadorin italian në Tiranë Fabrizio Bucci.

Ditën e dytë të dëgjesave, datë 9 janar 2024, do të referojnë 6 profesorë të tjerë universitarë mes të cilëve dhe shqiptarja Lea Ypi si dhe përfaqësues të organizatës joqeveritare Mediterranea Saving Humans, përfaqësues të Amnesty International, përfaqësues të Organizatës Botërore të Emigrantëve dhe përfaqësues të shoqatës kombëtare italiane Juristët Demokratë.

Komisioni i Çështjeve të Jashtme do të mbyll dëgjesat më ora 18.00 të datës 11 janar me afatin e fundit kohor të dorëzimit të propozimeve amenduese mbi këtë draft ligj.

Nuk është parashikuar hedhja në votë e tij brenda Komisionit të Çështjeve të Jashtme.

Pas analizës në Komision, draft ligji do të merret në diskutim nga Dhoma e Deputetëve e do t’i nënshtrohet votës së parlamentarëve.

Michel hoqi dorë nga drejtimi, ja si aleati i vetëm i Putinit në BE mund të marrë drejtimin e Këshillit Evropian

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán mund të marrë drejtimin e Këshillit Evropian në korrik, nëse liderët e BE-së nuk arrijnë të gjejnë me shpejtësi një pasardhës të presidentit aktual.

Charles Michel njoftoi papritur të shtunën se ai do të ishte kandidati kryesor për partinë e tij liberale belge, Lëvizja Reformiste, në zgjedhjet evropiane që mbahen më 6-9 qershor.

Kjo do të thotë se Michel, i cili ka kryesuar Këshillin Evropian që nga viti 2019, ka shumë të ngjarë të zgjidhet si anëtar i Parlamentit Evropian (PE) dhe të largohet si shef i Këshillit pas zgjedhjeve.

27 krerët e qeverive të BE-së tani kanë më pak se gjashtë muaj për të emëruar pasardhësin e tij. Roli i Presidentit përfshin kryesimin e takimeve të Këshillit Evropian dhe ndërmjetësimin e marrëveshjeve ndërmjet shteteve anëtare, duke përfshirë vendimet e ndjeshme të buxhetit dhe politikës së jashtme.

Sipas traktateve të BE-së, në mungesë të një presidenti, vendi që mban presidencën e radhës gjashtëmujore të Këshillit merr përgjegjësinë e përkohshme. Kjo do të thotë se pa një pasardhës, kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán do të merrte kontrollin e Këshillit kur vendi i tij të marrë presidencën e radhës më 1 korrik.

Mundësia e marrjes së presidencës nga Orban në gjysmën e dytë të vitit ka trembur Brukselin, pasi ky i fundit u pa përkrah presidentit rus Vladimir Putin në Samitin e Pekinit.

Paketa e propozuar e BE-së prej 50 miliardë eurosh në mbështetje të Ukrainës aktualisht është duke u penguar nga Hungaria pasi Orbán vuri veton ndaj miratimit të saj gjatë një samiti të KE në dhjetor.bw

Ministri i Jashtëm italian kërkon formimin e ushtrisë së BE-së

Bashkimi Evropian duhet të formojë ushtrinë e tij të përbashkët që mund të luajë një rol paqeruajtës dhe për të parandalojë konflikte, tha ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Në një intervistë për gazetën italiane, La Stampa, Tajani tha se bashkëpunimi më i ngushtë evropian në fushën e mbrojtjes është prioritet i partisë Forza Italia, që ai udhëheq.

“Nëse duam të jemi paqeruajtës në botë na duhet një ushtri evropiane. Ky është një parakusht thelbësor që të jemi në gjendje të kemi një politikë efektive të jashtme evropiane”, tha ai në intervistën që u publikua më 7 janar.

“Në një botë me lojtarë të fuqishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Rusia – me kriza nga Lindja e Mesme e deri në Indo-Paqësor – qytetarët italianë, francezë apo sllovenë mund të mborhen vetëm nga diçka që veçse ekziston, domethënë Bashkimi Evropian”, shtoi ai.

Çështja e bashkëpunimit evropian në fushën e mbrojtjes është ngritur në agjendën politike që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës pothuajse dy vjet më parë.

Megjithatë, përpjekjet janë përqendruar më shumë në zgjerimin e NATO-s, me Finlandën – anëtaren e BE-së – që iu bashkua aleancës vitin e kaluar dhe me Suedinë që po ashtu është në rrugë që t’i bashkohet NATO-s.

Tajani po ashtu tha se 27 shtetet e BE-së duhet të përmirësojnë udhëheqjen e tyre dhe të krijojnë një presidencë të vetme, e jo sikurse struktura aktuale, ku Këshilli Evropian ka president dhe Komisioni Evropian po ashtu ka president.

Tajani u bë udhëheqës i Forza Italia vitin e kaluar pas vdekjes së Silvio Berlusconit.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor do të jenë matësi i parë i popullaritetit të partisë, pasi humbi liderin e saj karizmatik, Silvio Berlusconi.rel

Ukraina konfirmon se Rusia e sulmoi me raketa verikoreane për herë të parë

Rusia e ka sulmuar Ukrainën me raketa, me të cilat e furnizoi Koreja e Veriut, për herë të parë prej se e nisi pushtimin e saj para dy vjetëve, tha një zyrtar i Kievit të premten, duke i vërtetuar vlerësimet e mëhershme të Shtëpisë së Bardhë.

Ai e tha këtë në rrjetin social X, pasi guvernatori i rajonit verilindor Harkiv, tha se rajoni u sulmua me raketa të shprehur nga Rusia, të cilat nuk ishin prodhim rus.

“Nuk ka më maskim… në luftën e saj prej gjenocidi, Federata ruse për herë të parë e goditi territorin e Ukrainës me raketa që i ka marrë nga Koreja Veriore”, tha zyrtari i lartë i Kievit, Mykhailo Podolyak.

Ai nuk ofroi prova se raketat ishin verikoreane. Në një komunikatë për media të enjten, Uashingtoni i citoi të dhënat e inteligjencës amerikane.

“[Rusia] po i sulmon ukrainasit me raketa që i ka marrë nga një shtet, ku qytetarët torturohen në kampe të koncentrimit, vetëm pse kanë radio të paregjistruar, pse flasim me ndonjë turist, apo pse shikojnë emisione televizive”, tha Podolyak.

Kremlini nuk u është përgjigjur pyetjeve rreth vlerësimeve të SHBA-së se Rusia shkrepi raketa verikoreane me rreze të shkurtra veprimi në Ukrainë.

Kombet e Bashkuara vendosën embargo armësh ndaj Koresë së Veriut në vitin 2006, kur ajo e kreu testimin e parë bërthamor.

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuara me mbështetjen e Rusisë, ua ndalojnë shteteve të bëjnë tregti armësh, apo pajisjesh tjera ushtarake me Korenë e Veriut.rel

Polonia: Perëndimi t’u përgjigjet sulmeve ruse në gjuhën që Putini e kupton

Polonia i ka bërë thirrje Perëndimit që t’i përgjigjet Rusisë, pasi Moska kreu dy sulme masive ajrore në Ukrainë dhe Kievi u kundërpërgjigj me sulme në rajonet kufitare ruse dhe në Krimenë e pushtuar.

Të paktën pesë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet ruse me dronë dhe raketa në dhe përreth Kievit, por edhe në Harkiv më 2 janar. Ushtria ukrainase kishte raportuar për sulme në shkallë të njëjtë edhe ditë më parë.

Më 3 janar, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, tha e Perëndimi duhet t’u përgjigjet sulmeve “në gjuhën që [presidenti rus, Vladimir] Putin e kupton: ashpërsimin e sanksioneve në mënyrë që ai të mos mund të prodhojë armë të tjera me komponentë të kontrabanduar dhe duke i dhënë Kievit raketa me rreze të gjatë veprimi që do t’i mundësonin të kryente sulme në vendet prej ku Rusia kryen sulme dhe në qendrat e komandimit”.

Ditë më parë, Putin ka thënë se shteti i tij do të “intensifikojë” sulmet ndaj Ukrainës, duke shtyrë ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, të akuzojë Moskën se po kërkon që ta “asgjësojë” Ukrainën.

Gjermania “do të qëndrojë me popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shkroi ajo në X, që më herët njihej si Twitter.

Rritja e sulmeve vdekjeprurëse, shumica e të cilave kanë për cak zonat e banuara, ka nxitur ambasadorin e Francës në Kombet e Bashkuara, Nicolas de Riviere, të deklarojë se është pesimist për rrjedhën e ngjarjeve në Ukrainë.

Sipas tij, situata në Ukrainë është përkeqësuar jashtëzakonisht shumë.

Më herët gjatë 3 janarit, dronët ukrainas sulmuan Krimenë, gadishullin që Rusia e aneksoi ilegalisht më 2014, dhe dy rajone ruse në kufi me Ukrainën.

Autoritetet ruse nuk kanë raportuar për viktima nga sulmet në rajonet kufitare. Por, javën e kaluar, si pasojë e sulmeve, që Moska ka thënë se janë kryer nga Ukraina, në rajonin rus të Belgorodit u vranë 25 persona.

Ukraina po i bën thirrje aleatëve perëndimorë që të përshpejtojnë dërgesat e sistemeve të mbrojtjes ajrore, të raketave me rreze të gjatë veprimi, dronëve luftarakë, në mënyrë që t’iu kundërpërgjigjet sulmeve ruse.rel

Rusia godet qytetet e Ukrainës pasi presidenti Putin u zotua të intensifikojë sulmet

VOA

Zyrtarët ukrainas thanë të martën se Rusia kreu sulme në shkallë të gjerë me raketa që lanë pas vetes të paktën katër të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Kiev dhe Kharkiv.

“Që nga 31 dhjetori, përbindëshat rusë kanë hedhur tashmë 170 dronë ‘Shahed’ dhe dhjetëra raketa të llojeve të ndryshme. Shumica absolute e tyre synonin infrastrukturën civile”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Ai tha se numri i të plagosurve ka arritur në 92 duke theksuar se Ukraina do të punojë me “këdo në botë që e vlerëson jetën” për të forcuar mbrojtjen ajrore të saj dhe për të mbajtur Rusinë përgjegjëse.

“Shteti terrorist duhet të ndjejë pasojat e veprimeve të tij”, tha presidenti Zelenskyy.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se mbrojtja ajrore rrëzoi të gjithë 35 dronët Shahed të prodhuar nga Irani që u hodhën të martën nga Rusia, ndërsa alarmet për sulme ajrore vazhduan me orë të tëra, duke u kërkuar banorëve të strehohen mes sulmeve me raketa.

Kryebashkiaku u Kievit, Vitali Klitschko tha se mbetjet nga një raketë e rrëzuar plagosën të paktën 20 veta dhe shkaktuan zjarr në një ndërtesë shumëkatëshe në kryeqytetin ukrainas. Ai raportoi shpërthime të shumta në qytet ndërsa mbrojtja ajrore iu përgjigj valës së raketave ruse, që shkaktuan zjarre në të paktën pesë lagje.

Breshëria ruse në orët e mëngjesit, ndërpreu gjithashtu energjinë elektrike dhe dëmtoi linjat e gazit në disa pjesë të Kievit.

Në Kharkiv, kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se qyteti ishte nën një “sulm të madh me raketa”.

Oleg Sinegubov, shefi i administratës ushtarake në Kharkiv, tha në rrjetin Telegram se sulmet ruse vranë të paktën një person dhe plagosën më shumë se 40 të tjerë.

Në Poloninë fqinje, ushtria tha se dërgoi katër avionë ushtarakë F-16 për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore mes sulmeve ruse.

Sulmet e së martës pasuan një paralajmërim nga presidenti rus Vladimir Putin se Rusia do të intensifikonte sulmet ndaj Ukrainës, pas një sulmi vdekjeprurës ukrainas të shtunën në qytetin rus të Belgorodit, që vrau 24 veta dhe plagosi më shumë se 100 të tjerë.

Gjatë një vizite në një spital ushtarak të hënën, presidenti Putin e quajti sulmin e Ukrainës në Belgorod “një akt terrorist”, duke akuzuar forcat ukrainase se kishin shënjestruar “pikërisht qendrën e qytetit, ku njerëzit po ecnin përreth, para natës së Vitit të Ri” dhe pretendoi se ata kishin “goditur qëllimisht popullatën civile”.

Ai tha se Rusia do të vazhdojë të godasë ato që ai i quajti “objektiva ushtarake” dhe shfaqi besimin se “iniciativa strategjike” në konfliktin e zgjatur në Ukrainë ishte në anën ruse. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ruse TASS, presidenti rus tha se Moska dëshironte t’i jepej fund luftës pothuajse dyvjeçare, por, theksoi ai, “vetëm sipas kushteve tona”.

* Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

BE-ja ashpërson sanksionet për importimin e mallrave të luksit nga Rusia, listës i shtohen edhe diamantet

Për shkak të luftës ruse kundër Ukrainës me fillimin e vitit të ri në Bashkimin Evropian nuk lejohet të importohen më diamante dhe bizhuteri me diamante nga Rusia.

Kjo masë ju shtua sanksioneve të miratuara kundër Rusisë në dhjetor 2023 për shkak të luftës agresore kundër Ukrainës. Ky sansksion synon ta privojë qeverinë e Moskës nga një burim i rëndësishëm të ardhurash dhe në këtë mënyrë të kufizojë aftësitë e saj për të financuar luftën kundër Ukrainës.

Komisioni i BE-ë kishte vlerësuar së fundmi se të ardhurat e Rusisë nga shitja e diamanteve shkojnë në rreth katër miliardë euro në vit.

Ripërtërtije e vazhdueshme e sanksioneve

Këshilli Evropian i ka zgjatur dhe shtuar herë pas here masat kufizuese ndaj sektorëve të ndryshëm të ekonomisë së Federatës Ruse. Sanksionet, të cilat përtërihen çdo gjashtë muaj, përfshijnë një gamë të gjerë sektorësh si tregtinë, financat, industrinë, teknologjinë, transportin dhe mallrat e luksit.

Kështu Këshilli Evropian ka vendosur p.sh. reduktimin dhe ndalimin e importit të gazit, të naftës apo të qymyrit nga Rusia, ndalimin e importit të prodhimeve ushqimore, pijeve alkoolike apo lëndës drusore dhe prodhimeve të drurit; ndalimin e anijeve ruse për t’u ankoruar në portet e BE-së dhe mjaft masa të tjera.

Sansksioneve kundër Fedreatës Ruse u janë bashkuar edhe mjaft vende jo anëtare të BE-së.bw


Send this to a friend