Sipas analistëve, është pak e besueshme që kjo llogaridhënie të përfundojë, derisa nuk ka ndryshime në klasën e tanishme politike, që e drejton pushtetin dhe e kontrollon drejtësinë.
Pas një presioni të vazhdueshëm mediatik, madje edhe dy-tri rasteve të ngritura si çështje në Kuvendin e Kosovës nga deputetët, Prokuroria e Shtetit ka filluar së fundi të merret me hetimin e njërit nga fondet e shumëpërfolura të luftës, atë të 3-përqindëshit, por duke lënë akoma në harresë fondin tjetër, atë “Vendlindja thërret”.
Sipas konfirmimit zyrtar nga Prokuroria e Shtetit, hetimi ka filluar dhe po përgatitet për ta nxjerrë eventualisht para drejtësisë grupin e manipuluesve të “Fondit 3%”, por sa i takon fondit tjetër, atij “Vendlindja thërret” akoma nuk ka ndonjë nismë hetimore, sado që dyshohet se bëhet fjalë për abuzimet miliardëshe me para të popullit, që është edhe baza e pasurimit të shumë politikanëve kosovarë.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi – Hajdaraj, u shpreh për “Kosova Sot” se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve lidhur me rastin e “Fondit 3%”. “Këtë e ka bërë për shkak të disa veprimeve të dyshuara nga tre persona, të cilët kanë tërhequr disa shuma të parave, brenda 6-7 viteve të fundit dhe tani ende janë duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast. Lidhur me rastin Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë kërkesë për sigurimin e informatave përmes Ndihmës Juridike Ndërkombëtare nga Shqipëria dhe tani Prokuroria ende nuk ka pranuar ndonjë informatë relevante, përveç njoftimit se pas grumbullimit të informatave, të njëjtat do t’ia përcjellë PSRK-së”, u shpreh ajo.
Kozmaqi – Hajdaraj ka shtuar se nuk mund të paragjykohet asgjë në këtë proces të filluar lidhur me finalen e rezultatit. “Pas grumbullimit të të gjitha provave, gjegjësisht pas përfundimit të hetimeve, prokurori i çështjes vlerëson se a ka prova të mjaftueshme, të cilat paraqesin dyshim të bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer vepër penale apo jo, dhe pastaj do të vendosë për ngritje ose jo të aktakuzës. Për shkak se rasti është në hetime, këto janë të gjitha informatat që mund të bëhen publike. Ndërkaq, në databazën e PSRK-së nuk figuron të ketë rast lidhur me fondin “Vendlindja thërret”, ka pohuar Liridonë Kozmaqi – Hajdaraj. Ajo ka thënë se duhet rrënuar lidhjet e nëntokës me politikën.
Një qasje serioze hetimore ndaj të dyja rasteve e kërkojnë edhe përfaqësues të subjekteve politike dhe ekspertë të drejtësisë. Sipas Ismail Kurteshit, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, sado e vonuar, llogaridhënia duhet të ndodhë një ditë për njërin dhe fondin tjetër, por se është pak e besueshme që kjo llogaridhënie të përfundojë, derisa nuk ka ndryshime në klasën e tanishme politike që e drejton pushtetin dhe e kontrollon drejtësinë. “Nuk është normale që një Qeveri që vjel kontribute të qytetarëve, për gati një dekadë, ta përfundojë punën e saj pa iu nënshtruar një auditimi dhe pa dalë me raport të detajuar financiar para qytetarëve, si dhe pa ia dorëzuar mjetet që i kanë mbetur në arkë Qeverisë pasuese, e dalë nga zgjedhjet e lira.
Bujar Bukoshi, nga Qeveria në ekzil, e cila nuk raportoi si duhet e as nuk i ktheu mjetet e mbetura në arkë të shtetit të Kosovës, u zgjodh zëvendëskryeministër sa ishte Thaçi kryeministër, kurse ministri i Financave i Qeverisë në ekzil, Isa Mustafa, është aktualisht kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Fakti që Thaçi është president, Veseli kryeparlamentar dhe Isa Mustafa kryeministër, e të njëjtët kanë qenë faktorë, por edhe përgjegjës për “Fondin 3 %” dhe “Vendlindja thërret” është arsyeja pse Prokuroria nuk fillon hetimet”, u shpreh për gazetën deputeti i “Vetëvendosjes”.
Në ecje zvarrë e sheh procesin hetimor, për njërin dhe fondin tjetër nga Prokuroria e Shtetit, edhe analisti i politikave të sigurisë, Jeton Kelmendi. “Po, është e vërtetë se në Kosovë janë keqpërdorur shumë fonde, por dy fondet më të mëdha të njohura, si “Fondi i 3-përqindëshit” dhe ai “Vendlindjes thërret” janë dy fondet më të abuzuara nga drejtuesit e këtyre fondeve. Është shkruar shumë herë se shefat e këtyre fondeve kanë bërë keqpërdorime, por nuk janë marrë Prokuroria dhe gjykatat me këtë çështje. Madje, mendoj se as që do të merret seriozisht nga Prokuroria, as nga ndonjë gjykatë me trajtime të tilla, derisa prokurorët dhe gjyqtarët janë të zgjedhurit e parapolitikës që po udhëheq institucionet tona”, u shpreh Kelmendi për “Kosova Sot”. Ai thotë se paraprakisht duhet rrënuar lidhjet e nëntokës me politikën, pastaj të ndërpriten edhe lidhjet e nëntokës me drejtësinë, pastaj një staf i zgjedhur pa ndikimin e politikës do të mundë t’i hetojë këto fonde dhe keqpërdorimet e mundshme me to.
Komentet