Transformimet e mëdha që ndodhën në Shqipëri në fillim të viteve ‘90, të cilat sollën ndryshime edhe në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut, duke lejuar lirinë e besimit dhe distancimin nga politika e periudhës komuniste, bënë që të rifillonin kontaktet me Selinë e Shenjtë, me Shtetin e Vatikanit. Në përgatitje të terrenit për të hyrë në kontakte të drejtpërdrejta dhe për të hedhur hapat e parë për rivendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe shtetit të qytetit të Vatikanit, ndikuan ndjeshëm edhe vizitat e Nënë Terezës në Shqipëri. Më 7 shtator 1991 u rivendosën marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadorësh.
Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, u krijuan mundësitë për rritjen e bashkëpunimit dypalësh. Një pikë kulmore është vizita e Papës Gjon Pali II në Shqipëri më 25 prill 1994. Atit të Shenjtë iu rezervua një pritje e shkëlqyer dhe madhështore nga populli shqiptar. Vizita e Shenjtërisë së tij ishte një mbështetje morale dhe politike për Shqipërinë. Në datën 26 nëntor 1994, u mbajt nga ana e Papës Gjon Pali II Koncistori për caktimin e 30 kardinalëve të rinj, ndër të cilët ishte dhe Kardinali i parë në historinë e katolicizmit shqiptar, Mikel Koliqi, 92 vjeç, i cili ka qenë i burgosur politik e religjioz për 38 vjet. Gjithashtu, më 21 shtator 2014, Papa Françesku zhvilloi një tjetër vizitë historike; vizitën e tij të parë mbas zgjedhjes së tij në krye të papatit, në një shtet evropian e bëri në Shqipëri. “Jam shumë i gëzuar – u shpreh Papa Françesku në Tiranë në sheshin ‘Nënë Tereza’ – që gjendëm mes jush në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes…” “Ju falënderoj që më ftuat të vizitoj atdheun tuaj, ‘tokën e shqiponjave’”, – përfundoi Ati i Shenjtë. Selinë e Shenjtë në Vatikan e kanë vizituar të gjithë presidentët dhe kryeministrat e shtetit shqiptar mbas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991, të cilët janë pritur në audiencë nga Papa Gjon Pali II, Papa Benedikti XVI dhe Papa Françesku.
Shqipëria kësaj marrëdhënieje të re iu përgjigj më 23 maj 2002 kur parlamenti miratoi ligjin nr.8902, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”. Ky është dokumenti zyrtar më i rëndësishëm që rregullon marrëdhëniet midis dy shteteve. Në vitin 2005, ligji “Për procedurat e njohjes së zotësisë juridike të personit juridik kishtar të Kishës Katolike”; në 2007, “Marrëveshje ndërmjet arkivit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë me Arkivin Sekret të Vatikanit”, ligji “Mbi rregullimin e disa aspekteve ekonomike dhe fiskale të funksionimit të disa enteve të Kishës Katolike në Shqipëri”, “Marrëveshje midis Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Qendrës kërkimore-spitalore ‘Bambino Gesù’”; në 2010-ën, “Marrëveshje midis Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Universitetit Katolik ‘Sacro Cuore’”, Poliklinika Universitare “Agostino Gemelli” në Romë; më 15 prill 2011 firmoset protokolli i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe “Opera Romana Pellegrinaggi” etj.
Në shekujt e vështirë, ndihma dhe mbështetja e Selisë së Shenjtë nuk ka munguar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kështu p.sh., Papa Kalisti III i dha Skënderbeut titullin “Athleta Christi”(Atlet i Krishtit), e bëri kryegjeneral dhe e ndihmoi me para e me ndihma të tjera. Në gusht të vitit 1464, Papa Piu II kërkoi të vinte në Shqipëri, me qëllim që të kurorëzonte Skënderbeun mbret të Epirit dhe të shuguronte kardinal Pal Engjëllin, por mjerisht një sëmundje e papritur nuk e la ta realizonte këtë dëshirë. Pali II, në vitin 1466 e priti Skënderbeun me nderime të veçanta dhe i dha 5000 dukata. Papa Klementi VIII, në vitin 1595 dha ndihmë në të holla për çlirimin e Shqipërisë. Një vit më vonë, me anë të nipit të vet, kardinalit Cinco Aldobrandini, ndihmoi lëvizjen shqiptare dhe në vitin 1597, anijet e Papës u përpoqën të çlironin Vlorën. Urbani VIII, në vitin 1624 nxiti patriotët e Ohrit për t’u bashkuar kundër osmanëve. Papa Klementi XI-Albani, papa me gjak shqiptar, inicioi Kuvendin e Arbërit më 1703, si dhe ndërmjetësoi pranë Republikës së Venedikut për të ndihmuar krahinën e Kelmendit në luftën kundër pushtuesve etj.
Pas vitit 1912, kur Shqipëria fitoi pavarësinë, Kisha Katolike e zhvilloi aktivitetin e saj relativisht më në liri, duke kontribuar në ringjalljen shpirtërore e morale të vendit, në veçanti në fushën e arsimit. Në vitin 1919, përfaqësuesit e Shqipërisë në Konferencën e Parisit dërguan imzot Bumcin te Benedikti XV, në mënyrë që ai me fuqinë e tij morale të ndërhynte për të shpëtuar Korçën e Gjirokastrën, të cilat do t’i aneksoheshin Greqisë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen e komunistëve në fuqi, u vështirësua shumë veprimtaria e Kishës Katolike në Shqipëri. Shkollat e seminaret katolike u mbyllën, disa ipeshkëv e priftërinj u vranë dhe shumë klerikë u arrestuan. Në vitin 1967, Shqipëria u shpall me Kushtetutë shteti i parë ateist në botë. Kjo solli si pasojë mbylljen e 2.169 kishave dhe xhamive. Nga 7 ipeshkëv dhe rreth 200 priftërinj e 200 murgesha që kishte në vitin 1945, mbijetuan vetëm një ipeshkëv dhe rreth 30 priftërinj e po aq murgesha, gjithë tashmë të moshuar dhe me shumë vite burgu mbi supe. Çdo përpjekje e Selisë së Shenjtë në Vatikan për t’u afruar me Shqipërinë, binte në vesh të shurdhër, bile edhe mesazhet e urimit të Papës për vitin e ri ktheheshin mbrapsht.
Me Papën Gjon Pali II u intensifikuan përpjekjet e Selisë së Shenjtë ndaj vendeve komuniste të Lindjes, e në këtë kuadër edhe ndaj Shqipërisë në predikimet e tij, psh., më 5 tetor 1980 në Otranto, në nëntor 1982 në Siçili përpara komunitetit arbëresh. Në nëntor 1983, Papa shpalli muajin e lutjeve për lirinë fetare në Shqipëri. Në 26 shkurt 1984 nga Bari, Ati i Shenjtë u lut për katolikët në Shqipëri para një turme prej 50.000 besimtarësh nga i gjithë rajoni i Puljes, ku u shpreh se shqiptarët zënë një vend shumë të veçantë në zemrën e tij. Në aspektin religjioz, edhe shqiptarët kanë një histori dhe një kontribut të çmuar në Kishën universale Katolike. Populli shqiptar i ka dhënë Kishës Katolike dhe mbarë njerëzimit tre shenjtë. Në shekullin IX Shën Dana; në vitin 668 Shën Pelini, dhe në 2016-ën Shën Tereza. Shqiptarët i kanë dhënë Selisë së Shenjtë Papa Klementin XI-Albani, i cili qëndroi 21 vite në krye të Vatikanit, 1700-1721; më pas një kardinal dhe me dhjetëra ipeshkëv, meshtarë e murgesha. Më 4 shtator 2016, e gjithë bota u trondit nga ndjenjat e fuqishme dhe të papërshkruara gjatë ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës, të vetmes shqiptare që mban çmimin “Nobel për Paqe”.
Vatikani është Qytet-Shteti në Romë, ndërsa Selia e Shenjtë është Shteti Virtual me juridiksion në të gjithë botën e i njohur nd?rkombëtarisht, i cili ka marrëdhënie diplomatike me 187 shtete dhe merr pjesë në 48 organizata të ndryshme ndërkombëtare me statusin e anëtarit ose të vëzhguesit të përhershëm. Që nga viti 1964, Selia e Shenjtë ka statusin e vëzhguesit të përhershëm në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe merr pjesë në Komisionin Ekonomik për Evropën me statusin e këshilltarit. Gjithashtu, Selia e Shenjtë i ka dhënë mbështetje Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, si dhe ka marrë pjesë aktive në Komisariatin e Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara. Në praktikën e OKB-së, Selia e Shenjtë njihej si Qyteti i Vatikanit. Pas shkëmbimit të letrave mes Sekretarit të Shtetit të Selisë së Shenjtë dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, në vitin 1957, u përcaktua që marrëdhëniet e OKB-së të mbaheshin me Selinë e Shenjtë. Që në fillimet e Këshillit të Evropës, Selia e Shenjtë i ka dhënë mbështetjen e saj morale kësaj lëvizjeje evropiane. Papa dërgoi një përfaqësues të tij personal gjatë konferencës përgatitore që u mbajt në maj të 1948 në Hagë, e cila çoi në krijimin e Këshillit të Evropës. Selia e Shenjtë ka treguar vazhdimisht se është në favor të Këshillit të Evropës, sidomos në lidhje me përpjekjet e Këshillit të Evropës në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Selia e Shenjtë është vëzhguese e përhershme e tij që nga nëntori i vitit 1970. Në BE merr pjesë rregullisht nëpërmjet përfaqësuesit në nivel ambasadori, Nuncit të saj Apostolik. Selia e Shenjtë është anëtare në OSBE (Vjenë) në CE-CDCC (Strasburg), në UNHCR (Gjenevë), në UNCTAD (Gjenevë) etj., dhe me statusin e vëzhguesit të përhershëm në UNESCO, IOM, CE, ONU, UE, IFAD etj., etj. Roli i Selisë së Shenjtë në diplomacinë ndërkombëtare është mjaft i madh, aktiv dhe shumë i rëndësishëm.
Përveç diplomacisë, më tej marrëdhëniet e Shqipërisë me Vatikanin janë karakterizuar nga marrëdhënie bashkëpunimi edhe në fushën e kulturës, arsimit, shëndetësisë dhe në sigurimin e ndihmave materiale, sanitare dhe ushqimore. Për sa i përket bashkëpunimit në fushën e arsimit, vlerësohet iniciativa e Selisë së Shenjtë për hapjen e universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, Shqipëri, si shprehje e kontributit të saj për edukimin e brezit të ri shqiptar. Në këtë aspekt, edhe qeveritë shqiptare në të gjitha takimet dypalëshe kanë shprehur angazhimin e tyre për mundësimin e hapjes edhe të universiteteve të tjera. Gjithashtu, në qytetin e Elbasanit është ngritur një fakultet i Infermierisë, diplomat e të cilit njihen nga BE-ja, si dhe është në proces ndërtimi i spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Janë ndërtuar si dhe janë në proces edhe një sërë investimesh në fushën e arsimit parashkollor, 9-vjeçar dhe të mesëm.
Mbas gjithë këtyre sukseseve, gjatë 25 viteve të marrëdhënieve diplomatike të tërheq vëmendjen që këto tri vitet e fundit Shqipëria nuk përfaqësohet në nivel ambasadori, por me një të ngarkuar me punë. Ky është një gabim serioz i diplomacisë, pasi ky fakt tregon një ulje të nivelit të përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë me Vatikanin. Edhe moszgjidhja e disa problemeve të pronësisë së Kishës Katolike në Shqipëri mbas 25 viteve, është një tjetër problem që tregon mungesën e seriozitetit nga ana e drejtuesve të lartë të qeverive të ndryshme në Shqipëri.
Miqësia dhe fryma e bashkëpunimit që ka treguar dhe tregon Vatikani në raport me shqiptarët dhe Shqipërinë duhet vlerësuar thellësisht, si një pasuri e çmuar, që na ka ndihmuar dhe na ndihmon edhe në ditët tona për zgjidhjen e problemeve kombëtare që kanë pasur e që vazhdojnë të kenë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të zi.
*Artikullshkruesi mban Urdhrin “Kavalier i Klasit të Parë të Kryqit të Madh të Urdhrit Piano”, akorduar nga Papa Gjon Pali II më 16 tetor 2004
Komentet