Gazetari sportiv Besnik Dizdari i ka kushtuar nje speciale 80 vjetorit te Lojerave Olimpike. Pas pjeses se pare ku ai shkruante per faktin qe flaka olimpike kaloi ne 1936 prane kufirit me Shqiperine, sot del ne skene edhe nje fakt shume interesant.
Ne vitin 1936 kur u organizuan Lojerat Olimpike te Berlinit, ministr i Arsimit i Qeverise se Ahmet Zogut, dr. Nush Bushati zhvilloi nje takim 40 minuta me Hitlerin.
“ERRATA CORRIGE” SENSACIONALE MBAS MESNATE
Jam munduar gjithmonë të zbatoj një mënyrë gazetarie të vjetër, që thotë se mbasi e ke përfunduar një shkrim, nëse koha ta lejon, lene “të pushojë” paksa. Dhe shko e pij një kafe ose bëj diçka tjetër dhe vetëm mbas kësaj ndërprerje ktheju te shkrimi, lexoje dhe do të çuditesh se disa gjëra që ke shkruar qoftë dhe para një ore, papritmas nuk do të pëlqejnë. Madje, mund të ndodhë që të habitesh se si ajo që të kishte pëlqyer aq fort para një ore, tash nuk të pëlqen më! Ky lloj redaktimi personal mua më ka dalë i një arritjeje të madhe.
Kështu, pjesën e dytë të këtij Dossier-i unë e lashë me pushue shumë orë. Kryeredaktori Robert Rakipllari heshti, edhe pse kishte ndër duar vetëm pjesën e parë të shkrimit që u botua dje… Dhe të shtunën në mbrëmje, ndërsa po admiroja interpretimin historik të kampiones olimpike Majlinda Këlmendi të Republikës së Kosovës, në të ndërmjeme m’u tek të shfletoja koleksionin e shkëlqyeshëm historiko-olimpik të dy gazetave më të mëdha sportive të botës, “L’Equipe” të Francës” dhe të “La Gazzetta dello Sport” të Italisë.
Janë dy botime disavëllimshme, të cilat kur i kam blerë më kanë pasë kushtuar tejet. E, këto janë sakrificat e padhimbshme të asaj kategorie gazetarësh që e ndjenë fort profesionin e tyre. Duke i shfletuar vetvetiu më mbetëm sytë te foto e Hitlerit në Olimpiadën e Berlinit. Dhe ec e gjeje se si më tha mendja që në këtë mesnatë të kërkoj foto të tjera nga Olimpiada e Berlinit në internet.
Doemos që ishin të mbarim… Dhe mu në këtë çast, ndërsa shihja për të disatën herë te “RTK” e Kosovës Majlindën në podiumin olimpik me lot në sy, teksa i gëzohej medaljes parë olimpike të një shteti shqiptar në krejt historinë e përbotshme, që në këtë rast nuk është Republika e Shqipërisë, por Republika e Kosovës, papritmas zbuloj sensacionin. Atë që po e quaj një ndër sensacionet më të mëdha që një “errata corrige” (“ndreqje gabimi” ) mund të bëjë.
Gjithçka ishte e shkruar shumë shkurt: “Nuk është e vërtetë që Hitleri e ka injoruar Owens-in apo që ka braktisë tribunën kur ai merrte medaljet në Berlin 1936”, siç shkrova edhe unë në pjesën e parë të këtij Dossier-i! Nuk po u besoja syve për këtë përgënjeshtrim të bujshëm që shfaqej mbas 80 vjetëve. Fakti vinte prej autobiografisë së Owensit “The Jese Owens Story”. Paska shkruar fjalë për fjalë vetë Owens-i: “Mbasi zbrita nga podi i fitimtarit, kalova pranë tribunës së nderit për t’u futur në gardërobën e nëntribunës. Kancelari gjerman po më fiksonte, u ngrit dhe më përshëndeti me dorë. Unë veprova po ashtu, duke ia kthyer përshëndetjen.
Mendoj se gazetarët kanë mbajtur një qëndrim të një shije të keqe, duke shpikur një armiqësi që nuk ka ekzistuar kurrë”. Një përmbysje e historisë! E kjo nuk bëhet për të shpëtuar figurën e Hitlerit, që s’ka histori që e shpëton. Kjo “errata corrige” që bën vetë Owens-i bëhet vetëm për hir të së vërtetës. E bota e informacionit, “e udhëhequr” në plot 80 vjet pa ia nda prej historianëve “kryefortë”, vazhdon të thotë të kundërtën edhe sot.
Ndërkaq, befasia tjetër vjen prej numrit të së dielës të së përditshmes së madhe “Marca” të Spanjës. Ajo kishte gjetë një mënyrë krejt origjinale për të bërë këtë “errata corrige”. Kishte botuar një foto të montuar, ku tregon se si Owens-i dhe Hitleri gëzonin së bashku njëri-tjetrin te pedena e kërcimit së gjati. Po e botojmë bashkëngjitur Dossier-it tonë që vjen ndryshon kë- sisoj, deri “disa çaste” para botimit. E nuk mund të harrojmë ndërkaq, se ka për fat ka edhe një të vërtetë tjetër.
Asokohe, në 1936, Presidenti amerikan, Franklin Roosevelt, i zënë tejet me fushatën e zgjedhjeve presidenciale, e anuloi pritjen për Owens-in që ishte parashikuar të bëhej në Shtëpinë e Bardhë. Owens-i ishte anëtar i Partisë Republikane dhe bënte fushatë për kundërshtarin e Roosevelt-it, kandidatin Alf Landon. Ndreqja historike e figurës së katër herë Kampionit Olimpik të Berlinit do të bëhej vetëm mbas 19 vjetëve, në 1955 nga Presidenti amerikan, Dwight Eisenhower, i cili e emëroOwens-in “Ambasador të Sporteve”! Edhe kështu u rishkruaka historia…
“AUDIENCA ME KANCELARIN HITLER” DHE MINISTRI DR.NUSH BUSHATI …
Siç po veprojmë edhe ne në këtë Dossier-in tonë, teksa vazhdojmë aventurën “shqiptare” të Berlinit 1936… Dhe po nëntitulloj ashtu siç ka përcaktuar shtypi shqiptar i kohës: “Audienca me kancelarin Hitler”! Ndodhi pra, që tre shqiptarët, të cilët për herë të parë përfaqësonin Shqipërinë në një Olimpiadë, të jenë në “Olympia Stadion”: dr.Nush Bushati, prof.Gaqo Gogo dhe kryeredaktori i “Sportit Shqiptar”, Anton Mazreku. Për fatin e tyre ata janë në tribunë pa përshëndetur asnjë sportist të tyrin.
Ajo që në editorialin e tij të famshëm të vitit 1936 Anton Mazreku do ta titullonte: “Mësimi i mosvalëvitjes së flamurit tonë në Olympiadën e Berlinit”. Po Shqipëria gjithsesi ishte aty… Madje, përmes një ngjarjeje krejt të jashtëzakonshme, që simbas kërkimeve tona i përket datës 9 ose 10 gusht 1936, në ditë kulminante të zhvillimit të Olimpiadës. Adolf Hitler, Kancelari i Gjermanisë, ka pritur në selinë e tij në Berlin, dr.Nush Bushatin, ministër i Arsimit të Mbretërisë Shqiptare dhe kryetar i organizatës sportive kombëtare të Shqipërisë “Vllaznia Shqiptare”.
Megjithatë, ende nuk kam arritur të di nëse Hitleri i ka pritur të gjithë kryetarët e delegacioneve olimpike të 49 shteteve pjesëmarrëse. Por është e pamundur që Hitleri me autoritetin e tij, me marrëdhëniet dyzuese, komplekse, të brishta e të fuqishme politike që mbarështronte në këtë periudhë me botën, të ketë pritur në audiencë kryetarët e delegacioneve.
Dihet ndërkaq se në Olimpiadën e Berlinit kanë qenë të pranishëm autoritete shumë më të larta se dr.Nush Bushati i Shqipërisë, të tillë si Mbreti i Bullgarisë, Princi Trashëgimtar i Italisë, Princi Trashëgimtar i Suedisë, të cilët Hitleri mund t’i ketë pritur. Por nuk përjashtohet fakti që dr.Bushati të ketë qenë i vetmi ministër i Arsimit i një shteti europian i pranishëm në Olimpiadë, sepse vetëm Shqipëria kishte organizimin e saj unikal, ku ministri i Arsimit ishte dhe kryetar i organizatës sportive kombëtare, pra edhe drejtuesi i mirëfilltë i lëvizjes sportive në vend.
E, për dr.Nush Bushatin, më shumë se njohuritë sportive, rëndonin pozitat politike, sidomos të një Musa Juke, që i kishte drejtuar sportet në Shqipëri duke qenë ministër i Brendshëm apo dhe të Faik Shatkut, ndërkohë që me dr.Mirash Ivanajn dhe dr.Nush Bushatin, tashmâ gjithçka përshtatej më në logjikë me një kulturë tjetër, si të thuash arsimore e sportive bashkë.
Dr.Nush Bushati kishte lindur në Shkodër në 1896 dhe ishte bir i Gaspër Bushatit, i njohur edhe përmes një veprimtarie tregtare, ndërsa nga nëna i përkiste familjes tjetër të mirënjohur Naraçi. Shkon për studime në Vjenë për Drejtësi, por ka një pasion të madh, teatrin. Për këtë ndjek mësimet e regjisorit të famshëm, Max Goldman Reinhardt (1873-1943), njeriu që formoi Aleksandër Moisiun. Dr.Nush Bushati arrin të luajë deri në Berlin në “National Theatre at Neustrelitz” si dhe në “Insbbruck Theatre”, pa u shkëputur nga kurset e profesor Reinhardtit në Vjenë, po dhe nga veprimtaritë e tij të shumanshme politiko-shtetërore.
Mëson aktrimin, por dhe specializohet si një regjisor, çka e ushtron pak në 1929-30. Më parë, në 1922 në Vjenë, dr. Nush Bushati mbaron Drejtësinë, martohet me zonjushën Hansi Zdeborsky dhe papritmas më 1930 rikthehet në Shqipëri! Dr.Ing. Kurt Bushati, sot 80-vjeçar, një personalitet i shquar i industrisë së naftës në Austri, është i biri i tij. Deri në këtë 1936, dr.Nush Bushati duhet të ketë jetuar ndoshta gati 15 vjet në Austri, sepse këtu ai mbaron edhe shkollën e mesme.
Djalë i ri, po kaq befasisht dhe shpejt, ai ka një jetë të rëndësishme në politikën kombëtare që peshon tejet, madje qysh në 1922-23, kur 26-27 vjeç emërohet përfaqësues i Shqipërisë në Arkivin Austriak të Ministrisë së Jashtme të Austrisë. Synimi ishte që të hulumtohej në arkivin e famshëm perandorak austro-hungarez për dokumente që i përkisnin historisë së Shqipërisë. Dhe mandej një jetë tejet interesante midis specializimit studimor, por me sa duket, edhe të përkushtimit të teatrit. Dhe ja fakti mjaft i rëndësishëm që për çudi, i përket vitit 1923.
Ai zgjidhet deputet i Shkodrës, me siguri duke qenë në Vjenë, në ato që njihen si zgjedhjet e Kuvendit Kushtetues. Është deputet i Qytetit të Veriut së bashku me figura të mëdha: Ambroz Marlaskaj, Hafiz Repishti, Halit Rroji, Ibrahim Gjyrezi, Hil Mosi, Iljaz Muka, Luigj Koliqi, Luigj Gurakuqi, Dom Ndre Mjeda, Nush Bushati, Pjetër Bumçi, Shuk Gurakuqi, Xhemal Bushati. Dhe dr.Bushati është as më pak dhe as më shumë, por pikërisht sekretar i këtij Kuvendi.
Dhe përsëri në Vjenë, në 1924 si kryekonsull i Shqipërisë dhe inspektor i studentëve shqiptarë në Austri. Periudha e qeverisë së Fan Nolit! Në 1925, ai është midis deputetëve, të cilëve iu rrëzohet titulli, duke qenë se është një nga të cilët gjatë dramës së 1924-s kishte pranuar detyrë me rrogë, në këtë rast kryekonsull në Vjenë! Dhe njëkohësisht po aq pranë teatrit! Imagjinoni për asokohe: një deputet edhe aktor! Ne nuk zotërojmë të dhëna që na vërtetojnë një lidhje të dr.Bushatit me sportin.
Po është e pamundur që një njeri i teatrit, pra i kulturës në tanësi, të ketë qëndruar indiferent ndaj sportit, kur dihej ndërkaq se çfarë zhvillimi ka pasur sporti, sidomos futbolli në këtë periudhë në Austri. Duke iu rikthyer mbërritjes së befasishme të dr.Bushatit në Shqipëri në 1930, zbulojmë se ai menjëherë është sekretar i Përgjithshëm i Entit Kombëtar “Djelmënia Shqiptare”, prej ku më 6 qershor 1930 me dekretligj do të themelohej edhe Federata Sportive Shqiptare “Vllaznia Shqiptare”. Kësisoj duhet të pranojmë se dr.Nush Bushati është ndër të parët drejtues kombëtarë të organizatës sportive në Shqipëri.
Këtu është dhe lidhja e tij e parë institucionale me sportin kombëtar. Ta do mendja se pikërisht për shkak të njohurive dhe kulturës së tij. Për këtë nuk ka një sensacion. Sensacioni qëndron te gjesti i Ahmet Zogut, tashmâ Mbret i shqiptarëve, i cili e fton funksionarin e lartë të qeverisë së Fan Nolit, të marrë ndër duar kulturën e sportin kombëtar dhe mandej deri arsimin kombëtar! Në 1932, dr.Bushati është deputet i Dibrës së bashku me Abdurrahman Salih, Abdurrahman Dibra, Fiqri Rusi, Hafiz Xhemali dhe Jashar Erebara, gjithnjë aktiv në jetën e vendit, derisa mbërrin të emërohet ministër i Arsimit i Mbretërisë, më 21 tetor 1935, post që e mban deri më 7 nëntor 1936 kur zëvendësohet nga Abdurrahman Dibra, njeriu i cili në 1938 do të përuronte ndërtimin e Stadiumit tonë Kombëtar, që Mbreti e kishte parashikuar të ndërtohej aty ku deri para pak ka qenë stacioni hekurudhor i Tiranës, e tash është monumenti i Mbretit Zog.
Çka do të thotë se aty ku nuk arriti të ndërtojë stadiumin, Shqipëria e sotme ngriti monumentin e Mbretit. Kjo sigurisht kurrë nuk mund t’i kishte shkuar ndër mend Mbretit Zog!… “Ministri i ynë i Arsimit, z.dr. Nush Bushati, ishte në Gjermani edhe për të studiuar sistemin e organizimit t’Arësimit Gjerman. Ministri i ynë ndejti në Berlin edhe për të pamë zhvillimin e lojnave olimpike, dhe si mik nderi pati pritje të përzemërta dhe mundi të njihet personalisht me Mbretin e Bullgarisë, me Princat e Italisë e të Suedisë, si dhe me shumë diplomatë të huaj që gjënden prezentë në këto gara”.
Kështu njofton shtypi shqiptar, ndërkohë, që pritja që i bëhet ministrit Bushati prej autoriteteve gjermane qe më se e përzemërt. Dhe se autoritetet gjermane, “edhe këto herë nuk munguan të shfaqin admirimin e tyne për përpjekjet gjiganteske që po ban populli i vogël shqiptar i udhëhequn nga Zogu I, për të hyrë në radhë me popuj të tjerë në udhën e përparimit e të zhvillimit”.
Ministrit Bushati i vihet në dispozicion një veturë e posaçme gjatë gjithë kohës që ai ndjek garat e Olimpiadës, por ndërkohë ai viziton shumë shkolla e mjedise kulturore e sportive gjermane, me synimin për të marrë përvojë organizative. Ky është edhe një qëllim më vete i gjithë kësaj pranie të Shqipërisë në Lojnat e 11-ta Olimpike të Berlinit. Nuk jipen hollësira, përveç faktit se audienca krye më krye midis Adolf Hitlerit dhe dr.Nush Bushatit nuk ka qenë një takim më këmbë, por që ka zgjatur plot 40 minuta! Me gjuhën e diplomacisë shtypi thekson se midis tyre “pati një bisedim miqësor që zgjati 40 minuta”! Për çka është biseduar?
Sa ka qenë raporti politikë-kulturë- sport midis njeriut më të fuqishëm të asokohe dhe ministrit shqiptar të arsimit?… Evenimenti nuk ndalon me kaq. Rëndësia merr udhë të pandalshme, kur mëson se ministrin e Arsimit Bushati e presin radhazi ministri Jashtëm i Gjermanisë, von Neurath, madje mbi një orë në “bashkëbisedime të ndryshme”. Dhe mbas tij pritjet radhazi personalisht nga Göbbelsi dhe Geringu! Dhe dihet se cilët ishin këta…
PROF. IRFAN TËRSHANA – PERSONAZHI TJETËR I BERLINIT ‘36
Është ndarë nga jeta më 2006-n. Pati fatin të mos e shihte të rrënuar monumentin tonë të madh të kulturës, Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, të cilit më 1946-n ai i kishte dhënë “rifiniturën”. Ka qenë edhe ai në Berlinin 1936. Është fjala për të paharrueshmin prof. Irfan Tërshana, siç e kanë njohur të gjithë. E në Berlin ka dhe një prani studentësh, po dhe pedagogësh shqiptarë, doemos nën kryesinë e dr. Bushatit, i cili vjen për përvojë arsimi dhe olimpike së bashku.
Profesori i shquar i edukimit fizik, Irfan Tërshana (1905-2006), po dhe projektuesi i famshëm i objekteve sportive në Shqipëri, është shqiptari i parë i nderuar nga CIO (Komitetit Olimpik Ndërkombëtar) me Urdhrin Olimpik. E të duket sikur ky nderim ka një lidhje me praninë e Shqipërisë dhe të tij në Olimpiadën e Berlinit 1936. Profesor Tërshana ka ndejë shumë ditë në Berlin. Madje, ai ka qenë para fillimit të Olimpiadës me synimin për të marrë përvojë nga ndërtimi i objekteve të atjeshme. Ky ishte njeriu të cilin qysh më 1934, Mbretëria e kishte dërguar për një muaj në Berlin për të ndjekur hap mbas hapi ndërtimet mrekulluese paraprake të stadiumeve, pishinave e palestrave të Olimpiadës së Berlinit, që do të zhvillohej mbas dy vjetëve, më 1936-n.
Dhe prapë, mû në këtë vit, 1936, ai është i pranishëm teksa i bashkohet treshes së mësipërme. Gjen inxhinierin drejtues gjerman, i cili mbas do kohe i dhuron librin e ndërtimeve të tij olimpike të Berlinit, të cilin Irfan Tërshana e ka mbajtur fshehur për gati pesëdhjetë vjet – me këtë mbishkrim: “Ia dhuroi z. prof. Irfan Tërshanës për punimet e ndërtimeve olimpike nga 15 korriku deri 15 gusht 1934, në këtë kohë të ndërtimeve të kompleksit të stadiumeve sportive për lojërat olimpike gusht – shtator 1936. * Berlin, nëntor 1937″.
Njeriut të parë që ia ka treguar këtë ka qenë autori i këtij shkrimi, më 2005. Dhe historia e Irfan Tërshanës është e pamatë, e pangjashme në krejt historinë e sportit tonë kombëtar. I përket brezit të harruar të shokëve të tij të një historie të pafund. Para tij, në Romë për të studiuar edukatën fizike kishin shkuar dhjetë shqiptarët e parë, të cilët kujtesa e 100-vjeçarit tonë do t’i shpaloste radhazi: Selman Stërmasi, Hajdar Jakupi, Luigj Shala, Eqrem Stërmasi, Azis Rexhepi, Spiro Shuteriqi, Aqif Domini, Niko Açka, Teni Frashëri, Malo Kodra – figura të mëdha të edukimit fizik në Shqipëri, shumica të panderuar deri më sot.
Më 1929-n, Irfan Tërshana, është viti i dytë i shqiptarëve që shkojnë në ISEF-n e famshëm të Romës (Instituti i Lartë i Edukimit Fizik), pjesë e një gjashtësheje emblematike për kulturën fizike e sportet në Shqipëri: Irfan Tërshana, Adem Karapici, Mendu Agolli, Myfit Halimi, Xhevdet Skilja, Bexhet Jolldashi – të gjithë themelues të kulturës sonë fizike, njeri më i madh se tjetri. Ka problem për t’iu dhënë bursa, por Rauf Fico, ministri i Jashtëm, i del krah. Kur diplomohet e fillon në Lezhë, më 3 dhjetor 1932, si instruktor i edukatës fizike, ku nuk harron sot e kësaj dite mbështetjen e drejtorit të shkollës, Emin Kopliku, i cili ishte kunat i një themeluesi tjetër të madh të edukimit fizik, prof. Avni Zajmit.
Është Emin Kopliku – protagonisti i shquar i Ballit Kombëtar me Mithat Frashërin e Faik Qukun – figurë atdhetare që vdes në mërgim, duke lënë në persekutim familjen në Shqipëri… Prej këtu, prof. Tërshanën e presin radhazi Berati, Shkodra, Kukësi, Tirana. Është pedagogu i shquar i edukatës fizike i Gjimnazit të Shkodrës, më vonë i atij të Tiranës, instruktori i fizkulturës i BRASH-it, inspektor i edukatës fizike, mandej projektuesi i objekteve sportive në Komitetin e Kulturës Fizike e Sporteve të Shqipërisë, duke ushtruar ndërmjet edhe nja tre vjet punëtorin e krahut në ndërmarrje të ndryshme të Tiranës! Më parë, më 1932-33, e kishin thirrur papritmas në Romë për të ndihmuar për ndërtimin e Kampit të Rinisë “Dux”.
Mandej kishte qenë i pranishëm në Kampionatin Italian të Skermës në kinema “Barberini” dhe i takon të jetë pranë Musolinit, tejet popullor siç shfaqej në këso takimesh Duçja. Ndërkaq, Hitlerin do ta shohë krejt nga afër në Berlin, në tribunën e ceremonisë së Lojërave Olimpike. Por në jetën e tij, ndër më mbresëlënësit mbetet takimi me Mbretin Ahmet Zogu, më 1930, kur qe student. Ka qenë takimi i Mbretit me studentët që ishin jashtë vendit. Ajo që nuk i shlyhet është takimi një për një i Mbretit me secilin, duke i pyetur radhazi se nga ishin dhe ku studionin. “Të mirat që merrni atje i sillni këtu, të këqijat i leni, se kemi mjaft të këqija këtu”, u thotë Mbreti Zog, dhe këto fjalë Irfan Tërshanës i patën mbetur të pashlyeshme.
Së bashku me këtë: “Jo katolikë e myslimanë, jo toskë e gegë, por ilirë, pellazgë, shqiptarë”. Enver Hoxhën e ka takuar në vitet ’70, gjatë vizitës së tij në Gjirokastër, kur diktatorit të pamëshirshëm i qe mbushë mendja me i dhënë stadiumin qytetit të tij të lindjes. I ishte tiposur, që stadiumi të ndërtohej diku në mes të qytetit. Dhe i kujtohet Irfan Tërshana, të cilin e thërrasin me urgjencë në Gjirokastër. Prof. Tërshana nuk i njeh emocionet në këto lloj takimesh. Kishte “takuar” Hitlerin, kishte folur me Duçen, kishte ndejë me Ahmet Zogun. Dhe ishte tre vjet më i moshuar se Enver Hoxha. Kur përshkohej në çështje profesioni, ai harronte se kë kishte përpara. “:Jo, shoku Enver. Stadiumi i Gjirokastrës duhet ndërtuar atje poshtë….”.
Enver Hoxha nuk kundërshtoi… Irfan Tërshana kishte vënë dorë kësisoj edhe në stadiumin e Gjirokastrës, i fundit i tij. Detyrohem të përsëris: 18 stadiume, 4 hiprodrome, 3 pishina, 375 objekte të ndryshme sportive. Tiranë, Shkodër, Berat, Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Elbasan, Durrës, Krujë, Kavajë… Të gjitha këto veprimtari edhe të tija të Mbasluftës. E kishte filluar për çudi në Shkodër, me ndërtimin nga themelet të Stadiumit të Parë mbas vitit 1944 në Shqipëri, atij të Shkodrës, ashtu si më 1936-n me kompleksin e Gjimnazit të Shkodrës deri me pistë atletike!
Atë që sot, më 2016-n, nuk e ka një për be, as kryeqyteti Tiranë. Më 1946-n qe njëri prej atyre që i dhanë pra rifiniturën Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” të saporrënuar këto ditë, duke vendosur për t’i hequr vlerën olimpike të tij, që është pista e atletikës së lehtë. Kësi “bosash” arrogantë ka sot Shqipëria jonë. Më 1993-shin, CIO (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) i ka dhënë Irfan Tërshanës trofeun e tij, “Sporti dhe Ambienti”.
Dhe Shqipëria e tij, që e ka shpallë 90 vjeç “Mësues të Popullit” më 1995-n, “Nderi i Sportit Shqiptar” më 1999-n, “Mirënjohje e Qytetit të Tiranës” më 2000-shin e deri tek Urdhri Olimpik nga KOKSH në 100-vjetorin e lindjes, më 2005-n. Rrallë njeh historia e njerëzimit që një njeri të nderohet kësisoj në dekadën e dhjetë të jetës së tij! Irfan Tërshana ka qenë tre vjet më i madh se Anton Mazreku. Kishin një miqësi të fortë dhe Olimpiada e Berlinit i lidhi edhe më fort. Po aq me ministrin dr. Nush Bushatin dhe prof. Gaqo Gogën, me të cilin, befasisht pra, kishin formuar katërshen tonë “berlineze” të Olimpiadës 1936…
Edhe një skuadër tjetër shqiptare do t’i shtohet Superligës së Maqedonisë së Veriut në sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë për Besën e Dobërdollit që ka siguruar matematikisht titullin kampion në Ligën e Dytë dhe në sezonin e ri do të jetë pjesë e elitës.
Për ekipin shqiptar kjo është historike, pasi për herë të parë do të jenë pjesë e Superligës së Maqedonisë së Veriut.
Besa e Dobërdollit në ndeshjen e sotme barazoi pa gola me Pelisterin dhe katër xhiro para fundit ka 67 pikë me diferencë prej 12 pikëve nga vendi i tretë.
Në luftë për mbijetesë në Superligën e Maqedonisë është skuadra shqiptare Voska Sport dhe në rast të sigurimit të mbijetesës, atëherë sezonin e ri do ti shohim 6 skuadra shqiptare në Superligën e Maqedonisë, që nuk kanë qenë asnjëherë në histori në këtë numër.
Distria Krasniqi është shpallur kampione e Evropës në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë, të Kampionatit Europian të xhudos, i cili po mbahet në Zagreb të Kroacisë.
Kampionia olimpike në finale mposhti xhudisten italiane, Odette Giuffrida me waza-ari.
Krasniqi pati performancë fantastike, duke i fituar një nga një përballjet e saj.
Xhudistja pejane në gjysmëfinale e mposhti spanjollen Ariane Toro Soler për ta siguruar së paku medaljen e argjendtë, por që do ta kërkojë edhe të artën në finale gjithsesi.
Paraprakisht, xhudistja pejane e eliminoi kroaten Ana Viktorija në çerekfinale për t’u plasuar në mesin e katër më të mirave evropiane në kategorinë deri në 52 kilogramë.
“Disi” e kaloi rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytin e mposhti ukrainasen Anna Borodina.
Ndërkohë, garuesja tjetër kosovare, Flaka Loxha u eliminua qysh në rrethin e dytë, pasi të parin e kaloi pa luftë, pasi u mposht nga kroatja Tihea Topolovec.
Ndryshime të rëndësishme për Euro 2024. Sipas lajmit të publikuar nga Sky Sports News, lista e të ftuarve për kombëtaret që do marrin pjesë në premierën e Europianit zgjerohet nga 23 në 26 futbollistë.
Në këto kushte, me gjasë, trajneri i Kombëtares, Sylnvinho do të ketë më shumë mundësi zgjedhje-je dhe më pak “dhimbje koke”. Kujtojmë se tekniku kuqezi, ishte një nga dy trajnerët (së bashku me Deschamps), që ishte kundër kësaj ide-je, pasi grupi sipas tij mund të menaxhohet më mirë me 23 lojtarë.
Sugjerimi për këtë ndryshim u bë fillimisht gjatë një takimi të trajnerëve në Dusseldorf dy javë më parë, por në një takim të komitetit kombëtar të garave të UEFA-s të hënën, Sky Sports News mësoi se delegatët votuan në favor të ndryshimit të rregullave për Euro 2024, duke kaluar nga një limit prej 23 lojtarësh në 26. bw
Së fundmi, letrat e një prej alpinistëve dhe eksploruesve më të famshëm dhe fatkeq të Britanisë së Madhe janë publikuar në internet.
Letrat nga George Mallory i cili u zhduk në malin Everest në vitin 1924, drejtuar gruas së tij Ruth, janë publikuar nga kolegji Magdalena i Universitetit të Kembrixhit.
Bëhet e ditur se ai ishte 37 vjeç kur së bashku me partnerin e tij në eksplorim Andre Irwine u zhdukën në majën e malit më të lartë në botë.
75 vjet më vonë trupi i tij u gjet edhe pse ende nuk dihet nëse ka arritur deri në majën e malit.
E letrat janë publikuar për 100 vjetorin e zhdukjes së tij, shkruan skynews.
“E dashur, të uroj më të mirën, uroj që ankthi yt të marrë fund. Është 50 me 1 kundër nesh, por ne do të jemi krenarë”, thuhet në letrën e fundit të Malloryt.
Letrat e tij përshkruajnë gjithashtu edhe misionin e parë të zbulimit në Everest në vitin 1921 dhe ekspeditën e dytë një vit më vonë. Me anë të shkrimeve, ai ka përshkruar edhe shërbimin e tij gjatë Luftës së Parë Botërore.
Por, përveç letrave të Malloryt, është publikuar edhe letra e gruas së tij, e vetmja e mbijetuar nga ajo periudhë.
“Mendoj se e dua shoqërinë tënde edhe më shumë se dikur”, thuhet në shkrimin e saj.
Ndryshe, letrat e Malloryt janë falas për t’u parë në faqen e internetit të kolegjit Magdalene.
Maja e parë e dokumentuar e Everestit ishte në vitin 1953 nga alpinisti i Zelandës së Re Edmund Hillary dhe alpinisti tibetian Tenzian Norgay. gsh
Një titull në derbi nuk është kurrë një titull normal, por është pa diskutim një titull unik që sjell festë në popullin zikaltër. Ylli i dytë në fanellë, i ardhur kur rivalëve të përjetshëm, ka një shije të veçantë, për këtë arsye rreth 15 mijë tifozë zbarkuan në “Duomo” duke vijuar festimet pavarësisht se temperaturat ishin 6 gradë dhe binte shi. Jo vetëm në sheshin e qytetit, tifozët zikaltër ishin shpërndarë në çdo cep të Milanos duke festuar së bashku për këtë titull të paharruar.
Mes tifozëvë të shumtë, që mbanin flakadanë dhe flamuj në duar, krejt papritur u shfaq edhe një traktor i cili iu bashku turmës për të festuar titullin në Serie A. Policia lokale nuk njoftoi për dëme apo probleme specifike, por festa nuk pritet të ndalet këtu, një festë akoma më e madhe parashikohet në momentin që lojtarët dhe trajneri Inzaghi do të bëjnë paradën e tyre në “Duomo” pasi të kenë marrë në duar trofeun e vërtetë, të 20 në Serie A.
Sebastian Steudtner kapërceu një dallgë 28.57 metra në Portugali – Një arritje e mundësuar nga teknologjia
VOAL- Ai ka vite që punon për të dhe Sebastian Steudtner mund ta ketë bërë atë. Surferi gjerman kaloi një valë prej 28.57 metrash, më e larta ndonjëherë, më shumë se dy metra më shumë se rekordi që ai vendosi në vitin 2020 (26.21 m).
Rekordi i ri u arrit në brigjet e qytetit portugez të Nazaré më 24 shkurt. Megjithatë, vlera ende nuk është zyrtarizuar sepse është matur me një dron inovativ. Teknologjia është kryesisht pjesë e sipërmarrjes së gjermanit: për më shumë se 3 vjet ai ka punuar për të përmirësuar dizajnin e bordit të tij në mënyrë që të arrijë shpejtësi gjithnjë e më të larta, deri në 100 km/h. rsi-eb
Gjykata Themelore në Pejë e ka hedhur poshtë të premten një kërkesë të prokurorëve për ta dërguar në paraburgim atletin Akil Gjakova, i cili dyshohet për dhunë në familje.
Në një njoftim për media, Gjykata e Pejës tha, megjithatë, se ia ka ndaluar xhudistit të mirënjohur t’i afrohet më shumë se 50 metra viktimës, që dyshohet të jetë bashkëshortja e tij, në 30 ditët e ardhshme.
“Të pandehurit…i është ndaluar t’i afrohet vendit ku e dëmtuara banon, si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra”, thuhet në njoftim.
Gjykata tha se Gjakova rrezikon paraburgimin, nëse e shkel masën të cilën ia ka caktuar.
Gjakova, 28 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës më 16 prill, para se të vetëdorëzohej më vonë.
Në një reagim më 16 prill, Federata e Xhudos e Kosovës kishte thënë se Gjakova ndodhej jashtë vendit dhe se ai “do të dorëzohej menjëherë” te organet e rendit dhe të drejtësisë sapo të kthehej në Kosovë.
Shpallja e tij në kërkim nga Policia e Kosovës u bë në një kohë kur Kosova u trondit nga rastet e dhunës në familje, pas vrasjes së dy grave brenda pesë ditëve.
Për të dyja rastet, të dyshuar kryesorë janë burrat e tyre. REL
Nis rrugëtimi për në Lojërat Olimpike që do të fillojnë zyrtarisht pas 101 ditësh
VOAL- Rrugëtimi i madh i pishtarit olimpik të Lojërave të Parisit ka nisur. Në fakt, në vendin historik të Olimpias, Greqi, ceremonia e ndezjes së flakës nga një “priftëreshë e lartë” (e luajtur nga aktorja Mary Mina) u zhvillua gjatë ditës në prani të presidentit të IOC Thomas Bach. Flaka e shenjtë më pas iu dorëzua pishtarit të parë Stefanos Ntoukos (medalist grek i artë në vozitje në Tokio), duke nisur kështu udhëtimin që do të përfundojë më 26 korrik në kryeqytetin francez me hapjen zyrtare të Lojërave Olimpike 2024. rsi-eb
Mesfushori i Kombëtares Jasir Asani mesa duket e ka bërë edhe më zyrtare lidhjen e tij me të dashurën.
Disa kohë më parë i ftuar në “Wake Up” është shprehur se ka një partnere, por është shprehur shumë i rezervuar.
I pyetur nëse është i hapur për një martesë, Jasiri është shprehur: Unë dua nuse vetëm shqiptare. Ndoshta do martohem, dua një familje të madhe.
Së fundimi ai ka publikuar në rrjetet sociale një foto me partneren e tij, ku duken shumë të lumtur me njëri-tjetrin. Këtë foto futbollisti e ka shoqëruar vetëm me një zemër, pa bërë asnjë koment tjetër.bw
Panik për Elseid Hysajn dhe familjen e tij teksa Ferrari i mbrojtësit shkodran mori flakë papritur.
Lojtari i kombëtares dhe vjehrri i tij ishin brenda në makinë gjatë momentit që Ferrari mori flakë, ndërsa bashkëshortja ishte jashtë.
Për disa çaste, Hysaj dhe vjehrri i tij nuk po arrinin të dilnin me dyert që u mbyllën në mënyrë automatike.
Por, për fat të mirë kjo ngjarje kaloi pa pasoja teksa makina u dëmtua totalisht.
Vetë mbrojtësi në një prononcim të shkurtër për “Il Messaggero” bëri të ditur se zjarri mund të ishte shkaktuar nga një difekt i fabrikës në momentin e prodhimit.
“Makina mori flakë në mënyrë të papritur, për fat të mirë askush nuk u lëndua. Ia dolëm që t’i shpëtonim në kohë rrezikut, besoj se bëhet fjalë për një problem të fabrikës”, u shpreh Hysaj./dita
O.J. Simpson, ylli i futbollit amerikan dhe protagonisti i të ashtuquajturit “gjyq të shekullit”, ka vdekur në moshën 76-vjeçare njoftoi familja e tij.
“Më 10 prill, babai ynë, Orenthal James Simpson, u mposht në betejën me kancerin”, thuhet në mesazhin e publikuar nga familja e tij në rrjetin X, që më herët njihej si Twitter.
Më 1995, ai ishte liruar nga akuzat për vrasjen e ish-gruas së tij dhe shokut të saj, në rastin gjyqësor që u cilësua si “gjyqi i shekullit”.
Simpson shmangi dënimin me burg pasi u shpall i pafajshëm për therjen për vdekje të ish-gruas së tij, Nicole Brown Simpson, dhe shokut të saj, Ronald Goldman në Los Anxhelos më 1994. Simpson më vonë vuajti një dënim prej nëntë vjetësh burgim në Nevada, pasi më 2008 u gjet fajtor për vjedhje të armatosur dhe rrëmbimin e dy personave në një hotel në Las Vegas.
Simpson ishte një prej sportistëve më të mirë dhe më popullor në fund të viteve ’60 dhe në vitet ’70. Por, karriera e tij sportive ndryshoi pasi Nicole Brown Simpson dhe Goldman u gjetën të vrarë në shtëpinë e Nicole në Los Anxhelos më 12 qershor 1994.
Simpson menjëherë u bë i dyshuari kryesor. Ai u urdhërua që të dorëzohej në polici, por pesë ditë pas vrasjeve, ai së bashku me një bashkëlojëtar të tij u arratis. Ndjekja që pasoi nga policia përfundoi në zonën afër shtëpisë së Simpson dhe më pas ndaj tij u ngrit akuza për vrasje.
Gjykimi ndaj tij ishte ndër më të ndjekurit në Amerikë. Ai që në fillim u shpreh se ishte “100 për qind i pafajshëm” dhe kishte falënderuar gjykatësit kur e liruan nga akuzat më 3 tetor 1995.
Prokurorët kishin argumentuar se Simpson kishte vrarë ish-gruan e tij, Nicole, për shkak të xhelozisë, dhe kishin paraqitur prova të ndryshme, sikurse flokë dhe teste të fibrave që e lidhnin atë me vrasjet.
Prokurorët gjatë gjykimit kishin kërkuar që Simpson të provonte një palë doreza me gjak që ishin gjetur në vendin e krimit, të bindur se ato do t’i bënin atij, dhe kështu do të vërtetonin se ai ishte vrasësi.
Në gjykatore, Simpson kishte tentuar të fuste dorën në dorezë, duke u treguar gjykatësve se doreza ishte e vogël dhe ai nuk ishte vrasësi.
Pasi u lirua nga akuzat, Simpson kishte thënë se “qëllimi im kryesor në jetë është që të gjej vrasësin apo vrasësit e Nicole dhe Goldman”.
E gjithë kjo ngjarje u portretizua edhe në dokumentarin që fitoi Oscar më 2016 të titulluar “”O.J.: Made in America”, por edhe në disa dramatizime televizive.
Simpson u lind në San Francisko më 9 korrik 1947.
Ai u martua me gruan e tij të parë, Marguerite, më 1967, dhe çifti pati tre fëmijë. Më 1979, ata u divorcuan.
Simpson u takua me Nicole Brown, e cila atëbotë ishte 17-vjeçare, në kohën sa ende ishte i martuar me Marguerite. Simpson dhe Brown u martuan më 1985 dhe patën dy fëmijë. Gjatë martesës, ajo kishte telefonuar policinë pas disa incidenteve për dhunë.Radio Evropa e Lirë
Ka përfundon mesditën e sotme në Berat “Berat Green Half Marathon”, Maratona e madhe ku morën pjesë 400 vrapues, sportistë profesionistë dhe amator, nga mbi 30 shtete të ndryshme. Maratona e sotme nisi në qendër të qytetit, në orën 09:00 dhe sportistët pjesëmarrës ju nënshtruan dy garave, sipas përzgjedhjes së tyre.
Sfida më e gjatë ishte ajo prej 21 km dhe gara e dytë ishte gara në një distancë më të shkurtër, gara 10 km. Në të dyja garat e Maratonës vrapuesit përshkruan intenerare të ndryshme, duke shijuar pamjet piktoreske dhe muzeale të qytetit të Beratit, ndërkohë që e gjithë gara ishte e monitoruar nga organizatorët nëpërmjet Droneve. Maratona i çoi vrapuesit drejt zonave mahnitëse të Beratit, duke përshfaqur përpara tyre kështjellën madhështore dhe lumin piktoresk të Osumit.
Ai që mbërriti i pari në Finish, duke fituar edhe Maratonën e madhe të Beratit,në garën prej 21 km, ishte 21-vjeçari Nikola Bedini lindur dhe rritur në Itali, me origjinë nga qyteti i Beratit.
Garën prej 10 km të kësaj Maratone e fitoi kampionia shqiptare Luiza Gega, ndërkohë që çmimin e “maratobomakut” e mori 78-vjeçari Sotir Qirjaçi, për të cilin kjo ishte gara e tij e 262 ku kishte marrë pjesë.
Në përfundim të Maratonës, fituesit Nikola Bedini e Luiza Gega dhe pjesëmarrës të tjerë në Maratonë shprehën vlerësimet e tyre rreth këtij eventi si dhe folën rreth eksperiencës së tyre në këtë garim, ku konkurrenca ishte e lartë mes sportistëve pjesëmarrës.bw
Komentet