Vrasësit nuk kanë mëshirë! Vrasësit nuk kanë zemër. Vrasësit janë të mbushur me urrejtje. I tillë ka qenë edhe terroristi që hyri dje në mbrëmje me kamionin e tij në një nga bulevardet më të bukur të botës, në “Promenade des anglais” në Nicë. Hyri ndërsa mijëra e mijëra veta kishin dalë të festonin ditën e pavarësisë së Francës dhe të shijonin mbrëmjen e mrekullueshme mesdhetare.
Pa e ditur se për 83 prej tyre kjo do të ishte mbrëmja e fundit e jetës. Për disa madje, mbrëmja e fundit e një jetë shumë të shkurtër. 54 prej tyre ishin fëmijë. Disa me kukullat në duar, disa me makina të ngjashme me kamionin që u sul si përbindësh drejt tyre. U vërsul pa mëshirë, i eksituar nga ulërimat e tmerrit dhe i motivuar nga dhimbja që po u shkaktonte atyre njerëzve. Të gjithë të pafajshëm, të gjithë paqësorë, të gjithë shumë larg dilemave dhe problemeve që trazojnë kokën e sëmurë të një terroristi. U bë kohë që bota është trazuar nga ky fenomen i lashtë, por i rikthyer vrullshëm.
U bë kohë që njerëz të pafajshëm humbin jetën si pasojë e një marrëzie që ka pushtuar globin ose e një fanatizmi ekstrem. Nga Parisi në Bruksel, nga Stambolli në Daka, nga Bagdadi në Nicë. Kam vënë re që në rrjetet sociale ka edhe njerëz që duan t’i justifikojnë. Me stil dhe me kujdes, por që në thelb justifikimi mbetet justifikim. Ka njerëz që e lidhin aktin e tyre me sjelljen e Fuqive të mëdha botërore, me Amerikën apo Izraelin. Me politikat globale dhe me Lindjen e Mesme. E pashë edhe dje në mbrëmje, kur kishte njerëz që pyesnin: po fëmijët e Palestinës? Po fëmijët e Irakut?
Po, humbja e jetës dhe dhimbja është e njëjtë për të gjithë. Çdo fëmijë është një engjëll që i merret përdhunshëm kësaj bote dhe kësaj jete. Kudo që të jetojë, në Gaza apo në Nju Jork, në Mosul apo në Londër. Po të guxosh të bësh krahasime dhe të justifikosh një terrorist është po kaq kriminale në thelb. Terroristët nuk kanë ideologji; nuk kanë as bindje. Terroristët nuk janë trima. Janë njerëz të trishtuar dhe të mbushur me urrejtjen ndaj kësaj bote. Të mbushur me mllef.
Ata urrejnë këdo. Fqinjin që shkon në mëngjes në punë; kolegun e zyrës, vajzat e bukura që dalin në takim, fëmijët që hedhin hapat e parë duke belbëzuar fjalët në rrokje. Ata nuk vrasin në emër të fëmijëve të vrarë. Ata vrasin njerëz të pafajshëm sepse në thelb nuk durojnë dot një botë të mirë, nuk durojnë njerëz të lumtur; nuk durojnë normalitetin. Ata vrasin për të zbrazur gjithë mllefin e tyre ndaj kësaj bote, bote normale, të cilës nuk i kanë përkitur dot kurrë.
Dhe për faj të askujt përveç vetes. Ata janë vrasës të rëndomtë, por edhe më të këqij se kriminelët me pagesë. Edhe pse në thelb janë një tipologji. Ndaj të tentosh t’u japësh atyre mbulesë ideologjike apo t’i lidhësh me një filozofi, apo besim të caktuar, është thjesht një krim i ngjashëm me atë që bëjnë ata. Janë thjesht vrasës, vrasës frikacakë. Që nuk kanë frikë vetëm nga njerëzit, por nga jeta. Nga jeta që tentojnë të shuajnë përdhunshëm…
Komentet