Nga Donika Omari
Në artikullin shpjegues të botuar në gaztën TemA (11.06.2016 ) se përse e urren Artur Zheji, z. Kastriot Myftaraj ka ndjekur për fat të keq logjikën pa logjikë të z. Zheji, i cili në sharjen vulgare që i bën, madje me fjalë të ndyra, përfshin “robt” e tij. Me të njëjtën monedhë, fatmirësisht pa fjalë të ndyra, ia shpërblen artikullshkruesi. Pra, edhe ky, për të shpjeguar karakterin e atij që e ka fyer, vihet e bën një hulumtim të gjatë lidhur me familjen e me paraardhësit e z. Zheji, duke u ngarkuar këtyre përgjegjësi të rënda. Është i ditur ndikimi i fortë që ka familja dhe rrethi familjar në karakerin, edukatën, mënyrën e sjelljes e të të menduarit të fëmijës. Por të dhënat që jepen për të shpjeguar këtë ndikim duhet të jenë të vërteta, duhet të bazohen në fakte.
Duke vërejtur se sa shumë mungojnë faktet në shpjegimin e z. Myftaraj, desha të bëja disa pyetje:
Për të vërtetuar “një karakter shpifësi e gënjeshtari” sa mund të vlejë si fakt një veprim që familja e bën nën shtrëngim, me nevojën për mbijetesë? Dihet që në një diktaturë bëhet jetë e gënjeshtërt, sepse i tërë sistemi ngrihet mbi gënjeshtrën, përderisa veprimet nuk përputhen me fjalët. Ndonjë familje ndërron emër a mbiemër, ndonjë tjetër porosit fëmijët të mos hapin gojë jashtë për çka flitet brenda shtëpisë, etj. Diçka që ishte kthyer në dukuri në shoqërinë shqiptare të kohës së diktaturës, nuk mund të përligjë konkluzionin përgjithësues se kush u rrit në ato kushte patjetër do të ketë karakter të prishur. Përndryshe dalim në konkluzionin përsëri të padrejtë se familjet që ishin në një linjë me diktaturën edukuan fëmijë për së mbari. Me se vërtetohet se përkthyes i madh nuk ka qenë Petro Zheji por i ati? Ku janë faktet e argumentet? Sepse ka përkthyer shumë vepra? Meqë kam punuar për një kohë të gjatë në shtëpinë botuese Naim Frashëri, mund të them se qarkullonin zëra për raste kur përkthimi nuk ishte kryer nga kush kishte vënë emrin. Nuk do të habitesha po të kishte ndodhur kjo në ndonjë rast edhe me babë e bir. Por, ngaqë askush s’kishte vënë ndonjëherë në dyshim autorësinë e përkthimeve të Petro Zhejit, (aq origjinal e krijues në punën e tij), si edhe ngaqë unë vetë nuk di asgjë për aftësitë e të atit si përkthyes, si mund të besoj pohimin e thënë me një vetësiguri të stërsigurt të z.Kastriot se “ Spiroja ishte një përkthyes i madh”?
Pse nuk përktheu Petroja pas 1990-s? Qysh para se të dilte në pension, më ishte krijuar përshtypja se ai, për shkak të sëmundjes, po fillonte ta humbiste aftësinë për punë. I ishin dhënë të përkthente vepra me një normë ditore përkthimi fare të ulët. As këtë nuk po e përballonte dot. Kur emigroi në ShBA kisha dëgjuar se i kishin propozuar të përkthente Biblën, që ai e kishte aq për zemër, projekt që nuk u realizua. Ç’është e vërteta pasioni i vërtetë i Petro Zhejit ishin studimet për gjuhën shqipe. Këto, po, që mundi t’i botonte më në fund, shumë më vonë nga ç’do të kishte dashur.
Mbante haptas ikonostas në shtëpi Petro Zheji? Në një vizitë që i kemi bërë si redaksi Petros s’ kemi parë gjë të tillë, që sidoqoftë do të tregonte me një guxim të madh besnikëri ndaj bindjeve të veta. Guximin Petroja e tregonte duke ruajtur gjithnjë dinjitetin, duke mos qenë kurrë servil.
Nga e ka të dhënën fantastike z. Kastriot se e nënshkruara ka qenë drejtoreshë e shtëpisë botuese Naim Frashëri? Si edhe të dhënën edhe më fantastike se i paskam kërkuar Petros të heqë kryqin, që “e mbante nën rroba”? Nga ç’telefon i prishur vjen ky pohim? Isha përgjegjëse e redaksisë së përkthimeve dhe s’mund të më takonte mua ta kërcënoja me pushim nga puna. Pastaj as që kam qenë në dijeni nëse mbante a jo kryq Petroja, çka mund të merrej me mend por s’është e thënë ta kesh gjithnjë këtë intuitë. Me Petron bënim biseda në mirëbesim, më tregonte për vajtjet në Shënavlash, më sillte ndonjë vezë të kuqe për pashkë, më tregonte rastet kur e kishte shpëtuar Zoti (më habiste kur ai, me kulturën që kishte, nuk merrte parasysh halucinacionet, prodhim i trurit të njeriut), nga ana tjetër më sillte të lexoja ndonjë libër që mrekullitë e Krishtit nuk i shpjegonte sipas dogmës së krishterë, por sipas hulumtimeve shkencore. Sidoqoftë gjithçka mbetej mes nesh. Megjithatë nuk është se nuk mund të hyje në konflikt me Petro Zhejin. Kryesorja, se nuk kryente normën, nuk respektonte afatet, dhe kisha detyrë të përgjigjesha për këtë. Por edhe për probleme të përkthimit. Në një rast mosmarrëveshjet arritën në atë pikë saqë për një kohë as nuk folëm me njëri-tjetrin. Zoti Myftaraj na vë në dijeni se Petros nuk guxoje t’i bëje vërejtje se kishte mbështeje politike. Këtë s’e kam ditur ndonjëherë. Ajo që di me siguri është se ai imponohej me mendjemprehtësinë, me kulturën, me talentin, me gatishmërinë për debat të ndezur por të ngritur, çka e vinte në vështirësi bashkëbiseduesin. Nga ana tjetër, s’duhet harruar edhe karakteri tekanjos i diktaturave: dikujt ia falin “njollat”, dikujt tjetër jo. Dhe s’mbetej veç të gëzoheshim kur disa personalitete të shquara, me biografi “të nxirë”, arrinin të realizoheshin pa rënë në poshtërsi.
A nuk është shumë shqetësues fakti që urrejtja apo përbuzja për një person të shpjerë në akuza që bëjnë patjetër përgjegjëse familjen e tij, apo të kthehet në sharje për “robt” e tij? Ç’kohëra na kujton ky qëndrim?
Në këtë shkrim mund të përqendrohesha vetëm në sqarimin që më takonte drejtpërdrejt, (siç edhe këshillohet në këto raste: Lëre. Ç’merresh me ta. Kushedi ç’do dëgjosh, etj.) Dhe as kam synim t’i dal në mbrojtje ndonjë familjeje a ndonjë personi, (megjithëse nuk e përjashtoj nxitjen. Nga vlerësimi i lartë që kam për Petro e Gjergj Zhejin). Por mendoj se është e rëndësishme që rasti i veçantë (çështja që të takon drejtpërdrejt) të trajtohet kur përbën dukuri. Dhe dukuria është që gjithnjë e më shumë po vërehet mungesa e logjikës në ato që themi e shkruajmë. Po vërehet se përzjehen të vërteta me gjysmë të vërteta e me të pavërteta, që një publik, të cilit i është bërë për një kohë të gjatë shpëlarje truri, i beson pa i shkuar në sitën e arsyes. Veç kësaj, mendoj se kjo shoqëria jonë e sëmurë mund të shkojë drejt shëndoshjes jo duke ia shmangur por, përkundrazi, duke mos ia kursyer vërejtjet (jo keqdashëse) njëri-tjetrit.
Dikur, në shkollë, mësonim lëndën e logjikës. Sot Shqipëria bën mirë të kthehet në një klasë të madhe, të vetme, ku të mësohet kjo lëndë, e domosdoshme për marrëdhënie normale mes pjesëtarësh të familjes, kolegësh, miqsh etj. Shkurt, për të shmangur keqkuptime e paragjykime.
Komentet