Kryeministri Berisha i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi familjes së poetit Vehbi Skënderi, ku shpreh dhimbjen për ndarjen e tij nga jeta. Në mesazh, Kryeministri Berisha shprehet:
“Të dashur familjarë të poetit të shquar Vehbiu Skënderi,
Me pikëllim mësova për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj të dashur, personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe mendimit intelektual shqiptar, Vehbi Skënderi. Vehbiu mbetet në lëminë e letrave dhe poezisë shqipe një nga emrat më të shquar të tyre, krijuesit e mëdhenj, por Vehbi Skënderi i përket atyre intelektualëve shqiptarë që për mbrojtjen e vlerave, të ideve dhe pikëpamjeve që besonte qëndroi me burrëri dhe kurajo të madhe, sakrifikoi, por nuk u mposht. Humbja e tij ndjehet sot në botën e mendimit intelektual shqiptar, të krijimit letrar e artistik, ndjehet nga ju, njerëzit e tij më të dashur, miqtë e tij kudo. Në këto çaste dhimbjeje, lutemi që shpirti i tij të gjejë paqen e amshuar.”
*15 qershor 2011
Komentet