VOAL

VOAL

Damasku dhe Moska: Përgatitje për çlirimin e Alepit

April 11, 2016

Komentet

Thikat pas shpine 2.0: Çfarë po ndodh në Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë?

Pas largimit të Sergei Shoigu nga posti i ministrit të Mbrojtjes të Rusisë më 2024, autoritetet kanë nisur një valë hetimesh për korrupsion ndaj ish-zyrtarëve të lartë. Disa nga ta besohet se janë të lidhur me Shoigun.

Mike Eckel, Wojtek Grojec

Gjatë dy vjetëve të fundit, diçka ka ndodhur në komandën e ushtrisë së Rusisë dhe nuk ka qenë e bukur.

Që nga maji i vitit 2024, ka pasur një seri hetimesh penale, shkarkimesh nga detyra, rrjedhje komprometuese të informacioneve në media dhe zbulime turpëruese që kanë në epiqendër Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë.

Hetuesit – kryesisht nga Shërbimi Federal i Sigurisë apo FSB – së bashku me prokurorët dhe autoritetet e Ministrisë së Brendshme kanë shënjestruar në numër në rritje të zëvendësministrave të mbrojtjes, oficerëve të lartë dhe zyrtarëve të lartë civilë nën dyshimet, mes tjerash, për korrupsion, mashtrim dhe përvetësim fondesh.

Më 10 prill, një gjykatë ushtarake në Moskë e dënoi zëvendësministrin e Mbrojtjes, Pavel Popov, me 19 vjet burgim nën akuzat për përvetësim fondesh dhe ryshfet.

Sikurse Popovi, shumica nga të shënjestruarit janë bashkëpunëtorë të kamotshëm të Sergei Shoigu, të cilin presidenti rus, Vladimir Putin, e largoi nga posti i ministrit të Mbrojtjes në maj të vitit 2024 në mes të një riformatizimi më të gjerë të Qeverisë. Shoigu, që e njeh Putinin për dekada të tëra, më pas u emërua shef i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, dhe në ministri u zëvendësua nga Andrei Belousov, një teknokrat dhe ekonomist.

Shumë nga zëvendësministrat e mbrojtjes që u vunë në shënjestër u shkarkuan menjëherë pas largimit të Shoigut. Disa janë të lidhur me një kontraktor të madh të Ministrisë së Mbrojtjes, që mbikëqyri ndërtimin e një parku me tematikë ushtarake në Moskë, të quajtur “Parku Patriot”.

Kjo kompani, e quajtur Bamstroyput, ishte një nënkontraktor i madh i Ministrisë për Situata Emergjente. Shoigu e kishte udhëhequr këtë ministri për 21 vjet para se Putini ta vendoste atë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes më 2012.

Ka shumë spekulime se çfarë dhe kush qëndron pas këtyre hetimeve dhe këtij pastrimi të gjerë. Një shpjegim lidhet me zhvillimin e luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë, e cila shpejt nxori në pah ato që ekspertët thonë se ishin probleme në strukturën komanduese, doktrinën e vjetruar dhe korrupsionin e përhapur si në shkallë të vogël ashtu edhe në të madhe në ushtrinë e Rusisë dhe entitetet civile.

Pjesa më e madhe e kritikave për dështimet e ushtrisë ruse në Ukrainë u përqendrua te Shoigu, si dhe te komandanti më i lartë ushtarak i Rusisë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Valery Gerasimov.

“Përshtypja ime është se spastrimet kanë buruar nga rivalitetet brenda elitës dhe mes shërbimeve”, tha John Hardie, zëvendësdrejtor i Programit për Rusinë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, një institut me seli në Uashington.

“Shoigu e kishte kritikuar industrinë e mbrojtjes… për furnizimet e pamjaftueshme për ushtrinë. Dhe, megjithëse ajo mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për dështimin e fazës fillestare të pushtimit, FSB-ja duket se ka arritur ta zhvendosë fajin te Ministria e Mbrojtjes”, shtoi ai.

Ndër kritikët më të zëshëm të Shoigut ishte Yevgeny Prigozhin, një biznesmen nga Shën Petersburgu, i cili ndërtoi një forcë të fuqishme mercenarësh privatë të quajtur Grupi Wagner, që u bë një nga njësitet më efektive ruse në luftimet në Ukrainë.

Dy muaj pasi Prigozhin organizoi një kryengritje të dështuar në qershor të vitit 2023, vdiq në rrëzimin e aeroplanit me të cilin po udhëtonte, ngjarje që gjerësisht besohet se ishte një atentat.

Rivalët, apo armiqtë e Shoigut, mund të kenë zgjedhur të theksojnë korrupsionin brenda ministrisë nën drejtimin e tij si diçka që dilte jashtë normave, tha Hardie.

“Këto argumente mund të kenë rezonuar me Kremlinin, i cili duket se është i ndjeshëm ndaj faktit se shpenzimet ushtarake po konsumojnë shumë burime”, u shpreh ai. “Prandaj u vendos që të bëhej një spektakël publik i arrestimeve për korrupsion dhe për të emëruar Belousovin, teknokrat dhe ekonmist, me detyrën që të sigurojë shpenzime efikase në mbrojtje”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Irani thotë se Ngushtica e Hormuzit është hapur pas marrëveshjes Izrael-Liban

Radio Evropa e Lirë

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi bëri të ditur të premten se Ngushtica e Hormuzit – rrugë ujore shumë e rëndësishme për tregtinë globale – do të jetë “plotësisht e hapur” për aq kohë sa do të zgjasë armëpushimi i arritur mes Libanit dhe Izraelit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e postoi menjëherë një mesazh falënderimi, pas njoftimit iranian.

Araqchi tha në një postim në X – dikur Twitter – se Ngushtica është e hapur për të gjitha anijet tregtare gjatë pjesës së mbetur të armëpushimit 10-ditor midis forcave izraelite dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani, për të cilin arritën marrëveshje Izraeli dhe Libani nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Hezbollahu është grup militant dhe parti politike njëkohësisht, dhe kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listë të zezë vetëm krahun e tij të armatosur.

Araqchi shtoi se kalimi i anijeve duhet të bëhet përgjatë itinerarit të shpallur nga Organizata e Porteve dhe Detarisë së Iranit.

Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, e cila filloi më 28 shkurt, ka vrarë mijëra njerëz dhe ka destabilizuar Lindjen e Mesme.

Konflikti gjithashtu mbylli praktikisht Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror në botë, duke kërcënuar me goditjen më të rëndë ndaj naftës në histori.

Çmimet e naftës ranë me rreth 9% pas postimit të Araqchit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar këtë javë uli parashikimet për rritjen globale dhe paralajmëroi se ekonomia botërore rrezikon të bjerë në recesion nëse konflikti zgjatet.

Një ditë më parë, Trump kishte deklaruar se bisedimet mund të zhvillohen qysh këtë fundjavë, por kjo duket gjithnjë e më pak e mundshme deri të premten pasdite për shkak të vështirësive logjistike për mbledhjen e zyrtarëve në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, ku pritet të zhvillohen bisedimet.

SHBA-të përfundojnë tërheqjen e forcave ushtarake nga Siria

SHBA-të i kanë dhënë fund plotësisht pranisë së tyre ushtarake në Siri.

Kjo u tha në një deklaratë nga Ministria Siriane e Punëve të Jashtme (MPJ) në rrjetin social “X”.

“Ministria e Jashtme Siriane mirëpret transferimin e objekteve ushtarake që më parë strehonin forcat amerikane në Damask. Zgjerimi i autoritetit të shtetit sirian në zonat që më parë ishin jashtë kontrollit të tij, duke përfshirë rajonet verilindore dhe kufitare, është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë siriane për të bashkuar vendin. Përfundimi i transferimit të këtyre objekteve pasqyron gjithashtu integrimin e suksesshëm të Forcave Demokratike Siriane (SDF) në strukturat kombëtare dhe marrjen e përgjegjësisë së plotë nga shteti sirian për luftimin e terrorizmit në territorin e tij dhe kundërshtimin e kërcënimeve rajonale”, thuhet në deklaratë.

U tha se Siria mbetet e përkushtuar për të çuar përpara politikën e forcimit të marrëdhënieve të ndërsjella me Shtetet e Bashkuara, zhvillimin e partneritetit ekonomik dhe zgjerimin e fushave të bashkëpunimit në interes të të dy vendeve.

Trupat amerikane kanë qenë në Siri për gati 10 vjet. Uashingtoni e ka justifikuar këtë mision me nevojën për të luftuar grupet terroriste në Siri. bw

Mes bisedimeve për luftën në Iran, Kina teston ndikimin e saj në konfliktin Pakistan-taliban

Njerëzit mbajnë arkivolet e viktimave që vdiqën në atë që qeveria talebane e quajti sulm ajror pakistanez në një qendër rehabilitimi, gjatë një varrimi masiv në Kabul më 18 mars.

 

Mustafa Sarwar

Derisa presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, thotë se lufta në Iran mund të përfundojë “shumë shpejt” dhe ndërmjetësuesit pakistanezë ndodhen në Teheran për t’u takuar me zyrtarë, një tjetër konflikt aty pranë ka tërhequr vëmendjen e Pekinit.

Që nga fundi i shkurtit, luftimet midis Afganistanit dhe Pakistanit janë rritur, pasi Islamabadi ka shpallur “luftë të hapur” ndaj fqinjit të vet.

Qindra njerëz janë vrarë dhe qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur si pasojë e luftimeve, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare në Afganistan. Konflikti ka alarmuar komunitetin ndërkombëtar dhe ka shqetësuar Kinën, e cila është partnere e të dyja vendeve dhe e ndjeshme ndaj dhunës përgjatë kufijve të saj perëndimorë.

Për këtë arsye, Pekini ka ndërhyrë për të luajtur rol diplomatik, duke njoftuar më 8 prill se kishte organizuar bisedime njëjavore në Urumqi, në Kinën perëndimore, me shpresën për të ndërmjetësuar një armëpushim.

Çështja nuk është vetëm zbutja e armiqësive, por edhe një testim më i gjerë i aftësisë së Kinës për të menaxhuar paqëndrueshmërinë në periferinë e saj, ku ajo ka lidhje të thella ekonomike dhe politike.

Teksa të gjitha palët kanë mbështetur publikisht dialogun, mosmarrëveshjet e thella mbi grupet militante dhe sulmet ndërkufitare rrezikojnë ta prishin çdo ulje reale të tensioneve. Delegacionet nga të tre palët nxituan të theksonin vlerën e bisedimeve.

Ministria e Jashtme e Kinës i quajti ato “të sinqerta dhe pragmatike”, ndërsa talibanët i cilësuan “të dobishme” dhe thanë se u zhvilluan “në një atmosferë konstruktive”.

Por, edhe derisa bisedimet po zhvilloheshin, Afganistani e akuzoi Pakistanin për bombardime përtej kufirit të tij, duke ngritur pikëpyetje nëse Kina mund ta përfundojë konfliktin dhe sa kapital diplomatik është e gatshme të investojë në këto diskutime, ndërkohë që po navigon edhe luftën në Iran.

“Talibanët dhe diplomatët pakistanezë dinë si të formulojnë deklarata që e bëjnë Kinën të duket mirë dhe madje të sjellin masa të kufizuara lehtësimi në kufi”, tha për REL-in Michael Semple, ekspert për Afganistanin në Universitetin “Queen” të Belfastit.

“Por arritja e një marrëveshjeje mbi çështjen e mbështetjes së talibanëve për Tehrik-e Taliban Pakistan [TTP] ka gjasa të mbetet e vështirë për momentin”, sipas tij.

Pakistani prej kohësh pretendon se Afganistani i drejtuar nga talibanët strehon luftëtarë nga TTP-ja, një grup militant që kryen sulme ndërkufitare.

Talibanët afganë i mohojnë këto akuza.

Testimi i ndikimit të Pekinit

Analistët besojnë se, si Pakistani, ashtu edhe talibanët, e vlerësojnë Kinën si partnere strategjike.

Për Islamabadin, Pekini është kundërpeshë e vlefshme ndaj rivalit të tij kryesor, Indisë, si dhe burim i domosdoshëm investimesh të huaja.

Për talibanët, Kina është treg i madh e afërt që mund të ndihmojë ekonominë e tyre të dobët, si dhe partnere për ta ndihmuar Qeverinë të fitojë njohje të plotë ndërkombëtare pasi militantët morën pushtetin në vitin 2021.

Por, edhe pse Kina ka ndikim në letër, nuk është e qartë se sa trysni është e gatshme të ushtrojë.

Pekini zakonisht ka mbajtur rol më të tërhequr në ndërmjetësimin ndërkombëtar, duke i kufizuar përpjekjet e tij në situata që ka gjasa të japin rezultate të shpejta, siç ishte marrëveshja e vitit 2023 midis Iranit dhe Arabisë Saudite që rivendosi marrëdhëniet diplomatike mes dy rivalëve të Lindjes së Mesme.

Mes luftës në Iran, Pekini gjithashtu ka ruajtur kryesisht distancën në publik, duke mirëpritur delegacione të huaja dhe duke u përpjekur të paraqitet si arbitër i normave ndërkombëtare. Kjo bie ndesh me Shtetet e Bashkuara, si për shembull kur lideri kinez, Xi Jinping, e quajti bllokadën amerikane të porteve iraniane “rikthim në ligjin e xhunglës”, teksa priti Sheikh Khaled bin Mohamed bin Zayed Al Nahyan, princin e kurorës së Abu Dhabit, më 14 prill.

Megjithatë, disa raportime, përfshirë komentet nga vetë Trumpi, kanë sugjeruar se Kina ka përdorur pozicionin e saj si investitori kryesor dhe blerësi i madh i naftës nga Irani për të nxitur angazhimin në bisedime armëpushimi me Shtetet e Bashkuara dhe mbase për të çuar drejt përfundimit të luftimeve.

Zbutja e armiqësive midis Islamabadit dhe Kabulit nuk do të jetë e lehtë.

Para rikthimit të talibanëve në pushtet në gusht të vitit 2021, zyrtarët e qeverisë së rrëzuar të Afganistanit po ashtu akuzonin Islamabadin për mbështetje të talibanëve në territorin pakistanez, akuza që zyrtarët pakistanezë i mohonin në atë kohë.

Ka pasur pak deklarata zyrtare lidhur me bisedimet pasi ato përfunduan në Urumqi. Pakistani ka luajtur gjithashtu rol aktiv diplomatik si mikpritës i bisedimeve për armëpushim midis SHBA-së dhe Iranit.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, tha gjatë një konference të përditshme për shtyp pas përfundimit të bisedimeve se “që të tre palët ranë dakord të shqyrtojnë një zgjidhje gjithëpërfshirëse për çështjet në marrëdhëniet midis Afganistanit dhe Pakistanit, dhe sqaruan çështjet kryesore dhe prioritare që duhet të adresohen”.

Omar Samad, ish-diplomat afgan që tani jeton në Shtetet e Bashkuara, thotë se bisedimet e mbështetura nga Kina krijuan një moment të ri, por ende ekziston një hendek i madh midis retorikës dhe realitetit në terren.

“Bisedimet kapën një rrugë sado pak, por hapje të tilla priren të mbyllen shpejt kur përballen me mosbesim të rrënjosur”, tha ai për REL-in, duke shtuar se Kina dhe ndërmjetësuesit e tjerë duhet të mbajnë një angazhim afatgjatë për të adresuar çështjet strukturore që janë “të ndërlikuara, por jo të pazgjidhshme”.

Nga aleatë në armiq

Derisa Qeveria talibane fillimisht pritej të ruante mbështetjen e Pakistanit pasi mori pushtetin, marrëdhëniet janë përkeqësuar midis ish-aleatëve, kryesisht për shkak të çështjes së TTP-së.

Tensionet arritën kulmin në tetor 2025 gjatë një vizite zyrtare njëjavore të ministrit të Jashtëm taliban, Amir Khan Muttaqi, në Indi.

Më 9 tetor, ditën e parë të vizitës së Muttaqit, Islamabadi nisi sulme ajrore në disa provinca afgane, përfshirë kryeqytetin Kabul.

Disa raportime fillestare sugjeruan se sulmi në Kabul kishte në shënjestër liderin e TTP-së, Noor Wali Mehsud, megjithëse ai më vonë publikoi një video për të provuar se ishte gjallë. Pas sulmeve, forcat talibane nisën kundërsulme përgjatë kufirit, duke pretenduar se kishin vrarë dhjetëra pjesëtarë të forcave të sigurisë pakistaneze. Islamabadi i hodhi poshtë këto pretendime.

Ministrat e Mbrojtjes nga të dyja palët udhëtuan më pas në Doha, kryeqytetin e Katarit, më 18 tetor për bisedime të ndërmjetësuara nga Turqia, ku u arrit një armëpushim i përkohshëm. Delegacione të veçanta u takuan më vonë në Stamboll atë muaj për një takim pasues. Kjo u pasua nga përpjekje të tjera ndërmjetësimi nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por Islamabadi dhe Kabuli nuk arritën marrëveshje të përhershme.

Pas një përshkallëzimi të ri në shkurt, një sulm i madh pakistanez më 16 mars goditi Qendrën e Rehabilitimit të Drogës Omid në ish-bazën e NATO-s, Camp Phoenix, në Kabulin lindor.

Zyrtarët talibanë thanë se më shumë se 400 njerëz u vranë, ndërsa Islamabadi këmbënguli se kishte goditur instalime ushtarake.

OKB-ja më vonë tha se u vranë 143 njerëz. Human Rights Ëatch e dënoi incidentin si “sulm të paligjshëm dhe krim të mundshëm lufte”.

“Talibanët, nga ana e tyre, duket se janë të përkushtuar ideologjikisht ndaj vazhdimit të xhihadit dhe kështu të paaftë të distancohen nga TTP-ja”, tha Semple.

“Sa kohë që fushata e TTP-së vazhdon, ka çdo arsye për të pritur përshkallëzim të konfliktit midis talibanëve dhe Pakistanit”.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Irani mendon se po fiton dhe ky qëndrim është udhërrëfyes i luftës dhe diplomacisë së tij

Frud Bezhan

Fushata e bombardimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e ka shkatërruar ushtrinë e Iranit, e ka shfarosur një pjesë të madhe të udhëheqjes së tij dhe e ka rrënuar infrastrukturë jetike.

Megjithatë, Teherani ende beson se po e fiton përballjen që ka zgjatur me javë të tëra.

Fakti që teokracia e Iranit ka mbijetuar është paraqitur si fitore në republikën islamike. Ky vend e ka fituar gjithashtu një kartë të re dhe të fuqishme: kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit.

Që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, Irani e ka mbyllur praktikisht një nga rrugët kryesore të botës për furnizimet globale me naftë dhe gaz, një veprim që i ka tronditur tregjet e energjisë, e ka përmbysur ekonominë globale dhe i ka dhënë Teheranit një levë të re.

Sjellja e Iranit në këtë konflikt është formësuar perceptimi i tij se është duke fituar, sepse ky vend nuk ka pranuar të dorëzohet pavarësisht humbjeve të mëdha materiale. Vetëbesimi i republikës islamike është shtrirë edhe në tryezën e bisedimeve, ku synon ta përfundojë luftën sipas kushteve të veta.

“Në disa mënyra, Irani është në një pozicion më të favorshëm tani sesa ishte para luftës. Më në fund luajti një kartë me të cilën kishte kërcënuar prej vitesh: mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Kjo i funksionoi”, tha Arash Azizi, hulumtues dhe ligjërues në Universitetin “Yale”.

“Irani tregoi se mund të ndikojë në tregtinë globale dhe ta vërë SHBA-në në vështirësi”, shtoi ai.

“Gjithashtu, Irani tregoi se mund t’i përballojë sulmet e huaja pa rrezikuar deri tani rënien e regjimit apo të shoqërisë. Por, Irani ka përballuar gjithashtu një kosto të madhe ekonomike dhe do të ketë nevojë për përfundimin e luftës dhe për ndihmë për t’u rindërtuar”, sipas tij.

“Rend i ri i sigurisë”

Qëllimi i Iranit në luftë nuk është më vetëm mbijetesa, thonë ekspertët, por përdorimi i levës së tij për t’i dhënë fund izolimit ndërkombëtar dhe sanksioneve paralizuese që e kanë shkëputur nga ekonomia globale.

Mahdi Mohammadi, këshilltar i lartë i kryetarit të Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, tha në një postim më 7 prill në X se Irani “qartësisht dhe hapur e ka fituar luftën” dhe do ta pranonte vetëm një rezultat që vendos “një rend të ri sigurie në rajon”.

Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit, organi kryesor vendimmarrës i vendit, tha në një deklaratë më 8 prill se qëllimi i vendit në bisedimet e paqes me Shtetet e Bashkuara është krijimi i “ekuacioneve të reja të sigurisë dhe politikës” në Lindjen e Mesme që njohin “fuqinë dhe udhëheqjen” e vendit.

“Irani e sheh këtë moment krize si një mundësi për të riformësuar rendin rajonal”, tha Azizi.

“Kjo mund të jetë ose një mënyrë për t’u integruar në rajon, duke bërë që vendet e tjera ta njohin si një fuqi të rëndësishme rajonale dhe jo si një të përjashtuar, ose mund të tregojë thjesht se revizionizmi i tij është këtu për të qëndruar dhe nuk do të frikësohet kaq lehtë”.

Duke theksuar linjën e re më të ashpër të Teheranit, Irani publikoi një plan paqeje me 10 pika para bisedimeve me Shtetet e Bashkuara në Pakistan më 11 prill, të cilat në fund nuk prodhuan marrëveshje.

Shumë nga pikat ishin kërkesa maksimaliste që ka gjasa të jenë të papranueshme për Uashingtonin, duke përfshirë njohjen e kontrollit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, tërheqjen e dhjetëra mijëra trupave amerikane dhe mbylljen e më shumë se një duzine bazash në Lindjen e Mesme, si dhe miliarda dollarë dëmshpërblime për Iranin për dëmet e luftës.

Para bisedimeve në Islamabad, Teherani kërcënoi se do të tërhiqej nga negociatat në momentin e fundit nëse Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët nuk do t’i zhbllokonin miliarda dollarë asete iraniane të mbajtura në banka të huaja.

Kërkesa nuk u pranua.

“Irani mendon se e ka fituar luftën, prandaj ka hyrë në negociata me më shumë vetëbesim”, tha Sina Azodi, ekspert i ushtrisë dhe historisë së Iranit dhe profesor asistent i politikës së Lindjes së Mesme në Universitetin “George Washington”.

Ai tha se Irani ka treguar qëndrueshmëri në fushën e betejës, ku ka goditur vazhdimisht objektiva të ndjeshme thellë brenda Izraelit, ka dëmtuar rëndë baza amerikane të mbrojtura fort dhe pajisje ushtarake në Lindjen e Mesme, dhe ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për aleatët kryesorë të SHBA-së në Gjirin Persik.

“Irani ndien se mund të tregojë më shumë qëndrueshmëri edhe në tryezën e negociatave”, tha Azodi.

Irani rrezikon ta teprojë

Teherani dhe Uashingtoni arritën pajtueshmëri për armëpushim të përkohshëm dyjavor në çastin e fundit më 7 prill, pasi presidenti Donald Trump kishte kërcënuar se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte”, duke iu referuar Iranit.

Por, armëpushimi i brishtë është vënë në pikëpyetje për shkak të një mosmarrëveshjeje nëse ai përfshinte edhe Libanin, dështimit të Iranit për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe një vendimi të SHBA-së për ta bllokuar ngushticën me qëllim ndalimin e eksportit të naftës dhe gazit nga Irani.

Megjithatë, palët janë në bisedime të tërthorta për të zgjatur armëpushimin dhe për të mbajtur një rund të dytë negociatash në Islamabad.

Ekspertët thonë se, si Irani, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara, kanë treguar pak fleksibilitet në negociata deri tani.

Nënpresidenti JD Vance, i cili udhëhoqi delegacionin amerikan në Islamabad, tha pas bisedimeve të dështuara se “ata kanë zgjedhur të mos i pranojnë kushtet tona”, duke lënë të kuptohet se ai u kishte ofruar iranianëve një marrëveshje “merre ose lëre,” të cilën ata s’e pranuan.

Edhe pse ekspertët thonë se koha është në anën e Iranit dhe Trump përballet me trysni për t’i dhënë fund luftës për shkak të rritjes së çmimeve globale të energjisë dhe reagimit në rritje brenda dhe jashtë vendit, Teherani rrezikon t’i forcojë më tej qëndrimet amerikane dhe të zgjasë një luftë të kushtueshme.

“Irani po rrezikon shumë ta teprojë me lëvizjet e tij”, tha Azizi.

Ai tha se historia e Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 është e mbushur me shembuj ku autoritetet kanë shkuar shumë larg dhe nuk kanë arritur t’i kthejnë fitimet ushtarake në avantazh diplomatik.

Shembulli më i spikatur është lufta shkatërruese Iran-Irak e viteve 1980–1988.

Në vitin 1986, forcat iraniane morën gadishullin Fav të Irakut. Në vend që ta përdorte kontrollin mbi këtë zonë strategjike për përfitime politike, Irani s’e bëri dhe në fund u detyrua ta pranonte një armëpushim në vitin 1988 me kushte më pak të leverdishme.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Intervista- Azeem Ibrahim: Epilogu i konfliktit në Iran “do të vendoset nga ajo se kush duron më shumë”

Anije mallrash duke lundruar pranë Ngushticës së Hormuzit. 11 mars 2026.

Alex Raufoglu

Zhvillimet rreth Ngushticës së Hormuzit po lëvizin me shpejtësi, dy ditë pasi Shtetet e Bashkuara nisën bllokadën detare. Përderisa Komanda Qendrore amerikane fillimisht tha se asnjë anije nuk ka kaluar përmes bllokadës së porteve iraniane dhe se gjashtë anije ishin kthyer mbrapsht, raportimet e mëvonshme sugjeruan se rreth 20 anije tregtare kishin kaluar përmes ngushticës në 24 orët e fundit. Bllokada amerikane në mënyrë specifike shënjestron anijet që hyjnë apo largohen nga portet iraniane, ndërkaq anijet që kalojnë transit për apo nga portet jo-iraniane lejohen të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të dhënë më 14 prill, Azeem Ibrahim, vëzhgues i kamotshëm i Lindjes së Mesme dhe drejtor i nismave të posaçme në New Lines Institute for Strategy and Policy në Uashington, tha se Ngushtica e Hormuzit po bëhet gjithnjë e më shumë sesa vetëm një pikë nga ku kalon nafta, duke e përshkruar atë si një hapësirë ku ndërthuren presioni ekonomik, rreziku ushtarak dhe ambicia gjeopolitike, me implikime të rëndësishme për atë që mund të ndodhë më pas.

Radio Evropa e Lirë: Dy ditë bllokadë, çfarë shini ju si objektivin kyç? A është presion apo avantazh?

Azeem Ibrahim: Është e vështirë të thuhet pasi që objektivat e SHBA-së po ndryshojnë. Rreth 88 për qind e naftës që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit nuk është naftë iraniane. Kjo do të thotë se shtetet e Gjirit – dhe konsumatorët e mëdhenj sikurse Kina, që marrin rreth një të tretën e naftës nga kjo rrugë – po preken rëndë.

Kemi parë tashmë sinjale nga Pekini që kundërshton, duke theksuar se marrëveshjet e tij energjetike me Iranin nuk janë të hapura për ndërhyrje nga jashtë. Raportet tregojnë se disa anije – veçanërisht kineze – po e anashkalojnë plotësisht bllokadën.

 

Nëse anijet mund të kalojnë, atëherë kjo ngre pikëpyetje serioze nëse kjo është një bllokadë, në terma realë.

“Kapacitete afatgjatë për të përballuar presionin”

Radio Evropa e Lirë: Por, SHBA-ja po synon të krijojë avantazh. Sa shpejt kjo mund të përkthehet në lëshime reale?

Azeem Ibrahim: Kjo është një nga sfidat kryesore. Ky konflikt nuk do të vendoset se kush mund të shkaktojë më shumë dëme, por kush do të durojë më shumë. SHBA-ja pa diskutim ka epërsi sa i përket fuqisë ushtarake. Por, Irani ka demonstruar se ka kapacitete afatgjate për të përballuar dhimbjen.

Gjatë luftës Iran-Irak, Irani përjetoi humbje të mëdha, përfshirë sulme kimike, por nuk kapitulloi. Për Teheranin kjo është esenciale. Koncesionet do të nënkuptonin fundin e regjimit.

Udhëheqësit iranianë po ashtu kanë studiuar konfliktet e SHBA-së, sikurse lufta e Vietnamit dhe ajo në Afganistan. Në të dy rastet, SHBA-ja arriti sukses në fushëbetejë, por në fund u tërhoq. Teherani beson se Uashingtoni s’ka durim për konfrontime të zgjatura.

Prandaj, me gjasë Irani do të presë. Gjatë dekadave, sistemi i tij është strukturuar për të duruar pikërisht këtë lloj presioni.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Irani vazhdon të rezistojë, cilët janë hapat e radhës për Uashingtonin, më shumë presion apo ndryshim të strategjisë?

Azeem Ibrahim: Nëse do të duhej të hamendësoja, do të thosha se bllokada mund të zbehet me kalimin e kohës. Anijet – veçmas ato që mbështeten nga fuqitë e mëdha – do të vazhdojnë të kalojnë. Në fund, SHBA-ja mund të shpallë një lloj fitoreje dhe të tërhiqet.

Por pasojat afatgjata mund të jenë të konsiderueshme. Irani në fakt e ka shndërruar në një armë Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës globale. Kjo krijon një mundësi që Teherani të përfitojë financiarisht nga përdorimi [i Ngushticës së Hormuzit], duke u vendosur potencialisht anijeve tarifa për kalim të sigurt.

Në të njëjtën kohë, po shohim një ndryshim në zbatimin e sanksioneve. Një pjesë e naftës që më parë ishte e kufizuar – si ajo iraniane ashtu edhe ajo ruse – po rikthehen në tregje për të stabilizuar furnizimin.

Ndoshta më shqetësues është mësimi strategjik që Irani mund të nxjerrë. Me largimin e ish-liderit suprem, Ali Khamenei, dhe me ndalimin fetar që ai kishte vendosur për armët bërthamore që tani nuk është më detyrues, Teherani mund të arrijë në përfundimin se vetëm një parandalim bërthamor mund të pengojë konflikte të ardhshme. Një rezultat i tillë do të binte ndesh me objektivat e pothuajse të gjithë aktorëve ndërkombëtarë.

A mund të frenohet hakmarrja iraniane?

Radio Evropa e Lirë: Nëse do të ketë hakmarrje, sa mund të mbetet ajo e kufizuar? Dhe, çfarë tregon kjo për rrezikun e përshkallëzimit më të gjerë, a jemi pranë një pike ku konflikti mund të zgjerohet përtej Ngushticës së Hormuzit dhe të përfshijë aktorë të tjerë rajonalë ose të jashtëm?

Azeem Ibrahim: Irani tashmë ka sinjalizuar se mund të shënjestrojë impiantet e desalinizimit në të gjithë Gjirin Persik. Në një rajon ku mungesa e ujit është e theksuar, kjo do të ishte katastrofike.

Po ashtu, bazat ushtarake amerikane – që prej kohësh konsideroheshin të sigurta falë epërsisë ajrore – po bëhen gjithnjë e më të cenueshme ndaj dronëve dhe sulmeve me raketa. Fushëbeteja ka ndryshuar.

Ekziston gjithashtu përfshirje e jashtme. Mbështetja nga Rusia në inteligjencë dhe nga Kina në pajisje e ndërlikon balancën. Irani ende ka një avantazh të konsiderueshëm asimetrik.

Radio Evropa e Lirë: Cili është qëndrimi i aleatëve të SHBA-së për këtë çështje?

Azeem Ibrahim: Sfida është se vendet që preken më së shumti nga ndërprerjet në Ngushticën e Hormuzit mund të mos e fajësojnë Iranin, ato mund të fajësojnë Uashingtonin.

SHBA-ja është prodhuesja më e madhe e naftës në botë dhe preket pak nga tronditjet në zinxhirin e furnizimit. Por, vendet që varen shumë nga energjia e Gjirit mund të përballen me pasoja të rënda. Shumë prej tyre tashmë po eksplorojnë kanale të pavarura diplomatike me Teheranin.

Po shohim shenja të fragmentimit në rendin ndërkombëtar, që SHBA-ja ka ndihmuar të ndërtohet. Disa qeveri po e shqyrtojnë hapur mundësinë që të anashkalojnë Uashingtonin në negociata. Ky është një ndryshim i rëndësishëm.

Radio Evropa e Lirë: A po përfitojnë Kina dhe Rusia nga kjo situatë?

Azeem Ibrahim: Po. Ata e shohin SHBA-në duke u përfshirë në një tjetër konflikt të kushtueshëm dhe të ndërlikuar në Lindjen e Mesme. Ndërkohë, Uashingtoni po shpenzon burime të mëdha dhe po e shteron sasinë e municioneve kyç.

Kjo po ashtu nxjerr në pah kufizimet e bazës industriale të mbrojtjes në SHBA dhe Evropë. Mbajtja e një konflikti afatgjatë dhe me intensitet të lartë po rezulton i vështirë.

Për Kinën në veçanti ka mundësi strategjike. Në mënyrë hipotetike, edhe një bllokadë e Tajvanit mund të zhvendosë presionin global në mënyrë të ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh rolin qendror të Tajvanit në prodhimin e gjysmëpërçuesve.

Radio Evropa e Lirë: Si do të dukej një rezultat i suksesshëm?

Azeem Ibrahim: Në mënyrë ideale, do të nënkuptonte një marrëveshje të negociuar ku Irani angazhohet që të heqë dorë nga ambiciet për armë bërthamore, lejon inspektime të plota nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore dhe ndërmerr hapa për të ulur tensionet rajonale. Në këmbim, do të përfitonte lehtësim të sanksioneve dhe një shkallë riintegrimi ekonomik në sistemin global.

Por, ky rezultat, sipas mendimit tim, po duket gjithnjë e më pak i mundshëm. Nga perspektiva e Teheranit, edhe pranimi i këtyre kërkesave mund të mos ofrojë garanci të qëndrueshme sigurie. Udhëheqja mund të llogarisë se marrëveshjet mund të anulohen ose të minohen me kalimin e kohës dhe se konfrontimi me SHBA-në dhe partnerët e saj, në thelb, i pashmangshëm.

Në këtë bazë, ata mund të arrijnë në përfundimin se strategjia më racionale në terma afatgjatë është të përballojnë presionin tani dhe më vonë të dalin me aftësi më të forta parandalimi, në vend që të mbështeten në një marrëveshje që mund të mos respektohet ose të mos zgjasë. Kjo është sfida me të cilën SHBA-ja duhet të përballet tani.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

‘Nuk do të dorëzohem’: Starmer i përgjigjet kërcënimit të Trumpit për të anuluar marrëveshjen tregtare Britani-SHBA

Kryeministri britanik Keir Starmer tha të mërkurën se nuk do të “dorëzohet” para presionit për t’u bashkuar me luftën e Iranit, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi të anulojë një marrëveshje tregtare me Mbretërinë e Bashkuar.

«Nuk do të përfshihemi në këtë luftë. Nuk është lufta jonë», i tha Starmer parlamentit.

“Nuk do të ndryshoj mendje. Nuk do të dorëzohem. Nuk është në interesin tonë kombëtar të bashkohemi me këtë luftë”, shtoi udhëheqësi i Partisë Laburiste.

Në një intervistë telefonike me Sky News, Trump kërcënoi të ndryshojë një marrëveshje të arritur me Britaninë që kufizon ndikimin e tarifave të tij të shpejta amerikane.

Trump, i cili ka kritikuar vazhdimisht politikat e Starmer, tha se tensionet në marrëdhëniet me aleatin e NATO-s nuk do të ndikojnë “aspak” negativisht në vizitën shtetërore të Mbretit Charles III në Shtetet e Bashkuara këtë muaj.

Duke iu referuar udhëtimit mbretëror, Starmer i tha Parlamentit se “lidhjet afatgjata të të dy kombeve… janë shumë më të mëdha se të kujtdo që mban ndonjë detyrë të caktuar në çdo kohë të caktuar”. Starmer e zemëroi Trumpin duke refuzuar të lejonte që bazat britanike të përdoren për sulmet fillestare të SHBA-së ndaj Iranit muajin e kaluar.

Më vonë ai pranoi një kërkesë të SHBA-së për të përdorur dy baza ushtarake britanike për një “qëllim mbrojtës specifik dhe të kufizuar”.

“Është një marrëdhënie ku kur u kërkuam ndihmë, ata nuk ishin aty”, tha Trump për Sky News.

«Kur ​​kishim nevojë për ta, ata nuk ishin aty. Kur nuk kishim nevojë për ta, ata nuk ishin aty. Ata ende nuk janë aty», këmbënguli ai.

Qeveria laburiste e Starmer, e cila është përpjekur të ndërtojë ura me Trump që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, kohët e fundit e ka ashpërsuar retorikën e saj ndaj aleatit të saj historik.

Ministrja e Financave, Rachel Reeves, kritikoi të martën “marrëzinë” e Trump që nisi një luftë me Iranin “pa një plan të qartë daljeje”.

Starmer i tha Parlamentit të hënën se Trump kishte gabuar që kërcënoi të shkatërronte “qytetërimin” iranian, ndërsa të dielën Ministri i Shëndetësisë Wes Streeting e kritikoi gjuhën e Trump si “ndezëse, provokuese dhe skandaloze”.

Në këtë sfond, Reeves do të takohej me Sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, në Uashington të mërkurën, si pjesë e një takimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar për të detajuar ndikimin ekonomik të konfliktit. bw

Lufta në Lindjen e Mesme- Ministrat e 11 shteteve deklaratë të përbashkët: Të merren masa për të shmangur krizën globale

Ministrat e Financave nga 11 vende, përfshirë Britaninë, Japoninë dhe Australinë kanë paralajmëruar se lufta në Lindjen e Mesme, do të shkaktojë pasoja të mëdha në tregjet financiare edhe nëse kriza zgjidhet.

Në një deklaratë të përbashkët ata kanë bërë thirrje, për mbrojtjen e popullsisë civile dhe sigurinë e rajonit.

Gjithashtu bëjnë thirrje për “një zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme” përmes negociatave, duke vënë në dukje se armiqësitë, zgjerimi i konfliktit ose përçarja e vazhdueshme në Ngushticën e Hormuzit do të paraqiste rreziqe serioze shtesë për sigurinë globale të energjisë, zinxhirët e furnizimit dhe stabilitetin ekonomik dhe financiar

Siç thuhet në deklaratën e lëshuar nga qeveria britanike, 11 vendet “angazhohen të shmangin krizën dhe u bëjnë thirrje të gjitha vendeve të tjera të shmangin taktikat proteksioniste”, të tilla si kontrollet e pajustifikuara të eksportit, grumbullimi i stoqeve dhe zbatimi i barrierave tregtare për hidrokarburet dhe zinxhirët e tjerë të furnizimit të prekur nga kriza. bw

Lufta me Iranin, DW: Çfarë pasojash ka bllokada amerikane?

Sipas të dhënave të SHBA-së, vetëm anijet që nisen nga ose që synojnë një port iranian në Gjirin Persik ose Gjirin e Omanit do të bllokohen. Presidenti i SHBA-së Donald Trump synon, përmes bllokadës amerikane, ta detyrojë Iranin të heqë bllokadën e tij. A mund të funksionojë kjo fare? Dhe cili është qëllimi i një bllokade të bllokadës?

IRAN- Situata fillestare është e paqartë. Në teori, ngushtica e ekonomisë globale  tani duhet të mbyllet dyfish.  Ndërsa Irani, në kontekstin e luftës tregtare me SHBA-në dhe Izraelin, kishte mbyllur në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit për lundrim të lirë, ose më saktë, kishte kërkuar një çmim të lartë për kalim, SHBA-të tani kanë filluar të bllokojnë vetë ngushticën.

Megjithatë, sipas të dhënave të SHBA-së, vetëm anijet që nisen nga ose që synojnë një port iranian në Gjirin Persik ose Gjirin e Omanit do të bllokohen.  Presidenti i SHBA-së Donald Trump  synon, përmes bllokadës amerikane,  ta detyrojë Iranin të heqë bllokadën  e tij. A mund të funksionojë kjo fare? Dhe cili është qëllimi i një bllokade të bllokadës?

Si po zbatohet në praktikë bllokada amerikane?

Sipas një zyrtari të lartë qeveritar në Uashington, më shumë se 15 anije luftarake amerikane janë të përfshira në bllokadë. Sipas zyrtarëve ushtarakë, SHBA kanë një aeroplanmbajtëse, disa shkatërrues raketash, një anije sulmuese amfibe dhe anije të tjera luftarake në Lindjen e Mesme, shkruan Wall Street Journal.

Disa nga anijet do të ishin të afta të shoqëronin anijet tregtare në zona të caktuara për t’i ndaluar atje. Gazeta citon një ish-oficer të lartë të Marinës Amerikane, i cili vlerëson se anijet luftarake me shumë gjasa do të dislokohen jashtë Ngushticës së Hormuzit për të shmangur një kërcënim të menjëhershëm nga Irani.

A po funksionon bllokada amerikane kundër Iranit?

Është e paqartë. Sipas të dhënave të transportit detar, një anije cisternë kineze nafte e sanksionuar nga SHBA-të ka kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit pavarësisht bllokadës amerikane. Sipas të dhënave nga ofruesit LSEG, MarineTraffic dhe Kpler, kjo është anija e parë që është larguar nga Gjiri Persik që kur filloi bllokada amerikane të hënën. Sipas informacionit të disponueshëm, cisterna e mesme mban afërsisht 250.000 fuçi metanol, të cilat thuhet se i ka ngarkuar në portin e Hamrijas në Emiratet e Bashkuara Arabe. Anija dhe pronari i saj, Shanghai Xuanrun Shipping, u vendosën në një listë sanksionesh të SHBA-së për kryerjen e biznesit me Iranin.

Sipas të dhënave të LSEG, një anije tjetër cisternë e sanksionuar nga SHBA-ja gjithashtu po drejtohej drejt Ngushticës. Sipas të dhënave të Kpler, cisterna, e cila është bosh, ka planifikuar të ngarkojë naftë në Irak. Anija më parë ka transportuar naftë ruse dhe iraniane.

Një rrezik për SHBA-në apo lëvizje e arsyeshme?

Për Presidentin e SHBA-së Trump, bllokada e Ngushticës së Hormuzit nga anijet luftarake amerikane nuk është pa rreziqe, veçanërisht pasi pasojat për ekonominë globale janë shumë të pasigurta. Për sa kohë që nuk ka lundrim të lirë nëpër Ngushticë, presioni mbi çmimet e energjisë ka të ngjarë të vazhdojë të rritet – dhe, bashkë me të, presioni politik për të arritur një marrëveshje dhe për t’i dhënë fund luftës.

Në SHBA, bllokada e SHBA-së shihet  me reagime të përziera. Sipas qendrës kërkimore amerikane “The Soufan Center”, Trump, me bllokadën e tij të Hormuzit, ka të ngjarë të synojë “ta privojë Iranin nga të ardhurat e eksportit dhe të bindë klientët kryesorë të naftës së Iranit, veçanërisht Kinën, të ushtrojnë presion mbi Teheranin për të hequr bllokadën e Ngushticës”.

Richard Haass beson se, në parim, kjo është masa e duhur. Ish-diplomati dhe ish-presidenti i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë deklaroi në CNN: “Është një situatë e paqëndrueshme. Është vërtet e papranueshme që Irani kontrollon këtë rrugë ujore ndërkombëtare”. “Ata po përfitojnë prej saj dhe po ua mohojnë të tjerëve përdorimin e saj. Kjo nuk mund të vazhdojë”.

Gjenerali në pension i SHBA-së, Randy Manner, nuk është dakord: “Iranianët nuk kanë pse të bëjnë asgjë, thjesht të shikojnë ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bllokojnë ngushticën. Një ngushticë që ne thamë se donim ta mbanim të hapur – dhe që tani po e bllokojmë”.

Manner thekson se, pavarësisht bllokadës detare të SHBA-së, Irani mund të eksportojë naftë nëpërmjet Detit Kaspik, me hekurudhë dhe nëpërmjet tubacioneve. Në fund të fundit, Ngushtica e Hormuzit mund të hapet vetëm nëpërmjet diplomacisë.

Si po reagon Irani ndaj bllokadës amerikane?

Me kërcënime dhe akuza të reja. Sipas ambasadorit iranian në OKB, kjo është një “shkelje e rëndë” e “sovranitetit dhe integritetit territorial” të Iranit. Bllokada “e paligjshme” përbën gjithashtu “një shkelje të rëndë të parimeve themelore të ligjit ndërkombëtar detar”, shkroi Amir Saeed Iravani në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së António Guterres, e cila u pa nga AFP.

Forcat e armatosura iraniane e përshkruan bllokadën detare si “një akt piraterie”. Kufizimet e trafikut detar në ujërat ndërkombëtare janë një masë e paligjshme, deklaroi një zëdhënës i komandës ushtarake iraniane, sipas agjencisë së lajmeve Tasnim. “Siguria e porteve të Gjirit Persik dhe të Gjirit të Omanit është për të gjithë ose për askënd.” Garda Revolucionare kërcënoi se do të sulmonte anijet ushtarake.

A ka reagime të tjera?

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), Arsenio Domínguez, kritikoi çdo bllokadë të kësaj rruge të rëndësishme detare, duke e përshkruar atë si të paligjshme. Përfaqësuesja e Lartë e BE për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, ripërsëriti se Bashkimi Evropian “vazhdon të refuzojë çdo masë që synon të kufizojë kalimin e lirë dhe të sigurt përmes Ngushticës”.

Kina, rivale e SHBA-së dhe importuese e madhe e naftës iraniane, gjithashtu i kritikoi veprimet e SHBA-së dhe kërkoi kalim “të papenguar” përmes ngushticës strategjikisht të rëndësishme. Një bllokadë amerikane e porteve iraniane do të ishte “e rrezikshme dhe e papërgjegjshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Guo Jiakun. Një veprim i tillë do të përshkallëzonte konfliktin dhe do të minonte armëpushimin e brishtë.

Rusia, aleati kryesor ndërkombëtar i Iranit, njoftoi se Ministri i Jashtëm Sergej Lavrov do të udhëtojë për në Pekin të martën dhe të mërkurën për bisedime me homologun e tij kinez, Wang Ji./DW

HRW: Sulmet e Izraelit ndaj depove të naftës në Iran mund të jenë krime lufte

Radio Evropa e Lirë

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), tha se sulmet ajrore izraelite në depot e naftës përreth Teheranit në muajin mars, mund të kenë shkaktuar dëme serioze afatgjata për civilët dhe mund të përbëjnë krime lufte.

Në një raport të publikuar më 13 prill, organizata tha se sulmet ndaj infrastrukturës që është kryesisht civile në natyrë, “janë shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar” dhe “ka të ngjarë të jenë krime lufte”.

Sulmet ndodhën më 7 mars, kur Izraeli shënjestroi katër depo nafte në zonën e Teheranit.

Autoritetet iraniane raportuan të nesërmen se “katër lokacione të përdorura për ruajtjen dhe shpërndarjen e produkteve të naftës dhe një qendër transporti për produkte të naftës… u sulmuan nga avionët armiqësorë”.

Në të njëjtën ditë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit njoftuan se kishin goditur “disa komplekse të magazinimit të karburanteve” në Teheran, që i përkisnin Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

HRW-ja tha se sulmet mund të kenë pasoja të rënda afatgjata për ata që jetojnë në Iran.

Sulmet “mund të kenë pasoja shkatërruese në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve për shumë vite dhe ka të ngjarë të përbëjnë krime lufte”, shkroi studiuesja e HRW-së, Bahar Saba.

“Forcat izraelite nuk duket se e kanë marrë parasysh dëmin e parashikueshëm afatgjatë… dhe duhet të mbahen përgjegjëse”, shtoi ajo.

 

Organizata tha se i bazoi gjetjet e saj në intervista me tetë persona në Teheran dhe Karaj, në konsultime me nëntë ekspertë mjedisorë dhe shëndetësorë dhe në analizë të imazheve satelitore dhe videove të verifikuara.

HRW-ja u shkroi edhe autoriteteve izraelite dhe iraniane më 26 mars, për të kërkuar sqarime.

Zyrtarët iranianë nuk u përgjigjën, ndërsa zyrtarët izraelitë u përgjigjën më 30 mars, duke thënë se sulmet “u kryen në përputhje me parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masave paraprake”.

Ata shtuan se objektet e shënjestruara ishin “për të siguruar karburante direkt për njësitë në forcat e armatosura të regjimit… duke përfshirë aviacionin, UAV-të dhe anijet detare”.

HRW-ja tha se ka konfirmuar se depot e naftës u përdorën për “qëllime civile”, por vuri në dukje se nuk mund të përcaktonte nëse ato u përdorën edhe për mbështetje ushtarake.

Një burim i informuar i tha organizatës se “depot e naftës përmbanin vetëm benzinë dhe naftë… nuk përdoren për aviacion, UAV ose anije detare”.

Grupi i të drejtave të njeriut arriti në përfundimin se, duke pasur parasysh dëmin e parashikueshëm mjedisor dhe shëndetësor, sulmet ngrenë shqetësime serioze sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe mund të përbëjnë krime lufte.

Nga ulja në terren te ndërtimi i bazës- Çfarë e pret NASA-n pas fluturimit të Artemis II pranë Hënës?

Artemis II i dërgoi njerëzit në distancën më të largët që kanë shkuar ndonjëherë rreth Hënës, por NASA tashmë po shikon përpara për misionet e ardhshme.
Me kapsulën Orion që mezi ka dalë nga Paqësori, NASA tashmë po planifikon kapitullin tjetër të programit të saj Artemis.

Anija Artemis II ofroi pamje të papara më parë të anës së largët të Hënës, një eklips diellor të parë nga orbita hënore dhe një distancë rekord të re për njerëzit në hapësirë.

Misioni është i fundit në një seri planesh të NASA-s që përfundimisht do t’i kthejë njerëzit në Hënë dhe do të krijojë një bazë të përhershme atje.

“Misioni tjetër është shumë afër”, tha drejtori i fluturimit hyrës, Rick Henfling, pas uljes së ekuipazhit në aeroplan të premten.

Muajin e kaluar, NASA njoftoi një plan me faza për të ndërtuar një bazë të përhershme në Hënë, me misionet Artemis III dhe IV që luajnë një rol kyç.

Përgatitjet për uljen në Hënë

Fillimisht, Artemis III duhej të ishte misioni i uljes në Hënë, por në mars, NASA njoftoi se do të bëhej një mision demonstrues për të testuar anijet kozmike të uljes nga SpaceX i Elon Musk dhe Blue Origin i Jeff Bezos.

Artemis III i ri, i planifikuar për vitin e ardhshëm, do të shohë astronautët të lidhin kapsulën e tyre Orion me një anije uljeje hënore në orbitën e ulët të Tokës për të certifikuar automjetet përpara një uljeje me ekuipazh.

SpaceX dhe Blue Origin po garojnë që të kenë gati të parët anijet e tyre të uljes. Blue Origin synon një lançim prove pa pilot të anijes së saj të uljes Blue Moon më vonë këtë vit, ndërsa anijet e uljes me bazë në Starship të SpaceX janë përballur me vonesa, me arritje të rëndësishme ende të pazgjidhura.

Pas Artemis III, NASA tha se planifikon të dërgojë një mision në Hënë çdo vit. Artemis IV, i planifikuar për në fillim të vitit 2028, do të shohë astronautët të transferohen nga Orion në një anije komerciale hënore që do t’i çojë ata në sipërfaqe.

‘Planet për një bazë në Hënë’

Në planet e saj për bazën në Hënë, NASA tha se misionet fillestare do të dërgojnë rover, instrumente dhe teknologji në sipërfaqen hënore për të studiuar se si mund të gjenerohet energjia, si mund të funksionojnë komunikimet dhe si të lundrohet në terren.

Faza tjetër do të jetë ndërtimi i strukturave pjesërisht të banueshme dhe vendosja e furnizimeve të rregullta, duke përfshirë një bashkëpunim me Agjencinë Japoneze të Eksplorimit Hapësinor (JAXA), e cila po zhvillon një rover me presion për eksplorimin sipërfaqësor me ekuipazh.

Faza përfundimtare do të shohë transferime më të mëdha pajisjesh dhe përfundimisht një prani të vazhdueshme njerëzore, duke u larguar nga vizitat e shkurtra në një bazë të përhershme.

NASA ka nënshkruar tashmë partneritete me Italinë dhe Kanadanë dhe planifikon të shtojë kontribute të mëtejshme që mbulojnë banimin, lëvizshmërinë sipërfaqësore dhe logjistikën.

Agjencia njoftoi ndryshimet për të përafruar punën e saj me Politikën Kombëtare Hapësinore të SHBA-së, të publikuar dhjetorin e kaluar, e cila i drejtoi NASA-s të kthente astronautët në Hënë, të reformonte rolin e vendit në operacionet komerciale hapësinore dhe të udhëheqte botën në eksplorimin e hapësirës. bw

Kina drejt dominimit global në energjinë bërthamore, mbi 100 reaktorë dhe investime gjigante në horizont

Kina është në rrugën e duhur për t’u bërë prodhuesi më i madh i energjisë bërthamore në botë, me një total prej 112 reaktorësh bërthamorë në funksion, në ndërtim ose në fazë miratimi. Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit numri i reaktorëve aktivë pritet të arrijë në 70.

Aktualisht, Kina kontinentale ka 62 reaktorë në funksion, 39 në ndërtim dhe 11 të miratuar, me një kapacitet total të instaluar prej 125 gigavatësh. Kapaciteti i projekteve në ndërtim përbën më shumë se gjysmën e totalit global, njoftoi Administrata Kombëtare e Sigurisë Bërthamore gjatë aktivitetit të zhvilluar në provincën Guangdong, me rastin e Ditës Kombëtare të Edukimit për Sigurinë 2026.

Midis viteve 2022 dhe 2025, qeveria kineze miratoi ndërtimin e 41 reaktorëve të rinj. Me një kosto mesatare prej rreth 20 miliardë juanësh për njësi, investimi në projektet e fundit tejkalon 800 miliardë juanë.

Zhvillimi i shpejtë i këtij sektori lidhet me synimin e Kinës për të garantuar sigurinë energjetike dhe për të arritur neutralitetin e karbonit, ndërkohë që vendi ka ndërtuar një zinxhir të plotë prodhimi dhe furnizimi në industrinë bërthamore. Aktualisht, Kina ka kapacitetin për të prodhuar komponentë kyç për më shumë se 10 reaktorë të rinj çdo vit.

Pothuajse të gjitha pajisjet kritike dhe materialet bazë prodhohen brenda vendit, me një nivel lokalizimi që tejkalon 90%. Siguria mbetet prioritet kryesor për China General Nuclear Power Group, operatorin më të madh shtetëror në këtë sektor, raportoi Xinhua. Sipas kryetarit Yang Changli, 28 reaktorët e kompanisë funksionuan pa probleme gjatë vitit 2025, pa ndërprerje të paplanifikuara.

Ndërkohë, Centrali bërthamor Daya Bay, centrali i parë komercial në shkallë të gjerë në vend, vazhdon të operojë në mënyrë të sigurt pas 32 vitesh. Ai ka furnizuar Hong Kongun me më shumë se 330 miliardë kilovat-orë energji elektrike, duke mbuluar rreth një të katërtën e nevojave të qytetit. bw


Send this to a friend