Femra te bukura, shtëpi e veshje që as i kishin imagjinuar se ekzistonin (veç atyre që fati i kishte çuar ndonjëherë jashtë shtetit), jetë plot aventura, lidhje dashurie nga më të pazakontat, ku partnerët shkëmbeheshin me njëritjetrin… E paimagjinueshme! Si nga një planet tjetër! Të izoluar prej vitesh brenda një jete gri, ku argëtimi ishte tejet i kufizuar, ku edhe televizorët ishin formatuar që të shfaqnin vetëm një kanal, atë shtetëror, shqiptarët ishin të etur për të mësuar gjithçka që ndodhte përtej klonit të frikshëm.
Të etur për të mësuar se ç’ndodhte përtej detit, ç’ishin ato sende që sillnin dallgët… Të vetmet dritare për të parë diçka ishin stacionet e huaja televizive, që siç thamë ishin të “prera”, por që me mjete rrethanore, me kanoçe, letër varaku mbështjellë në antenë, tapa kosi me pak zhivë, e gjithfarëlloj pehlivanllëqesh, shqiptarët ia dilnin t’i shihnin, edhe pse me miza. Të paktën, kanalet italiane e ato “sllave”.
Dhe mahniteshin shqiptarët edhe pas reklamave, emisioneve të lajmeve, spikereve bionde, por çka përbënin interesin më të madh ishin telefilmat, qofshin ata italianë apo amerikanë. (Një pasion i hershëm i shqiptarëve pas telenovelave, por që asokohe ishte i justifikueshëm). Një botë e çuditshme shpalosej prej tyre. Ju kujtohet seriali televiziv “Dinastia”, personazhet e tij Blak, Kristli, Adam, Felloon, Stiven, Amanda dhe Aleksis?
Ata që kanë jetuar në vitet ’80, pa dyshim që e mbajnë mend telenovelën amerikane, e cila u jepte pak ngjyrë jetës së shqiptarëve, të cilët prisnin me padurim të hënat kur ai shfaqej në ekranin jugosllav.
“Dinasty”, me ngjarjet e tij të jashtëzakonshme, ishte objekt diskutimi mes fatlumëve që mund ta ndiqnin, por edhe nxitësi i dashurive të fshehta, mes burrave e grave, të rinjve e të rejave, që mblidheshin në shtëpitë e sho-shoqit për të parë filmin. Sepse, sot duket e pabesueshme, por asokohe, ishin shumë pak ata që kishin një televizor bardhezi.
NË TVSH, SERIALE TELEVIZIVE TË KONTROLLUARA
Me filma televizivë serialë të transmetuar nga TVSH-ja, shqiptarët kanë qenë pak të ambientuar, pasi në raste sporadike u shfaqën disa të tillë, gjithmonë produkte të shteteve të huaja, pasi për një prodhim të kinematografisë vendëse as që bëhej fjalë.
Kështu, në fillim të viteve ’70, kur TVSH-ja nisi nga transmetimet eksperimentale, ato sistematike, bashkë me televizorët e prodhimit të URTDurrës, filloi shfaqja e disa serialëve me tema të lejuara e të pranueshme për publikun e etur televiziv, siç ishin ato lindorë “Në çdo kilometër”, “Kapiteni Klos”, “Katër tankistët”, “Vendimi”, pastaj “Giuseppe Verdi”, “Zhan Kristof”, për të ardhur në vitet ’80-’90, që kujtohen me filmat e famshëm serialë “Skllavja Izaura” dhe “Oktapodi”.
Gjithmonë me përkthim e të kontrolluar më parë nga zyrtarë të lartë shtetit, për mos u shpëtuar asnjë skenë, devijim apo edhe detaji më i vogël jashtë kontureve të lejuara politiko-sociale. NË
NDJEKJE TË IZAURËS
Është seriali i parë, më i gjati, më i ndjekuri nga shqiptarët, i transmetuar nga TVSH-ja në mesvitet ’80. “Skllavja Izaura”, i prodhuar nga kompania braziliane “Rede Globo” në vitin 1976, konsiderohet si një ndër telenovelat më të famshme dhe sipas një anketimi është prodhimi televiziv më i shitur dhe i dubluar, i transmetuar në 130 vende të botës. Në Rusi u bë kaq popullor sa fjala portugeze “fazenda” (fermë) filloi të përdorej në gjuhën dhe komunikimin e përditshëm.
Sipas romanit të Bernardo Guimares, me skenar të Gilberto Bragës e regji të Herval Rossano, interpretuar nga Lucelia Santos e Rubens De Falcon në rolet e Izaurës e Leoncio, telenovela me 100 seri shumë emocionante bazohet në historinë e një skllaveje të bardhë dhe lidhjes së saj me padronin Leoncio, që i kthyer nga Europa braktis gjithçka vetëm për dashurinë me Izaurën. Në Shqipëri është ndjekur me shumë interes, nga çdo moshë dhe çdo ditë të javës kur transmetohej, të gjithë të ndikuar nga ngjarjet, muzika tejet argëtuese, qëndronin para ekranit. Ndikimi i tij ishte i madh, sa emri Izaura ishte mjaft i preferuar për të sapolindurat.
“LA PIOVRA” (OKTAPODI) ME KOMISAR KATANIN
Ndërsa “La Piovra”, (Oktapodi) një produkt televiziv italian me dhjetë ministri, pati një shtrirje nga viti 1984 deri 2001. Me regjisorë D. Damiani, F. Vancini, L. Perelli e G. Batiato dhe Ennio Morikonen si formulues muzike, të gjitha miniseritë janë transmetuar në 80 vende të botës, me një fluks të madh audiovizv të jashtëzakonshëm, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Seritë e tij janë transmetuar me përkthim nga televizioni publik dhe janë ndjekur me interes, kureshtje dhe ankth deri në episodin e fundit.
Me protagonistë komisarin e policisë Korrado Katanin, luajtur nga Mikele Plaçido, bankierin Tano Karridi, interpretuar nga Remo Xhirone, Patricia Miliardet në rolin e prokurores Silvia Konti, Florinda Bolcan në atë të Olga Kamatës, Barbara de Rosin në rolin e Titit dhe personazhet e tjerë si Antonio Espinoza, Terrazini etj., filmi ofronte skena dhe çaste emocionante shumë të forta, të cilat patën një impakt të jashtëzakonshëm mbi publikun televiziv shqiptar.
Multiseriali trajtonte temën e mafies siciliane dhe një komisar që tentoi t’i kundërvihej, por i vetëm gjeti vdekjen bashkë me familjen e tij. Aq i madh ishte efekti i filmit në mbarë botën sa në Moskë, gjatë një vizite të Mikele Plaçidos, nga një grup dashamirës të serialit iu kërkua qeverisë që nëse Katani-Plaçido nuk e kishte të sigurt jetën në Itali, t’i garantohej qëndrimi në Moskë.
MUNDËSI DHE DËSHIRË E KUFIZUAR
Bashkë me filmat televizivë serialë të shfaqur nga TVSH-ja, shqiptarët kuriozë ndiqnin edhe ato seriale që transmetoheshin nga kanalet e huaja, duke përdorur e tentuar të gjitha mënyrat për t’i parë, ndonëse format e mundësitë ishin të pakta dhe të ndaluara në Shqipëri.
Ishin të favorizuara ato familje, individë, zyrtarë e funksionarë të lartë, ambasada, qeveritarë e anëtarë byroje, që zotëronin një televizor të markave të huaja me grup të UHF-së, ose ata që kishin montuar brenda televizorëve të URT-së një mekanizëm apo pajisje të improvizuar që garantonte marrjen e frekuencave të ulëta. Po kështu, edhe disa qytete bregdetare si Shkodra, Lezha, Durrësi, Kavaja, Fieri, Vlora, që në periudhë vere mundësonin kapjen e valëve televizive të stacioneve italiane.
KONTAKTI I PARË ME SERIALET AMERIKANE
Kontakti i parë, por që i lidhi në vite shqiptarët me serialet televizive amerikane, ishte “Dinasty”, ndonëse si ai të famshëm për kohën kanë qenë edhe “Dallas” e “Capitol”, disa prej të cilëve vazhdojnë edhe sot. Në veçanti “Dinasty”, i cili pati një efekt dhe ndjekshmëri shumëvjeçare sistematike nga teleshikuesit shqiptarë, duke filluar nga viti 1984 deri në vitet ’90. Ka qenë një komunikim i fortë si me ngjarjet, ashtu edhe me personazhet që “Dinasty” ofroi për admiruesit në të gjithë shtetet e botës, ku u shfaq gjatë një dekade.
I tillë për nga fama mbetet edhe “The Bold and Beautiful”, i njohur thjesht si “Beautiful”, madje regjisorja e njohur Vera Gravbocka solli në Tiranë në një nga spektaklet e saj aktorin Daniel MCVicar, Klarkun, një ndër personazhet protagonistë të serialit pa limite në kohë e ngjarje.
“DINASTY”, 220 SERI, NJË PAFUNDËSI
“Dinasty”, i gjatë me 220 seri, startoi më 12 janar të vitit 1981 në Shtetet e Bashkuara dhe vazhdoi deri në 11 maj të 1989. Në SHBA i transmetuar nga televizioni “ABC”, seriali kishte 57 skenaristë, bashkë me Esther Shapiro si autor, me 35 regjisorë, 1500 aktorë e 8 formulues muzike. Në pak kohë transmetimet e tij filluan të shfaqen në çdo vend të botës, duke përfshirë masivisht edhe Europën.
Në sezonin e parë me pak seri, jehona nuk ishte e madhe, por gjithçka do të ndryshonte në vitet që do të pasonin, kur “Dinasty” do të marrë shumë famë dhe do të jetë tejet i ndjekur në gjithë globin. Në Itali, pas krijimit të “Mediaset”, më 4 janar të vitit 1982, ishte “Rete 4”, i cili që nga 15 shtatori i atij viti do të niste me transmetimin e tij çdo të mërkurë e të premte në orën 14.00. Ndonëse me vonesë në vite, kohë dhe episode, shqiptarët filluan ta ndjekin “Dinastia” në vitin 1984, kur në kanalin e dytë, atë UHF, të televizionit jugosllav filloi transmetimi i serialit.
SKENAT PROVOKUESE
Një telenovelë me intriga dashurie në fokus dhe me ngjarje brenda një familjeje të pasur e të suksesshme në biznesin e naftës, ku protagonistë kryesorë janë Blake Carrington, Krystle, ish-sekretarja, gruaja e fëmijët e tij, nga të cilët Adam rezulton i humbur pas një rrëmbimi. Personazhe të serialit gjithashtu janë edhe Fallon, Steven dhe Amanda, e fshehur prej tij me ish-gruan e parë, Alexis.
Në episode të veçanta, seriali përfshihet nga konfliktet midis dy korporatave të mëdha, Denver Carrington Blake dhe Alexis ‘ColbyCo”, si dhe skenave, pabesive dhe dashurive pasionante midis personazheve. “Dinasty” regjistron për kohën serialin televiziv më të preferuar në “Top 30”, shfaqjet gjatë tetë stinëve, që u transmetua me një audiencë prej 21.2 milionë teleshikuesish për episod.
Blake Carrington luajti në 217 episode; Linda Evans në rolin e Krystle Carrington në 209; Joahn Collins në rolin e Alexis Carrington Colby në 204; Gordon Thomson në rolin e Adam Carrington në 182 episode; John Jemas në rolin e Jeff Coltby në 168; Michael Nader në rolin e Dex Dexter në 151; Jack Coleman në rolin e Steve Carrington në 149 dhe Pamela Anderson në rolin e Fallon Carrington Colby në 88 episode etj.
“DINASTY”, FALË “KANOÇEVE” ARTIZANALE
Të ndiqje një film në stacionet e huaja në vitet ’80, sigurisht që ishte e ndaluar, por të gjithë ata që kishin televizor në shtëpi, nuk i rezistonin dot tundimit. Seriali jepej çdo të hënë në kanalin e dytë UHF të televizionit jugosllav dhe detyrimisht duhet të kishe televizor të markave të huaja për ta ndjekur. Por, janë vitet kur dalin në skenë kanoçet e famshme të ideuara në mënyrë artizanale nga inxhinierë e teknikë televizorësh, të cilat gjejnë një përdorim e përhapje të madhe në fillim të viteve ’80-të, si mjetet e vetme që siguronin marrjen e sinjalit të frekuencave të ulëta televizive, veçanërisht për Tiranën.
Një e tillë kushtonte nga 2500 deri në 3500 lekë. Ato tregtoheshin me miqësi e njohje dhe rekomandime te miq, shokë, familje e njerëz të sigurt. Kanoçja lidhej teknikisht me televizorët “Butrinti”, “Iliria”, apo “Dajti”, të cilët nuk e kishin këtë pajisje, pasi i hiqej në URT, kur ato vinin nga Jugosllavia, duke i adaptuar më pas për tregun shqiptar pa kanalin e UHF-së.
Një transistor BF 139, disa elemente brenda një llamarine, gati sa një paketë cigareje, ishin përbërësit e “kanoçes” së famshme, që garantonte shikimin pa problem në çdo çast të kanalit të dytë jugosllav dhe atyre italianë në periudhe vere. Zhurmuesi i famshëm nuk ndërhynte në këtë frekuencë.
Të apasionuarit pas “Dinasty” i gjeje të ulur përballë televizorit në orën 21:00 të çdo të hënë. Familje e komshinj, të afërm në grupe, do të “ngujoheshin” për 50 minuta. Ndërkohë, që të hënën në orën 21:30, në TVSH transmetohej Rubrika Sportive, që trajtonte evenimentet sportive të shumëpritura dhe e ndjekur nga pasionantët sportivë si e vetmja për kohën dhe tifozëve do t’u duhej që të zgjidhnin.
Dhomat e vogla të apartamenteve të ngushta ktheheshin në salla të improvizuara kinemaje, ku nuk mungonin edhe stolat që të uleshin fqinjët, të ardhurit. Pastaj në lojë futej përkthyesi. Duke qenë se në serial flitej anglisht dhe nuk ishte me dublim, por me titra në gjuhën serbo-kroate krijonte vështirësi ta kuptoje.
Këtu merrte rëndësi përkthyesi, i cili duhet të shpjegonte gjithçka ndodhte mes personazheve. Kjo ndikoi që shumë t’i futeshin mësimit të anglishtes, ndërkohë që të favorizuar ishin ata që njihnin rusishten e mund të kuptonin diçka nga gjuha serbo-kroate.
FILMI QË NXITI DASHURITË E FSHEHTA
Të dije vazhdimin e serialit, fatin e personazheve, ishte një privilegj, por të pakët ishin ata që e dinin. Një informacion vinte nga studentë, apo familjarë, që kishin njerëzit e tyre në Itali, ku telenovela ishte shumë seri para atyre që transmetonte televizioni jugosllav.
Kishte një interes të madh për të ditur rrjedhën e ngjarjeve, në veçanti të linjave dashurore. Do të ishin këto të fundit që do të ndiznin pasionet edhe të shqiptarëve, të ngjizjes së lidhjeve të fshehta të dashurive mes “publikut”.
KËSHILLI I LAGJES, PRANIM NË HESHTJE
Ndonëse për shumë vite, çdo e hënë në mbrëmje ishte kthyer në një ritual, duhet thënë se seriali është ndjekur, ndonëse shteti me strukturat e tij, kryesisht Këshilli i Lagjes, ishte tejet i informuar deri në hollësi për pasionin e familjeve, individëve për serialin amerikan.
Ata e dinin mirë edhe si funksiononte apo si grumbulloheshin familjet shqiptare, për të ndjekur “Dinasty” dhe mënyrat që përdornin deri edhe te kanoçja e famshme, apo antena me elemente të vegjël, që detyrimisht duhet të ishte drejtuar nga veriu. Ndonëse jemi ende në kohën e diktaturës, por ajo nuk është në kufijtë e saj ekstremë për forcën goditëse, kjo edhe për faktin se Hoxha ka ndërruar jetë.
Kështu, vetë shteti dukej sikur kishte dhënë një “OK” në heshtje për të ndjekur “Dinasty”, pasi asgjë nuk mund të fshihej kur vinte ora për të parë episodin dhe në përfundim të tij, kur teleshikuesit e “Dinasty” shpërndaheshin në apartamentet e tyre. Pastaj, të nesërmen, apo gjatë javës në vazhdim, diskutimet dhe komentet rreth serialit ishin të paevitueshme, në grupe, qendra pune, shkollë, kudo.
Incidenti ndodhi pesë vjet para abuzimit të Samantha Geimer për të cilin regjisori u deklarua fajtor
VOAL- Roman Polanski do të shkojë në gjyq në Los Anxhelos me akuzën e përdhunimit të një të miture në vitin 1973, pesë vjet përpara se të abuzonte me trembëdhjetë vjeçaren Samantha Geimer. Në lidhje me këtë rast të fundit famëkeq, regjisori polak u deklarua fajtor për marrëdhënie seksuale me akuzuesen, por u largua nga Shtetet e Bashkuara përpara dënimit.
Tashmë nëntëdhjetë vjeç dhe me banim në Francë, regjisori pritet në bankën e të akuzuarve më 4 gusht 2025. Atë ditë do të fillojë çështja civile pas ankesës së një të miture në kohën e ngjarjes dhe që ajo ka mbetur anonime deri tani. Prania në seancën e regjisorit të akuzuar për përdhunim dhe dhunë seksuale nga rreth dhjetë gra, është pra tejet hipotetike.
Avokatja Gloria Allred, e cila përfaqësonte viktimat e Jeffery Epstein dhe Bill Cosby, u shfaq të martën përkrah një gruaje, e prezantuar si Jane Doe, e cila e akuzoi Polanskin për përdhunimin e saj pas një mbrëmjeje në të cilën ai dyshohet se e detyroi të pinte alkool.rsi-eb
Ekipi i filmit “Oppenheimer” në skenë duke e pranuar çmimin për filmin më të mirë Oscar, 10 mars 2024.
“Oppenheimer”, një film që ka të bëjë me garën se kush e ndërton bombën e parë atomike, i ka fituar shtatë çmime Oscar, përfshirë çmimin kryesor për filmin më të mirë, gjatë një ceremonie të dielën në Los Anxhelos.
Ky film ishte i nominuar për 13 çmime Oscar.
Aktori irlandez, Cillian Murphy, e fitoi çmimin për aktorin më të mirë për rolin e tij në këtë film, ku e luajti fizikanin teorik, J. Robert Oppenheimer, i cili ishte lideri i përpjekjeve amerikane në vitet ’40 për ta krijuar një armë e cila do t’i jepte fund Luftës së Dytë Botërore.
Regjisori i “Opppenheimer”, Christopher Nolan, e fitoi çmimin për regjisorin më të mirë.
“Ne e bëmë një film për njeriun i cili e krijoi bombën atomike, dhe ne po jetojmë në botën e Oppenheimerit qoftë për mirë apo për keq”, tha Murphy pasi e mori çmimin e aktorit më të mirë.
“Këtë çmim do të doja t’ua kushtoja paqebërësve kudo”, shtoi ai.
Drama historike, që zgjat tri orë, rreth shkencës dhe politikës, “Oppenheimer” u bë hit dhe i fitoi 953.8 milionë dollarë, si dhe mori lëvdata të mëdha nga kritikët.
Ky ishte filmi i parë me të cilin Nolani fiton Oscar për filmin më të mirë.
Emma Stone e fitoi çmimin për aktoren më të mirë për rolin që e luajti si një grua e ngjallur nga të vdekurit në komedinë “Poor Things”.
“Kjo është vërtet e jashtëzakonshme”, tha Stone.
Për disa kjo ishte natë historike, pasi Ukraina e fitoi Oscarin e parë për dokumentarin më të mirë: “20 Days in Mariupol”, ndërsa Britania e Madhe e fitoi Oscarin për filmin më të mirë ndërkombëtar: “The Zone of Interest”.
Robert Downey Jr. nga “Oppenheimer” dhe Da ‘Vine Joy Randolph nga “The Holdovers” fituan çmime si aktorët më të mirë në rol dytësor.REL
Regjisori Roher majtas, me Navalny dhe gruan e tij Yulia, gjatë xhirimeve të dokumentarit
“Nëse vriteni, nëse ndodh, çfarë mesazhi do t’i lini pas popullit rus?”
Kjo është pyetja e parë që i drejtohet Alexei Navalny-t nga regjisori kanadez Daniel Roher në dokumentarin që fitoi çmimin Oskar në vitit 2022 me titullin “ Navalny”.
“Hajde Daniel, jo, – përgjigjet Navalny duke buzëqeshur. – S’ka mundësi! Duket sikur po bën film me rastin e vdekjes sime.”
Këto fjalë tani kanë marrë një theks të ri me lajmin se aktivisti politik 47-vjeçar rus vdiq të premten në një burg të Rrethit Arktik.
Autoritetet ruse të burgut thanë se kritiku i Kremlinit ishte bërë keq pas një shëtitjeje. Ekipi i Navalny thotë se trupi i tij po mbahet qëllimisht nga autoritetet ruse në mënyrë që ata të mund të “mbulojnë gjurmët”.
Pavarësisht nga rreziqet e qarta me të cilat përballej Navalny në Rusi, regjisori Roher i tha BBC-së se ishte ende i tronditur plotëisht që kur dëgjoi lajmin për vdekjen e mikut të tij.
“Ky moment që ne jemi të pushtuar nga kjo re trishtimi dhe pikëllimi nga e cila jam goditur, është tronditës për mua,” tha zoti Roher për BBC.
“Unë u trondita kur dëgjova lajmin, pavarësisht se kushdo që e shikon filmin nuk duhet të tronditet, nuk duhet t’i vijë aq e papritur”.
Regjisori Roher përshkroi se si u zhvillua miqësia e tij me Navalny gjatë projektit filmik.
“Unë mendoj se respekti ynë i ndërsjellë për njëri-tjetrin ishte i bazuar në një sens të përbashkët humori – ai është një njeri shumë humorist, i pëlqen të qeshë. Brenda rreth 10 sekondave nga takimi ai po tallej me mua dhe po bënte shaka në kurrizin tim, me gjuhën time të dashurisë, kështu që po e ktheja menjëherë”, tha Roher.
Filmi ndjek Navalny ndërsa ai dhe ekipi i tij zbulojnë një komplot për ta helmuar atë me agjent nervor vdekjeprurës Novichok.
Në gusht 2020, ai u rrëzua kur po fluturonte me avion mbi Siberi dhe u dërgua me urgjencë në spital në Omsk – një ulje emergjente që i shpëtoi jetën. Zyrtarët rusë përfundimisht e lejuan atë të transportohej me avion në Berlin për trajtim.
Qeveria gjermane zbuloi se testet e kryera nga ushtria gjetën “prova të qarta të një agjenti kimik të luftës nervore të grupit Novichok”.
Kremlini mohoi çdo përfshirje dhe hodhi poshtë gjetjen e Novichok. Shumë ishin skeptikë, duke përfshirë edhe vetë Navalny, i cili filloi hetimin e tij me një ekip gazetarësh.
Regjisori Daniel Roher dhe Yulia Navalnaya duke u përqafuar në Oscar 2023
Perspektiva e vdekjes së Navalny-t është një fije që përshkon gjithë filmin.
Në një skenë, mes intervistave, një nga ekipi i Navalny-t e pyet nëse irritohet nga pyetjet për të kaluarën e tij.
Navalny thotë se nuk është, por shton: “Vetëm se e kuptoj se ai po i filmon të gjitha për filmin që do të publikojë, nëse më godasin”.
Në realitet, filmi u publikua para vdekjes së tij dhe mori një vlerësim të gjerë ndërkombëtar. The Guardian tha se ishte “një nga gjërat më mahnitëse që do të shihni ndonjëherë”, ndërsa Times e quajti atë “pa dyshim një nga dokumentarët më emocionues që do të publikohej këtë, apo çdo vit”.
Shumë tani po e shikojnë filmin në një dritë të re.
“Alexei, nëse të arrestojnë dhe të hedhin në burg, ose të ndodh diçka e paimagjinueshme dhe vritesh, çfarë mesazhi lë pas për popullin rus? – E pyet regjisori Roher në skenën e fundit.
Navalny përgjigjet shkurt në anglisht, përpara se drejtori t’i sugjerojë që t’i rikthehet gjuhës së tij amtare.
Ai përfundon në rusisht: “Ne nuk e kuptojmë se sa të fortë jemi në të vërtetë. E vetmja gjë e nevojshme për triumfin e së keqes është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”.
“Pra, mos rrini pa lëvizuar,” thotë ai, përpara se t’i hedhë një vështrim kuptimplotë kamerës./ar.sh/SYRI.NET
Në garën e këtij viti për çmimet Oscar, në kategorinë e dokumentarit më të mirë është radhitur edhe një film që përshkruan sulmin rus ndaj qytetit industrial dhe portit të rëndësishëm të Ukrainës, Mariupol, në fillim të luftës. Ky qytet u bë simbol i shkatërrimit që kjo luftë do të sillte në kufirin e Evropës. Dokumentari është i pari i tillë – raportim nga një front lufte – që garon për çmimin prestigjoz të Akademisë së Arteve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, autori i dokumentarit, gazetari ukrainas Mstyslav Chernov thotë se shpreson që Mariupoli të mos mbetet vetëm emër dhe që dokumentari i tij t’i japë kuptim vuajtjes së njerëzve të këtij qyteti.
20 ditë të shtetrrethimit të qytetit ukrainas Mariupol të filmuara nga gazetari Mstyslav Chernov janë copëza të një maratone 20 ditëshe për t’i shpëtuar vdekjes, të çmimit të luftës për njerëzit e thjeshtë, të zënë befas nga një luftë e papritur dhe për ta e pakuptimtë.
“Lufta asnjëherë nuk fillon me shpërthime. Lufta fillon me heshtje,” thotë Chernov në hyrje të dokumentarit “20 ditë në Mariupol”, që përmbledh fillimin e sulmit rus ndaj këtij qyteti, port i rëndësishëm dhe qendër industriale ukrainase, 50 kilometra në lindje të Rusisë, pikë strategjike që lidh Ukrainën me Krimenë e pushtuar nga rusët.
Heshtja që i paraprin shkurtit të vitit 2022 në Mariupol është e shkurtër. Ajo thyhet nga 190,000 trupa ruse që godasin qytet pas qyteti në Ukrainë dhe nga aeroplanë luftarakë që shpojnë qiellin mbi Mariupol duke sulmuar parqet, spitalet, shkollat. Njerëzit enden të tmerruar dhe me dëshpërim pyesin “përse”.
Dokumentari është një rrëfim tronditës që ka prekur majat e festivaleve botërore. Më 10 mars, rrugëtimi i tij një vjeçar do të kulmojë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve prestigjioze Oscar, i emëruar nga Akademia e Arteve amerikane në kategorinë e dokumentarit më të mirë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, autori Chernov, që ishte pjesë e ekipit të vetëm të gazetarëve të mediave të huaja në Mariupol gjatë shtetrrethimit, ende e ka të pabesueshme që si dëshmitar i një tragjedie të tillë, jetoi për të treguar për njerëzit e thjeshtë që një ditë humbën çdo gjë.
“Çdo hap në këtë rrugëtim ishte një mrekulli. Fakti që mbijetuam dhe filmuam tërë atë që ndodhi në qytet, që ishim gazetarët e vetëm aty dhe që po dërgonim pamje nga qyteti ishte mrekulli. Fakti që arritëm të depërtojmë shtetrrethimin dhe t’i nxirrnim filmimet origjinale nga atje, ishte me të vërtetë një mrekulli. Rreth 30 orë xhirime, shumica e të cilave nuk ishin shfaqur dhe fakti që arritëm të bëjmë dokumetarin, janë gjithashtu një mrekulli. Secili hap është një e papritur. Nuk e dija se si publiku do ta priste filmin sepse është nganjëherë emocionalisht shumë i vështirë. Por publiku jo vetëm që e kuptoi rëndësinë e tij, por vazhdoi të ndajë mendime për të, vazhdoi të angazhohet pasi e pa. Morëm aq shumë vlerësime, mirënjohje… por të gjithat janë mirënjohje për njerëzit e Mariupolit, ata që mbijetuan dhe ata që nuk mbijetuan.”
Përmes gazetarit Chernov, i cili bashkë me kolegët e tij nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve The Associated Press fituan çmimin prestigjioz të gazetarisë Pulitzer, shikuesi sheh nga afër luftën e Presidentit rus Vladimir Putin. Filmi dokumenton se si shtangia dhe paniku shpejt zëvendësohen me radhë të gjata të plagosurish në spitalet që bombardohen, mjekë që qajnë në pamundësi për të shpëtuar një lumë të pandëprerë të plagosurish dhe prindër që ulërisin pranë shputave pa ngjyrë të fëmijëve të tyre të pajetë.
Bota e ceremonisë së çmimeve Oscar është në kontrast të thellë me atë të përjetimeve të para dy viteve në Mariupol, ku nuk ka pamje të zbukuruara e as të imagjinuara.
Në botën e Mariupolit, jetën dhe vdekjen e ndajnë sekondat. Realiteti shfaqet pa filtra, në britmën e nënës, në vajin e babait që nuk e mbajnë këmbët, në gjakun poshtë shtratit, duart e rënduara të mjekëve që ndihen të pafuqishëm ndërsa përpiqen t’u shpëtojnë jetën të lënduarve apo u duhet t’u mbyllin sytë kur nuk ia arrijnë dot.
Kjo botë shihet tek Irina shtatëzënë, që filmohet teksa po bartej nga spitali i sapobombarduar dhe që më në fund nuk u mbijetoi dot plagëve.
“Jam i rraskapitur shpirtërisht, ashtu si edhe shumë gazetarë të tjerë. Por mendoj se në botën moderne ku po ndodhin shumë zhvillime të rëndësishme dhe tragjike, nuk mund t’i injorojmë ato, pasi po i injoruam, njerëzit që shfrytëzojnë pasivitetin tonë do të vazhdojnë ta shkatërrojnë botën. Është më mirë të jesh i tronditur, se të jesh indiferent në këtë botë. Më mirë të ndjesh dhembje por të veprosh, të bësh diçka në vend që të fshihesh dhe ta injorosh dhembjen… E di që kjo që po bëj i jep pak kuptim. Është zgjedhje e imja. Por për shumicën e njerëzve të Mariupolit, për shembull, kjo nuk ishte zgjedhje e tyre. Vuajtja dhe humbja e tyre nuk ka asnjë kuptim dhe kjo gjë është me të vërtetë shkatërruese, lënduese dhe traumatike. Kur nuk ka një arsye për humbjen e fëmijës apo për humbjen e shtëpisë e qytetit tënd, kur nuk ka as justifikim e as drejtësi, është shumë më traumatike për njerëzit dhe prandaj është përparësi e imja që t’i tregoj rrëfimet e tyre dhe jo rrëfimin tim.”
Por në këtë zymtësi, janë momentet e forcës së njeriut – dhe jetës, që sipas zotit Chernov, të bëjnë të qëndrosh. Për të, ky moment erdhi befas dhe iu ngulit në mendje.
“Është pamja e një foshnje që lindi në spitalin që tashmë ishte rrethuar nga forcat ruse dhe bombat po binin përreth spitalit. Nëna e foshnjes ishte plagosur. Mjekët frikësoheshin shumë për foshnjen. Dhe për një kohë, foshnja ishte e heshtur kur lindi, të gjithë menduan se nuk do të mbijetonte. Nuk dinim çfarë të mendonim. Dhe pastaj foshnja filloi të qante dhe të gjithë shpërthyen në lot. E mbaj mend që në atë moment një mjek më tha se njerëzit vetëm vdesin në këtë sallë dhe tani dikush lindi. Ishte një mrekulli, një mrekulli që të mbetet në mendje përjetësisht.”
Pamjet e shkatërrimit masiv të qytetit, që u bë simbol i brutalitetit rus në Ukrainë, ku bodrumet e ndërtesave nga strehimoret brenda ditësh shndërrohen në morgje, ndërthuren bashkë në një rrëfim të zymtë për koston e luftës, një paralajmërim për qëllimet dhe pasojat që do t’i vuanin ukrainasit dhe për një luftë që do ta rikthente vuajtjen e papërjetuar që një çerek shekulli në Evropë dhe pasigurinë kolektive pas gati një shekulli në këtë kontinent.
“Personalisht, do të doja që filmi të mos ekzistonte kurrë. Por kjo tragjedi ndodhi dhe ne e regjistruam. Dhe jo vetëm sa për të ekzistuar. Por tani që ekziston dhe meqë ekziston, dua të sigurohem që ta shohin sa më shumë njerëz. Secila fitore, secili vlerësim, secila mirënjohje është mënyrë për këtë film që të gjejë publik më të madh dhe për t’u siguruar që Mariupoli nuk është vetëm emër, por që mbetet simbol i secilit qytet të shkatërruar të Ukrainës dhe luftës që po vazhdon dhe tani. Këtë ua kam borxh banorëve të Mariupolit që i humbën të gjitha.”
Dokumentari “20 ditë në Mariupol” shënon herën e parë që një realizim i tillë përfshihet në listën e kandidatëve për Oscar dhe hera e parë në historinë e këtij çmimi prestigjioz që i hapet rrugë raportimit dhe gazetarisë nga një zonë lufte në kohë reale në majat e kinematografisë.
Regjisori kanadez ishte 97 vjeç; autor i filmave të tillë si drama racore “Nata e nxehtë e inspektorit Tibbs” dhe thriller “Çështja Thomas Crown”
VOAL- Zi në Hollywood: Është ndarë nga jeta në moshën 97 vjeçare regjisori kanadez Norman Jewison, autor i filmave të rëndësishëm dhe të ndryshëm si komedia romantike Moonstruck, muzikalja Fiddler on the Roof, drama racore Nata e nxehtë e Inspektorit Tibbs (me Sidney Poitier në rolin e detektivit të zi), dhe trileri The Thomas Crown Affair.
Një shtatë herë i nominuar për Oscar, Jewison mori çmimin prestigjioz Përkujtimor Irving G. Thalberg nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit në vitin 1999. Si regjisor ai ishte i njohur për aftësinë për të nxjerrë interpretime të shkëlqyera nga aktorët e tij, 12 prej të cilëve u nominuan edhe për çmimet më të shquara në botën e kinemasë.rsi-eb
“Succession”, “The Bear” dhe “BEEF – The Clash” arritën jackpotin
VOAL- “Succession”, “The Bear” dhe “BEEF – The Clash” fituan, secili në kategorinë e vet, në edicionin e 75-të të Emmy Awards. Sezoni i katërt dhe i fundit i sagës Roy (“Succession”) fitoi gjashtë statuja, duke përfshirë ato për serialin më të mirë dramatik, për protagonistët Kieran Culkin dhe Sarah Snook dhe për aktorin dytësor Matthew Macfadyen. Sezoni i parë i “The Bear” (i dyti do të duhet të nominohet në edicionin e ardhshëm) doli fitues në mesin e komedive, me gjashtë trofe. Më prestigjiozja, ajo për serialin më të mirë humoristik të sezonit të kaluar.
Miniseriali “BEEF – The Clash”, i krijuar nga koreani Lee Sung-jin për Netflix, fitoi të gjitha çmimet në kategorinë e tij: skenari më i mirë, regjia më e mirë dhe mbi të gjitha seritë më të mira të kufizuara. Emmy-të mbahen zakonisht në shtator, por këtë vit ato u shtynë për shkak të grevave që paralizuan Hollywood-in deri në nëntor.rsi-eb
Christopher Nolan, regjisor i “Oppenheimer”, me producente Emma Thomas
Zhgënjim për “Barbie” – Filmi më i mirë jo në anglisht është “Anatomy of a Fall”
VOAL- Nata e Golden Globes pritej t’i përkiste “Barbie” dhe “Oppenheimer”, por nga dy filmat dominues të vitit 2023 vetëm i dyti arriti atë që pritej. Filmi i Christopher Nolan fitoi pesë çmime nga tetë nominime të dielën, duke përfshirë filmin më të mirë, dramën, regjisorin më të mirë dhe aktorin më të mirë në një dramë (Cillian Murphy).
“Barbie” e Greta Gerwig u kënaq me vetëm dy statuja nga nëntë nominime: njëra për filmin me fitim më të madh (të pashmangshme, me një arkë globale prej 1.4 miliardë dollarësh) dhe tjetra për këngën më të mirë origjinale, “What was I made for” nga Billie Eilish dhe Finneas. Globi i artë për komedinë më të mirë shkoi për “Poor things” nga Yorgos Lanthimos, me Emma Stone çmimin si aktorja më e mirë, homologu mashkull i së cilës ishte Paul Giamatti për “The Holdovers” nga Alexander Payne.
“Anatomisë së një rënieje” i mungonte një statujë
Italia po kërkonte Matteo Garrone, por fituesi për filmin më të mirë jo në anglisht ishte “Anatomy of a Fall” nga regjisori francez Justine Triet, i cili gjithashtu fitoi për skenarin më të mirë. Dukej si një mbrëmje e destinuar për të kurorëzuar suksesin e Palmës së Artë të filmit në Kanë, por që u shpërfill nga Franca në garën për Oscar. Përveç që juria preferoi Lily Gladstone ndaj Sandra Huller: protagonistja e “Killers of the Flower Moon” e Martin Scorsese u bë kështu aktorja e parë vendase amerikane që fitoi një glob të artë dhe falënderoi publikun dhe anëtarët e jurisë duke bërë debutimin e saj në gjuhën Blackfoot. .
Lily Gladstone, e preferuar se Sandra Huller si aktorja më e mirë
Seriali më i mirë “Succession”.
Në total, Golden Globes dhanë 27 çmime filmi dhe TV. Në frontin televiziv, “Succession” mori trofe për serialin më të mirë dramatik, aktorin më të mirë (Kieran Culkin), aktoren më të mirë (Sarah Snook) dhe aktorin më të mirë dytësor (Matthew Macfadyen).
Ceremonia ka zhgënjyer
Pas skandaleve që kishin përfshirë Shoqatën e Shtypit të Huaj të Hollivudit, e cila kishte dhënë çmimet për tetë dekada, nën drejtimin e ri ngjarja – fjalimi hyrës i së cilës ishte bërë një takim brenda një takimi – këtë vit me Jo Koy të zhgënjyer. rsi-eb
Aktori koreano-jugor, Lee Sun-kyun, i njohur për rolin e tij në filmin “Parasite” – film i shpërblyer me çmimin Oscar – është gjetur i vdekur në një makinë në Seul, të mërkurën, thanë autoritetet.
Ai është gjetur pas disa javësh hetimi intensiv nga policia si i dyshuar për përdorim të drogës.
Sipas policisë dhe ekipit të urgjencës, Lee është gjetur në një gjendje pa ndjenja në makinën e parkuar në një rrugë në veri të Seulit. Oficerët e urgjencës më vonë konfirmuan se ai kishte vdekur, sipas stacionit të policisë Seongbuk të Seulit.
Policia tha se ishte në kërkim të aktorit 48-vjeçar, pasi mori një raport se ai ishte zhdukur.
Policia refuzoi të jepte detaje të mëtejshme, përfshirë atë nëse Lee kishte vrarë veten. Por, mediat koreano-jugore thanë se familja e aktorit Lee më herët, të mërkurën, raportoi në polici se ai u largua nga shtëpia pasi kishte lënë një mesazh të ngjashëm me një shënim për vetëvrasje.
Sipas policisë, trupi i Lee u transportua më vonë në një spital në Seul.
Lee luajti në filmin “Parasite” – fitues i çmimit Oscar për filmin më të mirë dhe i shpërblyer edhe në tri kategori të tjera në vitin 2020.
Ky ishte filmi i parë parë koreano-jugor dhe jo në gjuhën angleze që fitoi një Oscar në atë kohë. Në film, Lee luante kreun e një familjeje të pasur.
Ai u nominua për aktorin më të mirë në “International Emmy Awards” për interpretimin e tij në trilerin fantastiko-shkencor “Dr. Brain” edhe vitin e kaluar.
Edhe para “Parasite”, Lee për një kohë të gjatë ishte një aktor i njohur në Korenë e Jugut.
Ai u bë i njohur për rolin e tij në një serial dramatik televiziv të suksesshëm, “Coffee Prince (2007)” dhe fitoi popullaritet me dramën mjekësore “Behind The White Tower (2007), “Makarona (2010)” dhe “Myster (2018)”.
Lee iu nënshtrua hetimeve policore për akuzat se ai përdorte drogë të paligjshme. Ai ngriti një padi kundër dy personave duke pretenduar se ata e shantazhuan atë. Lee këmbënguli se ai ishte mashtruar për të marrë drogën dhe, sipas tij, ai nuk e dinte se çfarë po merrte.
Prej kohësh, Koreja e Jugut ka pasur shkallën më të lartë të vetëvrasjeve në mesin e vendeve të zhvilluara.
Për shumë nga vetëvrasjet e të famshmëve, ekspertët kanë fajësuar komentet abuzive në internet dhe ngacmimet e rënda kibernetike.rel
Aktori Matthew Perry është varrosur në Los Angelos në një ceremoni private, kanë raportuar mediat amerikane.
Është raportuar se në ceremoni kanë qenë pesë aktorët e serialit Friends, në të cilin ka marrë pjesë edhe Perry.
Ceremonia e varrimit është raportuar të ketë zgjatur dy orë.
Perry është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Llos Angjelles në fundjavën e kaluar, në moshën 54-vjeçare.
Shkaku i vdekjes së tij nuk është konfirmuar ende, pasi autoritetet janë ende në pritje të rezultateve të testeve të toksikologjisë.
Perry e ka luajtur rolin e Chandler Bingut në serialin Frieneds në periudhën 1994 – 2004, dhe vdekja e tij ka mërzitur shumë njerëz në botë.
Në varrezën ku është dërguar trupi i aktorit, janë të varrosur edhe shumë personalitete të famshme përfshirë Carrie Fisher, Paul Walker dhe Stan Laurel.
Perry ka vdekur një vit pas publikimit të librit të tij, në të cilin ka treguar më shumë për problemet me varësinë ndaj ilaçeve dhe alkoolit.
Në ditën e varrimit të tij është themeluar një fondacion i ri me emrin e Perryt, për t’iu ndihmuar atyre që kanë probleme me varësinë.rel
Matthew Perry vdiq në moshën 54-vjeçare të shtunën, më 28 tetor, që rastësisht ishte ditëlindja e ish të dashurës së tij Julia Roberts. Aktorja, e cila dje mbushi 56 vjeç dhe Perry ishin çift në mesin e viteve 1990.
Perry shkroi në kujtimet e tij të vitit 2022, ‘Friends, Lovers and the Big Terrible Thing’, se si aktorja do të interpretonte në Friends, por vetëm nëse ajo do të ishte pjesë e një historie me Chandler Bing.
Ish-çifti filloi të takohej në mesin e viteve 1990 ndërsa xhironte filmin “Friends”, sipas kujtimeve të tij.
Perry i dërgoi Roberts tre duzina trëndafilash dhe një letër për ta inkurajuar më tej për hitin komik të NBC – me kërkesë të krijueses Marta Kauffman.
“Kështu filloi një flirt tre mujor me letra mes tyre, pasi bëhej fjalë për periudhën para internetit, përpara telefonave celularë – të gjitha shkëmbimet tona ishin me faks e letra. Dhe ishin shumë, qindra”, shkruan Perry në librin e tij. “Tri ose katër herë në ditë ulesha pranë faksit dhe prisja që letra e saj e radhës të vinte ngadalë.”
Letrat e dërguara me faks, të cilat “u bënë romantike”, më pas u kthyen në telefonata që zgjasnin 5 orë. Pastaj Julia u shfaq në derën e tij.
“Kur e hapa, ja ku ishte, një Julia Roberts e qeshur në anën tjetër. Mendoj se thashë diçka si, ‘Oh, Julia Roberts’”, kujton ai. Roberts më pas do të shfaqej në Friends ndërsa ata ishin tashmë çift. Ata e kaluan Vitin e Ri 2006 së bashku në shtëpinë e familjes së aktorit në New Mexico përpara se të dy të ndaheshin dy muaj më vonë.
Matthew Perry vdiq në ditëlindjen e Julia Roberts.
“Takimi me Julia Roberts ishte shumë për mua. Unë isha vazhdimisht i sigurt se ajo do të ndahej nga unë. Pse nuk duhet?’ ka shkruar Perry në kujtimet e tij.
“Unë nuk isha i mjaftueshëm – nuk mund të isha kurrë i mjaftueshëm – isha i shtrembër, i padashur. Kështu që në vend që të merresha me agoninë e pashmangshme të humbjes së saj, u ndava me bukuroshen dhe brilanten Julia Roberts”.bw
Aktori Matthew Perry, i njohur për rolin e tij si Chandler Bing në serialin Friends, ka vdekur në moshën 54-vjeçare.
Aktori u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Los Anxhelos, sipas mediave amerikane.
“Matthew ishte një aktor jashtëzakonisht i talentuar dhe pjesë e rëndësishme e grupit televiziv Warner Bros”, tha kompania në një deklaratë.
Përfaqësuesit e Perryt nuk kanë komentuar për vdekjen e tij.
Roli i Perryt në Friends e bëri atë një prej aktorëve më të njohur në botë.
Seriali Friends, që shfaqte jetën e gjashtë miqve të rinj në Nju Jork, u transmetua nga viti 1994 deri më 2004, duke fituar çmimin Emmy më 2002 për serialin komik më të mirë.
Perry u nominua për çmim Emmy për rolin e tij në Friends. Ai po ashtu kishe luajtur në filma të tjerë, sikurse Fools Rush In dhe The Whole Nine Yards.
Perry kishte folur hapur për problemet e tij me varësinë nga alkooli.
Perry u lind më 19 gusht 1969 në Uilliamstoun, Masaçusets. Babai i tij ishte aktori John Bennett Perry, ndërkaq nëna e tij Suzanne, kishte qenë sekretare për media gjatë qeverisjes së kryeministrit kanadez, Pierre Trudeau.rel
Ka ndërruar jetë Bill Cunningham, njeriu që dubloi zërin e kukullës së famshme “Ken” në vitin 1960. Aktori i “Barbie” ka vdekur në moshën 96-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles, sipas Deadline.
Shkaku i vdekjes së tij ende nuk është bërë i ditur. Vdekja e tij u njoftua nga agjencia e talenteve që ai themeloi, CESD.
“Ai ishte një nga themeluesit e mëdhenj novatorë të biznesit të agjencive të talenteve”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu ai përshkruhet si një “burrë i sjellshëm, me klas, që pati një ndikim pozitiv te të gjithë ata që përfaqësonte dhe punësonte”.
Ai filloi të huazonte zërin e tij në karikaturat pasi kreu shërbimin ushtarak në Luftën e Dytë Botërore. Karriera e tij u ngrit në qiell në vitin 1961 kur u zgjodh për të bërë zërin e të dashurit të Barbie, Ken.
Komentet