Një nga lajmet më pikante që dolën pas rezultateve të zgjedhjeve të 25 tetorit 2026 mbajtur në Serbi ishte humbja e Partisë Socialiste, e cila nuk ia doli të fitonte asnjë mandat. Lideri i saj është Ivica Daçiq.
Karriera politike e Ivica Daçiqit, një prej figurave më jetëgjata dhe kontraverse në Serbi, shtrihet nga fillimet e tij si zëdhënës i Sllobodan Millosheviqit deri te rënia e fundit elektorale, kur partia e tij nuk e kaloi dot pragun zgjedhor.
Largimi i tij nga politika përkon me shprehjen idiomatike italiane „Dalle stelle alle stalle“ – «Nga yjet në stallat e bagëtive» që përshkruan rënien nga maja e lavdisë në fundin më të palavdishëm të politikave ultranacionaliste serbe, që vijuan edhe pas largimit të Millosheviqit.
Ivica Daçiq lindi më 1 janar 1966 në Prizren. Në vend se ky fakt ta lidhte pozitivisht me Kosovën, e bënte edhe më agresiv e provokativ. Shkallën e provokimeve e rriti edhe gjatë fushatës së fundit që e varrosi përfundimisht si politikan, kur gjatë një tubimi elektoral në tetor 2026 ai i hodhi benzinë zjarrit duke deklaruar se “një ditë flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren”!
Karrierën politike e nisi në strukturat rinore të Lidhjes së Komunistëve.
Në vitin 1990 u bë kryetar i Rinisë Socialiste të Beogradit. Më pas, nga viti 1992 deri në vitin 2000, shërbeu si zëdhënës i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), që drejtohej nga kryekasapi Sllobodan Milosheviç, ku edhe për shkak të besnikërisë ndaj Sllobos së madh, mori pseudonimin “Slloba i Vogël” (Mali Sloba). Pas rënies së Millosheviqit, Daçiq e mori udhëheqjen e SPS-së në vitin 2003 (zyrtarisht kryetar që nga viti 2006). Ai u bë një lojtar kyç për krijimin e koalicioneve, duke shërbyer si Zëvendëskryeministër, Ministër i Brendshëm, Ministër i Jashtëm dhe Kryeministër i Serbisë (2012–2014). Në rrafshin ndërkombëtar, ai njihet edhe për nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 me Kosovën.
Sipas rezultateve të fundit zgjedhore të 25 tetorit 2026, karriera parlamentare e Ivica Daçiqit ka pësuar goditjen përfundimtare dhe për pasojë e këtij dështimi, partia e tij nuk do të përfshihet në përbërjen e re të parlamentit serb.
Qeverisja, e drejtuar mbi 12 vjet nga Aleksander Vuçiq dhe mbështetur nga Ivica Daçiq, morën goditjen pa kthim nga «Lista Studentore», duke e akuzuar qeverisjen për korrupsion endemik, autoritarizëm në rritje, kapje të institucioneve demokratike dhe shtypje të lirisë së medias, pakënaqësi që u shpalosën me Tragjedinë e Novi Sadit dhe kulmuan me humbjen e mbrëmshme, ku Ivica Daciq doli përfundimisht nga politika, si shprehje e humbjes së plotë të kredibilitetit si politikan paçka se ishte në majën e pushtetit si Zëvendëskryeministër i Serbisë dhe Ministër i Punëve të Brendshme dhe kur qeveria kontrollonte 90 % të mediave dhe ushtronte kontroll pa fund.
Por rezultati i mbrëmshëm tregoi, se, ish ministri i informimit i Milosheviçit dhe ish zëdhënësi i tij, të dy bashkë e kanë humbur kontrollin dhe janë rrëzuar.
Rrëzimi i partisë së Ivica Daçiqit është përfundimtar.
Fundi i turpshëm i «Mali Slloba» – «Sllobos së vogël» ishte si fundi historik i epokës gjakatare.
Le të kujtojmë se në zgjedhjet e dhjetorit 1990, viti kur kjo parti kishte konvertuar emrin nga Lidhja e Komunistëve të Serbisë në SPS, bash në pragun e kasaphanës së shpërbërjes së ish Jugosllavisë, fitoi 194 mandate nga 250 sa kishte Parlamenti i Serbisë, ndërsa në zgjedhjet e djeshme nuk fitoi asnjë mandat.
Fundi i bashkëjetesës së tyre politike i dha fundi një ere që e sfiliti për mbi tre dekada Ballkanin por edhe vetë Serbinë.
Tani të dyve Vuçiqit dhe Daçiqit u kanë mbetur nëpër rrugë vetëm posteret, nga ku shfaqen pompozë për herë të fundit.
Deri sa t’i lagin e grisin erërat e shirat e vjeshtës ose t’i heqin punëtorët e bashkive.