Edicioni i parë i festivalit eklektik të artit SINTRAK solli javën e kaluar në Tiranë si të ftuar nderi shkrimtarin Georgi Gospodinov, fitues i çmimit International Booker Prize, me një mesazh për domosdoshmërinë për unitet në aktualitetin kompleks politik e shoqëror.
Në fjalën e shkrimtarit më të përkthyer bashkëkohor bullgar, nuk mungoi as mbështetja e hapur për Revolucionin e Flamingove.
“Çfarë mund të bëjmë në këtë muzg që po bie mbi botë, në errësirën që zbret dhe mes së cilës shkruajmë librat tanë? Çfarë tjetër na mbetet, përveçse të thërrasim me zërin e një tjetër poeti të madh, Dylan Thomas-it: “Rage, rage against the dying of the light”. Me këtë thirrje dua ta përfundoj fjalën time për festivalin “SINTRAK”, që nis sot këtu, në zemër të Tiranës, e cila rreh me pulsin e një flamingoje rozë,” u shpreh Gospodinov-i në fjalën hapëse të festivalit.
Nën temën “Kohëstrehim” (Time Shelter) që i referohet si romanit të tij fitues të Booker-it, ashtu edhe nevojës për të forcuar lidhjen njerëzore në kohë të këtilla, organizatorët nga qendra librit dhe artit “Zgjoi” krijuan një hapësirë ku veprat e autorëve shqiptarë e evropianë u riinterpretuan përmes gjuhës së trupit. Kjo u realizua përmes koreografive origjinale të studentëve dhe pedagogëve të Shkollës Perandorake të Baletit në Tiranë.
“Letërsia është një antidot natyror ndaj helmit të propagandës. Historitë tona, bisedat mes nesh, janë i vetmi mjet që mund të na ngjitë e të na bëjë bashkë sërisht. Për sa kohë njerëzit flasin me njëri-tjetrin, për sa kohë janë ende të aftë të mblidhen rreth një poezie dhe një kërcimi, të merren me përmasat më të larta të njerëzores, jo gjithçka ka humbur,” u shpreh gjithashtu Gospodinov-i.
Koncepti i pazakontë i festivalit bëri bashkë emra të njohur si dhe shkrimtarë e poetë të rinj premtues. Dinçer Guçyeter, Todor P. Todorov, Rita Petro, Manjola Nasi, Gabriela Mujaj, Arti Lushi, Enxhi Naum dhe Ivana Trajanoska diskutuan gjatë mbi eksplorimin e ndërlikuar të krijimtarisë njerëzore në periudha polarizimi e lufte.
Përkthimi gjithashtu zuri një vend qendror në disa punëtori arti, duke nënvizuar edhe më tej rëndësinë e ndërtimit të urave përmes komunikimit.
“Ky festival është i rëndësishëm edhe sepse është themeluar nga një përkthyese dhe bën bashkë shkrimtarë nga skaje të ndryshme të Evropës. Ka diçka thellësisht njerëzore dhe të vërtetë në dëshirën për të dëgjuar zërat e të tjerëve dhe historitë e tyre,” tha Gospodinov-i.
“Sintrak është vija e thyer ku poezia dhe koreografia bashkëkohore ndërpresin rrjedhën e zakonshme të sistemit. Pa ndjekur rrugët e rrahura SINTRAK krijon një trak të ri, një hapësirë ku zëri merr peshë fizike dhe trupi kthehet në varg. Sintrak është ndërhyrja që çmonton strukturat e vjetra për të lëshuar në skenë një energji të papërpunuar,” tha Milena Selimi, përkthyese e një sërë veprave të Gospodinov-it, ideatore e festivalit.