Të paralajmëruar shqiptarët se me të takuar rrotat e avionit në Rinas dhe fare shkurt kryeministri Rama do të deklarohej mbi rastin Vlora Hyseni, Drejtoreshë e Shërbimit Informativ Shtetëror-SHISH.
Vëmendja e medias ndodhej aty, ndërsa kryeministri përcolli një video mesazh.
Vonesa si për çudi u mbush me zëra ku disa thanë se “u shty”… dhe ca të tjerë më interesantë i dhanë ngjyra fshehtësie pasi në zonën VIP ‘Departure’s dhe Arrivals’, për rreth gjysmë ore ndodheshin njëkohë, por me kahje ndryshe Tiranë dhe Strasburg dy lojtarët kryesorë në politikën shqiptare Rama dhe Berisha. Versioni “Jetojmë në Tironë” ku gjithshka ndodh ra pasi ende Rinasi aty ku ndodhet Aeroporti ‘Nënë Tereza’ vazhdon t’i përkasë Bashkisë së Krujës edhe pse me përpjekjet e njëanshme të socialistëve shihet si fushëbetejë përmes Reformës Administrative Territoriale duan t’ja kaluar atë Bashkisë Tiranë.
Zhvillimet në fakt priten të gjithanshme jo vetëm nga kjo situatë e Rinasit. Brenda vendit është bërë me dije se java fillon me një tjetër ngjarje interesante ku Kuvendi i Shqipërisë mban të Hënën më 28 Shtator, Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”.
Në Serbi presidenti Aleksandar Vuçiq ka dhënë dorëheqjen dhe pritet të kandidojë për kryeministër gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 25 Tetorit. Ndërsa raportet në vizita dhe kontakte zyrtare me homologët nga vendet fqinjë anëtare në BE si edhe ato që presin zgjerimin janë parë të mungojnë.
Pra i sapo kthyer nga Nju Jorku për javën e Asamblesë së 81-të të OKB-s ku nuk u shënua ndonjë takim i rangut të lartë qeveritar, Rama synon fitoren propagandistike.
Kur ora e shumëpritur shënoi daljen e kryeministrit, mediat e ndanë shikueshmërinë për mbi 30 minuta.
Tituj dhe nënvizime mbi fjalimi vërshuan rreth e rrotull çështjes kryesore dhe u la të kuptohej si zhvillim dita e Hënë 28 Shtatori si mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e thirrur nga presidenti i RSH, SHTZ Bajram Begaj.
Në se mund të mendohej si qetësi ose heshtje vijimi i së Dielës, u kuptua se mediat u ushqyen vetëm me fjalimin, ritransmetimin dhe analizat ndryshe nga ajo që mund të sillte realizimi i një konference për shtyp.
ATSH-ja mori përsipër që nga fjala e plotë dhe titujt e nënvizuar më vete duke mbuluar punën dhe përgjegjësinë e zyrave të medias së MIA-s dhe kryeministrit.
Të gjithë titujt e dhënë ishin ata ku kryeministri deshi të përqendronte skemën dhe vinte në lëvizje median dhe jehona t’i shkonte publikut me atë menu sikurse çështja e sigurisë kombëtare u trajtua për disa ditë si një histori rozë mes një zyrtareje të lartë dhe një koordinatori të krimit të organizuar. Jemi ende në termat e prezumimit të pafajësisë, por ajo çka dihet ka të bëjë me marrjen e dy masave të sigurisë nga gjykata si “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Ndërsa ish drejtoresha e SHISH Vlora Hyseni akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për dy vepra penale, konkretisht për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Le t’i rreshtojmë disa nga titujt për të kuptuar peshën që i jep propaganda personale e kryeministrit pa ato vlera që kishte parasysh mbi shërbimet publike dhe figurën e zyrtarit kryeministri dy tre javë më parë. Akronimi i ‘BESA’ dhe rrethi i ‘Pranisë Besnike’ tani janë arma më e fortë që socialistët parimor mund t’i shpallin luftë ndërgjegjes përpara se të ndeshen me skandalet si AKSHI dhe Diella të cilat nga përmasa e një informacioni të vetëm të vlefshëm do t’i çojnë hetimet në një “rabbit hole”*, një zbulim rrjeti i pafund të dhënash dhe i koklavitur.
Ku e do të përqendruar Rama median dhe opinionin, më poshtë janë renditur titujt:
“Rama: Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit, detyrë ekskluzive e drejtësisë” ,
“Reforma në drejtësi, Rama: Nuk ka kthim pas, sot sistemi po e lufton korrupsionin”,
“Rama: Vlora Hyseni kishte referenca të shkëlqyera nga partnerët”,
“Rama: Nuk kthehet më koha kur shteti politik dhe pandëshkueshmëria ishin e njëjta gjë”,
“Rama: Kur sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, fakt shtetëror që s’mund të anashkalohet”,
“Rama: Jam për historinë e jo për pasurinë, synoj për Shqipërinë, në BE brenda kësaj dekade”,
për të ardhur edhe tek më e fundit që mund të lexohet si terminologji e përdorur dendur dhe rishtazi e kryeministrit nga kjo dalje e paralajmëruar:- “Rama: Hyseni ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, ka hyrë borxh të madh moral me këtë vend”…
“Të hapësh llogari me drejtësinë” (?!) dhe në përdorimin politik ta shohësh atë si një transaksion bankar, më parë duhet të respektosh rregullat e lojës. Duhen ca para për ta hapur një llogari. Por brenda përmes kontributeve dhe prurjeve ndërtohet kredia/të ardhurat. Dhe kjo llogari transparente tek cilido ka dy ndarje ose llogari të tjera. Njëra është e kursimit dhe tjetra e përdorimit.
Për cilën nga këto e keni fjalën i nderuar kryeministër kur flitet për Sigurinë Kombëtare dhe Sekretin Shtetëror?
Nuk janë të ndara dhe të pa ndjeshme nëse kur secila prej tyre preket. Ky është ai “…borxh të madh moral me këtë vend” dhe që mbetet pjesa më e sinqertë e një vendimi që nënkupton përgjegjësinë tuaj dhe dorëheqjen.
“Përgjegjësia është individuale” pa përmbajtjen e dorëheqjes në fjalimin e kryeministrit të lë të kuptosh se edhe gabimet e përsëritura nuk paskan më rëndësi për shtetin gjithashtu.
Ku po shkon vendi?
Në rastin më të mirë shqiptarët e zbuluan se shtetin sot po e drejton pikërisht një amator dhe i paaftë.
Ky është dallimi dhe kuptimi se përse dikush tjetër duhet të qeverisë.
Ndërsa në se vazhdojmë pa mbajtur një qëndrim të rreptë kritik, lavdet dhe mburrjet apo histori që me arrogancë do të mbrojë performancën më të ulët të mbërritur shteti ndonjëherë, kjo do të lexohej më së miri tek shprehja e preferuar e tij:-“Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli. Nuk e solli koha. As Amerika apo Europa. Ata ndihmuan po, madje shumë, por pa mua dhe Partinë Socialiste ata do kishin bërë të njëjtin Noc Rrok që bënë me qeveritë e mëparshme, deri ditën kur ne i hymë atij deti në këmbë – apo që po bëjnë me disa qeveri të tjera rrotull në rajon”…
Kur një shtetar kthehet nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara, së paku e ka një mesazh për popullin, administratën, ambasadorët (BE-ja dhe SHBA-ja të sapo vendosur), e ka një mesazh të vërtetë që shqetësohet për rrugën që merr vendi.
Por kjo me Ramën nuk ndodhi.
E megjithëse nuk ndodhi, të paktën diçka të vërtetë zbuloi:- “Sot unë jam kthyer në Shqipëri, po Shqipëria nuk kthehet pas. Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë”.
Këtu mund ta ndalim analizën.
Rreth 50 herë fjala korrupsion u përmend dhe po kaq fjala drejtësi.
U zu në gojë siguria dhjetë herë, por përgjegjësia ishte dhjetë herë më pak sepse Rama po përpiqet të fshihet pas sistemit.
Nga e gjitha kjo kuptojmë se për të shuar skandalet kryeministri preferon vetëm të ngjitjet…
Të ngjitet (po se ku?), duke rritur edhe interpretimin që nuk ja mban nga njëherë as kolla e shkaktuar nga ajri i ftohtë i lartësive të fluturimit.
Rama tregoi me daljen e se së Djelës në Rinas se e kishte humbur energjinë edhe ‘sportivitetin’ për të qeverisur. Fjalimeve që shpesh ua bën shërbimin si të rëndësishme nuk e patën këtë impakt. Kujtoni rastet kur sapo del nga ndonjë asamble apo fushatë bëmash ku do të tregojë se funksionon ligji, ai nuk ngurron t’i nxjerrë për konsum filmat e shkurtër të aksionit, në lëvizje dhe gjatë udhëtimit pranë dritares me auto-veturë. Edhe dje rastin e kishte ta bënte edhe me dritaren e avionit në sfond (8 orë udhëtim), përderisa shmangu konferencën e deklaruar për shtyp dhe tha ato që ai donte të dëgjonte se:-“Sot unë jam kthyer në Shqipëri, po Shqipëria nuk kthehet pas. Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalë”.
Megjithatë në zbritje drejt Rinasit u ndije mungesa, fotoalbumi i udhëtimit nga SHBA-ja nuk u mbulua si nga hera. Njerëzve besojmë se ju kujtohen rastet se veç takimeve kryeministri hidhte shpesh ‘selfie’ nga dashuria për natyrën, gjallesën, lumenjtë dhe ujëmbledhësit e energjisë,… panelet diellore që kanë pushtuar tokat bujqësore e të tjera frymëzime si ‘Paketa e Maleve’ sepse nga Alpet drejt Rinasit kupton se ka hyrë zyrtarisht vjeshta dhe ai nuk gjen dot frymëzim.
Protestuesit me “Rama jepe dorëheqjen!”, janë aty prej 4 muajsh. Është dita e 120-të dhe protestuesit nuk ta kanë harruar edhe ironinë e tortës rozë të një nate më parë drejtuar nga SHBA-ja. “Torta rozë” e dekoruar me dy flamingo ku po përmes propagandës së ATSH-s publikonte se sa i dashur dhe i duhur është kryeministri për zhvillimin duke i mbush mendjen vetes tek shqiptarët në diasporë. Edhe aty nga Staten Island, përtej mikpritjes që ju dhanë nuk e latë pa e përcjellë nga larg inatin dhe ndjenjën e frikës e të sigurisë, ku nëse ka dikush si Xhevo* ju pret me tortë, “…njëri kishte ardhur nga Anglia për të hedhur vezë”. A e shikoni sa larg e qit o kryeministër idenë kur vjen fjala tek siguria rreth vetes.
Por mos shkoni më tej o kryeministër,… se nuk ua do njeri të keqen.
Rrini në kolltukun e avionit (me paratë tuaja) sa të mundeni e i tregoni këto rrëfimet me furrxhinj* sa herë të doni. Histori e ngjashmëri të tilla vetëm ca si juve dhe Enverit ju ndjekin gjithmonë si rastësisht,…
Në se nuk i keni dëgjuar, përpiquni t’i shihni protestuesit.
Është dita e 120-të dhe asgjë nuk ka ndryshuar prej kërkesës së tyre. Vetëm vjeshta tregon se ka ardhur zyrtarisht dhe nga mëngët e shkurtëra sot me qindra protestues (të gjithë) kanë hedhur nga një veshje plus me mëngë të gjata, krahëve… Kuptojini ata se përse kaq gjatë ata po ju durojnë dhe po ua kërkojnë dorëheqjen.