Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara i ka falënderuar shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai ka pretenduar se ka pasur presion ndaj tyre për të ndërruar qëndrim, por se ato kanë qëndruar konsistente.

“Dua të falënderoj individualisht secilin nga 107 shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e shpallur njëanshëm nga e ashtuquajtura Kosovë. E dimë se shumë prej jush keni qenë subjekt i presionit…Faleminderit që keni qenë konsistente. Që nuk e keni njohur pavarësinë e një pjese të territorit të Serbisë”, tha Vuçiç.

Në fjalimin e tij Vuçiqi ka kritikuar sulmet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999.

“Tentuan të merrnin 14 për qind të territorit të Serbisë. Kjo mund të duket si e kaluar e largët për ta, por plagët e vendosura në të drejtën ndërkombëtare janë të thella dhe të rënda”, tha Vuçiç.

Ai po ashtu ka folur për Marrëveshjen e Brukselit.

“Dua të ju paralajmëroj të gjithë këtu, kujdes kur nënshkruani me fuqitë e mëdha. Kështu nënshkruam marrëveshjen e famshme të Brukselit në vitin 2013, duke tentuar të zgjidhim problemet mes serbëve e shqiptarëve nëpërmjet kompromisit. Gjitha obligimet e ndërmarra nga Serbia janë plotësuar. E vetmja që është dashur të plotësohet nga shqiptarët, asociacioni i komunave serbe, nuk është bërë deri tash. Është interesante që marrëveshja është bërë në prezencë të BE-së, por edhe është konfirmuar me nënshkrim nga BE-ja”, tha Vuçiç./ KOHA