Mësova me keqardhje ndarjen nga jeta të gruas së madhe dardane Flora Brovina, mjeke, poete, veprimtare e shquar për të drejtat e njeriut, veçanërisht e njohur për angazhimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve në Kosovë. Nga i gjithë populli i Kosovës, është i njohur kontributi i saj në ndihmë të viktimave të dhunës seksuale dhe si mbrojtëse e luftëtare e të drejtave të njeriut. Gjithnjë luftëtare e vendosur e vijës së parë, gjithnjë e papajtueshme me të keqen, kurdoherë e shquar si një intelektuale, grua e emancipuar dhe e angazhuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës sonë të shtrenjtë.
Vendlindja e Flora Brovinës është Skënderaj, me të cilën ajo u krenua gjatë gjithë jetës. Flora u rrit në Prishtinë, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme. Ëndrra e saj për t`i shërbyer sa më mirë njerëzve ishte të bëhej mjeke. Dhe, u bë, madje e specializuar në pediatri në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës. Por Flora Brovina s`ishte vetëm një profesioniste e talentuar, ajo kishte zemrën dhe shpirtin e rrallë, edhe kur u qëndronte pranë pacientëve profesionalisht dhe shpirtërisht, por edhe kur përjetonte thellë vuajtjet e dhembjet e tyre.
Emri “Flora” ka kuptimin “lule”, ndërkohë që të gjithë pohojmë se ajo ishte lule e rrallë nga zemra dhe shpirti dhe mbeti gjer në fund një lule e bukur e jetës. Shpirti i Florës ishte human dhe poetik, ajo krijonte poezi të frymëzuara që mbeten thellë në kujtesën e lexuesve, ajo botoi disa vëllime poetike që lexuesi i ka vlerësuar për vlerat artistike dhe mesazhet që ato përcjellin. Janë ndër më të njohurat vëllimet poetike: “Përflakje e Stuhi”, “Bima ime e kuqe” dhe “Udhëkryqi”, ku poetesha ka trajtuar me fuqinë e shpirtit të saj temën e lirisë, të identitetit, të dashurisë për bashkëkombësit që u masakruan, u dhunuan dhe u vranë nga regjimi egër serb.
Flora BROVINA
Shtator 1949 – Shtator 2026
Mjeke, poete, veprimtare e shquar për të drejtat e njeriut
Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Flora Brovina ishte një nga figurat kryesore në organizimin e ndihmës për ushtarët e UÇK-së, shëruese e plagëve të tyre, mbrojtëse e viktimave dhe të të drejtave njerëzore. Në vitin 1999, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, Brovina u arrestua nga autoritetet serbe dhe u dënua me 12 vjet burg për “aktivitet terrorist”. Burgosja nuk e theu karakterin dhe personalitetin e saj, ajo qëndroi e palëkundur dhe gjithnjë denoncuese ndaj të keqes së zezë që terrorizonte pareshtur popullin e pafajshëm të Kosovës. Flora Brovina manifestoi një dashuri të madhe për Kosovën dhe bashkëkombësit e saj, këtë e tregoi edhe në orët e panumërta kur e merrnin në pyetje kërcënuese, por edhe gjatë gjykimit dhe burgosjes së saj nga regjimi serb.
Doli nga burgu më 1 nëntor 2000, pas ndërhyrjes ndërkombëtare dhe pas largimit të forcave serbe nga Kosova. Flora Brovina u bë anëtare e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike në Kosovë (PDK) në qershor 2002 dhe e kryesisë së partisë në tetor 2006. Dr. Brovina themeloi dhe drejtoi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, e cila ofronte ndihmë mjekësore dhe psikologjike për viktimat e dhunës seksuale dhe të të drejtave të njeriut, ndërkohë që ajo ndikoi te shumë nga gratë e dhunuara, që ato të kishin kurajën dhe guximin të ngriheshin dhe të denonconin dhunën dhe barbarinë ndaj tyre.
Flora Brovina u rizgjodh në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e përgjithshme të 2004, 2007 dhe 2010 dhe nga të gjithë njihej për shpirtin e saj të madh, për vendosmërinë dhe papajtueshmërinë me të keqen, ajo e meritonte vlerësimin si një zonjë e “hekurt” për këmbënguljen e saj për t`i shkuar gjer në fund të drejtës dhe të vërtetës. Gjithnjë e palodhur dhe vazhdimisht aktive në promovimin e të drejtave të grave dhe të fëmijëve, si dhe në proceset e shtet-ndërtimit në Kosovë. Emri i Flora Brovinës do të jetë vazhdimisht i pandarë nga historia e atdheut të saj. Ajo ishte dhe një gazetare e njohur e gazetës “Rilindja”, në artikujt e saj Brovina shprehte mendimet e saj të guximshme dhe origjinale, kritikonte të keqen, nxiste te njeriu rrugën drejt drejtë dritës dhe përparimit, drejt çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës së saj të dashur. Krijimtaria në prozë dhe ajo poetike e Flora Brovinës dallohej nga mesazhet e forta, poezitë e saj i shërbejnë jetës dhe të ardhmes, në ato poezi ka zjarr, ka energji, aty, shpirti poeteshës kërkon humanizëm dhe dashuri, mirësi, vlera njerëzore dhe liri. I ndjen dhe i kupton këto vlera edhe sikur vetëm të lexosh veprën e saj “Stinë Jargavanësh”, apo poezitë e saj frymëzuese për jetën, për të drejtat dhe liritë e njeriut, për luftën ndaj së keqes dhe afirmimit të së mirës, progresive. Flora nuk e ndau librin nga dora, te letërsia dhe te poezia ajo gjeti nxitësin e shpirtit të saj të zjarrtë dhe human. Flora i donte dhe i respektonte njerëzit, edhe të familjes dhe shoqërinë, por edhe ata që nuk i njihte personalisht, sepse shpirti i saj ishte thellësisht human. Veçonte gjyshen e saj, e cila me jetën që kishte kaluar, ishte një histori e tërë, ajo kishte kaluar të gjitha etapat e rënda të popullit të Kosovës, pavarësisht modestisë ajo grua ishte një luftëtare e heshtur, Flora asaj deshi t`i ngjante ndaj dhe e donte dhe e nderonte gjyshen e saj, që e pati shembull në jetë dhe në tërë veprimtarinë e saj.
Historia e Flora Brovinës është historia e një gruaje intelektuale që përjetoi edhe mbi vete dhunën dhe terrorizmin serb, ajo u rrit në një familje të goditur nga burgosjet politike, por që e shndërroi atë përvojë në forcë, besim dhe optimizëm, se një ditë gjaku i derdhur do të sillte lirinë e ëndërruar.
Flora Brovina mbeti gjer në fund një mjeke e njohur dhe me angazhime të mëdha dhe përkushtim ndaj profesionit, mbeti një poete e talentuar dhe dritë përhapëse, një mbrojtëse e fëmijëve, dhe nga veprimtare e palodhur për të drejtat e njeriut.
Ndjej një boshllëk të madh shpirtëror për largimin e saj nga jeta, jo vetëm se do na mungojë një shoqe dhe kolege e rrallë, por mbi të gjitha një grua me shpirt dhe zemër të madhe, një grua atdhetare, një poete dhe veprimtare, një nënë shembullore, që i dha jetë dhe dritë madhështisë së popullit të Kosovës.
Gjatë jetës sime në Kosovë, por dhe në vitet si emigrante në Norvegji, kam jetuar vazhdimisht me frymën dhe përkushtimin e Flora Brovinës, ndërkohë që do të ndjek idealin e saj atdhetar dhe human në shërbim të popullit tonë. Shembullin e Florës e ndoqën shumë vajza dhe gra luftëtare të UÇK-së, të cilat sikurse edhe Flora u treguan vazhdimisht guximtare e sypatrembura.
Flora Brovina mbeti gjer në fund të jetës një grua trimëreshë, një heroinë e vërtetë, të cilën nuk do ta harrojmë kurrë. Siç shkruan poeti, prozatori, dijetari dhe drejtuesi i Fjalës së lirë në Londër, Fatmir Terziu, “Flora është nga ata njerëz që duhet t`i kërkojmë në dritën që kanë lënë.” Dhe drita që ajo la pas është e madhe, sepse vet Flora Brovina ishte një grua dritë përhapëse.
Gratë heroina, si Flora Brovina nuk vdesin, ato dhe vepra e tyre jetojnë ndër breza dhe kurdoherë lënë gjurmë të ndritshme.
Tashmë ajo i është bashkuar dëshmorëve të atdheut, që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ajo ndrit si një yll i zjarrtë në qiellin e madh të lirisë.
Kurdoherë do t`i jemi mirënjohës asaj gruaje të rrallë, humane, poete dhe mbrojtëse e të drejtave dhe lirive të njeriut!
Ngushëllime familjes!
E paharruar vepra e saj e ndritshme!