Ndodhitë historike ndikojnë përciptas në masën popullore dhe më thellë në elitat. Mbas periudhave dramatike vjen një eufori në popull për të gëzuar jetën, kurse ndër intelektualë përqëndrim për të nxjerrë mësime, ose mëri kundra këtij ose atij faktori si shkak të humbjeve.
Ka dhe që bëjnë teorizime se me anë të luftrave zhvillohet njerëzimi. Këtyre u vihet përballë dallimi mes luftës pushtuese dhe asaj mbrojtëse që e pranojnë shumica si kuptim të historis por pa kërkuar më tej për Zotin gjykatës mbi të gjithë e të gjitha. Pasojë e saj del edhe një tjetër çështje: cila është paqja që duhet mbrojtur, paqe që e përligj veten dhe shumësinë e shteteve, pra respektimin e ligjit ndërkombëtar që shmang luftën në baza sa më të drejta të mundshme. Shpesh paqja bëhet më e keqe se lufta, ngaqë nji palë me kërcënime të vazhdueshme e kushtëzon atë mungesë lufte që e quan paqe.
E kemi para syve një të tillë sot. Qytetari e don vendin e vet, por urren qeverinë që i shërben kësaj lloj paqeje hibride për llogari të një blloku për dekada. Prej nji shekulli ka miliona emigrantë që e ndjejnë veten më të lirë jashtë kufive dhe njëherazi vuajnë për vendin e tyre. Në këtë lloj ‘internacionalizimi’ të kauzave, i kanë prurë Evropës ato mirazhe të rrejshme me veshje ideologjike si racizmi dhe bolshevizmi. Prej tyre ajo bëri një hap të madh mbrapa kundrejt nacionalizmit paraekzistues, sepse ato futën zjarrin e urrejtjes brenda kombit me vrasje që korrën po aq jetë njerëzore sa dhe lufta mes kombeve. Koha moderne ka nxjerrë këto risi të një tipi të ri, si alienimin e patriotizmit, shoqërisë civile dhe vet lirisë. Gjithçka u bë e vështirë nga e natyrshme që ishte e rrezikuar nga probleme të reja për tu zgjidhur.
Vijnë pyetjet: Rrezik nga kush? Shpëtim ku? Këto terma kanë ndërruar adresë gjatë shekullit të fundit, milionat e të shpërnguluve e dëshmojnë shpëtimin me drejtimin e hapave të ikësve, dhe rrezikun tek shokët e tyre të mbetur rrugës ose nën dhe. Informacioni ndërkohë është rritur në përpjestime të papara dhe ka përfshirë miliarda pjesëmarrës. Shkollimi masiv i zgjeruar ka ulur nivelin mesatar të shkëmbimeve intelektuale, me moskuptim deri në ndërprerje të komunikimit mes kategorive. Kjo ngre presionin e mendjeve gjysëm të arsimuara për tu dëgjuar dhe marrë në konsideratë, gjë që impresionon më të brishtët ndaj ‘’asaj që ndodh në piacë’’ dhe vë në krizë edhe elitën, një pjesë të saj, kujtoni kavalkatën e rinocerontëve jasht mureve të Joneskos…
Qeveritë dhe investuesit e ligjshëm mbesin në kontroll të situatës, afatet demokratike për zgjedhje rezistojnë, por klima e pasiguris nxit improvizues të ndryshëm të kërkojnë nji karierë të përshpejtuar brënda lëvizjes kundra, të vrullur nga tifozeria e masave, dikur të përulura dhe të bindura, sot pretenduese se po luajnë rol. Debati i afrohet kaosit prej zikzakeve të befta të turmës siç e konstatoi dhe e formuloi i famshmi Gustave Le Bon qysh në fillim të shekullit XIX, dhe kjo mjegull i jep dorë parasë të përdoret me fitim shumë më të madh se dje. Ajo gjen pretekste pa fund, dhe kamësit e rinj i ka mbrapa, ndër ta si bjerrësit e freskët ashtu dhe të motuar të kriterit fetaro-moral, për ta kthyer epokën tonë në pazarin më gjigand të kotësive, të gjitha të gjetura në spontaneitetin më gjenuin të njeriut masiv që ndjek me kënaqësi vogëlimth.
Duhen respektuar vërtet prirjet e tij të lindura dhe produktet që pëlqen, por sa vend do të mbetet për ‘dritën e rreptë sofokleane’ (që invokon E.Pound) të formojë breza në këtë shumicë të neveritshme gjërash që zë syri, dhe me nji aparat joshjeje të paparë që i rrethon? Qyshse mirëqënia dhe dëshira për të gëzuar jetën e solli mbarë, konflikti mes kollajllëkut dhe ndërgjegjes zbehu praktikimin e Fesë. Kjo nisi gjatë periudhës me art të shkëlqyer, por mjaft të ftohtë, me eksponentë artistë kulmorë që s’të vjen t’i citosh veçse me iniciale, L.d V., M.B.. R.S. të dhënë pas një arti paganizues të post Rilindjes, dhe kësaj ftohjeje iu dha goditja finale me Revolucionin. Vendin e saj e zuri arsyeja në planin zyrtar, kurse në atë praktik një lloj vëmendje naive o pasionale ligjërimeve që dolën nga hiçi dhe ftonin qytetarin të bëhej zot i vetes, në fakt skllav të projekteve që do të ‘përsosnin’ shoqërinë. S’kish pse të ndiqeshin më porositë e fesë për urti dhe bindje Zotit, përderisa qytetari mund të gjykonte vetë!
Si për inat të kësaj daljeje nga shinat mijëvjeçare, historitë e kësaj përsosjeje të shoqëris, e ndau Europën nga bota tjetër për krimet kolosale dhe jasht çdo precedenti që bëri, qoftë për Euegjenetikën (lexo pastrim i territorit nga racat e ulta, mes tyre edhe Judenjt e bezdizshëm, gjë që i shkonte për shtat legjendave me të cilat ishte ushqyer evropiani). Po aq edhe parimi i ‘Barazis Shoqërore’ me anë të pronës së përbashkët dhe suprimim të asaj private. Ky radikalizim që e bëri revolucionin fitore edhe për filosofët indiferentë ndaj fesë, (racionalistët) u njoh dhe mbeti triumf mbi Fenë! Një vendosmëri e tillë e karakterizon nji lloj intelektuali, që me t’iu dhënë rasti, psh posa ndodhet në një mjedis entusiast, ia ndez frymën edhe më pa ditur se ç’ fryte do japë. Në skajin tjetër ndodhet besimtari po aq intelektual por me një marzh mistik që ia frenon frymën diktuese normative në pritje të lëvizjeve më të thella brenda vetes dhe përreth.
Sidoqoftë kthesa majtas u sanksionua edhe në modernitetin më të avancuar me votimin e Kushtetutës së Bashkimit Europian pa Krishterimin në Preambul. Një arsye direkte ishte dhe komoditeti i të qënit të lirë nga detyra morale, (familjar o shoqëror) që kthehen në opcion i secilit. Arsyeja si fjalë është goxha autoritare dhe mund të dekretojë vendime edhe të pjekura, po dhe absurde meqë ësht thjesht instrument. E din çdo matematikant sa prodhimtare është ajo në hipoteza që ndihmojnë përparimin në ambjente të mbyllura ku projektohet një shpikje e re. Gjithashtu nuk po e përmendim si kritikë mungesën e Krishterimit në Preambulë, se mund të konsiderohej në atë moment edhe si perspektivë zgjerimi të ndjenjës fetare me qytetarë të ndryshëm që do përfshinte në të ardhmen Europa.
Dyshimi shkon te një mungesë totale e besimit, që koincidon me ateizmin të llojit pagan, historikisht baba i një estetike që qeveriset nga pasionet të veshura me emra zotash, dhe rezultate në të sotmen me zhdukjen e familjes, parasitizmin, hedonizmin dhe dëshpërimin. Përhapja e indiferentizmit në vend të zellit për punë, u evidentua më pas (1968) kur liria e fituar rëgjoi shkollën dhe e ktheu kohën e lirë të mirëqënurve në argtim të vazhdueshëm, ndërsa varfëria, si gjithmonë të ofron raste po edhe vullnetin për rezultate falë mobilizimit moral e madje mistik, me model të rrallin Nikola Tesla. U vu re ndër të tjera edhe se si mbajtja dhe rënia e ndjenjës fetare u reflektua në dy anët e Botës së Parë (Europë Amerikë) me fenomene tipike të ecjes së ndryshme historike, sikundër na impresionon edhe ashpërsimi i krahasimit në tërësi Evropë – SHBA, e para sulmuese dhe vrarë pa mëshirë mes vedi, e dyta në konvergjencë graduale racore në bindje të ligjit, dhe me unitet dhe energji të admiruashme kur u sulmua befas dhe humbi mijra viktima (Pearl Harbour Dhjetor 1941).
Lufta si akt dinjitoz qysh në antikitet e deri në marrëveshjet ndërkombëtare për shpallje lufte, respekt të robërve etj, po grisej paturpësisht në botë, duke e hedhur botën në barbari të shpallur tani dhe nën simbolin e Arsyes që printe qëprej 1789-ës ose pikërisht sajë saj. Për të pohuar të kundërtën, SHBA-të zgjodhën për simbol 6 Gushtin kur hodhën bombën A mbi Japoninë agresore. Dita e Transfigurimit, ku Jesu Krishti iu çfaqet në shkëlqim jashtoksorë tre Apostujve në Malin Thavor, u kujtonte Japonezëve jo vetëm rregullat e luftës që ata i kishin shkelur shtazërisht, po edhe masakrën e bërë në shekullin XVI në tokën e tyre misionarëve të krishterë pa asnji armë në trup veç ungjillit.
Rezultati qe spektakular. Nën drejtimin e gjeneral Mac Arthur Japonia pësoi nji transformim të plotë drejt të drejtave njerëzore duke ruajtur life stylin e tyre tradicional pozitiv. Ç’EFEKT DO KISH RUAJTJA E TRADITËS FETARE KRAHAS ASAJ SEKULARE Njeriu perëndimor ka fuqi intuitive të fituar edhe nga përvoja e tij me të panjohurën që e rrethon, eksplorime pra kontakte me të afërt dhe të largët, me të cilët duhet gjetur gjuha e përbashkët. Nga tradita sekulale ai është pajisur si luftëtar dhe parashikues në mjetet luftarake, ndërsa nga tradita e dytë, ajo fetare, ka apele të vazhdueshme për të mos u armiqësuar me të afërmin e për tu miqësuar me të largëtin, por edhe për të mbrojtur vendin kundrejt shthurjes që ia bjerr vlerat.
Nazistët i referoheshin hyjnive të Ëalhalas nordike, Bollshevikët Leninit dhe urrejtjes klasore, me rezultat tmerret që hoqi Evropa nën shembullin e tyre. Pasoja këto edhe të vetbesimit që të jep Arsyeja dhe liria për të provuar rastet.. Bie në sy pozitiviteti i të mbështeturit në të dy mesazhet, toksorit që vjen nga eksperienca më e kualifikuar njerzore ushtarake po edhe ajo spirituale, që mbas 100 vjet eksperiencë, të ndash mendjen si të preferuar kohezionin brënda vetes ( pra jo luftë klasash) dhe të ndehësh veshin mesazhit që të vjen nga Zoti. Duke iu bindur atij mesazhi njeriu hyn në të tashmen e përjetëshme të Zotit, që pavarësisht rreziqeve e deri zhdukjes, të çon në një përfundim të drejtë, edhe kur rreth teje fiton e përkohëshmja e krijesës në kushte dobësie. NË SE EVROPA DO VIHEJ MENDORISHT NË MOMENTIN E RILINDJES Nuk duhet shkëputur kurrë nga përfytyrimi i asaj që rjedh prej vendimeve dhe veprimeve tona shum shpesh të improvizuara. Të pajisurit me përvojë sa më të gjerë praktiko spirituale, janë më të rekomanduarit për tu pyetur në këtë pikë, sepse të kaluarën e shfrytzojn më bindshëm për të gjetur rrugën, dhe sektori më delikat që lyp roje të pandalur është ai i estetikës së jetesës. Shthurja më e vogël ka pasoja zinxhir për brezin në rritje, sajë natyrës së gatshme të të riut drejt së keqes, si një afirmim i vetes së vet mbi rëndomësinë e të tjerëve.
Artisti vet e ngre lart këtë krenari në rininë e tij. Sepse përulësia është e heshtur, nuk e tërheq atë veçse me vonesë. Ky është moduli mbi të cilin shpaloset historia! Deri edhe të pjekurit në rininë e tyre e ndihmonin guximtarin e paskrupullt, si origjinal, sepse kushdo, deri më i mençuri, në fillimet e tij është i paditur për ç’është origjinaliteti. Vetëm kur e zbulon që është pjesëmarrje në të tashmen e pakohë të Zotit , ai bindet të mos admirojë aksidentet që prodhojnë njerzit e fantaksur ose egoistë, qofshin ata brillantë. Kështu që Evropa në një meditim serioz mbi momentin e Rilindjes, do të binte dakord me Platonin për ‘dëbimin’ nga qyteti të artistëve të fantaksur si të rrezikshëm, gjë tërësisht e pamendueshme sot. Difekti qëndron te politikanët e ngjashëm me qytetetarinë mendjelehtë, së cilës i lakmojnë votën.
Duhet edukuar admirimi për njeriun që flet me argumenta edhe pa ngritur zërin. Elita serioze që kupton rënien e Evropës në dritën e asaj që ajo ka qënë dikur, e ka të qartë interesin më evident ose të vetmin e shoqërisë, por s’ka forcën ta mohojë tanimë pazarin e kotësirave, mbasi pat shtënë dashuri dikur edhe vetë në gjëra pa peshë dhe devijuese, në vend që të fokusohej tek harmonizimi i zbulimeve të reja me kulturën e traditës, tashmë të liruar nga historia hipokrite që fshihte dhe falsifikonte faktet, siç dëshmon veprimi i në kahje të kundërt i Papa Leonit XIV, tërësisht i pa drojë për namin që rrezikon. Shkurt kemi një çarje të thellë që s’dihet si shkon, nga njëra anë masa që ka humbur mundësinë e reagimit prej jetës plot vogëlsira që i janë bërë natyrë, shih filmat e G. Tornatore, dhe nga ana tjetër pakica inteligjente që s’mund të pajtohet së thelli me këtë rënim, po që ka humbur heroizmin prej përshtatjes së gjatë.
Rëndon mbi Evropë një humanizëm që ka harruar origjinën reale të tij, dhe e pret shpëtimin e këtij muzgu të rehatshëm nga një hordhi barbare që ka të paktën freskinë e veprimit spontan! Zgjidhja ose ndryshimi vjen në fakt jo prej ligjit ‘’nga sasia në cilsi’’, ajo ndodh vërtet por kapërcimi, realizimi, arrin papritur, si ajo ‘’erë që fryn dhe s’dihet ku shkon’’, duke prurë përligje pritshmëris së disave, dhe habi shumicës.