
* * *
E nisa me këtë poezi të rëndë të poetit nobelist Salvatore Quasimodo, e përktheva siç munda, se është dita e tij… dhe njeriu duket se është trashëgimtar i asaj barbarie të lashtë, – akuzon Poeti, – pavarësisht përparimeve, edhe ato të tanishmet, marramendëse të shkencës. Kur vëllai i tha vëllait:
“Të shkojmë në fusha”, është fjala për atë historinë biblike të Kainit dhe Abelit, vrasja e parë mes njerëzve… që vazhdon, edhe pse ndryshe, me shëtitjet e tanishme, pa dalë nga shtëpia, ja, të hedhim një sy nga fb, këtë të vrasim me një status a koment… Edhe pse është lexuar Quasimodo, qoftë dhe kohë më parë, – do të thosha pa ironi, – del rishtas ajo ligësi që s’përmbahet edhe në përditshmërinë e paqtë, sikur kthetrat dhe brirët, kafshimet me dhëmbë janë bërë metafora…
Porosia e poezisë së Quasimodos mbetet thellësisht humane: njeriu duhet të mësojë të mos e përsërisë më tragjedinë e etërve dhe ligësitë e vetes…
RRUGA E POETIT
Do të desha ta nisja duke treguar prapë që dhe unë kam qenë në shtëpinë e Salavatore Quasimodo-s, në Modica, Via Posterla 84, në Sicilinë magjepse, është muze… aty lindi…si sot më 20 gusht 1901… pra, 125 vjetori i tij… është poet i dashur dhe në Shqipëri…
Poeti dhe studiuesi, enciklopedisti Moikom Zeqo, mik yni, që na iku dëshpërueshëm shpejt, kishte zbuluar se dëshmori shqiptar, Dino Kalenja, vrarë gjatë luftës nga nazistët në 1944, që shkruante dhe vjersha, ka patur njohje me Quasimodo-n, madje dhe letërkëmbim dhe na sjell një fotografi, dalë të dy në Viterbo, Itali. Dino Kalenja studionte në Akademinë Ushtarake ndërsa Quasimodo kishte studiuar në Shkollën Teknike dhe ishte bërë gjeometër. Po ç’i bashkonte këta të dy? – pyet Moikomi dhe përgjigjet: Poezia.
Do të ishte me interes kërkimi i mëtejshëm në këtë zbulim të tij, për të cilin pati dhe një artikull të para më shumë se një dekade…
Poezia na bashkon.
Teksa ecja në të përpjetën e rrugës për në shtëpinë e Quasimodo-s, lexoja vargje të tij, të shkruara në muret e vjetra:
ED È SUBITO SERA
Ognuno sta solo sul cuor della terra
trafitto da un raggio di sole:
ed è subito sera.
Poezi e famshme, universalë, që përmbledhin të gjithë jetën njerëzore: njeriu është i vetëm, – na thotë, – i ndriçuar nga drita e jetës, por shumë shpejt vjen mbrëmja, që s’ka pse të mendohet si fundi, – shtoj unë. Quasimodo me vetëm kaq pak fjalë përmbledh vetminë, bukurinë dhe dhimbjen e ekzistencës, përkohshmërinë dhe pafundësinë…
Në shtëpi e Quasimodo-s ishte dhe kjo poezi, dhe zëri i tij, “aspak hermetik”, i inçizuar, pashë penën, skrivaninë, orenditë, ndjeva frymën, heshtjen, shfletova njërin nga librat. Poezia e tij është hermetike siç shkruajnë kritikët? – pyeta veten.
…kur isha në Milano dhe bëja stazh në gazetën “Corriere della Sera”, kujtoj që gazetari dhe poeti Sebastiano Grasso, me të cilin do të bëhesha shumë mik, më thoshte shpesh se je aty, ku ulej Quasimodo…
Heshtja… Mos ishte dhe thirrja e tij, s’dihet ç’donte të më thoshte, që kishte njohur një shqiptar, që u vra në luftë… po dhe piktorin Ibrahim Kodra, ia pëlqente veprën, edhe kur luante me mandolinë për atë pjesën shqiptare: Dhëntë shkojnë për ujë, që Maestroja qëllimisht ia përkthente: Dhëntë zbresin nga Olimpi… Ç’kumt donte të jepte?… Po unë a t’i tregoja se ajo tercina e famshme e tij
“Ed è subito sera” kishte hyrë çuditërisht dhe në burgjet shqiptare, s’di se si, dhe e përkthenin të burgosur si t’u pëlqente.
Unë nuk doja ta humbte atë rimën e vetme dhe në shqip:
DHE MENJËHERË VJEN MBRËMJA
Secili është vetëm në tokë, te zemra,
i çarë nga një rreze dielli
dhe menjëherë vjen mbrëmja.
Kaq e shkurtër dhe kaq tingëlluese, kaq e përjetëshme, e bukur deri në pikëllim hyjnor. Të jetë ky thelbi i Quasimodos që nga heshtja dhe tragjedia e kohës, të kërkosh të nxjerrësh gjithmonë dinjitetin njerëzor, paqen dhe humanizmin… dhe poezinë.
Visar Zhiti

