(Mesazhi, imazhi dhe propaganda)
“Çifti amerikan që shiti shtëpinë dhe la punën për të jetuar në Shqipëri”*, është një titull që godet i vonuar përsa i përket aktualitetit që shet propaganda zyrtare e qeverisë shqiptare ATSH-ja. Mendon njëherë se kjo gjetje e titullit mund të krahasohej me realitetin shqiptar duke sjellë ndërmend ndonjë statistikë apo intervistë qoftë edhe për ata të rinj dhe të reja që protestojnë në shesh prej 81 ditësh, por jo.
Nuk afrohet gjëkundi.
Shembulli dhe ilustrimi që ATSH-ja përzgjedh është diçka e shkëputur në kohë, në hapësirë dhe ka një mesazh të mbuluar. Ky shkrim siç tregon përkthimi lidhet me një çift, kuptimi i të cilit nuk sqarohet se si bashkëjetojnë apo janë të celebruar apo me kurorë. Që në pikënisje paqartësia dhe identifikimi qëllimshëm për konsum megjithëse emrat në shkrim përdoren dhe identiteti pjesërisht tregohet në një foto ilustruese të përzgjedhur (mbase rrjetet sociale) etj. ka të bëjë me dy meshkuj (Sam dhe Spencer). Këtu topi i hidhet botuesit të parë që e ndërton opinion për interesat e veta. Ndërsa nga këtu ATSH-ja të jep një realitet që e vendos lexuesin në pozitë të të menduarit se si jetohet në çift dhe se si lexuesi i munduar, “përtyp” ose mund të marrë menjëherë qëndrime paragjykuese ose diskriminuese paraprakisht dhe kjo enkas kur ja përcjell publikut shqiptar. Enkas, kur dihet ligji u ngut për BE.
Dhe enkas për ta përplasur me realitetin e ditëve të sotme.
Kjo vjen e tillë sepse rruga profesionale në gazetari nuk ndiqet për ta paraqitur subjektin ndaj ajo bazohet tek interesi i çastit (narrativa e rilindësve), tek përkthimi dhe tek “copy-paste” për një mesazh propagandistik. E zgjedhur pikërisht pa identifikim në plotësimin e informacionit sepse kjo ngjarje shqiptare nuk vjen nga një reporter i ATSH-s që të paktën të ishte i pranishëm mes çiftit, ta ndiqte dhe njihte atë këndvështrim jete të tyre sado të veçantë. Ose po ashtu nga një reporter/e që t’i ketë ndërtuar pyetjet që i shkojnë për shtat titullit, nga një gazetar/e që të ketë praninë pranë subjektit. Ndaj e “bukura” dhe ky huazim është se ky shkrim nuk është veç se një përkthim i marrë si një shërbim për ‘mesazh dhe imazh.
Shkrimi i referohet një artikulli siç shkruhet, në “Business Insider” i botuar në muajin Prill, 2026. Nga i katërti, në muajin e tetë të vitit. Pra ashtu sikurse serialet televizive përsëriten dhe gjejnë kohën e konsumit, edhe lajmet e ATSH i shërbejnë modelit të propagandës turistike, imazhit dhe mesazheve me plot nënkuptime. Nga ana etike nuk sqarohet qoftë edhe fotoja teke e përdorur për çiftin, por kjo i përket përzgjedhjes dhe enigmës se kush është kush(?!). Jo se kush është i ndrojtur, pasi çifti e ka zgjedhur vetë mënyrën e jetesës dhe asnjë shqiptari kjo nuk i intereson jeta private e tjetrit. Fakt është që kjo mënyrë identifikimi që media zyrtare po përdor është se ajo shërben si një municion algoritmesh, imazhesh turistikë, gjinorë, gjeopolitik etj. e mundësisht të nxisë diskriminimin dhe përçarjen dhe largimin nga ato interesa që protesta po jep
.
Nuk ka një Shqipëri tjetër, atë të propagandës, por prej protestuesve po kërkohet një ‘Shqipëri e Re‘. Ky mesazh i përditshëm ashtu sikurse thërret po ashtu mban brenda shumë kuptim dhe përmbajtje, ndërgjegjësim kombëtar brenda vendit, në trojet shqiptare dhe në diasporë.
Fakti i rëndësishëm është se Ligji i Barazisë Gjinore i kaluar në parlament Nëntor 2025, mori 77 vota dhe 36 kundër pa pasur një dëgjesë serioze publike dhe pa përfillur edhe disa protesta pro familjes që u zhvilluan gjatë periudhave para dhe pas miratimit të ligjit*. Ajo që të vret nga shembujt e zgjedhur të kësaj natyre pra për imazh dhe mesazh të lajmit, është aktualiteti shqiptar.
Rinia në Protestë.
Emigracioni.
Mbrojtja e familjes.
Mbrojtja e Natyrës.
Mplakja e popullsisë.
Niveli i ulët i lindjeve.
Pamundësi financiare për ta nisur familjen në çift.
Dhe rezultati, 1/3 e popullsisë është larguar në 36 vitet e tranzicionit. Sot pamundësia e blerjes së një apartamenti dhe shlyerja e tij për 70-80 vite janë një tregues. Dhe së fundi një qeveri që urdhëron, një parlament që mposhtet nga fuqia e kartonit dhe një president që dekreton duke hedhur firmën, janë bashkë ai kapak që mbyll ‘dosjen’.
Do të ishte i udhës mendimi që ta diskutoje këtë përmbajtje duke intervistuar të rinj dhe të reja shqiptarë që duan të jetojnë në çift. Këtë media nuk e bën sepse është e censuruar dhe e mbytur nga propaganda e imazhit dhe mesazheve nënkuptuese. Deri sa ata/ato gazetarë ta marrin guximin, koha do të jetë vonë. Tema të tilla madje dhe që zgjasin nga dy tre orë çdo mbrëmje tek Sheshi i Protestës ka ‘me bollëk’, por prioritetet e studiove tv janë krejtësisht të tjera në këtë kohë.
Nëse nuk e keni pyetur rininë gjatë 80 ditëve, pyeteni sot në të Ditën e 81-të se:
Ku shkollohet rinia?
Ku punon?
Me kë dhe ku jetojnë?
A mund ta blejnë një apartament për familjen e re?
Sa fëmijë dëshirojnë?
Kush mund t’ua lehtësojë realisht problematikën?
etj. dhe ndryshe çfarë tjetër duhet me shit (?!).
Këto dhe të tjera pyetje sjellin të vërtetat e ndërtojnë si duhet konceptin e ndryshimit dhe të zhvillimit.
Media shqiptare prej kohësh nuk e ka njeriun në qendër, përveç atyre që drejtojnë politikën, kujdesen për imazhin dhe ushqejnë propagandën.
___________
*ATSH- 19 Gusht, 2026
*Kuvendi i RSH, Ligji Nr. 64/2025 “Për barazinë gjinore”
19 Gusht, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)