Miliarda euro të shpenzuara për një paqe që po lëkundet. Gabimet strategjike në menaxhimin e Bosnjës dhe Kosovës po vërtetojnë se drejtësia e diktuar nga jashtë po dështon të përmbushë standardet dhe nevojat e popujve të rajonit.
Ballkani Perëndimor po kalon një fazë turbullirash, ku arkitektura e ndërtuar me dekada nga komuniteti ndërkombëtar po tregon shenja të rënda lodhjeje dhe dështimi. Dy shtyllat kryesore të kësaj pranie – Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në Bosnjë-Hercegovinë dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) in Hagë – gjenden sot në qendër të kritikave të ashpra.
Në mesin e largimeve të paralajmëruara dhe raporteve ligjore dëmtuese, pyetja që shtrohet është shumë e thjeshtë: A po shërbejnë këto institucione për të ardhmen e rajonit, apo janë shndërruar në pengesa për stabilitetin dhe drejtësinë?
Paradoksi i Christian Schmidt në Bosnjë
Lajmi se Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë, Christian Schmidt, po largohet nga detyra, është pritur me një ndjenjë lehtësimi nga shumë vëzhgues. Megjithatë, trashëgimia e tij mbetet një thikë me dy presa.
Nga njëra anë, Schmidt duhet vlerësuar për guximin e treguar në vitin 2023, kur shpalli ligjin që çoi në ndjekjen penale të Milorad Dodik për sfidimin e autoritetit të OHR-së. Ishte një lëvizje e domosdoshme për të frenuar separatizmin e rrezikshëm të Republikës Srpska.
Nga ana tjetër, vendimi i tij i vitit 2022 për të ndryshuar rregullat e numërimit të votave menjëherë pas mbylljes së kutive zgjedhore mbetet një njollë e pashlyeshme në CV-në e tij.
Sepse ai veprim jo vetëm që krijoi kaos, por favorizoi hapur interesat etno-nacionaliste kroate, duke injoruar vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Në vend që ta orientonte Bosnjën drejt një sistemi ku të drejtat individuale mbizotërojnë mbi ato etnike, Schmidt e përforcoi ndarjen tribale të vendit. Tani që flitet për pasardhësin e tij, rreziku është edhe më i madh.
Ideja për të emëruar një amerikan në krye të OHR-së, që dikur do të dukej si zgjidhja ideale, sot ngjan me një “çmenduri” gjeopolitike. Administrata Trump ka treguar tashmë një qasje transaksionale alarmante, duke hequr sanksionet ndaj Dodik në shkëmbim të interesave ekonomike.
Ndaj dhënia fuqi diktatoriale një administrate që paqen e sheh si biznes, do të thoshte fundi i aspiratave evropiane të Bosnjës.
Haga dhe hije mbi drejtësinë e Kosovës
Situata në Kosovë nuk është më pak dramatike. Dhomat e Specializuara, të krijuara nën presionin ndërkombëtar për të gjykuar krerët e UÇK-së, po përballen me një krizë legjitimiteti. Një raport i fundit nga Komiteti i Barit për të Drejtat e Njeriut të Anglisë dhe Uellsit (BHRC), ka hedhur dyshime serioze mbi procesin që po zhvillohet në Hagë.
Raporti nxjerr në pah shkelje që prekin thelbin e drejtësisë: nga mohimi i lirimit me kusht deri te pranueshmëria e provave të dyshimta, shpesh të furnizuara nga qeveria e Serbisë.
Parimi i “barazisë së armëve” midis prokurorisë dhe mbrojtjes, duket se ekziston vetëm në letër. Si dikush që dikur ka nxitur liderët kosovarë të pranonin krijimin e kësaj gjykate, sot ndjej peshën e një mea culpa.
Drejtësia që po jepet në Hagë nuk po përmbush standardet evropiane dhe as nevojat e popullit të Kosovës për një proces të drejtë. Kur një institucion që kushton qindra miliona euro dështon të garantojë paanshmërinë, ai pushon së qeni mjet drejtësie. Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së në këto rrethana do të festohej vetëm në Beograd, ndërkohë që do të minonte rëndë autoritetin e drejtësisë ndërkombëtare kudo tjetër.
Drejt një udhëkryqi të rrezikshëm
Bosnja dhe Kosova janë dy anët e të njëjtës monedhë të dështimit ndërkombëtar. Në Bosnjë, kemi një institucion me fuqi “monarkike” që po përdoret për pazare etnike. Në Kosovë, kemi një gjykatë që rrezikon të shndërrohet në një instrument për rishkrimin e historisë së luftës çlirimtare.
Zgjidhja për Bosnjën nuk mund të jetë thjesht transferimi i përgjegjësive te BE-ja. Përpara se OHR të mbyllet, Bosnja ka nevojë për një kushtetutë të re që e transformon atë në një shtet demokratik funksional.
Sa i përket Kosovës, DHSK duhet t’i nënshtrohet një monitorimi të rreptë dhe të pavarur. Drejtësia nuk mund të blihet me miliona euro nëse ajo shkel parimet bazë të të drejtave të njeriut.
Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk reflekton mbi këto gabime, arkitektura e paqes në Ballkan do të mbetet aq e brishtë sa mund të shembet nga lëkundja e parë gjeopolitike. Paqja pa një drejtësi të mirëfilltë, është vetëm një armëpushim i zgjatur.
Shënim: Daniel Serwer është profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe ekspert i njohur për menaxhimin e konflikteve dhe politikën e jasme amerikane. Ai ka shërbyer si diplomat i lartë në Ballkan, duke luajtur një rol kyç në proceset e paqes në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë.