Fundmars, 2026
Trishtimi i ruses T.
(Mbi makthet e Kremlinit dhe jetën e pagëzim…)
Saherë mërgimtarët kthehen nga atdheu, pas një qëndrimi disakohësh, kanë një ndriçim tjetër në vështrimin e tyre.
Dhe, veçanërisht ata, si do thoshte Markez, anonimët e shquar…
Por, mes fjalësh që rrëfejnë çmallje dhe elan të ri, ndonjë psherëtimë e beftë i kthen ngadalë në mantelin e të huajit. Lulet e zemërprehjes përballojnë një kohë, derisa mbi to të bie ngadalë bryma e tretdheut…
Por rusja T. ishte më ndryshe. Një natyrë e çiltër siç është, e lumtur vente në Moskë e pokështu kthehej në Berlin. Orët mërgimtare nuk e thyenin dot atë vullnesë ndjesie. Ishte e paprekshme në thellësinë e natyrës së saj.
Por një ditë kësojave, erdhi pak e heshtur në punë. Përshëndetja e zjarrtë ishte tretur. Ç’të ketë vallë, mendova dhe, njëkohësisht, thashë me vete: të jetë fyer nga ndonjë fjalë e pahir?
Gjendja në Moskë është një katastrofë, shpjegonte më pas. Mbretëron frikë, pasiguri, deshpërim kolektiv, heshtje morti. Ekonomia e luftës ka varfëruar gjithçka. Interneti është i mbyllur. Dhe njerëzit ndihen të izoluar nga bota si në vitet e Pasternakut.
Mbeta i habitur. Isha në dijeni për degradimin e jetës ruse nën autokracinë dhe luftën e gjatë që kthen çdo ditë djem të vrarë nga fushat e Ukrainës.
Por luftë, në fakt, kishte dhe vitin e kaluar. Mirëpo ajo, rusja e bukur T., fliste ndryshe pas kthimit nga atdheu i saj. Plot gjallëri dhe entuziazëm. Jo për luftën, natyrisht. Në prapavijë, si rr’fente, kishte një jetë të qetë e gjithë shpërfillje të rinisë për makthet e Putinit. Madje, kish dëgjuar se, pasi Trump shkelte pragun e Zyrës ovale, mund të bënte ç’të dojë në Ukrajinë e gjetiu botës.
Ndërkaq tani ishte trishtuar. Sërish, jo për rrëzomat e Kremlinit. E njoh sa të besoj që nuk e vuan atë brëngë. Ishte për ikjen e gëzimit nga sytë e rusëve të saj. Një rini dhe popull i nënshtruar që bjerrë çdo ditë shpresë e qytetërim në “botën e iluzore ruse”…
Ndërkaq mua do t’më rezultonte qysh herët një mendim i tillë. Por tani konsolidohej, disi, përfundimisht.
Saga e mikut Trump doli një blof. Një truk i agjencive të mashtrimit. Dhe kujtova kancelarin e madh Bismarck tek thotë: asnjëherë nuk ndodh të ketë më shumë gënjeshtra se sa në stinë zgjedhjesh, gjatë luftës dhe pas gjahut.
Rusia është e thyer: Në ekonomi, fushëluftë ku nuk triumfon dot (Ukraina ende kontrollon afro njëzet përqind të Donbasit), në moralin kombëtar, ëndrrën neoimperiale që tretet si retë pas shiut dhe, mjerisht, në psikologjinë e rezistencës së pamundur…
Burime lajmesh flasin se, përballë ngecjes në kthetrat e një lufte të pafituar, Putin matet të bëj një marrëzi: të provojë fatin ushtarak me Nato-n.
Dhe Baltiku përrallor piketohet si një provë e parë. Veçse po i hyri aventurës, kjo do të ishte poashtu disfata e parë dhe prova e tij e fundit!
Dhe rusja T. ku do të ishte atëherë me harenë e, më pas, me pikëllimin e saj?!
Fatet alternohen shpejt, nga mëngjesi në darkë, mëson Libri i vjetër…
R.
Fundmars, 2026
Sovraniteti i kufizuar i Europës…
(Mbi një mërgatë që hisedon)
1.
Skllevërit që s’janë
“Askush, si gjermanët, nuk e ka mprehur tehun e
vetëzhbërjes si Gjermania”!
Kështu shkruante vite më parë kultshkrimtari francez M. Houllebecq. I njohur tash sa kohë nga përsiatjet e tij mbi këtë temë. Madje romani “Nënshtrimi” ka pikërisht kryemotiv të rrëfimit të bukur letrar: vendësit që tkurren dhe emigrantët që shpërthejnë vullkanërisht.
Ishin motet e vështira kur kancelarja Merkel hiqte tavanin gjerman për pranimin e refugjatëve sirianë. E, ata erdhën dhe u sistemuan plot një milionë brenda një stine, viti 2015, që do të ndryshonte hartografinë etnike të këtij Landi europe me kompleksin e fajit të përjetshëm.
Por Marie Le Pen, desh t’a shpjegonte ndryshe arsyen e tavanit merkeljan. Gjermanët, thoshte ajo, kanë nevojë për skllevër!
Madje Albert Kamy, sikur t’a frymëzonte që herët, në “Letra mikut gjerman” shkruan se ne vijmë nga larg, nga një lashtësi qytetníe dhe nuk i dhuruan kurrë skllevër botës. Aluzioni ishte i qartë: ashtu siç bëni ju, gjermanët e Rajhut!
Por ishte krejt e pasaktë, natyrisht.
Sepse, thjeshtë, kush pati histori më të gjatë kolonializmi e skllavërie sesa frëngjët e tyre? Të zonjës Le Pen dhe, për çudi, të autorit famoz të “Letrave…” ?
2.
“Lufta e huaj”…
Ndërkaq, një kancelar tjetër, poashtu i djathtë (Merz, në bisedë me Sharaa-në), përqaset të korrigjojë diçka. Një shifër makthi. Një prishje ëndrre. Dhe një goditje natyre për civilizimin e lodhur.
Ndaj flet të rikthejë sirianët në atdhe. Që atje të kërkojnë fatin, duke ndërtuar vendin e tyre të jetimëruar!
Por është një mision i pamundur!
Nga 900 mijë të ngulur prej tyre, shumica tashmë kanë status shtetësie ose përhershmërie në tokën gjermane. Mirëpo athua janë akoma motivet e hershme që përnxisin një planveprim të tillë, gati imagjinar?
Jo, aspak!
Me gjasë, përveç strukturës nacionale që shfytyrohet, mandej tregu i punës, sistemi social e shëndetësor që ngarkohet, tash së voni shfaqet në arenë dhe një faktor tjetër tronditës.
I menduar qyshkur, por i mbetur pasiv e në pritje Ore!
Ishte lufta e Iranit që i bëri një shpalesë dhe tani beh revanshi i tij fatal.
Spanja fillimisht, pastaj Britët, tani Franca e ndjekur nga Meloni, Zvicërra dhe gjermanët e heshtur asnjanës, refuzojnë shërbesën e territoreve të tyre për fluturimin e avionëve amerikanë të luftës!
Arsyeja?
Paskësh kosto, mandej, fundja, nuk është lufta e jonë, Nato nuk ishte e agresuar – ishin disa nga shpjegimet e habitshme të tyre. Po a nuk shprishi këto fije indiferente Xhon Bolton tek tha: as Ukrajina nuk ishte lufta e Amerikës dhe Rusia s’kishte sulmuar një anëtar të Natos. Por do të bëhej gati palë lufte që në plasje të saj!
Përtej këtyre fjalëve kote, europianët duhet të kenë një dert tjetër që peshon rëndë: mërgatën islamike!
Dhe aderimi në një luftë të tillë do të aktivizonte terrorin a, thjeshtë, rebelimin e pafjetur të grupeve të saj për të destabilizuar në kufi përplasjesh (ose lufte civile, si pohonte Houellbecq) Europën e thembër-akilit mondan.
3.
Sovraniteti i kufizuar
Dhe ja, koha e re. E pritshmja që erdhi shpejt me një faturë në dorë. E ligë dhe e pagojë si asnjë tjetër.
Deri tani sovranitetet i kufizonin fuqitë hegjemone, blloqet ushtarake dhe varshmëria e të vegjëlve ndaj dalëzotësve të tyre.
Ndonjëherë dhe shpërfillja morale e së drejtës ndërkombëtare. Me shkronjën e saj, ajo do të mbronte shpesh tiranë të ndryshëm që shtypnin popujt e tyre apo etni të tjera në “burgun” e sajesave shumënacionale.
Sovjetët dhe jugosllavët ishin prova e përgjakur e historisë.
Por kësokohe shohim një formë tjetër të sovranitetit të kufizuar. Në fakt, është më shumë një vetëkufizim i mnershëm, një rrudhje, gati një ndarje e tij me vendet e origjinës së qytetarëve të tyre islamikë.
E pra, nuk mjafton kujdesi i kadiftë për të drejtat e tyre, promovimi i kulturës, madje tolerimi i “shoqërive paralele” që jetojnë në një milje tjetër ku ndiqen rregulla e kode të veçanta, krejt ndesh me Leitkulturën e vendit strehimtar.
Kërkohet më shumë, tepër më shumë. Duhet t’i
konsiderojnë përulshëm interesat strategjikë të vendeve prejardhëse. Pavarësisht përmasës dhe natyrës së tyre.
Ndryshe, fitili i shpërthimit ka afër, sa koha e një gjethi që bie, shkrepsën e zjarrit…
Eh, Europa e gjorë!
Dhe nuk janë fare të gatshëm të japim shtetin nacional në Themelet e patundshme unitare, por akoma vetëm disa atribute të pakta të shtetit klasik.
Së, fundmi, a mund të themi, si Otto von Habsburg tek shkelte rishtar e i flatruar, vitet 70-të, pragun e Parlamentit të Europës?
E pra: Një perandori e rinuar “romake”, e lirë dhe demokratike – është Rilindja e vetme e saj!
R.