Çfarë është kjo?!
Sa pushtet i kanë dhënë vetes kjo pjesë e politikës.
Një qytetar shqiptar në formulën për shtetësinë shprehet se:-“Betohem për besnikëri ndaj Republikës së Shqipërisë, për respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve të saj, si dhe për mbrojtjen e pavarësisë, tërësisë territoriale dhe të rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.”
Këtë nuk e luan topi, thotë populli.
Por duke qenë të ndjeshëm, të sinqertë dhe të ndershëm me veten edhe pa e bërë betimin, kush ka lindur në troje shqiptare dhe nga prindër shqiptar e ndjen se gjaku ndër deje i vlon.
Çfarë është kjo që po ndodh me Kushtetutën e Shqipërisë e cila megjithëse e ka të përcaktuar qartë se kush janë shtetasit shqiptarë, të shprehur në nenin
Nuk është e rastësishme që Kryetari i GPS dhe Koordinatori për Diasporën, pasi shëtiti dhe turbulloi diasporën në vitet e fundit që se kur u emërua edhe me detyrën e koordinuesit një vit para zgjedhjeve të 11 Majit, 2025 kur diaspora u mundua të përfaqësohej për herë të parë, Z. Balla nuk mungoi të futej në çdo dhomë zhveshjeje kuq e zinjsh si për t’u shquar si “menaxheri-babaxhan” i talenteve sportive sikurse edhe tani që në mesin e ciklonit të Samitit të katërt të Diasporës në Tiranë apo edhe nga Kuvendi i Shqipërisë vazhdon të fantazojë me projektligjin e “natyralizimit për interes shtetëror”.
Përse nuk ua tha në panelet pa thelb diskutimi mes shqiptarëve të ftuar dhe të ardhur nga diaspora se kjo qeveri (e KORRUPTUAR), na paska një tjetër matës për qytetarinë dhe shtetësinë shqiptare që quhet “natyralizimi për interes shtetëror”.
Pra geni i Ilirëve, i Arbëreshëve dhe i shqiptarëve pas Ismail Qemalit, tani në shekullin e XXI të viteve të Rilindjes Socialiste po shkakton “ndryshimin e materialit gjenetik” duke i shndërruar qytetarët dhe shtetasit në “shqiptari i shtetit”.
Këta politikanë që ministrat dhe deputetët të erës ose pjella e Diellës, pasi mendojnë dhe veprojnë njësoj nuk e paskan nga sot e tutje më problem identitetin njerëzor dhe kombëtar.
A ka mbetur ndonjë politikan patriot shqiptar që ta thërrmojnë këtë koncept pikërisht në atë vend ku këto ideologji gatuhen, në atë kuvend?
Çfarë është kjo çoroditje?
A ka studiues, sociologë, historianë, gjuhëtarë, shkencëtarë dhe artistë Shqipëria që t’ua kthejnë mbrapsht titujt dhe dekoratat e nderit kësaj qeverie, qeveritarëve dhe presidentit për këtë provokim qytetarie dhe diferencim që i bëhet shtetasve shqiptar?
Kjo nuk është më transparencë me publikun, por lajthitje-live në sy të publikut.
Në qoftë se dikujt me një pension meritash i është blerë heshtja, i është bërë mbase gati edhe nekrologjia nga ky pushtet ashtu sikurse edhe mund t’i jetë ruajtur toka dhe hequr shpenzimet e një ceremonie varrimi, shqiptarët e pagëzuar nesër nga Kumbar Taulanti, nuk besohet se do të mund të jenë më të shumtë në numër për sa shqiptarët e trojeve dhe diasporës.
More po, me kaq tru pjellor të jetë ky kodosh Kumbar Taulanti sa shqiptarët e larguar, të përzënë, të monitoruar e patronazhuar në diasporë, të kontrolluar e rinumëruar edhe si turistë po të duash, por në asnjëherë të pastër e të çiltër nga ky shtet, të mos kenë rastin për t’u pajisur njëherë e mirë me certifikata biometrike(?!) dhe pasaportë shqiptare.
Ka 13 vite që i shpërngulën shqiptarët dhe sot pas një 13 vjeçari ky shtet i rilindësve vazhdon dhe propozon projekt ligje për “natyralizimin për interes shtetëror”.
Këto janë gjëra që së pari nuk qëndrojnë. Edhe në se duam si për të ilustruar se në një sistem demokratik shtetasi gëzon liritë universale paska edhe “natyralizimin për interes shtetëror” kjo do të thotë se do të pranojmë se do të kemi nesër edhe “shqiptarin e shtetit”, pra individët e shtetëzuar.
Kjo po ndodh sepse ideologjia globaliste e rilindësve duan ta shtetëzojnë identitetin e tij (individit), pasi e shkelmuan bashkë me të edhe ligjet edhe kushtetutën gjatë tre mandateve të mëparshme.
Në qoftë e se doni të pastër dhe të qartë këtë tezë antishqiptare krahas fasadës dhe përmbylljes së Samitit të IV të Diasporës, ju mund të ndiqnit paralelisht punimet e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme të drejtuar nga zëvendëskryetarja Bora Muzhaqi, ku u paraqit projektligji si nisma Balla mbi kuadrin ligjor për fitimin e shtetësisë shqiptare. Në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për shtetësinë’, të ndryshuar”, i cili si akt nuk është asgjë më shumë se sa një teatër i shëmtuar.
Një koncept i servirur keq dhe i pambrojtshëm.
Një tezë shqetësuese për vetë përmbajtjen që ka ‘natyralizimi i shtetësisë’ si proces dhe i kombeve e shteteve me probleme në standardet e ruajtjes së numrave demografikë.
Shtetas dhe qytetar bëhesh natyrshëm duke përtypur mësimet qytetare të një shoqërie. Bëhesh natyrshëm aty ku punon dhe jeton, ku paguan taksa, ku ke zë dhe ku kërkon të integrohesh. Bëhesh i natyrshëm ku pranohesh dhe ku ushtron të drejtën e votës për të zgjedhur dhe zgjidhesh, ku lufton për të vërtetën dhe godet korrupsionin. Bëhesh i natyrshëm aty ku i shtrëngon dorën fituesve dhe sfidon arritjet më të mira tek vetvetja duke krijuar familjen tënde dhe lënë pasardhës. Bëhesh natyrshëm një qytetar i lirë e për dhjetra arsye të tjera pa shkuar tek makinacionet dhe mbrapshtitë e projektligjit të kumbarë Taulantit.
Pra je një shtetas dhe qytetar, e bëhesh edhe duke mësuar gjuhën, njohur historinë dhe respektuar traditën sikurse edhe do të bësh betimin sepse e ke bërë vetë rrugën dhe dëshiron që në vendin tënd të lësh pasardhës po kaq të ndërgjegjshëm.
Për të mos ju kthyer më një koncepti si “natyralizimit për interes shtetëror” ky i kumbarit Taulant, pasi atë dhe tipa si ai historia do t’i gjykojë, analiza jonë duhet përforcuar me një tjetër shenjë dhe të tjera bëma që elita e Rilindjes Socialiste ka qenë e lirë dhe e ndërgjegjshme për vite me rradhë për të shpërbërë pak nga pak dhe në çdo drejtim shqiptarët dhe Shqipërinë.
Lërini njerëzit të lirë dhe të jenë vetvetja.
Shtetësia vjen vetë ndaj edhe quhet proces natyralizimi.
Sistemi mono partiak shqiptar në vitet e fundit të diktaturës komuniste u lodh deri sa krijoi njeriun e ri dhe më pas u degradua. Rilindja Socialiste me etjen e re elektorale për t’i fituar 100% zgjedhjet e ardhshme vendore të 2027-ës ka arritur sërish tek kulmi i parti-shtetit.
BE 2030 po largohet gjithnjë e më shumë pikërisht për shkak të këtyre përsëritjeve që nuk kanë të bëjnë me lirinë dhe të drejtat universale të njeriut.
Ideologjia globaliste e Rilindjes Socialiste nuk është më as një çmenduri e rastit as edhe ndonjë gjenialitet i Kumbarit Taulant. Individi i shtetëzuar ose shqiptari i shtetit, në projekt ligjin e Ballës është i njëjti ligj ku Kushtetuta cifloset me korrigjime, me togfjalësha dhe germa në nenet e saj ritmikisht në tre mandatet që shkuan dhe tek viti i parë i këtij të katërtit.
I ndiqni punimet e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme të drejtuar nga zëvendëskryetarja Bora Muzhaqi, që e paraqitën projektligjin si nisma Balla mbi kuadrin ligjor për fitimin e shtetësisë shqiptare “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për shtetësinë’, të ndryshuar”, për të bërë dallimin se ku qendron Preambula e Kushtetutës së Shqipërisë, serioziteti i shtetësisë shqiptare me një ligj të vitit 2021 që u hodh për herë të parë nga tarraca e Bashkisë Tiranë, si kryeqytet metropolitan ku numërohen 144 kombësi të ndryshme.
Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj mbi marrjen e shtetësisë shqiptare thuhej se:-“Ligji i ri kërkon nga sot, që të jetë kryetari i Bashkisë autoriteti në të cilin bëjnë betimin shtetasit e rinj të Republikës së Shqipërisë. Edhe pse tingëllon shumë formale, në thelb është një moment shumë kuptimplotë dhe domethënës, ku ajo që sot na bashkon në këtë ambient nuk është gjuha, as feja, as kombësia dhe as origjina nga kemi ardhur, por drejtimi nga do të lëvizim të gjithë së bashku nga tani e tutje, një drejtim që lidhet mbi një ideal të cilin shqiptarët e skalitën kaq bukur në faqen e parë të Kushtetutës…”*, pa vazhduar më tej nga ky dokument i datës 21 Qershor, 2021 mohimi i gjuhës, i besimit, i kombësisë, i origjinës janë pikërisht shtrembërimi i asaj që në krye të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë është e shkruar sa më poshtë:
me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera
universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës,
demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore
të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin
për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për
prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe
solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar
për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia,
paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër
vlerat më të larta të njerëzimit, vendosim këtë Kushtetutë.
Cili është dallimi?
Vlen të thuhet se që nga 2021 kanë kaluar 5 vite.
Ajo ideologji tashmë është mbjellë.
Lexojeni, shikojeni në arkiva, bëni kërkimet tuaja për përkatësinë e gjendjes vetjake se çfarë i takon dhe çfarë i është marrë si qytetarëve ashtu dhe shtetasve shqiptarë apo edhe atyre si shqiptarë të diasporës po të duhet dhe pastaj vlerësoni se përse pak nga pak dhe me programim ka ndodhur ky degradim i ndërgjegjes kombëtare.
Pyesni se përse vota “masivisht” ka shkuar nga pushteti i Rilindjes Socialiste?
Pasi ta kuptoni, thërrisni edhe njëherë ndërgjegjen tuaj qytetare jo vetëm në kryeqytet për të kuptuar se çfarë e dallon shqiptarin e shtetit, atë individin e shtetëzuar nga qytetari i lirë me shtetësi shqiptare apo dyshtetësi që jeton e punon në botën e zhvilluar demokratike dhe që përpiqet që standardet t’i përcjellë edhe në vendlindjen e tij apo të të parëve të vet, pavarësisht se Parti-Shteti me propagandën e tij ka hapur grup-kapitujt për anëtarësimin në BE dhe kufijtë kohorë i lëviz bashkë me interesat e jetëgjatësisë së pushtetit.
15 Prill, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)