-Intervistë me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj-
PASAPORTA:
Shtetësia: Shqiptare
Ditëlindja: 12.12.1961
Eksperienca
- 2016 – 2023 Dekan i Fakultetit të Artit Skenik në Shqipëri
- 2008 – 2016 Rekor i Universitetit të Arteve në Shqipëri
- 1997 – 2007 Dekan i Fakultetit të Artit Skenik në Shqipëri
- 2007 – 2011 Anëtarë i Këshillit Bashkiak Tiranë
- 2003 – 2006 Zv/Kryetar i Këshillit Drejtues të RTSH
- 1985 – 1997 Pedagog në Fakultetin e Artit Skenik në Shqipëri
- 1981-1985 Përfundon studimet për “Aktor” në Institutin e Lartë i Arteve
Titulli akademik
1999 Titulli akademik – Profesor i Asociuar
2004 Titulli Akademik – Profesor
2020 Titulli nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë – Mjeshtër i Madh
Çmimet
1986: Çmimi i dytë për aktorë, akorduar në Festivalin e Shtatë te Filmit Shqiptar.
1982: Medalioni i Festivalit të Pestë të Filmit Shqiptar.
1979: Medalje “Naim Frashëri” – akorduar nga Kuvendi i Shqipërisë
SPECIALIZIME:
Gjate viteve 1995-2000 ndjek specializimet dhe stazhet profesionale në Shkollën Ndërkombëtare të Teatrit “Jacques Lecoq”, Paris (France), në Shkollën e Teatrit Murcia (Spanjë), në Departamentin e Shtetit Amerikan për Administrim-Menaxhim të Teatrit dhe të shkollave teatrore, si dhe organizimin dhe funksionimin e shkollave dhe kompanive teatrore, etj.
PJESËMARRJE:
Prof. Petrit Malaj është pjesëmarrës në shumë aktivitete periodike Evropiane dhe rajonale si festivale teatrore e filmike, konferenca e seminare, masterclass-e, workshope te ndryshme i angazhuar me cilësinë e pjesëmarresit, lektorit apo drejtuesit te sesioneve teoriko-profesionale (Lisbone, Shkup, Prishtine, Udine, Sofie, Sibiu, Badajoz, Lecce, L’Aquila, Pescara, etj).
PYETJE: Të fillojmë me rrënjët dhe historinë tuaj personale.Vlora dhe Tropoja në fëmininë tuaj, cila është pesha e kujtimeve në formimin tuaj si karakter , si ka ndikuar kultura dhe mjedisi i tyre në mënyrën e zgjedhjes së profesionit apo në qasjen tënde kah puna diplomatike?
PËRGJIGJE: Fëmijëria ime është e ndërtuar mbi dy realitete të forta shpirtërore: Vlora dhe Tropoja. Vlora më ka dhënë hapjen, frymën detare, një sens lirie dhe komunikimi me botën. Ndërsa Tropoja më ka dhënë rrënjët, qëndrueshmërinë, ndjenjën e nderit dhe besnikërisë ndaj fjalës së dhënë.
Këto dy dimensione nuk janë thjesht kujtime, por pjesë e identitetit tim. Ato më kanë mësuar të jem njëkohësisht i hapur dhe i qëndrueshëm, i hapur ndaj përshtatjes por i palëkundur në parime. Në diplomaci, kjo është thelbësore: të dish të dëgjosh, por edhe të qëndrosh fort kur duhet.
Profesionin tim e kam nisur me aktrimin, një përvojë që më ka ndihmuar të kuptoj më mirë njeriun, emocionet dhe mënyrat e komunikimit përtej fjalëve. Më pas, angazhimi im në pedagogji dhe në drejtimin universitar më ka dhënë mundësinë të punoj me të rinjtë, të ndërtoj ide, të menaxhoj institucione dhe të zhvilloj një qasje më të strukturuar dhe strategjike ndaj përgjegjësive publike.
Të gjitha këto përvoja, të marra së bashku, më kanë sjellë natyrshëm në diplomaci. Sepse në thelb, diplomacia është një kombinim i ndjeshmërisë njerëzore, komunikimit të kujdesshëm dhe përgjegjësisë institucionale, elementë që i kam ndërtuar hap pas hapi gjatë gjithë rrugëtimit tim.
PYETJE: Si ja dolët të kaloni nga një vend i vogël si Tropoja drejt një karriere diplomatike nderkombëtare?
PËRGJIGJE: Nuk besoj se vendi nga vjen e përcakton kufirin e mundësive të tua. Tropoja mund të jetë e vogël në hartë, por është e madhe në karakter dhe në vlera.
Rruga ime ka qenë një kombinim i punës së vazhdueshme, përkushtimit dhe besimit se mund të kontribuoj për vendin tim. Asgjë nuk vjen menjëherë. Janë vite studimi, përvoje, sfidash dhe, mbi të gjitha, një dëshirë e fortë për të bërë diçka për vendin tënd, si në art ashtu edhe për të përfaqësuar dinjitetshëm Shqipërinë.Ajo që më ka ndihmuar më shumë është të mos harroj kurrë nga vij,sepse kjo të jep drejtimin se ku duhet të shkosh.
PYETJE: Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Kosovës në këtë kohë, çfarë sfidash dhe mundësish shihni në bashkëpunimin mes dy vendeve, cilat janë prioritetet tuaja si ambasador për të forcuar më tej këto marrëdhënie?
PYETJE: Si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Shqipërisë dhe Kosovës në këtë kohë, çfarë sfidash dhe mundësish shihni në bashkëpunimin mes dy vendeve, cilat janë prioritetet tuaja si ambassador për të forcuar më tej këto marrëdhënie?
PËRGJIGJE: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë sot më të forta dhe më të natyrshme se kurrë më parë. Ato nuk janë vetëm marrëdhënie shtetërore, por mbi të gjitha marrëdhënie mes njerëzve, familjeve, kulturave dhe historive të përbashkëta.
Sigurisht, ka ende sfida ,sidomos në koordinimin institucional, në harmonizimin e politikave dhe në ritmin e zbatimit të projekteve të përbashkëta. Por mundësitë janë shumë më të mëdha: ekonomi e integruar, treg i përbashkët, shkëmbime arsimore dhe kulturore më të thelluara.
Prioriteti im si ambasador është ta bëj këtë marrëdhënie edhe më funksionale: më konkrete, më të prekshme për qytetarët, duke kaluar nga simbolika tek rezultatet reale.
PYETJE: A besoni se kultura, marrëdhëniet e përbashkëta kulturore, veprimtaritë dhe projektet e një kalendari të njesuar kulturor forcojnë lidhjen mes shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë, cilat tradita apo element kulturorë nga Malësia e Gjakovës/Tropoja do të dëshironit ti ndanit me qytetarët e Kosovës?
PËRGJIGJE: Pa asnjë dyshim. Kultura është ura më e fortë që lidh njerëzit ,më e qëndrueshme se çdo marrëveshje politike. Një kalendar i përbashkët kulturor nuk është thjesht organizim aktivitetesh, por një mënyrë për të jetuar së bashku identitetin tonë.
Nga Malësia e Gjakovës do të sillja frymën e mikpritjes, kcimin e Tropojës, këtë pasuri tonën kombëtare,lahutën si simbol të kujtesës historike, këngët epike, poezinë e poetëve tropojanë që për mua kanë lë një gjurmë shumë interesante në letërsinë shqipe, dhe traditën e kuvendit. Ato mbartin një filozofi të tërë jetese: respektin për tjetrin, nderin dhe lidhjen me rrënjët.Këto elemente nuk janë folklor, por pjesë e identitetit tonë të përbashkët.
PYETJE: A ka aktualisht inisiativa konkrete për të nxitur bizneset e vogla dhe të mesme në bashkëpunim në optikën e projekteve strategjike në sfidën e integrimit evropian si dhe të programit ndershtetëror, sidomos në rrafshin gjeografik të malësë së Gjakovës dhe të Dukagjinit?
PËRGJIGJE: Po, ka një vëmendje në rritje ndaj bashkëpunimit ekonomik ndërkufitar, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme. Këto zona kanë potencial të madh në turizëm malor, bujqësi, blegtori dhe produkte tradicionale.
Sfida mbetet në krijimin e mekanizmave më efikasë mbështetës mes bashkive e komunave dhe biznesit kufitar, qoftë përmes lehtësimit të procedurave, financimit apo rrjeteve të përbashkëta të tregut.Qasja jonë është që këto zona të mos shihen si periferike, por si ura lidhëse zhvillimi mes dy vendeve.
PYETJE: Çfarë mund të mësojmë nga njeri tjetri sot në fushën e arsimit dhe kulturës si dhe të krijimit të hapësirave të zhvillimit dhe integrimit të të rinjve në të gjitha fushat e jetës. Si mundet që nxitja e artit dhe të kultures të forcojë identitetin tonë kombëtar ?
PËRGJIGJE: Ne kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri , jo sepse jemi të ndryshëm, por sepse kemi zhvilluar përvoja të ndryshme.Në arsim, mund të thellojmë bashkëpunimin në programe të përbashkëta, shkëmbime studentore dhe standarde cilësie.
Në kulturë, mund të krijojmë më shumë hapësira për artistët e rinj që të bashkëpunojnë përtej kufijve administrativë.Arti dhe kultura janë thelbësore për identitetin tonë kombëtar. Ato jo vetëm e ruajnë atë, por e zhvillojnë dhe e bëjnë të kuptueshëm për brezat e rinj.
PYETJE:Cili është mësimi më i rëndësishëm që keni nxjerrë deri tani gjatë karrierës diplomatike?
PËRGJIGJE: Është një mësim i përbashkët për aktorin dhe diplomatin. E ky mësim i rëndësishëm është se si në aktrim ashtu edhe në diplomaci para së gjithash duhet të dish të dëgjosh. Pra mësimi kryesor, para së gjithash, është arti i dëgjimit.
Shpesh mendohet se diplomati duhet të flasë mirë, por në të vërtetë, ai duhet të dëgjojë edhe më mirë. Të kuptosh tjetrin, edhe kur nuk bie dakord me të, është çelësi për të ndërtuar ura dhe për të shmangur konflikte të panevojshme.
PYETJE: Me një përformancë të ndjeshme si aktor dhe artist, si mendoni se ka ndikuar arti në stilin tuaj diplomatik si dhe në komunikimin tuaj me publikun dhe institucionet? A ju ka ndihmuar përvoja juaj si aktor të kuptoni më mirë ndjeshmëritë komplekse njerëzore?
PËRGJIGJE: Arti më ka dhënë një ndjeshmëri më të thellë ndaj njerëzve dhe situatave. Si aktor, mëson të hysh në këndvështrimin e tjetrit, të kuptosh emocionet dhe motivet që nuk shprehen gjithmonë drejtpërdrejt.Kjo është jashtëzakonisht e vlefshme në diplomaci. Komunikimi nuk është vetëm çfarë thuhet, por edhe si thuhet dhe çfarë qëndron pas fjalëve.
Në këtë kuptim, arti më ka ndihmuar të jem më empatik, më i kujdesshëm dhe më i saktë në komunikim.
PYETJE: Mesazhi juaj për revistën tonë periodike dhe kulturore ‘’URAT’’ si një organ që promovon dhe vlerëson krijimtarinë letrare dhe kontributin intelektual të krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare.
PËRGJIGJE: “URAT” për mua është një emër domethënës sepse pikërisht ura janë ato që na duhen më shumë sot: ura mes njerëzve, ideve dhe trevave shqiptare.
Mesazhi im është të vazhdoni të ndërtoni këto ura përmes fjalës, kulturës dhe mendimit kritik. Sepse aty ku ka dialog dhe krijimtari, ka edhe shpresë për një shoqëri më të mirë.