Kërceva përpjetë. M’u trallis gjumi, m’u llaftaris.
Edhe frika u hodh përpjetë.
( Hidhi tutje!- tha buzëthati. )
-Ku t’i hedh ?
-Shtiji ku të duash, gremisi !.
Ç’të gremis? S’është gjë e rëndë, një grusht
dhe do përsipër.
I rëndë, i lehtë, në të s’ëmës – tha buzëthati.
Nuk sheh ç’bëhet, o qorr? Mund të na shohin, të na ndjekin
Unë paksa nuk shihja mirë, por qorr…
– ia preva mendimin shkurt vetes.
Tjetri, i vdekun s’gremiset- mendova.
Edhe vdekja ka gjumin e vet, edhe
ajo zgjohet.
Ç’the ?- më pyeti ftohtë buzëtrashi.
(Dëgjoi ndonjë fjalë, fola me vete.?)
Edhe vdekja meriton të nderohet –
i thashë prerazi buzëtrashit..
(Ai u tromaks. )
– Ç’the ? Po pse vdekje
është kjo e këtyre të humburve ?.
Ndryshkur dhjetë vjet – belbët fola.
Dhjetë vjet ndryshkur pse i mbanim,
pse i fshihnim, ç’na duheshin …
Përse po flisnim ne të dy me natën
në mes? Na ngatërroheshin keq
ngjarjet. Herë mua më dukej sikur
kudo që shkoja mbaja një trastë
të madhe me vete mbushur me …
(me se ?), herë më dukej sikur
tërhiqja një rrjetë peshku … në
kodër. Në kodër? Ç’tringëllonte
rreth meje, rreth tjetrit, përqark ?
Lajthitur ngasjet e ngjarjet
dhe ne të lajthitur.
Ç’kishim me vete?
Mua më rëndonte gjithçka. Pastaj
gjithçka më bëhej pendëz.
Po fle në këmbë ? – e ngacmova shokun.
-Kush po fle? Ti po fle?- kërceu ai përpjetë.
M’u duk sikur tjetrit iu holluan buzët,
iu leqendisën këmbët, zëri iu hollua.
-M’u shpif më keq – tha buzëholli.-
m’u bë gjëmë e stërgjëmë kjo e
përpjetë sonte.
Përplasi fort pëllëmbët sikur donte
t’i thoshte gjithçkaje përreth të shporrej.
Më hëngri frika. Gremise ! – tha buzëholli.
(Kë të gremisja ?)
Po fliste për këlyshin, ndoshta.
Bukën e tjerëve hamë edhe ne –
mendova në të qetë.
Ç’të gremisja.?
Një lepur ? S’ishte as lepur as bushtër.
Ishin prangat e një të burgosuri.
Po i burgosuri pa pranga ku ishte ?
S’ishte as njera as tjetra…
Gjysma lajthitur unë tani ?
Hilja, frika, grushti krruspull ishin aty?
Pështyma, pështirosja?
Shkelmi, thika, satëri?
Po lajthis, më duket …
(Dikur shkruaja ose bëja sikur shkruaja.
Edhe tani nuk përmbahem dot nga
frymëzimi thurrshthurr e nuk di
ku jam, ç’kujtoj, ç’flas.
Jam dhe s’jam me veten, me tjetrin.)
O, dreq dreqnish, ç’të gremis tutje?
Gremisëm ç’ishte për t’u gremisur.
Gremisëm edhe veten. Shkonim nga
shkonim dhe para syve na dilnin ata.
Cilët ata, thuama?
Të gremisurit tanë, pra. Të afërmit tuaj
gremisur prej nesh.
Në ç’kohë ndodhi kjo ? – më pyet ti.
– Po ku kishte kohë ahere, o njeri ? Koha ishte vdekje lepuri. Ngordhje lepuri. Vdekja ishte shurrë që lante fytyrën e kujtdo.
(Mos e tepëro, o njeri, mos…Nuk
mund të flasësh kështu. Mos shkruaj
asgjë nga këto – sikur i thoshja vetes.)
Vdekja ishte pjesë. Pjesë e secilit,
mysafir dite, po më shumë nate.
Vdekja nuk është poeti, o dështak –
shava veten ndër dhëmbë.
(Groposi thellë, thellë e më thellë –
sikur më tha atëhere buzëholli.)
Buzëholli a buzëtrashi?
Po ngatërrohesha me veten.
(T’u dhimbska një lepur ?-
zë nga hollëtrashi.
Ç’lepur ?- iu gjegja.)
Si iku ajo natë, ajo gjëmë as Zoti nuk e di.
Zoti nuk i di të gjitha. As fati s’e di ngahera
shtegun e vet. Pse e di nata kur do të gdhihet ? E di njeriu se kur do të vdes?
Përcolla pështymën e helmatisur
tëposhtë grykës. Grykës si fyell.
M’u trallis gjumi, m’u tromaks. Dhjetë vite
copa-copa gjumi im. Rrahëm rojen e bankës, nuk na jepte çelësat, ia rrëmbyem, tërhiq e tërhiq, thua ia shqyem këmbët.
Hëngri e hëngrëm grushte, përplas nofullat, çelësat ia vodhëm.
(Atëhere jetoja të njëzetat unë. S’e doja
shkollën, më rrëmbeu rruga… )
Do prisnim një natë qameti e do shkonim
prapë tek banka. As vet s’e dinim pse do
shkonim. Zakon hajduti. Brava do ishte tjetër. Do shkonim atje. Na duhej një kafshatë bukë për të jetuar.Do lypnim ndonjë qindarkë nga njerëzit që hynin e dilnin nga porta e madhe rrëshqitëse e bankës në ora 8 të mëngjesit.
Shkuam njëdizaj… Njerëzit, në bankë, hynin
me çanta, me qese, me-e-e- (m’u mbajt goja,) por dilnin nga banka me duar bosh duke rrëshqitur (???!!!) sa na afroheshin.
Çudi e madhe.! I nxirrnin të hollat nga ndonjë portë tjetër?
U përmenda. Më doli gjithë gjumi. Sikur m’i
shkundi edhe veshët.
I gropose, o dreq nate ? – më pyeti buzua.
– Po, jo, po – iu gjegja përçart. Tani, ne sikur
s’merrnim frymë. Frymë merrte përçartja jonë.
A i vërvita atë natë a më ranë tek këmbët
çelësat s’e mbaj mend. U pëshjellova keq
me veten. Groposa çelësa, groposa lepur,
(njeri asnjëherë), nuk mbaj mend asgjë.
Ne, lypësat s’para të vrasim, tek e shumta
të grabisim. Ne, hajdutët, tani u bëmë
lypësa. Lypësa jemi, hajdutë të vegjël.
…Sot e përdita e përnatë sa herë i afrohem
bankës tek rruga e portit në hapa më bëhet
sikur tringëllijnë çelësa. Mund të ishin edhe
pranga, mos o Zot, po ta kishim vrarë atë
natë rojen. Po prangat vihen në duar.
Unë vet i prangos ndonjëherë duart,
nuk i prangos, i çpoj me pirunj.
– Ku do dalim të lypim nesër ?
Nesër është nesër, por çdo
hamë sonte ?- sikur më tha
buzëthati, buzëtrashi
e buzëholli njëherazi.
Ju çdo lypni, o njerëz.?
Ne përditë e përnatë
ia lypim e ia hypim
njeri – tjetrit.